• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

Dom Simoni nderohet përsëri nga Papa Françesku

May 7, 2016 by dgreca

Thonë që mrekullitë nuk ndodhin vetëm një herë në jetë. Kështu mund të thuhet edhe për historinë Dom Ernest Simonit, një prift i cili gjatë kohës së regjimit komunist në Shqipëri, sakrifikoi veten duke duruar torturat e dhëna nga Enver Hoxha, për të mos mohuar Krishtin.

Sipas “Aleteia” Papa Françesku ka përqafuar e nderuar përsëri Dom Ernest Simoni, priftin shqiptar i cili kaloi 28 vjet në burg për të qenë besnik ndaj Kishës gjatë regjimit komunist.

“Ky është një martir shqiptar”, tha Papa, kur e pa. Ata së pari janë takuan në 21 nëntor të 2014, në Tiranë; kur Ati i Shenjtë e thirri Dom Ernest Simonin për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me torturat që pësoi për refuzimin për të mohuar Krishtin. “Papa menjëherë u kujtua,” tha autori italian Mimmo Muolo e Avvenire Aleteia.

“Ai iu drejtua atij me emrin,” Simoni”, dhe tregoi se e mban mend historinë e persekutimit të tij. “Natyrisht, Dom Ernesti bëri të pamundurën në mënyrë që Ati i Shenjtë të mos i puthte duart e tij, në të njëjtën kohë, duke u përpjekur për të puthur ai të Papës”, vërejt Muolo. Ato ishin vite të terrorit nën regjimin komunist të Shqipërisë, vendi i vetëm i deklaruar “ateist” nga kushtetuta, në vitin 1967. “Për 11 ditë, ai ishte torturuar”, shpjegoi Muolo.

Përshtati: Redjon Shtylla

Filed Under: Komente Tagged With: Dom Simoni, nderohet përsëri, nga Papa Françesku

Papës i jepet Çmimi Karli i Madh: ëndërroj një humanizëm të ri evropian

May 7, 2016 by dgreca

Papës iu dorëzua Çmimi Karli i Madh. Ishin të pranishëm kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schultz; kryetari i Këshillit Evropian  Donald Tusk dhe kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker,  kancelarja gjermane, Angela Merkel e shumë personalitete tjera. Çmimi,  me të cilin qyteti Aachen nderon çdo vit personalitete të dalluara për rolin e tyre në mbrojtje të vlerave, iu dorëzua Papës Françesku për angazhimin e tij në ndërtimin e Evropës së paqes, themeluar mbi vlerat e përbashkëta, me porta të hapura për popujt e kontinentet e  tjera. Kohët e fundit patën jehonë të thellë  fjalët fuqimisht kritike, shqiptuar nga Ati i Shenjtë Bergoglio për kushtet në të cilat jetojnë refugjatët, në Kontinentin e vjetër.

E me rastin e dorëzimit të këtij Çmimi, Papa Françesku u drejtoi të pranishmëve këtë fjalim, sa akademik, aq edhe programatik, që prek problemet kyçe të Evropës:

Miq të Ndritur,

ju uroj  nga zemra mirëseardhjen e ju falënderoj për praninë tuaj. U shpreh mirënjohjen time posaçërisht  zotërinjve Marcel Philipp, Jürgen Linden, Martin Schultz, Jean-Claude Juncker e Donald Tusk për fjalët  e mira. Dëshiroj ta kujtoj përsëri dëshirën time për t’ia dhuruar Evropës këtë çmim të rëndësishëm, me të cilin nderohem: prandaj nuk po bëjmë një gjest kremtues, por po shfrytëzojmë rastin për t’i uruar së bashku Kontinentit të dashur një hov të ri e të guximshëm.

Fryma krijuese, gjenia, aftësia për t’u ringritur përsëri në këmbë e për të dalë nga kufizimet e veta, janë pjesë e pandarë e shpirtit të Evropës. Në shekullin e kaluar ajo i dha njerëzimit dëshminë se gjithçka mund të fillohej nga e para: pas viteve të ndeshjeve tragjike, të cilat arritën kulmin me luftën më të tmerrshme që mbahet mend, zu fill, për hir të Zotit, një risi e pashembullt në histori. Hiri i gërmadhave nuk mundi ta shuajë shpresën, as kërkimin e tjetrit, që ndezën në zemrën e Etërve themelues, projektin evropian. Ata hodhën themelet e kështjellës së paqes, një ndërtese të ngritur nga Shtete, të cilat nuk u bashkuan me detyrim, por zgjodhën lirisht rrugën e së mirës, duke hequr dorë një herë e përgjithmonë nga ndeshja. Evropa, pas shumë përçarjesh, gjeti, më në fund, vetveten e nisi të ndërtojë shtëpinë e vet.

 Kjo “familje popujsh”1, që më pas u bë lavdërueshëm më e gjerë,  kohët e fundit duket se po i ndjen më pak të vetat muret e shtëpisë së përbashkët, të ngritura nganjëherë duke u larguar nga projekti i ndritur  arkitektuar nga Etërit. Ajo atmosferë risie1, ajo dëshirë e zjarrtë për të ndërtuar bashkimin, duket sikur vijojnë të shuhen: ne, bijtë e kësaj ëndrre, tundohemi t’i nënshtrohemi egoizmit tonë, duke shikuar leverdinë  e duke menduar të ngremë gjerdhe të veçanta. Gjithsesi jam i bindur se dorëzimi para vështirësive e kapitja nuk kanë të bëjnë me shpirtin e Evropës e se edhe vështirësitë mund të bëhen nxitëse të fuqishme të unitetit”. 2

Në Parlamentin evropian ia lejova vetes ta quaja Evropën gjyshe. U thashë Eurodeputetëve se në të katër anët thellohet përshtypja e një Evrope të lodhur, të plakur, shterpë, pa gjallëri, ku idealet e mëdha që e frymëzuan, e kanë humbur tashmë forcën e tyre tërheqëse; një Evrope në rënie, që duket sikur e ka humbur aftësinë e saj krijuese. Një Evrope, që tundohet më shumë për të siguruar e për të sunduar hapësira, sesa për të përftuar procese  përfshirëse e shndërruese; një Evrope, e cila po rrëmon llogore, në vend që të parapëlqejë aksione që nxisin gjallërimin e shoqërisë; gjallërim  i aftë për t’i përfshirë e për t’i vënë në lëvizje të gjithë aktorët shoqërorë (grupe e individë) në kërkim të rrugëzgjidhjeve të reja për problemet aktuale, që sjellin fryte në ngjarje të rëndësishme historike: një Evrope që, larg mbrojtjes së hapësirave, bëhet nënë e lind procese (krh Esort, ap. Evangelii Gaudium, 223).

Ç’të gjeti kështu, Evropë humanistike, paladine e të drejtave të njeriut, e demokracisë, e lirisë? Ç’të gjeti Evropë, tokë poetësh, filozofësh, artistësh, muzikantësh, letrarësh? Ç’të gjeti kështu, Evropë, nënë popujsh e kombesh, nënë burrash trima e grash të dlira, që ditën ta mbrojnë dinjitetin e vëllezërve e të japin edhe jetën për të?

Shkrimtari Elie Wiesel, që shpëtoi i gjallë nga kampet naziste të shfarosjes, thoshte se sot është themelore të realizohet “transfuzioni i kujtesës”. Është e nevojshme “të kujtojmë”, të largohemi për një çast nga e sotmja, për të dëgjuar zërat e paraardhësve. Kujtesa jo vetëm që do të ndihmojë të mos biem më të njëjtat gabime të së kaluarës (krh Esort. Ap. Evangelii gaudium, 108), por do të na krijojë mundësinë t’i shfrytëzojmë fitoret, të cilat i ndihmuan popujt tanë t’i kapërcejnë me guxim udhëkryqet e historisë, që u dolën përpara. Transfuzioni i kujtesës na çliron nga prirja aktuale, shpesh më tërheqëse, për të ndërtuar me nxitim mbi rërën lëvizëse të rezultateve të menjëhershme, që mund të prodhojnë një rentë politike të lehtë, të shpejtë e jetëshkurtër, por që nuk mund ta sigurojnë zhvillimin e gjithanshëm njerëzor” (ibid, 224).

Për këtë qellim na bën mirë t’i kujtojmë Etërit themelues të Evropës.Ata ditën të kërkojnë udhë alternative, inovative, në rrethana të vështira, në një kontinent të plagosur rëndë nga lufta. Ata u trimëruan jo vetëm ta ëndërrojnë idenë e Evropës, por edhe guxuan t’i ndryshonin rrënjësisht modelet, që shkaktonin dhunë e rrënim. Guxuan të kërkojnë rrugëzgjidhje të shumanëshme për problemet, që pak nga pak po bëheshin të përbashkëta.

Robert Schuman, në atë që shumëkush e shikon si akt i lindjes së Bashkësisë së parë evropiane, pati thënë: “Evropa nuk bëhet me një goditje të vetme, as përmes ndërtimit në tërësi; ajo do të bëhet përmes realizimeve konkrete, krijuese të solidaritetit të vërtetë”.3 Pikërisht tani, në këtë botën tonë të copëtuar e të plagosur, duhet të rikthehemi tek ky solidaritet konkret, tek e njëjta bujari konkrete, që pasoi luftën e dytë botërore, sepse – pati vijuar Schuman – “paqja botërore nuk mund të mbrohet, pa përpjekje krijuese, në lartësinë e rreziqeve, që e kërcënojnë”.4 Projekteve të  Etërve themelues, kasnecë të paqes e profetë të ardhmërisë, nuk u ka kaluar koha; na frymëzojnë, sot më shumë se kurrë, për të ndërtuar ura e për të shembur mure. Duket sikur na drejtojnë një ftesë të ngutshme që të mos kënaqemi me ndërhyrje  kozmetike e as me kompromise dredharake për të korrigjuar ndonjë traktat, por për të vënë trimërisht baza të reja, të rrënjosura thellë; siç pohonte Alcide De Gasperi “të gjithë njëlloj, të nxitur nga shqetësimi për të mirën e përbashkët të atdheut tonë evropian, Atdheut tonë Evropës” të nisim pa frikë “një punë konstruktive, që kërkon të gjitha përpjekjet tona durimtare e gjithë bashkëpunimin tonë afatgjatë.” 5

Ky transfuzion i kujtesës na krijon mundësi të frymëzohemi nga e kaluara, për të përballuar me guxim kuadrin e ndërlikuar shumëpolar të ditëve tona, duke pranuar me vendosmëri sfidën për ta “rishikuar” idenë e Evropës. Një Evrope, të aftë për të nxjerrë në dritë humanizmin e ri, të bazuar mbi tri aftësi: aftësinë për të integruar, aftësinë për të dialoguar dhe aftësinë për të krijuar.

Aftësia për të integruar

Erich Przywara, në veprën e tij të ndritur “Ideja e Evropës”, na sfidon, duke na nxitur ta mendojmë qytetin si vend bashkëjetese të instancave e niveleve të ndryshme. Ai e njihte mirë këtë prirje reduksionistike, që e gjejmë në çdo përpjekje për ta menduar e për ta ëndërruar indin shoqëror. Bukuria, e rrënjosur në shumë nga qytetet tona, vijon të na mahnisë për faktin se u arrit të ruhen në rrjedhë kohe, ndryshimet e epokave, të kombeve, të stileve, të vizioneve. Mjafton ta kundrosh pasurinë e paçmueshme kulturore të Romës, për të pohuar edhe një herë se pasuria dhe vlera e një populli rrënjoset pikërisht kur di t’i harmonizojë të gjitha këto nivele në një bashkëjetesë të suksesshme. Reduksionistët dhe të gjitha synimet rrafshuese, larg çdo aftësie për të krijuar vlera, i dënojnë popujt tanë me një varfëri mizore: atë të përjashtimit. E larg çdo aftësie për të krijuar madhështi, pasuri e bukuri, përjashtimi krijon vetëm poshtërsi, mjerim, mizori.

Rrënjët e popujve tanë, rrënjët e Evropës, shkonin duke u konsoliduar në rrjedhë të historisë së saj, duke e mësuar t’i integrojë në sinteza përherë të reja kulturat më të ndryshme e në dukje, pa asnjë lidhje ndërmjet tyre. Identiteti evropian është e ka qenë gjithnjë shumëkulturor, në zhvillim të vazhdueshëm.

Veprimtaria politike e di se ka ndër duar këtë punë themelore, që nuk mund të shtyhet për më vonë. E dimë se “e tëra është më shumë se pjesët, e edhe se shuma e tyne e thjeshtë”, prandaj duhet punuar gjithnjë për të pranuar të mirën më të madhe, nga e cila mund të përfitojmë të gjithë.” (Esort. Ap Evangelii gaudium, 235). Ftohemi t’i japim shtytje integrimit, duke pranuar solidaritetin si mënyrën me të cilën duhen bërë gjërat, mënyrën që na tregon si duhet ndërtuar historia. Solidaritet, që nuk duhet ngatërruar kurrë me lëmoshën, por  duhet parë si krijim i mundësisë që të gjithë banorët e qyteteve tona – e të shumë qyteteve të tjera – të mund ta realizojnë me dinjitet jetën e tyre. Koha po na mëson se nuk mjafton më vetëm përfshirja gjeografike e njerëzve, por sfida është integrimi i vërtetë kulturor.

Në këtë mënyrë, bashkësia e popujve evropianë mund ta kapërcejë tundimin për të këmbëngulur në paradigma të njëanshme e për t’u marrë me “kolonizime ideologjike”; përkundrazi, do të zbulojë madhështinë e shpirtit evropian, lindur nga takimi ndërmjet qytetërimeve dhe popujve, më e shtrirë se kufijtë aktualë të Bashkimit Evropian dhe e thirrur të bëhet model i sintezave të reja dhe i dialogut. Vërtet, fytyra e Evropës nuk dallohet për kundërvënien ndaj të tjerëve, por për faktin se mban gjurmët e tipareve të kulturave të ndryshme dhe ka bukurinë që sjell fitorja kundër mbylljes së dyerve. Pa këtë aftësi integrimi, fjalët e shqiptuara nga Konrad Adenauer në të kaluarën, do të tingëllojnë sërish sot si profeci për të ardhmen: “E ardhmja e Perëndimit nuk kërcënohet aq nga tensioni politik, sa nga rreziku i masivizimit, nga uniformiteti i mendimit dhe i ndjenjave; shkurt, nga i gjithë sistemi i jetës, nga mosmarrja e përgjegjësisë, me shqetësimin e vetëm për ‘unin’ personal”6.

Aftësia për dialog

Nëse ka ndonjë fjalë, që duhet ta përsërisim derisa të lodhemi, është kjo: dialog. Jemi të ftuar të promovojmë një kulturë dialogu, duke u përpjekur me çdo mjet të shtrojmë çështje, në mënyrë që kjo të jetë e mundur e të na lejojë të rindërtojmë indin shoqëror. Kultura e dialogut nënkupton një formim të vërtetë e të vazhdueshëm, një lloj ushtrimi të asketizmit, që të na ndihmojë ta shohim tjetrin si bashkëbisedues të vlefshëm; që të na japë mundësinë ta shohim të huajin, emigrantin, të ardhurin nga një kulturë tjetër si subjekt për t’u dëgjuar, për t’u marrë parasysh e për t’u vlerësuar. Është urgjente për ne sot, të përfshijmë të gjithë protagonistët shoqërorë në promovimin e “një kulture, që privilegjon dialogun si formë takimi, si kërkim konsensusi dhe marrëveshjeje, por, pa e ndarë nga shqetësimi për një shoqëri të drejtë, të aftë të kujtojë e të mos përjashtojë” (Nxitja apostolike “Evangelii Gaudium”, 239). Paqja do të jetë e qëndrueshme, në masën me të cilën i armatosim fëmijët tanë me armët e dialogut, u mësojmë atyre betejën e mirë të takimit e të bisedimeve. Në këtë mënyrë, mund t’u lemë trashëgim një kulturë, që di të përvijojë jo strategji të vdekjes, por të jetës, jo të mënjanimit, por të integrimit.

Kjo kulturë dialogu, që duhet të hyjë në të gjitha planet mësimore shkollore si bosht transversal i lëndëve të mësimdhënies, do të na ndihmojë të rrënjosim në brezat e rinj një mënyrë për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme nga ajo, me të cilën po i mësojmë. Sot, është urgjente të krijojmë “koalicione” jo më vetëm ushtarake apo ekonomike, por edhe kulturore, edukative, filozofike, fetare. Koalicione, që venë në pah se, pas shumë konflikteve, shpesh, është në lojë pushteti i grupeve ekonomike. Koalicione, të afta ta mbrojnë popullin, që të mos përdoret për qëllime të padenja. T’i armatosim njerëzit tanë me kulturën e dialogut e të takimit.

Aftësia krijuese

Dialogu dhe gjithçka lidhet me të na kujton se askush nuk mund të kufizohet e të sillet si spektator apo vëzhgues i thjeshtë. Të gjithë, nga më i vogli tek më i madhi, janë pjesë aktive në ndërtimin e një shoqërie të integruar e të pajtuar. Kjo kulturë është e mundur nëse të gjithë marrim pjesë në mendimin (ideimin) e në krijimin e saj. Gjendja aktuale nuk pranon vëzhgues të thjeshtë të luftës së tjetërkujt. Përkundrazi, është thirrje e fuqishme për përgjegjësi përsonale dhe shoqërore.

Në këtë kuptim, të rinjtë tanë kanë një rol mbizotërues. Ata nuk janë e ardhmja e popujve tanë, janë e tashmja; janë ata, që qysh sot, me ëndërrat e tyre, me jetën e tyre, po farkëtojnë shpirtin evropian. Nuk mund ta mendojmë të nesërmen, pa u lejuar atyre të marrin vërtet pjesë si tharm ndryshimi dhe shndërrimi. Nuk mund ta imagjinojmë Evropën pa i bërë pjesëmarrës e protagonistë të kësaj ëndrre.

Kohët e fundit, kam reflektuar mbi këtë aspekt dhe e kam pyetur veten: si mund t’i bëjmë pjesëmarrës të rinjtë tanë në këtë proces ndërtimi, nëse i privojmë nga puna; nga punë të denja, që u japin mundësinë të zhvillohen përmes duarve, inteligjencës dhe energjive të tyre? Si mund të pretendojmë t’ua njohim vlerën e protagonistit, kur treguesit e papunësisë e të nënpunësimit të miliona të rinjve evropianë janë në rritje? Si t’ia bëjmë për të mos i humbur të rinjtë tanë, të cilët përfundojnë duke ikur gjetiu, në kërkim të idealeve e të përkatësisë, sepse këtu, në tokën e tyre, nuk dimë t’u ofrojmë mundësi e vlera?

Shpërndarja e drejtë e fryteve të tokës e të punës së njeriut nuk është filantropi e thjeshtë. Është detyrë morale 7. Nëse duam t’i rimendojmë ndryshe shoqëritë, kemi nevojë të krijojmë vende pune dinjitoze dhe të paguara mirë, sidomos për të rinjtë tanë.

Kjo lyp kërkimin e modeleve të reja ekonomike më gjithëpërfshirëse dhe më të barabarta, që nuk orientohen në shërbim të pak vetëve, por në të mirën e njerëzve dhe të shoqërisë. E kjo na kërkon kalimin nga ekonomia e lëngshme [pra, që i përshtatet çfarëdo “ene” apo situate, pa pyetur për pasojat] në ekonominë shoqërore. Mendoj, për shembull, ppër ekonominë shoqërore të tregut, inkurajuar edhe nga Paraardhësit e mi (krh Gjon Pali II, Fjala për ambasadorin e R.F. Gjermane, 8 nëntor 1990). Të kalohet nga një ekonomi, që synon të ardhura dhe fitime mbi bazën e spekulimit dhe të kredive me interes, në një ekonomi shoqërore, që investon mbi njerëzit, duke krijuar vende pune dhe kualifikim.

Duhet të kalojmë nga një ekonomi e lëngshme, që priret të favorizojë korrupsionin si mjet fitimi, në një ekonomi shoqërore, që garanton tokën e strehimin për të gjithë, përmes punës, si fushë në të cilën njerëzit dhe bashkësitë mund të venë në lojë “shumë përmasa të jetës: krijimtarinë, ardhmërinë, zhvillimin e aftësive, ushtrimin e vlerave, komunikimin me të tjerët, adhurimin e Hyjit. Prandaj, realiteti shoqëror i botës së sotme, përtej interesave të kufizuara të ndërmarrjeve dhe racionalitetit të diskutueshëm ekonomik, kërkon “të vazhdohet të ndiqet si përparësi, objektivi i punësimit… për të gjithë” 8.

Nëse duam të synojmë në një të ardhme dinjitoze, nëse duam një të ardhme në paqe për shoqëritë tona, mund ta arrijmë vetëm duke pasur si qëllim integrimin e vërtetë: “atë që ta jep puna dinjitoze, e lirë, krijuese, gjithëpërfshirëse dhe solidare” 9. Ky kalim (nga një ekonomi e lëngshme në një ekonomi shoqërore) jo vetëm do të hapë perspektiva të reja dhe mundësi konkrete për integrim e gjithëpërfshirje, por do të na japë sërish aftësinë për ta ëndërruar atë humanizëm, për të cilin Evropa ka qenë djepi e burimi.

Në rilindjen e kësaj Evrope të lodhur, por akoma të pasur me energji e mundësi, mund e duhet të kontribuojë edhe Kisha. Detyra e saj përkon me misionin e saj: kumtimi i Ungjillit, që sot, më shumë se kurrë, do të thotë, sidomos, kujdes për plagët e njeriut, duke i çuar atij praninë e fuqishme e të thjeshtë të Jezusit, mëshirën e Tij ngushëlluese e inkurajuese. Zoti dëshiron të banojë ndërmjet njerëzve, por mund ta bëjë këtë vetëm përmes burrave e grave që, ashtu si ungjillëzuesit e mëdhenj të kontinenteve, të preken me dorë prej Tij e ta jetojnë Ungjillin, pa kërkuar gjë tjetër. Vetëm një Kishë e pasur me dëshmitarë mund t’i vaditë sërish me ujin e kristaltë të Ungjillit rrënjët e Evropës. Për këtë, rruga e të krishterëve drejt bashkimit të plotë është shenjë e madhe e kohrave, por edhe kërkesë urgjente për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit “që të jenë një gjë e vetme” (Gjn 17,21).

Me mendje e me zemër, me shpresë e pa nostalgji të kota, si biri që rigjen në Evropën-nënë rrënjët e veta të jetës e të fesë, ëndërroj një humanizëm të ri evropian, “një rrugë të vazhdueshme humanizimi”, së cilës i duhen “kujtesë, guxim, utopi e shëndoshë e njerëzore” 10. Ëndërroj një Evropë të re, të aftë të jetë akoma nënë: një nënë plot jetë, sepse e respekton jetën dhe ofron shpresë për jetën. Ëndërroj një Evropë që kujdeset për fëmijët, që e ndihmon si të ishte vëlla, të varfërin dhe atë që arrin në kërkim të mikpritjes, sepse nuk ka më asgjë e kërkon strehim. Ëndërroj një Evropë, që i dëgjon dhe i vlerëson të sëmurët e të moshuarit, që të mos kthehen në objekte jo prodhuese, në hedhurina. Ëndërroj një Evropë, në të cilën të jesh emigrant nuk është krim, por ftesë për impenjim më të madh në favor të dinjitetit të njeriut. Ëndërroj një Evropë, ku të rinjtë të thithin ajrin e pastër të ndershmërisë, ta duan bukurinë e kulturës e të jetës së thjeshtë, të pandotur nga nevojat pa fund të konsumizmit; ku martesa dhe lindja e fëmijëve të jetë përgjegjësi dhe gëzim i madh, por jo problem i shkaktuar nga mungesa e një pune mjaftueshmërisht të qëndrueshme. Ëndërroj një Evropë të familjeve, me politika vërtet efektive, me në qendër fytyrat e jo numrat, lindjet e fëmijëve e jo shtimin e pasurive. Ëndërroj një Evropë që nxit e mbron të drejtat e secilit, pa harruar detyrat ndaj të gjithëve. Ëndërroj një Evropë për të cilën të mos thuhet se impenjimi për të drejtat e njeriut ka qenë edhe utopia e saj e fundit.

(1) Fjalimi në Parlamentin evropian, Strasburg, 25 nëntor 2014

(2) Ibid.

(3) Deklaratë e 9 majit 1950, Salon de l’Horloge, Quai d’Orsay, Paris

(4) Ibid

(5) Fjalim në Konferencën Parlamentare Evropiane, Paris, 21 prill 1954

(6) Fjalimi në asamblenë e artizanëve gjermanë, Dyseldorf, 27 prill 1952.

(7) Discurso a los movimentos populares en Bolivia, Santa Cruz de la Sierra, 9 korrik 2015.

(8) Enciklika “Laudato si’”, 127.

(9) Discurso a los movimientos populares en Bolivia, Santa Cruz de la Sierra, 9 korrik 2015.

(10) Fjalimi për Këshillin e Evropës, Strasburg, 25 nëntor 2014.

Filed Under: Komente Tagged With: Çmimi Karli i Madh, Papa francesku

Rruga për në UEFA dhe hapja e dyerve për në FIFA

May 7, 2016 by dgreca

Nga Nadia Ahmeti/

Ndërkombëtarizimi i sportit të Kosovës, sidomos i futbollit, si sporti më i popullarizuar në botë, ka qenë agjendë e të gjitha federatave të sportit dhe institucioneve qeveritare, që nga paslufta, e sidomos, pas shpalljes së pavarësisë së vendit, në shkurt të vitit 2008.

Në rubrikën “Fokus” Radio Evropa e Lirë sjell një material të zgjeruar për rrugën e futbollit të Kosovës drejt integrimit.

Pas shumë përpjekjeve në këtë fushë, Kosova vitin e kaluar kishte aplikuar për pranim në Federatën Evropiane të Futbollit, që njihet shkurt si UEFA.

Anëtarësimi në UEFA do t’i mundësojë Kosovës afirmimin në garat ndërkombëtare, pjesëmarrje në ngjarjet dhe kampionatet që organizohen nga kjo federatë. Po ashtu, edhe klubet e Kosovës do të përfitonin, duke u bërë pjesë e garave evropiane.

Fillimisht, si barrierë ligjore, sipas autoriteteve kompetente, ishte një nen i statutit të UEFA-s, i cili parashihte që vendi që aplikon për t’u anëtarësuar, duhet të jetë anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Por, shpresat dhe ambiciet e Federatës së Futbollit të Kosovës, u shtuan kur në shtator të vitit 2015, Komiteti ekzekutiv i Federatës Evropiane të Futbollit, në një takim të mbajtur në Maltë, kishte tejkaluar nenin që thotë se për pranimin e një vendi në këtë organizatë, ai vend duhet të jetë anëtar i OKB.

Ky komitet, ndërkaq kishte vendosur që çështja e pranimit të futbollit të Kosovës, të dërgohet në Kongresin e kësaj federate, më 2016.

Pas këtij vendimi, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, për Radion Evropa e Lirë kishte deklaruar se sinjalet për një pranim të mundshëm të Kosovës në organizatën evropiane të futbollit, janë mjaft pozitive.

“Shpresojmë dhe jam shumë i bindur që do të vendoset për pranimin e FFK-së në instanca ndërkombëtare dhe ëndrrat tona të kamotshme do të bëhen realitet. Pastaj, pas 10 ditësh është Kongresi i FIFA-s në Meksikë”, kishte thënë Vokrri.

Ai kishte treguar se në planin e brendshëm, synohet strukturimi më i mirë i federatave sportive në Kosovë, në mënyrë që ato të tregohen të besueshme, me integritet dhe transparencë financiare dhe lojëra të pastra.

Në anën tjetër, edhe gjatë pritjes e pranimit të Kosovës në UEFA-, kritikat nuk kanë munguar sa i përket gjendjes së sportit në Kosovë.

Mithat Belegu, ish-gjyqtar ndërkombëtar, për Radion Evropa e Lirë, kishte thënë se një gjendje jo e mirë është evidente në të gjitha federatat sportive. Sipas tij, institucionet e Kosovës që nga paslufta kanë bërë shumë pak për sportin.

“Sportistët tanë më shumë po vijnë në shprehje në shtetet e huaj, ngase atje kanë kushte shumë më të mira. Kjo e vërteton që Kosova dhe shqiptarët kanë talent dhe janë të prirë për sport”.

“Mirëpo, për të arritur një cilësi të nivelit evropian, duhet të krijohen kushtet dhe të punohet shumë më tepër”, ishte vlerësimi i Belegut.

Sidoqoftë, gjatë rrugës së Kosovës për pranim në UEFA-s, kishte pasur disa takime me kryetarë të Federatës Evropian të Futbollit, kurse delegacione të UEFA-s, e kishin vizituar Kosovën.

Po ashtu, përfaqësuesja e futbollit të Kosovës ka zhvilluar disa takime miqësore ndërkombëtare, në Kosovë dhe jashtë saj.

Ajo që për shumë vjet u prit nga qytetarët e Kosovës, e konkretisht nga komuniteti i futbollit, u realizua në fillim të kësaj jave, kur Kosova u bë anëtarja e 55-të e Federatës Evropiane të Futbollit.

Kjo ditë, sipas përfaqësuesve të futbollit të Kosovës, shënon fundin e izolimit shumëvjeçar të këtij sporti.

Në Kongresin e UEFA-s, të mbajtur në Budapest, 28 vende kanë votuar në favor të Kosovës, ndërsa 24 kanë qenë kundër. Dy vota, ndërkaq, kanë qenë të pavlefshme.

Vendimi i UEFA-s është përshëndetur nga institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit e Federatës së Futbollit.

Ndërkaq, kryetari i Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri, duke e cilësuar ngjarjen me rëndësi historike dhe fitore kundër disa kundërshtarëve, që sipas tij, nuk janë të lehtë, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në UEFA, i hap rrugën Kosovës për anëtarësim në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit, FIFA

Vokrri, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, shprehet optimist se Kosova do të bëhet anëtare e FIFA-s.

Bazuar në procedurat, Vokrri thotë se UEFA rekomandon që të pranojë dhe mbështesë anëtarin e vet, që në këtë rast është Kosova.

FIFA do të mbajë kongresin e radhës në Meksiko Siti, më 12 dhe 13 maj, ku në agjendë është edhe kërkesa e Kosovës për pranim në këtë Federatë.

“Tashmë edhe kundërshtarët tanë që i kemi pasur në UEFA, siç janë Rusia, Qipro dhe shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, do ta mbështesin pranimin e vendit tonë në FIFA”.

“Për ata është një anëtar i ri i Konfederatës Evropiane, që duhet të mbështetet, sepse Konfederata Evropiane me Kosovën do të jetë edhe më e fortë në të ardhmen dhe për këtë arsye ata do të na përkrahin që të bëhemi anëtar të FIFA-s”, thotë Vokrri.

Sipas Fadil Vokrrit, për t’u bërë pjesë e kësaj federate, nevojiten 105 vota nga 209 sa janë gjithsej.

Sidoqoftë, pas pranimit të Kosovës në UEFA, futbollistët e Kosovës duhet t’u qasen përgatitjeve për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës ka deklaruar se për një gjë të tillë duhet të bëhen ndryshime rrënjësore, jo vetëm në aspektin e burimeve njerëzore, por edhe në aspektin e infrastrukturës.

Niveli i infrastrukturës, sipas tij, është mesatar, madje edhe për nevojat e brendshme.

“Për gara ndërkombëtare, padyshim që duhet bërë investime. Në stadiumin olimpik të Mitrovicës, duhet të investohet. Por, patjetër, duhet të ndërtohet edhe një stadium krejtësisht i ri, një stadium olimpik që përmbush të gjitha standardet ndërkombëtare, ashtu siç i kërkon UEFA dhe FIFA”, ka thënë Hasani

Pas anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, pranimi i Kosovës në UEFA e ka përmbyllur kaptinën e ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës, të paktën në kontinentin e vjetër.

Filed Under: Analiza Tagged With: e dyerve, për në FIFA, Rruga për në UEFA dhe hapja

Historiani Uran Butka tregon vrasjet partizane, 28 tetor-28 nëntor

May 7, 2016 by dgreca

*Kristo Themelko: Enveri më ka këshilluar që kur të hynim në qytet, të spastronim elementët e rrezikshëm/

*Vrasja e parë politike ishte ajo e klerikut të shquar tiranas, Selim Brahja, më 31 gusht 1943/

*Më 29 tetor 1943 njësiti ndëshkimor i Pezës masakroi barbarisht Besnik Çanon (22 vjeç) dhe Qeramudin Sulo (21 vjeç), dy të rinj intelektualë nacionalistë, pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes/

Nga URAN BUTKA/

Krahas luftës për çlirimin e Tiranës nga pushtuesit nazistë, forcat partizane kryen edhe masakra ndaj kundërshtarëve politikë, por edhe civilëve të pafajshëm. Sipas strategjisë së PKSH dhe skenarit të veçantë për Tiranën, dita e çlirimit duhet ta gjente Shqipërinë dhe sidomos kryeqytetin pa ata nacionalistë e intelektualë properëndimorë, pa figurat e njohura të kulturës dhe të arsimit shqiptar, pa ata oficerë patriotë që nuk u bashkuan me Frontin, nëpunësit e ndershëm, pa pronarët, tregtarët e biznesmenët që gjallonin në ekonominë e tregut të shtetit shqiptar, pa ata atdhetarë e demokratë që kishin luftuar dhe aspiruar për një Shqipëri të pavarur, të bashkuar dhe demokratike. Një nga ithtarët dhe organizatorët më të egër të këtij gjenocidi, Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve me pseudonimin sllav “Shulja”, thotë: “Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë… Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’ka fakte, të push- katohen qysh tani…

Veçse me i pastrue gjatë luftës, duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merren vesh prej popullit… Janë vrarë edhe ata që janë dorëzuar”. Gjithçka projektohej nga Enver Hoxha. “Kur unë kam biseduar me Enverin, – pohon K.Themelko, – ai më ka këshilluar që kur të hynim në qytet, të spastronim elementët e rrezikshëm. Prandaj, kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata për këta elementë”. Për masakrat pohon me gojën e vet sekretari i qarkorit të PK të Tiranës, Gogo Nushi, në relacionet e tij drejtuar E. Hoxhës: “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona janë vrarë 60 veta. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga ata nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurt se do të kemi edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100”. “Me Mehmetin kemi biseduar që ata elementë reaksionarë t’i zhduknim”, – dëshmonte Nako Spiru.

Pra, kemi të bëjmë me një gjenocid me motive politike. Në Tiranë u vranë pa gjyq dhe pa faj, pabesisht dhe në mesnatë, në grup apo një pas një prapa krahëve, madje edhe në pragjet e shtëpive, në qoshe rrugicash, në breg të lumit, në Sharrë, Priskë e Sauk, pa dhënë asnjë shpjegim, pa lënë asnjë gjurmë, duke i lënë edhe pa varr, figura të njohura nga e gjithë Shqipëria, nga Kosova e Dibra e Madhe e Çamëria, madje edhe shtetas të huaj, në mënyrë që terrori dhe frika të ndihej kudo e të përhapej rrathë-rrathë nga Tirana në të gjithë trevat shqiptare.

VRASJA E PARË POLITIKE

Vrasja e parë politike ishte ajo e klerikut të shquar tiranas, Selim Brahja, më 31 gusht 1943. Pa u tharë ende boja e Marrëveshjes kombëtare të Mukjes, Selim Brahja është një nga viktimat e saj. E vranë përpara derës së shtëpisë së Zotit, në pragun e Xhamisë. Shtatë vetë të njësitit ndëshkimor të grupit të Pezës, me shalle të kuq në kokë e qëlluan disa herë dhe u zhdukën për t’u shpëtuar pushkëve të shtëpisë së Selim Brahjes. Kjo vrasje shënon edhe fillesën e terrorit komunist në Tiranë. Përse e vranë këtë njeri, që ia kishte kushtuar jetën Zotit dhe Shqipërisë? Ai vinte nga një familje atdhetare. I ati, Ramazan Brahja, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit më 26 nëntor 1912 në Tiranë. Selim Brahja, intelektual, i laureuar për Teologji në Stamboll, iu përkushtua fesë dhe shqiptarizmit. Ai hap shkollën e parë shqipe në Sauk. Gjatë okupacionit italian ai u dënua me burg nga fashistët, ngaqë në shtëpinë e tij priste edhe nacionalistë, edhe partizanë që luftonin për lirinë. Ai mori pjesë në Kuvendin e Mukjes bashkë me Ismail Agé Petrelën, Dr. Nroqin e të tjerë nacionalistë tiranas. Prandaj e vranë terroristët me yll e shami të kuqe në kokë. Më 29 tetor 1943 njësiti ndëshkimor i Pezës masakroi barbarisht Besnik Çanon (22 vjeç) dhe Qeramudin Sulo (21 vjeç), dy të rinj intelektualë nacionalistë, pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes që shkonin në jug të Shqipërisë për të përcjellë mesazhin e kësaj marrëveshjeje kombëtare. Po në tetor të këtij viti, M.Shehu pushkatoi pa gjyq në Priskë 13 xhandarë që u dorëzuan në mirëbesim në Brigadën e Parë, ndërmjet tyre: Preng Marku nga Kaçinara, Zef Ndoc Simoni nga Fishta, Preng Lek Shkreli nga Malësia e Shkodrës, Pjetër Shkalleshi nga Kthella dhe kapter Ali Maksuti nga Marglliçi i Çamërisë, ish-lulishtar i njohur i Tiranës. Më vonë vranë edhe profesor-doktor Lorenc Rashën, nga Shkodra, njeriun e dijes. Shkollën e mesme dhe universitetin i kreu në Austri më rezultate të shkëlqyera dhe me një doktoratë për Linguistikë. Këtë intelektual dhe nacionalist të njohur e pushkatoi pa gjyq më 12 shtator 1944 toga e pushkatimit e batalionit partizan “Dajti”, buzë përroit të Priskës.

LIKUJDIMI I 28 NËNTORIT

1944 Pas këtyre vrasjeve në periferi, i erdhi radha edhe kryeqytetit. Dhe terroristët komunistë zgjodhën kohën më të favorshme për të kryer masakrat në Tiranë. Çlirimi i Tiranës konsiderohej nga udhëheqësit komunistë si marrja e pushtetit. “Kush merr kryeqytetin, merr pushtetin”, udhëzonte E.Hoxha. Beteja për çlirimin e Tiranës iu ngarkua Korparmatës I. Qëllimi i krerëve komunistë ishte marrja e kryeqytetit, por edhe likuidimi masiv i kundërshtarëve politikë, por edhe i atyre shqiptarëve jokomunistë, që jetonin apo ishin grumbulluar në Tiranë. Sipari i kësaj tragjedie hapet natën e 28 tetorit 1944, kur njësitet guerile komuniste dhe forcat e batalionit të Disiplinës futeshin fshehtazi natën si hienat nëpër shtëpitë tiranase dhe arrestonin apo pushkatonin shqiptarët që ishin shënuar nëpër listat e vdekjes nga krerët e tyre. Kështu ia behën në mesnatë te shtëpia e Ymer Dërhemit dhe arrestuan Akil Sakiqin, Nazmi Uruçin dhe Fahri Dabullën. “Ju kërkojnë për një sqarim”. Por i pushkatuan po atë natë. Akil Sakiqi ishte nga Dibra e Madhe. Familja e tij atdhetare, e ndjekur nga gjenocidi serbo-maqedonas, u shpërngul në Turqi, mandej u vendos në Tiranë. Akili, pasi mbaroi Liceun e Korçës, kreu Akademinë Ushtarake në Romë, degën e Rojës së Financës. Shërbeu me devotshmëri në Durrës, Shkodër etj., gjithnjë në prapavijë. Më 7 prill 1939 luftoi tok me Myftar Jegenin e mjaft oficerë të tjerë të Ushtrisë Kombëtare kundër agresionit italian. Edhe Nazmi Uruçi prej Dibrës së Madhe ishte, nga një familje patriote. Fahri Dabulla nga Gjirokastra. Adili, Nazmiu dhe Fahriu, të tre oficerë të njohur të karrierës, atdhetarë të flaktë, shqiptarë të ndershëm e të panjollosur, e kishin kryer së bashku me E. Hoxhën Liceun e Korçës. Enver Hoxha i futi shokët e liceut në listat e vdekjes. I pangopur me vdekjen e tyre, ai i përmend ata me urrejtje patologjike dhe pa asnjë shenjë pendese edhe pas disa dekadash në librat e tij, kur rreket të falsifikojë historinë. “Pak para plenumit më vjen S.Malëshova gjithë “alarm”.
– Po bëhet shumë terror,
– më thotë gjithë zemërim.
– Terror? – e pyeta i habitur.
– Ku ? – Në Tiranë, – më përgjigjet.
– Po vriten shumë oficerë të penduar.
– Në Tiranë vazhdon lufta e madhe për çlirimin e kryeqytetit, – i thashë.
– Kë quan terror ti? Dhe për cilët oficerë më ankohesh?” Çfarë hipokrizie! Dihet që në plenumin e Beratit (24-27 nëntor 1944) përpara të dërguarit të PKJ, V.Stoiniç, E.Hoxha pranoi tejet i nënshtruar: “Po vriten në Tiranë me duzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë të cilët, duke pasur besimin e plotë në drejtësinë dhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale, por është tërë toni që i është dhënë punës organizative të partisë dhe të ushtrisë. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit”. Nata e 28 tetorit ishte caktuar nga Qarkori i PK për Tiranën si nata e vrasjeve masive të ushtarakëve të karrierës.

Atë natë u pushkatuan: Hamit Greblleshi, nga një familje autoktone tiranase, mësues dhe më vonë, pasi kreu Akademinë ushtarake ne Stamboll, oficer i xhandarmërisë të shtetit shqiptar deri në vitin 1939, kur doli në lirim për arsye shëndetësore. “A mund të vritej një njeri që për tre muaj kishte shërbyer detyrën e oficerit të prapavijës?”, – pyet Kujtimi, djali i Hamitit. “Kjo pyetje na ka ndjekur tërë jetën qysh nga dita e vrasjes së babait tonë”, shton ai. Djali tjetër, Mustafai, autori i romanit të famshëm “Gremina e dashurisë”, u burgos dhe vuajti në skëterrën e burgjeve komuniste, por qëndroi se kishte gjenet e të atit, të cilit i kushtoi në qelinë 79 të burgut të Tiranës elegjinë “Qetësi”. Hamit Greblleshi u arrestua bashkë me oficerët e tjerë që jetonin në rrugën e Tabakëve, Hasan Dinen nga Maqellara e Peshkopisë, me akademi ushtarake te kryer në Itali, atdhetar bir atdhetari, Azis Blloshmin nga familja e njohur e Blloshmëve të Bërzeshtës, që kishte kryer studimet ushtarake në Vjenë, Faik Shkupin, shqiptar nga Shkupi, i laureuar për ushtarak në Itali dhe shërbente në Shqipëri, Mehmet Dadon dhe Boris Belevskin, rus i bardhë, oficer në ushtrinë shqiptare, Aleks Mavraqi, Selmam Shtjefni, Bajram Çuka e të tjerë që nuk u dihen as varret. Një nga ato duzina të zhdukur është edhe major Muharrem Liku, bir i devotshëm i Tiranës. I shkolluar në Stamboll dhe i frymëzuar nga rilindësit, sidomos nga i kunati, Halit Bej Bërzeshta, ushtarak i shtetit shqiptar, ai i shërbeu atdheut dhe Mbretit me besnikëri. Ndaj u fut në listat e vdekjes. Më datë 1 nëntor 1944, në orën 3 të mëngjesit, trokitën në portën e shtëpisë. Vrasësit kërkonin Muharremin. Ai doli nga shtëpia, sepse e ndiente veten të pafajshëm. Te porta pa njerëz të armatosur dhe oficerin tjetër të Ushtrisë Kombëtare, që kishte studiuar në Europë, Abdulla Saraçin, të arrestuar. Të dy i shoqëruan për diku, ndoshta asgjëkund. S’kaluan veçse disa minuta në rrugë e sipër, kur krisi automatiku. Më parë ra Abdullai, pas tij plumbat përshkuan Muharremin. Kufomat i futën në një karrocë akulloreje. Kalimtarët e rrallë panë në atë gdhirje një karrocë, nga e cila varej një dorë e përgjakur. Mandej edhe dy duar të tjera. Pra, ishin dy kufoma. Familjarët i gjetën, i nxorën trupat e tyre të prishur dhe i varrosën te Varri i Bamit. Njëri gisht i dorës së Abdullait ishte i prerë bashkë me unazën e florinjtë. Po atë natë terroristët komunistë arrestuan dhe vranë ushtarakun me gradën kapiten, Anton Fekeçi, lindur në Graz të Austrisë, por që banonte e shërbente në Shqipëri, nga që e ëma, Gjystina, ishte shkodrane nga familja e dëgjuar Bumçi. Antoni ishte një oficer model me formim perëndimor dhe shumë i aftë profesionalisht. Në mesnatën e 30 tetorit e thirrën në shtëpi dhe e pushkatuan 100 metra larg saj. Pastaj u kthyen përsëri, e nxorën familjen në rrugë, se shtëpia u duhej, ashtu si u duheshin edhe orenditë, makina e shkrimit etj. Tragjedia e kësaj familjeje u mbyll me vdekjen në burg të Frederikut, djalit të Antonit, i dënuar për agjitacion e propagandë, si mijëra bij të tjerë të këtyre martirëve.

PUSHKATIMI I DELIALLIASVE

Gjenocidi për motive politike vazhdoi me intensitet brenda dhe në rrethinat e Tiranës. Më 3 nëntor 1944, forcat komuniste pushkatuan pa gjyq në Sharrë të Tiranës tre Deliallisët e shquar të Shijakut: Kapllan Deliallisi, deputet i Shijakut në Parlamentin shqiptar dhe i vëllai, Jakup Deliallisi, ish-kryetar i komunës së Shënavlashit dhe të Luzit. Bashkë me ta u pushkatua edhe Shefqet Deliallisi, i biri i atdhetarit të njohur Ymer Deliallisi – sekretar personal i Ismail Qemalit, një oficer i ri, i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Romë, por që e priti me indinjatë pushtimin fashist dhe u vetëlargua nga detyra, sepse ishte kundër pushtuesve, ashtu siç kanë qenë brez pas brezi Deliallisët e Shijakut. Bashkë me këta martirë, u pushkatua edhe Isuf Allamani, nga familja në zë e allamanëve të Matit. Ç’kishte bërë Isufi që e vranë? Kishte studiuar për Agronomi në Universitetin e Firences dhe ishte kthyer në Shqipëri për të dhënë ndihmesën në ripërtëritjen ekonomike të vendit. Ai themeloi Fermën e Xhafzotajt, një ekonomi moderne bujqësore e kapitalist dhe ishte drejtori i saj, kur u arrestua e u pushkatua pa gjyq, ndonëse nuk ishte përzier fare në çështjet politike. Po në Sharrë u pushkatuan pa gjyq dhe u hodhën mbi njëri-tjetrin në një përrua pesë viktima të tjerë: kapiten Bajram Cuka, Selim Kelmendi, Ndue Pali, Minella Toçi dhe Selaudin Korça. Selim Kelmendi, nga Vuthaj i Gucisë, i kishte ikur me armë në dorë terrorit serbomalazez tok me dy vëllezërit e tij, Rustem e Ramë, pjesëtarë të çetës së Azem Galicës, por nuk i shpëtoi dot terrorit të çetnikëve shqiptarë. Selaudin Korça, i biri i patriotit të madh, klerikut, filozofit, publicistit, poetit dhe antikomunistit të njohur Hafëz Ali Korça, që vazhdonte studimet e larta në Itali, por që erdhi në Shqipëri për t’u bërë pre e terrorit komunist.

“NATA E SHËN BARTOLOMEUT”

Më 10 nëntor ra pre e këtij terrori tek Ura e Brrarit oficeri Subi Topulli nga familja e shquar e Topullenjve të Gjirokastrës. Vrasësit e masakruan dhe zhdukën çdo gjurmë të tij, duke hapur fjalë se ishte arratisur nga Shqipëria. Vijmë kështu te nata e 12 nëntorit në Tiranë, që është quajtur edhe “Nata e Shën Bartolomeut”. Atë natë u bë masakra më e madhe, një dënim dhe vrasje kolektive pa gjyq e 14 figurave të shquara të kombit e të kulturës shqiptare. Ismail Agë Petrela është një nga figurat madhore të Shqipërisë, që u pushkatua mesnatën e 12 nëntorit. Pse e kishin futur në listat e vdekjes Ismail Petrelën? Sepse ishte nga një familje e madhe, vetë ishte një nacionalist i shquar, një luftëtar i lirisë, një demokrat i vendosur, një burrë i mençur tiranas, një intelektual i njohur, që dinte disa gjuhë perëndimore, një njeri i kulturës, sidomos e asaj muzikore. Kulmet e veprimtarisë atdhetare të Agë Petrelës janë pjesëmarrja në Konferencën e Mukjes për bashkimin e gjithë shqiptarëve dhe lufta kundër pushtuesve italianë në krye të çetës së tij, që vepronte në Shqipërinë e Mesme. Ja përse e vranë komunistët Ismail Agë Petrelën! Në çastin e pushkatimit u tha ekzekutorëve: “Qëlloni, burrat një herë vdesin!”. Terroristët këtë herë zgjodhën për të masakruar familjen e shquar Kokalari nga Gjirokastra. Pushkatuan natën e 12 nëntorit në skutat e hotel “Bristol”-it, Muntaz, Vesim dhe Syrja Kokalarin. Muntazi dhe Vesimi, pionierë të arsimit kombëtar, themelues të shtëpisë botuese “Mesagjeritë Shqiptare”, që botoi vepra madhore të letërsisë sonë e të huaj, intelektualë të klasit të parë, bashkë me vëllain e tyre Hamit Kokalarin, i cili shkroi atëbotë librin e famshëm “Kosovadjep i shqiptarizmit” dhe motrën Musine, shkrimtaren e parë shqiptare, nacionalisten dhe demokraten e shquar, që diktatura më pas e burgosi dhe e internoi gjersa vdiq. Po atë ditë terroristët komunistë pushkatuan edhe Nebil Çikën, filozofin, publicistin, demokratin e madh. Ai ka qenë redaktor dhe kryeredaktor i mjaft organeve të shtypit të lirë shqiptar, si “Revista Pedagogjike”, “Reforma”, “Jeta”, “Arbëria”, “Miku i Popullit”, “Minerva”, “Bota e Re” etj. dhe autor i veprës së njohur “Njimendësia shqiptare”, që e vendosi atë në elitën e zgjedhur të kombit. Pikërisht këtë elitë vrau komunizmi.

MASAKRAT NË FAMILJET E MËDHA

Ai goditi familjet e mëdha që kishin nxjerrë njerëz të shquar, për të ndërprerë traditën, për të tharë burimin, për të venitur e nënshtruar Shqipërinë. Një nga ato është edhe familja tiranase Lleshi. Të gjithë burrat e saj u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë, të bashkuar në trojet e saj etnike dhe demokratike. Muharrem Lleshi e priti me indinjatë pushtimin italian, ndërsa dy djemtë e tij Sulejmani dhe Islami, nacionalistë, u internuan nga italianët në Itali dhe Porto Romano, më pas ishin luftëtarë të batalionit “Besnik Çano”, që luftoi edhe në Kosovë për çlirimin e saj. Sulejmani themeloi gjimnazin e Gjakovës dhe qe drejtori i parë i tij. Në mesnatën e 12 nëntorit, terroristë të armatosur hynë në oborrin e shtëpisë së Lleshëve, ku ishin strehuar demonstrues antifashistë apo ilegalë dhe thirrën emrin e Muharrem Lleshit. Sa u shfaq ai te pragu i derës, një breshëri automatiku e la të vdekur e të mbuluar me gjak. Familja tjetër e njohur tiranase që u godit ishte ajo Stërmasi, që kishte nxjerrë njerëz të dëgjuar si Xhaferr Stërmasi, flamurtar i Pavarësisë. I biri, Reshati, i mëkuar me shqiptarizëm dhe dije, kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali dhe shërben me devotshmëri në Ushtrinë kombëtare Shqiptare. Në prill të vitit 1939, në shenjë proteste ndaj pushtimit italian, dha dorëheqjen, sepse nuk donte t’u shërbente fashistëve. Mori pjesë në protestat dhe demonstratat antiitaliane. Si nacionalist i kulluar, merr pjesë qysh në vitin 1942 në Organizatën e Ballit Kombëtar dhe në vitin 1943 u caktua komandant i Rinisë së Ballit të Tiranës, të cilën e udhëhoqi në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë. Ja pse e vranë Reshat Stërmasin! Gjahut të tyre nuk i shpëtoi as Rifat Tërshana, nga Dibra e Madhe, oficer rekrutimi që shërbeu me përkushtim në Korçë, Fier dhe Durrës. Ndërkohë, ndihmoi edhe Lëvizjen NÇ. Por, nuk e llogaritën, kur e pushkatuan natën e përgjakshme 12 nëntorit. Terrori masakroi edhe njerëz të thjeshtë e të patrazuar në politikë. Lluka Xhumari, nga qyteti i Durrësit, kishte kryer në Itali shkollën teknike dhe ishte bërë mjeshtër në profesionin e tij. Njeri me iniciativë private, hapi një punishte të vogël, të cilën e zgjeroi në shoqërinë automobilistike SAKT. E pushkatuan në rrënojat e hotel “Bristol”, sepse ishte njeriu i biznesit, i iniciativës së lirë, i ekonomisë së tregut. Po ashtu, edhe Ali Panariti, nga Korça, tregtar i njohur në Tiranë e Durrës, mandej sipërmarrës për ndërtim rrugësh. E morën Aliun nga shtëpia dhe e pushkatuan pa gjyq në breg të lumit të Tiranës, ku e gjetën fëmijët gjysmë të varrosur. Epilogu i këtij terrori ishte masakrimi i Jorgji Memës, nga një familje patriote e fshatit Shtërmen të Elbasanit. Kishte kryer Shkollën Normale, por dëshira e tij ishte t’i shërbente si ushtarak shtetit shqiptar, mandej në funksionin e kryetarit të komunës së Baldushkut e të Mollasit. Jorgji dhe gjithë fisi i Memajve u hodhën në luftën për liri kundër pushtuesve të huaj. Komunistët e arrestuan në Tiranë më 16 nëntor 1944 dhe e pushkatuan menjëherë në rrugicën e shkollës “Kristoforidhi”. Tiranasit e mirë e varrosën në oborrin e kësaj shkolle martirin Jorgji Mema. Për këto krime nuk i vrau asnjëherë ndërgjegjja ata që i urdhëruan. Në mbledhjen e plenumit të 9-të të PKSH, Enver Hoxha deklaronte: “Thuhet se Kristo Themelko ka vrarë shumë veta me rastin e çlirimit të Tiranës, por çështja më e rëndësishme është se të gjithë ata që u vranë nga ai, ishin armiq”.

Filed Under: Histori Tagged With: 28 tetor-28 nëntor, Historiani Uran Butka, partizane, tregon vrasjet

Patriotizmi i Nuçi Kotta në librin “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”

May 7, 2016 by dgreca

Nga Albert Z. ZHOLI/

Kur mora në dorë këtë libër kisha shumë hamendësi dhe paragjykime. Flitet për një libër nga djali ish-Kryeminsitrit në kohën e Zogut, Koço Kotta, figura e të cilit ka mbetur ende mister ashtu siç ka ngelur mister vdekja e Nuçit. Babë e bir, dy figura interesante, dy figura pak të njohura, Koço një ish-kryeministër me një jetë enigmë dhe djalli i tij Nuçi me një libër që të nxit shumë kureshtje që vdiq në mënyrë të papritur në moshën më të bukur dhe pjellore.

Kush ishte Nuçi Kotta?

-Nuçi Kota, mësimet e para i morri në qytetin e lindjes, në Korçë. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm dhe tregoi cilësi të larta intelektuale, i ati e mundësoi të studionte në Francë. Në vitet 1933-1936, ndoqi mësimet në shkollën e mesme më në zë të Parisit, në Liceun Michelet dhe më pas në të famshmin Lice Louis-le-Grand.  Në vitin 1938 mori bakaloreatin e parë dhe doli i pari në frëngjisht, latinisht e gjermanisht.   Më 1939 mori bakaloreatin e dytë. Pas këtyre sukseseve Nuçi u regjistrua në Universitetin e Sorbonës në fakultetin e Drejtësisë, të cilin e mbaroi në vitin 1942 me rezultate të shkëlqyera. Pas përfundimit të studimeve Nuçi Kota, mbrojti një tezë në fushën e të drejtës ndërkombëtare, me titull: “L’Albanie et la question des frontiers albino-grecques” (“Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”). Mbrojtja me sukses e kësaj teze, i dha Nuçi Kotës gradën Docteur es letters (Doktor letrash) . Kjo doktoratë, e hartuar në frëngjisht u përkthye dhe u botua në anglisht nga bashkëshortja e tij Suzan Kotta.  Me tezën, “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”, Dr. Nuçi Kota i udhëhequr nga një frymë e lartë atdhetarizmi rrëzon me argumente shkencore dhe dokumente historike, rivendikimet shoviniste greke mbi Shqipërinë e Jugut. Doktoratura e tij është me vlerë të veçantë për historinë e Shqipërisë, sidomos me shumë interes për historinë e marrëdhënieve me Greqinë. Duke qenë një punim tepër serioz dhe shkencor, doktoratura me tezën, “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”, i dha mundësinë dr. Nuçi Kotës për tu punësuar në vitin 1945 si mësues i frëngjishtes dhe i historisë në shkollën e mesme private Ronsard-Montesquieu të Parisit. Ndërkohë, në vitin 1946, dr. Nuçi Kota, krahas mësimdhënies së frëngjishtes e historisë, u ngarkua të hapë një kurs të lirë të gjuhës shqipe, për tu mësuar francezëve, amerikanëve dhe frankofonëve gjuhën shqipe, të cilin e kreu me kompetencë të përsosur dhe ndërgjegje të lartë duke marrë të gjitha lavdërimet nga organizatorët e këtij kursi. Nuçi Kota i donte gjuhët, ndaj mësoi e fliste, veç shqipes gjuhës së të parëve, frëngjishten si francez i lindur, anglishten si gjuhë pune, latinishten, gjermanishten dhe italishten si gjuhë kulture.  Pikërisht në atë vit, mori lajmin e rrëmbimit të Koços, babait të tij, nga forcat e sigurimit sovjetik të ndihmuar nga EAM-i grek dhe transportimin e tij nga Selaniku në Shqipëri. I ati i kishte shërbyer Shqipërisë dhe kishte qenë kryeministër në mbretërinë shqiptare të Mbretit Zog-I.

Po çfarë përmban vepra e Nuçit?

Dr. Nuçi Kota është tepër i kujdesshëm në kujtesën historike kur parashtron arsyen e ardhjes së popullsisë fshatare greke në trojet etnike shqiptare, që sipas tij, “ishte nevoja ekonomike” dhe “kërkesat për krah pune nga feudalët e fuqishëm shqiptar”. Shqiptarët, të administruar politikisht në katër Vilajete, kërkuan autonominë e tyre nën qeverisjen e Portës së Lartë. Kërkesat e tyre të paraqitura qysh në vitin 1877, për krijimin e një Shteti Shqiptar u kundërshtua nga shtetet ballkanike dhe veçanërisht nga Greqia. Pas këtij viti, lindën pikësynimet e qarqeve shoviniste për të copëtuar territoret shqiptare të vilajeteve; të Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës, për t’ja shkëputur Perandorisë Osmane dhe për t’i  përfshirë brenda territoreve të shteteve të tyre. Tokat shqiptare, thotë autori, u përdorën për të kënaqur orekset shovene të fqinjëve tanë dhe për të zgjidhur konfliktet midis Fuqive të Mëdha. Në qëndrimin e tyre antishqiptar ata mbështeteshin në disa koncepte. Bismarku deklaronte, që “nuk ekziston komb shqiptar”. Diplomacia Europiane nuk besonte në aftësinë shtetformuese të shqiptarëve, pasi sipas tyre; “Shqiptarët duke pasur katër besime fetare, nuk mund të krijonin një homogjenitet kombëtar dhe si pasojë nuk mund të krijonin shtetin e tyre”.  Greqia, pas mbarimit të Luftës II Botërore, u paraqit para kancelarive të aleancës anglo-sovjeto-amerikane me një pretendim sa absurd aq dhe qesharak. Sipas tyre, fakti që territoret jugore të Shqipërisë, krahina e Gjirokastrës dhe Korçës u çliruan nga ushtarët grek gjatë luftës italo-greke, vërteton që këto territore janë greke dhe duhet ti kthehen Greqisë. Lufta, sipas nacionalistëve grekë, tregoi rëndësinë e ndryshimit të kufijve shqiptaro-grek në favor të Greqisë dhe rëndësinë e përcaktimit të vijës kufitare midis shteteve sipas kufijve strategjik.  Dr. Nuçi Kota ka argumentuar me veprën e tij “Shqipëria dhe Çështja e Kufijve Shqiptaro- Grek”, se edhe ky pretendim i qeverisë greke nuk ka mbështetje ligjore, pasi është në kundërshtim të hapur me vendimet e Konferencës së Londrës të vitit 1913. Strategjia greke, për ta coptuar Shqipërinë dhe gllabëruar Epirin e Veriut, është mbështetur mbi parimin luftarak “Sulmi është mbrojtja më e mirë”. Përballë sulmeve greke, të mbështetura nga shtetet ballkanike dhe Fuqitë e Mëdha, Patriotët Shqiptar dhe Qeveritë Shqiptare u detyruan të qëndrojnë në mbrojtje të kufijve të caktuara në vitin 1913. Strategjia greke triumfoi. Qeveritë Shqiptare nuk akumuluan fuqi për të argumentuar dhe kërkuar para Fuqive të Mëdha ndreqjen e padrejtësive dhe përfshirjen brenda Shtetit Shqiptar të krahinave shqiptare; Kosovën, Çamërinë dhe Maqedoninë Perëndimore. Dr. Nuçi Kota, në doktoraturën e tij “Shqipëria dhe Çështja e Kufijve Shqiptaro- Grek”,  shpreson në ndryshimin e kufijve të caktuar në vitin 1913 dhe parashtron pikëpamjen e tij lidhur me këtë tezë duke thënë : “ndryshimi i tyre  në favor të shtetit shqiptar, mund të realizohet  vetëm me ndryshimin e konjukturave ndërkombëtare”. Sidoqoftë, ç’ka shpresohet në t’ardhmen, marrëdhëniet midis dy popujve, shqiptar dhe grek, Dr. Nuçi Kota i trajton në aspektin e tyre historik dhe real.

2-Synimet italiane dhe pretendimet e tyre ndaj Vlorës dhe krejt Shqipërisë, u mbështetën nga Franca dhe Anglia. Disa marrëveshje të lidhura midis Italisë Greqisë dhe Jugosllavisë synonin zhdukjen e shtetit shqiptar. Pretendimet e faktorit ndërkombëtar, për ta zhbërë Shqipërinë, thekson autori, qëndronin në faktin që shqiptarët i përkasin katër besimeve. Ky absurd i ngritur nga fqinjët tanë qysh me fillimin e Luftës Ballkanike e deri më sot, vazhdon të  përdoret si argument që: “nuk mund të krijohet një shtet shqiptarësh, kur mungon uniteti fetar”.  Këtë argument absurd, Nuçi Kota e ka hedhur poshtë dhe ka argumentuar që: “Besimi, është element sipërfaqësor për shqiptarët, ndërsa ndërgjegjja kombëtare është ajo që i bashkon”.

3- Për të ruajtur sovranitetin e Shtetit Shqiptar, gjatë zhvillimit të Luftës II Botërore dhe pas saj, duke qëndruar pranë Fuqive Aleate anglo-amerikane dhe Organizmave Ndërkombëtarë me seli në Europë, Dr. Nuçi Kota propagandoi dhe ngriti lart kontributin e popullit shqiptar në luftën e tij kundër okupatorëve nazifashistë, në krah të aleancës anglo-sovjeto-amerikane. Nuçi vinte në dukje mobilizimin e shqiptarëve në Ushtrinë Kombëtare, e cila, siç ai është shprehur; “Numëronte rreth 70 mijë luftëtarë” dhe gjatë luftimeve të ashpra me pushtuesit nazi-fashist “humbi mbi 22 mijë luftëtarë”. Shqipëria, vinte në dukje Dr. Nuçi Kota, “U çlirua në nëntor të vitit 1944 nga Ushtria Kombëtare”. Pas mbarimit të luftës së dytë Botërore, thekson Dr. Nuçi Kota, Qeveria e Greqisë bënte të gjitha përpjekjet që Fuqitë Fituese ta konsideronin Shqipërinë bashkëpunëtore me pushtuesit nazifashist. Grekët synonin përsëri copëtimin e Shqipërisë. Këto fakte bëë që Shqipëria ende sot të ketë kufijtë e saj dhe të gëzojë respekt ndërkombëtar, por ndoshta ishte dhe kjo temë kaq interesante që bëri të ditur shumë fakte që historianë francezë dhe më tej nuk i dinin dhe nuk i njihnin kaq detajisht.

Filed Under: Histori Tagged With: “Shqipëria dhe çështja e kufijve, Nuçi Kotta, shqiptaro-grekë”

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT