• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Kukës-Liria e Kosovës, projekt i gjithë shqiptarëve

April 16, 2016 by dgreca

Sot shënohet ”Eksodi 99”, data 16 prill e vitit 1999, kur forcat ushtarake, policore e paramilitare sërbe, dëbuan masovikisht nga trojet e tyre popullatën shqiptare nga mbarë Kosova, duke ushtruar dhunë çnjerëzore mbi ta.Për të shënuar ditën e dëbimin masiv të shqiptarëve, ministri i Diasporës, Valon Murati, së bashku me ministrin e FSK, Haki Demolli, deputetin e Lëvizjes për Bashkim në Kuvendin e Kosovës, Raif Qela, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kryetarët e komunave të Prishtinës, Mitrovicës e Ferizajit, kaluan kufirin shqiptaro – shqiptar në këmbë së bashku me qindra pjesëmarrës nga anembanë Kosova. Në kufi u pritën nga kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu.Ministri Murati, theksoi se dëbimi i shqiptarëve të Kosovës para 17 viteve ishte një prej momenteve më të rënda në historinë tonë. 

Në ato momente të rënda, qyteti i Kukësit në veçanti dhe i tërë shteti shqiptar në përgjithësi me një solidaritet të jashtëzakonshëm ishin në funksion të lehtësimit të kësaj gjendjeje, duke i hapur dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre. 

Ai në emër të qeverisë dhe të tërë institucioneve të shtetit falënderoi qytetarët e Kukësit për mikpritjen e para 17 viteve, institucionet e bashkisë së qytetit si dhe institucionet e shtetit shqiptar. “Kukësi, dhe gjithë Republika e Shqipërisë ishin pjesë e përpjekjeve për liri të Kosovës në të gjitha format. Kosova e pavarur është projekt i të gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë, jo vetëm i atyre të Kosovës”, tha në fjalën e tij ministri Murati, bën të ditur Ministria kosovare e Diasporës në njoftimin e dërguar.

Filed Under: Komente Tagged With: kosovaret, Kukesi, projekti i Lirise

Në politikë nuk ka asgjë të dhimbshme

April 16, 2016 by dgreca

Është papjekuri politike e Lutfi Hazirit të thotë se koalicioni PDK-LDK është koalicion i zorit, ngaqë nëse është i tillë atëherë si do të mund të realizohen projektet qeveritare dhe ato të institucioneve të tjera që u janë premtuar qytetarëve të Kosovës/

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/

Nga analiza, komente, opinione  e artikuj të ndryshëm po lexojmë e po dëgjojmë akoma konstatime e përfundime të atilla që, bie fjala, koalicioni ndërmjet PDK dhe LDK-së është i panatyrshëm, apo thënë më mirë se qenka bërë një koalicion i zorit. Ndoshta kanë arsye të dalin me konstatime të tilla, por mua ma merr mendja se kjo nuk përkon me realitetin, përkatësisht me marrëveshjen që është arritur në mes të këtyre dy subjekteve më të mëdha politike të vendit. Në rend të parë, kemi të bëjmë me dy parti që lidhën” martesë” për të tretën herë dhe ky fakt flet shumë se asgjë e panatyrshme nuk ka ndërmjet tyre, aq më parë se tri herë radhazi për një kohë të gjatë u njohën mirë deri në detaje për të mirat dhe të këqijat që i ka edhe njëra palë edhe pala tjetër. Po të kishte diçka të panatyrshme nuk besoj që do të kishte ardhur momenti për t’u bashkuar për të tretën herë dhe atë për ta udhëhequr së bashku Kosovën për një periudhë katërvjeçare. Gjithçka që do të ishte e panatyrshme do të ndikonte shumë keq dhe nuk do të funksiononte as qeveria e as parlamenti i Kosovës, ndaj edhe të gjitha ato dallime që i kishin, sidomos, në programet e tyre, kanë marrë një “ dizajnim” të përshtatshëm nga të dy palët dhe me të synohet të realizohen shumë projekte e punë të tjera me rëndësi për vendin dhe për banorët e tij.

Dhimbjes së LDK-së iu dha terapia e duhur

Ai që e kupton mirë politikën, e di fare mirë se në këtë sferë,sidomos, në planin e brendshëm nuk ka vend për të ashtuquajturën se ishte e dhimbshme lidhja e një koalicioni të caktuar paszgjedhor.  Këtë fjalë si shpesh po e përdorë Lutfi Haziri, nënkryetar i Kryesisë së LDK-së dhe kryetar aktual i komunës së Gjilanit. Së këndejmi, me duhet t’ia përkujtoj këtij politikani se askush me dhunë nuk i ka shtyrë që të lidhin marrëveshje me PDK-në dhe nga ajo që shihet, bile ky subjekt të cilin ai e përfaqëson nuk pësoi kurrfarë dhimbjeje, përkundrazi atë  dhimbje të madhe që e pati deri në momentet e fundit me këtë koalicion iu është shëruar. Në të vërtetë, dhimbje e tmerr LDK-ja pati nga humbja që pësoj në zgjedhjet e fundit dhe nga kjo sëmundje u shkaktua dhimbje e madhe që nuk ia gjente vetit vendin disi me u “ rehatua “e posaçërisht  ta shpëtojë liderin e LDK, por edhe njerëzit e afërmit të tij nga përgjegjësia që e priste para anëtarësisë. Në LVAN nuk kishte as rastin minimal që Isa Mustafa të zgjedhet Kryeminister, se këtë nuk ia mundësonte në asnjë mënyrë, lideri i AAK-së dhe me të drejt ngaqë vetë Isa Mustafa ia kishte “ dorëzuar” këtë post,, ndaj pa bërë as një as dy u hidh në “ krahet” e Thaçit që disi për “ mrekulli” arriti të ulët në karrigën e të parit të qeverisë. Me një fjalë, dhimbje në politikë nuk ka dhe atë nuk të shkakton askush, pos që vetvetes i shkakton stres për shkak të pengesave që mbyllin rrugët e realizimit të synimeve për të arritur në pushtet në mungesë të votave nga qytetarët. Ndërkaq, votat LDK-ja nuk i pati për të qeverisur me vendin dhe u drejtua aty ku gjenë më së shumti strehim, “ vëllazërim” e përputhje të ideve dhe platformës programore për periudhën katërvjeçare të qeverisjes. Asgjë të keqe nga ky koalicion nuk ka, por nuk duhet të thuhen pallavra që nuk i ha më qytetari se kjo marrëveshje na qenka e dhimbshme, e gabuar, e panatyrshme, e zorit. Sa e sa herë është thënë se në politikë asnjëherë nuk bënë të thuhet se  “ kurrë”, me këtë apo me atë subjekt nuk do të lidhi koalicion, ngaqë vet gara për të hyrë në lojën e marrjes së pushtetit gjithnjë sjell befasi që pa marrë parasysh deklaratat e mëparshme vjen deri të bashkimi i forcave të përbashkëta për të krijuar institucionet e reja të shtetit. Thënë konkretisht, në politik ka kompromise për çështje të caktuara dhe marrëveshje për mënyrën e qeverisjes së vendit dhe ndarjes së pushtetit ndërmjet subjekteve politike që lidhin koalicion. Së këndejmi, Lutfi Haziri, sidomos, në këtë ambient të papërshtatshëm të zhvillimeve të politike në vend nuk duhet të flas pallavra të këtilla, sepse nëse vërtetë është koalicion i zorit, siç thekson ai, atëherë ky politikan pothuajse e mbanë përgjegjësinë e plotë, ngaqë është nënkryetar i LDK-së që pa bekimin e tij zor se kishte me u krye kjo punë.

Fatkeqësisht liderët tanë nuk kanë fjalor tamam politik

Ofendimet, shpifjet, trysnia mbi mjetet e informimit për të mbajtur vetëm anën e një subjekti politik, sikur janë bërë rutinë e veprimit të shumicës së liderëve tanë. Një sulm i paparë ishte bërë edhe në drejtim të PDK-së veçanërisht kundër ish- liderit të saj Hashim Thaçi. Aq shkuan larg liderët e bashkuar në koalicionin pasgjedhor i ashtuquajtur V+LAN-it sa publikisht kishin deklaruar se as kafe nuk do të pijnë me përfaqësuesit e këtij subjekti politik e lëre më të bëjnë farë marrëveshje për qeverisje të përbashkët. Posaçërisht kategorik me këtë vendosshmeri  ishte udhëheqësi i LDK, Isa Mustafa, dhe njerëzit e afërm të tij, mirëpo po ky lider ishte ai që sa qel e mbyll sytë kishte ndërruar mendje dhe kishte takuar Thaçin natën, me të cilin tash krah për krah po qeverisin vendin. Edhe me këtë rast po ia përkujtojmë Lutfi Hazirit se ai së bashku me rrethin e tij të ngusht punoi natën e ditën për t’u lidh koalicioni aktual qeverisës. Ndaj edhe mund të konstatohet se parti e natës është vetë LDK, lidershipi i së cilës posa terrohej turr e vrap e në selinë e PDK-së, duke e lutur aman shpëtona nga kjo “ fatkeqësi “ që po ndodh në subjektin e partisë së Hazirit. Ndaj,  shtrohet domosdoshmëri që liderët tanë të përdorin një fjalor adekuat me demokracitë e zhvilluara, ngaqë më pas lidhja e çfarëdo koalicioni nuk do të sulmohej e kritikohej sikur që ishte bërë në adresë të subjekteve më të mëdha politike të vendit.

Lutfi Haziri thotë edhe se koalicioni është i gabuar

Ndodh që një qift edhe pse të dashuruar pasi të jenë martuar të ndahen me konstatimin se ishte gabim që nga fillimi, mirëpo, nëse ata sërish bashkohen më nuk bëhet fjalë për ndonjë gabim se ishin bashkuar, por për një nguti që kishin bërë për shkak të ndonjë mospajtimi për ndonjë çështje fare të vogël. Edhe PDK e LDK ishin të “ dashuruar” shumë vite më par dhe asnjëherë nuk kishin gabuar që ishin në një koalicion qeverisës, por në pyetje është xhelozia politike, përkatësisht se secili syresh dëshiron të mbetët i pari dhe në qendër të vëmendjes në skenën politike të vendit, ndaj edhe sulmet dhe kritikat e pavenda e të ashpra në fushatën para e zgjedhore e ka këtë përgjigje. Pra, Lutfi Haziri e ka vetë gabim kur thotë se ky koalicion është i gabuar, por për hirë të asaj që të mos shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme u desh të sakrifikohet edhe me lidhjen e kësaj marrëveshjeje. Ky arsyetim i Hazirit nuk ka mbështetje në fjalorin e mirëfilltë politik sepse nëse ky koalicion është i gabuar atëherë i gabuar do të jetë edhe gjithë procesi  qeverisës, për të cilën gjë nuk presin qytetarët e vendit. Njeriu njëherë gabon e jo tri herë z. Haziri. Zgjidhni fjalët. Ndoshta edhe po flisni në iluzion sepse  konstatimin tim se ky koalicion është bërë me pëlqimin e plotë të të dyja palëve po e vërtetojnë deklaratat e liderit tuaj të thëna se PDK e LDK po qeverisin pa kurrfarë problemesh dhe se për gjithçka vendimet merren në pajtueshmëri të plotë Sharjet dhe marrja me njerin- tjetrin e subjekteve politike qytetarit nuk i intereson. Qytetarit i intereson mirëqenia dhe perspektiva e ndritshme e tij.

LDK të njëjtën valle po e luan edhe me AAK-në

Jemi dëshmitarë se pati një përplasje të fuqishme ndërmjet LDK-së dhe AAK-së, të cilat akuzojnë njëra tjetrën për hajni, korrupsion, kapje të shtetit e çka jo tjetër. Në këtë lojë jashtëzakonisht naive politike që po luajnë këto dy subjekte politike, megjithatë, ashiqare po shihet se grindavec si gjithnjë po identifikohet LDK-ja, së cilës shumë po i vjen rëndë nga akuzat që adresohen në adresë të saj e sidomos  liderit Isa Mustafa. Megjithatë, jam i bindur se po të kërkohej në këto momente,p.sh., farë koalicioni të gjitha këto LDK-ja do t’i harronte dhe do të pranonte lidhjen e “ kurorës” me AAK-në ashtu siç bëri me PDK-në, sepse nga ajo që deri me tash është parë nga kjo parti shumë pak moral politik ka mbetur në të. Inshalla vijnë ditë më të mira e shpëtohet ky subjekt politik nga disa njerëz që interes kryesor kanë lakminë personale dhe realizimin e apetiteve të tjera individuale që po e dëmtojnë jashtëzakonisht shumë LDK-në.

Përçarja e opozitës për pushtet

Sa “ ëmbël “ tingëllonte në opinion së më në fund edhe opozita di të bashkohet dhe të luftojë “ të keqen” se ajo po pretendonte se po e bënë. Se sa kishte përkrahje qytetare edhe kjo u pa. Mirëpo, tash po shihet ashiqare se ndërmjet këtyre partive ka mosmarrëveshje apo më mirë më thënë përçarje. Sherri ka filluar se ende pa u dukur askund në horizont se do të këtë zgjedhje liderët opozitar veç kishin kalkuluar me postet që do të duhej t’i  takonin një subjekti të caktuar. Mirëpo, në asnjë mënyrë nuk kanë mundur të pajtohen dhe tash po  ka shtyerje bërrylash dhe kritika ndërmjet tyre sidomos në mes të VV-së dhe AAK-së. NISMA në këtë rast është në mes dhe ende në opinion nuk kanë dalë se sa po kërkojnë hise në pushtet. Sille kah të sillesh përçarja erdhi vetëm për shkak të apetiteve për pushtet, të karrierës politike e jo të ndonjë alternative që do të ndryshonte gjendjen në të mirë të prosperitetit të vendit dhe të një të ardhme më të mirë për gjeneratat e ardhshme.

Kosovës i duhet një frymë e re, një gjeneratë e re, intelektual të nivelit të lartë, pse jo edhe akademik që dinë, donë e mund ta ndryshojnë këtë gjendje të rëndë në Kosovën e pasluftës. Mos të prekën këta liderë nëse ua themi troç se ata janë të shpenzuar dhe që 16 vjet nuk argumentuan me asgjë se u punua dhe do të punohet me vrullshëm e me projekte të arritshme në një stad më të zhvilluar në të gjitha fushat e posaçërisht në atë ekonomik. Besoj e shpresoj se njerëzit e mençur që në Kosovë ka shumë do të bashkohen në një front të përbashkët dhe do të hapërojnë drejt shtigjeve të reja, drejt një perspektive më të ndritshme për të gjithë qytetarët e vendit tonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Në politikë nuk ka asgjë të dhimbshme, Xhavit Citaku

Papa Françesku viziton Greqinë; lutet për zgjidhjen e krizës me migrantë

April 16, 2016 by dgreca

* Papa Françesku mori në  VATIKAN 12 emigrantë azilkërkues sirianë, ndër ta 6 fëmijë/

*Ne Foto:Papa Françesku, menjëherë pas arritjes në Greqi, 16 prill 2016/

 Papa Françesku ka realizuar një vizitë emocionale në qendrën e migrantëve në Greqi, një veprim që po konsiderohet i guximshëm, për të shprehur solidaritetin me migrantët, çështja e të cilëve ka turbulluar politkën evropiane.

Migrantët qanin, kërkonin ndihmë dhe binin te këmbët e Papës, derisa ai po vizitonte një qendër në ishullin e vogël të Lesbosit, i cili më së miri pasqyron krizën humanitare me të cilën po përballet Evropa.

Ata thërrisnin ‘liri, liri’ përderisa Papa ecte përgjatë kampit Moria, ku po mbahen rreth 3,000 migrantë që nga koha e arritjes së një marrëveshje të shumëfolur ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë.

“Unë kam dashur të jem sot me ju. Unë dua t’ ju them se nuk jeni vetëm. Gjatë këtyre javëve dhe muajve ju keni përjetuar kaq shumë vuajtje, në kërkim të një jete më të mirë. Shumë prej jush jeni detyruar të ikni nga situatat e konfliktit dhe përndjekjes, mbi të gjitha, për të mirën e fëmijëve tuaj”, ka thënë Papa Françesku.

Papa Françesku, lideri i 1.2 miliard katolikëve romanë në gjithë botën, gjithashtu ka kërkuar nga Evropa që të tregojë humanizëm gjatë trajtimit të krizës me migrantë.

“Këtë mesazh dua të lë sot për ju: mos e humbni shpresën! Dhurata më e madhe që mund t’i japim njëri tjetrit është dashuria: një vështrim i mëshirshëm, një gatishmëri për të dëgjuar dhe për të kuptuar, një fjalë inkurajimi, një lutje. Shpresoj ta ndani këtë dashuri me njëri-tjetrin”, ka thënë Papa.

Gjatë vitit të kaluar, me qindra njerëz që iknin nga zonat e luftës dhe varfëria kanë vdekur, gjatë kalimit të rrugës së rrezikshme nga Turqia për në ishullin grek të Lesbosit, me anije të gomës. Ishulli është i mbushur me varre të paemëruara.

“Ky udhëtim tregon pikëllimin tim”, u tha Papa Françesku gazetarëve gjatë udhëtimit nga Roma, duke e përshkruar krizën me migrantë si “katastrofën më të madhe humanitare që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Gjatë vizitës së tij gjashtë orëshe në ishullin grek, Papa u shoqërua nga lideri shpirtëror i të krishterëve ortodoksë në botë, Patriarku Bartholomew, si dhe nga Kryepeshkopi grek, Ieronymos.

Raportohet se Papa Françesku ka ofruar që t’i marrë me vete në Itali 10 refugjatë, pas vizitës në ishullin grek Lesbos.

Televizioni shtetëror grek, ERT ka raportuar se tetë sirianë dhe dy afganë e kanë mundësinë që të largohen nga ishulli bashkë me Papën.

Përfshirja e afganëve shihet si një veprim simbolik, meqë Bashkimi Evropian nuk i konsideron më të gjithë afganët si refugjatë dhe nuk i përfshin ata në mesin e shtetasve që u aprovohen aplikacionet.

Gjatë një takimi të shkurtër pas arritjes në aeroport, Papa Françesku e falenderoi kryeministrin grek, Alexis Tsipras për ‘mikëpritjen” që populli grek u ka bërë të huajve, pavarësisht problemeve ekonomike me të cilat po përballet vendi.

Tsipras i tha Papës se ai ndihet krenar për mënyrën se si janë përgjigjur grekët në raport me këtë krizë, në një kohë kur disa vende anëtare të BE-së “po ndërtonin mure dhe gardhe për t’i ndalur njerëzit e pambrojtur, që po kërkonin një jetë më të mirë.”

Organizatat humanitare i kanë përshkruar kushtet në Moria, një kamp ushtarak që nuk është më në përdorim, si të tmerrshme.

Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje në muajin mars për të siguruar se të ashtuquajturit migrantë ekonmikë – të cilët kishin udhëtuar për në ishullin grek me anije të gomës, të udhëhequr nga kontrabanduesit -të dërgohen prapa në Turqi.

Turqia është pajtuar që t’i pranojë ata, në këmbim të miliarda eurove, një marrëveshje që ka zemëruar shumë grupe për të drejtat e njeriut.

Përgatiti: Valjeta Kosumi

Filed Under: Komunitet Tagged With: e krizës me migrantë, Papa Françesku viziton Greqinë; lutet për zgjidhjen

BILL KLINTON-SHQIPTAREVE:Dua t’ju siguroj se Hillary presidente dhe populli amerikan do të jenë me Shqiptaret

April 16, 2016 by dgreca

 *Engel :”Me Hillary Clinton-in, si Presidente e SHBA, shqiptarët do të kenë në Shtëpinë e Bardhë, mikeshën më të madhe”/
Nga Beqir SINA/
Foto:Dritan HAXHIA/
BRONX NYC : Ish-presidenti Bill Clinton, bëri fushatë për gruan e tij, kandidaten demokrate për presidente, Hillari Klinton, në Sallën Smith të Kolegjit të Malit Shën Vincenti -“College of Mount Saint Vincent” në zonën Riverdale të Bronx, New York.
Thirrjes së shqiptarëve të Amerikës, nga Kongresisti Eliot Engel dhe asamblesiti Mark Gjonaj, për të mbështetë kandidaturën e Hillary Clinton për Presidente, në një takim elektoral në Bronx, New York, iu përgjigjen rreth 1000 mijë vetë, shumica e tyre, me të drejtë ishin shqiptarë, nga Kosova, Shqipëria, dhe, të gjitha viset shqiptare.
Takimi elektoral i fushatës, për zgjedhjet presideniciale, për zgjedhjet paraprake në partinë Demokrate, në Bronx New York, kishte si folës kryesor ish-Presidentin Bill Clinton,. Këtë tubim e përshëndetën në filim, të tij, edhe miku i dëshmuar i shqiptarëve, kongresisti Eliot Engel, Presidenti i Bronxit, Ruben Diaz,  dhe asamblesisti i shtetit, të Nju Jorkut, zoti Mark Gjonaj.
Në këtë tubim elektoral, ishin të pranishme edhe shumë figura të njohura të komunitetit shqiptarët, vprimtar të dalluar të komunitetit shqiptarë në SHBA.
Para prezantimit të ish-presidentit të SHBA, Bill Clinton, në Kolegjin e Malit St Vincent në Bronx, kongresmeni i Westchester Countyt, Elliot Engel, u tha mbështetësve, të përbërë kryesisht nga shqiptarët e Amerikës, që Hillary Clinton, ka për të shërbyer New York , më mirë dhe do të bëjë punën si një presidente e madhe e SHBA”
Engel, tha se :”Unë mbështes Hillary Clinton-in. E mbështes me shumë entuziazëm. E njoh zonjën Clinton, shumë mirë. Ajo, ka qenë gjatë këtyre viteve senatorja jonë e New York-ut, dhe ka bërë një punë të mrekullueshme. Unë jam i bindur se punën e mrekullueshme, që ka bërë për shtetin e New York-ut, ajo do të dijë ta bëjë për gjithë Amerikën. Prandaj, tha ai edhe po e mbështes atë. Zgjedhja e saj si presidente do të jetë një moment historik, për Shtetet e Bashkuara.”
Me Hillary Clinton-in, si presidente, shqiptarët do të kenë në Shtëpinë e Bardhë mikeshën më të madhe të tyre, tha Engel. 
“Hillary Clinton, u shpreh më pas kongresisti Engel, i njeh personalisht shumë individë, veprimtarë në komunitetin shqiptaro-amerikan. Ajo i njeh më së miri që të gjitha çështjet e politikës së jashtme, që kanë të bëjnë me shqiptarët. Unë jam dëshmitar për këtë, sepse kam diskutuar personalisht me të, shpesh lidhur me shqiptarët. Hillary Clinton, gjithmon ka biseduar për tema që u interesojnë shqiptarëve edhe me një numër veprimtarësh të këtij komuniteti”.
Më tej ai kujtojë shqiptarëve se të mos harrojmë se ishte presidenti Bill Clinton ishte ai që i shpëtoi shqiptarët nga masakrat e regjimit diktatorial serb të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1999, duke udhëhequr fushatën bombarduese të NATO-s. Hillary Clinton, tha ai ishte përkrah tij, kur merrte ai ato vendime të rëndësishme dhe është shumë e ndërgjegjshme për arsyet dhe rëndësinë e atyre bombardimeve.
“Hillary më ka thënë personalisht, tregojë Engel,  se ka ndërmend të vazhdojë veprën e bashkëshortit për Kosovën, kur të bëhet presidente e Amerikës. Ajo, është mbështetëse e vendosur e pavarësisë së Kosovës, e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, e në Malin e Zi. Hillary, është nxitëse e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
  Në fund të fjalës së tij duke u bërë thirrje shqiptarëve të votojnë të martën për Hillary Clinton, në New York, miku i dëshmuar i shqiptarëve, kongresisti Eliot Engel, argumentojë se përse :”Prandaj, unë nuk mund të imagjinoj një mik më të mirë për komunitetin shqiptaro-amerikan në Shtëpinë e Bardhë se sa Hillary Clinton-in, tha Engel, duke shtuar se kuptohet, unë e mbështes kandidaturën e saj jo vetëm për këtë po edhe se ajo do të jetë Presidentja më e mirë për të gjithë amerikanët, por në veçanti edhe për shqiptaro-amerikanët”.
Ish-presidenti Bill Clinton, duke folur në Kolegjin e Malit Shën Vincenti, të premten, 15 prill, 2016, në fushatën “Hillary për Amerikën – Fight for us “, udhëhoqi një miting elektoral, ku kërkojë që të angazhohen votuesit, e Shtetit të New Yorkut, për votimet e ditës së martë, më 19 prill.
Ndërsa, Hillary Clinton, në fakt mbetet shumë më përpara në sondazhe për këto votime, në primare nga demokratët në New York, debati i zjarrtë mbrëmshme me senatorin Bernie Sanders, ka treguar se ajo është ende në “vështërsi” dhe i duhen pa tjetër edhe 75 delegatët e shtetit të New Yorkut, të martën. Çka, do t’i forconte asaj edhe shumë pozitat për në Konventën e Demokratëve, që mbahet në fund të muajti gusht.
Në një përpjekje për të marrë votuesit më të rinj në këto votime, ish-presidenti Bill Clinton foli në tubimin në Kolegjin e Malit Shën Vincenti në Bronx, duke marrë si shembull edhe mbështetjen e shqiptarëve të Amerikës, të cilët tha ai janë “që të gjithë, musliman, katolik dhe ortodoks, besojë se janë për Hillary Clinton”.
Ish presidenti amerikan, Bill Klinton, tha se ishte i nderuar, që po shikonte një mbështetje kaq të madhe të shqiptarëve, në këtë fushat, duke mbajtur fjalimin e tij, ai faleminderojë ngrohtësisht asambleistin e shtetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, për organizimin e këtij tubimi madhështor.
“Duke përmendur të arriturat e deritashme, që prej përfundimit të luftës në Kosovë, presidenti i dikurshëm amerikan, që ishte President i SHBA, gjatë asaj kohe, kujtojë rrugën e vështirë që kaloi Kosova për të arritur nga liria tek pavarësia e saj”.
  Ai, ka rikujtuar më tej edhe vizitat, që me bashkëshorten e tij, Hillari Klinton, e cila sot është kandidate e fuqishme për Presidente e SHBA në zgjedhjet presidenciale 2016, i kishin bërë në kampet e refugjatëve ku ishih zhvendosur shqiptarët e Kosovës, në Maqedoni.
 
“Kurrë nuk do t’i harroj fytyrat e njerëzve dhe rrëfimet e tyre”, tha Klinton.
Bill Klinton, përshëndeti numrin e madh të shqiptarëve, që kishin ardhur t’i tregonin çiftit Clinton, mbështetjen e madhe për Hillary Clinton Presidente, të martën , dhe lavdëroi shqiptarët , duke i quajtur shqiptarët simbol në botë të bashkëjetes fetare,. Ai iu drejtua shqiptarëve  duke i bekuar : “Zoti i bekoftë shqiptarët, të gjithë shqiptarët” dhe falemnderojë të gjithëve ju që po e mbështesnin fushatën e Hillary Clinton, për Presidente e SHBA, tha Klintoni.
 
“Dua t’ju siguroj se Hillary presidente, dhe i gjithë populli amerikan, është me ju dhe do të jenë në të ardhmen tuaj me shqiptarët”, tha Klinton.
Ish- Presidenti i SHBA, Bill Klinton, mbetet një hero në sytë e shqiptarëve për rolin e tij në ndalimin e katastrofës humanitare që kërcënonte Kosovën. Ish- Presidenti Klinton në Kosovë, Shqipëri, viset shqiptare dhe në diasporë, gëzon respekt të jashtëzakonshëm, për rolin që ka pasur në fushatën ajrore të aleancës veri-atlantike kundër forcave serbe të sigurimit më 1999.
Pikërisht, ky rol ka bërë që figura e ish presidentit amerikan jo vetëm në Kosovë, por në Shqipëri, viset shqiptare dhe diasporë, të shihet si personalitet që çliroi Kosovën nga pushteti i dhunshëm i Serbisë së udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi.
Andaj, edhe sot shqiptarët e Amerikës iu përgjigjen masivisht në mbështetje për fushatë për gruan e tij, kandidaten demokrate për presidente, Hillari Klinton, në Sallën Smith të Kolegjit të Malit Shën Vincenti -“College of Mount Saint Vincent” në zonën Riverdale të Bronx, New York.
Bill Clinton ia atribuojë gruas së tij në shumicën e shteteve , aftësinë të fitoreve në paraprake për popullaritetin e saj dhe përpjekjeve në një drejtim të qëndrueshme në mbarë vendin, të afrikano-amerikanëve dhe latinëve.
Gjatë tubimit, Clinton vazhdoi për të pikturuar Hillary Clinton si një Presidente e SHBA, që do të ishte zgjedhja më e mirë për popullin Amerikan, simbas tij,  “E ndjeshme dhe efektive për të fituar si kandidate demokrate, për në primare. Në 45 vjet të saj, shtojë Klinton, ajo ka qenë e angazhuar në politik, dhe është përpjekur për të ndihmuar njerëzit, që të jetojnë ëndrrat e tyre dhe të zgjedhin problemet e tyre, të të gjithë popullit, unë kam punuar me të, dhe u them me plotë gojën se ajo është më e mira, është një udhëheqse që kërkon ndryshimin dhe është krijuese. Dhe, ka shumë dallime në mes atyre që vetëm dinë të flasin për ndryshim dhe atyre që janë duke e bërë ndryshimin.”
Kjo është hera e parë që shumë nga nxënësit e shkollave do të votojnë në zgjedhjet presidenciale.
Një studente prindërit së cilës emigruan nga Shqipëria që kishte ardhur të mbështeste Hillary Clinton, tha se :
“Unë mendoj se Hillary, është e bukur ajo që ajo dëshiron të bëjë për emigrantët dhe për t’u dhënë atyre të gjithë legalizimin dhe të gjitha letrat e tyre se ata e meritojnë dhe kanë nevojë për të”, thotë Doniak Cotaj. “Mendoj se të gjithë e meritojn mundësinë për të ardhur në Amerikë, dhe të kenë të gjitha të mirat e këtij vendi.”
Clintoni foli edhe se ku Hillary qëndron në borxhin studentor, borxhit të kredisë dhe ndihmën e shkollimit. Ai tha se ajo dëshiron të bëjë një ndihmës jo vetëm për studentët në institucionet publike, por ato private si. Ajo gjithashtu dëshiron të ndryshojë politikën për kredi studentore, tha Klinton.
Ish-presidenti Bill Clinton, gjithashtu ka mbrojtur efektet e faturës  së rregullores financiare Dodd-Frank nënshkruar nga Presidenti Obama, duke thënë se ka pasur tashmë 50,000 më pak njerëz që punojnë në Wall Street, se ka pasur para se të godiste SHBA, recesioni i Madh.
 Clinton tha se korporatat “shpenzojnë 80 deri 90 për qind të të ardhurave të tyre … duke ua dhënë ato atyre të aksionerëve të tyre” dhe drejtuesve të tjerë të lartë në vend se të përdoren për punëtorët e tyre.
Votimet paraparake për të dyja partitë në New York,  do të mbahen më 19 Prill.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Bill Klinton, Hillari Presidente, Jane me shqiptaret, populli amerikan

Kosovë-Shqipëri, dy qeveritë në mbledhjen e tretë këtë pranverë

April 15, 2016 by dgreca

-Qeveria e Kosovës nis përgatitjet për mbledhjen e tretë të përbashkët me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë/

-Aprovohet Raporti Vjetor i Punës së Qeverisë për vitin 2015, si dhe Platforma Vjetore e Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë për Vitin 2016/

  Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Prill 2016/ Qeveria e Kosovës nis përgatitjet për mbledhjen e përbashkët në këtë pranverë me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë, të tretën pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014 dhe të dytës në Tiranë në 23 mars 2015.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës, kryeministri Isa Mustafa bëri të ditur se në takimin e 7 prillit në Prishtinë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, janë koordinuar që të organizohet takimi i radhës i përbashkët i dy qeverive, të vlerësohen të arriturat e deritanishme në dy takimet e mëparshme në  Prizren dhe në Tiranë dhe të shihen marrëveshjet të cilat mund të lidhen për bashkëpunim edhe në fushat tjera të cilat kanë mbetur nga viti i kaluar.

“Unë për sot nuk do të hapja diskutim të veçantë lidhur me këtë. Do të propozoja që t’i caktojmë disa nga anëtarët e qeverisë që për mbledhjen e ardhshme të të na ofrojnë një propozim lidhur me kohën e vendin e mbajtjes së takimit dhe po ashtu që ministrat të mendojnë nëpër ministritë përkatëse se cilat marrëveshje tani i kemi gati, në mënyrë që t’i përgatisim për t’i lidhur në takimin e përbashkët që do ta kemi dhe se cilat çështje mendoni se do t’i diskutonim si çështje me prioritet”, tha kryeministri Mustafa.

Ai propozoi autorizimin e zëvendëskryeministrit Kujtim Shala, ministrit të Drejtësisë Hajrdin  Kuçi, ministrit të Adminsitratës Publike, Mahir Jagcillar dhe zëvendësministrit të Jashtëm, Petrit  Selimi, që të vijnë me një propozim në mbledhjen e ardhshme të qeverisë lidhur me kohën e vendin e mbajtes së mbledhjes së përbashkët të qeverive Kosovë-Shqipëri dhe për çështjet të cilat konsiderohen me prioritet, e pastaj të punohet në përgatitje.

“Koha për të cilën ne jemi marrë vesh përafërsisht me kryeministrin Rama, është fundi i majit ose java e parë e qershorit”, tha kryeministri Mustafa, duke kërkuar angazhim në përgatitjet e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që të jetë përmbajtjesore dhe t’i kontribuojë thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.

Në 7 prill, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, mbërriti në Kosovë për të marrë pjesë të nesërmen në ceremoninë shtetërore të inaugurimit të Presidentit të ri të Republikës, Hashim Thaçi, ndërsa fillimisht në një takim me kryeministrin Isa Mustafa kanë biseduar për bashkëpunimet dhe axhendën e mbledhjes së tretë të dy qeverive.

Kryeministri Mustafa dhe kryeministri Rama kanë vlerësuar rezultatet pozitive që janë arritur deri më tani në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve duke shprehur përkushtimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit.

“Ishte kënaqësi  që këtë vizitë 24 orëshe në Prishtinë, e cila sigurisht lidhet me domosdoshmërinë për të nderuar Presidentin e ri, nesër në ceremoninë e inaugurimit, ta nisnim me këtë bashkëbisedim miqësor me kryeministrin, dhe të diskutonim mbi axhendën e mbledhjes së ardhshme të dy qeverive, bazuar në faktin që kemi një dakordësi të plotë, sepse këtë na e japin shifrat dhe provat, që ky proces i bashkëqeverisjes së problemeve dhe çështjeve të interesit të përbashkët na ka dhënë rezultate shumë të mira”, ka theksuar kryeministri Rama në konferencën për shtyp pas takimit.

Mjafton, ka vijuar kryeministri shqiptar, të shohim shifrat e shkëmbimeve tregtare dhe të eksportit në të dy anët e kufirit, për të kuptuar jo vetëm se sa shumë është bërë së bashku, por edhe se çfarë potenciali të madh ka, sepse ka ende probleme për t’u adresuar dhe çështje për t’u zgjidhur, në mënyrë që kjo hapësirë të jetë një hapësirë e lirë shkëmbimesh dhe një hapësirë ku përmes këtyre shkëmbimeve arrihet mirëqenia e popullit tonë në të dy anët.

“Nga ana tjetër, është me rëndësi të theksoj që ne përgatitemi për etapën e tretë të Procesit të Berlinit, që do të na çoj së bashku edhe me kryeministrat e rajonit këtë vit në Paris dhe jam shumë krenar që historia e suksesit në procesin e mbledhjeve të dy qeverive është një arsye që ne të nxisim së bashku një proces më të gjerë rajonal për heqjen e barrierave jotarifore dhe për lehtësimin maksimal të shkëmbimeve mes njerëzve, mallrave, në mënyrë që të rrisim maksimalisht hapësirën e të gjitha sipërmarrjeve shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në rajon”,  ka theksuar kryeministri shqiptar Rama.

 Kryeministri kosovar Isa Mustafa është shprehur se, kishte kënaqësi të veçantë që takohej me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin biseduan lidhur me shumë çështje.

“Vlerësuam bashkëpunimin tonë vëllazëror, por edhe bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë si dhe bashkëpunimin ekonomik.

Vlerësuam, po ashtu, se kemi arritur mjaft në zbatimin e marrëveshjeve të cilat i kemi nënshkruar vitin e kaluar dhe marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar edhe në takimin e parë në Prizren, pastaj në takimin në Tiranë në shumë fusha, në fushën e ekonomisë, në fushën e arsimit, në fushën e shkencës, në fushën e kulturës, në fushën e bashkëpunimit tregtar”, ka thënë kryeministri kosovar.

Mustafa ka theksuar se, do të vazhdojmë me takime të përbashkëta të dy qeverive dhe do të punojmë bashkërisht në përgatitjen e takimit të ardhshëm, në të cilin do të bëjmë një vlerësim të punëve të deritanishme, por edhe të aktiviteteve të cilat ne kemi interes t’i zhvillojmë si aktivitete të përbashkëta sepse vlerësojmë se bashkëpunimi me Shqipërinë është i interesit të veçantë për Republikën e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa ka zhvilluar mbledhjen e 84-të, të 17-tën në vitin 2016,  në të cilën janë miratuar vendime nga përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore të ekzekutivit.

 Fillimisht, kabineti qeveritar aprovoi Raportin Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2015.

Kryeministri Isa Mustafa, ka bërë prezantimin e punës së qeverisë duke thënë ndër të tjera se gjatë vitit 2015, qeveria ka punuar në realizimin e 5 prioriteteve të cilat kanë qenë edhe shtyllat themelore të Programit të punës në periudhën 2015-2018: Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, punësimi dhe mirëqenia; sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës; axhenda evropiane dhe politika e jashtme; arsimi, shkenca, kultura, sporti dhe zhvillimi rinor; shëndetësia bashkëkohore.

“Konsideroj se e arritur e madhe e vitit 2015 është finalizimi dhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Kjo marrëveshje pritet ta përafrojë dhe integrojë ekonominë e vendit me hapësirën ekonomike evropiane dhe të shteteve anëtare të BE-së. Me nënshkrimin e MSA-së, prodhuesit vendor pritet të kenë qasje në tregun e BE-së dhe për rrjedhojë të kemi nxitje të zhvillimit ekonomik, të punësimit, por edhe të përmirësimit të cilësisë së produkteve dhe shërbimeve, të cilat ofrohen nga bizneset tona ose të cilat konsumohen në tregjet tona”, tha kryeministri Mustafa.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe Platforma Vjetore e Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë për Vitin 2016.

Kjo platformë përmban udhëzime të përgjithshme të punës së Agjencisë, duke garantuar parimet e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat Politike dhe Civile, si dhe të gjitha parimet e tjera relevante të paraqitura në instrumentet ligjore të njohura ndërkombëtarisht. Qëllimi i kësaj platforme është përcaktimi i prioriteteve të Agjencisë në kuadër të mbledhjes, analizës dhe shpërndarjes së informacioneve dhe produkteve inteligjente për kërcënimet e sigurisë kombëtare që ndërlidhen me rendin kushtetues, sovranitetin dhe tërësinë territoriale, integritetin e institucioneve shtetërore, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, jetën, mirëqenien, pronën dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Filed Under: Komente Tagged With: dy qeveritë në mbledhjen e tretë, këtë pranverë, Kosovë-Shqipëri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT