• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

“Një jetë …disa histori” Dibra

June 25, 2016 by dgreca

Nga Marjana Bulku/

Dibra, qyteti që shfaqet befasisht sapo kalon kthesën e fortë e ndoshta të fundit pas asaj rruge të gjatë plot dredha që të duket edhe më e lodhëshme sesa fluturimi disa orësh përmbi Atlantik, hesht…

Një heshtje që akuzon, kërkon ndihmë, lutet…një heshtje që dhemb sidomos kur kujton mendjet dhe emrat që ajo trevë jetike ka i falur atdheut tonë të përvuajtur.

Qyteti hesht sepse ikjet e kanë varfëruar shpirtërisht, politikat e kanë përcudnuar edhe materialisht edhe arkitektonikisht, rrugët e shtruara, gjysëm të shtruara e kanë braktisur. Ai hesht sepse ka frikë të ëndërrojë. Dibra është në udhëkryq. Dhe Dibra nënkupton dy; atë që nis prej grykës së Radikës e deri në Skuraj, aty ku rruga që lidh kombin degëzohet e re dhe e brishtë drejt Kukësit e Kosovës, e ku flitet shqipja jonë plot ngjyra dialektologjike. Dibra hesht edhe pse ka hiret që zoti bujarisht ia ka falur ndërsa njeriu pak ia ka përkëdhelur.Kur varfëria dominon , shpresat reduktohen, dëshirat fiken dhe progresi i ngjan një tuneli pa dritë ku rrënjët e thella të së shkuarës i përnjasojnë një objekti të zhdukur që është përherë aty e rënkon nga jeta e dyfishtë as e gjallë as e pagjallë.Lagja historike e qytetit me pllaka e pllakate të vjetra e mure që zhvishen dita-ditës, nuk zhurmon më përvec ndonjë objektivi  të rrallë që memorizon me foto duke përmbushur edhe përmallimin e largët të të ikurve.Qyteti pa park të gjelbërt, pa planifikim urban por me ujrat termale dhuratë perëndie dhe provë e patjetërsueshme se Zoti klimës së ftohtë malore i veshi ujrat termalë që nuk shterin së kuruari. Dibra hesht edhe pse shumë objekte të saj simbolike mbartin bagazhe jo të pakta intelektuale; Teatri i kukullave tashme i harruar, gjimnazi universitet tashmë i tjetërsuar, bulevardi i blinjve tashmë nën procesin e rilindjes edhe pse ka qenë vepra më e bukur e Rexhep Dodës, arkitektit që i dha formë një qyteti që nuk mund të quhet kurrë i tillë pa atë bulevard që e identifikon. Aty ku madhështojnë rrugët civilizimi kalcifikohet natyrshëm e nuk është rastësi që përbri bulevardit Rexhep Doda, (sapo e emërtova vetë edhe pse ka emrin Elez Isufi), janë lartësuar objektet më simbolike dibrane; kinemaja -gërmadhë, turizmi, banka nënë por edhe bijëzat, pallati i kulturës ku thuhet se jeton ende estrada, Prefektura Posta…Përtej cdo objekti ka shumë histori të pashkruara, por që nëse do ia risillnim heshtjes të paktën do mund të pëshpërisnim dicka jo pa krenari.

Qyteti hesht edhe kur duhet të tregojë, kërkojë dhe prezantojë më të mirën e vet. Për mua Dibër do të thotë Selim Alliu, ai humanist i rrallë, që ka lënë aq shumë dokumenta e studime për zonën nga vinte, që u bë frymëzim për ta dashur dhe admiruar arsimin, etnografinë ,shkollën, klasën, mësimdhënien.
Qyteti hesht edhe pse në kryeqytet të gjithë thonë jemi dibran kur përmendet tradita e gatimit, jetesës , pastërtisë.Qyteti hesht edhe kur në pragfushata artikulohet Rruga e Arbrit…

Kur po ndërtohej Rruga e Arbrit, e malet caheshin në mes dhe njerëzit e arrinin më shpejt kohën, jeta do kishte pasur një ritëm tjetër dhe fatet e këtyre banorëve gjithashtu…asnjë kronikë, asnjë analizë edhe pse ishte ndoshta një nga projektet më të vështira në një zonë që ishte akoma me rrugët e ndërtuara nga italjanët. U gërmua nëpër thellësi e toka pasuri na nxorri objekte të lashta ilire si për të na kujtuar se jemi zot te saj e duhet të rrëfejmë për të.Por qyteti i pazë heshte…e vetmja media lokale transmetonte non-stop filmat: “Kapedani” dhe ” Kumbari” madje kujtoj se në një nga mbledhjet e këshillit bashkiak e kam ngritur këtë shqetësim,,,por heshtja nuk ka kurrë zë, thonë se ka logjikë.

Qyteti që shfaqet befas pas kthesës por që duket qartaz nga lartësitë malore kurorë, ku Drini gjarpërueshëm shtegton luginash plot jetë, është pamja që gjithmonë e kam dashuruar, ishte fundi i një rruge të gjatë ishte pragu i times shtëpi, uroj qe befas aty të gjej krenaritë që heshtin nga dhuna e padrejtë, urrejtja e pashkak, vetëizolimi e harresa, ikja që s’ndal.

Kur kthej aty dhe makina ndal shpejtësinë pyes veten; Cfarë bëmë ne për këtë qytet, cfarë mundemi?! Ecim shpejt duke shpresuar qe mendje dhe memorje të kthjellëta të na zgjojnë heshtjen, krenarinë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: ...disa histori'', Dibra, Marjana Bulku, nje jete

Një shuplakë për Brukselin

June 24, 2016 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Ohajo, SHBA/

Rezultati i referendumit të 23 qershorit në Britaninë e Madhe ishte i pritshëm. Kjo për faktin se Londra me kohë i kishte shprehur rezervat e veta për rregullat që Brukseli kishte vendosur për anëtarët e Bashkimit Evropian, ca rregulla këto që prekin interesat kombëtare të çdo vendi-anëtar.

E mirë qe nisma fillestare për krijimin e Bashkimit Evropian të ditëve tona. Hapi i parë u hodh në vitin 1951, kur Belgjika, Franca, Gjermania, Holanda, Italia dhe Luksemburgu, nënshkruan traktatin për krijimin e bashkimit evropian të qymyrit dhe të çelikut (ECSC – Europian Coal and Steel Community), qëllimi i të cilit ishte bashkimi i resurseve evropiane për prodhimin e çelikut dhe të qymyrit dhe që hyri në fuqi më 1 korrik të vitit 1952.

Po këto gjashtë shtete nismëtare, me qëllim që të thellonin integrimin ekonomik mes tyre, në vitin 1957 themeluan Bashkësinë ekonomike evropiane (EEC, Tregun e Përbashkët – European Economic Community), si edhe Bashkësinë evropiane për energjinë atomike (Euroatom – European Atomic Energy Community).

Nënkuptohet vetvetiu që nga këto tri bashkësi evropiane, më i rëndësishmi ishte Bashkimi Ekonomik Evropian. Procesi i zhvillimit dhe i shndërrimit të këtyre bashkësive evropiane në formatin e Bashkimit Evropian të ditëve tona, u krye në dy mënyra, për mendimin tim, të gabuara:

Së pari, nëpërmjet transmetimit drejt Brukselit të kompetencave gjithnjë e më të shumta të qeverisjes në nivel kombëtar.

       Së dyti, nëpërmjet shtimit të tepruar të numrit të anëtarëve të integrimit.

Mënyra e parë domosdo që, me kalimin e viteve, do të ngjallte pakënaqësi mes anëtarëve të veçantë të Bashkimit Evropian. Sepse reduktimi i kompetencave të qeverisjes në nivel kombëtar, do të prekte me siguri interesat kombëtare të çdo vendi-anëtar, siç edhe ndodhi në të vërtetë.

Mënyra e dytë, se si u veprua për pranimin e  vendeve të tjera, të kujton atë fabulën e bretkosës që donte të trashej sa një ka, e cila u fry e u fry, derisa plasi.

Më 1 janar të vitit 1973, kësaj strukture evropiane iu shtuan tre anëtarë të rinj: Britania e Madhe, Danimarka dhe Irlanda. Nuk ke ç’u thua: vende me zhvillim ekonomik të përparuar dhe me demokraci të konsoliduar. Shpresohej se kjo nëntëshe evropiane do të jepte modelet më të mira të rritjes së standardit të jetesës jo vetëm për vendet joanëtare, por edhe për vendet e kontinenteve të tjera. Por, çuditërisht, tetë vjet më vonë dhe pikërisht më 1 janar të vitit 1981, brenda kësaj strukture pranohet një shtet paradoksal, si puna e Greqisë, e cila gjatë 20 vjetëve, pra, që prej vitit 1961, kishte qenë anëtar-shok i saj. Për ç’arsye Greqia duhej pranuar në këtë strukturë, përderia ajo ishte shumë larg zhvillimit ekonomik në nëntëshes evropiane? Se dihet që Greqia kishte një zhvillim ekonomik që mbështetej jo në prodhimin e brendshëm, por nga të ardhurat e turizmit dhe, para së gjithash, nga taksa e lartë që merrte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dy bazat e mëdhaja ushtarake, një taksë kjo që arrinte në nivelin e 2 miliardë e 100 milionë dollarëve në vit. Ishin pikërisht këto shuma kolosale parash që mbushnin buxhetin e shteti grek, i cili u jepte rroga dhe pensione të majme grekëve që e kalonin kohën me ahengje nëpër buzuqe, duke e mbajtur hundën përpjetë para fqinjve ballkanikë. Me siguri që mes nëntëshes evropiane, duhet të ketë qenë Gjermania ajo që ia ka lejuar vetes ta kishte Greqinë si përkëdhelaken e vet. Me sa duket, tradita e dashurisë përvëluese gjermane për Greqinë që nga koha e princit bavarez Otto (1815-1867), të cilin Gjermania e katapultoi si mbret të Greqisë në vitin 1832, post të cilin ai e mbajti për tridhjetë vjet rresht, deri në vitin 1862, kur u bë shfronësimi i tij, domosdo që e ka bërë punën e vet. Përkrahja që iu dha Greqisë nga Bashkimi Evropian, nën ndikimin e Gjermanisë, gjatë disa dhjetëvjeçarëve, pa pasur asnjë bazë të shëndoshë juridike, pranimi nga ana e Bashkimit Evropian për të vërteta i mashtrimeve, i hileve, i gënjeshtrave greke për gjendjen “e shëndoshë” të financave të saj, solli si pasojë situatën katastrofike ku është katandisur sot shteti grek, i cili noton në një borxh gjigant prej qindra miliardë dollarësh.

Përveç kësaj, si qe e mundur që Greqia të pranohej në radhët e nëntëshes, kur ajo ishte dhe vazhdon të jetë nën pushtetin e fesë, pushtet ky, të cilin Perëndimi evropian e ka braktisur që në mbarim të mesjetës? Për më tepër, cila qe arsyeja që nëntëshja ia lejoi vetes të merrte në gjirin e vet Greqinë, e cila nuk pranonte dhe vazhdon të mos pranojë edhe sot ekzistencën e minoriteteve brenda territorit të saj? Madje Bashkimi Evropian, në mënyrën më paradoksale, ka heshtur për faktin që Greqia nuk e ka firmosur Konventën për respektimin e minoriteteve. Pra, Bashkimi Evropian, ka lejuar të bashkëjetojë me një anëtar të tillë racist në radhët e veta, që nuk njeh normat më elementare të të drejtave të njeriut: njohjen e minoriteteve dhe të drejtën për të ushtrua gjuhën e tyre amtare. Le te flasim me gjuhën e fakteve:

“Kolë Boçari, profesor historie në Universitetin e Kuislandit në Australi, në vitin 1996 bëri një replikë me ministrin grek për çështjet evropiane, në gazetën britanike “The Europeans”, në të cilën u shpreh: “Mësova për deklaratën tuaj, z. Ministër, në të cilën ju pohuat se në Greqinë e sotme nuk ka minoritet. Ju ose e keni humbur lidhjen me realitetin, ose ju ka verbuar fare nacionalizmi… Në Greqi jo vetëm që ka minoritet, por atje ekziston një minoritet i madh, mbi 2 milionë banorë, që kanë pushtuar Peloponezin, Athinën, Thrakën, Livadhianë.., gjë të cilën Greqia e ka mohuar gjithmonë… Unë dhe familja ime jemi një nga viktimat e këtij represioni shekullor… Ju na ndaluat me forcë, që ne, arvanitasit, ta ushtronim meshën në gjuhën shqipe, të flisnim publikisht në gjuhën e nënës, madje na përgjonit që të mos flisnim lirisht edhe në shtëpi… Për këtë shkak, kemi ikur nga fshati i lindjes në Peloponez, për të gjetur lirinë këtu, në Australi…”” (Citohet sipas: Nuri Dragoj.  “Grekët dhe shqiptarët. Realitete historike”. Shtëpia Botuese “Weso”, Tiranë 2009, f. 326).

Më 1 janar 1986 u pranuan Spanja dhe Portugalia, kurse  nëntë vjet me vonë, më 1 janar 1995 – Austria, Finlanda dhe Suedia.

Nuk e kam informacionin e duhur se pse këto tri vendet e fundit kanë hyrë me kaq vonesë në Bashkimin Evropian. Ndoshta opinioni publik nuk ka qenë i përgatitur paraprakisht ose mund të kenë qenë edhe arsye të tjera që kanë ndikuar për anëtarësimin e tyre me vonesë. Por paradoksi duket sheshit për faktin që Greqia është anëtarësuar shumë vite përpara tyre, paçka se niveli i jetesës dhe standardet e demokracisë në Greqi kanë qenë dhe mbeten të pakrahasueshme me Austrinë, me Finlandën dhe me Suedinë. Ky është një lëshim i madh që Brukseli i ka bërë Greqisë, çka e ka kompromentuar keq në sytë e mbarë kombit shqiptar dhe mua, personalisht, si shqiptar, më ka detyruar që të mos kem respekt për Bashkimin Evropian.

Më 1 maj të vitit 2004, radhët e Bashkimit Evropian u shtuan menjëherë me 10 anëtarë, çka përbënte një shifër prej më shumë se 66% të anëtarëve ekzistues. Vendet që u pranuan ishin: Çekia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Qiprua, Sllovakia, Sllovenia. Nga këto, 8 vende kanë qenë anëtare të ish-kampit socialist, pra. vende të infektuara nga një ideologji vetëshkatërruese dhe me një sistem korrupsioni të padukshëm, por të përmasave gjigante, të kultivuar me shumë kujdes dhe mjaft të sofistikuar nga ana e oligarkëve komunistë me pushtet të përjetshëm.

Më 1 janar të vitit 2007 u pranuan edhe Bullgaria dhe Rumania dhe më 1 korrik 2013 ciklin e zgjerimit e mbylli Kroacia, që të tria ish-vende komuniste. Pra, nga 28 vende-anëtare, 11 vinin nga ish-blloku lindor, të cilat, siç u përmend edhe më lart, nuk mund të çliroheshin dot aq shpejt nga trashëgimia komuniste në qëndrimin ndaj ndërtimit të një shteti ligjor dhe të një demokracie funksionale. Në mars të vitit 2013 në Bullgari patën shpërthyer demonstara të fuqishme për shkak të korrupsionit qeveritar dhe të varfërisë, të cilat çuan në dorëheqjen e kryeministrit Bojko Borisov. Bullgaria vlerësohej si shteti më i varfër i Bashkimit Evropian. Në mars të vitit 2014 përfundoi në burg kryeministri kroat Sanader për vjedhje të fondeve publike. Një skandal korrupsioni me përmasa ndërkombëtare pati tronditur Rumaninë në tetor të vitit 2014. Në korrik të vitit 2015 u akuzua për korrupsion kryeministri Viktor Ponta.

Pse u nxitua Brukseli për t’i futur kaq shpejt në gjirin e vet vendet e ish-bllokut komunist dhe nuk priti kohë më të mira, derisa ato të zhvilloheshin ekonomikisht dhe t’i afroheshin nivelit të jetesës së vendeve më të zhvilluara të Perëndimit evropian?

Ndërkohë, Brukseli, me politika të gabuara në adresë të vendeve të tjera, pati ngjallur pakënaqësi jo vetëm brenda Perëndimit evropian, por edhe në vendet e ish-bllokut komunist. Në gusht të vitit 2012, kryeministri humgarez Viktor Orban, një politikan nacionalist-konservator ky, deklaroi në parlament:

“Liri do të thotë që ne të marrim vendimet për rregullat e jetës sonë. Ne vendosim çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo. Ne nuk kemi nevojë të na shtyjnë si gomarët. Ne duam që Hungaria të rrotullohet rreth interesave të veta. Ne nuk duam të kthehemi në koloni të Bashkimit Evropian”.

Pas pranimit të Hungarisë në Bashkimin Evropian, diku pata lexuar në shtyp ose në internet për një pakënaqësi të hungarezëve për qumështin që duhej të konsumonin. Sipas politikave të Brukselit, hungarezët nuk duhej të konsumonin qumështin që prodhojnë brenda vendit, por duhej të blinin qumështin “parmalat” që u vinte nga Italia. Pra, ja deri ku shkonte ndërhyrja e Brukselit me politikat e veta brenda shteteve anëtare: ato duhej t’u bindeshin politikave të Brukselit, paçka se këto ishin në dëm të interesave kombëtare të shteteve-anëtare. Puna pati arritur deri aty, saqë Brukseli kërkonte ta detyronte edhe Londrën se sa emigrantë duhej të pranonte çdo vit.  Por Londra nuk ishte kafshatë që kapërdihej lehtë. Burokratët e Brukselit, për të cilët qytetarët e Bashkimit Evropian paguajnë taksa të dyfishta edhe për rrogat e deputetëve të parlamenteve të tyre, edhe për rrogat e majme të eurodeputetëve burokratë brukselianë, me sa duket, i patën bërë hesapet gabim. Prandaj edhe Brukseli, pas referendumit që u zhvillua në Angli më 23 qershor, e mori shuplakën që meriton. Por kjo nuk është gjë. Dardha e ka bishtin prapa. A ka garanci Brukseli se shembullin e Anglisë nuk do ta ndjekin edhe anëtarë të tjerë të Bashkimit Evropian? Holandezët dhe danezët, për nga konstitucioni shpirtëror, janë shumë afër me anglezët. Dalja e Anglisë nga Bashkimi Evropian i ngre së tepërmi aksionet e politikës së djathtë. Nuk dihet nëse Brukseli do të jetë në gjendje t’i thërrasë mendjes dhe të ndërtojë të tjera politika në raportet e veta me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, që te jenë në interes të secilit vend-anëtar. Gjasat janë se nuk do të jetë në gjendje ta bëjë një gjë të tillë, çka mund të sjell si pasojë shpërbërjen e tij.

Dalja e Anglisë nga Bashikimi Evropian duhet ta vërë në mendime të thella Tiranën zyrtare. Kur kryeministri i një vendi me autoritet në Evropë, siç është Hungaria, ankohet se Brukseli kërkon ta trajtojë si koloni, merret me mend se si do ta trajtonte ai Shqipërinë në rast të një antarësimi të mundshëm: me siguri si një parcelë eksperimentale, në dëm të interesave tona kombëtare.

Kolumbus, Ohajo

24 qershor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Një shuplakë, për Brukselin, Prof.dr. Eshref Ymer

Shenjtërimi i Nënës Terezë moment krenarie për shqiptarët

June 24, 2016 by dgreca

-Qeveria e Kosovës do të financojë koncertin i cili do të mbahet në Vatikan, më vigjilje të shenjtërimit të Nënës Terezë/

 PRISHTINË, 24 Qershor 2016/ Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim Ipeshkvin e Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kryeministri Mustafa, vlerësoi rolin dhe kontributin e Ipeshkvisë në progresin që po arrihet në Kosovë. Kryeministri Mustafa foli edhe për rëndësinë që ka për Kosovën ky vit, duke iu referuar faktit se është viti i shenjtërimit të Nënës Terezë, simbolit global të humanizmit dhe dashurisë ndërnjerëzore. “Kosova dhe shqiptarët kanë një arsye më shumë që të ndjehen krenarë në këtë vit me shumë suksese. Shenjtërimi i Nënës Terezë është një përjetim i veçantë për qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi”, tha kryeministri Mustafa.Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa bëri të ditur se Qeveria e Kosovës do të financojë koncertin i cili do të mbahet në Vatikan, më vigjilje të shenjtërimit të Nënës Terezë. Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, shprehu mirënjohje të posaçme për Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Isa Mustafa për shpalljen kohë më parë të vitit 2016 Vit të Nënës Terezë dhe për mbështetjen e koncertit për nder të shenjtërimit të saj.Ipeshkvi Gjergji, po ashtu, tha se shenjtërimi i Nënës Terezë është një ngjarje e rëndësisë së veçantë për Kosovën dhe tërë shqiptarët.

Filed Under: Komente Tagged With: i Nënës Terezë, moment krenarie, per shqiptaret, Shenjtërimi

Odiseja e peshkatores “Celepia 2” vazhdon

June 24, 2016 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/

Në një raport të datës 21 qershor 2016, të kapitenerisë së portit Durrës thuhet se, dy anije peshkimi në Durrës me emrat në bord, “Çelepia-2” dhe “Qamili”, kanë humbur kontaktet me Kapitanerinë dhe ende nuk ka asnjë sinjal prej tyre. Fillimisht ndërsa për anijen “Qamili” u identifikua vendndodhja, pasi ka aparaturën “Blueboks”, për anijen “Çelepia 2”, nuk pati asnjë lajm. Në këtë peshkatore ndodhen 3 marinarë në bord, kapiten Dhimitër Malja, motorist Luan Mema dhe marinar Muhamed Salam (egjiptian). Vendndodhja e saj nuk mund të identifikohej për shkak të mungesës së aparaturës “Blueboks”. Ajo ka dalë në det më 18 qershor 2016, në orën 14:30, dhe prej atij momenti kanë humbur kontaktet midis familjarëve, pronarit të anijes dhe tre anëtarëve të ekuipazhit. Bujar Bala, kryedispeçeri i peshkimit Durrës, bëri me dije se peshkatorja e zhdukur në det me marinarë, nuk është gjendur akoma sepse nuk i punojnë aparaturat e identifikimit të tyre, “Blubox” dhe radiot, duke e bërë edhe më të rëndë situatën, për gjetjen e marinarëve të zhdukur. Familjarët e dy marinarëve që ndodhen në peshkarexhën “Çelepia 2”, që pretendohet të jetë rrëmbyer nga një marinar egjiptian, i cili kërcënon se do ta mbysë nëse nuk i paguhen 70 mijë euro, ndodhen në ankth për fatin e njerëzve të tyre. Lulzim Mema, babai i motoristit të anijes “Çelepia”, Luan Memës, i bën apel shtetit të gjejë djalin e tij gjallë apo vdekur. Lulëzimi është detar i vjetër, më shumë se 35 vjet në det, dhe shenja se djali ka 5 ditë pa kontaktuar nuk i duket e mirë. Qëndron përpara Dispeçerisë së peshkimit Durrës me shpresë se nga radio e kryedispeçerit do të dëgjojë edhe një herë zërin e të birit. “Ka pesë ditë që nuk përgjigjet. Sot në drekë bëhen 5 ditë. Që kur ka ikur nuk ka folur në telefon. Duhet të dalin e ta kërkojnë anijen, ta gjejnë e të na e sjellin gjallë apo vdekur”, thotë babai me lot në sy. “Jam detar i vjetër, kam punuar gjithë jetën në det. Nuk ka mundësi që të mos kontaktohet pesë ditë me radhë, asnjëherë”, shton ai. Ndërsa Damian Malja, djali i kapitenit të anijes thotë se, “Nuk e dimë fare si është. Jemi të gjithë në ankth. Më 21 qershor anija duhej të kthehej. Fillimisht u alarmuam për ndonjë mbytje, derisa egjiptiani kontaktoi vetë. I kemi kërkuar një foto të babit që ta shohim si është. Babai thoshte se ai ishte djalë i mirë e punëtor. Qeveria të angazhohet e të na japë një lajm, cilido të jetë, i mirë a i hidhur, pasi mami ngeli në spital”, vijon Damiani. Përmes komunikimit në rrjetin social Facebook dhe në Whatsapp, ditën e djeshme, datë 23 qershor, Adel Sallam dërgoi dy foto të motoristit të anijes, Luan Mema, të lidhur me zinxhirë. Ngjarja ka tronditur Flotën e Peshkimit në Durrës. “Ngjarja mbart të gjithë elementet e një akti territorist me rrëmbim personi dhe pasurie dhe vënie gjobe. Jemi të tronditur. Edhe pse sinjali i tij i telefonit është në përdorim, ne nuk kemi informacion ku ndodhen”, thotë Klodian Kapiti, Kryetar i Sindikatës së peshkatarëve të Shqipërisë. Edhe pse pretendohet e rrëmbyer dhe është kërkuar dhe dëmshpërblim, deri tani nuk ka patur asnjë komunikim me pengmarrësin dhe as kërkesë për mënyrën se si dhe ku mund të paguhen paratë. Egjiptani Adel Sallam është 29 vjeç dhe ka lindur në Beheira të Egjiptit. Më 18 janar 2016, ai mori lejen e qëndrimit për një vit në Shqipëri. Në zgjidhjen e kësaj situate duhen angazhuar dhe strukturat diplomatike të shtetit shqiptar, pse jo dhe cdo bashkëatdhetar që ka mundësi, thonë disa peshkatarë

 

Filed Under: Komente Tagged With: “Celepia 2” v, azhdon, Odiseja e peshkatores, Shefqet Kercelli

Kosovë-Harmonia fetare, vlerë e veçantë

June 24, 2016 by dgreca

-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një iftar ku me besimtarët myslimanë ishin edhe krerë të bashkësisë fetare katolike të komunes së Klinës/

PRISHTINË, 24 Qershor 2016/ “Harmonia fetare është vlerë jona e veçantë dhe kështu do të mbetet”, theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një iftar të shtruar mbrëmë nga kryetari i Klinës, Sokol Bashota, ku me besimtarët myslimanë ishin edhe krerë të bashkësisë fetare katolike të komunes.

“Kënaqësia për të qenë bashkë ia shton vlerën festave tona”, tha kryeparlamentari kosovar falenderoi kreun e komunës së Klinës për këtë iniciativë, si dëshmi e tolerancës ndërfetare, mirëkuptimit dhe humanizmi ndaj njëri-tjetrit.

Veseli pati fjalë miradie për të gjitha bashkësitë fetare në Republikën e Kosovës, të cilat ai i konsideroi shembull të bashkëpunimit dhe përhapjes së harmonisë fetare e tolerancës midis njerëzve. Kryetari i Kuvendit të Kosovës potencoi edhe vlerat fetare të patriotëve tanë të shquar, të cilat afruan popullin me besimin e tyre./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Kosovë-Harmonia fetare, vlerë e veçantë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT