• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2016

Duhen dënuar të gjitha krimet e komunizmit, jo vetëm ato kundër klerit katolik

October 15, 2016 by dgreca

Lek MIRAKAJ:PD nuk ka të drejtë të seleksionojë se cilat viktima të komunizmit duhen vlerësuar më shumë/

Lek Mirakaj, anëtar i Këshillit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA,  ish i persekutuar politik, në statusin të facebooku-ut ka reguar me 14 Tetor ndaj kërkesës së PD-së për të miratuar një rezolutë ku të dënohen krimet e komunizmit ndaj klerit katolik. Ai autorizoi editorin që opinionin e tij të shprehur në FB, mund ta publikojë në Gazetën Dielli online. Ja komenti i tij i plotë  i shprehur në statusin në faqen e tij në facebook.Z. Lek Mirakaj shprehet në shënimin e tij se duhet dënuar të gjitha krimet e komunizmit dhe jo vetëm ato kundër klerit katolik.Ndiqeni:

Ja stausi i plotë:

“Sot P.D.paraqiti ne parlament nje rezolute qe denon krimet komuniste ndaj klerit katolike.

Si ish i persekutuar dhe si katolik, per me teper kur njeri nga martiret e shpallur nga Vatikani eshte kushuriri i im deklaroj se e ndjej vehten te pakenaqur nga ky veprim.

PD nuk ka te drejte te seleksionoje se cilet viktima te komunizmit duhen vleresuar me shumë.

Viktimat e komunizmit si klerike si qytetare te thjeshte meritojne te njejtin respekt.

Atje ku ndodhen sot si kleriket, si njerzit e thjeshte e shpesh pa nje vorr e pa emer, trajtohen me te njejtin respekt nga Ai qe i krijoi.

Nuk e besoj se kleriket katolike apo çfardo religjioni do e ndjenin vehten rahat nga kjo çfaqje aspak e ndershme.

Edhe njehere deshiroj t’i kujtoj hartuesve te ketij propozimi se jane shumë here me te shumta viktimat laike se ata fetare

dhe shpesh here dramat e viktimave qytetare kane qene shum here me dramatike se ata te klerikëve qe vete misioni i tyre e pranonte sakrificen si nje detyrim ndaj angazhimit ne momentin qe jane dorezuar si klerik.

Duke konsideruar si nje veprim te pa menduar mire i bej thirrje hartuesve ta terheqin propozimin dhe te kerkojne denimin per te gjitha krimet e komunizmit.”

mirakaj

Filed Under: Politike Tagged With: jo vetëm ato, krimet e komunizmit, kundër klerit katolik, lek mirakaj

Ndërroi jetë shkrimtari dhe diplomati Teodor Laço

October 15, 2016 by dgreca

 

1-teodor-laco-350x129TIRANË, 15 Tetor 2016 -Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare shkrimtari, diplomati dhe ish ministri i Kulturës në vitet ’94-97 Teodor Laço.

Homazhet do të organizohen nesër në hollin e Ministrisë së Kulturës(ish Kinostudio) nga ora 11-12. Teodor Laço lindi më 29 shtator të vitit 1936 në fshatin Dardhë të Korçës. Studioi Agronomi nëUniversitetin e Tiranës. Ka filluar të botojë që prej viteve ’60. Është autor i shumë romaneve, novelave, përmbledhjeve me tregime, dramave, komedive, skenarëve të filmave artistikë dhe dokumentarë.

Disa prej librave të tij janë vlerësuar me çmimet më të larta që jepen në Shqipëri, ndërsa pjesë të rëndësishme të veprës së tij janë përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaja. Pas viteve ’90 është angazhuar edhe në jetën politike të vendit; për dymbëdhjetë vjet ka qenë deputet në parlamentin shqiptar, ministër i Kulturës në vitet ’94-’97 dhe ka përfaqësuar shtetin shqiptar si ambasador në Fedaratën Ruse.

JETA DHE VEPRA

Teodor Laço lindi më 29 shtator të vitit 1936 në fshatin Dardhë të Korçës,është shkrimtar shqiptar. Studioi agronomin në Universitetin e Tiranës. Ka filluar të botojë që prej viteve ’60. Është autor i shumë romaneve, novelave, përmbledhjeve me tregime, dramave, komedive, skenarëve të filmave artistikë dhe dokumentarë.

Disa prej librave të tij janë vlerësuar me çmimet më të larta që jepen në Shqipëri, pjesë të rëndësishme të veprës së tij janë përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaja, si në anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht, rumanisht, turqisht, bullgarisht, greqisht. Krijimtaria e tij e pasur letrare në të gjitha zhanret e sipërpërmendura ka marrë vlerësime të rëndësishme nga kritika e specializuar si brenda ashtu edhe jashtë kufijve shtetërorë. Pas viteve ’90 është angazhuar edhe në jetën politike të vendit; për dymbëdhjetë vjet ka qenë deputet në parlamentin shqiptar, ministër i Kulturës në vitet ’94-’97 dhe ka përfaqësuar shtetin shqiptar si ambasador në Fedaratën Ruse.

Tituj të veprave

Era e tokës (1965) [1]

Shtëpia në rrugicë (1968) [1]

Një nuse për Stasin (1970) [1]

Tokë e ashpër (1987) [1]

Korbat mbi mermer (1981) [1]

Të gjithë lumenjtë rrjedhin (1987) [1]

Pushimet e kolonelit (1990) [1]

Shi në plazh [1]

Vrasja e buzëqeshjes

Një dritare në Kremlin

Mjegull (2009)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: nderroi jete, Teodor Laco

Fundi i epokës së Gjukanoviqit?

October 15, 2016 by dgreca

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi mund të shënojnë fundin e epokës së Gjukanoviqit. Mundësia ekziston por edhe opozita është e përçarë./

Montenegro Parlament Premierminister Milo Djukanovic (picture-alliance/dpa/B. Pejovic)

Në vitin kur Partia Demokratike Socialiste (DPS) feston 25 vjetorin e të qenit në pushtet, në Mal të Zi mbahen zgjedhjet e dhjeta parlamentare, qysh nga aplikimi i sistemit parlamentar dhe zgjedhjet e katërta prej pavarësisë së Malit të Zi. Në dallim nga zgjedhjet e kaluara, DPS paraqitet kësaj radhe e vetmuar në zgjedhje. “Karakteristika e kësaj fushate të DPS ishte që për herë të parë që nga vitet 90-të del në zgjedhje pa ndonjë partner në koalicion dhe në plan të parë e ka vënë kryeministrin Millo Gjukanoviq, që do të thotë se kjo parti nuk ka kuadro të tjerë që mund ta kryesojnë”, thotë për DW, Samir Kajosheviq, gazetar i ditores Vijesti.

Opozita e përçarë

Montenegro Parlamentswahl Wahlkampf in Podgorica (Nemanja Dabanovic)

Nga ana tjetër opozita është ende e përçarë. Ajo dominohet nga Fronti Demokratik (DF), të cilit gjatë fushatës iu ndalua një spot ku Gjukanoviqi përshkruhej si “koka e korrupsionit në Mal të Zi”. Një ofertë të re prbën koalicioni i ri i madh “Ključ” (Çelësi), i përbërë nga Demos i Miodrag Lekiq, Partia Popullore Socialiste dhe Uniteti i Aksioneve Reformuese. “Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, partitë opozitare janë mbledhur kësaj radhe në blloqe, duke e zvogluar mundësinë e humbjes së votave”, mendon Kajosheviq.

Një përjashtim është Partia Demokratike e Aleksa Beçiqit, e ndarë nga SNP para dy vitesh, e cila do të dalë e vetme në zgjedhje. Si e tillë vepron edhe Partia Socialdemokrate, e cila sivjet ka daleë nga koalicioni qeveritar me DPS. Është pritur që ajo të futet në ndonjë koalicion, por edhe ajo do të dal e vetme në zgjedhje.

Në zgjedhje merr pjesë edhe partia opozitare “Pozitivna Crna Gora” (Mali i Zi Pozitiv), ndonëse ajo në fillim të këtij viti e ka mbështetur qeverinë, pas daljes së SDP nga koalicioni. “Pozitivna Crna Gora” do të ketë problem me kalimin e pragut të përfaqësimit palamentar prej 3%. Por nëse futet në parlament, mund të pritet që do të bashkëpunojë me partinë e Gjukanoviqit.

„Megjithatë mendoj se në këto zgjedhje është e mundur që DPS të mos fitojë numrin e mjaftueshëm të mandateve për krijimin e qeverisë”, thotë për DW, analisti Boris Raoniq.

Montenegro Parlamentswahl Wahlkampf in Podgorica (Nemanja Dabanovic)

Rolin vendimtar në këto zgjedhje mund ta luajnë partitë, të cilat deri tani kanë qenë me Gjukanoviqin në koalicion. “Ekziston mundësia që DPS t’i bëjë thirrje ndonjë partie opozitare për bashkëpunim. Një qeveri e tillë do të ishte një shembull i mirë para bashkësisë ndërkombëtare. Por nuk dihet sa do të ishte funksionale, kur kemi parasysh përvojat nga e kaluara,” shpjegon Kojasheviq.

Programet nuk janë të rëndësishme

Në listat zgjedhore do të jenë 17 lista me 34 parti. Raoniq mendon se kjo është oferta deri tani më e mirë para zgjedhësve. Ndërsa gazetari i revistës Dan, Marko Vesheviq thotë se programet dhe ideologjitë e partive janë të parëndësishme. “Linja kryesore e ndarjeve mes partive është mbështetja e Gjukanoviqit apo kundërshtimi i tij.”

Ai mendon se opozita mund të fitojë më shumë mandate dhe të krijojë një koalicion të gjerë. “Nëse krijohet një koalicion pa DPS, mund të ketë edhe krizë politike, sepse DPS do të pengonte krijimin e qeverisë”, mendon Kajosheviq.

Vetëm një ditë para zgjedhjeve, nuk mund të thuhet se kush do t’i fitojë zgjedhjet, sepse nuk ka ndonjë sondazh serioz.(DW)

Filed Under: Analiza Tagged With: fundi i Gjukanovicit, Mali i Zi, zgjedhjet

GUSHT 1806 : CHATEAUBRIAND DHE BUKUROSHJA SHQIPTARE

October 15, 2016 by dgreca

1-chateaubriand

1-aurenc-bebja4Nga Aurenc Bebja*/ Francë/

Në librin « Album de Chateaubriand – 1862 » gjejmë një shkrim të shkurtër në faqen n° 98 me titull « Chateaubriand i sëmurë tek një shqiptar ».

Shkrimtari dhe politikani i njohur francez, François René de Chateaubriand, në zhegun e muajit gusht të 1806, niset për vizitë tek një shqiptar që banonte në « Kératia » (në periferi të Athinës) dhe që njihej me konsullin francez të kryeqytetit grek.

Gjatë udhëtimit, atë e kapin ethet dhe detyrohet të kalojë natën në banesën e shqiptarit.

Në vijim, autori na rrëfen gjendjen e tij shpirtërore (fizike dhe emocionale) në praninë e bukuroshes shqiptare :

« Të nesërmen, e kalova ditën i shtrirë mbi shkorsën time, ndërsa të gjithë kishin dalë në ara ; Edhe vetë Jozefi kishte dalë ; Ishte aty vetëm vajza e mikpritësit tim. Ishte një vajzë shtatëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë vjeçe, mjaft e bukur, që ecte këmbëzbathur dhe në flokë kishte plot medalje dhe monedha të vogla argjendi. Ajo nuk më shikonte fare dhe punonte sikur të mos isha aty.

Dera ishte e çelur, dhe nga aty hynin rrezet e diellit. Ishte i vetmi vend i ndriçuar në dhomë. Herë pas here më zinte gjumi ; Zgjohesha dhe shihja sërish vajzën shqiptare, të merrej me diçka tjetër, duke kënduar me gjysëm zëri apo duke rregulluar flokët e saj. Ndonjëherë i kërkoja ujë dhe ajo më sillte një vazo të mbushur plot ; duarkryq, ajo priste me qetësi të shuaja etjen, dhe pasi kisha mbaruar, ajo më pyeste : Ju bëri mirë ? Dhe pastaj u kthente në punën e saj.

Në heshtjen e mesditës dëgjohej vetëm gumëzhima e disa insekteve në banesë dhe disa gjela që këndonin jashtë. E ndjeja kokën bosh, siç ndodh shpesh pas një temperature të lartë ; sytë e mi të lodhur shikonin të fluturonin rreth mej një sasi shkëndijash dhe flluskash drite. Unë kisha vetëm mendime të turbullta por ama të ëmbla. »

*  Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania : http://www.darsiani.com/

 Francë – 14 Tetor 2016

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, bukuroshja shqiptare, CHATEAUBRIAND DHE

TSIPRAS , META & LIGJI I LUFTES ME GREQINE

October 15, 2016 by dgreca

Kush gënjen Tsipras apo Meta për abrogimin e Ligjit të Luftës?/

1-meta-tsiprasNga Arben Llalla/

Pas kritikave të mëdha si majtas, si djathtas rreth vizitës plot mjegull që kreu në Greqi kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i shoqëruar nga një grup deputetësh minoritarësh e filo grekë, në media hidhet shashka e radhës.

U tha se kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras i paska premtuar Ilir Metës se do të çojë të abrogojë tek kryetari i Republikës së Greqisë, Prokopis Pavlopulos Ligjin e njëanshëm të Luftës.

Nëse është deklaruar se Tsipras do e dërgojë të abrogojë tek kryetari i shtetit Pavlopulos këtë ligj famëkeq, këtu kemi me një gënjeshtër të trashë, sepse Presidenti grek nuk ka kompetenca për heqjen e Ligjit të Luftës pa e votuar në fillim Kuvendi i Greqisë.

Në 28 gusht 1987, qeveria e Andrea Papandreut bëri gati një ligj për të shfuqizuar Ligjin e Luftës dhe e dërgoi atë për ta votuar Kuvendi i Greqisë. Megjithëse kryeministri Andrea Papandreu kishte shumicën e votave në Kuvend deputetët e PASOK nuk e votuan heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë më 1987 dhe e lanë zvarrë pa e shqyrtuar.

Pra, në rastin në fjalë kryeministri Tsipras duhet ta dërgojë në Kuvend këtë Ligj për t’u votuar dhe më tej, pasi të jetë votuar kalon për nënshkrim të thjeshtë tek Presidenti Prokopis Pavlopulos. E gjithë ajo propagandë e mediave të Tiranës, të cilat janë urdhëruar nga Iliri Meta dora vetë që të shpikin një lajm se gjoja paska marrë garanci nga Aleksis Tsipras që do e dërgojë abrogim tek Pavlopulos, është një gënjeshtër e kulluar.

Edhe sikur Tsipras ta dërgojë të abrogojë Ligjin e Luftës tek kryetari shtetit, ai nuk do e nënshkruaj, për arsyen që rrëfehet pak më poshtë. Por edhe sikur kryeministri Tsipras t’ja paraqesë për votim Kuvendit të Greqisë, përsëri deputetët grekë do shprehen që ky Ligj mos të hiqet, por të qëndrojë si hije e zezë mbi kryet e miqësisë greko-shqiptare.

Në Kuvendin e Greqisë SYRIZA ka 144 deputetë, kurse aleatët e tyre në qeveri, nacionalistët e ANEL kanë 9 deputetë. Më këtë konfigurim kaq të brishtë që ka shumica e Tsipras është e pamundur që të gjendet shumica e votive për të abroguar Ligjin e Luftës.

Edhe nëse kjo ndodh kryetari i shtetit, Prokopis Pavlopulos i përket klanit politik nacionalist ekstremist grek, gjë që vërtetohet nga shumë foto-fakt që do i botoj së shpejti në 27.al

Është mirë që kryetari i Kuvendit dhe i LSI Ilir Meta mos të shpikë lajme rreth vizitës së tij në Greqi, por të tregojë diçka për takimin me disa politikanë pensionistë grekë, të cilët punojnë natë e ditë për të ngritur varre boshe greke në jugun e Shqipërisë.

Besoj se Iliri Meta për shpikjen e gënjeshtrës së ëmbël për heqjen e Ligjit të Luftës ka patur parasysh thënien e Niçes: “Në raste të caktuara është më mirë një gënjeshtër e ëmbël se sa një e vërtet të hidhur”. Por Niçe këtë thënie e ka thënë për marrëdhëniet dashurore midis një djali dhe një vajze dhe jo për marrëdhëniet e tensionuar që ekzistojnë mes dy vendeve, Greqisë e Shqipërisë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, e Ligjit të Luftës?, genjen për abrogimin, Tsipras apo Meta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT