• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

NJOFTIM I FAMILJES PERNOCAJ NE NJU JORK

June 15, 2016 by dgreca

NJOFTIM PER TE PAME I FAMILJES PERNOCAJ NE NJU JORK/

Me pikllim njoftojmë farefisin dhe kumarë, miq e dashamirë me banim në Shtetet e Bashkueme të Amerikës se, ditën e dielë me 12 qershor 2016, vdiq  Bib Pernoca në moshën 88 vjeçare, ndërsa ishte në vizitë te pjesa e familjes që jeton në vendlindjen e vet, në Domgjon të Mirditës.

Ditën e marte me 14 qershor, me turmën familjare dhe të farefisit e të miqve të shumtë në atdhe, iu bashkuen edhe familjarët që fluturuen nga Amerika dhe e përcollën trupin e të Ndjemit në vorrezat e të parëvet, ku ai ka dëshirue me i pushue eshnat në amshim.

Vizitat për ngushëllime i presim ditën e të PAMES, të shtunen me 2 korrik 2016, prej orës 11 para dreke deri në 5 mbas dreke, në Qendrën“Nana Tereze”,te Kisha Shqiptare “Zoja e Shkodrës (361 W. Hartsdale Avenue, Hartsdale, NY 10530).

Familja Perndocaj

Filed Under: Komunitet Tagged With: Bibe Pernoca, I FAMILJES PERNOCAJ, ne Nju Jork, Njoftim

Presidenti Obama qorton retorikën e Trampit dhe ngre vlerat amerikane

June 15, 2016 by dgreca

Presidenti Barack Obama i bëri një qortim tepër të ashpër retorikës antimyslimane të Donald Trumpit, duke i quajtur propozimet për emigracionit të kandidatit republikan për president si “të rrezikshme” dhe “aspak të nevojshme për Amerikën që duam”. Duke folur për reporterët pasi dha një mesazh edhe për masakrën e Orlandos, Obama tha se thirrja e Trumpit për fjalime më të ashpra kundër terrorizmit dhe ndalimin e hyrjes së emigrantëve myslimanë në Amerikë, mund t’i bëjë myslimanët amerikanë të ndihen të tradhtuar nga qeveria e tyre dhe mund të minojë vlerat amerikane.“Nëse do t’i braktisnim ndonjëherë këto vlera, jo vetëm që do ta bënim më të lehtë radikalizimin e njerëzve këtu dhe anembanë botës, por do të tradhtonim gjëra shumë të rëndësishme, të cilat ne jemi përpjekur t’i mbrojmë prej kohësh”, tha Obama. “Atëherë, terroristët do të pretendonin fitoren, por ne nuk mund ta lëmë këtë gjë të ndodhë. Unë nuk do ta lejoj këtë”. Deklaratat e presidentit ishin të parat reagime ndaj fjalimit të Trumpit gjatë së hënës, pas masakrës së ditës së diel në Orlando, si dhe ndoshta më të ashprat e tij deri më tani mbi kërcënimin që përbën – sipas tij, – kandidati biznesmen për politikën dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Obama tha se plani i Trumpit për të penguar të huajt myslimanë të futen në SHBA nuk merr parasysh historinë amerikane të të fokusuarit te grupet etnike dhe fetare mes periudhave të ankthit. “Kemi kaluar disa periudha në historinë tonë, kur kemi vepruar nga frika dhe kemi arritur të zhgënjehemi për ato veprime”, tha Obama para reporterëve. “Kemi parë qeveritë tona të keqtrajtojnë qytetarët e vet, e ajo ka qenë një pjesë e pafalshme e historisë sonë”.

 

Filed Under: Komente Tagged With: ngre vlerat amerikane, Presidenti Obama, qorton retorikën e Trampit dhe

SERVETE KASTRATI, PASIONI PËR PUNIMET ARTISTIKE TË ARTIZANATIT ME MOTIVE KOMBËTARE SHQIPTARE

June 15, 2016 by dgreca

Bisedë e  Prof.Murat Gecaj asrtisten e pasionuar pas punimeve artistike të Artizanit me motive Kombëtare Shqiptare, Servete Kastrati/

Në Foto: Servete Kastrati, e gjashta/

Pyetje: Siç mund ta dishë dhe ti, me punën tende jam njohur sadopak, kur përgatitëm e botuam bashkërisht një bisedë, përmes Internetit, me Luljeta Avdiun-Cura, mësuese dhe veprimtare e dalluar e kulturës në Ulqin…Megjithatë, së pari, a mund të tregosh diçka për jetën tende?

-Po, falemnderit! Kam lindur në qytetin e Gjakovës. Por, fatkeqësisht, babai më la jetime, pa mbushur ende një vit! Pastaj, nëna u martua në një fshat të Rahovecit, ku kam jetuar dhe jetojmë deri sot…

Pyetje.Sigurisht, jeta në fshat bëri që t’i dashurosh veshjet popullore. Kur e nise punën e dorës?

–Vërtetë ashtu është. Kur ende isha e vogël, i shikoja me shumë kujdes gjyshen dhe nënën e mundohesha që t’i imitoja,kur bënin punë dore ose në vegje. Unë jam brezi I tretë, që merrem me kete punë. Shpresoj që edhe nga nipat e mbesat e mija ndonjëri ta vazhdojë këtë profesion dhe të bëhet artist i vërtetë….Kështu, pakengapak, më lindi dëshira dhe m’u shfaq pasioni për punime të tilla. Më kujtohet se isha në klasën e tretë fillore, kur na kërkuan punëdore. Unë u  ula dhe me vëmendje e durim, punova një bluzë, si për kukulla, me dy ngjyra. Puna e parë nuk më pëlqeu dhe e prisha. Pastaj e vazhdova punën  më me vëmendje,duke ia qepur pullat vetë dhe me kujdes. Që nga ajo kohë, kam nisur edhe të vizatoj shumë bukur. Pastaj, në moshën 12-vjeçare kam arritur të kryej çdo punim, që e bënin edhe femrat e rritura. Nisa të punoja edhe në vegje dhe pastaj mësova të bëj zhguna (shajak). U mësova të punoja edhe pëlhura për çarçafë, deri 10-12 metra në ditë.

Pyetje: Po më tej, si e vazhdove këtë veprimtari kaq interesante, që në vetëvete ishte punë artistike?

–Me vullnet të fortë e vendosmëri, mësova të bëja edhe çorape të ndryshme e të qëndisja. Shpejt arrita që t’i realizoja të gjitha llojet e qëndisjeve dhe, më së shumti, me motive kombëtare shqiptare. Të tilla ishin ato me shqiponjën në flamur, në shumë modele. Gjatë punës në rrobaqepësi, që nga viti 1974,  thurja triko të ndryshme me motive popullore.

Mbas martesës dhe lindjes së katër fëmijëve, iu kushtova punimit të veshjeve të tyre me motive tona kombëtare. Në çdo manifestim  ata shkonin me ato rroba veshur. Gjithnjë ua kam theksuar atyre se, vëshje të tilla, na dallojnë ne si shqiptarë, ndryshe nga të huajtë.

Pyetje: Kam parë në profilin tën, në FB, se aty shënohet “Tradita Kolektion”…Pse është quajtur ashtu?

-Këtë emër e përdorëm  në sfilatën time të parë me veshje popullore kombëtare, e cila u organizua në Prishtinë dhe ishte e para në tërë Kosovën. Këtë emër ma propozoi producenti, Ilir Geci dhe unë e pranova me kënaqësi. Kështu na njohin më mirë edhe kur marrim pjesë në venprimtari të tilla jashtë vendit tonë. Po përmendi vetëm një rast…Vitin e kaluar, kur u organizua një veprimtari në Prishtinë, gazetares së nderuar Bardha Mançe dhe Sokol Demakut, nga Qendra Kulturore “Migjeni”, në Boras të Suedisë, u tërhoqën vëmendjen fotografitë e shumta me punimet e mia. Pastaj, më ftuan në qytetin Goteborg të atij vendi skandinav, në veprimtarinë e organizuar me rastin e festës së 28 Nëntorit, “Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar”. Aty unë paraqita gjithësej 25 veshje të bukura popullore shqiptare. Ato u panë me kanaqësi dhe, në përgjithësi, e kaluam shumë mirë.  Me atëtë rast, QKSH “Migjeni” më dha “Mirënjohje”…Përsëri tani, i falënderoj përzemërsisht ata, si për ftesën dhe vlerësimin, që më bënë atje!

Pyetje: Si ka ndikuar ky profesion në jetën tënde?

–Puna bëri që unë mos ta ndiej asnjëherë vetën jetime. Se puna e mban gjallë njeriun. Prandaj kam shumë respekt për të gjitha femrat punëtore artizane ose të profesioneve tjera. Me pak fjalë, mua puna më kaliti e më bëri njeri të respektuar në shoqëri, ajo më mbajti e më mban në jetë, të frymëzuar e të motivuar.

Pyetje: Faleminderit për sa më tregove deri tani, Servete! Po, a mund të më shpjegosh edhe pjesësmarrjen tuaj në veprimtaritë e ndryshme, që janë organizuar me punimet e artizanatit, që ke bërë vetë ose shoqet tua?A ishit ju në “Panairin Mbarëkombëtar të Artizanatit”, që u organizua në Ulqin dhe si u vlerësua pjesëmarrja juaj?

–Kam qenë e ftuar edhe në manifestimin e organizuar në Shas të Ulqinit, nga Shoqata Shqiptare atdhetare-kulturore “Ana e Malit”, me kryetare Luljeta Avdiun-Cura. Aty paraqita 24 veshje tonat popullore, nga disa treva shqiptare. Veprimtaria ishte organizuar shumë mirë dhe la mbresa të pashlyera te shikuesit e shumtë. Për paraqitjen aty të veshjeve të bukura popullore, mua më vlerësuan dhe më nderuan me “Mirënjohje”.

Pyetje: A dëshiron që të shtosh ndonjë diçka tjetër, në mbyllje të kësaj Bisede, për të cilën të falënderojmë përzemërsisht?

-Po, kam për të shtuar… Për këtë punë, që bëj, gjithmonë jam motivuar e frymëzohem, duke shikuar edhe Televizionin Shqiptar (TVSH). Aty i shikoja me vëmëndje të posaçme këngëtarët, me veshjet dhe muzikën e pastër shqiptare. Kështu, gjatë punës sime ua imitoja kostumet atyre dhe këtë gjë e bëj përsëri edhe tani.

…Ja, pra, ky eshte profesioni im, të cilin e dua kaq shumë. Çdo njeri, i cili e merr një profeson, të cilin e do vetë, aty asnjëherë nuk do të mungojnë arritjet dhe ai do të fitojë kënaqësinë e punës së ndershme…Ju falëmnderit për këtë Bisedë, që zhvilluam bashkë!

15 qershor, 2016

 

Filed Under: Interviste Tagged With: artiste, motivet kombetare, Murat Gecaj, pasioni, Servete Kastrati

Kosova, 8 vjet me Kushtetutën e Pavarësisë

June 15, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Kosova në festë – kryeqyteti, Prishtina/
-Kosova në rrugën drejt Pavarësisë ka një histori kushtetuese edhe para Kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/
-Dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës para 8 viteve/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË,  15 Qershor 2016/ Dita e sotme, 15 qershori, shënon 8 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.Kushtetuta hyri në fuqi në 15 qershor 2008, pasi u miratua nga Parlamenti i Kosovës në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik.

Dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës para 8 viteve. Dekretimin e bëri Presidenti i afëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.

Në 8 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës shteti i Kosovës është i njohur nga 111 shtete anëtare të OKB-së dhe e anëtarësuar në shumë institucione e organizata ndërkombëtare, evropiane e rajonale.

Këtë vit – në 2016-ën, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg  dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë..

Kosova në rrugën drejt pavarësisë ka një histori kushtetuese edhe para Kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova ka pasur Kushtetutën e saj prej vitit 1974, e cila i ka siguruar mëvetësi maksimale organizative dhe të drejtë vetoje në nivelin federal, si njësi konstituive, ashtu si edhe njësive të tjera të federatës, nga shpërbërja e së cilës tash janë shtatë shtete.

Kosova, në vitin 1990, pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese i suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit,  shpalli Deklaratën e pavarësisë në 2 korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës me kushtetutën e vet atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por njihej në botë si “shteti paralel i shqiptarëve të Kosovës” për pothuaj një dekadë.

Prej vitit 2001 deri para 8 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Tetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur shënohet në kohën kur nëpër qytetet kosovare festohet 17 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 qershorin e vitit 1999, kur forcat shpëtimtare të  NATO-s,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe,  filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria.

Filed Under: Editorial Tagged With: 8 vjet, Behlul Jashari, kosova, me Kushtetutën e Pavarësisë

Prishtinë-Përfaqësues të 10 shteteve në konferencë rajonale

June 15, 2016 by dgreca

-Në Prishtinë sot dhe nesër zhvillohet konferenca rajonale “Kërcënimet ndaj sigurisë bërthamore”/

-Kryeministri Isa Mustafa: Përkushtim i plotë i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e angazhimeve globale të botës demokratike, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën kundër të gjitha kërcënimeve dhe formave të ekstremizmit dhe terrorizmit, si një e keqe globale të cilën vetëm së bashku ne mund ta mposhtim/

PRISHTINË, 15 Qershor  2016/ Në Prishtinë sot dhe nesër zhvillohet konferenca rajonale “Kërcënimet ndaj sigurisë bërthamore”, organizuar nga Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së. Kjo konferencë, ku merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mbledhë mbi 50 përfaqësues qeveritarë dhe joqeveritarë të fushës së sigurisë bërthamore dhe radiologjike nga rreth 10 shtete nga rajoni dhe më gjerë.Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa ka ritheksuar përkushtimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e angazhimeve globale të botës demokratike.“Organizimi i Konferencës Regjionale për Siguri Nukleare në Kosovë është rasti më i mirë që përfaqësuesit e shteteve të regjionit të shkëmbejnë praktikat më të mira të mbrojtjes të materialeve bërthamore, të iniciojnë progres në ndërtimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve në regjion me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kërcënimeve ndaj sigurisë bërthamore dhe radiologjike”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa tha po ashtu se Republika e Kosovës nëpërmes asistencës profesionale të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ka ngritur kapacitetet institucionale për të parandaluar dhe luftuar rreziqet që vijnë nga terrorizmi dhe kërcënimet eventuale ndaj sigurisë bërthamore.Më tej, kryeministri foli për hapat konkretë në shumë dimensione që Qeveria e Kosovës nëpërmes Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Sigurisë Bërthamore, ka ndërmarrë në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi dhe siguria bërthamore.

“Ritheksoj përkushtimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e angazhimeve globale të botës demokratike, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën kundër të gjitha kërcënimeve dhe formave të ekstremizmit dhe terrorizmit, si një e keqe globale të cilën vetëm së bashku ne mund ta mposhtim”, tha kryeministri Mustafa.Gjatë dy ditëve trajtohet siguria rajonale bërthamore dhe radiologjike në tërësi.Konferenca organizohet në frymën e Samitit për Siguri Bërthamore 2016 organizuar gjatë muajit mars në Uashington dhe ka për qëllim të iniciojë rritjen e sigurisë nukleare në rajon duke ndërtuar dhe koordinuar bashkëpunimin e shteteve./b.j/

 

Filed Under: Rajon Tagged With: ne Prishtine, Përfaqësues të 10 shteteve. në konferencë rajonale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT