• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Vizita historike e Kerryt në Hiroshimë

April 11, 2016 by dgreca

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka bërë vizitë historike në Memorialin e Hiroshimës në Japoni, i cili përkujton sulmin e parë bërthamor në botë.

Ai është sekretari i parë amerikan i Shtetit që ka vizituar këtë vend, ku, më 1945, SHBA-ja ka hedhur bombë atomike, duke vrarë rreth 140,000 persona.

Kerry është shoqëruar nga ministrat e Jashtëm të G7-ës, apo grupit të shtatë fuqive ekonomike, të cilët janë mbledhur në Hiroshimë për një samit dyditor.

Ata kanë vënë kurora me lule në memorial dhe kanë mbajtur një minutë heshtje.

Ministrat kanë vizituar edhe Muzeun e Hiroshimës, i cili tregon histori personale të njerëzve që kanë vdekur.

Hiroshimë, 11 prill 2016.

Hiroshimë, 11 prill 2016.

“Është një kujtesë e zymtë, e ashpër, imponuese, jo vetëm për detyrimin tonë për t’i dhënë fund kërcënimit me armë bërthamore, por edhe për të bërë të gjitha përpjekjet për të shmangur luftën”, ka shkruar Kerry në librin e mysafirëve në muze.

“Të gjithë në botë duhet të shohin dhe të ndjejnë fuqinë e këtij memoriali”, ka shkruar tutje Kerry.

Më 6 gusht të vitit 1945, në orën 08:10, sipas kohës lokale, një bombardues amerikan ka hedhur bombën me uranium, me nofkën “Djali i vogël”, në Hiroshimë.

Rreth 70,000 njerëz kanë vdekur menjëherë. Edhe një herë aq kanë vdekur deri në fund të vitit si pasojë e plagëve dhe e efekteve të rrezatimit.

Kjo bombë, si dhe bomba e dytë atomike e hedhur në Nagasaki tre ditë më vonë, ka detyruar Japoninë të dorëzohet, duke çuar edhe në fundin e Luftës së Dytë Botërore.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, ka vizituar Hiroshimën në vitin 2008, por diplomatët amerikanë janë munduar të shmangin vizitat zyrtare.

Shumë në Shtetet e Bashkuara mendojnë se bombardimet kanë qenë të nevojshme për të përfunduar luftën dhe nuk duan që vendi i tyre të ndërmarrë ndonjë hap, i cili mund të shihet si kërkimfalje.

Kerry ka thënë se vizita e tij në Hiroshimë “kujton të kaluarën dhe nderon ata që janë shkatërruar” dhe ka theksuar se udhëtimi i tij është “për të tashmen dhe për të ardhmen”.

Vizita e Kerryt po ashtu është zhvilluar në kohën e përpjekjeve për të forcuar marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Japonisë, sidomos pas shqetësimeve që ka shkaktuar këmbëngulja e Kinës në kontestet territoriale në Azi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, do të ndjekë një samit të G7-ës në Japoni në muajin maj dhe ka zëra se ai është duke shqyrtuar edhe ndalesën në Hiroshimë.

Nëse kjo ndodh, ai do të jetë presidenti i parë amerikan në detyrë që viziton Hiroshimën.

Përgatiti: Valona Tela

Filed Under: Histori Tagged With: e Kerryt, në Hiroshimë, Vizita historike

Ministrja Nikolla: Këtë vit futet lënda mbi “Historinë e besimeve fetare” në 10 shkolla

April 11, 2016 by dgreca

TIRANË, 11 Prill- Një lëndë e re mësimore fetare do të futet në 10 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme për vitin akademik 2016-2017.Projekti do të diskutohet me akademikët dhe mësuesit, por sipas ministres së Arsimit Lindita Nikolla, lënda do të jepet nga mësues të trajnuar dhe jo nga klerikë.

Ministrja Nikolla iu përgjigj interesit të medias duke bërë me dije se “lënda hyn si projekt pilot në 5 shkolla 9 vjeçare dhe 5 të mesme”. “Projekti do të diskutohet me akademikët dhe mësuesit do të trajnohen. Do të jetë një lëndë e veçantë ‘Historia e besimeve fetare’ për klasën e gjashtë dhe viti i parë në gjimnaz, ku nuk do të predikohet feja. Kjo lëndë do të jepet nga mësues dhe jo nga klerikë”, deklaroi ajo.

Ndërkaq, në mungesë të opozitës,  Ministrja se Arsimit, e pranishme në komisionin e medias, dha sqarime në lidhje me maturën shtetërore, duke nënvizuar se kandidatët që do të aplikojnë për universitet duhet të kenë mesatare mbi 6 dhe se aplikimi për universitet do të bëhet online.

Ajo vuri në dukje po ashtu se risia për maturën lidhen me maturantët të cilët do të zgjedhin lëndë me zgjedhje anglishten, kandidatët do të pajisen edhe me certifikatën e provimit TOEFL junior. Rëndësi sipas saj, ka mesatarja e nxënësve në 3 vite si dhe notat e provimeve të detyrueshme e me zgjedhje.

Një tjetër çështje që u diskutua në komision lidhej me akreditimin e IAL private e publike.

“E rëndësishme është që është dakortësuar një material mbi mënyrën sesi do të realizohet procesi  i akreditimit të IAL-ve, si dhe ngritja e kapaciteteve për të vijuar punën në fund të muajit maj, ku do të fillohet me 6 universitetet  e para. Do të kemi rankim të cilësisë së universiteve në tetor të 2017”, tha Nikolla.(Sipas ATSH)

Filed Under: Komente Tagged With: 10 shkolla sivjet, mesimi i feve, Nikolla

Në shkolla, Studim jo i fesë, por i historisë së feve

April 11, 2016 by dgreca

Nga Ardian Vehbiu/

Kryeministri Rama paska hedhur idenë për studimin e fesë në shkollat e republikës, çka është pritur me kundërshtim dhe skepticizëm nga shumë anë.

Disa media kanë folur për një futje të “mësimit të fesë” në shkolla, gjë që nuk më duket e saktë.

Në mësimin e fesë, nxënësit mësojnë për fenë e tyre; përkundrazi, ideja e kryeministrit, që përsiatet prej kohësh në Europë, është që në shkolla nxënësit të mësojnë për fenë e tjetrit.

Mes pështjellimit dhe formulimeve të pasakta, kam frikë se ideja e kryeministrit përfundoi në një batutë për t’u kundërshtuar me batuta të tjera.

Nuk besoj se sot në Shqipëri mund të kërkojë kushfutjen e fesë në shkollat publike, qoftë ai edhe kryeministri vetë; por vetëm studimin e historisë së feve, diçka krejt tjetër.

Njohuritë për fetë, që nuk duhen ngatërruar me besimin fetar, janë bërë tashmë të domosdoshme për formimin qytetar europian (dhe jo vetëm); në rrethanat kur fetë e ndryshme ballafaqohen mes tyre, por edhe me ateizmin, agnosticizmin dhe misticizmin haptazi dhe fshehurazi.

Brezi im u rrit në një mjedis fetarisht të sterilizuar; por kjo sot na krijon jo pak vështirësi, në përpjekjet për të komunikuar me kulturën, në Perëndim dhe në Lindje.

Brezat më të rinj se imi, që kushedi i ekspozohen trysnive nga burime të radikalizuara të dijes fetare, ndeshin në vështirësi të një lloji tjetër: atje ku ne më të vjetrit mezi i dallojmë diferencat dhe fillesat e ndryshme kulturore, atyre më të rinjve këto mund t’u duken arsye të mjaftueshme për konflikt moral dhe jo vetëm.

Të dyja këto patologji ekspozojnë ndaj rreziqeve dhe konflikteve sociale, sidomos në afat të gjatë.

Padija që shpesh kemi për fenë e tjetrit, por edhe fenë tek e cila thjesht nuk besojmë, shndërrohet në burim përçarjeje dhe dhune.

Të paditur, e shohim Tjetrin si karikaturë, ose veç duke ia lexuar shenjat e jashtme.

Tjetër punë si do të realizohet njohja e fesë së Tjetrit, ose kush do t’i mësojë mësuesit dhe kush do t’i edukojë edukatorët: historia e feve është displinë komplekse dhe e vështirë për t’u rrokur, përtej klisheve pseudo-ekumenike ose kurioziteteve antropologjike.Vetëm vullneti i mirë nuk mjafton; puna e filluar tani, do të japë frytet e saj shumë më vonë.(Peizazhe.com)

Filed Under: Opinion Tagged With: Ardian Vebiu, Në shkolla, por i historisë së feve, Studim jo i fesë

Kush ma rrëmbeu djalin?

April 11, 2016 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA*/

Po punoja si çdo ditë në zyrën time, kur degjova një të trokitur të lehtë në portë.

– Hyni! – fola me zë të lartë.

Në zyrë hyri një burrë i moshuar. Fytyra e tij tregonte një dhimbje të madhe. Mbylli derën dhe u ndal mbas saj.

– Urdhëroni! Urdhëroni! – e ftova unë.

U afrua me ngadalë dhe kur  erdhi pranë meje i zgjata dorën të cilën e kapi me të dy duart.

– Mirdita more bir! – më foli – Quhem Milto Neranxi dhe jam nga Himara. Kam ardhur te ju për t’ju treguar historinë time, ose më mirë të djalit tim të zhdukur nëpër labirintet e diktaturës komuniste.

– Uluni, uluni! – e ftova duke i bërë shenjë nga karrikja. Porosita të na sillnin dy kafe dhe ju drejtova mysafirit të porsa ardhur:

– Jam gati t’ju degjoj.

– Ngjarja për të cilën do t’ju flas, – filloi ai – është aktakuza  ime ndaj diktaturës së përmbysur dhe disa individëve që u bënë mishërimi i saj. Ata individë janë edhe sot dhe jetojnë me fytyra  anonime.

Këtë aktakuzë e bëjë unë plaku 80 vjeçar i rënduar nga humbja e djalit në labirintet e diktaturës çnjerëzore. E bënë shpirti i një nëne që u nda nga kjo botë mbasi nuk mundi të duronte humbjen e djalit. E bënë një grua 25 vjeçare që humbi burrin dhe jetën e saj. E bëjnë dy fëmijë që një dorë gjakatare i detyroi të rriten pa përkëdheljen e babajt të tyre. Së fundi këtë e bënë edhe çdo njeri i ndershëm që dëgjon për bëmat monstruoze të zhdukjes enigmatike të sa e sa personave si im bir.

Plaku mori frymë thellë duke lëshuar një psheretimë të zgjatur. Ndërkohë mbërritën dy kafet që kisha porositur.

– Gëzuar! – i thashë duke iu drejtuar plakut të gjorë.

E ktheu filxhanin me ngadalë duke pëshpëritur një urim të cilin nuk arrita ta kuptoja. Drodhi një cigare nga kutia e tij dhe më drodhi edhe një mua. Po e shikoja me vëmendje në fytyrë duke pritur vazhdimin e tregimit. Ishte një histori shumë interesante. Megjithatë nuk i fola por prisja që ai të fillonte vetë. Por plaku vazhdonte të pinte kafenë pa folur. Edhe unë vazhdoja gjithashtu të pija pa folur. Së fundi si e mbaroi të gjithë ai filloi:                                                                                                                   – Leandro Neranxi ose Levisi si e thërrisnin shokët e tij ishte im bir. Ishte vetem 32 vjec. Punonte në fabrikën e ekstraksionit ne Himarë. Nuk do ta harroj kurrë datën e 15 shkurtit te vitit 1988. Shkoi në punë në turnin e dytë dhe nuk u kthye më kurrë. E pritëm me ankth kthimin e tij. Ishte një pritje e tmerrshme. Sidomos unë që dija disa gjëra për të isha shumë i shqetësuar. Pas mezit të natës u ngrita dhe shkova në fabrikë. Atje pyeta për të por më thanë se Levisi nuk ishte paraqitur fare në punë. Ç’të bëja? U ktheva në shtëpi. Gruas dhe nuses u thashë se do punonte dy turne për të zëvendësuar një shokun e tij. Ajo ishte nata më e gjatë e jetës time.                                                                                                                                   Kështu në ankth kaloi dhe dita e nesërme. Levisi nuk po bëhej i gjallë. Ku të ishte vallë? Mendja më shkonte në lloj lloj rrethanash misterioze e të frikëshme.

– Mos është ndonjë femër në mes or burrë? – pyeti gruaja që kishte filluar të shqetesohej edhe ajo.                                                                                                                                                                        – Jo moj grua jo! – iu përgjigja unë i bindur për ato që thoja. Një gjë e tillë nuk  ishte  e mundur. E njihja karakterin e tim biri. Ai nuk do të pranonte kurrë të braktiste gruan dhe fëmijtë për këdo tjetër. Të nesërmen shkova në polici dhe u thashë për djalin. Ata u hoqën sikur nuk dinin asgjë. Operativ Agimi më sugjeroi që të pyesja  njerëzit e mij në Tiranë, Fier dhe Lukovë. I mora që atë ditë të gjithë në telefon por ata nuk dinin asgjë.  Në këtë kohë plaku nxorri përsëri kutinë e duhanit dhe drodhi cigaren e dytë. Më ofroi edhe mua, por i thashë se nuk e pija. Si e thithi tre katër herë vazhdoi:

– Pas dy ditësh në mbrëmje në shtëpi vjen operativ Agimi, i shoqëruar nga Spirua, Kryetari i Këshillit të Bashkuar dhe disa policë të tjerë. Kontrolluan dhe bastisën gjithçka. Së fundi Agimi më pyeti se ku ndodhej fotografia e gjyshit. Ishte  nje  fotografi  e madhe e vjetër e vendosur në kornizë. Ia tregova. E mori  e nxorri nga korniza dhe mbrapa saj gjeti një letër të cilën e futi në xhep.

– Ç’është ajo letër – e pyeta unë.

Nuk më ktheu pergjigje. Si kontrolluan edhe pak dhe nuk  gjetën  asgjë  u  larguan pa folur asnjë fjalë. Pas disa ditësh më njoftuan se duhej të paraqitesha te operativ Agimi. Shkova dhe më futën në zyrën e tij.                                                                                                                                          – Djali yt  ka tradhëtuar atdheun, – më tha – dhe është arratisur në Greqi. U largova duke mos besuar në variantin e ri që më serviri. Makari të kishte qënë e vërtetë një gjë e tillë. Por zemra më ndillte se kjo nuk ishte kështu.  Im  bir  nuk  mund  ta bente një gjë të tillë. Ai  më kishte treguar shumë gjëra të tjera dhe po ta kishte ndër mend një gjë të tillë, me siguri do të ma thoshte. Një e dridhur më përshkoi   trupin.  Për  herë  të parë më lindi mendimi se djalin ma kishin vrarë dhe shpikën alibinë e arratisjes për të mbuluar gjurmët.  Plaku drodhi cigaren e tretë dhe përsëri më ofroi edhe mua një. Kësaj here nuk e kundërshtova por e ndeza edhe unë. Porosita edhe dy kafe të tjera. Kur ato erdhën filluam t’i pimë me ngadalë. Pastaj plaku vazhdoi: – Megjithatë doja të sigurohesha. Shkova në Vlorë dhe në Tiranë. U interesova në Degën e Punëve të Brëndëshme dhe në Ministri. Por kudo mora të njëjtën pergjigje. Telat ishin rakorduar kudo njëlloj. Kur isha në Tiranë i shkrova një letër një kushuririt tim që jetonte në Greqi. Ai u interesua dhe mbas një farë kohe më ktheu pergjigjen. Djalit nuk i gjendej asnjë shenjë. Atëhere m’u forcua bindja se djalin ma kishin zhdukur. Një gjë të tillë ma forconte më tepër edhe një episod që ma kishte treguar djali para ca kohe.   Plaku heshti dhe po mendohej. Une rrija dhe prisja pa folur. Në këtë kohe hyri në zyrë një punonjëse që më pruri një shkresë për ta firmosur. E firmosa pa e patur mendjen aty dhe i bëra shenjë që të largohej. Pas një heshtje të gjatë plaku vazhdoi: – Një ditë e thirri Agimi dhe i propozoi të bëhej bashkëpuntor i sigurimit. Djali nuk pranoi. Tradita familjare nuk e lejonte të ushtronte atë profesion të ndyrë. E mbajtën katër orë nën presion të vazhdueshëm . Në fund e lanë të lirë duke e këshilluar që të mos i tregonte kurkujt për sa kishte ndodhur. Pas disa ditësh e morën përsëri dhe e çuan në njerën nga dhomat e hotel ‘’Adriatikut‘’ në Vlorë. Atje Pirrua, Nënkryetari i Deges, i kërkoi që t’i dilte dëshmitar Lea Dhimojanit që ishte arrestuar disa  muaj  më  parë.  Djali nuk pranoi përsëri. Atëhere filluan ta torturojnë. E mbajtën dy ditë. Kur u kthye në shtëpi dukej i shpërfytyruar. U  trondita  shumë kur e pashë në atë gjendje. E pyeta se çfarë i kishte ndodhur. M’i tregoi të gjitha.  – Të lumtë more bir! Nuk më paske turpëruar. – i thashë me krenari duke e përqafuar.  Që atë ditë nuk e thërritën më. Mendova se  e  kishin  harruar.  Por  u  gabova.  Pas  dy muajsh ata e morën për të mos e kthyer më. Një gjë të tillë ma forcon fakti i letrës që gjeti Agimi në fotografinë e gjyshit. Kush i kishte thënë atij që aty kishte një letër, ku as unë nuk e dija një gjë te tillë? Me siguri ka qenë im bir i shtrënguar nga torturat çnjerëzore që do t’i merrnin edhe jetën.  Pas një viti na ndodhi edhe fatkeqësia tjetër. Gruaja nuk e duroi dot dhimbjen  dhe mbylli sytë përgjithnjë. Kjo është e gjithë historia për të cilën kam ardhur te ju. Dua vetëm një gjë. Hidhini në letër dhe botojini në ndonjë gazetë. Nëqoftëse nuk munda të zbuloj gjë , të paktën njerëzia të mësojnë tmerret e asaj periudhe.                                                                                                                                                         I premtova se do t’ia plotësoja dëshirën .Gjithashtu i thashë se do ta ndiqja çështjen në komisariatin e policisë ku kryetar ishte një miku im  – Nuk ka mbetur më asnjë gjurmë. – më tha – U interesova. Takova edhe kryetarin. Ishte një burrë i mirë. Kërkoi gjithandej por nuk gjeti asgjë. Ata i kishin zhdukur të gjitha dokumentat. Ndërsa shkaktarët e këtij krimi Pirrua, Agimi dhe Spirua kishin fluturuar në Greqi  ku një djall e di se me se merren.  U mundova edhe deri në Greqi, por përsëri nuk gjeta asgjë.

U ngritëm dhe dolëm përjashta. Iu luta të rrinte për darkë dhe të kalonim atë natë bashkë. Nuk pranoi. E përcolla deri te autobuzi i Himarës. U përqafuam dhe u ndamë. Kur u nis autobuzi e përshendeta me dorë.  Që nga ajo ditë nuk e pashë më. Pas nje viti mësova se kishte vdekur. Tregimin tim e përmblodha në një shkrim që e botova në gazetën lokale dhe në një nga gazetat qëndrore.

* * *

Kaluan 20 vjet nga dita kur Milto Neranxi më tregoi historinë e mësipërme. Po lexoja një libër kur ndjeva zilen e celularit të tingëllonte.

  • Jam Petro Neranxi, – dëgjova zërin e folësit nga ana tjetër e telefonit. – Dua të bisedoj me

Do të keni mundësi?

  • Me kënaqësi, – iu përgjigja.

U ulëm në një kafe.

  • Jam djali i Leandros, – më tha. – Qysh ditën që gjyshi u nda nga kjo jetë, nuk kam rreshtur së

kërkuari vendin ku e kanë varrosur tim atë. Nuk kam lënë njeri nga ata që dikur shërbenin në organet e punëve të brendëshme pa e pyetur, por nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje. Të gjithë heshtnin. U interesova edhe në Arshivën e Ministrisë së Brendëshme dhe ata më dhanë një dokument ku  thuhej se Leandro Neranxi ishte mbytur në det në tentativë për t’u arratisur në Greqi. Një alibi të tillë nuk kisha si ta besoja. Më kujtoheshin fjalët që më kishte thënë gjyshi  se në Degën e Punëve të brendëshme i kishin thënë që Leandrua ishte arratisur në Greqi. Si ka mundësi që tani dilka që qenka mbytur?

Unë rrija pa folur dhe e dëgjoja. Nuk gjeja fjalë për t’iu përgjigjur. Si nuk kishte asnjë nga pjesmarrësit e kësaj masakre të pashembullt që ta detyronte ndërgjegja e tij për t’i treguar djalit vendin ku preheshin eshtrat e të atit, në mënyrë që të vendoste edhe ai një tufë me lule ose të derdhte dy pika lot mbi varrin e tij? Apo, mos ndoshta, nuk kishin fare ndërgjegje?

Në këto çaste pyes:

  • Po shteti shqiptar a mos vallë nuk paska fuqi të zbulojë ku ndodhen eshtrat  e  të  rënëve  për

përmbysjen e sitemit totalitar. Apo ndoshta edhe shteti, sikurse edhe pjesmarrësit e masakrave të tilla, nuk do t’i zbuloje ato, pasi do që atë periudhë ta kalojë në heshtje  sikur nuk ka ndodhur asgjë?

U shkëputa nga mendimet. Hodha vështrimin nga djaloshi. Ai po largohej ngadalë, ngadalë duke pëshpëritur diçka me veten e tij. Mua më dukej sikur ai përshpëriste vargjet e një poezie të një mikut tim:

Po kërkoj,

kërkoj më kot,

të gjej vendin

ku ka rarë,

nuk e di

a ka në botë

një të vdekur

pa një varr?

* Marrë nga libri me tregime “Një tregim për mikun tim” botim i vitit 2004

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kush ma rrëmbeu djalin?, reshat kripa, Tregim

Nuk shikohet tavani i tjetrit kur vetë nuk ke çati

April 10, 2016 by dgreca

Nga Gavrosh Levonja/New York/
 Ajo që e ka karakterizuar opozitën e PD-së pas humbjes spektakolare të vitit 2013, është se konsumon jashtë mase kohë e energji duke u marrë me problemet e brendshme të PS-së., konkretisht, se cfarë shkeljesh i bën Rama statutit,  se ka mënjannuar këtë apo atë figurë, se po kthen partinë në formatin e vjetër të Hoxhës etj. E njejta gjë po ndodh dhe me referendumin e zhvvilluar tani së fundmi nëpërmjet të cilit Rama abrogoi nenin e statutit për zgjedhjen e kreut të partisë në rastin kur kjo parti ndodhet në pushtet. Më së pari, PD-së nuk ka ç’i duhet të merret me ato që ndodhin brenda PS-së.  Bazuar në logjikën më elemmentare ato janë çështje e brendshme e kësaj partie për të cilat duhet të shprehen forumet e saj, antarësia apo dhe aleatët e saj. Nëse ato që po ndodhin në atë parti pas ardhjes në krye të saj të Edi Ramës, janë në kundërshtim me statutin e saj, përfaqsojnë nje tendencë regresi, krahasuar me frymën liberale të injektuar gjatë menaxhimit të saj nga Fatos Nano, gjë që, në fund të fundit mundësoi dhe antarësimin e vëtë Ramës me “partinë e kasketave”, sic e quante ai këtë parti 25 vite më parë, apo se po i kthen atmosferën e PPSH-së së Hoxhës duhet të reagojnë socialistët e thjeshtë, ata që shkojnë në kutitë e votimit. Në një farë mënyre, zhvillime të tilla janë dhe në favor të vetë PD-së, pasi krijojnë një terren pakënaqësie në nivele të ndryshëm të hierarkisë së PS-së, bëjnë më të mudshëm lindjen e konflikteve midis figurave të saj(Blushi mund të quhet shtërgu i parë) dhe e diskreditojnë atë në sytë e opinionit publik si parti e një njeriu. Në këtë aspekt PD duhet të ketë parasysh dhe eksperiencën e saj, e cila nga viti në vit u shndërrua në një parti të Berishës , gjë për të cilën akoma dhe sot Basha e Co. vazhdojnë të paguajnë harxhet. Pa mëdyshje, mund të thuhet se lëvizjet e Blushit kanë pasur në PS një efekt shumë herë më të madh se zhurmat kundër Ramës që vijnë nga PD dhe segmente të tjerë të opozitës. PD dhe drejtuesit e saj nuk ka pse të konfondojnë aktivitetin e tyre opozitar kundër qeverisjes me zhvillimet në PS, madje për këtë, PD, duhet të jetë e interesuar që zhvillime të tilla në aspektin negativ të  thellohen sa më shumë të jetë e mundur, pasi jo vetëm e ka më të lehtë  betejën ndaj një partie të diskredituar si “totalitariste” pa demokraci të brendshme, ku gjithcka është në mëëshirën e tekave apo të humorit të “leader maximo”, se sa kundër një partië me alternativa e zëra të ndryshëm. Masës së votuesve demokratë apo socialistë nuk i prishin punë ato që ndodhin në PS, po efektet e qeverisjes. Për më tepër kur efektet negative dhe pasojat e kësaj qeverisjeje në këto tre vite janë aq negative për shumicën e popullsisë sa nuk i lënë kohë të lirë opozitës të merret me ato ç’ka ndodhin në PS për të lënë pasdore qoftë edhe në intervale të shkurtëra, sensibilizimin e popullsisë për të shtuar radhët e saj me armatën e të pakënaqurve radhët e së cilës shtohen nga dita në ditë. Mendoj se PD dhe deputetë të saj nuk ka pse vihen në rolin e “bishtit” duke i u bashkangjitur ndonjë proteste të shoqërisë civile. Tani për tani janë të mjaftueshme deklarata mbështetëse ndaj protestave të tilla dhe marrja pjesë në to të ndoshë në momentin kur të lindë nevoja për angazhimin e plotë të  një force politike. Por, më imediatja është që PD, tani kur jemi rreth një vit para zgjedhjeve duhet të mërret me veten e saj. Tashmë, ndërsa zullumi i qeverisjes është trashur ndjeshëm janë të shumtë ata që nuk shpresojnë tek ndryshimi duke u shprehur për mungesën e një opozite efikase. Së pari, PD duhet të bëjë një inventar të antarësisë së saj reale, gjë që mund t’i shërbente dhe gjallërimit të strukturave lokale të saj. Konkretisht, sot nuk para të ze syri lajme përsa i përket aktiviteteve të degëve të PD-së në rrethe të ndryshme të vendit. Aktiviteti i saj janë debatet apo përleshjet në sallën e parlamentit takimet e kryetarit Basha në qytete e fshatra të vendit apo delegacione e personalitete të huaj daljet në konferencaa shtypi të drejtuesve të tjerë të lartë apo e zëdhënëseve të cilat lexojnë deklaratat e shkruara në zyrat  e saj. Në kushtet kur paakënaqësia ndaj qeverisjes “Rama” është në rritje, një nga pikësynimet e PD-së është afrimi i asaj që mund të quhet “shumica e heshtur”, atë shtrësë të popullsisë e cila nuk është elektorat i ndonjë partie, së cilës po i shtohet dhe një pjesë e elektoratit socialist që po vuan mbi kurriz pasojat e “reformave” të “Rilindjes” së Ramës. Nga ana tjetër PD, duhet t’i kushtojë tepër kujdes marrëdhënieve me partitë aleate si dhe me ato forca që nuk pajtohen me qeverisjen rilindiste të Ramës dhe njerzve të tij. Të paktën deri tani nuk shihet ndonjë lëvizje domethënëse në këtë drejtim. Cdo periudhë pasiviteti në këtë aspekt nga ana e PD-së, në një moment të caktuar, kur Ilir Meta e LSI e tij do ta shohin të udhës një divorc me Rilindjen e Ramës, do të bëjë që një pjesë e këtyre forcave, pavarësisht nga përmasat dhe roli modest i tyre  të jenë një pre e lehtë për Metën për t’i futur nën sqetullën e tij. Kështu PD ka shumë mundësi të shohë veten e saj sërish në opozitë, ndoshta në shoqëri dhe të Edi Ramës, duke parë të realizuar profecinë e Metës të bërë, me dashje apo pa dashje, në verën e vitit të kaluar për “qeverinë Meta-Meta që persekuton opozitën Rama-Basha.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gavrosj Levonja, kur vetë nuk ke çati, Nuk shikohet, tavani i tjetrit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT