-BE-ja është duke ofruar mbi 600 milionë Euro për periudhën 2014-2020 në ndihmë për të forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen, si dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën në Kosovë/
-Deklaratë për media e Drejtorit i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Zgjerim, Christian Danielsson/
PRISHTINË, 11 Tetor 2016-Gazeta DIELLI – Behlul Jashari/ Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson, vizitoi Prishtinën më 10 dhe 11 tetor 2016. Ai pati takime me përfaqësuesit e qeverisë, liderët e të gjitha partive kryesore politike, anëtarët e shoqërisë civile dhe shefat e misioneve të BE-së, thekson njoftimi dërguar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë për vizitën e Danielsson. Ai theksoi rëndësinë e marrëdhënieve midis BE-së dhe Kosovës, si dhe shprehu nevojën për konsensus në të gjithë spektrin politik për të adresuar sfidat e Kosovës për reforma, në veçanti sa i përket sundimit të ligjit dhe reformave strukturore ekonomike.
Me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), është vendosur një kornizë gjithëpërfshirëse për marrëdhënie më të ngushta politike dhe ekonomike mes BE-së dhe Kosovës. Takimi i parë i nivelit të lartë nën MSA-në, Këshilli i Stabilizim Asociimit, pritet të ndodhë në javët e ardhshme. Fokusi i autoriteteve të Kosovës tani duhet të jetë në zbatimin e MSA-së dhe në rritjen e përfitimeve të saj politike dhe ekonomike.
Si rrjedhojë, Christian Danielsson u konsultua me qeverinë, shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e bizneseve rreth “Axhendës Evropiane të reformave”, e cila është shpallur nga Kryeministri Mustafa dhe Komisioneri Hahn më 17 Maj 2016. Kjo axhendë do të luaj një rol të rëndësishëm në përcjelljen e implementimit të MSA-së si mjet kryesor i avancimit të Kosovës në rrugën e saj evropiane. “Axhenda Evropiane e reformave” paraqet veprime konkrete për përmirësimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, forcimin e konkurrencës dhe klimës së investimeve, dhe për trajtimin e sfidave në fushën e punësimit dhe edukimit.
Drejtori i Përgjithshëm Danielsson ka shprehur përkushtimin e fuqishëm të BE-së për të çuar përpara reformat e Kosovës të cilat janë të lidhura me BE-në. BE-ja do të vazhdojë të jep mbështetjen e plotë politike dhe financiare për Kosovën në forcimin e sundimit të ligjit dhe qeverisjes, duke ndërtuar një administratë publike transparente, si dhe duke mbështetur zhvillimin e saj ekonomik dhe konkurrencën.
BE-ja, për shembull, ka ndarë 25 milionë Euro për reformën e administratës publike të Kosovës për vitin 2016. Por, parakushtet duhet të përmbushen. Një kornizë e qëndrueshme makroekonomike është një nga parakushtet për mbështetjen e buxhetit të planifikuar të BE-së për të reformuar administratën publike të Kosovës. BE-ja është duke ofruar mbi 600 milionë Euro për periudhën 2014-2020 në ndihmë për të forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen, si dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën në Kosovë.
Progresi i Kosovës drejt liberalizimit të vizave u diskutua në të gjitha takimet e Drejtorit të Përgjithshëm. Ai theksoi vetëdijen e plotë të Komisionit Europian për rëndësinë e këtij procesi për Kosovën. Përmbushja e 93 prej 95 kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave të saj ka çuar në një propozim formal nga ana e Komisionit, më 4 maj 2016 për një vendim të Këshillit dhe Parlamentit Europian për të transferuar Kosovën në listën e shteteve pa viza Shengen, në kuptimin që, nga dita e miratimit të këtij propozimi, Kosova do të ketë përmbushur dy kërkesa të mbetura: të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe të forcojë të dhënat në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në reformat që lidhen me BE-në dhe në avancimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane.