• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

Meta komenton takimin me Bashën:Do të doja që sot të ishte në takim edhe Rama

June 12, 2016 by dgreca

Ja si e komentoi Ilir Meta takimin me Lulzim Basha: Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit zhvillova sot një takim zyrtar me Kryetarin e Partisë Demokratike dhe opozitës, z. Lulzim Basha, të cilin e falënderova për pranimin e ftesës.I shpreha ndjesën time z. Basha për gabimin teknik në Kalendarin e Kuvendit dhe e sigurova për përkushtimin tim si Kryetar i Kuvendit për të garantuar një proces dhe procedurë parlamentare tërësisht legjitime dhe me integritet për miratimin e Paketës Kushtetuese për Reformën në Drejtësi, si një proces madhor dhe me rëndësi historike për qytetarët, vendin dhe të ardhmen e Shqipërisë Evropiane.

I shpreha z. Basha kënaqësinë dhe vlerësimin tim për angazhimin e opozitës në procesin e hartimit të ndryshimeve kushtetuese dhe mbështetjen që i ka dhënë Reformës në Drejtësi.

Kam kërkuar nga z. Basha mirëkuptim për zhvillimin e procedurave parlamentare dhe përcaktimin e kalendarit për mbarëvajtjen e procesit dhe miratimin e paketës kushtetuese sa më shpejt dhe në mënyrë të padiskutueshme.

  1. Basha më shprehu angazhimin e opozitës për miratimin sa më parë të Reformës në Drejtësi dhe më njohu për këtë qëllim me të vetmen çështje parimore që sipas opozitës ndan palët në miratimin e Draftit Kushtetues, atë të formulës së zgjedhjes së institucioneve të reja, e cila sipas qëndrimit të opozitës duhet bërë në përputhje me Rekomandimin 88 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias.

Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, mbetem i hapur për dialog me të gjitha palët me qëllim që të miratojmë sa më parë, me koherencë dhe transparencë, reformën më themelore për shtetin e së drejtës dhe të ardhmes së Shqipërisë evropiane.

Pyetjet e gazetarëve:

A ju është kërkuar nga z. Basha ndonjë kusht nëse mund të cilësohet si i tillë përsa i përket reformës zgjedhore? Dimë që të gjithë që Partia Demokratike kërkon numërimin dhe votimin elektronik përsa i përket zgjedhjeve të ardhshme?

Gjithashtu PD ka depozituar një nismë tjetër që e lidh me dekriminalizimin, ndonëse është quajtur dekusarizimi. A ju është kërkuar në këmbim një negocim përsa i përket këtyre dy çështjeve?

Lidhur me miratimin e Reformës në Drejtësi, që ishte qëllimi kryesor edhe i vetëm i këtij takimi nga ana ime si Kryetari i Kuvendit, pas një keqkuptimi dhe reagimi mjaft të ashpër të Partisë Demokratike lidhur me Kalendarin e Kuvendit të enjten e kaluar pas seancës,  ka qenë garantimi i z. Basha për vullnetin dhe për vendosmërinë time si Kryetar i Kuvendit për të ecur përpara, tashmë që ka ardhur momenti final, në një mënyrë mjaft transparence me procedurat parlamentare. Sepse, kemi të bëjmë me ndryshimet kushtetuese për reformën më të rëndësishme që presin qytetarët shqiptarë, por edhe partnerët tanë ndërkombëtare.

Natyrisht që nuk mund të mos ju them që nuk janë ngritur nga z. Basha edhe probleme të tjera, të cilat kanë të bëjnë me ecurinë e ligjit të dekriminalizimit, apo me problemin e votimit elektronik dhe të transparencës së zgjedhjeve të ardhshme.

Unë i kam bërë të qartë se opozita ka të gjithë mbështetjen opozita, por edhe mazhoranca, si edhe të gjithë që janë të interesuar dhe nuk kemi arsye për të paragjykuar askënd, por meqenëse opozita ka ngritur pretendimet e saj, në vullnetin tim për të kontribuar në zbatimin e plotë të ligjit për dekriminalizimit që e kemi miratuar me konsensus, dhe njëkohësisht për të realizuar votimin elektronik dhe çdo çështje që ka të bëjë me transparencën lidhur me zgjedhjet e ardhshme, kërkesë që ia kemi bërë dhe Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore.

Mund t’ju them që edhe partnerët ndërkombëtarë janë të angazhuar për të asistuar Komisionin e Reformës Zgjedhore në këto aspekte teknike. Por për Reformën në Drejtësi, sipas z. Basha dhe sipas përfaqësuesve të Partisë Demokratike, ka vetëm një çështje për të cilën jam shprehur në komunikatën zyrtare që sapo lexova. Pra nuk ka çështje të tjera parimore të pa dakordësuara, të cilat pengojnë vullnetin e opozitës për të dhënë konsensusin e saj.

Ju në këtë takim a paraqitët ndonjë propozim tuajin për zgjidhjen e ngërçit, një formulë alternative ndoshta që do të rikthente dialogun mes palëve?

Dua t’ju siguroj se nga pozita e Kryetarit të Kuvendit nuk kam qenë aspak i përfshirë në të gjithë procesin e diskutimeve apo të përmbajtjes, apo të formulimeve lidhur me Reformën në Drejtësi. Gjithmonë, nga fillimi i këtij procesi, kam kërkuar gjithëpërfshirje dhe kam theksuar se qendra e gravitetit të konsensusit, i cili për fat keq ende mbetet i vështirë në politikën tonë për shkak të kulturës të konfliktualitetit, për Reformën në Drejtësi është Komisioni i Venecias.

Dhe besoj se këtë qëndrim e keni dëgjuar në fillim dhe në mënyrë të vazhdueshme. Komisioni i Vencias është angazhuar mjaft seriozisht duke u shprehur dy herë dhe duke dhënë dhe Opinionin final në muajin mars, duke i dhënë përgjigje pretendimeve të gjithë aktorëve të interesuar për çështje të caktuara, përfshirë edhe Partinë Demokratike.

Ashtu sikurse jam shprehur qartë, pas Opinionit final të Komisionit të Venecias, se duke hasur përsëri lexime të ndryshme për çështje për të cilat Komisioni i Venecias nuk është shprehur në mënyrë eksplicite dhe të qartë, si qendër reference për konsensusin e vështirë, të mbeteshim rekomandimet e EURALIS-it dhe të OPDAT-it si aktorë të paanshëm.

Sot jam njohur me një pretendim konkret dhe do ta ndjek me vëmendje këtë pretendim, por besoj që me vullnet të mirë kemi të gjitha mundësitë që shumë shpejt, mundësisht që dje do thosha, por kjo është e pamundur sepse nuk kthehemi dot mbrapsht në kohë, apo që para një muaji apo para dy muajsh, të ecim me procedurat parlamentare në mënyrë konsensuale.

Për mua është shumë e rëndësishme të bëhen të gjitha përpjekjet në orët që vijnë, në minutat që vijnë, për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe partnerëve ndërkombëtare, një reformë kushtetuese në Drejtësi e cila të garantojë standardet më të mira ndërkombëtare dhe njëkohësisht të jetë një reformë që të këtë përkrahjen e të gjithë aktorëve kryesorë në parlament dhe në vend, sepse nuk është një reformë për disa muaj, por është një reformë për dekadat që vijnë.

A shihni të vendit një takim trepalësh midis jush, z. Basha dhe z. Rama?

Unë jam në zyrë që nga dita e enjte dhe në mënyrë të vazhdueshme dhe do të vazhdoj të jem këtu për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë e mia si Kryetar i Kuvendit, sepse është bërë punë e madhe prej gati dy vitesh. Ka qenë një angazhim i jashtëzakonshëm dhe tani është shumë e domosdoshme ta kurorëzojmë me sukses të plotë këtë reformë të cilën e kërkojnë qytetarët shqiptar, por të cilën e presin me shumë interes edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, Bashkimi Europian, në mënyrë të veçantë për t’i dhënë një mundësi Shqipërisë për rekomandimin për çeljen e negociatave, por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilat janë shumë të interesuara, jo vetëm për të shtyrë përpara procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe për të bërë efektive sa më shpejt ndihmën dhe mbështetjen e tyre për disa nga institucionet e reja që do të krijohen, sidomos për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorinë Speciale Antikorrupsion.

Cili do të jetë roli juaj konkret në dialogun mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste apo mes opozitës dhe mazhorancës për arritjen e pretendimit të saj për vendet e rezervuara?

A e keni rakorduar këtë qëndrim me Edi Ramën?

Ju flisni për integritetin e procesit, kjo do të thotë që ju nuk do të lejoni të ketë votave jashtë votave zyrtare të mazhorancës për reformën në drejtësi, siç kaun kanë rekomanduar dhe ndërkombëtarët apo siç u kanë bërë thirrjes ndërgjegjes së çdo deputeti për ta bërë këtë? Çfarë do të thotë integritet dhe legjitimitet në proces?

Unë kam gjetur disponimin pozitiv në këtë bisedë, në këtë takim zyrtar nga z.Basha, që në momentin që sipas opozitës gjendet një marrëveshje dhe për të vetmen çështje parimore në fjalë, ata janë të hapur për të ecur me shpejtësi për procedurat e mëtejshme parlamentare.

Pra, qëndron apo jo pretendimi i tyre, rezervoj të drejtën të përgjigjem sepse nuk kam qenë i përgatitur për pretendimin tyre, nuk kam qenë pjesë e negociatave të deritanishme midis aktorëve të ndryshëm dhe nuk jam as pjesë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës në Drejtësi, për t’ju deklaruar juve se si qëndron e vërteta për këtë çështje apo për çështje të tjera. Por natyrisht që i kam mbajtur shënim  dhe do të kemi në konsideratë këtë pretendim se sa qëndron.

Së dyti, lidhur me faktin a kemi rakorduar me z. Rama për këtë çështje, mund t’ju them që e kam informuar z. Rama për iniciativën për t’u takuar me z. Basha, madje për të qenë edhe më transparent me ju këtë e kam bërë pas krijimit të keqkuptimit në Kalendarin e Kuvendit për “gjoja” futjen fshehurazi të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, që në çdo rast besoj dhe ju ndani të njëjtin qëndrim, që do të ishte një veprim jo vetëm i marrë, por edhe mjaft i pajustifikueshëm, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër, sepse jo vetëm për ndryshimet kushtetues, por edhe për çdo ligj apo iniciativë më të thjeshtë, respektimi në mënyrë strikte i këtyre procedurave është një detyrë e Kryetarit të Kuvendit, e Konferencës së Kryetarëve, e shërbimeve të Kuvendit.

Dhe duke marrë shkas nga kjo situatë dhe nga kriza e kohës, që e theksoj se ende jemi në krizë kohe, prandaj them gjithmonë që duhet të kishim votuar dje. Duhet ta kishim votuar para një muaji, duhet ta kishim votuar para dy muajsh sepse kemi një kalendar që presim edhe për zbatimin e reformës dhe për të arritur disa nga qëndrimet e saj sa më shpejt, siç është edhe rekomandimi për çeljen e negociatave apo dhe bërja efektive e ndihmës dhe e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për disa nga institucionet e reja që do të krijohen.

Pra, pas kësaj, kam qenë i detyruar të kërkoj një takim në nivelin më të lartë me opozitën parlamentare dhe me Kryetarin e Partisë Demokratike.

Përpara se të bëja publike ftesën për të, i kam telefonuar dhe në fakt ideja ime kryesore ka qenë për t’u takuar me z. Basha, për t’u takuar edhe me z. Rama dhe me përfaqësues të mazhorancës, pse jo dhe me përfaqësues të misioneve që na asistojnë dhe që janë marrë me këtë çështje, për të dakordësuar kalendarin dhe njëkohësisht për të shtyrë procesin sa më shpejt.

  1. Basha ka preferuar që takimi të ishte me mua si Kryetar i Kuvendit, pasi sipas tij, kishte diskutuar çështjet që kishte për të diskutuar me z. Rama në takimin e mëparshëm. Natyrisht unë jam treguar fleksibël siç e keni vënë re për gjithçka, edhe për vendin, edhe për orën, edhe për kohën sepse për mua nuk ka gjë më të rëndësishme se sa kurorëzimi me sukses i këtij procesi që është edhe një mundësi shumë e rëndësishme për Kuvendin aktual të Shqipërisë, për të kontribuar dhe në ndryshimin e imazhit të tij sa të mundet përpara qytetarëve shqiptarë dhe përpara partnerëve ndërkombëtar në këtë vit të fundit kalendarik që i mbetet të konsumojë deri në zgjedhjet e ardhshme.

Kështu që nuk ka qenë qëllimi im për të diskutuar për përmbajtjen me z. Basha, por ka qenë  më shumë për kalendarin. Por natyrisht nuk mund të them që nuk mund të dëgjoja me vëmendje pretendimin e z. Basha  dhe mund të them që i kam mbajtur edhe shënim.

Sigurisht unë do të kem mundësi që të takohem me z. Rama.

Do të kem mundësi të takohem edhe me përfaqësues të tjerë të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi dhe me aktorë të tjerë, por qëllimi im nuk ka qenë asnjëherë që të hyj në përmbajtjen e kësaj reforme.

Qëllimi im ka qenë gjithmonë që ky të jetë një proces i hapur, të jenë një proces transparent. Ky të jetë një proces konsensual që garanton standardet e kësaj reforme dhe ky takim u bë për këtë qëllim dhe ky angazhim është vetëm në këtë drejtim.

Dhe i ftoj të gjithë aktorët të demonstrojnë në orët që kanë mbetur, në minutat që kanë mbetur, nuk po them ditët, që të demostrojnë përgjegjshmëri, të demostrojnë transparencë, të demostrojnë koherencë sepse për mua si Kryetar i Kuvendit nuk është shumë e rëndësishme se kush e ka fajin, në rast se procesi nuk i realizon të gjitha qëllimet e tij. Për mua ka rëndësi që ky proces të realizohet me sukses të plotë dhe kjo është një detyrë e të gjithë aktorëve  në Kuvendin e Shqipërisë.

Lidhur me integritetin, integriteti fillon që nga procedura. Ju e dini që z. Paloka doli në një konferencë për shtyp, akuzoi për një skandal mafioz, diçka e tillë pasi nuk e ndoqa live sepse po vuaja ndryshimin e orës pas kthimi nga Uashingtoni. Dhe jam habitur se çfarë kishte ndodhur në Kuvend deri te denoncimi i Partisë Demokratike për të hapur ndjekje penale për falsifikim  e kështu me radhë.

Natyrisht nuk është normale që të jesh Kryetar i Kuvendit dhe të dëgjosh që ka ndodhur një çudi e tillë. Kjo çështje u sqarua, u gjykua dhe prandaj integriteti fillon që tek procedura dhe në vazhdimësi. Por natyrisht që opozita vetë ka një rol të rëndësishëm për të kontribuar edhe ajo për suksesin e kësaj reforme, për integritetin e kësaj reforme dhe për të treguar edhe ajo integritetin e saj.

  1. Meta, do të thotë se do t’i çoni një ftesë të veçantë Kryeministrit, sepse z. Rama në takimin që ka pasur me z. Basha ka deklaruar se nuk e pranon formulën për vendet e rezervuara?

Nuk jam këtu për të diskutuar lidhur me përmbajtjen, sepse nuk kam qenë pjesë e diskutimeve konkrete,  formulimeve konkreteve, negociatave konkrete për këtë çështje.

Por jam këtu për të kontribuar dhe për të siguruar të gjithë, për të garantuar transparencë maksimale, integritet maksimal të të gjithë procesit duke filluar nga kalendari dhe gjithë ecuria e tij.

Dhe së dyti, për të kontribuar që të arrijmë një reformë konsensuale, me cilësi dhe standarde, një reformë që do t’i japë një shpresë të madhe dhe një nxitje të madhe Shqipërisë dhe shqiptarëve për të ecur në rrugën e forcimit të ligjit, të forcimit të institucioneve, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe të krijimit të një mjedisi shumë më të favorshëm dhe të besueshëm për zhvillimin ekonomik të vendit, të sipërmarrjes dhe të tërheqjes së investimeve të huaja.

Por nëse nuk gjendet kjo dakordësi z. Meta ju mund të mbështesni një draft që mund të kalojë dhe me votat e disa deputetëve të opozitës, të njëanshëm?

Unë jam këtu për t’ju siguruar se do të bëj çdo gjë në orët, në minutat që vijnë për të garantuar që ky të jetë një proces i suksesshëm për vendin dhe të jetë një sukses që i bashkon shqiptarët në sfidën e tyre për të forcuar shtetin ligjor, për të garantuar një sistem efikas, një sistem të paanshëm  të drejtësisë dhe nuk jam këtu për të patur paragjykime të nxituara.

….

 Lulzim Basha bëri këtë koment pas takimit : Takimi i sotëm pati një vlerë si çdo dialog që bëhet jo për sy e faqe, por për të kërkuar me të vërtetë rrugët e daljes, rrugët e zgjidhjes. Këtu vlerësoj posaçërisht qëndrimin për një reformë dhe për një proçes legjitim. Si mund të shkohet në Europë, kush mendon se Europa mund ti hapë dyert një vendi në parlamentin e të cilit sëpari përjashtohet opozita dhe pastaj trafikohen mandatet.

…. Ata mund të zgjedhin një sitem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës në organet kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në proçesin e përzgjedhjes. Ky është arbitri, për këtë kemi rënë dakort, ky është autoriteti suprem mbi çdo autoritet tjetër europian apo global.

Ilir Meta dhe Lulzim Basha u shprehën të gatshëm për tu takuar në çdo kohë për gjetjen e konsensusit për miraitmin në kohë të reformës.

Megjithatë, ky takim i së dielës mes të dyve prodhoi një dakordësi, atë të miratimit në Kuvend të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, që lejon votimin dhe numërimin elektronik.

Filed Under: Politike Tagged With: dhe komenti per Ramen, Ilir Meta, takimi me Bashen

Pse na duhen Xherdan Shaqiri dhe Xhaka?

June 12, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyçi /

Xherdani dhe Graniti luajne me zvicren. Shorti e solli qe te luajne kunder Shqiperise. Ne e pame lojen qe ata bene. Nese do te donin, Shqiperia do te kishte humbur thelle. Eshte çeshtje tjeter ajo qe thuhet se djemte tane bene loje me te mire. E bene lojen te mire, sepse Shaqiri e Taulanti, bashke me tre djemte e tjere shqiptare ne kombetaren helvetike nuk deshen t’i vene ne sprove. E megjithate Xherdani e te tjeret jane vene ne shenjester te kritikave, sharjeve dhe fyerjeve. Injoranca nuk njeh kufi te ne shqiptaret. Me keto qendrime deshmojme se i perkasim epokes se bronxit e fatkeqesisht shume prej politikaneve tane kane deshire te ethshme qe ne shqiptaret te qendrojme ne skutat e mesjetes. Sepse keshtu na sundojne me mire. Sepse keshtu luajne si duan ata me ndjenjat dhe emocionet tona. Ata jane shume te kenaqur kur na shohin sesi bejme gare me flamuj dhe jo me vlera. Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe te tjere na japin mesimin historik, se nuk jane simbolet çelesi i suksesit, nuk jane simbolet konkurenca e njerezve dhe kombeve. Suksesi dhe konkurenca maten me vlerat. Xherdan Shaqiri dhe Taulant Xhaka jane vlera. Vlerat nuk njohin kufi. Ato konkurojne aty ku respektohen vlerat. Shqiperia e antivlerave, e korrupsionit dhe e zullumit, Shqiperia e hashashit dhe e plantacioneve te kanabisit, Shqiperia e mbytur ne krim, Shqiperia qe pergjon dhe shkaterron veteveten, nuk ofron asnje mundesi per promovimin e vlerave, çfare jane lojtaret shqiptare te Zvicres. Ndjehem shume optimist se ne Kosove ata do ta gjejne ambjentin e nevojshem per te promovuar keto vlera. Me shume se kushdo me ben optimist shoqeria e Kosoves dhe Vokrri. Prandaj pres me padurim qe futbollistet e kombetares se Shqiperise me origjine, prejardhje ose banim ne Kosove t’i bashkohen kombetares se Kosoves. Pres me padurim qe edhe Xherdan Shaqiri, Granit dhe tre te tjeret futbolliste shqiptare ne Zvicer t’i bashkohen kombetares se Kosoves. Kosova duhet te deshmoje se eshte elita e talenttit te futbollit boteror. Duhet ta deshmoje kete aty ku refuzohet shtetesia e saj. ne Rusi e ne Moske. Keta djem do te na bejne krenar ne ne vitin 2018. Thjesht te lutemi per shendetin e tyre, per fatin e tyre, per suksesin e tyre dhe t’u urojme te na perfaqesojne me dinjitetin e deshmuar tashme ne perballjet brilante qe kane bere dhe po bejne.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe Xhaka?, Enver Bytyci, Pse na duhen, Xherdan Shaqiri

Kosova, 17 vjet liri e paqe

June 12, 2016 by dgreca

-Para 17 viteve, Kosovës po i ndodhte liria dhe paqja, NATO nisi të hynte në mëngjesin e hershëm të 12 qershorit 1999 në ora 05 e 17 minuta/

Shkruan: Behlul JASHARI, korrespondenti në Prishtinë sot plot një vit nga 12 qershori 2015 i Gazetës DIELLI, i cili ka raportuar nga kolona e tankeve të para të NATO-s, që hynin në Kosovë/

PRISHTINË, 12 Qershor 2016/ Në Kosovë para 17 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999. Në atë orë e ditë të lume tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë.

Ishte ora kur nga kolona e tankeve të forcës më të madhe planetare, NATO-s, që kalonin kufirin e Kosovës nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit, po jepja në Agjencinë Telegrafike Shqiptare – agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë (ATSH) e në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) lajmin e madh për të gjithë shqiptarët dhe botën.
Ishte ora kur liria po vinte e po iknin forcat serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, dhe që po linin pas luftën me një bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Drejt Kosovës, qyteteve, fshatrave e shtëpive të tyre të shkretëruara e të djegura ishin nisur më këmbë refugjatët e kampit afër kufirit në Bllacë, Maqedoni. Ata njerëz, që dukeshin më të gëzuarit e gjithë botës, në qytezën kufitare kosovare Hani i Elezit binin në gjunjë, puthinin tokën e atdheut të tyre dhe tanket e misionit humanitar e shpëtimtar  të NATO-s, të cilat po u hapnin rrugën për kthimin e madh dhe lirinë e përjetshme. “Është më shumë se ëndërr, është më shumë se gëzim”, shpreheshin në atë mëngjes të dëbuarit që po ktheheheshin në shtëpitë e tokën e tyre.

Forcat serbe kishin ikur nga kufiri dhe po largoheshin nga Kosova, por kishin lënë prapa zonat e minuara, dhe dukej se për këtë zgjatnin me orë kontrollet te Ura e Kashanit mbi lumin Lepenc e te tuneli i afërt në Grykën Kaçanikut. Njësitet britanike të xhenios, ushtarë nga Nepali dhe Anglia , brenda asaj kohe zhvillonin operacionin për mënjanimin e rreziqeve nga minat dhe për t’u siguruar se mbi urë do të mund të kalojnë tanket dhe makineritë e tjera të renda luftarake. Testimi i urës u bë edhe me zbarkimin mbi të të helikopterëve, fillimisht më të lehtë e në numër më të vogël, e pastaj githnjë e më të rëndë e në numër më të madh…

Në Grykën e Kaçanikut, forcat kriminale të Milosheviçit kishin lënë prapa edhe grafite në faqe shkëmbinjësh: “Kosova zemra e Serbisë” e “Serbia deri në Durrës”, e që shkonin edhe shumë larg, “Serbia deri në Tokio”,  “ Serbia deri në Sidnei”…Gazetarët nga gjithë bota, me të cilët në kolonën e tankeve të para të NATO-s në Kosovë isha bashkë me korrespondentin nga Shkupi të gazetës kosovare Rilindja, Bedri Sadiku, ato grafite i shikonin si një çmenduri dhe qeshnin, fotografonin, filmonin, raportonin…

“Të akredituar deri natën e 11/12 qershorit,  diku pas mesnate,  ishin më shumë se 1500 gazetarë nga gjithë bota”, ka shkruar Bedriu në gazetën tradicionale të Kosovës, Rilindja.

Përtej këtyre grafiteve të përçudshme, si një përgjigje dhe ralitet se çka është Kosova u shfaq imazhi i Flamurit Kombëtar Shqiptar i ngritur si fluturim shqiponje dykrenare e si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën në qytetin e Kaçanikut, ku në 7 shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj në një mbledhje historike të Kuvendit, në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi. Nga Kaçaniku, nëpër Fushën e Pajtimit, në orët e pasditës, kolona e NATO-s mbërriti në qytetin e Ferizajt, mbi të cilin nga larg shiheshin re tymi.

“Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin para se të ikin. Ende nuk kanë ikur të gjitha”, tregonin shqiptarët e mbetur atje.

Ata kishin dalë për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vënin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet: “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO – Kosova e Lirë”. Kishin dalë në mikprijen e madhe, me falënderimin e mirënjohjen e gjithëmonëshme.

Fëmijëve anëve të rrugës që përshëndesnin me valëvitje duarsh e plot gëzim ushtarakë të NATO-s u shpërndanin bombone (ëmbëlsira). Një vajzë, nxënëse e shkëlqyer e fillores, po shtrëngonte bombonin në grusht te zemra dhe thërriste shumë e lumtur: “Do ta ruaj tërë jetën për kujtim”.  Ishin ata fëmijtë që kishin përjetuar tmerret, e me muaj të tërë as s’kishtin parë ëmbëlsira e ishin përballur edhe me urinë në mungesë të bukës. Tregonin se kishin jetuar me shumë frikë të fshehur nëpër bodrume…

Ndërkohë që kolona kishte marshuar edhe më tej, pas ndonjë ore edhe fushat rreth qytetit të Lipjanit u mbushen tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arritën deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet dukej mbeti për të nesërmen…

“Po shkojmë në Prishtinë, të shohim si duket në natën e fundit të okupimit”, thanë disa nga gazetarët nga anë të ndryshme të botës, të cilëve iu bashkova, edhepse e dija se të shkohet para se ta marrë kontrollin NATO rreziku ishte shumë i madh, kishte shumë rreziqe nga të cilat mëzi isha larguar…

Vetëm para pak më shumë se një muaji, në 6 maj 1999, i larguar nga kryeqyteti, duke raportuar nga kufiri jugor i Kosovës, kisha dhënë lajmin në ATSH “Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”.

Me atë titull kisha raportuar: “Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëpër objekte që mund të bombardohen nga NATO-ja…Shumë familje janë detyruar të qëndrojnë për disa ditë me radhë pranë postes së re të Prishtinës, në lagjen Dardania, thonë dëshmitarë okularë që kaluan kufirin Kosovë-Maqedoni. Shumica e të ardhurve janë femijë dhe gra, ndërsa burrat janë marrë nga forcat serbe. Gra nga rajoni i Llapit tregojnë për më se 200 te rinj e burra shqiptarë që i kanë ndarë nga familjet dhe i kanë marrë në rrugën midis Obiliqit dhe Prishtinës. Të deportuar nga fshati Hade i Obiliqit, tregojnë per ekzekutimin e 13 shqiptarëve. Mijërat e të dëbuarve gjatë 24 orëve të fundit janë kryesisht nga rajonet e Llapit, Prishtinës, fshatrat e Ferizajt dhe të Lipjanit”.

Kishim mbërritur në kryeqytet, Prishtinë, para mbrëmjes së 12 qershorit, duke kujtuar edhe largimin pasi në mbrëmjen e 24 marsit 1999  në kushte të pamundshme të ndërprerjes së linjave telefonike dhe dritave, me lidhje satelitore që e mundësoi vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, nga banesa plot edhe me refugjatë në qytetin në luftë e në shtetrrethim, derisa shkallëve të ndërtesës në lagjen Ulpiana dëgjoheshin rrapllimat e zërat e forcave serbe, kisha raportuar  për ATSH-në e Radio Tiranën për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e masakrat e reja të forcave serbe në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës…

Në atë mbrëmje të 12 qershorit të para 17 viteve, në Prishtinë shihej se rreziku ishte edhe më i madh se që ishte paramenduar, në të gjitha anët kishte breshëri armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur. Paramilitarët e Arkanit i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotelin në qendër apo të sapohyrë, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po iknim me shpejtësi, me automjetin që udhëtonim…

Kisha dhënë edhe lajmin e parë të rikthimit në Prishtinë… Po ku ta kalonim natën, kur ende nuk mund të shkoja në banesën time ku kishin hyrë forcat serbe…

Shkojmë drejt adresës së telefonatës së 6 majit nga Prishtina, që u bë lajm…“Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit atje, që na dhanë çelësin e një banese të boshatisur.

Në lajmin e 6 majit 1999, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve të ATSH-së” tregova çka po ndodhëte, që “bota ta marrë vesh”…

Në të gjitha anët në Prishtinë breshëritë e armëve vazhdonin edhe gjatë mbrëmjes së ditës kur nisi lira, edhe gjatë gjithë natës që po e kalonim në një banesë të shqiptarëve të dëbuar. Nata e fundit e forcave serbe në kryeqytetin e Kosovës ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte disa shqiptarë të vrarë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje…Kishte edhe plumba qorr që binin, të shkrepur nga shumë armë serbe.

Gazetari i njohur edhe për raportimet nga Maqedonia e Lugina e Preshevës në kohë lufte të shqiptarëve për të drejtat e tyre, Bedri Sadiku, që ishte në një automjet tjetër reporterësh nga gjithë bota, ja si e përshkruan hyrjen e tij në Prishtinë dhe kryeqytetin e Kosovës në pasditën e 12 qershorit 1999, në një shkrim në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja:

“Në Prishtinë hymë gati gabimisht, dhe pastaj edhe me qëllim. Ky rrugëtim duhej të shkonte sipas porosive të NATO-s.  Konvojet e NATO-s shkuan në drejtim të Shtimes dhe Lipjanit,  kurse ne me makinën tonë shkuam drejt për në Prishtinë dhe  në Lapnasellë e Çagllavicë hasëm menjëherë në forcat policore,  ushtarake dhe paramilitare serbe…

Në afërsi të Hotel Grandit dhe para tij kishin mbërritur ekipe të gazetarëve të huaj nga Beogradi.  Me këtë rast për pak u shkaktua edhe një incident me disa gazetarë, për shkak të emblemës së Press Qendrës së NATO-s dhe shenjës së NATO-s…

Në ora 16 pa 5 minuta helikopterët e parë të NATO-s fluturuan mbi Prishtinë-paralajmëronin çlirimin e kryeqytetit të Kosovës

Pasi bëmë disa fotografi rrugëve të Prishtinës,  diku rreth orës 16 pa 5 minuta u nisëm në drejtim të Shkupit…Me t’u nisur drejt Veternikut,  dy helikopterë të NATO-s dolën mbi qiellin e Prishtinës dhe bënë disa xhiro mbi Dardani e Dragodan dhe në pjesën qëndrore të qytetit, që paralajmëronin ardhjen e forcave të NATO-s edhe në Prishtinë dhe fillimin e çlirimit nga thundra kolonialiste serbe edhe të kryeqytetit të Kosovës. Një pjesë e këtyre forcave,  që drejtoheshin nga britanikët, i ishin afruar edhe Lagjes së Spitalit, ndërsa grupe ushtarësh ishin vendosur nga gjysma e Veternikut përpjetë, si pararojë e forcave të NATO-s e të KFOR-it,  që pritej të hynin natën dhe në mëngjes në Prishtinë dhe që tashmë kishin mbërritur deri te Llugaxhia. Prishtina do ta kalonte vetëm edhe një natë nën thundrën pushtuese serbe,   në pritje të agimit të parë në liri…

Në  ditën e 13 qershorit 1999, në mëngjes, qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolna e tankeve dhe makinerive tjera ushtarake shihej tek zbriste rrugës nëpër një kodrinë nga ana jugore dhe mbushte sheshet dhe rrugët e kryeqytetit të Kosovës.

Nga këto pamje, në ATSH dhe RTSH në Tiranë shkonte lajmi: “NATO po e merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat e Milosheviçit të largohen…”

Erë shkrumbi e shtëpive e objekteve tjera të djegura ndihej në Prishtinë. Forcat serbe i kishin vënë flakën edhe selisë së Zyrës së SHBA – përfaqësisë së  parë të një shteti nga 6 qershori 1996 që shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta, si dhe selisë së Presidencës dhe institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht.

Dyqanet dhe klubet ishin të mbyllura dhe të plaçkitura…

Në 13 qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë edhe nga Shqipëria, duke kaluar kufirin nëpër Morinë-Vërmicë, drejt Prizrenit…
Pas një nate që e përshkruaja “plot rreziqe dhe e tensionuar, me të shtëna të shumta armësh të serbëve dhe me provokacione kundër shqiptarëve dhe forcave paqësore”,  vazhdoja raportimet nga Prishtina në ATSH: “Kosova qysh dje dhe sot është e lirë në shumë pjesë të saj. Kurrë nuk janë parë njerëz më të gëzuar se sot me hyrjen triumfale të forcave të NATO-s në Kosovë dhe kryeqytetin e saj, Prishtinë. Në Prishtinë qysh sot, NATO po vendos kontrolle…”

Pasditen e 13 qershorit 1999, bashkë me korrespondentin e Zërit të Amerikës,  Isak Ramadani, e gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri, që erdhën në Prishtinë duke sjellë edhe numrin special të gazetës tradicionale kosovare Rilindja të botuar atje me raportimet për ngjarjen historike të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë,  kalova edhe një herë rrugën nga kishin hyrë forcat e para të NATO-s një ditë më parë. Edhe Rilindja në ballinë kishte te kryetitulli orën që kisha raportuar në ATSH: “Dje në orën 5.17 – Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”.

Edhe editoriali “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”, shkruar nga Blerim Reka, ishte i botuar në faqen e parë të gazetës Rilindja, me foto nga ngjarja historike e ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, e ku shkruhej edhe: “Qeveria e përkohshme e Kosovës punon për kthimin e popullsisë.-Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Austrinë”.

Dhe, vazhdoja raportimin në ATSH: “Sot duket krejt e çliruar pjesa e Kosovës nga kufiri me Maqedoninë, përgjatë rrugës që të çon në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e deri në kryeqytet. Në Kaçanik, Han të Elezit dhe në lokalite të tjera takuam dhe ushtarë të UÇK-së që kthenin jetën dhe rregullin.
Flamuri shqiptar – flamuri i lirisë valonte në kulmin e ndërtesës 12- katëshe në qendër të qytetit të Kaçanikut, mbi kulmin e shkollës tetëvjeçare ‘Jusuf Gërvalla’ në fshatin Nikaj dhe lokalitete të tjera.
Në vendkalimin kufitar në Bllacë ndërmjet Kosovës dhe Maqednisë sot nuk ka më flamuj serbë, të cilët janë hequr. Në kufi figurojnë marinsat amerikanë”.

Kështu ishte 17 vite më parë…

Dhe, 17 vjet pas 12 qershorit historik 1999,  Kosova feston Ditën e Lirisë – Ditën e Paqes, kur NATO nisi marshin shpëtimtar me forcat tokësore, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe, që kishte nisur në 24 mars, kur goditjet e para që i raportova nga Prishtina ndodhën rreth orës 20:00. Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 qershor e  hyri në fuqi në 11 qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR. Aktualisht, KFOR-in e përbëjnë 5000 trupa nga 31 vende.

Në 17 vjetorin e lirisë,  Kosova me pavarësinë e shpallur në 17 shkurtin historik 2008 është e njohur nga 111 shtete anëtare të OKB-së, e anëtarësuar në shumë institucione e organizata ndërkombëtare, evropiane e rajonale dhe drejt të gjitha njohjeve.

Këtë vit – në 2016-ën, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg  dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

Filed Under: Histori Tagged With: 17 vjet liri e paqe, Behlul Jashari, kosova

KUJTESE- DR. RUGOVA PER 12 QERSHORIN

June 12, 2016 by dgreca

-Arkiv-Presidenti historik Rugova: 12 Qershori, ditë e madhe që e siguroi qenien tonë nacionale e njerëzore

-Në foto: Korrespondenti në Prishtinë i Gazetës Dielli, atëherë kryeredaktori i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, Behlul Jashari,  për festën e Ditës së Rilindjes 12 Shkurt 2005 i dhuroi Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Pllakatin e Jublileut të 60-vjetorit të gazetës së parë të Kosovës Rilindja/

-Mesazhi i fundit për Ditën e Lirisë – 12 Qershorin, i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, arkitektit të Pavarësisë/

Prishtinë, 12 qershor 2005 – Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 12 Qershorit, Ditës së Lirisë të Kosovës, u ka drejtuar qytetarëve të Kosovës një mesazh urimi me këtë përmbajtje.

“Me rastin e 12 qershorit, 6 vjetorit të Ditës së hyrjes të trupave të NATO s në Kosovë, që është Ditë e Lirisë së vendit tonë, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.

Dita e 12 qershorit, pra Dita e Lirisë së Kosovës, është një ditë e madhe që e siguroi qenien tonë nacionale e njerëzore dhe të ardhmen më të lumtur për të gjithë ne.
Në këtë Ditë feste, urime të përzemërta i shprehim Komandantit të KFOR it, Gjeneralit Iv dë Kermabon dhe ushtarëve të Tij.

Njëherësh urime të sinqerta i shprehim UNMIK ut dhe OSBE së.

Urime të sinqerta po ashtu u shprehim përfaqësive diplomatike në kryeqytetin e vendit tonë, në Prishtinë.
Dhashtë Zoti që 12 Qershorin e ardhshëm, Ditën e Lirisë, ta festojmë me njohjen formale të pavarësisë së Kosovës”.

Ky ishte mesazhi i fundit për Ditën e Lirisë – 12 Qershorin, i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, arkitektit të pavarësisë, i cili u shua para 10 vitesh, në 21 janar 2006, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmes për Kosovën shtet euroatlantik.

 Presidenti Rugova: 12 Qershori mbetet Dita më e madhe në historinë e re të Kosovës

-“Unë insistoj në njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës nga SHBA dhe BE sa më shpejt. Kështu Kosova si vend i pavarur e demokratik është e vendosur për integrim në BE e në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. Kjo do të qetësonte këtë pjesë të Europës e të botës dhe do të krijonte sigurinë e të ardhmes të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ritheksonte Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova në pritjen e fundit për Ditën e Lirisë – 12 Qershorin, në vitin 2005

 Prishtinë, 12 qershor 2005 – Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, në mbrëmje në Hotelin Grand në Prishtinë ka shtruar një darkë solemne për nder të 12 Qershorit – Ditës së Lirisë dhe hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Të ftuar ishin përfaqësues të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë.Në këtë solemnitet Presidenti Rugova deklaroi se Kosova është e lirë falë ndihmës së NATO-s. Ai gjithashtu u shprehu mirënjohje popullit të Kosovës dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për përpjekjet e bërë për lirinë dhe pavarësinë.
“Kjo do të jetë dita më e madhe në historinë e re të vendit tonë, sepse me të u kurorëzua liria e kombit tonë, që ishte ëndërr dhe përpjekje e shumë gjeneratave”, theksoi në fillim të fjalës së tij Presidenti Rugova.
Duke folur për periudhën e pasluftës, Presdenti Rugova vlerësoi se gjatë këtyre gjashtë vjetëve Kosova ka pasur një progress të madh në të gjitha fushat e jetës, të cilin e ka arritur “me NATO/KFOR in, që ka bërë dhe po bën sigurinë e Kosovës, si dhe bashkë me UNMIK un e me OSBE në në planin civil”.
Ndërsa, duke folur për momentin aktual, ai tha se institucionet po punojnë në përmbushjen e standardeve prioritare dhe në vlerësimin e progresit, që do të krijonte mundësi për pavarësinë e vendit tonë simbas rrugës ndërkombëtare.
“Por, siç e dini, unë insistoj në njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës nga SHBA dhe BE sa më shpejt. Kështu Kosova si vend i pavarur e demokratik është e vendosur për integrim në BE e në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. Kjo do të qetësonte këtë pjesë të Europës e të botës dhe do të krijonte sigurinë e të ardhmes të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ritheksoi edhe me këtë rast Presidenti Rugova.
Në vazhdim të fjalës së tij, Presisdenti lavdëroi punën e paqeruajtësve në Kosovë, duke thënë se “NATO/KFOR-i për gjashtë vjet ka bërë një punë të shkëlqyer në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit për të gjithë qytetarët. Kështu KFOR i mbetet forcë e dashur dhe e nderuar nga i gjithë populli i Kosovës”.
Ai u shprehu nderime e mirënjohje ushtarëve të KFOR-it, që në kryrje të detyrave humbën jetën e tyre.
“Në këtë ditë i përkujtojmë të gjithë ata që ranë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

 Njëherësh i shprehim mirënjohje popullit të Kosovës dhe luftëtarëve të UÇK së për përpjekjet e bëra për lirinë dhe pavarësinë e tonë”, theksoi Presidenti Rugova, duke përshëndetur me këtë rast Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirac, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni, që përkrahin Kosovën.

 Poashtu ai përkujtoi me pietet të lartë Papa Gjon Palin II që ka ndihmuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe përshëndeti Atin e Shenjtë Benedikti XVI, me dëshirë që të lutet për njohjen formale të pavarësisë së vendit tonë.

Presidenti Rugova e lut gjeneralin Kermabon që t’ua përcjellë ushtarëve të KFOR-it urimet e tij të përzemërta dhe të popullit të Kosovës për Ditën e lirisë së Kosovës, 12 qershorin, Ditën e NATO s në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it Iv de Kermabon theksoi se përkushtimi i NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit mbetet e i njëjtë si përpara gjashtë, kur u vendosëm në Kosovë.

“Është e rëndësishme për kujtojmë se KFOR-i nuk vepron i vetëm. Puna që ne bëjmë me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë dhe liderët vendorë mbetet esenciale për ndërtimin e paqes. Pra partneriteti ynë nuk është vetëm ndërmjet KFOR-it dhe UNMIK-ut, por përfshinë edhe partnerët tanë vendorë dhe mbështetja e tyre është esenciale”, tha Kermabon.

Shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë Filip Goldberg duke folur në emër të përfaqësive diplomatike në Prishtinë theksoi se ata ndihen krenarë për atë që bënë më 1999.

“Ne jemi shumë krenarë për atë që bëmë në vitin 1999 dhe duam të mbetemi të tillë për atë që do të ndodhë vitet në vijim, që do të thotë një Kosovë, e cila do të reflektojë vlera demokratike në respektim të njëri-tjetrit, pa marrë parasysh etnitë apo besimin. Janë këto vlera që ne i sollëm më 1999”, theksoi Shefi i Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë Filip Goldberg.

Në këtë darkë solemne Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dekoroi ushtarët e KFOR-it me Medaljen e Sigurisë.  (Përgatiti për Gazetën DIELLI:B.Jashari)

Filed Under: Featured Tagged With: 12 Qershor 2005, Behlul Jashari, President Rugova

DIASPORA-Manifestimi i përfundimit të vitit shkollor në qytetin Borås të Suedisë

June 12, 2016 by dgreca

JEMI KRENAR QË MËSOJMË SHQIP, JEMI KRENAR SE KEMI NJOHURI PËR VENDIN TONË/

NGA SOKOL DEMAKU/

Një atmosferë e veçantë gëzimi mbizotëroi në institucionet arsimore dhe qendrat shkollore të Mbretërise së bashkuar të Suedisë në festën e  fund vitit shkollor. Famfarat lajmeruan hapjen e festës së mbarimit të vitit shkollor dhe pastaj u vazhdua me intonimnin e Himnit kombëtar që u këndua nga të gjithë pranishmit nën  tingujt e orkestrës së nxënësve të shkolles.Sot në Borås të Suedisë, me një manifestim modest organizuar nga nxënësit e Fjärdingskolan, u shënua përfundimi i gjysëmvjetorit të parë të mësimit të vitit shkollor. Ky manifestim tashmë është bërë tradicional në këtë vatër arsimore në këtë qytet. Në këtë manifestim përveç nxënësve të cilët janë nga të katër anët e botës marrinë pjesë edhe prindër dhe miq të shkollës.

Si çdo vit tjetër edhe kësaj radhe nxënësit dhe arsimtarët kishin pregaditur një program shkollor modest për të pranishmit i cili u këndua nga të gjithë si një kor i veçantë. Fjalën përshëndetëse e paraqiti drejtoresha e shkolles Helen Stumberg, pastaj mori fjalën drejtori Per Kettisen i cili përshendeti nxënësit për rezulatet e arritura, falenderoj prindërit për bashkepunimin me shkollën si dhe falendërtoj pedagogët dhe përsonelin e shkollës  për punën e bërë.

Fjärdingskolan është  një nga dhjetë shkollat fillore të qyetit Borås ku në të vijojnë mësimet edhe fëmija shqiptarë. Numri i tyre është shumë domethenës në ketë shkollë sepse ata gati përbejnë një të katërtën e nxënësve të shkollës në të cilën fliten mbi 32 gjuhë, e gjuha shqipe këtu ze vendin kryesor. Nxënësit shpalosnin kështu përveç kureshtjes së tyre të natyrshme fëmijërore edhe njohuritë solide për fusha të ndryshme të dijës dhe, marrë parasysh faktin se janë të lindur në vend të huaj, edhe zotërimin relativisht të kënaqshëm të ligjërimit në gjuhën suedeze.

Spontaniteti i treguar në mësojtore u shndërrua në miqësi të vërtetë në mes të nxënësve të nacionaliteteve të ndryshme që vijojnë mësimet në këtë qendër dije dhe arsimi.

Jemi krenar që mësojmë shqip, jemi krenar se kemi njohuri per vendin tonë, për heronjët tanë, për poetët tanë thonë Laurenta, Agnesa që vijojnë mesimet në klasën e dytë, por edhe Artini, Vera dhe Pranvera nga klasa e parë janë të kenaqurë më ate se ata në duart e tyre kanë Abetarën dhe mësojnë shkronjat shqip, pastaj Besarta dhe Arlinda nga parashkollorët, por janë të lumtur se ata zotërojnë edhe një gjuhë me vlera të larta gjuhën e vendasëve , gjuhën e vikingëve të lashtëpra Gjuhen suedeze.

Takova edhe mësuses shqiptar të punësuar në këtë vatër arsimi në Suedi. Edhe ata sikur edhe nxenesit dhe prindërit kanë vetëm fjalë miradie për shkollën, punën dhe miqt suedez.

Albinoti është mësues gjimnastike këtu e tri vite me parë në këtë shkollë si dhe Adriana një mësuese ndihmëse për nxneësit shiqptar me nevojë për përvetsimin e gjuhës sudeze, janë të kënaqur me punën e tyre në këtë vatër arsimore këtu në veriun e largët.

Këtu në shkollë thonë se bashkepunimi mes Fjärdingskolan dhe prindërve shqiptar eshte në nivel dhe se ata janë të kënaqur me rezultatet e arritura në të gjitha lamit e jetës në shkollë.

Ishtë kënaqesi të përcjellje orkestrën e shkollës e cila nën udheheqjnhe e pedagogëve të muzikës nga shkolla e  muzikës e qytetit që ka një bashkepunim  të shkelqyer me ketë shkollë interpetuan vepra muzikore me një mjeshtri të rrallë që nga nxenesit e kasava të treta deri në ato të pesta.

Kështu ishte në të gjitha shkollat e qytetit Borås, kështu ishte në të gjitha shkollat e Mbretërsie së bashkuar të suedisë, po njashtu  edhe në shkollatë e mesme sot ishte ditë gëzimi e hareje edhe atje festohej mbarimi vitit shkollor ku festa është tradicionale dhe madheshtore për studentet e rinjë.

Athua ka mundësi që një traditë e mrekullueshme, një traditë nga tradita të zejë vend edhe në shkollat tona sot?

Filed Under: Mergata Tagged With: Borås të Suedisë, Manifistimi i në qytetin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT