• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Biblioteka e Korcës, lexues dhe shërbim i kualifikuar

April 12, 2016 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/

E vendosur në qendër të qytetit, godina e Bibliotekës nuk i shpëton syrit të cdo vizitori të Korcës. Një ndërtesë tipike me arkitekturën e sistemit të kaluar, mbi të cilën nuk ka asnjë shenjë mirëmbajtje gjatë këtyre viteve. Ndërkohë që gjithëshka përreth është rikonstruktuar e transformuar, vetëm për godinën e Bibliotekës, këtij tempulli të dijes nuk janë gjetur fonde për të përmirësuar e rinovuar pamjen e jashtme dhe ambientet brenda saj. Me sa kam parë kjo situatë është dhe në bibliotekat e qyteteve të tjera si Durrës, Vlorë, madje dhe Bibliotekën Kombëtare. Janë harxhuar para për shumë e shumë ndërtime e projekte, hera-herës të panevojshëme, ndërsa për bibliotekat nuk ka fonde. I shoqëruar nga miku im Ardian Sheremeni, hyj në godinën e këtij institucioni që më kthen në kohë 40 vjet më parë, kur unë kam pasur mundësinë të shijoj ndjesinë e të lexuarit në kushte optimale në sallën kryesore, ku nuk mungonte ngrohja. Asoj kohe si nxënës i gjimnazit “Fuat Babani”, përfaqsoja shpesh herë këtë gjimnaz në olimpiadat dhe konkurset e ndryshme dhe kjo bibliotekë ishte mikpritësja jonë më e mirë. Të dashuruar pas librit, kushtet dhe komoditeti që na afronin ambientet e brendshme të saj, na i shtonte dhjetëfish dëshirën për të lexuar. Ka qenë një nga godinat më të bukura, një nga bibliotekat më të mira në shkallë vendi. I shkonte për shtat qytetit të Korcës, djepit të kulturës e arësimit dhe në një farë mënyre korcarët krenoheshin me të. Biblioteka plotësonte më së miri rrethin e institucioneve arësimore e social-kulturore të qytetit. Por tani, pamja që më afronte kjo godinë më ngjallte paksa trishtim dhe keqardhje. Pushtetarët e sotëm nuk e perceptojnë cdo të thotë të investosh për librin, ti krijosh kushte librit dhe lexuesit bashkë. Gjithsesi më gëzoi fakti që pamvarësisht pamjes së jashtme, në koridoret e sallat e saj kishte jetë si dikur. Pashë lexues të shumtë, të moshave të ndryshme që hynin e dilnin me libra në dorë. Pra, qytetarët korcarë lexonin, nuk e kishin braktisur librin. Personeli i bibliotekës shërbente me kulturë e profesionalizëm. Pamvarësisht ditës së shtunë, Drejtori i Bibliotekës, poeti i njohur, Skënder Rusi dhe nënpunësit e tjerë ishin në krye të detyrës. Në koridorin e katit të parë, dy lexues sapo dorëzuan librat që kishin lexuar dhe po mernin të tjerë. Biblioteka ka një fond të pasur librash e gazetash, të cilat shtohen cdo ditë. Korcarët e kanë pasur traditë dhurimin e librave dhe gazetave. Mjaft tituj nuk i gjen në bibliotekat e tjera, ndërsa arkivi i shtypit të shkruar është i vecantë. Ngjitemi në katin e dytë. Në sallën e albanologjisë, nënpunsja e re, Jorida Dhëmbi, po sistemonte disa tituj të sapodhuruar nga një mik i bibliotekës. I kërkojmë disa gazeta “Dielli”, nga koleksioni i viteve ’30. Me mirësjellje dhe dashamirësi Jorida na afroi gazetat me informacionin përkatës. Gradualisht po kalonte trishtimi i disa minutave më parë, kur shikoje këta njerëz që i shërbenin me aq përkushtim librit dhe lexuesve. Ndërsa po linim këtë sallë, në derën e sallës kryesore më ngjalli kureshtje një tabelë: “Free American Public Library”. Ishte një nga ndjesitë më të këndshme që përjetova atë ditë. U mrekullova kur hyra brenda. Një fond i tërë librash në anglisht ishte vendosur me kujdes e funksionalisht në raftet e shumta të sallës. Këta pasuri e administronin zonjat Anxhela Qirinxhi dhe Semele Lushka{Tushinka}. Kureshtja ime shkoi direkt tek burimi, kush ishte dhuruesi i këtyre librave? Semele, më shpjegoi qetësisht për autorin e kësaj mrekullie. Është Pitter C.Cole, një shqiptaro-amerikan që banon në Klivlend, mik i familjes sime, thotë Semele. Dhuratë më të bukur e më të cmuar nuk kisha parë këto vite. Me mijëra tituj në anglisht, të të gjitha fushave, shkencorë e shoqërore, letërsi, politikë, histori, filologji, pedagogji, ekonomi, juridikë, inxhinjeri, libra për fëmijë, etj.  Pitteri kishte sjellë Amerikën këtu në Korcë. Mu duk vetja sikur isha atje në Klivlendin e largët dhe në heshtje imagjinoja rrugëtimin e këtyre librave nga Klivlendi këtu në Korcë. Harxhime, transport, kosto, peripeci, sakrifica. Nuk kisha dëgjuar më parë për një filantrop të këtyre përmasave, me këtë shpirt e zemërgjerësi. Me një vështrim të shkurtër, duke llogaritur sasinë e librave, plus raftet të sjella nga SHBA, vlera totale e këtij donacioni, pa frikë e kapte shifrën e 3 milion $ dollarëve. Nuk gjen dot fjalën për të vlerësuar e falënderuar këtë njeri të madh, Pitterin. I kaloj raftet me rallë dhe prek këtë pasuri të madhe që zoti Pitter i kishte dhuruar korcarëve, vecanërisht të rinjve e studentëve të universitetit “Fan Noli”. Mundësi pa fund për tu njohur me shkencën, historinë, letërsinë, vetë Amerikën në gjithë dimesionet. Semele më shpjegon dicka nga jeta e këtij njeriu të madh. Me origjinë nga Pogradeci, bir i Athinasë dhe Kristos, Pitteri e kishte marë rrugën e emigracionit në vitin 1939. U arësimua në Amerikë dhe tani ka bisnesin e vet në Klivlend. Ka ndihmuar shqiptarë sa ka mundur, biles me paratë e veta ka arësimuar disa studentë shqiptarë në SHBA. Ja dinë, s’ja dinë për nder, ja di zoti, tregon Semele. Pitteri nuk i ka humbur asnjëherë lidhjet me vendlindjen, ku natyrisht dhuratat e donacionet e shumta janë pjesë e jetës së tij. Vec bibliotekës së Korcës, Pitteri i ka dhuruar libra dhe universitetit “Marin Barleti” si dhe ndihma për kopështe, cerdhe e shkolla në Pogradec. Kuptohet që një pjesë të këtyre librave Pitteri e ka blerë me valutë krahas bibliotekës së shtëpisë. Mu bë qefi, që këtë figurë të nderuar shqiptaro-amerikane e ka dekoruar ishpresidenti Bamir Topi. Natyrisht, ju do të pyesni:-po sa shfrytëzohet ky fond i cmuar? Ka mjaft lexues, sidomos ata që njohin anglishten. Por kemi dhe studentë të Universitetit “Fan Noli”, që janë lexues të rregullt. Ka mjaft profesorë e pdagogë të këtij universiteti që jo vetëm e shfrytëzojnë këtë fond për leksionet e tyre, por i nxisin studentët të studjojnë, psh. Profesor Ali Jashari, është një nga dashamirësit më të mirë të bibliotekës. Do jetë fat dhe për ne, sikur Profesor Aliu, të zgjidhet rektor i Universitetit “Fan Noli”, vijon Semela. Sigurisht që do shtojmë lidhjet dhe bashkëpunimin në interes të formimit teorik e shkencor të studentëve korcarë. Dua t’ju them dicka tjetër. Kemi shumë lexues të vegjël. Mjerisht kemi pak libra për fëmijë. Semela sqaron se, do ishte mirë që shqiptaro-amerikanët të sillnin këtu në Shqipëri libra për fëmijë. Ka mjaft interes nga vogëlushët, kjo i shërben më së miri dhe mësimit të anglishtes. Më vinte keq të largohesha nga ky ambient që rrezatonte dritë e dije, bashkë me këto punonjëse të afta e plot kulturë. Ishin në sinkron, librat dhe punonjësit, me përjashtim të godinës të pamirëmbajtur. Semela, mbesa e Pitterit e justifikonte plotësisht punën e saj në këtë bibliotekë. E kush më mirë se ajo mund ta administronte fondin e librave dhuruar nga miku i saj?! Me këto përshtypje u largova nga biblioteka e Korcës, një institucion i rëndësishëm e me vlera të shumta për edukimin e të rinjve. Një thesar që ndricon mendjet e qytetarëve korcarë të cilët gëlonin qetësisht në ambientet e bibliotekës atë të shtunë dimri.

Filed Under: Kulture Tagged With: Biblioteka e Korcës, dhe shërbim, i kualifikuar, lexues, Shefqet Kercelli

Deputetët gjermanë vizituan Burgun e diktaturës në Spaç

April 12, 2016 by dgreca

Deputeti Andreas Lammel, i lindur dhe i rritur në Gjermaninë Lindore, theksoi rëndësinë e ruajtjes së këtyre monumenteve/

Burgu i Spaçit është një dëshmi e gjallë e vujatjeve të mijëra të burgosurve gjatë periudhës së komunizmit. Një periudhë shumë e diskutuar por që ende has debat të madh në opinionin publik.
Për t’u njohur më nga afër mbi historinë e këtij kampi famëkeq, 5 deputetë të Bundestagut vizituan nga afër atë që ka mbetur nga burgu.
Deputeti Andreas Lammel, i lindur dhe i rritur në Gjermaninë Lindore, theksoi rëndësinë e ruajtjes së këtyre monumenteve.
“Hapi i parë që duhet bërë është që të lindë dhe të zhvillohet një koncept i mirë se si prej këtij vendi të bëhet një memorial apo një muze, sepse kështu siç është, është e qartë që nuk mund të qëndrojë më. Kush nuk njeh mirë të shkuarën e vetë, nuk mund të punojë mirë për të ardhmen. Ndaj, vende të tilla duhet të ruhen për të përkujtuar viktima të së shkuarës, por edhe si shenjë paralajmërimi për brezat e së ardhmes”, deklaroi Lammel.
Në të njëjtën linjë ishte dhe ambasadori Helmut Hoffman, i cili bëri thirrje për më shumë vëmendje në këtë temë.
“Edhe ne në Gjermani kemi një të shkuar jo pak të dhimbshme. Kemi pasur të bëjmë me dy diktatura mjaft të dhunshme, ndaj e dimë mjaft mirë sesa i vështirë është ky proces i përballjes me të shkuarën. Por ne e dimë gjithashtu që është po kaq e rëndësishme dhe ju detyrohemi viktimave të asaj periudhe që të merremi me të shkuarën. Këtë jemi duke e bërë prej vitesh në Gjermani. E di mjaft mirë që kjo është një temë mjaft delikate për politikën shqiptare, por do të ishte një kënaqësi nëse asaj do t’i kushtohej më shumë vëmenje, qoftë në opinionin publik, qoftë në jetën politike të vendit”, u shpreh Hoffman.
Për gati 3 orë, deputetët e Parlamentit gjerman u njohën me dëshmitë e të mbijetuarve për torturat e pësuara në këtë burg.

Filed Under: Komente Tagged With: Deputetët gjermanë, komunist, ne Spac, vizituan kampin e internimit

DOSJA NR. 1333…PSE I VRANË DY PROFESORËT NË SHKODËR ?!

April 12, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI: Pjesa e VIII/

■“… Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasadori diplomat i vjetër pan-serbian i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” – vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M. tek libri “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990” fq. 36, 1993.

■Kush ishte Prof. Avokat Paulin Pali?

Me datën 18 tetor 1946 major Zoji Themeli, në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës (në shtëpinë e Çiurçisë), fillon me dokumentacionin që për fat ruhet edhe sot.

“Avokat Paulin Mark PALI është i datlindjës 1914. Prindët e tij ishin Mark e Shaqë Pali. Ka një vëlla Gaspër Palin, ishoficer i naltë. Paulini është beqar, i pa dënuar, i varfër, me universitet të kryer për drejtësi, profesor avokat, nga Shkodra, i arrestuar më 14 gusht 1946…” Paulini deklaron: “Kam krye fakultetin Juridik në Firencë në vitin 1942. Kam ardhë në Tiranë, prej ku kam shkue në Prizren. Për Kosovën mendojshe se do të fitojnë lirinë dhe, nuk do të rrinte nën sundimin e Krajl Pjetrit… Jam arrestue nga forcat partizane tue u arratisë në Itali, me datën 15 shtator 1946…”

■Në vitin 1992, më tregonte zonja Terezina Pali (Zorba), ish bashkvuejtëse e Avokatit në kohen e hetimeve: “Kur po më dërgonin në dhomën e pyetjeve polici shoqnues më la pak minuta në koridor, mbasi ai hyni tek oficeri pyetës ku dukej se kishte njerëz. Aty afër derës ishte një baul e vjetër e mbyllun me dry. Ndigjova një za të lehtë e të mekun: “Terezinë…Terezinë! Jam Paulin Pali!”, unë e tronditun ju përgjegja: “Kush?”…Ai u përgjegj prap: “Paulini moj, Paulin Pali!”.”Isha aq e tronditun sa edhe sot më tmeron ai kujtim i mnershëm i asaj dite, kur mendoi atë djalë aq të pashëm e të gjatë si bajrak dy metër, të palosun dyfish në atë arkë aq të vogël sa mezi mund të futej një fëmijë.

Aty i shkreti Paulin ka qëndrue me ditë e javë të tana… derisa njëditë nuk u ndigjue ma zani i tij që ndigjohej çdo natë në tortura.”

■Do të ishte me interes me u studjue dosja e plotë e këtij grupi martirësh që, nuk m’u dha mundësia me e pa këtë material të plotë, po mërrijta me kuptue nëpërmjet atyne pak rreshtave të ballafaqimeve, qëndrimin heroik dhe të palëkundun të Burrave që s’ njohën frikën: Prof. Kol Prelës, Av. Paulin Palit, Kel Çobës, Abdyl Rusit dhe Kol Kurtit.

■Për martirin Simon Darragjati fatkeqësisht nuk kam muejtë me gjetë material. E vetmja dishmi per Te, asht ajo e Loro Vatës, që ishte prezent kur u holl nga dritaria… E kjo ngjante si pasojë e torturave e presioneve per dishmi fallso nga krimineli Fadil Kapisyzi.

■Edhe pse të ndodhun para gjakajtorëve kriminel’ e vrasës: Zoji Themeli, Dul Rrjolli, Nesti Kopali, Vehbi Fishta, Xhemal Selimaj, Lilo Zeneli, Vaskë Koleci, Ali Xhunga, Fadil Kapisyzi, Xheudet Miloti, etj., asht e pakuptueshme për né, forca e qëndresës së Tyne dhe këtë e tregon ma mirë se çdo gja, fundi i jetës së Tyne nga torturat.

■Kush ishte Prof. Kol Prel Gjoka, deputeti i Dukagjinit në zgjedhjet e vitit 1945?

Me datën 7 shkurt (fruer) 1947, oficeri pyetës Zoji Themeli shënon:“Kol Prela ka lé në Shkodër në 1918. Banues në rruga Kokaj Nr. 4, Rus Katolik. Në 1928 ka krye shkollën e ultë ndër Jezuit, ndërsa të mesmën në Gjimnazin e Shtetit, në Shkodër, në 1935.

Fakultetin e Letërsisë e ka përfundue në Torino, në 1940. Në 1944 ishte në Shkodër,  përgjegjës i Seksionit Ekonomik. Drejtor i Normalës së Elbasanit, deri në nandor 1945. ■Më 2 dhetor 1945, Deputet i nën/prefekturës së Dukagjinit, deri më 14 shtator 1946, që u arrestue në Tiranë. Mbas dy javësh asht sjellur në Seksionin e Mbrendshëm  Shkodër.

■Prof. Kol Prela deklaron: “Me Padër Gjon Shllakun kam bisedue kundër Italisë, kemi kenë dakord të dy që né duhet të çlirohemi. Që në 1940 e njifshe P. Gjonin dhe kemi bisedue çështje politike, letërsi, histori dhe filozofi. Ai njifte të gjitha shkencat. Pjetër Prendush Palaj, me ka ardhë dy herë në shtëpi që të ndërmjetsoja për transferim…Loro Vatën e njof për ftyrë por nuk kam pasë lidhje. Me Gjelosh Lulashin kam pasë lidhje, ai më ka thanë me ikë por unë i kam  kundërshtue. I kam tregue për Konferencën e Paqës që ose do të bahët paqë, ose bota do të ndahët në dy bloqe. Më pëlqente demokracia me shumë parti si në Angli e Francë.

■Procesi vazhdon: Zoji Themeli arrinë që Kola të ballafaqohët me vëllain Markun, për Organizatën “Bashkimi Shqiptar”, dhe se Kola i ka dhanë udhzime asaj Organizatë, por Kola thotë se nuk asht e vërtetë. Madje, Kola nuk ka pasë fare dijeni se asht formue një organizatë e këtillë. Kola mohon edhe ekzistencën e ndonjë oganizate ose partie demokristjane, mbasi P. Gjoni thotë Kola, do të më kishte tregue… Zoji Themeli d.v.”

  • KEL ÇOBA: Mohon thanjet e Xhevat Metës, Karlo Sumës dhe Syrri Anamalit…
  • ABDYL RUSI nuk pranon asnjë nga thanjet e dëshmitarëve…
  • KOL KURTI thotë: Takimet me shokë nuk kanë pasë karakter politik. Tjerat çka thohën këtu, nuk janë të vërteta.(Dosja 1333).

■ Mbas 18 muejsh hetuesi, Prokurori Ushtarak i Zonës Ushtarake Shkodër, kap. Namik Qemali d.v. përpilon akt-akuzën për të pandehurit: “1. Paulin Mark Pali, 2. Kol Prel Gjoka, 3. Kel Gjon Çoba,  4. Dhionis Kristo Miçaço, 5. Shyqyri Bajram Shpuza, 6. Abdyl Riza Rusi  dhe 7. Mehmet Mahmut Daiu…

Kanë punuar për formimin e organizatës terroriste në Shkodër.

Nga të pandehurit, Kol Prela, ka qenë efektiv i Komitetit Qendror Demokristjan, dhe bashkpuntor i Organizatës terroriste. Kanë mbajtë lidhje me armiqtë mbrenda e jashta shtetit. Kanë qenë për ndërhyrjen nga jashtë nga të huajtë imperialistë…

***

■“Trupi Gjykues i përbërë nga: Kryetari, kap I Misto Bllaci, antarë, kap II Përtef Alizoti dhe nëntoger A. Koroveshi, prokuror kap. Namik Qemali, sekretar Shaban Q. Dautaj, me datën 14 janar 1948, ditën e mërkurrë, hapi seancën me pyetjen e të pandehurit:

■Prof. Kol Prel GJOKA: “…vjeç 30, i pamartuar, i padënuar, i varfër, ka mbaruar fakultetin e letërsisë, Profesor, ka vëllain në burg (Markun), i arrestuar më 19 shtator 1946, deklaroi: Mbasi nuk kam marrë pjesë në organizata nuk mund ta quej trathti.”

■Prof. Av. Paulin PALI deklaron: “Akuza pjesërisht asht e vërtetë, sidoemos se kam dashtë me ikë. Lëvizjën N.Çl. e kam njoftë, …në fund e kam simpatizue dhe kam kontribue për shlirimin e Shqipnisë. Për kundra sajë, përsa i përket diktaturës nuk e kam dashtë, sidoemos kufizimin e partive të tjera  dhe shkrimjen e fuqive të tjera ekonomike.

Në 1942-43 ishe në Kosovë. Mbas 1944 erdha në Shkodër. Për shlirimin e Shqipnisë pa Kosovën e kam konsiderue nji gja të mangët, se Kosova asht Shqiptare dhe asht marrë nga shovenistët serb padrejtësisht. Me forcë nuk mund t’a marrim, por me drejtësi internacionale dhe simbas Blokut Antifashist do të pyetej populli, dhe kjo mund të zgjidhesh në mënyrë miqësore. Korça dhe Gjinokastra janë shqiptare dhe i kërkon Greku. ..Mendimi i em për Kosovë ka kenë arësyeja ekonomike, politike, kombësia.

■Unë nuk dij në se populli kosovar rron i lirë apo jo, por minoritetët në vendin tonë rrojnë njësoj, edhe popujt e Maqedonisë e Kosovar rrojnë si këtu, thoni ju, unë s’e dij! Ëndrra ime ishte nji Kosovë e lirë! Por, në konfërenca nuk kam bisedue me popull, se atë liri nuk e kishim mbas shlirimit, por me shokët e mij si: Galip Juka, Adem Bazhdari, Muzafer Pipa, Ragip Meta etj., kam folë. Kur filluen Gjyqet e Popullit nuk më pëlqenin, se nuk garantohej si duhej drejtësia. Trupi Gjykues nuk ishte i aftë. Gjykatësi duhej të ishte i paanëshëm. Po citoj nji shembull qysh në fillim e deri në mbarim, këtë ide e kam pasë formue, Riza Alinë, as e kam njoftë, as e dij se ka kenë element i keq. Ekzekutimi i tij më ka ba të vuej shpirtnisht, gjithashtu edhe Ymer Lutfija që nuk e ka meritue me u dënue me vdekje. Jam fajtor vetëm për politikën që kam ndjekë kundër Gjykatave Ushtarake, për Kosovën, dhe politikën kundrejt Blokut antifashist ndaj vendit tonë, mbasi i konsideroj të padrejta. Për demokristjanen nuk kam bisedue, as nuk kam dijtë, as nuk kam dijeni, as nuk kam dijtë se ka kanë Padër Gjoni, por si nji parti e krijueme jashta shtetit, e dij se asht ndër shtete tjera por, as që kam bisedue për té me njeri.

Në kjoftë se jam i tepërm për shoqninë njerzore, mund të më zhdukni!..

Unë dal si Paulin Pali para arrestimit, por ma pas (mbrapa), nuk dij gja dhe mos më pyetni! Jam marrë në proçes dhe nuk jam dakord në përgjithësi me té.

Unë dua të tham këtë: “Ma mirë të hesht!”

Moralisht nuk jam i pastër, karakteri i fortë burrnor më mungon. Kerkoj mëshirë!”

■Kryetari i Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, me datën 16 janar 1948, dha vendimin:

PAULIN  MARK PALI dhe KOL PREL GJOKA, me vdekje, me pushkatim, dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.

Të dënuarit kanë të drejtën e apelit në Gjykatën e Naltë.”

■“Gjykata e Naltë mblodhi Këshillin e sajë me datën 23 mars 1948 dhe me vendimin nr.108, E përbërë nga : Kryetar, major Niko Çeta, antarë, kap. I Nexhat Hysejni dhe kap. II Mustafa Iljazi, asistent, aspirant Thoma Rino, prokuror ushtarak i Ushtrisë K. Shqiptare, kap. I Nevzat Haznedari, vendosi: Refuzimin e kërkesës së të pandehurve për falje jete, të dënuar nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës

  1. PAULIN PALI 2. KOL  PRELA. Mbetët në fuqi edhe shtetizimi i pasurisë.”

■Cili ishte vullneti i tyne i fundit? Kur u ekzekutuan? Kush i ra mbas kokës…

Dihët vetëm se njëditë kur shkoi në qelinë e tij Adem Bazhdari, gjeti të shtrimë përdhe një njeri, pothuej i vdekun, ishte i lamë me gjak, përmbys, ia solli fëtyrën nga drita e shikoi, por nuk e njohti….E pau se merr frymë dhe, e pyeti: “Kush jé ti?”

Ai u përgjegj: – “Jam Paulin Pali”…

***

HAPNI DOSJEN 1333  e shikoni, sa intelektualë u zhduken nder ata dy vjetë…

■Të gjithë të pafajshem, të varfen, pa shtëpija, pa familje, po edhe… PA VARRE!

■Vetem kështu, rrenohej përgjithmonë thëmeli kulturor në Shkoder!

Vazhdon Pjesa IX…

Melbourne, Prill 2016

Filed Under: Histori Tagged With: DOSJA NR. 1333...PSE I VRANË, DY PROFESORËT, Fritz radovani, ne shkoder

GAZETARI SULEJMAN GASHI, PAS ARRESTIT KARDIAK NE UTAH, ARRITI NE NJU XHERSI

April 12, 2016 by dgreca

Ne Foto:Aeroplani me te cilen udhetoi i semuri, ekipi mjeksor dhe dy pjestar te familjes Gashi/

Nga Familja e Gazetarit Sulejman Gashi, eshte percjelle njofimin se pas arrestit Kardiak ne UTAH, ai u transportua ne Nju Xhersi.Njoftimi i plote, qe u adresohet kontributoreve, qe iu pergjigjen apelit te familjes, eshte ky:Babai ynë arriti mirë në New Jersey me një ambulancë të ajrit që kishte të gjitha përkujdesjet e nevojshme.Me aeroplan te posacem udhëtuan Sulejmani, ekipi mjekësor, dhe dy familjarë nga Utah për në New Jersey.

Familja falenderon përzemërsisht të gjithë kontributoret për ndihmën në këtë kohë shumë të vështirë për familjen . Ne, shkruajne ata, tani mund të vazhdojmë kujdesin e mëtutjeshëm mjekësor, dhe të ia japim Babait mbështetjen dhe dashurinë e madhe familjare këtu pranë shtepisë sonë. Ne besojmë dhe shpresojmë shumë që Babai do të shërohet së shpejti. Nëse dëshironi të na kontaktoni, drejtohuni tek emaili sulejman.sh.gashi@gmail.com.

-Bashkëshortja Tonja më fëmijët, Sarandën, Drilonin, Janinën dhe Egzonin

Ja dhe mesazhi në gjuhën angleze:

Dear Family and Friends,

Our father made it safely to New Jersey in an air ambulance providing all of the necessary care. We have posted a photo of the airplane that our Dad, a medical team and two family members traveled on to get from Utah to New Jersey. We wholeheartedly thank you all for your support in this very difficult time for our family. We can now continue to provide Dad the necessary medical care and to give him great love and family support close to our home. We strongly believe in and hope for a speedy recovery for Dad. If you wish to contact us, please email us at the recently created sulejman.sh.gashi@gmail.com.

-Sulejman’s wife Tone and their children Saranda, Drilon, Janina and Egzon

 ***

Gazetari Sulejman Gashi pesoi aksident kardiak tri jave te shkuara.

Ate kohe familja drejtoi nje mesazh per ndihme komunitetit. Ne ate mesazh elektronik te percjelle nga familja shkruhej:

 Për korrespondentin nga New Yorku Sulejman Gashi

Sulejman Gashi është një gazetar, analist dhe gjuhëtar frymëzues — ai është patriot shqiptaro-amerikan. Por, mbi të gjitha, është një bashkëshort i dashur dhe prind i përkushtuar.

Ai për momentin po lufton shumë që të rikthehet nga një arrest kardiak që pësoi gjatë një udhëtimi pune në qytetin Salt Lake City në Utah. Ai është në gjendje kome dhe e gjithë familja është pranë tij këtu në Salt Lake. Tani na nevojiten aranzhime të posaçme për të transportuar Babain nga këtu tek një spital pranë shtëpisë sonë në rrethinën e qytetit të New Yorkut. Aty do të mund ta vazhdonim trajtimin intensiv. Bartja me aeroplan special, bashkë me një ekip të mjekëve të trajtimit intensiv, kushton rreth $50,000.

Babai ynë është një burrë i vlerave, modest, krenar dhe zemërgjerë. Përkushtimi i tij për gruan, fëmijët, prindërit dhe familijen në përgjithësi është themeli i gjithë suksesit tonë qoftë personal apo profesional. Jeta dhe vepra e tij ka qenë dhe mbetët liria dhe pavarësia e Kosovës dhe forcimi i marrëdhënieve Kosovë-SHBA. Ai gjithmonë ka punuar për këto ideale në rrethana të jashtëzakonshme. Nga New Yorku, Sulejmani ka shkruar dhe raportuar përgjatë viteve 1990-ta — duke i dhenë shpresë kauzës së Kosovës së pavarur. Ai mbuloi luftën e Kosovës, është angazhuar pas luftës për rindërtimin e medias së lirë dhe të transmetuesit publik (RTK-së), dhe ai vazhdon të raportojë mbi zhvillimin e Kosovës si një vend i pavarur dhe demokratik.Në qoftë se Babai ynë, familja jonë, apo ndonjëri nga ne ju kemi dalë krahë ndonjëherë, ne kërkojmë nga ju të na mbështetni gjatë kësaj periudhe jashtëzakonisht të rëndë. Ju do të na ndihmonit që t’i mbulonim shpenzimet e transferimit të sigurtë të Babait nga Salt Lake City në New Jersey. E gjithë kjo ndihmon që ai të na rikthehet — si Babai ynë i dashur, profesionisti i përkushtuar dhe njeriu i mrekullueshëm që na ka mbështetur dhe frymëzuar shumë të gjithëve….

***

Ketij mesazhi te familjes Gashi iu pergjigjen 432 persona, te cilet per dy dite dhuruan $65, 805.000.Redaksia e Gazetes Dielli iu uron sherim te plote kolegut Sulejman Gashi.

Filed Under: Komunitet Tagged With: ARRINE NE NJU XHERSI, GAZETARI SULEJMAN GASHI, PAS ARRESTIT KARDIAK NE UTAH

Prof. dr.Veton Latifit do të vizitojë VATR-ën

April 12, 2016 by dgreca

Prof. dr.Veton Latifit do të vizitojë VATRën dhe të prezantojë Librin ” Shekulli i ri i politikës shqiptare”/

Të premten, me 15 Prill 2016, në orën 6 të mbrëmjes, Selinë e Vatrës do ta vizitojë Prof. dr.Veton Latifit.Me këtë rast do të prezantohet edhe libri i autorit ” Shekulli i ri i politikës shqiptare”. Ftojmë të interesuarit që tëhen pjesë e këtij prezantimi.

Filed Under: Vatra Tagged With: do të vizitojë VATR-ën, Prof. dr.Veton Latifit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT