• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2016

Progresi i Kosovës drejt liberalizimit të vizave…

October 11, 2016 by dgreca

1-kosova-vizat

-BE-ja është duke ofruar mbi 600 milionë Euro për periudhën 2014-2020 në ndihmë për të forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen, si dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën në Kosovë/

-Deklaratë për media e Drejtorit i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Zgjerim, Christian Danielsson/

1-enver-hoxhaj

PRISHTINË, 11 Tetor 2016-Gazeta DIELLI – Behlul Jashari/ Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson, vizitoi Prishtinën më 10 dhe 11 tetor  2016. Ai pati takime me përfaqësuesit e qeverisë, liderët e të gjitha partive kryesore politike, anëtarët e shoqërisë civile dhe shefat e misioneve të BE-së, thekson njoftimi dërguar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë për vizitën e  Danielsson. Ai theksoi rëndësinë e marrëdhënieve midis BE-së dhe Kosovës, si dhe shprehu nevojën për konsensus në të gjithë spektrin politik për të adresuar sfidat e Kosovës për reforma, në veçanti sa i përket sundimit të ligjit dhe reformave strukturore ekonomike.

Me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA),  është vendosur një kornizë gjithëpërfshirëse për marrëdhënie më të ngushta politike dhe ekonomike mes BE-së dhe Kosovës. Takimi i parë i nivelit të lartë nën MSA-në,  Këshilli i Stabilizim Asociimit, pritet të ndodhë në javët e ardhshme. Fokusi i autoriteteve të Kosovës tani duhet të jetë në zbatimin e  MSA-së dhe në rritjen e përfitimeve të saj politike dhe ekonomike.

Si rrjedhojë, Christian Danielsson u konsultua me qeverinë, shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e bizneseve rreth “Axhendës Evropiane të reformave”, e cila është shpallur nga Kryeministri Mustafa dhe Komisioneri Hahn më 17 Maj 2016. Kjo axhendë do të luaj një rol të rëndësishëm në përcjelljen e implementimit të MSA-së si mjet kryesor i avancimit të Kosovës në rrugën e saj evropiane. “Axhenda Evropiane e reformave” paraqet veprime konkrete për përmirësimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, forcimin e konkurrencës dhe klimës së investimeve, dhe për trajtimin e sfidave në fushën e punësimit dhe edukimit.

Drejtori i Përgjithshëm Danielsson ka shprehur përkushtimin e fuqishëm të BE-së për të çuar përpara reformat e Kosovës të cilat janë të lidhura me BE-në. BE-ja do të vazhdojë të jep mbështetjen e plotë politike dhe financiare për Kosovën në forcimin e sundimit të ligjit dhe qeverisjes, duke ndërtuar një administratë publike transparente, si dhe duke mbështetur zhvillimin e saj ekonomik dhe konkurrencën.

BE-ja, për shembull, ka ndarë 25 milionë Euro për reformën e administratës publike të Kosovës për vitin 2016. Por, parakushtet duhet të përmbushen. Një kornizë e qëndrueshme makroekonomike është një nga parakushtet për mbështetjen e buxhetit të planifikuar të BE-së për të reformuar administratën publike të Kosovës. BE-ja është duke ofruar mbi 600 milionë Euro për periudhën 2014-2020 në ndihmë për të forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen, si dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën në Kosovë.

Progresi i Kosovës drejt liberalizimit të vizave u diskutua në të gjitha takimet e Drejtorit të Përgjithshëm. Ai theksoi vetëdijen e plotë të Komisionit Europian për rëndësinë e këtij procesi për Kosovën. Përmbushja e 93 prej 95 kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave të saj ka çuar në një propozim formal nga ana e Komisionit, më 4 maj 2016 për një vendim të Këshillit dhe Parlamentit Europian për të transferuar Kosovën në listën e shteteve pa viza Shengen, në kuptimin që, nga dita e miratimit të këtij propozimi, Kosova do të ketë përmbushur dy kërkesa të mbetura: të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe të forcojë të dhënat në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në reformat që lidhen me BE-në dhe në avancimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane.

Filed Under: Politike

Shqipëria, vend me angazhim të ulët social

October 11, 2016 by dgreca

 

1-gallup-logo-ok

           Instituti amerikan Gallup ka realizuar një studim në lidhje me angazhimin në shoqërinë civile, qoftë kjo për dhurimin e fondeve apo edhe për dedikimin e kohës së lirë për çështjet vullnetare. Në studim janë përfshirë 140 shtete, mes tyre edhe Shqipëria, e cila u rendit ndër vendet me indeks të ulët (26). Në përgjithësi, sipas këtij indeksi, vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë renditur tek ato me angazhim të ulët social. Indeksi është më i ulët për vende si Maqedonia (24), Serbia (20), Bosnja (21), Greqia (19). Gallup thekson se më shumë se 4 persona në 10, në të gjithë botën, janë shprehur se kanë ndihmuar një të huaj ose dikë që nuk e njihnin më parë (44%). Shumë më të pakët në numër janë ata të intervistuar të cilët kanë dhuruar para (27%) ose kanë shpenzuar kohë në veprimtari vullnetare. Greqia (19). Të shprehura në shifra, për vitin 2015 janë: Në të gjithë botën, rreth 1.4 miliardë njerëz kanë dhuruar para për bamirësi, rreth 1 miliard kanë bërë punë vullneare dhe rreth 2.2 miliardë kanë ndihmuar një të huaj në muajin e fundit. Vendi me indeksin më të lartë (70), që nënkupton angazhimin më të madh social të njerëzve, është Mianmar. Ky është një vend me tradita të forta budiste, ku dhurimi dhe ndihma reflektohen nga njerëzit si sjellje positive. Të anketuarit në Mianmar i janë përgjigjur me “po” pjesës më të madhe të pyetjeve, ndërsa rreth 91% e të anketuarve kanë dhënë se kanë dhuruar para për bamirësi. Sipas studimit të Gallup, pjesa më e madhe e të anketuarve në 72 shtete kanë deklaruar se kanë ndihmuar një të huaj. Ndërsa njerëzit janë më pak të prirur që të heqin dorë nga koha e tyre e lirë dhe të angazhohen në aktivitete sociale. Kjo vlen kryesisht për moshat e rritura, të cilët priren më shumë të ndihmojnë të panjohurit (44%) sesa të bëjnë vullnetarizëm (20%). Vihet re se në shtetet që kanë të ardhura më të larta, njerëzit tentojnë të jenë më të angazhuar në aspektin social, e kjo vlen kryesisht për SHBA-në, Australinë, Zelandën e Re apo edhe Kanadanë. Ndërsa vendet që kanë pasur probleme ekonomike apo sociale, si Greqia, Kongo, Palestina kanë normë të ulët angazhimi. {Sh.K}.

Filed Under: Komente Tagged With: angazhim u ulet social, Shefqet Kercelli, shqiperia

Ilir Meta me krushqit grekë në Athinë

October 11, 2016 by dgreca

1-ilir-meta-krushqit-greke

Nga Arben LLALLA/

Pa nisur mirë është përfolur mjaft vizita e disa ditore në Athinë e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht kreut të LSI-së, Ilir Meta. Në këtë kohë të ngarkuar të marrëdhënieve shqiptaro-greke prej zgjidhjes përfundimtare të Çështjes Çame, delegacioni shqiptar përbëhet nga një shumicë deputetësh me kombësi greke.

Metën e shoqëron deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi, bashkëshortja e të cilët është greke, Vangjel Tavo, deputet i LSI-së, i cili është me kombësi greke, Vangjel Dule i mirënjohur si antishqiptar, vlleh me kombësi greke, kryetar i PBDNJ, deputeti i PS, Anastas Angjeli me kombësi greke, deputeti i PD, Gjergji Papa, gjithashtu me kombësi greke.

Duke parë se me kë Ilir Meta ka shkuar në Athinë nuk ka si të pritet ndonjë deklaratë zyrtare rreth Çështjes Çame apo pronave të shqiptarëve në Greqi, të cilat janë të sekuestruara prej vitit 1940 me dekret të Mbretërisë së Greqisë.

Me këtë rast vlen të përmendim mendimet poetit dhe shkrimtarit nga Çamëria Bilal Xhaferrit i cili dikur shkruante: “Të gjithë ministritë në Tiranë janë mbushur sot me funksionarë të lartë me origjinë greke, me racë, me gjuhë e me zemër greke. Kur puthen buzë më buzë me klikën e Enverit në Tiranë, grekët e Athinës në fakt puthen buzë më buzë me vëllezërit e tyre të minoritetit grek në Shqipëri, të cilët kurdisin prapaskenat e politikës së Tiranës në interes të Greqisë. Këta minoritarë grekë, të dalë nga një grusht fshatarësh minoritarë në rrethin e Gjirokastrës, me pallaska gjeneralësh e kolonelësh të fshehur nën sqetull dhe me dorë të lirë e askush s’u thotë gjë”. (SHBA, Prill 1985)

Mendoj se ky vlerësim i Bilal Xhaferit për politikanët dhe politikën e Tiranës së dikurshme vlen edhe sot. Çështja është se çfarë e ka gjetur politikën zyrtare të Tiranës që ta përfaqësojnë në politikën e saj kombëtare një grusht katundarësh të minoritetit grek, gjyshërit e të cilëve kanë ardhur në tokat shqiptare si çobanë bagëtish dhe shërbëtorë në çifligët e bejlerëve të jugut?

Vërtetë çfarë do thotë kryetari i Kuvendit Ilir Meta për Çështjen Çame që ne të tjerët s’e kemi thënë? Asgjë, ai do kërkojë përkrahjen e Athinës për të ndikuar tek emigrantët shqiptarë për të votuar në 2017 për polin e tretë që LSI synon të krijojë, me qëllim kryesor krijimin e një qeverie që do ta konservojë Çështjen Çame e pronave shqiptare në Greqi duke i mbuluar me pluhurin e harresës.

Filed Under: Komente Tagged With: arben llalla, Ilir Meta me, krushqit grekë, ne Athine

Kosovë-Tre opsionet shqiptare të vitit 1991

October 11, 2016 by dgreca

ibrahim-rugova_rexhep-ismajli_fehmi-agani

-Çerek shekulli nga Deklarata politike për tre opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare e 11 tetorit 1991, të cilën partitë politike nga trojet etnike e nxorën në Prishtinë/

-“Ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, shprehej Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive para 22 viteve/

presidenti-ibrahim-rugova-e-behlul-jashari-shkurt-2005-ne-60-vjeotrin-e-gazetes-rilindja

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

shtepia-pavaresise-ibrahim-rugova-mbledhje-foto-behlul-jashari

PRISHTINË, 11 Tetor 2016/ Para çerek shekulli, në vitin 1991, Referendumi me të cilin Kosova shpallej Republikë sovrane dhe e pavarur, i mbajtur nga 26 deri 30 shtator me  99,87 për qind të votave pro, pasohej edhe me zhvillime tjera në angazhimet për realizimin e vullnetit kombëtar e demokratik të shqiptarëve në trojet e tyre jashtë kufirit të Shqipërisë. “Deklarata politike për tri opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare më 1991”, është një nga dokumentet e atyre zhvillimeve historike.

Pikërisht para 25 viteve, në 11 tetor 1991, në Prishtinë, është miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.  Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm  të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet  sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e  shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë”.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova,  në intervistën që kam zhvilluar në shtatorin 1994 – intervistën e parë ekskluzive të një Presidenti të Kosovës për ATSH-në, duke përkujtuar e vlerësuar dokumentin e tre opsioneve  theksonte se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale…”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

“Në kuadër të propozimeve e modaliteteve për zgjidhjet e mundshme për Bosnjën e ish-Jugosllavinë, ideja Juaj për mundësinë e lidhjes konfederale të Kosovës me Shqipërinë pati mjaft jehonë. A mund të lidhet kjo ide edhe me integrimet e dëshiruara kombëtare dhe me rikomponimet e paralajmëruara në Ballkan?”, ishte një nga pyetjet, në të cilën Presidenti Rugova përgjigjej:

“Mua më vjen mirë që kjo ide pati jehonë dhe u prit mirë kështu në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. Një ide e tillë do të lehtësonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Siç kam thënë, nëse legalizohen lidhjet konfederale tash aktualisht mes serbëve të Bosnjës e Serbisë,  atëherë patjetër duhet të legalizohen edhe për shqiptarët.

Siç dihet, në opcionin e tretë të Dokumentit – Deklaratës së Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të aprovuar më 1991, qëndron edhe kjo – lidhjet konfederale apo bashkimi me Shqipërinë. Por, tri opcionet e atij dokumenti varen nga ndryshimet e kufijve të brendshëm dhe kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë. Prandaj, një projekt i tillë i lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë është më afër mendësh dhe mund të realizohet. Natyrisht, kjo do të lehtësonte shumë gjëra në integrimet shqiptare, në integrimet ballkanike e në integrimet evropiane, që janë një proces dhe duhet t’i shikojmë si një proces.

Dokumenti që e përmenda më parë, është një dokument vërtetë me një vizion që na ka drejtuar deri tash në punën tonë të përgjithshme, të partive politike, edhe në krijimin dhe punën e institucioneve të Kosovës.

Një pyetje tjetër ishte: “Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?”.

Përgjigja e Presidentit Rugova ishte: “Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur e nxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.

Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.

Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.

Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken”.

Në intervistën që e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, Rugova falenderonte dhe vlerësonet ATSH-në, për informimin nga Kosova e për Kosovën.
“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që përfaqëson Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive për ATSH-në derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.

Ai theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova.
Presidenti Rugova besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte.
“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë  është marrë në konsiderim, dhe po  shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej  Rugova para 22 viteve në intervistë për ATSH-në, ku parashikonte ngjarjet dhe zhvillimet që ishin si ëndërr, por që pasuan dhe u bënë realitet.

Këshilli Koordinues

Më 1991 formohet Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare të Kosovë

Më 22 korrik 1991, Partitë Politike shqiptare të Kosovës u pajtuan dhe morën vendim që të themelojnë Këshillin Koordinues të Partive Politike Koordinues të Partive Politike shqiptare të Kosovës, me qëllim të zhvillimit, bashkëpunimit dhe të koordinimit të aktivitetit ndërmjet tyre, si subjekte politike të popullit shqiptar, të konstituimit të ndërsjellë të tyre dhe ndërtimit të platformës dhe të strategjisë së përbashkët për të realizuar synimet e shqiptarëve dhe për t’iu kundërvënë me sukses masave që po ndërmerr pushtuesi për thyerjen e qenies kombëtare dhe për rrënimin e çdo subjektiviteti e sovraniteti të shqiptarëve në Jugosllavi.
Këshillin Koordinues, si subjekte të mëvetësishme dhe të barabarta, e përbëjnë këto parti politike: Lidhja Demokratike eKosovës, Partia Parlamentare e Kosovës, Partia Fshatare e Kosovës, Partia Shqiptare Demokristiane, Partia Socialdemokratee Kosovës dhe Partia Republikane e Kosovës.
Formimi i këtij Këshilli le të hapura mundësi për forma të reja të organizimit dhe të koordinimit ndërmjet të gjitha partivepolitike shqiptare dhe të asociacioneve të tjera.
Këshilli koordinues vendos në pajtueshmëri të plotë të subjekteve politike që e përbëjnë.
Kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës u zgjodh dr.Ibrahim Rugova.

Deklarata politike për tri opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare më 1991/

1-Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika eKosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.

2.    Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë përserbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.

3.    Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.

Partitë politike shqiptare deklarojnë se vullneti politik i popullit shqiptar, i shprehur edhe në Referendumin e organizuar në Kosovë më 26-30 shtator 1991, me ç’rast Kosova u shpall Republikë sovrane dhe e pavarur, është forcë reale që nuk mund të injorohet nga askush. Kriza në Jugosllavi filloi në Kosovë, me pakënaqësinë e shprehur të popullit shqiptar me pozitën e tij dhe kurrsesi nuk mund të përfundojë pa pjesëmarrjen e më se tre milionë shqiptarëve në Jugosllav. Populli shqiptar rreth shtatë milionësh, si popull autokton e me traditë evropiane, ishte, është dhe do të jetë faktor tejet i rëndësishëm i stabilitetit në Ballkan dhe në Evropë.

Prishtinë, 11 tetor 1991

Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi

Dr.Ibrahim Rugova, kryetar

1.     Lidhja Demokratike e Kosovës

2.     Partia e Prosperitetit Demokratik

3.     Lidhja Demokratike në Mal të Zi

4.     Partia për Veprim Demokratik

5.     Partia Fshatare e Kosovës

6.     Partia Shqiptare Demokristiane

7.Partia Parlamentare e Kosovës

8-    Partia Socialdemokratike e Kosovës

9.     Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar

10.     Partia Popullore Shqiptare

11.     Partia Demokratike Shqiptare

 

Filed Under: Histori Tagged With: 1991, kosova, Tre opsionet

SHQIPTARËT DUHET TË KENË NJË ATDHE, JO DISA ATDHE

October 11, 2016 by dgreca

(Vlerësime për librin “Në strofullën e djallit” të Shpëtim Pollozhanit)/

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Ne Foto: Z. Shpetim Pollozhani me bashkeshorten dhe miq ne oborrin e shtepise/

Nga Thanas L. GJIKA/

Shoqata e të Burgosurve dhe të Dëmtuarve Politikë Shqiptarë të Maqedonisë me qendër në Shkup, botoi në vitin 2015 librin “Në strofullën e djallit” të ish të burgosurit politik Shpëtim Pollozhani. Ai ka vite që është kryetar i Shoqatës së ish të përndjekurve të Maqedonisë (The association of former political prisoners).

Ishte një fat për mua dhe bashkëshorten time Julia, që në gusht të këtij viti gjatë udhëtimit për të shpërndarë në Kosovë e Maqedoni, librin tim “Mosdënimi i krimit është krim i ri” (OMSCA-1 Tiranë 2016), u ndalëm dhe në Strugë, ku miqtë tanë Agim Vinca dhe Ferid Abdullahu na njohën me z. Pollozhani, një nga veprimtarët më të shquar të lëvizjes kombëtare shqiptare të Maqedonisë. Pasi u njohëm me të në lokalet e bukura të shqiptarëve anës lumit Drin, ai na dhuroi këtë libër dhe na vuri në dijeni se së shpejti do të botojë dhe dy vëllime të tjera si vijim, ku do të trajtojë lëvizjen kombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë pas shkërmoqjes së Jugosllavisë së Titosin, pra veprimtarinë e tij e të bashkëpunëtorëve të tij të pas vitit 1991.
“Në strofullën e djallit” autori ka përmbledhur në 380 faqe të formatit të madh, ngjarje, kujtime, mbresa nga vitet 1980-1989 kur ai vuajti dënimet në burgjet e RSF të Maqedonisë, në burgjet e Strugës, Manastirit, Ohrit, Idrizovës dhe së fundi në burgun e Kotorit të Malit të Zi.
Ngjarjet dhe personat historikë që përshkruhen aty janë autentikë, pa zbukurime letrareske. Tipar kryesor i këtij libri është besnikëria në riprodhimin e ngjarjeve dhe në përshkrimin e jetës në ato burgje ku nëpunësit, policët, rojet dhe shërbëtorët e tyre, këto qenie çnjerëzore, ua bënin jetën të burgosurve shqiptarë shumë shumë të rëndë derisa disa binin në depresion e vrisnin veten.
Që në faqet e para ndjehet se autori është një penë e talentuar dhe me kulturë (ka mbaruar shkollën e lartë dhe ka marrë formim të mëtejshëm përmes leximit të shumë veprave në disa gjuhë të huaja). Ai ia ka arritur që përmes përshkrimit me stil letrar, mbushur shpesh me sentenca popullore e me thënie nga shkrimtarë e filozofë të njohur, të bëjë tërheqës përshkrimin e jetës në atë ferr, gjë që e tërheq lexuesin derisa e mbaron veprën. Ai nuk mjaftohet vetëm me rrëfimin e jetës së rëndë plot mungesa e vuajtje dhe të torurave që i bëheshin atij dhe të burgosurve të tjerë, por e mbush veprën me gjithçka nga jeta brenda burgjeve, jetë e cila nuk ishte thjesht një nënshtrim a vegjetim, por e mbushur me aktivitete të ndryshme të fshehta nën hundën e policëve, rojeve dhe spiunëve. Të paharrueshëm janë dhe shokët e tij me të cilët ai bashkëvuante e bashkëpunonte në ato kushte aq të vështira. Midis tyre përmenden Zaim Beqiri, Esat Abduramani, Destan Aliu, Bashkim Mashkulli, Kastriot Haxhirexha, Muadin Bajrami, Halit Naxhaku, Bejtulla Ademi, Fadil Bajrami, imam Kadri Pollozhani, etj, etj, të cilët ai i përmend me mirënjohje për veprimtarinë e përbashkët. Veprimtari që shpuri në ndërgjegjësimin e shumë të burgosurve, në kthimin e tyre nga katundarë indiferentë në të përvuajtur që e kuptonin se kush ishin fajtorët e vëtetë të vuajteve të tyre dhe të dinin si të silleshin me ta me dinjitet. Përmes kësaj pune të kujdesshme, vitet e burgimit për shumë fshatarë me origjinë nga zona të thella rurale ktheheshin në një shkollë të vërtetë…
Për të ndihmuar të dënuarit, autori tregon se si arriti të krijonte brenda burgut një bibliotekë të fshehtë me libra, një farmaci me disa barna të urgjencës, thika e çelsa për nevoja të të burgosurve. E gjithë kjo prapavijë e fshehtë, por shumë e dobishme për jetën e të dënuarve u krijua prej Shpëtimit përmes familjarëve të tij, të cilët me sakrifica arrinin të siguronin e të sillnin gjatë takimeve sendet që ai ua porosiste. Përshkrimet e takimeve shpalosin jetën familjare të autorit, ndjenjat fisnike dhe karakterin burrnor të tij dhe të familjarëve si bashkëshortja Xhevahire, nëna Ikbale, vëllai farmacist Bashkimi, vajzat Vjosa, Leza dhe Luleza, rritjen e të cilave babai i burgosur e vërente gjatë takimeve, kur ato i recitonin vargje të shkruara për të.
Marrëdhëniet e popullit shqiptar me qeveritarët maqedonë autori i ka përshkruar përmes skenave ku ai tregon momente nga gjyqet e tij, nga kontaktet me nëpunësit e burgut. Në të tilla marrëdhënie jepet mendësia atavike antishqiptare e të tillëve njerëz, të cilët përfaqësonin pushtetin e kohës. Pushtet hipokrit, i cili në botë e propagandonte Jugosllavinë si etalon të “bashkim-vllazërimit” të popujve, por që në praktikë vlonte antishqiptarizmi i shfrenuar.
Ky antishqiptarizëm, thotë autori në bisedat gojore me ne, u ka hyrë kaqe shumë në gjak maqedonëve, sa edhe sot ata na shikojnë dhe na trajtojnë ne shqiptarëve si popull të dorës së dytë. Nuk mund ta pranojnë popullin shqiptar si popull i barabartë edhe pse sot është krijuar një brez i ri i shkolluar në universitetet e Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe kjo urrejtje do ta shpjerë Maqedoninë drejt shkatërimit si shtet, sepse krahas ne shqiptarëve të pakënaqur janë edhe shumë banorë të viseve lindore të Maqedonisë të cilët janë shpallur si bullgarë dhe kërkojnë të njihen si minoritet kombëtar bullgar. Kështu kombi maqedon sot përben një pakicë në shtetin e shpallur si Maqedoni. Pra si mund të ekzistojë ky shtet ku të quajturat pakica kombëtare shqiptare dhe ajo bullgare, të cilat përbëjnë shumicën, nuk kanë të drejta të barabarta me maqedonët, që përbëjnë pakicën. Ky shtet me këtë politikë nuk mund të shkojë përpara dhe nuk ka si të hyjë në Bashkimin Europian.
Ne shqiptarëve nuk na janë dashur dhe nuk na duhen disa atdhe, na është dashur dhe na duhet vetëm një atdhe dhe atë e kemi, Shqipërinë. Këtë e kam thënë dhe në vepër. Pra vetë sjellja antishqiptare e maqedonëve dhe e sërbëve, na ka ndihmuar dhe na ndihmon të kuptojmë se e ardhmja jonë më e mirë është bashkimi në një shtet shqiptar…” Të tilla vlerësime të veprimtarit dhe politikanit Pollozhani nuk mund t’i kundërshtojë asnjë politikan shqiptar.
Vepra shquhet dhe për aspektin e saj letrar, të cilin e pasurojnë mjaft përshkrime plot lirizëm për disa qenie të gjalla sado të vogla, si merimanga, milingona ose një çift trumcakësh, që i bëhen pjesëtarë të jetës autorit në kohën e izoluar të burgut. Në po këtë funksion janë dhe përshkrimet me dramacitet të disa ngjarjeve njerëzore. Të tillë pasazhe janë përshkrimet e kontrolleve të befasishme, puna e fshehtë për krijimin e mjeteve të ndryshme për të ndihmuar bashkëvuajtësit, riprodhimi i takimeve të shumëpritura me familjarët, sidomos ai në burgun e Kotorit. Ky takim, ndryshe nga takimet në burgun e Idrizovës, kërkonte që familjarët të kryenin qindra kilometra rrugë, dy netë fjetje nëpër hotele dhe plus këtyre një herë ndodhi dhe një aksident automobilistik gjatë të cilit u plagosën nëna e bashkëshortja, etj.
Jo rallë autori riprodhon vargje të disa poetëve tanë të shquar si At Gjergj Fishta, Faik Konica, etj, ose vargje nga krijimtaria popullore, etj. Pollozhani e pëlqen shumë frymën kritike të Faik Konicës ndaj shqptarëve, prandaj ai për të kritikuar politikanët shqiptarë të RFJ të Maqedonisë citon vargjet:
“Sot kanë dalë ca zuazarë.
Që u lintnë shqipëtarë
E punojnë natë e ditë
Që të mbetemi pa dritë.
Eshtë turp prej kësi krimbash
Të mundohet një komb trimash.” (f.329)

Për pasurinë e madhe jetësore të përfshirë në këtë vepër, z. Remzi Zeqja, hartuesi i parathënies së kësaj vepre, me të drejtë, thekson se ky libër mund të cilësohet si “një enciklopedi e vuajtjes gjer në mbijetesë.” (f. 5).
Besnikëria e rrefimit të ngjarjeve përmes një stili të këndshëm letrar na shtyjnë që këtë vepër ta fusim në radhën e veprave më të mira të letërsisë dokumentare shqipe me tematikë nga burgologjia shqiptare.
Propaganda zyrtare e Jugosllavisë së Titos e të Milosheviçit, si thamë e më lart, e paraqiste jetën e atij shteti si një parajsë të bashkim-vllazërimit të popujve. Mirëpo shqiptarët e Kosovës, ata të Maqedonisë, të Malit të Zi e të Sërbisë jugore, vuanin një shtypje të pabesueshme, sepse antishqiptarizmi dhe urrejtja ndaj shqiptarëve ushqehej si virtut tek sërbët, maqedonët e malazestë prej atij regjimi që shitej si regjim liberal komunist. E pikërisht këtë atmosferë poshtëruese e torturuese të shqiptarëve kanë në qendër disa vepra të Adem Demaçit për shqiptarët e Kosovës dhe kjo vepër e Shpëtim Pollozhanit për shqiptarët e Maqedonisë.
Veprimtaria atdhetare dhe vuajtjet e autorit të këtij libri nëpër burgjet e ish Jugosllavisë, na kujtojnë vuajtjet e shumë atdhetarëve të tjerë të përmendur në librin e z. Myrteza Bajraktari “Një vështrim tjetër i historisë” (WESTPRINT, Tiranë, 2011, 276 f.).
Mbas leximit të vëmendshëm të këtij libri, bindesh se populli shqiptar i Maqedonisë, që në kohën e Jugosllavisë së Titos e të Miloshevicit, ka ecur drejt forcimit të ndërgjegjes së tij kombëtare. Ai e meriton atë vlerësimin që i pati bërë njëzet e ca vjet më parë, studiuesi, poeti, kritiku, analisti, profesori Agim Vinca, i cili e quajti “Popull i pandalur”, në përmbledhjen e tij me analiza e polemika me këtë titull.

Filed Under: Opinion Tagged With: “Në strofullën e djallit, Shpetim Pollozhani, Thanas Gjika, vleresime

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT