• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2016

Ne perkujtim te nje pervjetori- Havzi Nela

August 9, 2016 by dgreca

Nga Reshat Kripa/

10 gusht 1988. Sistemi komunist kishte marrë rrokullimën. Në të gjithë vendet komuniste të lindjes kishin shpërthyer revoltat që do të shembnin sistemin. Por Shqipëria, si dhe herë të tjera do të ishte e vonuar. Pikërisht në këto ditë komunizmi shqiptar do të tregonte fytyrën e tij të vërtetë. Në mes të Kukësit do të varej në litar, vini veshin, do të varej në litar një tjetër poet, një tjetër bir i kësaj toke, Havzi Nela. Një jetë e tërë me të përpjeta e të tatëpjeta. Ishte jeta e njeriut që kishte dëshirë të mësonte dhe nuk e linin për të mësuar, që kishte dëshirë të punonte dhe nuk e linin për të punuar, që kishte dëshirë të jetonte dhe nuk e linin as për të jetuar.

Një odise e gjatë përpjekja e tij për dije. Vjedhurazi mbaroi Institutin e Lartë Pedagogjik me korespondencë në Shkodër. U end fshat më fshat ku, nëpërmjet poezive të tij, u mësonte fëmijëve dashurinë për atdheun. Arrestohet dhe dënohet me akuzën e arratisjes së tij në Jugosllavi.  Pas 11 vjetësh lirohet dhe internohet në fshatin Arrëz.

24 qershor 1988. Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e përbërë nga ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Avdiu dhe nga gjyqtarët Vili Robo dhe Fatmira Laskaj, vulosi dënimin e tij me varje në litar. Edhe varrimi i tij ishte cinik. Ai u fut në dhe në këmbë në një gropë të hapur nga shkulja e një shtylle. Regjimi i mohoi edhe të drejtën e një varri si gjithë të tjerëve. Si shpërblim të kësaj mizorie, disa vite më vonë, kur në vend do të ishte vendosur sistemi demokratik, këta gjykatës do të dekoroheshin nga Presidentët e Republikës. Kjo është Shqipëria e sotme, Shqipëria në botën e çudirave.

Ekzekutimi i Havzi Nelës ndodhte në një kohë kur vendet e tjera komuniste kishin vite që e kishin harruar dënimin me vdekje për motive politike. Sipas deklaratës së bërë nga përfaqësuesi sllovak, Piter Bielek,  në Kongresin e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, mbajtur në Tiranë në vitin 2009, dënimi i fundit me vdekje për motive politike në Sllovaki ishte dhënë në vitin 1956. Krahasimin bëjeni vetë, të nderuar pjesëmarrës.

Megjithatë vargjet e tij mbijetuan. Ato vazhdojnë edhe sot të gjëmojnë me nje forcë të jashtëzakonshme:

            Kur të mësoni se kam vdekë,

            Kur të thoni “Ndjesë pastë!”

            A e dini çfarë kam hjekë,

            Unë, poeti zemërzjarrtë?

            Kur të pyesni: – Ku e ka vorrin?-

            Kur t’kërkoni me ma gjetë,

            Thoni: – Ai urreu mizorin! –

            Thoni: – Dheu s’ka me e tretë!

Ky ishte Havzi Nela, poeti i madh i dhimbjes njerëzore.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Havzi nela, Ne perkujtim te, nje pervjetori, reshat kripa

DUA T`I KEM MIQ TË GJITHË SHQIPTARËT

August 9, 2016 by dgreca

Intervistë me Sadulla Zendeli-Daja, Autor i fjalorit shqip-suedisht, me 35 000 fjalë./

 –  “Daja”, Keni ardhur disa herë në Durrës. Cili ka qenë qëllimi i vizitave tuaja të here-pas-hershme?

-Ka qenë vazhdimisht një kënaqësi e veçantë për mua ardhja në Durrës, i bindur se kjo dëshirë është e të gjithë shqiptarëve dhe e mërgimtarëve, ashtu siç është dëshira për të parë e vizituar të tërë Shqipërinë.

Durrësi është një qytet i lashtë dhe me histori të madhe, që rrezatonte madhështi, kulturë e begati në botën mesdhetare. Ai konsiderohej vend perëndish, një qytet fisnik e hijerëndë, të cilin Epidamni e pagëzoi me emrin Dyrrah. Historianët, por jo vetëm ata, e dinë se në këtë qytet u ndeshën Cezari dhe Pompeu, se cili prej tyre do të ishte i pari në Romë. U ndesh Aleks Bizantini me Guiskardin norman në beteja të rrepta. Në muret e këtij qyteti janë zvarritur pareshtur legjionet romake, normanë e kryqtarë dhe të tjerë pas tyre. Ata kanë ardhur e shkuar, ndërsa Durrësi është këtu si dëshmi e qëndresës së shqiptarëve ndër shekuj.

Nga Durrësi është perandori bizantin Anastasi, i cili bëri ndërtime të mëdha mbrojtëse në qytetin e tij të lindjes. Nga Durrësi vijoi Egnatia, ndryshe “Rruga Mbretërore” Romë-Kostandinopojë, ndërkohë që Durrësi dikur quhej “Kostandinopoja e dytë”, për nga madhështia dhe fama, qytet me amfiteatër antik, me vepra arti si “Bukuroshja  e Durrësit” dhe plot të tjera, që i ka zili bota.

Në panteonin e Durrësit qëndrojnë emrat e ndritur: princ Karl Topia, Shën Asti, Leonik Tomeu-mësues i Kopernikut, Jan Kukuzeli – muzikolog i shquar i mesjetës. Durrësi është vendlindja e aktorit të madh me famë botërore Aleksandër Moisu. Në shekullin e kaluar, për një kohë, Durrësi ka qenë zgjedhur kryeqytet i shtetit shqiptar. Sot, Durrësi është qyteti i dytë i Shqipërisë, me një port dhe plazh modern, me zhvillime në arkitekturë dhe mbi të gjitha me emra të shquar, krijues e dëshmorë, qytetarë të zotë dhe të ditur që e duan me zemër e shpirt qytetin dhe tërë Shqipërinë. Pra, kam dhjetëra e qindra arsye të forta përse e dua Durrësin, përse e kam vizituar dhe përse dëshiroj ta vizitoj përherë këtë qytet të lashtë e të ri. Sa herë që vij në Tiranë, nuk mund të rri dot pa ardhur edhe në Durrës..

– Disa herë jeni ndodhur në shkollën “Demokracia” në qytetin tonë. Kam vënë re, se kini ndjesi të veçantë kur takoni nxënësit.

-Po, më kanë tërhequr vazhdimisht shkollat shqiptare, mbase kjo vjen edhe sepse në Suedi kam punuar më se 27 vjet mësues dhe nxënësit i kam dashur njëlloj si fëmijët e mi. Ua di emrat një për një. Edhe sot pyes për ta, jam kureshtar të di se si shkojnë, si i kanë hallet dhe punët. Shkolla “Demokracia” këtu në Durrës më ka pëlqyer, është një shkollë me disiplinë dhe rregull, e bukur dhe me nxënës e mësues si drita. Mbaj mend aktivitetet e shkëlqyera që më kanë mbetur në kujtesë, veçanërisht ato për 100-vjetorin e Pavarësisë. Këngët, recitimet, pjesa teatrale për shpalljen e pavarësisë dhe Ismail Qemalin edhe sot më ngjallin ndjesi të forta. Fal mësuesve të përkushtuar, gjithçka është e bukur në atë shkollë, ashtu dhe në shkollat e tjera shqiptare që kam vizituar. Ato më tërheqin si me magji, kam mall…

Ka edhe një arsye tjetër: Sa herë kam qenë te “Demokracia”, jam larguar i mrekulluar dhe gjithnjë me dëshirën të kthehem përsëri. Shkaku është se, jam ftuar nga drejtoria e shkollës, pasi “Demokracia” e Durrësit është e binjakëzuar me shkollën Fjardingskolan të qytetit suedez të Borasit. Në atë shkollë ku unë kam shkuar disa herë, ka mësues shqiptarë, edhe shumë nxënës shqiptarë, që mësojnë gjuhën shqipe dhe suedeze.

– Si e vlerësoni bashkëpunimin me bibliotekën e qytetit të Durrësit? A do të vazhdojë edhe në të ardhmen?

-Po përgjigjem si fillim, për pjesën e fundit. Lidhjet që kanë në themel atdhedashurinë, sinqeritetin, kulturën dhe pasionin për dituri, nuk veniten dhe nuk shterrin kurrë, ndaj për bibliotekën, gjithmonë do ta ndiej veten një pjesëtar të saj. Kam qenë disa herë aty, i ftuar në kuvend shkrimtarësh e krijuesish, por edhe për të dhuruar libra të mi. U jam mirënjohës punonjësve dhe specialisteve të institucionit për mikpritjen e ngrohtë dhe për organizimin e veprimtarive mjaft të bukura për librat e mi dhe për jetën time. Herën e fundit isha aty për të dhuruar fjalorin tim shqip – suedisht me 35 mijë fjalë, si dhe librat, “Moj e dashura Arbëri”, “Gostivari në zemrën time”, “Rizgjimi i Arbërisë”. Me mua ishte prof Murat Gecaj, miku im  i kahershëm, si dhe shkrimtari i njohur Viron Kona, i cili i dhuroi bibliotekës dhe pjesëmarrësve në takim, librin “Ju dua më shumë se veten!”, një libër ky, që ai ma kushton mua. Përfitoj nga rasti që ta falënderoj nga zemra për atë dhuratë të çmuar që më ka bërë.

Mendoj se Durrësi ka një bibliotekë të mirë dhe të pasur, ka punonjës që dinë ta drejtojnë atë siç duhet. I vlerësoj ata, sepse e njoh mirë rëndësinë e punës së tyre, pasi unë në Suedi kam mbaruar edhe një shkollë për punonjës biblioteke, por edhe e kam ushtruar profesionin e bibliotekistit dhe të shefit të bibliotekave në qytetin suedez Nybro.

Nga takimet e mëparshme, ashtu dhe ky i kohëve të fundit, kam vënë re se biblioteka e Durrësit tërheq lexues të mrekullueshëm, njerëz të ditur, nga kategori të ndryshme, që nga lexues të thjeshtë, e deri tek intelektualë të shquar, tërheq fëmijë dhe të rritur, deri me moshë të thyer. Të gjithë e duan bibliotekën, vendin e  dijes dhe të kulturës, vendin që të ndihmon të bëhesh njeri me vlera, për zhvillimin, kulturën dhe mëmëdheun e shenjtë.

– Meqë kini botuar disa fjalorë, shqip-suedisht dhe anasjelltas, a keni ndërmend ta vazhdoni këtë punë të bukur, por të vështirë?

-Ndër punët e mia krijues më kryesorja është puna me fjalorët. Kam shkruar disa dhe do të shkruaj të tjerë. Tani jam duke përfunduar fjalorin shqip – suedisht për fëmijët e shkollave. Mendoj se ka dalë një vepër me vlerë në ndihmë të tyre. Dëshiroj t`ju them gjithashtu se, kontaktet e mia  me Shqipërinë tonë të dashur kanë qenë të lidhura ngushtë me botimet e pesë fjalorëve të mi me mbi 100 000. Fjalë, shqip-suedisht dhe suedisht-shqip. Kjo punë voluminoze është vlerësuar edhe nga “Enti për shkollim i Suedisë” dhe është propozuar literaturë shkollore për mësimin plotësues të gjuhës shqipe për mërgimtarët në Suedi. E gjithë kjo është një dhuratë e çmuar për bashkatdhetarët tanë në Suedi dhe mbarë Skandinavinë, njëkohësisht edhe ndihmë për integrimin tonë në jetën dhe shoqrinë e atij vendi miqsor e paqsor. Shteti im amë, njerëzit e mi në Sërmnovë e Gostivar të Maqedonisë dhe, veçanërisht miqtë e mi të racës shqiptare të shpërndarë nëpër botë, më japin fuqi  dhe më bëjnë të palodhshëm, por gjithmonë mbetem me shpirt të coptuar dhe me lot trishtimi e malli. Lotët në sytë e një mërgimtari i than koha, ndërsa shpirti vuan dhe nuk gjen qetësi për mëmëdhenë e bekuar, të ndarë e të cunguar.

Leksikografia është ndër drejtimet shkencore që preferoj më shumë. Vërtetë më merr shumë kohë, por nuk më lodh, veçse më kënaq, veçanërisht kur, si shpërblim, marrë vlerësimet që më bëjnë lexuesit, si në Suedi, ashtu dhe në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e diasporë.

Është një punë që kërkon shumë përkushtim. Për shembull, për fjalorin shqip-suedisht me 35 mijë fjalë, që i dhurova bibliotekës së qytetit tuaj, punova rreth 8 vjet. Megjithatë kjo kohë më duket e shkurtër dhe lodhjen nuk e ndiej më. Çudi, lodhja më largohet si me dorë, kur shohë se ma pëlqejnë punën që bëj dhe ma vlerësojnë librin apo fjalorin. Jam i lumtur për këtë, sepse gjykoj që puna ime është e dobishme dhe nuk më ka shkuar kot. Vlerësimi dhe fjala e mirë, janë shpërblim për mundimet në vite për të hartuar fjalorët, apo për të shkruar librat me poezi e prozë.

– Cili është libri më i ri, që do të zbukurojë listën e botimeve tuaja dhe bibliotekat tona?

-Sapo kam përfunduar një vëllim të ri në dy pjesë. Pjesa e parë përmban poezi të shkruara nga unë gjatë harkut kohor 2015 – 2016, kurse në pjesën e dytë janë përshtypjet e mia nga vizitat në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Kukës. Kam  kënaqësi që, redaktor i këtij libri është shkrimtari i njohur shqiptar Viron Kona, i cili më ka shoqëruar si një vëlla në këto vizita.

– Si ndieheni mes shqiptarëve këtu në Tiranë dhe në Durrës?

–Kam shumë miq në Shqipëri. Në të vërtetë unë dua t`i kem miq të gjithë shqiptarët, që nga Gostivari ku kam lindur, nga Suedia ku jetoj, juve shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë – shtetit tonë Amë, ata të Kosovës, të Malit të Zi, të Çamërisë dhe të gjitha trojeve shqiptare e diasporës. I dua të gjithë dhe u uroj jetë të lumtur dhe të begatë!

Në Tiranë dhe në Durrës, rrethohem porsa vij me miq të shumtë shkrimtarë, poetë, gazetarë, artistë, intelektualë të fushave të ndryshme, zyrtarë, mësues, njerëz të thjeshtë dhe akademikë. I admiroj, sepse janë të mrekullueshëm, ndaj i përshëndes me zemër, për shoqërinë që më bëjnë, për miqësinë që më ofrojnë, për respektin dhe mendimet që ndaj me ta.

Ndiehem kaq mirë saqë, nuk më bëhet të largohem. Gjithnjë e shtyj nisjen time për t`u kthyer në shtëpi, ku më presin me mall dhe padurim bashkëshortja – Xia, fëmijët: Ismeti, Agimi, Blerimi, vajza Lindita dhe ata nipër të shumtë e mbesa, si dhe tërë ata njerëz të afërt të fisit dhe miq shqiptarë e suedezë, atje ku banoj në Ferjestaden (qyteti i vaporëve), ku kam ndërtuar restorantin me emrin mëmëdhetar “Shqiponja”. Shqiponja e flamurit më shoqëron kudo. Shqiponjën e kam atje, e kam në zemër e në shpirt. Ajo është këtu, është në gjokset dhe zemrën e çdo shqiptari.

 

Faleminderit!

 

Intervistoi

 

Kadri Tarelli

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, Kadri Tarelli, Sadulla Zendeli Daja

Ambasadorja shqiptare blen tavolinë 5 mijë € me vulën e shtetit

August 9, 2016 by dgreca

 

Diplomatët e misionit shqiptar në Gjenevë kanë dorëzuar në Ministrinë e Jashtme një dosje me shkeljet financiare të ambasadores Filloreta Kodra, për të cilën kanë kërkuar nisjen e një auditi.

Gazeta “Panorama” ka zbardhur dokumentacionin që i është bashkëngjitur kërkesës drejtuar Ministrisë së Jashtme, në të cilën evidentohen shkeljet dhe blerjet me fatura të kripura për pajisje zyre.

Sipas shkresave, ambasadorja Filloreta Kodra ka blerë një tavolinë pune me vlerë 5266 franga zvicerane, ose, sipas kursit të këmbimit, rreth 5000 euro.

Në argumentet e dosjes së dorëzuar në MPJ, thuhet se janë kërkuar një sërë ofertash nga kompani të ndryshme, të cilët prodhojnë mobilie me porosi, dhe për një tryezë të tillë ofertat variojnë nga 530 deri në 750 franga zvicerane, por tryeza e blerë nga ambasadorja Kodra është paguar sa 10-fishi i saj, pra 5266 franga, që me kursin e lekut shqiptar arrijnë në 655 mijë lekë të rinj.

Po e njëjta kompani për të njëjtën mobilie ka ofruar një kosto dyfish më të ulët, pas interesimit të diplomatëve të misionit të Gjenevës.

Shkelja ligjore bëhet më e rëndë, pasi fatura e dorëzuar nga kompania private është firmosur dhe vulosur nga ambasadorja Kodra.

Në argumentet e dosjes së dorëzuar në Ministrinë e Jashtme thuhet se:

“Në kuadër të së njëjtës blerje nga ana e Misionit, investigimi na çon para një dokumenti absurd, ku vula e shtetit shqiptar, e Misionit të Shqipërisë në Gjenevë dhe nënshkrimi i ambasadores Kodra vendosen mbi një ofertë biznesi privat në Gjenevë, arsyet dhe logjikën e këtij ‘certifikimi’, duke vulosur këtë dokument me vulën e shtetit shqiptar, mund të na i shpjegojë vetëm titullarja e Misionit.

Të gjithë punonjësit e administratës shtetërore, por edhe të gjithë ne, dimë se vula e një institucioni mund të përdoret apo vendoset vetëm në dokumente, shkresa zyrtare që mbajnë logon/ stemën e tij dhe që nënshkruhen nga titullari i autorizuar.

Në rastin konkret, ambasadorja Kodra vulos dhe firmos ofertën e biznesit fitimprurës ‘Round Office’, nga ku rezulton të jetë blerë kjo mobilie e shtrenjtë sa një automjet apo sa paga vjetore e një arsimtari”.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Ambasadorja Kodra, tavolina 5 Mije Euro, Vula e shtetit

Kosovë-“Bombë e kurdisur”

August 9, 2016 by dgreca

– Grupi Parlamentar i AAK-së: Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme ka bërë një gabim, sepse ka proceduar një “bombë të kurdisur” për të ardhmen e Kosovës/

PRISHTINË, 9 Gusht 2016-Gazeta DIELLI/ Grupi Parlamentar i AAK-së dërgoi sot këtë reagim:

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pas “kontrabandimit” për në seancë, të marrëveshjes së demarkacionit, vlerëson se Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme ka bërë një gabim, sepse ka proceduar një “bombë të kurdisur” për të ardhmen e Kosovës.Neni 2 i kësaj marrëveshje, nuk don të thotë asgjë për të ardhmen e saj. Është një tendencë e qeverisë, që duke u thirrur në ketë nen, t’i bëjë për vete deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe të hedhin mjegull në opinionin publik, kinse po mbetet një mundësi për argumentet e reja e për ndryshim të saj.

Qeveria duhet të jep përgjegjësi që kanë futë klauzola të ndryshme e të dyshimta, nga ajo që kanë ratifikuar Mali i Zi.

Është detyrë, legale e morale, e çdonjërit prej deputetëve që të jemi në krye të deytrës, për vendin tonë, pa interesa personale, se çka humbim e çka fitojmë në këtë mes.

Nëse seanca parlamentare shkon në favor të ratifikimit të kësaj marrëveshje, jemi duke e lënë të hapur një krizë me mundësinë e një konflikti të çdohershëm.

Është në dorën e të gjithë neve që të hedhim poshtë këtë version të demarkacionit, për t’i dhënë mundësinë e një zgjidhjeje me mjete politike. Është më shumë se poshtërsi t’i vësh qytetarët e vendit tënd në rrezik, për interesa personale të pushtetit.

Duhet të jemi të matur se çka po ju lëmë trashëgimi gjeneratave. Mos të hapim plagë të vjetëra edhe pas 17 vitesh nga lufta, e 8 vite nga pavarësia.

Nuk është koha të marrin nga Kosova, nëse i hyjmë këtyre temave, do të duhej t’i kthehën ato që i janë marrë dikur Kosovës.

Mos ta shesim ndërgjegjen për hirë të pushtetit, parim i yni duhet të jetë, e japim vetën për Kosovën, kështu kishte ndodhë në mars të vitit 2005.

Mos të krekoset askush çka ka qenë dje në luftë, por çka po bëjmë sot për Kosovën në paqe. Askush që i thotë po kësaj marrëveshje, nuk do ta ketë nderin e lavdinë nesër.

Grupi Parlamentar i AAK-së

Filed Under: Politike Tagged With: -“Bombë e kurdisur”, Grupi Parlamentar AAK, Kosove

Kosovë-Mjet shpërthyes në shtëpinë e kryetarit të Komisionit për demarkacion

August 9, 2016 by dgreca

Një mjet shpërthyes është hedhur në shtëpinë në Prishtinë të kryetarit të Komisionit Shtetëror të Kosovës për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, Murat Mehës.

“Te shtëpia e Murat Mehës është hedhur një mjet shpërthyes. Është një akt i papranueshëm. Aktet e tilla që rrezikojnë jetën e familjeve tregojnë më së miri se kemi të bëjmë me njerëz që nuk ia dojnë të mirën Kosovës. Ata e rrezikojnë të ardhmen e Kosovës”, tha për median kryeministri Isa Mustafa.

Kreu i qeverisë së Kosovës, Mustafa mori pjesë pasdite në konferencën për shtyp të organizuar nga Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.Policia e Kosovës ka konfirmuar për media se në terracën e një shtëpie në lagjen Dardania në Prishtinë është gjetur një mjet shpërthyes, ndërsa rasti wshtw njoftuar rreth orës 14:00 dhe se Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje.

Sipas burimeve të medias mjeti shpërthyes ishte granatë dore dhe është asgjësuar nga Polica.

Filed Under: Kronike Tagged With: Murat Meha, shperthim, shtepia e kryetarit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT