• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2016

Prizren-DokuFest 2016 me 238 filma nga 57 shtete

July 17, 2016 by dgreca

-DokuFest po feston edicionin e tij të 15-të, e nisi udhën e tij në vitin 2002, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë/

PRIZREN, 17 Korrik 2016-B.Jashari/Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest ka shpallur programin e edicionit të 15-të, jubilar, i cili do të mbahet nga 5 deri në 13 gusht në  qytetin e Prizrenit në Kosovë. Të zgjedhur nga një numër rekord i aplikimeve, festivali do të prezantojë 238 filma nga 57 shtete në 6 programe garuese dhe në disa speciale.
“Korrupsioni është tema qendrore e festivalit të këtij viti, konteksti social lokal dhe global si dhe pasojat e tij, të cilat do të theksohen dhe eksplorohen përmes një numri të eventeve, përfshirë panele, diskutime me filmëbërës dhe eskpertë të ftuar ndërkombëtarë dhe lokalë, punëtori dhe në një konferencë të teknologjisë” , bëjnë të ditur organizatorët.
“DokuFest po feston edicionin e tij të 15-të me një program eklektik të filmave. Ne shpresojmë që ata do të ju mahnisin, emocionojnë dhe befasojnë aq sa edhe neve”, thekson drejtori artistik, Veton Nurkollari.

“Ne jemi të kënaqur që jemi në gjendje të prezantojmë veprat e cilësisë më të lartë nga filmëbërës të ri dhe mjeshtërat e kinemasë në këtë edicion jubilar”, shprehet ai.

Në fillimin e muajit mars të këtij viti  njoftohej se kishin mbërritur mbi 4500 aplikime për DokuFest 2016 dhe se ishte mbyllur  thirrja për aplikim  e hapur në 24 nëntor 2015.

Verën e kaluar, në DokuFest 2015 në qendër ishte tema e migrimit me filma nga e gjithë bota dhe rajoni. Nga 228 filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtë, 124 bënin pjesë në programet garuese.

DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, me 238 filma, nga 57 shtete, Prizren-DokuFest 2016

Lamtumire Ismajl Ymeri, Orson Welles-i shqiptar!

July 17, 2016 by dgreca

Nga Sadik ELSHANI*/ Filadelfia/

Me pikellim te thelle e mora lajmin e ndarjes nga kjo bote te regjisorit dhe aktorit, shkut tone te shtrenjte, Ismajl Ymeri. Te njejten dhimbje e kam ndier per Ismajlin sikur per dy vellezerit e mi qe nderruan jete ne nje perudhe te shkurter kohore brenda dymbedhjete diteve. Vdekja e parakohshme e Ismajlit eshte nje humbje e madhe per kinematografine, teatrin dhe kulturen e Kosoves dhe ate mbarekombetare. Me sillen neper mend shume kujtime te paharrueshme nga jeta jone studentore. Me Ismajlin kemi studiuar ne te njejten kohe ne Universitetin e Zagrebit, kuptojhet, ne fakultete te ndryshme. Ne vitin 1977 Televizioni i Prishtines me burse kishte derguar disa studente per te studiuar ne Akademine per Teater, Film e Televizion ne Zagreb, sepse Kosoves i mungonin njerez me pergatitje te tilla profesionale. Ne kete grup benin pjese studentet e regjise: Agim Sopi, Ismajl Ymeri, Fahri Hysaj (i ndjere), Milazim Salihu – kamere, Bardhyl Bekteshi – montazh. Te gjithe ishin mjaft entuziaste dhe e donin mjaft profesionin e tyre. Se bashku me disa studente te tjere e kishim formuar nje shoqeri te ngushte. Meqenese e studionte regjine dhe me pare e kishte kryer shkollen e larte per aktor ne Prishtine dhe per shkak se fizikisht i ngjante shume aktorit dhe regjisorit te njohur amerikan, Orson Welles (1915 – 1985), une fillova ta quaja Orson Welles-i shqiptar. Para disa vitesh vellau im, Shaipi, qe punon ne Zvicer, e kishte takuar Ismajlin ne nje lokal dhe ia kishte perkujtuar se si une e quaja Orson Welles, ndersa Ismajli, ne stilin e tij karakteristik,  ia kishte marre nje te qeshure gjer ne kup te qiellit.

Kur kishim kohe te lire, grupi yne takohej dhe bisedonim per ceshtje te ndryshme, studimet tona, ngjarjet e dites. Por, gjithmone kishim ne qender te vemendjes gjendjen e Kosoves, fatet e kombit tone. Kuptohet, me ta bisedonim shume per teatrin, filmin, artin ne pergjithesi, problemet dhe nivelin jo aq te lakmueshem te jetes kulturore ne Kosove. Ishim ai brez, si edhe shume breza perpara nesh, qe koha, rethanat shoqerore – historike na kishin pjekur para kohe. Ismajli ishte shume i shoqerueshem, i afert, i sinqerte, kishte nje personalitet shume te ngrohte dhe ishte mjaft “muhabetxhi”, sic thone ne Kosove. Prandaj edhe ndejat, bisedat tona neper dhomat tona studentore u ngjanin bisedave qe dikur beheshin neper odat shqiptare. Kishte nje te qeshur karakteristike; i qeshte tere fytyra dhe goja i shkonte vesh me vesh e me nje ze kumbues.qe e mbushte tere dhomen. i pelqente biseda dhe shoqeria e mire. Kur kishim ndonje feste, ditelindje, apo diplomim, shpesh edhe kendonim. Nder kenget tjera, i pelqente ta kendonte kengen e rapsodit Dervish Shaqa 91912 – 1985):

Oj Shqipni kala ner kreshta

Veq shqiponja ke rrite ne djepa

Veq shqiponja e gjeraqina

Hiq nuk dine si kthehet shpina.”

Nganjehere me ndodhte qe ta takoja ne Kinoteken e Zagrebit ku shfaqeshin filma me vlera te larta e te pamohueshme artistike, klasiket e kinematografise boteroer. Studentet e Akademise per Teater, Film, e Televizion ishin te detyruar t’i shikonin keta filma. Ismajli ka qene nje njeri me ndjenja te pastra atdhetare, mjaft i guximshem ne jete dhe ne krijimtarine e tij artistike, njeri qe i ka ndare shqetesimet se bashku me shoket dhe popullin e tij. Ngerthente ne vete virtytet me te mira burrerore te krahines se tij, Drenices.

Ne vitin 1978 ne Zagreb i organizuam Takimet e Majit. Ishin keto takime vjetore te studenteve shqiptare qe studionin ne universitetet e Beogradit, Sarajeves, Zagrebit, Lubjanes. U takonim per t’u njohur me mire me njeri – tjetrin, por edhe benim gara sportive, shfaqnim programe artistike, muzikore, letrare, etj. Nga keto takime me ka mbetur i fresket ne kujtesen time nje veprim i Ismajlit. Per te shfaqur nje program artistik dhe njeheresh per te organizuar darken, autoritetet e Zagrebit na mundesuan qe ta shfrytezonim nje Shtepi te Kultures. Regjisori i njohur gjilanas, Fetah Mehmeti (i ndjere), qe atehere studionte regjine ne Beograd, kishte pergatitur nje shfaqje shume te fuqishme me poezite e Migjenit. Por ja, vetem pak caste para se te fillonte programi, ai nuk pranonte qe te shfaqej recital i tij,  nese fotografia e Titos nuk hiqej nga skena. Arsyetimi i tij ishte se, ne teater nuk ka fotografi te udheheqesve. “Kur recitohen vargjet: “Pak drite, pak drite, o shok, o vella”, atehere po del se ne po i drejtohemi Titos”, ngulte kembe Fetahu. U ndodhem perpara nje gjendje pak si te veshtire e teper te ndjeshme. Kamerat e Televizionit te Zagrebit ishin bere gati per ta filluar xhirimin. E kontaktuam punonjesin e shtepise se kultures dhe ia spjeguam gjendjen, kerkesen e Fetahut dhe i kerkuam qe ta largonte fotografine nga skena e ta vendoste ne ndonje vend tjeter. Por, ai teper i shqetesuar na ktheu se nuk mund ta bente nje gje te tille. Atehere se bashku me Ismajlin e larguam fotografine dhe e vendosem ne nje vend tjeter jashte salles. Ku te dale le te dale, por kurre askush nuk e permendi kete incident. Jo qe ishim aq trima, por ishim te rinj atehere. I tille ishte Ismajli, nuk priste qe dikush ta bente ate qe ai mund ta bente vete, qofshin keto edhe raste teper te ndjeshme qe mund te kishin edhe rrjedhoja te pakendshme.

Duke bere kerkime ne internet hasa ne nje shkrim te Gani Mehmetajt (ish gazetar i “Rilindjes”, tani drejtor i Ksovafilmit), pjese nga libri i tij “Endrra e madhe” qe rrefen per nje incident qe kishin patur me gazetaret serbe ne Festivalin e Filmit ne Beograd. Ky shkrim ben fjale per permbajtjen e filmit te Ismajl Ymerit dhe njeheresh nxjerr ne pah karakterin e forte te Ismajlit: “Ismajl Ymeri shfaqi filmin artistik te metrazhit te mesem, “Duart e pastra”. Me kujtohet me sa egersi e sulmuan Ismajl Ymerin, vetem sa nuk e thirren policine ta arrestonin, sepse ne portretin qe shihej ne film, ata e pane figuren e presidentit te tyre, mareshalin Tito. Filmi rrefente per nje vend diktatorial qe ekzekutonte njerez me togen e pushkatimit. Ishte film i shkelqyeshem qe fliste shume. Koha e hapesira nuk percaktohej. Gazetaret serbe u terbuan kur pane radioaparatin “Kosmaj” ne filmin e Ymerit, qe ishte mburrja e tyre kombetare, kurse me te e percaktuan edhe vendin ku beheshin ekzekutimet. Nisen ta mberthejne regjisorin Ymeri, ndersa i doli ne ndihme Bajram Sefaj (gazetar e shkrimtar) dhe une (Gani Mehmetaj)… ndersa Ismail Ymeri mbrohej me dinjitet”.

Pervec filmit te lartpermendur, “Duar te pastra” (1981), Ismajl Ymeri ka bere regjine edhe te ketyre filmave: “Lepuri me pese kembe” (1982), “Migjeni” (1989), “Kur shpirti nderron jete” (2001), ndersa si aktor ka luajtur ne filmin e regjisorit Isa Qosja, “Rojet e mjegulles” (1988). Ka kryer edhe shume projekte ne Radiotelevizionin e Kosoves dhe neper teatrot e Kosoves. Se bashku me zonjen Rabije Bajrami e ka themeluar Teatrin e te Rinjve dhe Kukullave ne Prishtine, te cilin me vone do ta pagezonte me emrin, “Dodona”.  Pas viteve te 90-ta te shekullit te kaluar, ne pamundesi per ta vazhduar profesionin e tij ne Kosove, ka emigruar ne Suedi, ku ka qene i angazhuar ne disa projekte filmike ne sherbim te ceshtjes se Kosoves. Pas luftes eshte kthyer ne Kosove dhe ne Prizren e ka themeluar Akademine per Teater, Film, Televizion e Radio. Viteve te fundit eshte kthyer perseri ne Suedi ku edhe ka nderruar jete me 13 korrik, 2016.

Se bashku me koleget e tij, Agim Sopi, Fahri Hysaj, Fadil Hysaj etj. kane dhene nje ndihmese te jashtezakonshme ne zhvillimin e kinematografise dhe teatrit kosovar, duke sjellur tematike te re, qasje te reja, moderne, si ne forme, ashtu edhe ne permbajtje,  ne pasqyrimin e fateve te kombit tone. Ka qene artist i angazhuar dhe shqetesimet e tij per gjendjen e Kosoves dhe popullit te saj i ka paraqitur me realizem e mjeshteri artistike ne filmat e tij dokumentare e artistike. Keto dite lexova ne internet per nje ngjarje mjaft prekese qe kishte te bente me fatin e jetes se nje plaku te pastrehe. Ismajlit ishte prekur shume kur prapa Teatrit Kombetar e kishte pare nje plak duke mbledhur mbeturina neper kontajnera (mbajtese), per te mbijetuar. Nga dhimbja dhe respekti,  Ismajli i kishte ofruar ca para, por plaku pasi e kishte shiquar gjate, duke qeshur ia kishte kthyer: “Jo zotni, une nuk marre pare, nuk jam lypes. Jam nevojtar, po nevojat e mia i plotesoj me keto qe po me sheh. Ismajli pastaj e kishte ftuar plakun per te ngrene dreke ne njerin prej lokaleve te aferta, por plaku i ishte pergjigjur: “Zoti te nderofte, paq bereqet gjithmone, po une vi me hanger dreke kur te jem unte e tash nuk jam”. Megjithate, pas ca ditesh Ismajli ishte takuar me plakun per te pire nje kafe se bashku. Plak i varfer e nevojtar, por me qendrim dinjitoz, stoik e krenar. Varferia nuk kishte arritur t’ia varferonte shpirtin, ta zvetenonte kete plak fisnik. Lidhur me kete ngjarje, Ismajli me siguri ka qene duke punuar ne ndonje projeck filmik. I tille ka qene Ismajli, asnjehere indifferent per ngjarjet qe e kane rrethuar, per problemet qe e kane shqetesuar, qofshin ato edhe per njerez fare te panjohur.

Pas mbarimit te studimeve, me Ismajlin dhe shoket tjere takoheshim here pas here ne Prishtine, ose Zagreb ku isha duke i vazhduar studimet posdiplomike. Me 1988 kam ardhur ne Amerike dhe nuk kam patur me mundesi qe ta takoja Ismajlin, por vellezerit e mi e kane takuar ate here pas here. Para dy vitesh isha ne Kosove dhe mendova se mos do ta takoja Ismajlin ne Prizren, por shoket me thane se ai perseri kishte shkuar ne Suedi. Ne qe kemi studiuar ne Universitetin e Zagrebit, jemi munduar t;i mbajme te gjalla lidhjet me njeri – tjetrin. Ismajli se bashku me disa kolege tjere kane organizuar disa takime ne Prizren me ish studentet shqiptare te Universitetit te Zagrebit. Kolegu im tjeter i studimeve, Arsim Cejku, qe tani jeton ne Baltimore, pati miresine qe te me dergonte nje CD ku ishte i filmuar njeri nga keto takime.

Prania fizike ne kete bote eshte e perkohshme, kujtimet, miqesia e dlire, veprat e mira mbesin te perjetshme. Lamtumire Ismajl, miku yne i shtrenjte, lamtumire Orson Wellesi-i shqiptare! Gjithemone qofsh i kujtuar!

 

Philadelphia, 16 korrik, 2016

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: ESSE Tagged With: Lamtumire Ismajl Ymeri, Orson Welles-i shqiptar!, Sadik Elshani

Ku ta dija unë i varfri se armiku ishim ne

July 17, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Fetullah Gylen, predikuesi i komunikimit ndërfetar, është sot i akuzuari me emër për grushtin ushtarak në Stamboll. Ai jeton prej më shumë se 20 vjetësh në Pensilvania, veriun e Amerikës, për shkak të përndjekjes nga regjimi i ashtuqujtur demokratik, i Rexhep Taip Erdoganit. Manjati i një rrjeti të fuqishëm arsimor në gjithë botën. Operon një biznes në bazë të ligjeve të vendeve përkatëse, edhe pse në vendin e tij konsiderohet si kreu i terrorizmit. Dhe kjo për ironi të fatit, nga ish miku i ngushtë. Apo nga një prej adhuruesit e tij, që nga koha kur Erdogani aderonte në partinë e shpëtimit kombëtar të drejtuar nga një inxhinjer me emrin Nexhmedin Erbakan. Kryeministri i rrëzuar prej ushtrisë më 1997-tën, pikërisht për tentavitat e kapjes së shtetit nga feja., tentativa të cilat, në fillimet e tia i kundërshtonte edhe vetë Erdogani. Atëkohë idetë Gyleniste ishin frymëzimi dhe startimi i një stadi tjetër. Politikani me ambicje, Rexhep Taip Erdogan. I cili e transformoi totalisht partinë e inxhinjerit, madje i dha edhe një emër të ri. Partia për zhvillim dhe drejtësi. Sapo erdhi në pushtet, (2003) të parin që detyroi të largohej prej vendit, qe miku i tij i ngushtë. Ose ky kleriku sot terrorist, qytetari i ri amerikan Fetullah Gylen.

Që nga 2003 e deri këtë orë, qeverisja e tij është e mbushur me plot hije dhe ndëshkime, gjak apo surgjynosje. Duke mos përjashtuar korrupsionin dhe adresimin e fondeve publike në duart të një tarafi që i ngjan makinerisë së propogandës, sigurimit etj…, nga koha e revolucioneve të diktaturave të proletariatit.
Dhe gjithçka nën emrin e votës së lirë, demokracisë etj. Edhe pse përdorë tehun e shpatës si në kohët e kryqëzatave mesjetare. Megjithatë, ai sot shihet si një hero. Mijëra njerëz marshojnë nën emrin e tij. Nisur nga nga kjo dalldi masash, ai arrin e i bën karshillëk edhe fuqive të mëdha. Madje i kërcënon.
Dhe pas të gjitha gjasave, janë pikëpjekje të historisë që, për një apo dy arsye, i bën masat popullore gati të verbra. Dhe të lumtura në një vetmohim absurd.
Ndaj sot për turqit erdoganas, armiqtë janë gylenistët. Dhe jo përshembull ata, që ai bardi popullor shqiptar, i kohës së diktaturës, shkruajti se…, ku ta dija unë i gjori se armiku ishim ne.
Janë puçistët e radhës të gjithë ata gylenistë që kundërshtojnë instalimin e një sulltanati të ri. I cili në emrin aleancës së atlantikut apo Natos, hedh bomba mbi kurdët e Sirisë me preteksin se po lufton shtetin islamik. Dhe sapo shikon që i tërhiqet veshi nga aleatët, shpik grushtet e shtetit, gylinistët dhe puçistët etj.
E megjithatë, ai është heroi.
Sot webet shqiptare janë të mbushura me një protestë studentësh në Shkup nga kolegjet gyleniste. Një lloj solidariteti absurd me sulltanin, me dhunën dhe kundër arsimit. Këta janë shqiptarë…
Unë do të thoja se nuk është e çuditshme. Madje nuk keni parë akoma gjë, kur thotë Edi Rama.
Ne jemi ekzemplarë të stisjes së fakteve të rreme. E nisëm me klerikët tanë. Glorfiikuam dhunuesin me bindje se po lartësonim të vërtetën. E bëm këtë kundër inteligjencës tonë kur përkrahëm terrorin jugosllav. E bëm me rusët kundër jugosllavëve. Dhe me kinezët kundër rusëve. E bëm me diplomat tona, duke i zëvendësuar me teserat e partisë. KuE bëm me diktaturën tonë kundër botës, deri sa pritëm demokracinë. Tani po e bëjmë me shqiptarizmën, në emër të fetarizmit prej Anadollit etj.
Eshtë një rrëfim i Petro Markos, tek Retë dhe gurët, kur pas fitores së revolucionit të kuq. Enver Hoxha po u ndante hisen tarafit të tij.
Këto hise vinin nga armiqtë e popullit dhe të diktaturës së proletariatit. Midis të tjerave ai thotë se, në vilën që më dhanë të jetoja, atë të Andon Beçës. Gjeta një zonjë të gjatë, ajo ishte franceze dhe e martuar me djalin e Andonit. Më flisnin me frikë pasi e dinin që shtëpia ishte për mua. Më flisnin me frikë, dhe unë u thashë se doja vetëm një dhomë sa për të fjetur. Ajo ma ktheu se urdhri ishte që të dilni andej vetëm me rrobat e trupit.
Për të mos u zgjatur, Petro iu drejtua Koçi Xoxes se, kështu siç e kishin nisur shpejt do ishin ata armiqtë e popullit. Mirëpo, ja që populli u dha një bllok, u dha roje, u dha dëshmorë…, edhe pse klika ishte terroriste. Madje u dha pushtet për dyzetë e pesë vjetë.
Kësisoj edhe me armikun Fetullah Gylen.
Me grisjen e diplomave.
Kësisoj me lavdinë, fitoren, ruajtjen e demokracisë prej Erdoganit.
Deri sa një ditë të këndojmë në kor, atë që, ku ta dija unë i varfri se armiku ishim ne.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, ishim ne, Ku ta dija unë i varfri, se armiku

Raishtagu i vonë i sulltan Erdoganit

July 17, 2016 by dgreca

– nga Kolec Traboini /

Ne Foto:Gjenerali shqiptaro-turk Adem Huduti i arrestuar si “koke turku” per grushtin e shtetit/
Grusht shteti apo shteti në grusht- Në foton e parë gjenerali shqiptaro-turk nga Kosova Adem Huduti, i arrestuar nga rregjimi i Erdoganit si komplotist. Me siguri e pret ekzekutimi. Mediat thonë se nga 29 kolonelë dhe 5 gjeneralë që janë arrestuar deri tani, 25 prej tyre kanë prejardhje shqiptare. Në foton e fundit të shkrimit prerja e kokës së një ushtari tek ura e Bosforit nga bandat e Erdoganit. Pyetja që shtrohet: kush është terrorist? Nga KOLEC TRABOINI Sipas deputetit më të vjetër turk, republikanit Deniz Baykal, e gjithë kjo çka ndodhur me grushtin e shtetit të 16 korrikut 2016 në Stamboll dhe Ankara, të duket e pabesueshme. Si qenka e mundur që një grusht shteti ushtarak i mirë organizuar të nis e shuhet brenda dy orëve. Si në një film. Është për të përgëzuar aktorët e këtij filmi të cilët i kanë luajtur rolet shumë mirë. Gjenerali shqiptaro-turk i arrestuar Adem Huduti Ky arsyetim i deputetit, ish kryetar i partisë republikane dhe ish kryetar parlamenti,  vë në dyshim shumëçka thuhet për grushtin ushtarak të shtetit në Turqi. Ndërkohë mësohet se ushtaraku me gradën më të lartë në ushtri i arrestuar është gjeneral Adem Huduti. Ky është një shqiptar i lindur në Kosovë në vitin 1952. Ka emigruar në Turqi  dhe është diplomuar në Akademinë Ushtarake në vitin 1973. Ai deri në çastin e grushtit të shtetit ishte me detyrën e komandantit të Ushtrisë së Dytë, pjesë e Këmbësorisë së Forcave të Armatosura të Turqisë. Gjithsesi kryesimi i grupit ushtarak konsiderohet një koloneli që ishte i shkarkuar nga detyra në mars 2016 Muharrem Kose sepse konsiderohej si gylenist. Ai kishte një betejë ligjore sepse e konsideronte shkarkimin e tij të paligjshëm. Por pakënaqësi nuk kishte vetëm ai. Gjykatat turke, që deri në këtë grusht shteti nuk ishin të gjitha nën tutelën e Erdoganit, mesa duket i kishin në shqyrtim këto çështje që mund të mos trajtoheshin gjithherë siç i pëlqente presidentit. Kush është Muharrem Kose pak dihet. Ka mbaruar studimet në Universitetin e Ankarasë  në vitet 1988-1992. Makthet e presidentit turk Erdogan nuk e lenë të bëjë gjumë të qetë, sepse i shfaqen kudo gylenistë dhe një prej atyre që vuri në rreth të kuq ishte dhe ky ushtarak. Spiunët e Erdoganit i nuhasnin të gjitha këto pakënaqësi dhe mund të kenë depërtuar në rrethin e ngushtë të pakënaqurve si Muharrem Kose. Natyrshëm lind pyetja, a është edhe Muharrem Kose një shqiptar i Turqisë sepse në ushtrinë turke ka shumë nga shqiptarët e emigruar apo të lindur në Turqi por me prindër shqiptarë. Për të thuhet se është vrarë gjatë grushtit të shtetit. Kol. Muharrem Kose që udhëhoqi revoltën konsiderohet i vrarë. Kohët e fundit presidenti Erdogan që e sheh veten me një pushtet absolut, kishte ndërmarrë disa masa për ta blinduar pushtetin. Kjo ishte dhe miratimi i një ligji për heqjen e imunitetit dhe ndjekjet penale të deputetëve. Kjo ngjalli pakënaqësi në Turqi. Ankimi që opozita turke i bëri këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese u kthye duke u konsideruar e ligjshme. Kështu u hap rruga që Erdogani dhe klika e tij të kishin mundësi të eliminonin të gjithë kundërshtarët në parlament, por syrin e kishte edhe në ushtri dhe në gjyqësor, për  të zhdukur përfundimisht influencat e kundërshtarit të tij Gylen, që ka bërë strehë në Shtetet  Bashkuara të Amerikës. Po kujt i interesonte ky grusht shteti i dështuar. Çfarë synonin ushtarakët edhe si e nisen këtë grusht shteti pa marrë asnjë masë për të paralizuar presidentin Erdogan, madje duke e lënë edhe të lidhet me një televizion, CNN turk. Marrja e aeroportit dhe lëshimi i tij vetëm pas një gjysmë ore vë në dyshim gjithçka. Përhapja e lajmeve se Erdogan kërkonte strehim në Gjermani apo në Britani ishin sajime të inteligjencës turke. Biseda me celular nga avioni ishte edhe ajo një mizanskenë e organizuar si nëpër filma. Dhe fiks pas 2 orësh avioni zbret pa asnjë problem në aeroportin Ataturk dhe në kushtet e një grusht shteti Erdogani lehtësisht mban dhe një fjalim, i ulur sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Fytyra e tij e qetë dhe pa shprehje nuk përjetonte asnjë emocion të ndonjë frike sepse jemi në kushtet e grushtit të shtetit. Gjithçka thotë për të kundërtën. Dhe kameramanët për transmetim direkt në televizion ishin gati. Mungonte vetëm Ciaku regjisorial. Dhe imazhi i Erdoganit,  si një udhëheqës i madh dhe i pamposhtur rritet në sytë e masave të injektuara me një lloj propagandë fetare, sepse pro Erdoganit dolën me thirrje të gjithë imamët e xhamive të Turqisë. Çfarë ishte kjo? Demokraci imamësh?! Ku e dinin ata çfarë po ngjiste kur gjithçka paska qenë e izoluar dhe e pjesshme. Pra edhe kjo histori me imamë është e parapërgatitur dhe pjesë e skenarit të shërbimit sekret në duart e Erdoganit. Grushti i shtetit i sajuar që u shkërmoq për 120 minuta. Pra i gjithë ky grusht shteti u zhvillua sa kërkon një shfaqje në teatër a një film në ekran,  pse mund të jetë manipuluar nga pasuesit e Erdoganit dhe shërbimi të tij sekret? Më saktë, në aq kohë sa do të zgjaste udhëtimi i Erdoganit nga pushimet në jug të Turqisë e deri në aeroportin e Stambollit. Pra  është e dukshme se urdhëri është dhënë të qe gjithçka zhvillohej sa të zgjaste udhëtimi. Kur të mbërrinte sulltani në Stamboll, gjithçka duhej të ishte e përfunduar. Pra gjithçka padishahu i neo-osmanizmit e orkestronte nga ajri me celular. Mirë kish parashikuar “Washington Times” me 7 prill 2016, pra katër muaj më parë se në Turqi është e mundur të sajohet një grusht shteti për të përforcuar pushtetin e Erdoganit. Pra jo të gjithë mund ta gëlltisin këtë lloj puçi me puçistë që marrin pushtetin dhe vetshpartallohen. Por llogaria e efektit është bërë që të trullosen  turmat e verbra, ata që ju bëri thirrje të dilnin në rrugë dhe punë minutash u gjendën në rrugë, a thua se të gjithë ishin të veshur e ngjeshur te gatshëm për aksion. Dhe ashtu duket se kanë qenë. Ushtaraket puçistë e paskan lënë të komunikonte lirshëm me televizionin,  kësisoj  me popullin, i cili dëgjonte thirrjen dilni të shtypni puçin për të mbrojt gjoja demokracinë.  Rrahjet publike të ushtarëve nga pasuesit e Erdoganit. I gjithë ky skenar sado i punuar mirë nga segmentet e sigurimit të shtetit turk, nëse do ta shikosh me qetësi e vëmendje duket aty këtu i qepur me pe të kuq. Se thonë dhe kështu, që disa minuta para se të niste grushti i shtetit, Erdogani kishte dalë nga hoteli për të shkuar urgjentisht në Stamboll, kështu që një grup komplotistësh shkuan  por nuk e gjeten. Përrallë e bukur. Po pse qe nisur për Stamboll nëse nuk do ta dinte se do të niste një komplot kundër pushtetit të tij personal të pakufizuar. Këto sugjerime mediatike nga makina propogandistike e Erdoganit nuk i ha askush. Po si mund të ketë ndodhur?  Gjasat janë që pakënaqësinë e ushtarakëve të liruar nga ushtria me urdhër të diktatorit Erdogan, që kanë qenë rreth 2000, e kanë manipuluar për një revoltë shërbimet e sigurimit të qeverise turke. Diçka e ngjashme me Rajshtagun 1933  që solli konsolidimin e pushtetit absolut të Adolf Hitlerit. Ky stil është i njohur dhe aplikuar gjithandej nga diktatorët.  Erdogani nuk është as i pari e as i fundit diktator në shfrytëzimin e të tilla metodave konspirative. Hordhitë e Erdoganit masakrojnë ushtarët nëpër rrugë Tanimë të gjithë e dinë se çfarë ndodhi në Kumanovë. Agjentë të shërbimit sekret maqedonas në konspiracion të plotë, nxitën elementet atdhetarë shqiptarë të nisnin një lëvizje luftarake brenda Maqedonisë. Madje duke e ndihmuar ata. Këta segmente, spiunët e Maqedonisë,  ishin në dijeni të gjithçkaje pra në një mënyrë apo në një tjetër ky grup atdhetarësh shqiptarë pa dijeninë e tyre kishin rënë viktimë e një skeme të kontrolluar. Dhe në momentin që e panë të përshtatshme, forcat qeveritare maqedonase ndërhynë për të shtypur gjoja komplotin. Dhe ja arriti. Vetë e sajoj e vetë e shtypi në mënyrë të përgjakshme për hir të përfitimeve politike. Një skemë e tillë duket hapur se është  aplikuar në Stamboll dhe në Ankara. Janë shfrytëzuar të pakënaqurit në radhët e ushtrisë. Ai grup ushtarakësh i frymëzuar nga vepra e Ataturkut për një shtet laik, e jo siç e ka kthyer Erdogani me frymë fetare,   ka qenë krejtësisht i bindur se po rrëzonin një tiran, i cili shtypte çdo shprehje lirie e prej të cilit nuk mund të shpëtonin në kushte kur ai kontrollonte çdo gjë në Turqi. Madje ai kishte manipuluar njerëzit nëpërmjet përdorimin të fesë myslimane për përfitime politike. Vetë partia e tij e tillë është.  Jo më kot u futen në lojë te gjithë imamët e xhamive të Turqisë. Se sa e mbrojnë demokracinë imamët shihet kur i dëgjon predikimet e tyre në tërë Lindjen e Mesme por madje edhe në Ballkan. Ata as që e përmendin kurrë Ataturkun, i cili ndërtoi shtetin modern e laik turk. Të cilin Erdogani e ktheu në një shtet me prirje fetare duke na kujtuar kohën kur Sulltani ishte edhe drejtuesi i fesë me një pushtet absolut. Imamët e xhamive, përkrahës të Erdoganit masakrojnë ushtarët Por me këtë grusht shteti të manipuluar nga shërbimet sekrete turke, fitimi më i madh i Erdoganit është se ai llogarit se, me këtë çfarë ndodhi, e dërrmoi përfundimisht kundërshtarin e tij politik Gylen. Jo me kot ai gjithçka që ndodhi dhe vetë e orkestroi ja faturoi Gylenit duke u ngutur ta konsideroje publikisht si terrorist. Kushdo që ka një mendje të kthjelltë e kupton se kambanat bien për amerikanët të cilëve indirekt u thotë se po strehoni një terrorist. Akuzë e rëndë kjo për amerikanët sa  sekretari i shtetit Xhon Kerri u ngut ti kërkojë prova për akuzat publike që bën Erdogani.  Qëllimi i Sadamit të Turqisë është i kuptueshëm, ekstradimi dhe ekzekutimi i kundërshtarit të tij politik. Në çdo  kënd ta shikosh ky grusht shteti i shërben Erdoganit për të konsoliduar përfundimish pushtetin absolut dhe kësaj ja arriti. Tani ai është i papërmbajtur. Nisi spastrimi i ushtrisë nga çdo njeri i dyshuar si gylenist. Arrestoi në një ditë  mbi dy mijë ushtarakë dhe civile. Mediat thonë se nga 29 kolonelë dhe 5 gjeneralë që janë arrestuar deri tani, 25 prej tyre kanë prejardhje shqiptare. Kësisoj pastrohet edhe  Armata turke nga shqiptarëve që kanë qenë elita e ushtrisë dhe kanë pasur një karrierë ushtarake të shkëlqyer. Erdogani foli edhe për kthimin e dënimit me vdekje. Por kjo larje hesapesh me ushtarakët kryelartë nuk është e mjaftueshme për orekset e tij. Që të konsolidohet përfundimisht pushteti duhet kapur edhe i gjithë pushtetin  gjyqësor,  ndaj pa kaluar 24 orë afro 3000 mijë gjykatës u pushuan, me qindra u arrestuan. Kësisoj dënohen të gjithë ata që kishin pakënaqësi me pushtetin absolut të Erdoganit. Si mund të jetë diktatura ndryshe? Të gjithë këto janë të dukshme dhe  jo fort të vështira për tu kuptuar, mirëpo na del një diplomat shqiptar, emrin e të cilit as ja vlen ta përmendësh, e na thotë në TV News 24, se ushtarakët e revoltuar  janë “një organizatë terroriste”. Flet me një kompetencë budallaqe sikur ky diplomati ynë të ishte një zëdhënës personal i Erdoganit në Tiranë dhe pjesë e makinës së tij propogandistike. Është më të vërtetë për tu shqetësuar se sa poshtë ka rënë dhe ku është katandisur niveli profesional i diplomatëve shqiptarë, të cilët kanë zënë vende të ngrohta nëpër ambasada e ku nuk bëjnë asgjë. Madje as nuk lexojnë. Ushtarët u nënshtrohen torturave nga bandat e organizuara nga qeveritarët Kryekreje ajo çfarë pamë në orët e para të datës 16 korrik 2016 dhe që u shit si një grusht ushtarak shteti në Turqi, ishte një sajim i shërbimeve sekrete turke për të eliminuar të gjithë kundërshtarët politikë, qofshin këta  të brendshëm apo që veprojnë jashtë. Kryesisht asaj që ja kanë frikën në palcë,  lëvizjes fetare të moderuar Gylen e cila  është për një shtet laik e demokraci më të madhe. Njëkohësisht klika e Erdoganit llogarit pastrimin e tërë institucioneve të shtetit prej atyre që nuk e shohim me sy të mirë autoritetin absolut deri në dimensionet e një sulltani të Taip Rexhep Erdoganit. Edhe thirrja publike që bëri ky autokrat për amerikanët që të dorëzojnë 75 vjeçarin Fetullah Gylen,  tregon se gjithçka që ndodhi në dy orë si në një film “action” ishte për këtë qëllim. Turmat nëpër rrugët e sheshet e Stambollit dhe Ankarasë të udhëhequra nga imamët fanatike, ashtu edhe shumë erdoganistë turkoshake shqiptarë që u lumturuan se u shpëtoi Erdogani i tyre nga komploti i një shqiptari nga Kosova, mbase e hëngrën me dëshirë sapunin e Stambollit për djathë në këtë instrumentim fatal.   Por nuk besojmë se do ta hanë po ashtu autoritetet amerikane. Amerika e di mirë çfarë është demokracia dhe demagogjia mbi demokracinë e cila istrumentalizohet nga autokratët. Ndërkohë shfaqen skena terrori anë e mban Turqisë. Shfaqen foto e video makabre në rrjetat sociale. Njëra prej tyre e tmerrshme. Një llahtar i vërtetë që duhet të trondit ndërgjegjen e botës se qytetruar.  Një ushtar që u dorëzua tek ura e Bosforit u rrah për vdekje dhe iu pre koka publikisht. Dhe sa të tjerëve po ashtu jashtë vështrimit të kamerave dhe syve të publikut. Merret me mend. Mjerë kush u dorëzua i gjallë. Aq sa BBC doli me komentin politik me titull “Erdogani, presidenti i pamëshirshëm i Turqisë”. Dhe thonë triumfoi demokracia në Turqi. Cila demokraci?! Demokracia e kokëprerëve?! Udhëheqësi më i madh që ka nxjerrë kombi turk Mustafa Qemali,  në një sentencë të tij thotë: “Politikani që për të qeverisur ka nevojë për ndihmën e fesë nuk është veçse një burracak! Dhe një burracaku nuk i duhen dhënë kurrë funksionet e kreut të shtetit”. Ne i pamë e i dëgjuam thirrjet që bënë imamët për të mbrojtur kalifin e Ankarasë. I pamë edhe turmat e manipuluara që shkuan deri në masakrimin e ushtarëve të pafajshëm.  Thënë shkurt e qartë në Turqi triumfoi mesjeta dhe një tiran i paprinciptë me emrin Erdogan,  jo më pak mizor e i përgjakshëm se Sulltan Abdyl Hamiti i Dytë. Ushtarit të dorëzuar tek Ura e Bosforit, pas torturave mizore i pritet koka publikisht mëngjesin e 16 korrikut 2016.

Filed Under: Analiza Tagged With: i sulltan Erdoganit, Kolec Traboini, Raishtagu i vonë

Duro Mustafai në Sofrën e Diellit

July 17, 2016 by dgreca

                       I –  KU TA KËRKOJMË LIRIN:Ë ?../

                Mos e kërkoni te të tjerët lirinë/

Mos e kërkoni te guri që nuk flet,/

As tek malet që nga drurët  nxijnë/

Kërkoheni brënda vetes lirinë,/

Liria është njeriu vet…../

  Liria nuk shitet as blihet,/

Atë  askush s’ta dhuron,/

Nuk është suvaja që mureve u vihet…/

Kur shiu nga çatija i dëmton.

Liria  djell i shpirtit, që   përtrihet,

Kur me të dhe për të lufton

 

Liria  nuk është  vetëm  një grusht mielli,

 Për stomakun e tharë e të uritur

Po nuk  është as një ëngjëll që zbret nga qielli,

Me diellin në dorë për të na ndritur.

Liria shkëlqen për ne  si dielli,

Kur për lirinë luftojmë e s’rrijmë duke e pritur..

 

 Liria  si lule e bukur  në shkretirë

Që diellin dhe ajrin  adhuron.,

Liria ndriçon  çdo errësirë.

Kur ajri  dhe drita si mungon

Se pa ajër e dritë askush s’është i lirë,

Dhe pa liri askush nuk jeton ..

      

          II – SAZANI

Sazani ,si margaritar    ka mbirë  në det,

Si  lulja  e  gjelbërtë  mbjellë në kaltërsi,

Është dorë e zgjatur e Vlorës që përshendet,

Pulëbardhat  që fluturojnë të lira e sjellin dashuri.

      Kështu ka qënë Sazani në qindra vjet

 

Sazani,  kështjella jonë  e murme mbi det,

Me njërin sy nga Vlora e tjetrin nga Mesdheu 

Mbi të kanë fryrë stuhi e çfryrë  rrufetë

Po trupin s’e  largoi nga mëmëdheu

Kështu ka qënë ai në qindra vjet,

 

Sazani, ishulli mbështjellë me histori,

Dikur një pjesë e zëmrës së coptuar,

 Kur lakmuan ta kishin për vete  armiqtë  e zinj

Nga Vlora kurrë se patën larguar,         

  Me Vlorën për jetë mbeti përqafuar.

 

Armiqtë që e shkelnin,  nën këmbë u digjej bari

Kryelart erdhi  këtu,po kokëulur iku edhe  Jul Qezari

Mbi vete mban gjelbërimin  që nuk shteron,

Po brënda trupin e ka veshur me hekur e beton,

             Nga dashuri e Vlorës lindi, për Vlorën rron…

Në vend të një replike

TË VJEN KEQ SE JAM PLAKUR ? …

                             -Pas  bisedës për moshën, me një shokun tim të viteve të rinisë,dhe pyetjes së tij :“Edhe ti, po plakesh ?..“-

Ty të vjen keq që unë jam plakur  ?

Apo keq të vjen  se do plakesh dhe ti ,

Unë vitet e rënda,pas vetes kam flakur

Dhe pleqërinë nuk e jetoj si pleqëri

Po ti pleqërinë  e afroje  qysh në rini..

 

 Dhe   ty të vjen keq që unë jam plakur,?

Se mendon që erdhi koha të plakesh dhe ti                      

 Dhe  vitet e arta pranë vetes dot si ke mbajtur,

Prandaj të tmerron edhe fjala pleqëri,

Ty, që pleqërinë e fute brënda vetes, qysh në rini.

 

Vërtet  pleqëria ka ardhur për mua ?

Dhe ty të vjen keq, që  si më parë nuk je .

 Po ti, keqardhjen e ke për vete, apo për mua,

Se  tek ty pleqëria ka kohë që ka bërë fole.

Ndaj  ke  harruar dhe fjalët “ të dua”?

Fjalët që na mbajnë të rinj, ty, edhe mua…

Të ardhka  keq  që s‘jam më i ri, si dikur ?

Dhe te plakja ime shikon plakjen tënde

Çudi, nuk e di, që dashuria s’plaket kurrë ?

Dhe ajo  s’të lë të plakesh në shpirt e në mëndje.?

Po dashurinë  mos e burgos brënda vetes tënde..

 

Vitet vërtetë nuk zvogëlohen

Po jetën gjithëkush vetë  e ndreq

Të moshuarit mes të rinjëve rinohen,

Po një ditë edhe  të rinjtë  bëhen pleq.

Dhe për këtë, ty s’të zë gjumi, të vjen keq ?

 

Në do të mbetesh plak, pa pleqëri,

Të lutem plakjen,mos  e ço në mëndje

Mos thuaj :”Rinia iku, unë mbeta pa rini…”

Mendo  rilindjen e moshës tënde

Se edhe bari që pritet, lind përsëri ,

Se ka bimë që përkulen, po s’ thyhen as në stuhi,

Këtë të vërtetë të jetës, mësoje, në se nuk e di..

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Duro Mustafai, ne sofren e Diellit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 90
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT