• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2016

Kosovë-Mushtishti proteston kundër kthimit të kriminelëve

August 28, 2016 by dgreca

-Thaçi: Janë të papranueshme skenat që janë parë të dielën në fshatin Mushtisht/

-Qeveria e Kosovës, keqardhje për incidentet e dhunshme në Mushtisht/

-Veseli: Duhet të bëhet dallimi i domosdoshëm në mes atyre që kanë bërë krime dhe komunitetit serb/

-VV: Serbët duhet të kthehen si qytetarë të barabartë e lojalë ndaj Republikës e jo si subjekte të strukturave paralele të ‘Zajednicës’/

-AAK: Mos u shkaktoni plagë të reja njerëzve të Mushtishtit dhe të mbarë Kosovës/

PRISHTINË, 28 Gusht  2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në Mushtisht, ku gjatë luftës në Kosovë kanë ndodhur krime ndaj shqipatrëve, sot banorët kanë  protestuar dhe bllokuar rrugën kundër ardhjes së serbëve në vizitë në manastirin e këtij fshati të komunës së Suharekës. Gjatë zhvillimeve të protestës ka pasur edhe përplasje mes protestuesëve dhe policisë, të lënduar e të arresuar.

Ditë më parë, të rinjtë e Mushtishtit në hyrje të fshatit të tyre kanë vendosur disa fotografi-pllakate me qëllim tregimin e dëshmimin për krimet e bëra nga serbë lokalë e ushtria e Serbisë në luftën e vitit 1999.  Ata paralajmëronin protesta paqësore kundër kthimit të atyre që kanë bërë krime në fshat e që për banorët e tij janë të ditur.

Sot, që nga ora 07:00 e mëngjesit, banorë të fshatit Mushtisht kanë protestuar për mëse 6 orë kundër vizitës së disa qytetarëve serbë, të zhvendosur nga fshati pas luftës në Kosovë.

Protesta përfundoi pasi që tre autobusë me serbë që ishin nisur për të vizituar Mushtishtin, në një festë fetare ortodokse, u kthyen mbrapsht.

Sipas raportimeve, gjatë protestës janë arrestuar 24 protestues, ndërsa të lënduar përveç protestuesve, të cilët policia konstaton se janë lënduar nga vet gjuajtjet e tyre, janë edhe katër policë.

PRESIDENTI THAÇI FTON QË TË RESPEKTOHET E DREJTA E SECILIT PËR KTHIM

 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se janë të papranueshme skenat që janë parë të dielën në fshatin Mushtisht dhe ka bërë thirrje që të respektohet e drejta e secilit që të kthehet në pronat e veta.

“Janë krejtësisht të panevojshme dhe të papranueshme skenat nga fshati Mushtisht”, është shprehur presidenti Thaçi, i cili ka shtuar se “këto veprime nuk janë as në interes të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”. Ai ka përsëritur se është e drejtë e secilit që të kthehet në pronën e tij dhe në vendin e tij të origjinës.

I pari i vendit ka thënë se të gjithë kanë të drejtë të kthehen në vendin e tyre të origjinës, në pronën e tyre. “Kjo vlen për çdo qytetar të Kosovës, pa dallim etnie”, tha presidenti Thaçi, duke bërë thirrje që të gjithë të respektojnë këtë të drejtë, bën të ditur deklarata e dërguar nga Presidenca kosovare.

“Çështja e të zhdukurve, e të zhvendosurve, e pronave të uzurpuara janë plagë të hapura nga lufta. Duhet t’i mbyllim sa më parë këto plagë dhe të kthehemi nga e ardhmja”, ka thënë presidenti Thaçi, i cili theksoi se e ardhmja është në paqe, dialog dhe bashkëpunim.

Duke shtuar se dhuna nuk ka vend në Kosovën e re, presidenti Thaçi përfundoi se drejtësia do të merret me të gjithë ata që kanë kryer krime në të kaluarën, meqë “drejtësia është kusht për pajtim të sinqertë dhe për ndërtimin e Kosovës multietnike”.

QEVERIA E KOSOVËS, KEQARDHJE PËR INCIDENTET E DHUNSHME NË MUSHTISHT

Qeveria e Kosovës deklaroi se shpreh keqardhje për incidentet e dhunshme që kanë ndodhura sot në Mushtisht.

“Qeveria e Kosovës respekton plotësisht të drejtën e çdo qytetari për protestë paqësore, për çfarëdolloj arsye, e ritheksojmë paqësore, si e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e shprehjes së mendimit dhe kërkesave publike”, thekson deklarata e dërguar.Po ashtu, vijon deklarata, qeveria e Kosovës konsideron se kërkesat e qytetarëve për zbardhjen e plotë të të gjitha krimeve të luftës dhe dënimin e të gjithë kryesve të tyre është plotësisht legjitime.

“Mirëpo, po ashtu, qeveria e Kosovës konsideron se çdo qytetar i Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, ka plotësisht të drejtë të kthehet në pronat e tij, në mënyrë të papenguar.

Kjo është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me të gjitha aktet ligjore, me konventat ndërkombëtare por është në përputhje me traditën, vullnetin dhe vizionin e popullit të Kosovës për bashkëjetesë paqësore”, thekson deklarata.Ndërsa, përfundon deklarata e qeverisë së Kosovës, personat që kanë kryer krime gjatë luftës duhet të përballen individualisht me drejtësinë.

VESELI: DUHET TË BËHET DALLIMI I DOMOSDOSHËM NË MES ATYRE QË KANË BËRË KRIME DHE KOMUNITETIT SERB

Kryetari i Kuvendit kosovar, Kadri Veseli, deklaroi se, zhvillimet e sotme në fshatin Mushtisht nuk i duhen Kosovës.

“Ato vetëm sa krijojnë mundësinë që të keqpërdoren prej atyre që duan ta pengojnë konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe të krijojnë imazh negativ në botë për vendin tonë”, tha ai.Plagët e luftës të Mushtishtit, ashtu si të gjithë Kosovës, vijoi Veseli, janë plagë të rënda që kërkojnë drejtësi, por në çdo rast duhet të bëhet dallimi i domosdoshëm në mes atyre që kanë bërë krime dhe komunitetit serb në Republikën e Kosovës. “Përgjegjësia gjithmonë është individuale e institucionale, por jo kolektive”, citohet ai në deklaratën e dërguar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari kosovar theksoi se, e drejta e praktimit të besimit fetar, liria e lëvizjes, e drejta e kthimit në pronën legjitime, për secilin qytetar, pa dallim përkatësie, janë të drejta themelore në Republikën e Kosovës dhe është obligim ligjor garantimi i tyre.

 

VV: BANORËT E MUSHTISHTIT JANË TË SHQETËSUAR…

Reagimi i Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje,  Visar Ymeri, në lidhje me ngjarjet e sotme në Mushtisht dhe Gjakovë është ky:

E dënoj fuqishëm intervenimin brutal të Policisë së Kosovës ndaj banorëve të Mushtishtit dhe të Gjakovës të organizuar në protestë. Banorët e Mushtishtit dhe të Gjakovës kanë plotësisht të drejtë në shqetësimet që po i ngrenë përmes protestës. Kriminelët e luftës të policisë e ushtrisë së Serbisë që vranë, masakruarn, dhunuan e shkatërruan jetën e pasurinë e tyre nuk duhet të ecin të lirë nëpër rrugë. Ndërkohë që kthimi i serbëve të Kosovës për të jetuar në vendin e tyre nuk bën të instrumentalizohet nga Serbia për qëllimet e veta koloniale.

Serbët e Kosovës duhet të kthehen të jetojnë në vendlindjen e tyre, në pronën e tyre, në fshatin e qytetin e Kosovës ku kanë jetuar më parë. Kjo është e drejtë universale e mirënjohur ndërkombëtarisht që secili e gëzon pa dallim kombësie a feje. Këtu nuk ka dyshim. Por duhet të shihet se kur e kanë fituar këtë pronë dhe si. A është kjo pronësi rezultat i kolonizimit, apo është përfituar pa ndërhyrje koloniale.

Ne as nuk kemi pasur e as nuk kemi problem me serbët, por kemi pasur e kemi problem me Serbinë. Ky kthim i serbëve nuk bën të udhëhiqet nga Serbia, dhe nën kushtet e saj. Banorët e Mushtishtit janë të shqetësuar se kthimi i serbëve në pjesë të caktuara të fshatit ka për qëllim ndarjen e një pjese të Mushtishtit për ta zgjeruar kështu kufirin e ‘Zajednicës’. Ngjashëm me kërkesën për komunë të Prilluzhës. Serbia do t’i kthejë serbët aty ku i leverdis planeve koloniale të saj, për t’i shndërruar kështu të kthyerit në instrument politik që ia gërmon bazën Republikës së Kosovës. Serbët duhet të kthehen si qytetarë të barabartë e lojalë ndaj Republikës e jo si subjekte të strukturave paralele të ‘Zajednicës’.

AAK: KËRKIM FALJE DHE DREJTËSI PËR MIJËRA VIKTIMAT E LUFTËS!

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka reaguar për ngjarjen e sotme në Mushtisht të Suharekës. Ai ka deklaruar:Pamjet e dhunës policore ndaj njerëzve të Mushtishtit, janë të papranueshme. Fshataret e kanë treguar me kohë që nuk i duan serbët në atë fshat pa u bërë drejtësia për masakrat që kanë ndodh aty. Nuk mundesh edhe të jesh “xhelati” edhe të kthehesh në vendin e krimit sikur nuk ka ndodhur asgjë. Qeveria e Kosovës, është dashtë që më kohë të marrë masat e kjartesimit të situatës atje. Presidenti, në vend që të përkulet para memorialëve ku akuzohen shqiptarët si “terroristë” është mirë që të kërkojë nga Serbia të tregojnë ose t’i kthejnë trupat edhe të mbi 1000 të zhdukurve. Nuk mund të ketë paqe të njëanshme dhe të bësh kërkim falje pse ke qenë viktimë. Ata që i kanë shkaktuar vuajtjet duhet ta bëjnë një gjë të tillë.

Mos u shkaktoni plagë të reja njerëzve të Mushtishtit dhe të mbarë Kosovës. Kërkim falje dhe drejtësi për mijëra viktimat e luftës!

LS: PROTESTA NË MUSHTISHT ISHTE PLANIFIKUAR

Lista Serbe ka lëshuar një komunikatë ku thuhet se kjo protestë ishte e organizuar dhe e planifikuar. “Gjëra të tilla duhet të parandalohen në të ardhmen, sepse incidenti në Mushtisht u planifikua dhe u organizua disa ditë më parë, duke mbushur qytetarët me urrejtje për serbët me ndihmën e panove me pamje të luftës”, thuhet mes tjerash në komunikatë të Listës Serbe.

 

Filed Under: Featured, Komente Tagged With: Bdhlul Jashari, kthimi i krimineleve, Mushtishti, proteste

FITUESJA E ÇMIMIT NOBEL: UNË JAM SHQIPTARE

August 28, 2016 by dgreca

Speciale-NËNA TEREZË, FITUESE E ÇMIMIT NOBEL: UNË JAM SHQIPTARE/

1 N Tereza Nobel

-“Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…” Këto fjalë të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, të shënuara në “Rilindja”, mbushën gëzim e krenari gjithë kombin/

-“Edhe të mitë janë nga këto vende, diku”, ishin fjalët e Nënës Terezë në Prishtinë në vizitën në Kosovë…/

-Reportazh i 3 Shtatorit 2010: Kosova pret festë në Katedralen “Nëna Terezë”/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 28 Gusht 2016/ Më 10 dhjetor 1979 Nana Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…” Këto fjalë të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, të shënuara në “Rilindja”, mbushën gëzim e krenari gjithë kombin.

Kështu kam shkruar në RILINDJA 60 VJET MONOGRAFI, botuar shtojcë speciale e gazetës tradicionale të Kosovës për ditwn e jubileut -12 shkurtit 2005, ku kam cituar fjalët e nobelistes shqiptare Nëna Terezë në ditën e pranimit të Çmimit Nobël.

Nën foton në monografi shkruan: Nënë Tereza në bisedë me dr. Mehmet Begracën dhe redaktorin e gazetës sonë (Rilindja) Nehat Islamin (qershor, 1980).

“U dha Çmimi Nobel për Paqe NËNË TEREZA – LAUREATE”, ishin mbititulli e titulli i gazetës Rilindja më 18 tetor 1978, ku në nëntitull theksohej: “Fituesja, që përndryshe është shqiptare, deklaroi se të hollat prapë do t’i shpenzojë për qëllime bëmirësie”. Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja raportonte për ngjarjen e madhe në Oslo të një dite më parë.

Arkiv-3 Shtator 2010: KOSOVA PRET FESTË NË KATEDRALEN “NËNA TEREZË”

1 ok Biseda N Tereza

-“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova, i cili së bashku me Ipeshkvin e atëhershëm të Kosovës, Mark Sopin dhe arqiepeshkvin e Uashingtonit, Teodor Mek-Keret vunë gurthemelin e katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë/

PRISHTINË, 3 Shtator 2010-Behlul Jashari/ “Edhe të mitë janë nga këto vende, diku”, ishin fjalët e Nënës Terezë në Prishtinë në vizitën e para rreth tridhjetë vjetëve, të kujtuara sot nga akademik Pajazit Nushi, i cili atëherë i kishte organizuar pritjen si një nga drejtuesit e lartë të Kosovës.

Kujtimi i tij për Nënë Terezën dhe vizitën e saj në Kosovë vjen në prag të veprimtarive të 100-vjetorit të lindjes së humanistes së madhe e nobelistes shqiptare, të cilat do mbahen në Katedralën me emrin e saj në kryeqytetin e shtetit më të ri evropian.

Për “vendet e të sajëve”, për të cilat ka folur në kryeqytetin Prishtinë  para 30 vjetësh Nënë Tereza, tregon aty shumë pranë Katedralës i vendosur një shenjim në shesh që orienton për degëzimet e rrugëve: Tiranë, Shkup, Mitrovicë, Pejë…

Ajo rruga e autostradës shqiptare drejt Tiranës shpie në qytetin e prindëve të Nënë Terezës, në Prizren, ku brenda këtij viti pritet përurimi i shtëpisë muze “Nëna Tereze”.

“Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujtonte fjalët e Nënë Terezes, nga takimi në vitin 1975, Don Shan Zefi, derisa bisedonim në këtë verë në Katedralën në ndërtim, ku udhëheqte punimet.

“Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë… Kur i tham se jemi nga Kosova, Nëna Tereze menjëherë u shpreh shqip, duke treguar se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakoshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët…”, tregon Zefi, i cili ka pasur edhe takime të tjera.

“Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë…E ka dashur shumë Prizrenin. Shkupin. Është një figurë padyshim që lidhë botën shqiptare”.

Kështu na tregonte Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës Don Shan Zefi, derisa bisedonim në Katedralën në ndërtim në Prishtinë, e cila sot është gati për festën.

“Deri më 5 shtator 2010, kur kremtohet 100-vjetori i lindjes së Nënës Terezë, padyshim, ndërtesa e Katedralës do hyjë nën kulm”, thoshte ai.

Dhe, tashm kjo është e realizuar. Edhe të gjitha organizimet e përgatitjet tjera janë bërë gati për veprimtaritë kulmore të festës  në Kosovë, që fillojnë nesër në Katedralën “Nëna Terezë”.

Sonte në Prishtinë mbërrin i deleguari i posaçëm i Papa Benediktit  XVI për Kremtimin në Kosovë  të  Jubileut të 100- vjetorit të lindjes së Nenës Terezë në katedralen  në ndërtim “Nëna Terezë”. Pritja e të Deleguarit të posaçëm të Vatikanit, Imzot Zef Gashi, bëhet në selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës, e cila është në një obrorr me Katedralen.

Nesër  nga mëngjesi në Selinë e Ipeshkvisë do të priten udhëheqës të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës e mysafirë të tjerë të shumtë, ndërsa rreth mesditës mbahet koncert  solemn i Filharmonisë së Kosovës (“Requiem Mass’ Wolfgang Amadeus Mozart) në Katedralen  “Nëna Terezë”.

Presidenti i Republikės, Fatmir Sejdiu do ta vizitojė Ipeshkvinė e Kosovės, si dhe do tė mbajė njė fjalė rasti nė ceremoninė solemne me rastin e 100-vjetorit tė lindjes sė Nėnės Terezė.

Në program nesër është edhe Vigjilia e Nënë Terezës në Kishën “Shën Ndou”, në Prishtinë.

Të dielën, më 5 shtator, mbahet Mesha solemne me rastin e Jubileut të 100 vjetorit të lindjes së Nenës Terezë, në Katedralen me emrin e saj.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji sot ka kujtuar: “Paraardhësi im, Imzot Mark Sopi, me rastin e bekimit të gurthemelit të Katedrales pat thënë: ‘Shpresojmë që në vitin 2010 do të festojmë 100 vjetorin në Katedrale”.

Më 26 gusht 2005, në 95 vjetorin e lindjes së Lumes Nëna Terezë dhe në 600 vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, në Prishtinë është vënë solemnisht gurthemeli i katedrales  “Nëna Terezë”.
Ceremonia e vënies së gurthemelit të Katedrales u zhvillua nën patronatin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.  “Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova, i cili së bashku me Ipeshkvin e atëhershëm të Kosovës, Mark Sopin dhe arqiepeshkvin e Uashingtonit, Teodor Mek-Keret vunë gurthemelin e katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë.

“Merita e përhershme për këtë objekt sigurisht i mbetet Presidentit Rugova, i cili gjithmonë do të jetë i pranishëm në katedrale nëpërmjet lutjes e falënderimit e të gjithë njerëzve që do të hyjnë në të, në kujtimin historik të kishës dhe të kombit, si dhe në gurin e themelit të kësaj katedrale të cilën e bekoi me dorën e vet”, është shprehur sot Ipeshkvi Gjergji për median në Prishtinë.

Në Kosovë, shënimi i 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, i filluar me një akademi solemne për 30-vjetorin e laurimit të saj me çmimin Nobel për Paqe, vazhdon gjatë gjithë 2010-tës, të shpallur nga Presidenti i Republikës “Vit i Nënës Terezë”.

Në akademi Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, përkujtonte: “Tridhjetë vjet më parë, Nëna Terezë teksa po dilte nga manifestimi solemn i pranimit të Çmimit Nobel, duke ia nënshkruar Dom Lush Gjergjit një foto-portret të sajin, i shkroi këto fjalë: ‘Une gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin që paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutnu shum për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve’.”

Ndërsa, Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji theksonte se  “Nënë Tereza ishte dhe mbetet simbol i përkryer i ushtrimit të dashurisë ndaj të afërmit, dashuri kjo që tejkalon kufijtë njerëzorë e mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm me dimensionin hyjnor”.

Për Nënë Terezën Kuvendi i Kosovës dje ka mbajtur një seancë solemne, ku u theksuar se “populli ynë  ndjehet i privilegjuar dhe krenar për bijën e tij humaniste të këtyre përmasave, që ishte gruaja më e madhërishme e botës së shekullit XX”.

Në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës ditë më parë është hapur ekspozita e piktorit nga Shqipëria Xhovalin Paci, me piktura portretesh të humanistes së madhe dhe nobelistes shqiptare. Një ditë më pas, më 26 gusht, në Prishtinë u përurua pulla postare “100 vjetori i lindjes së Nënës Terezë (Gonxhe Bojaxhiu)”.

Një nga veprimtaritë e rëndësishme në Kosovë ishte edhe tryeza kushtuar Nënës Terezë në seminarin e 29-të ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare,  i cili u mbajt në dy javëve të fundgushtit në Prishtinë.

Në këtë tryezë u tha se origjina, vendi e koha ku u lind, karakteri, orientimi e vepra dhe kontributi për njerëzimin e historinë shqiptare janë tre faktorët kryesorë që e determinojnë figurën e Nënë Terezës.

Don Lush Gjergji tha se Gonxhe Bojaxhiu, e njohur me emrin si Nënë Tereza, e lindur më 1910, në Shkup, gjithë jetën e saj ia përkushtoi jo vetëm Zotit, por edhe njerëzimit.
“Prijësja e parë e Nënë Terezës është universalizmi në çdo kuptim dhe drejtim, në çdo kohë dhe hapësirë. Ajo nuk kishte për qëllim asgjë tjetër, përpos të jetë rrezja e dashurisë së Zotit”, theksoi Don Lushi, njohës i madh i jetës dhe veprës së Nënë Terezës.

“Gjëja me e bukur: dashuria”, është porosi e urti e Nënës Terezë, e përkujtuar dhe theksuar në veprtimtariitë e 100 vjetorit të lindjes së Saj.

Edhe në pritje të ditës së nesërme, dhe të së dielës, të festës në Katedralen “Nëna Terezë”. Në kryeqytetin e Kosovës që Nënën Terezë e ka edhe monument-shtatrore në sheshin kryesor me emrin e Saj.

Filed Under: Featured, Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, Nene Tereza, Nobel

Kosovë-Në Vatikan “Himni i Nënë Terezës”

August 28, 2016 by dgreca

-Përgatitet koncerti në vigjilje të Shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan/

-Koncerti do të mbahet në Bazilikën papale të Shën Palit në Romë me pjesëmarrjen e disa prej emrave më të shquar të muzikës lirike shqiptare nën përcjelljen e Korit dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës/

PRISHTINË, 28 Gusht 2016-B.Jashari/ Në Kosovë zhvillohen përgatitjet përfundimtare të koncertit “Himni i Nënë Terezës” të paralajmëruar për 3 shtator në Vatikan, në vigjilje të Shenjtërimit të Nënës Terezë.

Koncerti do të mbahet në Bazilikën papale të Shën Palit në Romë me pjesëmarrjen e disa prej emrave më të shquar të muzikës lirike shqiptare nën përcjelljen e Korit dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, e cila dërgoi këtë njoftim dhe për nesër ka ftuar një konferencë shtypi lidhur me përgatitjet.

E njohur në botë si Nënë Tereza, si edhe laureate e Çmimit Nobel për Paqe, për ndihmën të varfërve, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e lindur në 26 gusht 1910 në Shkup, do të shpallet e shenjtë nga Papa Françesku në 4 shtator 2016, në Vatikan.

“Kisha katolike do të shtegtojë në Vatikan me një numër të konsiderueshëm, për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për ne. Do të mbahet Koncerti për Nënë Terezën në Vatikan, në 3 shtator 2016”, ka deklaruar Don Fatmir Koliqi, zëdhënës i Ipeshkvisë së Kosovës, në një konfrencë shtypi në fillim të këtij muaji.

Duke folur për idenë e koncertit në Vatikan në vigjiljen e shenjtërimit të Nënë Terezës, ai tha se në vitin 2015, në 5 shtator, në Katedralen në Prishtinë është mbajtur Koncerti për Nënë Terezën, i ideuar nga producenjta Diana Toska, i realizuar nga artistë të mirënjohur shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, i cili ishte një realizim i mrekullueshëm.

“Nga këtu lindi ideja që i njëjti koncert të ekzekutohet në ambientet e Vatikanit. Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ia ngarkoi vetës detyrën për të kërkuar nga Selia e Shenjtë që të na mirëpret me këtë koncert, pikërisht në vigjiljen e Shenjtërimit të Nënë Terezës, me idenë për të falënderuar Zotin bashkë me Kishën Katolike universale për këtë Nënë të madhe të botës, që ka dhënë Kisha jonë.Pas kërkesës së Ipeshkvit të Kosovë, Selia e Shenjtë me kënaqësi e ka pranuar dhe është bërë mikpritëse e kësaj ngjarje kulturore dhe artistike”,  është shprehur Don Koliqi.

Ai ka theksuar se,  këtij organizimi të Kishës Katolike në Kosovë i është bashkangjitur edhe Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Argjipeshkvia e Tivarit dhe Ipeshkvia e Shkupit.

“Vendi ku ka përcaktuar Selia e Shenjtë, që të na pret për ta mbajtur këtë koncert, është njëra ndër Bazilikat madhështore Papnore: Bazilika Papnore e Shën Palit”, ka shtuar zëdhënësi.

Është paralajmëruar se në koncert do marrin pjesë artistë të mirënjohur, Inva Mula, Ermonela Jaho, Rita Ora, Shkelzen Doli, Saimir Pirgu, Ramë Laja, Gëzim Mushketa etj, ndërsa recituesit e vjershave/uratave të Nënë Terezës do jenë  Don Lush Gjergji, Lorik Cana, Majlinda Kelmendi dhe dy artistët e rinj të filmit “Shok” Andi dhe Lumi.

Për koncertin hyrja do të jetë falas, porse nevojitet të sigurohen biletat e rezervimit të vendeve.

Filed Under: Kulture Tagged With: “Himni i Nënë Terezës”, Behlul Jashari, Kosovë-Në Vatikan

Final preparations underway for Vatican concert

August 28, 2016 by dgreca

Final preparations underway for Vatican concert ahead of ceremony declaring Mother Teresa saint/

PRISHTINA, Aug 28 /ATA/-By B.Jashari/- Final preparations are underway for the Mother Teresa anthem concert, one of the most important cultural events among a series of other commemorative events being organized by both Catholic churches of Kosovo and Albania to celebrate the Catholic nun and great Albanian humanist being declared a saint by Pope Francis next week.

The concert is scheduled to be held in Rome on September 3, at which Albanian famous sopranos like Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu and Gezim Mushketa will be performing at St. Peter’s Basilica on the eve of the ceremony declaring Mother Teresa a saint, which will be held on September 4in Vatican.Ekspozita-Katedrale-Nene-Tereza-Prishtine-foto-ATSH-Behlul-Jashari-26-gusht-2016-7

Along with of some the most famous artists of the Albanian lyrical music, the concert will feature Kosovo Philharmonic Orchestra and Choir.

Sports personalities from Albania and Kosovo, including Kosovo’s judoka gold medallist at the recent Rio Summer Olympics, Majlinda Kelmendi, and the captain of the Albanian national football team, Lorik Cana, are also expected to play an important role in this event, as they are set to recite and read Mother Teresa’s verses and quotes.

Rita Ora, the Kosovo-born pop star, will also appear at the concert, which will also feature Albanian traditional instrumental music.Ekspozita-Katedrale-Nene-Tereza-Prishtine-

Mother Teresa, the Nobel Peace Prize laureate for her humanitarian work, will be canonized by Pope Francis as a saint of the Roman Catholic Church on September 4 at the Vatican, in Rome.

“The Catholic Church will send a large number of representatives to attend the major ceremony of canonization. The Anthem of Mother Teresa concert will be held in Vatican on September 3, 2016,” spokesperson for the Diocese of Kosovo, Fatmir Koliqi told a press conference earlier this month.

Filed Under: Kronike Tagged With: ahead of ceremony, declaring, Final preparations underway for Vatican concert, Mother Teresa saint

Zëri i Ndërgjegjes

August 28, 2016 by dgreca

Nga Reshat  Kripa*/

Një mbrëmje, Hektori mori fletoren me poezitë dhe shkoi në shtëpinë e Petritit. E gjeti me penel në dorë.  E vetmja gjë e mirë që kishte bërë, pasi ishte liruar nga burgu, ishte se ishte martuar  me një vajzë të shtresës së tij. Kishin një djalë dy vjeç. Banonin në një shtëpi private, së bashku me dy prindërit, punëtorë në ndërmarrjen bujqësore. Kishte filluar punë si murator në ndërmarrjen e ndërtimit. Profesionin e kishte fituar qysh në burg.

– Çfarë po pikturon? – e pyeti Hektori.

– Jetën time, – u përgjigj dhe i tregoi konturet e një pikture që ende nuk ishte mbaruar.

Hektori e vështroi.  Ishte portreti i një personi që i drejtohej dikujt me duart përpjetë. Shprehja e fytyrës së tij dukej sikur lutej. Piktura kishte nënshkrimin; “Mëshirë për atë që rrëzohet!”

            – Çdo të thotë kjo?

– Nuk e kupton?

– Më duket si ndjesa që kërkon ndonjë që ka  kryer ndonjë faj.

– Unë do ta quaja krim.

– Krim, përse?

– Sepse faji mund të shlyhet me disa vite burg ndërsa, nëse ke kryer ndonjë krim, atëherë ndërgjegja të bluan zemrën dhe shpirtin. Ndjenja e përgjegjësisë të bren vazhdimisht.

Petriti fliste me një zë të tillë, thuajse ishte ai që e kishte kryer atë krim. Ishte hera e parë, pas kaq vitesh, që Hektori dëgjonte mikun e tij të fliste në këtë mënyrë.

– A të ka takuar rasti të njohësh ndonjë kriminel që ka vrarë dikë? – vazhdoi Petriti. –  Unë kam njohur një të tillë në burg, një që ishte penduar për atë që kishte bërë por që nuk mund ta kthente më prapsht. E kishte ndërgjegjen të copëtuar. Ajo e gryente vazhdimisht. Nuk gjente qetësi as natën. Ngrihej nga shtrati dhe thërriste: –“Falmë, falmë!”- por asnjë nuk i përgjigjej. Atëherë dergjej përsëri në shtrat duke qarë me ngashërim. Portretin e këtij njeriu kam dashur të paraqes në këtë pikturë.

Hektori filloi ta vëzhgojë portretin me një vëmendje akoma më të madhe. Për një çast iu duk se tiparet e saj i ngjanin fytyrës së një të njohuri. Po vriste mendjen se kujt. Së fundi e gjeti. Tiparet e fytyrës në pikturë  ishin të njëjta me ato të Petritit. Këtë dyshim e shprehu.

– Doja një fytyrë për këtë portret, – u përgjigj Petriti. –  Fytyrën e të njohurit tim nuk mund ta pikturoja. Kjo do të thoshte ta dënoja atë edhe një herë. Mund të sajoja një fytyrë çfardo, por më dukej se kjo nuk do  të ishte e plotë. Ndaj i dhashë tiparet e mia portretit.

– Je piktor i madh, miku im. Portreti yt është  një kryevepër në pikturë. Ky portret mund të konkurojë në çfardo lloj ekspozite në botë.

– Për mua, ato dyer do të qëndrojnë vazhdimisht të mbyllura. Si shkruante Migjeni? –“Vetëm unë  me  ju  po knaqem si fëmija”- Edhe ne jemi të detyruar të kënaqemi vetëm ne me veprat tona. A nuk po të  ndodh edhe ty me poezitë kështu?

Hektorit iu kujtua poezia që ia kishte dërguar gazetës “Letrari i ri”, e cila nuk denjoi as t’i kthente përgjigje. Këtë ia tha edhe bashkëbiseduesit. Ai e dëgjoi dhe i tha:

– Sidoqoftë  të   mos  na  mposhtë  pesimizmi. Unë kam bindjen se më në fund e vërteta do të triumfojë. Për këtë duhet të kemi besim. Do të vijë dita kur veprat tona do të publikohen botërisht.

Fjalët e mikut të tij e ngrohën Hektorin. Kishte nevojë për fjalë të tilla. I tregoi fletoren me poezi.

– Lexoi! – i tha.

Petriti  mori  fletoren  dhe  filloi  ta  lexojë. Ishte një   tufë   me   njëzetepesë  poezi.  I

kushtoheshin atdheut, dashurisë, familjes, shoqërisë. Ato ishin shkruar me ndjenjë. Në mënyrë të veçantë aty ku shprehej dëshira për liri.

– Të lumtë, miku im! – i tha. – Dëgjoje këtë strofë: Në këtë kaos, këtë vend të nxirrë,/ Nga këta “bandillë” këta “xhevahirë”,/ Zërat tanë të fortë, zërat tanë të mirë,/ Zërat tanë të lirë, Zë në shkretëtirë! A nuk të duket e goditur?

            Fjalët i pasoi  një heshtje. Secili sillte në mendje  vargjet e kësaj poezie. Së fundi Hektori foli:

– Si thua?

– Një medalion për shumë gjëra. Një medalion për kohën, politikën, njerëzit dhe tërë  sfumimin e njeriut. Poezia ka stil, patos, lirizëm, por edhe një lidhje  historike mes fjalës dhe kohës që përcillet. Mesazhi i kësaj poezie është se, edhe pse je “zë në shkretëtirë” e ke thënë fjalën tënde jashtë kësaj shkretëtire. Muzikaliteti i kësaj poezie, nuk vjen vetëm nga rima, por nga fuqia e fjalës dhe nga mesazhi metaforik që ajo përcjell. Ata që kanë vesh dhe ata që kanë sy e ndiejnë me tërë kompleksitetin e shqisave fuqinë dhe moralin e fabulës. Ju keni përjetimin e një zëri “luanor” në këtë “shkretëtirë”, ku forca e zërit u premton më shumë se sa pakësia njerëzve të mavijosur nga dhjami politik. Në këtë mesazh janë ëndrra të ardhura në mes trazimesh, por janë edhe trysni që flaken dhe çlirohen mjeshtërisht nga “brumbulli” i karshillëkut dhe shpërdredhjes njerëzore, që gjen përshtatjen në hapësirën e mjerë dhe të shkretë të politikës zhargone. Një poemë prekëse, tema e së cilës i përshtatet çdo situate tjetër që njeriu me vullnet e synime të qarta i përballon. Urime, miku im.

Petriti heshti. Një kritik i vërtetë letrar nuk mund të fliste më mirë.

– A e dini se jeni një analist i vërtetë letrar? –  i tha Hektori. Ju falënderoj së tepërmi. Por, më thoni, a nuk janë një zë në shkretëtirë pikturat e  tua të mrekullueshme?

– Po, jetojmë në një epokë të gabuar, në një epokë kur do të mësosh dhe nuk të lejojnë, do të punosh dhe nuk të lejojnë, do të jetosh dhe nuk të lejojnë edhe për të jetuar.

– Megjithatë ne duhet të vazhdojmë të krijojmë. Të krijojmë deri sa të vijë dita jonë, dita e demokracisë së vërtetë. Atëherë t’i nxjerrim në dritë  për të shpërthyer.

Ky ishte si një betim i dytë që bënin për të qëndruar në ballë të rezistencës aktive kundër përbindëshit që kishte zaptuar atdheun. Pas kaq kohësh e ndienin veten të lirë ashtu si “Herkuli” i pikturës që i kishte dhuruar Petriti, ditwn qw u lirua nga burgu, që shpërtheu zinxhirët me të cilat e kishin lidhur.

U përqafuan me njëri-tjetrin ashtu si nuk ishin përqafuar kurrë.

***

      Një   trokitje   në   portë   e   zgjoi   Hektorin   nga ëndërrimet ku ishte zhytur. U ngrit dhe e hapi. Para tij qëndronte Bledari.

– Ç’kërkoni? – e pyeti me një ton mospërfillës

– Dua të bisedojmë.

– Ju kam thënë, ndërmjet nesh ka mbaruar gjithçka.

– Ju lutem, vetëm pak minuta dua të më kushtoni.

Hektori u mendua për disa çaste, pastaj u tërhoq mënjanë për t’i hapur rrugën.  Bledari hyri në dhomë.

– Flisni! – foli Hektori pasi zunë vendet.

– E di  që  nuk  do  të  më  besoni.  E  di  që  do  të mendoni se më kanë futur për t’ju spiunuar dhe keni të drejtë. Megjithatë dua, për herë të parë në jetë, të jem i sinqertë me ju. Unë  kam nënshkruar deklaratën e bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit para një jave. Nuk munda të rezistoja më. Kështu jam gatuar. Detyra që më kanë ngarkuar është pikërisht vëzhgimi juaj. Por kam një brengë. Më bren ndërgjegjja për fajin e kryer ndaj jush para shumë viteve.

– E pastaj? – e ndërpreu Hektori.

– Pastaj? E di që nuk do të më besoni, por unë e ndiej për detyrë t’ju lajmëroj: Ruhuni! Jeni vënë në shënjestër. Tani do të iki, por e di që dikush tjetër më ndjek nga prapa. Ndaj kur të dalim do të më shtysh që të besojnë se ti nuk më pranove.

U ngrit dhe u drejtua nga porta. Hektori e ndoqi.

– Hap portën dhe më shty me forcë, –  tha Bledari.

Hektori hapi portën dhe i dha një të shtyrë të fort që e rrëzoi për tokë.

– Shporru dhe mos të të shoh më! – thirri me zë të lartë.

Bledari u ngrit dhe u largua. Një hije lëvizi pas tij. Hektori mbylli portën dhe u kthye në dhomë. Ndodhia i kishte ardhur  papritur. Të ishin vërtetë të sinqerta fjalët e tij apo  vazhdonte ende lojën? Nuk ishte në gjendje t’i jepte përgjigje kësaj pyetjeje. Kishte nevojë të këshillohej me ndonjë. Po me cilin? Përveç Petritit ai nuk kishte shok tjetër. Të shkonte tani atje druhesh se mos e survejonin. Tashmë nata e kishte mbuluar qytetin. Ishin orët e vona të saj. Në atë kohë nuk kishte ku të shkonte. Vendosi ta linte për të nesërmen. Por edhe të nesërmen nuk bëri gjë. Përvoja e kishte mësuar që të ishte shumë i kujdesshëm.

Te Petriti shkoi pas një jave. E gjeti vetëm. Gruaja me djalin kishin shkuar për një vizitë. Sa u ulën i tregoi ngjarjen me Bledarin.  Ai e dëgjoi me vëmendje dhe nuk fliste. Nuk i ndërhyri në asnjë frazë.

– Po ti, pse nuk flet? – e pyeti Hektori.

– Të flas? E çfarë të flas?

– Petrit, ku e ke mendjen? – pyeti Hektori duke kuptuar se miku i tij kishte fluturuar diku larg.

Petriti u ngrit dhe doli nga dhoma. Pas pak u kthye. Në duar mbante disa nga pikturat e tij. Ishin pikërisht ato, për të cilat Hektori mendonte se kishin një kuptim alegorik. Tema kryesore e tyre ishte brejtja e ndërgjegjes. Kjo kuptohej edhe nga titujt që kishte zgjedhur autori.

– I shikon këto, – foli më në fund Petriti. –  A mund të më thuash se çfarë shprehin?

Hektori qëndronte i habitur para tyre. Çfarë lidhje kishin këto piktura me ngjarjen në fjalë? Këtë nuk e shpjegonte dot.

            Petriti  e  vështronte.  Një  psherëtimë  i  doli  nga gjoksi i tij.

– Përse? – pyeti më në fund Hektori.

– Plagë zemre, – u përgjigj Petriti.

Hektori kuptoi që miku i  tij fshihte  diçka.  Patjetër kjo duhej të ishte mjaft e rëndë, të cilën ai  nuk guxonte ta shprehte.

– Petrit,  –   iu   drejtua   mikut   të   tij,  –  Çfarë  të mundon? Fol dhe do të shohësh se do të lehtësohesh.

– Të flas? Edhe unë dua të flas por  a  mund  të  tregohet  dobësia  e karakterit?

– Patjetër.

Fjalët e Hektorit  ngrohën zemrën  e  Petritit. Filloi të fliste. Në fillim pak i  drojtur  dhe  me  një  zë  që  mezi dëgjohej. Me kalimin e kohës sikur u çlirua nga ankthi dhe fjalët i shqiptonte më rrjedhshëm. Çuditërisht, kur përfundoi, e ndjente veten krejt të çliruar. Kishte hequr nga zemra një brengë të madhe.

Petriti kishte lindur në vitin e fundit të luftës, njësoj si Hektori. Ishte djalë i vetëm. Zoti nuk u kishte falur prindërve  fëmijë të tjerë. Në përgjithësi familja e tij nuk ishte përzierë në mosmarrëveshjet e kohës së luftës, por biografinë ua “prishte” një kushëri  i babajt, pjesëtar i çetave nacionaliste që, me mbarimin e luftës, ishte arratisur jashtë  shtetit me shumë të tjerë. Kjo gjë bënte që peshorja, kur vinte puna për ndonjë vlerësim, të anonte nga i arratisuri. Megjithëse rridhte nga një familje e ndershme, që nuk i ishte dëgjuar zëri ndonjëherë për keq, ata  shikoheshin pak shtrembër nga qeveritarët dhe kjo vetëm për faj të atij kushëririt.

            Me gjithë këto, i ati bëri  si  bëri,  duke  ndërhyrë sa te njëri aq dhe te tjetri, mundi t’i nxirrte të birit të drejtën e studimit në fakultetin e pikturës. Para Petritit ishin hapur rrugë të reja. Ishte një nga   studentët   më  të  shkëlqyer  të  fakultetit,  një  as  i vërtetë që i kishte mbaruar  studimet  me   rezultatet   më  të larta. Bënte pjesë në dy apo tre studentët më  të  mirë  të universitetit dhe kishte të drejtë të krenohej.

            Si i ri që ishte kishte plot ëndrra. Mendonte se do të emërohej në ndonjë vend me rëndësi në kryeqytet. Ndoshta mund ta mbanin edhe si pedagog në universitet. Këtë mendim ia kishin shprehur edhe nja dy pedagogë që ia njihnin aftësitë. E ëndërronte veten ndoshta edhe në postin e ndonjë drejtori drejtorie ose edhe atë të ndonjë zëvendësministri.  Ishte në moshën e rinisë, në moshën e iluzioneve.

            Por hija e zezë e  kushëririt të largët e ndiqte hap pas hapi.  Ajo  hije  çuditërisht  afrohej aq shumë dhe zmadhohej pambarimisht, sa e tmerronte kur mendonte pasojat. I duhej patjetër të gjente mënyrën për të shpëtuar prej  saj

Dikush i kishte thënë se paskësh dëgjuar diku se do të emërohej mësues në një shkollë fshati të largët, diku në veriun e vendit. U mendua dhe u mendua gjatë për këtë çështje. Vendosi të kërkonte ndihmën e kryetarit të degës së Punëve të Brendëshme të  qytetit. Kishin qenë  shokë bange në shkollën shtatëvjeçare. Kur Petriti kishte filluar gjimnazin, shoku i tij kishte kaluar në shkollën  e Sigurimit të Shtetit. Megjithatë shoqërinë e kishin ruajtur. Në pushimet e verës shoqëroheshin vazhdimisht.

            Shkoi.  Do  të  bisedonte  hapur. Besonte se do ta  kuptonte.  Ai  i  kishte  të  gjitha mundësitë  për  ta  ndihmuar.

            Kryetari sa mori vesh kush e kërkonte, urdhëroi  ta fusnin brenda.

            – Ç’ e mirë të solli sot këtu? – e pyeti.

            Petriti i shpjegoi  hollësisht  hallin  e  tij. I  tha  se për shkak të  kushëririt të largët, me të cilin nuk kishin pasur lidhje fare, rrezikohej të emërohej në një fshat të largët, në një kohë që kishte përfunduar studimet me rezultate të shkëlqyera. I tregoi edhe diplomën me notat . I  foli,  gjithashtu, edhe për ëndërrimet e tij për poste më të larta.

            Kryetari e dëgjonte me vëmendje dhe e la të fliste pa e ndërprerë. Hera-herës vinte buzën në gaz, sidomos kur pa diplomën. Kur mbaroi, i tha me një zë të qetë:

            – Ik tani dhe do të  lajmëroj unë!

            Petriti u largua me shpresë se  puna  do të  rregullohej.  Këtë ia tha edhe të atit. Ai e shikoi ndër sy dhe i tha        

– A e mendove mirë?

            Nuk e kuptoi se  çfarë  donte  të  thoshte  i ati  me këto fjalë. Megjithatë nuk e zgjati.

            Pas dy javësh një polic u paraqit në shtëpi.

            – Ju kërkon kryetari në turizmin e qytetit, – i tha.

            U  nis. Sapo mbërriti atje gjeti shokun e tij, i cili e shpuri  në një  dhomë  të veçantë. Kryetari porositi dy  dopio konjak. Nuk  kishin filluar ende të pinin kur ai  i tha:

            – Dëgjo Petrit, e bisedova çështjen tënde me shokët dhe ata janë dakord. Do të emërohesh drejtor në një shkollë të rëndësishme  në  qytet. Pas disa  vitesh  mund  të  shkosh  edhe  më  lart. Varet nga puna jote.

            Fantazia e Petritit  filloi të fluturonte. Ëndrra e tij po realizohej. Po i hapeshin horizonte të pafund ku do të shpërthente talenti i tij.

            – Falemnderit, – i tha me zërin që i dridhej nga emocioni. – Nuk e di në se do të  më  jepet mundësia t’jua shpërblej.

            – Ajo varet nga ju, – vazhdoi kryetari.

– Në ç’mënyrë?- pyeti pa vetëdije Petriti.

– Të bashkëpunosh me ne.      

            Një mjegull e mbuloi. Sytë filluan t’i errësohen.  Veshët   t’i  buçasin. Shoku  i  kishte kërkuar të  bëhej  bashkëpunëtor  i  Sigurimit   të   Shtetit. I dukej sikur  e  kishte goditur rrufeja.

            – Po unë jam mësues, – mundi  t’i  thoshte

            – Kjo s’do të thotë gjë, – iu përgjigj ai. – Ju mund të punoni në profesionin  tuaj dhe kjo nuk  ju  pengon  që të kontribuoni edhe për partinë dhe pushtetin popullor. Kjo është detyra kryesore e çdo shqiptari. Shpejt do t’ia shihni hairin kësaj pune.

            Petriti nuk dinte çfarë  t’i  përgjigjej. Kryetari  e vuri re një gjë të tillë dhe  nuk  e  zgjati  më  tej,  por  iu drejtua:

– Mirë, për sot  e  lemë   me   kaq. Do   të   takohemi   përsëri. Mendohuni   për   çfarë   ju propozova dhe… – Zëri i tij u rëndua – mos  bëni  gabim  ta  bisedoni  me  njeri, as  edhe me  prindërit tuaj.

U ndanë.

Kaluan dy javë. Një korrier e lajmëroi se duhej të paraqitej në të njëjtin vend të nesërmen në orën 22.00. Shkoi. E priste një fytyrë e panjohur që iu prezantua me emrin Filip. Në dhomën e barit ishin edhe dy operativë sigurimi të tjerë. Kësaj here nuk kishte më biseda midis miqsh. Zotëronte gjuha e kërcënimeve. Emërim në ndonjë  zonë   të   humbur   të   vendit, internim   e  ndoshta  edhe burgim.

Para  syve  i  qëndronte  një  letër  e  shkruar  me makinë  shkrimi.   Sytë  i  ishin  veshur.  Nuk  lexonte  dot.  Truri i rrihte  si  çekan. Megjithatë, me vështirësi,  mundi  të  dallojë  një fjalë, në krye të letrës, të shkruar me shkronja të mëdha:  DEKLARATË

            E kuptoi se çfarë ishte ajo letër. Ishte ndëshkimi i tij në këmbim të karrierës. Kërcënuesit ndërroheshin me njëri-tjetrin. Dilnin, futeshin në bar, pinin ndonjë konjak ose fërnet dhe ktheheshin më shumë të egërsuar. Ai ishte i detyruar të qëndronte më këmbë dhe të dëgjonte ligjëratat e tyre. Nuk e linin të ulej. Pëshpërimat e tyre ogurzeza gjëmonin në veshët e tij.

            Po   agonte.  Petriti   ishte   i   kapitur.  Filipi    i  zgjati letrën.

            – Nënshkruaje!  –  i pëshpëriti.           

            Operativi    këmbëngulte.   Ai   nguronte. Por ngurimi i atij njeriu pati një fund. Nuk mundi më të rezistonte. Vetëdija kishte fluturuar. Me duart që i dridheshin, mori penën dhe nënshkroi. Ishte nënshkrimi i parë i turpit të tij.

            Filipi mori shkresën, e futi në çantë dhe i tha:

            – Tani shkoni qetësohuni në shtëpi!

            U nis. Rrugën e përshkoi si  një  i  dehur  ose   më saktë si një sonambul. Të njohurit e përshëndesnin,  por ai as që i shikonte.

Së fundi arriti në shtëpi. Familjarët ishin alarmuar.

            – Isha te  një  miku  im, –  u  tha  dhe  u  mbyll  në dhomën e tij.

            E ëma  e pyeti se çfarë kishte ndodhur por  ai  nuk iu përgjigj

            – Lereni  të qetë, – tha i ati që  kishte  kuptuar  se diçka duhej të  kishte ndodhur.

            Petriti u shtri në shtrat dhe filloi të qante. Qante me dënesë, por pa nxjerrë zë. Nuk donte ta dëgjonin. Mbuloi kokën me jorgan.  Çfarë t’u thoshte? Që kishte nënshkruar atë deklaratë të turpshme? Pasi kaloi vala e parë   e  zuri  gjumi,  një  gjumë  i  rëndë  i  mbushur   me  ëndrra  të llahtarshme.

            Pas një jave erdhi emërimi. E kishin caktuar drejtor në njërën nga shkollat  e  mesme  të  qytetit.  Por atij   tashmë   nuk   i   hynte  në  sy  asgjë.  Ëndërrimet  e dikurshme kishin perënduar një herë e mirë.

Gjatë   gjithë   kohës   që   Petriti  tregonte,  Hektori qëndronte në heshtje. Rasti i tij i kujtoi  edhe drama të  tjera  të ndodhura në atë kohë. Një rast i ngjashëm  me të i dukej edhe ai  i Bledarit. Ishin një nga metodat kryesore që përdorte Sigurimi  i  Shtetit  për  të  rekrutuar

agjentët e tij.

– Po pastaj? – pyeti Hektori.

– Pastaj? – vazhdoi  Petriti. –   Mendoja  si  do  ta  kaloja këtë pengesë. Duheshin përdorur dredhira të ndryshme. Mendoja të rrija i veçuar. Po të më pyesnin, do t’u  thoja se me mua nuk bisedonte njeri, pasi druheshin nga detyra që kisha. Por, a do të  kisha  sukses  me  këtë mënyrë? Nuk e dija.

Pasi nxori një psherëtimë vazhdoi:

– Në  shkollë  vinte   vazhdimisht   Filipi.  Ai  ishte caktuar   operativ   i   sigurimit   për  shkollën.  Lidhjet  i mbante me sekretarin e  rinisë  por,  kur  kalonte  pranë meje, më pyeste gjoja me mospërfillje:

– E, ç’na thua, a kemi ndonjë gjë të re?

Unë bëja sikur nuk e kuptoja ku e hidhte  fjalën dhe i thosha:

– Çfarë do të kemi veç punës së përditshme.

Një   ditë   arrestuan  tre  djem  të  rinj,  Rolandin, Shezaiun dhe Nikollën.  Ishin maturantë. U akuzuan për krijimin e një grupi antipushtet që bënte agjitacion dhe propagandë. Arrestimi i tyre bëri  bujë të madhe në të gjithë qytetin.

Kishin    kaluar   disa   muaj   qysh   atëherë.   Të arrestuarit mbaheshin në degën e  Punëve  të Brendshme. Nuk ishin dënuar ende. Një ditë, rastësisht, takova   kryetarin   e   degës.  Ai   më  përqafoi  me  një buzëqeshje, që m’u duk e shtirur.

– Nesër,  nga  dreka,  dil   nga  zyra  ime.  Dua  të bisedojmë diçka të rëndësishme, – më tha.

Qetësia   ishte   prishur  përsëri.  E  dija  që vajtja ime atje, me siguri, do të kishte pasoja të tjera. Ai vend     ishte    foleja     e     prapaskenave.   Çfarë    kishte  përgatitur  që donte të më fuste edhe mua në këtë valle?

Megjithatë nuk kisha  nga  t’ia  mbaja. U  detyrova të shkoj. Më futën drejt e në zyrën e tij.  Ai  nuk e  zgjati shumë me përshëndetjen, por u fut drejt e në temë.

– Kemi një denoncim të disa mësuesve  për  ata nxënësit e arrestuar. Lexojeni dhe është e mira ta nënshkruani edhe juve.  Emrin  tënd  do  ta  mbajmë  të fshehtë.

Më zgjati një letër të shtypur. E lexova. Më erdhi të pështirë. Ata mësues që deri në atë çast, i kisha konsideruar si njerës  të ndershëm,  kishin rënë aq poshtë sa  të  nënshkruanin  një  gjë  të  tillë  kaq  të  ulët, aspak dinjitoze për një intelektual.

– Hë, çfarë po mendohe? – pyeti kryetari.

– Unë nuk di asgjë nga ato që kanë deklaruar ata, – iu përgjigja.

–  I marrë  qenke! Se mos ata kanë dëgjuar me të vërtetë? Hajde tani, shkruaj poshtë nënshkrimeve të tyre: “Vërtetoj deklaratën e kolegëve të mi” dhe nënshkruaje.

Më zgjati penën. Mua më dridheshin duart. Nuk guxoja.

– Ju kam premtuar, së shpejti  ju  pret  kryeqyteti, lavdia. Mos e shkelmoni!

Në  sytë e tij dallova një  shenjë  kërcënimi. Prapa atyre premtimeve të bukura fshihej burgu. U theva. Mora penën, shkrova ato që më  diktoi   dhe  nënshkrova. Ishte nënshkrimi i dytë i  turpit tim.

Pas dy muajsh  mora vesh  një  lajm  të  kobshëm. Rolandi kishte ndërruar jetë. Në  çfarë  rrethana?  Asgjë nuk dihej. Qarkullonte vetëm një lajm, i përhapur me siguri nga Sigurimi i Shtetit, Rolandi na paskësh vdekur gjoja nga një hemoragji cerebrale.  Kurse unë kisha bindjen se atë e kishin mbytur në tortura.

U trondita së tepërmi. Ndjeva vetëdijen të më padiste. Kisha qenë edhe unë një nga shkaktarët e asaj vdekjeje. Ai nënshkrimi im i mallkuar e kishte shpënë atë djalë të ri  në  qiell.  Po,  po  në  qiell,  sepse  në  tokë  nuk kishte më vend për njerëz si ai.

Tronditja shpejt u kthye  në  revoltë.  Brenda  meje ziente një vullkan që, deri atëherë, kishte qenë i fshehur. Mendova t’ia përplas në fytyrë shokut të fëminisë sime. Ishte më e pakta çka që mund të bëja.

U drejtova për në degën e Punëve të  Brendëshme,  ku  kërkova  kryetarin. Meqënëse  më kishin parë edhe herë të tjera të takohesha me të, më përcollën në  zyrën  e tij. Nuk prita të fliste. Fola unë:

– Përse i morët jetën?

Më shikoi i habitur se ku e kisha gjetur guximin të flisja ashtu para tij. Nuk i kishte ndodhur  kurrë  më  parë një rast i tillë. U përgjigj me një zë të akullt:

– Ia mora unë apo ju? Haruat deklaratën tuaj?

– Atë   deklaratë   ma  nxorrët  ju   me   kërcënimet tuaja. Ju e dinit që nuk kishte asnjë të vërtetë në të.

Një e qeshur histerike mbuloi dhomën. Unë ngriva. Si ishte e mundur të qeshte para një ngjarje të tillë? Fillova të vjell prej goje shprehje të tilla që në asnjë çast tjetër nuk do të guxoja. E kisha humbur arsyen. Kujtoja se kisha para meje një shok të shkollës. Harova se ai ishte kryetari i degës, njeriu më  i   fuqishëm  i  qytetit. Kur e pa se kalova çdo kufi, thërriti dy policë, të cilët  më  kapën  për  krahu  dhe  më  flakën përjashta.

Të nesërmen i drejtova një letër Seksionit të Arsimit në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, ku i komunikoja dorëheqjen time nga detyra e drejtorit dhe nga  arsimi.  Nuk  isha  i  denjë  të  punoja  në  atë sektor.

Fillova   punë   si   punëtor   në    ndërmarrjen    e ndërtimit.  Nuk  kaloi  më  shumë  se  një  muaj  dhe  më arrestuan. Më dënuan për agjitacion dhe propagandë.

Përse përfundova në këtë gjendje? Edhe ti e përfundove shkollën me rezultate të shkëlqyera, por nuk re në grackën që rashë unë. Kërkoja lavdinë. Por për të arritur këtë duhej të paguaje një çmim. Ky është kushti i Sigurimit të Shtetit. Ai e ka si parim gjurmimin e atyre që kërkojnë të arrijnë majat. Në mënyrë të veçantë të atyre që kanë ndonjë “kleçkë” në biografi. Një nga këta jam dhe unë. Një gjë të tillë e pagova shumë shtrenjtë. Po ty a të ka ndodhur kjo?

Hektori u mendua para se të përgjigjej. Asnjëherë në jetën e tij nuk e kishin thirrur për ta bërë bashkëpuntorë. Ai i ishte nënshtruar fatit. E dinte gjendjen e tij dhe nuk kishte kërkuar kurrë të ngrihej më lart se një punëtor i thjeshtë.

– Jo! – iu përgjigj mikut të tij, – asnjëherë!

– E shikon, të thashë? Sigurimi ndiqte gjithmonë ata që kërkonin të ngjisnin shkallët e karrierës.

Heshti. E kishte  përfunduar  historinë e  tij.  Edhe  Hektori  nuk  fliste.  Historia  e  Petritit e kishte tronditur, sepse sinqeriteti me të cilin e kishte treguar ai  e kishte befasuar. Ishte hera e parë që dëgjonte një reflektim të tillë të ndërgjegjes. Në atë kohë ishte e modës që njerëzit të hiqeshin të gjithë heronj, të viheshin në garë se kush mund të tregonte më shumë “heroizmat” që kishte kryer në  kohën  e  luftës apo periudhës së ndërtimit të socializmit.

*Fragment nga romani “Ëndrrat e thyera”

Filed Under: LETERSI Tagged With: reshat kripa, Zëri i Ndërgjegjes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT