• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2016

Klithmat e hienave bolshevike

October 27, 2016 by dgreca

1-reshat-kripaNga Reshat Kripa/*

Ditët e fundit, si në një kor te dirixhuar nga hienat e zeza te sistemit të përmbysur, kanë mbushur faqet e mediave të shkruara dhe atyre vizive klithma ogurzeza te leshuara nga pinjollet bastarde të tyre., ca te ashtuquajtur historianë fatkeq që nuk e dinë as ku e kanë kokën e tyre, ca pseudo veteranë që në kohën e luftës së dytë botërore nuk kishin mbushur as 10 vjeç,  madje edhe disa të ashtuquajtur të përndjekur politikë që ndodhen në poste drejtuese të disa partive dhe që kanë qenë dënuar për motive të ulta ordinere, siç janë përdhunimi i familjarëve të tyre apo vjedhja dhe që regjimi për t’i dënuar më tepër u shtoi edhe nga një akuzë politike si “tentativë arratisje ‘ apo “agjitacion dhe propagansë” dhe sot, në këtë mish-mash që ekziston në vendin tonë dalin si përfaqësues të të përndjekurve të vërtetë politikë.Kjo është, për fat të keq, Shqipëria jonë e soitme. Shqipëria që nuk e dënoi si duhet kolerën komuniste, nuk dënoi kjriminelët që e mbajtën gjallë atë sistem. Ja si është shprehur Zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës:

Nuk   ka   asnjë vend ku   komunizmi ka ardhur  në pushtet dhe të ketë qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Ndaj kot lehin zagarët e rrugëve pasi dhëmbët e tyre nuk mund të  kafshojnë  më. Koha  e tyre perëndoi qysh në dhjetorin e 90-s dhe bashkë me të edhe ideologjia e tyre totalitare. Sot është koha e së vërtetës dhe këtë nuk mund ta mbulojnë klithmat e tyre ogurzeza.

Lidhur me sa më sipër ditët e fundit kambana e dështakëve  filloi të çirret dhe këlthasë duke “protestuar‘ për një dekret të Presidentit të Republikës, të nderuarit Bujar Nishani, me anën e të cilit dekoronte me urdhërin “Martir i Demokracicë“ 82 viktima të nderuara të rrethit të Lushnjes, të masakruara më 21 tetor 1943 nga krimineli komunist Mehmet Shehu dhe bandat e tija terroriste. Atë dekorim Presidenti e bëri në bazë të një kërkese të bërë nga Shoqata Antikomunste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë dhe jo me urdhër të Partisë Demokratike siç shkruajnë “shakaxhinjtë e përparimit“ siç i quante Noli pjellat e këtij lloji. Madje do të thoja që Partia Demokratike u tregua e pakujdesëshme që nuk dërgoi një përfaqësues nga qendra për të marrë pjesë në këtë ceremoni. Ajo nuk u zhvillua në heshtje dhe fshehurazi se këto nuk janë metodat tona por tuajat dhe sistemit tuaj. Ceremonia u zhvillua ditën me diell, ne lapidarin madheshtor ngritur ne qender të Divjakës ku ndodhi ky krim dhe kumtesat u mbajtën në sallën e Shtëpisë së Kulturës të mbushur plot e përplot.

Ndaj heshtni! Martirët tanë janë gjallë pasi gjallë janë edhe parimet për të cilat ata ranë. Sepse sikurse shkruan poeti:

Kush ban dekën për atdhe,

                                                Ai s’ka dekun, por ka le!

                                                                *Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës/

Filed Under: Opinion Tagged With: e hienave bolshevike, Klithmat, reshat kripa

GAZETA DIELLI-NUMËR SPECIAL PËR 28 NËNTORIN…

October 27, 2016 by dgreca

DITËN E FLAMURIT- 104 VJETORIN E PAVARËSISË/

DIELLI NË VITIN E 107 TË BOTIMIT, GAZETA MË E VJETËR E BOTËS SHQIPTARE NË PRINT, NUMËR SPECIAL PËR 28 NËNTOR /gazeta-dielli-numer-special-per-28-nentorin-diten-e-flamurit-104-vjetorin-e-pavaresiseGazeta 107 vjecare, DIELLI, zëri i Vatrës,më e vjetra e botës shqiptare, që ende botohet në SHBA,me rastin e 104 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, do të publikojë një numër special, festiv, me ngjyra, kushtuar Ditës së Flamurit.Gazeta do të ketë më shumë se 100 Faqe. Pa mbështjen e vatranëve dhe komu- nitetit shqiptar në SHBA, dalja e këtij numri është e pamundur.Pranojmë shkrimë orig- jinale që lidhen me Pavarësinë, Flamurin Kombëtar, firmëtaret e Pavarësisë, skica, esse, portrete, artikuj historik etj.

Ky është numri i tetë special që del nga bashkëpunimi ynë që prej vitit 2009, kur Dielli nisi edicionin special mbi 100 faqe për Festën e Flamurit Kombëtar, Pavarësinë e Shqipërisë.Edhe degët e Vatrës, anëtarët e Këshillit, Kryesia e Vatrës, mund ta ndihmo- jnë editorin në këtë botim special me urime dhe reklamime.

Falenderojmë bashkëpunëtorët tanë në vendlindje apo në Diasporë, korrespon- dentët,mbështetësit,të gjithë vatranët dhe biznesmenët, që me kontributin e tyre kanë mbajtur gjallë këtë regjistër historik të shqiptarëve të Amerikës, që nga 15 Shkurti i vitit 1909. Faleminderit!

Editori Dalip Greca

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, Editor, GAZETA DIELLI-NUMËR SPECIAL, per 28 nentorin

PAJTIMI KOMBËTAR!

October 27, 2016 by dgreca


1-a-man-knows-a-man
Z. Bujar Nishani dekoroi 67 nacionalistë të ekzekutuar nga ajo, që Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë e konsideron si, “Dora kriminale e një grupimi të bolshevikëve shqiptarë të orientuar nga të dërguarit jugosllavë”/1-franku

                                   Nga Frank Shkreli/

Ende nuk kanë pushuar debatet dhe komentet në lidhje me deklaratat e vizitës së fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, Z.  Edi Rama në Serbi – debate këto shpesh të ashpëra, të pasqyruara jo vetëm në median e shkruar dhe vizive midis gazetarve dhe analistëve në të dy anët e kufirit, por edhe në nivelet më të larta politike të dy qeverive shqiptare.  Ishin këto debate dhe komente që disa i cilësuan si një përplasje politike, e pa parë deri më tani midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare në lidhje me raportet midis Shqipërisë me Serbinë dhe rolit që duhet të luaj ose jo Shqipëria në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.  I gjithë ky debat ka lënë një shije shumë të hidhur në radhët e shqiptarëve që mendojnë se komente dhe debate të tilla nuk kontribojnë aspak në krijimin e raporteve vëllazërore dhe pajtimit midis shqiptarëve të rajonit, debate që fatkeqsisht kam frikë se mund të kenë pasoja negative afatgjata për konsolidimin e interesave të përbashkëta kombëtare të shqiptarëve në Ballkan.

 Ndërkaq, një debat tjetër i ashpër u shkaktua ditët e fundit në nivelet më të larta të politikës shqiptare, ndërkohë që Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani dekoroi 67 nacionalistë të ekzekutuar nga ajo, që Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë e konsideron si, “Dora kriminale e një grupimi të bolshevikëve shqiptarë të orientuar nga të dërguarit jugosllavë”, duke theksuar në të njëjtën kohë se dekorimi i atyre martirëve, “Eshtë një detyrim dhe përgjegjësi historike e Shqipërisë së sotme euro-atlantike.”  Ndërsa ka mbrojtur vendimin e tij si të merituar përballë kritikave të ashpra — në mendimin tim të pa arsyeshme dhe të pa nevojshme nga qarqet më të larta të qeverisë së sotme në Tiranë për dekorimin e këtij grupi — Presidenti Nishani arsyetoi vendimin e tij duke thënë se, “Ata u ekzekutuan në mënyrën më kriminale të mundshme pasi ishin kundër shitjes së trojeve shqiptare tek të huajt” dhe se, “Ata u ekzekutuan se kërkonin orientimin perëndimor të Shqipërisë”.

Unë mendoj se vendimi i Presidentit të Republikës për dekorimin e këtyre martirve për të cilët vet ish-udhëheqsit komunistë kanë thënë se ishte gabim të vriteshin se ishin të pafajshëm – është plot me vend dhe si i tillë duhet të shikohet si një hap tjetër i Presidentit Nishani drejtë pajtimit kombëtar aq të nevojshëm për shqiptarët dhe shërimit të plagëve —  trashëgimi këto të një regjimi që edhe sot duket se e ruan hijen e vet, dhe jo vetëm hijen, në institucionet qeveritare dhe në mbarë shoqërinë shqiptare.  Presidenti Nishani, është i vetmi udhëheqës shqiptar i këtyre 25-viteve të fundit, i cili gjatë mandatit të tij, në kapacitetin e tij si kryetar i shtetit shqiptar, që është përpjekur të sjellë sado pak pajtim e harmoni në shoqërinë shqiptare, duke kujtuar viktimat e komunizmit dhe duke njohur dhe duke shprehur keqardhje dhe mirëkuptim për vuajtjet e të përndjekurve të pafajshëm të regjimit komunist.   

Prandaj reagimet e ashpra ndaj vendimit të Presidentit Nishani për të dekoruar një grup shqiptarësh të ekzekutuar nga regjimi enverist, shkaktojnë që të bëhet pyetja se kush dhe pse mund të jetë dikush kundër pajtimit kombëtar?  Kujt i intereson dhe kush i frynë erës së grindjeve të përhershme dhe frymës së mos-pajtimit dhe të urrejtjes të vëllait me vëlla? Në interes të kujt është ringjallja e urrjejtjes që regjimi komunist kishte ndaj kundërshtarëve të tij për pothuaj gjysëm shekulli?  70-vjet pas mbarimit ë Luftës së Dytë Botërore, në asnjë vend të Europës, të lindjes ose të perëndimit, nuk vihet re ky fenomen si një vazhdim i kësaj lufte gati të thuash civile dhe urrejtjesh ideologjike në radhët e një kombi, ashtu siç dëshmojnë debatet dhe komentet aktuale në shoqërinë shqiptare.  Duke qenë se besoj që pajtimi kombëtar i shqiptarëve është i doemosdoshëm, jo vetëm për një të ardhme më të mirë, por edhe për ekzistencën dhe identifikimin kombëtar të shqiptarve, më habiti shumë reagimi i ashpër ndaj vendimit të Presidentit të Republikës, fillimisht nga Zëvëndës Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Petro Koçi si dhe debati për “ballistët” dhe “partizanët” i zvilluar në Kuvendin e Shqipërisë të ënjtën, midis Kryeministrit Rama dhe përfaqsuesve të opozitës.   Petro Koçi është shprehur se dekorimi nga Presdienti Nishani i atyre që ai cilëson si “bashkpuntorë të pushtuesit fashist” , “Deshmon që e djathta nuk po distancohet dot nga ish bashkpunëtorët e fashizmit, ndryshe nga e majta që është distancuar qartazi dhe prerazi nga fajet dhe krimet e komunizmit”, ka shënuar ai.  I nderuari zëvendës ministër, po të ishte e vërtetë se jeni distancuar nga krimet e komunizmit, besoj se nuk do ta zhvillonit këtë debat sot për ballistët.  Ju e dini fare mirë se krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës nuk kanë të bëjnë asgjë me luftën kundër pushtuesve të vendit.   Si pjesëtar i një qeverie të një vendi antar i NATO-s, ju duhet ta dini mirë se vendi juaj si asnjë vend tjetër ish-komunist, nuk është përballur as nuk kini në mend të përballeni me krimet e regjimit komunist. Si rrjedhim, përçarjet dhe mosmarrveshjet që kanë pllakosur politikën dhe shoqërinë shqiptare do të vazhdojnë duke ua lënë trashëgimi brezave të ardhëshëm urrejtjen e përhershme ndaj njëri tjetrit.  Është kjo një trashëgimi që me të vërtetë doni tua leni fëmijve tuaj, që të urrejnë gjithë bashkatdhetarët e tyre që mund të mendojnë ndryshe, për hir të një të kaluare të tmershme?  Fatkeqsisht duhet të konstatohet se pajtimi kombëtar nuk është në interesin dhe as në agjendën kombëtare të shqiptarëve.

Por udhëheqsit e mirëfilltë duhet ta dinë se mos pajtimi kombëtar, madje edhe 70-vjet pas mbarimit të Luftës së Dyrtë Botërore, ka pasoja tragjike për një popull, si kombi shqiptar.  Natyrisht se pajtimi nuk është i lehtë dhe paraqet sfida, pa marrë parsyshë se cili është ose mund të ketë qenë konflikti.  Por pajtimi është i doemosdoshëm, sepse në mungesë të pajtimit kombëtar, sidomos kur konfliktet midis palëve janë tepër të acaruara në një shoqëri me institucione politike pa tradita demokratike siç është shoqëria shqiptare, gjëndja përkeqësohet mëtej, duke çuar, Zot ruajna, në konflikte të reja.  Prandaj është detyrë dhe përgjegjësi madhore e udhëheqsve më të lartë të vendit që me deklaratat e tyre të papërgjegjshme të mos i fryjnë erës së konfliktit dhe të mos-pajtimit, por të punojnë drejt vendosjes së besimit dhe bashkpunimit midis palëve në konflikt dhe shoqërisë në përgjithsi.  

Pajtimi kombëtar është diçka që nuk mund të imponohet nga jashtë.  Por duhet të ndërmirret nga vet shoqëria dhe institucionet e saj.  Shoqëria shqiptare nuk është përballur me të vërtetën e së kaluarës së saj komuniste, megjith pretendimet e zëvendës Ministrit të Mbrojtjes, Petro Koçi se e majta shqiptare “është distancuar qartazi dhe prerazi nga fajet dhe krimet e komunizmit”.  Kjo Nuk është e vërtetë!  Peshkopi afrikano-jugor Desmond Tutu ka thënë se e vërteta është thelbi i pajtimit. “Nevoja për të zbuluar të vërtetën mbi historinë e tmershme, bën që ajo histori të mos përsëritet më.”   Pa pajtim, ka thënë Peshkopi Tutu, “Njerzit nuk kanë sigurinë e nevojshme dhe as besimin në të ardhmen…Qëllimi i pajtimit duhet të jetë, që të krijohet një e ardhme e përbashkët më e mirë për të gjithë nga një e kaluar përçarse dhe konfliktuale”, ka thënë peshkopi Desmond Tutu, duke shtuar se përveç pajtimit nuk ka alternativë tjetër për sigurimin e paqës dhe stabilitetit të shoqërisë. Vendimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të dekoruar një grup nacionalistësh të masakruar nga regjimi komunist është një hap drejtë pajtimit kombëtar.  Merrni kurajo si burrat, jepni dorën njëri tjetrit dhe thoni të vërtetën, për hir të pajtimit kombëtar!

Frank Shkreli

   

                                            

Burri e njeh Burrin – “Ma jep dorën shok.  Të dy kemi humbur nga një këmbë për një kauzë të mirë, por falenderojmë Zotin se nuk kemi humbur zemërat tona, bartëset e ndjenjave njerëzore.”

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, PAJTIMI KOMBËTAR!

Konica dhe kthimi në identitet i shqiptarëve

October 27, 2016 by dgreca

“E thëna e së vërtetës nukë sjell nonjë fitim; po ka një ëmbëlsie më vete, sepse të qetohet vetëdija kur fole ç’duhej të flisje”.  –Faik Domenik Konica/

1-faiku2

Shkruar nga Valentin Lumaj/Michigan/

1-valentiniFillimshekulli i njëzetë e gjen Shqiperinë dhe shqiptarët në një nga periudhat më të trishta të ekzistencës mijëra vjeçare. Sundimi i stërgjatur i perandorisë turke, në atë kohë në rënie e sipër, sikur të ishte një sëmundje e gjatē dhe e mundimshme, po e linte Shqipërine në një gjendje katastrofale ekonomike, politike e shoqërore, e sidomos të ndërgjegjes fetare, të ushqyer shpirtërisht jo nga feja e tyre e parë dhe e përbashkët katolike, por më së shumti nga besimi islam, po ashtu ortodoks dhe ai bektashian.

Shiptarët deri në shekullin e 15-të krenoheshin me një histori 1500 vjeçare të besimit katolik. Ky besim i përvetësuar me ndërgjegje të lirë nga shqiptarēt, ka origjinën qysh në shekullin e parë pas Krishtit, gjatë udhëtimit të Shën Palit në trojet Ilire të asaj kohe nga Jeruzalemi në Rome. Shkëlqimi i Perandorisë turke solli me vete edhe përhapjen e besimit musliman. Ndaj shqiptarëve po ndodhte një çrrënjosje deri në kore e ndërgjegjes fetare si katolikë romanë. Po ndodhte një konvertim gradual e i dhunshëm i besimit katolik te shqiptarëve autoktonë ne atë islam të pushtuesit osman.

          Turqit mjetin e parë përdorën dhunën ekonomike, nëpërmjet sistemit të privilegjuar të taksave ndaj muslimanëve, përkundër masave shtërnguese ndaj jo-muslimanëve. Po ashtu premtimi dhe dhënia e tokave pjedhore atyre qē pranonin me dëshirë besimin islam.

         Së dyti, dhunën fizike, duke torturuar, burgosur e duke prerë kokat e priftërinjve që mbanin meshët dhe besimtarëve katolikë të cilët nuk pranonin te konvertonin fenë e tyre. Marin Barleti shkruante: “Disa mijëra të krishterë, i gjuajtën, i kapën dhe i prunë para sulltanit të botës. Padishahu i botës, disave ua preu kokat ndërsa të tjerë i çau më dysh. Të gjithë të tjerët i shkuan në shpatë para tij”

         Kronisti Bizantin i Kalif Fatihut, Kritobuli, i cili e vëzhgoi nga afër luftën  shqiptaro-turke, shkruante: “ Shqiptarët preferonin më mirë vdekjen sesa të binin në dorë të turqve. Disa Ilirianë, duke parë se ndiqeshin nga turqit, dhe nuk gjetën asnjë vend për t’u strehuar, u hodhën poshtë nga shkëmbijtë në hapësirën e përrenjve dhe vdiqën”. Po ashtu egzistenca e Kishave të nëndheshme e vërteton më së miri trysninë dhe dhunën e okupatorit turk ndaj katolikëve.

Dhuna morale kishte si mjet çnderimin dhe përdhunimin e vajzave dhe grave shqiptare në familjet e krishtera. Egzistojnë gojdhëna, vizatime dhe shkrime të kësaj dhune.Një mjet tjetër ishte dhunimi nëpërmjet traditës së shqiptarëve. Shqiptari historikisht e lidhte ekzistencën e vet me armën, me të cilën mbronte pronën dhe nderin. Mbledhja e armëve dhe lejimi i mbajtjes së armës vetëm për muslimanët ishte një metodë tjeter tinzare dhe e pabesë e turqve për t’i detyruar të konvertoheshin. Këto metoda makabre vazhduan deri në fillim të viteve 1900.

*****

Në këtë katrahulë të shkërmoqjes së sundimit pesë shkullor të  perandorisë turke, mendjet e ndritura të Rilindjes shqiptare parashikonin të ardhmen e afërt dhe të largët të fatit të Shqiperisë. Ndër tà dallon Faik Konica, për mendje-mprehtësinë dhe largpamësinë në të ardhmen e Shqiperisë. Ose sic e quante Noli i madh në Enciklopedi Shëtitëse G. Apolineri: “ky njeri me kulturë të lartë…, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare”.Konica rridhte nga një familje e vjetër feudale me tradita te thekshme muslimane e Zenelbejllinjëve të Konicës. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Falë talentit te tij, ai u rregjistrua në Kolegjin Katolik Saverian, në Shkodër. Aty Konica u mbrujt për dy vjet dhe në një farë mënyre përqafoi besimin katolik. Nën këtë ndikim Faiku vazhdoi studimet në shkollën franceze katolike të Gallatasarait në Stamboll, të cilën e kreu në 1890-n, kur ishte 15 vjeç. Studimet e plota universitare Faiku i kreu në Universitetin e Dijon-it të Francës në vitet 1890-95 dhe ato pasuniversitare në Paris në vitet 1895-97.     

         Shkollat jezuite katolike ku ai studioi si dhe kultura dhe ambienti përëndimor, krijuan bindjen te Konica se ai tani ishte një katolik nga besimi, dhe në verë të vitit 1995 në Dijon të Francës, pagëzohet me emrin Faik Domenik Konica. Qysh nga ajo kohë e mbas, Konica në të gjitha shkrimet dhe paraqitjet e tij, e ka prezantuar veten si Katolik. Edhe në Universitetin Harvard të Bostonit në vitet 1909-1912, u regjistrua si shqiptar katolik me emër Faik Domenik Konica.

         Përveç ambientit ku urrit dhe edukua, për vendimin e pagëzimit të tij si i krishter katolik, Konica ishte ndikuar edhe nga leximi i veprës se Marin Barletit në latinisht,  “Historia e jetës dhe e veprave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut princit të Epirotëve”. Gjergj Kastriotin sulltani e detyroi të kthehej në muhamedan dhe i dha emrin Iskander-beg (Skënderbej), sipas Aleksandrit të Madh. Por ndërsa në fund të vitit 1444, mbasi mori Krujën, Skënderbeu u pagëzua me vullnetin e tij si katolik, duke rimarrë emrin e fëmijërisë Gjergj. Ky veprim u ndoq edhe nga shumë prinjësa të tjerë shqiptarë të asaj kohe. Konvertimi në katolik i Skënderbeut, ndikoi edhe në ndërrimin e kahes lindore ortodokse apo muslimane dhe orientimin e shtetit shqiptar drejt Europës përëndimore katolike duke lidhur aleancat e nevojshme në luftën e tij për mbrojtjen e katolicizmit dhe kundër përhapjes Perandorisë Osmane drejt Evropës.

         Po ashtu, Konica ishte frymëzuar edhe nga Konstandini i madh me origjinë Ilire, perandor i Perandorisë Romake, i cili u kthye drejt krishtërimit, sepse pa në qiell një vizion, që e porositi t’ia besonte fatin e ushtrisë së tij perëndisë së krishterë. Ai vuri si emblemë mbi mburojat e ushtarëve të tij kryqin që i qe shfaqur në qiell, me moton: “Me këtë shenjë, do të fitosh”.

         Pagëzimi i Konices përveçse një bindje shpirtërore ishte edhe një veprim diplomatik, nje shtysë për një lëvizje të gjerë popullore për kthimin e shqiptareve në fenë e të parëve. Ai ënderronte per nje tipologji te shtetit përëndimor evropian. Keshtu me 4 dhjetorit 1912, ndërsa në Vlorë ish-deputeti i Parlamentit turk Ismail bej Qemali shpallte pavarësinë e Shqipërisë dhe po krijonte qeverinë e parë të përkohshme shqiptare, si Kryetar i Federatës Vatra, Konica i shkruante: “Federata Pan-shqiptare e Amerikës “Vatra” i dërgon urime të nxehta ngjarjes që do të mbetet e kujtueshme. Lutemi, me këtë rast, të mos e bëni Shqipërinë një shtet oriental si Khiva, Bukharaja, Afganistani, Tunisia etj. Mbani për ideal një Shqipëri si Norvegjia, Danimarka, Hollanda, Belgjika. Prandaj duam më mirë një princ prej një familjeje mbretërore europiane i cili të na lidhë me traditat oksidentale”.

Ndërsa rilindasit shqiptarë dolën me moton e bashkimit: “feja e shqiptarit është Shqiptaria”, Konica shkon një hap më tej dhe u bën thirrje shqiptarëve: “Muhamedanë shqiptarë, bashkohuni me vëllezërit e krishterë, bashkohuni për të mirën e kombit tonë!”

         Në gazetën e tij Albania e 1909-s, nën syzën “Rreziku i afërm i shqiptarëve muhamedanë”, Konica parashikonte se

– Osmanllinjtë në pak vjet do të dëbohen nga Evropa;

 -Se Shqipëria e pabashkuar dhe e paqytetëruar, e mbetur nga faji i saj pa miq të fortë perjashta, do të ndahet;  -se Shqiptarët muhamedanë do të dëbohen duke humbur gjithë mallin dhe kamjen;

 -se Osmallinjtë nuk do t’i qasin n’Anadoll shqiptarët e dëbuar;

Prandaj ai ofron një zgjidhje të vetme:

 – në mos idealismi, të paktën buka dhe detyra që kini te fëmija juaj ju shtrëngon të bëni nga dy gjëra njërën: a të kthehni te feja e stëgjyshërve tuaj, a të mbeteni muhamedanë, po duke u lidhur me aq vërtetësi dhe zemre me të krishterët nga gjaku juaj sa t’i jipni kombit t’uaj një karakter gjysmë të krishterë.

         Në një kohë që të gjitha vendet fqinje do të kerkonin te shqyenin nga një cope tokë shqiptare, Konica ishte i bindur se lufta me armë ishte një vetëvrasje për shqiptarët, te cilët ishin të shpërndarë, të paorganizuar dhe të pa armatosur si duhet, ku edhe lënda e pare, baruti, vinte nga jashtë. Sipas tij rruga e vetme ishte ajo e bashkimit të gjithë shqiptarëve në origjinalitet, në fenë e të parëve, fenë katolike. Ai thoshte: “Në doni, kthehuni në fée të stërgjyshërve t’uaj, të cilët, si e bën “ispat” “tarihu”, ishin kaurë, gjaurë, qafirë, po që u bënë muslimanë nga “zullumi”.

         Ai mendonte se populli shqiptar për të fituar pavarësinë dhe për të krijuar një shtet të lirë sa më të ngjashëm me shtetet europiane, duhej të kthehej në krishtërim. Me tej ai shkruante: “Të kthyerit tuaj në fée të vjetër do të sillte menjëherë bashkimin e kombit”.

         Pikëpamja e tij ishte se Evropa përëndimore e njësonte popullesinë muhamedane shqiptare si popullsi turke. Megjithëse Islamizmi në Shqipëri paraqitej si “islamizëm europian”, joburimor, shqiptarët nuk do te njiheshin si shqiptarë për shkak të besimit të tyre islam, e prapëseprapë Turqia nuk do ti vinte në ndihmë Shqipërisë. Për këtë arsye ai parashikonte coptimin dhe humbjen graduale të trojeve shqiptare. Kjo ishte një largpamësi e cilësuar, një e vërtetë e pamohueshme, një e vërtetë që per shkak te besimit musliman dhe ortodoks, pati pasojën e përgjysmimit të trojeve shqiptare. Mali ë Zi merr Ulqinin, Plavën, Gucinë, Hotin e Grudën, Serbisë i dhurohet Kosova e Vranja, dhe nën atë motiv Greqia pretendon si të veten krejt toskërinë, duke dëbuar popullsinë autoktone shqiptare dhe zapton me dhunë Çamërinë.

                                             *****

   Historia vazhdon me luftë dhe gjak të derdhur pa masë nga shqiptarëet për tëe rifituar atë që humbën. Perpjekjet kanë qenë të gjithanëshme dhe të vazhdueshme. Një pjesë e elitave shqptare kanë qenë pro konvertimit katolik apo orientimit oksidental përkundër atij oriental, por që kurrë nuk kanë arritur ta krijojnë atë si çështje kombëtare.

         Kështu, Mbreti Ahmet Zogu, themeloi kalendarin perëndimor katolik në vend te atij turk. Ai u martua me një zonjë të besimit katolik, dhe ai vetë jetoi si katolik dhe fëmijët e tij kanë emra dhe jetojnë si katolikë.

         Sistemi diktatorial i famekeqit Enver Hoxha, megjithse mohoi të gjitha fetë dhe egzistencën e Zotit dhe shpalli ateizmin, prapëseprapë, goditjen më të madhe e mori katolicizmi, pasi ndër fretërit dhe murgeshat e asaj kohe ishte kristalizuar shtresa më vitale, më e përparuar dhe pro-përëndimore inteligjencës shqiptare. Vrasja, burgosja dhe syrgjynosja e klerit katolik, pati per pasojë përveçse një shkëputje shpirtërore, edhe një shkëputje të përgjithshme nga Vatikani dhe evropa përëndimore.

Degjenerimi i sistemit komunist, çoi ne rigjenerim të edukimit shpirtëror të shqiptarëve kur mbi 50% e popullsisë ishte ateiste. Në vitin 1995 Shkrimtari Ismail Kadare, ju bën të njëjtën thirrje që Konica u bënte shqiptarëve 100 vite me parë, që shqiptarët të kthehen në fenë e të parëve.

         Nga ana tjetër në disa xhami në Shqipëri e Kosovë, myftinjtë përpiqen t’ua mbushnin mendjen shqiptarëve muslimanë se ata janë një popull me gjak osman i krijuar nga përzjerja e shqiptarëve me turqit e ardhur nga Turqia. Nën këtë ushqim shpirtëror te gabuar, që mban erë qe ushqehet nga Ankaraja, shumë shqiptarë, kur ishte lufta për çlirimin e Kosovës, u strukën në familjet e Shqiperisë e Evropës që hapën dyert per tà, kurse sot flijojnë veten për lirinë e kombeve të huaja islame, Irak, Iran e Afganistan, pasi e ndjejnë veten më shumë turq se shqiptarë.

         Po ashtu disa liderë dritëshkurtër të Shqipërisë dhe Kosovës, quajnë popullin shqiptarëe vëlla me popullin turk. Ndërsa në disa kisha ortodokse ka priftërinj që u bëjnë thirrje popullsisë ortodokse të deklarohen grekë. Sipas tyre, shqiptarët muslimanë për nga besimi dhe gjaku janë vëllezër me turqit, kurse shqiptarët orthodoksë nuk kanë lidhje me ta sepse jane grekë. Me këtë qasje Greqia quan Epirin e veriut dhe Himaren ortodokse si popullsi greke. Po ashtu me këtë qasje po krijohet idea e Kombit Kosovar, duke e veçuar nga kombi shqiptar.

                                    *****

         Prandaj në përfundim të kësaj çoroditje fetare te shqiptarëve, pikësëpari nevojitet një bashkim shpirtëror në një besim të vetëm, në besimin original, fillestar, më të parin, të përqafuar nga të parët tanë, me vullnet e jo nga dhuna. Shqiptarët duhen te pagëzohen të gjithë katolike dhe me vullnet të lirë. Aty duhet te ndodh bashkimi i parë i shqiptarëve; të bashkohen zemrat e kokat e pastaj tokat. Bashkimi i shqiptarëve duhet të ndodhë tek Gjergj Kastrioti, dhe ti tregojmë Ballkanit dhe Evropës se ata nuk janë turq as grekë as serbë, por janë stërnipat e Kastriotit. Një bashkim i tillë do të njësonte te gjithë shqiptarët para të gjithë botës si një komb i vetëm dhe i pandashem. Aty lidhen të gjitha nyjet e Historisë së Shqiperisë. Pa këtë bashkim shpirteror, bashkimi kombëtar duket sa i skajshem aq edhe i pamundur.

         At Zef Pllumbi thoshte: “Muslimanët shqiptarë janë muslimanët më të mirë në botë, ata pak me i gërvishtë, të gjithë dalin katolikë”. Shqiptarët muslimanë nuk kanë ndonjë arsye të fortë që t’i jenë besnik të përjetshëm besimit islam. Në diktaturë shumica e lëshuan besimin islam dhe u kthyen në ateistë. Një patriot i “flakte” musliman, me dajren e patriotizmit në njërën dorë dhe atë të islamizmit në dorën tjetër, sapo të germojë në historinë jo të largët e Shqipërisë, do të ndeshë në gjakun e derdhur dhe kokat e prera të para-ardhësve të tij katolikë, që nuk paranuan fenë e pustuesit. Dhe në këtë moment njëra dajre pushon. Mandej është në dorën e tij tëzgjedhë, patriotizmin apo islamismin. Por një shqiptar nuk mund e jetë edhe një musliman i thekur edhe një patriot i vërtetë.  Në fillim ishte kombi pastaj feja katolike e kombit shqiptar; feja muslimane ishte feja e pushtuesit. Trikonfesionaliteti i besimeve, që nga disa studiues paraqitet si një begati e trashëgimisë shpirtërorë e shqiptarëve, është një miopi akute historike, pasi termi i trashigimisë nënkupton atë çfarë na lënë mbrapa të parët dhe jo okupatorët.

         Po ashtu përveç bashkimit shpirtëror, duhet të ndodhë bashkimi i kulturës dhe gjuhës shqipe. Fishta i madh thoshte në artikullin “Kur do t’bashkohen shqyptarët”: “…t’gjithë njatà qi e kanë me detyrë, si dhe ata qi ia kanë vue vedit me detyrë me organizue jetën shoqnore e t’qytetnueme n’Shqypnië, per n’daçin pernjimend bashkimin e kombit shqyptar, pa t’cillin bashkim nuk mund t’perbahet kurrë nji shtet i qytetnuem, ma s’parit t’caktojnë se mbas t’cillës kulturë duen me e organizue kombin shqyptar, e mbasandej me ligjë, me punë e me kohë të mundohen me i ba shqyptarët qi t’mendojnë e t’veprojnë mbas parimesh t’asaj kulture, tue mbajtë parasysh entologiën, psikologiën e ndijesitë besimtare t’tyne”.

 Kultura shqiptare ka qënë dhe është vazhdimisht nëdiskurs dhe jo në harmoni me kulturën turke. Shqiptarët muslimanë duhet te zgjohen nga gjumi osman, nga ai ç’syzim dhe vrasje për së gjalli kulturor dhe kombëtar i vetvetes.

         Shqiptaret duhet të zhvishen komplet nga stili turk i jetesës, nga stili turk kulturës, nga stili turk i veshjes. Po a ka veshje më bukur se xhubleta e fustanella?! Ferexheja nuk është shqiptare, nuk na shkon si komb evropian, nuk na përket neve. Shqiptarët duhet te shkunden, shpërlahen dhe të pastrohen një herë e mirë, nga çdo gjë turke, sepse aty është origjina e së keqes, vllavrasja, inati, pabesia, korrupsioni. Shqiptarët duhet të veshin kulturën e të parëve, besën, bujarinë, patriotizmin.

          Sado e vështirë të jetë, duhet që edhe gjuha shqipe të pastrohet nga mbeturinat turke. Të paktën autoporlantët nuk do të buçisnin disa herë në ditë në xhamitë shqiptare të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë me fraza në arabisht, por në gjuhën e pastër shqipe që ta kuptojnë besimtarët.

  Konica thoshte: “Historia nuk është veçse një rifillim i përjetshëm”.

         Shqiptarët muslimanë nuk duhet t’i frigohen pagëzimit si katolikë.  Inferioriteti ndaj konvertimit është një psikozë me synime të dëmshme. Udhëheqësit shtetëror, intelektualët tanë, apo vetë shoqëria civile duhet të krijojnë një lëvizje mbarëkombetare për kthimin e shqiptarëve në identitet.  Duhet të krijohet një frymë e përgjithshme, duke u bërë thirrje të gjithë bashkeëatdhetarëve për një njësim kombetar para botës. Aty duhet të derdhen te gjitha energjitë pozitive intelektuale. Lufta e ftohtë për shqiptarët është një luftë e humbur, për sa kohë egziston kjo përçarje shqirtëerore. Të gjithë shqiptarët duhet të marrin një dhe të vetmin ushqim shpirtëror, atë të krishterë. Kjo ëeshtë rruga më e mirë, më e shkurtër dhe më paqësore drejt bashkimit kombëtar. Dhe kjo nuk është vetëm në interes të një shqiptari amerikan, por është në interes të të gjithë shqiptarëve.

Si përfundim citoj fjalët e Konicës:“Jua hapa zemrën. Në u pezmatofshi, s’kini arsye, se ju fola lirisht për të mirën t’uaj, ashtu si ma pret mendja. Në mos u’ pezmatofshi, mejtohuni për këto që po ju thom, se s’janë prralla”.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: i shqiptareve, Konica dhe kthimi, në identitet, Valentin Lumaj

SI I PUSHKATOI VITO KAPO DY LIBOHOVITË TË PAFAJSHËM

October 27, 2016 by dgreca

Vito Kapo ka ndërgjegjen e saj edhe pushkatimet e Dervish Bejkos, Pal Zefit, Hajri Pashajt e qindra të tjerëve/

1-vito-kapoVito Kapo ka qenë antare e presidiumit të Kuvendit Popullor që miratonte dënimet me vdekje. Ka miratuar dënimin me vdekje të Skënder Dajës dhe tre të burgosurve të tjerë të Revoltës së Spaçit më 24 maj 1973./

1-kolec-traboini-2012-pantheon-studio

Nga KOLEC TRABOINI / Ndërkohë që ka plasur një debat i madh a duheshin nderuar si martir të demokracisë 67 shqiptarë të pafajshëm që pushkatoi katili Mehmet Shehu në shtator 1943, shumë njerëz me lidhje gjaku apo shpirtërore me komunizmin e konsiderojnë këtë dekorim një gabim i madh. Në këtë kor bretkosash postkomuniste nuk rri pa u përzierë edhe gërmadha e diktaturës Vito Kapo, e cila e lëshoi zërin e saj si qyqe vjeshte në mbrojtje të krimeve të komunizmit. Lexoni çfarë thotë kjo hata e zezë:  “Nuk ka gjë më të ulët. E pashë dhe mu duk një çmenduri. Si mund të dekorosh ata që u bashkuan me pushtuesin e huaj kundër partizanëve, bijve të popullit. Ata kanë qenë dhe mbetën tradhtarë të Shqipërisë që jo vetëm nuk duhen dekoruar por nuk duhet të zihen fare në gojë” . Kjo plakë e rrjedhur, gruaja e eksponentit të komunistëve shqiptare Hysni Kapo, kërkon tu mësojë shqiptarëve se çfarë duhet të bëjnë e të mos bëjnë. Ajo ka guximin të mos i quaj as shqiptarë ata që u vranë egërsisht nga Mehmet Shehu, por thjeshtë e me përçmim: ballistë. Dhe as të analizoje sadopak se në çfarë rrethanash u vranë mizorisht ata 67 njerëz. Vito Kapo bën sikur nuk di  se pak më parë ishte bërë Marrëveshja e Mukjes ku partizanë e ballistë ranë dakort që me çlirimin e Shqipërisë do ta ndanin pushtetin në mes tyre. Nuk thotë fare Vito Kapo se ishin komunistët të udhëzuar nga miku i saj dhe armiku i popullit shqiptar Dushan Mugosha, që prishën në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen e Mukjes. Nuk thotë kjo gërmadhë plakë as faktin se kur u bë ajo masakër në Lushnjë nuk kishte pushtues askund. Sepse italianët kishin kapitulluar ndërsa gjermanet ende nuk kishin ardhur në tokat shqiptare prandaj nga na dalin këto viktima të komunistëve që të kenë qenë bashkëpunëtorë të pushtuesve. Vito Kapo ka qenë në forumet udhëheqëse të komunistëve rreth pesë dekada, edhe ministre ka qënë dhe e di mirë mënyrën si funksiononte demagogjia, gënjeshtra dhe mashtrimi komunist. Prandaj dhe në mënyrë krejt mashtruese i akuzon 67 viktimat e pushkatuara si bashkëpunëtorë të armikut pushtues, kur ato ditë pushtues nuk kishte asgjëkundi në Shqipëri. Po se çfarë është mashtruesja Vito Kapo  më mirë se kushdo e dinë libohovitet. Ka një ngjarje gjatë luftës që e tregon shpirtin gjakësor të kësaj shtrige të kuqe komuniste. Dihet se në mes të libohovitëve, për shkak te ndarjes partizanë e ballistë kishte plas një luftë vëllavrasëse.  Secila palë, herë partizanë e herë balliste,  vinin në këtë qytet paqësor dhe bënte masakra mbi popullsinë, rrëmbenin qytetarë dhe i pushkatonin. Në një nga këto ardhje, një njësit partizan rrëmbeu rreth 15 libohovitë dhe i mori me vete për ti dërguar në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë së Enver Hoxhës në Odriçan. Atje improvizuan një gjyq partizan dhe dy nga libohovitët që i mbanin si rob, u vendos ti dënonin me vdekje. Fillimisht i lanë të lidhur nën hijen e një peme deri sa të vinte koha për ekzekutimin.  Andej kalon partizania Vito Kapo që atë kohë shërbente në Odriçan pranë shtabit të Enver Hoxhës. Afrohet nga robërit libohovitë dhe pyet se çfarë janë këta. I thanë i kemi sjellë nga Libohova e janë familje ballistësh. Vito Kapo që ishte vetë nga Zagoria, i njihte libohovitët ndaj  iu afrua dhe i pyeti një për një. Pasi bëri këtë gjë u takua me atë që drejtonte gjyqin dhe e pyeti se sa do të pushkatonin. Dy, i tha ai partizani, besoj se kaq mjafton. Të tjerët do ti lëmë të lirë. Jo, thërriti partizania Vito Kapo. Jo dy, po katër. Pastaj shkoi tek ata që i mbanin të lidhur, zgjodhi dhe dy të tjerë, e kështu të katërt i mbajtën. Të tjerëve u thanë të iknin e po të donin mund të futeshin në radhët e partizanëve. Të katërt ata që i ndanë në një anë pas pak i pushkatuan. Kështu që dy shpirtra njerëzorë janë në ndërgjegjen e pavrarë shtrigës komuniste  Vito Kapo. Mirë është të pyetet kjo plakë se çfarë kishte me ata dy libohovitët e mjerë. Për me tepër duhet pyetur çfarë mban mend ende nga ajo kohë krimesh të përbindshme  e kjo para se të ketë rrjedhur krejt e të ketë dredhur bishtin. Këtë histori ma tregoi kohët e fundit një libohovit që nuk dëshiron të identifikohet sepse është person i njohur publik. Por ajo partizania shtabiste e Enverit nuk ka në ndërgjegje vetëm jetën e dy libohovitëve. Vito Kapo ka qenë antare e presidiumit të Kuvendit Popullor që miratonte dënimet me vdekje. Ka miratuar dënimin me vdekje të Skënder Dajës dhe tre të burgosurve të tjerë të Revoltës së Spaçit më 24 maj 1973. E ka miratuar vendimin me vdekje të 22 vjeçarit Skënder Daja vetëm pse këndonte me kitarë këngët e Adriano Çelentanos (Skënder Daja ishte bir i një babai të pushkatuar, Qemal Daja në 1953). Vito Kapo ka ndërgjegjen e saj edhe pushkatimet e Dervish Bejkos, Pal Zefit, Hajri Pashajt e qindra të tjerëve.   Dhe asnjë prej kriminelëve komuniste nuk është dënuar nga drejtësia për rolin e tyre si xhelatë në duart e diktatorit që ka ekzekutuar rreth 6500 shqiptarë. Nuk e dimë pse hesht Europa në këtë rigjallërim të rrezikshëm të elementeve që e terrorizuan popullin shqiptar për 50 vjet deri në kufijtë e gjenocidit. Ka një rigjallërim të llahtarshëm të vemjeve të kuqe. Mendojnë se ju ka ardhur ora për revansh. Prandaj është e kuptueshme se pse kjo plakë e kuqe komuniste në ngordhje,  ka guximin marrok të mbrojë krimet e komunistëve, sepse kështu ajo mbron dhe krimet e veta të përbindshme për të cilat mjerisht nuk është dënuar asnjë herë.  27 tetor 2016

 

Filed Under: Histori Tagged With: dy libohovite, Kolec Traboini, si i pushkatoi, Vito Kapo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT