• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

Mbledhja e qeverive Kosovë-Shqipëri: Të bashkuar në BE

June 3, 2016 by dgreca

FOTO EKSKLUZIVE PER DIELLIN NGA BEHLUL JASHARI, KORRESPNDENT I DIELLIT NE KOSOVE/

Qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë po zhvillojnë sot mbledhjen e tyre të tretë të përbashkët. Mbledhja e dy kabineteve po zhvillohet në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës, e cila këtë herë është përshtatur për të pritur kryeministrat Edi Rama dhe Isa Mustafa si dhe anëtarët e tjerë të dy qeverive.

Në hapje të takimit, kryeministri i Kosovës Mustafa tha se ky bashkëpunim ndërqeveritar i vlen shumë të dyja vendeve, pasi çon përpara proceset integruese, rruga e përbashkët e Kosovës dhe e Shqipërisë.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama deklaroi se “në vitin 2014, në Prizren, nisëm një rrugëtim që ka krijuar një hapësirë të re dhe të jashtëzakonshme bashkëpunimi”.

“Nga një hendek ndarës, kemi krijuar një urë bashkëpunimi që forcohet dita-ditës. Lindi ideja e krijimit të hapësirës së përbashkët energjitike. Do të vëmë në punë linjën e interkonjeksionit që lidh autostradën energjitike Shqipëri-Kosovë dhe kemi krijuar treg të përbashkët bujqësor”, tha ndër të tjera Rama.

Veç diskutimeve që kanë nisur për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës pritet të firmosin 7 marrëveshje të reja në fusha të ndryshme.

Pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët dhe firmosjes së marrëveshjeve, kryeministrat Edi Rama dhe Isa Mustafa do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp dhe do t’i përgjigjen pyetjeve të gazetarëve.

Në axhendë, parashikohen dy pyetje nga mediat kosovare dhe dy nga ato shqiptare.

Filed Under: Kronike Tagged With: Mbledhja e qeverive Kosovë-Shqipëri: Të bashkuar në BE

NOBELISTET; HEMINGWAY & JIMÉNEZ

June 3, 2016 by dgreca

NOBELISTI  XIII  1954 /      

ERNEST MILLER HEMINGWAY/

 Ernest Miller Hemingway (Oak Park, 21 korrik 1899 – Ketchum, 2 korrik 1961). Ai ka qenë shkrimtar  i njohur amerikan. Qe autor romanesh dhe tregimesh të shkurtra. Hemingway mori çmimin Çmimin Pulitzer në vitin 1953 për novelën  Plaku dhe deti.

Çmimin Nobel per letërsinë e mori në vitin 1954._____________________________________________

MOTIVACIONI

“Për zotërim të tij në artin narrativ, demonstruar kohët e fundit në «Plaku e deti» dhe për ndikimin që ka ushtruar në stil bashkëkohor”

_____________________________________________

 ZËRI I SHIUT

 Po ti kush je? e pyeta shiun që binte ëmbël,

dhe se, çuditi, m’u përgjegj:

jam Poema e Tokës, tha zëri i shiut,

i përjetëshëm ngrihem i pakuptueshëm nga kontinenti dhe nga deti i padepërtueshëm,

lart drejt qiellit, nga ku, në formë të ndrueshueshëm,

i ndryshuar plotësisht, por, përsëri i njëjtë

zbres të lag tokat e thara skelete,

sipërfaqet e pafundme të pluhurit të botës,

pa mua do të ishte vetëm farë, e fshehur,

jo e lindur;

dhe përherë, ditë e natë, i kthej jetë vetë origjinës sime, e bëj të pastër, e qendis;

(sepse kënga, e dalë nga vendlindja e saj,

pas përfundimit, e gabuar qoftë,

nëse i intereson ose jo, sipas rregullit ai kthehet 

me dashuri.)

  NOBELISTI  XIV  1956      

JUAN RAMÓN JIMÉNEZ

Juan Ramón Jiménez Mantecón (Moguer, 24 dicembre 1881– San Juan, 29 maggio 1958) è stato un poeta spagnolo.Premio Nobel per la letteratura nel 1956, è stato uno dei più importanti intellettuali della generazione del ’14.

per la sua poesia piena di slancio, che costituisce un esempio di spirito elevato e di purezza artistica nella lingua spagnola”

 ____________________________________________

 MOTIVACIONI

«Për poezinë e tij plot hov, e cila përbën një shembull të shpirtit të lartë dhe pastërti artistike në gjuhën spanjolle»

______________________________________________

 MUZG VJESHTE

Në orën e zezë, të ftohtë dhe të vetmuar,

butësia që në këtë  mbrëmje të zezë

u duk se më solli në këtë perëndim të artë,

bie erë fëmijë, ah, bie erë lodër !

Dhe unë, lodër e zezë dhe e trishtuar

po ëndërroj si fëmijë i rritur,

– në këtë lojë të re, që një çast më parë,

e besoja realitet përfundimtar të njeriut

që kujton duke qeshur lodrat e tij fëmijërore

varkat e tij të vogla -, lodër e zezë dhe e trishtuar,

jam duke ëndërruar disa gjëra të thella,

ato gjëra që janë lodra:

detin, tokën, yjet… 

 Përktheu: Faslli Haliti

Filed Under: LETERSI Tagged With: Faslli Haliti, NOBELISTET; HEMINGWAY & JIMÉNEZ

Intervistë me studiuesin Anton Çefa, hartues i veprës në dy vëllime “Një sprovë e pasikologjisë etnike të popullit tonë”

June 3, 2016 by dgreca

Intervistojë Beqir SINA/
Çefa: “ Gjatë punës sime si mësues, më ka mahnitur psikologjia e popullit tonë, të cilën e kam gjetur virgjin sidomos ndër malësorët e Veriut
11027443_954180461313541_8853333864230268558_n.jpg

Anton Çefa – u lind në Shkodër në v. 1934, në një familje antikomuniste me tradita atdhetare e kulturore.  I ati, Shtjefen Çefa ka qenë një ndër themeluesit kryesorë të Shoqnisë kulturore atdhetare “Bogdani”.

Ka kryer shkollën fillore e të mesme dhe Institutin Pedagogjik 2-vjeçar në Shkodër,   dy vitet e fundit të arsimit të lartë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhës, Letërsisë e Historisë së Shqipërisë – Dega e Korrespondencës. Ka shërbyer si mësues në shkollat 8-vjeçare dhe të mesme.

Mbas rënies së diktaturës, ka qenë një ndër themeluesit e gazetës demokratike “Shkodra”, e para gazetë lokale demokratike në Shqipëri, dhe anëtar i këshillit botues të saj. Gjithashtu ka qenë anëtar i këshillit botues të revistës “Rrezja e jonë” dhe “Kumbona e së Dieles”. Për një periudhë të shkurtër, ka punuar si drejtor i Radio Shkodrës.

Në vitin 1993, ka emigruar familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitet 1994-2006 ka qenë editor i gazetës “Dielli”, organ i “Federatës Panshqiptare Vatra”.

Gjatë periudhës së diktaturës ka shkruar në heshtje poezi që nuk pajtoheshin me ideologjinë komuniste dhe metodën letrare të realizmit socialist. Është një ndër disidentët e heshtur të Shkodrës. Është nderuar me Distinktivin me titullin “Mësues i Merituar” (mbas rënies së diktaturës komuniste).

Veprimtaria

Ka botuar

Përmbledhjet poetike:

  • “Dritarja e një britme” (1999)
  • “Heshtja ka tingull guri” (2002)
  • “Fjalë në vargoj të muzgët” (2003)
  • “Flatrime me krahë të premë” – Antologji poetike – (2008)
  • -Një antologji poetike e tij është përkthyer në gjuhën rumune (2008)
  • “Bardhësi me zdritje bore”, përmbledhje poezish.
  • Vepra shkencore:
    • “Në hullitë e fjalës artistike – Kritikë letrare” (2009)
    • “Noli e Konica” (2010)
    • “Sprovë e psikologjisë etnike të popullit tonë” – Pjesa e parë – (2012)
    • “Sprovë e psikologjisë etnike të popullit tonë” – Pjesa e dytë – (2015)

    “Krijimtari e nivelit të lartë shkencor e artistik” (Mbi disa vepra shkencore dhe letrare të Anton Nikë Berishës).(2015).

    “Gjurmëve të vlerave të fjalës artistike” – Kritikë letrare (2015).

    “Libri I portreteve” (2015).

  • Ka gati për botim librat·      Fjala e huaj në gjuhën tonë  (përmbledhje poezish të përkthyera nga italishtja dhe anglishtja).

    ·        Tradita e didaktikën popullore” (në proces botimi).

    ·      “Ftillime publicistike”

    “Faik Konica :“Për shpiritën e Vatrës jam responsible unë” (në proces botimi).

Me profesor Anton Çefa bisedoi bashkëpunëtori i Diellit në New York, Beqir SINA.

-Fillimisht urime për librin “Psikologjia etnike” !
Ju falem nderës !
Zoti Çefa, sa kohë ju mori shkrimi I këtij libri ?
Çefa – Libri nuk është shkruar në një kohë. Gjatë punës sime si mësues, më ka mahnitur psikologjia e popullit tonë, të cilën e kam gjetur virgjin sidomos ndër malësorët e Veriut. Po është e njëjta psikologji e mbarë popullit tonë. Mahnitja ka thënë Aristoteli është fillimi i filozofisë. Dhe është fillimi i cdo pune në lëmin studimor. Kështu kam filluar të mbajë shënime dhe kam vazhduar për shumë e shumë vite, derisa e kam gjykuar materialin e grumbulluar të mjaftueshëm me e sistemue në një libër.
-Përse zgjodhët këtë temë,? 
-Populli ynë si popull i lashtë ka një psikologji krejt të veçantë, që e kanë vënë në dukje dhe e kanë vlerësuar edhe të huajt. Të njohësh vetveten është gur themeli i organizimit të jetës tënde, aq më shumë për një popull. Njohja e vetvetes në rang kombëtar është para së gjithash njohje e psikologjisë etnike, njohje e tipareve morale, mendore dhe volitive, që e karakterizojnë dhe e dallojnë një popull nga një tjetër.
-Në çfarë dokumentash e keni bazuar studimin tuaj për këtë çështje? 
-Vepra ime e botuar në dy vëllime është një vepër pioniere. Ajo është mbështëtur kryesisht në kulturën time rreth këtij problemi, në vëzhgimet e mia të vazhdueshme, për çka më ka ndihmuar puna ime si mësues, sidomos për 20 vite në fshatra të ndryshme, ku kam pasur mundësi të njihem sidomos me fusharakun e malësorin, që janë më konservatorë në ruajtjen e kultivimin e natyrës së vet psikologjike të trashëguar prej të parëve. Shumë studiuesve dhe udhëtarëve të huaj u ka bërë përshtypje karakteri i veçantë i shqiptarit dhe kanë botuar përshtypjet e tyre. I kam çekur këto në punën time. Kam studiuar me vëmendje folklorin tonë. Një ndihmë të madhe më kanë dhënë proverbat, që përbëjnë një koncentrat të dijes dhe sidomos të filozofisë dhe psikologjisë së popullit tonë. Në fund të secilës pjesë të veprës kam dhënë bibliografinë ku jam mbështetur dhe, po ashtu, pas çdo teme kam shënuar referencat. Nga botimet tona në mënyrë të veçantë, më ka ndihmuar libri i Shpëtim Memës “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”.
-Çfarë elementesh psikologjike kanë të përbashkëta shqiptarët me ilirët ? 
-Trashëgimia shpirtërore ilire në psikën tonë është e gjërë, e larmishme dhe e një rëndësie të dorës së parë. Ajo përfshin të gjitha hiset e saj. Ideali i lirisë, në radhë të parë, ndjenja e fuqishme për lirinë, qëndresa e vazhdueshme për ta mbrojtur dhe për ta fituar lirinë e humbur, trimëria e heroizmi që e shoqërojnë dhe e jetësojnë këtë ideal dhe këtë ndjenjë, janë atribute shpirtërore të ilirëve, të arbërve dhe të shqiptarëve. Lidhur ngusht me idealin dhe ndjenjën e lirisë qe ngjitur në shpirtin ilir karakteri luftarak, që u trashëgua tek ne shqiptarët.Të parëve tanë ilirë dhe ne, na është dashur të luftojmë tërë jetën për t’u bërë ballë sulmeve pushtuese të perandorive të fuqishme: Perandorisë Romake, Perandorisë Bizantine, Perandorive mesjetare kalimtare Bullgare e Serbe, Perandorisë Osamane, dhe pushtuesve tjerë të mëvonshëm italianë e gjermanë. E edhe kur kemi qenë të pushtuar, ne këmi ruajtur me dinjitet veten tonë dhe nuk jemi asimiluar.
Si ilirët edhe shqiptarët kanë qenë të njohur për grindjet ndërmjet fiseve, por në kohën e rreziqeve të përbashkëta janë bashkuar në luftë kundër armikut. Ambienti i fuqishëm luftarak ushqeu në shpirtin iliro-shqiptar një nderim thuaj mistik për armët. Si ilrët ashtu edhe ne, bijtë e tyre, jemi dalluar për aftësi organizative e administrative, bile për problemet më të larta shtetërore. Mjerisht, rrethanat historike kanë kushtëzuar që këtë veti të çmueshme karakteri ta vemë në jetë kryesisht në dobi të të huajve. Perandorët me origjinë ilire e shpëtuan Perandorinë Romake, kur ajo qe gati të shembej kur e sulmuan fiset barbare. Dhe sa e sa vezirë e udhëheqës të lartë shqiptarë, mjafton të përmendim vetëm Qiprilinjtë, e qeverisën Perandorinë Osmane për aq e aq kohë.
-A është trajtuar , gjuha shqipe  si shprehja më e gjallë dhe prova më e palëkundshme e vijimësisë së një etnie ? 
-Gjuha në vetvete nuk është gjithnjë element dallues i personalitetit të një kombi., sepse popuj të ndryshëm si p.sh. francezët e belgjikasit flasin të njëjtën gjuhë; po kështu anglezët, irlandezëy dhe amerikanët. Shqipja jonë ka plotësisht vlera etniciteti. Ajo është krejt e veçantë. Në Pemen e gjuhëve indpeuropiane ajo zë një vend më vete. Një studiues i kësaj fushe në Kaliforni shqipen e ka quajtur nëna e gjuhëve indoeuropiane.
-Duke iu referuar historisë, Çabej ka aritur në përfundimin që “është fuqia e personalitetit ajo që luan tek shqiptarët si edhe tek stërgjyshët e tyre ilirë një rol më të rëndësishëm sesa gjetiu … A pajtoheni ju me këtë, dhe si e argumentoni ?
-E si të mos pajtohem ! Kultura shqiptare ka pasur fatin të veprojë në gjirin e saj një Eqrem Çabej. Është më se i vërtetë roli i personalitetit në historinë dhe në kulturën tonë në përgjithësi. Një personalitet i fuqishëm i ka bashkuar gjithnjë shqiptarët dhe ka ngjallur tek ata ndjenjën e bashkëjetesës shqiptare, me gjithë individualitetin e theksuar që ka karakterizuar karakterin e shqiptarit. “Historia e Shqipërisë është histori e personalitetit” ka thënë Çabej. Këtë tipar të psikës sonë, ai e ilustron me Heroin tonë Kombëtar Skendërbeun dhe me Ali Pashë Tepelenën. Gjithsesi, duhet përcaktuar çka përfaqëson ky personalitet. Para së gjithash, duhet të dallojmë autoritetin e zgjedhur ose të fituar me merita nga ai i imponuari. Në rastin e parë, nëse duam t’i vemë këtij atributi shpirtëror një argument psikologjik që qëndron si shkak i kësaj dukurie, duhet të pranojmë se shqiptari njeh me ndërgjegje autoritetin e zgjedhur prej tij dhe është kundërshtar i atij që përpiqet t’i imponohet.
-Libri “Psikologjia etnike” a është shkruar më parë, dhe a ka tendenca manipulative, sidomos kur flasim për etnitetin ?, mbasi, një kritik, anaonim shkruan se :” Që në momentin që lexon se, ilirët erdhën këtu para aq e kaq vjetësh dhe u gërshetuan me Pellazgët e “blablabla”, e kupton që është një shkrim i manipuluar,” simbas tij,  pasi, Pellazgët-Ilirët-shqiptarët – janë NJË! , thotë ai tek gazeta Illyria(11/05/2013)
-Si e thamë më parë, shumë studiues, tanë dhe të huaj, kanë folur për tiparet e karakterit që cilësojnë popullin tonë, janë shkruar jo vetëm ese, por edhe libra për virtyte të veçanta morale; por deri më sot nuk është bërë ndonjë përpjekje t’i trajtojë ato si hallka të një sistemi të lidhura me njëra-tjetrën në një strukturë të veçantë etiko-morale dhe ta trajtojë këtë strukturë. Vepra ime gëzon vlerën e parësisë.
Mungojnë të dhënat e nevojshme që të na lidhin ne me pellazgët. Partizanja e flaktë e lidhjeve tona me pellazgët, Ermin Vlora Falaschi, të vetmin mbishkrim ekzitues pellazg tek e ashtuquajtura Shtylla e Lemnos, e ka shpjeguar me shqipen. Kundërshtari i rreptë i këtij interpretimi, historiani Kristo Floqi, e ka mohuar plotësisht. Gjithsesi, nuk duhet tepruar me zanafillën pellazge të popullit e të gjuhës sonë. Shkencërisht, është vërtetuar vetëm origjina ilire e popullit tonë dhe e gjuhës shqipe.
-Edith Durham ka shkruar në parathënien e librit “High Albania”: “Nëse një njeri është i hirshëm dhe i sjellshëm ndaj të huajve, kjo tregon se ai është Qytetar i Botës, dhe se zemra e tij nuk është ishull i shkëputur nga tokët e tjera, por është kontinent që i bashkon ato”. “Psikologjia etnike” a e ka kapur këtë element etnik, dhe si e sqaroni ju ?
-Po, ashtu ka shkruar dhe ashtu është e vërteta. E tillë është psikologjia e popullit tonë. Shqiptari e vlerëson, e nderon, e pret si mik dhe e mbron çdo të huaj që i troket në derë. Ms. Durham na ka dashur dhe ka shkruar shumë mirë për ne, sidomos për malësorët e Veriut, tek të cilët ka jetuar për shumë kohë. Jo vetëm ka shkruar, por edhe ka ndihmuar popullin tonë dhe çështjen shqiptare para botës. Ka vlerësuar lart moralin e shqiptarëve dhe vlerat etnopsikologjike tonat. Në parathënien e librit “High Albania”, “një portret magjepës i fiseve krenare e të pavarura të Shqipërisë Veriore”, siç është shprehur botuesi i kësaj vepre, Durham na ka lënë vlerësimin e lartë e fisnik të shqiptarit të malevet të Veriut; por që është  i vërtetë për gjithë popullin tonë. Marr leje këtu të jap ndonjë prej vlerësimeve të panumërta të saj për psikologjinë e popullit tonë. “Shqiptari mbetet gjithnjë shqiptar. Ai është në radhë të parë shqiptar. Feja vjen në radhë të dytë.”, “Edhe në fiset më të egra, me gjithë punët shumë të rënda që kanë mbi supe, gratë nuk janë aq të shtypura sa duken. Burrat i trajtojnë më njëfarë fisnikërie të ashpër dhe i respektojnë. . . . Nderi i gruas shqiptare është i panjollosur.”, “Shqiptari, edhe kur duket se i nënshtrohet rrethanave, e bën këtë për t’i detyruar rrethanat t’i nënshtrohen atij”, “Nga gjithë popujt e Ballkanit, vetëm shqiptari është artist. Në personalitetin e tij të pashtruar, ai del gjithnjë mbi të tjerët”.
-Siç keni thënë edhe në shkrimet e mëparshme, ligjet kanunore qenë ndërtuar nën frymëzimin dhe mbi bazën e virtyteve të çmueshme të shpirtit tonë etnik: burrërisë dhe nderit, besës dhe ndores, mikpritjes dhe faljes, ndjenjave dhe idealeve për liri e drejtësi, respektit për njeriun, etj. A i patën ilirët këto ?
-Kanuni etiko-moral ka qenë dhe është një kod etnopsikologjik i përgjithshëm për të gjithë shqiptarët. Burrëria, nderi, besa, ndorja, mikpritja, falja, idealet e lirisë,të drejtësisë, të respektit për njeriun etj., kanë qenë e janë tipare shpirtërore të të gjithë shqiptarëve. Periudha që kaluam nën diktaturë dhe kjo që po kalojmë sot i dobësuan, por nuk arritën t”i shlyejnë. Ky kanun etiko-moral ka rrënjë shumë të thella në kohë. Studiuesi japonez i Kanunit, Kazuhiko Yamamoto, ka shtruar hipotezën në formë pyetjeje: “Struktura etike e Kanunit: a përbën ai formën fillestare të etikës së shoqërisë njerëzore?”. Pa u zgjatur, këto rrënjë tejet të hershme, na japin plotësisht të drejtën të pranojmë që ilirët e kanë pasur të vetin këtë kod moral, dhe ne e kemi trashëguar prej tyre.
-Ju shkruani se Psikologjia etnike shqiptare është dëshmi e origjinës ilire të popullit tonë, Përse ?
-Trashëgimia ilire në psikën shqiptare, për të cilën kemi folur më lart, vjen si element vazhdimësie, dhe, si rrjedhim si argument i origjinës ilire të popullit tonë, i mbijetesës shqiptare nga ama ilire.
-A keni në plan të shkruani ndonjë libër tjetër mbi këtë studim ?
-Unë i kam shprehur mendimet e mia në këtë fushë të dijes. Nëse do të ketë ndonjë vërejtje a kritikë, pa tjetër do t’i përgjigjem.
Ju falem nderës !
Gjithashtu !
Intervistoi Beqir Sina

Filed Under: Interviste Tagged With: Beqir Sina, Interviste me Anton Çefa

Palaj – Kruja në letërkëmbim të pabotuem

June 3, 2016 by dgreca

NGA KOLEC ÇEFA/

Palaj e Kruja, dy fryte të jetës sonë shoqnore, intelektuale, politike gjallnuen të heshtun, të panjohun, pse diktatura fshehu ajkën e mendimit të tyne, pa lanë të perhapën mesazhet e veprimtarisë së tyne, pa lanë të ngrohemi nga forca e ndjenjave të tyne patriotike e të frymëzohemi nga perkushtimi i tyne atdhetar e shoqnor. Të dy patën parime e bindje nacionaliste, patën atdhetarizëm të vërtetë, të dy andërruen per nji Shqipní etnike të lirë, të zhvillueme e prendimore “ekonomikisht e pavarun e politikisht neutrale”, per një Zvicër në Ballkan, si e andërronte Gurakuqi, mësuesi, kolegu e shembulli frymëzues i tyne. Të dy i karakterizonte forca e fjalës: Fjala e Palajt ka ma shije letrare, fjala e Krujës ma shumë shije gjuhësore; fjala e Palajt ma shumë ndjenja shpirtnore, fjala e Krujës ma shumë frymë politike.

Në periudhën kohore 1921-1924 të dy u rreshtuen e u aktivizuen në Opozitë kundër Zogut. Palaj qe antar aktiv i Grupit “Ora e maleve”, Kruja qe krejt afër këtij Grupi e bashkëpunoi me antarët: Gurakuqin, Fishtën, Mjedjejt, Harapin, Palajn; ma haptë, edhe me Hasan Prishtinën e Bajram Currin, e gjithashtu ma haptë, me Qazim Koculin, Nolin, etj.

Një ditë po bisedojshe me Pader Justinin. Ra fjala per Mustafa Krujën.

“Unë i thashë:

– Po ai ka kenë fashist, more Pader.

– Jo Kolec, – m’u pergjigj Pader Justini i premë. – Mustafa nuk ka kenë fashist.

– Po ai ka kenë kuisling, more Pader.

– Po, Kolec, kuisling po, por fashist nuk ka kenë”.

Shkodra shkroi per tê: “Vetëm emni i tij âsht një forcë per patriotët e një kërcnim per trathtarët”.

Pas dështimit të madh të dhetorit 1924, sidomos mbas vrasjes së Gurakuqit e Currit, duheshin ide të reja per ideale të vjetra. Duhej koncentrue tanë energjia opozitare e popullit drejtue prej Mustafa Krujës, Qazim Koculit, Koço Tasit per të vû në jetë idealet e Gurakuqit e Currit, “tue perjashtue si antishtetnore parimet e bolshevizmit per reforma shoqnore”, per me shpëtue këtê Zvicër në Ballkan. Pra, shkruen Palaj: “ Na duhen prijësa nën një prijës e një ushtri nën prijësa. Ushtrinë e kemi – populli” e prijësi duhet të jetë Mustafa Kruja të drejtojë direktoriumin e perbamë prej Tasit, Koculit, perfaqësuesave të Gurakuqit e të Currit. E, Shqipnia të ketë tri parti të drejtojnë jetën e politikës shqiptare. Pa, kurrfarë paragjykimi, Frati i Dukagjinit e mbështetë fatin e kombit në këtê kohë tek Mustafa, Qazimi, Hasani…

Sa shkruem ma siper, na u munduem me dhanë material e do të vazhdojmë per këto dy figura që duhen studiue dhe ia lamë kritikës së paster, të mêçme e të paanshme t’i ndriçojë me dritën e së vërtetes, me fakte ndër duer, me një interpretim të qartë, të saktë, bindës, por këtê nuk mund ta bajnë mehmurët e diktaturës a papagalat e partisë. Ma mirë presim pak, të dalin si janë me unin e tyne dinjitoz e na të jemi mirënjohësit per sa kanë dhanë e jo bukëshkalët.

Po japim ma poshtë edhe një letër të pabotueme të P. Bernardin Palaj dergue M. Krujës:

18.IV. ?

 Fort i dashuni Mik!

 Flas e shkruej në bazë të parimeve të zgavrueme në zgjanimin e statutit të Lushnjes, tue besue se Zotnia Juej, edhe pse hartuesi i atyne parimeve kalbet në dhe, luftën e bani per ide shtetnore, që së bashku me Gurakuqin keni rrahë sa herësh në kullme të bisedimeve e të perpjekjeve diplomatike që u inspiruene me dukjen e mbretit në Shqypni, u rrahen në tryezë internacionale prej jush, pa pasë kurrnji fuqi toke perkrahëse, perveç Perendije, u sanksionuene me statutin e zgjanuem të Lushnjes, u nenshkruene me gjakun e Revolucionit të Qershorit e u vulosne per jetë me gjakun e Gurakuqit e të Bajram Currit. Theksoj, pra, qysh në fillim se kjo âsht baza e çdo perpjekjes, kjo âsht lidhja e dy mendjeve që shkeptas prej shoqi-shoqit marrin e japin per të gjetë posibilitetin ma të ardhshmin per të ngjitun në maje të malit nji gur, që, si thotë Át Noli, me dukjen e Ahmetit, kur kujtojshim se tashma do t’u kapshim në maje, ma fort per faje indishiplinatece, se per kontribucion internacional, na u shkep duersh e na u rrotullue në humbneren e vjetit 1914-1915 te humbnerja e Paktit të Londres. Unë jam i njimendimit plotsisht me Ju, se veç koncentrimi i të gjitha fuqive të shëndosha perreth nji bashkëveprimit sistematik e të drejtuem prej prijësash të shëndoshë kah idealizmi, të mund, tue shfrytëzue divergjencat e të perjashtëmve e presionin tiranik të mbrendshem, me marrë frenat e shtetit në dorë nji çetë antiklikare nacionaliste, që projektin e Gurakuqit ta zbatojë me sukses.

Per me i dalë këtij qellimi, do të dallojmë tri punë:

  1. a) Gjendja e Shqipnisë mbas zhdukjes së Ahmetit;
  2. b) Mënyra ma e mundshme per me zhba veprën e damshme të tiranit pa provokue nji luftë civile latente;
  3. c) Ideja konkrete shtetnore, që, nëmose nder pika trigonometrie, do të jetë e gjeometrizueme prej atij o atyne që të paraqesin revolucionin e ri të shtetit shqiptar para diplomacisë europiane tue kapercye nëper Scyllat e Caribdet e çashtjeve të kaperthyeshme që, mbas vdekjes a zhdukjes së vet len tirani në koncesione e konvencione të lidhuna në bazë të nji statuti, që në kurrnji pikëpamje nuk i pershtatet legalitetit.

Para se të rrëzohet shtëpia por, shpresoj se s’keni me kenë teper largas nder mendime per në theksojsha se duhet të jenë gati landa e re e punëtorët e dishiplinuem nën drejtimin e nji arkitekti. Landa ndoshta nuk do të ishte teper punë e vështirë per me u sjellë, punëtorët edhe po i dishiplinon tirania dita me ditë, pra, lypet arkitekti e këtij rendi nuk mund të randojë ngjeti, veç në Mustafa Krujën, Qazim Koculin e Koço Tasin, shkeptas prej çfarëdo klike, që, ditën e zhdukjes së Ahmetit e të feudalëve, do të zhduket paralelisht me tiranë, tue i lëshue rend evolucionit të lirë e vullnetmirë të nacionalistave të tre grupeve, që dora-doras e të betuem mbi vorrin e Bajram Currit, Gurakuqit, Avni Rustemit e të Zija Dibres, t’i perveshen shpejt, por me siguri nji operacioni rrajësuer per me shpëtue këtê Zvicer në Ballkan. Këtu por na del nji divergjencë mendimesh, jo fort e parandësi per zbatimin e nji plani që, tue i besue jetës së kalueme e parimeve të njohuna të zotnisë suej, per deri ne ketê pikë, besoj se nuk do të tregojë nji diferencë të madhe në paralelizmin e mendimeve.

Pika âsht kjo: pikëpamja jonë kundrejt busoles internacionale para, gjatë e mbas revolucionit, kqyrë nëper prizmin e errët që ajo paraqet mbas tragjedisë a komedisë, si të duesh me e quejtë me Chamberlain a Loid Georgjin së Gjenevës. Këtu të permbledhim njiherë menden tonë!

Âsht nji fakt që Ententa në luftën me armë, me diplomaci, me ekonomi u diftue e nënrendueme hegjemonisë së dollarit amerikan e, pa bashkëveprimin e Gjermanisë e të Rusisë, kurrsesi e zoja me garantue nji paqe të sanksionueme teper me gjak të nxehtë, si thotë në këto ditët e fundit Lord Georg në Versailles.

Si din gjithkushi, sot mbas katastrofës së Gjenevës, firmatarët e traktatit të Versajës jo veç nuk mund t’i kundershtojnë Gjermanisë në Lidhje të Kombeve, por, bile, megjithëse e dinë se Gjermania âsht minatori i trakteve të bame qyshë në Versajë e deri në Lokarno, megjithë këto pranojnë ket kercnim, per me zhgatërrue blokun ruso-gjerman, që me traktatin Virt-Cicerin-Roteman u lidh deri më 1928. Per kedo që ndoq, sado, së largut luftën e popujve të ndryshem, per me gjetë qandrën e re të nji ekuilibri të bjerrun me luftë të perbotshme, per kedo, po tham, âsht fare e kollajtë me e pa tensionin e spiraleve të reja: na kemi dy maje në Europë: nji në London e nji në Moskë. Rreth Ententen e vogel e të madhe me satelitët e vet e perreth Mosket, deri sot bare, Berlin e popuj të mujtun me minoritete të ndrydhuna, që, me dizinteresimin e Amerikës per politikë europiane buerën çdo avokaturë per mbrojtjen e autodeterminacionin e vet pranë aeropagut komiku-ingliz në Lidhjen e Kombeve, ku fati i neutralëve e i kombeve, që gjeografikisht gjindej ndershej Ententofilave, do të shartohej mbas koincidencës së interesës së shteteve mujtësa, që në atë aeropag formon shumicën klasike të unanimitetit të votave.

Me këtê gjendje, na shofim se tue dënue porsi antishtetnore parimet e bolshevizmit per reformen shoqnore, Rusia me Gjermani do të ishin dy të vetem avoketën që në nji aeropag paneuropian, kishin me mbrojtë tezin tonë; Amerikanët konkurrencën e lirë e garancinë e minoriteteve e prej Ententes nuk mund të presim tjetër, veç tragjeditë e vjetëve 1914-15-24. Këta e diftuen se Shqipnia per ta porsi shtet vërte indipedent ekonomikisht e politikisht, âsht nji ekrasit i pandamë që minon çdo marrëveshje ndermjet shteteve fqîj: âsht nji urë kalimit per “Drang nach Osten” e per Rusi që ndryshej, faret ndryshej, e mendojnë konfiguracionin ballkanik.

Të zotët e pozicionit në çashtje të Shqipnisë janë sot, pa dyshim, firmatarët e Paktit të Londres, si edhe të kompromisit Loyd Georg-Clemanceou-Nitti e… Robert Cecil.

Shqypnia, pra, âsht nji satelit i vogël, që ekzistencën e vet ia detyron rivalitetit internacional, perfaqsue prej dy grupeve: nji perba prej anglezësh, francezësh, italianësh, jugoslavësh e grekësh që, tue mos mujtë me coptue Shqipninë, pa gandue interesat shtetnore të vetat, janë konden me shfrytëzue çdo gjendje në Shqypni, mbas nji akordi të bamë mbi nji bazë reciproke interesash, tue u perpjekë, por mëshehtazi, ku me konvencione, ku me pengime ekonomike e me kercnime me perpi shtetin shqiptar mbrenda spirales së politikës shtetnore, me perjashtimin e plotë të konkurrentave tjerë. E, ky âsht shkaku i atij që trandë çdo pozicion shtetnuer që mundohet me marrë çdo qeveri, sado nacionaliste e vullnethekurt që kjoftë.

Tjetri grup perbahet prej gjermanësh, rusësh e amerikanësh me disa shtete ma të vogla, si: Bullgari, Magjari e ndoshta edhe Turki. Nder këta, gjermanët e rusët shfaqen si të kishin interesë jetësore per nji Shqipní vërte indipendente e forcue mbrenda kufijve të natyrshem të vet; Amerikanët, perveç kësaj pike, si dihet, janë mbrojtësit e konkurrentat ma të parët në konkurrencën e kështu që, po të kishte Shqipnija këto tre avoketën nder ato gjykatore, ku priten e shartohen fatet e kombeve, Shqipnija ishte konsolidue nëmose si shtet i dalun prej luftet.

Fati por deshi që Shqipnija perveç Vilsonit, mos të kishte kurrnji avokat që ta mbronte këte ide shtetnore, kuptue ashtu, si do të kuptohej prej çdo shqiptarit që nuk don me e pa Shqipninë nji gur ku mbështetet palla herë e Anglisë, herë e Francës me satelitët e vet, per me ekuilibrue a skuilibrue pozicionin ballkanik mbas barometrit të politikës shtetnore të tyne.

E, pra, kjo krizë aq e shembtueshme per popullin shqiptar ka me vijue deri sa avoketent e vërtetë të çashtjes shqiptare mos ta nxjerrin këtê shtet prej gjireve të Ententes e, kjo kohë nuk shifet se do të agojë para 1928-30, nji periudhë që kurrkushi sot nuk di me thanë, a thue ka me sjellë paqen e perbotshme, apo rrenimin e Europës.

Këtu, pra, s’ka tjeter, veç prej miqve të vërtetë me lypë nji moratorium astensioni të politikës direkte prej nesh me ta, derisa të shfrytëzohet divergjenca e të kointeresuemve fqij anmiq në favor të rindertimit të shtetit shqiptar mbrenda atyne bazave konvencionale që ata vetë i mbajnë porsi bazat e natyrshme të nji Shqypnie vërtetë neutrale e e zoja me ekuilibrue çashtjen ballkanike e adriatike. Ky, lum Mustafa, âsht shkambi që do të shperthehet sot prej nesh, per me dalë nesër në lamën e nji politikës reale me miq e anmiq. Këtu lypet njeni!

Uliksi shqiptar, i vetmi njeri që do të kishte mujtë me drejtue barkën e shtetit shqiptar neper gjiret e hatashme të këtij rivaliteti internacional, sot kalbet nën dhe, e na naufragt të gjithë jemi turrë me ia ngjitë timonit, pa pasë uzdajë të plotë asnjeni në tjetrin; kështu që, ndërsa anija siellet në atë gjiri ku e shtynë plumbi i Baltion Stambollës, Ahmeti flenë i qetë, Baltionat tallen me Shqipninë e shkretë, me këtê Penelope që shtynë nji ditë në tjetrën, kot tue kqyrë sytë e ndonji Telemakut të shkretë që, perveç uzdajet, nuk ka ma tjetër perdoresh, veç me mbytë nanën e veten.

I dashun Mustafë! Era prap na ka hjedhë nder brigjet e Trojës… te koha e Ali Pashë Tepelenës mbrendë, te koha e Esat Pashës, 1915-1918 jashtë. Prap me mbytë Trojen!

Këtu duhen prijësa nën nji prijës e nji ushtri nën prijësa. Ushtrinë e kemi gati: populli i shkretë i lodhun prej tiranije pret ditën se kur po na vjen; por, tue pa se prijësat e tij janë hallakatë pikë-pikë, nji dëshprim e kapë që e lodhë ma teper se tiranija që e ban tiraninë ma të kandshme se nji oligarki zhonturke-klikare. Kush âsht ai i çmendun, që e mohon këtê fakt se qe kah ditë do të ishte kaperdi kjo gjendje, po të kishin ra në godi Noli, Koculi, Mustafa Kruja, Tasi, Shaqir Curri e Shuk Gurakuqi, Xh. Bushati e R.Dani? Po të kishin kapë rremat e barkës së shtetit, të rrëxuemen Gurakuqi e në drejtimin e Qazim Koculit me mësye Adriatikun, a thue sakt se deri tash nuk do të kishim dalë në breg, ku ma se nji Telemak pret ditën e kushtrimit? Boll dam per ne! Ahmeti me tufë kecanash, por të lidhun rreth nji orakullit, dërmoi monarkizmin shqiptar me gjithë prijësa të vet, pse këta, të kuptueshmit me edukatë politike nuk ditën, pse s’deshen me dalë prej klanit personal, nji lëngatë psikike e shqiptarit të shkretë e me u ba regjiment i organizuem, i drejtuem e i primë prej nji prijësi të vullnetshem.

Qe pse u rrutullue shkambi dje, s’mund të ngjitet sot e ka me u rrotullue neser, pse udhëheqësit nuk janë dakord me vijue politikën shtetnore të Gurakuqit, mbas dekës së tij, jo pse s’dinë, por pse nuk duen. E tash shifet se ku kanë dashtë me dalë ata komplote që u bajshin në Tiranë, ndërsa Gurakuqi mbronte çashtjen e perbashkët në Lidhjen e Kombeve.

A din çka, lum Mustafa. Këtu nder ne mbas tiranijet lypet nji diktaturë me nji diktator per krye e këtu të bjen Ty, pse…je i krutanë e ju veç mundeni me dyndë strofullin njiherë e pergjithmonë tiranisë feudale e klikare, me impozue nji sistem administrimi që i pershtatet besimit të plotë të tre elementare e neser me i dorëzue Shqipninë Skanderbegut të vogël, per të cilin prit se u banë mjaft do vorre, sidomos ai i Shpellës së Dragobisë.

Per me i dalë këtij qellimi duhet nji direktorium i perbamë prej Tasit, Koculit, perfaqësuesave të Currit e të Gurakuqit, që t’i japin drejtimet e nji Mustafë per krye që të çojë me energji sot e me urtí nesër planin e Gurakuqit në vend. E, mos u tremb, se nuk kishe me kenë vetëm: nji lidhje ushtarësh intelektualë gurakuqjanë e currista perreth teje kishin me të mjaftue per me zhbi feudalizmën në Shqipninë e Mesme, me zhdukë klikë e klikarë e me i lanë lamën e lirë zhvillimit të këtyne partinave:

  1. Në Shqipnítë Mesme e të Jugut, partija e bulkut, nën kryesinë tuej.
  2. Në Vlonë e në Korçë, partija nacionaliste, nën kryesinë e Qazim Koculit, Nolit, Tasit.
  3. Në Kosovë, Shkodër:

Qendra e Nordit nën partinë e Gurakuqit e të Bajram Currit që në bazë të pikave të caktueme prej Gurakuqit per formimin e kësaj qandre në 1924 të bijnë ndershej të evolucionit të politikës së shtetit shqiptar.

Prej Hasan Prishtinës lypë atdheu nji vade kohë, nji armëpushin me shtet jugosllav, deri sa të konsolidohet gjendja e re, pra, abstenim, prej anës sonë kah çashtja e minoriteteve, tue formue Hasani me kosovarë nji klub indipedent per mbrojtjen e minoritetit shqiptar nën avokaturën e gjermanëve e neser edhe të rusëve, pranë Lidhjes së Kombeve.

Deri sa të konsolidohet shteti e të shfrytëzohet rivaliteti i të interesuemve per çashtjen adriatike, shteti shqiptar me ndjekë rrjedhjen e austriakëve kundrejt Tirolit.

Hasan Prishtina do të ishte i vetmi diktator që, tue drejtue çdo veprim, ka nji qellim të caktuem, mbrenda gjashtë muejve kishte me vû qetësinë e sigurinë në vend, me gatue evolucionin e natyrshem të partive, që permendem sypri e me nji asemble omogjene me vû Shqipninë mbrenda binarit të vet, mbas atij projekti që Gurakuqi i paraqiti popullit shqiptar me proklamën e qeverisë revolucionare. Mirëpo, Hasani sot nuk mund të permendet per mos me urtue drejtperdrejt ma të parin shfrytëzues, Jugosllavinë e per konsekuencë Francën. Prandej Hasani do të rrijë rezervë e mësheftë po, por jo e paorganizueme, ashtu si ta lypë rrethana politike. Hasani do të jetë organizuesi indirekt i Grupit të Currit, perba prej nji elementi, per faqe antiirredentist. Si të hinë gjermanët me shokë në Lidhje të Kombeve ka kush sulmon çashtjen e minoriteteve.

Mbas Hasan Prishtinës mund t’i perveshen diktaturës vetem dy vetë: Mustafa Kruja e Qazim Koculi, rrethue prej nji moraturiumit monarkist latent që me energji të percjellin shtetin neper fazat e kritikshme, deri sa t’i kapet qellimit – pa revolucion, por me nji evolucion të natyrshem.

I duelëm këtij qellimi, atëherë ka shpëtue Shqipnija e meritimi i jet (i mbetë) prap nji kruetani.

Të marr ngrykë

At Bernardin Palaj (firma)

(Origj. në AQSH, F. P., botue per herë të parë në “Milosao”, 17 maj 2009)

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Cefa, Palaj - Kruja në letërkëmbim të pabotuem

Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson rolin e Shqipërisë për terrorizmin

June 3, 2016 by dgreca

Në raportin vjetor të terrorizmit, Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se kërcënimi global nga ISIS është rritur, pasi rrënjët e Shtetit Islamik janë përhapur në shumë rajone duke përfshirë Azinë Juglindore, Kaukazin Verior të Rusisë deri ne Afrikë. Në kapitullin për Shqipërinë, DASH e ka cilësuar vendin tonë si një mbështetës të fortë të përpjekjeve kundër terrorizmit për llogari të pjesëmarrjes në koalicionin global që lufton ISIS. Këtu raporti përmend edhe furnizime  të konsiderueshme me arme dhe municione që Shqipëria i ka siguruar forcave peshmerga në Irakun verior. Po ashtu, raporti vlerëson legjislacionin shqiptar i cili parashikon dënime për aktet e terrorizmit, për të gjitha burimet e financimit te tij. Po ashtu dënon transaksionet me personat që janë në listën e sanksioneve të OKB-së; si edhe rekrutimin apo stërvitjen e atyre të cilët përgatitën për të luftuar përkrah ISIS. Policia shqiptare ka zgjeruar njësinë e Anti-terrorizmit nga 7 në 76 forca dhe se po zhvillon plane për trajnimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kësaj njësie. Por sipas DASH , Shqipërisë i mungon kapaciteti për të mbledhur të dhëna biometrike për shtetasit e saj dhe i zotëron ato vetëm në rastet kur personat kanë karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Në raport thuhet se korrupsioni, i kombinuar me një sistem drejtësie që funksionon dobët, vazhdoi të pengojë përpjekjet për të vendosur rend në të gjitha nivelet në Shqipëri. Sa i përket Kosovës, raporti i Departamentit të Shtetit thotë se kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm islamik është rritur gradualisht qe nga konflikti i vitit 1999. Raporti përmend rreth 300 luftëtarë nga Kosova të cilët luftojnë krah grupeve ekstremiste në Irak dhe ne Siri.

 

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT