Tregim i jetuar/
Nga Memisha Gjonzeneli – Tragjasi/*
Sa më shumë njeriut i shtohen vitet mbi shpinën e tij, aq më shumë e kthen kokën pas nga udha që ka përshkruar në jetë… Ndërmjet shumë ngjarjeve të jetës më ka mbetur në kujtesë ajo me doktor Isufin, mësimi madh që mora prej tij: Ndofta s`mund të ndalojmë njerëzit të bëjnë keq, por mirësinë tonë e kemi ne vet në dorë…
Ishte e diel dhe vendosa të shkoj për një vizitë te doktor Isuf Hysenbegasi. Me doktorin njiheshim familjarisht, pasi babai kishte vuajtur burgun me të. Sa herë që ne kishim ndonjë nevojë mjeksore shkonim tek ai, i cili na priste me buzëqeshje. Edhe sot e kujtoj buzëqeshjen e tij dhe, të them të drejtën, gjysmën e sëmundjes ai njeri ta hiqte me atë buzëqeshje. Babai na tregonte se doktori, kushedi sa jetë kishte shpëtuar në burg. I pa lodhur, i gatshëm në çdo kohë të shërbente, fjalë ëmbel, të jepte besim se do shëroheshe shpejt.
Kur doli nga burgu kërkoi të vinte në Vlorë, por kurrë nuk i harroi ish të burgosurit. Me plot të drejtë ata thoshin: Doktor Isufi është yni…
Derën ma hapi e shoqja.
- Urdhëro brenda, më tha ajo, doktori ka dalë, po besoj do të kthehet shpejt.
U ula në një karrike dhe po prisja. Doktori nuk vonoi. Nuk kishim mbaruar përshëndetjet e rastit dhe ai nuk ishte ulur akoma, kur trokiti dera dhe pa pritur, dera u hap dhe u duk një grua duke qarë.
- Ç`far ke? e pyeti doktori.
- Të lutem doktor më shpëto burrin, e kam shumë sëmure, nuk përmendet, të lutem më ndihmo.
- Po ku e ke burrin?
- Është në shtëpi, këtu afër.
Doktori nuk priti më gjatë, mori çantën dhe u nis pas asaj gruaje.
– Ti djali Muhametit, më tha mua, më prit sa të kthehem.
– Jo doktor, unë do vij me ty, i thashë dhe i mora çantën nga dora.
I sëmuri jetonte në një sipërfaqe të bollshme, në katin e dytë të një pallati aty afër. Derën na e hapi një djalë i ri, i cili na shoqëroi tek i sëmuri.
I sëmuri ishte bërë ujë në djersë. Doktori i vuri dorën në ball dhe pasi e kontrolloi, i bëri një gjilpërë, pastaj, mori një peshqir, e lagu me ujë të ftohtë dhe filloi ta fërkojë shpejt.
- Sa kohë ka sëmurë? pyeti doktori.
- Sot është dita e tret, tha djali.
- Shumë gabim, tha doktori, duhej të kërkonit ndihmë që ditën e parë.
Pastaj doktori shkroi recetën dhe pyeti për emërin e të sëmurit:
– Jani Gjembi, tha djali.
– Ushtarak ka qene ?
– Po, tha i biri, po tani eshtë në pension.
– Merre recetën dhe ktheu shpejt, urdhëroi doktori.
Djali nuk po nisej, mbante recetën në dorë dhe shikonte nga e ëma. Doktori e kuptojë hallin e djalit, futi dorën në xhep dhe i dha atij 150 lekë. Ndërsa djali doli nga shtëpia doktori hodhi syte nga i sëmuri dhe e kqyri atë me vëmëndje. Po, tha me zë, se luan topi, ai është, pastaj u ul në një karrike i bërë dyllë i verdhë. U çudita nga ajo shprehje pa kuptim e doktorit iu afrova, e kapa për dore dhe e pyeta:
- Doktor ç`farë ke?
Ma bëri me dorë të mos e shqetësoja. Unë qëndroja në këmbë përpara tij pa ditur se si të veproja…
Sapo mbriti djali me ilaçe, doktori hapi një peniciline ja bëri të sëmurit dhe priti sa teperatura filloi t`i bjerë. Befas i sëmuri lëvizi pak, hapi syte dhe pa me habi doktorin.
– Ku jam këtu, tha, akoma te qelia shtat jemi? S`kemi mbaruar akoma?
Mbylli prap sytë dhe heshti. Doktorit ju rënqeth trupi. Sytë iu mbushën me lotë. Donte vetëm të ikte sa më parë. Mblodhi shpejt çfarë kishte nxjerrë nga çanta, i futi brenda dhe ma dha mua. Kurrë nuk e kisha parë në atë gjendje, dukej shumë i lodhur.
- Hajde, më tha mua, të ikim shpejt. U kthye nga ata dhe u tha:
- Mos harroni, në çdo katër orë, nga dy kokërra, mos u bëni merak, do të bëhet mirë.
Sapo hymë në shtëpi doktori m`u drejtua mua në mënyrë urdhërore:
- Ulu aty, ti djali Muhametit.
I tha së shoqes t`i bënte një kafe. U shtri mirë në kolltuk dhe dukej se ishte akoma shumë i shqetësuar. E vuri kafen në buzë dhe e gjerbi pak gjatë. Hodhi sytë nga unë, dhe më pa me vrejtje. Une fillova te shqetsohem.
- Doktor, je mirë? e pyeta.
- Po behem mire, o djali Muhametit, më tha, dhe piu prap kafe.
I habitur, e lash në qetësinë e tij. Befas ai fillojë të fliste, por dukej sikur më shumë fliste me veten e tij.
Dhe tani do të tregoj gjithë historinë, pse u shqetësova kaq shumë sonte. Ai që vizituam, ishte hetusi im. Më shumë se një vit ai s`ka lënë torturë pa më bërë, në qelinë numur shtat, ku më mbante të lidhur. Ti, këtu do i lesh kockat, më thoshte. Prandaj kur hapi sytë dhe më pa mua mendoi se ishte duke më rrahur te qelia me numur shtat.
O Zot ç`farë më ka bërë, mua ajo mostër. Një ditë më lidhi te tubi nevojtores. Shpesh pasi lodhej vetë merte dhe shokë që ta ndihmonin. Edhe ata më rrihnin, pastaj iknin duke qeshur. Në këto tortura kam vuajtur më shumë se një vit dhe çdo ditë nuk harronte të me thoshte:
– Këtu do t`i lesh kockat. Nuk do të dalësh i gjallë.
– Dhe si munde doktor t`i bëje asaj egërsire atë shërbim? i thash unë.
Doktori më nguli sytë e menduar, nuk foli, më vështroi gjatë, pastaj tundi kokën dhe më tha:
– Nëse edhe ne veprojmë si ata, ku ndryshojmë prej tyre?
Edhe kësaj radhe ai njeri nuk iu shmang detyrës, ashtu siç kishte vepruar dhe veproi gjithë jetën e tij, në çdo situatë. Më ishin mbushur sytë me lot nga ato që po dëgjoja nga ai njeri.
M`u kujtua edhe vetja, kur ishja në qeli, megjith se femij, hetuesi im nuk pyeste, por bënte detyrën e tij çnjerzore.
U ngrita në këmbë dhe e përqafova fort doktorin, sepse nga ai mësova se si duhet të jesh njeri. Ashtu me sytë të mbushur me lot hapa derën dhe ika.
Ajo natë do të mbetej për mua e pa harruar, për gjithë jetën, për të pa harruarin, doktor Isuf Hysenbegasi.
* Ish i perndjekur Politik. Autori është Dekoruar me medaljen e artë “Naim Frasheri”