-Çerek shekulli nga Deklarata politike për tre opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare e 11 tetorit 1991, të cilën partitë politike nga trojet etnike e nxorën në Prishtinë/
-“Ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, shprehej Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive para 22 viteve/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 11 Tetor 2016/ Para çerek shekulli, në vitin 1991, Referendumi me të cilin Kosova shpallej Republikë sovrane dhe e pavarur, i mbajtur nga 26 deri 30 shtator me 99,87 për qind të votave pro, pasohej edhe me zhvillime tjera në angazhimet për realizimin e vullnetit kombëtar e demokratik të shqiptarëve në trojet e tyre jashtë kufirit të Shqipërisë. “Deklarata politike për tri opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare më 1991”, është një nga dokumentet e atyre zhvillimeve historike.
Pikërisht para 25 viteve, në 11 tetor 1991, në Prishtinë, është miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë”.
Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në intervistën që kam zhvilluar në shtatorin 1994 – intervistën e parë ekskluzive të një Presidenti të Kosovës për ATSH-në, duke përkujtuar e vlerësuar dokumentin e tre opsioneve theksonte se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale…”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.
“Në kuadër të propozimeve e modaliteteve për zgjidhjet e mundshme për Bosnjën e ish-Jugosllavinë, ideja Juaj për mundësinë e lidhjes konfederale të Kosovës me Shqipërinë pati mjaft jehonë. A mund të lidhet kjo ide edhe me integrimet e dëshiruara kombëtare dhe me rikomponimet e paralajmëruara në Ballkan?”, ishte një nga pyetjet, në të cilën Presidenti Rugova përgjigjej:
“Mua më vjen mirë që kjo ide pati jehonë dhe u prit mirë kështu në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. Një ide e tillë do të lehtësonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Siç kam thënë, nëse legalizohen lidhjet konfederale tash aktualisht mes serbëve të Bosnjës e Serbisë, atëherë patjetër duhet të legalizohen edhe për shqiptarët.
Siç dihet, në opcionin e tretë të Dokumentit – Deklaratës së Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të aprovuar më 1991, qëndron edhe kjo – lidhjet konfederale apo bashkimi me Shqipërinë. Por, tri opcionet e atij dokumenti varen nga ndryshimet e kufijve të brendshëm dhe kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë. Prandaj, një projekt i tillë i lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë është më afër mendësh dhe mund të realizohet. Natyrisht, kjo do të lehtësonte shumë gjëra në integrimet shqiptare, në integrimet ballkanike e në integrimet evropiane, që janë një proces dhe duhet t’i shikojmë si një proces.
Dokumenti që e përmenda më parë, është një dokument vërtetë me një vizion që na ka drejtuar deri tash në punën tonë të përgjithshme, të partive politike, edhe në krijimin dhe punën e institucioneve të Kosovës.
Një pyetje tjetër ishte: “Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?”.
Përgjigja e Presidentit Rugova ishte: “Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur e nxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër, të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.
Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.
Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.
Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken”.
Në intervistën që e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, Rugova falenderonte dhe vlerësonet ATSH-në, për informimin nga Kosova e për Kosovën.
“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që përfaqëson Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive për ATSH-në derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.
Ai theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova.
Presidenti Rugova besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte.
“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë është marrë në konsiderim, dhe po shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Rugova para 22 viteve në intervistë për ATSH-në, ku parashikonte ngjarjet dhe zhvillimet që ishin si ëndërr, por që pasuan dhe u bënë realitet.
Këshilli Koordinues
Më 1991 formohet Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare të Kosovë
Më 22 korrik 1991, Partitë Politike shqiptare të Kosovës u pajtuan dhe morën vendim që të themelojnë Këshillin Koordinues të Partive Politike Koordinues të Partive Politike shqiptare të Kosovës, me qëllim të zhvillimit, bashkëpunimit dhe të koordinimit të aktivitetit ndërmjet tyre, si subjekte politike të popullit shqiptar, të konstituimit të ndërsjellë të tyre dhe ndërtimit të platformës dhe të strategjisë së përbashkët për të realizuar synimet e shqiptarëve dhe për t’iu kundërvënë me sukses masave që po ndërmerr pushtuesi për thyerjen e qenies kombëtare dhe për rrënimin e çdo subjektiviteti e sovraniteti të shqiptarëve në Jugosllavi.
Këshillin Koordinues, si subjekte të mëvetësishme dhe të barabarta, e përbëjnë këto parti politike: Lidhja Demokratike eKosovës, Partia Parlamentare e Kosovës, Partia Fshatare e Kosovës, Partia Shqiptare Demokristiane, Partia Socialdemokratee Kosovës dhe Partia Republikane e Kosovës.
Formimi i këtij Këshilli le të hapura mundësi për forma të reja të organizimit dhe të koordinimit ndërmjet të gjitha partivepolitike shqiptare dhe të asociacioneve të tjera.
Këshilli koordinues vendos në pajtueshmëri të plotë të subjekteve politike që e përbëjnë.
Kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës u zgjodh dr.Ibrahim Rugova.
Deklarata politike për tri opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare më 1991/
1-Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika eKosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë përserbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.
Partitë politike shqiptare deklarojnë se vullneti politik i popullit shqiptar, i shprehur edhe në Referendumin e organizuar në Kosovë më 26-30 shtator 1991, me ç’rast Kosova u shpall Republikë sovrane dhe e pavarur, është forcë reale që nuk mund të injorohet nga askush. Kriza në Jugosllavi filloi në Kosovë, me pakënaqësinë e shprehur të popullit shqiptar me pozitën e tij dhe kurrsesi nuk mund të përfundojë pa pjesëmarrjen e më se tre milionë shqiptarëve në Jugosllav. Populli shqiptar rreth shtatë milionësh, si popull autokton e me traditë evropiane, ishte, është dhe do të jetë faktor tejet i rëndësishëm i stabilitetit në Ballkan dhe në Evropë.
Prishtinë, 11 tetor 1991
Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi
Dr.Ibrahim Rugova, kryetar
1. Lidhja Demokratike e Kosovës
2. Partia e Prosperitetit Demokratik
3. Lidhja Demokratike në Mal të Zi
4. Partia për Veprim Demokratik
5. Partia Fshatare e Kosovës
6. Partia Shqiptare Demokristiane
7.Partia Parlamentare e Kosovës
8- Partia Socialdemokratike e Kosovës
9. Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar
10. Partia Popullore Shqiptare
11. Partia Demokratike Shqiptare