• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

Dy fjalë për armiqtë e vërtetë

May 24, 2016 by dgreca

Opinion nga Ilir Levonja/

Eshtë një gazetar i yni që vjen nëpër këndet e Shqipërisë me mikrofon në dorë. Dhe mbeti duke na thënë se grekët, serbët, malazezët etj., po na vjedhin. Ky quhet Marin Mema dhe për më tepër një lukuni e tërë idealistësh të një patriotizmi të rremë, i kërkojnë Presidentit të Republikës shpalljen e tij Nderi i Kombit.

Së fundi po na flet për bimët e rralla të Kukësit që serbët po ua mohojnë identitetin shqiptar. Një soj i tulipanit, që vetëm dheu ynë paska fatin e madh ta rrisi në gjirin e tij.
Kjo frymë patriotike që i sillet me të njëjtën energji negative prej vitesh. Aq sa sot në kohën e globalizmit duket kaq bajate. Kaq e pështirë sa të krijohet përshtypja se të gjithë na i kanë me hile. Të gjithë na urrejnë. Të gjithë duan të na shfarosin. Dhe po na shfarosin. Edhe pse jemi kthyer në pushtues real të Ballkanit, Apenineve e më tutje. Të gjithë na kanë halë në sy. Kur e vërteta është se armiqtë më të mëdhenj, më të egër, më perversë, jemi vet ne për njëri-tjetrin. Jemi vet ne për vetveten. E këtu përfshihen të gjitha mënxyrat që ne, në një apo tjetër mënyrë jemi duke ia bërë, shoqi-shoqit dhe shqiptarizmës në përgjithësi.
E para…, hiqeni nga koka teoritë se Greqia po na vjedh. Nuk ka se çfarë na vjedhi. E ka plot hambarin…, është trualli i luftrave të lashtësisë. I demos-it dhe lirisë së fjalës. Një nga shembujt tashmë të përjetshëm i katedrave universitare kudo në botë. Dhe nuk mjafton vetëm kjo, por ka edhe të tjera. Kështu edhe Serbia, që ndjerë e pa u ndjerë, nga një vatër predhash sot doli prapë një aleate e Perëndimit. Kurse ne prapë vasalë e kritikues të tij.
E dyta…, ka mbaruar fryma patriotike e rreme. Ajo që ka ekzistuar për shkak të një lloj soji mes vendeve tona. Pikërisht duke i fryrë çështjeve të kota me valivtje flamuri. Sa nga Shqipëria, sa nga Greqia, sa nga Serbia.
Sado të sillemi evlement të së drejtës, ajo asnjëherë nuk është e jona. Por e një realiteti që ne e kemi nëpër duar dhe nuk dimë ta jetojmë. Grindemi për varrezat? Çfarë, grekët aty luftuan, luftuan për të mbrojtur lirinë e tyre. U vranë njëmbëdhjetëmijë njerëz. Tjetër gjë se në çështjet shtetërore, punë komisionerësh palësh që shiten për një dopio raki. Që nga oficerë regjimesh kthehen në priftërinj. Që se kanë për gjë, të shesin eshtrat e gjyshit për një grusht dhrahmi, a euro. Cilësojeni çfarë të duash etj. Dhe në një farë mënyre duam, apo nuk duam, qe një armatë e tërë shqiptarësh në radhët e Italianëve pushtues. Edhe pse ne përpiqemi t’i justifikojmë.
E konvertuam çështjen e pronave të çamëve me Bashkinë e Rrogozhinës. Dhe prapë fajin na ia kanë grekët. Ata po na vjedhin.
E kemi lënë Nolin në Boston, shtëpinë e tij të kalbet në Fort Lauderdale. Dhe prapë na e vodhën grekët besimin.
Ndërkohë e mbushëm ortodoksinë me policë e oficerë të regjimit.
Me shfarosësist e besimit. Dhe qahemi si ato gratë e këqija.
E treta …, kjo verbëri shekujsh ndaj armikut vetvete. Që po na asfikson sojin. Asesi se vihet re. Përkundrazi në emër të kësaj fryme dhe urrejtje, sot Kosova është Kosovë. Gjysmë e turqizuar aq sa në një emision të para disa ditëve, të cilin po e ndiqja i çuditur. Për çështje të martesa në mituri. Ku perçet etj elementë, janë të denja për botën e Afganistanit. Jo për Dardaninë e shqiptarit Rrugova. Po çfarë t’i thuash kësaj. Ndonjë ditë Marini do na bëj emision se po na vjedhin afganët perçen e tradita e mira muslimane.
E katërta…, po përmbysim sheshet. Qëndrat e qyteteve…mendojeni memoria jonë ndryshon çdo dhjetë vjet. Herë jemi kinezë, herë, sovjetikë, herë Turqi, herë Greqi, herë Itali, herë Arabi, herë modernë, herë tropikas etj. Po asnjëherë shqiptarë. Edhe pse hiqemi patriotë. Edhe pse çirremi për një tabelë sllave, greke, etj.
U shqyem me mbetjet e Perëndimit duke bombarduar të përditshmen tone me reklamat e tyre.
Çfarë tjetër? Eh, është një devijim total i mëndësisë intelektuale.
Duke shpikur e folur përjetësisht për armiq të jashtëm. Dhe asnjëherë për armikun real, vetveten.
Dhe ta dini, sa kohë që nuk respektojmë vetveten, nuk ka për të na respektuar kush. Por do endemi kështu, të dominuar nga një frymë e tillë. Nga mendësia se të tjerët po na vjedhin.
Eshtë koha e globalizmit, Marin. Dhe shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm në ‘të. Aq më tepër që bimët janë produkt i pëgëres së zogjve. Po, po…, zogjtë me farat e tyre rrojnë. Hanë këtu dhe nxjerrin diku tjetër. Zogjtë janë mbi kufijtë. Mëshoi armikut vetvete. Hasanizimit dhe luftës me ta futur kaq shekullore mes shqiptarëve kosovarë, shqiptarëve muslimanë, shqiptarë ortodoksë, shqiptarëve turq e grek, shqiptarëve maqedonas e malazez…, shqiptarëve pa din e imam siç themi ne. Pasi me mendësinë tënde i bie, që sot të na akuzojë Pakistani, vendi i hashashit dhe opiumit. Se njerëzimi i ka vjedhur bimën e artë.
Lërini armiqtë e jashtëm. Se më të rrezikshmit jemi ne, batalioni i shushanjave të shqiptarizmës.

 

24 maj 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: dy fjalë, Ilir Levonja, për armiqtë e vërtetë

Me pastorin amerikan Steve Galegor që flet një shqipe të kulluar

May 24, 2016 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/Pastori amerikan Steve Galegor me thjeshtësinë e tij në rrugën e Zotit ka ditur të fitojë zemrat e mjaft shqiptarëve jo vetëm në Amerikë, por edhe në Shqipëri dhe trojet shqiptare.  Shqipja e kulluar që përdor në komunikim me njerëzit e bëjnë dhe më të dashur midis.

Këto ditë në ishullin Staten Island një lagje e bukur në New York shqiptarë të shumtë u mblodhën në një takim me pastorin Steve Galegor.  Shumë prej tyre në bisedë të lirë shprehnin dashurinë dhe kënaqësinë që mblidheshin së bashku për të shkëmbyer mendime dhe për të folur rreth fjalës hyjnore të Zotit.  Me plot mirëseardhje na priste tek dera e hyrjes Melania, bashkëshortja e Pastorit Steve Galegor një grua ëngjëllore amerikane që ka vite që është midis shqiptarëve.  Ata të dy së bashku festojnë çdo vit Ditën e Flamurit Klombëtar Shqiptar duke i zbukuruar mjediset në kishën amerikane në Nju Xhersi ku Galegor është pastor dhe shqiptarë dhe amerikanë mblidhen si një familje së bashku për të respektuar Ditën tonë të shenjtë kombëtare.

E veçanta e këtij takimi në Staten Island midis nesh ishte se ishin mysafirë të ftuar nga Peja e Kosovës si pastori Gani Smolica me bashkëshorten e tij znj.Adile.

Z.Smolica dëshmoi pranë bashkatdhetareve te tij rrugen e gjatë dhe të vështirë që bëjnë për kishën e tyre në Pejë.  Z.Smolica ka mbaruar universitetin për gjuhë të huaja anglisht  dhe tregoi lidhjet e shumta me misionarë të Zotit dhe dashurinë e njerëzve për Fjalën e tij Hyjnore.

Ata e kishin ngritur kishën në Pejë mbi shtëpinë e një serbi i cili e kishte shitur më parë.  Shtëpia e Zotit mblidhte midis besimtarëve krisitian dhe  njerëz myslymanë apo te feve të ndryshme.  Fjala e tij elekuente dhe puna plot përkushtim tregoi dhe njëherë forcën e Zotit dhe frymëzimin që ju jep në çdo moment të jetës.

Me shumë dhimbje tregoi per luftën që kishte përjetuar në Kosovë ikjen e madhe të popullit të Kosovës nga tmerret e kriminelëve serbë.

Ai së bashku me familjen në kohën e luftës u sistemua në Tiranë ku kishte strehuar dhe ndihmuar në apartamentin e tij 35 kosovarë.  Më duhet të shtoj këtu se gjatë luftës në Kosovë pastori Steve Galegor ka jetuar disa vite në Korçë dhe ka strehuar në shtepinë e tij familje të Kosovës.

Në ekran u shfaqën ndër vite puna e madhe me njerëzit që bëhej në Kishë në Pejë si dhe ndihmat e ndryshme qe u jepeshin të vobektëve pa dallim feje.  Me dhimbje u përjetua dhe dëshmia për një djalë që kishte humbur të atin e tij në luftë, ku serbët ia kishin pushkatuar në sytë e tij duke i thënë:  Ne do të vrasim babain, por nuk do të vrasim ty sepse duam që ta përjetosh për gjithë jetën humbjen e tij.  Djali nga shoku në tru që pësoi për ngjarjen makabre që pa me sytë e tij nuk foli dot për 6 muaj.  Por me kujdesin e njerëzve, të kishës, të miqve të shumtë arriti që të hyjë në jetën aktive duke vepruar normalisht në çdo gjë.  Gjatë luftës në Kosovë me serbët  dramë kishte pësuar dhe kampioni i peshëngritjes z.Esat Kica i cili ishte anëtar në bashkësinë e kishës në Pejë dhe shpërndante me adhurim Fjalën e Zotit.

Dëshmia e z.Gani Smolica u mirëprit me mjaft interes nga bashkatdhetarë.  Pas kësaj Pastori Galegor na ftoi për kafe dhe ëmbëlsirë ku pjesëmarrësit bisedonin dhe ndanin histori të ndryshme me njeri tjetrin.

Ishte një mbrëmje e bukur midis motrash dhe vëllezërish shqiptarë nën shoqërimin e pastorit amerikan Steve Galegor i cili flet një shqipe të kulluar dhe me humanizmin e tij ka ndihmuar mjaft shqiptarë në nevoja të ndryshme, ndaj dhe shqiptarët i shprehin mirënjohjen e pakufishme për tërë jetën.

 

Fund maji, 2016

Staten Island, New York

 

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Zylo, Me pastorin amerikan Steve Galegor që flet, një shqipe të kulluar

BOTIM BIBLIOGRAFIK PËR ARBËNESHËT E ZARËS

May 24, 2016 by dgreca

Prof.dr.Aleksandar Stipçeviq, SHQIPTARËT PËR ARBËNESHËT E ZARËS, Botoi: Kisha Katolike-Braticë, Ulqin 2016/

Nga Dr.Nail DRAGA/

Trajtimi i temava në lidhje me diasporën shqiptare paraqet çështje me interes shumëdimensional, nga vet fakti se ata janë pjesë e pa ndarë e  kujtesës sonë kombëtare. Në kuadrin e diasporës historike bën pjesë edhe ajo e Arbëneshëve të Zarës, të cilët janë vendosur në ketë mjedis në dekadën e tretë të shekullit XVIII, përkatësisht në vitin 1726.

Pra ky vit është jubilar i 290-ti  i vendosjës së tyre në mjedisn e ri, duke kriuar vendbanimin e tyre me emrin Arbanasi, në Zemunik të Zarës. Por, ndonëse kanë kaluar rreth tre shekuj, të popullsia arbëneshe e Zarës, ndonëse e vogël në numër dhe e shkëputur nga vendi ame Shqipëria veriore, ata nuk e kanë humbur identittein e tyre kombëtar. Ata si të shpërngulur   nga zona e Shestanit në pjesën veri-perendimore të Krajës, me plot sakrifica mbijetuan dhe sfiduan rrethanat e kohës, duke bërë emër në mjedisin e ri përmes kuadrave të njohura në veprimtari të ndryshme shoqërore.

Interesimi për arbëneshet sipas informacioneve që disponojmë është i dukshëm nga fundi i shek.XIX, e më pas, nga del se nga ajo kohë janë shkruar artikuj dhe studime të ndryshme për këtë diasporë shqiptare.

Në gamën e gjerë të studiuesve vend kryesor zënë gjuhëtarët, sepse e folmja arbëneshe, është arkaike dhe me shumë interes për zhvillimin historik të gjuhës shqipe dhe të leksikut të saj. Madje për ketë të folme janë mbrojtur edhe disertacione nga autoritete shkencore siç është  psh. dr.I.Ajeti etj.

Arbëneshët e Zarës kanë dhënë përsonalitete nga fusha e letërsisë siç është Josip Rela, artit muzikor Shime Deshpali, shkencës Kruno Kërstiqi, Aleksandër Stipçeviqi, sportit Josip Gjergja etj. Për  këto veprimtari por edhe të tjera, autori i këtij botimi sjell të dhëna më interes, që japin mundësi për  hulumtime të metutjeshme.

Nuk ka dilemë se personaliteti më madhor i arbëneshëve të Zarës, ishte akademiku Aleksandër Stipçeviqi(1930-2015)  që ishte studiues shumëplanësh si në arkeologji, ilirologji, albanologji, histori, etnologji, bibliologji   e socilogji të librit  i pranuar  ne përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në sajë të përgatitjës profesionale dhe njohës i disa gjuhëve të huaja veprimtaria shkencore e A.Stipçeviqit zhvillohet në disa drejtime, ndërsa dy prej tyre mbesin kryesore, arkeologjia dhe bibliologjia. Ka botuar në publikimet nacionale dhe ndërkombëtare rreth 40 libra dhe më shumë se 200 punime shkencore dhe profesionale  në gjuhën kroate, italiane, shqipe, angleze, franceze, arabe e perse.

Ndër botimet kryesore veçojmë: ”Arti dhe religjioni i Ilirëve”, “Ilirët”, “Bibliografia e Ilirëve”, “Ilirët-historia, kultura, jeta”, “Simbolet e kultit të Ilirët”, “Historia e librit”, “Censori i përsosur”, “Historia sociale”, “Tradita kulturore e arbëneshëve të Zarës” etj.

Për veprimtarinë e tij shkencore është dekortuar me tituj të ndryshëm, ku në mes tjerash edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Rexhep Mejdani  në vitin 2001, me dekoratën “Naim Frashëri i Artë” me motivacion ”për kontribut në zbardhjen e historisë së Ilirëve” , si dhe me dekoratën “Gjergj Katstrioti-Skënderbeu” nga presidenti Bujar Nishani në vitin 2015, “për meritat shkencore, publicistike dhe kombëtare”.

Nga opusi i gjerë kriues  i A.Stipçeviqit ka mbetur emblematike thënia e tij se “historia e Ballkanit  fillon me Ilirët”, duke u bërë testament për sudiuesit serioz nga fusha e historisë së kohës  vjetër.

Autori në këtë studim bibliografik na paraqet një regjistër të gjerë autorëve shqiptarë të cilët kanë trajtuar tema të ndryshme në lidhje me arbëneshet e Zarës. Të dhënat më të numërta nga kjo gamë janë nga botimet në Prishtinë, Shkup, Tiranë dhe Ulqin.

Me këtë rast duhet veçuar revistën BUZUKU në Ulqin, të drejtuar nga dr.Simë Dobreci e cila në disa numra ka botuar materiale që kanë të bëjnë me arbëneshet e Zarës. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse është e origjina e përbashkët e kësaj popullsie e cila është prezantuar përmes letërsisë popullore por edhe artikujve të ndryshëm fushave të të tjera.

Duke shfletuar këtë botim bibliografik bie në sy  se më i madh është numri i autorëve nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, ndërsa më i vogël  i atyre nga Shqipëria. Duke marrë parasysh  se gjysma e popullit shqiptarë ishte në kuadër të ish-Jugosllavisë, ka edhe logjikë që shqiptarët në këtë shtet e kanë pasur më lëhtë mundësinë e komunikimit me arbëneshët e Zarës. Por, nga ana tjetër qendrimi pasiv apo më mirë të themi indiferent i Shqipërisë është e pasojë e rrethanave politike në kohën e diktaturës moniste  ku në rend të parë ishte qasja ideologjike e jo ajo kombëtare, çështje kjo e cila ishte me pasoja për kombin shqiptarë në tërësi, që janë të pranishme deri në ditët tona.

Por, është për të ardhur keq se Shqipëria, përkatësisht institucionet përkatëse nuk janë duke luajtur rolin e tyre që iu takon edhe me Kushtetën e Shqipërisë edhe tash në pluralizëm. Sepse duhet të jetë detyrë parësore e shtetit shqiptar, përkatësisht institucionëve të tij, për tu ineteresuar për pjesëtarët e popullit shqiptarë kudo që janë ata, sikurse veprojnë shtetet tjera anë e kënd botës. Qendrimi indiferent në këtë kohë nuk mund të arsyetohet me asgjë, sepse edhe kjo diasporë është pjesë e pandarë e kujtesës sonë historike.

Botimi i këtij libri bibliografik, në dy gjuhë kroatisht dhe në shqip përkthyer nga dr.Simë Dobreci, paraqet një nismë me vlerë sa kulturore e shkencore dhe si e tillë  do të jetë i domosdoshëm për të gjithë ata që do të trajtojnë tema të ndryshme për  arbëneshet e Zarës. Sepse bibliografia paraqet fazën parësore për çdo qasje të punimeve shkencore.

Edhe pse kemi të bëjmë me një botim të tipit të broshurës të dhënat e  prezantuara   në të ardhmën   duhet të plotësohen, sepse indeksi i regjistrit  bibliografik duhet të jetë me i lartë, detyrë kjo qe mbetet të realizohet nga autorë të tjerë.

Nuk ka dilemë se një  veprim i tillë do të jetë në favor të botimeve dhe hulumtimeve shkencore nga fusha e bibliografisë  në veçanti dhe kulturës sonë kombëtare në përgjithësi, ku arbëneshët e Zarës do të mbesin një pikë pozitive referimi në historinë tonë kombetare.

Dr.Nail  Draga

 

(Fjala e mbajtur në përurimin e librit në Ulqin më 17.5.2016)

 

Filed Under: ESSE Tagged With: BOTIM BIBLIOGRAFIK, Nail Draga, PËR ARBËNESHËT E ZARËS

Diaspora-Në Austri mbahet Olimpiada për shkollat shqipe

May 24, 2016 by dgreca

-Ky aktivitet u organizua nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë/shërbimi konsullor, Ministria kosovare e Diasporës  dhe nga Komuna Melk, i mbështetur nga Rrjeti i Studentëve dhe të Rinjve Shqiptarë, si dhe nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri/

 MELK, AUSTRI, 24 Maj 2016/ Ka përfunduar “Olimpiada e nxënësve 2016” në Melk, Austri, ku morën pjesë nxënës të shkollave shqipe në diasporë: nga Gjermania, Austria, Italia dhe qyteti i Melk-ut, si dhe nxënës nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Ky aktivitet u organizua nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë/shërbimi konsullor, Ministria kosovare e Diasporës  dhe nga Komuna Melk, i mbështetur nga Rrjeti i Studentëve dhe të Rinjve Shqiptarë, si dhe nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri. Njoftimi i derguar sot thekson se, garat sportive në shumë disiplina u zhvilluan në terrenet sportive të qytetit të Melkut.

Në hapjen zyrtare të “Olimpiadës shkollore 2016” morën pjesë ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati; kryetari i qytetit Melk, Thomas Widrich; ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Roland Bimo, konsulli i Republikës së Kosovës, Imer Lladrovci; si dhe personalitete të tjera të nivelit republikan dhe lokal të autoriteteve austriake.

Në fjalën hyrëse të këtij aktiviteti, ministri Murati, pasi i përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi Komunën e Melk-ut për përkrahjen e kësaj olimpiade, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të konsullit Lladrovci e bashkëpunëtorëve të tjerë, i uroi fëmijët për suksese. 

“Jam i nderuar që sot, së bashku me të gjithë ju, jemi në Melk për olimpiadën e parë shkollore për shkollat shqipe të diasporës, duke përfshirë edhe nxënës të trevave shqiptare. Le të jetë kjo një nismë tjetër jona për të promovuar mësimin e gjuhës dhe të kulturës shqiptare në diasporë, si dhe shoqërimin dhe integrim tuajin sa më të mirë vendet ku jetoni, përmes sportit dhe mësimit”, u shpreh ai.

Kryetari i qytetit Melk, Widrich u uroi mirëseardhje mysafirëve dhe i falënderoi të gjithë për pjesëmarrje në këtë garë.

“Jemi të gëzuar dhe të privilegjuar që sot kemi mbi 150 nxënës, mësues dhe prindër shqiptarë nga shume vende të Evropës, të cilët do të luajnë, garojnë, socializohen, por edhe do ta gjallërojnë qytetin tonë”. 

Ministri Murati, kryetari Widrich dhe konsulli Lladrvoci, në fund të ceremonisë hapëse, sipas traditave dhe rregullave, ndezën flakën olimpike.

Aktivitetet sportive u zhvilluan në disa disiplina sportive, si: futboll, volejboll në rërë (për meshkuj dhe femra), not, atletikë (vrapim, kërcim së gjatë, hedhje e gjyles, hedhje e topit etj.).

Në fund të dy ditëve të garave, garuesit më të suksesshëm u shpërblyen me medalje, kupa dhe me certifikata, si dhe u dha një program kulturor dhe poetik nga nxënësit pjesëmarrës.

Ky aktivitet planifikohet të organizohet edhe në të ardhmen, me synimin që të bëhet tradicional./b.j/

Filed Under: Mergata Tagged With: Diaspora-Në Austri mbahet Olimpiada, për shkollat shqipe

Zv/Ambasadori Amerikan: S’ka kohë për ndryshime, përfundoni reformën!

May 24, 2016 by dgreca

Zëvendësambasadori amerikan tregoi raste konkrete, sesi dy kompani amerikane vendosën të largoheshin nga Shqipëria, kur u përballën me vendime gjyqësore të padrejta. Bashkë me shembujt konkretë ishte edhe llogaria konkrete. “Vitin e kaluar ne kemi biseduar me disa kompani që do të investonin 250 milionë dollarë, por këto kompani vendosën të investojnë tjetërkund, për shkak të frikës se nuk do të kishin një gjykim të drejtë në gjykatat shqiptare”, tha David Muniz. Që situata të marrë fund, investitorët e huaj bashkë me përfaqësitë diplomatike mbështetën pa rezerva Refomën në Drejtësi. Por, kur reforma është në kapitullin e fundit të saj, kur deri tani nuk është bërë asnjë votim i neneve dhe kur Partia Demokratike ka draftin e saj, që kërkon thjeshtësimin e arkitekturës së sistemit, amerikanët kanë një mesazh për të dhënë. “Parlamenti është në kohën e duhur për ta miratuar refomën. Nëse ka negociata që duhen zhvilluar në mënyrë që drafti përfundimtar të votohet, është shumë vonë që të bëhen ndryshime thelbësore për pjesë të rëndësishme të reformës. Le të ecim përpara dhe t’i japim fund. Nuk ka më kohë për vonesa dhe argumente të pafundme”, tha David Muniz. Ambasadorët kanë nisur të përdorin edhe skenarin, se ata e dinë kush është kundër reformës. “Ka grupe dhe individë që nuk e duan këtë reformë. Dhe ne e dimë këtë. Ne dimë arsyet dhe frikën e tyre. Ata përpiqen dhe do të përpiqen deri në fund ta shtyjnë reformën, ta ndryshojnë dhe ta pamundësojnë atë. Por nuk ka më kohë për të luajtur kukafshehtas”, tha Romana Vlahutin. Deri tani, askush nuk thotë asnjë emër, por mesa duket, po u jepet ende kohë negociatave për një draft konsensual.

Filed Under: Komente Tagged With: perfundoni reformen, zv/ambasadori amerikan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT