• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

DOSJA NR. 3616…- PO, IMZOT PROF. JUL BONATTIN… KUSH E KA SHKYE ?!

May 4, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Ne Foto: IMZOT JUL BONATTI(4 Maji 1874 – 5 Maji 1951)/

■Një Dosje që per mendimin tim paraqet shumë interes! Ishte një Dijetar i vertetë dhe njohës shumë i mirë i disa gjuhëve të hueja. Nderohej në Shqipninë e Jugut dhe asht konsiderue si Meshtar i paisun po me ata virtyte që u adhurue nga vlonjatët. Respekti dhe nderimi i Popullit ndaj Imz. Bonattit, mbeti përgjithmonë në Vlonen e Flamurit.

■Dosja hapet me këto fjalë: “…Në vitin 1945, jemi mbledhë në Romë, dhe aty na foli Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë me aeroplan për në Shqipni, anglezët…

Në Stamboll, kam shërbye në Kishën e Sant Ospit. Atje më donin dhe më respektonin shumë… Kur ishe në Itali, jam marrë me perkthime, kryesisht, me Lahuten e Malcisë, dhe Kanunin e Lekës, të përgatitun nga At Gjeçovi, me të cilin njihesha prej kohësh…”

■Në vazhdim shenohet: “Përsonat që vajnë tek ky (Bonatti) janë Katolikë, dhe sigurisht qëllimi i vajtjës së tyre ka karakter politik.” (dt. 10 qershor 1946).

Prokurori Beqir Isufi shënon po aty: “Prifti spijun i djallzuar…

Namik Cakrani shënon: “… Është i pa korrigjuar, t’i epët dënim i rëndë.”

Trupi Gjykues i përbamë prej Kryetar Myftar Grabocka, antarë Taqo Jaho dhe Thoma Laro, prokuror kapiten Kristo Mushi, përveç deklaratave të sipërme, akuzon Imzot Prof. Jul Bonattin: “…Agjent i Vatikanit, spijun i dërguar për qëllime armiqësore, atje ka bashkëpunuar me armiqë të popullit… Ka punuar në favor të Vatikanit i porositur nga Imzot Vinçenc Prennushi… U arrestua nga Sigurimi më 25 mars 1946 dhe u burgos në Vlorë. Gjyqi politik ju ba në Elbasan, më 31 tetor 1947 dhe u dënua me 7 vjet burg.”

■Edhe pse Imzot Bonatti nuk pranon asnjë nga akuzat për një vit rresht në hetuesi, vëndimi u shqyrtue në Gjykatën e Naltë të Tiranës, e përbame nga: Kryetar Niko Çeta, antarë Veladin Zejneli dhe Nexhat Hysejni, prokuror Nevzat Hasnedari dhe vëndosi: ”Dënohet me 5 vjet heqje lirie…”. I keqtrajtuem nga Sigurimi fizikisht dhe moralisht, u dergue në Manikomjo të Durrësit…gjoja për mjekim. Kur ishte aty shkoi me u takue mbesa i Tij me Té. Njëditë Ai i kishte tregue: “Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye…”

■Ishte data 5 Maji 1951 kur u hap fjala se Imzot Prof. JUL BONATTI, “ndrroi jetë!”

“Ndrroi jetë…”, një fjalë goje!

■U gjet në një dhomë copa copa, i shkyem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm”!!

 

■Kush ishin këta të “sëmurë” që shkyenin Klerikët?

A me të vërtetë mendoni se ishin të sëmurët e “pavetëdijshëm” që e mbytën Bonattin? -Jo, jo! E, prap po përsëris, jo! -Ishin të sëmurët e “vetëdijshëm” që patologjikisht ushqehëshin me mish e gjak njeriu, dhe mundësisht viktimat e tyne me kenë Atdhetarë, ishin po, kriminelët e pashoq që nuk ngopeshin me një dru mbas koke para se t’i pushkatonin Martirët, ishin Hasnedarët e Themelët, ishin Kapisyzët e Dul Rrjollët, ishin Qokët e… ishin Aranit Çelat me Kadri Hazbitë, Shehët e Hoxhët që kishin gjetë një Haxhi (Qamil) Lleshi, i mëshefun mbas fustanit Nexhmije Hoxhës, kobres së zezë të Shekullit XX, me mbytë e me vra me vulën e “popullit”, tue pi gjakun e tij… dhe tue e rjepë përsëgjalli, per me ua vue miljona dollarë trashigimtarëve nder bankat e Botës.

■Imzot Bonatti ishte një Atdhetar’ e Klerik i perkushtuem per “Një Popull të Bashkuem!

Porsa Kisha Ortodokse Autoçefale Shqiptare filloi shkëputjen e saj nga Kishat sllave e greke në vitin 1920, Kryepeshkopët e saj të nderuem u zgjodhën Shqiptarë, që në Kongresin e Beratit (1922), vendosën KOASH, dhe perdorimin e gjuhës Shqipe.

Ishte koha kur Peshkopët e KOASH, Visarion Xhuvani, Kristofor Kissi,  Irene Banushi

(burgosë në 1947), Kozma Qirio, At Dhimiter Leka (pushkatue në nandor 1944), At Gjergj Suli(pushkatue me 14 Janar 1947), At Llazar Popi (vdes në burgun e Tiranës, ma vonë, me 11 Dhjetor 1972), vetem pse vazhduen me punue per Unifikimin e Kishave Shqiptare, njëherit me fillimin e persekucionin e Tyne të vazhdueshem mbas 1944.

■Me këte “Bashkim Kishash”, nuk ishte i knaqun as Ahmet Zogu, as Musolini, dhe në gjurmët e tyne eci edhe Enver Hoxha, derisa shkatrroi këte Bashkim dhe Fenë!

■Komunistët shovenistë sllavobolshevikë, si paraardhësit e tyne anadollakë, gjithnjë dhe kudo ku kanë sundue kanë perdorë metoden “Perçajë e sundo!”, jo “pa rezultat”!!

■Në Sheshin Skenderbe Papa Gjon Pali II, me 25 Prill 1993 tha: “Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Europjan dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ ju harrojë!..”

■Po, nëse Ajo “harron”, a ka kush me ua kujtue këte thanje të Papës Gjon Pali II ?!

Melbourne, Maji 2016.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Dosja Nr. 3616, Fritz radovani, Imzot Jul Bonati

“GJYKATËSI I NDERSHËM”

May 3, 2016 by dgreca

“Si shkon kjo botë, të jesh i ndershëm do të thotë të jesh i zgjedhur mes dhjetëmijë vdekësorësh”-/

William Shakespeare “Hamleti”/

Shkruan:Eugjen Merlika/

Një lajmërim vdekjeje në një derë pallati, në një rrugë të Tiranës së re, më shkaktoi një drithërimë në zemër e më ringjalli kujtimin e një periudhe të pazakontë të jetës sime. Emri dhe fotografia e lajmërimit mortor të Bashkim Cakës, më solli parasysh një ndodhi, tashmë të largët në kohë, të ngjarë 36 vjet të shkuara. Në një qendër të vogël bujqësore e blegtorale, rreth dy km. larg qytetit të Lushnjës, punonja si ndërtues në një objekt që ngrihej çdo ditë. Ishte mëngjez dhe po fillonim punën e përditëshme. Papritmas dy makina Gaz 51, të mbushura me oficerë dhe policë, i a behën mes nesh.

Shefi mustakoç i Sigurimit të rrethit i u printe dhe m’u drejtua me këto fjalë : “Ti je i nipi i Mustafa Krujës ?” Përgjigjes sime pohuese ai i shtoi shprehjen, mjerisht tepër të njohur : “Në emër të popullit je i arrestuar!”. Mbas dy orësh isha në një qeli, së bashku me një njeri tjetër. Ishte një praktikë e njohur dhe kjo, që shërbente për të nxjerrë ndonjë gjë nga i sapo arrestuari. Mbas disa orësh erdhi polici i shërbimit, më lidhi duart e më shoqëroi lart, në zyrën e hetuesit, që do të merrej me proçesin tim.

Ishte një djalë i ri në moshën 27 vjeçare. Nuk e kisha njohur më parë, e kisha parë atë mëngjez në grupin e njerëzve që kishin ardhur të më arrestonin. Takimi i parë me Të qe befasues për mua. “Ti nuk më njeh, por un të njoh shumë mirë ty. Quhem Bashkim Caka, dëshira ime është të shkojmë mirë, pavarësisht roleve që kemi.” Kjo qe njohja e drejtpërdrejtë dhe ato fjalë të pakta shkaktuan një pështjellim mendimesh në trurin tim. Me ecjen e ngadalëshme të proçesit u binda se fjalët e takimit të parë, apo të njohjes vetiake, ishin të sinqerta.

Djaloshi hetues nuk ngulmonte të nxirrte të dhëna të tjera, veç atyre që kolegët e Tij të Sigurimit i kishin sjellë, nëpërmjet një proçes – verbali të gjatë padije, të hartuar prej vetëm një njeriu. Bashkimi, vullnetarisht, e kufizonte punën e Tij, në atë të një “noteri”, i cili duhej t’a kthente atë dokument padije në një tjetër ballafaqimi, me të cilin duhej të mbrohesha un vetë nga akuzat e një paditësi të vetëm, për më tepër të një shoku tim. Në Shqipërinë komuniste ishte zhdukur institucioni i avokatisë, nga i cili përfitojnë edhe kriminelët më të rrezikshëm në gjithë botën. Ai quhej i “kotë” dhe i “panevojshëm”, mbasi hetuesitë dhe gjykatat ishin “mbrojtësit” më të mirë të qytetarëve shqiptarë !!!

Hetuesia nuk ishte një bisedë vetëm dy palëshe ndërmjet meje dhe atij djali. Në të ndërhynin edhe të tjerë personazhe t’asaj bote mizore, në të cilën zotëronte filozofia e dhunës, e shpalosur në format e veta më të ndryshme. Kështu, gjatë atyre tre muaj e gjysmë qëndrimi në qelitë e degës së punëve të brëndëshme të Lushnjës, m’u desh të ballafaqohesha me mizorinë proverbiale të Kapllan Shehut, kryetar i saj, me dinakërinë e hetuesit të ministrisë, me trashësinë deri në naivitet të prokurorit për çështjet hetimore, me vendosmërinë e dëshmitarit paditës për të vërtetuar akuzat. Bashkimi ishte gjithënjë i pranishëm, por fizionomia e Tij ndryshonte simbas çastit dhe njerëzve që vinin aty për t’u ballafaquar me mua.

Thelbi i mesazhit që më përcolli n’ata muaj dramatikë për mua, që kisha lënë një familje me shumë probleme e me një fëmijë një vjeçare të sëmurë, nëpërmjet bisedave kokë më kokë, ishte ai i ndërgjegjësimit të sinqertë të gjëndjes sime të vërtetë juridike. Me pak fjalë, herë mbas here Ai më pohoi se faji i vërtetë i imi nuk qëndronte n’atë për të cilën paditesha, por në mbiemrin që mbanja. Nuk ishte diçka e re, madje përkonte me të vërtetën zyrtare, që “fajin” e njëshit e inkuadronte në “gjynahet” e katër brezave të shkuar. N’ato rrethana e n’ata çaste shërbente për të larguar nga vetja kompleksin e “fajit”, pasojat e të cilit rëndonin mbi familjen e, si të tilla e shumfishonin dhimbjen, por bënin të strehohesha në fatalitetin e pashmangshëm, që më jepte qetësinë e nevojshme për të shtyrë një nga një ditët e netët e qelisë.

“Po të ishte një tjetër” – më thonte – “do të ishin mjaftuar me një demaskim publik, shumë shumë me ndonjë shpullë, e do t’a kishin çuar në shtëpi.” Aftësia e Tij psikologjike për të hyrë në thellësi të problemeve që mundonin trurin dhe ndërgjegjen e bashkëbiseduesit, i kalonte kufijtë e së zakonëshmes. Kur prokurori vinte të bisedonte me mua e të bënte propagandën e tij të dalë boje, për të paditur ndonjë shok apo njeri tjetër, Bashkimi buzëqeshte dhe mbasi largohej ai shtonte : “Mos i ven re se ç’thotë ai se i them un që na ka dhënë diçka. Ti vazhdo punën tënde.” Çdo bisedë me Të n’ata muaj më çonte në fjalët e para të njohjes. Ai e dinte mirë se çfarë ankthi e cfilitje shpirtërore kisha kaluar në dy vitet e fundit para arrestimit, për të kryer atë që më kërkonte prokurori me fjalë të buta, por që të tjerët e mëtonin me trysninë më të papërfytyrueshme. Thellë në vete Ai respektonte atë që kisha mundur të shpëtonja nga ajo luftë për dinjitetin, ndërgjegjen time, ndershmërinë. Duhej t’ishte vetë i ndershëm të çmonte tek tjetri, për më shumë tek “armiku” atë cilësi.

Ishte kjo nyja e padukëshme që na lidhte, që nuk e dinte askush e që buronte nga vlerat morale të forta me të cilat ishte mbruajtur. Në bisedën e ngushullimit me bashkëshorten mësova një fakt shumë interesant. Ai ishte njohur e dashuruar me Naunkën, mbasi kishte qënë i pranishëm në dëshminë e saj në mbrojtje të katër njerëzve, të cilët partia e fshatit donte t’i bënte fajtorë pa faj. Ajo kishte pohuar të vërtetën mbi pafajsinë e tyre e si “shpërblim” nga partia kishte marrë punën e krahut në fushë, edhe se ishte një agronome e lartë. Me këtë agronome të “deklasuar” Bashkim Caka ishte dashuruar e kishte lidhur jetën. Ky fakt, i mësuar pak ditë më parë, më forcoi bindjen e krijuar 36 vjet të shkuara mbi brumin me të cilin ishte formuar ky njeri.

“Do të mundohem të mos marrësh më shumë se shtatë vjet si dënim” më tha një ditë kur hetuesia po mbyllej. Prokurori nuk ishte i atij mendimi, kërkoi edhe një vit më shumë e gjykatësi e miratoi atë kërkesë, që qe shpëtimtare, mbasi amnistia e 15 nëndorit 1982 më këtheu në familjen time, si i internuar në Grabian. Për të plotësuar mirësinë e Tij, Bashkimi më organizoi një takim me familjen, dhe ai shumë i dobishëm, mbasi veç të tjerëve, pashë për herën e fundit gjyshen time të shtrenjtë, që më mbante dorën mes duarvet të saj …

Gjithë kjo histori, e ngulitur thellë në trurin tim, u ringjall kur pashë atë lajmërim. I përjetova me dhimbje ata çaste, sepse figura e Tij në përfytyresën time, me kalimin e kohës, rritej e plotësohej. E kam takuar në vitin 1995, në ndërtesën e Kuvendit, në veshjen e deputetit të PS. Kishin kaluar 15 vjet nga ndarja e jonë. Jetët tona nuk ishin puqur më, por ajo nyja e padukëshme, e krijuar në mjedisin e zymtë të qelisë dhe zyrës së Tij, vazhdonte të jetonte. “Nuk kandidohem më” – më tha – “nuk është për mua kjo jetë.” E mbajti fjalën, sepse ishte njeri i fjalës. U kthye në profesionin e Tij të gjykatësit e të mësuesit, duke arritur maja si antar i Gjykatës së Lartë e si pedagog i Shkollës së lartë të Magjistraturës, deri në frymën e fundit.

Një mikja ime, nëpunëse në Këshillin e Evropës në Strasburg, më thonte për Të, se ishte ndër të paktit përfaqësues të respektuar të Shqipërisë atje, kur e sillte puna që të shkonte. Nëpërmjet një miku të përbashkët më kërkoi që të takoheshim. Në gushtin e shkuar, kur isha në Shqipëri, nuk qe e mundur, mbasi ishte jashtë Tiranës me pushime. Shpresonja t’a shihnja në këtë muaj të prillit po, fatkeqësisht, gjeta lajmin e hidhur se Ai ishte ndarë nga kjo botë.

Duke e kujtuar gjithmonë me mirënjohje e dashamirësi, për sjelljen e qëndrimin kundrejt meje, shpresoj e uroj që ai qëndrim të ketë qenë një kostante e vazhdueshme e jetës së Tij, duke vërtetuar një fakt të rëndësishëm, se njeriu i shëndoshë moralisht, i pajisur me cilësi të çmuara njerëzore, edhe në kushtet më përshkallëzuese të së keqes, mund të japë ndihmesën e tij, për të kufizuar forcën e saj të verbër. Mendoj se dukuri të tilla duhen mbajtur parasysh në shqyrtimin e bëmave të një epoke të gjatë e tepër të dhimbëshme për kombin tonë. Vlerësimi i shfaqjeve të së mirës njerëzore edhe në kuadrin e zi të së keqes zotëruese, do të ishte dëshmi e evolucionit tonë shpirtëror e mendor, e afrimit me respektin ndaj së vërtetës dhe arsyes së mirëfilltë.

“Vlerësimi vlen më shumë se sa nami, konsiderata më shumë se fama, nderi më shumë se lavdia.” Ky gjykim i një shkrimtari të shquar francez të më shumë se dy shekujve të shkuar, Sebastien Chamfort, besoj se do t’i shkonte për shtat “Gjykatësit të ndershëm”, Bashkim Caka, atij që un njoha në një ditë të zezë prilli të vitit 1980, por që mbeti në kujtesën time si një krijesë njerëzore që lehtësoi ditët e netët e  periudhës më të vështirë të jetës sime.

 

Filed Under: Featured Tagged With: “GJYKATËSI I NDERSHËM”, Eugjen Merlika

CIKLI I NOBELISTEVE- ERIK AXEL KARLFELDT, NOBELISTI I VITIT 1931

May 3, 2016 by dgreca

NOBELISTI  VIII-  1931/

Ne Foto:Erik Axel Karlfeldt 1864 – 1931 NOBEL 1931/

 Erik Axel Karlfeldt (Avesta, 20 korrik, 1864 – Stockholm, 8 prill, 1931) ishte një poet suedez. Në vitin 1931, menjëherë pas vdekjes së tij ai u nderua me Çmimin Nobel për Letërsi, Ai e kishte refuzuar (duke qenë një anëtar i Akademisë) në vitin 1918._________________

MOTIVACIONI

“poezia e Erik Axel Karlfeldt”

______________________________________________

 MAGJISTARE 

 Kur nata nebulozë është gri

si argjili dhe me avuj të lagshtë,

shtriga shtatzëne vesh

veladonin e saj dhe del

jashtë derës fshehurazi; zvarritet

përreth shtëpive rakitike, kasolleve;

midis tufave nguruese të barit gjethedielli,

mes xhufkave të çikoçelëve dhe graminaçeve.

Pastaj kthehet dhe përmbytur nga një napë e lagur

shtrydh vesën në një kupë.

 

 

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: ERIK AXEL KARLFELDT, Faslli Haliti, NOBELISTI I VITIT 1931

NUSRET PLLANA NJE ZE QE NDEZ PISHTARIN E KUJTESES KOMBETARE

May 3, 2016 by dgreca

   NGA ZEF PERGEGA-Detroit*/

            A po ju kujtohet ai ze?!/

      …Kane kaluar vite po ai nuk harrohet. Ka qene data 4 janar 1988 kur foli per here te pare. Ishte ngice. Pemet ishin veshur me nje shtrese te trashe acari. Po po me kujtohet ai ze qe cau akullin si bashi i Titanikut. Na ngruhu te gjitheve. Si nje zjarr na ndezi zemrat e hov i dha guximit qytetar per te mbrojtur pragun tone…Ishe zeri i te vertetes qe vinte nga vija e pare e e zjarrit. Studio e ketij zani ishte llogorja ndersa lajmin e percillnin plumbat…

Po pra apo u kujtohet tash ai ze?! “Ju flet Kosova e Lire!” Ishte zeri i luftes. Keshtu e thirrnin luftetaret e lirise dhe njerezia zerin e Nusret Pllanes, i cili raportonte detajet deri ne imtesi nepermjet flurudhave  nga fronti i betejave te pergjakshme. Te luftosh me bishat dhe zerin ta kesh me te forte kete e kane pare e degjuar vetem tek Nusret Pllana. Zani i tij e shoqeronte plumbin ne zemer te armikut pushtues e c’njerezor. Faktin per lajmin qe transmetonte e kapte si shqipja ushqimin per zogjte e saj ne qiellin me tym baruti. Shqipet kurre nuk jane trembur nga korbat, por korbat kesaj radhe ishin te armatosur deri ne dhembe e makina e tyre me zingjire ngrinte jete, femije, pleq e nena, madje edhe te semure me te meta fizike e mendore. Ishte nje kose qe nuk bente seleksionime.

Ushtar i Dukagjinit per dy vjet dhe ne Zonen e Drenices si foles i radios “Kosova e Lire”, familjen e pa vetem dy here per pak minuta sa disi te shuante mallin. Po ne te tilla raste malli vjen e ndizet sa ne zemer njeriu e ndjen djegien e mungeses…Ora 16: 05 minuta vjen zani i Nusretit ne radio. Gjindja mbajne vesh, familja ngushellohet duke degjuar zerin e tij. Jane gjalle tyrimat dhe nuk i leshojne pozicionet e ky eshte frymezimi dhe morali i shpreses per fitore.

Nusreti ishte ne lufte por ai jetonte shekullin e lirise, ndaj ai nuk e priti kohen, por e avancoi ate. Me zanin e tij shqip kane folur 57000 heronje dhe martire te tokes tone. Gjeologu i thesareve te kombit, Pllana qemton e zbulon cdo fakt qe mendon se perben fakt historik, per te lartesuar permendoren e deshmise. Zeri i tij eshte zeri i revoltes, i shprehur ne te gjitha menyrat me zerin e qytes e me zerin e fjales me dashuri e paqe pa hakmarrje, por si nje gur i kujteses qe duhet te shendrise medjet e shendosha edhe ato te semura.

“Ushtar Prishtina” ishte larguar nga qyteti nga pjacat e kryeqytetit me nje ze te shenjte qe i erdhi nga shpirti per shenjterimin e lirise dhe te ceshtjes kombetare.

Arbreshasi i Kosoves Nusret Pllana, diten me syrin ne shenjester e naten nen driten e zbehte te qirinjeve shkruante ditarin e tij, ngjarje te vertata si kthjelltesia e lotit. Zeri i tij ishte zeri kushtrim. Ky ze ndezi pishtaret e lirise dhe vazhdon ti mbaje ndezur, per te patur rruga drite. Mund te quhet me plot goje se zeri i Pllanes eshte zeri I konventes se lirise…

Sadik Fejza nuk e harron ate dite. I semure me pak drite ne sy priste torturat dhe me pas vdekjen. Nusret Pllana e merr ne krah permes plumbave dhe per tre ore e bashkon me familjen. Lot gezimi. Po si e ka zerin loti?! Lexoni vepren e Nusret Pllanes per te marre pergjigje!

Prifti nuk e festoj 70 vjetorin, por bekoi lindjen e nje libri!

Gjithmone perpara se te bie per te fjetur ne darke vone u hedh nje sy mediave, gazetave dhe revistave ne online. Diku ne nje cep kapa lajmin e ardhur nga Stubulla e Kosoves se Dom Ndue Gjergji kishte 70 vjeorin e lindjes. E kujtonte vendlindja me nje urim te sinqerte, gje te cilen e konfirmonte edhe kryetari i keshillit te kishes “Zonja Pajtore” Rrok Dedivani me nje urim familjar. Ora kishte kaluar 10 e darkes dhe sic eshte nje zakon i pa shkruar ne Amerike se mbas kesaj ore nuk eshte mire te marresh ne telefon. Po ne shqiptaret i kemi me perzemer rregullat tona dhe formulova numerit te telefonit. Dom Nduja mu pergjigj menjehere. E urova per ditelindjen dhe ne perfytyrimin tim ne ato thinja te argjenda vitet hidhnin vallen e shpirtit te tij te bukur, te paqte dhe i mbushur ne dashuri njrezore. Nje shpirt vazlues per te gjithe edhe per ata ecin mbi thepa lavdi e krenari per te qene mbi te gjithe, por Dom Ndoj me sjelljet e tij te ben te ulesh ne gjunje e te lutesh nese don force e vitalitet njerezor me merite.

Ishte ne nje lokal me Dom Fredin dhe atdhetarin Ben Marku. Dom Ndou me ftoj per nje gote vere. Kur shkova po ate nate te 29 prillit ia urova ditelindjen meshtarit dhe ai e pashe se syte ngazelluan ne drite miresie. E uroi edhe Dom Fredi dhe Beni. Aty e kuptova se nuk ishin mbledhur per te festuar, por thjeshte si mundesi per tu takuar e biseduar se bashku si meshtare. Aty Dom Ndou me njofton se me 1 maj do te behet promovimi I librit te Nusret Pllanes ne kishen “Zonja Patore” ndaj duhej te pergatisja nje pershendetje te shkurter. Do te vinte edhe Dom Lush Gjergji si recensent i librit…Dom Nduja nuk e festoi 70 vjetorin per te festuar daljen e ketij libri. Libri eshte si njeriu edhe ai ka ditelindje. Me thjeshtesi meshtari e bekoi kete ditelindje te kujteses kombetare shqiptare.

 

                    Dy fjale nga impresionet e mia

 

Perurimi  i librit te Nusret Pllanes, peshen e ka te cmuar, sepse eshte pesha e dhimbjes te nje kombi qe ka bere sakrifica sublime per liri. Ky liber e ka bere me merite vendin ne skedarin e ndergjegjes kombetare, te akademive shkencore dhe bibliotekave te fjales shqipe dhe atyre nderkombetare.

Ky liber voluminoz me foto dhe shenime perkatese, eshte nje institucion shkencore i deshmise figurative dokumentare dhe historike. Cmimi i madh i lirise se nje kombi

Eshte nje pune kurajoze, disa vjecare, sfilitese, e cila per shume vite ka fjetur nen dhe me heronjte dhe martiret dhe e nencmuar nga pluhuri politik i harreses, te cilen nuk e ka bere nje instucion akademik shteteror apo unversitar, qe del ne drite vetem nga drita e shpirtit atdhetar te autorit.

Libri eshte nje mozaik i gebocidit te nje populli te shtypur nga makina me e rende shtarake ne bote nga ajo serbe nder vite.

Eshte nje permendore plot vezullim drite i kujteses se nje kombi per te mos u harruar. Zjarr i ndezur i kujtimit te gjakut te deshmore ve. Heronjt nuk bien per medalje, por gjaku i tyre ushqen faren e lirise.

Libri eshte nje pasqyre e gjalle e fytyres me te gjitha shqisat ne gjerdanin e patriotizmit dhe te flamurit tone kombetar, nje vlere e shtuar e te vertetes historike qe prek thelle ndergjegjen e njerezve te cdo rrangu.

Ky liber eshte nje leksion dhe nje mesim i madh, per tu patur ne vemendje e sidomos per krijuesit dhe gjenenatat e reja.

Sepse hapi i pare i shuarjes se nje kombi nuk eshte lufta e pushtimi se e jemi pushtuar 56 here ne dymije vjet, por eshte fshirja nga memoria e historise dhe cultures se tij. E kjo fillon e djegien e librave, sic i dogjen 40 mije vetem te jezuiteve te Shkodres,  tu shkaterrosh kulturen, historine dhe gjuhen me te cilet kane folur dhe kane rene per te. Historia jone e pa shkruar saktesisht ehte bere lamsh qe veshtire ti gjendet filli. Eleminimi vjen kur librat u a shkruajne te tjeret, sic ne u referehemi te huajve qofshin ata edhe kalimtar te rastit, sic i referohet bujku henes per te mbjelle. Dhe keshtu pas pak dekadash brezat nuk dine nga erdhen, kush jane dhe nga shkojne.

Ne kemi qene te pushtuar nder shekuj, por kemi mbijetuar. Pushtimi me i madh ka qene pustimi ndaj vetvetes. Kemi qene te vrare se vrame besimin. 160 prifterinj qe kishin mbaruar 800 vjet shkolle ne perendim, 7 ortodoks dhe 28 lider musliman nuk jane pak per nje komb te vogel ne teritor. Nuk ishin thjeshte vrasje fizike, por vrasje shteterore e tempullit te shenjte per te zhdukur mesazhin letrar dhe historic te veprave te tyre, per te krijuar realizmin socialist, te shartuar jo ne tregun kombetar te vlerave te trashegimise, por ne parimet e krijimit te njeriut te ri ideologjik.

Dhe me e tmerrshmja ishte vrasja e “Gjuhes Krisht” sic e kane konsideruar shkrimtaret e famshem Arshi Pipa e Martin Camaj madje dhe italiani Zef Valentini.

Libri i Nusret Pllanes na ben sot me dije se duhet shkruar ne kohe historira e kombin tone per te mos lene te bjerret. Per ne ne diaspore edhte nje thirrje per ti ruajtur vlerat tona e sidomos gjuhen. 35 mije femije e te rinje ne komunitetin tome, nga te cilet 25 mije nuk dine ta shkruajne shqipen e bukur te Naimit dhe te Fishtes

Ky promovim behet sot ne kishen Zonja Pajtore. Le ti themei autorit te lumte dhe ne vepra me te bukura dhe ti urojme Dom Ndues 70 vjetorin, ketij sherbestari te devotshem te shembellimit ne Krishtin dhe ne syte e mergates, ketij punetori te palodhur qe ka ngitur nje dige per te na mbrojtur nga vershimet e asimilimit.

 

     Si u shpernda vala e zerit te luftes edhe ne paqe

Ky ze u shperda ne 50 vepra historiko dokumentare te autorit Pllana ne 30 filamat e tij dokumentar dhe ne 7 ekspozita te celura ne disa vende te botes. Zani promovues mberriti ne 50 qendra europiane e deri ne Amerike e Australi.

Nusret Plalna eshte guximtari i vetem i dhimbjes, se ciflat e predhave dhe te granatave nuk ia mbuluan fjalen me dhe, nuk ia vrane driten e syve se ai Rrnon me Diftue…

Dy mirenjohje mori nga Biblioteka e Kongesit Amerikan, nga Biblioteka kombetare e Anglise, “Victoria” e Australise. Akademia Ushtarake e Gjermanise etj.

Nuk eshte zeri i autorit, por e nje gjysem milioni i shqitareve te vrare padrejtesisht ne menyra te ndryshme. Ne nje periudhe 140 vjecare genocidi serb thuri 24 elaborate per zhdukjen e shqiptareve ne menyre kolektive.  Per 150 vjet jane ushtruar kater genocide mbi popullin shqiptar te Kosoves. E keshtu zani i Nusretit flet edhe me gojen e 2700 heronjeve te rene. Politikanet kane hedhur shtat ne kolluqet e perandorit, por gjaku i te reneve qe nuk eshte thare nje dite do tua zere syte. Njerez si Nusreti nuk pranojne qe udbashi te jete veteran i pare i luftes se Kosoves. Se shpirti i Nusretit dhe i Nusreteve te tjere nuk pranojne qe heronjte e luftes te trajtohen si lypsit e rrugeve se plaga e tyre dhemb tani me shume ne paqe se ne lufte. Se ua kane grabitur lirine dhe ne qiellin e Prishtines kane ngritur cerdhe perseri korbat.

Takimi promovues ne kishen “Zonja Pajtore” nisi me meshen e shenjte te celebruar nga Dom Lushi, Dom Nduja dhe Dom Antoni, ku ishin te pranishem edhe autori Pllana, shoqatat e Detroitit dhe shoqata e shqiptareve te Kanadase.

Dom Lushi vleroi edhe njehere momentin me te rendesishem historik te kombit tone shenjterimin e Nana Terezes ne Rome me 4 shtator 2016 dhe  te 38 martireve neshtare katolik te ekzekutuar nga diktatura komuniste.

Dom Lushi e cilesoi Nana Terezen ikona e dashurise njerezore. “Ne e shikojme Zotin ne rrudhat e fytyres se saj, fytyre e meshires dhe e humanizmit njerezor. Semundja me e rende  e njerezimit sot edhte mungesa e dashurise. Ajo me vepren e saj e fitoj jeten dhe per ne i dha kuptim saj!”

Ne sallen e kultures u shfaqen dy filma dokumetar te pergatitur nga Nusret Pllana “Shoqata Nana Treze” Aktiviteti i kesaj shoqate humanitare, ne drejtim te se ciles ishin shqiptar te besimit musliman qe paragjykimet ia kishin lene kohes se shkuar. Te perfshire ne dhune e terror secili dha dicka nga vetja. Shoqata u krijue ne vitin 1999 kur populli nuk kishte nje kafshate buke dhe nje sapun per te lare syte. Shoqata pervec se ndihmoi me ndihma ushqimore e veshmbatje vaksinoi 100 mije femije. Te gjithe femijet qe linden ne ate periudhe jane gjalle e shendosh edhe sot. Ajo dha medikamente  e veshmbathje per luften. Krytetari i shoqates me te birin u vrane nga forcat serbe, po ashtu edhe kater antare te kryesise humben jeten nga plumbat mizorit. Forcat serbe dogjen 100 depo dhe 96 ambulanca te shoqtes humanitare “Nana Tereze”

Dokumnetari i dyte i kushtohej 241 vrasjeve ne fshatin Kruzhe e Madhe te Kosoves. Gjykata e Hages zbuloi ne Kosove dy kremotoriume si ato te Aushvicit dhe 8 varreza masive. Ne Kosove numerohen 660 varre masive qe nuk kane pergjigje nga drejtesia. Qengji qe u sakrifikua barbarisht ishte shqiptari i Kosoves. Asnje nga deshmitaret nuk eshte thirrur te deshmoje para Tribunalit te Hages. Rubin Kuk, ministri i jashtem anglez qe e vizitoi kete fshat tha: “Pergjegjes per keto vrasje masive jane vrasesit por edhe urdheruesit nga Beogradi!”

Prezantimin e librit ”Terrori I Serbise mbi Shqiptaret” 1884-1999, i perkthyer ne tete gjihe te botes e beri Dok Gjeke Gjellaj. Ai thha se treni i te drejtes se shqiptareve eshte ndaluar nga serbet dhe nga ruset, por shqitari me te drejten e vet do te beje qe lokomotiva e ketij treni te eci deri ne zgjidhjen e problemit.

Dom Ludh Gjergji tha: “Tri cestje u bene shtyse per kete liber. Kujtimin te mos e mbuloje harresa. Jo per hakmarrje. Mos u harrofte ajo cka ngjau dhe mos u perserite askund. Kush hesht e pranon. A eshte e mundshme te heshtim, sikur s’ka ndodhur asgje?! Krimi dhe krimineli nuk duhet te barazohen me viktimen. A mund te heshtesh per hir te pajtimit?! Dhe e treta, njerezit e zhdukur. Si eshte e mundur te zhduket njeriu. Zoti na e ka dhane jeten per ta shijuar dhe vetem ai na e merr. Ne kerkojme dashuri e drejtesi jo hakmarrje!

Dom Fred Kajaj: “Nuk ka paqe pa drejtesi pa te verteten. Me serbet na ndane nje qiell e nje dhe edhe pse afer kemi le! Si nuk ka museum per luften ne Kosove?! Po thuajse te njejten pytje shtroi edhe Dom Antoni se si ka mundesi qe politikane e Kosoves nuk e vlersojne kete liber qe eshte deshmitari me i vertete i drames Kosovare per ma shume se 100 vjet apo mbushin xhapat! Takimin e pershendeten edhe Luigj Gjokaj, Marash Nuculaj, Anton Lajcaj, Mikel Dema, Kujtim Qafa, Ruki Kondi e Ramazan Kllezi nga Kanadaj. Takimin e moderoi Rita Gjelaj dhe u filmua nga dy televizionet e komunitetit. Ne fund pershendeti autori Nusret Pllana:

“Mbas heronjeve dhe martireve vjen diaspora, te cilen e nderoj me gjithe zemer per kontributin e saj per ceshtjen kombetare dhe ngritjen e funksionimin e institucioneve te Kosves. Une kam projekte te tjera per ta cuar ne 10 vepra kete trajtese. Synojme qe dokumetari per Nana Terezen te paraqitet si konkurrent per cmimin “Oskar” ne Amerike….”

Autori nuk e feshu brengen se si ka mundesi qe asnje lider kosovar nuk pati guximin qe kete liber te ia dhuronte Ivica Daciqit, Mogelinit apo Baniki Mun gjate takimeve…! Zeri i Nusret Pllanes do te flase!

*Foto-Dielli arkiv-

Filed Under: Opinion Tagged With: E KUJTESES, Kombetare, NJE ZE QE NDEZ, Nusret pllana, PISHTARIN, Zef Pergega

Në prag të miratimit të ligjit mbi “Reformën në Drejtësi”

May 3, 2016 by dgreca

Fragment nga romani “Në kerkim të lirisë”/

Nga Reshat  Kripa/

Tashmë   pushteti   kishte   kaluar  në  duart  e  së majtës. Ajo e kishte fituar atë me forcën e  armëve, si dikur pesëdhjetetre vjet më parë

Natyrisht, në këto kushte,  ajo e ndjente për detyrë të shpërblente ata që e kishin ndihmuar të vijnë në pushtet. Kështu Bilalin e emëruan drejtor të një instituti për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Drinin e dërguan si diplomat diku në një shtet të lindjes, ndërsa Fatlumi na doli si një analist dhe komentator politik i përsosur, që jepte mendime në çdo organ shtypi dhe ekran televizioni, si specialist i të gjitha fushave të jetës së përditshme.

Në këto  kushte  ishte  e  pamundur  që  shoqata  të zhvillonte  më tej veprimtarinë e saj. Ndaj Fatosi qëndronte pothuajse vetëm duke menduar për mënxyrën që kishte kllaposur vendin. Nga detyra e drejtorit e kishin shkarkuar dhe tani jetonte vetëm me pensionin e tij. Të njëjtin fat kishin pësuar edhe Hektori  me Dianën.

Me   këto   mendime   rrinte   pranë    ekranit    të televizionit dhe shikonte pa e patur mendjen aty. Po jepeshin lajmet kryesore të ditës. U zgjua papritmas nga haluçinacionet   ku   jetonte   nga  zëri  i  spikeres  që  bëri  njoftimin.

Sot, në mbrëmje  u  vra  nga  persona  të  paditur, pranë   selisë   së   partisë   së    tij, udhëheqës  i   lëvizjes studentore të viteve 90-të (spikerja përmendi emrin e tij), së bashku me shoqëruesin e vet, ndërsa shoqëruesi tjetër mbeti i plagosur rëndë (edhe në  këtë  rast  spikerja përmendi emrat e tyre).  Policia është  vënë  në ndjekje  të vrasësve.

Fatosit iu duk sikur  një  bombë  kishte  shpërthyer në këmbët e tij. Udhëheqësi i studentëve ishte bërë një figurë e njohur në politikën shqiptare. Dy herë më parë u kishte shpëtuar atentateve të kryera dhe pas çdo here    gjëmonte      më     fort    zëri    i    tij    në     mbrojtje     të deokracisë  që  tashmë ishte përdhunuar.

Ai e njihte edhe shoqëruesin e udhëheqësit. Ai ishte biri i një ish të burgosuri politikë, një burrë mjaft serioz dhe korrekt. Ai e dinte se ata i vrau dora e zezë e krimit, dora e pasardhësve të atyre që kishin vrarë dhe burgosur prindërit e tyre, dora e ish-Sigurimit të Shtetit e rivendosur përsëri në pushtet, ndonëse me emër tjetër, atë të partisë socialiste, të asaj partie që  gatoi tmerret e vitit 1997 dhe uzurpoi pushtetin, duke përmbysur me forcë fitoret demokratike të arritura deri atëherë në vend.

Dy ditë tmerri dhe terrori vijuan këtë ngjarje të tmerrshme. Dy ditë të zeza për popullin shqiptar. Ishte vrasja e shekullit. Partia Demokratike i demaskoi menjëherë vrasësit, por organet qeveritare e bënë veshin e shurdhër, se ishin vetë ata që e kishin përgatitur këtë komplot.

Fatosi e shikonte udhëheqësin madhështor në krye të studentëve të Tiranës, për të rrëzuar sistemin e urryer që sundoi për gati një gjysmë shekulli në vendin tonë E shikonte në rrjedhën e atyre ngjarjeve të paharruara të viteve 1991-1997, si një pishtar që ndriçonte për të ndritur rrugën e demokracisë. Por me një madhështi më të madhe e shikonte pas ngjarjeve tragjike të atij viti të zymtë. E shikonte madhështor të endej nga një qytet në tjetrin për t’i treguar njerëzve se vazhdonte të jetonte dhe të luftonte për rivendosjen e demokracisë së përdhunuar. Një gjë e tillë nuk kishte se si të mos binte në sy të kriminelëve që i ngritën disa kurthe dhe prita. Fatosi kujtonte ngjarjet e Tropojës, Milotit dhe sidomos atë të parlamentit, ku plumbat e një vegle qorre të Sigurimit e plagosën rëndë, por  që për fatin e tij nuk mundën t’ia merrnin jetën. Ai kishte parasysh figurën e tij heroike në parlamentin shqiptar, pas daljes nga spitali, me duart e kryqëzuara lart ku, pa iu dridhur qerpiku, u çirrte maskën  mafiozëve, autorëve kryesorë të masakrës së vitit 1997. Ndaj e vranë. E vranë pabesisht ashtu siç ishin mësuar prej kohësh, ashtu siç kishin vrarë prej kohësh.

Së bashku me të vranë edhe besnikun e tij. Ai ra për të mbrojtur mikun. Ranë që të dy njëri pranë tjetrit, të lidhur pazgjidhshmërisht edhe në vdekje. Familjes së shoqëruesit, një familjeje fisnike nga veriu i vendit, nuk i kishin mjaftuar përndjekjet e të atit, një malësori të urtë dhe të ndershëm. Nuk i kishin mjaftuar kaq vite vuajtjesh të pashembullta nën regjimin diktatorial ku, me gjithë varfërinë e tejskajshme, asnjë herë nuk e kishte ulur kokën, por kishte qëndruar gjithmonë ashtu siç i ka hije një malësori dhe familjeje krenare. Ajo duhej goditur atje ku i dhimbte më tepër. Dhe ky ishte biri i tij i mirë, i urtë dhe besnik deri në vdekje. Kjo ishte tradita e trashëguar nga prindërit dhe krahina e tij e nderuar. Dhe ai diti t’i ruajë ato me nder. Ai u vra se i përkiste një familjeje tradicionalisht të lidhur me  Mbretin  Zog  dhe  Partinë  Lëvizja  e Legalitetit.

Dita   e   nesërme.   Kryeqyteti   zjente.   Revolta popullore për vrasjen mizore shfaqej nëpërmjet manifestimit paqësor të popullit, nëpër rrugët e kryeqytetit.  Me këtë manifestim ata donin që t’i jepej fund njëherë e mirë vrasjeve barbare që kishin filluar në vendin tonë, nën ombrellën qeveritare. Manifestuesit as nuk dogjën dhe as nuk vranë, as hapën depot e armatimit dhe as rrëmbyen armët, siç kishin vepruar komunistët një vit më parë.   Megjithatë u vranë. U vranë se ishin demokratë. U vranë se ishin të përndjekur politikë nga diktatura. Në këtë manifestim paqësor, krahas dhjetra të plagosurve, qëllohet për vdekje Lulzimi, biri i nacionalistit të njohur Saimirit, një oficer i lartë që kish mbaruar studimet e larta në Torino të Italisë, vrarë edhe ky në ditët e zeza të nëntorit të vitit 1944. Vrasja e Lulzimit u krye me snajper nga godina e Kryeministrisë. Ishte një vrasje e paramenduar. Pasi kishin vrarë disa nga krerët e asaj organizate atdhetare, që për parullë kishte: “Puna jonë në robëri është Lufta. Lufta jonë në liri është Puna”, filluan   të   vrasin   edhe   bijtë   e   tyre.

Kaloi dhe një ditë  tjetër.  Zhvillohej  ceremonia  e varrimit të martirëve. Pas mbarimit të mitingut të përmortshëm, turma drejtohet me arkivolët drejt Kryeministrisë, shkaktares së kësaj masakre. Përsëri krisma. Në rrugë kundër popullsisë shfaqen edhe tanket. Popullsisë nuk i mbetet tjetër veçse të ngrihet në revoltë. Por thirrja e burrave të urtë të kombit, që nuk donin më të derdhej gjak, që donin që gjithçka të zgjidhej me ndihmën e arsyes, e qetësoi turmën e irrituar.

Mbrëmja e asaj dite. Ora 20.oo. Genti,  i këputur nga lodhja e asaj dite të përgjakur, po kthehej në  shtëpi. Jo  më   shumë se dhjetë metra larg Ministrisë së Rendit, tre plumba kriminelësh e qëlluan. Ai  u  rrëzua për tokë. Ishte vetëm. Askush nuk guxoi t’i afrohej. Ndoshta e lanë ashtu  qëllimisht  për  gati njëzet minuta. Pastaj e  shpunë  në  spital  ku  ndërroi  jetë.  Pesëdhjetëvjet më parë i kishin vrarë edhe të atin. Gjakpirësit siç duket nuk ishin ngopur me gjakun e tij  por kërkonin edhe atë të të birit.

Në morg me Gentin, ishte dhe një kufomë tjetër. Ajo mundi të identifikohej vetëm pas dy ditësh nga e motra. Ishte Aliu nga Macukulli, një i përndjekur politikë nga regjimi i Enver Hoxhës. Kishte ardhur në Tiranë për të shpërndarë ftesat e dasmës që do të zhvillohej pas një jave.  Por nuk mund të mos merrte pjesë në varrimin e martirëve. Dhe u   vra. Në  Macukull  këngët  e  dasmës  u  përzjenë  me  vajin  e  vdekjes.

Kështu ranë martirët e atyre  ditëve  të  tmerrshme. Ata ranë për t’u përjetësuar në këngët dhe historitë e këtij kombi. Ata do të mbeten gjithmonë të pavdekshëm në kujtesën e popullit. Por kjo nuk mjafton. Gjaku i tyre kërkon drejtësi. Vrasësit dhe urdhëruesit enden të lirë rrugëve të vendit. Disa prej tyre mund të jenë në organet legjislative apo të drejtësisë. Ka ardhur koha e vënies  në vend   të  drejtësisë  së  vërtetë.  Dhe  Fatosit i dukej  sikur dëgjonte thirrjen e tyre:

– Duam drejtësi!

Këto mendonte  Fatosi në ato çaste. Para syve i doli një ngjarje që  i  kishte  ndodhur  në  vitin  e  parë   të fitores së demokracisë:

Po nxitonte për të shkuar  në  zyrë. Papritmas i kishte dalë para toger Ademi, ish-operativi i sigurimit që kishte pasur në kampin e punës së detyruar. Qëndroi dhe po e vështronte. Ai, me një buzëqeshje të shtirë, i zgjati dorën. Fatosi ndjeu neveri për atë dorë të përgjakur         

– Ç’kërkoni? – i tha  ftohtë.

– Nuk ishte faji i ynë – u pergjigj ai duke parë qëndrimin e tij. – Ishte i sistemit  që na bëri të tillë. Nuk kishim rrugë tjetër. Hymë në valle dhe nuk dilnim dot. Ato ligje ishin dhe ne ishim të detyruar t’i zbatonim.

Fatosi nuk po e dëgjonte. Para syve i dilte një skenë mizore që lidhej drejtpërdrejt me të dhe të cilën nuk mund ta harronte kurrë. Ndaj pendimi i tij ishte  falso dhe ai nuk mund ta besonte. 

Ishin në kampin e Bulqizës. Ishte dimër. Binte borë. Acari të thante fytyrën. Sapo ishin kthyer nga puna të rraskapitur dhe prisnin t’u sillnin lugën e supës me qepë, me të cilën mbanin shpirtin gjallë. Ai hyri në kapanon dhe duke iu drejtuar një djaloshi nga Mirdita, i tha me egërsi:

– Përse nuk e realizove normën?

– Isha i  sëmurë,  zoti  toger! –  u  pergjigj  djaloshi me gjysmë zëri.

            Nuk e la të mbaronte fjalën. E  rrëmbeu  me  forcë dhe duke e hequr zvarrë, e përplasi përjashta në borën që vazhdonte të binte. Filloi ta godiste ku të mundte me kamxhikun që mbante në duar. Pastaj, duke e tërhequr gjithmonë zvarrë, e mbylli në një nga birucat e caktuara për këtë qëllim.

Kur u err dikush i çoi një copë buke. Nuk e kish mbaruar ende, kur ia behu krimineli. Sapo e pa, filloi ta godiste përsëri me kamxhik, duke kërkuar t’i tregonte se kush ia kishte dhënë copën e bukës. Djaloshi nuk tregoi. Atëherë dha urdhër ta lidhnin në një shtyllë telefoni që ndodhej afër kapanoneve. Caktoi edhe dy roje për të mos lejuar njeri t’i afrohej. Ishte thëllim. Binte borë. Fatosi dhe shokët e tij dëgjonin rënkimet e tij të mbytura dhe nuk ishin në gjendje ta ndihmonin. Tërë atë natë nuk mbyllën sy duke dëgjuar rënkimet e tij. Diku afër mëngjesit ato pushuan. Mirditori trim kishte ndërruar jetë.   Nuk   i   kishte  mbushur  ende  te  shtatëmbëdhjetë vjetët.

-Shpormu nga sytë! – thirri Fatosi sapo kaloi vegimi që iu shfaq.  Por krimineli  e  kishte  kuptuar  me kohë  dhe ishte zhdukur. Fatosi ndjeu  një   tronditje   të thellë  brenda vehtes

Në atë kohë iu kujtua një film gjerman  që  kishte parë në fëmini. Ishte një prodhim i pasluftës dhe titullohej ‘’Vrasësit janë midis nesh‘’. Në qendër të filmit ishte një mjek nazist që në të vërtetë ishte mishërimi i mizorisë. Në laboratorët e tij kishte kryer eksperimente nga më të përbindëshmet për torturimin dhe  shfarosjen e njerëzve. Pas mbarimit të luftës edhe atë, si  shumë të tjerë, e kishin çuar në bankën e të akuzuarve.

Kishin kaluar vite që atëherë. I kishte harruar pothuajse të gjitha skenat e  filmit. Vetëm njëra i kujtohej, finalja e tij. Mjeku i kapur me të  dy  duart  pas hekurave të burgut  thërriste:

            – Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm!

Ndërsa   në   sfond   prapa  tij,  si  përgënjeshtrim, shfaqeshin torturat, pushkatimet, varrosjet për së gjalli, djegiet në dhomat e gazit që ai kishte projektuar. Një skenë e paharruar.  Një zgjidhje e përkryer regjizoriale.

 

Duke kujtuar këtë  Fatosit iu duk sikur i përjetonte ende ato ditë dhe thirri me zë të lartë:

– A ka vrasës midis nesh? Cilët janë ata?

Njerëzit rreth e rrotull qëndruan dhe po e vështronin. Ai, i zhytur në  ëndërrimet  e  tij, duke  mos  e kuptuar se ku ndodhej, u kthye drejt tyre dhe vazhdoi:

– Po. Janë hetuesit dhe  ish-punonjësit  e  Sigurimit të Shtetit. Janë prokurorët dhe gjykatësit e pashpirtë që mbartin në ndërgjegjen e tyre qindra dhe mijëra të vrarë e të vdekur nëpër burgje, të cilëve nuk u dihen as varret. Janë spiunët e sistemit që presin rastin për të dalë përsëri në dritë dhe për të groposur përsëri njerëz të tjerë. Përse nuk vepron drejtësia? Përse nuk dënohen?

Dikush nga turma bëri një shenjë që  tregonte  se ligjëruesi nuk  duhej  të  ishte  mirë  nga mendtë. Ridvani, që u ndodh aty pranë, e kapi për krahu dhe e tërhoqi. Fatosi u përmend.

– Thashë ndonjë gjë? – pyeti.

– Jo, jo, – u përgjigj ai, – ejani të shkojmë.

U nisën. Kur mbërritën në shtëpi, Ridvani e pyeti:

– Përse shpërtheve ashtu?

– Mora vesh lajmin mbi vrasjet e kryera në Tiranë dhe m’u kujtua se disa vite më parë kisha takuar ish-operativin tim të Sigurimit. Ai ishte munduar të më kërkonte ndjesë. Atëherë m’u kujtua një ngjarje e dhimbshme që zor se mund të harrohet. Para syve më doli fytyra e shtatëmbëdhjetëvjeçarit që i mbylli sytë i lidhur në shtyllën   e   telefonit,  në   atë  natë  të  acartë  dimri,  në  kampin e Bulqizës. M’u veshën sytë. M’u duk vetja sikur isha ende në kamp. Harrova që  isha  në  rrugë.  Nuk munda të duroja më dhe shpërtheva.

– Por koha e atyre tashmë ka perënduar.

– Jo, i dashur mik, ata jane gjallë. Sot  janë  një  lloj  tjetër vrasësish,  më  të  rrezikshëm  dhe  më

kriminelë se të parët. Janë ata që, ndonëse janë të veshur me petkun e demokratit, presin ditën e nesërme për t’i ngulur thikën pas shpine demokracisë së brishtë që po ndërtohet. Po të shohësh mirë, ata mund t’i gjesh kudo. Mund t’i gjesh në partitë politike, në shoqatat, madje edhe në parlament. Në vend të ndëshkimit të merituar ata sot bredhin lirisht, duke derdhur helm në ndërgjegjen e njerëzve.

– A ka mundësi?

– Po, ata i gjen kudo duke u ngjirur dhe  thërritur si mjeku gjerman: “Jemi te pafajshëm! Jemi të pafajshëm! Fajin e kishte sistemi i përmbysur”! Sikur  të mos kishin qenë  këta njerëz të pamoral  që e mbajtën gjallë atë sistem i cili nuk do të qëndronte dot më këmbë për gati një gjysmë shekulli.

– Po përfundimi?

– Nuk e di. Kush   pra   qenka   fajtori   për   gjithë   këtë katrahurë që ka mbuluar vendin? Kush është fajtori? Mos vallë qenkemi ne që e paguam me jetët tona?

Ridvani nuk  u  përgjigj. Nuk  ishte  në  gjendje  të gjente fjalë për t’u  përgjigjur.  Qëndroi  edhe  pak  dhe pastaj u largua.

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Reformën në Drejtësi”, ne prag, reshat kripa, të ligjit mbi, të miratimit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT