• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

Asnjë marrëveshje nga takimi Rama-Basha, palët fajësojnë njëra-tjetrën

June 6, 2016 by dgreca

*Rama: Nuk kemi ndërmend ta presim më PD/

*Basha: Rama donte vetëm një alibi/

*Berisha: Rama e shndërroi takimin bilateral në trilateral/

Kryeministri i vendit, Edi Rama në një deklaratë për mediat pas takimit të shumëpërfolur të zhvilluar sot me kreun e opozitës, Lulzim Basha bëri me dije se nga takimi nuk u arrit asnjë konsensus dhe PD nuk u bind për të votuar draftin e reformës në drejtësi, edhe pse ky draft sipas Ramës është hartuar bashkërisht nga opozita dhe mazhoranca me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë.

“Më vjen sinqerisht keq që nuk e bindëm dot Partinë Demokratike për të votuar së bashku draftin e nënshkruar bashkërisht me parterët strategjikë për reformën në drejtësi. Por më vjen mirë t’u them të gjithë shqiptarëve sot që bëra të gjitha përpjekjet e mundshme, i bëmë të gjitha përpjekjet e mundshme për t’u dhënë kundërshtarëve tanë mundësi reale kompromisi pa cenuar përmbajtjen thelbësore të projektit”

Dhe nuk flas vetëm për këto orë që kaluam, sot por kam parasysh një vit e gjysmë përpjekje për konsensus”, tha Rama.

Sipas Ramës, drafti që u vu në tryezë ishte ai i diskutuar në komisionin e reformës në drejtësi, i shoqëruar me një plan disapikësh nga ekspertët amerikanë dhe europianë, i pranuar 100 për qind nga mazhoranca me të gjitha kërkesat e opozitës përfshirë edhe shumicën e cilësuar prej 2/3. Por as kjo nuk e bindi opozitën, tha kryeministri, sipas të cilit tashmë PD nuk ka më asnjë justifikim përpara shqiptarëve dhe ndërkombëtareve.

Kryeministri tha më tej se me këtë qëndrim PD vërtetoi se nuk e do reformën në drejtësi, por kjo sipas Ramës nuk do të thotë se reforma nuk do të votohet. Ajo do të kalojë në kuvend ku do të votohet me apo pa opozitën.

“Unë nuk u habita se nuk hyj tek ata që mendoj se PD e do reformën në drejtësi. Ndaj kam qenë shumë më i duruar se asnjëherë tjetër dhe kam kërkuar me durimin më të madh, edhe aleati ynë në qeveri. Nuk kemi dashur t’i lëmë shteg PD për asnjë lloj justifikimi, as në sytë e shqiptarëve, as te ndërkombëtarëve. PD s’ka lënë marifet pa përdorur për ta zvarritur dhe ndryshuar thelbin e reformës.

Por sonte PD nuk u tregon dot as shqiptarëve, as Brukselit apo SHBA asnjë arsye që mund të justifikojë mosvotimin e kësaj reforme. Mendoj se PD nuk e do reformën, çka sot besoj se nuk ka njëri që ta mendoj ndryshe, por kjo nuk do të thotë akoma që PD nuk do ta votojë.

Ne nuk do ta presim më PD. Do të vazhdojmë në rrugën e vetme që kemi, por deri ditën e votës në Parlament, ka plot orë dhe jo pak ditë që demokratët të mos e humbasin bashkë me këtë tren. Pas këtij takimi, reforma do të shkojë drejt e në sallën e Parlamentit”, tha Rama.

Basha: Rama erdhi me fjalim të përgatitur. Jo për konsensus, donte vetëm një alibi

Kreu i Partisë Demokratike, në deklaratën e tij për mediat në fund të takimit me kryeministrin Edi Rama për reformën në drejtësi, u shpreh se nuk është PD ajo që pengon reformën, por është kryeministri i cili sipas tij erdhi në këtë takim me një fjalim të përgatitur qartazi, pa vullnetin më të vogël për të arritur në konsensus, vetëm për të pasur me vete një alibi.

“Sot ishte një test për reformën në drejtësi. Me siguri kryeministri ka shprehur këtu që është PD ajo që pengon reformën. Faktet tregojnë të kundërtën. Sot unë dhe bashkëpunëtorët e mi detajuam para kryeministrit propozimin tonë për vendet e rezervuara siç e kërkon Komisioni i  Venecias dhe e vetmja pikë që na ndan në draft. Kryeministri nuk pati asnjë argument kundër kësaj, thjesht nuk i pëlqen. Kjo është kapriço dhe mungesë vullneti që t’i japësh vendit reformën në drejtësi së bashku me opozitën. Mazhoranca erdhi me një fjalim të përgatitur, pa vullnet për zgjidhje, në përpjekje për të gjetur një alibi. Erdha këtu si përfaqësues i një brezi të ri dhe pavarësisht konfliktit politik që vjen nga keqqeverisja kjo nuk demonstron asgjë veç vullnetit të mirë”, tha Basha.

Kryedemokrati ritheksoi edhe një herë se e vetmja pikë ku opozita nuk mund të negociojë lidhur me këtë reforme është kapja politike e sistemit të drejtësisë që sipas tij është baza e çdo të keqeje.

“Një drejtësi që bëhet palë me kriminelin, të korruptuarin është dramë dhe pasojë e korrupsionit politik”, tha kryedemokrati.

Ai paralajmëroi dështimin e kësaj reforme, nëse siç u shpreh kryeministri Rama, ajo dërgohet për t’u votuar në kuvend pa konsensusin e opozitës.

Berisha: Rama e shndërroi takimin bilateral në trilateral/

Ish-kryeministri Sali Berisha përmes një statusi të publikuar në faqen e vet në Facebook ka komentuar pjesëmarrjen e nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili në takimin e sotëm Rama-Basha. Sipas Berishës, Rama e shndërroi takimin bilateral në trelateral, ndërsa e ka cilësuar pjesëmarrjen e Vasilit në një takim të nivelit të tillë si shkelje të protokollit.

“Të dashur miq, takimin e thirrur si bilateral “PD – PS”, Edi Rama e ktheu në takim trelateral duke shkelur rëndë protokollin e takimeve të kësaj natyre. Cili është shkaku i këtij ndryshimi? Mundet qe Meta i ka nxjerre Ramës kartonin e kuq për koalicionin, mundet që Rama bëri këtë se do te ndaje me Metën bllokimin e reformës ose Meta e ka detyruar të ndaje me të suksesin!?

Sidoqoftë, kjo tregon se Rama shkoi ne takim i kompleksuar nga Basha. Kurse Basha ka përpara dy bashkëkryetarë të aleancës të vëllezërve armiq, të pasigurt me njeri-tjetrin por të pasigurt me veten e tyre!

Le te urojme të dashur miq një marrëveshje te ndershme në interesin më të mirë të shqiptarëve! sb”, shkruan Berisha.

Filed Under: Politike Tagged With: Asnjë marrëveshje nga takimi Rama-Basha, fajësojnë, njëra-tjetrën, palët

PERVJETORET E GAZETES DIELLI

June 6, 2016 by dgreca

Gazeta Dielli që vazhdon të publikohet në SHBA prej 107 vitesh ka luajtë një rol të rëndësishëm  për Kombin. Programi që publikoi Dielli në numrin e parë të 15 Shkurtit 1909 ndricoi Lëvizjen Kombëtare duke e nxitur një lëvizje për autonomi e pavarësi nga Turqia. Në kohën e Pavarësisë Dielli orientoi Kuvendin e Vlorës për një figurë perëndimore në krye të Shtetit. Në kohën e trazirave të luftës civile haxhiqamiliste  Dielli i Vatrës, sërish ndezi një qiri ndricimi për t’u hapë sytë shqiptarëve. Në kohën e Luftës së Parë Botërore, Dielli, si zë i fuqishëm i Vatrës, ndezi shpirtrat e shqiptarëve të Amerikës për  Shpëtimin e Shqipërisë, madje promovoi projektin për vendosjen e Shqipërisë nën protektoratin amerikan. Në të dyja fushatat e mëdha si atë në prag të Konferencës së Paqës, ku vatranët dhuruan kursimet e  tuyre duke fale rrogat e veta të një jave, dy javeve e deri në një muaj e më shumë, e duke grumbulluar 150 mijë dollarë,(që janë miliona dollarë me kursin e sotëm), si dhe në fushatën e Huasë Kombëtare(1920)  në ndihmë të Qeverisë së Kongresit të Lushnjës, ku Vatra ishet violinë e parë me Mehmet Konicën, Dr. Mihal Turtullin, me Koco Kotën, Dielli i nxiti sërish shqiptarët e  Amerikës të dhuronin për mosfalimentimin e shtetit shqiptar dhe grumbulluan një shumë prej  rreth 200 mijë dollarësh.  Për një kohë Dielli mbështeti Nolin për programin iluminsit, por kur kabineti i tij e humbi besmin e popullit, Dielli, si zë i Vatrës, kërkoi nga Noli të mbështetej Zogu, që të shpëtonte Shqipëria.  Kur Shqipëria u pushtua nga fashistët Dielli i Vatrës luftoi me armët e veta.

Kur Vatra do tëdërgonte bijtë e vet për të shpetuar Shqipërinë e Jugut nga andartët grekë, Dielli i vatrës i ndoqi me shkrime nga Durrësi në Tiranë, nga Elbasani në Korcë, Përmet  Gjirokastër, deri në Luftën e Vlorës, së bashku me djemtë e Bandës Muzikore të Vatrës.

Dy herë është ndaluar Dielli në rrugëtimin e tij të gjatë për më shumë se një shekull, një herë në kohën e Perandorisë më 1910(kur emrit Dielli i shtoi dhe Flamuri), dhe më vonë  u ndalua nga diktatura komuniste, kur Dielli dhe Vatra i kishin lotët e patharë nga pushkatimi, burgosja dhe internimi i vatranëve që qenë kthyer në Shqipëri për të shpëtuar Shqipërinë.

Përvjetorët e Diellit janë ktheyr në festa për Vatrën dhe vatarnët. Fotografia që po publikojmë i takon përvjetorit të 50-të të Diellit të Vatrës. Ishte viti 1959. Personat në fotografi përbënin komisionin e festës. Në qendër edhe Imzot Noli, editori i parë i Diellit. 10 vite më vonë, përvjetori i 60-të i Diellit do të shënonte një pikë kulmore: Bashkimin e shqiptarëve të Amerikës me Arbëreshët e Italisë dhe nacionalistët antikomunistë me në krye Ernest Koliqin, që u ishte ndaluar kthimi në Shqipëri. Festimet e 60 vjetorit patën nisë në Boston dhe patën përfunduar në Nju Jork, me paradë në Manhattan,NY, ekspoziat pikture të Ibrahim Kodrës dhe Lin Delisë, me meshë me të tre besimet ne Katedralen Snt Patrick, me Sesion shkencor dyditorë, me një darkë madhështore me më shumë se dymije vetë.(dg)

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, e Gazetes Dielli, PERVJETORET

Reforma në Drejtësi, takohet Rama-Basha

June 6, 2016 by dgreca

Në fokus Reforma në Drejtësi. Në ngërç çështja e formulës së emërimeve në institucionet e drejtësisë nga ana e parlamentit/

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë demokratike Lulzim Basha u takuan sot në një përpjekje për të përmbyllur reformën në Drejtësi. Takimi i sotëm është paraprirë nga një trysni e lartë ndërkombëtare, si nga Uashingtoni ashtu dhe Brukseli. Palët tanimë duket se ndahen vetëm në cështjen që lidhet me mënyrën e votimit nga parlamenti të anëtarëve të disa institucioneve të sistemit të Drejtësisë. Ndërkohë në takim pritet të diskutohet edhe për reformën zgjedhore, një pikë së cilës opozita i mëshon me forcë

Palët në tryezë u përfaqësuan me delegacione treshe. Kryeministri me në njërin krah me kryetarin e komisionit të Reformës në Drejtësi Fatmir Xhafën dhe në krahun tjetër Petrit Vasilin, kryearin e grupit parlamentar të LSI-së. Përballë, kryetari demokrat Basha ishte me Oerd Bylykbashin i cili së fundmi përfaqësoi opozitën në Komisionin e Reformës në Drejtësi e që është njëkohësisht dhe bashkëkryetar i komisionit për Reformën Zgjedhore. Me ta edhe kryetari i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka.

Takimi i sotëm vlerësohet si mundësia për t’i dhënë fund procesit të gjatë të Reformës në Drejtësi e për t’i hapur rrugë miratimit të saj në parlament. Prej më shumë se dy javësh, thuajse gjithshka ka mbetur pezull, pasi demokratët paraqitën propozime të reja, duke kërkuar thjeshtimin e arkitekturës së sistemit, ndërsa po ashtu çështja e emërimeve nga ana e parlamentit ishte ende në pritje të përzgjedhjes së formulave nga palët. Ndonëse kishin mbështetur pa rezerva tekstin e rishikuar mbi bazën e rekomandimeve të Komsionit të Venecias, nga ana e ekspertëve të tyre të OPDAT-it dhe EURALIUS-it, javën e shkuar, në përpjekje për të afruar qëndrimet e palëve, ambasadori amerikan Donald Lu dhe ajo e delegacionit të Komisionit europian Romana Vlahutin, paraqitën një variant të ri, ku sugjerohej shkurtimi i dy institucioneve të reja të parashikuara fillimisht si dhe votimi me dy tretat, deri në zgjedhjet e ardhshme, për emërimet në institucionet e Drejtësisë. Socialistët duket se janë të gatshëm t’i pranojnë këto propozime dhe dakortësinë për çështjen e dy të tretave e njoftoi publikisht kryeministri Rama, por opozita tani po këmbëngul për variantin e vendeve të rezervuara, që do të thotë emërime sipas vendeve që ndahen mes shumicës dhe opozitës. Ky variant nuk duket i preferuar për shumicën, pasi sipas saj do t’i jepte një ngjyrim të theksuar politik kandidatëve. Kjo duket të jetë dhe pika kryesore e cila po mban varur fatet e Reformës.

Sot ambasadori amerikan Donald Lu pati një tjetër takim me kryetarin demokrat Lulzim Basha. Javën e shkuar zoti Basha mori një telefonatë dhe nga ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për Europën dhe Euroazinë Victoria Nuland e cila theksoi se udhëheqësit politik shqiptar duhet ta përdorin takimin e sotëm “për të rënë dakort për miratimin e shpejtë të një reformë kuptimplotë dhe tërësore në Drejtësi”, ndërsa theksonte se kjo Reformë “mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së”. Në fakt dhe trysnia nga Brukseli nuk ka qenë më e pakët. Pas komisionerit për Politikat e fqinjësisë Johannes Hahn, dje edhe përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit europian, Federica Mogherini e cilësoi reformën si mundësinë për hapjen e një kapitulli të ri për Shqipërinë. Zonja Mogherini ishte e drejtpërdrejtë kur theksonte në deklaratën e saj se “propozimi ligjor që ndodhet tashmë para Kuvendit pasqyron rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe përputhet plotësisht me standartet evropiane”. Përfaqësuesja e Lartë europiane saktësonte gjithashtu se “është thelbësore që ky propozim të miratohet një shumicë prej 2/3 që kërkohet. Bëhet fjalë për një votë për të cilën çdo deputet i Kuvendit, i cilitdo grupimi politik, mban përgjegjësi të veçantë”. Ashtu si dhe Uashingtoni edhe Brukseli nënvizon se pret që takimi i sotëm të cojë në miratimin e Reformës.

Por bisedimet për Drejtësinë mund të kushtëzohen fort edhe nga cështja e Refromës zgjedhore, të cilën opozita po e rendit gjithnjë e më tepër si përparësinë e saj absolute, ndërsa këmbëngul në një process ku të garantohet votimi dhe numërimi elektronik.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Reforma ne Drejtesi, takohet Rama-Basha

Melia: Ndihma për reformën në drejtësi, përparësi e SHBA

June 6, 2016 by dgreca

Ne Foto:Ndihmës Administratori i USAID-it për Evropën dhe Euroazinë, Thomas Melia/

Një zyrtar i lartë i USAID-it thotë se është një nga përparësitë kryesore amerikane që të ndihmojë Shqipërinë në reformën e drejtësisë. Ndihmës Administratori i USAID-it për Evropën dhe Euroazinë, Thomas Melia tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, pas një udhëtimi në Ballkan se korrupsioni mbetet problem madhor për vendet e rajonit. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, zoti Melia tha se është në interesin e Shteteve të Bashkuara të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik dhe politik të rajonit, si një mënyrë për të eliminuar faktorët që ushqejnë radikalizmin.

Zëri i Amerikës: Zoti Melia, ju sapo jeni kthyer nga Ballkani, vizita e dytë atje që nga marsi. Sipas jush cilat janë disa nga sfidat e përbashkëta të vendeve të rajonit në rrugën drejt integrimit, luftën ndaj korrupsionit dhe konsolidimit të institucioneve?

Thomas Melia: Mendoj se ndonjëherë ne këtu në Uashington harrojmë, se sa të reja janë këto vende si shtete të pavarura. Kanë kaluar vetëm 25 vjet në disa raste dhe 10 në disa të tjera që këto vende janë sovrane dhe të lira. Kështuqë ato ende po ndërtojnë institucione bazë të qeverisjes, praktikën bazë të politikës publike dhe sigrisht ngaqë vijnë nga një trashëgimi komuniste, ende po përshtaten me të jetuarit në liri dhe po mësojnë se si të përballen me tregun e hapur, tregëtinë ndërkombëtare dhe sigurisht që ky është programi afatgjatë. Prandaj unë shoh mjaft përparim, dhe e kam vizituar rajonin herë pas here në këto 25 vjet dhe kur shkova këtë radhë në detyrën e re të ndihmës administratorit të USAID-it, pashë sesa përparim është bërë në ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik, por edhe se sa shumë punë mbetet ende për t’u bërë.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, ju njoftuat për fillimin e një projekti të ri për sektorin e drejtësisë dhe u bëtë thirrje udhëheqësve politikë, që të shmangin vonesat për zbatimin e reformave. Sipas mendimit tuaj, ku është vendi dhe politika përsa u takon reformave dhe përparimit?

Thomas Melia: Sigurisht është një përparësi kryesore e Shteteve të Bashkuara të ndihmojë Shqipërinë të përparojë drejt reformave të thella të mëtejshme ne sektorin e drejtësisë, ashtu si edhe në drejtime të tjera. Ambasadori Don Lu në Tiranë ka punuar në mënyrë aktive me homologët tanë evropianë, dhe Bashkimin Evropian në veçanti, për të nxitur dhe mbështetur ecjen përpara të procesit politik në Shqipëri. Në Shqipëri tani ka politikë të vërtetë, me perspektiva të ndryshme dhe prioritete të ndryshme që shprehen hapur çdo ditë në Shqipëri.

Procesi i finalizimit të reformës së rëndësishme të drejtësisë, po vazhdon. Kur unë isha atje Parlamenti filloi procesit e shqyrtimit të paketës kushtetuese, nen për nen. Ekspertët e qeverisë amerikane dhe ata të Bashkimit Evropianë kanë dhënë ekspertizën e tyre për këtë proces. Kështuqë, pasi fola me përfaqësues nga të dyja partitë kryesore, jam i bindur që ka një angazhim për ta çuar këtë proces përpara dhe deri në fund gjatë sesionit aktual parlamentar.

Zëri i Amerikës: Nga këndvështrimi i USAID-it, sa problem është korrupsioni për vendet e rajonit?

Thomas Melia: Është problem i jashtëzakonshëm, është shkatërrues, po frenon rritjen ekonomike dhe modernizimin në të gjitha vendet e rajonit. Një nga zgjidhjet është të ketë më shumë transparencë dhe një nga mënyrat e realizimit të saj është përdorimi i sistemeve elektronike nëpër ministri për shërbimet që ofrojnë, për aplikimet për patentat dhe për shumë lloje të tjera transaksionesh qeveritare në rrugë elektronike sepse kështu nga njëra anë eliminon komunikimin personal me zyrtarë të qeverisë nëse e kryen një veprim në internet, por kështu shmanget mundësia edhe që dikush të kërkojë një pagesë nën dorë për të kryer një shërbim që duhet kryer falas si shërbim publik. Prandaj shërbimet qeveritare elektronike janë një hap i rëndësishëm drejt transparencës dhe për elimnimin e kostove të transaksioneve që janë shpesh lidhja me korrupsionin. Kjo metodë po ndihmon në disa vende të rajonit si edhe përmirësime strukturore.

Zëri i Amerikës: Ju ishit në Kosovë në mars. Atje ka një mosbesim të publikut ndaj politikanëve dhe institucioneve, si edhe probleme të ngjashme me ato të vendeve të tjera të rajonit, si korrupsioni dhe shteti ligjor. USAID-i ka projekte në këtë drejtim dhe për ekonominë. Si e shihni gjendjen atje?

Thomas Melia: Kosova është vendi më i ri në rajon dhe Shtetet e Bashkuara po e mbështesin me forcë për të ndërtuar institucionet e një vendi sovran. Dhe si edhe vendet e tjera të rajonit, del nga një periudhë shtypjeje, gjë që e ka bërë vështirë për njerëzit të gjejnë balancën e duhur mes mosmarrëveshjeve për politikën dhe përparësive në një mënyrë konstruktive. Kështuqë, po shpesh politika mund të jetë e zjarrtë, disa herë në kuptimin e parë të fjalës dhe ne po përpiqemi të ndihmojmë që në Kosovë të merren vendime të informuara. Por një nga zgjidhjet për problemet e rajonit, është shpërndarje më e gjerë e mirëqenies. Bëhet fjalë për vende të vogla fqinjë që duhet të gjejnë mënyra për të bashkëpunuar për tregëti ndërkombëtare, siguri rajonale të energjisë, rrjete rajonale të tjera. Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe luftrave të viteve 90, do të jetë e vështirë por një nga zgjidhjet është ndarja më e balancuar e mirëqenies dhe për këtë qëllim, disa programe të USAID-it po ndihmojnë fermerët, infrastrukturën e bujqësisë dhe veçanërisht që standardet e prodhimit të këtyre vendeve të përputhen me ato të Bashkimit Evropiane dhe në Amerikë në mënyrë që të eksportohen më gjerë. Dhe po bëhet përparim në këtë drejtim në Kosovë dhe vende të tjera.

Zëri i Amerikës: Lidhur me rajonin, doja të flisnim pak për lidhjet mes radikalizimit dhe mungesës së zhvillimit. Megjithëse ky fenomen është problem për shumë vende në Evropë, ka disa ngjashmëri në vendet e Ballkanit si mungesa e mundësive ekonomike, institucione të dobëta. Megjithëse janë marrë masa kundër kësaj dukurie, si miratimi i ligjeve, arrestimet, problemet vazhdojnë. A shihni një lidhje mes mungesës së zhvillimit dhe radikalizimit?

Thomas Melia: Radikalizimi në pjesë të popullsisë, sidomos mes të rinjve që janë të papunë, mund të mos jenë shumë të arsimuar dhe ndjehen të përjashtuar në shoqëritë e tyre, është një problem real. NJë nga zgjidhjet strukturale është përmirësimi i ekonomisë, më shumë mundësi për njerëzit. Po ashtu duhet të ketë një ndjesi se qeveria punon në interes të publikut, se nuk po merret me aktivitete korruptive për të pasuruar zyrtarët qeveritarë, por se po punon për ta çuar përpara gjithë shoqërinë. Prandaj mendoj se pjesë e përgjigjes ndaj radikalizimit është përparimi ekonomik, stabiliteti politik, prandaj të gjitha programet tona në këtë drejtim janë.

Është një problem real në disa komunitete të caktuara që disa influenca ndërkombëtare, i kanë shtyrë njerëzit në drejtim të gabuar, duke i radikalizuar dhe duke i shtyrë drejt një këndvështrimi më ekstrem të Islamit. E kemi parë këtë në disa vende, si Shqipëri dhe Kosovë në veçanti, dhe në pjesë të Bosnjes.

Qeveritë po punojnë për ta zgjidhur këtë problem dhe nuk është vetëm problem i rendit, por i një integrimi social dhe arsimimi.Prandaj ne po punojmë me qeveri të rajonit dhe do të jetë një strategji rajonale sepse është problem rajonal.Një nga pasojat e të mangësive në zhvillimin ekonomik dhe social, është se krijon më shumë mundësi për radikalizim.

Prandaj, është e rëndësishme për ne Shtetet e Bashkuara, është në interesin tonë kombëtar që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të suksesshme ekonomikisht dhe politikisht, që të ketë më pak joshje, më pak shanse për radikalizim dhe për këtë arsye SHBA duhet ta shtojnë angazhimin e tyr. Kjo është në përputhje me programin tonë më të gjerë të zhvillimit dhe gjithmonë e më e rëndësishme në këtë moment, pasi vala e imigrantëve që ka përfshirë Ballkanin në 1-2 vitet e fundit, ka sjellë disa elemente radikale por edhe i ka sjellë problemet e Lindjes së Mesme në Ballkan.(Kortezi:VOA)

Filed Under: Interviste Tagged With: Melia: Ndihma për reformën në drejtësi, përparësi e SHBA

Kotzias në Tiranë: Një pjesë e çamëve bashkëpunuan me nazistët, Idrizi: Nazistët i ke në parlamentin grek!

June 6, 2016 by dgreca

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe homologu grek, Nikos Kotzias mbajtën një konferencë të përbashkët për median në ambientet e ministrisë së Jashtme Tiranë ndërsa jashtë vijonte protesta e çamëve.  

Sa i takon çështjes çame Bushati nënvizoi se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale por kërkon vendosjen në vend të një drejtësie të munguar. Nga ana e tij kryediplomati grek këmbëngul se disa çamë kanë bashkëpunuar me nazistët. Sa i takon heqjes së Ligjit të Luftës tha se ky do të jetë objekt diskutimi dhe në vijim.

Ditmir Bushati: Çështja çame është pjesë e kapitullit që e ka origjinën në Luftën e Dytë Botërore. Jemi vende fqinje dhe është deri diku normale për gjaknxehtësinë që kanë ballkanasit të kemi lexime të ndryshme për këtë çështje por dhe të tjera. Besojmë se një trajtim realist do të zbuste tonet nacionaliste dhe të rivendoste një drejtësi të munguar. Besoj se është momenti i mirë për të qenë më i qartë dhe i drejtëpërdrejtë se nuk bëhet fjalë për pretendime territoriale. Shqipëria nuk ka asnjë lloj pretendimi territorial ndaj Greqisë. Është një vend që ka firmosur aktin final të Helsinkit, e pranon dhe respekton Greqinë si një fqinj dinjitoz. Është mirënjohëse për mbështetjen që ka dhënë për integrimin, por qasja jonë ka të bëjë me respektimin e të drejtave themelore të kësaj popullsie çame dhe pasardhësve të tyre që në fakt ishin shqiptarë çamërie me nënshtetësi greke. Flasim për një proces ku cdo lloj pengese e karakterit diskriminues duhet të hiqet.

Në këtë proces hulumtimi, dialogimi pavarësisht paragjykimeve që  ekzistojnë besojmë se është e mundur të marrim shembull nga praktikat më të mira, sic ishin ato gjermano-franceze për nderimet që i bëhen viktimave të Luftës së Parë Botërore, përmes përmendoreve apo simboleve të tjera. Jemi në këtë lloj diskutimi, ku parimi i fqinjësisë së mirë dhe parimit të integritetit territorial dominojnë mbi çdo gjë tjetër.

 Kotzias për ligjin e luftës : Greqia beson se me deklaratën e 1987 ne nuk jemi në luftë. Kjo është e vërtetë. Marëveshja e miqësisë në 1996 është e vërtetë. Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe prespektiva e hyrjes në BE na bën jo vetëm miq por dhe partnerë. Nëse ekzistojnë dyshime nëse jemi ose jo në gjëndje lufte do të jetë objekt diskutimi që do të zhvillohet dhe do të gjejmë zgjidhje. 

Kotzias per cështjen came:  Sa i takon çështjes çame është e ditur se kemi një grup shumë të madh çamësh që janë shqiptarë dhe jetojnë në Shqipëri. Për këtë unë uroj që në këtë grup të kem prespektivë, të kenë dhe ata fitimet nga integrimi i Shqipërisë në BE, por janë disa çamë të  vjetër, dmth kristianë të myslimanizuar të 1911 të cilët sot janë shtetas grekë. Ekzistojnë dhe disa çamë që bashkëpunuan me pushtuesit gjermanë, dhe kishin bërë ato komisionet e kontrollit dhe të zhvatjes së pasurive, të popullisë që mbetej në zonat e Epirit, të cilët u dënun nga Gjykatat greke në bazë të ligjit grek dhe atyre ndërkombëtarë. Në ndryshim nga njerëzit e tjerë që jepnin llogari në Evropë u larguan nga vendi dhe nuk u ekzekutuan. Unë mendoj se duhet të kemi kujdes kur flasim për këta çamë, sepse nuk nënkuptojmë asnjë grup qytetarësh shqiptarë dhe Shqipërinë. E them këtë sepse disa duan të bëjnë të njëjtë bashkëpunëtorët, ata që merreshin me nazizmin gjerman, me ata që nuk kanë jetuar asnjëherë në Greqi dhe më pas këta ti bëjnë njësoj me të gjithë shqiptarët. Në këtë prizëm ne themi se për ne ekziston problemi. Ne kemi përqasje të ndryshme dhe të gjitha janë të njohura nga pikëpamja e historisë.

Ja si e sqarojne deklaratën e Ministrise se Jashtme te Greqise, Bushati dhe Kotzias

Zoti Bushati cili është komenti juaj për deklaratën që ka paraprirë vizitën e ministrit Kotzias, asaj të ministrisë së Punëve të Jashtme greke që duket se paralajmëronte një veto greke për integrimin e Shqipërisë në BE?

Bushati: Do më lejoni t’ju zhgënjej, por nuk e kam lexuar kështu. Nuk e kam lexuar kështu për disa arsye, jo vetëm për gjithçka tha me shumë korrektesë dhe zemërgjerësi, miku im Kotzias për faktin që nuk besoj se nuk është as në vullnetin, tagrin, dëshirën e Greqisë për të aplikuar një politikë kshtësuese ndaj Shqipërisë, që në fakt nuk e ka aplikuar as në momentet më të vështira të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Si kundër nuk besoj se është në interesin e Shqiprisë apo shqiptarëve që jetojnë në rajon për të pasur marrëdhënie të tendosura apo që përcaktohen nga emocionet dhe jo nga racionaliteti me Greqinë. E kam thënë dhe do të vazhdoj ta them, pavarësisht kapacitetit institucional që përfaqësoj se marrëdhëniet me Greqinë janë strategjike dhe me një potencial të lartë dhe që ne duam ta shfrytëzojmë sa më mirë. Unë e vlerësoj dekalratën e ministrisë së jashtme të Greqisë sepse na sjell në vëmendje cështjen e shtetit të së drejtës, reformën në drejtësi dhe në këtë pikëpamje e kam lexuar si inkurajon për ta finalizuar këtë process që Shqipëria të hedhë hapin e radhës për në BE. Është e qartë se shteti fqinj respekton vendimin e gjykatave dhe ku më evidente se kjo cështje nuk duket tjetër vec të respektimi i pozicionit të Shqipërisë nga ana e Greqisë përsa i përkete vendimit të Kushtetueses në atë që quhet çështja e detit.

Kotzias: Falendoroj ministrin Bushati që sqaroi me mënyrën e tij, unë kam bërëq fare deklarata edhe me interpretime të mira qofshin ato. Është një pikëpamje që shkruhet nga qarqe të ministrisë së Jashtme. Unë e vetmja deklaratë që kamë bërë për Shqipërinë është se e duam në BE, se do ta ndihmojmë me aq sa kemi mundësi dhe aq sa ajo dëshiron dhe asgjë tjetër. Mendoj se si gazetar ta them në mënyrë akademike Ditmir, është tjetër gjë dekalrata e Ministrisë së Jashtme dhe tjetër gje deklarata e ministrit të Jashtëm dhe tjetër gjë qarqe të ministrisë thonë se: . Ka shumë ndryshime pesha që bëhet dhe nga kush bëhet. Kam ato çështjet akademike.

Kotzias: Filozofia jonë e përbashkët, ti zgjidhim problemet dhe të ecim më tutje

Kotzias: Fatkeqësisht në epokën tonë nuk konsiderohet e vetëkuptueshme se kur ekzistojnë probleme të kërkosh edhe zgjidhje. Për dikë që të kërkosh zgjidhje për problemin është vetë problem. Unë do t’ju thoja që problemet janë që ti zgjidhim dhe të ecim më tutje. Kjo është filozofia jonë e përbashkët, zgjidhja. Duhet ti zgjidhim këtë probleme ekzistguese dhe të merremi me projekte të së ardhmes. Duhet të bëjmë rrjete të mëdha, të zhvillojmë energjinë, të forcojmë bashkëpunimin në kulturë dhe arshim. Këto zgjidhje do të promocohen dhe të ecin përpara, me kulturën e dialogut.

Njerëzit që mendojnë se problemet që nuk janë për tu zgjidhur mendojnë se rruga europiane është pa Evropë. Rruga europiane ka nevojë për mirëkutpim europian.

Për këtë propozimi që bëri Bushati për një hartë rrugore por edhe për një përcaktim rrugor është një propozim i mbështëetur nga BE. Ne duhet ta ngremë këtë peshë të ecurisë europiane të ballkaneve perëndimore. Prandaj duhet të mbarojmë me problemet që mbartim nga e shkuara.

Greqia është nga vendet anëtare më të vjetra në BE, ajo ka një përvojë të lartë dhe do të jetë në krah të Shqipërisë për cdo gjë që do ti nevojitet për në BE

Bushati: Mekanizma për të adresuar çështjet mes Shqipërisë dhe Greqisë

Bushati: Dua të falenderoj mikun tim Kotzias për vizitën e sotme në Tiranë së bashku me ekipin e tij. Është hera e disatë që ne takohemi në Tiranë, Athinë, Selanik, bruksel dhe në forumë ndërkombëtare. kemi rreth 1 vit që po punojmë për të adresuar disa prej cështjeve që nuk kanë gjetur ende trajtim si përsa i përket cështjeve që e kanë origjinën tel Lfta e dytë Botërore, cështje që kanë interes praktik për qytetarët, por edhe ato cëshjtje që janë përcaktuese për integrimin në BE.

bashke me mikun Kotzias kemi këmbyer disa ide, apo një përpjekje për të shkuar drejt një platform për të zgjdhur çështjet dy palëshe. Përvec përpjekjeve tonë për platformën e

Rama dakord për një mekanizëm për mënyrën sesi ne do ti adresojmë këto cështje që tani janë listuar. Një mekanizëm që do të mblidhet periodike, do të jetë intenisive për të gjitha cështjet

Nuk mjafton vetëm listimi i cështjeve, i kemi bërë publike në media, por energjitë tonë janë fokusuar sesi do të gjejmë zgjidhje në këto cështje.

Ka shumë pika të përbëshkëta dhe një potencial të madh për ti adresuar dhe ka një vullnet nga ana e qeverive.

Idrizi i përgjigjet Kotzias: Nazistët i ke në parlamentin grek!/

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, pas deklaratave që kryediplomati grek bëri publikisht në konferencë me Bushatin se çamët bashkëpunuan me nazistët, Idrizi iu përgjigj duke i thënë se ‘nazistët dhe fashistët i ka në parlamentin e vet’.

Duke iu referuar edhe një parulle, ai tha se gjyshi i Kotzias ka qenë bashkëpunëtor i gjermanëve.

“Nuk mund të mos provokoheshim nga fjala e zotit Kotzias i cili duhet ta dijë se nazistët dhe fashistët i ka në parlamentin e Greqisë, pra e kam fjalën për Agimin e Artë.

Për ne pak rëndësi ka çfarë thotë Kotzias, mjaftoi që kishte një parrullë, unë uroj mos jetë e vërtetë, që gjyshi i tij ishte bashkëpunëtor i gjermanëve dhe ne si shqiptarë të Çamërisë nuk kemi problem që ai të jetë ministër i Greqisë”, apeloi Idrizi.

Filed Under: Komente Tagged With: Bushati, Idrizi, Kotzias, per ceshtjen Came, perplasje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT