• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2016

GENC XHEVAT KORTCHA, SHQIPTARI I MADH I MICHIGAN-it

March 4, 2016 by dgreca

“Shpirt i njeriut sa i ngjan ujit ! Fat i njeriut sa i ngjan erës”/

Johann Wolgang Goethe/

Shkruan: Eugjen MERLIKA/Itali/

Ka vetëm pak ditë që u nda nga familja, rrethi shoqëror e miqësor, por edhe nga bota shqiptare, Genc Xhevat Kortsha (Korça). Keqardhja është e madhe tek familjarët e tek miqtë e shumtë, të shpërndarë në të gjithë globin, të një jete, lavdi Zotit, të gjatë e në lëvizje. Por keqardhja dhe dhimbja janë të përmbajtura, sepse respektojnë një rend gjërash që është thelbi i filozofisë  së të qënit tonë në këtë botë, atë të ardhjes dhe ikjes prej saj pa vullnetin tonë. Genci, mbas furtunave të kaluara në Vendin e lindjes, prej të cilit u largua pa mbushur tridhjetë vitet, e në të cilin la prindërit dhe vëllanë më të vogël, gjeti në “tokën e premtuar”, në SHBA-s sendërtimin e personalitetit të tij profesional e njerëzor në të gjithë përbërësit e tij. Ai mori me vete qetësinë dhe prehjen shpirtërore që burojnë nga ndërgjegja pa hije në gjykimin e fundit dhe besimi se shkon në amëshim, në një tjetër botë ku rrezaton ngado drita e Krijuesit, një bindje që mbeti e palëkundur në gjithë rrjedhën e jetës së Tij.

Duke hedhur e zezë mbi të bardhë  këto pak fjalë të thjeshta, kam para meje një tufë letrash që, fatmirësisht, kam shkëmbyer me Të në këta vite të një jete të zakonshme, por pa prangat e padukëshme që ndrydhën mendimin dhe qënien tonë për gati gjysëm shekulli…. “Ky letërkëmbimi ynë është si biseda midis dy brezavet me përvojë të ndryshme, un pjesë e brezit që u formua para dhe gjatë luftës së dytë botërore, ti brez i pasluftës. Të përbashkët kemi përvojën komuniste, tëndja shumë më e thellë se e imja, e pastaj kemi të përbashkët përvojën dhe vitet në mërgim. Kemi mjaft për t’i thënë njëri tjetrit dhe letrat e tua i pres dhe i lexoj me gëzim…” Kështu më shkruante miku i familjes më 28 tetor 2001.

Në vitet e fundit nuk shkruanim më letra të gjata, por mbaheshim gjithmonë në kontakt telefonik, apo nëpërmjet njoftimesh të shkurtëra elektronike. Sot që dij se nuk do t’a dëgjoj më zërin e Tij, ndjej një zbrazësirë të madhe në zemër e në mëndje. Do të më mungojë një njeri i dashur me të cilin ndaja dertet, jo vetëm familjare. Ai ishte bërë një bashkudhëtar i shqetësimeve të mij, një bashkëbisedues i urtë për Vendin tonë, problemet e tij, rrugën e tij, të shkuarën ku përfshiheshin edhe fatet e veprat e të parëvet tonë, për të cilët ndjenim dhimbjen e thellë por edhe krenarinë e ligjëshme. Do të më mungojnë komentet e Tij mbi shkrimet e mij, gjykimi i thellë dhe analiza e hollë lidhur me çdo temë të bisedës, inkurajimi atëror, fjala e Tij e ngrohtë si një fllad përkëdhelës….

Sikur t’ishte vetëm për t’afërmit e familjes apo për miq si un e të tjerë zbrazësira që la i ndjeri, nuk do t’i shkruaja këta rreshta. Genc Kortsha ishte një pasuri shqiptare, jo në mall e gjë, por në mëndje, atdhedashuri e karakter. Ishte një nga ata, për  të cilët kombi ynë mund të krenohet me aftësitë dhe sukseset në rrugën e tij.

I ardhur në SHBA-s kur i kishte kaluar tridhjetë vitet, si shumë bashkatdhetarë të Tij, i u vu punës me ngulm e zell për të vazhduar studimet e ndërprera më se dhjetë vite të shkuara. Studjoi duke punuar. Nuk vazhdoi mjekësinë, që ishte pasioni i Tij i rinisë, mbasi afatet e diplomimit ishin të gjata, por zgjodhi Kiminë industriale, që do t’i hapte rrugën e karjerës administrative në Vendin në të cilin askush nuk ndihet i huaj e, në të cilin, aftësitë të bashkuara me fuqinë e karakterit, gjejnë shpejt a vonë fushë veprimi e rrugë të hapura. Kështu edhe Genc Kortsha, në sajë të studimeve serioze të kryera në Wayne State University, u diplomua me përfundime maksimale, aq sa të meritonte “Çelësin e Artë”, një vlerësim epror ndërmjet 10.000 të diplomuarve amerikanë t’atij viti. Në sajë të punës së Tij cilësore e të ndershme mundi të përparojë në karjerë, deri sa të zerë vëndin e njërit nga Drejtorët ekzekutivë, atë të të Higjenës Industriale në General Motors, një gjigand botëror i industrisë së automobilëve dhe segmentëve të tjerë si mbrojtja ushtarake, telekomunikacionet, satelitët ekonomikë etj. Për 13 vjet mbajti këtë funksion e roli i Tij spikati edhe përtej Shteteve të Bashkuara, mbasi ndihma e Tij qe shumë e rëndësishme në funksionimin e institucioneve të tilla simotra në Vende si Britania e Madhe, Italia etj. Madje në këtë ndihmesë zyrtare që Ai i dha Italisë, lindi edhe miqësia vetiake me Vittorio Prodin, Drejtorin e Higjenës Industriale për Vendin e tij, e cila u ruajt përgjatë gjithë kohës.

Me vullnetin, përkushtimin e fuqinë e mëndjes arriti të jetë titullar i një istitucioni të rëndësishëm të Vendit me ekonominë më të përparuar të planetit, President i Akademisë së SH.B.A-s të Higjenës Industriale. Pak shqiptarë, ndoshta asnjëri, kanë arritur në lartësi të tilla në jetën e tyre profesionale. Por jeta e Tij intelektuale është e pasuruar me librin autobiografik “Shtegëtimet e një njeriu drejtë LIRISË”, me studimin e thellë historik “Histori apo ideologji”, me shkrime e artikuj të ndryshëm, kryesisht të profilit historik.

Duke folur për shkollimin e sukseset në punë e karjerë të Genc Kortshës, më kujtohet një fragment i një letre të Tij të qershorit 2001 : “…. Më pat thirrur Tonin Jakova, kur ishte sekretar i parë i partisë në Shkodër, për të më përgëzuar se munda të zhduknja tifon e morrit brënda tre muajvet. Kur i thanë që të më jepte bursë për të shkuar në universitet, të kryeja mjekësinë, u zgërdhí (si thotë Shkodra) dhe tha se mua do të më vinte rradha të shkonja për mjekësi kur të ndërtohej universiteti në Trush!” Zoti desh që ndihmës mjeku i talentuar të mos priste “universitetin e Trushit”, por të diplomohej në një universitet amerikan, duke i lënë sekretarit të parë dhe kastës së kuqe të kolegëve të tij në Shqipërinë komuniste turpin e një epoke të qelbur, e cila flijoi në altarin e marrëzisë ideologjike, që njihej me dyfjalëshin “luftë e klasës”, mijëra talente shqiptare në gjysëm shekullin e saj të kataklizmës njerëzore.

Do të ndalem në pak çaste të jetës së Tij, të rrëfyera nëpërmjet letrave vetiake që janë, për mendimin tim, matësi më i saktë i vërtetësisë dhe sinqeritetit të njeriut, sepse shkruhen jo për konsum publik, por për një shok të zemrës apo mendimevet. Ja si kujton mbas 65 vitesh, një jetë njeriu, një nga periudhat më të rëndësishme, më vendimtare e më mallndjellëse të jetës së Tij Genci, në një letër të datës 24 janar 2007 :

“Në Fiume isha i huaj. Megjithatë në shkollë shkoja mirë dhe, megjithëse na rrethonte një konflikt global, ne të rinjtë jetonim në një flluskë sapuni fosforeshente që na jepte ndjenjën e paprekshmërisë. Mesatarja 8 më siguronte bursën universitare dhe prisja nga vetvetja të merrnja nota të mira e pra, në fund të 6 vjetëve të dilja mjek. Fortuna e jetës desh ndryshe. Nuk e vijova dot mjekësinë, dhe m’u desh të arratisesha nga Shqipëria që Babai më kishte mësuar t’a doja me gjithë zemër….”

Ai ishte pjestar i atij brezi, mes dy luftërave botërore, që provoi rrënimin e ëndrrave dhe të projekteve për jetën, si pasojë e luftës së dytë. Por nëse shokët e shoqet e liceut të Fiumes vazhduan një jetë deri diku normale, në tërësinë e vështirësive të mëdha të pasluftës, Ai u kthye në Shqipëri, ku e përfshiu vorbulla e luftës civile. Babai, Xhevat Kortsha, që 17 vjeçar luftëtar me armë në dorë në çetën e Themistokli Gërmenjit e Spiro Bellkamenit, ish studenti i shkëlqyer i Universitetit të Vjenës, më pas Drejtori i parë i Gjimnazit shtetëror të Shkodrës, ishte një pjestar i rëndësishëm i Mërgatës antizogiste të viteve 1924 – 1939. Në mërgimin e gjatë kreu falas përkthimet e rreth 5000 faqesh të dokumentave të arkivave të Ministrisë së Jashtëme Austro – Hungareze, që lidheshin me Shqipërinë, duke i bërë një shërbim të paçmuar historiografisë dhe diplomacisë shqiptare. Vetëm ajo punë kolosale do t’i mjaftonte për të patur një vend nderi në Panteonin shqiptar, por Ai u burgos sepse kishte marrë pjesë në Qeverinë e mikut të Tij të zemrës, Mustafa Krujës, në rolin e Ministrit t’Arsimit, për të përhapur shkollën shqipe në “Tokat e lirueme” e për të hequr italishten, si gjuhë e detyruar, në shkollat fillore shqiptare, kusht ky i vënë për të pranuar postin e Ministrit.

I kthyer në Shqipëri, Genc Kortsha, studenti i liceut klasik të Fiumes në dy vitet e fundit të tij, mbasi kishte filluar shkollën në Gratz të Austrisë, mori pjesë me rininë e Ballit Kombëtar në veprimtarinë politike. Ja një episod, i përshkruar prej Tij, në një letër të datës 1 mars 1999 :

“Kur u vra në Tiranë Aziz Çami, luftëtar i Luftës së Vlorës, atentator kundër Zogut në

 Austrí dhe udhëheqës i Ballit, ne, një grup të rinjsh, shkuam në Komitetin Qëndror të Ballit. Aty gjetëm Hasan Dostin. I paraqitëm një listë komunistësh dhe kërkuam lejë që t’i vrisnim. Na foli me insistim dhe ashpërsi, duke na treguar se si një akt i tillë do të na kthente ne, t’ardhmen e Shqipërisë, në kriminelë, kur Shteti kish polici, gjyqe dhe ligje, të cilëve u takonte t’i zinin e t’i dënonin vrasësit e Aziz Çamit. Atëherë kërkuam që këta emra t’i a jepshim policisë. Kësaj rradhe na foli edhe më ashpër. Si kish mundësi që ne të bëheshim spiunë, ne ajka e rinisë ? Dualëm të bindur se, po të vriteshim nga komunistët, kërkush nuk do të na e merrte hakun. Hasan Dosti, jurist i dalluar, njeri me ndërgjegje e me nder, por në krye të një organizate që po luftonte për vdekje kundër komunistëvet ? ”

Është dëshmia e një episodi, domethënës për të kuptuar dinamikat e ngjarjeve të luftës civile në Shqipëri dhe pasojat e tyre mbi zhvillimet e mëvonëshme që njihen. Nuk dua të bëj këtu interpretimin e episodit, që mund të jetë i ndryshëm e i varur nga këndvështrimi i përceptimit, por më duket se pyetja, që bën autori i letrës, është  kuptimplote për të gjithë. Do të vazhdojë veprimtarinë e Tij me armë, këtë herë në një tjetër front, n’atë të qëndresës së Kosovës së bashkuar me Shqipërinë. Ja çfarë më shkruan në një letër të datës 12 maj 2011 :

“Nuk e di nëse e din ti se një batalion vullnetarësh ballistë (Batalioni Besnik Çano) luftoi në Morinë të Kosovës gjatë verës 1944. Edhe un bëja pjesë në  këtë njësi. Isha ndihmës mitralier dhe përgjegjës për çështjet shëndetësore… Pak muaj më vonë, erdhi në Tiranë në burg një fis i familjes Dani (Mynir Tirana) dhe më mori në hetuesi. Më pyeti nëse do të kisha vajtur vullnetar në Kosovë, po t’i kisha ditur lidhjet e ngushta dhe të ngrohta që na lidhnin me shokun Tito dhe me popullin jugosllav. U mendova. T’i thosha  se nuk do të kisha vajtur, do të ishte gënjeshtër dhe përulje nga ana ime. T’i thosha se “po”, sigurisht, do të m’a zgjaste qëndrimin në burg. I thashë “po” dhe bëra edhe pesë muaj të tjerë… “

Rreth nëntë  vite më mbrapa, i arratisur nga Shqipëria, mbasi kishte ndenjur në malësitë e Pukës, i ndjekur nga forcat e mbrojtjes, mbas peripecish të mëdha, Genc Kortsha kalon  në Jugosllavi e, prej andej, kapërcen kufirin me Austrinë, gjithmonë si i arratisur. “Mua kur u arratisa nga Jugosllavia e dola n’Austri më muarën në pyetje anglezët. Një toger më tha se isha tradhëtar me që, gjatë luftës kisha luftuar kundër komunistëve që ishin aleatë me Perëndimin. I thashë t’i ruante ato fjalë për ndonjë ushtar anglez se detyra ime ishte t’i ndiqja interesat e Vendit tim e jo t’Anglisë. Nëse ai e bëri se donte të më trondiste nuk e di, por edhe sot e kësaj dite jam i bindur se e meritonte përgjigjen.” Kështu e përshkruan, në një letër të datës 1 mars 1999, përballimin e Tij me një tjetër hetuesi, jo me atë të Sigurimit të Enver Hoxhës, të Koçi Xoxes e të Mehmet Shehut, por me atë të “aleatëve” të tyre të kohës së luftës. Të gjitha këto ndodhí, përtej kontekstit të çastit politik në të cilin zhvillohen, dëshmojnë një karakter të fortë, i cili përbën bazën kryesore, mbi të cilën ngrihet godina e personalitetit të individit, që ndikon më pas edhe në qëndrimet e familjeve, të rrethit miqësor e familjar, të vetë shoqërisë.

Në një fragment të një tjetër letre të Tij përshkruhet një episod kujtese migjeniane, që hedh dritë mbi formimin e brëndshëm të personazhit, por edhe mbi të vërtetën e “parajsës socialiste”, që ende sot kujtohet me “mall” në disa nga shkruesit e shumtë dhe pa emër të rrjeteve sociale.

“ Kam edhe disa kujtime që më janë rrënjosur në mëndje. Isha në punë të detyruar. Bukën e ndaja me nënën që s’kish triska e kur më zinte urija hanja pak  bukë që mbanja në xhep. Një ditë një grua që punonte në gropën e gëlqeres kish sjellur tre fëmijtë me vete. Dy çupat loznin me guraleca, ndërsa djali trevjeçar i shikonte me sy bosh, pa shprehje. Atë ditë un punonja me karrocë dore. I lypa leje s’ëmës dhe e vura djalin e vogël në karrocë dhe e shëtita disa herë rreth oborrit. Nuk buzëqeshi. Atëherë i dhashë bukën rezervë nga xhepi. E mori dhe e shikoi nënën, gjene pa shprehje. Për t’a fshehur sa isha prekur nga kjo foshnje që s’kish më forcë as të gëzohet, i thashë s’ëmës : “Po ky djalë a s’di të buzëqeshë?” “Duhet të jesh beqar” m’u gjegj. “Fëmijtë e uritur nuk qeshin. Akoma s’e ke kuptuar?”

Shpirtmadhësia e bujaria ishin tipare thelbësore të karakterit të Genc Kortshës, ndoshta edhe shtysa të fuqishme, për  të përqafuar fenë e Krishtit, së cilës i qëndroi besnik deri në minutën e fundit të jetës tokësore.

“Karakteri i jep shkëlqim rinisë dhe përnderim lëkurës së vyshkur dhe flokëve të bardha.” Këto fjalë të filozofit e poetit të madh amerikan Ralph Waldo Emerson i shkojnë për shtat edhe Genc Kortshës, që fitoi respektin dhe vlerësimin më të madh në të gjitha mjediset, ku studjoi, jetoi, vuajti, punoi e kaloi vitet e Tij, në Vende të ndryshme të botës, gjithënjë duke ruajtur në zemër dashurinë për Vendin e lindjes dhe shqetësimin për fatet e tij. Në këtë drejtim, n’atë të konsideratës së mirë që gëzonte, madje deri në sferat e larta të Shtetit amerikan, besoj se vlen të vihet në dukje fakti i pranisë së tij në një delegacion të  nivelit të lartë të Ministrisë së Punës, i cili më 1992 erdhi në Shqipëri me urdhër të Sekretarit të Shtetit, Xhejms Baker.

N’Itali kthehej herë pas here për të takuar shokë e shoqe të shkollës e të njohur të vjetër, mbasi “Vjetët kalojnë, distancat janë të mëdha dhe miqtë bëhen gjithënjë e më të dashur”, më shkruante në gushtin e vitit 2002. Në këtë Vënd të thesareve kulturore e të viteve të rinisë kish krijuar një lidhje pune e më pas një miqësi të sinqertë me familjen Prodi e Bolonja, vënd banimi i saj, përbënte pothuaj se gjithmonë një ndalesë të itinerarit të Tij, siç qe edhe Latina, vënd banimi i familjes Merlika. Me Romano Prodin, ish Kryeministër i Italisë dhe ish Kryetar i Komisionit Evropian, Genc Kortsha ka shkuar në një takim vetiak edhe te Papa Gjon Pali II, edhe ky një tregues i prestigjit të madh që gëzonte shqiptari i njohur i Michigan-it në botë.

Nga mezi i tetorit 2001 Ai u ftua në St. Petersbourgh (Florida), në një miting të Akademisë Amerikane të Higjenës Industriale, për të tërhequr Çmimin Henry Smith 2001, për merita si ish President i asaj Akademie. Fjala e Tij u prit me shumë interesim dhe një profesor i Universitetit të Michiganit e mori tekstin në fjalë për t’a përdorur si tekst leximi për studentët e tij. Përkonte ky veprim me përvojën e Tij të gjatë  si profesor nw General Motors Institute, nw Wayne State University, në University of Michigan, madje edhe deri në të famëshmin Universitet të Harwardit.

Me pak penelata ky qe portreti i Genc Kortshës, Shqiptarit të madh të Michiganit, që plotësoi rrethin e Tij tokësor më 18 shkurt 2016, sapo mbushur moshën e respektueshme të 92 viteve. Duke perifrazuar Plutarkun e madh, po i mbyll këto shënime me shprehjen : “Anija e Tij mbërriti në port”.

Shkurt 2016

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika, Genc Xhevat Kortsha, i michiganit, Shqiptari i madh

Shqiperia, Rrugët alternativë të refugjatëve në Ballkan

March 4, 2016 by dgreca

Itinerari i deritanishëm ballkanik është thuajse i mbyllur për refugjatët – për këtë Austria ra dakord me shtetet përkatëse ballkanike në Vjenë. Si rrjedhojë refugjatët dhe kontrabandistët kërkojnë rrugë alternativë.

Infografik Balkanroute und die Alternative Routen EnglischItinirari ballkanik (në gjuhën angleze)

“Hapni kufirin!”, thërrisnin sërish qindra njerëz para gardhit kufitar maqedonas në anën greke të kufirit Idomeni. Sërish refugjatët e grumbulluar këtu bllokuan linjën hekurudhore Selanik-Shkup. Kjo për arsyen, se Maqedonia lejon të kalojnë vetëm sirianët dhe irakianët. Edhe këta me kufizime, vetëm pak qindra në ditë. Afganët, që kanë mbetur në kufirin me Serbinë në Tabanovce, nuk kanë më asnjë shans. Siç konfirmon edhe një afgan, me të cilin bisedojmë: “ne nuk e dimë, përse nuk i lejojnë afganët. Policia vetëm na thotë, se nuk lejohet të na e hapin rrugën për të kaluar. Ne nuk e dimë përse.”

Kjo ka të bëjë me një marrëveshje të shefave të policive të shteteve përgjatë itinerarit ballkanik. Me insistimin e Austrisë kalojnë kufirin çdo ditë më pak se 600 refugjatë . Për këtë arsye rrugët ballkanike janë mbyllur afganët dhe të tjerët. Ky është pikërisht një program punësimi për kontrabandistët, mendon shefi i UNHCR-së në Beograd, Hans-Friedrich Schodder. “Përderisa tani shumë e shohin që nuk kanë më mundësi të udhëtojnë më tej legalisht, nxiten drejt kontrabandistëve dhe si rrjedhojë shfrytëzohen. Këtë ne e shohim çdo ditë…”

Shqipëria si vend i mundshëm tranziti

Por sa më e mbyllur që të jetë itinerari kryesor, aq më joshëse bëhen rrugët e tërthorta. Shqipëria po përgatitet për më shumë refugjatë, po përforcon patrullimet në kufirin me Greqinë, Ministri shqiptar i punëve të brendëshme Saimir Tahiri pak para nisjes në një udhëtim shërbimi për në Itali deklaroi: “Unë besoj, se asnjë vend nuk mund ta përballojë i vetëm këtë krizë. Ne duhet të bashkëpunojmë. Por nuk ka arsye për t’u shqetësuar. Ne jemi të përgatitur dhe po bashkëpunojmë me partnerët tanë. Për një problem europian duhet të ketë një zgjidhje europiane.”

Griechenland Flüchtlinge in Athen

Deri tani në Shqipëri janë kapur vetëm pak pakistanezë. Krejt ndryshe qendron puna në kufirin serbo-hungarez. Policia hungareze ka regjistruar qysh nga fillimi i vitit rreth 3.200 kalime ilegale të kufirit. Qeveria në Budapest do tani ta zgjerojë gardhin kufitar 175 km. të gjatë edhe në drejtim të Rumanisë. György Bakondi, këshilltar sigurie i kryeministrit shton: “Ne kemi dërguar përforcime me ushtarë e policë në kufirin jugor. Nëse ka tentativa për ta çarë gardhin apo për të kapërcyer në të, ndaj këtyre personave do të hapen procese.”

Qoftë përmes Bullgarisë për në Serbi, apo përmes Ukrainës ose nga Greqia në Shqipëri e që këtej drejt Italisë – ata që kanë nevojë për mbrojtje e gjejnë një rrugë. Një autostradë refugjatësh si në itinerarin kryesor nuk ka, por siç tha për ARD Berndt Körner, zëvendësshef i Agjencisë Europiane të Mbrojtjes së Kufirit, FRONTEX: “Eshtë e vërtetë, që grupe të caktuara, që nuk vijnë më dot përmes itinerarit kryesor, do të ndryshojnë itinerarin dhe do të vijnë përmes rrugëve të tjera. Unë kam konstatuar, se migracioni përmes Hungarisë është sërish në rritje. Ndërkohë ne – me një përjashtim të vetëm – në të gjitha itineraret, që mbikqyrim në hapësirën europiane, vërejmë sërish rritje. Nuk mund ta them saktë, nëse këto janë brenda të njëjtit kontekst, por kudo ka rritje të lëvizjes së migrantëve.”

Filed Under: Emigracion Tagged With: rruget aletrnative, shqiperia, të refugjatëve në Ballkan

Frika e Europës nga Donald Trump

March 4, 2016 by dgreca

Nga Kersten Knipp/Mediat europiane i ndjekin me shqetësim sukseset e njëpasnjëshme të Donald Trump në fushatën parazgjedhore. Nëse Trump arrin të futet në Shtëpinë e Bardhë, kjo do të kishte pasoja për Europën e vjetër.Ai vetë do ta votonte – kështu është shprehur ekstremisti i djathtë francez, Jean-Marie Le Pen përmes twitter-it për Donald Trump. Nëse do të ishte amerikan, themeluesi Front National do të zgjidhte Donald Trump. Por lajmi nuk ishte i habitshëm, sepse shpesh krerë të Front National disa herë kanë qenë pro Trump. Marine Le Pen deklaroi se edhe ajo angazhohet për “të harruarit”. “Trump dhe Sanders si nga ana republikane dhe ajo demokrate bëjnë një figurë të mirë në zgjedhje. Kjo është prova që edhe në Amerikë po sfidohet “establishmenti” – politika e vjetër”, u shpreh zëvendëspresidenti i Front National, Florian Philippot.

Ëndrra për popullin autentik

“Të harruarit” dhe “establishmenti”: Me këto deklarata Le Pen dhe Philippot kanë konfirmuar frikën e Europës nga një kandidaturë gjithnjë e më suksesshme e Donald Trump. Nëse kjo udhë e suksesit vazhdon dhe Donald Trump vërtet futet në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017, atëherë kjo do t’u japë një shtysë të fortë forcave populiste në Europë, shkruan gazeta franceze “Le Monde”. Mund të pritet që populizmi i tipit Trump të zëvendësojë kulturën politike të kontintentit të vjetër. Me këtë mund të shpërbëhej dhe pluralizmi politik, për të cilin ishte aq e njohur Europa në këto dhjetëvjeçarë. Sepse një populist, shkruan “Le Mond”, quan të vlefshëm vetëm programin e tij. “Një populist i vërtetë nuk kënaqet me atë që të kritikojë elitat. Sepse ai është edhe kundërshtar i pluralizmit. Ai pretendon që të jetë i vetmi, që e përfaqëson ashtu si duhet popullin autentik.”

USA Vorwahlen Präsidentschaftswahlen Super Tuesday Donald Trump

Të kujtohet Berlusconi

Tendenca të tilla përhapen në Europë. “Populistët europianë gjithmonë kanë dyshime për procesin demokratik, që nuk sjell atë rezultat, të cilin ata e shohin si rezultatin e vetëm korrekt.” Kështu edhe Geert Wilders, që e cilëson dhomën e dytë të parlamentit holandez si “parlament fallco”, po ashtu edhe Donald Trump, kur fitoi rivali i tij republikan Ted Cruz në Iowa.

Gazetares Gloria Orrigi në gazetën “Il fatto quotidiano”, Trump i kujton manovrat e Berlusconit në fushatë. Ashtu si Berlusconi, ish-kryeministri italian dhe bosi i medias, edhe Trump kujdeset për të krijuar imazhin e një “të veçuari”, por përdor njëkohësisht të gjitha shanset që i ofron sistemi politik. “Nuk dihet se çfarë do të bëjë ai me suksesin politik që ka, sigurisht nuk ka të bëjë me atë që duan qytetarët në moment, kur ata shqiptojnë të magjepsur emrin “Trump” . Ai nuk shet gjë tjetër vetëm emrin, dhe sa më mirë ta shesë tani emrin, aq më mirë do ta shesë edhe më vonë.”

Program politik i paqartë

Vështirë të kuptosh strategji konkrete nga politika e Trumpit, shkruan edhe revista britanike “The Spectator”. “Nuk kemi asnjë ide se ç’profil do të ketë një qeveri e Trumpit”, citon kjo revistë politologun amerikan, Anthony Cordesman. Deri më tani Trump shtron kërkesa. Por në rast të fitores në zgjedhje ai duhet të qeverisë.” Do ta ulë apo do ta ngrejë Trump buxhetin ushtrarak? Kush e di këtë? Ai herë shprehet pro ngritjes së buxhetit, herë thotë të hedhë më shumë bomba në Siri, por ka raste kur shprehet edhe kundër.” Sido që të vendosë Trump, vendimet e tij kanë pasoja për Europën.

“Politikë e frikës”

Edhe ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier krijoi një lloj distancimi, megjithëse pa emër, kur bëri fjalë për një “politikë të frikës” në SHBA. Shqetësimi më i madh i politikanëve europianë është kalimi i panikut edhe në kontinentin e vjetër. Gati në të gjithë Europën gjen parti që propagandojnë izolimin. Por pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve në SHBA, europianët duhet të përgatiten t’i thonë lamtumirë diçkaje tjetër, shkruan “Le Monde”, lamtumirë doktrinës së Obamës. Një doktrinë që synonte vetëpërmbajtje në politikën e jashtme dhe bashkëpunim.(DW)

Filed Under: Analiza Tagged With: Frika e Europës, nga Donald Trump

Dr. Ibrahim Rugova para 14 viteve u rizgjodh President i Kosovës

March 4, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Gazeta tradicionale e Kosovës, Rilindja – botim i jashtëzakonshëm i datës 5 mars 2002/

Dr. Ibrahim Rugova para 14 viteve u rizgjodh President i Kosovës: E ardhmja euroatlantike/

-Dr. Ibrahim Rugova: Të punojmë për një Kosovë të lirë në bashkësinë e popujve të botës së lirë/

-Do të punojmë së bashku në ndërtimin e një Kosove të lirë, demokratike, paqësore, prosperuese, të pavarur e të integruar në Bashkimin Evropian, në strukturat Veriatlantike dhe në marrëdhënie miqësore me SHBA, në bazë të vullnetit politik e dmeokratik të popullit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kjo është e ardhmja e Kosovës, që tashmë ka filluar. Njohja formale e pavarësisë së Kosovës do ta siguronte dhe shpejtonte këtë proces/

-Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: “Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën”/
-Në Kuvendin e Kosovës, në ambientet për mediat, në 4 mars 2002, para 14 viteve, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja me ekipin e saj special punonte në një zyrë të improvizuar për një botim të jashtëzakonshëm të gazetës historike/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 4 Mars 2016/ Dr. Ibrahim Rugova, Presidenti i parë i Kosovës nën okupim në kohën e Lëvizjes për liri e pavarësi, i zgjedhur para 24 viteve – në 24 maj 1992 në zgjedhjet e para shumëpartiake presidenciale e parlamentare,  u zgjodh edhe President i parë i Kosovës së pasluftës në liri, pikërisht para 14 viteve,  në 4 mars 2002,  nga Kuvendi i Kosovës, për vetëm 45 minuta seancë, në një atmosferë të mrekullueshme.

“Presidenti Rugova: Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”. Kështu e citonte në 5 mars 2002 në kryetitull gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, për të cilën lideri historik Rugova ka folur menjëherë pas rizgjedhjes President.

“Ju e dini qëndrimin tim për të ardhmen e Kosovës. Kam punuar dhe unë dëshiroj që sa më parë të njihet pavarësia e Kosovës dhe gjithësesi që ajo do të jetë e pavarur, e lirë, demokratike dhe e integruar në rrjedhat e civilizimit europian e botëror, po në atë afat që thatë ju”,  është përgjigjur Presidenti Rugova në pyetjen që i bëra, si kryeredaktor i gazetës Rilindja, se si e sheh Kosovën pas tre vitesh të mandatit. Me pyetjen e parë ishte edhe urimi për të sapozgedhurit President e Kryeministër i Kosovës.

Presidenti i posazgjedhur i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, në 4 mars 2002 foli para gazetarëve që përcillnin punimet e Kuvendit të Kosovës, ku në ambientet për mediat  gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja me ekipin e saj special punonte në një zyrë të improvizuar për një botim të jashtëzakonshëm  të gazetës historike, të mbyllur kundërligjshëm e padrejtësisht nga UNMIK me dëbim nga Pallati Rilindja rreth dy javë më parë në 21 shkurt 2002, pak ditë pasi kishte festuar 57 vjetorin në 12 shkurt.

Në vazhdim po sjellim në Gazetën Dielli në tërësi fjalën e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, të pikërisht para 14 viteve – 4 marsit 2002, në minutat e para pas rizgjedhjes President:Për gati tri vjet pas luftës, Kosova në liri ka pasur një progres të madh së bashku me UNMIK-un, KFOR-in dhe OSBE-në në të gjitha fushat e jetës.

Poashtu, Zgjedhjet lokale të vitit 2000 dhe Zgjedhjet nacionale të vitit të kaluar ishin një progres i madh në vendosjen e rendit dmeokratik në Kosovë.Në këto zgjedhje populli i Kosovës tregoi një kulturë të lartë demokratike e politike. Dhe, këto ditë, po përfundojmë me sukses implementimin e Zgjedhjeve nacionale për ndërtimin e institucioneve të Kosovës.

Sot ndihem shumë i nderuar për besimin që ma dha Kuvendi i Kosovës për të marrë përsipër Zyrën e Presidentit të Kosovës. Ky është një nderim dhe obligim i madh për mua. Ju siguroj se Presidenca e Kosovës do të shprehë unitetin e popullit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Brenda fuqive të mia do të punoj për të mirën dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Njëherësh do të punojmë që të kemi një ndarje dhe koordinim të pushtetit të degës legjislative, ekzekutive dhe pavarësi të gjykatave, që t’u përgjigjen kërkesave dhe interesave të qytetarëve. Pra, do të kemi një Presidencë të unitetit, Kuvend demokratik dhe Qeveri efektive e stabile, me të gjitha ministritë, për të siguruar një shtet të së drejtës dhe të sigurtë për të gjithë.

Në punën tonë të ardhshme të të gjitha institucioneve të Kosovës do të jetë koncentrimi në zhvillimin ekonomik, në sigurimin e investimeve dhe në privatizimin me prioritet. Pra, do të punojmë të kemi një ekonomi të hapur e konkurrente, për të krijuar vende të reja të punës për të rinjtë e Kosovës, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullatës sonë.

Poashtu, do të punojmë në integrimin e grupeve etnike në jetën politike, ekonomike e sociale të Kosovës. Pra, jo vetëm mbrojtje klasike, por integrim të plotë të tyre dhe garantim të ruajtjes së identitetit të tyre. Ne, si shumicë kosovare-shqiptare, kemi përgjegjësi për integrimin e serbëve, të boshnjakëve, të turqve, të romëve dhe të ashkalinjve e egjiptianëve kosovarë në shoqërinë e Kosovës. Pra, të gjithë ne jemi kosovarë dhe do të veprojmë si kosovarë, në të mirë të Kosovës.

Kujdes të veçantë do të kemi për forcimin e SHPK-së dhe të TMK-së në punën e tyre.

Do të punojmë që të zhvillojmë edhe shoqërinë civile dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët. Do të zhvillojmë një shoqëri të tolerancës, të mirëkuptimit e të pajtimit midis njerëzve dhe të respektimit të njëri-tjetrit.

Do të punojmë së bashku në ndërtimin e një Kosove të lirë, demokratike, paqësore, prosperuese, të pavarur e të integruar në Bashkimin Evropian, në strukturat Veriatlantike dhe në marrëdhënie miqësore me SHBA, në bazë të vullnetit politik e dmeokratik të popullit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kjo është e ardhmja e Kosovës, që tashmë ka filluar.

Njohja formale e pavarësisë së Kosovës do ta siguronte dhe shpejtonte këtë proces.
Do të punojmë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët tani, si dhe për krijimin e miqësisë me popujt e rajonit tonë dhe të botës.

Jemi të bindur se të gjithë duhet të punojmë për një Kosovë të lirë në bashkësinë e popujve të botës së lirë. Për një Kosovë prosperuese e më të pasur për ne dhe fëmijët tanë.
Do të zhvillojmë një bashkëpunim të ngushtë me UNMIK-un në konsolidimin e institucioneve demokratike të Kosovës, si dhe me OSBE-në. Ndërsa, me KFOR-in do të punojmë ngushtë në forcimin e sigurisë, i cili deri tash ka bërë dhe po bën një punë të shkëlqyeshme.
Kam nderin që nga kjo Mbledhje solemne e Kuvendit të Kosovës të përshëndes Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni, për angazhimin e tyre për prosperitetin e Kosovës. Përshëndetje të veçantë i shprehim Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali II, për kujdesin e tij të përhershëm për Kosovën.

Me këtë rast dëshiroj të falenderoj ambasadorin Menzis për angazhimin e tij të palodhshëm gjatë kësaj kohe për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, si dhe shefin e Zyrës britanike, zotin Llojd, të Zyrës gjermane, zotin Shmunk, të Zyrës franceze, zotin Garanshe, të Zyrës italiane, zotin Tafur, si dhe të Zyrës kanadeze, zotin Barber.
Poashtu, falenderojmë Komisionerin për politikë të jashtme dhe siguri në BE, zotin Solana që u angazhua në këtë proces.Në mënyrë të veçantë falenderojmë zotin Shtajner, i cili na ndihmoi shumë për të arritur marrëveshjen për përfundimin me sukses të ndërtimit të institucioneve të Kosovës.

Falenderojmë të gjitha partitë politike që u treguan konstruktive në arritjen e suksesit për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, kryetarin e PDK-së, z.H.Thaçin, kryetarin e AAK-së, z.R.Haradinaj dhe prof.Mark Krasniqin.Në fund të këtij procesi demokratik mund të themi se gjithë kjo ishte një përvojë demokratike për ne dhe për qytetarët e Kosovës. Duhet të mendojmë që për zgjedhjet e ardhshme të zgjedhim një sistem elektoral më të thjeshtë dhe më efektiv. Kjo tregon se kosovarët i pranojnë proceset demokratike dhe se dinë dhe janë të aftë të udhëheqin me veten dhe me vendin e tyre. Kryeministri Rexhepi dhe Qeveria do të gëzojnë përkrahjen tonë.Edhe një fjalë: të gjithë jemi pajtuar se këto zgjedhje dhe ndërtimi i institucioneve janë një ngjarje historike në historinë më të re të Kosovës.Në këtë kuptim ambasadori Menzis ka propozuar që 10 dhjetori – Dita e Konstituimit të Kuvendit të Kosovës të shpallet Ditë nacionale. Sugjeroj që Kuvendi i Kosovës të marrë parasysh këtë propozim kur të vendosë në të ardhmen për këtë çështje.

Në fund të kësaj fjale dëshiroj të them se dyert e Presidencës së Kosovës do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe do të gëzojnë përkrahjen tonë. Prandaj, i ftojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunim, sepse Presidenca dhe institucionet e tjera të Kosovës do të jenë në shërbim të tyre.

Janë institucionet tuaja, qytetarë të dashur, pra, t’i respektoni dhe t’i përkrahni. Unë do të jem në shërbimin tuaj për të mirën e Kosovës.

Jam i bindur se do të kemi përkrahjen tuaj për fillimin e ndërtimit të një pallati presidencial – shtëpie të bardhë të Kosovës, që do të jetë shtëpi e të gjithë kosovarëve.

Qytetarë të dashur, përkundër obligimeve të përditshme, çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur “Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Dr. Ibrahim Rugova para 14 viteve, President i Kosovës, u rizgjodh

BDI me tenda kundër kryqit në Butel të Shkupit

March 4, 2016 by dgreca

 Me tenda kundër vendosjes së kryqit 56 metra të lartë në komunën e Butelit në Shkup, të banuar me popullatë të përzier etnike.Këtë formë të protestës e kanë zgjedhur drejtuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë së Maqedonisë. Nisjes së punimeve për vendosjen e simbolit të krishterë, zyrtarët e partisë së Ali Ahmetit i janë përgjigjur të enjten në mbrëmje me demolimin e bazamentit të kryqit dhe gardhit me tela, që ishte vendosur të shtunën nga firma ndërtimore. Aty tani janë vendosur disa tenda për të penguar vazhdimin e punimeve.

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Izet Mexhiti ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se kanë zgjedhur këtë lloj të protestës, pas injorimit të reagimit të tyre se vendimi i miratuar nga komuna e udhëhequr nga partia e Nikolla Gruevskit, ishte kundër ligjor.

Sipas tij, nuk ishte respktuar parimi i Bedenterit, apo miratimi i vendimit me votim të dyfshitë, që parasheh pëlqimin edhe të votave të këshilltarëve të bashkësive entike joshumicë.

“Vendosëm që protestën e dytë ta bëjmë më ndryshe, me vendosjen e tendave, deri në realizimin e qëndrimit tonë për evitimin e kësaj të keqe për komunën e Butelit dhe Shkupit në përgjithësi. Kjo e keqe reflekton krizë ndëretnike dhe ndërfetare në këtë komunë dhe në komunat përreth”, ka dekluar Izet Mexhiti, i cili natën e ka kaluar në tenda, së bashku me funksionarë të tjerë partiak.

I pyetur se pse BDI-ja nuk kërkon zgjidhje institucionale të problemit, kur dihet se ajo është pjesë e qeverisë, Mexhiti thotë se në atë drejtim është duke u punuar.

“Paralelisht zhvillohen edhe biseda për ta bindur palën tjetër se argumentet janë në anën tonë, ndërsa veç kësaj, punon edhe një grup i ekspertëve për të kundërshtuar vendimin, i cili është joligjor“, thotë nënkryetari BDI-së, duke shtuar se për problemin janë njoftuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtar, si dhe ata të bashkësive fetare, për të dhënë kontributin e tyre në uljen e tensioneve.

Nga partia e Gruevskit, VMRO DPMNE, nuk e kanë komentuar veprimin e partnerit të tyre në qeveri.

Por, veprimi i BDI-së ka nxitur reagimin e partive opozitare, të cilat aktin e vlerësojnë si të orkestruar, ndërmjet saj dhe VMRO-së, për fitimin e pikëve politike.

Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi ka thënë se është absurde që një parti në pushtet të dalë në protesta kundër vendimit të koalicionit të saj qeveritar.

“U bëj thirrje qytetarëve që të mos bien pre e këtyre manipulimeve, qoftë për kryqin, qoftë për xhaminë, qoftë për flamurin dhe të tjerat. Partia e shqiptarëve, e cila është në pushtet, duhet të bëjë betejë institucionale që ato çështje të zgjidhen brenda institucioneve. Vlerësoj se është një taktikë politike që e kemi parë disa herë, mes partnerëve VMRO dhe BDI”, deklaroi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi,

Edhe lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev ka reguar duke i quajtur veprimet e partive në pushtet taktikë për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale, në veçanti nga aferat e zyrtarëve që po hetohen nga prokuroria speciale.

“Janë veprime tanimë të para nga partitë në pushtet. Ato gjithmonë para zgjedhjeve të parakohshme marrin pozicionet e tyre nacionaliste. Dua t’i porosisë qytetarët që të mos bien pre e provokimeve të tilla, pavarësisht se nga cila palë vijnë”, tha kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev.

Tensionet për vendosjen e kryqit pason një vendim të mëparshëm të BDI-së për vendosjen e një simboli me shqiponjën, në komunën e Çairit, të banuar kryesisht me shqiptarë.

Filed Under: Komente Tagged With: BDI me tenda kundër kryqit, në Butel të Shkupit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 79
  • 80
  • 81
  • 82
  • 83
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT