• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2016

ME DR.AS. NAZMI KOÇIN, “PESË ORË UDHËTIM NË KËMBË”

August 10, 2016 by dgreca

Fletë nga cikli BURRAT E DIBRËS/

Nga Abdurrahim Ashiku/

Kam qenë në Prodan, disa orë në përurimin e një muzeu, larg në kohë. Hipur në një makinë të vogël me katër rrota aktive, na u desh ti binim nga shumë larg, nga Klenja e Stebleva për të “kërcyer si skracell” gropave të një rruge shfrytëzimi pyjor.
Kam në arkiv edhe disa fotografi banorësh nga ai çast që hyri e mbeti në kujtesën tim paksa fosforeshent…
Nuk më takoi që të shkoj sërish në Prodan. E kam në merak ashtu siç kam në mungesë rastet tu bije atyre pyjeve pash më pash e ti ngrijë në celuloid njerëzit e mrekullueshëm të atyre maleve, kala trimërie e burrërie…
Ndodhi që një ditë të “udhëtoj me shpirt”, “udhës pesë orë në këmbë” të Nazmi Koçit.
Udhëtim  në një bisedë…
Udhëtim në një rrëfenjë për malet dhe njerëzit e Okshtunit…
Udhëtim në një letërkëmbim të vazhdueshëm me një fëmijë, djalë e burrë të Prodanit…
Kam shumë për të treguar. Pak sot, e shumë më shumë nesër…
Ato fjalë, ato ngjarje, më rinuan në shpirt e më morën në fluturim atyre vendeve me shumë trimëri e dije e me pak shkronjë në letër…

*              *                *

…Një fëmijë, dhjetë vjeç, me një çantë bezeje varur krahaqafë, udhëton pesë orë në këmbë për të ndezë në shpirt një dritë, dritën e dijes. Kaq ishte rruga këmbësore ngjitu e zbrit nga Prodani në Ostren. Udhëtim në këmbë, në shi, në dëborë, në vapë, udhëtim si në legjenda…
Në këmbë do të udhëtonte Nazmi Koçi fëmijë, i ri, burrë, prind…një jetë të tërë. Udhëtim në rrugë pa rrugë, rrafsh e me gropa.
Kam lindur në Prodan të Okshtunit më 17 prill të vitit 1947- e nisim bisedën ndërsa gjerbnim kafenë në një lokal në “Rrugën e Dibrës”. – Aty kam bërë  shkollën fillore. Kam pasur fatin e mirë si unë edhe pjesëtarët e familjes, që kisha mësues babanë tim. Babai im Selman Koçi kishte punuar në komitetin ekzekutiv të qarkut të Dibrës, kryetar lokaliteti dhe detyra të tjera nëpunësie por më në fund e lidhi jetën me arsimin.
Ishte shkolluar në Lis të Matit në vitin 1934. Kishte bërë internatin atje. Kishte bërë disa kurse për arsimin në Elbasan, Tiranë. Ëndrra e tij ishte arsimi dhe përfundoi arsimtar në fillim në Borovë pastaj në Prodan.
Dhe bëri një shkollë që të gjithë ata që e kishin parë, përfshi edhe ish shefin e arsimit, Mësuesin e Popullit Selim Alliu kishte deklaruar se ishte shkolla më e mirë në rrethin e Dibrës.
Në Okshtun nuk kishim shkollë shtatëvjeçare kështu që unë në moshën 10 vjeçare u detyrova të shkoj në Ostren të Madh. Të mëdhenjtë e bënin atë rrugë për katër orë kurse unë si i vogël e bëja për pesë. Atje kam bërë klasën e pestë. Kisha një avantazh sepse kisha hyrë i vogël në shkollë. Më 30 nëntor mbarova klasën e katërt kurse me 1 dhjetor fillova të pestën. Brenda një viti bëra dy klasë. Gjithnjë kam qenë në avancë për efekt të këtyre rrethanave sepse në Prodan ishte shkollë verore që hapej në mars dhe mbyllej në fund të nëntorit.
Në Ostren të Madh kam pas fatin të kem mësues të shkëlqyer. Drejtor i shkollës ishte Idriz Biba nga Okshtuni, një normalist i madh, një mësues që do të bëhej pedagog në Institutin e Shkodrës ku jepte matematikë. Mësues kujdestar imi ishte Halim Shehu nga Sllova. Kisha edhe mësues të tjerë dhe nganjëherë me shaka u thoshim: “shkolla është tek ju kurse mësuesit janë nga Okshtuni”.
Okshtuni ka qenë fole mësuesish që në vitin 1907-1908 me Hoxhë Muglicën dhe që vazhdoi e vazhdon edhe sot të ketë shumë arsimtarë.
Në Ostren të Madh kam bërë dy klasë, klasën e pestë dhe klasën e gjashtë. Kisha mësues edhe Selami Muglicën, edhe Jona Muçën.
Mësuesi im Halim Shehu i tha njëherë babait pjesë e këshillit pedagogjik.
“Selman! Djemtë tanë janë fëmijët më të mirë të shkollës, por të shkollës së Ostrenit ama”.
Këtë e kuptova më vonë kur klasën e shtatë e bëra në shkollën Demir Gashi në Peshkopi. Atje, megjithëse kisha qenë me të gjitha pesa pata shumë vështirësi në gjuhën shqipe sepse shkolla që kisha bërë unë, edhe në klasën e gjashtë merrej me ndarjen e fjalës në rrokje kurse mësuesit e mi në Peshkopi Adem Shehu e Ilir Ramizi bënin gjuhë shqipe të nivelit të klasës së shtatë. Lënda më e vështirë për mua në klasën e shtatë ishte kjo. Në matematikë sipas vlerësimeve që bënte Xhelil Kulemani u radhita më i miri i klasës.
Kam pas shokë klase njerëz që janë bërë figura të nderuara. E mora me vete fjalën e profesorit tim Halim Shehu se ne ishim “nxënës të shkëlqyer të kësaj shkolle”.
Kam mbaruar shkollën shtatëvjeçare “Demir Gashi” në vitin 1960.
Babai më detyroi të bëja dy klasë në një vit, pesë orë larg me idenë që të më arsimonte. Ai ndikoi edhe si baba, edhe si mësues, modeli im për jetën edhe sot ndikoi që unë të kaloja në mjekësi.

Fillimisht ishte ideja për të ndjekë rrugën e babait, të vazhdoja për arsimtar. Duke qenë se babanë e kisha mësues priresha. Më dukej vetja  në ëndrra sikur isha mësues dhe jepja mësim përpara fëmijëve. Babait tim i pëlqente mjekësia. Duke qenë një zonë ndërtuesish më dhanë të drejtën e studimeve për teknik ndërtimi. Babai tha se nuk më pëlqen. Në qoftë se nuk do të bëhesh mjek atëherë më mirë të bëhesh mësues. U konsultua me Selim Alliun. Ai e donte shumë Selmanin, kishin punuar shefa seksionesh bashkë pastaj e donte babanë tim dhe ishte një kolos i vërtetë ashtu siç e di gjithë Dibra dhe i tha Selman ti e ke shumë mirë, edhe unë e kam çuar vëllain për mjek. Dibra ka nevojë shumë për mjekë. Unë nuk kam bursa në mjekësi kështu që ai duhet të shkojë me pagesë. Ishte një e drejtë me gjysmë burse. U bë razi ta paguante, të më çonte me pagesë, ama atje ku donte ai dhe unë.
Në shtator të vitit 1960 fillova shkollën në Politeknikumin Mjekësor të Tiranës. Ëndrra e babait tim u realizua. Po ashtu ajo u bë edhe ëndrra dhe qëllimi i jetës time.
Si i ardhur nga periferia isha pak i ndrojtur. Shikoja të tjerët që ishin më të shkathët, më të zhdërvjellët, pse jo edhe më të veshur. Mendoja në se do ta përballoja këtë apo jo. Iu kushtova mësimeve dhe shumë shpejt u evidentova si nxënës i mirë që përparoja në të gjitha disiplinat dhe ecja mirë si në letërsi, matematikë kaq sa mësuesi i matematikës njëherë më tha “Po ç’ke ardhur këtu? Të shkoje në gjimnaz dhe të ishe një profesor matematike në gjimnaz.”
Kisha marrë drejtimin tim, nuk bëja koncesion me atë që kishim vendosur me babanë. Dhe në qoftë se gjatë jetës kam arritur sukses i dedikohet asaj që nuk kam qenë njeri i mëdyshjeve. Nëse kam marrë një drejtim kam ecur në atë drejtim. Këtë ua kam sugjeruar edhe fëmijëve të mi, edhe studentëve të mi.
Vazhdova të studioj dhe në semestrin e parë kisha dalë me nota shumë të mira dhe bashkë me  një mjek tjetër nga Dibra, të nderuarin Qemal Çadri i cili kishte mbaruar vitin e tretë, bashkë me një mjek tjetër që më vonë u bë një politikan i madh, në shkurt të vitit 1961 na nxorën para shkollës dhe për rezultate të shkëlqyera, na dhanë bursë. Kështu që unë e shpërbleva sakrificën e babait. Unë isha më i vogli midis atyre të dyve dhe suksesi im u quajt më i madh. Unë e mora në një semestër bursën kurse ata pas dy vjet e gjysmë. E kompensova sakrificën që kishte bërë familja dhe arrita ta mbaroj shkollën e mesme me rezultate shumë të mira.
Dibra kishte nevojë për kuadro dhe nuk mu dha bursë pasi mbarova shkollën e mesme. Rrethi kishte bërë një kërkesë që na donte atje në punë.
Im atë hoqi dorë. Më tha se ti bëre shkollën e mesme, je rritur, unë të them shko në punë dhe unë do të rris fëmijët e tjerë. Në se do të merresh me shkollën më tutje këtë punë duhet ta bësh vetë.
Unë kam ecur vetë. Kjo është një histori më vete që ia vlen ta kujtoj. Harxhova disa muaj duke shkuar e duke ardhur. Veja nga Ballenja dhe nga Mali me Gropa sepse i bije ta kemi më afër si fshat. Kam udhëtuar mbi makina ngarkuar me dru, pa pi e pa ngrënë dhe nuk u tërhoqa kurrë derisa takova ministrin të cilit më duhet ti jem mirënjohës. Nuk fola si fëmijë shumë i edukuar po i lodhur dhe i mërzitur nga gjërat i thashë që nuk gjej asnjë shkak pse nuk duhet të shkoj në shkollë  të lartë përveç origjinës që jam nga Dibra. A ka ndonjë politikë të tillë që nuk duhet të shkoj pse jam dibran?. Ma thoni? Unë notat i kam, qëndrimin e kam, babanë e kam mësues…
Ai e thirri drejtorin e arsimit të lartë dhe e pyeti se pse nuk e keni çuar këtë djalë në shkollë.
Plani i tha…
Ai mori listën, më pyeti se si e kam emrin dhe shkroi poshtë listës emërore emrin tim 1/1 Nazmi Koçi. I tha afishoje listën. Mua më dha emrin e sekretares së fakultetit dhe më tha do të shkosh të takosh Donika Budo, një grua zonjë, me dekan Hiqmet Dibrën. Ajo ishte strumbullari i fakultetit.
Fakulteti kishte vështirësitë e veta sepse unë e fillova më 1 dhjetor të vitit 1964. Kishin kaluar disa muaj mësim dhe në janar ishin provimet. I pari që më nxori kartonin e kuq ishte profesori i fizikës i cili më tha se po mungove qoftë edhe një orë je i pa klasifikuar. Më vonë e tërhoqi.
Mësuesja e rusishtes në orën e parë më pa me skepticizëm kurse orën e tretë më nxori para klasës dhe u tha të tjerëve bëjeni siç e ka bërë ky.
Kështu avash – avash erdhi sezoni i provimeve. Në atë kohë sapo kishin ikur pedagogët rusë. Fakulteti kishte problemet e veta, vështirësitë e veta. Libra nuk kishim. Kishim përkthime të literaturës ruse të përkthyera keq. Pedagogët kishin qenë asistentë të rusëve dhe tashmë u bënë titullarë dhe shumë herë na kishin deklaruar se do të hyni në vrimë të gjilpërës, mund të ishit bërë traktoristë, kuzhinierë…
Ishte një kohë që kishte vështirësitë  e veta mjafton të përmend. Kemi hyrë 24 vetë në provimin e fizikës dhe kanë kaluar 4 vetë. Njëzet janë rrëzuar. Hynë njëqind vetë në vitin të parë dhe në vit të dytë kalonin tridhjetë. Unë nuk pata asnjë mbetje.
Në vitin 1969 u diplomova. Diplomën ma dhanë me një motivacion të shkruar me dorë sa një faqe gazete ku thuheshin shumë fjalë të mira për mua që lidheshin si me rezultatet në mësime por edhe me pjesëmarrjen dhe sukseset në veprimtari jashtëshkollore.

Në vitin e dytë më bënë komandant të një brigade të njëmijë e ca studentëve të mjekësisë. Në klasë kisha figura si Sabit Brokaj, Kristo Pano,  Mua një djalë të ri më vunë komandant brigade.
Në garat e GPM që na bënin në atë koha arrita të kap kategorinë sportive në garat 800 dhe 1500 metra derisa profesori i fizkulturës donte me çdo kusht të më merrte në ekipin sportiv. Unë kisha një akord të hershëm me familjen dhe babanë që të mos leja mjekësinë.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: BURRAT E DIBRËS, Fletë, Nga Abdurrahim Ashiku, nga cikli

O, UNË E PUNOJË, POR DROJË SE NUK NA VYEN!

August 10, 2016 by dgreca

Nga Sokol DEMAKU/

E po kështu qenka, edhe me qenë më  shumë dije nuk po bëjka.

Po dilkan telashe, e qebesa edhe njerëzit nuk po të besojkan aq, se janë mësuar me shumë me të paditur se me ata të cilët din apo mundohen të din dicka.

Por cka ti beshë, jeta është kësisoj dhe do të jetë edhe sa kohë njeriu do të ketë.

Por, por ndoshta mund të ndodhë që të këtë ndonjë ndryshim.

Nuk i dihet.

Por jo!

Nuk i dihet edhe mund të ketë!

Kështu murmuriste në kokën e tij thauj se për cdo ditë Mulla Rexha.

Ishte njeri i menqur, njeri me njohuri të gjëra jo vetëm fetare por edhe shkencore.

Qebesa po të futej në mesin e shumë shkencëtareve nuk beson kush se do ia kalonin.

Kalonte një jetë normale në fshat me dy bijët e tij, të cilët edhe ata zinin në shkolla dhe mendonin  se do ia arrijnë.

Por Mulla Rexha, ishte hoxhë, por jo edhe Imam në xhami, ai shkonte në xhami  vetem sa të lutej (falej), pra të kryente obligimin  fetar që kishte, por shumë punë kryente në shtëpin e tij të cilën e kishte pergatitur enkast per këtë zeje.

Më shumë merrej me sherimin e semundjeve psiqike tek njerëzit.

E kishte berë profesion si të themi këtë lami, prandaj edhe i shkonte për dore.

Por edhe punët e fshatarit nuk i lente pas, ishte nder bujqit me produktiv në fshat.

Si thoshin bashkfshatarët e tij  po edhe prapsht ta hedhi farën Mulla Rexha do i bëhet bereqeti.

Kishte rregull edhe në oborrin e tij, cdo gjë ishte në vendin e vet.

Kishte njjë shtëpi bashkohore ku i mundësonte artij por edhe të bijëve për punë nromale dhe pa probleme.

Ai në hyrjet ë oborrit kishte ndertuar një dhomë pune ku priste te adhurarit e tij, ata me të cilët ai merrej dhe u ndihmonte po si të themi i sheronte nga problemet qe kishin.

Keta ishin njerëz me probleme mendore, probleme psiqike, njerëz agresiv në jetë.

Mulla  Rexha ishte ai I cili I qetësonte këta i kthente në jetën normale.

Qebesa thonë se ka ba vaki (ka ndodhë) qe e kanë sjellë njeriun lidhur me konop por kur është ulur para Mulla Rexhes, të është mbushur mendja se nuk është ai njeri të cilin e sollën nën percjellje.

Kishte nje fuqi magjike me të cilën I ndihmonte njerëzit.

Ishte shumë ba mirës!
Edhe njerëzit nga terë regjioni e nderonin, kishte respekt.

Paj si hoxha ma!

Kuptohet i shkon për dore cka do e si do.

Dy të bijt e tij ishin shkollar.

Punonte pa nderpre qe edhe ata te ndjekin rrugen e te jatit të tyre, të jen njerëz me vlerë dhe të ditur.

Flitej se hoxha punonte me xhine (xhind-dreqër) dhe se kishte përkrahjen e tyre në punën e tij kur kishte të bënte me raste të rënda të krizave nervore apo edhe shtreseve të njerëzve të moshave, gjinive të ndryshme.

Thuhet se keta e ndihmonin shume hoxhën në këtë profesion.

Ata i sillinin informacionet me të freskëta nga tereni mbi jetën e personave ne fjalë, kushtet e jetës dhe të bemat e tyre në jetë.

Këto shenime i shërbenin hoxhës për realizimin e punës së tij prej mjeku, pskologu apo si duani ta quajmë.

Xhindet ishin ne gjendje qe për hoxhën edhe te flijoheshin sepse ata kishin krijuar nje miqësi shumë të ngushtë mes vete dhe edhe ata ndiheshin shumë krenar se ishin krahu i djathtë i hoxhës në perkujdesin për ata të cilët kishin nevojë per ndihmën e  tij.

Ishte praneverë, ishte koha e të mbjellave.

Në të katër enët bujqit kishin  vershuar fushat ku mbillej misri me të madhe. Ishte shume kohë e përshtatshme. Të gjithë mendonin se do të jetë nje verë e frytshme, një verë e begat me bereq këtë vit.

Edhe Mulla Rexha kishte angazhuar punetor në mbjelljen e misrit.

Por të bijët nuk kishin  kohë që ta ndihmonin, ata kishin punët e tyre në kendim e mesim.

Mbiu misri at vit si nuk bënë më mirë. Të gjithë ishin të kënqaur me punënë  që kishin berë.

Hoxha kishte të mbjella dy hektar me misër.

Kishte ardhur koha për mihje,por hoxha ishte sa i zenë me punët e tij prej biznesi sa mos me ta marrë mendja. Nuk kishte kohë as të afrohej deri tek ara, por të bijët  edhe më hiq.

Një ditë u that ë bijëve : kishte qenë mirë një pas dreke apo në mbrërmje te shkoni deri në arë ndoshta ka ardhë koha për mihje?
Ai, babë cka ke thenë.

Nuk kemi kohë as kokën ta ngrisim e lere më të shkojmë në arë.
Paj bre djemt e mi ajo ju bënë edhe shendet, një sheti e vogël në mbremje.

Po, po, por nuk kemi kohë.

Nje mëngjes vendosi hoxha vetë te shkojë dhe të shof se si është puna në ara.

Kur mbërrijti, cka me pa paj ymri të rritej nga puna, por për fat barojat e këqija ia kishin  kaluar bimës se misrit, pra ishte koha e mihjes e pastrimit të bimës nga barojat e këqija.
Kishte aty cka jo.

Manaferra te egra, hith, pirrë, egjër po cka jo që e ngulfatnin bimën e misrit dhe nuk  lenin të zhvillohej normalisht.

Ishte koha e pastrimit të saj.

Me tëkther ne shtepi hoxha u tyh atë bijëve.
Qebesa eshte mire të angazhoni disa punëtor për mihje!
Paj allahile babë mos ia le seri, nuk kemi kohë fare.

Po bre por po me duket disi e rënde qe të angazhohem vetëm une.

Se unë e kryej këtë punë por drojë se nuk do të na vyej më vonë.

Hoxha e kishte mendjen qe të angazhoj për mihjen e msirit xhindet me të cilët kishte nje bashkëpunim shumë të mirë e ku ata ishin në gjendje te bënin gjithcka për hoxhën.

Me tu kthyer në mbrëmje në shtëpi  hoxha u lëshoj një zë bashkëpunetorëve të tij, të cilët flytyrym erdhën  në dhomën e punës së tij.
Urdhëro baba hoxhë, cka ka te re, cka mund të bëjmë për ty???

Të shofim!

Por, kësaj radhe ka të bejë me mua!
Ata u friksuan mos i ka ndodhë hoxhës dicka e keqe!
Jo,jo!

Kam nevojë për mihjen e misrit në Arë të gatë!
Ai, baba hoxhë, kjo është punë e lehtë, nesër në mëngjes puna është e kryerë.

Dhe me të vërtetë këta e kryen këtë porosi të hoxhës.

Dhe të nesërmen para agut xhindi kryesor ftoj mëse njëzet të tjerë dhe të gjithë me shati në krah drejt e në arë të gatë dhe filluan punën.

Per sa cel e mshel sytë ara u mihë.

Ishte kënaqësi ta shihje.

Nuk kishte më bar të egër në misër, nuk kishte më egjër ishte pastruar ara, ishte pastruar edhe misri, ishte kënqësi.

E informuan hoxhën, se puna  i ishte kryerë dhe se cdo gjë ishte ne rregull!

Hoxha me tu zgjuar në mëngjes pasi mori informimin për punën e kryerë, deshi ti vizitojë djemt dhe ti lus te shkojnë deri në arë, të shofin cfarë pune ka berë baba.

O bijt e mi a keni fjetur mirë?!

Po baba , por jemi të zënë shumë me mësime.

Po djemt e mi desha me ju lutë vetëm të shkoni deri në arë të shifni cfarë pune  ka berë baba!!!

Baba të besojmëse ke kryerë punë të mire!

Por hoxha nuk arriti ti bind të bijët dhe u detyrua te shkoje vet.

Por cka me pa.

E kishin punuar arën si hiq ma mirë nuk benë, paj dheun e zi ia kishin qitë në sipërfaqe.

Misri fluturonte nga qejfi se i ishin hequr barojat e egra, të cilat ia zinin frymën, ia zini diellin dhe ajrin e pastër.

E mashalla po ba hoxha!!!

Paj qebesa mirë e paska punue topalli, ka respekt ndaj meje!

Hoxhës iu rritë zemra kur e pa edhe arën e  tij të punuar si të fqnijnëve tjerë, shkonte në të madh hoxha, por i shkonte mendja të fjalët që u kishte thene të bijëve: ” O, UNË E PUNOJË, POR DROJË SE NUK NA VYEN!”, por nejse puna është kryer kjo është kryesorja.

Shkoj hoxha në shtëpi i përgëzoj të bijt për punën e mirë që ai kishte bërë, por ata nuk ia vun veshin fort, nuk ishin edhe aq të interesuar.

Paj të mbushej mendja se misri po fluturonte nga toka dhe të dukej se po rritje ndër këmbët tua.

Ja se cka bënë puna.

Por, medet puna e huaj.

Qebesa e kam dëgjue nga të vjetrit se kush hajrin  nuk ia ka pa punës së huaj.

E sidomos të qalit kuku medet!

Po drojë edhe unë.

Nuk ka punë pa u lodhë.

E djemt e mi po kujtojnë se bëhet gjithcka për së gaqmi.

Jo, Jo!!!

Pa u lodhë, pa u djersitur, pa mund nuk arrihet asgjë.

Hoxhës nuk i zihej vendi vend. Nuk i pritje kur të vij mesi i ditës, kur vapa do kaplojë e kur edhe nën hije nuk mund të zeshë vend nga vapa.

Kur dielli rjepë e pjekë në të katër anë.

Kjo ishte ajo cka e mundonte më së shumti hoxhën.

Ishte mesditë, me siguri ora veq kishte kaluar dymbëdhjetëshin.

Ishte koha e drekës.

Hoxha do dukej edhe një here deri tek Ara e gatë të shof se si po perparon misri pas mihjes.

Dhe u nisë për atje.
Me të arritur në skajin e saj më  të afërt hoxhës vetëm sa si rat ë fikt.

Cka me pa. Pasha një rrenjë misri nuk kishte mbete në kembë.

I tëri ishte vyshkur, kishte renë për tokë.
Po, po e thash edhe ma heret i thonte vetës hoxha si me gajret.

Medet puna e huajë.

Por kush ka pa hajr prej dreqit deri me sot???

Po, por pune që e kanë berë xhindja, ma mirë me thenë punë që kanë berë dreqnit, e valla ata deri me sot nuk kam degjuar që kanë berë punë të mirë.

Po mor burr ata  e kanë mihë e sheh dheun e lagët ia kan qitë mbi siperfaqe por medet se kund rrënjë të shendosh nuk i kanë lënë.

E pa rrenjë si të jetohet.

Pra do u them djemve te mijë.

Kësaj pune I thonë punë dreqnish e hajr prej saj nuk mund te sheh askush e as unë vet që punojë me ta.

Por kisha me thenë se më mirë vet e me lezet, se punë dreqnish e për gazep.

Po more hoxhë por pak vonë qebesa!!!

Po more burr më mirë vonë se kurrë!!!

Filed Under: ESSE Tagged With: NUK NA VYEN!, O, POR DROJË SE, Sokol Demaku, UNË E PUNOJË

VJOLLCA KONI-AJASLLARI: ËSHTË FJALA POETIKE AJO, QË NA MBAN E NA BASHKON…

August 10, 2016 by dgreca

Nga: Prof.Murat Gecaj/

1.Kam lexuar në jetëshkrimin tënd, se je marrë me poezi e shkrime, që në bankat e shkollës…Çfarë kujton nga ajo kohë “e artë”?

-Fillimisht, ju falënderoj, prof. Murat Gecaj për bisedën. Njëherësh,  përshëndes dhe gjithë lexuesit e portaleve dhe gazetave, ku publikohet kjo bisedë e jona! 

Duke u ndërlidhur me pyetjen tuaj, e shikoj të arsyeshme, paraprakisht, të flas pak për vendlindjen time. Jam  lindur në një fshat të vogël të zonës së Skraparit,  ku veç zërit të ëmbël të nënës për ninullë, dëgjoja dhe këngët e bilbilit e të shtojzavalleve, netëve melodinë e bukur të bulkthit, deri në orët e vona. Ky fshat është përballë malit shtatlartë të Tomorrit, nga ku puhizën e pata përkëdhelje freskuese, ushqim aromën e luleve shumëngjyrëshe, aty ku zanat kanë foletë e rritin emra të mëdhenjë, për Atdheun, shkencën e kulturën tonë mbarëkombëtare. Pra, ky fshat quhet Grevë.

Dëshira e frymëzmi im për të shkruar poezi lindi qysh në bankat e shkollës fillore. Dhe, kur flas për ato fillime, ndjehem sikur jam kthyer në ato vite, sikur jam ajo vajza e vogël dhe e ndruajtur, nga ku fshihja vargjet prej secilit e shpesh herë i digjia në oxhak. Nga ajo kohë “e artë”, mbaj mend një katërvargësh, që po e sjell për ju dhe lexuesin:

Kur Hëna në livadhe sot të harliset,

do të dal unë si xixëllonjë,

të shkoj dy vargje manaferra,

sikur dhe gishtat gjak të kullojnë!…

Këto vargje më kujtohen nga ajo kohë fëmijërie dhe më zhytin shpesh në nostalgjinë e atyre viteve, të bukura dhe të paharruara. Shoqja ime e fëminisë, që tani është një kirurge e zonja, E.Sh.  ma grisi letrën, duke thënë:  “Pusho, se dhe gurët kanë veshë!” Ajo, e trembur nga ai regjim, sigurisht që donte të më ruante mua.

2.Deri tani, ke botuar tre vëllime me poezi…Çfarë ndiesishë ke përjetuar dhe me cilin ke bashkëpunuar, në përgatitjen e tyre?

-Faleminderit për pyetjen dhe mundësinë e rrëfimit tim poetik. Pas një përkujdesjeje të gjatë në kohë, duke ruajtur, mbledhur e krijuar vargjet e mia, në vitin 2013, me ndihmesën dhe redaktimin e prof. Viktor Bakillarit, botova përmbledhjen time të parë, të cilën  e titullova “Bio”. Nëse dikush do më pyeste, pse me këtë emërtim, me siguri, përgjigjen e gjen dhe te pyetja e parë. Emocionet e botimit të një libri janë të ndjeshme, si pas çdo lindjeje. Dhe këtë gjë, më së miri, mund ta kuptojnë poetët,  të cilët kanë botuar.

Duke parë numrin e poezive të papërfshira në këtë vëllim, por dhe krijimet e reja, vendosa që, në vitin 2014, të botoja vëllimin e dytë. të titulluar “Poseidon, ky malli im”. Emërtimin mitologjik, të gërshetuar me mallin, e shprehur përmes  poezive të përfshira brenda këtij vellimi, e realizova sërish nëpërmjet   bashkëpunimit me redaktorin,  prof. Viktor Bakillari. Me këtë  rast, atë e  falënderoj përzemërsisht, për angazhimin dhe përkujdesjen e treguar!

3.Po, vlerësimet për librat e botuar, si kanë qenë, sidomos për vëllimin e tretë poetik?

-Në përgjithësi, janë bërë vlerësime pozitive për dy librat e parë poetikë. Ndërsa i treti ka gati një muaj, që është publikuar. Ai ka tematikë kryesore mallin për vendlindjen, lirikën, por pa përjashtur dhe problematikën shoqërore.  Libri titullohet “Ti, Qindvjetësh”  dhe përmbledh 102  poezi. Në përgatitjen e këtij vëllimi kemi qenë të përfshirë në grup: Redaktor, Agron Shele, poet e shkrimtar; lektor, Mr.Sadik Bicaj, gjuhëtar; recenzet, Hysen Grajçevci, poet; ballina dhe përgatitja, Fatmir Grajçevci, disajner grafik.  Botimi i librit u bë në  Prishtinë, që ishte dhe dëshira ime.

Kur libri “Ti, Qindvjetësh” pa dritën e botimit, si autore e tij, u befasova nga tërheqja e menjëhershme e vëmendjes së kritikës, por dhe pasqyrimet, që pati në gazeta ose portalet letrare të kohës. Duke marrë vlerësimet nga vështrimet  kritike, analizat dhe komentet, ndjehem e kënaqur dhe pse librit nuk i kam bërë ende  një përurim ose paraqitje në një tubim  ose veprimtari letrare.

4.A ke marrë pjesë në veprimtari në ndryshme letrare, në cilët vende dhe  çfarë vlerësimesh të kanë bërë atje?

-Mundësia e mërgimtarit është e kufizuar, por dhe pamundësi e hapësirave të njohjes me kulturat letrare të vendit, ku jeton e më gjerë. Para dy a tre vitesh bëra një shkrim, në formë proze, ku në një mënyrë shpreha mendimin tim kritik. Shkrimin e titullova “Të huaj këtu e të huaj atje?!”. Dua të them, largimi nga Atdheu është largim nga çdo gjë e bukur dhe nuk do dëshiroja të numëroja tani  ndiesitë përjetuese-emocionale. Po, do të thoja, se është largim nga ëndrrat. Është largim nga ata, që dikur i ke dashur e të kanë dashur dhe kjo mbart shumë mall e dhimbje. Por, fatkeqësisht, gradualisht na shndërron në të huaj këtu, por dhe të huaj atje, pra në vendin tone?! Megjithatë, dashuria ndaj fjalës së shkruar dhe dëshira për të qenë pjesë e këtyre organizimeve, shumë herë, i tejkalojn mundësitë. Kështu që marr pjesë aktive në veprimtari letrare, që organizon Shoqata jonë “Aleksandër Moisiu”,  këtu në Vjenë të Austrisë.  Jam përfshirë në disa publikime antologjike, në gjuhën shqipe, por dhe të huaj. Këto ditë isha pjesmarrëse në manifestimin letrar “Malli Poetik i Kosovës”, organizuar nga Shoqata e Shkrimtareve të Fushë- Kosovës.

5.Je zv.kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve “A.Moisiu”, në Vjenë të Austrisë…A mund të na tregosh diçka për veprimtaritë kryesore, që janë zhvilluar?

-Po, falënderoj koleget e kolegët, poetë e shkrimtarë, që këtë vit më përzgjodhën në këtë detyrë shoqërore. Artisti i vërtetë është dhe mbetet artist, kudo që të jetë. Domosdoshmëria për organizim kulturor u bë nevojë e kohës, që të mblidhemi rreth bashkësisë sonë shqipfolëse, pa dallim treve e rajon. Shprehem  me krenari se, në Shoqatën tonë “A.Moisiu”, e kemi Shqipërinë Etnike pa kufinj, punojmë dhe veprojmë si një trup i vetëm. Është fjala poetike ajo, që na mban e na bashkon.

6.Sikur i “harruam” (ha,ha)familjen, punën, jetën shoqërore etj.Çfarë është e veçantë për ty, në këtë drejtim?

-Këtë, që do të them, nuk dua asesi që të  kuptohet si “propagandë”, por si natyrë  e një artisti, në oponencë me dukuritë negative të shoqërisë. Jam kritike edhe ndaj zhvillimve  ekonomike e politike në Shqipëri. Sepse dëshiroj që Atdheu im të krijojë mundësi progresi, në të gjitha instancat shtetërore. Dhe diçka tjetër. Nëse mërgimi ka qenë i vështirë për mua, nga ana tjetër, ka qenë  një mundësi e madhe për shkollimin e  vajzës dhe dy djemëve të mi. Ata sot janë të integruar plotësisht në jetën shoqërore dhe kulturore të vendit, ku jetojmë.

7.Besoj, mendove që mbaruam me kaq, por jo… Pra,  përveç poezive, a ke provuar të shkruash në prozë? Gjithashtu, a ke plan ti, që të dalësh para lexuesve me një libër të ri dhe kur, afërsisht?

-Do dëshiroja të citoja këtu, një thënie të një mikut tim edhe ai profesor. Ndër të tjera, ai shprehet: “Të gjithë poetët, të cilët nuk e gjejnë veten në poezi, i kthehen prozës” . Ju, si një mjek, që diagnistifikon diçka të fshehur, dini të nxirrni në pah  edhe të  pathënat nga një poet. Por më ndodh që të  ndihem mirë edhe  te proza e shkurtër. Dua të përmendi këtu Akademikun Kopi Kyçuku, që kur lexoj poezitė e tij, më duket  sikur lexoj Lasgushin. E falenderoj nga zemra ime dhe i jam mirënjohëse, për shtysën, që më ka dhënë në krijimtarinë time letrare!  Konkretisht, ai më është shprehur: “Je mjeshtre në prozë, por mos e lër poezinë”. Disa proza të mijat, të redaktuara nga ai, janë sinqerisht të mrekullueshme. Prandaj do ta shikojnë, në një kohë të arsyeshme, edhe dritën e botimit. 

…Në mbyllje desha t’u falënderoj, profesor Murati, për zhvillimin e kësaj bisede, e cila më dha mundësi  që të shprehem, lirisht e sinqerisht  dhe të shpalosi tërë veprimtarinë time, letrare e poetike. Respekt të veçantë për lexuesit e mi!

Më 10 gusht 2016

Filed Under: Interviste Tagged With: fjala poetike, Prof. Murat. gecaj, Vjollca Koni-Ajasllari

Hasan Prishtinën nuk e vrau Ibrahim Çelo

August 10, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Po mbushen 83 vite nga 13 gushti i vitit 1933, ku në qytetin e Selanikun u vra ish-kryeministri i Shqipërisë Hasan Bej Prishtina, një figurë e shquar kombëtare. Pas kaq vitesh mbetet ende e pa zbardhur mirë porositësit real të kësaj vrasje, por edhe identiteti i vërtetë i vrasësit i cili njihet si Ibrahim Çelo ose Celo, nga Resnja e Maqedonisë. Pas shumë kërkimesh erdha në përfundimin se vrasësi nuk quhej Ibrahim Çelo ose Celo por Ibraim Sela ose Selo. (Në serbisht shkruhet Celo që në shqip është Selo, por në të vërtetë duhet të jetë Sela në gjuhën shqipe sepse ne i themi Kosova, sllavët Kosovo, Tetova-Tetovo, Kumanova-Kumanovo, etj. Pra mendoj se është Sela në shqiptimin shqip). Gjatë kërkimeve të mia mësova se në Resnjë nuk ka patur asnjë familje me mbiemrin Çelo ose Celo, por Sela të cilët janë shpërngulur me turp pas viteve 1935. Mbiemri i pretenduar deri më sot për vrasësin e Hasan Prishtinës, Celo apo Çelo nuk e ndeshim në asnjë familje shqiptare të Maqedonisë së sotme. Interesantë është fakti se për vrasësin Ibrahim Selën janë kujdesur ndër vite strukturat sllave që të fshehin pasardhësit e tij të cilët nuk ka shumë të dhëna të mjaftueshme për familjen e tij nga Resnja e Maqedonisë së sotme. Me këtë rast lindin shumë pikëpyetje që presin përgjigje si: Mbreti Zog i akuzuar për këtë vrasje, nëse vërtet donte të vriste me këmbëngule Hasan Prishtinën përse duhet të paguante një vrasës nga Resnja që i përkiste Serbisë, dhe jo nga Shqipërisë kur ai ishte mbret i saj? Përse deri vonë nuk kishim një fotografi të vrasësit, por kjo gjë u bë e mundur pasi unë gjeta gazetën greke në vitin 2000? Përse deri në vitin 1960 Shqipëria zyrtarisht e quante tradhtar Hasan Prishtinën? Përse ende sot figura e Hasan Prishtinës nuk vlerësohet lart nga shteti shqiptar si ish-kryeministër, ministër dhe deputet i saj? Përse Shqipëria nuk kërkon pasurinë e Hasan Prishtinës si shtetas i saj që ndodhet në Selanik? Çfarë u bë me Ibraim Selon apo Sela? Unë dyshoj se Ibraim Selo apo Sela është liruar nga burgu në vitin 1941, por ende nuk mund ta faktojmë me dokumente zyrtare. E sigurt është se në Prill-Maj 1941 në Greqi u liruan të gjithë të burgosurit, pasi autoritetet greke hapën burgjet kur ushtria e saj u dorëzua paqësisht tek gjermanët.

Besoj që Serbia ka qenë më e interesuar për ta vrarë Hasan Prishtinën se sa Ahmet Zogu i cili gjeti kurajën dhe u pajtua me kundërshtarët e tij të përbetuar si Konicën dhe Fan Nolin të cilin edhe e ka ndihmuar financiarisht kur i ka kërkuar ndihmë ekonomike. Mendoj se Serbia është porositja e vërtetë për vrasjen e Hasan Prishtinës sepse ajo godiste me këtë akt edhe Ahmet Zogun i cili i kishte kthyer shpinin asaj dhe po lidhej me Italinë në fillim të viteve 1930. Megjithatë këto mbeten paragjykime për tu vërtetuar sepse nuk janë hapur të gjitha arkivat sekrete për këtë figurë të shquar dhe për shumë personalitete të tjera shqiptare.

Gazeta greke që botohej në Selanik “Maqedonia e Re” e datës 14 gusht 1933, ku shkruhet se Hasan Bej Prishtina u vra rreth orës 14.00 më 13 gusht 1933 nga Ibrahim Selo. Në foto vrasësi Ibrahim Selo dhe Hasan Prishtina në morgun e Selanikut.

Gabimi i historianëve

Lajmin për vrasjen e Hasan Prishtinës gazetat shqiptare të asaj kohe ju referuan medieve serbe, dhe jo greke apo burimeve njerëzore shqiptare që jetonin dhe punonin në Selanik. Duke ju referuar gazetave serbe ne nuk kishim deri vonë datën e saktë kur u vra Hasan Prishtina. Disa historian dhe studiues shqiptar shkruajnë se vrasja është kryer më 14, 15 dhe 16 Gusht, ku në të vërtet vrasja u krye më 13 Gusht 1933 sipas gazetës greke të Selanikut “Maqedonia e Re-Μακεδονικα Νεα” e cila përshkruan me hollësi se si u krye vrasja, emrin e vrasësit Ibraim Selo dhe pronën e Prishtinës i cili është ende pronar i godinës në fjalë që na e thotë kjo gazetë.

Të gjithë historianët shqiptar që janë marrë me ngjarjen e vrasjes së ish-kryeministrit Hasan Bej Prishtinës kanë gabuar në mbiemrin e vrasësit Ibrahim Çelo, (në të vërtetë duhet ta ketë patur Sela) ata kanë shfrytëzuar burimet sllave, pra nuk kanë bërë kërkime në arkivat greke, ku duhet të ndodhet certifikata e vdekjes së Hasan Prishtinës, dokumentin e arrestimit dhe i gjyqit të vrasësit Ibraim Sela. Këtë gabim e bëra edhe unë duke u bazuar tek burimet e studiuesve para meje edhe pse kisha dyshime se mbiemri ishte SELA dhe jo Çelo në bazë të gazetës së asaj kohe “Maqedonia e Re” e datës 14-8-1933, një ditë mbas vrasjes së Hasan Prishtin. Në këtë gazetë shkruhet qartë se vrasësi është Ibraim Sela- Ιμπραιμ ΣΕΛΙΟ-Ibraim SELIO.

Pra, mendim im tani për tani është se Hasan Bej Prishtinën e vrau Ibraim Sela nga Resnja i paguar nga Serbia, por historianët e tjerë le të bëjnë kërkime më të thella dhe mos të kopjojnë copy-paste sepse mund të gabojnë përsëri ashtu siç kanë gabuar kur e bëjnë një veprim të tillë pa treguar burimin nga e kanë marrë informacionit.

Historisë së vërtetë nuk i vendoset kollaj pika e fundit sepse ajo është një tunel i pafund, ku herë ka dritë për të shikuar të shkuarën e herë errësirë.

Qartë shkruhet Ibraim Selo dhe jo Çelo apo Celo

Përpjekjet për vlerësimin e figurës së Hasan Prishtinës

Trashëgimtarët e familjes së Hasan Prishtinës, si altruizti Mehmet Prishtina prej disa vitesh bëjnë përpjekje për vlerësimin lartë të figurës së tij. Mehmet Prishtina me këmbëngule dhe financimet e tij personale ka bërë të mundur që busti i Hasan Prishtinës të vendoset në Shkup, Tiranë dhe në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Por këto nuk mjaftojnë për të vlerësuar lartë figurën e atdhetarit, politikanit, bamirësit, ish-kryeministrit Hasan Prishtinës. Në vitin 2014, Mehmet Prishtina i ka dërguar letër zyrtare kryetarit të Republikës së Shqipërisë z.Nishani, kryeministrit z.Rama, kryetarit të Kuvendit z.Meta për rivarrosjen me nder të Hasan Prishtinës në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, ashtu siç janë rivarrosur me nderime edhe shumë figura të shquara si Faik Konica, vëllezërit Frashëri, etj. Por kjo kërkesë e familjes Prishtina ka rënë në vesh të shurdhër. Është për të ardhur keq që në këto varrezat prehen eshtrat e disa njerëzve që kanë rënë për kontributin ideologjik partiak komunisti, ndërsa burri i kombit Hasan Prishtina prehet ende në një qoshe në periferi të qytetit të Kukësit

Para disa kohësh altruizti Mehmet Prishtina hodhi idenë që në Prishtinë të vendoset busti i Ismail Qemal Vlonës, ndërsa në Vlorë busti i Hasan Prishtinës duke treguar se nga Prishtina e në Vlorë ne jemi një komb. Kjo ide dhe kërkesë e z.Prishtina gjeti mbështetjen dhe në vitin 2015 në Prishtinë u vendos busti i Ismail Qemal Vlorës, ndërsa busti i Hasan Prishtinës ende nuk është vendosur në Vlorë edhe pse është miratuar nga bashkia e Vlorën, por diku ndeshen pengesa nga burokracia administrative.

Do të ishte nder i institucioneve të shtetit shqiptar që në 28 Nëntor 2016, eshtrat e Hasan Prishtinës me një ceremoni shtetërore të vendosen në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë dhe busti në Vlorë. Kjo do të ishte më e pakta që mund të bëj Shqipëria shtet për burrin e madh Hasan Prishtinën që sakrifikojë pasurinë e tij për pavarësinë e Shqipërisë, financojë me dhjetëra bursa që shqiptarët të studiojnë në shkolla, i cili pranojë më mirë malet shqiptare se sa kolltukun e butë të ministrit të Turqisë.

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, Hasan Prishtinën, Ibrahim Çelo, nuk e vrau

Replike me Artur Zhejin:Majmunërinë nuk e sollën emigrantët!

August 10, 2016 by dgreca

Na thoni se kush është “majmuni” z. Zheji?!/

Nga Etmond Guri/

Kryetar i F.SH.SH.G/

Me keqardhje lexuam, si unë dhe me mijëra emigrantë që jetojmë prej vitesh jashtë Shqipërisë një opinion të z. Artur Zheji, ku fjalori i tij i “pasur”, “niveli i lartë akademik” i këtij opinionisti të “madh” arrin deri aty, saqë ai jo vetëm na befasoi të gjithëve por ia kaloi dhe vetvetes në rastin më të mirë!

“Kafsha është e rrezikshme atëherë kur është e uritur, kurse njeriu kur është i ngopur” thonë.

Ju Zoti Zheji jeni pikërisht njeri i ngopur dhe kërkoni me truke të tilla të ulëta të shmangni vëmendjen e atyre që ju shqetëson shumë pse ata janë fokusuar mbi ju për arsye që ju i dini shumë mirë.

Të quash bashkëkombësit e tu “majmunë”, nuk ka mendje të shëndetshme të përceptojë apo ta analizojë qoftë dhe shkencërisht një logjikë të tillë kaq të sëmurë.

Jo zoti Artur Zheji! Majmunërinë nuk e sollën emigrantët!

Atë e gjetëm midis jush! Në titujt pompozë të shkrimeve tuaja dhe të kolegëve tuaj, në emisionet tuaja bajate, në analizat shumëfjalëshe por boshe në thelb.

Majmunerinë e gjetëm në batutat e ndyra që shkëmbeni me njëri-tjetrin, në gjuhën banale që përdorni në media.

Në fjalët e huaja që i përdorni për t’u dukur interesantë, edhe pse varfëroni përditë gjuhën shqipe.

U shqetesuat z. Zheji pse u ndeshët me disa emigrantë që kishin vështirësi me shqipen dhe nuk ju shqetëson gjuha skandaloze që përdor administrata jonë analfabete!!! Nuk ju shqetëson gjuha dhe programet skandaloze të Radiotelevizionit Shqiptar, që ju keni drejtuar dhe nuk i kushtuat qoftë një reportazh, emison apo më keq akoma një program edukativ e mësimor për fëmijët e emigrantëve të cilët ju mbajnë me bukë, duke paguar rregullisht taksat.

Ju që pretendoni se jeni analist, besoj se vuani nga sindroma ksenofobisë. Vetëm pak ditë më parë shprehët bindjet tuaja antiamerikane, madje iu perveshët dhe ambasadorit Lu, i cili luftoi kaq shumë për reformën në drejtësi. Tani iu versulet emigrantëve të ndershëm sepse nuk dini punë tjeter veç servilizmit. Kur qeveritë e mëparshme ishin zhytur në korrupsion, ju i thurrnit lavde, ndërsa ne emigrantët, ishim negociatorët më të mirë që Shqipëria të përftonte statusin e shtetit – kandidat për në BE.

Sepse kur ju z. Zheji morët në intervistë deputetin nazist të “Agimit të Artë” Kristo Papa dhe ju tundte gjithë përçmim dhe përdhosi flamurin tonë kuq e zi, ofendonte brutalisht shqiptarët dhe historinë brilante të Shqipërinë, ju nuk bëtë asnjë reagim, madje fërkonit duart për reagimet që do shkaktonte kjo intervistë. Ndërsa ne emigrantët z. Zheji, jo vetëm që nuk iu nënshtruam politikave të tilla të qarqeve shoviniste, por u bëmë ballë duke hapur shkolla të gjuhës shqipe pa ndihmën e qeverive që ju u serviloseni me shkëmbim kolltukun e drejtorive që ju ofronin, u bëmë ballë duke protestuar e festuar pavarësinë e Kosovës në sheshin “Omonia”, festonim dhe festojmë me dashuri, respekt e nder festat kombëtare ku flamuri ynë valëvitet gjithë krenari e lavdi ashtu siç i ka hije pranë flamurit të vendit pritës.

Më thoni tani, se kush është majmuni z. Zheji?!

Filed Under: Mergata, Opinion Tagged With: Etmond Guri, Replike me Artur Zheji

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT