• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

A (NUK) SHKOHET NË EVROPË ME LAPIDARË!?

June 7, 2016 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Kësaj radhe vendosa që me këtë shkarravinë të “degdis në Evropë!”. Por para se ta filloj, rashë në hall me fiqirin në kërkim të kryetitullit, atij kryetitulli që do t’i shkojë shkrimit, po njëkohësisht që do t’i shkojë me tamam shijes së lexuesit a sovranit. Me gjithë përpjekjet e mia të shtuara, nuk gjeta idenë…, pavarësisht se insistova që me çdo kusht ta hetoja si të tillë. Dhe, kur nuk e “gjeta”, ky Sazani më tha: “Xhaxhi, a nuk bën që këtë boshllëk ta mbushësh me dokrra e pallavra si ato të politikanëve ballkanas!”. Ia ktheva se sikur ta bëj kësisoj, atëherë do ta anashkaloj a denigroj tërësinë e parimeve, të kritereve dhe standardeve të institucionit – mendim i lirë a mendim ndryshe…, mandej, në fund të fundit, a mos vallë, shkrimi a “thashethemeja” do të më dalë përshesh, “turli a Elbasan tava”, do të më dalë njësoj si ajo puna e daullexhiut nga Anadolli, të cilit para syfyrit i kishte plasur lodra. Në fund pranova sugjerimin e nip Sazanit. Paçka se “shkohet në Evropë” me kësisoj vështrimesh gazetash, paçka se shkohet në “Avrupë” me araba a karrocë të hapur. Besoj se nuk bëhet hataja…, sot ka edhe të tillë që në Evropë shkojnë me biçikleta e lëre më me makina, trena dhe avionë…, ka edhe të tillë që në Evropë shkojnë edhe me gomarë pa samarë, si ato gomarët e Malit të Zi, Greqisë, Serbisë a edhe të Maqedonisë…, paçka se bullgarët dhe rumunët janë në “deficit” me këto kafshë njëthundrake dhe, prapëseprapë, nuk bëhet hataja…, ca të tjerë në Evropë shkojnë edhe me mushka dhe përsëri nuk bëhet hataja…, edhe njerëzit në hall dhe me ngjyrë shkojnë a degdisin këmbëzbathur në Evropë dhe prapë “nuk bëhet hataja!?”…, po, tekefundit, kush më qenka Evropa…, a mos vallë e keni fjalën për atë “kurvën plakë” që, dikur moti, shqiptarëve myslimanë, katolikë, ortodoksë e bektashinj ua mori, hajt më mirë të themi, ua zaptoi truallin…, paçka se në Evropë mund të shkosh edhe nëpërmjet Londrës dhe Brukselit…, paçka se ca “shpëtimtarë të këtij populli kreshnik pa brekë” (Mitrush Kuteli) transferuan lekët në “Avrupë” dhe prapëseprapë nuk u bë hataja…, paçka se “agai i jeniçerëve politikë” iku në Evropë me strajcën në krah të mbushur me lekët e miletit…, dhe prapëseprapë nuk u bë hataja…, paçka se në Evropë shkuan edhe “patriotët kombëtarë”.., dhe prapëseprapë nuk u bë hataja.., paçka se në Evropë na iku edhe rinia jonë e arsimuar dhe, prapëseprapë, “nuk u bë hataja”, paçka se bashkëqytetarët e mi shkuan në Evropë me pasaportë të shtetit biblik…, prapëseprapë nuk u bë hataja…, paçka se në kontinentin e vjetër shkojnë “ambasadorët” e fjalës së shkruar…, prapëseprapë “nuk u bë hataja me a pahir”, paçka se Elina Duni, kjo goca çapkëne nga Tirana, shkon në Evropë me ato refrenet e këngës: “Do marr çiften, more, do dal për gjah, jaman shoko, jaman aman. Do marr çiften moj do dal për gjah, jaman shoqe, moj, o jaman”, paçka se ky Ilir Shaqiri shkon në Evropë t’u këndojë kurbetçinjve refrenet e këngës, “Moj Shqipni të qofsha falë, jam Evropë…, Moj Evropë” e të tjera, nuk u bë hataja…, paçka se Evropa, kur është fjala për shqiptarët dhe të tjerët përafërsisht si ata, mban mendjen dhe shikimin mënjanë…, nuk u bë hataja…, tekefundit, gjithsecili ka të drejtë të shkojë në Evropë, qoftë me opinga, qoftë me këpucë allafrënga, qoftë me sahat xhepi me zemberek të prishur…, është zgjedhja e tij demokratike, zgjedhje e farës së fisit.

Dhe, sot e gjithë ditën e Perëndisë, të mëtosh të shkosh në Evropë me “Shkupi 2014”, i cili aq shumë u paragjykua, aq shumë u përfol, aq shumë u kritikua dhe aq shumë u shtrembërua, saqë në fund i doli edhe ajo pak ngjyrë e zbehtë që i kishte mbetur…, të mëtosh të shkosh në Evropë është një interpretim idealist, utopist a edhe subjektiv…, të mëtosh të shkosh në Evropë me atë “brendin e ajvarit, me specat e kuq të Strumicës si dhe me groshën qorre të Tetovës”…, është paksa vetadhurim a “vetbegenisje”, të mëtosh të shkosh në Evropë me një president, i cili, duke shkelur me dy këmbë Ligjin themelor të shtetit dhe duke hequr fajësinë e politikanëve kleptomanë, është “eshekllëk”, të mëtosh po edhe të pretendosh të zësh vend dhe rend para dyerve të familjes euroatlantike me mendësi të vjetër dhe fshatareske…, është çmenduri…, të mëtosh a edhe të synosh të familjarizohesh me Evropën, me emër, me kulturë, me gjuhë, me kishë, me gjeografi fizike, me gjeografi politike si dhe me gjeografi historike, gjithsesi të kontestuar dhe të adoptuar…, është njësoj sikur t’ia heqësh shalën biçikletës, e mandej aty të vësh bythën dhe të garosh në garat e çiklizmit Tour de France!?…, kjo i vjen njësoj sikur të falësh namazin pa avdes…, të mëtosh e të synosh të shkosh në kontinentin e vjetër me sheshin e Shkupit, i cili është shndërruar në një strehë lapidarësh, një shesh i stërngarkuar me gjithfarë përmendoresh dedikuar figurave greke, serbe, bullgare e të tjerë, mua s’ma kap mendja.., nuk shkohet në Evropë me patllaken e me dyfekun që nuk shkrep…, të mëtosh dhe të synosh të shkosh në Evropë, nëpërmjet kalldrëmesh me zhavorr është njësoj sikur të marrësh udhë deri në Tabanoc, Gueshevë, Idomeni, Qafë Thanë, Jazhincë dhe nuk e di se në cilin vendkalim tjetër për këmbësorë dhe traktorë (të ngarkuar me lakra të egra e të buta, speca dhe tranguj vendorë).

Ju, lexues dhe miq të mi të nderuar, po të më pyetni mua se a do shkoj në Avrupë, po ju them se nuk do të shkoj…, po edhe sikur të ma japin dhe lapidarin e Pjetër Bogdanit, datëlindja e të cilit u denigrua ende pa u vendosur diku në sheshin e kryeqendrës së shtetit…, nuk shkoj sepse kam frikë se më del si ajo puna e atij puro gjirokastriti, i cili kishte vendosur t’i bëjë dasmë çunit të tij të përkëdhelur…, me krushqi të huazuar dhe të paguar…, kam frikë se mos më del shkrimi si ajo vakia e gocës nga malësia e Shkodrës, që kur kishte shkuar të mbushte ujë bunari, çunit që e kishte përballë i kishte thënë: “Në do ma mbash testinë, do ta japë fikun e bahçes së gjyshes sime…,” dhe çunit i ra testija nga dora…, dhe çuni mbeti pa fikun e gocës!

Sikur sot ta pyesnim Hasan Prishtinën, Jeronim de Radën, Josip Bagerin, Pjetër Bogdanin, Nexhat Agollin, Adem Jasharin dhe shumë të tjerë, se a doni t’u ngremë përmendore prej bronci në shesh të Shkupit a edhe të Tetovës, ata në korr do të jepnin këtë xhevap: “Paratë, që keni ndërmend, t’i derdhni për lapidarë, ndërtoni nja dy a tre shkolla të vockla për fëmijët e vockël shqiptarë…, dhe nëse lekët do t’u teprojnë, për riza të Zotit, meremetoni binatë e ca shkollave  mesjetare…, shkolla prej kohësh të harruara..!?

AMICUS PLATO, SED MAGIS AMICA (EST) VERITAS (E dua Platonin, por më shumë e dua të vërtetën!”…, po cila është e vërteta jonë, shqiptare?!

Filed Under: Analiza Tagged With: Evrope, Fadil Lushi, Lapidare

B.E. Dështimi i bisedimeve për reformën në drejtësi “një rast i humbur

June 7, 2016 by dgreca

Bashkimi Evropian e quajti një “rast të humbur” dështimin e bisedimeve të politikanëve shqiptarë për të arritur një marrëveshje për reformën në drejtësi, që do të dëmtojë hapat e ardhshëm të Shqipërisë drejt integrimit në B.E.

Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duke folur sot (të martën) me gazetarët në Bruksel, tha se “takimi i djeshëm ishte një rast i humbur. Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar: kjo reformë duhet të miratohet”.

Zëdhënësja Kocijancic tha se projekt-ligji “është në përputhje me standartet ndërkombëtare” dhe ajo u bëri thirrje politikanëve shqiptarë të rifillojnë bisedimet.

Demokratët e opozitës hezitojnë të japin miratimin e tyre. Votat e demokratëve janë të nevojshme për të siguruar miratimin e ndryshimeve kushtetuese në parlament.

 Opozita: Varianti ynë ai i ndërkombëtarëve

Mblidhet grupi parlamentar demokrat pas dështimit të takimit Rama-Basha. Paralajmërim deputetëve: Rrjedhja e votave pro Reformës do çojë në djegien e mandateve

Një ditë pas dështimit të takimit me kryeministrin Edi Rama për Reformën në Drejtësi opozita këmbëngul se ajo ka mbrijtur një variant të propozuar nga ndërkombëtarët

“Opozita votoi variantin që ia kanë kërkuar ndërkombëtarët, që e kanë sugjeruar ata, që ia kanë premtuar ndërkombëtarët. Të gjitha të tjerat janë trillime, mashtrime të paskrupullta të cilitdo që t’i bëjë. Se duhet të them që është mjerane kur një përfaqësues ndërkombëtar i raporton qeverisë së tij të kundërtën e asaj që ka thënë vetë”, deklaroi në përfundim të mbledhjes ish kryeministri Sali Berisha.

Edhe brenda takimit të zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se nuk kanë munguar kritikat ndaj disa përfaqësuesve ndërkombëtarë, ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha citohet të ketë thënë se nëse do të jetë e nevojshme do të publikohen edhe shkëmbimet e email-eve.

Në mbledhje mësohet të ketë zënë vend kryesor edhe qëndrimi i demokratëve, veçanërisht pas deklaratës së mbrëmshme të kryeministrit Rama se projekti i Reformës do të shkojë menjëherë në parlament për t’u votuar, Kryetari Basha ka paralajmëruar se nëse do të ketë rrjedhje nga radhët e deputetëve të tij atëherë Partia demokratike do të mund të marrë edhe vendimin ekstrem të djegies së mandateve.

Tiranë: Takimi Rama – Basha, komentojnë studiuesit e politikës


Mbyllja pa marrëveshje mbi reformimin e sistemit të drejtësisë e takimit të djeshëm mes qeverisë dhe opozitës është për vëzhguesit e politikës shqiptare një dështim i pritur dhe rezultat logjik i ecurisë së këtij procesi, pavarësisht angazhimit serioz të faktorit ndërkombëtar; SHBA dhe BE.

Dr. Romeo Gurakuqi, drejtor i shkollës doktorale në UET, thotë që ngjarja e fundit tregoi se Shqipëria ka nevojë për një reformë të thellë institucionale, që duhet të përfshijë sistemin e drejtësisë dhe të gjithë republikën.

“Një reformë e sistemit të drejtësisë, e kontrolluar në një masë të madhe nga parlamenti dhe nga partitë politike, dhe një reformë e ndërtuar, pavarësisht mbështetjes së ndërkombëtarëve, qysh në fillesë nga faktorë, të cilët janë të lidhur me partitë politike të ekstremit të majtë, unë mendoj që rezultati do të ishte ky që ndodhi. Edhe mënyra se si u organizua takimi, edhe mënyra se si ka ndryshuar përbërja e delegacioneve në minutën e fundit tregon që midis palëve ka një mungesë besimi të theksuar. Nuk e kanë marrë seriozisht atë çfarë duhej të bënin dhe atë çfarë priste publiku” – thotë zoti Gurakuqi.

Takimi ngalli shpresa pas zvarritjes dy vjet të reformës dhe deklaratave të forta të partnerëve ndërkombëtare amerianë dhe europianë, si dhe kur u tha se palët ranë dakord për disa pika bazë.

Por studiuesi shkencave sociale në po atë universitet, dr.Roland Lami, thotë se takimi i djeshëm ishte zhgënjyes.

“Palët kanë zgjedhur që ato gjëra që i thonë në publik t’i thonë edhe një herë ballë për ballë me njëri tjetrin dhe të bëjnë më pak mund për të gjetur gjuhën e përbashkët me njëri-tjetrin dhe më shumë përpjekje për të treguar se kush e do më shumë reformën dhe kush e do më pak reformën. është zhgënyjese për ne si qytetarë, dhe për partnerët tanë strategjikë, të cilët kanë investuar për këtë reformë dhe ka një kosto për ne kjo e gjitha, si në afrimin me Be-në ashtu edhe në marrëdhëniet me SHBA-të” – tha zoti Lami.

Nevoja për t’u rikonceptuar çdo institucion i republikës demokratike, thotë dr. Gurakuqi vjen sepse në Shqipëri të drejtat e njeriut shkelen në mënyrë masive si nga mungesa e shtetit të së drejtës ashtu edhe nga mënyra se si jepet drejtësia në gjykata.

“Ne jemi një republikë parlamentare me një asambleizëm të copëtuar politik, me një fragmentim të theksuar të partive politike, me një korrupsion të lartë. Ne kemi një situatë shumë të rënduar të krimit të organizuar dhe të krimit në përgjithësi, kemi edhe lidhje të politikës me krimin e organizuar dhe kemi një situatë të rënies së republikës për shkak të rënies së incizimeve të paakorduara nga ligji, nga ente private, të cilat kanë skanuar të gjithë territorin për qëllime ogurzeza. Kjo e ka rënduar situatën dhe republika ndodhet në rrezik. Si rregullt, në raste të tilla, partitë duhet të merren vesh për një gjë tjetër; për të reformuar jo vetëm drejtësinë, por edhe të gjithë republikën në pikëpamje institucionale” – tha zoti Gurakuqi.

Qëndrimet e të dy palëve ndaj reformës në drejtësi kanë pikëpyetje mendojnë studiuesit dhe ato nuk sqarohen më thellë; për shembull PD, thotë dr. Lami, duhet të sqarojë pse faktori ndërkombëtar këmbëngul që opozita të heqë ngurrimin për të përparuar me këtë reformë, sepse deri tani po lë të kuptohet se është opozita ajo që nuk e do reformën e drejtësisë.

Por në fakt të dyja palët po bëjnë prova force në vend që të bëjnë prova tolerance, shtoi ai.

“Është i papranueshëm qëndrimi i liderit të maxhorancës, zotit Rama, i cili pas takimit deklaroi se tashmë shumica do ta dërgojë projektin e amendamenteve në parlament. Por ne e dimë që nëse nuk jepet dakordësia nga opozita, atëherë nuk bëhen 94 vota. Atëherë ti ke vajtur për të negociuar, a i ke shterruar të gjitha alternativat, a i ke shterruar të gjitha hapësirat që del me këtë deklaratë, apo edhe ti nuk e do këtë reformë? Unë dyshoj se këta të dy nuk e duan këtë reformë, se duan ta zgjasin, pavarësisht se kush është më interesant në argumenta, apo se kush gjen më shumë artificat, apo kush lobon më shumë te faktori ndërkombëtar. Thelbi, për mua është që të dy palët nuk kanë vullnet për ta kaluar këtë reformë. Është lajm i keq për të gjithë ne” – tha zoti Lami.

Të dy studiuesit besojnë se reforma themelore si ajo e drejtësisë dhe fusha të tjera kryhen nga njerëz të paanshëm që angazhohen me konsensus të përgjithshëm.

Ata mund të krijojnë ekuilibra të reja midis institucioneve që dështojnë në hapat demokratike, por deri atëherë duhet më së pari mirëkuptimi i partive, i cili mungon thuajse gjithmonë.(Kortezi:VOA)

Filed Under: Opinion Tagged With: analistet, Be, Bisedimet Rama-Basha

Bashkëpunimi ndërkufitarë Kosovë-Shqipëri

June 7, 2016 by dgreca

Gjakovë-Tropojë-Has dhe Prizren-Kukës /

Shkruan: arch. Ylber Vokshi -Ylli/

Ndoshta mundem të jam paksa emotiv apo subjektiv, por fillimi i realizimit të projektit për funksionalizimin e bashkëpunimi ndërkufitarë Kosovë-Shqipëri,është e arritura ma e madhe profesionale e Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e Planifikimit Hapësinorë në dekadat e fundit,me një rëndësie të veçantë për të dy shtetet.

Para dhjetë (10) vite,në vlugun e përgatitjeve për përpilimin e Dokumenteve Hapësinore të Komunës së Gjakovës, iu kisha sugjeruar vendimmarrësve komunal të atëhershëm kthimin e lidhjeve ekonomike me Malësinë e Gjakovës, gjegjësisht me Shqipërinë,si mundësi reale për zhvillimin ma intensiv të territorit të dy shteteve. Asgjë konkrete nuk ndodhi këto vite, edhe se kushtet dhe rrethanat politike ndërkombëtare tërësisht kishin ndryshuar.

Evropa e bashkuar synim kryesor edhe sot e ka “zhdukjen”apo “shkrirjen”e kufijve ndërshtetëror,që në të ardhmen nuk duhet të jenë barriera të bashkëpunimit ndërkufitar në mes shteteve. Këto lëvizje pozitive duhet shfrytëzuar në maksimum populli ynë,këtë mundësi duhet funksionalizuar për me ia kthye namin e dikurshëm që historikisht e ka pasur Malësia e Gjakovës.

Isha i ri kur nga të vjetrit dëgjoja ndodhi të shumta se si ka funksionuar Malësia e Gjakovës dhe Malësia e Madhe me Shkodren,si një tërësi hapësinore kompakte me shekuj,e cila dhunshëm u ndërpre me vendimet fuqive të mëdha botërore në shekullin e kaluar. Qyteti i Gjakovës ekskluzivisht zhvillimin e vetë ekonomik dhe shpirtëror e ka pasur të ndërlidhur me Malësinë e saj dhe atë të Shkodrës.

Dalja në det ka qenë një favor i madh për tërë rajonin dikur, pasi mundësitë furnizuese të lidhnin me tërë botën nëpër mes detit,liqenit dhe lumit Buna ishin të hapura. Sot gjeneratat e reja vetëm kanë filluar ti përjetojnë favoret që i mundëson kjo lidhje territoriale vetëm në fushën e turizmit,e ku janë mundësitë tjera ekonomike që ende nuk kanë filluar të shfrytëzohen.

Të dy qytetet kryesore të saj Shkodra dhe Gjakova kanë funksionuar si një tërësi në të gjitha fushat e jetës urbane të identifikuara me Çarshinë e Madhe të Gjakovës dhe Qendrën historike, administrative dhe kulturore të Shkodrës ,që kanë influencuar në të gjithë territoret Shqiptare në shekujt e kaluar.

Malësia e Gjakovës ka funksionuar si një tërësi me shekuj në të gjitha aspektet, pasi ky bashkëpunimi ka të bëjë me rrënjët historike,me traditën,zakonet,kulturën,                                                                                                                                                                  tregtinë etj. E pa shpjegueshme ishte se si u veprua me këto territore në shekullin e kaluar nga aspekti hapësinor,por kjo ka ndodhur shpesh në Ballkan. Riaktivizimi i lidhjeve ekonomike dhe tregtare, do të ishte një rizgjim natyrore në mes të saj me Malësinë e Madhe të Shkodrës. Një zgjerim i një tregu të përbashkët i cili ka funksionuar perfekt dikur,natyrisht përshtatja me rregullat e reja të ekonomisë së tregut është e domosdoshme.

Parapërgatitjet për këto iniciativa filluan që në vitin 2014. Punët intensive për përgatitjen e kornizës strategjike “Zhvillimi social-ekonomik i zonës Gjakovë – Has – Tropojë” vazhduan në Tiranë në Fondin Shqiptar të Zhvillimit në mars 2015, për t’u aprovuar si dokument strategjik në takimet e kaluara të radhës së dy Qeverive, Shqipëri dhe Kosovë. Qëllimi parësorë ishte për të nisur sa më parë me iniciativa konkrete bashkëpunimi. E rëndësishme ishte se ishte tejkaluar ajo barriera psikologjike e ngulitur në kokat e njerëzve, si pasojë e ndarjes mbi njëshekullore të ati territori në shekullin e kaluar.

Me të drejtë potencoi kryetarja e Komunë së Gjakovës,z. Mimoza Kusari-Lila se: “Është koha të korrigjojmë padrejtësitë historike lidhur me krijimin e mundësive për zhvillim të ndërsjellë në komunat këndej e andej kufirit. Duhet punuar në jetësimin e procesit të zhvillimit të qëndrueshëm në të dy anët e kufirit, sepse në këtë formë do të ngrihet mirëqenia e banorëve të Gjakovës, Hasit dhe Tropojës”. Këtë ajo e deklaroi në Prill 2015 në një takim pune në Gjakovë, me zyrtarët e pushteteve lokale dhe biznesmenëve gjakovarë, hasjanë e tropojanë për të zhvilluar ekonomikisht këto zona. Theksi parësorë u potencua në mundësitë e mëdha të angazhimit gjithëpërfshirës,pasi ka potencialet reale që duhen shfrytëzuar, për zhvillimin socio-ekonomik të zonës ndërkufitare,u hodhën ide për  projekte të përbashkëta në fushën e bujqësisë,                                                                    pemëtarisë,energjetikës,turizmit,artizanateve etj.

Ishte inkurajues përzgjedhja dhe prezantimi publik i projekteve fituese në konkurs,që u bë në Gjakovë këtyre ditëve të fundit të muajit Maj (28).  Përfituesit e këtij konkursi do të jenë banorët e hapësirës rajonale Shqipëri-Kosovë,projekt idetë do të përdoren si shtytëse, për zhvillimin dhe promovimin e rajonit. Është kjo përpjekje konkrete për zhvillimin e integruar të këtyre zonave. Kjo u zyrtarizua në mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë më 3 Qershor në Prishtinë, me nënshkrimin e “Marrëveshjes për Partneritet për bashkëpunimin ndërkufitar”.

Pa dyshim kjo hapë rrugën për përpilimin e projekteve të shumta realiste dhe konkurrimin në fonde shtetërore të dy Qeverive,si dhe thithjen e mjeteve të shumta që ofrojnë donatorët vendor,e posaçërisht ata ndërkombëtarë,si është Bashkimi Evropian,Banka Botërore,Banka e Këshillit të Evropës, Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin Rural (IFAD) etj.

Faza e parë e projektit u përmbyll me sukses falë angazhimit të paparë të strukturave komunale të qytetit të Gjakovës, në krye me kryetaren energjike z. Mimoza Kusari-Lila. Kontributi i ambasadorit Minxhozi dhe strukturave udhëheqëse të komunave të përfshira në projekt nga ana e Shqipërisë, janë shumë të rëndësishme në zhvillimin e projektit. Nga aspekti operativ kjo ishte faza ma e rëndësishme ku definohet strategjia e mëtutjeshme për zbërthimin e projektit,ku ne si shoqëri gjithnjë kemi çaluar. Fazat tjera operative po ashtu janë të rëndësishme dhe uroi që ky projekt, i një rëndësie të veçantë për të dy shtetet të realizohet, në tërësi me etapa dhe afate kohore realiste.

Jam i vetëdijshëm se ndarja e një tërësie funksionale territoriale mbi një shekull, nuk mundet të korrigjohet me shkop magjik,por rifillimi i bashkëpunimit ndërkufitar në mes të Shqipërisë dhe Kosovës,posaçërisht në zonat Gjakovë-Tropojë-Has dhe Prizren-Kukës,që dikur ishin shumë aktive,do të ndikon pozitivisht në zhvillimin e tyre në të gjitha aspektet,në të dy anët e kufirit Shqiptaro-Shqiptar drejt integrimeve Evropiane. Jemi të vetëdijshëm se të dy shtetet për momentin nuk kanë ndonjë projekte madhor të rëndësishme për zbatim,ka shumë vështirësi operative,se pari duhet ndryshuar mentalitetin provincial e besa edhe korruptim,e pastaj duhet punuar shumë me profesionalizëm të lartë për të arritur caqet e synuara,çka nuk ka ndodhur përpara.

Me punë të përkushtuar profesionale,bashkëpunim të ndërsjellë,të vetëdijshëm se posedojmë resurse të mëdha natyrore,si mbi tokë ashtu edhe në nëntokë,jam i bindur se do të joshim investitorë serioz vendor dhe të huaj, dhe do të kemi mbështetje financiare nga institucionet shtetërore dhe ndërkombëtare në të ardhmen.

Prishtinë                                                                             arch. Ylber Vokshi -Ylli

07.06.2016                                                                             arkitekt i pavarur

ylberv@yahoo.com

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK),

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, Bashkëpunimi ndërkufitarë Kosovë-Shqipëri

Shqipëri-Kosovë, korridor i përbashkët i tranzitit

June 7, 2016 by dgreca

-Ministri Kosovar i Financave, Avdullah Hoti, në Vjenë: Kosova në kuadër të reformave, strategji shkëmbimi informatash me vendet e tjera/

-Shqipëri-Kosovë, korridor i përbashkët i tranzitit  që është në funksion nga viti 2015 dhe ka treguar rezultate të prekshme/

PRISHTINË, 7 Qershor 206 -B.Jashari/ “Kosova në kuadër të reformave që ka bërë ka krijuar mekanizma të bashkëpunimit në mes të institucioneve të përcaktuara me legjislacionin vendor, si dhe ndërtuar strategjinë e shkëmbimit të informatave me vendet e tjera”, ka thënë ministri Kosovar i Financave, Avdullah Hoti, gjatë vizitës së tij në Vjenë, Austri, ku po merr pjesë në punëtorinë “Plani i përbashkët i veprimit për integrimin e Ballkanit perëndimorë në fushën e tregtisë dhe transportit”, të organizuar nga Banka Botërore.

Në fjalën e mbajtur, thekson njoftimi i dëeguar, ai bëri të ditur se, “trajtimi i mallrave në kufi me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të mallrave-tregtisë dhe transporti bëhet përmes qasjes së menaxhimit të riskut, që mundëson kontrollin selektiv dhe uljen e numrit të ekzaminimeve në kufi në masën 10 për qind.  Që d.m.th. se 90 për qind e importeve kalojnë në kanalin e gjelbër”.

Ndërsa, sa i përket korridorit të përbashkët të tranzitit me Shqipërinë, ministri Hoti bëri të ditur se, “bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ka iniciuar krijimin e korridorit të përbashkët të tranzitit  që është zbatuar dhe është në funksion që nga viti 2015 dhe ka treguar rezultate të prekshme, ku koha e nevojshme për një tranzit nga Durrësi në Kosovë është shkurtuar  nga 24 orë në vetëm disa minuta procedurë kufitare”.

“Do të ishte mirë që nga ky takim të dalim me iniciativë konkrete për të zgjeruar këtë formë të bashkëpunimit edhe me vendet e tjera, si kusht për një treg të integruar drejt Bashkimit Evropian”, vijoi ministri kosovar i Financave.

“Shembull i mirë i bashkëpunimit rajonal mund të merret projekti i Shkëmbimit të informatave i quajtur SEED, (Systematic exchange of Electronic data) i cili është duke u zbatuar nga të gjitha vendet e rajonit”, vlerësoi ministri Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se reformat në fushën fiskale që ka ndërmarrë qeveria e Kosovës në këto dy vitet e fundit, përveç që kanë krijuar një ambient dhe insentiva të mira për zhvillimin e biznesit, ato kanë ndikuar edhe në lehtësimin e tregtisë ndërkombëtare të mallrave dhe transportit duke eliminuar një numër të madh të dokumentacionit dhe mundësinë për deklarime dhe pagesa elektronike sa i përket procedurave të zhdoganimit.

“Një tregues i mirë në lehtësimin e procedurave është edhe njohja reciproke e licencave, certifikatave dhe lejeve të ndryshme në mes të vendeve të rajonit, e cila mund të përdoret si shembull i mirë në përcaktimin e objektivave të bashkëpunimit rajonal”, përfundoi ministri kosovar, Hoti.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: i përbashkët i tranzitit, korridor, Shqiperi Kosove

Minisrja Tahiri në Bruksel

June 7, 2016 by dgreca

-Do të diskutohet për bllokadën që Serbia po ia bënë zbatimit të marrëveshjes për telekomin përkatësisht kodit shtetëror telefonik për Republikën e Kosovës, pavarësimin Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe revitalizimin e urës mbi lumin Ibër të Mitrovicës/

 PRISHTINË, 7 Qershor 2016/ Ministrja për Dialog e qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri ka udhëtuar për Bruksel, me ç’rast do të ketë takim me Angelina Eichhorst, drejtore për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian. Në këtë takim do të diskutohet për bllokadën që Serbia po ia bënë zbatimit të marrëveshjes për telekomin përkatësisht kodit shtetëror telefonik për Republikën e Kosovës, pavarësimin Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe revitalizimin e urës mbi lumin Ibër të Mitrovicës.

“Këto marrëveshje janë arritur në kuadër të pakos së marrëveshjeve të Brukselit të nënshkruara më 25 gusht 2015, por zbatimi i tyre ka qenë shumë i limituar. Serbia përveç që është dashur të mos e pengojë marrjen e kodit shtetëror për Kosovën është dashur që të heq kundërshtimet e saj ndaj vendimit të ENTSO-E për pranimin e KOSTT-it si anëtar i barabartë me shtetet tjera. Poashtu kah fundi i këtij muaji, sipas marrëveshjes, Bashkimi Evropian duhet ta kryej revitalizimin e urës së Mitrovicës dhe ta hapë atë për automjete dhe këmbësorë”, thekson deklarata e dërguar.Ministrja Edita Tahiri gjithashtu do të takohet edhe me ndërmjetësit e BE-së për marrëveshjet e lartpërmendura dhe poashtu do të udhëheqë delegacionin e Kosovës në kuadër të takimit trilateral për kadastrin që do të mbahet në 8 qershor 2016./b.j/

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT