• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

Bill dhe Hillary Clinton bëhen gjyshër për herë të dytë, Chelsea bëhet me djalë

June 20, 2016 by dgreca

Gjatë daljes së saj nga spitali Lenox Hill Hospital në New York, në shkallët e daljes, ajo ka qenë, rrethuar nga burri i saj Marc Mezvinsky dhe prindërit Bill dhe Hillary Clinton/
357EC30100000578-3651127-First_photo_Chelsea_Clinton_and_husband_Marc_Mezvinsky_posed_wit-m-62_1466459389723.jpg
Nga Beqir SINA, New York/
Fotografitë i mundësoi zv/Kryetari i VATRES, z. Agim Rexhaj/
 MANHATTAN NYC : Kandidatja tashmë e sigurtë e Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale në SHBA, Hillary Clinton për herë të dytë është bërë gjyshe, nderkohe vajza e tyre, femija e vetme, është bërë me djalë pas vajzës 2 vjeç me emrin Charlote.
Chelsea Clinton, vajza e ish-presidentit amerikan Bill dhe ish-sekretares së shtetit Hillary Clinton, njoftoi se ka lindur një djalë të cilit i vendosi emrin Aidan Clinton Mezvinsky.
Ajo njoftimin zgjidhi ta beje përmes rrjetit social Twitter, kur vetë Chelsea, njoftoi javën e kaluar se ajo dhe foshnja e saj janë mirë.
Chelsea dhe bashkëshorti i saj Marc Mezvinsky para dy viteve u bënë prindër pas lindjes së vajzës Charlotte.
Chelsea, e cila ka studiuar në universitetet në Stanford dhe Columbia, ndërsa më vonë ka doktoruar në Oxford, punon në sektorin financiar dhe është mbështetje e madhe e nënës Hillary në fushatën aktuale për zgjedhjet presidenciale.
Para lindjes, Chelsea më 7 qershor për herë të fundit me nënën Hillary është paraqitur në tubimin parazgjedhor në Brooklyn.
Chelsea Clinton, sot në mesdrekë, ka dalë nga spitali për herë të parë me djalin e saj të porsalindur Aidan.
Gjatë daljes së saj nga spitali Lenox Hill Hospital në New York, në shkallët e daljes, ajo ka qenë, rrethuar nga burri i saj Marc Mezvinsky dhe prindërit Bill dhe Hillary Clinton.
Ndërsa, Chelsea Clinton, Marc Mezvinsky dhe prindërit Bill dhe Hillary Clinton, kan qenë duke dalë nga spitali, një numër gazetarësh amerikan, por edhe kurreshtarë kan shkrepur aparatetet e tyre fotografike, dhe nëpërmjet Iphone, duke i postuar fotografitë e tyre në medien sociale Facebook, Twitter dhe Instagram.
 Njëri prej kurreshtarëve, i cili u gjend rastësisht në hyrje të shkallëve të spitalit  Lenox Hill Hospital në New York, ishte edhe nënkryetari i Vatrës, zoti Agim Rexhaj, që na dërgoi këto fotografi, të cilat ne po i publikojmë, duke e falemnderuar atë.
Shtypi, njujorkez shkruan se me gjithë temperaturat tepër të larta, (80 degree) Hillary, kishte veshur sot një pallto të “rëndë” treçerekshe, ndërsa Chelsea, doli me një mini-fustan të lehtë, blu e errët, me lule të vogla.
Duke dalë tek shkallët Chelsea dhe Marc, dhe prindërit Bill dhe Hillary Clinton dukeshin shumë të kënaqur, me dashuri njëri-tjetrin, shkruan shtyi njujorkez.
Bill dhe Hillary Clinton, qëndruan pak në në frontin përball gazetarve dhe kurreshtarëve duke i përshëndetur ata, siç duken edhe në fotografitë e postuara nga zoti Rexhaj.
 Edhe mjekët e spitalit, si edhe stafi e kandidates për Presidente Hillary Clinton dukej në gjendje të gëzuar, teksa ata u bashkuan me familjen presidenciale për të përshëndetur mediat dhe qytetarët të hënën, në mesdrekë kur doli nga spitali Lenox Hill Hospital në New York,
Chelsea u shfaq plot energji dhe buzëqeshje – pavarësisht fundjavës së lodhshme ajo pa dyshim kishte lënë spitalin duke i dhënë asaj më shumë lumturi me fëmijën e dytë
Ajo vështroi nga njerëzit dhe tha : “Ju faleminderit të gjithëve për urimet e ngrohta!” duke hyrë në automjetet që i prisnin në fund të shkallëve të spitalit Lenox Hill Hospital në New York.
(Keto fotografi i mundesoi per Gazeten Dielli dhe Bota Sot nenkryetari i Vatres, z. Agim Rexhaj)
357EB76800000578-3651127-Delighted_Chelsea_and_Marc_who_have_a_daughter_Charlotte_gazed_l-m-63_1466459409224.jpg

357EC51A00000578-3651127-Celebration_The_staff_looked_elated_as_they_joined_the_president-m-45_1466458615084.jpg

357EC30100000578-3651127-First_photo_Chelsea_Clinton_and_husband_Marc_Mezvinsky_posed_wit-m-62_1466459389723.jpg

357EC54900000578-3651127-Chelsea_s_summery_dress_showed_off_her_baby_bump_while_Marc_Hill-m-64_1466459456740.jpg

357EC69600000578-3651127-image-a-127_1466455603798.jpg

IMG_4368.jpg

IMG_4383.jpg

IMG_4387.jpg

IMG_4388.jpg

IMG_4389.jpg

IMG_4390.jpg

IMG_4392.jpg

IMG_4393 (1).jpg

IMG_4393.jpg

IMG_4394.jpg

IMG_4395.jpg

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Bill dhe Hillary Clinton, Celsea, gjysher per se dyti, me djale

Qytetërimi i lashtë shqiptar

June 20, 2016 by dgreca

NGA ANTON ÇEFA/

Është spekuluar dhe spekulohet edhe sot e kësaj dite me nocionin qytetërim, hapësira e gjerë e të cilit, duke u shtrirë në sfera nga më të ndryshmet të jetës lëndore e shpirtërore të njeriut, i ka krijuar mundësitë për një gjë të tillë.

Siç dihet, ka një qytetërim teknologjik, me funksione kryesisht praktike – utilitare, që ka arritur në kulmet më të pamenduara të realizimeve të njerëzimit dhe që ecën përpara me një shpejtësi marramendëse, dhe një qytetërim tjetër-më të lartë, më të vyer, më njerëzor: është ky qytetërimi shpirtëror, me funksione njohëse, edukative, etike, estetike, – shkurt, me funksionin e çlirimit e të pasurimit shpirtëror të njeriut, – i krijuar prej  popujve që në kohërat më të lashta.

Qytetërimi teknologjik ka siguruar një nivel të lartë jetese-në mënyrë të padiskutueshme-, por ai shpesh e ka dëmtuar njerëzimin, duke u përdorur në dëm të tij. Kjo është arsyeja që e ka shtyrë George Bernard Shaw-n të shprehet (në esenë “Dreqi flet”): “Në artet e jetës, njeriu nuk ka shpikur asgjë, ndërsa në artet e vdekjes, ai e ka tejkaluar”.

Janë të një rëndësie të dorës së parë elementet përbërës të qytetërimit shpirtëror, që krijoi populli ynë që në shekujt e hershëm të brumosjes së vet etnike, si fisnikëria e ndjenjave, urtia e mendimit, bukuria e sjelljes, vlerësimi i së bukurës, çmimi i së drejtës, gjakimi për të vërtetën, maturia e burrërisë, masa e fjalës, toleranca në marrëdhënie me të tjerët dhe një virtytësi e lartë e konkretizuar tek nderi, elementi më spikatës e më themelor i siluetës shpirtërore të popullit tonë, besa, mikpritja dhe përbërës të tjerë rrallë të arritur në historinë shpirtërore të popujve.

Duke vlerësuar cilësitë e karakterit dhe virtytet e larta morale të shqiptarit, Thomas Smart Hughes, ka shkruar: “ato cilësi i bëjnë nder natyrës njerëzore” (Travels in Sicily, Greece and Albania”, London 1820, v. 2, p. 344), dhe F. S. Douglas: “Shqiptarët i kanë të gjitha cilësitë që përgjithësisht përbëjnë embrionin e një kombi të madh” (An Essay on Certain Points of Resemblance between the Ancient and Modern Greeks”, London, 1813, p. 190).

Elemente të kanunësisë etike, populli ynë i veshi me rrobe juridike, duke i bërë impulsin organizativ themelor të jetës. Kështu ai krijoi të drejtën zakonore, një e drejtë e lashtë me rrënjë ilirike, që u ripërtri nën emrin e princit Lekë Dukagjini, dhe u përmbledh nga goja e popullit aq bukur nga Gjeçovi.

Pikërisht ky kod ligjor, pasqyrë autentike e qytetërimit tonë të lashtë-që na rreshton në një vend të nderuar, krahas popujve që krijuan kodet e veta të jetës, u sulmua me qëllime denigruese në shërbim të synimeve të tyre shoviniste për të gllabëruar trojet tona, nga një zhgan “akademikësh” sllavë, të cilët shpejtuan t’i vënë etiketën e egërsisë e të barbarizmit, duke e quajtur primitiv e të përgjakshëm. Si kryeargument për këtë u suall ligjësia kanunore e gjakmarrjes, që ka qenë një përpjekje e hekurt për të vënë rregull e drejtësi në një shoqëri ku mungonte shteti dhe institucionet shtetërore të së drejtës dhe aspak një veçori e shpirtit tonë etnik.

Kanuni shqiptar i maleve, që është kanuni i jetës shpirtërore mbarëshqiptare, i ndërtuar mbi themele të drejta e të qëndrueshme dhe, para së gjithash, mbi barazinë dhe i përshkuar katërcipërisht nga një virtytësi e lartë tejet humane është një kundërdëftesë e egërsisë shpirtërore; i dëshmon një fisnikëri të pashembullt, që rrallë e gjen në kanunet dokësore të popujve të tjerë.

Në Kodin ligjor të Stefan Dushanit, që është një kombinim i së drejtës zakonore serbe me ligjët bizantine, shkëlqen përgjakshëm, si në dritë të diellit, egërsia shpirtërore. Pikërisht, mbi bazën e këtij kodi, gjatë luftës së fundit në Kosovë iu nxorën sytë viktimave, kufomave iu prenë gjymtyrët dhe iu thyen kokat me çekiçë, u prenë me thika barqet e nënave për të nxjerrë ferishtet e palindura, u dogjën njerëz për së gjalli, u karbonizuan trupa njerëzish.

Ndërsa princi ynë Lekë, në kanunin e tij, ku zdrit tejdukshëm fisnikëria shpirtërore, jo vetëm që nuk i ka lejuar këto krime të përçudura, por përkundrazi ka ligjësuar nderimin ndaj kufomës, ndaj familjes dhe fisit të të vrarit; ai i ka vënë detyrë vrasësit të sjellë mbarë kufomën dhe t’i mbështesë armën tek koka për ta nderuar dhe për ta paraqitur më së bukuri, si dhe detyrime të tjera të kësaj natyre.

“Kanuni i Lekë Dukagjinit është një thesar i madh kulturor, i krahasueshëm me kapitujt e Testamentit të Vjetër.” dhe “Ai ofron shikime të thella në shoqërinë antike të shqiptarëve, dinjitetin hijerëndë dhe ndjenjën e tyre të mrekullueshme për nderin.”, ka shkruar The New York Times.

Qytetërimi i lashtë dëshmohet kudo në kulturën tonë shpirtërore. Nuk po flas për vallet, një manifestim dhe përqendrim (koncentrat) i bukurisë fizike dhe shpirtërore së bashku, i shkathtësisë dhe i krenarisë; nuk po flas për kostumet, fryt krijimtarie jo vetëm i dorës dhe i mendjes, por edhe i një shijeje aq të hollë estetike; nuk po flas për meloditë e bukura të fyellit e çiftelisë; nuk po flas për lojërat popullore, që pasqyrojnë me një vërtetësi të padiskutueshme shpirtin artist e dinjitoz të popullit tonë, për të cilin egërsia është e huaj, e panjohur.

Sado që kohë të disfavorshme pushtimesh të huaja, duke përfshirë këtu edhe kohën e diktaturës komuniste, u përpoqën ta gërryejnë qytetërimin e lashtë shpirtëror të popullit tonë dhe e dëmtuan, ai nuk është shuar. Përkundrazi, në kohë  më të qeta, mbasi të futet Shqipëria në rrugën e një demokracie të shëndoshë dhe të kapërcejë maskaradat e politikës së ndytë katovice, që po luhet në kurriz të popullit tonë, shpirti shqiptar do t’i kthehet vetvetes. Këtu qëndron shpresa, ndërsa siguria qëndron tek vitaliteti ynë etnik.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Anton Cefa, i lashtë shqiptar, Qytetërimi

Sinjalet e një politike “neutrale” të Steinmeier ndaj Rusisë

June 20, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/
Shefi i diplomacisë gjermane, Frank-Walter Steinmeier, ditën e djeshme ka kritikuar manovrën ushtarake të NATO-s në territoret e vendeve të Europës Lindore, (Poloni) duke e konsideruar atë si një shkendijë që vetëm shkakton nxehtësi në dialogun dhe bashkëpunimin me Rusinë. “”Ëer glaubt, mir symbolischen Panzerparaden an der Ostgrenze des Buendnisses mehr Sicheheit zu schaffen, der irrt”. http://www.faz.net/aktuell/politik/ausland/europa/konflikt-mit-russland-steinmeier-kritisiert-nato-manoever-in-osteuropa-14294513.html (Kush beson se arrin më shumë siguri me paradën simbolike të tankeve në kufijtë lindorë të aleancës, ai gabon), deklarohej ai dje në një intervistë për gazetën më të madhe gjermane “Bild am Sonntag”. Madje ai e quan fatale përpjekjen për të gjetur shërim përmes ushtrimit “të zhurmshëm” të forcës. Sipas ministrit të jashtëm të RF të Gjermanisë zgjerimi i mjeteve ushtarake do të thotë ngushtim i mjeteve politike, prandaj ai rekomandon se që të shfrytëzohen të gjitha mjetet e mundësitë për çarmatimin dhe kontrollin e armëve, me qëllim që Europa të bëhet më e sigurt.
Nga deklarata e djeshme e Herr Steinmeier dhe nga ato që thotë sekretari IiPërgjithshëm I NATO-s ka një diferencë të dukshme. Eshtë detyrë e ekspertëve të mirëfilltë që këtë hendek mendimi e botëkuptimi ta shqyrtojë me imtësi, me qëllim që të gjenden mundësi e rrugë efektive për të mundësuar një mendim dhe veprim të përbashkët të shteteve anëtare të NATO-s. Por një analizë e përgjithshme e situatave që janë krijuar në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perendimit në shekullin e kaluar e në këto 16 vite të shekullit të ri çon në përfundimin se këshillat dhe reagimet e zotit Steinmeier janë të pavend, nuk pasqyrojnë një realitet në të cilin gjendet NATO dhe Europa përballë Rusisë agresive dhe të rrezikshme.
Opinioni publik është njohur me përcaktimin e strukturave përbërëse të NATO-s, se “Rusia dhe terrorizmi janë dy rreziqet kryesore, të cilat kërcënojnë paqen, lirinë dhe sigurinë në botën e sotme”. Deklara e sipërpërmendur na dëshmon se shefi i diplomacisë gjermane nuk pajtohet me këtë konstatim unanim edhe së paku të deputetëve gjermanë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, të cilët ishin në Tiranë në fund të muajit të kaluar. Unë nuk kam pasur asnjëherë dyshimin më të vogël se ministri gjerman i Punëve të Jashtme është dhe mbetet produkt dhe nën ndikimin e ish-kancelarit të Gjermanisë, Gerhard Schroeder, njëkohësisht mik i ngushtë i Vladimir Putin. Nisur nga ky fakt mundet që ai të parashtrojë pikëpamje personale subjektive sa i përket zhvillimeve gjeopolitike e politike lidhur me Aleancën Atlantike dhe mënyrën e reagimit të saj ndaj Rusisë. Por nuk është shqetësimi im ky fakt.
Ajo që shoh në deklarimet e zotit Steinmeier ka të bëjë me nocionin e sigurisë europiane sipas tij. Çeshtja shtrohet se në deklaratën e tij ai fshin nga memoria arrogancën e Kremlinit sa i përket cënimit të sovranitetit të vendeve të tjera. Ngjarjet në konfliktin me Gjeorgjinë të vitit 2008, kur Moska urdhëroi ushtrinë federale të aneksonte Abkhasinë dhe Osetinë e Jugut, duke cënuar rëndë sovranitetin dhe integritetin e një shteti të pavarur, ishin një mësim i vlefshëm për të qëndruar në një pozicion të reagimit të ashpër gërshetuar me ofertën e dialogut përballë Rusisë. Këtë mesazh do të duhej ta kishte përforcuar politika dhe diplomacia e çdo vendi anëtar i BE-së dhe NATO-s në rastin e aneksimit të Krimesë në marsin e vitit 2014. Ndërkaq manovrat ushtarake dhe shkeljet e hapësirës ajrore të vendeve anëtare të Aleancës nga ana e aviacionit luftarak rus përbëjnë një arësye më shumë për t’i ik qëndrimeve pragmatiste dhe të pamata, të cilat i shfaq shefi i diplomacisë gjermane. Po ashtu ngjarjet në Ukrainën Lindore dhe angazhimi rus kundër sovranitetit të Kievit mbi këto territore është një arësye e mjaftueshme për të qenë më i përkushtuar në mbrojtje të rregullit dhe rendit ndërkombëtar.
Nëse studiojmë rrjedhën e ngjarjeve që përmendëm më sipër, do të vinim re se në fakt politikanët e predikimeve të paqes me rusët agresorë i kanë dhënë dritën jeshile veprimeve të çmendura të Moskës në aventurën e saj për pushtime territoresh në këto kohë moderne, kur bashkësia ndërkombëtare ka dëshmuar aq shumë vendosmëri dhe përkushtim për ruajtjen e sovranitetit të shteteve si dhe parandalimit të shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare. Veprimet autoritare dhe arrogante të Rusisë, kërcënimet ushtarake të presidentit të saj, Vladimir Putin, planet e tij për pushtime të reja dhe zgjerim territoresh me anën e forcës ushtarake të fuqisë bërthamore janë kërcënimi më serioz i sigurisë dhe stabilitetit europian, si edhe lirisë dhe demokracisë në këtë kontinent. Askush nuk dyshon se Kremlini dëshiron që me anën e forcës të realizojë interesat e saj gjeostrategjike dhe gjeopolitike në rajone të ndryshme të botës. Ndërsa sa i përket interesave ruse në Europën Lindore është i njohur dëshprimi i deklaruar i Putin për shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik, proces të cilin ai e konsideron si gabimin më të madh të historisë. Mjafton kjo deklaratë hitleriane që diplomatë dhe politikanë të përmasave të Steinmeier të kuptojnë realisht rrezikun rus për sigurinë e NATO-s e të Bashkimit Europian.
Por deklarata e tij që përgatitja ushtarake për të përballuar këtë rrezik të zevendësohet me dialog dhe marrëveshje shkon në drejtimin e kundërt. Duket sikur Europa, NATO dhe Rusia ende jetojnë periudhën e një farë harmonie e të mundësive për dialog të kohës së Michael Gorbaçov ose Boris Jelcin. Kryediplomati gjerman, sigurisht që ka informacione të bollshme për të dëshmuar se koha e mbretërimit të Vladimir Putin është e mbushur me shembuj të shkeljes flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të një sjelljeje arrogante kundrejt aktorëve ndërkombëtarë. Prandaj do të pritej që të këshillonte së paku kombinimin e predikimit të forcës dhe të dialogut në raport me politikat e sotme të Kremlinit. Madje dialogun do të duhej ta kushtëzonte me rikthimin e sovranitetit të Gjeorgjisë në Abkahsie e në Osetinë e Jugut si dhe të Ukrainës në Krime, përveçse ndalimit të aventurës për pushtimin e Ukrainës Lindore të zonave rusishtfolëse.
Një ministër i jashtëm i çdo vendi anëtar të NATO-s do të duhej të solidarizohej më shumë me ndjenjat dhe frikën që përjetojnë vendet e Lindjes Europiane nga revanshi rus. Në këtë bllok vendesh bëjnë pjesë ato shtete, të cilat Gjermania dhe BE e NATO vetë i kanë ftuar të jenë pjesë e ketyre klubeve të mëdha gjeopolitike. Nuk mundet që një ministër i Jashtëm gjerman të shpërfillë frikën dhe rrezikun që ndjejnë Polonia, Ukraina, Rumania, Moldavia, Lituania, Letonia, Estonia, Finlanda e Suedia, si dhe vendet e Ballkanit nga politikat revanshiste të Moskës. Ky qëndrim mospërfillës ndaj sentimentit të popujve dhe kombeve anëtare të klubit euro-atlantik dhe mbrojtja që i bëhet politikave pushtuese të Moskës janë në kundërshtim me realitetin gjeopolitik dhe strategjik si dhe konceptin euro-atlantik të sigurisë. Madje deklarime të tilla shtojnë mosbesimin dhe frikën e një loje politike të forcës së ekuilibrit sipas konceptit të “ndarjes së zonave të influencës”, gjë që në Ballkan së paku do të sillte destabilitet politik dhe do të rikthente konfliktet e shekullit të kaluar.
Nëse dikush e sheh sigurinë te bashkëpunimi dhe jo përgatitja për mbrojtje nga politikat shoviniste të Rusisë, kjo nuk është thjesht vetëm çeshtje konceptuale, është dhe problem koekzistence. Ndoshta për Gjermaninë është modus vivendi një politikë neutrale, çfarë do ta dëshironte Rusia dhe do ta aplikonte në modelin e saj psh Serbia. Por Gjermania nuk jeton e vetme në hapësirën kontinentale. Megjithatë jo vetëm Gjermania ose segmente të politikës së saj do të donin një qëndrim neutral. Asaj i bashkohen në këto qëndrime edhe Italia, Spanja e natyrisht Franca. Por nëse këto vende shohin vetëm interesat e tyre, sipas konceptit, “larg nga bytha ime”, atëherë nuk kishte pse të ftonin në NATO e BE ato vende, të cilat rrezikohen nga politikat agresive të Kremlinit. Nga ana tjetër deklarime të tilla në gojën e shefit të diplomacisë së vendit më të fuqishëm europian nuk janë pa ndikim në teatrin politik kontinental e me gjerë. Dihen tashme ndikimet që luajnë qëndrimet politike të tilla në skenën ndërkombëtare. Mësazhi kryesor lidhet me “lejen” që i jepet Kremlinit dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në zgjerimin e sulmeve për pushtime territoresh. Në Moskë gjithnjë është shfrytëzuar kjo hapësirë kontraverse për të realizuar qëllime destruktive në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Eshtë i njohur inkursioni i Sarkozit në Moskë pasi ushtria ruse aneksoi dy krahinat e Gjeorgjisë, me të cilin Putin mori mesazhin e pajtimit të Europës me faktin e kryer. Atëherë u duk sikur presidenti francez lutej “Aman, vetëm më tej mos shkoni”. E njëjta politikë u ndoq në rastin e aneksimit të Krimesë. Steinmeier de facto e njohu aneksimin, sepse përjashtoi çdo mundësi të ndërhyrjes me forcë për vendosjen e rregullit ndërkombëtar në Ukrainë. Mundej që të mos kishte asnjë mundësi ndërhyrjeje, por deklarata e tij se “është e përjashtuar çdo mundësi për ndërhyrje ushtarake”, ishte sinjal i vlefshëm për presidentin rus, që ai të kuptonte se “Bashkësia ndërkombëtare do ta toleronte pushtimin e një territori të një shteti tjetër”, të njohur ndërkombëtarisht me një marrëveshje të veçantë të nënshkruar ne Mnisk më 1994. Edhe ngurimet gjermane për të pranuar në NATO Gjeorgjinë, Ukrainën dhe ndonjë vend tjetër në kufi me Rusinë kanë ndikuar dhe ndikojnë për ta motivuar Vladimit Putin në aventurën e rrezikshme kundër paqes e sigurisë kontinentale. Madje I kanë dhënë atij legjitimitet të shtuar në arësyetimin që këto vende t’i shohë si “zona të sigurisë ruse”.
Poltikat dhe strategjitë kombëtare të Gjermanisë mund të justifikojnë qëndrime të tilla, për të cilat shprehet së fundi vetë shefi i diplomacisë së saj, madje duke i konsideruar manovrat e NATO-s si simbolikë që rrezikojnë paqen, në vend që ta forcojnë atë. Por Gjermania duhet të shfaqë në qëndrimet e saj përgjegjësi për fatin e të gjitha kombeve dhe shteteve që janë pjesë e Bashkimit Europian dhe NATO-s. Me këto deklarime askush që kërcënohet ose sulmohet nga ushtria e atomit rus nuk ndjehet i sigurt se NATO do të aplikojë detyrimin e saj statutor në mbrojtje të lirisë, demokracisë, sovranitetit dhe integritetit të vendeve anëtare të saj.
Shqipëria është pjesë e manovrave ushtarake që zhvillohen sot në territorin e Polonisë dhe për të cilat zoti Steinmeier është i shqetësuar se këto manovra minojnë dialogun, kompromisin dhe marrëveshjen me Moskën. Në fakt opsioni i tij do ta çonte botën drejt një politike të asaj që në kohën e Luftës së Ftohtë konsiderohej bashkekzistencë paqësore dhe politikë e detantës, çka do të thotë se Europa dhe bota do të viheshin përsëri nën diktatin e rivalitetit SHBA-Rusi. Por nuk dihet nëse Europa do të mund ta kishte komoditetin e gjysmës së dytë te shëkullit të kaluar, kur jetoi e sigurt nën mbrojtjen amerikane dhe madje reduktoi biliona dollarë shpenzime ushtarake, duke i vënë këto rezerva në dispozicion të zhvillimit të teknologjisë dhe të prodhimit vendas. Ndërkohë, një politikë dhe qëndrim i tillë gjerman do ta ndante Europën në dy pjesë: – Në pjesën europiane proamerikane që rrezikohet nga ambicjet hegjemoniste të Rusisë dhe në pjeën, po e themi me terma të buta asnjanëse, që në fakt shfaqet si proruse. Një ndarje e tillë nuk besoj se i konvenon Europës dhe vetë Gjermanisë. Prandaj sido që ta analizosh qëndrimin e Steinmeier, rezultantja del se kemi të bëjmë së paku me një deklaratë pragmatiste ose ndoshta me burim sentimental personal. Urojmë që batalioni ynë pjesmarrës në manovrat e Polonisë në kuadër të NATO-s të mos ndikohet nga politika të tilla jo adekuate për interesat madhore strategjike e gjeopolitike të vendit tonë e të shqiptarëve në Ballkan.

Filed Under: Featured Tagged With: Enver Bytyci, ndaj Rusisë, politike “neutrale” të Steinmeier

Letër Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës

June 20, 2016 by dgreca

Nga Hysen Haxhija/*

Isha në 38 vjetorin e ekzekutimit tuaj më 17 korrik 1977 në luginën e maleve të Librazhdit. Atje duke iu kujtuar lotët më rridhnin papushim, sot po plotësoj kohën që kaluam mbas pushkatimit tuaj. Përse?! Për ëndrrat e talentin tuaj, të cilat pa sharë dhe ofenduar asnjë qënie të gjallë, i hodhët në fletore. Për këtë ua morën jetën, ata që bashkë më Miladinin dhe Dushanin i stërviti kominterni i utopistëve francezë, ata që vrisnin qenie njerëzore vetëm se mendonin ndryshe nga ata, vrisnin ata që e donin Shqipërinë të lirë dhe të bashkuar. Vilson vëlla, unë kur lexova dijet e tua të shkruara aq sinqerisht dhe me aq pasion, kur lexova ato përkthime nga kolosët e letërsië botërore në shqip, mu duk vetja i vogël, ngrita sytë nga qielli duke pyetur: pse more atë gjeni o zot dhe më le mua të gjallë të jetoj kohën e misionarve të atij sistemi që mori ato jetë dhe la maskat e pinjollëve të tyre për t’i bërë homazhe hipokrizie në emër të demokracise dhe pushtetit? Ju patët guximin të shkruanit atëherë sa i qërruat sytë atyre që iu kapën e iu bënin hetuesi, hetuesi me ndjenjat tuaja, me mendimet dhe ëndrrat që më pas do t’i vaditnin me gjak. Si i pranoi toka trupat dhe shpirtrat tuaj? Si është e mundur që në shekullin XX të kishte mbi tokë të tilla bisha me fytyrë njeriu që, për fat të keq, i thërrisnin prokurorë, gjyqtarë të drejtsisë, ku në fakt ata ishin misionarë arkivolesh të ndjenjës njerëzore, të shpirtit demokrat, të lirisë së mendimit dhe të dashurisë për jetën? Si është e mundur që njerëz të tillë të firmosin vdekjen e rinisë dhe të intelektit të kombit të tyre, të atij intelekti që duhet t’i printe shoqërisë shqiptare? Në fakt sot janë po ata, po ajo pjellë e tyre që del në podium dhe salla akademikësh duke folur për lirinë, demokracinë, shkencën, ekonominë, ku gjysma e popullit vuan për bukën e gojës. Këtë kërkuat dhe ju atëherë, miq të mire, që ky vend mos kishte të varfër, të mos kishte të lënduar, të mos kishte të shfrytëzuar. Vetëm një zot e di se si ju dhe bashkë me ju të gjithë ne, si shtresë e persekutuar, duruam ato dhimbje, duruam ato duke qenë të prangosur e të brengosur që atdheu kishte marrë drejtimin për nga humnera komuniste. Sot në jemi gjallë për të dëshmuar qëndresën tuaj ndaj torturave, ndaj personit dhe kërcënimit, për të dënuar deri në pikën e fundit të jetës ku ëndrrat do t’i vadisnin me gjak. Po jo vetëm ëndrrat. Duke iu vrarë juve u vra dhe shpirti i artistit, i shkrimtarit, i gjuhëtarit, shpirti që donte që liria të mos matej me metra katror po me qiell! Zhgënjimi dhe përplasja e duarve të tyre për Europën e bashkuar, ku për fat të keq si përfaqësues të vendit tonë janë po ata ose më saktë parimet e tyre, që në një sistem tjetër i kanë kthyer në ligje. Ligje që vijnë me ca europianë dhe që këtij populli të traumatizuar ia shesin si konsultë me komisionin e e Venecias, por që në fakt e kanë zhytur vendin në mjerim dhe krim. Të gjithë këto 25 vite janë torturë që nuk durohet, torturë demokratike që jetën nuk po na e merr me plumb si ju, por dalë ngadalë, për të qënë dëshmitarë se fara e keqe ka mbetur thellë në këtë vend. Nuk dua të bëj moralistin, por unë i kam zili ata që humbën jetën në këneta, kanale dhe miniera dhe ju që u vratë nga plumbat e bishave të komunizmit. Ju kam zili sepse ju mbaruat ëndrrën shpejt, ndërsa ne vërtet nuk po vritemi vetë po shohim sesi zgjat vrasja e një ëndrre të një populli. Kemi parë me sytë tanë se si janë shitur vajzat tona në Europë, në ato vende nga presim të marrim shembull humanizmi dhe drejtësie, kemi parë se si trupi dhe nderi i tyre vlen pak dollare. Kemi parë dhe po shohim madje më shumë se si prokurorë dhe gjyqtarë vrasin jo me plumba por me vendime, vrasin jo me urdhër por me seanca “demokratike”, ku kandari i drejtsisë është bërë më i frikshëm se arma e kallashnikovit. Kemi parë dhe po shohim sesi masakrohet një shoqëri, sesi masakrohet një gjuhë, një shpirt që në fakt ju e deshët aq shumë dhe jatë jetën. Vëllezër, ju nuk e dini ose e shihni dhe nuk na vini dot në ndihmë. Sa shumë na kanë lodhur dhe plakur duke na mashtruar, përçarë, madje këtë të fundit më mirë se paraardhësit e tyre. Na kanë bërë  të shohim njëri -tjetrin si armiq deri te vëllai vëllanë. Po vëllezër ju u vratë për një ideal, për një ëndërr, për një sistem që nuk e deshët, ndërsa sot vritet vëllai me vëllain për një pëllëmbë tokë, për një vijë uji. Kjo është demokracia që ne po jetojmë. Kjo në fakt është vdekja jonë për së gjalli. Sot nuk vriten për fjalë apo për poezi si ju, sot vritesh po kërkove pronat e tua, trashëgimëninë brez pas brezi, pasi prokurori apo gjyqtari zbaton ligjet nën kujdesin e rreptë të komisionit të Venecias. Sot ka shumë makina dhe këto i solli demokracia, por ata më shumë se fytyra e demokracisë janë kthyer në fytyrën e krimit, transportojnë tritol; ato më të bukurat mbajnë kriminelë Brenda, ato më të shtrenjtat të shtypin dhe në këtë rast qëllojnë vetëm fukarenjtë dhe aq më shumë që në mungesë të katilave që iu vranë juve, sot të detyrojnë të vetvritesh, të digjesh i gjallë në mes të kryeqytetit që kërkon të jetë pjesë e Europës. Po po, besojeni si Lirak Bejko. Lartësitë e këtij vendi që duken luks demokracie janë kthyer në trekëndësha të vdekjes në podium ku poshtë atij luksi qëndron arkivoli i njerzëve të zhytur në dëshpërim. Varfëria dhe problemet sociale po shkatërrojnë familjet, ligji antikombëtar i pronës i miratuar me konsensusin e famshëm PD-PS, ligji 7501, jo vetëm po vret njerëz, po pronën tonë të shenjtë po e degdisin kanaleve të grekëve dhe serbëve. Njerëz anonimë me interesa të shitura janë sot pronarët e pronave të shqiptarëve. Vëllezer ju nuk i keni kaluar këto mynxyra të post komunizmit europian. Ata na kanë lënë pa fshat, pa atdhe, pa varret e të parëve tanë. Kemi 4000 vëllezër të vrarë nga 1943-1944, por më makabria kriminelët që vrisnin pa gjyqe jo vetëm që nuk janë penduar, jo vetëm që nuk kanë kërkuar falje, por nuk tregojnë as groposjet për të qarë kockat e atyre që në shumicën e rasteve i kanë bërë grabitqarë mbi sipërfaqen e tokës. Ju ndoshta nuk e besoni, po edhe të vdekur na urrejnë, u dhembin sytë, duhan të na mohojnë jo vetëm gjenezën tonë, por dhe atë që donim të sillnim në këtë vend. Por jo vetëm kaq. Ligji 7501 është ndryshuar deri tani 18. Jo për ne jo, popër interesat e tyre. Së fundmi nxorën një tjetër ligj që edhe pse ke pasur sipërfaqe të mëdha toke të trashëguar, këta të dëmshpërblejnë vetëm më 300 m2. Qesharakja me çmimin e vitit 1945 jo me flori si e kanë blerë të parët tanë, po me letër. Mashtrimi i madh jo vetëm për ne, por edhe për ekspertët e Europës që po e gjejën gjuhën me këtë popull që deshën ta linin pa komb dhe pa atdhe; edhe atje ka pinjollë, ka trashëgimtarë bishash, mashtrues të korruptuar, vrasës, hipokritë, por për fat të keq të gjithë kanë qëlluar konsulentët tanë, ekspertët e këtij vendi që po kërkon të futet ne familjen europiane. Këtu po vdes shpresa, këtu edhe ata që dijnë heshtin, këtu dhe ata që shohin padrejtësi nuk guxojnë. Mjerë ne çfarë po shohim. Ju guxuat dhe patët kurajon të demaskonit sistemin me fjalë dhe ato qenë më të rënda dhe më të forta se plumbat që ata derdhën në trupat tuaj. Tani nuk ka vëllezër të asaj bote. Po ju shkruaj sot jo për t’u kujtuar juve, ju nuk do të harroheni kurrë nga njerëzit kuptohet se nga pushteti nuk japim garanci. Jo jo, mos ma merrni për keq këtë letër. Po ju shkruaj sot për t’u thënë se kemi nevojë për këshillën tuaj, se nuk dimë çfarë të bëjmë. Të jetojmë duke ju kujtuar ju apo të vdesin për të mos parë se si po vazhdon ekzekutimi i ëndrrës suaj për një tjetër jetë me liri dhe demokraci. Sot mund t’u themi që ne nuk e harrojmë kurrë vepren tuaj, madje ajo po na jep forcë të jetojmë me shpresën se kur te vijmë aty tek ju tu themi se ëndrra juaj nuk është më e tillë, ajo është realitet. Ndaj kemi frikë të vijmë dhe jo se na dhimset jeta. E vetmja gjë që mund të bëjmë të themi ty Genc e ty Vilson se janë të mallkuar ata që iu dërguan para plumbit. Ata që iu qëlluan dhe që menduan se gjaku juaj do të pushonte shpejt së ekzistuari, ne na ka mbetur në fakt vetëm mallkimi. Mos na i vini re se kaq kemi në dorë. Sot nuk na vrasin si juve. Sot ka metoda të tjera, ka fjalë të tjera. Sot po na vrasin jo në emër të internimit, të dënimit, të burgosjes. Jo jo. Kemi fjalën e bukur tani demokratike, vrasje në emër të integrimit dhe për këtë po kujdeset Europa që heshti kur ju vranë ju.

* Dergoi per Diellin : Cerciz Loloci

 

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe Genc Lekës, Hysen Haxhija, leter, Vilson Blloshmit

Parada e emigrantëve -Nju Jorku, kuq e zi

June 20, 2016 by dgreca

Nju Jorku vishet kuq e zi, me paradën :“Bijë Shqiptare – Nëna e Botës” dedikuar Nëna Terezes/

Nju Jorku, vishet i gjithë kuq e zi, me paradën “Bijë Shqiptare - Nëna e Botës” dedikuar Nëna Terezes (Foto)

Mijëra shqiptarë, veshur me simbolet tona kombëtare, bluzat e kuqe me hartën e Shqipërisë Etnike, flamuri kuq e zi, këngët e vallet nga të gjitha krahinat i dhanë sheshit America një imazh të gjallë, entusiast dhe të larmishëm/

 nga Beqir SINA/

AMERICA AVENUE – NEW YORK CITY : Është, një traditë për rreth katër dekada, që në qershor në qytetin e Nju Jorkut, bulevardin e saj kryesorë “America”, për çdo vit, të zhvillohet Parada Ndërkombëtare e Emigrantëve – International Immigrants Parade. Organizatori zyrtar i së cilës, është një organizatë joqeveritare në Kombet e Bashkuara, me president zotin Edward Juarez-Pagliocco.

Parada shqiptare në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve, u mbajtë të shtunën në mesdrekë, e përfaqësuar nga kuadratet e grupeve të emigrantëve nga Shqipëria, Gjeorgjia, Kina, Tibeti, Meksika, Karaibet, Amerika latine dhe Vietnami, ku grupet pjesmarrrëse marrshuan në bulevardin “America” Avenue në mes të rrugëve 27 street dhe 38 street.

Parada shqiptare “Albanian Daughter! – Mother of World! ”zgjati më shumë se 3 orë e gjysmë, festim dhe parakalim, në bulevardin “America”.

Ndërkohë, këtë vitë parada e shqiptarve të Amerikës, në Nju Jork, iu dedikua të lumes Nanë Tereze, me rastin e Shejtërimit të saj më 4 Shtator, dhe shpalljes së këtij viti si Viti i Nëna Terezes, nga dy qeveiritë tona, Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndërsa, mijëra shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë marrë pjesë dje në paradën e New York-ut ,me rastin e ditës së emigracionit, shumica e tyre ishin të rinjë e të reja nxënës e studentë të shkollave amerikane.

Pothujase, dje, i gjithë New Yorku, kishte marrë një pamje me ngjyrën Kuq e Zi, ngado që të shihej – rrugëve e shesheve, dje në zëmër të Manhattanit, dukeshin shqiptarët të veshur me bluzat kuq e zi ose me flamurin shqiptarë e amerikan në dorë.

Gjithashtu, shumë manifestues, erdhën në këtë paradë të veshur edhe me rroba tradicionale shqiptare, që dalloheshin nga të tjerët, ata poashtu ata mbanin në duar flamurin kombëtar si dhe flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Grand Marshall të Paradës, ishin Senatori i Shtetit të Nju Jork-ut, zoti Marty Golden i lidhur ngushtë me komunitetin shqiptarë , në këtë shtet, si dhe nga komuniteti shqiptarë, humanistja e njohur shqiptare, Albana Krasniqi, e cila tha se :” është e frymëzuar nga vepra e Nanë Terezes, duke bashkëpunuar me organizatën Rotary Club fot Life, si kordinatore, ata kan shpëtuar jetën e dhjetra fëmijëve shqiptarë nga Kosova”.

Pjesëmarrja e shqiptarëve në Paradën Ndërkombëtare të Emigrantëve, u hap me këndimin e dy hymneve kombëtare të SHBA dhe Shqipërisë, kënduar nga Gëzim Nika dhe Albërie Hajdargjonaj.

Në marshin e shqiptarëve ishin të rreshtuara të ashtuquajtura “Parade float – Rimorkiot e paradës” të tërhequara nga kamionat, të cilat ishin të stolisura në të gjitha anët me ngjyrat dhe simbolet tona kombëtare, flamuj kombëtarë – kuq e zi, dhe të gjithashtu, logon e shoqatës dhe pamje nga vendlindja e tyre.

Rimorkjot e Paradës u mbushën plot me të rinjë e të reja, të veshur me kostumet popullore, edhe ata duke vallëzuar dhe kënduar shqip, në parakalimin përmes bulevardit, me banneret : “Rrënjët Shqiptare”, “Fondacioni Plavë e Guci”, “Shoqata Ana e Malit”, “Federata PanShqiptare e Amerikës VATRA”, “Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar”, “Asamblemen Mark Gjonaj”, “Federata e Arsimtarve Shqiptaro Amerikan, Albanian American Open Hands Association”, “Albanian Excellence Albanian -American Women of New York”, “Shoqata Atdhetare Çamëria”.

Kjo, paradë emocionuese dhe me vlera artistike e kombëtare, ka paraqitur disa nga veshjet më të bukura tradicionale, nga disa trevat shqiptare, prej nga jugu në veri të Shqiptarisë, duke përfshirë veshjet më joshëse, veshjet e dasmës dhe stolit (aksesorët) që mbajnë në veshjet e kostumeve popullore, ngjyra të pasura e qëndisje të zanave shqiptare.

Në këtë paradë parakaloi, duke demostruar me një sfilatë me veshje kombëtare nga të gjitha trevat shqiptare, duke kënduar e vallëzuar, edhe koleksioni i Agjencisë së Modës ”Bora Fashion” nga Gjakova, me asistenten e saj Hana Mirdita

Në paradën e shqiptarëve të Amerikes, morë pjesë edhe dy grupe motiçiklistësh shqiptarë, ai nga grupi “The Sons of Illyria – Djemet e Ilirisë”, të cilët, kan demostruar , mes zhurmat të motorve te tyre, dhe simboleve tona kombetare, duke tërhequr vëmendjen e mijëra amerikanëve e turistëve të huaj.

Duke na bërë si gjthnjë, kohët e fundit, edhe më krenar me identitetin tonë Kombëtar në këte paradë në qender të Nju Jorkut. Teksa ata shfaqin simbolet e tona kombëtare, të cilat janë të stampuara në veshjet e tyre mbrojtëse dhe vende të dallueshme në pjeset e motorave dhe tatut me shqiponjë – që ata mbajne në krahët e shpatullat e tyre,. Ndersa, jane te veshur me xhaketat e zeza dhe helmetat e zeza, të gjitha me emblemen “The Sons of Illiria” : Shqiponjën e madhe dy krenare, përkrenaria e Skëndërbeut mbi një Kala, dhe deti për rreth saj.

Kësaj rradhe, paradës iu bashkëngjitë në Nju Jork, për herë te pare, edhe një grup tjetër motociklistesh shqiptare,kryesisht dibrane, të apasionuar edhe ata pas motiçikletave, edhe ata erdhen me simbolet tona kuq e zi dhe flamurin shqiptarë e amerikanë.

Paradën shqiptare ne Nju Jork, e moderuan dy shkodranë të njohur, dy ikonat e gazetarisë shqiptare, Kozeta Turishta dhe Julian Deda.

Kurse, kan qenë këngëtarët e mirë njohur të komunitetit Gëzim Nika, Albërije Hajdargjonaj dhe Ledy Vokshi, të cilët e ndezën me të vërtet atmosferën me këngë kuq e zi –

Me këngët kuq e zi, të këngetarve shqiptare, dhe kengen e famshme Elvana Gjata dhe Florit këngës “Kuq e zi je ti” te gjithe manifestuesit kan kenduar e vallezuar gjate gjithe rrugesne sheshin Amerika.

Presidenti i organizatës Rrënjët Shqiptare, Marko Kepi, në fillim të fjalës së tij, i është falenderuar organizatave dhe shoqatave të komunitetit, për gjithë mbështetjen e dhënë në të gjitha aktivitetet, e kësaj organizate.

Me këtë rast ata u nderuan me Proklamatën “Nëna Terese”, për shpalljen e 4 Shtatorit 2016, “Dita e Nëna Terezes” në Nju Jork, kushtuar figurës së Nëna Tereses nga miku komunitetit shqiptarë, Senatori i njohur i Shtetit të Nju Jorkut, Marty Golden.

Paradën shqiptare “Albanian Daughter! – Mother of World! ”në zemër të New Yorkut, kushtuar shejtërimit të Nëna Terezes, e përshëndetën edhe famullitari i Braticës, – Ulqin, Don Gabriel Grabanica, i cili kishte ardhur së bashku me një grup pelegrinësh dhe grupin “Trendafilat e Shën Terezes” nga Ulqini, posaqërisht për paradën shqiptare në New York .

Si, dhe, Curtis Sliwa, një Republikan konservator, përkrahs i kandidatit për President Donald Trump, i cili, është një aktivist amerikan anti-krimit, në New York, themelues dhe CEO i “Grupit të Ndërhyrjes së Shpejtë ” Guardian Angels”, një opinoinist dhe moderator në radio talk show dhe personalitet i medias njujorkeze.

Më pasë përshëndeti Avokati Pjerin Lumaj, një avokat i të drejtave civile në Nju Jork, ish i arratisur nga Shqipëria komuniste.

Gjithashtu, përshëndetën duke treguar krenarinë tonë shqiptare, bukuroshja Shqiptare Serena Bucaj, e cila është kurorërzuar për herë të parë në historinë e emigracionit shqiptarë, si fituese e Kurorës së Miss Nju Jork USA 2016, në fund të konkursit të bukurisë të mbajtur ne 17 Janar, 2016, në metropolin botëror qytetin e Nju Jorkut, dhe kampionët e talentuar të Boksit, Reshat Mati, Elvis Gashi,Denis Buzukja,Arbon Arjan Iseni,Skender Halili, këngetarja e talenuar nga Kosova, Erjona Balaj.

Në këtë manifestim të bukur dhe madhështor kuq e zi morën pjesë të organizuar grupe shqiptarësh të cilët kishin udhëtuar nga shtet e largeta te SHBA , si dhe disa veprimtarë e lider të tjerë të komunitetit, artsite, sportiste, afariste, avokate , kengetar dhe shqiptare tee susksesshem.

Ish kongresisti republikan i Nju Jorkut, Xhozef DioGuardi, bëri paraqitjen e tij, emocionuese, teksa kishte ardhur me një autoveturë klasike Cadillac, në xhamin e parë të së cilës ishte vendosur një rugë(cohe) me portretin e Nëna Tereses. Kurse, në dy krahët e Cadillac-ut, te zbuluar, ai kishte vendosur flamuri amerikan dhe shqiptarë, atë që ka DioGuardi e ka zgjedhur si flamurin gjithe Shqiptar. Ai, kësaj rradhe demostroi edhe një herë një flamur të kuq me vija të bardha, për të cilin simbas tij, ai ështe flamuri qe përfaqëson të shtatë milion shqiptarët në Ballkan.

Përfaqësimi i shqiptarëve në këtë paradë, tha presidenti i organizatës Rrënjët Shqiptare, Marko Kepi, është një çështje shumë e rëndësishme, ne jemi shumë të lumtur dhe krenar që po përfaqësohemi për çdo vit në këtë Parade të vetëm të shqiptarëve deri tani në mes të New Yorkut.

Ai theksojë, gjatë fjalës së tij etusiaste, se sot jemi të lumtur që këtë Paradë kësaj rradhe ia kemi kushtuar, Bijës shqiptare – Nënë e Botës!. Nana Terezes, një humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen,kurse më 4 Shtator të këtij viti, ajo dotë u shpalle e Shejtë nga Vatikani.

“Nënë Tereza, tha Kepi, u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Presidenti Bill Clinton është shprehur se: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenare që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Pas përshëndetjes presidenti i organizatës Rrënjët Shqiptare, Marko Kepi, ftojë të gjithë pjesëmarrësit, shumica e tyre të rinjë e të reja shqipëtare, nxënës dhe studentë, aktivistë dhe veprimtarë të komunitetit, nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Çamëria, që edhe në këtë aktivitet, ata të ishin promotorë dhe udhëheqësit e vërtetë të Paradës së Shqiptarëve.

Një grup vallëtarësh kishte ardhur me veshjet popullore të krahinës së Çamërisë dhe Malësisë. Grupi i djemëve të Çamërisë marrshoi krenarë, ata mbanin në duar pankarta për të drejtat e tyre, dhe dënonin genocidin grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, Në një banderolë shkruhej : “Chameria its Albania – Greece canot hide Genocide”.

Kudo në shesh shikoje vetëm simbolet tona kombëtare; bluzat e kuqe me hartën etnike, flamuri kuq e zi, këngët e vallet nga të gjitha krahinat, që i dhanë sheshit America, një imazh të gjallë, entusiast dhe të larmishëm, shqiptarë, përgjatë segmentit që ndanë rrugët 27 street dhe 38 street ne America Avenue.

Në paradë ka qenë edhe pankartat qe mbanin të rinjët në duar ku shkruhej : “Ethnic Albania – Shqipëria Etnike – Shkupi – Ulqini, Çamëria Kosova” dhe një tjetër në të cilën ishte pikturuar një hartë e Shqipërisë Etnike si dhe : “Malësi, Çamëri, Mitrovicë, Lugina e Preshevës, Sanxhaku, Dardania – Iliria – Arvanite”, Chameria,.

Një banner i madhë printe marshimin shqiptarëve në sheshin në zemër të New Yorkut – ku ishte shkrura Rrenjet Shqiptare – Albanian Roots, ndërsa, pas saj qendronte nje flamurë kuq e zi gjigandë, në mes të pjesmarrëseve.

Kurse grupe djemësh e vajzash, veshur me bluza të kuqe, tundin flamurin dhe kërcenin dhe këndonin në shesh me një performancë të veçantë, per rreth flamurit shqiptare.

Duhet theksuar se kete parade ne Nju Jork, organizatorët e shohin si një prej rasteve më të mira për të reklamuar Shqipërinë, nëpërmjet kësaj parade të famshme në Nju Jork.

Mbasi, simbas tyre vazhdimisht paradat e tilla shqiptare, prej se kur Vatranet e kolonite e para shqiptare mbajten ne Amerike, ato i kanë dhënë imazh të fuqishëm pozitiv shqiptarëve, duke prezantuar simbolet kombëtare, kulturën dhe traditën kombëtare.

Me kete rast janë ftuar edhe personalitete të rëndësishme shqiptare, jo vetëm për ta bërë festimin më madhështor, por për të ndikuar më fuqishëm në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve dhe për të gjetur mbështetje për çështje të ndjeshme, shqiptare si çështja çame, dhe te drejtat e shqiptareve ne trojet e tyre etnike.

Në këtë Paradë morën pjesë grupe të organizuara që kishin ardhur posaqërisht për këtë manifestim, duke u bërë pjesë e Paradës si : Shoqata Atdhetare Çamëria, një Përfaqësi nga dega e Vatrës në Tampa,: Tasim Ruko, Zamira Rubjeka, Isuf Spahiu dhe Jason Sulisufaj, grupe shqiptarësh, nga Nju Xhersi, Kenektiket, Pensillvenia, Detroiti, Virginia, Dallasi,Ushingtoni dhe Kanadaja.

Parada u organizua nga organizata Rrënjët Shqiptare, dhe u mbështet pa rezerva nga Konsullata e Kosovës, në New York, Federata PanShqiptare e Amerikës VATRA, Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane, presidenti i saj Joe DioGuardi, Shoqata Ana e Malit, Fondacioni Plavë dhe Guci, Shoqata Atdhetare Dibra, dhe organizata e shoqata të tjera të komunitetit.

Rrenjet Shqiptare organizatori zyrtar i kësaj parade, në fund kanë faleminderuar dhe u kan dhënë nga një mirënjohje publike, të gjithë kontribuesve: për sponsorizim të Paradës Shqiptare : Bajraktari Realty Group LLC in Bronx, NY, Fondacjoni Nik Zef Beqi, kompania EVM Developers Inc.,TiBO Detroit, Gruda Limousine, EM Leather & Varsity Jearsy, paintings / Airbrush Tattoos for kids, Leo’s Deli in Staten Island,TV 21 sponsor mediatik, TV Albanian Culutre, gazetat shqiptare Illyria, Dielli dhe Bota sot, DJ Edi Hoxha, e tjer.

Organizata Rrënjët Shqiptare, gjithashtu, ka faleminderuar në mënyrë të veçantë Vatrën, dhe Konsullatën e Kosovës në Nju Jork me Konsull z.Fatmir Zajmi, që ua hapi dyert Rrënjëve Shqiptare, dhe gjithë organizatave që përgatitën Paradën Shqiptare.

Në mbyllje Parada u tregojë, traditën, kulturën dhe këngët e vallet shqiptare, para amerikanëve dhe turistëve të huaj në qytetin e Nju Jorkut! Duke ua mundësuarë në këtë mënyrë dhjetra mijëra spektatorëve të mbledhur në Avenuen “ Amerika”, të përjetojnë dje ne sheshin America, bukurinë e traditave, kulturës shqiptare, dhe ngjyrat kuq e zi .

Me pjesëmarrjen masive të shqiptarëve në qendër të qytetit të Nju Jorkut, Parada ofrojë edhe kësaj rradhe një tablo të pakrahasueshëm të krenarisë tonë kombëtare, vlera më të mëdha të muzikës, kostume shumë ngjyra, dhe vallëzimi tradicional emocionues, te cilat jane pjesë të mozaikut të mrekullueshëm kulturor e tradicional shqiptare, që përbëjnë kombin Shqiptarë në Vitin e Nënë Terezës, e cila me 4 shtator shpallet e shenjtë, në Selinë e Shejtë në Vatikan.






Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, Kuq e zi, Parada, Parada e emigrantëve -Nju Jorku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT