• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

POEZIA E KARRIERËS SIME

May 12, 2016 by dgreca

Nga Avzi Mustafa*-Shkup/

Të nderuar studentë të tashëm, ish studentë të mi dhe të nderuar kolegë,/

Kam zgjedhur sot ta mbaj ligjëratën e fundit në karrierën time aktive si profesor në universitet dhe kam dashur që në këtë ditë ta them, si të thuash, fjalën e time të fundit, që mund të merret edhe si porosia ime e fundit për ju që jeni këtu.

Unë nuk e pandeh veten si ndonjë profet, që sot do ju thotë diçka që ju nuk e keni dëgjuar, as nuk e shoh veten si ndonjë shpëtimtar që do jua thotë ndonjë gjë që do ju shpëtojë. Thjesht, ashtu siç kam qenë gjatë gjithë karrierës sime aktive si profesor, edhe dua të dal prej këtu.

Madje, nuk kam as pretendime të larta që sot të mbaj para jush ndonjë ligjëratë me përmasa historike, për arsyen e thjeshtë se pretendime të tilla nuk kam pasur as gjatë punës sime aktive në këtë universitet.

Por, kur dëshiron ta mbash ligjëratën e fundit, doemos më udhëhiqte prirja se cilat fjalë do i zgjidhja që ta përfundoj këtë karrierë dhe kjo në të vërtetë më shumë i ngjan punës së një poeti sesa të një studiuesi. Ashtu siç arrin një poet përmes një vargu, një strofe a një poezie, të na përcjellë një mesazh që një prozatori, një filozofi ose një studiuesi do t’i duhej ta shkruante një libër të tërë, e tillë do të doja të ishte sot ligjërata ime. Një poezi me disa vargje ose me disa strofa.

Në këtë mënyrë do të më lejoni që vargun e parë të kësaj poezie ta quaj “Nuk ka rastësi, por vetëm urtësi”. Jeta më ka mësuar se, ndonëse neve disa momente të jetës na duken të rastësishme,  shumë më vonë e kuptojmë se pas tyre është fshehur një urtësi, një sekret, i cili e ka mundësuar zhvillimin e një ngjarjeje. Më lejoni këtu të bëj një digresion të shkurtër. Kjo që them i ngjan rrëfimi biblik ose kuranor – si të doni merreni – me Mojsiun ose Musain, i cili derisa kthehej në Egjipt, u ndal diku rrugës dhe pa një zjarr diku. Mendoi se aty ka dikush dhe shkoi të kërkojë pak zjarr prej tij, por kur shkoi aty, e dëgjoi zërin e Perëndisë, i Cili e shpalli profet. U nis për të marrë një dritë, ndërsa përfundoi profet i Zotit. Po e përsëris se nuk kam pretendime të tilla, por rruga ime jetësore nisi me synimin që të mos bëhem zanatçi, por të bëhem mësues fshati, ndërsa Perëndia më bëri pedagog universiteti. Një fëmijë i varfër nga Greshnica në vitet e ’50-ta të shekullit të kaluar, që vinte nga një familje mjaft e varfër për kushtet e kohës, as që ëndërronte se karriera e tij do të ishte universiteti. Krejt kjo filloi kur arsimtari im i shkollës fillore më regjistroi në Shkollën Normale në Shkup dhe këtu ishte kthesa ime. Pas shkollës normale, desha ta regjistroj psikologjinë, por atëherë nuk kishte, andaj hyra në pedagogji. Aty takova po ashtu profesorë, që dukeshin si në rastësi, ndërsa kjo ishte urtësi, të cilët ishin arsyeja që unë u punësova në fakultet para se të hapej katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare. Ndonëse unë vazhdoja ta kem synim mësuesin në fshatin tim, përfundova këtu ku jemi sot. Kjo për mua nuk është rastësi, por një urtësi, një sekret që nuk kam si e shpjegoj ndryshe, pos me terma të metafizikës. Dhe, që të jem i sinqertë, mua Zoti më ka dhënë në jetë më shumë seç kam imagjinuar vetë. Andaj jam falënderues dhe ky ka qenë motivi im kryesor që edhe unë të jem si arsimtari i im i fillores për një nxënës ose të jem si profesorët e mi për një student që vjen prej diku si unë dikur. Që edhe unë t’i dukem atij rastësi, ndërsa ai pas një gjysmëshekulli ta kuptojë se ajo ka qenë urtësi.Vargu i dytë i poezisë, që po e quajmë ashtu kushtimisht, është “Arsim për të gjithë”. Dhe, kjo nuk është diçka që e unë e them së pari, as që e shpik unë, por as nuk dua ta merrni si patetike. Ndonëse ne sot hedhim gurë e dru kundër ish sistemit socialist, madje edhe unë vetë kam plot arsye politike ta kundërshtoj atë, por ajo që dua ta vlerësoj dhe ta theksoj është se vetëm në atë sistem një djaloshi të varfër të Greshnicës iu mundësua të bëhej profesor universiteti. Unë dhe ju kemi të drejtë të jemi kundër atij sistemi për shkak të padrejtësive kombëtare që i kemi pësuar atëbotë, por nuk guxojmë të mos jemi mirënjohës për këtë fakt. Me ato pak kapacitete ne arritëm të ndërtojmë kuadro dhe ta mbajmë shkollën shqipe, madje të hapim edhe programe studimore në fakultete. A mund ta imagjinojmë si do të ishin shkollat tona pa Shkollën Normale dhe pa Akademinë Pedagogjike? Për këtë arsye, mund të tingëllojë jo e përshtatshme për kushtet e sotme, por unë në aspekt të arsimit do të mbetem socialist i tipit europian: do të doja që secilit fëmijë në secilin fshat të vendit t’i mundësohet arsim falas. Jam pastaj këmbëngulës që arsimi publik të jetë cilësor maksimalisht dhe të mos bëhet arsimi cilësor vetëm luks dhe vetëm mundësi e të pasurve.

Vargu i tretë i kësaj poezi do të ishte “Çfarë është e rëndësishme në jetë?!”. Kjo është një pyetje që sigurisht i ka sfiduar edhe filozofët, edhe teologët etj., por ajo që unë dua ta theksoj këtu është se karriera ime më ka mësuar se më e rëndësishme se gjithçka në jetë është sekreti i lumturisë. Ne shumë herë në jetë insistojmë në diçka dhe mendojmë se, nëse nuk bëhet ajo, ne kemi dështuar. Kur je i varfër, kënaqesh me dy kore bukë; kur të hash bukë, kërkon diçka më shumë; kur të kërkosh punë, në fillim pranon gjithçka; kur mendon se mësuesi është kulmi dhe pastaj e arrin, e sheh se as ajo nuk ka qenë diçka shumë; pastaj kërkon të bëhesh profesor dhe e arrin edhe atë dhe e sheh se përsëri as ajo nuk ka qenë diçka që do të duhej të të mahnitë. Dhe, jo që nuk është e rëndësishme të jesh zanatçi, mësues ose profesor, por e kam fjalën që më e rëndësishme se kaq në jetë është të mësohesh të jesh i lumtur me atë që e ke. Sepse, kur je mirënjohës për atë që e ke, Zoti ta hapë një derë tjetër dhe të shpie diku që nuk e ke imagjinuar. Këtë e kam provuar vetë në jetë dhe prandaj ju flas nga përvoja. Andaj, gjatë gjithë jetës nuk jam lodhur të kem vetëm arritje, sa jam angazhuar që në atë që e bëj, të gjej lumturi dhe kënaqësi.

Vargu i katërtë i kësaj poezi është “Profesioni më i mirë është i mësuesit”. Unë e di se sot janë krijuar disa profesione që paguhen shtrenjtë, siç është fjala bie menaxher, dizajner, spin doktor, PR-menaxher dhe ato janë profesione që paguhen mjaft mirë, ama unë jam i bindur se asnjëri nga këto nuk është profesion më i bekuar se mësuesi, se profesori. Sepse profesori është një profet i llojit të vet. Derisa një inxhinieri i mundësohet ta projektojë muret, një dizajneri të modelojë një pamje, profesorit shoqëria ia ka besuar qeniet njerëzore, që ai t’i modelojë ato dhe t’i bëjë së pari njerëz, pastaj të ditur, më tej profesionistë, humanë dhe qytetarë të suksesshëm të shoqërisë. Dhe, unë kujtoj se kjo detyrë është më e vështira dhe njëherazi më e shenjta. Për këtë arsye unë jam i bindur se nuk ka më mirë se të jesh profesor. Bile edhe mjeku që e shëron një pacient nuk është më i lumtur se një profesor që ka krijuar me mijëra studentë. Në duar të profesioneve të tjera është e sotmja, ndërsa në duar të mësuesit, profesorit, është e ardhmja. Sa për informacionin tuaj, nëpër duart e mia kanë kaluar jo më pak se 10.000 studentë. Dhe, nëse unë jam bërë shkak që edhe 10%-shi i tyre ta kenë pasur jetën më të lehtë dhe të lumtur pasi që kanë ndjekur orët e mia, unë sot me kënaqësinë më të madhe do ta kaloja pjesën e mbetur të jetës. Mësuesia nuk është profesion, por është mision. E dini që Jezuin në Bibël e quajnë Mësues.

Megjithatë, ndonëse i kam arritur këto përjetime dhe jam shumë i lumtur për to, kjo nuk është e tëra. Prandaj vargu im i fundit do të ishte “Bëhu njeri”. Unë e di se ka studentë që më respektojnë dhe mbase ka të tjerë që, për ndonjë arsye, nuk e kanë atë qëndrim ndaj meje. Po ashtu ka edhe kolegë e miq me qasje të ndryshme. Unë e di se ka kolegë që më duan dhe më nderojnë më shumë seç meritoj, por ka edhe të tillë që ndonjëherë mund të kenë folur edhe gjëra të pakëndshme për mua dhe ja ua them këtu, ndonëse mund t’i supozoj ndonjëherë, ndaj askujt nuk mbaj hidhërim dhe të gjithëve ua falë me gjithë zemër. Krejt karriera ime në të vërtetë ma mësoi vetëm një gjë: BËHU NJERI. Para se jesh profesor i mirë, para se të jesh shkencëtar i mirë, para se të kesh shkruar e botuar dhjetëra libra e qindra artikuj, siç i kam bërë edhe unë me modestinë time, më e rëndësishme është të jesh njeri. Zaten ky, sipas meje, është misioni jonë në jetë. Dhe, përveç kësaj, me rëndësi të jesh në jetë njeri pozitiv. Sepse, siç thotë mistiku i madh Rumi:

O njeri, ti je siç dëshiron ta shohësh veten vet,

Sa për mish e kocka, dheu do t’i tretë

Nëse mendon për lule, kopsht me lule je

Nëse mendon për gjemba, shkarpa për zjarrin je.

Jam munduar që botën ta shoh si një kopsht me lule, andaj sot – kur po e përfundoj karrierën time profesionale – ndjej në zemër një buqetë me lule.Me gjithë punën time prej profesori, me gjithë punën time prej autori të teksteve shkollore, me gjithë punën time prej studiuesi të shkollës shqipe, me gjithë punën time si autor i abetares, krejt kjo më ka mësuar se kështu unë nuk jam bërë as profesor, as shkencëtar, as pedagog, por vetëm njeri. Dhe, kjo mendoj se është arritja më e madhe. Të gjitha ato grada kanë qenë shkallët që është dashur t’i eci që të bëhem njeri. Ndërsa qëllimi i jetës nuk qenkan shkallët, por qenka lartësia e misionit.

Do ta përfundoj ligjëratën time duke ju thënë: Ju lutem shikojeni karrierën tuaj si shkallët që ju ndihmojnë të ngjiteni diku, por kurrë mos i merrni shkallët si qëllimi i jetës suaj.

Të dashur të pranishëm, koha jonë është e kufizuar. Mua më duket si katër orë ky katërdhjetëvjeçar këtu. Nesër edhe ju do të jeni në këtë katedër. Prandaj ju lutem jetojeni çdo ditë me këtë synim. Jetojeni çdo ditë të jetës suaj sikur të jetë dita e fundit dhe ju do ta keni dëshirën që atë ditë ta lëni gjurmën tuaj më të mirë. Sepse, në të vërtetë, gjithë jeta është një ditë e bukur, që përfundon me një muzg, siç është pleqëria.

Dikush nesër do të më kujtojë për 30 e ca librat që i kam shkruar, dikush mund të më përmendë për ndonjë artikull shkencor a artikull publicistik, por unë do të jem i lumtur nëse me këtë ditë – që thamë se e quajmë jetë – jam bërë shkak që në mendjen e tij ta kem ndezur dashurinë për të vërtetën, në zemrën e tij ta kem ndezur dashurinë për njerëzoren dhe në shpirtin e tij ta kem ndezur lumturinë nga këto dyja.

Po përfundoj duke iu rikthyer edhe një herë Rumiut, mjeshtrit të madh të zbulimit të sekreteve të jetës:

Bëhu si lumi në bujari dhe ndihmë,
Bëhu si dielli në zemërgjerësi dhe mëshirë
Bëhu si nata në mbulimin e mangësive të tjetrit,
Bëhu si i vdekuri në hidhërim dhe kërcënim,
Bëhu si dheu në modesti,
Bëhu si deti në mirëkuptim,
Si do që të bëhesh,
Ose duku ashtu si je
Ose bëhu ashtu si dukesh.

Ndërsa gjeniu i shekullit të kaluar, Albert Ajshtajni, pas kësaj do të thoshte: “Vlera e një njeriu duhet parë në faktin se çfarë jep e jo në atë se çfarë është në gjendje të marrë.”

Unë kaq kisha t’ju jap dhe këtë jua dhashë! Dhe, si kundërvlerë, nuk dua asgjë!

Ju faleminderit dhe qofshi të bekuar!

Shkup, 12 maj 2016

*(Ligjerata e fundit e karrierës sime  aktive si profesor)

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Avzi Mustafa, E KARRIERËS SIME, poezia

Sfida e Presidentit me qenin e sulmit te Rames!!!

May 12, 2016 by dgreca

Opinion nga Enver Bytyci/

Opinioni publik sapo eshte njoftuar nga nje reagim legjitim i Presidentit te Republikes, zotit Bujar Nishani. Reagimi i tij adresohet kunder akuzave publike te kryetarit te fiqve dhe pjeshkave, Erjon Velija, pasi ky i fundit perdori para dy ditesh studion Opinion te shpife kunder kryetarit te shtetit. Erionka e quajti presidentin hajdut dhe e sulmoi sic sulmonte diktatori komunist shqiptar te ashtuquajturit poliagjente. Me pas e sulmoi dhe te merkuren e kaluar kur rrethoi gjykaten administrative. Velija rrethoi e terrorizoi gjyqtaret e administratives, i beri ata te nderpresin vendimmarrjen e nderkohe sulmoi presidentin, kreun e opozites dhe ish- kryeminustrin. Presidenti Nishani ishte ne vizite zyrtare ne Kroaci, kur Erjonka leshoi akuzat plot shpifje kunder tij. Dmth duket se kemi nje riciklim te vesit te veprimeve tinzare, pervecse nje sulmi te paprecedent kunder institucionit me te paster moral te vendit. Presidenti Nishani konfirmoi se shpifjeve te kreut te Bashkise se Tiranes do t’u pergjigjet duke vene ne levizje prokurorine dhe gjykaten. Ai tha shkurt e qarte: Drejtesia duhet te hetoje e provoje akuzat e Erjon Velise adresuar presidentit, ose duhet ta hetoje e denoje kete zyrtar lokal per shpifje e denigrim te qellimshem te institucionit te Presidentit! Cilat jane risite e rastit te zotit Nishani? 1. Ai eshte personi zyrtar me i larte i shtetit e njekohesisht me i sulmuari nga falangat e krimit ne ekzekutivin shqiptar. Shihni kush e sulmon, tre personat kryesore: kryeministri Rama, qeni i tij i sulmit, Erjon Velija (ketu po i referohem nje kabllogrami te ish ambasadorit Widhers) dhe ministri i Brendshem, Sajmir Tahiri. Qeni i sulmit i Rames nga sulmi shkoi te shpifja. E gjitha ndodhi pasiqe presidenti nuk u josh te behet “Bamke” ne duart e Rames. Ndodhi se zoti Bujar Nishani nuk u bashkua me antishtetin e Rames per t’ia mundesuar atij kontrollin e gjyqesorit. Nuk ka ndodh ne kete vend pervecse ne rastin e Berishes, qe kreu i shtetit shqiptar te jete kaq i vendosur e stoik ne parimet e tij ne mbrojtje te interesit publik, te interesit te qytetarit e te se vertetes. Prandaj shpifesi profesionist, Erjon Velija, e ka humb durimin e bashke me te, edhe mendjen. 2. Presidenti Nishani eshte shfaqur si gardian i kudhtetutes dhe shtetit te se drejtes. Jane shume ligje, te cilat gjykata kushtetuese i ka anuluar me kerkese e argumente te Presidentit. Nderkohe Rama nisi me ngut te bente nje reforme ne drejtesi, e cila do te duhej ta kthehej ne modelin e kohes se diktatures, pra nje instrument politik te kryeministrit. Presidenti Nishani ngriti pyetjen asgjesuese: Cfare eshte kjo reforme nga e cila eshte perjashtuar kryetari i Keshilli te Larte te Drejtesise si dhe gjithe strukturat e prokurorise, gjykatave dhe avokatise?! Kjo pyetje kthjelloi sidomos faktorin nderkombetar, i cili besonte verbazi ne “virgjerine” e sinqeritetin e Rames. Lindi dyshimi per manipulimin e reformes dhe sot jemi ne piken me te nxehte, kur duket se askush brenda dhe jashte vendit nuk mund t’i besoje me Edi Rames. Dmth presidenti Nishani me autoritetin e tij moral, politik e institucional permbysi nje situate vendimmarrjeje te rrezikshme per lirine e demokracine shqiptare, por te favorshme per autoritetin arrogant te qeversjes se rilindjes. Kjo do te thote se Rama po hakmerret ndaj kreut te shtetit permes qenve te sulmit qe ka stervit ne oborrin e tij. 3. Faza e sulmit dhe shpifjeve kunder zotit Nishani dhe autiritetit te tij ka kaluar ne stadin e nje presioni te papare ndonjehere ne raportet midis ekzekutivit dhe presidentit. E di se dikush do te me jepte si rast marredheniet midis Bamir Topit dhe kryeministrit Berisha. Por rasti eshte krejt tjeter, madje i kthyer koke-poshte, sepse Topi ishte president i se djathtes qe votonte kryeopozitarin e majte, Edi Ramen. Nga ana tjeter te dy keto figura, Topi dhe Nishani, jane karaktere me moral politik te ndryshem, ndoshta te kundert. Artitja ne kete kulm sulmesh e shpifjesh kunder presidentit ka mundesi te jete deshmi e panikut ne kupolen e ekzekutivit shqiptar. Ne panik gjithmone mungon kontrolli. Dhe aresyeja e renies ne panik te tyre eshte e gjithanshme. Fillon me trafiqet, vijon me kriminalizimin e deputeteve dhe administrates shteterore, vijon edhe me korrupsionin e larte, duke perfunduar te kriza ekonomike, sociale e politike. Edhe sulmi terrorizues i Erjon Veliajt kunder gjykates eshte shenje paniku, ne te cilin jeton kreu i Bashkise se Tiranes. Per kete aresye presidenti Nishani deshmoi maturi e urtesi kur pranoi sfiden me Erjon Veline. Nuk ka ndodhur te zhvillohet ne asnje rast ne 26 vite kjo lloj sfide. Drejtesia do te duhet te hetoje e te provoje te verteten: nese kemi nje president “hajdut”, apo kemi nje kryetar badhkie shpifes. Une bej pjese ne grupin e njerezve qe kam besuar e besoj se Shqiperia ka nje president me integritet, te paster nga pikepamja morale e politike, te perkushtuar per parimet e lirise e demokracise dhe interesat e kombit shqiptar. Po keshtu kam bindjen se ne anen tjeter gjendet nje genjeshtar, mashtrues e shpifes ordiner e profesionist, me emrin Erjon Velija. Po kete do ta percaktoje vetem nje vendim gjykate i formes se prere.

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Bytyci, me qenin e sulmit te Rames!!!, Sfida e Presidentit

Deputeti socialist “kaubojsi” në New York

May 12, 2016 by dgreca

Deputeti i Partisë Socialiste Eduart Ndocaj ndodhet në Shtetet e Bashkuara, me bashkëshorten e tij, sikurse dëshmojnë edhe fotot e publikuara së fundmi.

Ndocaj i bëri jehonë rreth 1 muaj më parë lajmit se ishte ftuar nga disa kongresmenë që t’i vizitonte në Amerikë.

Para pak kohësh ai publikoi edhe marrjen e vizës.

Tani a ndodhet në “Mollën e Madhe” dhe ka shkuar në të nëjjtin moment me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, që po zhvillon një vizitë zyrtare.

Ndoshta kjo është një rastësi, ose jo, deri në provë të kundërt.

Ndërkaq, “Kauboji” ka shëtitur dje rrugëve të Nju Jorkut me një Bentley të bardhë, si një boss i vërtetë.

Ndryshe nga shumë politikanë që kanë përdorur politikën për t’u pasuruar dhe që mundohen t’i fshehin pasuritë e tyre, Ndocaj mund t’ia lejojë vetes këtë luks, duke qenë se suksesin e tij e ka ndërtuar në Itali si sipërmarrës privat dhe jo me taksat e shqiptarëve të gjorë.(Mapo)

Filed Under: Komente Tagged With: “Kaubojisi”, ne New York, shëtit me Bentley

Trump dhe Ryan, “të angazhuar” për unitetin e Partisë Republikane

May 12, 2016 by dgreca

Ne Foto:Donald Trump arrin në Komitetin Kombëtar Republikan për takim me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan. Uashington, 12 maj, 2016. /

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, kanë thënë se janë “të angazhuar plotësisht” për unitetin e Partisë Republikane.

Dy zyrtarët kanë lëshuar një deklaratë, pas takimit që kanë zhvilluar të enjten.

Ata po bëjnë përpjekje të gjejnë gjuhë të përbashkët, pasi Ryan, i cili është vetë republikan dhe mban postin më të fuqishëm në Kongres, ka thënë se nuk do të mbështesë kandidaturën e Trumpit.

Ryan ka thënë se Trumpit i mungojnë parimet konservatore.

“Kemi pasur një bisedë të mirë këtë mëngjes. Kemi qenë të hapur për dallimet tona, por ka shumë fusha të rëndësishme ku kemi gjuhë të përbashkët”, kanë shkruar Trump dhe Ryan në deklaratën e përbashkët.

Ata kanë thënë se do të zhvillojnë “diskutime shtesë”, porse mendojnë se mund të bashkojnë partinë dhe të fitojnë zgjedhjet.

Në një konferencë për gazetarë, pas takimit, Ryan ka thënë se është “shumë i inkurajuar” me atë që ka dëgjuar nga Trump.

Në dhjetor të vitit 2015, Ryan ka kritikuar ashpër propozimin e Trumpit për t’iu ndaluar myslimanëve hyrjen në SHBA.

Por, të enjten, Trump ka zbutur qëndrimin e tij duke thënë se propozimi ka qenë “vetëm një sugjerim”.

Filed Under: Komente Tagged With: e Partisë Republikane, për unitetin, te angazhuar, Trump dhe Ryan

PRESIDENTI NISHANI PADIT ERJON VELIAJN

May 12, 2016 by dgreca

Konferencë për Shtyp e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani/

Tirane-12 maj 2016/

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani dha sot pasdite një Konferencë për Shtyp të cilën e gjeni të plotë në vijim, së bashku me pyetje-përgjigjet:

“Presidenti i Republikës:  Së pari dua t’ju falënderoj ju gazetarët dhe njerëzit e medias që jeni sonte në këtë konferencë shtypi për prezencën tuaj dhe për gatishmërinë që keni treguar për të mirëpritur shkëmbimin e këtij komunikimi së bashku.

Ju kam ftuar sonte për të përcjellë përmes jush tek opinioni publik dy çështje shumë të rëndësishme shtetërore për të cilat përcjell shqetësimin, preokupimin, por njëkohësisht dhe angazhimin për t’i adresuar dhe për të dhënë kontributin e Institucionit të Presidentit të Republikës në respekt të detyrave, përgjegjësive, obligimeve kushtetuese të Kreut të Shtetit shqiptar dhe natyrisht për të vijuar më tej proceset e ndjekjes, të përcjelljes, të zgjidhjes së këtyre shqetësimeve dhe problemeve.

Çështja e parë ka bëjë me disa deklarata publike, akuza publike në gjykimin tim të rënda adresuar nga një autoritet lokal ndaj Presidentit të Republikës, Kryetarit të Shtetit shqiptar. Më parë dëshiroj t’ju kërkoj të ndiqni edhe një herë këto deklarata dhe më pas do të përcjell tek ju çështjet që krijojnë shqetësim dhe problematikë këto deklarata të rënda.

* * *

Inserti

Erjon Veliaj: Në momentin që Presidenti i Republikës sillet si Bujar Nishani atëherë ka vajtur Presidenca tek Bujari, jo Bujari tek Presidenca.

Gazetari Blendi Fevziu: Ç’do me thënë kjo?

Erjon Veliaj: Ajo që do të thotë kjo është shumë e qartë. Unë kam qenë i vetmi zyrtar publik i kësaj mazhorance që ka mbajtur një relatë profesionale dhe personale me Presidentin, i vetmi. Ky është një njeri i cili zhgënjeu qeverinë në mënyrën sesi trajtoi Visar Zhitin; ky është një njeri që zhgënjeu publikun në mënyrën sesi vodhi pronën e kishës katolike në Elbasan; ky është një njeri që disa herë, me të gjithë ministrat e kabinetit tonë, disa herë ka shkuar kundër interesit publik për interesin personal.

Blendi Fevziu: Dhe këto janë akuzat tuaja personale serish ndaj Presidentit të Republikës dhe ju nuk i keni të vërtetuara.

Erjon Veliaj:  Patjetër, patjetër.

* * *

Presidenti Nishani: Natyrisht që një njeri kushdo qoftë ai që vjedh ka vetëm një emër “hajdut” dhe unë besoj që shqiptarët nuk mund të kenë në zyrën e Institucionit të Presidentit të Republikës, shteti shqiptar nuk mund të ketë në krye të tij një njeri që është hajdut. Hajduti e ka vendin në qeli, e ka vendin përballë ligjit; hajduti dënohet sipas ligjeve të shtetit dhe kodeve përkatëse. Prandaj, kjo është një çështje që nga sot i kalon për shqyrtim drejtësisë. Drejtësia duhet dhe e ka përgjegjësi kushtetuese ligjore ose të vërtetojë akuzat dhe identifikojë Presidentin e Republikës si hajdut dhe ta dënojë në bazë të krimit që ka kryer ose përdhosësin e shtetit shqiptar përmes shpifjes ta dërgojë përballë ligjit. Kjo është një rrugë pa kthim, është një rrugë pa ndalesë. Prandaj, tashmë unë ftoj dhe median që të ndjekë me vëmendje të posaçme gjykimin dhe sjelljen e drejtësisë. Është një proces i cili do të adresohet tashmë prej ditës së sotme në institucionet përkatëse të gjykatës dhe personalisht dhe Institucioni i Presidentit të Republikë do të ndjekë çdo seancë, çdo moment dhe çdo vendim që do të merret gjatë hetimit gjyqësor të veprimtarisë së Presidentit të Republikës dhe akuzave të bëra ndaj Kreut të Shtetit shqiptar.

Çështja e dytë të cilën dëshiroj të përcjell shqetësimin përmes jush tek opinioni publik, por edhe tek të gjithë institucionet ndërkombëtare të cilat bashkëpunojnë ngushtë me shtetin shqiptar për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit, të institucioneve ligjzbatuese, të institucioneve të drejtësisë në lidhje me sulmin e dhunshëm të djeshëm të organizuar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe qytetarë dhe individë  të tjerë me pushtet ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ dhe Trupës gjyqësore të Apelit Administrativ të Tiranës. Sulm i dhunshëm, qartazi terrorizues ndaj gjyqtarëve në ushtrim të detyrës, ndaj gjyqtarëve në ushtrim të funksioneve të tyre kushtetuese, të cilin e dënoj, e dënoj me ashpërsinë më të madhe jo vetëm për faktin se është një sulm i organizuar, instrumentalizuar politikisht, por dhe i realizuar ndaj një pushteti të pavarur kushtetues i cili është i përcaktuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë si mekanizmi i vetëm për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të çdo individi në Republikën e Shqipërisë.

Vlerësoj qëndrimin e Ministrit të Drejtësisë dhe besoj që Ministria e Drejtësisë do të vijojë të inkurajojë pavarësinë e gjyqësorit shqiptar, luftën kundër korrupsionit në radhët e gjyqësorit.

I kërkoj Kryeministrit të dënojë sulmin e dhunshëm ndaj gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë!

I kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës zyrtarisht dhe publikisht të hapë dhe nisë hetimet për dhunën e ushtruar ditën e djeshme ndaj Gjykatës së Republikës së Shqipërisë dhe ndaj gjyqtarëve të Republikës në ushtrim të detyrës dhe për shkak të detyrës!

U kërkoj të gjithë gjyqtarëve të Republikës, gjyqtarëve të ndershëm që të marrin kurajë dhe të mbrojnë Republikën. Mbrojtja e Republikës është përgjegjësi themelore e institucioneve të pavarura kushtetuese të vendit në një demokraci që funksionon!

U kërkoj qytetarëve të vendit të ruajnë shpresën për të vrarë frikën! Jam i bindur se shoqëria shqiptare përmes sakrificave të mëdha që ka mundur të mbërrijë deri në ditët kur ne kemi këtë sistem politik, dhe këtë sistem kushtetues që funksionon. Do munden jo vetëm ta ruajnë atë, por me gjakftohtësi, me mençuri, me dinjitet dhe mbi të gjitha me integritet të përpiqen të gjithë së bashku me të gjithë aktorët përparimtarë të vendit dhe Shqipërisë të vijojmë rrugën e përparimit dhe konsolidimit të vlerave tona më të mira.

Këto ishin dy çështje, të cilat dëshiroja t’i ndaja me ju sonte dhe përmes jush, për t’ia përcjellë të gjithë opinionit publik. Jam i hapur për çdo pyetje që mund të keni në lidhje me këto dy çështje, por edhe me çështje të tjera që dëshironi.”

Pyetje: Zoti President, rreth shtatë muaj më parë ju keni deklaruar në emisionin “Top Story” rezerva lidhur me sistemin e drejtësisë, pasi sipas jush kishte influenca nga qeveria. Lidhur me çështjen për përgjimin që i është bërë familjes suaj. Çfarë ka bërë sot që ju të ndryshoni mendjen mbi sistemin e drejtësisë dhe keni besim tek sistemi i drejtësisë tashmë? Ju faleminderit!

Presidenti Nishani: Nëse e kuptova qartë pyetjen, nuk kam ndryshuar mendim dhe qasje ndaj sistemit të drejtësisë për as edhe një arsye dhe për as edhe një çështje. Çështja që ju i referoheni është dhe mbetet një çështje serioze. Kam parë ditët e fundit në media që është denoncuar ekzistenca e një pajisjeje ilegale që kryen përgjime. Kjo mbetet për t’u verifikuar se sa qëndron si lajm, se sa i vërtetë është. Mbetet për t’u hetuar nëse është i vërtetë, por në kontekstin e presionit më të madh, që u manifestua mbrëmë në mënyrën më të dhunshme dhe ekstreme si nuk e kishim parë në këtë vend prej 25 vitesh, besoj se shqetësimet që ngrihen për të pasur një sistem drejtësie të pavarur, të influencuar, të pakërcënuar, të pazhantazhuar, por padyshim, profesional e të pastruar nga afera korruptive, besoj se jam sot në themelin e orientimit më të mirë evropian dhe të vizionit civil dhe qytetar të çdo qytetari dhe të çdo aktori sot përparimtar të shoqërisë sonë. Prandaj nuk kam ndryshuar as një mendim. Mbetem në atë deklaratë, në atë mendim që sistemi ynë i drejtësisë ka nevojë për një reformë, e cila të krijojë kushtet për të larguar një orë e më parë të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar; për të larguar një orë e më parë të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të kapur e të përdorur politikisht, të shantazhueshëm, për t’u dhënë mundësinë e karrierës njerëzve dinjitozë, profesionistë dhe me dinjitet. Për të pasur një mekanizëm të drejtësisë larg çdo influence dhe të mbajmë fort shpirtin e shpresës, të integritetit dhe të kurajës. Dhe unë besoj se të gjithë së bashku, institucionet e përgjegjshme shtetërore, mediat, të cilat kanë një rol të jashtëzakonshëm dhe thelbësor në raport me këto të drejta dhe hapësirë të shoqërisë, shoqëria civile dhe çdo qytetar i thjeshtë, akademikët, profesorët, të cilëve u bëj thirrje, në një situatë jo të mirë të çështjeve të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut në Shqipëri, grupeve të ndryshme, intelektualëve, që të mos kenë frikë! Të kenë kurajë! Të thonë fjalën dhe mendimin e tyre siç e gjykojnë dhe siç e mendojnë! Dhe të mbajnë fort shpresën për më të mirën!

Pyetje: Zoti President, mirëmbrëma! Atëherë atë të cilën ju e quajtët dhunë ndaj Gjykatës Administrative të Apelit të ndërmarrë nga Kryetari i Bashkisë Veliaj, ky i fundit ka deklaruar se një gjë e tillë, një protestë para gjykatës vjen pasi vetë Presidenti i Republikës ka influencuar në trupin gjykues në një proces gjyqësor që ka Bashkia e Tiranës me ndërtimin e një pallati tek Diga e Liqenit. Cili është qëndrimi juaj? Ju faleminderit!

Presidenti Nishani: Kjo është një akuzë tjetër, tërësisht e pavërtetë, që do të ketë radhën e saj padyshim të adresimit në institucionet përkatëse për t’u verifikuar dhe për t’u vërtetuar, por në respekt në pyetjes suaj, të shqetësimit tuaj, por edhe të qytetarëve padyshim, unë jam dhe e ndiej të obliguar për të bërë një sqarim të shkurtër: Presidenti i Republikës nuk ka asnjë kompetencë as ligjore dhe as institucionale për të përcaktuar trupa gjyqësore. Procesi i emërimit dhe përcaktimit të trupës gjyqësore ndodh në gjykatë Është tërësisht kompetencë e kryetarit të gjykatës dhe e kancelarit të gjykatës që nuk kanë asnjë lidhje me Presidentin, me Institucionin e Presidentit të Republikës.

Pyetje: Zoti President, pak më parë ju drejtuar gjykatësve që të kenë kurajë të mbrojnë Republikën. Çfarë nënkuptoni me “të mbrojnë Republikën”? Çfarë rrezikon të kthehet Republika shqiptare? Thirrja të tilla i kemi dëgjuar në fillim të viteve ’90-të kur studentëve u thuhej nga intelektualët shqiptarë që të vrisnin frikën dhe me kurajë të shembnin diktaturën. Sot jemi 26 vjet më pas. Sërish kjo thirrje. Çfarë rrezikojmë realisht sikundër ju e shikoni?

Presidenti Nishani: Këto thirrje së pari vijnë si reagim i shfaqjes së atyre reminishencave që ju thatë, të atyre viteve. Për fatin e keq reminishencat e atyre ngjarjeve, e atyre sjelljeve, e atyre viteve, po rishfaqen. Po shfaqen në dimensione të ndryshme, në forma të ndryshme, në fusha të ndryshme nga individë të ndryshëm. Nëse njerëz me pushtet terrorizojnë funksionarët e shtetit gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të detyrës, në radhë të parë, padyshim që ka nevojë për t’u mbrojtur Republika, sepse Republika dhe vetëm Republika, Kushtetuta dhe vetëm Kushtetuta, ligji dhe vetëm ligji është garanti ynë i përbashkët për gjithsecilin prej nesh. Nga Presidenti i Republikës e deri tek qytetari më i thjeshtë. Nga njeriu, i cili ka mundësi dhe lidhje të fuqishme me pushtetin apo me paranë, deri tek qytetarët më të pambrojtur në aspektin social dhe shoqëror. Prandaj thirrja ime është për të mbrojtur Republikën si garanti i vetëm, për të mbrojtur mekanizmat që kemi ndërtuar, mekanizmat që duam t’i kemi të fortë për të garantuar pikërisht këto liri, këto të drejta, ashtu siç do të garantohet edhe gjykimi, edhe penalizmi i atyre që shkelin ligjin, dhunojnë Kushtetutën dhe cenojnë Republikën.

Ju falënderoj për kohën dhe për praninë tuaj dhe njëkohësisht dëshiroj që të shpreh vlerësimet dhe respektin maksimal për punën shumë të rëndësishme që bëni çdo ditë! Ju uroj punë të mbarë!

Filed Under: Interviste Tagged With: PADIT ERION VELIAJN, presidenti Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT