• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2016

Filmi Kosovar ‘Babai’ në kinematë gjermane

March 7, 2016 by dgreca

Pas sukseseve të shumta që pati filmi ‘Babai’ me skenar dhe regji nga Visar Morina, ky film ka filluar shfaqjen e tij në kinematë gjermane prej datës 5 Mars duke u bërë kështu filmi i parë kosovar i cili distribuohet në kinematë gjermane.Filmi ‘Babai’ ka filluar shfaqjen në Köln të Gjermanisë dhe vazhdon në Berlin, Münster, Hannover për të përfunduar shfaqjen në Düsseldorf.

Të pranishëm në shfaqjet e filmit do të jenë: regjisori, Visar Morina dhe protagonistët e filmit Astrit Kabashi dhe Val Maloku.Ky është orari i shfaqjeve të filmit për të gjithë ata që jetojnë në Gjermani:Adenauer Stiftung ne BERLIN me 07.03.2016 ne ora 18:00,

Cinema ne MÜNSTER me 08.03.2016 ne ora 19:00,

Kino im Künstlerhaus ne HANNOVER me 09.03.2016 ne ora 20:15 dhe

Bambi ne DÜSSELDORF me 10.03.2016 ne ora 19:00

‘Babai’ flet për Norin (Val Maloku), një fëmijë i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani e i biri bën çdo gjë për të qenë me të. Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.

Filed Under: Featured Tagged With: Filmi"Babai, ne Kinematë Gjermane

Dy Motrat Qirjazi, MESUESET E KOMBIT

March 7, 2016 by dgreca

Ne Foto:  Motrat Qirjazi, Sevasti e Parashqevi/

Nga Kadri TARELLI/

 Muaji i parë i pranverës sjell çdo vit disa festa, por 7 dhe 8 Marsi, janë dy nga më të bukurat e më njerëzoret për kombin dhe shoqërinë shqiptare, që i kushtohen mësuesit dhe nënës. Më pëlqen të mendoj se jo rastësisht e kanë gjetur veten pranë e pranë, si dy gonxhe rritur në një degë. Zoti nuk i ndau, sepse të dyja u takojnë fëmijëve. Nëna i sjell në jetë, ndërsa mësuesi i përgatit për jetën. Ndaj urimet për nënën dhe mësuesin janë nga më të bukurat, sepse burojnë nga shpirti i çiltër i fëmijëve dhe i prindërve.

Nuk dua të bëj fajtor asnjeri, pasi edhe unë jam brenda shoqërisë, por kur bëhet fjalë për festën e shkollës shqipe, menjëherë na vete mendja vetëm tek “7 Marsi” i vitit 1887, duke harruar se katër vjet më pas, më 1891 u hap “Shkolla e Vashave”, që të dyja në qytetin e Korçës. Pavarësisht se i shërbejnë të njëjtit qëllim e të njëjtit mision, shkollë ku mësohet në gjuhën shqipe, duket sikur e dyta është thjesht vashdimi i së parës, aq sa edhe festa është pronë e shkollës së parë. Kjo është e drejtë vetëm për histori, që është e ftohtë ndaj ngjarjeve. Mjafton të kthehemi e të qendojnë pak në ato vite të turbullta për shqiptarët, që ishin të robëruar e të përçarë dhe nuk u lejohej të mësohej gjuha amtare shqipe, atëherë mund të kuptojmë se sa e vështirë ishte hapja dhe mbajtja e kësaj shkolle. Nismëtarët ndodheshin në një trysni të trefishtë: turku me ushtri, xhandarë, burg e dajak, kisha greke me djallëzi, helmë e mallkime, në anën tjëtër fanatizmi ndaj vajzave dhe grave, i rrënjosur ndër shqiptarët prej 500 vjetësh robëri.

Duke u endur në historinë e kësaj çerdheje shqiptarie, siç ishte Shkolla e Vashave në Korçë, secilit i hapet gjykimi për udhën e ndritur dhe e vështirë nëpër të cilën udhëtuan e shërbyen dy mësueset, dy motrat, të ndihmuara me përkushtim nga vëllezërit e tyre Gjerasim e Gjergj Qiriazi. Shterohen fjalët e shtohen mendimet, kur lexojmë këto vargje të dalë nga shpirti i një mëmëdhetari të zjartë, siç ishte Gjerasim Qiriazi:

“Do punoj për mëmëdhenë

Gjithë jetën sa të ronj.

Do të zgjoj dhe ata që flenë

Kështu jetën ta mbaronj”.

Me këtë frymë atdhedashurie në familje, u rritën të dyja motrat, që kur e nisën shkollën dhe gjersa i bitisën studimet e larta në Stamboll e në Amerikë. Kultura e gjërë, zotërtonin mbi shtatë-tetë gjuhë të huaja, takimi me rilindasit e shquar, ideologët e çështjes shqiptare, u dha mundësi të njohin gjendjen e mjerë të shqiptarëve dhe të ndjejnë e të parashikojnë ardhmërinë e kombit tonë të shumëvuajtur, se veç me “Pushkë e penë të luftojmë për mëmëdhenë”.

Nuk ishte i lehtë vendimi dhe “betimi” për t’u bërë misionare të dijes, të hapjes së shkollave dhe mësimit të gjuhës shqipe, kur diheshin e njiheshin mundimet e pengimet që do të ndeshnin në veprimtarinë e tyre, kushtuar mësimit dhe ngjalljes së ndjenjës kombetare tek shqiptarët. Bindemi lehtë po ta shtyjmë veten në kohë, këtu e 125 vjet më parë, sepse mjaftojnë vetëm këto pak fjalë të arta: “Motër, punë më të mirë dhe më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë”. Për Parashqevinë kjo ishte porosia dhe “bekimi” i Naim Frashërit, kur e takoi në Stamboll dhe i firmosi diplomën e arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit turk.

Hapja e shkollës së Vashave, ishte një ngjarje e madhe në historinë kombëtare dhe faqe e ndritur e Arsimit Shqip. Vlera e kësaj pune ishte e jashtëzakonëshme për kohën, por edhe në vazhdim, sepse bëhet fjalë për emancipimin e femrës shqiptare, që ndodhej e zhytur në erësirën e fanatizmit. Vetëm arsimimi dhe mësuesi, ishte “doktori” më i mirë i kohës, që mund ta çlironte e ta shpëtonte vajzërinë shqiptare e nëpërmjet asaj emancipimin e shoqerisë.

Çuditërisht fjala “lavdi” u kushtohet vetëm drejtuesve të shteteve dhe fitimtarëve të betejave ushtarake, aqsa duket si pronë e tyre. Mbase e meritojnë dhe me të drejtë u ngrihen buste e përmendore, ndërsa për mësuesin jemi të kursyer e dorë shtërnguar, sado i shquar të bëhet, nuk i vendosin kurorë lavdie, pavarësisht se e meriton të artë. Ndoshta edhe shoqëria ka të drejtë në këtë mangësi gjykimi. E përsëris ndoshta, pasi mësuesi, si idealisti dhe “sherbëtori” më besnik i kombit, vrapon jo drejt dukjes dhe famës, por pas suksesit në mësimin dhe edukimin e brezave, drejt idealit që kombi të bëhet i lavdishëm. Kështu ka ndodhur e po ndodh edhe me Motrat Qiriazi, që përmenden rrallë e me raste, pavarësisht se meritojnë shumë e më shumë.

Si mësuese, motrat Qiriazi u shquan për dashurinë, vullnetin, këmbënguljen, qartësinë e mendimit dhe misionit të tyre, për frymën mëmëdhetare dhe kërkesave për ta ngritur “Shkollën e Vashave” në nivelin e shkollave më të mira të kohës. Ato jo vetëm që u përplasën dhe kapërcyen pengesat e kohës, por përbuzën lajkat, ofiqet dhe paratë që ofronin armiqtë e shkollës dhe gjuhës shqipe. Është me vend të përmenden dhe duhen mbajtur si stoli këto fjalë që aso kohe dolën nga shpirti i mësueses Helidhona Falli, që nuk u thye e nuk u tërhoq nga betimi që i kishte bërë vetes: “Vërtet jam një çupë e varfër, lindur e rritur jetime, por do punoj për gjuhën time. Qeveria don ta mbyllë shkollën shqipe, por unë do të vete shtëpi më shtëpi dhe do t’u mësoj fëmijëve shkrim e këndim shqip”. Të njëjtin qëndrim përbuzës ndaj parave do të mbante Parashqevia shumë vjet më vonë, kur ishte pjesë e delegacionit që përfaqësonte shqiptarët e Amerikës në Konferencën e Paqes në paris më 1919:

– Deshiroj t’ju jap një mbështeteje ekonomike, ashtu siç ju jap edhe të tjerëve”. – Tha dipllomati Italian Kastoldi.

– Faleminderit për ndihmën ekonomike që kërkoni të më jepni, por s’kam nevojë për të”. – i`u përgjigj me krenari Parashqevia.

Motrat Qiriazi nuk mbetën vetëm mësuese e mësimdhënëse të nderuara, sepse në mungesë të librave ju desh të hartonin shkrime, abetare dhe libra për nxënësit. Fjala e tyre kërkohej e çmohej në kuvende burrash, ndaj pavarësisht fanatizmit, ishin të vetmet femra delegate në kongresin e Manastirit dhe më pas në të Elbasanit, ku u vunë themelet e alfabetit shqip. Me dëshirën e zjarrtë të përparimit të kombit, Parashqevia përgatiti programin arsimor për qeverinë e Ismail Qemalit, që për një grua dhe për kohën, përbën shembull të rrallë në fushën e mendimit pedagogjik. Ç’mund të themi tjetër kur mësojmë pikpamjet e kësaj mendjeje të ndritur, kur shkruan: “Arrsimi është të zhvilluarit e fuqive të mendjes, ndërsa mësimi është vetëm të mbledhurit e fakteve dhe ideve të të tjerëve, është të mbushurit e mendjes me dituritë e gjërave të ndryshme”.

Të dy motrat, si vizionare u bënë veprimtare, organizatore dhe drejtuese të shoqatave atdhetare e kulturore. “Dora që tund djepin, udhëheq botën”, ishin fjalët që Sevasia u drejton korçarkave, për të njohur pozitën e tyre dhe luftën që duhet të bëjnë për ndërgjegjësimin e vetes. Nuk u mjaftuan me kaq, u futën në botën e shkrimeve, duke hartuar dhe publikuar artikuj të shumtë, dhe më tej akoma botuan revistën “Ylli i mëngjesit”, me theks tërësisht kombëtar.

Megjithatë këto janë pak për “lavdinë” e tyre, pasi në kushtet e botës së trazuar, kur rrezikohej kombi, u bënë flamurtare të mbrojtjes së Shqipërisë dhe shqiptarëve në kanceleritë e botës, aqsa burrat me namuz e mustaqe ndjehen të vegjël para tyre. Duke i’u shmangur pak biografisë, sepse kjo veprimtari u takon studiusëve, munda të zgjedh e të shënoj vetëm pak vlerësime që i bënë bashkëkohësit, të cilët patën rastin dhe fatin të t’i njohin e të bashkëpunojnë me këto “Dy motra heroina”, siç shprehet, Prof. Dr. Hester D. Xhenkins. Në Librin. “Ambasadore e arsimit në lindjen e mesme”.

Të gjithë shqiptarët, në veçanti ne mësuesit ndjehemi krenarë, të nderuar e të përkëdhelur, kur mësojmë vlerësimin që u jep bota figurave të shquara të racës sonë. Le të gjykojmë këto pak rradhë që shkruan revista “Ylli i Mëngjesit”: Në një letër nga Parisi, firmosur nga “Korrespodenti”, jepet ky vlerësim: “Le të mburremi jo vetëm ne burrat, por edhe gjithë zonjat shqiptare, se zonjusha Parashqevi Qiriazi, “Zhan D`Arka” e Shqipërisë na nderoi të gjithë. Asnjë komb i madh ose i vogël nuk ka sot në Paris një delegate zonjë, po Shqipëria e ka këtë zonjush”.

Jeta e tyre e thjeshtë në madhështi, tej e mbushur me përpjekje në shërbim të arsimit dhe çështjes kombetar, mbetet model frymëzimi për të gjithë ata të rinj e të reja që zgjedhin e vendosin të nisin udhën e vështirë të mësuesisë. Në këto dy vargje kulmon e gjithë vepra e morave Qiriazi, dy “shenjtoreve” të arsimit shqip:

“Ju ishit shqiponja që zbritët nga qielli

Ju bekonte toka, ju ndriçonte dielli”.

Besoj se janë të mjafueshme këto gjetje, për të thënë:

“Të tillë mësues i duhen kombit”.

 Kadri Tarelli

Mars 2016, Durrës

 Shënim: Të gjitha citime janë marrë nga libri “Motrat Qiriazi”, shkruar nga Dhimitër Dishnica. Botim i vitit 1997.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Dy Motrat Qirjazi, Kadri Tarelli, MESUESET E KOMBIT

Zonja Mogherini merrni në mbrojtje Anton Çunin e Rrustem Berishën me shokë!

March 7, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Ndërsa në Kosovë është duke u kujtuar 18 vjetori i masakrës kundër familjes Jashari, si dëshmia më eklatante dhe rrënqethëse e krimit shtetëror të shtetit serb kundër popullsisë civile, ushtarakët e UÇK-së Anton Çuni, Rrustem Berisha me shokë, që përfaqësojnë ndërgjegjen e pastër të Europës, sepse i dolën në mbrojtje popullsisë së pafajshme, rezultojnë të “dënuar” në mungesë me 16 vite burgim nga një “gjykatë” e Nishit e Serbisë dhe emrat e tyre rrezikojnë të përfshihen si të kërkuar nga Interpoli e përpara syve tanë të na dalin skena të ripërsëritura se si në një aeroport të Romës apo vendi anëtar të BE-së ata të arrestohen!

Kjo është një përpjekje e Serbisë për të barazuar liberatorët me vrasësit e Familjes Jashari!

Në Kosovë këto ditë janë duke u kujtuar 56 viktimat e Familjes Jashari, të eleminuar brenda disa orësh, si prova më e gjallë e genocidit etnik të shtetit serb kundër civilëve shqiptarë, fëmijë, të moshuar, gra – të gjithë të pafajshëm.

Në memorien kolektive të popullit të Kosovës po rikalon në kujtesë dënimi kolektiv që shqiptarët etnikë morën prej një shteti kriminal, për “fajin” e vetëm se nuk ishin me etni dhe besim si serbët;

Kosova kujton prej 5 deri 7 mars Familjen Jashari, të ekzekutuar barabarisht në shtëpinë e tyre, ashtu si i vriste Hitleri hebrejtë apo ashtu si vret sot ISIS viktimat e tij;

Kosova kujton Shaban Murat Jasharin, babain e Adem Jasharit të vrarë 74 vjeç; Zahide Geci – Jashari, nëna e Adem Jasharit, e vrarë 74 vjeç; Zarife Jasharin, gruaja e Rifat Jasharit, e vrarë 49 vjeç; Hidajete Rifat Jashari, vajza e Rifat Jasharit, e vrarë 18 vjeç;  Valdete Rifat Jasharin, vajza e Rifat Jasharit, vrarë 15 vjeç; Igball Rifat Jasharin, djali i Rifat Jasharit, vrarë 13 vjeç; Igballe Jasharin, vajza e Rifat Jasharit, vrarë 11 vjeç; Hamëz Shaban Jasharin, vëllai i madh i Adem Jasharit, vrarë 47 vjeç; Feride Mecini – Jashari, gruaja e Hamëz Jasharit, e vrarë 43 vjeç; Selvete Hamëz Jasharin, vajza e Hamëz Jasharit, vrarë 20 vjeç;  Afete Hamëz Jasharin, vajza e Hamëz Jasharit, vrarë 17 vjeç;  Besim Hamëz Jasharin, djali i Hamëz Jasharit, i vrarë 16 vjeç; Lirie Hamëz Jasharin, vajza e Hamëz Jasharit, e vrarë 15 vjeç; Blerim Hamëz Jasharin, djali i Hamëz Jasharit, i vrarë 12 vjeç; Fatime Hamëz Jasharin, vajza e Hamëz Jasharit, e vrarë 9 vjeç; Blerinë Hamëz Jasharin, vajza e Hamëz Jasharit, e vrarë 7 vjeç;  heroin legjendar të Kosovës Adem Shaban Jashari, vrarë barbarisht 42 vjeç; kujton Adile Rama – Jasharin, gruan e Adem Jasharit, vrarë 40 vjeç; Fitim Adem Jasharin,  djali i Adem Jasharit, vrarë 17 vjeç;   Kushtrim Adem Jasharin, djali i Adem Jasharit, vrarë 13 vjeç… dhe lista vijon…

Në këtë listë tragjike përfshihen 56 anëtarë të Familjes Jashari, që u vranë në një fshat që mban emrin Prekaz, që ndodhet mu në zemër të Europës.

Edhe ju si BE do të duhej ta kujtonit Familjen Jashari me sloganin njerëzor dhe solidar:  Je suis Prekaz – Io sono Prekaz – I’m Prekaz, por në vend të kujtesës, ju heshtni, pa marrë parasysh se kjo masakër u krye nën qiellin e Europës, nën hundët e Europës indiferente, ashtu sikur nën hundët e Europës dhe nën “mbrojtjen” e Helmetave Blu u krye Srebrenica!

Shqiptarët janë solidarizuar menjëherë me viktimat e Charlie Hebdo dhe Parisit. Në rrjetin social të Facebook-ut, profilet tona u mbuluan nga flamuri francez dhe ne thamë kolektivisht “Je suis Paris!”, “Je suis Charlie Hebdo”, por BE nuk solidarizohet me viktimat e pafajshme shqiptare të Prekazit dhe ndërkohë nuk po bën asnjë reagim ndaj verdikteve kriminale të gjykatave serbe sot kundër atyre që i morën në mbrojte shqiptarët civilë!

Masakra kundër Familjes Jashari prej 5 deri 7 mars 1998 ishte kulmi i makinerisë kriminale serbe, që i trajtonte shqiptarët autoktonë si qytetarë të dorës së fundit, duke ua mbyllur shkollat fëmijëve, duke ia mbyllur rinisë Universitetin, popullit duke ia hequr të drejtën e informimit dhe mbyllur RTK, duke ua hequr të gjitha shanset dhe të drejtat elementare të njeriut për jetë dhe në fund duke i vrarë e dëbuar.

Në këto kushte në prag të shpërthimit të konfliktit të fundit në ish-Jugosllavi që do të ndërmerrte Beogradi kundër Kosovës,  shqiptarëve u mbetej alternative ose t’i dorëzoheshin strategjisë të zhdukjes dhe zhbërjes së tyre nga Serbia ose të rrëmbenin armët dhe të mbronin fëmijët e tyre nga i njëjti fat si i fëmijëve të Familjes Jashari.

Prandaj lindi UÇK-ja, si domosdoshmëri, prandaj djemtë më të mirë të Kosovës i dolën në krah popullit dhe fëmijëve të tyre, për ta mbrojtur popullsinë civile nga një shtet kriminal që i konsideronte shqiptarët të tepërt për të jetuar jetën e tyre.

Kosova krenohet si me Familjen Jashari ashtu dhe me luftëtarët e saj që i kanë bashkërenditur veprimet e tyre me ushtrinë e NATO-s.

Kosova krenohet me Agim Ramadanin, Sali Çekun, Luan e Shkëlzen Haradinajn e qindra e qindra djem e vajza, të vrarë nga ushtria serbe, që përbënin trupat e UÇK-së dhe luftonin në krah të aleancës Verio-Atlantike.

Kosova krenohet me Anton Çunin, Rrustem Berishën e plot ushtarakë të tjerë të cilët luftuan në krah të Agim Ramadanit e Sali Çekut me shokë dhe i mbijetuan luftës!

Anton Çuni, Rrustem Berisha me shokë janë europianë dhe përfaqësojnë ndërgjegjen e pastër të Europës, sepse i dolën në mbrojtje popullsisë të pafajshme, ndërsa sot Serbia, pa marrë parasysh se çfarë ka ndodhur 18 vite më parë dhe që aspiron të anëtarësohet në BE, ka ndërmarrë një fushatë të paskrupullt përmes “gjykatës”  të saj të Nishit duke i ka dënuar në mungesë me 16 vite burg!

Ndërsa Shesheli nuk çan kokën dhe tallet duke e sfiduar Gjykatën e Hagës, luftëtarët shqiptarë që kanë luftuar për të marrë në mbrojtje jetët njerëzore, sot gjykohen nga një shtet, i cili përpara 18 vitesh në Kosovë kreu një krim kundër njerëzimit, sepse vrasja e Familjes Jashari është krim kundër njerëzimit.

Kryeministri Vuçiç ka kërkuar ndjesë për Srebrenicën, ai duhet të kërkojë ndjesë edhe për vrasjen kolektive të Familjes Jashari dhe të gjitha krimet e kryera në Kosovë.

Por në vend të ndjesës, Aleksandër Vuçiç, që është futur në fushatë zgjedhore, krenohet se ishte sukses i tij mosanëtarësimi i Kosovës në Unesco, apo se gjatë mandatit kur ai ishte kryeministër, Kosovën e kanë njohur vetëm dy vende.

Në këto kushte, ju takon ju zonja Mogherini që ta merrni Kosovën në mbrojtje;

i takon BE-së që udhëheq një proces dialogu, sepse merreni me mend se çfarë dialogu është ky,

që t’i thoni ndal Serbisë me gjyqet e saj që janë tallje ndaj viktimave, sepse gjyqet e  Serbisë, sot po dënojnë pikërisht ata njerëz që ndalën shfarosjen, dëbimin etnik të popullit të tyre!

Anton Çuni, Rrustem Berisha me shokë luftonin në krah të Agim Ramadanit, Sali Çekut që u vranë nga makineria kriminale serbe!

Ata janë vlerë e Europës! Ata janë vlerë edhe e BE-së!

Prandaj është detyra juaj  zonja Mogherini që t’i merrni këta njerëz në mbrojtje! Sepse ata morën në mbrojtje popullin e tyre!

T’i merrni në mbrojtje e të përmbushni një detyrim sot më tepër se kurrë, kur Europa përballet me një krizë identiteti.

Demokraci do të thotë humanizëm dhe vlera njerëzore!

Pikërisht kur Kosova kërkon të përballet me Gjykatën Speciale, për të kaluar në transparencë të shkuarën për hir të së ardhmes, Serbia inskenon gjyqe kundër figurave të pastra e me integritet, që janë fytyra e lirisë dhe shtetit ligjor!

Prandaj, ju lutemi, ndaleni këtë farsë cinike të Serbisë, nëse synoni me të vërtetë që të ketë dialog midis Kosovës, shtetit viktimë dhe Serbisë, shtetit që vetëm 18 vite më parë ekzekutoi vrasje kolektive të popullsisë civile, kur përveç viktimave të luftës, nga 3600 viktima të zhdukura, rezultojnë ende 1600 të tjera, të fshehura nëpër varrezat masive nëpër Serbi.

Si BE, si europianë, si qytetarë të botës të lirë, merrini në mbrojtje Anton Çunin e Rrustem Berishën me shokë.

Sepse kështu do të përmbushni një detyrimin tuajin.

BE udhëheq dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa siç tregon gjyqi i Nishit, Beogradi po hakmerret ndaj komandantëve të UÇK-së që luftuan në krah të trupave të NATO-s për t’i thënë ndal asaj që bota mbarë e pa me sytë e ballit, spastrimit etnik të një populli, për fajin e vetëm se nuk ishte me etni serbe dhe besim ortodoks.

Thirrini ndërgjegjes zonja Mogherini, tregojuni shqiptarëve se përfaqësoni një institucion të vlerave.

Mos vijoni t’i mbani në karantinë shqiptarët!

Ju jeni europiane po aq sa edhe shqiptarët.

Nëse Milosheviçi do të kishte kryer ato që kreu në Kosovë në Italinë tuaj, ju si do të reagonit?

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Mogherini merr ne mbrojtje

HARROHET SHTEPIA E AT GJERGJ FISHTES

March 7, 2016 by dgreca

Nga Ahmet ZANI/Lënia ne harrese të plotë e baneses ku ka jetuar kolosit i letrave shqipe “At Gjergj Fishta” e cila është kthyer në një gërmadhë, ka bërë që ish Pergjegjësi i Kultures Kombëtare në Lezhë Paulin Zefi tu dërgojë një leter të hapur krerëve më të lartë të shtetit Shqiptar. Nëpëmjet kësaj letre Historiani Paulin Zefi ju kërkon ndërhyrje të menjëhershme organzive shtetërore që tju hapin rruge projektit të restaurimit të shtëpisë së Fishtes, pasi sipas tijë është e papranueshme harresa që i është bërë këtij njeriu të madh të kombit shiqiptar. Leter e hapur drejtuar shkelqesise së tijë, Presidenti i Republikes së Shqiperise Bujar Nishani, Kryeministrit të Shqipërise Edi Rama, Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe Ministres së Kultures Mirela Kumbaro. “Jam i detyruar që të kërkoj ndihmen tuaj në lidhje me një çështje delikate e cila mbart një rëndësi shumë të veçantë me përmasa mbarëkombetare që konkretisht ka të bëjë me valorizimin e figures emblematike të të madhit”At Gjergj Fishta” ndaj të cilit çdo shqiptar e ka si obligim moral për të kontribuar edhe duke tejkaluar mundesitë e tijë. Po ju drejtohem për ndihmë ne emrin e të gjithë adhuruesve të profetit të Kombit tonë dhe gjithashtu,në emrin e çdo shqiptari të vërtetë për të cilin Shqipëria dhe Shqiptaret perfaqesojnë gjithçka. Varri i të përjetshmit “AtGjergj Fishta” brenda Kishes Françeskane renkon krejtësisht i zbrazur nga eshtrat e tijë të cilat ose janë hedhur në lumin Buna ose prehen dhunshem diku tek selvia nr.4. pas Kishes Mortore tek varrezat e Rrmajit. Shtëpia ku jetuar Fishta ka kaluar ne mbrojtje paraprake me dt.07.05.1991 dhe është shpallur si monument-kulture i kategorise së II-te. Braktisja afatgjate e kësaj shtëpie,mungesa e plotë e ndërhyrjeve restauruese për mirëmbajtjen e sajë të vazhdueshme dhe shumë faktorë të tjerë, kanë shkaktuar amortizimin e sajë të tejskajshem, prandaj ka disa vite që rrezikon shembjen e sajë të plotë ku gjendja fizike e këtij objekti është jashtezakonisht alarmante.Amortizimi i kësaj shtëpie ka ardhur si rezultat i braktisjes dhe i pamundesive financiare nga ana e pronareve të sajë por sidomos nga neglizhenca totale e institucioneve shteterore kompetente që nga viti 1991 e deri më sot. Gjithsesi shpresoj dhe besoj që këto detaje të turpshme të mbeten prapa në kohë dhe nëpërmjet ndërhyrjes tuaj konkrete, duhet që të materializohet me çdo kusht një ndërhyrje sa më emergjente për konsolidimin dhe restaurimin e plotë të këtij objekti i cili perfaqeson dëshminë e vetme materiale nga jeta e të pazevendesueshmit”At.Gjergj Fishta”.Nëqoftëse Ministria e Kultures do të justifikohet për mungesë fondesh,dua tju bëj me dije se tashmë i gjithë opinioni publik shqiptar është i mireinformuar mbi faktin se donatori nga Kosova Sabri Maxhuni Novosella ka rreth dy vite që po pret miratimin e lejes nga ana e IMK e MK por deri më sot e vetmja pergjigje që ka marrë është kundershtimi i projektit të cilin une e kam paraqitur në rrugë zyrtare por edhe personalisht. Përballë këtij fakti dominon heshtja e të gjitha institucioneve përkatëse dhe neglizhenca totale e cila nuk justifikohet dot, me asnje lloj alibie të mundeshme.Ministria e Kultures dhe Instituti i Monumenteve të Kultures nuk duhet që të shqetësohen për këtë praktike ligjore nëse duan që të justifikohen në lidhje me pamundesine financiare pasi nëqoftëse bëhet e mundur sa më shpejt që të finalizohet një marreveshje për shpronesimin e pronareve duke e vleresuar këtë prone në bazë të çmimeve të tregut,atëhere edhe për shumen në fjalëqë do të vendoset nga IMK pas negociatave me pronaret duke e kaluar 100% si pronë shteterore,une ju garantoj që mundem të siguroj edhe shumen financiare respektive, falë donacioneve të sigurta që do të na grumbulloheshin falë kontributeve nga Diaspora Shqiptare në Britanine e Madhe,SH.B.A,Itali,vendet e Benelux-it(Belgjike-Hollande-Luksemburg)etj.Së fundmi kanë ardhur për të më takuar disa miq shumë të nderuar,si përfaqesues të komunitetit shqiptar në Britanine e Madhe të cilet shprehin gadishmerine e tyre të plotë dhe dëshiren e madhe për të ndihmuar financiarisht në restaurimin e këtij objekti por gjithashtu po organizohen për të nenshkruar një peticion shumë të gjerë nëpërmjet të cilit do ti drejtohen duke ju bërë apel dhe kërkuar ndihme, të gjitha institucioneve më të larta të Shtetit-Shqiptar. Unë kërkoj nga ana juaj duke ju lutur ne emrin e të gjithë Komunitetit të nderuar Lezhjan dhe të gjithë adhuruesve të të madhit “At.Gjergj Fishta”që pikerisht me me 23 tetor 2016 e cila përkon me 145-vjetorin e lindjes së Shqiptarit të madh”At.Gjergj Fishta”,te jetë pikerisht dita e inaugurimit të përfundimit të plote të proçesit restaurues të kësaj shtëpie dhe të rikujtohet gjithmonë si një përvjetor i shënuar dhe si një ditë feste për të gjithe Shqiptaret kudo ku ata jetojne” thuhet ne letren e Paulin Zefit drejtuat krereve më të lartë të shtetit Shqiptar

Filed Under: Analiza Tagged With: Ahmet Zani, E AT GJERGJ FISHTES, HARROHET SHTEPIA

Prezantohen historia e shkollave shqiptaro-amerikane, 1891-1933

March 7, 2016 by dgreca

*Një aktivitet me vlera të gjithanëshme në festën e arësimit shqiptar/

*Ekspozita do qëndrojë e hapur nga data 7 deri më 11 mars 2016, nga ora 10 deri 17.00. /

Nga Shefqet Kërcelli/

Në kuadrin e 125 vjetorit të hapjes së Shkollës së Vashave në Korcë, në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar, u prezantuan shkollat shqiptaro-amerikane, 1891-1933, në një ekspozitë të pasur  me foto, literature e dokumenta, shumica e të cilave publikohen për herë të parë. Ekspozita është  frut i një pune disa vjecare plot pasion, profesionalizëm e përkushtim nga Qëndra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë, ndihmuar nga  Instituti për studime shqiptare dhe protestante, {Institute for Albanian&Protestant studies}, Muzeu Historik Kombëtar, Arkivi Qëndror i shtetit dhe Biblioteka Kombëtare ,Tiranë. Zoti  Shpëtim Sala, Kryetar i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve shqiptarë, njëherësh dhe një nga protoganistët dhe organizatorët e kësaj ekspozite interesante, na shpjegon punën plot pasion, durim e këmbëngulje, të koleksionistëve shqiptarë e miqve të tyre  për prezantimin e shkollave shqiptaro-amerikane në fillesat e tyre. Një punë vullnetare, plot seriozitet, e pasur me botime dhe burime arkivore që vlerëson kontributet e shtetit amerikan, komunitetit shqiptaro-amerikan,  Bordit Amerikan të Misioneve, Kryqit të Kuq të të rinjve amerikanë, organizatave  humanitare dhe personaliteteve amerikane që kanë punuar e jetuar në Shqipëri. E pra, vetëm pak vite mbas hapjes së shkollës së parë shqipe,  më 7 mars 1887, ishin këta pionierë të dijes e dashamirës të popullit shqiptar që hapën shkollën e vashave.  Në vijim u pasuan shkolla të tjera të niveleve të ndryshme, paralel me ecurinë e shtetit shqiptar. Është fakt që deri tani në një farë mase historiografia shqiptare e ka anashkaluar punën që kanë bërë këta pionierë të arësimit shqiptar bashkë me kolegët shqiptarë, në arësimimin dhe ndërgjegjsimin e popullit tonë.  Mos harrojmë se këtë e kanë bërë në kushtet e obskurantizmit  e kushteve mjerane ku jetonte populli ynë, në emër të dijes, arësimit e zhvillimit të tij. I gjeta disa nga organizatorët e kësaj ekspozite duke sistemuar  me merak materialet e fundit. Kështu zoti Shpëtim  po sistemonte disa sende të ruajtura nga shkolla teknike “Harry Fullc”, ndërsa zoti David Hosaflook, po vendoste në një tavolinë xhami disa botime të këtyre shkollave në vitet ’20. Këto libra kanë historinë e tyre të botimit e të ruajtjes. Shkolla “Harry Fullc” ka pasur  shtypshkronjën e vet, por dhe shqiptarët i kanë ruajtur në sëndykë, fshehurazi, një pjesë të këtyre librave, për ti nxjerrë  ata në dritë këto ditë marsi. Ndërkohë zonja Lumturi Ristvani, arkiviste, po përpiqej ti gjente vend të përshtatshëm një libri për shkollën bujqësore, Mali i Robit, Kavajë, dhuruar enkas për ekspozitën nga zoti Edi Sedja,  babai i të cilit, Myslim Sedja, mbasi përfundoi studimet në këtë shkollë dha një kontribut të rëndësishëm për arësimimin e edukimin e të rinjve kavajas.  Në fakt ekspozita nga pasuria dhe shumëllojshmëria e  materialeve e kalonte cakun e një ekspozite.  Ajo shumë mirë mund të shndrrohej në një muzeum  të përhershëm në një nga institucionet tona arësimore, që bart trashëgëminë e shkollave shqiptaro-amerikane. Në eksponatet e saj  gjeje thesare të këtyre shkollave, të paraqitura me thjeshtësi, kulturë e disajn koherent me ambientin.  Krahas botimeve e fotove origjinale të skanuara e printuara me kujdes  ishin ekspozuar historikë të shkurtër të shkollave dhe drejtuesve të tyre, dëftesa, fletore, blloqe shënimesh, literaturë studimore mbi historikun e këtyre shkollave, bankë, sende dhe mjete mësimore, etj.  Pra, për herë të pare, jepet në format të plotë historiku i këtyre shkollave , në të gjithë dimesionet e realitetin që i ka karakterizuar, bashkë me vështirësitë e shumta. E shkëputa zotin Shpëtim disa minuta, për të më shpjeguar dicka rreth konceptimit të këtij minimuzeumi.  Në të është pasqyruar gjerësisht veprimtaria e shkollave shqiptaro-amerikane, drejtuesve, personelit e nxënsve të tyre.  Janë të ekspozuar Bordi Amerikan i Misioneve, {ABCFM}, kontributi i tij në hapjen e shkollave të para shqipe, Kontributi  i Kryqit të Kuq të të rinjve amerikanë në hapjen e shkollave shqipe, Shkolla e vashave në Korcë, hapur në vitin 1891, Shkolla qytetase në Korcë, hapur nga cifti Kenedi, Shkolla teknike në Tiranë, hapur nga Harry Fullc, në vitin 1921, Instituti “Kyria”, në Kodër Kamëz, hapur në vitin 1922 nga zonja P.Qiriazi, Instituti bujqësor Shqiptaro-amerikan në Malin e Robit {Kavajë}, hapur nga T.Erikson në vitin 1926, sheshi i lodrave në Durrës, 1920, etj. Aktiviteti i misionarëve amerikanë të bamirësisë dhe arësimit u shtri në gjithë qytetet e vendit, nga Shkodra në Tiranë, nga Durrësi në Kavajë, nga Vlora në Korcë. Gjithkund  ndihej dora e këtyre njerzve përtej oqeanit për të ndihmuar shqiptarët në rrugën e tyre të arësimimit e dijes. Jo vetëm kaq, vijon në shpjegimin e tij zoti Sala, por duhet evidentuar programi, kurikulat, baza didaktike dhe praktike e këtyre shkollave e kolegjeve, bazuar në modelin amerikan,   e cila shënonte një standart të lartë për kohën, ndërsa në Ballkan ishin më të mirat.  Kuadrot dhe personeli që shërbenin në këto institucione silleshin si vëllëzër me komunitetin dhe refletonin dije e kulturë dhe në mënyrën e jetësës. Ndërkohë nxënësit që përfunduan këto shkolla shërbyen në cdo sektor e fushë të shtetit shqiptar. Nuk mund të përfytyrohet sot kontributi, roli dhe shembulli i këtyre djemve dhe vajzave të edukuar nga personeli shqiptaro-amerikan në prosperioritetin e Shqipërisë së asaj kohe, ku mbretëronte varfëria, injoranca, analfabetizmi dhe epidemitë. Ishin këta të rinj që në një farë mase morën përsipër fatet e vendit, në zhvillimin e arësimimin e tij, por dhe organizimin e strukturave shtetërore, në saje të shpirtit praktik e nivelit teorik të përfituar.  Nga këto shkolla dolën dhe drejtues të Luftës NACL, por që ndihmuan  dhe në rimëkëmbjen e Shqipërisë së pasluftës, në sajë të njohurive profesionale e menaxhuese të fituara në shkollat shqiptaro-amerikane. Si studjues i detarisë shqiptare, kam hasur dhe një fakt interesant, detarët dhe drejtuesit më të mirë të anijeve, porteve e kantiereve detare kanë dalë nga këto shkolla. Më vonë politeknikumi ‘7 nëntori”  trashëgoi metodat e mësimdhënies dhe nivelin profesional të shkollës “Harry Fullc”. Këtë më thoshte sa herë që e takoja, inxhinjeri dhe drejtuesi i kompletuar, i ndjeri Feruz Mata. Por, ndërsa me zotin Shpëtim, bisedojmë për vlerat e këtyre shkollave në ecurinë e shtetit shqiptar, zoti Edi Sedja, evidenton një fakt tjetër.  Mbas clirimit të vendit, nxënësit e këtyre shkollave u bënë pjesë e diskriminimit dhe represionit komunist. Duke i etiketuar e përbaltur me epitete të ndryshme, apo spiunë të amerikanëve, dhjetra prej tyre provuan burgjet dhe torturat e diktaturës komuniste, thotë zoti Sedja, ku një nga ta ka qenë dhe baba im. U harrua, nëvleftësua dhe anatemua puna e këtyre njerzve në dobi të shtetit e popullit shqiptar. Ndërsa fati i personelit të këtyre shkollave e misioneve dihet, u dëbuan me forcë nga Shqipëria, si të padëshërueshëm për shtetin komunist. Kjo ekspozitë që rrezaton dritë, njohuri e dashuri për arësimin dhe pionierët e saj, përkon dhe me ditën e mësuesve shqiptarë, ndaj i ka dhënë gjallëri të vecantë hollit të Muzeut Kombëtar, duke i sjellë në vemendjen e opinionit tonë publik këto onstitucione.

Në përfundim mund të themi se, eskpozita ka një mision e qëllim të madh për të memorizuar vlerat dhe kontributin e shkollave shqiptaro-amerikane në zhvillimin e shoqërisë shqiptare, arësimimin dhe kultivimin e  dijes, sjelljes dhe edukatës qytetare. Këto vlera janë mohuar e anatemuar sistematikisht nga diktatura.  Personeli dhe nxënësit e këtyre shkollave janë përndjekur dhe denigruar nga sistemi komunist, duke i etiketuar ata “borgjezë”, spiunë të amerikanëve, tradhëtarë, etj.  Ndërsa nga faktet, shembujt, studimet dhe puna e kryer në dobi të vendit, ata janë vlerë kombëtare, profesionistë të zotë e  pasuri e pazvëndësueshme. Ekspozita është një homazh për gjithë personelin që mësoi, punoi dhe u edukua në këto shkolla. Nderim dhe respekt për gjithë personelin e shkollave shqiptaro-amerikanea! Gjithashtu nga kjo ekspozitë shohim se shkollat amerikane në Shqipëri kanë një traditë të vjetër, një trashëgëmi e cila legjitimon ngritjen e institucioneve të tilla arësimore në vendin tonë, të cilat ende nuk e kanë kapur trendin e viteve ’30. Sot është një gjë pozitive që qindra të rinj shqiptarë po studjojnë në kolegjet dhe universitetet e SHBA, të cilët do jenë në gjendje të ringjallin atë punë të mrekullueshme e titanike që u bë në këto shkolla për arësimimin dhe përgatitjen e një gjenerate shqiptarësh. Mendoj se historia e këtyre shkollave, veprimtaria e  pjesmarrësve dhe trupës pedagogjike, pionierëve të saj, mund të përmblidhet në një libër të vecantë në 1 ose 2 vëllime. Urimet më të mira për organizatorët dhe protogonistët e kësaj ekspozite në këto ditë festash për arësimin shqiptar!

Sqarim: Ekspozita do qëndrojë e hapur nga data 7 deri më 11 mars 2016, nga ora 10 deri 17.00.

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: e shkollave shqiptaro-amerikane, Prezantohet historia, Shefqet Kercelli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT