• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Ministrat shkojnë e vijnë nga Tirana në Athinë…

April 9, 2016 by dgreca

Vëzhgim nga Abdurahim Ashiku- Athinë/

REGJISTRIMI I EMIGRANTËVE DHE AUTOBUSËT PËR VOTIM…/

Ministri Tahiri shfrytëzoi udhëtimin në Athinë lidhur me problemet e refugjatëve nga Lindja e Mesme, ku Greqia mban peshën kryesore në udhëtimet e tyre drejt Evropës, për tu takuar edhe me emigrantët (dikur refugjatë) shqiptarë në Athinë.
Takimet e pushtetarëve të lartë me emigrantët shqiptarë në Greqi historikisht janë bërë me “tel të nëndheshëm”, pa njoftime të gjera e pa ndonjë program diskutimesh dhe debati. Kështu që edhe fjalët e tyre, edhe diskutimet e të pranishmëve, kanë korrur “mbi kalli”, pa mbledhë bereqet për të bluar miellin dhe për të gatuar bukën e detyrimeve që ka shteti për mërgimtarët tashmë 25 vjet  larguar e harruar.
E natyrshme do të ishte që edhe vendi i takimit të ministrit Tahiri, (oborri i një institucioni universitar amerikan – siç e treguan fotot dhe kronikat e përcjella), edhe tema e diskutimit të ishte pa “kalem”.
Ministri Tahiri foli për regjistrimin e emigrantëve, një hap shumë i vonuar për një shtet të organizuar, për një shtet i cili e ka mbajtur (dhe e mban) frymën gjallë nga dërgimi i parave (remitancave siç thuhet me një fjalë që nuk e ka fjalori i shqipes) dhe nga investimet në ndërtim dhe në hapjen e bizneseve me paranë e djersës, gjakut dhe mundit të më se një milionë shqiptarëve.
Në 25 vjet shteti shqiptar nuk qe në gjendje të regjistrojë shtetasit e vet që i kishte ”dërguar” në kurbet ndërkohë që shteti më i ri në botë, Kosova, e ndërmori këtë hap dhe e përfundoi plotësisht !
Në 25 vjet shteti shqiptar, me një numër ministrish rekord, nuk bëri një MINISTRI EMIGRACIONI  që të dëgjonte zërin dhe të kujdesej për një të tretën e shtetasve të vet që punojnë e jetojnë në emigracion. Kosova, shteti më i ri dhe me një numër shumë më të vogël mërgimtarësh se sa Shqipëria, ka vite që komunikon me mërgimtarët e vet nëpërmjet MINISTRISË SË DIASPORËS (!)
Ka 15 vjet që në Selanik (7 mars 2001) është hapur shkolla e parë shqipe për mësimin e fëmijëve të shkruajnë, lexojnë e këndojnë në gjuhën e nënës, shkollë e drejtuarnga mësues atdhetarë të SHKALLËS SË PARË –“Rilindës të kohës sonë” (jo rilindje të Edit e Ilirit), shkollim vullnetar, pa asnjë lloj shpërblimi e stimuli moral e material.
Në 15 vjet të Ilirit, Nanos, Saliut e Edit-kryeministra, nuk u arrit të bëhet një ligj i posaçëm për shkollën shqipe në mërgatë, të regjistroheshin në një amzë të ministrisë së arsimit mësues e nxënës(!)
Këtë e bëri Kosova, shteti më i ri në botë. E bëri me disa nene në ligjin për ministrinë e diasporës dhe me një “Udhëzim administrativ për shkollat e mësimit plotësues në gjuhën amtare në diasporë”.
Për shkollimin shqip të fëmijëve në Greqi nuk ekziston asnjë marrëveshje midis dy shteteve dhe dy ministrive të arsimit për krijimin e hapësirave legale për zhvillimin e mësimit shqip në mjedise shkollore greke, pse jo edhe si gjuhë e dytë për një popullsi legale që kap rreth 10 për qind të banorëve në hapësirën greke.
Problemet e mërgatës në Greqi shtruar me gojë e me shkrim, me letra në drejtim të organeve të larta të shtetit, kanë rënë në vesh të shurdhër dhe në sy të mbyllur.
Është kërkuar të njihen kontributet e mërgimtarëve në Greqi, kontribute që kanë mbajtur (dhe mbajnë) në këmbë sistemin grek të sigurimeve të IKA-ve, OGA-s, T.E.V.E. etj. Nuk është bërë dhe as që flitet që të bëhet ndonjë marrëveshje për këtë gjë.
Është kërkuar të njihen patentat e shqiptare në Greqi.Nuk është bërë dhe nuk është vënë “uji në zjarr” për bisedime e njohje.
Greqia është i vetmi vend në Bashkimin Evropian që nuk i njeh ligjërisht prindërit e djemve dhe vajzave shqiptare, gjyshet dhe gjyshet e vogëlushëve shqiptarë. Ata jetojnë ilegalisht, pa asnjë mbrojtje ligjore dhe pa asnjë mbrojtje shëndetësore.
Vargu i problemeve që shteti shqiptar duhet të zgjidhë në marrëveshje me shtetin grek dhe në ligje kuvendare nga shteti shqiptar, është i gjatë…
Ministri Tahiri foli për regjistrimin e mërgimtarëve shqiptarë në Greqi e më gjerë, për ligjin e miratuar por nuk foli për zbatimin praktik të tij.
Regjistrimi i emigrantëve shqiptar do kohën e vet, do njerëzit për regjistrim, do edhe shpenzimet e veta. Do ta uroja dhe përgëzoja z. Tahiri në qoftë se Ai, atë ditë, në prani të emigrantëve të mbledhur të niste procedurat praktike të regjistrimit, ta fillonte regjistrimin nga pjesëmarrësit në takim.
Thuhet që regjistrimi i emigrantëve do të bëjë që secili shqiptar që i ka mbushur në bazë të ligjit 18 vjeç do të votojë në zgjedhjet e ardhshme atje ku banon; në Athinë, Selanik, Kretë…në të gjithë hapësirën greke. Dhe më gjerë, në të gjithë botën.
Thuhet por asnjë hap nuk është hedhur.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare tashmë janë shumë afër, një vit e tre muaj larg, në qershor të vitit 2017. Regjistrimet nuk kanë filluar dhe nuk dihet kur do të fillojnë e kur do të mbarojnë. Votimi i emigrantëve në zgjedhjet e 2017 është i komprometuar.
Në shtyp flitet për autobusë që u nisën në Shqipëri për të votuar për kreun e partisë socialiste. Se ku do të votojnë dhe mbi bazën e cilave lista, nuk dihet.
Partia në pushtet nuk e din numrin e anëtarëve të saj në Greqi se po ta dinte do tua dërgonte kutitë e votimit atje ku punojnë dhe jetojnë, atje ku militojnë si anëtarë të devotshëm të Partisë Socialiste.
Siç “duken bathët”, votimi i emigrantëve atje ku punojnë dhe jetojnë, është larg.
Ministra e deputetë të “Rilindjes” shkojnë e vijnë nga Tirana në Athinë. Vetëm muajin e fundit kanë ardhur dy ministra dhe një deputet.
Vijnë, flasin, dhe nuk dëgjojnë…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 9 prill 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Andurrahim Ashiku, Ministrat shkojnë e vijnë, ne Athine, NGA TIRANA...

PRESIDENTI THACI DO TE VIZITOJE BULLGARINE

April 9, 2016 by dgreca

Presidenti bullgar, Rosen Plevneliev, fton presidentin Thaçi në Sofje/

PRISHTINË, 9 Prill 2016/ Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev, menjëherë pas ceremonisë së inaugurimit, i ka dërguar një letër Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes së cilës e ka ftuar që të marrë pjesë në Samitin e Udhëheqësve të Shteteve dhe Qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i cili do të mbahet në Sofje më 1 qershor të vitit 2016.

Kjo është letra e Presidentit të Bullgarisë, Rosen Plevneliev, dërguar sot Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi:

I nderuari z. President,

Këtë vit ne shënojmë 20-vjetorin e themelimit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i cili ka filluar me Deklaratën e Sofjes të vitit 1996 mbi Marrëdhëniet e mira Fqinjësore, Stabilitet, Siguri dhe Bashkëpunim në Ballkan. Në dy dekadat e fundit, SEECP ka pozicionuar veten si një format kryesor politik për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Në qershor të vitit të kaluar, Bullgaria mori kryesimin e SEECP për herë të tretë. Me moton \”SEECP – 20 vite kyçe për Bashkëpunimin Rajonal\”, kryesia bullgare ka caktuar një agjendë ambicioze dhe të orientuar në rezultate. Ne kemi përqendruar përpjekjet tona në tri fushat prioritare të bashkëpunimit: lidhshmëria – infrastruktura energjetike dhe e transportit; fuqizimi i demokracisë, lirisë së medias dhe shoqërive civile në rajon; siguria dhe migrimi.

Takimi i dytë joformal i Ministrave të Punëve të Jashtme, i mbajtur më 2 shkurt 2016, në Sofje, miratoi një Deklaratë të Përbashkët për adresimin e sfidave të cilat dalin nga flukset e migrimit.

Ka ardhur koha që të shqyrtojmë hapat tonë të ardhshëm. Për këtë qëllim, kam nderin t’ju ftoj që të merrni pjesë në Samitin e Udhëheqësve të Shteteve dhe Qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i cili do të mbahet në Sofje, më 1 qershor të vitit 2016.

Kryesia Bullgare synon të përgatisë një deklaratë për nder të 20-vjetorit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, duke njohur SEECP si një format kryesor politik për partneritet të qëndrueshëm në Evropën Juglindore dhe platformë kryesore për integrimin Evropian dhe Euro-Atlantik.

Pres me padurim takimin me ju gjatë Samitit në qershor.

Ju lutem, pranoni konsideratën time më të lartë.

Filed Under: Komente Tagged With: BULLGARINE, DO TE VIZITOJE, Presidenti bullgar, Presidenti Thaçi, Rosen Plevneliev

TË JESH NJERI

April 9, 2016 by dgreca

Tregim i jetuar/

Nga Memisha Gjonzeneli – Tragjasi/*

Sa më shumë njeriut i shtohen vitet mbi shpinën e tij, aq më shumë e kthen kokën pas nga udha që ka përshkruar në jetë…  Ndërmjet shumë ngjarjeve të jetës më ka mbetur në kujtesë ajo me doktor Isufin, mësimi madh që mora prej tij: Ndofta s`mund të ndalojmë njerëzit të bëjnë keq, por mirësinë tonë e kemi ne vet në dorë…

Ishte e diel dhe vendosa të shkoj për një vizitë te doktor Isuf Hysenbegasi. Me doktorin njiheshim familjarisht, pasi babai kishte vuajtur burgun me të. Sa herë që ne kishim ndonjë nevojë mjeksore shkonim tek ai, i cili na priste me  buzëqeshje. Edhe sot e kujtoj buzëqeshjen e tij dhe, të them të drejtën, gjysmën e sëmundjes ai njeri ta hiqte me atë buzëqeshje. Babai na tregonte se doktori, kushedi sa jetë kishte shpëtuar në burg. I pa lodhur, i gatshëm në çdo kohë të shërbente, fjalë ëmbel, të jepte besim se do shëroheshe shpejt.

Kur doli nga burgu kërkoi të vinte në Vlorë, por kurrë nuk i harroi ish të burgosurit. Me plot të drejtë ata thoshin: Doktor Isufi është yni…

Derën ma hapi e shoqja.

  • Urdhëro brenda, më tha ajo, doktori ka dalë, po besoj do të kthehet shpejt.

U ula në një karrike dhe po prisja. Doktori nuk vonoi. Nuk kishim mbaruar përshëndetjet e rastit dhe ai nuk ishte ulur akoma, kur trokiti dera dhe pa pritur, dera u hap dhe u duk një grua duke qarë.

  • Ç`far ke? e pyeti doktori.
  • Të lutem doktor më shpëto burrin, e kam shumë sëmure, nuk përmendet, të lutem më ndihmo.
  • Po ku e ke burrin?
  • Është në shtëpi, këtu afër.

Doktori nuk priti më gjatë, mori çantën dhe u nis pas asaj gruaje.

– Ti djali Muhametit, më tha mua, më prit sa të kthehem.

–  Jo doktor, unë do vij me ty, i thashë dhe i mora çantën nga dora.

I sëmuri jetonte në një sipërfaqe të bollshme, në katin e dytë të një pallati aty afër. Derën na e hapi një djalë i ri, i cili na shoqëroi tek i sëmuri.

I sëmuri ishte bërë ujë në djersë. Doktori i vuri dorën në ball dhe pasi e kontrolloi, i bëri një gjilpërë, pastaj, mori një peshqir, e lagu me ujë të ftohtë dhe filloi ta fërkojë shpejt.

  • Sa kohë ka sëmurë? pyeti doktori.
  • Sot është dita e tret, tha djali.
  • Shumë gabim, tha doktori, duhej të kërkonit ndihmë që ditën e parë.

Pastaj doktori shkroi recetën dhe pyeti për emërin e të sëmurit:

– Jani Gjembi, tha djali.

– Ushtarak ka qene ?

– Po, tha i biri,  po tani eshtë në pension.

– Merre  recetën dhe ktheu shpejt, urdhëroi doktori.

Djali nuk po nisej, mbante recetën në dorë dhe shikonte nga e ëma. Doktori e kuptojë hallin e djalit, futi dorën në xhep dhe i dha atij 150 lekë. Ndërsa djali doli nga shtëpia doktori hodhi syte nga i sëmuri dhe e kqyri atë me vëmëndje. Po, tha me zë, se luan topi, ai është, pastaj u ul në një karrike i bërë dyllë i verdhë. U çudita nga ajo shprehje pa kuptim e doktorit iu afrova, e kapa për dore dhe e pyeta:

  • Doktor ç`farë ke?

Ma bëri me dorë të mos e shqetësoja. Unë qëndroja në këmbë përpara tij pa ditur se si të veproja…

Sapo mbriti djali me ilaçe, doktori hapi një peniciline ja bëri të sëmurit dhe priti sa teperatura filloi t`i bjerë. Befas i sëmuri lëvizi pak, hapi syte dhe pa me habi doktorin.

– Ku jam këtu, tha, akoma te qelia shtat jemi? S`kemi mbaruar akoma?

Mbylli prap sytë dhe heshti. Doktorit ju rënqeth trupi. Sytë iu mbushën me lotë. Donte vetëm të ikte sa më parë. Mblodhi shpejt çfarë kishte nxjerrë nga çanta, i futi brenda dhe ma dha mua. Kurrë nuk e kisha parë në atë gjendje, dukej shumë i lodhur.

  • Hajde, më tha mua, të ikim shpejt. U kthye nga ata dhe u tha:
  • Mos harroni, në çdo katër orë, nga dy kokërra, mos u bëni merak, do të bëhet mirë.

Sapo hymë në shtëpi doktori m`u drejtua mua në mënyrë urdhërore:

  • Ulu aty, ti djali Muhametit.

I tha së shoqes t`i bënte një kafe. U shtri mirë në kolltuk dhe dukej se ishte akoma shumë i shqetësuar. E vuri kafen në buzë dhe e gjerbi pak gjatë. Hodhi sytë nga unë, dhe më pa me vrejtje. Une fillova te shqetsohem.

  • Doktor, je mirë? e pyeta.
  • Po behem mire, o djali Muhametit, më tha, dhe piu prap kafe.

I habitur, e lash në qetësinë e tij. Befas ai fillojë të fliste, por dukej sikur më shumë fliste me veten e tij.

Dhe tani do të tregoj gjithë historinë, pse u shqetësova kaq shumë sonte. Ai që vizituam, ishte hetusi im. Më shumë se një vit ai s`ka lënë torturë pa më bërë, në qelinë numur shtat, ku më mbante të lidhur. Ti, këtu do i lesh kockat, më thoshte. Prandaj kur hapi sytë dhe më pa mua mendoi se ishte duke më rrahur te qelia me numur shtat.

O Zot ç`farë më ka bërë, mua ajo mostër. Një ditë më lidhi te tubi nevojtores. Shpesh pasi lodhej vetë merte dhe shokë që ta ndihmonin. Edhe ata më rrihnin, pastaj iknin duke qeshur. Në këto tortura kam vuajtur më shumë se një vit dhe çdo ditë nuk harronte të me thoshte:

– Këtu do t`i lesh kockat. Nuk do të dalësh i gjallë.

– Dhe si munde doktor t`i bëje asaj egërsire atë shërbim? i thash unë.

Doktori më nguli sytë e menduar, nuk foli, më vështroi gjatë, pastaj tundi kokën dhe më tha:

– Nëse edhe ne veprojmë si ata, ku ndryshojmë prej tyre?

Edhe kësaj radhe ai njeri nuk iu shmang detyrës, ashtu siç kishte vepruar dhe veproi gjithë jetën e tij, në çdo situatë. Më ishin mbushur sytë me lot nga ato që po dëgjoja nga ai njeri.

M`u kujtua edhe vetja, kur ishja në qeli, megjith se femij, hetuesi im nuk pyeste, por bënte detyrën e tij çnjerzore.

U ngrita në këmbë dhe e përqafova fort doktorin, sepse nga ai mësova se si duhet të jesh njeri. Ashtu me sytë të mbushur me lot hapa derën dhe ika.

Ajo natë do të mbetej për mua e pa harruar, për gjithë jetën, për të pa harruarin, doktor Isuf  Hysenbegasi.

* Ish i perndjekur Politik. Autori është Dekoruar me medaljen e artë “Naim  Frasheri”

 

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Memisha Gjonzeneli-Tragjasi, TË JESH NJERI

Presidenti Thaçi: Kosova, traditë e respektimit të Kushtetutës

April 9, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 9 Prill 2016/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shkruar në ‘facebook’: Sot është përvjetori i tetë i Ditës së Aprovimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Me këtë Kushtetutë u vunë themelet e shtetit që e gëzojmë sot, i cili promovon dhe mbron të drejtat e liritë e njeriut, si dhe ndan qartë pushtetet në sistemin tonë demokratik, ku qytetari është sovrani i vërtetë.
Në këto vite kemi instaluar traditën e respektimit të Kushtetutës dhe parimeve të saj, por ndonëse Kushtetuta është një udhërrëfyes për një shoqëri të lirë e demokratike, fuqizimi i shoqërisë bazohet edhe në pjesëmarrjen aktive të vetë qytetarëve.
Jam i nderuar që tani kam përgjegjësinë që në detyrën time të re si President i Kosovës, të shërbej si garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, në pajtim me këtë Kushtetutë. HTH

Filed Under: Opinion Tagged With: Presidenti Thaçi: Kosova, të Kushtetutës, traditë e respektimit

Beteja e Koshares, simbol i unitetit dhe sakrificës sublime për çlirimin e Kosovës

April 9, 2016 by dgreca

-Kryeministri Isa Mustafa: 9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, datë e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës. Është data e fillimit të partneritetit strategjik të shqiptarëve me aleatët e tyre natyrorë, të angazhuar nën ombrellën e NATO-s/

 PRISHTINË, 9 Prill 2016-B.Jashari/ Beteja e Koshares është simbol i unitetit dhe sakrificës sublime për çlirimin e Kosovës,tha sot kryeministri Isa Mustafa. Ai bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe mori pjesë në tubimin përkujtimor për nder të Ditës së heqjes me luftë të kufirit Kosovë-Shqipëri, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”. Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Mustafa, tha se 9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, datë e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës.“9 prilli i vitit 1999 është data e fillimit të partneritetit strategjik të shqiptarëve me aleatët e tyre natyrorë, të angazhuar nën ombrellën e NATO-s, Aleancës më të fuqishme ushtarake e politike të historisë së njerëzimit. Kjo betejë ishte njëra ndër fitoret me të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha kryeministri.

 Ndjenja e krenarisë me veprën e luftëtarëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, sipas kryeministrit Isa Mustafa, duhet dhe do të nderohet duke punuar në frymën e unitetit kombëtar e qytetar, për ta zhvilluar Kosovën dhe për ta bërë atë pjesë të familjes euroatlantike.

“Ne këtë ua kemi borxh dëshmorëve të rënë në këtë Betejë të lavdishme dhe nëpër të gjitha betejat tjera për çlirimin e Kosovës. Trashëgimia e angazhimit të përbashkuar për Kosovën, që na e ka lënë Beteja e Koshares, është vlerë të cilën ne duhet ta përdorim për të punuar për zhvillimin e Kosovës sonë dhe vlerë të cilën duhet ta zhvillojmë dhe ta trashëgojmë ne dhe brezat e ri”, tha kryeministri Mustafa.

 Të pranishmit në këtë tubim përkujtimor me nga një fjalë rasti i kanë përshëndetur kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emër të brigadës 138 “Agim Ramadani”, Ragip Sadiku, ndërsa në emër të familjarëve të dëshmorëve të pranishmit i ka përshëndetur Arbër Morina.

“Ditët e Shqipes”, për nder të Betejës së Koshares, është manifestimi tradicional në përvjetorët e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën për liri e pavarësi, për dëbimin e forcave okupuese serbe.

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT MUSTAFA NË AKADEMINË PËRKUJTIMORE./

 Të nderuara familje të heronjve dhe dëshmorëve,

Të çmuar pjesëmarrës të Betejës së Koshares,

Të nderuar pjesëmarrës të këtij manifestimi,

I nderuar komandant Rrustem Berisha,

I nderuar kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z.Haradinaj,

I nderuar komandant i FSK-së,

Të gjithë ju pjesëmarrës që jeni sot këtu.

 Jemi mbledhur sot të shënojmë një ngjarje historike të kombit tonë e cila ngjarje ka ndryshuar jo vetëm historinë e vendit, por edhe historinë e Ballkanit Perëndimor.

 9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Kjo është data e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës. 9 prilli i vitit 1999 është data e fillimit të partneritetit strategjik të shqiptarëve me aleatët e tyre natyrorë, të angazhuar nën ombrellën e NATO-s, Aleancës më të fuqishme ushtarake e politike të historisë së njerëzimit.Kjo betejë ishte njëra ndër fitoret me të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Në Koshare, padrejtësia historike mbi njëshekullore po ndalej dhe ndëshkohej në mënyrën më meritore. Atë ditë, më mirë se kurrë më parë, pushtuesit e kuptuan pafuqinë e tyre dhe gjithashtu kuptuan fuqinë e gatishmërisë së djemve e bijave tona për t’u sakrifikuar për liri e pavarësi.Në Koshare u gërshetua disiplina ushtarake me profesionalizmin e prijësve të kësaj beteje, guximi me gatishmërinë për të mos kursyer asgjë për çlirimin e Kosovës.

Të nderuar të pranishëm.

 Kosharja ishte prova më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138 e cila më vonë mori emrin e strategut të saj Agim Ramadani dhe kjo u vulos me shënimin e luftës së heronjve Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu dhe të gjithë heronjve e dëshmorëve dhe veteranëve të kësaj brigade.Porosinë për unitet dhe tolerancë vëllazërore si kusht për të korrë fitore dhe për të qenë të suksesshëm e gjejmë te kjo betejë si mësim kuptimplotë nga historia për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë.Prandaj, të dashura familje të dëshmorëve dhe të heronjve, të gjithë ne, sot ndjehemi krenarë me veprën e heronjve dhe dëshmorëve të Betejës së Koshares.Ndjenjën e krenarisë me veprën e luftëtarëve tanë, pjesëtarë të Brigadës 138 “Agim Ramadani” ne duhet dhe do ta nderojmë duke punuar në frymën e unitetit kombëtar e qytetar, për ta zhvilluar Kosovën dhe për ta bërë atë pjesë të familjes euroatlantike.Ne këtë ua kemi borxh dëshmorëve të rënë në këtë Betejë të lavdishme dhe nëpër të gjitha betejat tjera për çlirimin e Kosovës. Trashëgimia e angazhimit të përbashkuar për Kosovën, që na e ka lënë Beteja e Koshares është vlerë të cilën ne duhet ta përdorim për të punuar për zhvillimin e Kosovës sonë dhe vlerë të cilën duhet ta zhvillojmë dhe ta trashëgojmë ne dhe brezat e ri.Beteja e Koshares ashtu si e gjithë lufta jonë e drejtë për çlirimin nga pushtimi njëshekullor paraqet një inspirim të jashtëzakonshëm për të gjithë ne dhe për gjeneratat që vijnë.Pjesëmarrës të nderuar të kësaj akademie përkujtimore.

 Heronjtë dhe dëshmorët e Betejës së Koshares u flijuan për të ardhmen e lirë të Kosovës ndërsa ne si qytetarë dhe si institucione të Republikës së Kosovës, ua kemi borxh atyre të punojmë me tërë dijen dhe me tërë përkushtimin tonë për të jetësuar ëndrrat dhe idealet e tyre, Kosovën e integruar në familjen e madhe të kombeve të lira dhe qytetëruara euroatlantike.Ne do t’u jemi tërë jetën mirënjohës të gjithë atyre shqiptarëve nga të gjitha trevat e Kosovës dhe trojet shqiptare, për kontributin e tyre në Betejën e Koshares dhe betejat tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë ata do të trajtohen me respekt dhe me dinjitet.

 Veçanërisht, ne do të kujtojmë me përulje veprën e miqve tanë, francezit Paillard Arnaud Piere, algjerianit Murad Muhamed Ali e italianit Françesko Gjuzepe Bider, që dhanë jetën në këtë betejë të lavdishme.

Ndërsa, me admirim të veçantë dua t’i drejtohem një bashkëluftëtari Tuaj, britanikut Xhon Harrison, i cili ka luftuar si vullnetar në Brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare dhe i cili tashmë është i dekoruar me urdhrin “Adem Jashari”.

 Xhon Harrison është shembull i gjallë i mishërimit të botës së civilizuar me luftën tonë çlirimtare, por edhe vendosmërisë për të përballuar kryelartë çdo sfidë që i del përpara këtij mishërimi.

 Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”,

Lavdi të gjithë dëshmorëve të luftës për çlirimin e Kosovës,

Zoti e bekoftë Kosovën,

Zoti e bekoftë kombin shqiptar,

Zoti i bekoftë miqtë tanë dhe aleatët tanë,

Zoti i bekoftë heronjtë dhe dëshmorët e Koshares dhe gjithë Kosovën.

Filed Under: Histori, Komente Tagged With: Behlul Jashari, beteja e Koshares, Isa Mustafa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT