• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2016

PARLAMENTI EUROPIAN PRET KALIMIN E REFORMES TE ENJTEN

July 18, 2016 by dgreca

Fleckenstein:Të enjten presim që Kuvendi të votojë reformën në drejtësi; partitë të gjejnë kompromisin/

Nga Anila Struga/.- Eurodeputeti Knut Fleckenstein, deklaroi sot në Tiranë se të enjten, ne presim që Kuvendi i Shqipërisë të votojë reformën në drejtësi.

Kur them “NE”, tha eurodeputeti, nuk e kam fjalën vetëm për një parti në Parlamentin Europian, por për gjithë PE-në. Shpresojmë që do të ketë një votë “PRO” reformës në drejtësi.

Ka ardhur koha për të vërtetën dhe unë dëshiroj të shoh se kush është “PRO” reformës dhe kush është “KUNDER” saj, u shpreh zyrtari europian, në përfundim të tre takimeve te sotme në TIranë, me kryeministrin Edi Rama, me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta dhe me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

Ketu nuk bëhet fjalë thjesht për një ndryshim ligji, tha eurodeputeti, pasi për Shqipërinë do të ishte shumë e rëndësishme, se nëse zbatimi i kësaj reforme bëhet siç duhet do të ketë një ndryshim thelbësor per vendin dhe unë vërtet shpresoj që ky ndryshim të fillojë të enjten, nenvizoi Fleckenstein.

Në rast se ka mbetur një gjë e fare e vogël, për të cilën politikanët nuk mund të bien dakord, atëhere ndoshta duhen pyetur qytetarët, shtoi ai.
Në konferencën për shtyp, nga selia e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, zyrtari i PE-së tha se gjatë fundjavës, në bashkëpunim me eurodeputetin Eduard Kukan, kemi nxjerrë një deklaratë, ku kemi theksuar se dëshirojmë që partitë politike në vend të gjejnë një kompromis, në veçanti një kompromis të minutës së fundit, pasi ka mbetur vetëm ”një çështje e vogël”.
“Po ashtu kemi theksuar se sa e rëndësishme është pjesëmarrja e Operacionit Ndërkombëtar Monitorues, pra e atyre që do ta bëjnë  këtë proces. Në Bruksel kjo ka qënë dhe arësyeja pse është rënë dakord me propozimin që bëri PD, sa i përket vlerësimit të gjyqtarëve apo prokurorëve, me mekanizmin, 6+6.

Në deklaratën e tij, zyrtari I PE-se u shpreh në mbështetje të përpjekjes për dialog të kryeparlamentarit Ilir Meta.

“Ne mbështesim tërësisht dhe plotësisht kryetarin e Kuvendit në përpjekjet e veta të për të gjetur një zgjidhje, në sajë të propozimeve që janë bërë, gjithnjë mbi bazën e propozimit hibrid”, u shpreh eurodeputeti.(Sipas ATSH)

Filed Under: Komente Tagged With: “Reformën në Drejtësi”, Fleckenstein:Të enjten presim, që Kuvendi të votojë

SHBA- BE: ULEMI NË TRYEZE VETËM NESE DISKUTOHET MBI PROPOZIMIN HIBRID

July 18, 2016 by dgreca

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian thonë se nuk janë të gatshëm të ulen për të marrë pjesë në diskutimet për reformën në drejtësi, nëse nuk diskutohet propozimi hibrid.

Me anë të një deklarate, ambasadat thonë se kanë informuar kryetarin e Kuvendit Meta, se Vlahutin dhe Lu nuk e kanë të mundur të marrin pjesë në negociatat e parashikuara për 18 korrik.

Burime nga Partia Demokratike thonë se “ne i kemi qëndruar në vijimësimi propozimit të zonjës Nuland”.

Reagimi i plotë i Ambasadës së BE dhe SHBA:  Ambasadorët Vlahutin dhe Lu informuan Kryetarin e Kuvendit z. Meta se pas deklaratës së z. Basha, ambasadorët nuk e kanë të mundur të marrin pjesë në negociatat e parashikuara për 18 korrik.  Z. Basha foli për një qeveri teknike dhe nuk e përmendi propozimin hibrid që ai diskutoi me Ambasadoren Nuland më 10 korrik. Nëse z. Basha e rideklaron angazhimin e tij të mëparshëm për të negociuar ekskluzivisht mbi bazën e propozimit hibrid, vetëm atëherë ambasadorët do t’u bashkohen këtyre diskutimeve.

Meta kërkoi një takim pesëpalësh midis, Basha-Rama-Lu-Vlahutin, ku do të ishte edhe vetë i pranishëm, takim i cili ishte paralajmëruar për sot.

Dy ambasadorët të shoqëruar edhe nga raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Flanckenstain zhvilluan takime të përveçme me kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta si dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Filed Under: Komente Tagged With: ambasadoret, kushte per bisedime, Lu e Vllautin

Kosova me tetë sportistë në Lojërat Olimpike në Brazil

July 18, 2016 by dgreca

Njofton nga Prishtina korrespondenti i Diellit Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 18 Korrik 2016/ Kosova merr pjesë me tetë sportistë në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro, Brazil. Ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka takuar sot kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, me të cilin ka biseduar rreth përgatitjeve që po bën Kosova për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike.

“Ekipi Olimpik i Kosovës do t’i ketë tetë sportistë dhe kjo pjesëmarrje është një sukses i jashtëzakonshëm i sportit kosovar”, theksoi Hasani. Ai u shpreh se Ekipi Olimpik i Kosovës është në gjendje të mirë dhe ka bërë përgatitje të nevojshme për prezantim sa më të suksesshëm të Kosovës dhe sportit të saj në Lojërat Olimpike.

Ministri Shala siguroi se Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të përkrahin e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe gjithë sportistët në ngjarjen tejet të rëndësishme të sportit botëror. “Pjesëmarrja e Kosovës për herë të parë si shtet në këto lojëra, si dhe përfaqësimi solid, janë dëshmi e punëve që janë bërë, por edhe e cilësive dhe sukseseve të dallueshme të sportit kosovar”, u shpreh ai./b.j/

Filed Under: Sport Tagged With: kosova, me tetë sportistë, ne brazil, në Lojërat Olimpike

Fal familjes Kapiti, Drenica frymon edhe në Dyrrahun antik

July 18, 2016 by dgreca

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj./

Opinion rreth librit të Bedri Tahirit “Atdhetarizmi jeton në përjetësi”/

Me  rastin e 60 vjetorit të lindjes, i uroj zotit Bedri Tahiri, Jetë të gjatë lumturi në familje, suksese në rrugën e vështirë , por të ndritur të krijimtarisë dhe studimit!Me respekt të veçantë! Vilhelme, Fitim  dhe Familja Haxhiraj

Në fillimmuajin qershor 2016  z.Bedri Tahiri pati mirësinë të më dërgonte librin e tij të fundit, me titull ”Atdhetarizmi jeton në përjetësi”, një vepër kushtuar Sadri Kapitit dhe familjes së tij për vlerat e pamohueshme që kanë dhënë në dobi të çështjes kombëtare.

Ndërkohë që bashkëshorti im, Fitim Haxhiraj pati një takim në qytetin e Durrsit me z. Vladimir Muça, poet,shkrimtar,studiues  dhe kritik letrar, si dhe me z.Skënder Kapiti, shkrimtar dhe publicist me vlera të rralla atdhetare, takoi edhe miqtë e letrave, poetët e Durrsit si Agim Bajrami, Kadri Tarelli, Xhevahir Cirongu, Skënder Kapiti, Bedri Tahiri dhe Naim Kapiti.Poetët dhe shkrimtarët durrsakë e kanë bërë zakon që mblidhen rreth tavolinës, në një Bar të qytetit apo në bregun e detit, jo vetëm për një kafe, por edhe thjesht për t’u përshëndetur,  për të këmbyer mendimet rreth problematikës së gjerë që shqetëson gjithë komunitetin. Duke shijuar kafenë, nën joshjen e brizës përkëdhelëse detare të Adriatikut, këmbejnë libra, artikuj publicistikë, rrahin mendime dhe ajo që i bashkon është shqetësimi për arritjet në letërsi dhe vlerat që ajo mbart.

Një përurim ndryshe

  Pikërisht më 7 qershor aty në Plazhin e Durrësit këta miq nga Thesprotia- Prishtina e Drenica, nga Korça e Skrapari, nga Vlora e Durrësi, të cilët i bashkoi rastësia, promovuan disi ndryshe dy libra  të të dy autorëve. Botimi i fundit  i vlonjates Vilhelme Vrana Haxhiraj është libri me titull “Dashuria plagoset, por nuk burgoset”, një përmbledhje letrash dashurie të pamundur, ose ndryshe autorja i ka quajtur “Letra nga Ferri”. Libri tjetër ishte i Bedri Tahirit me titull “Atdhetarizmi jeton në përjetësi”. Ishte si bekim i Zotit që bashkohej Vushtrria e Drenica e Atdhetarit të Madh, Hasan Prishtina dhe heroit legjendar Adem Jashari me Vlorën dhe Kaninën e Gjergj Arianitit,të Ismail Qemalit e të Osman Haxhiut. Një urë lidhëse  me vena e kapilarë  gjaku të pastër ilir (thesprot- kaon e dardan), ai që i bashkonte , ishte flamuri i Skënderbeut. Në këtë tryezë me miq e vëllezër të një gjaku pellazgo-ilir, e kishte marrë fjalën Kanina dhe i përgjigjej Drenica.  Në këtë mënyrë krej të natyrshme ishin bashkuar zemrat  bujare  për të folur me gjuhën e letrave të shpirtit mëmëdhetar. Por ajo që i shqetëson më shumë ata, janë problemet social –politike që mbart shteti më i ri shqiptar në  hartën gjeopolitike të Evropës dhe të  botës, Republika e Kosovës.

Si bijë të Dardanisë hyjnore, ata kërkojnë të ecin në gjurmët e të parëve të tyre. Ashtu si gjithë kombi, edhe ata nuk ia falin politikës së të Mëdhenjëve padrejtësinë që i kanë bërë kombit më të lashtë në botë, “Dekanes së Racave”,Shqipërisë, duke e copëzuar mes vendeve fqinjë. Nga trungu mëmë më 1945 shkëputën  Thesprotinë që shtrihet buzë detit Jon, Çamërinë duke ia aneksuar Greqisë, përmes një genocidi të paparë. Më 1948 Treva shqiptare e Kosovës iu bashkua Jugosllavisë. Kurse në veriperëndim pjesa dërrmuese e malësisë së Madhe, Plava- Gucia, Shën Stefani dhe Uliqini i Kaluan Malit të Zi. Shqipëria jugëlindore si, Shkupi, Ohri, Gostivari, Manastiri, Tetova i kaluan Maqedonisë. Ndarja dhe copëzimi i trungut mëmë të Shqipërisë ndodhi në kohën që drejtonte Partia Komuniste Shqiptare, ndërkohë që deklamonte se “mbronte me fanatizëm integritetin tokësor të vendit”, mes luftës më të egër të klasave Diktatura Komuniste ndoqi genocid ndaj gjysmës së shqiptarëve. Shqiptarët kanë qenë nën një trysni e luftë të dyfishtë, luftë brenda llojit  dhe luftë nga të huajt- shovinistët serbo –grek.

Gjithsesi lufta kundër asimilimit kombëtar dhe çkombëtarizimit  apo për largimin nga trojet e të parëve

pellazgo-iliro-daradanë të popullsisë shqiptare të Kosovës, ka qenë e gjatë dhe e pandërprerë. Pikërisht ka qenë kjo arsyeja që Kosova i qëndroi besnike ruajtjes së identitetit shqiptar.  Duke i ruajtur me fanatizëm gjuhën shqipe dhe zakonet,  shqiptarët e kësaj treve, trima e të paepur, kurrë nuk e ndalën kërkesën dhe luftën për liri, ndaj nuk u asimiluan as gjuha dhe as traditat dhe nuk u çkombëtarizuan. Serbia herëpashere zhvendoste nga trojet e etërve familje shqiptare përmes një genocidi shfarrosës ndaj të pafajëve, u mohoi të drejtat dhe i denigroi si shqiptar. Dhe kush e bëri këtë? Kush këlthet për nacionalizëm? Ardhacakët e Ballkanit, sllavët që kërkonin të zhduknin zemrën e shqiptarizmit. Kjo i detyroi shqiptarët të merrnin rrugët e kurbetit, duke e lënë të ndezur vatrën e zjarrit të luftës për liri. Emigrimi dhe mungesa e lirisë,  u bënë burimi kryesor për rritjen e kërkesave për pavarësi. Bota dhe Evropa i kanë shumë borxhe Shqipërisë.

Çdo familje kosovare u bë vatër qëndrese kundër pushtuesit në emër të atyre që dhanë jetën për liri, në emër të të drejtave të mohuara, në emër të varreve masive, të varreve pa emër, që ende këlthasin e kërkojnë drejtësinë e Hagës.   Një vatër e tillë, edhe pse jeton në Dyrrahun e lashtë është familja Kapiti.

Pikërisht për sa fola më sipër dhe për patriotizmin  e qëndresën e Sadri Kapitit bën fjalë libri më i ri i Bedri Tahirit me titull “Atdhetarizmi jeton në Përjetësi”.

Një libër për një të vërtetë të madhe

 Puna që ka bërë autori Tahiri është një përmbledhje me mendime e vlerësime të bashkëkohësve jo vetëm nga Kosova por edhe nga Shqipëria. Në këtë libër çdo njeri që e lexon mëson të vërtetën e madhe historike për një familje që u sakrifikua, ku spikat portreti i Sadri Kapitit me djemtë e tij që e lartësuan emrin e të parëve, e ngritën veten në piedestal të kombit të tyre të shumëvuajtur e të larë në gjak. Kombi për ta ishte gjithçka. Kemi të bëjmë me një libër që flet për të vërtetën e pamohueshme historike, pasi historia e një kombi nuk është ideale, por janë ndodhi, ngjarje me vlera kombëtare, vendngjarjet, koha e zhvillimit të tyre, njerëzit që marrin pjesë në to dhe dokumentat që janë fakte të pamohueshme. Libri i zotit Tahiri është shkruajtur me kujdes, ku është përdorur standardi i shqipes letrare. Mendimet janë dhënë nga njerëz të kualifikuar si z. Shpend Topallaj-shkrimtar, Skënder Muçaj-arkeolog,Ilir Malindi (avokat) e Tomorr Çama etje…Për rëndësinë që ka për çdo shqiptar Pavarësia e Kosovës , unë për lexuesin po vendos këtë poezi të krijuar ditën e Pavarësisë së Kosovës ora 16…

 Krahët e Shqipes

                        (Kosovës së pavarur)

Dy krahët Shqipes ia prenë barbarisht,

pamëshirë në copa,copa  e ndanë

dhe e përçanë…

E trupi i të shenjtës “Mëmë”

 u la në gjak,

Kaoni, Thesproti, Dardani dhe sa e sa…

thirrën njëherësh fisnikët ilir anembanë:

-Ngrehuni o burra, kudo që jeni,

Sot Shqipja mëmë, e plagosur na thërret:

“- Ndër shekuj plagë të rënda kam marrë,

as vet s’e di si kam ngelur ende gjallë.

Nuk dua hakmarrje,

urrejtje dhe mëri.

 

 Shqipja të fluturojë,

 kërkon vetëm liri,

ndaj edhe sot nuk dua të merrni hak.

Mjaft me luftë,

 me mllefe dhe kërbaç,

Në Kosovë s’ ka prag të mos jetë larë me gjak 

një foshnjë të dëlirë,

një djalë a një vajzë e vranë,

apo  një vatër e shuan pa nam dhe nishan.

 

Vdekja për liri për ta ishte me mjaltë,

edhe pse mbyllën një derë,

shuan një vatër,

ku nuk ndizet më zjarr

dhe s’del më tym në oxhak.

Vëllezër, mos harroni të parët tuaj krenar,

atdhetari dhe vëllazërim kishin në plan të parë.

Kosovë martire!

Hidhi sytë nga flamuri kuq e zi,

me gjak ilir është endur,

mes territ ka dashur të flladitej në liri

                                                       Vivra -Vlorë më 17-2-2008

 

Duke shfletuar faqet e librit , u njoha me mendimet e vyera për vlerat atdhetare të familjes Kapiti. Z.Skënder Kapiti e kam njohur mes mediave ku ka shpalosur idetë e tij nacionaliste dhe për bashkim kombëtar, përmes artikujve të panumërt publicistikë edhe përmes librit “Triumfi i Kombit” Po perifrazoj disa nga këto vlerësime :

Shpendi Topallaj ka cituar për librin: “Personazhet e  Bedri Tahirit janë figurat tona legjendare si Azem Bejtë Galica, Ahmet Delia, Hasan Prishtina, Adem Jashari, Hys Popova, Abdyl Krasniqi, Ramadan Zymer Bajraktari e shumë e shumë të tjerë nga ata që mbajtën ndezur “Flakadanët e lirisë”. Por shtjellohen aty edhe ngjarje kuptimplota, nga ato që me epikën e tyre e hijeshojnë biografinë e kombit tonë, na e shtojnë krenarinë dhe na bëjnë të ndihemi dinjitozë para syve të gjithë botës.”

Meqë mu dha rasti edhe unë kujtoj se kultura dhe reputacioni që ky bir i Drenicës, ky mësues i gjimnazit “Eqrem Çabej”, ky veprimtar i UÇK-së, ky gazetar dhe shkrimtar i palodhur, gëzon në Durrës respektin e të gjithë atyre që e njohin fizikisht apo përmes veprave të tij që hedhin dritë mbi luftën legjendare të Kosovës martire.

Natyrisht të gjithë e  kemi të qartë se  me punë njeriu arrin gjithçka sidomos  atëherë kur jep shembullin e mirë.  Gjatë leximit të librit çdo lexues mendon se familja e nderuar Kapiti ka nevojë për përkrahjen ose vëmendjen e pushtetit dhe të politikës si në Shqipëri edhe në Kosovë.

Sadri Kapiti nga Zallqi i Istogut, me prejardhje nga Medvegja e urrente shtypjen, ndërsa dëshira e ethshme për liri dhe dinjitet njerëzor e detyruan të largohet dy herë drejt Shqipërisë, pa ditur se edhe këtu, drejtonte Moska me Beogradin. Sadriu luftoi trimërisht krahas 4000 luftëtarëve të antifashistit Shaban Polluzha nga Drenica, i cili njëkohësisht ishte edhe kundërshtar i shovinizmit sllav. Ndaj u vra nga ushtria jugosllave në vitin 1945.

Sadri Kapiti pasi i vranë nipin, u plagos në këmbë dhe në dorë dhe u shtrua në spitalin e Tiranës. Ai mori një plagë të madhe në zemër kur pa me sytë e tij se ligjin edhe në Shqipëri e bënin emisarët e kuq jugosllavë. I tillë ishte Sadriu,i paepur që nuk falte tradhtinë dhe bashkëpunimin me armikun e kombit të tij.  Me edukatën dhe atdhedashurinë që u dha  djemve, ua la amanet vazhdimin e rrugës së tij, të cilët ecën në gjurmët e babait. Nga ky libër mëson shumë. Sugjeroj se ky libër dhe “Triumfi i Kombit” duhet të shërbejnë si pasaportë për brezat e rinj që nuk e dinë se ç’është sakrifica sublime.

*Është kënaqësi kur lexon se si shprehet Tomorr Çama tek Zemra Shqiptare më 13-10 2015 në shkrimin : “Si i njoha Kapitët e Durrësit”:“Libri i Skënder Sadri Kapitit  “Triumfi i Kombit”që sipas mendimit tim është një thesar e një kryevepër me rëndësi kombëtare, është ashtu siç e ka përcaktuar dhe dikush tjetër si një nevojë që ta ketë çdo familje shqiptare këtë libër në shtëpi. Do të ishte e mjaftueshme sikur vetëm ta lexosh hyrjen e atij libri për të kuptuar vizionin e autorit për prosperitetin, për integrimin ndër shqiptar dhe për atë europian dhe të bashkimit kombëtar.” 

*Ilir Malindi, po te Zemra Shqiptare reagon me zë të mprehtë e therës:“… sipas Skënder Sadri Kapitit patriotizmi kombëtar dhe demokracia e vërtetë janë ilaçet që e kurojnë politikën po që, po sipas tij patriotizmi dhe demokracia  janë dy moralet apo dy virtyte deficitare të mëdha për thuajse tërë politikën kudo shqiptare.” Në një shkrim publicistik të S.Kapitit me titull “Politika është korrupsion” ai citon të ketë thënë për të se : “Politika jonë e keqe përzgjedh, seleksionon, heton dhe vigjëlon për të përjashtuar prej vetes, prej punëve të shtetit dhe prej pushtetit profesionalizmin, moralin , ndershmërinë dhe patriotizmin si dhe atë pjesë të shoqërisë me individë të  këtillë pasi ajo xhelozon për ta , dhe ajo ,pra , politika e keqe ruan dhe mbron ndytësinë, injorancën, hajdutërinë , korrupsionin dhe tradhtinë e vet duke i bërë dëme të mëdha kombit, integrimit dhe prosperitetit të shoqërisë”.

Një mesazh për bashkim

  Një vlerë të madhe ka  libri i z. Tahiri  me kapitullin e veçantë me dokumente të faktuara kërkesa apo vlerësime drejtuar politikës dhe shtetit për vlerësimin e Hotel “Drenica” që ushndërrua në pike referimi i qëndresës së  palëkundur të familjes Drenica çpër çështjen kombëtare. Ai hotel u bë streha e gjithë  vullnetarëve që shkonin për t’u bashkuar me UÇK për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Nga ai hotel zinin fill peticionet, kërkesat, deklaratat  dhe thirrjet për të ndihmuar Kosovën. Edhe pa bërë asnjë shtatore nderimi, ajo godinë e Kapitëve duhet të quhet ” Faltorja e shqiptarëve “, Meka e atdhedashurisë”, “Drenica e Dyrrahut”. Kështu njerëzit do të kuptojnë dhe do ta nderojnë si një vend të shenjtë atë  tempull që hedh dritë mbi luftën legjendare të Kosovës, pasi nga aty niseshin  dhe vinin lajmet nga fushëbeteja e shqiptarëve . Ky tempull i shqiptarizmës i ndërtuar në token e Familjes patriote Kapiti, duhej respektuar edhe nga politika dhe nga shteti duke mos e cënuar por duke e shndërruar në një monument historik, sepse historia e përgjakur e Kosovës është pjesë e pandashme e historisë sonë kombëtare. Po kështu është edhe historia e Çamërisë dhe e tokave shqiptare në Mal të Zi apo Maqedoni.  Diplomacia evropiane na cënoi  duke miratuar një pavarësi të cunguar me një komb të gjysmuar, ndërsa ne nuk duhet të lejojmë që shqiptarët të rishkruajnë një histori të ndarë e të pëçarë në 5 shtete. Por ne duhet të kujdesemi që të shkruhet një dhe vetëm një histori e përbashkët kombëtare e Shqipërisë!

Pikërisht këtë mesazh dhe shumë të tjerë jep libri i z. Bedri Tahiri!

Urime z.Bedri për këtë dhuratë të çmuar që na ke dhuruar! Iu madhoftë emri Kosovës, trimave të saj dhe familjes së patriotit Sadri Kapiti që meriton vëmendjen  e të gjithëve nga të dy anët e kufirit!

Vlorë, më 17-7-2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Drenica, Dyrrahu antik, Familja Kapiti, Vilhelme Vrana Haxhiraj

Diskursi sociopolifik-TË DHËNA JO TË SAKTA PËR SHQIPTARËT NË BOTËN E JASHTME

July 18, 2016 by dgreca

Sipas një raporti  të publikuar  kohë më parë nga OKB, shqiptarë nga Shqipëria të cilët jetojnë jashtë vendit janë 1.12 milion, duke mos cekur fare shqiptarët nga hapësira e tyre etno-gjeografike nga shteti i ish-Jugosllavisë, e dhënë kjo e cila nuk prezanton gjendjen reale të emigrimit të shqiptarëve në botën e jashtme./

Nga Dr.Nail  Draga/

Nder dilemat e periudhës së kohës së pluralizmit, paraqet edhe prezantimi i saktë i numrit  të shqiptarëve  në botën e jashtme, që njihet emërtimin diasporë, e cila për nga koha e emigrimit të tyre ndahet në diasporën e vjetër  dhe në ate të re. Fakti se nuk kemi të dhëna të sakta sidomos  në lidhje  me emigrimin e shqiptarëve nga hapësira e tyre etno-gjeografike nga institucionet shtetërore, krion hapësirë për qasje jo profesionale e madje politizim të skajshëm të kësaj dukurie shqetësuese kombëtare.

Nëse deri në vitin 1990, në lidhje me numrin e shqiptarëve të emigruar  nga hapësira e tyre etnogjeografike e cila ishte ne kuadër të   ish-Jugosllavisë kemi pasur të dhëna të përafërta, pas shëmbjes së sistemit monist  dhe shkatërrimit të këti shteti të dhënat janë aproksimative, edhe pse institucionet e Kosovës, janë përpjekur vazhdimisht që të ofrojnë të dhëna të pranueshme. Ndërsa për shqiptarët  në Shqipëri, për periudhën e para vitit 1990, as qe mund të flitet sepse instalimi I diktaturës komuniste, kishte ndaluar  lëvizjën e popullsisë jashtë vendit e me këtë edhe emigrimin e shqiptarëve në botën e jashtme.

Kujtojmë me ketë rast emigrimin politik  të shqiptarëve të vendosur në ambasadat e huaja me 2 korrik 1990, e ,më pas, dukuri qe mori përmasa  biblike, duke kaluar në mënyrë ilegale kufirin nga toka e deti. Emigrantët e parë  ilegal u vendosën  fillimisht në vendet fqinje Greqi e Itali  e më pas edhe  në vendet tjera europiane dhe deri në Amerikë e Australi.

Diaspora shqiptare e kohës së re

 Pikërisht, në lidhje më çështjen e emigrimit të shqiptarëve në Qeverinë e Kosovës është themeluar Ministria e Diasporës, e cila profil pune ka  numrin e të emigruarëve dhe vendosjës së tyre në shtetet përkatëse. Pra kemi të bëjmë me diasporën qe ne aspektin kohor është e kohës së re, në krahasim me ate të mëhershmën qe quhet diaspora historike, e cila fillon nga Mesjeta e më pas.

Edhe pse ka qenë e udhës  që shteti amë i shqiptarëve –Shqipëria të formojë një institucion përkatës për numrin e shqiptarëve në botë, me keqardhje konstatojmë se  kjo çështje edhe në pluralizëm u anashkalu. Dhe nga një qendrim i tillë në Shqipëri nuk ekziston një institucion përkatës qeveritar edhe pse gjoja këtë resor e mbulon një dikastër në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Veprimet e tilla nuk janë as serioze e as profesionale, që për shumë çka të kujton kohën e monizmit, ku diaspora shqiptare nuk është  trajtuar si pjesë e popullit shqiptarë, por me qasje ideologjike  dhe utilitare.

Rreth 40% të shqiptarëve nga Shqipëria në emigrim(!?)

 Pikërisht në lidhje me këtë çështje  në javën e parë të qershorit të këtij viti mediat elektronie njoftuan  një informatë me burim OKB, që ka të bëjë më numrin e shqiptarëve  që jetojnë jashtë  vendit të tyre. Kemi të bëjmë me një informatë me numrin e shqiptarëve  nga Shqipëria të cilët janë të vendosur në shtete të ndryshme të botës, numër ky qe arrin shifrën  1.120.000  shqiptarë, të lindur në Shqipëri.

Duke marrë parasysh të dhënat nga regjistrimi i fundit të popullsisë  në Shqipëri të mbajtur në vitin 2011, të dhëna të publikuara  nga  INSTAT-i, del se popullsi rezidente  në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë tashmë 40% të atyre që banojnë në vend. Një e dhënë e tillë dëshmon qartë emigrimin e popullsisë e me këtë edhe gjendjen sociale e ekonomike të Shqipërisë, qe nuk meriton ndonjë hulumtim të veçantë. Nëse këtij numri i shtojmë edhe fëmijet e tyre të cilët nuk kanë lindur në Shqipëri, del qartë se kjo shifër duhet të jetë më e lartë.

Nga të dhënat e publikuara del se tre  janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e bashkuar 10 mijë etj.

Sipas informacioneve nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), pjesa më e madhe e emigrantëve kalojnë kufijtë për arsye ekonomike dhe mundësi më të mira sociale.

Nga të dhënat e bëra publike nga OKB dhe me përpunimin e Pew Research Center është hartuar harta globale e origjinës dhe destinacioneve të emigrantëve kudo në botë.

Kjo përqindje ka gjasa të rritet edhe më shumë në periudhën në vijim, pasi  në vitin 2015 u shënua një rritje e valës së emigracionit, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Europian por dhe SHBA-ve. Sipas të dhënave të Eurostat-it, numri i kërkesave për azil të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian ka shënuar një rritje të frikshme në vitin 2015. Numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në gati 66 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë.

Ndërsa dukuri shqetësuese për vitin 2015 në Shqipëri paraqet e dhëna se për lotarinë amerikane kanë aplikuar 200 mijë qytetarë shqiptarë, nga del se emigrimi i popullsisë nuk paraqet me dukuri por proces i cili nuk ka të ndalur, qe do të jetë me pasoja të mëdha kombëtare.

Duke marrë parasysh se këto të dhëna kanë të bëjnë vetëm për shqiptarët e lindur në Shqipëri, këto të dhëna nuk janë të sakta sepse këtij numri duhet shtuar edhe numrin e shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës e Mali I Zi,. Pasi nuk kemi të dhëna të sakta numerike por duke marrë parasysh se nga këto mjedise emigrimi I shqiptarëve ka qenë dukuri konstante nga viti 1960  e më pas nuk ka dilemë se ky numër  duhet të jetë mbi  dy million shqiptarë, e dhënë kjo shumë shqetësuese  dhe plagë  kombëtare  e pa shëruar.

Regjistrimi i diasporës obligim shtetëror

 Në lidhje me këtë çështje i mbetet detyrë parësore Ministrisë së Diasporës së Qeverisë së Kosovës, ne bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë për të hartuar një program pune të përbashkët për regjistrimin e shqiptarëve në botën e jashtme, pavarësisht se nga cili shtet janë sepse ata kudo qe janë janë shqiptarë. Andaj në ketë regjistër duhet të përfshihen edhe ata shqiptarë që jetojnë në botën e jashtme qe nuk janë nga Kosova e Shqipëria, sepse si të tillë plotësojnë mozaikun regjional të diasporës shqiptare.

Numri i saktë i tyre, vendi ku jetojnë e punojnë, madje edhe strukturat e ndryshme të tyre janë në favor të evidentimit jo vetëm numërik por edhe të resurseve të tyre njerëzore në vendet ku ata qendrojnë.

Në këtë dimension vendet  me traditë demokratike këto çështje i  kanë zgjidhur me kohë, dhe kanë informata të sakta se ku gjindet çdo bashkëkombas i tyre dhe çka përfaqëson ai në mjedisin përkatës sidomos në aspektin social dhe  profesional.

Diasporës vendin që e meriton

Andaj, institucionet përkatëse  duhet të jenë të kujdesshëm me diasporën, duke vlerësuar kontributin e saj në zhvillimin e vendit, apo çlirimin e Kosovës, andaj duhet dhënë vendin qe e meriton duke i mundësuar të marrë pjesë me përparësi ne investimet e ndryshme qoftë të veçanta apo në partneritetin publiko-privat e po ashtu  edhe në zgjedhjet parlamentare, ku përmes përfaqësuesve të tyre të jenë pjesë e zhvillimit të përgjithshëm shoqëror  si kudo në vendet demokratike.

Korrik  2016

Filed Under: Analiza Tagged With: DR. NAIL DRAGA, NË BOTËN E JASHTME, TË DHËNA JO TË SAKTA PËR SHQIPTARËT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 90
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT