• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Visar Zhiti: KOMEDIA DJALLËZORE

April 15, 2016 by dgreca

Në kreun e fundit të burgologjisë së Visar Zhitit “Ferri i çarë”, botuar para ca vitesh, janë dy skena mbresëlënëse dhe kuptimplote, ndërkaq reale e të përjetuara, e para: kur gjyqtarë të huaj në një takim në Romë i kërkojnë ndjesë poetit shqiptar nga që kolegët e tyre në Shqipëri e kishin dënuar për poezi… dhe e dyta: presidenti i atdheut të tij shpërndan dekorata për të persekutuarit dhe persekutorët njëlloj…

Ky epilog i romanit të Visar Zhitit, që protagonisti në një nga monologët e tij të brendshëm kohën që po përjetojmë e quan me titullin antidantesk, “Komedia djallëzore”, përshkohet nga dëshpërimi e zhgënjimet, por brenda ka dritë, atë të mosurrejtjes dhe mirësisë deri në shenjtëri. Madje gjatë leximit, ashtu si në të gjithë kryepunën e Visar Zhiti, përftojmë gëzimin e trishtuar të mençurisë…

(Kritiku Letrar)

KREU I FUNDIT

Kuvendi i faljes dhe… (me)daljet

…ndieve vetminë tjetër. Një lloj braktisjeje. Absurdin. Dhe u nëpërmende pa e ditur se ku ishe, në ç’kohë dhe pse, dhe në ç’sallë. Presidenti i Republikës? Po ndante medalje. Dhe për të dënuarit, dhe për dënuesit. Si, si? Për të dënuarit që qëndruan… dhe për dënuesit, që e bënë atë detyrë më së miri… Ç’popull i skajshëm që jemi!

Dhe befas ike, pa ikur. Doje të ishe dhe në vend tjetër. Si shenjtët. Që janë njëkohësisht dhe gjetiu, dhe në tjetër kohë. Bilokacion tronditës. Profetët e kanë këtë aftësi për shkak të ceneve, gjymtimeve në trup, në kujtesë, në tru. Po kështu janë dhe të burgosurit: ngaqë s’u lënë as veten, gjejnë tjetrin. Ngaqë s’kanë asgjë, përthellohen, nga nëntoka në qiell… A nuk i profetizuan përmbysjet dhe ndollën liritë duke vënë shpirtrat e tyre në krye?

 Dhe të ra përsipër ca muzg roman, si togë e errët mbi supe. Sa të pëlqente Roma në këtë orë, sikur mbërrije dhe në antikitet, teksa të përshfaqej përballë, ashtu si amfiteatri i Durrësit, Koloseu hijerëndë. Ja Harku i Konstandinit, perandori ilir që… ishe vonë, nxitoje për në rrugën e njohur “Vittorio Veneto”. Apo të mos shkoje?… Ç’ishte ajo ftesë ashtu, Shoqata Europiane e Juristëve shkrimtarë në takimin e saj në… lajmin e jepnin dhe agjencia italiane “Ansa”, gazeta “Repubblica”, revista… pastaj e shpërndanë dhe mediat në Shqipëri, në Kosovë… I ftuar nderi… Te gjyqtarët? Po gjyqtarët e mi a janë në këtë takim?

Si për t’u vonuar, ndale tek ajo pllaka e mermertë, si gjithmonë kur kaloje andej, dhe lexove se pikërisht këtu ishte xhiruar filmi “Dolce vita”. Po për jetët e hidhura tonat do të ketë ndonjë film, apo është vetë jeta? Pa e kuptuar u gjende atje ku ishe ftuar, përshëndete rojat, shtyve dyert e mëdha gjithë qelq, u ktheve për në sallën e takimit, ku një si vërshim drite derdhej nga shandanët e praruar mbi poltronat mondane me kadife të kuqe… nuk ishte sallë gjyqi, jo, përkundrazi.

– Kuvendi i sotshëm “Poezia dhe drejtësia”, – e nisi fjalën e tij kryetari i shoqatës, e njihje, Gennaro Francione e quanin, kishte botuar romane, drama, edhe një për Skënderbeun, – …tani një homazh për magjistrin Ugo Betti, – po thoshte ai, – një nga tre dramaturgët italianë, Pirandelo, De Filipi… Tragjediani i vetëm shqiptar vdiq në burg, po mendoje ti, mik i atit tënd, që shkruante drama, por i ndaluar… Juristë ishin? Jo. Lazër Radi po, edhe ai ishte miku i tyre, këtu në Romë kishte studiuar dhe e futën në burg, në… – Në këtë gjysmë shekulli, – vazhdonte të fliste kryetari, – 130 gjykatës shkrimtarë i kanë dhënë një dukuri unikale letërsisë, jo vetëm asaj kontemporane, por… – Po të burgosurit? – desh thirre ti. Në fakt të thirrën të dalësh në krye.

– …e kanë dënuar kolegët tanë në Shqipëri, – kështu të paraqitën para të pranishmëve, – për poezi… – dhe heshtje e rëndë.

Filluan pyetjet nga salla, a janë dënuar të tjerë kështu, a ishte e mundur të shkruaje në burgjet tuaja… jo, jo, nuk ishin tonat, ishin të atyre që na dënuan… si i ruanit shkrimet, i nxirrnit dot nga qelitë, po tani?

Balli t’u mbush me djersë, po hutoheshe, janë të ndaluara gjuhët e huaja,  bërtiste komisari, të kujtohet? Lot në një qerpik, shkëlqeu drita në të si në një diamant… vathë… byzylykë… pranga floriri… vajza prej ëndrre, gruaja… aty ishte… vështrime

– Gjykatësit dhe gabojnë, – e mori prapë fjalën kryetari, – dhe dënimi s’është gjithmonë i drejtë… mbase asnjëherë, – shtove ti në heshtje, – por është e tmerrshme të dënosh për poezi, – e ngriti zërin ai. – Kush jemi ne që kemi të drejtë të dënojmë? – Flokët e shkurtër, mjekra e errët si flokët, jaka e ndritur në po atë ngjyrë të kostumit sikur dhanë një fërgëllimë. –  Unë si jurist e ul kokën tani, – tha kryetari duke u afruar nga ti, –  dhe, po të kisha togën e gjykatësit, do t’ia jepja…, – tha emrin tënd fort. Shpërthyen duartrokitjet. –  Jam në momentin më të lartë të jetës, i kërkoj falje, sepse gjyqi, kudo që mund të jetë zhvilluar, ka dënuar një poet, i kërkoj falje në emër të gjyqtarëve të botës, – e përfundoi sentencën.

– Edhe atyre shqiptarë? – nxitove të pyesësh ti, pa pasur kohë të pendohesh. Kryetari buzëqeshi si për të futur një nen zbutës, siç i thoshim ne. Pritej fjala jote.

– Ky është kundërgjyqi im, ku erdha me dëshirë, – the ndër të tjera dhe heshte. (…Ndihen fajtorë këta, të një vendi tjetër, të huaj, kurse tanët, të vërtetët, që kanë bërë krime mbi ne… ah, prandaj është shpirti, duhet të dish të duash, se ndryshe nuk e ndien fajin, nuk e kupton… t’u bë se po dëgjoje një si këngë. Atë për të cilën të dënonin. E këndonin ai bashkëvuajtësi yt me atë këngëtarin e huaj…) – Jam i emocionuar, – belbëzove. (…Kam shokë të pushkatuar, deshe të thoshe, e drejta e faljes u takon ta japin ata, sublimisht ata…) – Vetë besoj tek institucioni i faljes, – shtove.

U ngritën nga salla, ç’ishin, gjyqtarë, avokatë, prokurorë a kujdestarë burgjesh, kishte të tillë në shoqatën e juristëve-shkrimtarë të Europës? Me copa letre ndër duar dilnin në atë si skenë dhe, sapo nisnin tingujt e pianos, lexonin poezi të tuat. Si atëherë kur të dënuan… 10 vjet heqje lirie, kthejani! 25 vjet… për jetë… Armë ul! Të ngrihen të vrarët…

Po i vinte fundi takimit. “Kuvendi i faljes” u quajt, nuk po e besoje, duhej të kishte nisur me kohë. Që atëherë në Romën e Lashtë, kur u dënua Ovidi, e internuan në Detin e Zi, edhe më herët. Këtu në Romë ishte Dantja, kur nisi përndjekja e tij… sikur dëgjonim dhe ne në burg: daaaan(t)eeeee… binte çanga, nuk patëm Komedi Hyjnore, por komedi djallëzore… një si fatkob i ndoqi shqiptarët që kishin studiuar këtej, dënoheshin në atdhe… por më ashpër, më keq se  në mesjetë, u vriteshin dhe shkrimet… si skllevërit në arenë nga bishat… Musineja e bukur, nëpërmende ti, ndoshta ka qenë në këtë sallë, studente … dhe kur doli nga burgu, ndonëse në mjerim, prapë mbahej lart, vishej me hijeshi, përzishëm, me një kapelë grash mbi flokë, dhuratë e këtejshme. Pas punës së rëndë me llaç ulej e vetme në një stol të lulishtes me një libër në dorë… Rrëshen, Romë/Bari, Qafë-Bari/ Tiranë, tiranët… t’u ngatërruan… eh, si copëtohet koha, tamam ferr i çarë… dhe kur mbyllte librin ajo, shikonte lulet. Hop gjallëroheshin petlat, gjethet, përndizeshin. Dhe mes tyre binte një zog i vrarë. Qielli bëhej me gropa si varrezat. Punëtorët hapnin të reja, t’i kishin gati për ata që do të vdisnin. Dihet që do të vdesim, por nuk dihet a jetuam…

Mjaft, po kur do të mblidhemi edhe ne në një kuvend, të burgosur, gjyqtarë, personazhe, statuja, të vdekur, gjithë të gjallët, që të vendosim paqen? Dhe u ktheve prapë në sallën tjetër, në vendin tënd, ku Presidenti i Republikës dekoronte edhe të dënuar, edhe dënues. Mbase jemi e njëjta gjë. .. po kërkoje një dalje… (me)dalje, ç’i dua, ne kemi plagët, mjaftojnë, janë ca si tepër…

Cigarja po të digjte gishtat dhe e shove menjëherë në taketuken më të parë që pe. I ngjante një kafke të prerë. E kujt do të ketë qenë, e ndonjë të dënuari? Mbase do ta kesh njohur nëpër rreshta, dorë më dorë me një prangë. E zbuluan tani, arkeologji e dhembjes. Nga ç’humbëtirë e nxorën? Është kafka e mbetur e burgut. U ngrite. S’mund të rrije më shumë. Ja, të gjithë bashkë, iu arrit… Pe në xham, nga ku po të vështronin me ngulm dy sy të tejmë, jo, jo, qenkësh pasqyrimi i fytyrës sate.

Jashtë binte shi elegjiak. Si mund të ishe dhe i dënuari dhe dënuesi njëherësh? Në dy vende njëkohësisht… si shën djall. Të lirë dhe të varfër. Pararendës dhe të padëmshpërblyer. Të nderuar dhe të nëpërkëmbur. Të harruar dhe kujtesë e popullit. Ne jemi kudo, po mendoje, si eshtrat, në çdo kohë, si fryma. Se kush janë të tjerët, kuptohen nga qëndrimi që mbajnë ndaj jush.

Ndieve se po zbeheshe duke t’u zbehur gjithçka përreth. Jo, tunde dorën, unë nuk kam qenë (më) në burg, mbase ju… mërmërite. Dhe po ikje i bindur se të gjithë, megjithatë, ishim më të mirë se jetët tona. Dhe se vdekjet.

 Romë, Tiranë, 1999 – 2002

Tiranë, Durrës, 2010 – 2012

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: KOMEDIA DJALLËZORE, Visar Zhiti

SHQIPTARET E AMERIKES DHURUAN $41,850.00 PER SHTATOREN E AZEM HAJDARIT

April 15, 2016 by dgreca

Mbrëmjen e së Enjtes, 14 Prill 2016, në restorantin Fiorino me pronar bashkatdhearin Sabit (John) Bitici u mblodhën miqtë e  Heroit të Demokracisë Azem Hajdari. Mes të ftuarve ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tropojës Besnik Dushaj si dhe Rasim Hasani, vëllai i Heroit Azem Hajdari.

Mysafirëve u ka uruar mirëseardhjen Sergio Bitici. Ai kujtoi vizitat e Azem Hajdari në SHBA dhe sa herë erdhi në Nju Jork ai ishte mysafir i vëllezërve Bitici. Në Fiorino dhe në të tjerë restorante të vëllezërve Bitici janë pritur senatorë e Kongresmenë që kanë ndihmuar ceshtjen shqiptare; janë pritë presidentë e kryeminstra nga vendlindja.

Edhe biznesmeni Harry Bajraktari tek i ka uruar mirëseardhjen Kryetarit të Tropojës, ka përgëzuar vëllezërit Bitici për bujarinë e tyre për vëllezvrit Bitici, të cilët kanë bërë shumë për cështjen shqiptare.

Kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj i ka uruar mirëseardhjen Kryetarit Dushaj dhe ka përgëzuar vëllezërit Bitici për shqiptarizmin e tyre. Për Azem Hajdarin, ai tha se ishte një mik i Vatrës dhe Vatra e sheh veten të përfshirë në këtë fushatë për shtatoren e tij.

Zv/Kryetari i Vatrës z. Agim Rexhaj ka kujtuar bashkëpunimin e Vatrës dhe të tijin personal me Azem Hajdarin. Ai u ndal vecanërisht në vizitën e delegacionit të Vatrës në qershor 1998 në Tiranë e Tropojë, kur Vatra dhuroi ndihma për Kosovën dhe shkoi në Tropojë në spitalin e qytetit, ku takoi të plagosurit e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës dhe i dhuroi spitalit medikamente e pajisje mjeksore. Azemi u kujdes shumë pvr delegacionin e Vatrës në ato kohë pasigurie të rendit. Po ashtu z. Rexhaj solli edhe kujtime nga koha e vizitave të Azem Hajdarit në SHBA, ku ai ishte shoqërues i tij. Një pritje të ngrohtë i pat rezervuar Vatra heroit të Demokracisë pas plagosjes në Parlament.

Dr. Hasan Ademaj, që ishte një nga kontributorët për përmendoren e Azem Hajdarit, tha se Azem Hajdari është heroi i gjithë shqiptarëve dhe për të duhet të japin kontribut jo vetëm miqtë e Azemit por edhe shteti shqiptar sepse ai është heroi që vrau frikën e shqiptarve dhe dha kontribut të vecantë për demokracinë. Po ashtu dr. Hasani propozoi që edhe në Kosovë ky hero mitologjik shqiptar duhet të ketë vendin e vet.

Kryetari i Bashkisë së Tropojës z. Besnik Dushaj ka falenderuar mikpritësit dhe ka bërë një ekspoze të Tropojës duke u bërë thirrje bashkatdhetarëve që të investojnë në Tropojë, të udhëtojnë në Tropojën turistike sepse ka pamje magjike, që rrallë gjenden në krahina të tjera. Më pas ai shpalosi edhe projektin e ndërtimit të shtatores së Azem Hajdarit. Kjo shtatore tha ai ndërtohet me kontribute vullnetare. Kryetari Dushaj falenderoi nismëtarët investues biznesmenët Harry Bajraktari dhe Rrustem Gecaj, që të parët dhuruan nga 5 mijë dollarë. Ai tha se kjo shtatore do të vendoset në Sheshin “Azem Hajdari” , i cili ka një sipërfaqe prej 6 mijë metra katror dhe është një nga zonat më të frekuentuara të Qytetit “Bajram Curri”. Shtatorja do ta ketë vështrimin nga Mlai i Shkëlzenit. Pa llogaritur bazamentin, shtatorja do të ketë lartësi 5 metra.

Në fund u bë fushata e dhurimeve për shattered e Azem Hajdarit. U mbllodhën 36 mijë e 950 Dollarë. Ja dhuruesit dhe shumat:

1- Harri Bajraktari 8 Mijë Dollarë

2- Rrustem Gecaj 8 Mijë Dollarë

3-Vëllezërit BITICI    5 Mijë Dollarë

4- Mother Teresa Golf 5 Mijë Dollarë

5- Xhaferr Gecaj 2 Mijë Dollarë

6- Agim Rexhaj 1 Mijë Dollarë

7- Dr. Hasan Ademaj 1 Mijë Dollarv

8- Agata dhe Dritan Mishto    1 Mijë Dollarë

9- Fitim Balaj  1 Mijë Dollarë

10- Visar Demushi 1 Mijë Dollarë

11- Zeqir Hasan Ramaj 1 Mijë Dollarë

12-  Roland Nezaj $ 250.00

13- Martin Shkreli $500.00

14- Lu Fundos $500.00

15- Haxhi Rudolfo Hysenaj $500.00

16.Arben Vatoci $ 500.00

17- Isa Brija $ 500.00

18-  Elmi Berisha $500.00

19-  Sejdi Hysenaj $500.00

20- Sherif Nezaj $500.00

21- Halit Nezaj $500.00

22- Fadil Berisha $ 500.00

23- Zamir Vejuka $500.00

24- Luigj Gjelaj $500.00

25 Anton Raja $500.00

26- Gjoke Deckaj $250.00

27-Musli Mulosmanaj $200.00

28.Halil Mulaj $200.00

29- Dalip Greca $200.00

30- Gani Haxhaj $ 100.00

31 Erenik Nezaj $250.00

Filed Under: Komunitet Tagged With: E AZEM HAJDARIT, EDHE 37 MIJE DOLLARE PER SHTATOREN, Shqiptaret e Amerikes

Kryeparlamentari Veseli takon senatorin amerikan John McCain

April 15, 2016 by dgreca

UASHINGTON, 15 Prill 2016/Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë qëndrimit në Uashington, ka takuar senatorin amerikan John McCain, të cilin e falënderoi për mbështetjen personale gjatë të gjitha fazave të ndërtimit të shtetit të Kosovës.Kryetari Veseli e informoi senatorin për zhvillimet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova, duke vënë në dukje ecurinë procesit shtetndërtues dhe synimet euro-atlantike. Ai me këtë rast kërkoi mbështetje të mëtejme për Kosovën dhe ruajtjen e fokusit për Kosovën në axhendat e Senatit amerikan. Kryetari Veseli përshëndeti posaçërisht marrëdhëniet e Gardës Nacionale të Arizonës me Kosovën.Njoftimi i dërguar nga Kuvendi kosovar thekson se, Senatori McCain e përgëzoi kryetarin Veseli për punën e bërë deri tash dhe inkurajoi që të vazhdojë në përmbushjen e obligimeve kushtetuese në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Senatori siguroi që SHBA-ja do të vazhdojë të mbështes Kosovën, si investim i përbashkët në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit. Ai tha që “ne bashkërisht duhet të gjejmë mënyra se si të kemi sukses, e jo të gjejmë arsye për të dështuar”.Kryetari Veseli e siguroi senatorin McCain se Kosova do të vazhdojë punën e nisur bashkë në ndërtimin e stories së suksesit të përbashkët./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: John McCain:, senatorin amerikan, Veseli takon

Thinjat e Obamës dhe ato të Edi Ramës

April 15, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Për Edi Ramën një foto me Barack Obamën është ajo e ditës. Nga ana tjetër disa deklarata në lidhje me Trump, Basha dhe ai. Nuk janë asgjë më shumë veçse praktika absurde e sojit Rama. Se për çfarë u duhet shqiptarëve nga toka e lirisë, trekëndëshi Rama – Basha – Trump?! Këtë e di vetëm mister absurdi … Kryeministri ynë. Ndërkohë gjithë simpatizantët e tij vlojnë si një sukses të jashtëzakonshëm, pritjen në zyrën ovale. Madje e cilësojnë si thyerje protokolli. Megjithëse është lehtë e verifikueshme, në programin ditor atë on-line të Shtëpisë së Bardhë. Po, po sot gjithçka është e verifkueshme. Aq më tepër me protokollin. Të cilin zakonisht amerikanët. Punojnë nga gjashtë muaj deri në 1 vit më përpara. Klikoni këtë link www.whitehouse.gov/live…. dhe do të gjeni programin ditor.

Çfarë është parësore për t’u theksuar! Për Shqipërinë sigurisht është një arritje pritja e dhe ulja në bisedime midis shtetarëve tanë. Kjo duhet të shërbejë për përsosjen e kulturës politike tek ne. Jo për t’i dhënë vetes një suport elektoral. Suksesi imagjinar edhe pse fytyra e Obamës dhe Xho Bajdenit janë miqësore në foto dhe teksa shtrëngojnë duart me ne. Raportet dhe dosjet janë të sistemuara prej kohësh. Dhe më vrastarja mendësi e administratës amerikane, është deviza se po nuk luajte vet, me këmbë e me duar. Thjesht do mbetesh një aradhë dosjesh. Dhe do vazhdosh të blesh me para e manovrime ndërfutjen në axhenda presidentësh apo të Shtëpisë së Bardhë. Këtë ata e dinë shumë mirë. Megjithëse kësaj radhe, është gjaku i atyre djemve që suportuan Amerikën në fitoret dhe dështimet e saja. Këtyre viteve të pluralizmit politik në Shqipërinë e stërshtrydhur reformash të dështuara. Barak Obama jo më shumë se njëzetë e katër orë më parë pranoi dështimin amerikan në botën arabe.

Jo rastësisht vizitës së Edi Ramës i parapriu ajo e liderit të opozitës muajin mars 2016.

Amerikanët janë mirë imformuar në gjithçka. Le të mos hyjmë zgjedhjeve që janë një gangrenë kaq e shpifur. Në mjeshtri manipulimesh, mbushje e degdisje kutish. Ku një ishkryeministër e quan fare normale marrjen e një personi nga rruga dhe të votoj si e kur të dojë për ty. Ose edhe për mua… Mjafton të përmendim edhe reformën në drejtësi që ka ngelur një këllirë e nerur në bregdetin shqiptar. Megjithatë, me burra kaq reformatorë siç e quan veten një shtetar i dështuar shqiptar, Barak Obama nuk e ka problem të qeshi. Madje argëtohet me strategjinë e reformatorëve shqiptarë që krruhen me Trumpin si e si të jenë larg vëmëndjes nga pashallëku i tyre. Obamës departamenti i taksave ia çukit kokën çdo vit. Kurse në Shqipëri shtetari ynë mbush dyshekun dhe fle mbi euro, lekë, franga, stërlina etj. Kurse poshtë, ata që quhen popull kanë filluar t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit me zyrën ovale. Me takimin Rama Obama. Me syzat e Gregorit dhe gratë e Shkelzenit. Megjithatë, askush nuk bën një dallim esencial. Se Obamës që njohu dështimet dhe arritjet. E duarktroikiti edhe Kongresi. E quajnë President. I ngrihen në këmbë të majtë e të djathtë. I nderohen ligjit dhe vendit. Iu desh katër a pesë vite që të zbardhej nga thinjat. Kurse Edi Rama edhe pse ka në pushtet nga 1998-ta. Sa mezi i plasën thinjat. Dhe ato nga Ben Blushi dhe jo hallet e juaja.

Filed Under: Komente Tagged With: dhe ato të Edi Ramës, Ilir Levonja, Thinjat e Obamës

Dy realitete të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

April 15, 2016 by dgreca

Nga Frank SHKRELI/

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është duke bërë këtë javë një vizitë zyrtare në Shtetetet e Bashkuara, ku po zhvillon takime me komunitetin shqiptaro-amerikan, me anëtarë të Kongresit Amerikan dhe me udhëheqës të lartë të këtij vendi. Kryeqeveritari shqiptar mori gjithashtu pjesë në disa diskutime mbi Shqipërinë dhe mbi rajonin e Ballkanit dhe gjatë një ceremonie në Varrezat Kombëtare në Arlington vendosi një kurorë me lule tek Varri i Ushtarit të Panjohur.

Jo keq për një kryeministër të një vendi të vogël – i cili deri para një çerek shekulli ishte betuar për shkatërrimin e Amerikës dhe të “imperializmit amerikan” — në vizitën e tij të parë zyrtare si kryeministër, në një vend siç janë Shtetet e Bashkuara. Është kjo një vizitë që pak a shumë pasqyron edhe vizitat e mëparshme të përfaqsuesve të shtetit dhe të qeverisë shqiptare gjatë këtyre 25 viteve të fundit. Historikisht, këto pritje kanë qenë tepër miqësore në SHBA, të përfaqsuesve të kombit shqiptar si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova gjatë këtyre 25 viteve të fundit. Me këto pritje të ngrohta, Washingtoni nuk ka pasur as nuk ka për qëllim për të treguar ndonjë adhurim të posaçëm për politikanët individë shqiptarë të cilët shkojnë e vijnë në këtë vend, ose mbështetje për politikat e tyre, megjithse pothuaj të gjithë pa përjashtim tentojnë t’i paraqesin vizitat në Amerikë si një “mbështetje” të Washingtonit zyrtar për ‘ta si politikanë dhe për politikat e tyre qeverisëse.

Por ndryshe nga ç’mund të mendojnë politikanët shqiptarë, këto vizita të pakën nga pikëpamja amerikane mendoj unë, janë më tepër një reflektim i miqësisë, për të mos thënë i dashurisë së SHBA-ve për një komb të vogël liridashës. Për një popull, fati i të cilit, gjatë historisë së shekullit të kaluar, ishte vendosur nga zbatimi i një politike të përbetuar anti-amerikane, falë politikave të mbrendshme fatzeza të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj ShBA-ave, por edhe si pasojë e rrethanave historike.

Gjatë asaj periudhe dhe sot, Shtetet e Bashkuara kanë përkrahur historikisht dhe vazhdojnë të mbështesin — kombin shqiptar që ai të jetojë i lirë e i pavarur, i begatë, në demokraci dhe në paqë, pikëspari me vetëveten, por edhe me të tjerët, pa marrë parasyshë se kush e udhëheq. Ky është motivi kryesor i pritjeve që Washingtoni zyrtar u akordon qeveritarëve shqiptarë kur vizitojnë këtë vend. Një interpretim tjetër i kësaj të vërtete, nga cilido udhëheqës shqiptar dhe i cilës do parti ose bindje politike qoftë, nuk reflekton të vërtetën. Politika e jashtëme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare amerikane afat gjata, nuk lidhen as nuk kanë të bëjnë me individë ose parti politike të një periudhe ose një tjetre – por me popuj e kombe mike që ndajnë dhe besojnë disa vlera bazë, siç është në rend të parë angazhimi serioz për zhvillimin e një demokracie të vërtetë, si një vlerë universale dhe mbrojtja e të drejtave bazë të njeriut.

Nga pamjet publike, nga pritjet dhe deklaratat e bëra nga vet kyreminsitri dhe pala shqiptare, në sipërfaqe duket se vizita e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Amerikë, përfshirë edhe takimet e tija zyrtare në Washington, ishte një vizitë e suksesshme, gjë që i vendosë këto marrëdhënie në një dritë pozitive. Mirëpo, ky është vetëm realiteti i parë i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, që natyrisht e ka rëndësinë e vet për marrëddhëniet bilaterale.

12973275_10153641234941523_4792955203005925534_o

Por kjo vizitë, si dhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në përgjithësi gjatë këtyre 25-viteve – megjithë sukseset e arritura të Shqipërisë — siç është anëtarësimi në NATO dhe kandidatura për antarësim në Bashkimin Europian – përveç anës publike kanë pasqyruar dhe vazhdojnë të reflektojnë një realitet tjetër në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Me të drejtë Kryeministri Rama, ashtu siç kanë bërë edhe para tij ish-zyrtarë të tjerë shqiptarë, foli gjatë një takimi në New York për vlerat shqiptare siç është besa dhe toleranca fetare në radhët e shqiptarëve. Ai përmendi shpëtimin e hebrenjve, një histori që tani ka marrë nam nga familje të ndryshme shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe vuri në dukje tolerancën fetare në radhët e shqiptarëve me besime të ndryshme, që është shembull për gjithë botën. Dakort, por shpëtimi i hebrenjve u bë nga një gjeneratë tjetër shqiptarësh që meritojnë lëvdata dhe toleranca fetare është një trashëgimi shekullore e shqiptarëve, vlera këto të vërteta dhe dalluese edhe sot, por janë meritë dhe trashëgimi e brezave të kaluar të shqiptarëve. Kjo është meritë e të gjithë shqiptarëve edhe sot që i ruajnë këto veti e vlera respekti ndaj njëri tjetrit, por mendoj gjithashtu se për 25 vjetë tani e kemi shtryllur këtë lemon dhe kam drojë se ky lemon (i shpëtimit të hebrenjve dhe i tolerancës fetare) nuk ka më lëngë dhe se politikanët shqiptarë të kësaj gjenerate duhet t’i tregojnë Amerikës dhe botës se ata janë të aftë për diçka më tepër. Si fillim, pse mos të përpiqet kjo klasë politike anë e mbanë trojeve shqiptare që tolerancën historike fetare në radhët e shqiptarëve t’a këthejnë në një tolerance politike midis tyre, duke u lënë kështu brezave të ardhëshëm një trashëgimi me të cilën do të jenë krenarë?

Ja këtu hasim në realitetin tjetër jo aq të këndshëm dhe të kënaqshëm të marrëdhënieve amerikano-shqiptare. Ndoshta u duk si e papërshtatshme që për koincidencë, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH)botoi raportin vjetor mbi të Drejtat e Njeriut në botë, përfshirë Shqipërinë, gjatë vizitës së Kryeminsitrit Rama në Washington. Ky raport nënvijoi pa mëdyshje, problemet që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet midis dy kombeve si dhe mungesën e vullnetit të qeverisë dhe shtetit shqiptar për tu marrë me zgjidhjen e tyre. Në rend të parë, Raporti i DASH thekson problemin kryesor të shoqërisë shqiptare e që është korrupsioni, që sipas raportit në fjalë është përhapur në të gjitha institucionet qeveritare, sidomos në sistemin e drejtësisë dhe të shërbimit shëndetsor. Edhe organizata jo-qeveritare e të Drejtave të Njeriut, Freedom House me qëndër në Washington, erdhi në të njëjtin përfundim me DASH në raportin që botoi këtë javë se, “Korrupsioni në Shqipëri është pa diskutim treguesi më negativ në bazë të matjeve që bëjmë ne në 7 drejtime të ndryshme.”

VOA shqip citon raportin e DASH se pandëshkueshmëria është një prej problemeve të tjera me të cilat përballet Shqipëria: “Ndjekjet ligjore dhe sidomos dënimet e zyrtarëve që kanë kryer shkelje kanë mbetur sporadike dhe të paqëndrueshme. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe personat me lidhje të fuqishme biznesi shpesh kanë mundur t’i shpëtojnë ndjekjes penale,” nënvizon raporti. Qeveria filloi hetimet për disa zyrtarë të nivelit të lartë, por prokuroria më pas vendosi t’i pushojë këto çështje”, thuhet në kapitullin për Shqipërinë. Shqetësimet e qeverisë amerikane ndaj korrupsionit që ka depërtuar thellë në shoqërinë shqiptare, u mbështeten gjithashtu edhe nga një rezolutë e miratuar të ënjtën mbi Shqipërinë nga eurodeputët. Sipas VOA shqip, ata “mbeten të shqetësuar për korrupsionin e përhapur në arsim, shëndetësi, gjyqësor dhe fusha të tjera” dhe shfaqën gjithashtu shqetësimin e tyre
për “autocensurën e përhapur mes gazetarëve, të cilët ndonjëherë janë penguar fizikisht për të mbuluar ngjarje të vecanta, janë sulmuar dhe kërcënuar për shkak të detyrës së tyre”, thuhet në rezolutën e eurodeputetëve.

Ndër probleme të tjera që thekson raporti i DASH përfshihet edhe shkelja e të drejtave të njeriut ku ndër të tjera përmendet përparimi i vogël që është bërë për kthimin e pronës së shtetëzuar gjatë periudhës komuniste. Një tjetër problem që ve në dukje reporti amerikan është se Shqipëria vazhdon të mbetet një burim dhe destinacion i trafikimit të qënieve njerëzore për shfrytëzim seksual dhe për punë të detyruar. Mendoj se për shumicën e shqiptarëve sot nuk ka gjë më të papranueshëm dhe më të urrejtshëm moralisht për kulturën dhe traditën shqiptare se këtë fenomen.

Raporti zyrtar i DASH mbi të Drejtat e Njeriut në Shqipëri si edhe raporti i Freedom House pasqyrojnë gjëndjen aktuale politike në Shqipëri. Ndonëse të papëlqyeshme për marrëdhëniet dy palëshe – ato prapseprap përbëjnë realitetin e dytë të këtyre lidhjeve miqësore dhe janë gjithmonë subjekt i paevitueshëm dhe diskutimi serioz me dyerë të mbyllura midis zyratëve amerikanë dhe udhëheqsve shqiptarë gjatë vizitave të tyre në Washington dhe anasjelltas. Megjithë euforinë mbi anën publike të saj, as vizita e kësaj jave e Kryeministrit Rama në Washington nuk mund të ishte ndryshe.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dy realitete të marrëdhënieve, Frank shkreli, shqiptaro-amerikane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT