Opinion nga Ilir Levonja/
Eshtë një gazetar i yni që vjen nëpër këndet e Shqipërisë me mikrofon në dorë. Dhe mbeti duke na thënë se grekët, serbët, malazezët etj., po na vjedhin. Ky quhet Marin Mema dhe për më tepër një lukuni e tërë idealistësh të një patriotizmi të rremë, i kërkojnë Presidentit të Republikës shpalljen e tij Nderi i Kombit.
Së fundi po na flet për bimët e rralla të Kukësit që serbët po ua mohojnë identitetin shqiptar. Një soj i tulipanit, që vetëm dheu ynë paska fatin e madh ta rrisi në gjirin e tij.
Kjo frymë patriotike që i sillet me të njëjtën energji negative prej vitesh. Aq sa sot në kohën e globalizmit duket kaq bajate. Kaq e pështirë sa të krijohet përshtypja se të gjithë na i kanë me hile. Të gjithë na urrejnë. Të gjithë duan të na shfarosin. Dhe po na shfarosin. Edhe pse jemi kthyer në pushtues real të Ballkanit, Apenineve e më tutje. Të gjithë na kanë halë në sy. Kur e vërteta është se armiqtë më të mëdhenj, më të egër, më perversë, jemi vet ne për njëri-tjetrin. Jemi vet ne për vetveten. E këtu përfshihen të gjitha mënxyrat që ne, në një apo tjetër mënyrë jemi duke ia bërë, shoqi-shoqit dhe shqiptarizmës në përgjithësi.
E para…, hiqeni nga koka teoritë se Greqia po na vjedh. Nuk ka se çfarë na vjedhi. E ka plot hambarin…, është trualli i luftrave të lashtësisë. I demos-it dhe lirisë së fjalës. Një nga shembujt tashmë të përjetshëm i katedrave universitare kudo në botë. Dhe nuk mjafton vetëm kjo, por ka edhe të tjera. Kështu edhe Serbia, që ndjerë e pa u ndjerë, nga një vatër predhash sot doli prapë një aleate e Perëndimit. Kurse ne prapë vasalë e kritikues të tij.
E dyta…, ka mbaruar fryma patriotike e rreme. Ajo që ka ekzistuar për shkak të një lloj soji mes vendeve tona. Pikërisht duke i fryrë çështjeve të kota me valivtje flamuri. Sa nga Shqipëria, sa nga Greqia, sa nga Serbia.
Sado të sillemi evlement të së drejtës, ajo asnjëherë nuk është e jona. Por e një realiteti që ne e kemi nëpër duar dhe nuk dimë ta jetojmë. Grindemi për varrezat? Çfarë, grekët aty luftuan, luftuan për të mbrojtur lirinë e tyre. U vranë njëmbëdhjetëmijë njerëz. Tjetër gjë se në çështjet shtetërore, punë komisionerësh palësh që shiten për një dopio raki. Që nga oficerë regjimesh kthehen në priftërinj. Që se kanë për gjë, të shesin eshtrat e gjyshit për një grusht dhrahmi, a euro. Cilësojeni çfarë të duash etj. Dhe në një farë mënyre duam, apo nuk duam, qe një armatë e tërë shqiptarësh në radhët e Italianëve pushtues. Edhe pse ne përpiqemi t’i justifikojmë.
E konvertuam çështjen e pronave të çamëve me Bashkinë e Rrogozhinës. Dhe prapë fajin na ia kanë grekët. Ata po na vjedhin.
E kemi lënë Nolin në Boston, shtëpinë e tij të kalbet në Fort Lauderdale. Dhe prapë na e vodhën grekët besimin.
Ndërkohë e mbushëm ortodoksinë me policë e oficerë të regjimit.
Me shfarosësist e besimit. Dhe qahemi si ato gratë e këqija.
E treta …, kjo verbëri shekujsh ndaj armikut vetvete. Që po na asfikson sojin. Asesi se vihet re. Përkundrazi në emër të kësaj fryme dhe urrejtje, sot Kosova është Kosovë. Gjysmë e turqizuar aq sa në një emision të para disa ditëve, të cilin po e ndiqja i çuditur. Për çështje të martesa në mituri. Ku perçet etj elementë, janë të denja për botën e Afganistanit. Jo për Dardaninë e shqiptarit Rrugova. Po çfarë t’i thuash kësaj. Ndonjë ditë Marini do na bëj emision se po na vjedhin afganët perçen e tradita e mira muslimane.
E katërta…, po përmbysim sheshet. Qëndrat e qyteteve…mendojeni memoria jonë ndryshon çdo dhjetë vjet. Herë jemi kinezë, herë, sovjetikë, herë Turqi, herë Greqi, herë Itali, herë Arabi, herë modernë, herë tropikas etj. Po asnjëherë shqiptarë. Edhe pse hiqemi patriotë. Edhe pse çirremi për një tabelë sllave, greke, etj.
U shqyem me mbetjet e Perëndimit duke bombarduar të përditshmen tone me reklamat e tyre.
Çfarë tjetër? Eh, është një devijim total i mëndësisë intelektuale.
Duke shpikur e folur përjetësisht për armiq të jashtëm. Dhe asnjëherë për armikun real, vetveten.
Dhe ta dini, sa kohë që nuk respektojmë vetveten, nuk ka për të na respektuar kush. Por do endemi kështu, të dominuar nga një frymë e tillë. Nga mendësia se të tjerët po na vjedhin.
Eshtë koha e globalizmit, Marin. Dhe shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm në ‘të. Aq më tepër që bimët janë produkt i pëgëres së zogjve. Po, po…, zogjtë me farat e tyre rrojnë. Hanë këtu dhe nxjerrin diku tjetër. Zogjtë janë mbi kufijtë. Mëshoi armikut vetvete. Hasanizimit dhe luftës me ta futur kaq shekullore mes shqiptarëve kosovarë, shqiptarëve muslimanë, shqiptarë ortodoksë, shqiptarëve turq e grek, shqiptarëve maqedonas e malazez…, shqiptarëve pa din e imam siç themi ne. Pasi me mendësinë tënde i bie, që sot të na akuzojë Pakistani, vendi i hashashit dhe opiumit. Se njerëzimi i ka vjedhur bimën e artë.
Lërini armiqtë e jashtëm. Se më të rrezikshmit jemi ne, batalioni i shushanjave të shqiptarizmës.
24 maj 2016