• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

Serbët mbështesin demarkacionin me Malin e Zi

May 26, 2016 by dgreca

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Kuvend thonë se nuk kanë asnjë arsye për të mos e votuar marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, me të cilin do t’i hapnin rrugë procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ata thonë se për serbët e Kosovës është me rëndësi lëvizja e lirë, që njëkohësisht nënkupton edhe nxjerrjen e pasaportave me mbishkrimet e Republikës së Kosovës.

Aktualisht një numër i qytetarëve serbë posedojnë dokumentet e udhëtimit që lëshohen nga Qendra Koordinuese në veri të vendit, një institucion i themeluar nga Beogradi zyrtar.

Deputeti nga radhët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave, edhe qytetarët serbë të Kosovës, pavarësisht ku jetojnë, do të jenë të interesuar për pasaportat e Kosovës. Rashiq tha se edhe komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, ka rekomanduar që të gjithë qytetarët të kenë pasaporta të Kosovës.

“Nëse kjo mundëson një lëvizje më të mirë dhe më të lehtë, pa viza dhe pa peripeti, që na qëndrojnë mbi kokë sa herë duhet të nxjerrim viza, mendoj se qytetarët e komunitetit serb, edhe pse kanë të drejtë në dy shtetësi, do të jenë praktikë dhe do të vendosin që vetvetes t’i mundësojnë një mënyrë normale të lëvizjes”, tha Rashiq.

Me propozimin e BE-së, Kosovës së shpejti duhet t’i hiqen vizat, pas përmbushjes së dy kushteve themelore; atë të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi dhe thellimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Votimi në Kuvend për demarkacionin është bërë i paqartë për faktin se opozita ka paralajmëruar kundërshtime të fuqishme, në vazhdimësi të protestave kundër këtij procesi.

Njëkohësisht është ngritur shqetësimi se edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Kuvend nuk do të votojnë, për faktin se duhet të aplikojnë për dokumentet që ndërlidhen me shtetësinë e Kosovës.

Por, deputeti Rashiq thotë se serbët duhet ta mbështesin ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion për shkak se kjo është çështje jetike për vetë serbët dhe sepse përfaqësuesit serbë kanë votuar më herët Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në Kuvend..

“Nuk shoh asnjë pengesë që ne të jemi pjesë të këtij procesi dhe me këtë të votojmë marrëveshjen për demarkacion”, tha Rashiq.

Megjithatë, i gjithë procesi i votimit të marrëveshes për demarkacion në Kuvend është vënë në dilemë për shkak të numrit të votave të nevojshme të koalicionit qeverisës përveç problemeve me kundërshtimin e opozitës dhe pakënaqësitë që mund të sillte në mesin e serbëve kërkesa për të marrë parasporta të Kosovës.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, tha për Radion Evropa e Lirë se askush nuk e di me saktësi se çfarë do të mund të ndodh në Kuvend, sepse janë kushtet që duhet përmbushur për votim.

“Nuk e besoj se dikush me saktësi e di nëse damarkacioni do të kalojë, sepse është fakt se për këtë na duhet një shumicëprej dy të tretash”, tha Haliti.

Marrëveshja për demarkacion, që ka ngjallur kundërshti, duket se do të futet në rend dite në fillim të muajit qershor, përkundër të gjitha pakënaqësive që mund të sjell ajo.(REL)

Filed Under: Komente Tagged With: demarkacionin, me Malin e Zi, Serbët mbështesin

Kosova do thellojë reformat ekonomike dhe sociale me BE-në

May 26, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina – Sheshi Skënderbej/

-Kosova është pajtuar që të themelojë një mekanizëm të pavarur për rishikim të politikës fiskale/

Bruksel/Prishtinë, 25 maj 2016/ Në një dialog ndër-ministror me BE-në, i mbajtur sot në Bruksel, Ballkani Perëndimor dhe Turqia janë zotuar se do të thellojnë reformat ekonomike dhe sociale për të fuqizuar stabilitetin makroekonomik dhe për të rritur konkurrencën dhe zhvillimin.

Në konkluzionet e aprovuara në këtë takim, u aprovuan rekomandimet për politika të secilit prej shtatë partnerëve në zgjerim, me një fokusim të veçantë në reformat strukturore.

“Një objektivë thelbësore e strategjisë së BE-së për zgjerim është rritja e zhvillimit ekonomik dhe social në të gjitha vendet tona partnere. Sot kemi fokusuar diskutimin tonë në mënyrën e zbatimit të reformave ekonomike, për të cilat jemi pajtuar me BE-në. Jam i kënaqur që të gjitha vendet në zhvillim kanë treguar angazhim të madh në këtë detyrë, përfshirë një fokusim më të madh në reformat strukturore dhe sociale”, tha Johannes Hahn, Komisioneri për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, i cituar në njoftimin e dërguar sot nga Zyra e BE në Kosovë.

“Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e vendeve në zgjerim drejt konsolidimit të mëtejshëm fiskal, veçanërisht duke pasur parasysh shqetësimet rreth niveleve të larta dhe ende në rritje të borxhit tek një numër i vendeve tona partnere. Në të gjitha vendet, besueshmëria fiskale dhe qëndrueshmëria fiskale do të përfitonin shumë nga një planifikim buxheti më transparent, nga korniza fiskale afatmesme më të fuqishme dhe paraqitje ose aplikimi konsistent i rregullave fiskale të përcaktuara mirë, të cilat mund të shpijnë tek pritjet”, tha Valdis Dombrovskis, Zëvendës President i Komisionit për Euro dhe Dialog Social.

“Në mes tjerash, Kosova është pajtuar që të themelojë një mekanizëm të pavarur për rishikim të politikës fiskale, për të siguruar se investimet publike mbahen mirë dhe zbatohen, dhe për të adresuar shkaqet themelore për normat e larta të interesit në kredi bankare. Autoritetet janë zotuar që do të zbatojnë planin e veprimit për ekonominë joformale dhe të rrisin sigurinë e energjisë, në veçanti përmes mbështetjes së masave për efikasitet të energjisë në sektorin e banimit. Kosova është pajtuar që të përgatisë një plan veprimi për të adresuar papunësinë e të rinjve, për të përmirësuar trajnimin e mësimdhënësve dhe pjesëmarrjen e femrave në tregun e punës si dhe për të fuqizuar Agjencinë e Punësimit”, tha Samuel Zhbogar, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së.

Udhëzuesi i aprovuar i politikave të përbashkëta bazohet në Programe të Reformës Ekonomike, të cilat autoritet i përgatisin për çdo vit dhe ua dorëzojnë BE-së në fund të muajit janar. Këto programe zhvillohen për tre vjet. Ato përbëjnë një kornizë të politikës makroekonomike dhe asaj fiskale si dhe reformat strukturore prioritare për rritjen e zhvillimit dhe të konkurrencës. Këto reforma strukturore shtrihen prej liberalizimit të tregjeve të energjisë, transportit dhe telekomit, duke adresuar normat shumë të lara të papunësisë, rritjen e cilësisë së sistemit arsimor, përmirësimin e mjedisit afarist dhe tërheqjen e investimeve midis tjerash.

Kjo detyrë nënkupton që të ndihmohen partnerët në zgjerim të BE-së për të rritur zhvillimin e tyre ekonomik dhe social, dhe për t’i mbështetur  ata në plotësimin gradual të kritereve ekonomike për pranim, thekson njoftimi./b.j/

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: -Bashkimi Evropian, kosova, reformat ekonomike

SHQIPËRIA ETNIKE ËSHTË NJË REALITET DHE JO ËNDËRR ROMANTIKE

May 26, 2016 by dgreca

Shkruan: Mr.sc.Nue Oroshi/

Kohëve të fundit jemi dëshmitar që në trojet etnike shqiptare po ndodhin shumë gjëra të pahishme, po ndodhin shumë pabesi, janë përzier shumë rryma politike aziatike dhe karpatjane të cilat po mundohen t’i nxën frymën idealit të shenjët kombëtar Shqipërisë Etnike. Madje këto rryma nuk lënë asnjë instrument destruktiv pa përdorur për të krijuar huti dhe mbjellë defitizëm në popullin shqiptar se Shqipëria Etnike qenka një ëndërr romantike dhe se ajo ëndërr nuk do të realizohet asnjëherë sepse situatat politike në botë qenkan të tilla sa nuk po e lejuakan bashkimin e Shqiptarëve në një shtet të përbashkët. Edhe në prag të shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë para 28 Nëntorit 1912, shumë grupe politike me mendësi aziatike e kishin hedhur parullën tashë të mirnjohur „ Duam Babën e jo Shkabën“, që në gjuhën politike do të thotë se e duam baba sulltanin dhe jo shqiponjën dykrenare. Për inati të kësaj mendesie aziatike, që fatkeqësisht persona te till,  flisnin shqip por vepronin arabisht e turqisht Shqipëria u bë por jo e tëra. U shpëtua gjysma e Shqipërisë aq sa u mundë të shpëtohet nga miqët tanë Perëndimor dhe nga rezistenca kombëtare shqiptare që prej vitit 1910-1912 , kjo rezistencë ishte mjaftë aktive dhe nuk u pushua asnjëherë. Shteti Shqiptarë e vazhdoi shtegtimin edhe pse më zemër të plagosur dhe më plagë në shpirt për pjesët e saja që mbetën jashtë Shqipërisë. Idealistët shqiptarë nuk e ndalën turrin e tyre. Por dikush me penë e dikush me kobure vazhduan në rrugëtimin e ndërtimit të shtetit Shqiptarë. Quditërisht ata që e donin më shumë babën se shkabën, u infiltruan në të shumtën e rasteve nëpër pozicione të ndryshme politike saqë atdhetarët e mirfilltë që e krijuan Shqipërinë shpesh herë shikonin me habi se cka ndodhi më adhuruesit e baba Sulltanit, a thua iu kthyn në mbrojtës të atdheut, apo prap vazhdojnë më politikën e barkut .

Koha kalonte rezistencat shqiptare vazhdonin përseri dhe erdhi fundi i viteve të nëntëdhdhjeta. Filloi një rezistencë e madhe Kombëtare për themelimin e shtetit të dytë Shqiptar të Kosovës. Edhe në këtë rast nipat e atyre që e donin babën e jo shkabën, e kishin ndryshuar stratëgjin. Ata për rreth pesë dekada ishin në shërbim të Beogradit dhe pjesmarrës në masakra kundër Shqiptarëve në përiudhnën kohore 1944-1999 kohë kur u ripushtua Kosova dhe viset e tjera Etnike Shqiptare nga regjimet pushtuse Titiste dhe Millosheviqiste. Edhe kësaj radhe bijtë e proletarve komunistë filluan me parollën „Nuk mundet mu Shkatrru Jugosllavia !“ , ’’A e dini se sa shtet i Fuqishem është ?“, „e ka në krahë Rusinë “, dhe shumë pallavra tjera Udbasho – komuniste. Por edhe në këto raste ata që tash hoqën dorë prej shkabës, dhe e puthnin yllin e kuq komunistë me një besnikëri i mbronin dhe sot e kësaj dite vazhdojnë t’i mbrojnë baballarët e tyre të kuq. Por për fatin e tyre të keq shteti i tyre që kishin ngrën me lug të arit iu shkatrru. Ju ba copë e grim. E të tillët përdorën të njëjtën strategji sikurse në vitin 1912 – të , ata filluan uzurpimin e institucioneve Shtetërore në Kosovë, dhe morën komplet në dorë frerët e shtetit, me ndonjë ndryshim të vogël. Filluan të flasin me zë të lart se ata kanë qenë dhe janë mbrojtësit e Pavarsisë së Kosovës. Sa që edhe kësaj radhe mbetën të hutuar elita e Nacionalizmës Shqiptare se cka po ndodh kështu. E tash ata e kanë filluar një strategji dhe propagandë tjetër politike. Ata thonë se asesi nuk mund të arrihet  bashkimi i Trojeve Shqiptare se duhët të shkatrrohën shumë shtete, dhe kjo nuk është në planet e Evropës dhe të Amerikës. E unë iu them direkt se edhe për të tretën herë ju pasardhës të babës e jo të shkabës, ju që e perqafuat yllin komunsit në vend të shqiponjës dykrenare, do të digji keq edhe herën e tretë . Planet afatshkurtera dhe afatmesme të Bashkimit Evropian, dhe të Amerikës, parashohin një Evrop Juglindore apo siq quhet ndryshe Ballkan, të qetë. Qetësia në Ballkan nuk mund të arrihet me krijimin e shteteve artificale por vetëm , me krijimin e shteteve nacionale. Me këtë rast adhuruesit e babës dhe adhuruesit e yllit të kuq komunist, do të bien serish. Por Nacionalizma nuk guxoj të bëj edhe për të  tretën herë gabimin e dy herave tjera që ata sërish të dalin në krye të vendit, dhë të thonë se ne kemi qenë bab e babgjysh për bashkimin kombëtar, por që kohërat kanë qenë të tilla, dhe nuk kemi guxu me fol haptas. Të tillët që bëjnë propagandë kundër Bashkimit Kombëtar,duhet  të evidentohen, dhe nuk duhet t’u lejohet kurrsesi që në të ardhmën, të infiltrohen nëpër Partitë Politike që synim e kanë Shqipërinë Etnike. Adhuruesit e baba Sulltanit, si dhe ata të yllit të kuq komunistë, do të dëshprohen edhe kësaj radhe. Evropa dhe Amerika tani më e ka caktuar, në projektet afatshkurtera dhe afatmesme, që në Evropën Juglindore të krijohet një Shtet i fortë shqiptarë. Madje Shqipërinë Etnike do ta bëjmë edhe për inat të disa Shqiptarve që këtë shtet që është i lejuar me cdo konvent ndërkombëtare e shohin si utopizëm romantik, e jo realitet politik.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mr.sc.Nue Oroshi, Shqiperia Etnike

Kosovë-Kroaci, bashkëpunimi i shkëlqyer do zgjerohet

May 26, 2016 by dgreca

-Dy ministra të qeverisë së Kroacisë sot në Kosovë/

-Ministri i Veteranëve, Tomo Medved theksoi kontributin e çmuar të shqiptarëve në Kroaci, duke dhënë mbi 80 dëshmorë, në mesin e të cilëve edhe tre ushtarë, që sot, familjarëve të tyre ua solli dekoratat nga Kroacia, si shenjë respekti të thellë për kontributin e tyre/

-Ministri i Kulturës, Zlatko Hasanbegović u shpreh se bashkëpunimi  ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Kroacisë është i shkëlqyer/

-Kroacia është shteti i 31-të që ka njohur Kosovën në 19 Mars të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Maj 2016/ Dy ministra të qeverisë së Kroacisë, i Kulturës, Zlatko Hasanbegović dhe i Çështjeve të Veteranëve, Tomo Medved,  në vizitën sot në Prishtinë po takohen me krerë institucionalë të Kosovës, ku po vlerësohen marrëdhëniet e shkëlqyera në mes dy shteteve dhe theksohet thellimi i tyre.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, priti në takim delegacionin e Republikës së Kroacisë, të cilit i printe ministri i Veteranëve të Kroacisë, Tomo Medved dhe ministri i Kulturës, Zlatko Hasanbegović, me të cilët diskutoi për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të dyja vendeve.

Kryetari Veseli, gjatë takimit, theksoi se bashkëpunimi duhet të zgjerohet në interes të qytetarëve të të dyja shteteve.

“Marrëdhëniet e shkëlqyera, të krijuara në kohërat e vështira për dy vendet tona, të ngritura nëpërmjet përkushtimit për liri dhe demokraci, janë garanci se marrëdhëniet tona munden dhe duhet të thellohen, posaçërisht në ekonomi dhe në procesin euro-integrues”, theksoi kryetari Veseli, duke i falënderuar për përkrahjen e Kroacisë në këtë proces.

Ministri Medved theksoi kontributin e çmuar të shqiptarëve në Kroaci, duke dhënë mbi 80 dëshmorë, në mesin e të cilëve edhe tre ushtarë, që sot, familjarëve të tyre ua solli dekoratat nga Kroacia, si shenjë respekti të thellë për kontributin e tyre.

Ministri kroat për çështjen e veteranëve e falënderoi Kryetarin Veseli për bashkëpunimin e deritashëm, duke theksuar se ka mundësi të mira për thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi, duke i parashtruar kërkesë që të vizitojë Kroacinë.

Fillimisht, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka pritur në një takim ministrin e Kulturës të Republikës së Kroacisë, Zlatko Hasanbegović, me të cilin ka biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona dhe atyre kroate, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Bashkëpunim Kulturor që u realizua para disa ditësh në Zagreb.

Ky takim është në vazhdën e takimit të Zagrebit, të cilin dy ministrat e vlerësuan si shumë pozitiv, meqë janë hapur rrugë që bashkëpunimi i mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë të konkretizohet me nisma dhe veprime korrekte.

Ministri Kujtim Shala e vlerësoi lartë këtë vizitë, e cila zhvillohet vetëm pak ditë pas takimit në Zagreb, dhe si e tillë është në funksion të thellimit të bashkëpunimit kulturor ndërmjet  dy vendeve.

Shala u shpreh se marrëveshja protokollare ndërmjet dy vendeve dhe takimet e shpeshta ndërmjet institucioneve të dy shteteve, hapin rrugë për bashkëpunim në fusha specifike.

Ai më tej u shpreh se institucionet e Kosovës kanë filluar përgatitjet që bashkëpunimi të bëhet sa më konkret, sidomos në trashëgimi, në fushën e konservimeve, kinematografisë, letërsisë, përkthimeve.

Ministri i Kulturës i Kroacisë Zlatko Hasanbegović u shpreh se bashkëpunimi  ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Kroacisë është i shkëlqyer dhe lidhet me të kaluarën, meqë bëhet fjalë për dy vende mike, dhe shtoi se ky bashkëpunim, pas nënshkrimit të marrëveshjes kulturore ka një karakter më të qartë dhe do të thellohet me nisma konkrete e në funksion të interesit të përbashkët kulturor të dyja palëve.

Ndërmjet ministrave Shala dhe Hasanbegović u bisedua edhe për mundësinë e specializimit të stafit tonë në fushën e trashëgimisë kulturore në institucionet e Kroacisë, veçmas në fushën e konservime, meqë Kroacia shquhet për një traditë në këtë fushë.

Kroacia është shteti i 31-të që ka njohur Kosovën në 19 Mars të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë.

Filed Under: Rajon Tagged With: bashkëpunimi, Behlul Jashari, i shkëlqyer do zgjerohet, Kosovë-Kroaci

Shkrim botuar në Francë në vitin 1653 : Gjergj Kastrioti sipas At Nicolas Caussin

May 26, 2016 by dgreca

Nga Aurenc Bebja, Francë/

Prifti, At Nicolas Caussin, ka lindur në vitin 1583 në qytetin francez të Troyes. Ndërroi jetë në 1651. Dy vite më vonë, në 1653, u publikua libri i tij me titullin « Oborri i shenjtë i At Nicolas Caussin », me një volum prej 748 faqesh. Në këtë libër gjejmë shkrimin i tij të shkurtër, por tepër interesant, për heroin tonë kombëtar, princin e Matit dhe mbretin e Shqiptarëve, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun.

Shkrimi titullohet : « Georges Castriot ». Rikthimi i tij në shqip ishte disi i vështirë, sepse është shkruajtur në frengjishten e vjetër. Si fillim, më është dashur ta risjell atë në frengjishten e tanishme, dhe në vijim ta përshtas në gjuhën tonë. Jam munduar tu qëndroj besnik fjalëve të autorit, megjithëse nuk ishte një mision tepër i lehtë, por mundi ia vlen për vepra të tilla, të cilat janë të rralla dhe me rëndësi kombëtare.

Kush ishte Gjergj Kastrioti ? Ja rrëfimi i At Nikollas për heroin tonë :

 Fillimet e Gjergj Kastriotit

Shoh në Kastriotin, dikë më të madh se Leonidasi dhe Themistokli, shoh Pirron, shoh Aleksandrin e Madh, edhe pse armiqtë e tij ishin më të fortë sesa ata të Maqedonasit, pra guximi i tij nuk duhet nënvleftësuar. Ai ishte ushtar para se të bëhej burrë, dhe natyrshëm u gjet me shpatë në dorë dhe kurajo në zemër.

I madh, me një fytyrë magjepse, i fuqishëm dhe i shëndetshëm, sytë e tij kompozoheshin mes ylberit dhe rrufesë, duart e tij qenë krijuar për të mbajtur shkëndijat e rrufesë, këmbët e tij nuk ngjasonin me asnjeri, të gjitha këto tipare paralajmëronin famën (suksesin) e tij.

Si Shqiponjë e vogël, filloj që në fëmijëri të luajë me rrufetë. Këtij Herkuli iu desht të fillojë dhe tu marrë frymën gjarpërinjëve të djepit të tij, iu desht të ushqehej në mes të armiqëve dhe të luftojë që i mitur kundra të rriturve. I ati, Gjon Kastrioti, i cili kishte pak forca dhe shumë fatkeqësi, u detyrua ta dërgojë peng dhe të rritet tek Turqit e Muratit.

Pallati sulltanor i imponoj emrin Skënderbe, që është ai i Aleksandrit, emër i cili i solli mbarësi dhe e respektoj me plot fjalën. U trajnua në të gjitha ushtrimet e milicisë  së akademisë Turke, ku ia arriti me forcë, aftësi, e miratim, dhe ku secili e shikonte atë si një mbështetës të veçantë të Perandorisë së Muhamedit.

Por ai, në zemër kishtë gjithmonë Jezusin, mendonte gjithmonë të gjente mënyra për tu shkëputur nga Perandoria. Në brendësi të shpirtit të tij, kishte një flakë, e cila e përvëlonte për zellin që kishte për të rimëkëmbur altarët e krishterëve të vrarë dhe të shkatërronte Shtetin e osmanllinjëve.

 Dyshimet dhe kurthet e Sulltan Muratit

Sulltan Murati filloj të kishte frikë nga skllavi i tij, dhe pati frikë të ushqejë në Pallatin e tij një luan që një ditë do të ishte i aftë ti tregonte dhëmbët.

Në beteja të ndryshme, tentoj ta fuste në kurth për ta zhdukur duke përfituar nga guximi i pafundëm i Skënderbeut. Një « scythe » (banorë i lashtë i Azisë qëndrore) kishte ardhur në oborrin e Muratit për tu ndeshur në një kafaz të mbyllur me rivalë të tjerë për jetë a vdekje. Fitoj duele të shumta dhe kishte besim të tepërt në forcën e tij. Secili rrotull kishte frikë kur guximtari Kastriot u ndesh me të, por ai i drodhi qafën me një dorë, dhe e vrau me tjetrën. Ata që nuk u mërzitën e duartrokitën.

Meqë ky duel i doli huq Muratit, ai gjeti një rast tjetër nëpërmjet një kalorësi persian, i cili kërkonte me ngulm të bëntë duel me heshtë (shtizë). Ishte një burrë që e njihte mirë këtë profesion, i cili lëvizte nëpër qytete dhe provinca, ku kërkonte përballje me kundërshtarë për tu përmirësuar dhe rritur reputacionin e tij.

Duhej një David për këtë Goliat, Aleksandri ynë i ri, vrapon drejt tij si një shqiponjë, e tërheq zvarrë dhe e shtrin për tokë persianin, i cili villte shpirt e gjak.

Por Murati, i cili luante personazhin e Saulit (mbretit të parë të izraelitëve), nuk reshti kurrë së gjeturi raste të tjera për të ushtruar Davidin e tij. Në luftë, i dha punë nga më të ndryshmet, por Skënderbeu korrte gjithmonë sukses, transformonte në trofe të gjitha çështjet që mund të shkaktonin rrënimin të tij dhe kthehej i gjallë nga goja e luanëve.

 Ngjitja e Gjergj Kastriotit, rënia e Sulltan Muratit

Sulltan tradhëtari i thurte fjalë (lavde) të bukura Skënderbeut…I premtonte se do ti dorëzonte Shtetet (Tokat) pas vdekjes së babait, por ditën e fundit të jetës së Gjon Kastriotit, fjalë e tij dëshmuan se ishin mashtrime dhe premtimet i mori era.

Skënderbeut i kishte sosur durimi dhe vendosi të marrë Mbretërinë e Shqipërisë me një lojë taktike delikate. Lajmi bujshëm shkon në Pallatin e Sulltanit, dhe të gjitha qëllimet e Muratit ishin hakmarrja. Hali Bassa (Ali ose Halit Pasha) dërgohet me 40 mijë ushtarë për ti dhënë fund kësaj situate. Por të gjithë trupat e tij u shpartalluan dhe nuk u mbeti asgjë për tu krenuar, përveçse ndoshta humbja ndaj Kastriot trimit…

Çfarë mund të themi më shumë për madhështinë e Skënderbeut ? Fytyra tiranike dhe e ashpër e sulltanit, e cila pati qenë e tillë gjatë gjithë jetës së tij, u zbut dhe mori shenjat e një lutësi. Ai kërkoj paqen, por ia refuzuan, kërkoj një marrëveshje por e përçmuan. Arrogant, i ndjerë i provokuar,  erdhi me 200 mijë ushtarë në Krujë, në kryeqytetin e Kastriot guximtarit (Sulltani dështoi plotësisht). Ai që kishte jetuar me lavdi, vdiq nga trishtimi i poshtërimit të tij dhe mori me vete në botën tjetër pafuqinë dhe dëshirën e përjetshme të hakmarrjes.

Mehmeti, djali i tij, terrori i Universit, i cili rrëzoi dy Perandori, pushtoj 200 qytete, vrau 20 million njerëz, erdhi dhe dështoi po në këtë vend shkëmbor. A ishte e nevojshme gjithë kjo gjakderdhje për të shkruajtur mbi trofetë e Kastriotit titullin i Pamposhtur ?

 Homazh për kontributin e Gjergj Kastriotit

Kush do ta kishte besuar së një njeri i vdekshëm do të arrinte deri në këtë pikë ? Sigurisht, duhet pranuar se ai e huazoj emrin e tij tek Zoti për të gjitha këto, dhe anasjelltas Zoti i huazoj krahun e tij.

Thuhet për të që nuk refuzoi kurrë një betejë, kurrë nuk e ktheu shpinën, kurrë nuk u plagos, përveçse një herë fare lehtë. Ai ka vrarë dy mijë barbarë me dorën (shpatën) e tij. Mehmeti, djali i Muratit, dëshironte të prekte këtë shpatë të cilën Skënderbeu përdorte, e admiroj atë edhe pse ishte e larë me gjak turqsh. Atij i ra në dorë shpata e çelikut, por kurrë krahu që e përdorte.

O Kastriot trimi, në qoftë se katolikët mundën të shpëtonin nga tirania e Sulltanëve, kjo mund të ndodhte falë teje. Duhet pohuar që plagët tona ishin të pashërueshme, dhe përçarjet mes nesh na penguan ti sillnim ndihmë dorës tënde hyjnore. Ethet të morën jetën në qytetin e Lezhës…Pasi jetove si Komandanti më i admiruar, ti vdiqe si një fetar i vërtetë, duke prekur të gjithë zemrat e atyre që tu përkushtuan me shumë ndjeshmëri…

Dhe tani, ti nuk ke nevojë që të të gjejmë varrin, sepse memorja jote ka gjetur po aq monumente sa ka zemra ndër shekuj.

 Burimi : © Dars (Klos), Mat – Albania

http://www.darsiani.com/opinion/shkrim-botuar-ne-france-ne-vitin-1653-gjergj-kastrioti-sipas-at-nicolas-caussin/

Foto:Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Filed Under: Histori Tagged With: At Nicolas Caussin, Aurenc Bebja, Gjergj Kastrioti sipas

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT