• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2016

Presidenti Nishani pritet përzemërsisht në Vuthaj të Malit të Zi, në tubimin tradicional

August 2, 2016 by dgreca

Nishani pritet përzemërsisht në Vuthaj të Malit të Zi, në tubimin tradicional

Presidenti i Republikës Bujar Nishani mori pjesë në tubimin tradicional shumëvjeçar popullor “Mirë se vini në Alpet Shqiptare 2016” që u mbajt në Vuthaj, në Mal të Zi me një pjesëmarrje masive nga shqiptarë të ardhur nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe mbarë trojet e banuara nga bashkëkombasit tanë në Ballkan, diaspora madje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo edhe Australia e largët.

2Prania e Presidentit Nishani u përshëndet përzemërsisht nga organizatorët si dhe nga banorët e shumtë, të cilët e mikpritën vëllazërisht duke qenë kjo vizita e parë e një Kreu të Shtetit shqiptar në Plavë dhe Guci.

Gjatë tubimit Presidenti Nishani dhe të pranishmit ndoqën me ëndje koncertin festiv me artistë të ndryshëm, një ekspozitë me piktura, dhe më pas u zhvilluan garat popullore dhe tradicionale të tërheqjes së litarit, hedhjes së gurëve, garës me kuaj, etj.

Presidenti Nishani në festën e këtij viti, duke iu drejtuar të pranishmëve, theksoi: “’Një komb matet me njerëzit e tij të shquar’, – ka shkruar shkrimtari i shquar me origjinë shqiptare Ernesto Sabato.

Edhe krahina e Plavës dhe Gucisë, krahinë të lirisë do ta quaja unë, ka shumë personalitete të shquar më të cilët krenohet jo vetëm Plava e Gucia, por edhe historia dhe kultura kombëtare.

Me shpirt luftarak dhe me këtë vetëdije lirie të trashëguar brez pas brezi, bijtë e bijat e Plavës dhe Gucisë, dhe të zonave për rreth, u rezistuan shekujve, duke ruajtur gjuhën, traditat, virtytet e larta njerëzorë të besës e mikpritjes, mitet, folklorin e legjendat që janë dhe mbeten një pasuri që ka mahnitur edhe udhëtarët e huaj dhe këdo që ka përshkruar këto vise.

3Është kjo traditë e ky shpirt i pasur që reflektohet në veprat e akademikëve, shkrimtarëve dhe artistëve të mëdhenj që kjo krahinë i ka dhënë kombit shqiptar, si: Esat Nokshiqi, Jashar Rexhepagiqi, Hasan Mekuli, Rexho Mulliqi, Rexhep Ferri, Ali Ahmeti, Rexhep Qosja, Isuf Dedushaj, Isa Qosja, Isuf Ulaj, Xhevdet Ferri, Zake Prelvukaj, Mimoza Ahmetaj, dhe shumë e shumë të tjerë, të cilët kanë kontribuar me penë e me mendje për të ruajtur traditat, kulturën dhe gjuhën shqipe.

Me dhjetëra e dhjetëra profesorë universitarë, studiues, politikanë, ushtarakë, aktorë, muzikantë, sportistë, mjekë, biznesmenë të shquar, profesionistë të zotë të të gjitha fushave, i kanë dhënë emër jo vetëm kësaj krahine, me intelektin, talentin, punën, përkushtimin dhe humanizmin, vlera që i kanë dëshmuar edhe në kohët më të vështira për kombin tonë. Burra e gra të kësaj zone që zënë një vend nderi në panteonin e vetëdijes dhe trashëgimisë sonë kombëtare.

Një mirënjohje të përjetshme për të gjithë ata, të cilët e skalitën këtë panteon me dijen, mundin, gjakun dhe jetën e tyre, nga dashuria e madhe për lirinë, për flamurin dhe identitetin kombëtar, me përpjekjet shekullore për çlirim e përparim, me kurajën e jashtëzakonshme të sakrificës, solidaritetit dhe ndërgjegjes kombëtare.

Burra e gra të kësaj zone që emrin e shqiptarit po e vendosin në piedestalet e nderit jo vetëm në trojet shqiptare në Ballkan, por edhe në Evropë, Amerikë, Australi dhe çdo cep të botës ku jetojnë dhe punojnë.

4

Prandaj përfitoj nga rasti që të thërras me dinjiteti dhe krenari: jam shqiptar!”

Në fjalën e mbajtur në Vuthaj, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh gjithashtu se: “Ne shqiptarët, si komb, më në fund në këtë fillim shekulli kemi filluar t’i shijojmë dhe gëzojmë hapësirat e lirisë dhe po punojmë çdo që ato të jenë sa më të mëdha për të gjithë ne, si dhe për rajonin dhe më gjerë.

Shqipëria tashmë është demokratizuar, është anëtarë e NATO-s dhe në rrugë të mbarë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova është e lirë dhe e pavarur dhe po përparon me shpejtësi dhe e sigurt drejt integrimeve euro-atlantike.

Shqiptarët në Maqedoni janë faktor paqeje dhe stabiliteti i Maqedonisë dhe rajonit. Vëllezërit tanë në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë po ruajnë me shumë forcë dhe çdo ditë e më shumë po arrijnë të drejtat e tyre, edhe pse më shumë vështirësi. Shqiptarët në Mal të Zi, janë kontribuesit kryesorë për pavarësinë e Malit të Zi dhe sot çdo ditë e më shumë po i arrijnë të drejtat e tyre që i meritojnë dhe ju takojnë edhe me kushtetutën e Malit të Zi.”

Presidenti Nishani nënvizoi se: “Fati i kombit tonë ka bërë që të jetojmë të ndarë në 5-6 shtete në Ballkan. Sot, të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë në trojet e veta në rajon, pa marrë parasysh ku jetojnë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi apo Mal të Zi, e kanë një qëllim dhe një rrugë, të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Sot shqiptarët janë modeli i bashkëjetesës dhe harmonisë. Le të ndërtojmë të gjithë së bashku një rajon të vlerave, një rajon me human, ku qytetarët jetojnë në paqe e në harmoni me njëri-tjetrin, një rajon ku s’ka vend për urrejtje dhe padurim ndaj tjetrit, një rajon ku respekti dhe mirëkuptimi të jenë vlera të qytetarisë evropiane.

Hapësirat e reja te lirisë, paqja dhe mirëkuptimi në rajon, respektimi i vlerave të gjithsecilit, ndërtimi i rrugëve dhe mundësia e qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave, njohja nga afër dhe bashkëpunimi në mes të të gjitha kombeve në rajon, largimi i urrejtjes dhe paragjykimeve për njëri-tjetrin do ta bëjnë rajonin tonë me të qetë, me të sigurt dhe me të zhvilluar dhe për këtë shqiptarët janë në pararojë. Shqipëria dhe kombi shqiptar në përgjithësi e ka zgjedhur me kohë këtë drejtim.”

4

Filed Under: Komunitet Tagged With: Mali i Zi, presidenti Nishani, Vuthaj

Prishtinë-Klosi: Diaspora shqiptare, një dhe e bashkuar

August 2, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 2 Gusht 2016-B.Jashari/ Diaspora shqiptare konsiderohet një dhe e bashkuar, tha ministri i Mirëqenies Sociale dhe i Rinisë i qeverisë së Shqipërisë, Blendi Klosi, sot pasdite në Prishtinë. Ai, bashkë me ministrin kosovar të Diasporës, Valon Murati, morën pjesë në hapjen e shkollës verore për nxënësit shqiptarë nga diaspora, organizuar nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK) dhe institutin Ed Guard.

 “Nga të dyja qeveritë, diaspora shqiptare  konsiderohet një dhe e bashkuar. Andaj, së bashku me ministrin Murati jemi duke hartuar dhe duke zbatuar programe të përbashkëta për diasporën, kryesisht për të rinjtë tanë nëpër botë”, tha ministri shqiptar Klosi.
Kampi/shkolla verore do të vazhdojë deri në 8 gusht, me aktivitete mësimore dhe vizita në institucione kulturore e arsimore në Kosovë e Shqipëri.
“Hapja e shkollës verore për të rinjtë nga diaspora është vazhdimësi e programeve tona për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë, por edhe për shoqërimin e tyre me nxënës nga Kosova e Shqipëria”, tha ministri Murati.
Qëllimi i organizimit të kësaj shkolle është që të rinjtë nga diaspora të njihen me gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare, që përmes tyre ta ruajnë identitetin kombëtar e kulturor, por edhe shoqërimi i tyre dhe shkëmbimi i eksperiencave. Hapjen e shkollës e bëri Lavon Bajrami, përfaqësues i AUK-ut. 
Ndërkohë, në Kosovë, organizuar nga Ministria e Diasporës, ka nsiur dje dhe vazhdon sot manifestimi tradicional Dita e Diasporës.

Filed Under: Mergata Tagged With: një dhe e bashkuar, Prishtinë-Klosi: Diaspora shqiptare

KOSOVA-LUFTA NË LAJME/ 2 gusht 1996: Kolonizimi serb…

August 2, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Fakulteti i Filologjisë në Prishtinë, ku para 17 viteve, në 2 gusht 1999, ishte festa e rikthimit të shqiptarëve në Universitet e në shkollat e Kosovës, prej nga ishin të dëbuar nga forcat okuptore serbe mëse 9 vite/

-2 gusht 1998: Shqiptarë të vrarë në Drenicë…/

-2 gusht 1999: Rikthimi i shqiptarëve në Universitet e shkolla, në Postë Telekomin e Kosovës…/

PRISHTINË, 2 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-Behlul JASHARI/ Në lajmet nëpër vite, nga dita në ditë e nga ora në orë, para 20 viteve, në  2 gusht 1996, raportoja për kolonizimin serb të Kosovës… Para 18 viteve, në 2 gusht 1998, derisa vazhdonin zhvillimete luftës kundër okupimit serb, për liri e pavarësi, raportoja për shqiptarë të vrarë në Drenicë…Para 17 viteve, në 2 gusht 1999 raportoja për zhvillimet në Kosovën e lirë – festën e rikthimit të shqiptarëve në Universitet e shkolla, në Postë Telekomin e Kosovës…, pas dëbimit shumëvjeçar nga forcat okupatore serbe.

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1996/96-08-02.ata.html

[10] OVER 1400 SERB SETTLERS IN FUSHE-KOSOVA

PRISTINA, AUGUST 2 (ATA)-By B.Jashari,

Over 1400 Serb colons, refugees who came last year from the war fronts in Croatia and Bosnia, have been settled in the Fushe-Kosova commune, according to the latest records.

Most of the refugees say they will stay for ever in Kosova, where special dwelling centers are also being set up.

According to Serb Red Cross data, the Serb colons in Fushe-Kosova have been also provided with jobs. Some 300 Serb refugees have so far been employed in the rail transport enterprise alone. p.ta/kled/lm

Albanian Telegraphic Agency

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1998/98-08-03.ata.html

[01] At least eight Albanians killed in Drenica

PRISHTINE, August 2 – ATA correspondent in Prishtina Behlul Jashari reported that at least eight Albanians were killed and many others injured in Drenica, which in the late Sunday continued to be under the attack, terror and blaze of large Yugoslav army and Serb paramilitary as well as police forces who were using cannon, surface-to-surface rockets and other heavy artillery weapons, according to sources on the ground.

Serb forces start pounding Polac, Llaushe, Marine, Shtutice, Rakinice, Buroje villages, Drenica region, early on Sunday. cela/ak/

Albanian Telegraphic Agency

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-08-02.ata.html

[06] Kosova Telecom resumes operation

PRISHTINE, August 2 (ata) – ATA correspondent in Prishtine Behlul Jashari reports: The Administrator of the United Nations in Kosova Bernard Kouchner inaugurated today the resumption of work in the Telecom, considering this event as very important for the construction of Kosova.

The staff dismissed from the job for the last 10 years returned to work. The international telephone cuts due to the war in Kosova are expected to be recovered soon. /p.ta/xh/

D’Arc Avenue 23, Tirana, Albania E-Mail:

Albanian Telegraphic Agency

[08] Albanian pupils and students return back to their school buildings

PRISHTINE, August 2 (ata) – ATA correspondent in Prishtine, Behlul Jashari reports: Over half a million Albanian pupils, students and teachers of Kosova returned today to school premises from which they were expelled by Serbs 9 years ago.

In the ceremony held on this occasion in the Prishtina University, in the square in front of the Philological Faculty, a festive concert was performed in the presence of thousands of students and citizens. /p.ta/xh/

D’Arc Avenue 23, Tirana, Albania E-Mail:

Albanian Telegraphic Agency

Filed Under: Histori Tagged With: -LUFTA NË LAJME/ 2 gusht 1996:, Behlul Jashari, Kolonizimi serb…, kosova

KURRË NUK ËSHTË VONË PËR DREJTËSI!

August 2, 2016 by dgreca

Rumania njoftoi se ka vendosur të gjykojë katër ish-zyrtarë të lartë komunistë, përfshirë edhe ish-shefin e Policisë sekrete të regjimit komunist të Nicolae Ceausecu-t, Tudor Postelnicu…/ 

Nga Frank Shkreli/

Duke lexuar lajmet ndërkombëtare në internet të hënën në mengjez, më tërhoqi vëmendjen një lajm nga Rumania i botuar në dhjetëra gazeta amerikane online.  Sipas këtij lajmi — fillimisht i përhapur nga agjencia e lajmeve Associated Press – Rumania njoftoi se ka vendosur të gjykojë katër ish-zyrtarë të lartë komunistë, përfshirë edhe ish-shefin e Policisë sekrete të regjimit komunist të Nicolae Ceausecu-t, Tudor Postelnicu.  Prokurorët ushtarakë rumunë njoftuan se Tudor Postelnicu, ish-shefi i Policisë sekrete rumune, Securitate nga viti 1978 e deri në vitin 1987 dhe tre ish-zyrtarë të lartë komunistë rumunë përballen me akuzën për vrasjen e disidentit Gheorghe Ursu, i cili vdiq në burg nga rrahjet dhe mundimet, dy muaj pas arrestimit të tij, në vitin 1985. Disidenti Urdu ishte burgosur nën akuzën se mbante një ditar, i cili sipas policisë sekrete rumune, përmbante kritika ndaj regjimit të ish-diktatorit Nicolae Ceausecu. 

Sipas ekspertëve dhe organizatave që merren me krimet komuniste, ky vendim nga ana e autoriteteve rumune të drejtësisë është me rëndësi dhe mund të quhet si historik, për faktin se duket se Rumania — madje edhe një çerek shekulli pas shëmbjes së komunizmit — ka vendosur  të vazhdojë me identifikimin, gjykimin dhe dënimin e ish-zyrtarëve të lartë komunistë, të cilët janë përgjegjës për krime të rënda dhe abuzime ç’njerëzore gjatë diktaturës komuniste.  Krimet e regjimit të diktatorit komunist rumun, Ceuasescu ishin ndër më çnjerzoret e botës komuniste.  Sipas Institutit Rumun në Mërgim për Hetimin dhe për Kujtimin e Krimeve Komuniste, gjatë sundimit dhe shtypjeve të regjimit komunist të atij vendi janë vrarë, janë burgosur dhe janë shpërngulur anë e mbanë vendit, afër dy milionë rumunë.  Historianët kanë pohuar se lartë nga 600,000 disidentë,individë ndër më të dalluarit e shoqërisë rumune të asaj kohe, përfshirë politikanë, priftërinjë, avoketën, mjekë, shkrimtarë, edukatorë dhe studentë, janë burgosur të akuzuar për krime kundër shtetit, duke filluar që nga fundi i viteve 1940 e deri në fund të regjimit.  Thuhet se rreth 100,000 prej tyre të kenë vdekur  në burg.

Prokurori rumun Marian Lazar njoftoi të hënën se përveçish-shefit të Policisë Sekrete (Securitate) të regjimit komunist të Nicolae Ceausecu-t, Tudor Postelnicu, me akuzën e rëndë për krime kundër njerëzimit,përballen edhe ish-Ministri rumun i Punëve të MbrendshmeGeorge Homosteanu si dhe ish-agjentët e sigurimit sekret rumun Marian Parvulescu dhe Vasile Hodis.

Fatkeqsisht, si Rumania ashtu edhe Shqipëria – dy vende  ku krimet komuniste ndaj kundërshtarëve politikë llogariten si ndër më çnjerzoret në Europë lindore — ndryshe nga ish-vendet e tjera komuniste, vazhdimësia në pushtet këto 25 vitete e fundit, e elitës komuniste dhe asaj post-komuniste e kanë bërë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, përballjen me krimet e regjimeve komuniste në këto dy vende.

Nga kjo pikëpamje dhe përballë rezistencës së vazhdueshme nga klasa e sotëme politike për tu ballafaquar me të kaluarën komuniste, vendimi i prokurorëve rumunë për të gjykuar katër ish-zyrtarë të lartë të regjimit komunist të Nicolae Ceausescu-t, është një vendim i mirëpritur dhe jep shpresë se mos heret vonë, vendet ish-komuniste të Europës, përfshirë edhe Shqipërinë, ndoshta do të përballen më në fund me të kaluarën e tyre tragjike, duke kërkuar përgjegjësi dhe ndëshkim për personat që kanë marrë pjesë në krimet më të shëmtuara kundër njerëzimit, gjatë një periudhe prej pothuaj gjysëm shekulli të pushtetit komunist.  Kjo mbi të gjitha është një çështje drejtësie për të cilën, fatkeqsisht,pothuaj askush nga politikanët e sotëm shqiptarë nuk flet.

E ashtuquajtura “reformë në drejtësi” — për të cilën është folur dhe debatuar aq shumë e aq gjatë kohët e fundit në Shqipëri, për të  cilën duket se më në fund është arritur njëfarë marrveshjeje nga palët kundërshtare politike, jo me vullnetin e tyre por si rezultat i presioneve të vazhdueshmendërkombëtare –ka për qëllim rritjen e pavarësisë së sistemit juridik nga influenca politike dhe çlirimin e sistemit gjyqësor nga korrupsioni.   Por nuk është e qartë nëse dhe si do të prekë çështjet e lustracionit dhe pjesëmarrjen e ish-zyrtarëve komunistë dhe ish-agjentëve të sigurimit të shtetit të cilët, si përfaqsues dhe në emër të regjimit komunist mund të kenë kryer krime kundër njerëzimit dhe për të cilët dyshohet se në përgjithësi kanë dhunuar brutalisht të drejtat bazë të njeriut të bashkombasve të vet të pafajshëm.

Shumica e vendeve ish-komuniste, dikush më shumë e dikush më pak,  janë përballur me të kaluarën e tyre komuniste duke miratuar ligje lustracioni, duke hapur dosjet dhe duke ndalur ish-agjentët dhe ish-zyrtarët e lartë komunistë që të vazhdojnë në detyra të larta juridike dhe qeveritare.  Si përfundim, gjatë çerek shekullit të kaluar, shumë prej vendeve europiano-lindore kanë hapur gjyqe dhe kanë ndërmarrë procedura ligjore kundër ish-zyrtarëve të regjimeve komuniste dhe ish agjentëve dhe zyrtarëve të lartë të këtyre regjimeve, të dyshuar për krime kundër njerëzimit.

Ekspertë dhe analistë të ndryshëm janë shprehur se mos ndëshkimi i krimeve të komunizmit dhe rezistenca zyrtare për t’u përballur me të kaluarën komuniste, është rezultat i drejtë për drejtë i korrupsionit që mbretëron sot në pothuaj të gjitha sferat e jetës në Shqipëri. S’ka dyshim se është në interesin e kësaj elite politike dhe ekonomike,e cila gjithnjë dominohet nga ish-komunistë dhe të afërmit e tyre, që krimet e komunizmit të mos zbulohen kurrë, ndërkohë që ata të cilët mund të kenë patur gisht në ‘to të mos ndëshkohen për ato krime.

Përpjekjet për reformën në drejtësi thuhet se përfshijnë, mbi të gjitha,çlirimin e sistemit gjyqësor të Shqipërisë nga korrupsioni.  Si rrjedhim,a ka mundësi të shpresohet se miratimi dhe zbatimi përfundimtar i reformës në drejtësinë shqiptare të përbëjë gjithashtu një pikëkëthesë ndoshta historike — megjithëse të vonuar — në dënimin e krimeve të komunizmit dhe qëtë çojë në një përballje të sinqertë me të kaluarën komuniste?  Besoj se pa një angazhim të tillë serioz nga forcat e mbrendshme politike dhe ato ndërkombëtare, nuk do të ketë reformë as zbatim të mirëfilltë të kësaj reforme në drejtësinë e tranzicionit të tej-zgjatur post-komunist në Shqipëri.Njoftimi i prokurorve rumunë të hënën se ata kanë vendosur të qesin para gjyqit ish-udhëheqës të lartë të sigurimit të shtetit komunist, të akuzuar për krime kundër njerëzimit, tregon se kurrë nuk është vonë që drejtësia të çohet në vend.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, KURRË NUK ËSHTË, VONË PËR DREJTËSI!

Lotët e asaj vajze

August 2, 2016 by dgreca

Nga Reshat  Kripa*/

Vjeshta e atij viti. Në një nga ditët e  asaj  vjeshte, nga Ministria e Arsimit,  erdhën disa kërkesa për të drejta studimi për në arsimin e lartë, për të përndjekurit politikë.  Duhej të zgjidheshin personat që do të vazhdonin studimet. U mblodhën kërkesat dhe kryesia e shoqatës filloi diskutimin për të caktuar kush do të përfitonte dhe në cilin fakultet. Pasi kishin diskutuar disa nga anëtarët e kryesisë, u ngrit Fatosi:

– Gjithmonë kam patur një ëndërr. Desha të studioja. Desha të bëhesha dikush. Por regjimi nuk më lejoi. Tani jam në moshë të thyer. Megjithatë këtë dëshirë vazhdoj ta kem dhe më duket se sot ka ardhur dita që ta realizojë. Ndaj ju drejtohem juve, të dashur miq, po e  patë  të  arsyeshme,  më   jepni  njërën  nga  të drejtat e studimit.

Asnjë nuk foli. Për disa minuta mbretëroi heshtja. Së fundi u ngrit  Visari:

– Unë jam dakord dhe kam besim të plotë se  do  të  na  nderojë.

Nuk   kundërshtuan.  Miratuan   listën  e  emrave fitues   dhe   ngarkuan   Fatosin,  si  sekretar,  që  të  bënte shkresën përkatëse.

Kaluan disa ditë. Ishte përpiluar  shkresa  dhe  po pritej që të vinte kryetari për ta nënshkruar. Fatosi qëndronte në zyrën e shoqatës dhe priste të  përndjekurit që kishin probleme.

Trokiti porta.

– Hyni! –  tha ai.

Në zyrë hyri një vajzë. Fatosit iu duk si  një  fytyrë e njohur por nuk i kujtohej se ku. I zgjati dorën, e ftoi të ulej dhe i tha:

– Përse jeni munduar?

Vajza vuri buzën në gaz.

– Nuk po më njihni?

Fatosi qëndroi i habitur. Iu duk sikur  në  ato  çaste kujtesa i  kishte fluturuar. Ajo e kuptoi dhe foli:

– Jam Sandra Mino.

– Sandra? Vajza e mikut tim?

U ngrit, e përqafoi fort dhe e puthi në ballë.

– Xhaxhai si është? –  pyeti.

– Xhaxhai nuk jeton më, – u përgjigj ajo. – Ka disa vjet që i ka mbyllur sytë.

Për një çast Fatosi e ndjeu veten  ngushtë. I erdhi shumë keq që nuk  e  kishte  marrë vesh këtë lajm më parë.

– Përse je munduar, moj bijë? – e pyeti.

– Kam  dëgjuar  se  ju  kanë ardhur disa  të  drejta studimi. A e mbani  mend  se ç’më  thatë  ditën  e  fundit kur u takuam para disa  viteve? Mendova  se  erdhi  dita  e plotësimit të ëndrrës sime.

Fatosi mbeti keq. Listat ishin përfunduar dhe  bërë gati për t’u nënshkruar. Si t’ia bënte? A mund të hiqte ndonjë dhe të shkruante emrin e saj? Nuk e kishte atë të drejtë.

– Po   je   kujtuar    vonë,   moj   vajzë  –   i   tha.  –  Tashmë listat janë miratuar.

– Tani e  mora  vesh  –  tha  ajo  dhe  nga  sytë  i  rrodhën  disa  pika  lot.

Fatosit  iu  kujtua  ngjarja  e  disa viteve më parë, kur nga sytë  e  saj  kishte  parë  të  rridhnin të njëjtët  lot si sot.

            Atë   mëngjes   ishte    ngritur    herët.  Duhej   të  kapte trenin e orës 6.oo. I ishte bërë zakon që kur kishte ndërmend të udhëtonte të ngrihej disa orë para kohës së caktuar. Duhej të shkonte në Tiranë. Vëllai i tij, Kreshniku, ishte shtruar në spital dhe i duhej të  interesohej për të. Në pasdite duhej të kthehej përsëri se të nesërmen detyrimisht duhej të paraqitej në punë.

            Mbërriti në stacion dhe shkoi te biletaria. Një radhë e gjatë ishte para sportelit. Ishte e diel dhe njerëzia kërkonin t’i zgjidhnin problemet e tyre në të vetmen ditë pushimi. Në radhë pa Astritin, një shokun  e  tij. I dha lekët dhe ai i preu biletën.

– Eja, –  tha Astriti  pasi  doli  nga  radha.

–  Kam dërguar gruan dhe djalin të zenë vendet.

– Ku do të shkoni? – e pyeti Fatosi.

– Në Fier.

Hipën në tren dhe filluan të kërkojnë vagon më vagon, ku ishin gruaja dhe djali i tij. Së fundi i gjetën. Astriti u ul në vendin që i kishin ruajtur ato. Vendet e tjera ishin të zëna. Madje kishte edhe një shumicë njerëzish që qëndronin në këmbë.  I vetmi mjet për trasportin e udhëtarëve ishte i tejmbushur.

Ndërkaq sirena oshëtiu dhe treni u nis duke rrëkëllitur rrotat sipas ritmit.

– Ku   shkoni? –  i   tha  një  burrë  që  qëndronte pranë tij.

– Në Tiranë, – iu përgjigj.

– E paskemi rrugën bashkë, – vazhdoi – por, si duken bathët, do ta bëjmë të gjithë më këmbë.

            – Mos  u   merakos,  –   iu  përgjigj  Fatosi 

–  Në Fier  do të zbresë ky miku  im  me  gjithë

familjen  dhe   ulemi   në  vendet e tyre.

– Po ti rrofsh se më hoqe sikletin! – tha me një zë që shprehte kënaqësi i  panjohuri.

– Nuk kam  hallin tim, por të kësaj kërthisë që kam me vete.

            Fatosi hodhi vështrimin nga drejtimi  që  tregoi  ai  dhe dalloi një vajzë që nuk duhej të  ishte  më  shumë  se tetëmbëdhjetë vjeç. Ishte një bukuri e rrallë. Sytë e zezë, vetullat në formën e hënës së porsalindur, hunda  e  vogël dhe buzët e kuqe i jepnin një hijeshi të veçantë asaj fytyre.

Ndërkaq mbërritën në Fier. Astriti zbriti dhe ata u ulën. Fatosi në një anë dhe i panjohuri përballë tij, së bashku me vajzën.

– Vajza jote? – e pyeti.

– Jo, mbesa, – u përgjigj dhe me një zë të ulët, që të mos e dëgjonte ajo, vazhdoi

– Është jetime. Dy muaj më parë i vdiq i ati, vëllai im.  Tani kujdesem unë për të.

I panjohuri ishte nga ata tipa që zinin miqësi menjëherë.

 – Do të shkojë në Tiranë të interesohem për t’i nxjerrë të drejtën e studimit për shkollën e lartë.

            – Nuk i paska  dalë?

– Jo

– Përse?  – e shtyu kureshtja Fatosin ta pyes.

            I panjohuri hapi  çantën që mbante në duar  dhe  i tregoi  deftesën   e  pjekurisë. Fatosi  shtangu. Të  gjitha notat ishin dhjeta. Si kishte mundësi? Hodhi vështrimin nga vajza dhe pa sytë e saj  të bukur dhe iu duk sikur  prej tyre rridhnin dy pika lot. Mendoi se me siguri ajo duhej të kishte diçka në biografine e saj.   

                – Ngrihe   kokën,   vajzë! –  i    tha   për   ta   qetësuar. 

–  Të  siguroj  se  së shpejti  do  të  shkosh në universitet                                                                                                                         

Ajo  fshiu lotët dhe pëshpëriti: – A thua?                                                                                                                                

Në ato dy fjalë Fatosi dalloi dëshirën për të studiuar dhe për të dalë në jetë. Xhaxhai hodhi një vështrim dhe bëri një shenjë që ai nuk e mori vesh se ç’donte të thoshte. Nuk e zgjati më. Ktheu vështrimin nga dritarja dhe po shikonte drurët e pemëve që fluturonin në drejtim  të kundërt me lëvizjen e tij. Papritur pranë  veshit   dëgjoi  një zë që pëshpëriti: – Eh, or mik! Nuk rri dot pa jua thënë dy fjalë.                                                                                   

Fatosi ktheu kokën dhe pa xhaxhanë që  ishte afruar pranë veshit të tij dhe pëshpëriste me zë të ultë që të mos e dëgjonin ata që ishin aty pranë.                                                                    

– Kam  frikë! Kam  frikë  se  do  të  na  dalë  rruga bosh.                                                     

– Përse?                                                                                                                                   

Nuk u përgjigj. Qëndroi disa minuta në heshtje, pastaj vazhdoi:  – Të dalë, ku të dalë. Do t’jua them.                                                                                   

    – Si është puna? – pyeti Fatosi.                                                                                            

 – Babai i saj dhe  vëllai  im  ka qenë në burg për politikë. U dënua me  njëzet vjet. Pasi  u lirua e martuam me një të rradhës së tij. U lindi kjo vajzë. Para dy muajsh tim vëlla e zuri sëmundja e keqe që e hoqi nga kjo jetë.  Fatosi u bë kureshtar të mësonte se në çfarë periudhe ishte burgosur i vëllai.                       

– Kur është burgosur?                                                                                                          

   – Në vitin 45.                                                                                                                         

  – Si e quanin?                                                                                                                         

– Josif Mino                                                                                                                            

Fatosit i çeli fytyra. E kishte njohur. Fati e  kishte sjellë që të endeshin bashkë nga njëri kamp në tjetrin.  Ishte një intelektual i vërtetë, por edhe nje njeri i veçantë.  I  erdhi shumë keq kur mësoi se nuk jetonte më.                                                                                                               

– Ngushëllime! – i tha mikut.                                                                                                 

  Ktheu vështrimin nga vajza. Ajo ishte zhytur në leximin e një libri dhe nuk dëgjonte se ç’pëshpëritej rreth e rotull.                                                                                                                   

– Më vjen shumë keq, – vazhdoi –  e kam njohur. Kemi qenë së bashku.                        

– Ashtu?  Ma   ndolli   zemra!   –  klithi   ai   dhe  i  qeshi  fytyra. Pastaj vazhdoi:  –  Josifi ishte djali i madh i shtëpisë. Babai, bëri si bëri, dhe mundi të siguronte një shumë të hollash  dhe ta dërgonte për studime në Romë. E  mbaroi   me   rezultate   të   shkëlqyera.   Sandra,    kështu quhet vajza, atij i ka ngjarë.                                                                                                                  

  – Ku do të shkoni?                                                                                                                  

– Kam një kushëri në Ministrinë e Arsimit.  Nuk   e di   në  se  do  të  mbarojë  punë   por,  sidoqoftë,  do  e  hedh edhe këtë zar.                                                                                                    

Fatosi hodhi vështrimin nga vajza dhe para syve i doli rinia e tij. Kishte mbaruar shkollën e mesme me rezultate të larta. Kishte bërë  kërkesë për vazhdimin e studimeve, por i ishte  refuzuar.   Një   mik   i kishte  sugjeruar   të   shkonte   të   takonte  Ministrin  e  Arsimit  në Tiranë.                                                                                                                                    

– Shpresoj të të ndihmojë, – i  kishte  thënë  miku. –  E  kemi patriot. Ai e njeh familjen tënde.                                                                                                                                                                   

Kishte shkuar. Ministri  nuk  ndodhej në Tiranë. E kishte  pritur zëvendësi i tij. I kishte  treguar  gjithçka, edhe  për  burgun  që   kishte  bërë. Së fundi,  i kishte treguar dëftesën e pjekurisë. Si e kishte vështruar  mirë  e mirë, zëvendësministri kishte thënë:      

  – Djalë i mirë, shko puno dhe jeto i qetë. Mos u mundo të kërkosh më tepër.                                  

Ato fjalë i kishin dhënë të kuptonte se rrugët  për të vazhduar më tej ishin të mbyllura.                      

Këto gjëra mendonte duke vështruar vajzën me dy pika lot në sy. Në ndërgjegjen e tij ndiente se edhe ajo do të merrte të njëjtën përgjigje. Ishte koha e zhgënjimeve të mëdha, e ëndrrave të parealizuara, ëndrrave të kyçura.                                                                                 

Ndërkohë u ndie një zë  nga qendra e zërit të trenit:                                                            

– Po mbërrijmë në stacionin e Tiranës. Ju  lutemi pasagjerëve të mos harrojnë plaçkat. U ngritën dhe dolën. Udhëtuan një copë rrugë së bashku, pastaj u ndanë, ata për te kushëriri i tyre, ndërsa ai  për në spital. Pas    ndonjë    muaji    Fatosi     e    takoi    vajzën rastësisht.                                            

– Fillove? –  e pyeti me kureshtje.                                                                                       

   – Jo, – u përgjigj ajo me një zë të dridhur dhe lotët i rrodhën përsëri nga sytë.                     

– Mos u mërzit, – i tha ai për ta qetësuar, –  je  e  re dhe do të vijë dita që të plotësosh ëndrrën tënde.                                                                                                                                            

  U ndanë. Ajo iku  me  kokën  e  ulur  dhe  atij  i dukej sikur vazhdonte të lotonte.

Pikërisht këta lot iu kujtuan në ato çaste. Iu duk sikur vajza vazhdonte të jetonte atë kohë të zymtë.

E mblodhi veten. U mendua një çast dhe më në fund vendosi. E kishte një mundësi për ta ndihmuar atë vajzë. Dhe ajo mundësi ishte ai vetë. Ajo do të zinte vendin e tij në listë. Ishte e re, plot energji, ndërsa ai pothuajse në fund të rrugës së tij. Si mund të dilte para saj?

– Leri lotët, – i tha. – Ti do të jesh në krye të listës

– Vërtetë? – thirri ajo pa arritur të  kuptojë se çfarë kishte ndodhur.

– Mos pyet më tepër. Mëso që të shkëlqesh si në gjimnaz dhe të bëhesh e vlefshme për këtë vend. Atdheu ka nevojë  për  njerëz  si ti.

U ngrit dhe e përqafoi. Lotët vazhdonin të mbulonin fytyrën e saj. Por këtë herë ishin lot gëzimi.

*Fragment nga romani “Në kërkim të Lirisë”

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Lotët e asaj vajze, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT