• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

PADITË E PAFAT…

June 7, 2016 by dgreca

Nga Rexhep KASUMAJ/Berlin/

Në Lincoln të Nebraskas së vitit 2007 bënte vjeshtë e florinjtë. Senatori Ernie Chambers ç’prej kohësh zgjohej i menduar. Por këtë herë ishte i prerë ta shpallte idenë e rrallë që bluante në vetmi. Një ide e çuditshme, e padëgjuar deri sot: për kurajon e tij dhe për subjektin e saj! Kishte vendosur të padiste Zotin.

Ankimet e tij ishin të shumta. Por, pothuaj asnjë prej tyre ngushtësisht personale. Ai qahej, vuante e rebelohej për fatkeqësitë e njerëzisë anëpërtej rruzullimit. Luftëra, gjak, lot e vaj, varfëri, uri kronike, refugjatë pa shtëpi e atdhe, tërmet, përmbytje, tirani vrastare, përndjekje, shtypje, burgje ku ngujohet liria, kufi me roja e qenër, trafikim shpirtërash, krim ordinar, shpërndarje e panjëjtë e pasurisë së botës, që, mbase, përgjithsisht do  rezymohej figurshëm n’vargun e madh të një poeti kontravers ballkanës:  “kam parë njerëz të armatosur të varfës që arrestojnë njerëz të lidhur të varfër”…Dhe për këtë babël të kqijash që gërryejnë jetën e botën, ai akuzonte – Zotin!

Shqetësimi i tij, pra, një ditë do nismëtohej: i hyri punës të mblidhte e koheziononte provat e pafund dhe, në formë padie, ti dorëzonte në gjykatë. Ndërsa priste verdiktin, bota vijonte të mbetej po ajo vjetranja. E pandryshuar në asnjë nga fletët e dosjes së tij vëllimore. Por përgjigja nuk vonoi shumë për ta zhgënjyer atë thellë. Shkresa që, posi deponimi i tij ankimor, ishte interesante, i kumtonte krejt shkurt: adresa e të paditurit është e panjohur!

Një paradigmë me Kosovën më vjen tani në heshtje, por njëj përmase tjetër. Njësoj e dhimbshme, veçse tepër e prekshme dhe reale…

Ndërkohë që froni i të parit gjendet në padukshmërinë e qiellit dhe dëshmitë nuk do i gjejnë kurrë bijtë e njeriut deri në të sosur të dhéut – të dytët jetojnë mes nesh dhe bëmat e tyre të zeza i dijnë edhe zogjët e malit.

Përse, ndaj, kur këta “zotërit” e vegjël të pushtetit toksorë që kanë identitet civil të njohur, adresë, madje shihen e takohen përditë në foltore, vetura të kushtueshme, aeroporte ndërkombëtare, vila prrallore, nuk u gjendet dot rezidimi glamuroz? Edhe po të mos ngurronte njeriu i shkretë i Kosovës (se instituisht kjo ngjan e pamundur, sepse institucionet janë ata vetë), të ngrinte një padi kundër idhujve të errësirës, përgjigja e gjykatës do vinte e ngjashme me atë që i pat  mbërritur amerikanit të deshpëruar: adresa e të paditurit është e panjohur!

Berlin, qershor 2016

Filed Under: Analiza

Përgjimet, pezullohet nga detyra kreu i Policisë Haki Çako

June 7, 2016 by dgreca

Gjykata ka vendosur pezullim nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, me akuzën e shpërdorimit të detyrës në kuadër të hetimit të një pajisjeje përgjimi në Policinë e Shtetit. Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje elektronike për shtetasit Artion Duka, me funksion Drejtor i Forcave Operacionale (FO) dhe Entiol Xhelilaj, specialist pranë FO-së, të dy të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Prokuroria e Tiranës, në kuadër të veprimeve hetimore të deritanishme, dyshon se këta persona, me veprime ose mosveprime, kanë lejuar aktivitet të kundërligjshëm përgjimi. Sipas Prokurorisë, Çako nuk ka marrë masat që i takojnë me ligj për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisjeje specifike, “IMSI Catcher”, e cila është sjellë në Shqipëri nga autoritetet italiane, për qëllime trajnimi, siç deklarohet nga të dyshuarit. “Nga hetimi ka rezultuar se gjatë seksioneve të praktikës është ndërhyrë disa herë në segmentin aparat fundor-antenë ligjore. Në hapësirën kohore të këtij veprimi, dyshohet se antena ligjore nuk regjistron aparatet fundore që tentojnë të lidhen me të. Pra, dyshohet se aparate celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të pajisjes ‘IMSI Catcher’”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Njoftimi i plotë i prokurorisë: Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën ndaluese “pezullim nga detyra” për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, për konsumimin e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në vijim të hetimit për dyshimet mbi ekzistencën e një pajisje përgjimi, e administruar në kundërshtim me ligjin nga ana e Policisë së Shtetit. Po me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje elektronike për shtetasit Artion Duka, me funksion Drejtor i Forcave Operacionale (FO) dhe Entiol Xhelilaj, specialist pranë FO-së, të dy të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Prokuroria e Tiranës, në kuadër të veprimeve hetimore të deritanishme, dyshon se këta persona, me veprime ose mosveprime, kanë lejuar aktivitet të kundërligjshëm përgjimi. Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për të provuar nëse, pas veprimeve të dyshuara si të kundërligjshme, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë. Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Forcë, ka nisur hetimin kryesisht, në bazë të një materiali procedural, sipas të cilit, Policia e Shtetit ka në dispozicion një pajisje përgjimi, “IMSI Catcher”. Sipas informacionit, kjo pajisje ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë pa autorizimin përkatës dhe mund të realizojë interceptime telefonike. Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin penal, në kuadër të cilave ka kryer një sërë veprimesh hetimore. Deri në këtë fazë të hetimit, ka rezultuar, në mënyrë të përmbledhur, si vijon: Shtetasi Haki Çako, në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, nuk ka marrë masat që i takojnë me ligj për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisje specifike, “IMSI Catcher”, e cila është sjellë në Shqipëri nga autoritetet italiane, për qëllime trajnimi, siç deklarohet nga të dyshuarit. Kjo pajisje ka hyrë në territorin e vendit tonë pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe, për më tepër, pa marrë autorizimin përkatës nga Prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla. Nga të dhënat e deklaruara nga të dyshuarit, kjo pajisje ka aftësi, ndër të tjera, që të identifikojë numrat IMEI të telefonave, e cila është një procedurë që i nënshtrohet legjislacionit për interceptimin. Nga hetimi ka rezultuar se gjatë seksioneve të praktikës është ndërhyrë disa herë në segmentin aparat fundor-antenë ligjore. Në hapësirën kohore të këtij veprimi, dyshohet se antena ligjore nuk regjistron aparatet fundore që tentojnë të lidhen me të. Pra, dyshohet se aparate celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të pajisjes “IMSI Catcher”. I dyshuari Çako, ka mbajtur në vijimësi qëndrim mohues ndaj faktit që kjo pajisje mund të jetë përdorur për përgjime të paligjshme. Por disa të dhëna hetimore, kanë krijuar dyshimin te Prokuroria e Tiranës se ky shtetas ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Haki Çako, kreu i Policisë, Përgjimet, pezullohet nga detyra

Prishtina edhe kryeqytet libri, hapet panairi tradicional

June 7, 2016 by dgreca

-Menjëherë pas luftës në Kosovë në vitin 1999, nga 17-22 nëntor, është organizuar panairi i parë i librit në Prishtinë, i cili ishte ndër aktivitetet e para kulturore në liri bashkë me një koncert të mbajtur në qytetin e Prizrenit të artistëve nga Kosova e Shqipëria/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 7 Qershor 2016/ Në Prishtinë, në Pallatin e Rinisë, u hap sonte Panairi i Librit, edicioni i 18-të, në të cilin deri në 12 qershor prezantohen mbi 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora shqiptare me mëse 1.200 tituj të rinj e rreth 4.500 të tjerë, të viteve të fundit.Në ceremoninë solemne të hapjes së panairit që e bën Prishtinën këtë javë edhe kryeqytet libri morën pjesë dhe përshëndetën edhe kryeministri i Kosovs, Isa Mustafa dhe zëvendësministri i Kulturës i Shqipërisë, Zef Çuni.

“Panairi tashmë tradicional i Prishtinës është shndërruar në ngjarje shumë të rëndësishme për Kosovën dhe për kulturën shqiptare”, u shpreh Mustafa, duke shtuar se, libri është udhërrëfyes i së ardhmes së Kosovës.

Në Panair, të vlerësuar edhe festë e librit dhe shenjë e identitetit, është tradicionale shënimi i përvjetorëve të personaliteteve të mëdha letrare shqiptare e botërore. Tradita, këtë vit, vazhdon me 450 vjetorin e lindjes së Pjetër Budit, 400 vjetorin e vdekjes së William Shakespeare, 400 vjetorin e vdekjes së Miguel Cervantesit, 150 vjetorin e lindjes së Ndre Mjedës, 150 vjetorin e lindjes së Andon Zako Çajupit, 100 vjetorin e lindjes së Mbretëreshës Geraldinë, 100 vjetorin e lindjes së Jusuf Vrionit, 100 vjetorin e lindjes së Esad Mekulit. Aktivitete i dedikohen edhe  90 vjetorit të lindjes së Kasëm Trebeshinës, 80 vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë, 80 vjetorit të lindjes së Rexhep Qosjes dhe 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit.

Panairi, sipas organizatorit – Shoqatës së Botuesve të Kosovës, pritet të ketë mëse 38.000 vizitorë, mes të cilëve edhe personalitete të shquara nga jeta letrare, akademike e politike.

Para 17 vitesh, menjëherë pas luftës në Kosovë në vitin 1999, nga 17-22 nëntor, është organizuar panairi i parë i librit në Prishtinë, i cili ishte ndër aktivitetet e para kulturore në liri bashkë me një koncert të mbajtur në qytetin e Prizrenit të artistëve nga Kosova e Shqipëria.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Behlul Jashari, hapet panairi tradicional, Prishtina edhe kryeqytet libri

“Kolaboracionistët grek projektuesit dhe udhëheqësit e genocidit në Çamëri”

June 7, 2016 by dgreca

Doli në qarkullim libri: “Kolaboracionistët grek projektuesit dhe udhëheqësit e genocidit në Çamëri” i historianit Arben P. Llalla. Në këtë libër autori sjellë fakte rreth Genocidit grek kundër popullsisë shqiptare në Çamëri si dhe dëshmi se nuk ka patur asnjëherë bashkëpunim kolektiv të popullsisë çame me pushtuesit italian dhe gjermanë, qëllimi i Genocidit grek ishte për të spastruar Çamërinë-Epirin e Jugut nga shqiptarët myslimanë, grabitja e pasurisë si dhe vendosja e refugjatëve ortodoksë të ardhur ndër vite nga Azia e Vogël.

Gjatë operacionit në shpërnguljen e hebrenjve të Janinës për në kampet e përqendrimit dhe shfarosjes, gjermanët në bashkëpunim me xhandarmërinë greke shpërngulën edhe dhjetëra çam antifashistë. Kjo tregon qartë se shqiptarët e Çamërisë ishin në anën e partizanëve grek.

Konservimi nga ana e shtetit grek, të shtëpive dhe tokës private që pronarë të vërtetë janë shqiptarët, tregon qartë se spastrimi etnik i Çamërisë nga elementi shqiptar ka patur prapavijë politike e pa mbështetur në asnjë fakt për akuzën e bashkëpunimit me gjermanët.

Pa një zgjidhje të çështjes kaq delikate çame nuk mund të ketë fqinjësi të mirë, miqësi të sinqertë midis grekëve dhe shqiptarëve të cilëve më shumë i bashkojnë lidhjet e interesave se sa i ndajnë.

Që mbi pasionin të dalë vlerësimi objektiv shkencor i dukurive dhe fakteve që parashtron e analizon, historiani Llalla sjellë rreth 60 fotografitë origjinale ku tregohet qartë bashkëpunimi i shtetit grek dhe klerikëve të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Greqisë me pushtuesit italian dhe gjermanë.

PASTHËNIA E AUTORIT

Nuk ka asnjë dokument dhe fotografi që vërteton bashkëpunimin e popullsisë shqiptare në Çamëri me pushtuesit italian dhe gjermanë gjatë viteve 1941-1945. Kanë bashkëpunuar me gjermanët individë dhe kjo është më se e logjikshme se çdo etnitet ka edhe njerëz të tillë. Në Greqinë e viteve 1941-1945, shumica e popullsisë, klerikë të lartë ortodoksë, politikanë, intelektualët grek, vlleh, sllavë bashkëpunuan me pushtuesit e Greqisë, bullgarët, italianët dhe gjermanët.

Të gjithë ato histori se ekzistojnë fotografi apo dokumenta që implikojnë popullsinë shqiptare në Çamëri si bashkëpunëtor të italianëve dhe gjermanëve nuk ekzistojnë, janë gënjeshtra, histori të shpikura. Teoria e bashkëpunimit të çamëve me gjermanët dhe italianët është teori e konspiracionit e cila u ndërtua nga vllehët për të mbuluar historinë e tyre të errët për Pavarësinë e Principatës së Pindit apo themelimin e shtetit të vllehve. Pas vitit 1944, politikanë, qeveritarë, kisha greke, historian, publicistë, etj., ju përveshën punës për të hedhur baltë mbi shqiptarët e Çamërisë. Nuk mund të vërtetohet apo të dokumentohet që shqiptarët e Çamërisë kanë bashkëpunuar me italianët dhe gjermanët, sepse historia e gënjeshtrës nuk mund të quhet histori e vërtetë. Asnjë akademik apo historian grek nuk ka vërtetuar shkencërisht bashkëpunimin e masës së gjerë të çamëve me italianët dhe gjermanët. Ata gjithnjë kanë ngritur akuza politike, një metodë klasike e njohur tashmë për tu mbyllur gojën atyre që thonë dhe mbrojnë të vërtetën.

Mundet të ketë pasur individë çamë që kanë qenë spiunë të gjermanëve, por nuk mundet të përfaqësojnë të tërë Çamërinë dhe të persekutohet një popull i tërë në emër të tyre edhe pse nuk është faktuar shkencërisht që kishte çamë spiunë. Bashkëpunimi i Dinojve me italianët dhe gjermanët është më se i logjikshëm nëse shihen me gjakftohtësi gjërat. Shteti grek u kishte sekuestruar pa të drejtë pasurinë e tyre të trashëguar dhe i kishte përzënë nga Greqia. Kështu, pushtimi i Greqisë nga Italia dhe Gjermania u shfrytëzua si një mundësi për tu rimarrë pasuria, për tu vendosur e drejta e pronës. Deri më sot ende nuk është vërtetuar se Dinojt bashkë me rojet e tyre që akuzohen se kanë bashkëpunuan me italianët dhe gjermanët të kenë marë pjesë në ndonjë masakër kundra grekëve. Grupacion i tyre jo i rregullt ushtarak kanë luajtur rolin e ruajtjes së rendit dhe qetësisë në vendbanimet shqiptare në Çamëri nga keqbërësit e shumtë që qarkullonin si pasojë e urisë së zezë që kishte kapur Greqinë ato vite.

Historiani grek Jorgos Margaritis shkruan se shqiptarët e Çamërisë u rreshtuan në Ushtrinë Çlirimtare Popullore Greke e Shqiptare në shifra rreth 3.000 njerëz.

Në fillim të vitit 1944, në Qeramicë të Filatit u krijua Batalioni IV i përbashkët shqiptaro-grek “Ali Demi” diku me 500 luftëtare, Batalioni hyri në përbërjen e Regjimentit te XV të Ushtrisë Nacional-çlirimtare greke. Në komandën e tij ishin Spiro Shqevi, Muharrem dhe Tahir Demi, Dervish Dojaka, Vehip Hyso, Ali Shane, Kasem Demi, Izet Osmani, Hasan Minga.

Nga Greqia u përzunë për mos tu kthyer më edhe ata shqiptar që ishin rradhitur në forcat partizane greke, një rast të tillë kemi të dokumentuar të prof.Petrit Demi, babai i politikanit të njohur Leonard Demit. Mësuesi Panajot I. Mici nga Finiqi, kujton se Petrit Musa Demi ishte partizan në rradhët e ushtrisë greke ELAS. Në Mars të vitit 1943, një grup partizanësh greke kishin qenë në disa fshatrat e minoritetit për t’i mbrojtur nga gjermanët. Midis këtyre partizanëve grek kishte qenë edhe Petrit Musa Demi. Minoritari Panajot I. Mici, ka edhe një foto të këtyre partizanëve ku tregon se cili ishte Petrit Musa Demi.

Nuk mund të ketë asnjëherë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë të grekëve me shqiptarët përderisa Greqia nuk kërkon falje për genocidin e 1944-1945. Greqia si anëtare e BE-s, NATO-s dhe e shumë organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut duhet t’ju kthejë pasurinë e grabitur çamëve dhe të krijojë kushtet e rehabilitimin në trojet e tyre. Por a do të rikthen ndonjëherë çamët në shtëpitë e tyre? Kjo pyetje ngjall pesimizëm dhe emocione të forta tek shqiptarët. Unë besoj se shqiptarët e Çamërisë do të rikthen një ditë sepse historia e botës ka njohur Perandorinë Romake e cila u zhduk me gjuhë e kulturë, kishim Perandorinë e Bizantit e cila u shpërbë, më tepër se 500 vjet Perandoria Osmane kishte pushtuar popujt e tjerë të Ballkanit e më gjerë dhe u tkurr. Për 50 vite kishim ndarjen e Gjermanisë, por një ditë ata u bashkuan, ashtu siç kishim Çeko-Sllovakinë të cilët u ndanë paqësisht.

Për rikthimin e çamëve në Çamëri nuk është se duhet të ndodhi ndonjë çudi, nuk është as e pamundur, por grekët dhe shqiptarët duhet të jenë të përgatitur që rikthimi të bëhet paqësisht, dhe mirësia e dashuria të mbretërojë përfundimisht midis dy fqinjëve që më shumë i lidhin gjërat me njeri-tjetrin se sa i ndajnë. Të mos harrojmë se grekët dhe shqiptarët kanë më shumë martesa midis tyre se me popujt e tjerë, ky është një fakt i pamohueshëm.

Tashmë e vërteta dihet, përse shqiptarët e Çamërisë u përzunë nga Greqia dhe ju hoq pa të drejtë shtetësia greke. Pas shumë vite kërkimesh dhe vizitash që kam bërë në Epirin grek, në disa fshatra që njihen historikisht si vendbanimet që kanë jetuar shqiptarët erdha në përfundimin se në shumicën e këtyre fshatrave janë vendosur vlleh dhe emigrantë të ardhur nga Azia e Vogël. Këta ardhacak u grabitën shqiptarëve të Epirit të Jugut, historinë e lavdishme, veshjen popullore, këngët, shtëpitë dhe pronat. Pjesa më e madhe e shqiptarëve ortodoks nga Çamëria emigruan për t’i shpëtuar racizmit shtetëror jashtë Greqisë dhe brenda saj, thellë në Athinë e Selanik. Disa familje ndërruan mbiemrat e tyre për të humbur gjurmët. Sot, shumë deputet dhe kryetar bashkie në Çamëri janë njerëz që vijnë nga familjet e vllehve që kanë qenë bashkëpunëtor të italianëve dhe gjermanëve dhe nuk u dënuar asnjëherë kolektivisht.

Historia e vërtetë, pavarësisht shtrembërimeve që mund t’i bëhet gjatë viteve, ajo nuk mund të zhbëhet, por do dali në sipërfaqe në vendin dhe kohën e duhur për t’na rikujtuar gëzimet apo dhimbjet që na ka shkaktuar.

Filed Under: Histori Tagged With: “Kolaboracionistët grek, arben llalla, dhe udhëheqësit e genocidit, ne cameri, projektuesit

Veç marrëveshje nuk dimë të bëjmë

June 7, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Që mijra shqiptarë e prisnin me dëshirë një marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës, nuk ka asnjë diskutim. Kjo me shpresën se më në fund edhe kultura politike shqiptare po tregon shenja maturimi, apo ngjajshmërie me atë të perëndimit. Si të thuash, edhe ne mundemi, edhe ne dimë të bisedojmë. Pasi veç bisedimit në tryezë, veç akordimeve të krahëve, asnjë front politik triumfator nuk e shpie dot vendin në progresin e dëshiruar apo atë të duhurin. Këtë duhet ta nguli mirë në mendje çdo parti, çdo forcë politike, apo cilido koalicion që shënohet në komisionet zgjedhore me qëllimin e qeverisjes së një vendi. Sado vota me shumicë të marri, prapë reformat e mëdha, ndërtimi i shtetit të fortë, do konsensus të madh.

Shqiptarët dje, nuk e treguan këtë. Nuk e bën dot. Nuk mundën.
Dhe përpos të gjithave, sot kanë dalë në ballkone dhe u shkundin qytetarëve pluhurin e qilimave.
Në fakt është një diskordancë e vjetër tashmë si pasojë e gjuhës së ashpër politike. Në gjithë këto vite të rrejshme të demokracisë shqiptare. Kësaj shtëpie me fëmijë lakmitarë që fshehin poshtë jastëkut vezët e ditës së verës. Eshtë një epidemi që ka pllakosur vendin më të varfër, për shkak të hipotekimit të postit a pushtetit, prej intelektualëve që edhe pse mburren me doktoraturat, përfundojnë në azilantë të politikës. Të pushtetarëve që edhe pse na i përplasin fytyrës krimin dhe ndëshkimin e maqinerisë së diktaturës, bëjnë aleanca me ta, madje demonstrojnë në mënyrë të shkëlqyer huqet dhe veset e saj. Po kjo na qënka Shqipëria jonë. Tashmë një katrahurë politike për shkak të të pangopurve për pushtet. Për shkak të vdekjes për së gjalli të kostumeve të hekurosura e kollarisura, kur një ruralizëm i tërë vuan mizerjen edhe pse rron akoma me lëmoshat e kurbetit.
Sot aty është krijuar një frymë mani njerëzore, ku qytetarët e shikojnë shtetin jo si krenari, por si të vetmin vend ku mund të vjedhësh, të pasurohesh, të vrasësh e të burgosësh…, vëllai-vëllain, shoku-shokun, qytetari-qytetarin dhe kundërshtarin politik.
Përse atëhere miliona shqiptarë e prisnin me drithmë një bashkëpunim të mirëfilltë.? Sepse e kanë kuptuar tashmë që edhe fuqia popull bëhet mish për top. Janë zënë në kurth, madje janë pjesë e një absurdi të madh të cilin kanë nisur e ta përkufizojnë me fjalët, nuk dimë më se kë të votojmë. E pritën me drithërimë pasi kujtuan se po ndodhte mrekullia. Por jo…
E para nuk mund të presësh konsensus nga një qeveritar i cili nuk dha asnjëherë një të tillë sa kohë që ishte opozitë. Sa kohë që solli në kuvendin e shqiptarëve njerëz me rekorde të krimit. Duke i shtuar historisë socialiste plot faqe të zeza…, në ndërtimin e shtetit të shqiptarëve. Duke e kthyer këtë vend në kohën e vullnetarëve të vrullit socialist, me fjalët…, tu qepemi kodrave edhe maleve e t’i bëjmë më pjellore se fushat. Aq sa nuk ngeli këmb çobani, druvari apo minatori pa u kthyer në një bujk i kanabisit.
E dyta nuk mund të presësh konsensus nga një opozitë e cila po kërkon të vijë në pushtet me humbësit e zgjedhjeve më të fundit.
E vetmja përvojë që mund të sjellin humbësit tek ne është ajo e humbjes. Ma lër edhe një herë të qëllojë. Pasi regresin më të madh në një shoqëri e sjellin pikërisht ata që nuk njohin anët e medaljes së sfidës.
Nga ana tjetër deklaron se ka rinovuar forcën politike me element të rinj deri në masën 35%. Kur duhet të ndodhi e kundërta. Nuk ka rinovim me këtë masë. Por me plotësuesin e saj që kap vlerën 100%, pra 65%.
E katërta, ne demokratëve nuk na ka hije të kundërshtojmë Europën. Marshuam në fund të shekullit të kaluar me aspiratat e saja. Liri demokraci. Përmbysëm një diktaturë duke thënë se e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Sot është turp e faqja e zezë që jemi armiq të saj. Ndërkohë që miliona shqiptarë janë pjesë e gjallë dhe vendim marrëse në zhvillimin. Apo edhe hallet e saja.
E pesta, nuk mund të presësh sukses me shitje e blerje votash apo deputetësh. Sado të mburret Rama qe do i gjej ato pak vota brenda kuvendit për të votur reformën. Nuk është e vështirë. Ne kemi plot histori suksesi të tilla. Madje e kemi dhe rrymë zhvillimi politik që shumë shpejt do kapi analet e Historisë politike me termin Hasanizim. Nuk i bën asgjë vendit një lojë e tillë mandatesh. Veçse u bën favore kuvendarëve që çojnë dhëndurrë ambasadorë. U fuqizon bizneset e të ardhurat etj. Vendi do mbetet përjetësisht në tranzicion. Me legjendarë të stanjacionit shoqëror të tipit Balla, Braçe, Palokë e Ristanë etj. Ndërsa neve, asgjë, veç ajo drithmë e përjetshme, ajo pritshmëri e ëndërrueshme për bashkëpunim. Ashtu si krejt normaliteti politik perëndimor.
Veç marrëveshje nuk dimë të bëjmë…, të tjerat i vdesim.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, nuk dimë të bëjmë, Veç marrëveshje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT