• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

Ambasadori i Francës nga Berati – “Turistët Francezë të magjepsur pas Beratit”

June 21, 2016 by dgreca

Bernard FITOUSSI: ” Francezët kanë ngelur të surprizuar nga tifozeria shqiptare”./
Kryetari Bashkis – Petrit Sinaj – Të hapur dhe të mirëpritur për bashkëpunim, për çdo lloj projkti si ky për rehabilitimin e qytetit.
BERAT – Mbështetja e dhënë nga Ambasada Franceze për Kryqin e Kuq Shqiptar mundësoi zbatimin e projektit “Integrimi i gruas në tregun e punës”, ku nëpërmjet degës së Beratit qindra gra dhe vajza në nevojë do të përfitojnë pregatitje profesionale në rrobaqepsi dhe qendistari, por dhe mbështetje psiko-sociale. Për të parë nga afër implementimin e këtij projekti nga Kryqi i Kuq, dega Berat në këtë qytet kanë qënë sot Ambasadori i Francës në Shqipëri Bernard Fitoussi dhe Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar. Ambasadori i Francës gjatë takimit me gratë dhe vajzat që janë bërë përfituese të këtij projekti që synon reduktimin e varfërisë së grave dhe vajzave në gjendje të vështirë, duke luftuar dhe madje diskrimimin e tyre në zonat rurale, i cilësoi ato si heroina të vërteta të cilat po bëjnë sot diçka të vlefshme për vete dhe për familjen e tyre. Më pas Ambasadori Francez zhvilloi një takim me kryetarin e bashkisë Petrit Sinaj ku folën për mundësi bashkëpunimi dhe të projekteve të tjera që do të ndikojn pozitivisht për qytetin e Beratit.

Bernard FITOUSSI  Ambasadori i Francëz në Shqipëri, shprehu vlerësimet e tij maksimale për vlerat e trashëgimisë kulturorë të qytetit-Pasuri Botërore e Unesco-s , duke deklatuar se Berati është pa dyshim qyteti më i famshëm në Botë dhe e meriton të jetë destinacion ndërkombëtar i turizmit. ‘’Nga të gjithë turistët Francezë të cilët vizitojnë Shqipërinë , Berati mbetet destinacioni i tyre i parapëlqyer – u shpreh Ambasadori Francez, – ata e konsiderojnë si qytetin më të bukur në botë’’. Për këtë arsye Z.Fitoussi u shpreh se Ambasada Franceze në bashkëpunim me Bashkinë Berat do të angazhohen për të zbatuar një projekt për rehabilitimin e vlerave të Beratit , krahas projekteve të tjera që janë duke e përgatitur nga partneritete me Francën. Ambasadori i Francës vlerësoi faktin se një Sipërmarje Franceze po përgatitet të hapë aktivitetin e saj në Berat, e cila do të punësojë 200 punëtorë, investim i rëndësishëm për qytete si Berati. I pyetur në lidhje me perceptimin që tashmë francezët kanë mbi popullin shqiptar Ambasadori u shpreh se francezët kanë ngelur shumë të surprizuar nga tofozeria shqiptare:
“Francezët kanë ngelur shumë të surprizuar nga tifozeria shqiptare. Ishte shumë e ndryshme nga ajo se çfarë pam disa ditë më parë. Të gjithë kanë parë tifozët shqiptar duke vallëzuar në rrugët e Marsejës. Imazhi i Shqipërisë ka ndryshuar në dy drejtime. E para ju jeni tifozeri fantastike dhe e dyta keni një ekip të mrekulleshëm”, keni vlera njërzore, sportdashëse ashtu si dhe keni unikale trashgimëninë që ekspozon në antyrë, si dhe është qyteti i Beratit me vlera unikale në botë, turistët Francezë të entuziazmuar pas Beratit, ka cituar në fund të fjalës së tij Ambasatori  FITOUSS.

Petrit Sinaj – Kryetari i Bashkisë Berat e siguroi Ambasadoinr Bernard FITOUSSI,  për angazhimin e Bashkisë Berat në realizimin e projektit të trajtimin e lumit Osum sipas perspektivës Europiane – Projekt i përgatitur në bashkëpunim me Shoqatën Franceze të Menaxhimit të Ujrave SICALA. Për këtë projekt është kryer studimi i fizibilitetit dhe pritet implementimi i tij nga fonde të Bashkimit Europian dhe Qeverisë Franceze. Berati është pjesë e Shoqatës Franceze të Qyteteve të Artit dhe Historise, ku Bashkia Berat ka përfituar deri tani mbështetje për ngritje kapacitetesh në fushën e planifikimit urban dhe trashëgimisë kulturore. Gjithashtu qyteti i Beratit ka një marrëveshje binjakëzimi me qytetin e “Beratit”, në Francze, kryesisht në fushën e shkëmbimeve të studentëve nga dy qytetet. Bashkëpunimet ndërmjet të rinjve Shqiptarë dhe Francezë kanë dhënë frytet e tyre, falë këtyre projekteve të vogla, është zbatuar në bashkëpunim me Bashkinë Berat projekti i shtegut të Goricës, duke pajisur me sinjalistikë shpjeguese mbi historinë, florën dhe faunën e zonës së Goricës dhe Kalasë së Goricës ( shek.IV p.e.s) dhe së fundmi, gjatë muajit Korrik 2016 një grup studentësh bojksautesh nga Franca dhe të rinj nga qyteti i Beratit, do të marrin pjesë në një projekt restaurimi, duke ringjallur traditën e gurskalitjes në lagjet muzeale në Berat. Aleanca Franceze ka degën e saj në Berat, e cila në bashkëpunim me Bashkinë organizon evente të ndryshme kulturore ka cituar për presidentit francez kryetari i bashkisë Sinaj..

Filed Under: Komente Tagged With: : ” Francezët, Bernard FITOUSSI, kanë ngelur të surprizuar, nga tifozeria shqiptare”

IA ZBARDHËN FËTYRËN KOMBIT

June 21, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Java e kaluar ishte një javë historike për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar. Shqipëria mori pjesë në Kampionatin Evropian të futbollit. Në ndeshjet e saja me më të mirët e Evropës, skuadra kombëtare shqiptare pati dy humbje dhe më në fund fitore, në ndeshjen e saj me Rumaninë.

Ishte një javë pothuaj e pashembullt në histori për imazhin e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, për sjelljen e skuadrës kombëtare po se po, por më tepër kampionati evropian pasqyroi sjelljen dinjitoze të dhjetëra mijëra tifozëve shqiptarë që kishin shkuar në Francë nga të gjitha trojet shqiptare, nga diaspora në Europë e madje edhe nga Amerika. Dukej se i kishte ardhur koha shpalosjes me krenari të ngjyrave kuq e zi të flamurit kombëtar të shqiptarëve, në një Evropë që shpesh nuk i ka dashtë dhe shpesh ka marrë vendime historike të gabuara në kurriz të shqiptarëve dhe të interesave të tyre. Por ja erdhi koha, pas shumë shekuj vuajtjesh të këtij kombi të vogël por krenar që shqiptarët t’i tregonin Evropës dhe botës qytetarinë dhe kulturën e tij njerëzore dhe kombëtare. Gjatë ndeshjeve, skuadra shqiptare e futbollit dhe tifozët e saj e treguan veten të denjë të emrit shqiptar.

Të vetëdijshëm se nderi i Atdheut tregohet më së miri dhe në rend të parë me sjellje të mira ndaj njëri tjetrit dhe ndaj të tjerëve, futbollistët shqiptarë dhe mbështetësit e tyre, gjatë kampionatit të futbollit evropian, ia përmirësuan imazhin Shqipërisë dhe ia rritën namin kombit shqiptar më shumë se çdo gjë dhe çdo kush tjetër, për një kohë të gjatë. Si pasojë e propagandës së armiqëve të shqiptarëve gjatë dekadave, Evropa dhe bota dinin pak ose aspak për shqiptarët dhe ato që dinin nuk ishin zakonisht pozitive. Sjelljet e mira të shqiptarëve në Francë duket se habitën jo vetëm atë vend por edhe mbarë Evropën, ndërsa media franceze e cila siç duket nuk priste sjellje të tilla nga shqiptarët gjatë kampionatit, me kënaqësi u bëri thirrje shqiptarëve që të vizitonin Francën sa herë të duan dhe kur të duan. Shqiptarët e pranishëm në Francë për ndeshjet futbollistike të kampionatit evropian, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, me të vërtetë shpalosen për mbarë botën vetitë më të mira kombëtare dhe njerëzore të kombit shqiptar.

Ngjarje të tjera që i dhanë një hov tjetër imazhit të mirë të shqiptarëve e që njëkohsisht pasqyroi edhe tolerancën fetare ndër shqiptarët — ishte edhe inaugurimi javën që kaloi i shtatores së Nënë Terezës në Phafenfohen të Gjermanisë, në prani tënjë numri të madh shqiptarësh dhe gjermanësh. Mirëpo, ishte pjesëmarrja e përfaqsuesve fetarë të shqiptarëve ajo që la përshtypje të thellë në të pranishmit dhe popullësinë vendase. Sipas burimeve të medias në Kosovë në këtë inaugurim, të pranishëm ishin Ipeshkvi katolik i Kosovës, Dodë Gjergji, Imami Xhevat Kryeziu, At Nikollë Marku dhe Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.

Edhe me këtë rast, shqiptarët përsëri i treguan Gjermanisë dhe Evropës urat historike që ekzistojnë midis besimeve fetare të shqiptarëve, si dhe bashkëjetesën, harmoninë dhe lidhjet e gjakut midis tyre. Ndërkaq parada vjetore në New York, kushtuar gjithashtu Nënë Terezës, veshi kuq e zi rrugët e lagjës Manhattan, duke parakaluar para mijëra shikuesve vendas dhe të huaj dhe duke lënë përshtypje jashtzakonisht pozitive në radhët e banorëve të New Yorkut dhe të turistëve të shumtë.

Ajo që të bie në sy në të gjitha këto raste të shpërthimit të krenarisë kombëtare shqiptare — qoftë pjesëmarrja e kombëtares në kampionatin evropian, qoftë kujtimi i Nënë Terezës para shënjtërimit të saj në shtator — është fakti se shumica dërmuese e pjesëmarrësve në kët ngjarje ishin në moshë të re. Ky fakt në të vërtetë është një gjë pozitive që mund të jetë shenjë e mirë për të ardhmen, se ndoshta — ky brez i shqiptarëve, 25-vjetë pas shembjes së komunizmit, ndryshe nga klasa e tanishme politike anë e mbanë trojeve shqiptare – ka filluar të hedhë poshtë frymën e ideologjive dhe influencave të huaja të shekullit të kaluar dhe tu këthehet rrënjëve dhe vlerave kombëtare. Duket se kjo brezni — ndryshe nga klasa politike që udhëheq sot shqiptarët – është e vetdijshme për vlerat kombëtare, shpirtërore dhe historike të kombit shqiptar, dhe si e tillë ka vendosur, me qa sa ka mundësi, të shkojë përpara me hapa të shpejt dhe të sigurt drejtë botës përëndimore, aty ku kombi shqiptar e ka pasur gjithmonë vendin. Megjithë anarkinë politike shqiptare të këtyre dekadave të fundit, duket se shpirti shqiptar kërkon të dalë njëherë e përgjithmonë nga errërsirat shpirtërore shekullore dhe të shkojë drejtë dritës dhe vetive të vërteta stërgjyshore që e kanë dalluar gjithmonë kombin shqiptar.

Kjo gjeneratë e re e shqiptarëve – ndonëse e dhunuar, e abuzuar dhe shpesh e detyruar të largohet nga trojet e veta ka një potencial të madh, por të shtypur dhe të shtrydhur – po pret gjithnjë për hapjen e një rruge për një të ardhme politike që do të mundësojë që këto potenciale intelektuale dhe shpirtërore të këtij brezi që mbeten ende për tu shfrytëzuar, të shfytëzohen në përputhje me kulturën dhe qytetarinë që treguan para botës tifozët shqiptarë dhe skuadra kombëtare në Francë. Nuk bëjnë keq ata që janë venë sot në krye të politikës anë e mbanë trojeve shqiptare të marrin shembull nga sjelljet e mira, nga uniteti dhe nga kultura e futbollistëve dhe e tifozëve shqiptarë në Francë, por edhe nga toleranca dhe harmonia fetare e shfaqur në Gjermani dhe në rrugët e New Yorkut, ku shqiptarët pa dallim feje a krahine nderuan Nënë Terezen para Shënjtërimit të saj në shtator.

Politika pa kulturë dhe pa qytetari nuk vlenë asgjë. S’do mendë se ne në mërgim kënaqemi për imazhin pozitiv të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, kudo dhe kurdoherë që ndodhë, sepse duam dhe dëshirojmë ta shohim Shqipërinë dhe kombin shqiptar të nderuar dhe të respektuar nga miqtë dhe nga armqitë dhe jo vetëm në fushën e topit. Por e duam dhe e dëshirojmë gjithashtu edhe të përparuar politikisht dhe ekonomikisht, ashtuqë ky brez, i cili shpresojmë se është i vendosur t’i japë një imazh të ri kombit, të qëndrojë dhe të ndërtojë një jetë më të mirë dhe më të begatë në trojet e veta. Për këtë është përgjegjëse drejtë për drejtë ky brez politikanësh që sot janë venë në krye të kombit, pasi për mirë ose për keq, këta janë ndërtuesit e të ardhmes së kombit shqiptar.

Ashtu siç bënë lojtarët e kombëtares dhe tifozët e tyre gjatë këtyre javëve në Francë, presim që edhe ata të pakën të tregojnë vullnet të mirë e të “mahnitin” botën me qytetarinë, me atdhedashurinë dhe me kulturën politike, duke pasqyruar për momentin jo vetëm simbolet kombëtare, por edhe drejtësinë shoqërore dhe vlerat morale si dhe bashkjetesën politike dhe harmoninë shoqërore në radhët e shqiptarëve pa dallim, duke i hapur kombit shqiptar shtigje të reja në historinë e tij të shumë vuajtur. Vetëm kështu do të ketë një përmirsim më të qëndrueshëm të imazhit pozitiv duke i zbardhur fëtyrën kombit me një kulturë politike dhe me sjellje qytetarie ndaj të gjthëve, përfshirë edhe kundërshtarët politikë.

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: FËTYRËN KOMBIT, Frank shkreli, IA ZBARDHËN

Ish ambasadori William Ryerson: Ja si e kujtoj Shqipërinë dhe shqiptarët

June 21, 2016 by dgreca

Intervistë e Mimoza Dajçit me ish Ambasadorin Amerikan në Shqipëri Z. William Ryerson/

–Përshëndetje Ambasador Ryerson!/

-Përshëndetje!/

-Gëzohem që pata rast t’ju takoj në SHBA. /

-Edhe unë gëzohem gjithashtu./

  1. Ryerson, si e pritët detyrën e Ambasadorit në Shqipëri, duke patur parasysh izolimin e vendit dhe diktaturën e egër gati 50-vjeçare të saj?

Kur erdha për herë të parë në prill të vitit 1991, dija shumë pak për Shqipërinë. E kisha parë Shqipërinë kur punoja në Beograd, nga ana tjetër e liqenit të Shkodrës, aty ku ndodhen malet shqiptare. Nuk e kisha idenë që do të vija ndonjëherë në Shqipëri.

Çfarë detyre mbulonit në atë kohë në Beograd?

Isha në detyrën e Konsullit të Përgjithshëm për SHBA-së, për katër vjet në Beograd.

 A kishit eksperiencë diplomatike më parë në vendet e lindjes që kishin përjetuar diktaturën komuniste si edhe Shqipëria?

Po, në Beograd, dhe tri vite në Poznan të Polonisë.

 Zoti Ambasador, ju keni qenë prezent në Shqipëri në momentet më kyçe të vendit tonë, siç ishte vendosja e pluralizmit dhe rrëzimi i rregjimit komunist. A mund të ndalemi pak tek këto ngjarje madhore që kaloi Shqipëria? 

Ishte kohë shumë e vështirë për shqiptarët në shumë aspekte, por edhe nga ana materiale. Ushqimi ishte shumë i pakët, i pamjaftueshëm për popullsinë vendase. Kishte rrezistencë të madhe nga rregjimi i vjetër karshi ndryshimeve qe po ndodhnin ne ato kohëra. Ju sigurisht ishit atje dhe e dini më mirë se unë. Megjithatë ishte e mahnitshme të shihje kurajon e shqiptarëve se si i rrezistonin asaj trysnie të madhe.

Në pranverën e vitit 1992, ne i patëm ofruar Shqipërisë pleh kimik artificial, që të ndihmonte rritjen e prodhimit në vend pa pasur nevojën e importimit të ushqimit, me kusht që të shitej në ankand. Zv. Kryeministri shqiptar i asaj kohe, insistoi duke thënë se ishte e pamundur të zhvillohej ky si proces në Shqipëri, pasi shitja me ankand ishte kundra ligjit. Për ta bërë këtë të mundur, duhej patjetër që pala shqiptare të binte dakord e të firmoste por me sa dukej, kishte rrezik që Shqipëria nuk do të pranonte. Një ministër tjeter po i asaj kohe, që besoj se ishte anëtar i Partisë së Punës, pati kurajon ta nënshkruante këtë kontratë, pasi mendoi se kjo ishte për të mirën e Shqipërisë.

Këto ishin situatat me të cilat po përballeshim ato kohë, ku individe të ndryshëm mundoheshin të bëheshin pengesë, ndërsa disa të tjerë kuptonin se këto ishin ndryshime pozitive për zhvillimin e vendit.

E vlerësoj edhe sot kurajon e atij ministri që e firmosi atë kontratë, pavarësisht se çfarë anëtari partie mund të ishte ai, nëse fanatik apo jo. Ndërsa unë nga ana tjetër po rrezikoja të humbisja punën, se nuk isha në gjendje të merrja firmat e duhura. Departamenti i Shtetit Amerikan më bëri një telefonatë ku mu tha se nëse kjo kontrate nuk realizohej me Shqipërinë, atëherë plehun kimik do ta nisnin në ndonjë shtet tjetër.

 Në atë kohë besoj se patët rast të takoheshit me Ramiz Alinë. A keni biseduar me atë rreth situatës në të cilën ndodhej vendi?

E takova në pranverën e vitit 1991. Isha delegat, dmth ende pa marrë titullin e ambasadorit. Mbaj mend bisedën e parë tek kafeneja e parlamentit. Njerëzit më hapën rrugën dhe përkthyesja ime më tha: “Me sa duket ai do të takohet me ju”. Kështu që iu afrova. Pasi u përshëndetëm, sepse ai ishte president i Shqipërisë i thashë: “Z. President, ka ardhur koha që Shqipëria të ballafaqohet me të shkuarën e saj. Gjermania e ka bërë këtë. Unë kam qenë me shërbim diplomatik në Berlin, Bon, Vienë dhe jam familjarizuar me këtë proçes, prandaj them se duhet ballafaquar tashmë ajo e shkuar e tmerrshme edhe në Shqipëri”.

Ai më tha: “Jo, kjo nuk ka të bëjë fare me ne, pasi ne nuk jemi ashtu”. Ai mbase e besonte vërtetë gënjeshtrën që me tha, por e vërteta ishte se kishte ardhur koha që Shqipëria ta shikonte në sy të shkuarën komuniste.

Duke u kthyer tek parlamenti i parë shqiptar, ju si përfaqësues diplomatik i SHBA, nuk u lejuat fillimisht të asistonit në parlament, dmth si ambasada amerikane ashtu edhe ambasadat e tjera.

Ditën pasi mbërrita në Shqiperi, shkova tek Kryeministria dhe takova shefin e protokollit për një vizitë kortezie. I thashë: “Kam dëgjuar se parlamenti juaj ka refuzuar një kushtetute, por janë në biseda e sipër për një kushtetutë të re. Do të kisha interes të dëgjoja debatet e diskutimet”. Përgjigja e tij ishte: – Nuk mund të vish në Parlament. Atëherë e pyes: “Ç’do të thotë kjo? Përfaqësuesi juaj që do të shkojë në Washington, D.C., do të jetë në gjendje që të dëgjojë seancat e Kongresit Amerikan pasi zhvillohen në mënyrë të hapur”.

I thashë gjithashtu se dija vetëm për dy instanca ku Kongresi kishte mbajtur seanca me dyer të mbyllura, e para gjatë Luftës II botërore, ku u mbajt një debat për strategji lufte ku do të vendosej nëse Amerika do të ndërhynte më parë në Europë apo në Pacifik, dhe e dyta, më duket gjatë viteve 50-të, mbi energjinë atomike, ku kongresi mbylli dyert dhe diskutoi.

Por kur pashë që shefi i protokollit shqiptar më kundërshtoi përsëri thashë: “Protestoj!”.

Ai mu përgjigj përsëri: – Nuk mundesh.

Atëherë unë shtova: “Qeveria ime proteston!”.

Pasdite shkova në Hotel “Dajti” dhe përkthyesi më tha se aty ndodhej edhe Gramoz Pashko, e se mbase bëja mirë të flisja me atë. Unë ende nuk e njihja, por e takova dhe diskutuam gjerë. Ai më tha se shpresonte të më shihte në Parlamentin shqiptar së shpejti. I thashë se për fat të keq nuk varej nga unë. Pashko më tregoi se delegatët demokratë kishin një mbledhje atë mbrëmje dhe do ta ngrinin edhe këtë si çështje.

Të nesërmen më telefonoi shefi i protokollit të Kryeministrisë e më thotë se, mund të shkoja në Parlament dhe mund të sillja me vete edhe përkthyesin tim. Pasi shkova në Parlament, nisën të vinin edhe diplomatë të tjerë të huaj.

 Pra ky ishte suksesi juaj, Ambasador.

Jo, ky nuk ishte sukses për mua, por për parlamentin shqiptar që të zhvillohej në mënyrë të hapur. Kjo gjë mbase erdhi si shtysë edhe nga ministri i jashtëm i asaj kohe. Ata mbase kuptuan se ajo gjendje nuk po i ndihmonte përderisa edhe kamerat televizive ishin të pranishme në parlament. Ndërkohë une fillova te vija re se kamerat fokusoheshin shpesh tek une e më filmonin. Më vonë e kuptova se përse e bënin këtë, pasi mësova nga një çift shqiptar – miqtë e mi, se kishte filluar të përhapej lajmi për mua se “amerikani” nuk e kalon kohën në kafene tek Hotel “Dajti”, por është duke bërë punën e tij dhe duke dëgjuar seancat në parlament. E me sa duket, pasi më dhanë OK-in mua, vendosën t’i hapnin dyert të gjithë trupave diplomatike.

Herën e parë që hyra në Parlamentin Shqiptar, më pritën dhe uruan mirëseardhjen një sërë trupash diplomatike të huaja si çekët, egjyptianët, etj. Përpara këtij evenimenti, diplomatët e huaj në Shqipëri nuk ishin të lejuar të bënin asgjë.

Më kujtohet një mbrëmje, isha duke bërë xhiron e zakonshme në Bulevardin e Tiranës, ku rastësisht takova përfaqësuesin e Ambasadës së Polonisë dhe bashkëshorten e tij. Biseduam së bashku në anglisht apo mbase polonisht. Kishin bërë pazar e dukeshin te lumtur. Në duar mbanin dy qese me perime, si spinaq, etj. Më treguan se i ishte dashur të mbanin rradhë në dyqan ashtu si edhe vendasit. I thashë: “Përse jeni kaq të lumtur, që mbajtët rradhë?” Dhe ai mu përgjigj: “Deri më tani, kur sapo na shihnin, na hapnin rrugën e rradhën nëpër dyqane si të huaj që jemi, që të bënim pazarin e të largoheshim sa më parë në mënyrë që të evitohej kontakti me të huajt. Ndërsa tashmë ne po trajtohemi si të gjithë njerëzit e tjerë.”

Dhe këto ishin ndryshime të vogla, por që filluan të viheshin re.

 Po pritjen që i bëri populli shqiptar Sekretarit Z. James Baker, si e vlerësoni sot pas 25 vitesh? A ishte kjo një pritje e ngjashme me atë të Presidentit Kennedy në Berlin?

Po, ajo ishte një pritje e jashtezakonshme! Ashtu sikurse pritja e Presidentit Kennedy nga populli gjerman në Berlin, ku ai u prit si Perëndia. Besoj se keni parë foto të atyre ngjarjeve. Unë asistova aty, pasi detyra ime e parë e jashtme për Departamentin e Shtetit, ishte në Berlin.

Përpara vizitës së Baker-it në Shqipëri, mbaj mend se vazhdonin grevat e sindikatave. Autobusat e trenat nuk qarkullonin.

Bëra një llogari me veten, thashë: “Ok, kjo qeveri komuniste nuk ka për të më vrarë. Nqs do të bëjnë diçka karshi sindikatave, bota do ta marrë vesh, ose do të më heqin qafe mua, të më vrasin, por ata nuk do ta bëjnë këtë gjë. Kështu që shkoja përditë tek sindikatat për të parë se si qëndronte situata, sa kishte shkuar numri i grevistëve, etj.

Kur po diskutohej ardhja e Baker-it, sindikatat më thanë: “Mos ki merak, trenat e autobusat atë ditë do të funksionojnë dhe do të sigurohemi ne që t’i sjellim njerëzit”. Me sa mora vesh nga miqtë e mi, askush nuk kishte paguar për transportin publik atë ditë. Shoferët e autobusave dhe trenave i sollën njerëzit pa pagesë.

Baker-i medoi se e kisha organizuar unë pritjen e tij madhështore, por e vërteta ishte që atë e organizuan vetë shqiptarët.

 Besoj se kjo tregoi në një farë mënyre dashurinë e popullit shqiptar për Amerikën, popullin amerikan dhe për respektin që krijuan për ju personalisht.

Cilido që do të ishte ambasadori i parë nga SHBA në Shqipëri mendoj se do të gjente këtë lloj konsiderate dhe respekti nga populli shqiptar. Shqiptarët ishin gati për një amerikan.

 Në një intervistë keni thënë se me ardhjen e Sekretarit të Shtetit z.James Baker në Tiranë, mbajtët një takim tek Hotel “Dajti” ku morën pjesë edhe 10-të ish të burgosur politikë, ku ndër të tjera Z. Baker i tha atyre: “Duhet të jeni të bashkuar që komunistët mos të vijnë më në pushtet”. A mund të njohim lexuesin me emrat e tyre dhe disa prej përgjigjeve që ata dhanë në atë takim?

Ishin rreth dhjetë vetë në ate takim. I mbaj mend vetëm pjesërisht emrat e tyre pasi kanë kaluar shumë vite, e kujtesa bën punën e saj. Di që ka qenë prezent Pjeter Arbnori, Sali Berisha, një përfaqësues i Partisë Republikane, një nga udhëheqësit e grevës së përgjithshme të sindikatave të pavarura, një përfaqësues i minoritetit grek si dhe një grua që me sa mbaj mend, ishte e angazhuar me shpërndarjen e ndihmave ushqimore që ne sollëm në Shqipëri.

Sekretari Baker komentoi se ishte takuar me 4-5 disidentë në Moskë dhe vende të tjera, por kurrë nuk i kishte rënë rasti të ulej në tryezë bisedimesh edhe me një grua. Dhe unë i entuziasmuar thashë: “Atëherë ja arritëm këtu”.

 Po ish i burgosuri politik Osman Kazazi ishte i pranishëm në atë takim?

Të them të drejtën, nuk e mbaj mend nëse ka qenë prezent Osman Kazazi në atë takim apo jo. Megjithatë më kujtohet një mesazh i rëndësishëm i Baker-it, ku ai mes të tjerave tha: “Bashkohuni dhe votoni që të mos zgjidhen më këta” (dmth komunistët).

Përfaqësuesi i Partisë Republikane, që në atë kohë ishte një forcë politike shumë e vogël u shpreh se nuk kishin marrë asistencën e duhur që i takonte nga qeveria si zyrë, makinë, etj. Baker-i pyeti: “Pse?” Dhe ai u përgjigj se nuk e dinte se pse. Taktikë puro komuniste mendova unë.

Dr. Berisha foli gjatë pasi kishte më shumë për të thënë. Ai iu drejtua Baker-it me një analogji në terma mjekësore si psh “komunizmi është kancer”, apo diçka e tillë….

 Gjatë qëndrimit tuaj në Shqipëri, a patët rast të vizitonit ndonjë zonë – burg, ku vuanin dënimin shqiptarët e dënuar politik gjatë rregjimit komunist?

Jo, nuk kam patur rast të vizitoj ndonjë burg politik. Mbaj mend se jam takuar me disa ish të burgosur politik në Shkodër në janar të vitit 1992, gjatë një udhëtimi që bëra pasi u caktova ambasador. (Arrita në prill në Shqipëri, por pozicioni im si ambasador u aprovua e zyrtarizua vetëm në dhjetor të po atij viti.) Qëndruam në një ndërtesë e cila kishte qenë rezidencë e byrosë së PPSH. Hëngrëm drekë atje me ish të burgosurit politik, të cilët kishin ndihmuar në ndërtimin e asaj ndërtese gjatë kohës së tyre si të dënuar politike në burg.

Ishte një eksperiecë e jashtëzakonshme ku u preka pa masë, që ata ishin tashmë aty si mysafirë të lirë dhe jo si skllevër. Ndodheshim aty rreth 40-50 vetë si dhe përkthyesi im.

 Dokumentat zyrtare kanë deklaruar se ju jeni survejuar nga sigurimi i shtetit i atëhershëm. Si mendoni ju, pse vazhdonin ata akoma me këto metoda?

Isha mësuar me këto situata survejimesh në Poloni e Beograd, (disi më pak në Beograd). Prisja të kishte mikrofona gjithandej. Njerëz që më survejonin se ku shkoja, sa do qëndroja atje, me kë flisja etj. 

Pra ju ishit i ndërgjegjshëm se po përndiqeshit nga ish sigurimi i shtetit shqiptar?

Në fakt nuk kisha shumë interes për këtë fakt e nuk shqetësohesha shumë. Shikoja punën time, pasi kishte shumë punë për tu bërë. Isha shumë koshient që njerëzit të cilët flisnin me mua mund të ishin të rrezikuar, por unë jo. Një burrë, djali i të cilit kishte fituar Azil Politik në Amerikë, erdhi të më takonte tek Hotel “Dajti” nga jashtë Tiranës. Unë isha takuar me të birin e tij në SHBA. Atij i ishte dashur të ecte një orë deri tek staconi i trenit, mori trenin dhe udhëtoi për në Tiranë. Më kishte sjellë mbështjellur në një kaush gazete disa kokrra qershi të freskëta që i kishte vjelë vetë. Tek hyrja e “Dajtit” sigurisht e ndalen punonjësit e ish sigurimit stacionuar aty dhe e morën në pyetje.

Ju e dini se në atë kohë Hotel “Dajti” nuk ishte i hapur për të gjithë, nuk mund të frekuentohej nga gjithëkush. Njerëzit e Hotel “Dajtit” u mësuan me mua e me stafin tim dhe i porosita që dy përkthyesve të mi t’i jepej çelësi i dhomës time, pasi do të punonim shumë për tu përgatitur për vizitën e Sekretarit të SHBA James Baker.

Si e përzgjodhët stafin që punonte për ju, dhe si arritët të krijonit besim tek përkthyesit tuaj?

Për përkthyesit, u bazuam tek rekomandimi i gazetës “New York Times”, stafi i të cilës kishte qenë në Shqipëri përpara meje. Të them të drejtën ka qenë shumë e vështirë se kë mund të besoja në fillim. Nuk e dija kush ishin njerëzit e mirë dhe kush njerëzit e këqinj. Pra, nuk e dija nëse personi që kisha përballë ishte një nga torturuesit e atij sistemi apo kishte qenë i torturuar nga ai sistem. Dmth a kisha të bëja me dikë që i kishte shkulur thonjët njerëzve, apo atij i ishin shkulur thonjtë. Emra të personave të gjallë nuk dija përveç Ramiz Alisë. Kështu që shkova tek Osman Kazazi dhe i thashë: “Kemi nevojë të punësojmë një kuzhinier e dikë që të pastrojë rezidencën tonë. A mund të më rekomandosh dikë?” Mendova se njerëzit e ish persekutuar politikë meritonin një shans dhe njëkohësisht ishin më pak të mundur që të ishin spiunë komunistë. Kjo ishte le të themi mënyra ime e diskriminimit pozitiv, duke favorizuar kështu shtresën e persekutuar politike.

 Kur vizituat Shqipërinë për herë të parë, jam e bindur që ju kanë rënë në sy edhe bunkerët e “famshëm”. Ç’farë shije ju lanë ato fortifikime betoni?

Në fillim më patën dhënë shifra të ndryshme se sa bunkere ishin dhe se ku gjendeshin nëpër Shqipëri. Kur nisa të udhëtoja pak, pata rast t’i shikoja me sytë e mi se ku ishin. Mësova më vonë se prodhoheshin në Tiranë e më pas transportoheshin nëpër kodra. Shpenzime të jashtëzakonshme! Më kujtohet një episod…. Ishte pranvera e ‘91 kur dikush më pyeti se sa do të ishte vlera militare e bunkerëve.. Përgjigja ime ishte: “Do të ishin me vlerë sa në një lojë me topa bore ose betejë kalorësish me shtiza (cavalry charge). Reagimi i tij më la të kuptoja që nuk ishin ende gati për shaka mbi këtë subject. U tërhoqa pasi mendova se duhet të tregohesha i kujdesshëm pasi humori nuk kuptohet gjithnjë njësoj në gjuhë të huaja. Më thanë se vlera e njërit prej tyre, mund të kishte mbuluar vlerën e një apartamenti modest. Nqs paratë nuk do ishin shpenzuar për ato bunkerë, por për ndërtime godinash banimi, atëherë nuk do kishte pasur problem strehimi. Strehimi në atë kohë, ishte shumë problematik në Shqipëri.

 Diçka mbi marrëdhëniet shqiptaro amerikane në këto 25 vjet, si janë sipas jush këto raporte?

Më vjen mirë të them se këto marrëdhënie vazhdojnë të jenë të mira reciprokisht. Mund të jenë akoma edhe më mirë.

Me sa kemi dijeni ju ruani raporte shumë të mira me Shqipërinë dhe shqiptarët në SHBA. Duke qenë se këto kontakte janë të vazhdueshme, si e pritët lajmin se në Asamblenë e New Yorku-t u zgjodh edhe shqiptari Mark Gjonaj? Keni patur rast të takoheni me Z. Gjonaj?

Po, sigurisht kam dëgjuar për zgjedhjen e tij në këtë post. Unë e ndjek shypin shqiptar rregulllisht. Lexoj gazetën “Illyria”, ku jam i abonuar qysh nga viti 1992. Njoh Vehbi Bajramin dhe Ruben Avxhiun të cilët punojnë për gazetën “Illyria”. Nuk e njoh personalisht Z. Gjonaj por e kam takuar shkurtimisht gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në Washington. Kishte shumë njerëz të pranishëm ndaj nuk kishte kohë për të folur. Megjithatë i dhamë dorën njëri-tjetrit dhe për këtë jam i lumtur.

 Më 4 Shtator të këtij viti Shenjtërohet Nënë Tereza në Vatikan. Në New York, me nismën e Senatorit Golden, kjo datë është njohur si “Dita e Nënë Terezës”. Mendoni se ky është sukses për shqiptarët gjithashtu?

Mendoj që po. Kam pasur privilegjin ta takoj Nënë Terezën dy-tre herë, herën e parë disa javë pasi arrita në Shqipëri. Ajo kishte marrë përsipër të sillte disa mjekë nga Italia për një klinikë afat-shkurtēr dhe ishte e preokupuar për sigurinë dhe vendqëndrimin e tyre. Më duket se ishte folur në telefon me Zv. Kryeministrin Gramoz Pashko dhe nuk i pëlqeu se çfarë po i propozohej në lidhje me akomodimin e tyre. Nënë Tereza insistoi deri sa e arriti atë që kërkonte. Ajo ishte një Zonjë me karakter të fortë që nuk dorëzohej kollaj.Mbaj mend që isha në aeroportin e Rinasit një ditë, ndërsa prisja time shoqe. Rastësisht Nënë Tereza ishte aty dhe patëm rast të flisnim. Në atë kohë sapo i kishin njohur nënshtetësinë shqiptare si dhe e kishin pajisur me pasaportë, të cilën e nxorri nga xhepi e ma tregoi me shumë krenari. Dukej shumë e lumtur për këtë, si një vajzë e vogël 10-vjeçare që sapo kishte fituar konkursin e poezisë.Nuk e fliste mirë shqipen. Herën e parë që e takova e pyeta: “Nënë, a flisni shqip?”

“Jo, i dashur miku im – mu përgjigj ajo në anglisht, – e kam harruar tashmë”. Në anglishten e saj spikaste një aksent i mrekullueshëm i Kalkutës së Indisë.

Më pas ajo erdhi në Ambasadën Amerikane në Tiranë, pasi unë sapo isha emëruar ambasador. Erdhi për të na vizituar e falenderuar pasi ne kishim dërguar ndihma ushqimore nëpërmjet organizatës së saj në Shqipëri. Kjo zgjedhje erdhi natyrshëm sepse ne nuk i kishim besë qeverisë së atëhershme. Nënë Tereza u kujdes për shpërndarjen e ushqimeve për popullsinë shqiptare. Ajo fillimisht siguroi magazina në Itali për ruajtjen e përkohëshme të tyre, të cilat u shpërndanë sipas nevojave.

Përpara se të uleshim në dhomën e pritjes, zhvilluam së bashku me Nënë Terezën një tur të Selisë të Ambasadës tonë në Tiranë. Më la përshtypje të mirë fakti që, punonjësit tanë, shumica e të cilëve të fesë myslimane të trashëguar, (pavarësisht se për mua pak rëndësi kishte ky fakt pasi unë vetë nuk jam religjoz i madh) u treguan shumë entuziastë nga vizita e saj dhe donin ta përgëzonin për bamirësitë e saj e t’i uronin shëndet e jetë të gjatë.

Më pas u ulëm të bisedonim të tre, së bashku me time shoqe. I ofruam kafe sipas zakonit të mikëpritjes shqiptare, por ajo e refuzoi, i ofruam nje gotë ujë, por ajo përsëri refuzoi dhe na shpjegoi mua e sime shoqe se nëse do të pranonte diku qoftë edhe një gotë ujë, dikush tjetër do të përpiqej që të ofronte diçka më shumë. Një mësim i madh modestie ky! Jam i bindur se Nënë Tereza e dinte shumë mirë se një Ambasador Amerikan nuk do të rrënohej financiarisht thjesht duke i ofruar një gotë ujë dikujt, megjithatë ky ishte principi i saj. Jeta dhe misioni i saj e çonin nëpër vendet dhe shtëpitë më të varfëra dhe nëse ajo do të pranonte një gotë ujë diku, atëherë familja fqinje që ishte po aq e varfër, do ta ndjente se duhej edhe ata ofronin një gotë ujë apo mbase një lëng frutash, mbase edhe biskota, apo ëmbëlsirë, apo një drekë a darkë, apo qoftë edhe ekstravagancën e luleve. Nënë Tereza nuk pranonte asgjë nga askush, që të mos t’i inkurajonte njerëzit të shpenzonin paratë kot. Mësim i mrekullueshëm ky! Dhe këtë mesazh ajo arriti të na e përcillte shumë thjeshtë me atë mënyrën e saj, pa nevojën e ndonjë lekture apo sermoni të gjatë.

 I nderuar Z. Ryerson, më lejoni t’ju komplimentoj për shqipen tuaj të shkëlqyer!

Faleminderit!

 -Kur dhe ku filluat të mësonit gjuhën tonë, pasi e flisni pastër gjuhën letrare?

Fillova të mësoj gjuhën shqipe kur punoja në Beograd, pasi punësova një të ri shqiptar nga Kosova e më pas me gjuhëtarë të zotë të gjuhës shqipe në Tiranë.Si fillim, pata punësuar një të ri, i cili pati ardhur të më takonte tek Hotel “Dajti” për të pyetur për familjen e tij që jetonte në SHBA. Unë e punësova privatisht si mësues të gjuhës shqipe duke e paguar nga xhepi im, për një orë leksion cdo ditë në ora 7:00 deri 8:00 të mëngjesit.

Më pas në ambasadë, kisha një profesor që ishte shumë i zoti dhe fliste greqisht, italisht e anglisht. Quhej Thanas Shkurti, më duket se ishte i martuar me një të persekutuar politike. Pasi ai u emërua Ambasador i Shqipërisë në OKB, i kërkova të më rekomandonte një profesor tjetër për të zënë vendin e tij. Ai për çudine time, më rekomandoi një profesor që nuk fliste anglisht, e më tha se tashmë kishte arritur momenti që mund të vazhdoja leksionet në shqip-shqip. Z. Shkurti më inkurajoi edhe të jepja një intervistë në TV Shqiptar në shqip pa përkthyes. Dhe unë ja arrita.

 Ja edhe sot po komunikojmë bashkë edhe në gjuhën shqipe dhe ja dolët mbanë.

Nuk jam shumë i bindur për këtë. (Qesh)

Cilat janë gjuhët e huaja që ju flisni?

Zotëroj shumë mirë gjermanishten, pasi kam qenë tre vite në Berlin, tre vite në Vjenë, dhe katër vite në Bon. Jam në gjendje të lexoj gazetën në polonisht dhe serbo-kroatisht. Gjuhën polake e kam pasur po aq mirë sa edhe gjuhën shqipe, gjuhën serbo-kroate gjithashtu.

Keni patur rast të vizitoni Kosovën?

Vetëm një herë kur isha ende në Beograd. Në fakt ato kohë, kisha bërë plan të shkoja në Prizren të shpenzoja dy javë atje, ku do t’i kushtohesha intensivisht mësimit të gjuhës shqipe. Takova një zotëri i cili do të më ndihmonte për gjuhën që në atë kohë e flisja shumë pak. Por për fat të keq, dy javë para se të nisesha, ai më tha: “Billy, më kanë dhënë urdhër mos të të shoqëroj në Prizren”. Për koincidencë në kohën që unë duhet të isha në Prizren, atje pati protesta, dhe jam i bindur se serbëve nuk do t’i kishte interesuar që në atë mes të gjendej edhe një diplomat amerikan i cili fliste rrjedhshëm serbo-kroatisht si dhe pak shqip. Jam i bindur tashmë se ato trazira të Janarit ‘90 në Prizren, ishin të planifikuara nga serbët.

Pastaj në Beograd mësuesi im i shqipes ishte një zotëri që përkthente tek asambleja e Republikës Serbe. Ai fliste serbo-kroatisht dhe shqip shkëlqyeshëm dhe pa asnjë aksent. Më pati treguar njëherë se e kishte gjetur veten në prezencë të një grupi të vogël serbësh, të cilët po komentonin me fjalë të ulëta shqiptarët, pa e ditur se ky zotëri ishte shqiptar – ai ishte nga Kosova…. Për të qenë i sinqertë, kur u largova nga Beogradi isha shumë i zhgënjyer nga serbët dhe nuk desha të kisha më të bëja me gjuhën serbe. Ndaj i vura qëllim vetes që të mësoja shqipen me çdo kusht, paçka se ata u munduan të ma vështirësonin këtë plan.

Çfarë do t’i uronit Shqipërisë dhe shqiptarëve?

Shëndet të plotë dhe jetë te gjatë. Pikë së pari i uroj paqe dhe ju lutem largoni prapambetjet e perandorisë osmane, zakonet një shekullore që u përforcuan edhe nga qeveria komuniste, favoritizmat dhe korrupsionin.

Faleminderit!

Ishte kënaqësi edhe për mua.

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, Mimoza Dajci, William Ryerson

Ndërroi Jetë në Prishtinë ne moshen 58 vjeç Tomë Hajdari

June 21, 2016 by dgreca

Miq dhe shok të ngushtë në SHBA, ngushëllojn familjen Hajdari/
Nga Beqir SINA, New York/
PRISHTINE : Dje, në Prishtinë, në moshën 58 vjeçare, ka vdekur Tomë Hajdari, anëtar i Kryesisë së AAK-së, dhe ish-ministër i Bujqësisë.
Hajdari, edhe më herët ka pasur probleme shëndetësore, për çka ka qenë i shtrirë në spital, raportojn mediet kosovare.Tomë Hajdari, njihet edhe si mik i ngushtë dhe bashkëpuntor i disa veprimtarve të njohur në Shtetet e Bashkuara, Elmi Berisha, një mikë i mirë, i tij, këtu në SHBA, thotë se “nuk dua t’a besojë se iku në amshim – njeriu i mirë Tomë Hajdari, miku im i dashur “.
“Sot me lot në sy mora lajmin e piklluar , që Tomë Hajdari, na iku në rrugën e pa kthim iku në duart e nënës Teresa, në vitin e Shejtërimit të saj, iku për t’u bashkuar në “Odën” e Burrave të mëdhenjë të Kombit tonë , të cilët sot janë engjujt e pavdekëshëm . Gjithmonë, shpirti i tyre, dhe vepra e tyre, do të shëndrisin dhe shkëlqejn për të mirën dhe të ardhmen e Kombit.” shkruan në mesazhin e ngushëllimit Elmi Berisha
Më tej në statusin e tij, privat në rrjetin shoqëror Facebook, Berisha, ka lënë shënimin e tij duke shkruar :” O miku imë u ngutë pak he burr, kemi pasur ëndrra të përbashkëta për atdheun për familjet tona për darsmat e gazemendet e përbashketa familjare.
Sa krenar jam që të njofta e që të kisha mik, vëlla , bashkëpuntor dhe ajo më rëndësishmja, ishte dashuria, respekti dhe besnikëria që kishe ti o mik i dashur, për Presidentin e pavdekshëm Ibrahim Rugova”.
Në fund me nje ton prekës, Berisha shkruan se si do t’a përballojm Kodrën e Becit, si do të përballojm zërin tënd të fisnikut të maleve të Dushkajës atë thirrjen tëndë burrnore e bujare :” O hajdi burra he mirë se ju ka pru i madhi Zot në odën e familjes Hajdari”.
Nuk do jet e lehtë t’a përballojm dhimbjen, por që një gjë është e sigurt se gjithmonë, do jesh në zëmrat,mendjen dhe shpirtin tonë. Prehu në paqe Tom Hajdari” ka shkruar Elmi Berisha.
Në statusin e tij privat në rrjetin shoqëror Facebook, edhe themelues dhe botues i gazetës, për shtatë vjet i gazetës shqiptaro amerikane Illyria, Harry Bajraktari, veprimtar dhe biznesmen i suksesshëm, mik shumë i afërt me Tomë Hajdarin ka përcjellur ngushëllimin e tij për vdekjen në moshën 85 vjeçare të Tomë Hadarit.
Bajraktari, shkruan se “ Lajmin mbi vdekjen e Tomë Hajdarajt, e mora me dhimbje të madhe. Të ndjerin pata rast ta njoh dhe përshypjet e mia për të kanë qenë të jashtëzakonshme. Më lejoni që me këtë rast, në emrin tim personal, te shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes dhe te afermve te te ndjerit Tomë Hajdarajt për këtë humbje të pakompenzueshme për ta dhe për Kosovën. Me veprën e tij, ai i dha shumë kombit dhe Kosovës.”
Vdekja e hershme e Tomë Hajdarajt , thotë Bajraktari, është humbje jo vetëm per familjen dhe te afermit e tij por dhe për AAK-në, anëtar i lartë i së cilës ishte.Të ndjerin Hajdaraj pata rast ta njihja këtu kur vinte në SHBA dhe kur unë shkoja në Kosovë. Tomë Hajdaraj ka qenë i përkushtuar pas çështjes kombëtare dhe asnjëherë nuk u shkëput nga kjo kauzë e shenjtë. I ndjeri kontribuoi gjatë viteve të 90-ta, kur Kosova ndodhej e okupuar nga Serbia, pastaj në kohën e luftës dhe pas saj në ndërtimin e shtetit. Ka pasur funksione të ndryshme: ka qenë ministër i Bujqësisë, zëvendësministër dha anëtar i Parlamentit të Kosovës si dhe një nga bashkëpuntorët e presidentit të ndjerë, Dr. Ibrahim Rugova.
Kurse, në fund veprimtari i njohur Harry Bajraktari, shprhet se “ Me vdekjen e Tomë Hajdarajt, AAK-ja humbi aktivistin e saj të devotshëm për çështjen kombëtare, ndërsa kryetari i saj, Ramush Haradinaj, bashkëpunëtorin e tij të ngushtë.Ngushëllimet e mia më të thella dhe qoftë i paharruar emri i tij!
Ngushellime për familjen Hajdari, dhe të gjithë të afërmit e tij, kanë shprehur në statusin e tyre edhe, shoku I Fakultetetit te Agronomise ne Universitetin e Prishtines Gjok Gojcaj,Fran G. Shkreli, Rrustem Gecaj, Musli Mulosmanaj, Luk, Elizabetha e Lisa Milicaj, Halil Mula, Martin Shkreli, Leëis e Lindita Gjelaj, Naim Deduashaj,Simon Qafa, Agjelina Nika, Dalip Greca, Dr. Gjon Buçaj,Marian e Dila Cubi,Ismer Mjeku, Ruben Avxhiu, Pashko R. Camaj,Gjevalin Gegaj,Agim Rexhaj, Sejdi Husenaj, Sabit Bytyçi, Idriz Lamaj, Tomë Mrija,Zef Balaj, e të tjerë..

Filed Under: Featured Tagged With: nderroi jete, ne Prishtine, Tom Hajdari

Anjeza, një edukatore që i duhet Kuvendit

June 21, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Nëse doni të mësoni se deri ku arrin larmia e të sharit në gjuhën shqipe, gjerësinë leksikore tonën, ofshamën e të gëdëpurit shqip etj…, ndiqni këtë link: Kopshti Diren, Anjeza Shabani një MONSTËR. Eshtë një bukuri e ekzgjareuar epitetesh apo poronomesh, siç i themi ne, shqip fare. Eshtë një stuhi e mrekullueshme, sa e ka elektrizuar të gjithë internetin e botës e shqiptare. U harruan fare heronjtë e rinj të pasaportave diplomatike. Ata që na veshën kuq e zi. Dhe na dhanë privilegjin histori që pas 85 viteve të jemi pjesëmarrës në një kompeticion të madh europian. Apo të kthejmë sadopak revanshin e rezultateve të dhunshme të Rumanisë karshi nesh. apo që e ka sheshuar këtë pritshmërinë e sotshme karshi rezultateve të Gjermanisë, Italisë e Turqisë. Që ia ka bërë në kokë reformës më jetike për shtetin dhe shqiptarët asaj që i tejkaloi disa herë etapat e shtatëzanisë.

Eshtë një fjalor i mrekullueshëm, që fillon e mbaron me pështyma, bushtër, monstër, kurbë, baxhello. Në burg u kalbsh, filiqajkë. (këtë se kisha dëgjuar ndonjëherë.) O kurvë, plehrë dhe degjeneruar, njerkë katile, femër pa shpirt, tu thaftë mitra, buqe, bishë e egër.
Me që ra fjala tek kjo, puna e buqes. Kam njohur vite më parë këtu në Amerikë një vajzë të re me prindër babain shqiptar dhe nënën irlandeze. Po a, di ndonjë gjë shqip?, e pyta. Ma ktheu sigurisht që di. Dinte të gjithë ato më mënxyrat. Dhe ishte e marrosur pas fjalës buqe. Kështu i thoshte babi, mamit, sa herë që ziheshin, më tha ajo dhe qeshi e kënaqur. Kjo ishte e kuptueshme, këtë pasuri leksikore e kish përvetësuar nga grindjet dhe shërret e prindërve, që tashmë janë të divorcuar. Dhe kur i them ndonjë gjë, ajo ma kthen, ju shqiptarët buqe jeni vetë.
Çfarë lidhje kanë të gjitha këto.
Ekzagjerimi i tepruar. Dhe si ngahera çudia se si është e mundur që edukatoret, mësuesit etj rrahin fëmijët tanë. Ne të gjithë vimë nga një kulturë rrahje. Madje e themi me mburrje se druri ka dalë nga xheneti. Dhe nga ana tjetër, edhe pse jemi hapur me perëndimin, kemi një lloj nostalgjie aq sa me zor ndahemi nga ato vese që i kritikojmë. Si të thuash, shajmë diktatin dhe vdesim më pas te jemi diktues, ose imponues mbi të drejtën e vtes, jo të shoqërisë në përgjithësi. Kemi nxjerrë aq edukatorë, aq arsimtarë, aq më the e të thashë sa përgjegjësia e prefosionit, testimet e liçensimit dhe provat e karakterit i kemi varrosur me kohë. Kemi një mori edukatoresh që postojnë plot qejfe foto e statute që ta shpifin me elokuencën e fjalës. Aq sa u japin gjithë qejf ë fundore edhe foljeve ndihmëse jam dhe kam. Dhe që plot triumf deklamojnë diploma të marra në 3 muaj. Që i thonë profesionist dhe gjynahqarit, o poç, rri urtë. Pasi partia të bën gjithçka. Edhe Zot.
Kjo histori është e çuditshme ndër ne, edhe për një fakt tjetër.
Jo larg, por sot herët në mëngjes, kontrollori i shtetit njofton për kapjen deri në kockë të administrasë nga korrupsioni. Megjithatë ne harbojmë karshi Anjezës. Edhe mes nesh ka me mijra Anjeza. Dhe askush nuk e shikon një të tillë brenda vetes. Askush nuk e ndjen një farë përgjëgjesie, por vetëm zell për tu shfryrë karshi saj.
Unë do thosha, që përpara se të çoni këtë Anjezën në zenitin e mallkimeve. Bëni mirë ta çoni ca ditë në Kuvendin e shqiptarëve.
Ju garantojë se fotot apo video me pickime e shpulla. Do ju argëtojë e do ndërgjegjësojë më shumë se kjo që po na prish gojën.
Dhe po na mban akoma në detin e gjynahut.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Anjeza, Ilir Levonja, një edukatore, që i duhet Kuvendit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT