• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Kombi,rrënjët tona shpirtërore

April 13, 2016 by dgreca

Atë Antonio Bellushi : Kombi, janë rrënjët tona shpirtërore !/

“Arbëresh je TI, mos e harro, shpirtin e mëmës TI në zemër trashëgo’. Tek i pari editorial i “Lidhjes” shkruante: “Ti arbëresh të lidhesh me kulturën e vendit, ti arbëresh nëse jeton te qyteti, të krijosh lidhje me katundin tënd ku janë varret e të parëve Tuaj! Të lidhesh me shqiptarët që janë në Shqipëri, me shqiptarët që janë në Kosovë. Pastaj lidhje me shqiptarët në Amerikë, Kanada e Australinë e largët. Është një fjalë, një program. Një lidhje shpirtërore. Për këtë bëra një studim. Çka do të thotë kombësi. Arbëreshët në vitin 1700 folën për kombin shqiptar. Ç’është kjo kombësi shqiptare për arbëreshët, kur Shqipëria nuk ekzistonte si shtet!Mrekulli atdhedashurie !”

Kombi, janë rrënjët tona shpirtërore, besimi ynë, gjuha jonë, zakonet zona, kujtimet tona. Gjithë kjo pasuri kulturore e shpirtërore krijon një komb, me të cilin Ti jeton, jeton ëndrrën dhe bashkëpunon, pa dallime, pa kufizime. Pra një Shqipëri etnike, ku çdo shqiptar është im vëlla. Për këtë arbëreshët kur përqafoheshin me njëri – tjetrin, thoshin, ‘ku je im vëlla, gjaku im i shprishur’. Kjo kishte një domethënie të madhe. Gjaku do me thënë identiteti, kombi.
“Identiteti ynë është një identitet i hapur, ne respektojmë edhe tjerat kultura. Pra, shpirti i arbërit është i butë, nga dhjetëra anë është shumë i urtë, shumë i hapur”, thotë Bellushi

Antonio Bellishi ka botuar 12 libra, “Antologjia arbëreshe” proza gojore, për veshjet, këngët arbëreshe dhe ju dedikohet shkollave. Ndërsa tjetra është Antologji arbëreshe, ku janë përfshirë këngët, lojërat për rininë, ninullat, etj. “Arbërorët – Arvanit. Një popull i padukshëm” – Kërkime etnografike në Helladhë/ Gli arbërori – Arvaniti – Un popolo invisibile/ Ricerche etnografiche nell’Ellade (1965 – 2000) – Testi e documenti di cultura orale raccolti in 37 paesi albanesi nelle regioni dellìAcaia, Corinzia, Argolide, Attica. Beozia e Locride/ Presentazione di: Prof. Agron Xhagolli di Tirana (Albania); Prof. Zymer Neziri di Prishtina (Kosova); Avv. Vangjel Ljapi di Mandra – Elefsina (Grecia), Editore Centro Ricerche G. Kastriota,Frascineto 2004, pp. 350.

“Tekste dhe dokumente të kulturës gojore arbërore të mbledhura në 37 katunde arvanite. Në këto punime kemi këngë, vjersha dashurie, intervista me këta vëllezër arbëreshë, ku pimë një gotë me verë, nderohemi, gëzohemi. Janë pjesë të rëndësishme që vijnë nga këta vëllezër të pashkollë që asnjeri nuk i vlerësojë, e që për mua këta njerëz, janë krijues popullor, janë të mëdhenj. Këtu ka edhe fotografi të shumta, dhe ajo që është më e rëndësishmja, janë të shkruara me alfabet shqip. Edhe arbërorët e Greqisë i kanë disa botime për kulturën e tyre popullore gojore, por me alfabetin grek. Por, alfabeti grek nuk mund t’i pasqyrojnë gjithë bukuritë e këtyre tregimeve sepse është një alfabet i dobët.” i thotë   Ajete ZOGAJT , në intervistimin e saj
“  Në jetën e një populli a të një bashkësie, sado të ketë pasur trysni gjuhësore, kulturore, fetare, ekonomike etj., gjithmonë gjenden disa shenja të fshehura thellë në gjenin e tij, të cilat reagojnë sa herë rrezikohet humbja e kufirit të fundit të identitetit kombëtar. Ato shfaqen zakonisht si kujtesë e strehuar thellë në ndërdijen e çdo individi dhe njëkohësisht mbrenda kolektivitetit, prandaj kuptohen si përbërës të etnolinguistikës, por në thelb do të duhej të studioheshin brenda psikolinguistikës – thotë     Belushi.
Kolec Troboini shkruan:    “ Andon Bellushi (Antonio Bellusci) Prift arbëresh, gazetar, shkrimtar, pedagog, etnolog, lindur në vitin 1934 në Frashinetë të Kozencës, (Itali). Diplomuar për filozofi e teologji. Ka shërbyer si prift famullitar arbëresh. Ka themeluar revistat “Vatra Jonë, “Lidhja”, shoqatën kulturore dhe shtëpinë botuese “G. Kastrioti”, Bibliotekën Ndërkombëtare “Bellusci”. Ka botuar studime në periodikët “Shejzat”, “Zgjimi”, “Katundi Ynë”, “Studime Filologjike”, “Përparimi”. Qysh nga viti 1962 ka bërë udhëtime, studime dhe kërkime etnografike në vende të ndryshme, ka marrë pjesë në veprimtari shkencore në kuvende, kongrese në Itali, Shqipëri, Kosovë, Itali, SHBA, Australi. Ka botuar librat “Këngë fetare arbëreshe”, “Argalia në tekstet popullore arbëreshë në Frasnitë”, “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshë”, “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në Itali dhe Arbërorëve në Greqi”, “Blegtoria në Frasnitë”, :Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët të Elladhës”, “Antologjia Arbëreshe”, “Arbërorët-Arvanitë”. Është nderuar nga Qeveria Italiane, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qeveria e Kosovës, etj.
Ky është qëllimi i misionit të Antonio Belushit, prift katolik i ritit bizantin nga Kolonia e arbëreshëve të Italisë, të cilin, sikur shprehej vetë ai, me arbëreshët e Italisë e lidh vendlindja e tij, me arvanitasit e Greqisë e lidh prejardhja patërore, me Shqipërinë e lidh prejardhja amëtare, ndërsa me Kosovën dhe viset shqiptare në ish-Jugosllavi e lidh ideja e shqiptarizmës, Atë Antonio Belushi është në mision të vazhdueshëm Zërin gjysëm të shurdhër të arbërorëve të harruar zërin e ninullave, të këngëve e të vajtimeve të vdekjes, e bëri të zëshëm dhe të dëgjuar edhe në Kosovë.
Referencat:
Andonio Velushi – Kolec Troboini
Arbëroret filluan të flasin, Myrvete&Begzad Baliu
Rrënja jonë mëmë – shqiptarizmi- Ajete Zogaj

Fahri Xharra,13.04.16
Gjakovë

Filed Under: ESSE Tagged With: Fahri Xharra, janë rrënjët, kombi, tona shpirtërore

Deputeti kosovar në programin studimor në SHBA

April 13, 2016 by dgreca

-Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Veton Berisha merr pjesë në programin studimor në Kongresin e SHBA-ve, dedikuar rolit të parlamenteve në forcimin e integritetit publik/PRISHTINË, 13 Prill 2016/Me ftesë të Komisionit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë (HDP) të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Uashington, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Veton Berisha, është duke marrë pjesë në programin studimor me temën: “Roli i parlamenteve në forcimin e integritetit publik”.Programi është organizuar në partneritet me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI) dhe është i përqendruar në çështjet që kanë të bëjnë me etikën parlamentare, integritetin institucional dhe rolin që duhet të ketë parlamenti për të forcuar legjitimitetin e institucioneve dhe për të ruajtur besimin e publikut.Deputeti Veton Berisha, si përfaqësues i Kuvendit të Republikës së Kosovës në këtë program studimor, merr pjesë me deputetët e parlamenteve të shtatë shteteve nga katër kontinente. Pjesëmarrja në këtë ngjarje është një rast i mirë për të shkëmbyer përvojat kuvendore të Kosovës me praktikat e vendeve tjera pjesëmarrëse, thekson njoftimi i dërguar.Në kuadër të programit do të diskutohet edhe për sfidat me të cilat ballafaqohen parlamentet në tranzicion, përpjekjet për të ndërtuar mekanizmat e nevojshëm për të ushtruar me efikasitet funksionin ligjvënës, dhe veçanërisht rolin mbikëqyrës në raport me Qeverinë. Programi përqendrohet edhe në rrolin dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit të Etikës, formën e rregullimit të çështjeve që ndërlidhen me deklarimin e pasurisë, deklarimin e kontributeve gjatë fushatës zgjedhore, konfliktin e interesit dhe standardet etike për përfaqësuesit e zgjedhur.

Ky program synon të kontribuojë në nxitjen e diskutimeve rreth parimeve dhe normave të etikës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe rritjen e mbështetjes për iniciativat që kanë për qëllim rishikimin e Kodit të Mirësjelljes dhe krijimin e mekanizmave efikas që sigurojnë vënien në zbatim të standardeve më të larta të etikës parlamentare.

 Gjatë zhvillimit të punimeve të këtij programi studimor, deputeti Veton Berisha, nga komuniteti egjiptian, ka pasur takime me kongresmenë dhe zyrtarë të lartë të administratës së Kongresit, duke u njohur nga afër me parimet dhe normat e etikës parlamentare në SHBA./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Deputeti kosovar, në programin studimor, ne SHBA

NUK ËSHTË “PËRRALLË NGA E KALUARA”

April 13, 2016 by dgreca

NUK ËSHTË “PËRRALLË NGA E KALUARA”, AJO QË MË TREGOI MIKU IM, HALIL KOPANI…/

Nga Prof.Murat Gecaj/ 

“Njeriun duhet ta shoqërojnë gjithnjë në jetë: vullneti, pasioni dhe këmbëngulja për të arritur qëllimin e dëshiruar…”/ 1.Gjatë kësaj kohe, ne të dy kemi qenë “larg”, por dhe “afër”. Larg, sepse nuk jemi takuar shpesh e të rrimë bashkë, si i thonë fjalës,  as sa për një kafe, por dhe afër, pasi kemi ruajtur dashurinë e respektin e ndërsjelltë ndaj njëri-tjetrit. Nuk po e them për hërë të pare (ketë gjë e dinë mirë edhe bashkëmoshatarë të tjerë) se, kur njeriu shkon në një farë moshe, u pushtokan disa nga nostalgjitë e së shkuarës dhe dëshiron të shohë e takojë sa më shumë kolegë, miq e të njohur të viteve të fëmijërisë dhe të rinisë së tij. Sigurisht, në këtë “listë” përfshihem tani dhe unë.

Me juristin Halil Kopani më lidhin shumë “fije” të së shkuarës sonë, pra siç thotë populli, “kemi ngrënë një thes me kripë bashkë”. Në fillimet e viteve ’50-të, u takuam në mjediset e shkollës ushtarake “Skenderbej”. Unë vija nga malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe ai nga ajo e Pukës. Pas mbarimit të maturës, ne shkuam përsëri të pandarë në shkollën e bashkuar të oficerëve. Por, asnjëri nuk i vuri spaletat e saj, se të dy u liruam për arsye shëndetësore. Më tej, unë ndoqa studimet e larta për gjuhë-letërsi dhe ai për jurist. Por, si për habinë tonë, përsëri i ndiqnim studimet në një ndërtesë, pra në atë të Fakultetit Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës. Bile, jorrallë, i kemi bërë leksionet në një auditor ta madh, sidomos ato me karakter politik.

Jeta të merr në rrjedhën e vet dhe ti je i detyruar ta hedhësh “vallen” sipas “muzikës” së saj. Kështu ndodhi dhe me ne të dy. Shërbyem edhe në rrethet e vendlindjeve tona, por u bashkuam prapë në kryeqytetin tonë. Unë në sektorin e shtypit dhe ai në atë të drejtësisë. Gjithashtu, i vazhduam lidhjet tona miqësore. Pra, jemi takuar, kemi biseduar me njëri-tjetrin dhe kemi qarë bashkërisht hallet tona jetësore. Më kujtohet se, kur ai ishte me punë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe unë në Ministrinë e Arsimit e të KUlturës, kishim dhe një koleg të përbashkët. Ky ishte Gani Dizdari, miku im i mirë nga fshati Babinë i Malësisë së Gjakovës (Tropoja).

Jam takuar me Halilin edhe kur ai punoi në Gjykatën e Apelit të Tiranës e në Gjykatën e Lartë, si dhe në Gjykatën Kushtetuese. Që mos ta lodhi lexuesin e këtyre radhëve, shënoj këtu se, në fundin e muajit mars 2010, bëra përurimin e librit tim jetëshkrimor. Megjithëse i pamundur ca nga gjendja shëndetësore, Halili  iu përgjigj me kënaqësi ftesës sime. Bile, u kujdes dhe që të jepej njoftim për këtë veprimtari në Televizionin Shqiptar, gjë për të cilën i jam mirënjohes.

2.Tani po futem “në temë”, pra po e shpjegoj arsyen kryesore, se përse po i shkruaj këto radhë. Pasi u lidhëm paraprakisht me telefon në banesat tona,  disa vite më parë u takova përsëri me mikun e shokun tim, Halil Kopani. Në një lokal te rehatshëm, që njihet Restorant “Durrësi”, pimë bashkë nga një kafe. Siç është e natyrshme, meqenëse kishim kohë pa kuvenduar bashkë, sollëm ndërmend vitet e rinisë në shkollat ushtarake, por dhe të punës sonë, deri sa dolëm në pension. Kujtuam dhe disa shokë tanë të atyre viteve. Sigurisht, nuk lamë mënjanë as temat “e nxehta” të ditës, siç bëjnë rëndom shqiptarët, ku bisedojnë shtruar me njëri-tjetrin.

Por ajo, që dua ta ndaj me lexuesit tani, janë bisedat interesante të Halilit për fëmijërinë e tij, aty në fshatin Kabash të Pukës. Ndër të tjera, ai më tregoi se, pasi mbaroi shkollën fillore në vitet e pasçlirimit, shfaqi dëshirën ta vijonte edhe 7-vjeçaren. Po si të vepronte, pasi në fshatin e tij nuk kishte shkollë të tillë? Pasi u këshillua me të jatin, (më duket quhej Ahmet, se me këtë mbiemër e njihnim ne në shkollë, deri vonë), megjithëse fshatar i pashkollë, ai e mbështeti këtë mendim të tij. Kështu, një ditë mori udhën për në seksionin e arsimit të rrethit. Tani, Halili kujton:

“Më kishte porositur babai që të trokisja në zyrën e shefit të arsimit dhe të prisja, deri sa të fliste dikush nga brenda: -Hyr!  Ashtu veprova dhe, gjate pritjes, zemra më rrihte me forcë. Isha shumë i emocionuar! Kështu, hyra brenda dhe e parashtrova kërkesën time, pra shfaqa dëshirën ta vazhdoja shkollën 7-vjeçare, sigurisht në qytet. Mirëpo, fshati ynë ishte shumë larg dhe ende nuk kishte konvikt. Pra, sikur nuk u gjet rrugëzgjidhja. Atëherë, unë iu luta atyre, në seksionin e arsimit, që të me linin të flija në shkollë dhe kështu të ndiqja mësimet. Ishte pak  më e lehtë kjo, pasi shkolla në atë kohë funksiononte verore. Vërtet ishte diçka e pazakontë, por shefi i arsimit u bind që të strehohesha në mjediset e shkollës…”. 

Më tej, me pyetjet e mia dhe përgjigjet e mikut tim Halil, mora vesh se ai mblodhi një thes me plaçka: një lëkurë deleje, dy plafë (si batanije) leshi, disa ushqime dhe arriti në  shkollën 7-vjeçare. I vinte turp nga nxënësit e tjerë që ta shihnin ashtu ngarkuar, prandaj thesin e tij ia besoi pastrueses së shkollës, deri sa të mbaronte mësimi. Në mbrëmje, ato rroba ai i shtronte mbi bazamentin prej dërrase të tavolinës së mësuesit dhe aty flinte. Si jastek perdori trastën e librave të tij. Ndërsa, e keqja ishte se shkolla nuk kishte as roje nate, që t’ia largonte sadopak frikën. Sigurisht, Halili i vogël kaloi dhe shumë vështirësi për ushqime e tjerë.

Kështu, rodhën jo pa shqetësime: ditë, javë e muaj dhe Halili e mbaroi klasën e pestë dhe më pas të gjashtën e të shtatën. Me kërkesën e dëgës ushtarake të rrethit, atë e dërguan në shkollën ushtarake ”Skënderbej”. Sigurisht, tashmë, iu duk se kishte hyrë në një botë tjetër, ku kishte kushte të mira për fjetje, ushqim e shkollim.

Por. siç thash në hyrje të këtyre pak rradhëve nuk qe e thënë që Halili të bëhej oficer karriere, ndonëse pas shkollës së mesme ushtarake mbaroi edhe Shkollën e Lartë të Oficerave. Kështu, për shkaqe shëndetësore  e nxorën në lirim, me gradën nëntoger rezervë. Pastaj u  kthye në fshat, ku qendroi disa muaj  dhe bëri punë të rëndomta bujqësore. Ai nuk pranoi punën e ofruar nga autoritetet e kohës, magazinier në spitalin e Fushë-Arrësit, ku kishte vetëm 10 shtretër dhe me një rrogë fare të vogël. Sepse kështu dëshmohej një nënvlerësim për kohën, të shkollës së mesme, që ai kishte kryer. Ishte e njohur se, deri në atë vit (1957), vetëm 6 veta nga Puka e  kishin mbaruar arsimin e mesëm. Në vazhdim, mbas katër muajve, Halili u emrua kryereferent i zyrave të gjendjes civile, ku punoi deri sa shkoi për studime në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës.

3.

Duke e kaluar në “sitë” dhe jetën time, që në fëmijëri dhe në vazhdimësi, nga biseda me mikun tim Halil, përforcova një përfundim: Njeriun duhet ta shoqërojnë gjithnjë në jetë, vullneti, pasioni dhe këmbëngulja për të arritur qëllimin e dëshiruar. Nuk është fjala këtu për poste e karrierë të lartë, por për të qenë “dikushi” në jetë. …Halil Kopani po u afrohet 79 vjetëve, më 1 maj të këtij viti. Duke  sjellë në mendje, si në ekranin e një kinemaje jetën e vet, me “zik-zaket” e saj, tani ndjehet i kënaqur, kur sheh fëmijët e tij, që  kanë mbaruar shollat, janë përfshirë denjësisht në punë dhe kanë krijuar familjet e tyre. Natyrshëm, ai u flet atyre dhe për udhën e jetës së  vet, sidomos për fëmijërinë e vështirë, që është një mësim i mirë, për pasardhesit e sotëm dhe ata që do të vijnë nesër.

…Ndoshta, dikujt tani, që e lexoi episodin e mësipërm për mikun tim Halil Kopani, mund t’i duket si “përrallë nga e kaluara”?! Por ja, që jeta e shqiptarëve, sidomos në malësitë tona, ka qenë aq e vështirë, sa nuk ka penë gazetari as shkrimtari, që atë ta regjistrojë të saktë në letër.

Tiranë, prill 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Halil Kopani, Jo perralle, Murat Gecaj, nga e kaluara

Kosovë-Katër prokurorëve Çmimi për Drejtësi “Sali Çekaj”

April 13, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 13 Prill 2016/ Katër prokurorë, për kontributin e dhënë në ndërtimin e sistemit të pavarur të drejtësisë në Kosovë, pranuan sot Çmimin për Drejtësi “Sali Çekaj”.Me  propozimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Ministria e Drejtësisë në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë në ndërtimin e sistemit të pavarur të drejtësisë në Kosovë, iu ndau Çmimin për Drejtësi “Sali Çekaj” prokurorëve: Drita Hajdari, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Admir Shala, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Fikrije Fejzullahu nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ua dorëzoi sot prokurorëve çmimin e ndarë nga Ministria e Drejtësisë, i falënderoi këta prokurorë, duke vlerësuar dhe çmuar punën dhe angazhimin e tyre të palodhshëm në ndërtimin e sistemit të pavarur prokurorial dhe në forcimin e sundimit të ligjit në vendin tonë.Ministria e Drejtësisë çdo vit ndanë Çmimin “Sali Çekaj”, me qëllim të promovimit dhe shpërblimit të punës së individëve në fushën e drejtësisë në Kosovë, për kontributin e dhënë në avancimin e çështjeve ligjore me rëndësi, promovimin e të drejtave të njeriut, për arritjet e reja në fusha të ndryshme të drejtësisë, promovim të sundimit të ligjit dhe të arritura tjera./b.j/  

Filed Under: Komente Tagged With: “Sali Çekaj”, Çmimi për Drejtësi, Kosovë-Katër prokurorëve

Kërcënimi i rinisë shqiptare, nga shthurja e shoqërisë

April 13, 2016 by dgreca

Shkruan:Renato Shkulaku/Maturant/
Shoqëria e një vendi duhet të jetë e zhvilluar, emancipuar dhe  e përshtatshme për tu jetuar. Në një shoqëri, përveç lirive dhe të drejtave që gëzon një individ, gjithashtu ka edhe detyra, të cilat duhet t;i respektojë dhe t'i zbatojë në përpikmëri. Gjithashtu, shoqëria duhet të jetë shembull për shumë të rinj, në mënyrë që ata ta pasurojnë sa më shume kulturën, edukatën apo fjalorin e tyre, dhe të ecin me hapa pozitivë drejt së ardhmes. 
Por si funksionon shoqëria në Shqipëri? A përcjell ajo, vlerat pozitive për të rinjtë?
Fatkeqësisht, ngjarje të paprcedentë dhe të papranueshme, për një shoqëri të zhvilluar, po ndodhin në vendin tonë. Rasti më i fundit ndodhi në Tiranë, ku një çift, kryenin marrëdhënie seksuale në sytë e publikut. Ky akt  i shëmtuar ishte filmuar përballë kinema Agimit, ku shihej qartë se çifti ndryshonte shumë nga mosha, dhe nuk e kishin fare problem që ndodheshin përballë qytetarëve. Kjo ndodhi e neveritshme, e cila mund të shihej edhe nga shumë të rinj shqiptarë, na vërtëton një realitet të hidhur, të dhimbshëm të shoqërisë tonë, për të cilën duhet me patjetër të merren masa. Këta persona të papërgjegjshëm, nuk mendojnë fare për komunitetin ku jetojnë, nuk mendojnë për vlerat negative që përcjellin në shoqëri, sidomos tek të rinjtë. Siç e theksuam më lart, ne kemi detyra në një shoqëri, dhe duke mos i zbatuar ato, ne kërcënojmë lirinë e njëri-tjetrit. Prandaj, çdo indidi duhet t'i bëhet e qartë kjo gjë, të cilët nëse shkelin të drejtën e tjetrit, duhet të paraqiten para ligjit. Pra kjo gjë duhet të ndodhë me këtë çiftin, i cili duhet të japë llogari para drejtësisë, për këtë ngjarje të hidhur. 
Një ngjarje tjetër e rëndë ka ndodhur fatkeqësisht, ku një nënë, deklaron se nipi i saj ,i ka vjedhur pensionin dhe 5 pulat me të cilat ushqehej. Në momentin që nënë Hafizja i ka thënë djalit se është vjedhur ai është përgjigjur me arrogancë duke i thënë që "te rrinte mire se do e hidhte nga shkallet". Për këtë arsye kjo nënë ka 3 ditë që ushqehet me bukën e thatë. Ky rrëfim i nënë Hafizes, ka bërë që edhe gazetarja të prekej shumë dhe të mos i mbante dot lotët. 
Por si mund të emancipohen këta individë kaq mizorë, të cilët nuk respektojnë as familjet e tyre, të cilët nuk mendojnë as për këtë nënë, e cila ka vuajtur shumë, dhe po vuan akoma më shumë nga keqtrajtimet e tyre? Fatmirësisht, organet përkatëse u lajmëruan, dhe nisën nga puna menjëherë për shoqërimin e nipit. Por realiteti na tregon që në Shqipëri mund të ketë shumë nënë “Hafize” , të cilat dhunohen dhe nuk sigurojnë mbështëtjen e duhur. Prandaj shteti, por edhe institucione të tjera , organizata apo qoftë edhe individë të thjeshtë duhet të merren me parandalimin e këtyre akteve kriminale dhe dëmtuese për të gjithë shoqërinë. Shqipëria, më këta njerëz injorantë dhe të pa kulturuar, nuk po ecën në rrugën e duhur. Ne jemi vend kanditat në Bashkimin Europian, dhe duhet të jemi të denjë për tu bërë pjesë e kësaj “familjeje”. Prandaj, nuk duhet t'i tolerojmë këto fenomene, të cilat dëmtojnë imazhin e Shqipërisë tonë, por duhet t'i luftojmë me forcë. Por për t'i luftuar ne duhet të jemi bashkëpunues, dhe t'i marrim shumë seriozisht, pasi këto ç'ështje na dëmtojnë më shumë, sidomos ne të rinjtë shqiptarë. Këto raste, por e shumë të tjera, që po ndodhin rëndom në Shqipëri mbeten një plagë e shoqërisë tonë, e cila nuk po mbyllet, por po vazhdon me ritme të larta. 
Por si i gjykojmë ne të rinjtë shqiptare këto ngjarje?  
A do mundemi në të ardhmen ta ndryshojmë vendin tonë, duke e bërë një vend sa me ideal për të jetuar?
Këto ngjarje, për ne të rinjtë, janë të papranueshme, të cilat shkaktohen nga individë, shumica të pa arsimuar, të cilët nuk mendojnë për të ardhmen e vendit , per kulturen qe transmetojnë tek ne. Rinia do të jetë e ardhmja e vendit, dhe ne duhet të edukohemi në mënyrën më të mirë, që në të ardhmen të ngremë një shoqëri të ndryshme nga e sotmja. Një shoqëri e cila do respektohet dhe do të respektojë. Një shoqëri të zhvilluar, ku këto raste do luftohen dhe do të parandalohen nga ne, nëpërmjet masave të rrepta dhe ndëshkuese, të cilat do të vlerësohen maksimalisht. Shoqëria jonë do marrë shembull nga vendet më të zhvilluara, por do të arrijmë aty që edhe të japim. Prandaj ne duhet të përpiqemi fort, që të ecim në rrugët që ndoqën edhe vendet europiane apo Amerika, vende në të cilat edhe mund të ndodhin ngjarje si në Shqipëri, por që merren masa të menjëhershme. Prandaj, shteti duhet të tregohet edhe më i fuqishëm, dhe gjithashtu të na ndihmojë ne të rinjtë, për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, një të ardhme ku do të mbizotërojë “drita” dhe jo “errësira apo ligësia.  Por rol thelbësor luan edhe shoqëria e drejtë, apo familjet në edukimin e ne të rinjve. Pra njerëzit thonë “Çdo të mbjellësh do të korrësh”, prandaj të rinjtë duhet të marrin kulturën e duhur, ku do e bëjnë Shqipërinë një vend të mrekullueshëm për të jetuar dhe jo një makth prej të cilit duhet larguar. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Kërcënimi i rinisë shqiptare, Renato Shkulaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT