• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

Kosovë-Presidenti Thaçi vizitë zyrtare në Panama

June 23, 2016 by dgreca

-Merr pjesë në ceremoninë me rastin e zgjerimit të kanalit të të Panamasë-/

PRISHTINË, 23 Qershor 2016/ Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nesër do të udhëtojë për një vizitë zyrtare në Panama, ku fillimisht do të marrë pjesë në inaugurimin e zgjerimit të kanalit të Panamasë, që është rruga e dytë më e madhe ujore në botë. Pas kësaj ceremonie, Presidenti i Kosovës do të zhvillojë takime bilaterale me presidentë dhe përfaqësues të disa prej shteteve pjesëmarrëse në këtë inaugurim shtetëror. Përveç takimit me Presidentin e Panamasë, Juan Carlos Varela, Presidenti Thaçi do të takohet edhe me Presidentin e Kostarikës, Luis Guillermo Solís, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Parlamentit Latino-Amerikan me seli në Panama, Elias Castillo.

 Gjithashtu, thekson njoftimi dërguar nga Presidenca kosovare, Presidenti Thaçi do të zhvillojë takime edhe me disa përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Thaci ne Panama, vizitë zyrtare

BREXIT, MË SHUMË SE NUMURAT VLEJNË EMOCIONET

June 23, 2016 by dgreca

Nga Enzo Moavero Milanesi/E përktheu për Diellin Eugjen Merlika/      

N’Evropë flatron hija  e të ashtuquajturit Brexit : Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga Bashkimi Evropian, si vazhdim i referendumit të 23 qershorit ? Rrahja e mendimeve është e zjarrtë, e rrënuar nga vrasja e djeshme dhe e shoqëruar nga një kundërmim të dhënash dhe pikëpamjesh mbi dobitë  dhe dëmet e Remain (qëndrimi në BE), apo të Leave (dalja nga BE). Duke lënë mënjanë tragjedinë e çmëndur dhe propagandën, analizat nuk janë të thjeshta. Për të kuptuar më mirë, duke gjetur qartësinë, mendoj se duhet të nisemi nga dy elementë. I pari është Traktati Be, që i lejon një Vendi të dalë njëanshmërisht nga Bashkimi. Pra është një ngjarje e mundëshme, aspak e krahasueshme me ndarjen nga një Shtet. Kush don të gjejë raste të mëparëshme apo ngjajshmëri, do të kujtojë se në 1985, doli Groenlanda, që kishte hyrë m Danimarkën, me mbretërinë e së cilës është e lidhur ; Norvegjia dy herë (më 1972 dhe më 1994), ka vendosur me referendum të qëndrojë jashtë, edhe se qeveria e saj kish firmosur për të hyrë. Elementi i dytë ka të bëjë me pozitën e veçantë të Mbretërisë së Bashkuar në BE : nuk bën pjesë në bashkimin monetar (pra as në euro, as në rregullat e tij) ; ruan kontrollin mbi njerëzit e ardhur nga Vendet e Bashkimit (pra nuk është në sistemin Schengen) ; ka një zbritje shumë të madhe (British rebate) mbi ndihmesën që çdo Shtet i Bashkësisë derdh në bilancin e Be, në përputhje me prodhimin e brëndshëm bruto ; është e përjashtuar  nga zbatimi i plotë i Kartës së të drejtave themelore të BE ; përfiton nga përjashtime të ndryshme që lidhen me politikat e përbashkëta në fushat e drejtësisë  dhe punëve të brëndëshme.

Shkurt është një pozitë e veçantë, e fituar nëpërmjet bisedimesh të vazhdueshme, të kujdesëshme, shpesh të ndera në selitë evropiane dhe të ligjësuara nga dispozita juridike, të quajtura me një farë cipe gjuhësore “opt – out”. Ndërmjet 28 Vendeve të Bashkimit, nuk është i vetmi që i ka fituar, por të tjerët kanë shumë më pak. Madje pikërisht rasti britanik vërteton se Evropa e “shumë shpejtësive” (pra e niveleve të ndryshme të integrimit) është prej dhjetëvjeçarësh. Veç asaj, nuk duhet të harrojmë se, për të lehtësuar zgjedhjen e qëndrimit në Be, qeveria Cameron ka arritur në shkurtin e shkuar, njohjen e natyrës jo detyruese të synimit solemn për të ndërtuar “një Bashkim gjithënjë e më të ngushtë”. Me të njëjtin rast, janë bashkërenduar variante të mëtejshme të rregullave themelore që lejojnë, për shembull, kundërshtimin e ligjeve të reja të Be, n’emër të “ndihmësisë” në dobi të Shteteve dhe shkallëzimin e përfitimeve  të mirëqënies nga ana e punonjësve t’ardhur nga Vendet e tjera të Bashkimit. Po të shihet mirë, pra Mbretëria e Bashkuar bashkohet plotësisht, në thelb, me pjesën më të vjetër të sistemit BE : tregu i përbashkët i brëndshëm evropian (me politikat që e shoqërojnë si ajo bujqësore, e mjedisit, krahinore), bashkimi doganor dhe politika tregtare e përbashkët kundrejt pjesës tjetër të botës. Jep ndihmesën gjithashtu edhe në bilancin e Be, edhe se paguan më pak në sajë të zbritjes së posaçme, dhe merr pjesë në politikën e jashtëme dhe të sigurisë së përbashkët. Në këtë fushën e fundit e në të tjera, në të cilat Bashkimi vendos njëzëri, e mat me shumë llogari miratimin e saj, mbi bazën e interesave të saj, jo rrallë duke ndaluar vendimet, siç bën p.sh. në fushat fiskale e sociale.

I vërejtur nga ky këndvështrim Brexit zvogëlohet, mbasi Mbretëria e Bashkuar është jashtë nga shumë fusha veprimi të rëndësishme të Bashkësisë dhe gjithashtu ka kundërshtuar gjithmonë formulat më përbashkuese. Duke parë caqet në të cilët vërtitet, mund të thuhet se nëse do të votonte për Leave, por pastaj do t’i bashkohej “Hapësirës ekonomike evropiane”(Hee), efektet ekonomike do t’ishin shumë më pak të forta nga sa është prirja për t’i bërë frikësuese. Traktati Hee i 1992-shit bashkon BE me Vendet e Efta-s (Shoqata evropiane e shkëmbimit të lirë, e themeluar më 1960) : ligjëson qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitaleve e punonjësve ; pranon më shumë se 80% të legjislacionit të plotë të BE ; por nuk ka kapituj të rëndësishëm të harxhimeve dhe as një politikë tregtare të përbashkët. Kjo e fundit mund të përbëjë ndryshimin, por Mbretëria e Bashkuar mund të firmosë sërishmi të gjitha marrëveshjet, në të cilat është e zotuar tani nëpërmjet Be. Për ekonominë, mundësia Hee do të ishte pozitive, si për britanikët ashtu edhe për ata që mbeten në Bashkim. Në krahasim me “shumë shpejtësitë” pak të dukëshme n’Evropën e sotme, blaton në mënyrë të tejdukëshme, një nivel integrimi më të vogël por të rëndësishëm. Pikërisht kjo zgjidhje e mundëshme na bën të kuptojmë se nyja e vërtetë e Brexit është politike dhe emotive ; fatkeqësisht, siç e pamë dje, dramatikisht emotive, aq sa të shtyjë për të vrarë. Është në Mbretërinë e Bashkuar, ku, veç zgjedhjes historike e ideale është në veprim një luftë e ashpër për pushtet, me ndërlikime identitare dhe mbi tërësinë kombëtare, nëse Skocia do të dëshironte të qëndronte në BE. Është për Bashkimin evropian që pret me ankth referendumin, si një provim që mund t’a kalojë apo t’a mbesë në klasë dhe mendon mjetet për të ndaluar një efekt domino. Është për ata drejtues të Vendeve evropiane që, mbasi kanë hedhur mbi çati detyrat e bashkëpunimit të ndershëm, u pëlqen të kritikojnë Be, t’i japin faje që rëndojnë mbi ta, të shtrembërojnë rregullat, duke ndihmuar shëmbjen e tyre. Është për ëndrrën europeiste, të ligështuar nga sirenat kombëtariste që shumë këshillojnë t’a përkufizojnë si një hipotezë të një Evrope më të vogël, por e gjitha për t’u përcaktuar, në thelb, në antarët, në sendërtueshmërinë faktike. Çështja është politike e ka të bëjë me ne, sepse referendumi Brexit, cilido qoftë përfundimi, do të kërkojë nisma rinuese të menjëhershme : urojmë që të jenë pragmatike dhe largpamëse.

“Corriere della Sera”, 17 qershor 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Brexit, emocionet, Enzo Moavero Milanesi, Eugjen Merlika

TALLJET ME VIKTIMAT E KOMUNIZMIT NUK KANË TË NDALUR

June 23, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Fondacioni Konrad Adenauer, zyra në Shqipëri    dhe Instituti i Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë organizuan të mërkurën tryezën e rrrumbullakët,  “In Memoriam – Së bashku në nder dhe respekt të kujtesës kombëtare të viktimave të ish-diktaturës komuniste në Shqipëri”.  Sipas Fondacionit Adenauer, qëllimi i këtij takimi ishte sensibilizimi dhe sjellja në vëmendje të vendim-marrësve shqiptarë dhe palëve të interesuara mbi domosdoshmërinë e ndërtimit të një Memoriali Kombëtar për viktimat e komunizmit në Shqipëri.  Sipas një njoftimi të fondacionit gjerman, në këtë takim morën pjesë aktorë të ndryshëm, të cilët diskutuan mbi nevojën e ndërtimit të këtij memoriali, formës dhe simbolikës.

Në atë takim morën pjesë Avokati i Popullit, Igli Totozani, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përfaqsues të qeverisë,  Drejtuesi i Institutit të të Përndjekurve politikë, Bilal Kola dhe përfaqsues të organizatatve të tjera të të përndjekurve politikë.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Tiranë, Ilirian Agolli në raportin e tij, “Diktatura, të burgosurit, persekutorët dhe memoriali”, raportoi se pjesëmarrsit në këtë tryezë, “Kërkuan më shumë vëmendje dhe kujdes për rehabilitimin e gjithë të burgosurve dhe të internuarve politikë, trajtimi i të cilëve ende nuk është kryer prej 25 vjetësh”.  Ndërsa,  në fjalën e tij, Avokati i Popullit Igli Totozani theksoi vonesat çerek shekullore në rehabilitimin e viktimave të komunizmit dhe foli për çështjet ende të pazgjidhura të të ish përndjekurve politikë, duke theksuar se në Shqipëri, “Kultura demokratike po ndeshet vazhdimisht me kulturën komuniste të zvarritjeve për të nderuar viktimat e komunizmit, zvarritjeve me lustracionin e nëpunësve të diktaturës dhe mos-hapjen e dosjeve të Sigurimit famëkeq të Shtetit.”

Bazuar në fjalimin e tij të shpërndarë për media, Avokati i Popullit, Igli Totozani ishte siç duket më realisti ndër folësit kryesorë të tryezës së rrumbullakët.  Ai u tha pjesëmarrësve se arsyeja për mos vullnetin dhe mos dëshirën e politikës shqiptare për tu ballafaquar me të kaluarën dhe me viktimat e regjimit komunist, është se, “Ende kultura e vjetër komuniste është prezente në Shqipëri dhe ndihet kudo, në mungesën e komunikimit, në mospranimin e kritikës, në mungesën e bashkëpunimit mes institucioneve dhe së fundi edhe vetë moszbatimi i ligjit për hapjen e dosjeve lidhet pikërisht, me ekzistencën e kësaj kulture.  Është kultura e vjetër që e pengon” pohoi Igli Totozani.  

Në reportazhin e tij mbi punimet e takimit, korrespondenti i VOA-s shqip, Ilirian Agolli përmendi ndër folësit e tjerë në tryezën e rrumbullakët, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliajn, i cili sipas VOA-s, u angazhua se enti që ai drejton do të bashkfinancojë ngritjen e një Memoriali Kombëtar për viktimat e regjimit komunist, ndërsa drejtuesi i Institutit të të Përndjekurve politikë, Bilal Kola, u citua të ketë thënë se, “Memoriali i kujtesës për viktimat e komunizmit do t’i ndihmojë të gjithë të reflektojnë për atë fatkeqësi”.  Në raportin e VOA-s  theksohet se  ndonëse “Shqipëria dhe Parlamenti Europian kanë miratuar disa rezoluta për zbardhjen e krimeve të diktaturës komuniste ndaj popullit shqiptar, si dhe për të shtuar kujdesin ndaj ish të dënuarve politikë, për të ri-integruar dhe rehabilituar ata në shoqëri, edhe sot, pas 25 vjetësh, shumë prej tyre jetojnë në të njëjtat zona internimi, ku i hodhi diktatura, dhe vuajnë ende probleme të rënda shëndetësore, ekonomike dhe mbijetojnë në varfëri.  Ndërkaq persekutorët e tyre gjatë diktaturës arrijnë të depërtojnë në administratën shtetërore të demokracisë, dhe ligj për lustracionin nuk ka”, përfundon reportazhin e tij korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ilirian Agolli.Kur pyeta një pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët se me çfarë përshtypjesh u largua nga takimi i djeshëm, ai u përgjigj duke përdorur një thënje popullore, “për çfarë dëgjova i lumi unë, e për çfarë pashë, i mjeri unë”.  Një pjesëmarrës tjetër, gjithashtu i dëshpëruar nga tryeza e rrumbullakët, u shpreh se ish të përndjekurit u larguan së andejmi me mesazhin se, “Ne ju vramë, ne u japim dëmshpërblimin dhe ne, madje u ndërtojmë edhe memorialin, por lustracion nuk ka”.

Po ish-të persekutuarit e Shqipërisë, kush janë dhe çfarë duan? Ata, siç u shpreh edhe Avokati i Popullit Igli Totozani në fjalën e tij përmbyllëse në tryezën e rrumbullakët, “Kanë përfaqësuar dhe përfaqësojnë qytetari dhe bashkëjetesë paqtuese për shoqërinë tonë.  Megjithë kalvarin e vuajtjeve të shkuara, ata në asnjë moment nuk kanë kërkuar hakmarrje, por vetëm drejtësi.   Me anë të këtyre zhvillimeve, ne duhet të dëshmojmë se kemi vullnetin t’u japim drejtësinë e merituar dhe kemi detyrimin e bartur të një shoqërie që kërkon ndjesë ndaj ndëshkimeve degraduese, të kryera dhunshëm në emër të saj”.

 Bazuar në histori, ashtu si edhe gjatë 25-viteve të kaluara, fatkeqsisht as nga kjo tryezë nuk pritet të dalë gjë pozitive për viktimat e ish-regjimit komunist, megjith premtimet e zyrtave shqiptarë në atë takim.  Por megjithëkëtë, duhet falënderuar Fondacioni Konrad Adenauer për sponsorizimin e kësaj tryeze, ambasada e Gjermanisë dhe ish ambasadori gjerman në Tiranë Helmut Hoffman, që çështjen e viktimave të komunizmit në Shqipëri, të drejtat e tyre dhe nevojën për tu përballur me të kaluarën komuniste, e kanë përvetësuar si një çështje morale personale. Fatkeqsisht, kam drojë se megjithë vullnetin e mirë, dëshirën dhe angazhimin e tyre të madh për të sjellur Shqipërinë në shekullin 21, nuk besoj se janë të vetdijshëm se me kë kanë të bëjnë.

Zhgënjim pas zhgënjimi! Prandaj është vështirë të ketë njeri që tu besojë më qeveritarve shqiptarë në lidhje me këtë çështje, megjith premtimet e tyre boshe para ndërkombëtarve si dhe deklaratave të tyre në tryezat e rrumbullakta si kjo që u mbajt në Tiranë të mërkurën, e sponsorizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer. Fjalët e mira e gurët në strajcë, thotë populli.  Klasa politike shqiptare ka vazhduar, për 25 vjetë tashti, ta paraqesë dhe ta shtrembërojë çështjen e viktimave të komunizmit sipas interesit dhe trillimeve të rastit, duke bërë premtime, por pa asnjë vullnet as dëshirë për tu përballur me të kaluarën.  Ndoshta shembulli më i fundit i kësaj hipokrizie është se në fillim të vitit të kaluar Kuvendi i Shqipërisë pat miratuar ligjin për dosjet dhe mandatohej që një muaj pas aprovimit, parlamenti duhej të emëronte dhe të votonte komisionin prej 5-anëtarësh për tu marrë me këtë çështje.  Ja, më shumë se një vit më vonë nuk është caktuar komisioni as nuk është vendosur  asgjë në këtë drejtim.

Tashti jemi mësuar me talljet, me gënjeshtrat dhe me premtimet boshe të  radhës, shprehur nga përfaqsues të ndryshëm të Tiranës zyrtare,  se më në fund po angazhohen seriozisht për tu marrë me fatin e të përsekutuarve të regjimit komunist dhe në një mënyrë ose një tjerë për të kujtuar viktimat.  Andej nga vi unë, themi se “Nuk kam gajle se po më rren, por më vjen keq se kujton se ia besoj rrenat.”  Në mungesë të provave konkrete dhe veprave serioze se qeveria shqiptare nuk po tregon “nder dhe respekt ndaj kujtesës kombëtare të viktimave të ish-diktaturës komuniste në Shqipëri”, askush më nuk beson premtimet tuaja, e sidomos të përndjekurit e zhgënjyer herë pas here.

Ndonëse këto premtime bëhen tani nga një brez i ri politikanësh siç është kryetari i Bashkisë së Tiranës, nuk besoj të ketë ndryshuar gjë në këtë mes, pasi është kultura e vjetër që ju pengon,  siç u shpreh edhe Avokati i Popullit Igli Totozani në tryezën e rrumbullakët të mërkurën. Prandaj, sa më parë që kultura e vjetër komuniste dhe përfaqsuesit e saj — që gjatë 25 viteve post-komunizëm kanë depërtuar duke i zënë frymën administratës qeveritare dhe shtetërore — të hidhen në koshin e plehrave të historisë, aq më mirë për ish-të përndjekurit politikë të regjimit komunist si dhe për mbarë shoqërinë shqiptare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, NUK KANË TË NDALUR, TALLJET ME VIKTIMAT E KOMUNIZMIT

Trepça, prioritet për Agjencinë Kosovare të Privatizimit

June 22, 2016 by dgreca

-Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit diskutoi gjerësisht mbi statusin e Trepçës, kornizën ligjore, operacionet ditore, të hyrat si dhe pagat dhe u vendos që Bordi i Drejtorëve së bashku me menaxhmentin të bëjnë një vizitë, në 22 qershor 2016, në objektet dhe minierat e Trepçës/

PRISHTINË, 22 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e 77 me radhë që u kryesua nga Petrit Gashi, ku u informua nga Menaxhmenti i Agjencisë lidhur me aktivitetet e fundit të AKP-së, ndërsa diskutoi pika të shumta në përputhje me rendin e ditës.

Agjencia  Kosovare  e  Privatizimit – Zyra për Marrëdhënie me Publik dhe Media në komunikatën e dërguar thekson se,  një prej pikave më me prioritet për Bordin dhe Menaxhmentin e AKP-së konsiderohet Trepça dhe tenderi i hapur i prokurimit për Ofruesin e Shërbimeve Profesionale për studimin e fizibilitetit të Trepçës. Në këtë pikë u raportua për një interesim të madh të kompanive dhe konzorciumeve ndërkombëtare për të marrë pjesë në këtë proces, me ç’rast 26 prej tyre kanë marrë dosjen e tenderit deri më tani, përderisa 7 nga ato kanë dorëzuar ofertat. Në ndërkohë, menaxhmenti ka formuar Komisionin për Vlerësim të Ofertave nga ekspertë të brendshëm. Për të monitoruar procesin janë ftuar pjesëtarë të shoqërisë civile si dhe përfaqësues të zyrave diplomatike në vend.

Ndër të tjera u diskutua gjerësisht mbi statusin e Trepçës, kornizën ligjore, operacionet ditore, të hyrat si dhe pagat dhe u vendos që Bordi i Drejtorëve së bashku me menaxhmentin të bëjnë një vizitë, në 22 qershor 2016, në objektet dhe minierat e Trepçës.

Bordi diskutoi edhe për lirimin e aseteve, dhe u vlerësua progresi i arritur, duke falënderuar veçanërisht Policinë e Kosovës për përkrahje. Sa u përket aseteve në veri të vendit, u raportua për progresin e konsiderueshëm të arritur. Deri më tani nëntë shfrytëzues të aseteve kanë hyrë në marrëveshje të qirasë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e shfrytëzuesve të tjerë kanë shprehur gatishmërinë për të negociuar marrëveshjen.

Një prej pikave më të ndjeshme dhe komplekse që u diskutua në këtë mbledhje është edhe çështja e kërkesës së punëtorëve të NSH IMK Fabrika e Tubave, në Ferizaj. Bordi i Drejtorëve pas shumë diskutimeve dhe pas shqyrtimit të të gjitha çështjeve relevante u dakordua që:Organi kompetent për shqyrtimin dhe aprovimin e pagesës së kreditorëve sipas ligjit të AKP-së është Autoriteti i Likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore (NSH) Fabrika e Tubave, i cili me prioritet të lartë, siç kërkohet edhe me vendimet ligjore përkatëse, ka vendosur të zbatojë vendimet gjyqësore konform ligjit në fuqi dhe brenda fondit në dispozicion të NSH Fabrika e Tubave në likuidim. Duke iu referuar vendimit të datës 30 Prill 2014 të Qeverisë së Republikës të Kosovës, ky vendim nuk e liron Agjencinë nga përgjegjësia ligjore që sipas nenit 19.3.3 të ligjit të AKP-së të transferoj “fondet tepricë” Qeverisë së Kosovës, të cilat fonde tepricë trajtohen sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Se afatet e përcaktuara për pagesa në vendimin e datës 19 Mars 2014 të Kuvendit të Kosovës për Autoritetin e Likuidimit nuk mund të realizohen për shkak të procedurave gjyqësore të shqyrtimit të ankesave në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Agjencia do të kërkojë nga Dhoma e Posaçme që të trajtoj me prioritet ankesat e parashtruara në procedurën e likuidimit të Fabrikës së Tubave.

Bordi i Drejtorëve unanimisht aprovoi 14 Raporte të përkohshme të shpërndarjes të ndërmarrjeve shoqërore, ndërsa vlera e mjeteve që do të shpërndahen tek kreditoret është  € 1,613,553.20.Veç kësaj, Bordi i Drejtorëve gjithashtu miratoi raportin e Komisionit për shitjen e 31 banesave të ndërmarrjeve shoqërore.Bordi poashtu vendosi për fillimin e auditimit të ndërmarrjeve të privatizuara me kushte: Fabrika e Amortizatorëve, FBI Trepça dhe Spitali Special për rehabilitim – Banja e Pejës.Mbledhja tjetër e Bordit të Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit është caktuar për  datën 12 korrik 2016.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: për Agjencinë Kosovare, prioritet, të Privatizimit, Trepca

Vizita James Baker në Tiranë para 25 viteve

June 22, 2016 by dgreca

-Si u raportua për vizitën historike të Sekretarit Amerikan të Shtetit nga gazeta e vetme shqipe në atë kohë në Kosovë, derisa kufiri me Shqipërinë ishte i hekurt, ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në titullin e reportazhit që e botova në Prishtinë e edhe në Tiranë në 19 mars 1996/

– Dy dekada të pranisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para 20 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta/

 Gazeta DIELLI, nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

 PRISHTINË, 22 Qershor 2016/ Para 25 viteve, në 22 qershorin e vitit 1991 për të përcjellë vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker në Tiranë  nga gazeta e vetme shqipe në Kosovë në atë kohë “Bujku” dërguam ekipin në qytetin pranë kufirit të hekurt të Kosovës me Shqipërinë, në Gjakovë, atje ku mund të shihej Televizioni Shqiptar, i cili nuk mund të shihej në Prishtinë e në shumicën rajoneve kosovare. Fotot i patëm bërë nga transmetimet e Televizionit Shqiptar, nuk kishte asnjë mundësi teknike në atë kohë t’i marrim nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, me të cilën kishim nisur bashkëpunimet e para të mediave Kosovë-Shqipëri. Ishte koha kur mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në titullin e reportazhit që e botova në Prishtinë e edhe në Tiranë në 19 mars 1996,  duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip.

“Bujku” ishte gazetë e përditëshme e rezistencës, e lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës, që nisi të dalë  nga 18 janari 1991, isha themeluesi -kryeredaktori i saj në atë kohë. Ishte gazeta e vetme e përditshme shqipe ne Kosovë dhe edhe sfidonte ndalimin e dhunshëm të gazetës tradiconale kosovare Rilindja nga regjimi okupator serb.

SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para 20 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.

Tash, 20 vite më pas në 17 shkurt 2016 Kosova festoi 8 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë me 111 njohje nga shtetet anëtare të OKB-së. Shteti i Kosovës është njohur që në orët e para nga SHBA e Shqipëria, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 6 prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, më 18 korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë amerikane për Republikën e Kosovës.
Në 21 gusht 2015, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, dorëzoi letrat kredenciale në pritjen me ceremoni solemne shtetërore te atëherë presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, bashkë me të cilën edhe shëtitën më këmbë shesheve të Prishtinës.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, para 25 viteve, Vizita James Baker në Tiranë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT