• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2016

DIASPORA-Ministri Murati takohet me zyrtarë të autoriteteve australiane

December 1, 2016 by dgreca

murati-australianet1 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI/ Pas takimit me komunitetin e shqiptarëve që jetojnë në Sidnei dhe Melburn, si dhe pjesëmarrjes në aktivitetet kulturore me rastin e shënimit të 28 Nëntorit, ministri i Diasporës, z.Valon Murati, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Australi, z.Sabri Kiçmari, ka zhvilluar takime me zyrtarë të shtetit Viktoria dhe me përfaqësues të Departamentit për Punë të Jashtme dhe Tregti të Qeverisë së Australisë.

Në shtetin Viktoria, ministri Murati u prit nga drejtori i Zyrës për Çështje Multikulturore në Qeverinë e këtij shteti, z.Hakan Akyol, dhe nga drejtori ekzekutiv në kabinetin e kryeministrit, z.Matt Lowe. Ata i njohën përfaqësuesit e shtetit të Kosovës me politikën që ka ndjekur ky shtet për pjesëtarët e komuniteteve, nëpër periudha të ndryshme kohore. Sipas drejtorit Akyol, kjo zyrë çdo vit u ndan grante komuniteteve për mbështetje të aktiviteteve të tyre kulturore. Ministri Murati i njoftoi nikoqirët për aktivitetet që zhvillon aktualisht diaspora jonë në Australi, si në fushën e mësimit plotësues, po ashtu edhe në atë të jetës kulturore. Gjithashtu, ai i njoftoi ata lidhur me planin e tij për një varg aktivitetesh që do të mbështeten nga Ministria e Diasporës në të ardhmen, dhe për këtë kërkoi mirëkuptimin e autoriteteve australiane për mbështetjen e tyre.

Ndërkaq, në Kanberra, z.Murati dhe z.Kiçmari u pritën në Departamentin për Punë të Jashtme dhe Tregti të Qeverisë së Australisë, nga znj.Louise Hand, udhëheqëse e Divizionit për Evropë, dhe z.Kevin Magee,  udhëheqës i seksionit për Evropën Veriore, Jugore dhe Lindore. Edhe në këtë takim u bisedua për mbështetjen që mund të ofrojë Qeveria australiane për projektet e ndryshme në aspektin arsimor dhe kulturor.

Duke folur për misionin e Ministrisë së Diasporës, z.Murati nënvizoi kompleksitetin e qasjes ndaj diasporës, si komunitet me ndjeshmëri të veçantë.

“Përpiqemi të jemi shumë të kujdesshëm në krijimin e një balance të qëndrueshme midis ruajtjes së identitetit, në njërën anë, dhe integrimit, në anën tjetër. Ruajtja e identitetit kombëtar pa integrim shkakton izolim, ndërsa integrimi pa ruajtje të identitetit kombëtar, shkakton asimilim. Prandaj, jemi shumë të kujdesshëm në këtë drejtim”, tha ai.

Ministri Murati, në Melburn, gjithashtu, vizitoi kompaninë shumë të suksesshme të biznesmenit nga Kosova, z. Ilmi Kusari, i cili aktualisht ka investuar edhe në Kosovë, dhe në planin e tij parasheh vazhdimin e këtij investimi.

Filed Under: Mergata Tagged With: autoritetet australiane, Ministri Murati, takon

Marinsa dhe tanke amerikanë “Abrahams” në Arktik

December 1, 2016 by dgreca

1-marinsa-amerik

Tanket amerikane shoqërojnë marinsat përmes pyjeve në temperatura nën zero mbi rrethin Arktik. Objektivi është një bunker që ruhet nga ushtarët norvegjezë. Kjo stërvitje ushtarake amerikano-norvegjeze është përballje me realitetin e ri përgjatë kufirit më verior të NATO-s me Rusinë. Që prej janarit 2017, të paktën 300 marinsa amerikanë do të dislokohen në Norvegji, si pjesë e masave për të siguruar aleatët më lindorë të NATO-s për angazhimin serioz të aleancës ndaj tyre. Megjithëse do të jenë rreth 1.000 km larg kufirit, qëllimi i stërvitjeve të tilla është testimi i gatishmërisë së këmbësorisë dhe tankeve, që gjatë vitit janë vendosur në shpella të nëndheshme. Sipas analistëve, mesazhi i aleancës është i qartë: dimri dhe acari nuk janë më armët ekskluzive të Rusisë. Ide që duket se ndahet edhe nga lojtarë të tjerë, pasi stërvitja e SHBA-ve me Norvegjinë është vrojtuar gjatë të gjithë kohës nga “drone” të paidentifikuar, megjithëse në atë zonë të planetit, mbi rrethin Arktik dhe pranë kufirit rus, nuk është zor të dyshosh se kujt mund t’i përkasin. Është hera e parë që tanket amerikane “Ambrahams” shkojnë kaq në veri dhe për Norvegjinë, qëllimi i  manovrave është mëse e qartë. Zyrtarë norvegjezë të sigurisë thonë se,shqetësimi për kërcënimin rus rritet nga dita në ditë, sidomos pas ngjarjeve në Krime dhe Ukrainë, ku rebelët separatistë mbështeten në mënyrë diskrete dhe të mohueshme nga fuqia ushtarake ruse. Prania amerikane në Norvegji është një strategji e thjeshtë:- Çdo element armiqësor, rebel apo shtetëror, duhet të llogarisë mirë ndërhyrjen në këtë shtet nordik, pasi futet në luftë automatikisht edhe me SHBA-të. {Sh.K}

Filed Under: Kronike Tagged With: ne Arktik, Shefqet Kercelli, tanke e marinsa

SABRI FEJZULLAHU-NJE JETE E SKALITUR NE KENGE

December 1, 2016 by dgreca


1-kjo-kendon-fejz
Interviste ekskluzive per gazeten ” DIELLI” qe botohet ne SHBA,me kengetarin dhe aktorin e mirenjohur nga Kosova,Sabri Fejzullahu.1-intev-fejz1-salle
NGA LULZIM MULLIQI/SHBA/
Bashkebiseduesi yne eshte nje kengetar dhe aktor i njohur dhe i afirmuar ne Kosove dhe ne gjithe boten shqiptare.Eshte kenga ne skenen tone muzikore qe e beri te njohur gjitheandej ne trojet shqiptare.Jetegjatesia e pakundershtueshme
artistike per pese dekada me radhe e ka shpallur pa zyrtarizim hit te muzikes shqiptare.Gjate pervojes se tij ne skenen muzikore si kengetar,ai ka performuar ne shume festivale dhe koncerte te ndryshme qe u organizuan jo vetem ne Kosove,por edhe ne Shqiperi dhe vende te tjera dhe kudo u prit me duartrokitje qe flisnin shqip,duke e bere Sabriun te dashur per te gjithe fansat e tij.Gjate ketyre pese dekadave ne skenen muzikore kendoi shume kenge,te gjitha keto te interpretuara me nje emocion te papare nga ai,duke e bere ate njeren prej kengetareve me te vecante nga kengetaret e tjere te estrades muzikore .Ai ne kete interviste ekskluzive na rrefen per fillimin dhe hapat e pare ne karrieren e tij artistike,per minikoncertin  e tij te shfaqur keto dite ne SHBA,me rastin e shenimit te 104 vjetorit te shpalljes se Pavaresise se Shqiperise,pastaj pershtypjet e tij per publikun shqiptaro- amerikan si dhe planet dhe projeksionet e tij ne kete pjese te fundvitit.Te gjitha keto do t’i kuptoni nga biseda qe zhvilluam me Sabri Fejzullahu.

3-mulliqi
DIELLI:Se pari na tregoni kur keni filluar te kendoni dhe te merreni me kengen?
Sabri Fejzullahu: Une,me kengen kam filluar te merrem heret si nxenes qysh ne bangat e shkolles fillore.Organizonim atehere koncerte me rastin e kremtimit te dites se shkolles dhe te festave te ndryshme.Me vone,si nxenes i shkolles se mesme,bashke me nje grup,shoke te mi kendonim dhe organizonim mbremje vallezimi per te rinj.Kam pasur arsye te gezohem ngase atehere incizova edhe kengen time te pare dhe pastaj linden edhe ditet qe ne mua zgjuan ambicje me te medha qe t’i perkushtohem kenges dhe ta interpretoj ate gjithnje e me bukur.1-kendon
DIELLI:Cili eshte zhanri me i preferuar muzikor per Ju,qe e interpretoni me bukur?
Sabri Fejzullahu: Une,kam interpretuar me mjaft sukses kenget argetuese ku isha pjesemarres i shume festivaleve muzikore dhe jam shperblyer disa here me vendin e pare,sic ishte festivali “Akordet e Kosovës”natyrisht isha fitues i ketij festivali dhe i shperblyer me Okarinen e arte te ketij festivali tradicional.Kenget qe me pershtaten me se shumti jane ato te te cilat mund t’i kendoj edhe populli yne.1-me-pop
DIELLI: Ne Akordet e Kosovës keni kenduar edhe kenge te zhanrit popullore?
Sabri Fejzullahu:Se pari kam filluar te kendoj kenge popullore,te cilat I dua dhe i pelqej t’i interpretoj.Dua te shkoj edhe kete se pa e njohur melosin popullore nuk mund te behesh nje kengetar i kompletuar dhe i pranuar per masen e gjere.

1-mulliqi-me-dy
DIELLI: Pos kengetar,ju ishit edhe aktor,cila ishte lidhjen juaj me artin skenik?
Sabri Fejzullahu:Per shume vite isha edhe aktor i teatrit te Prishtines dhe kam interpretuar nje numer te madh rolesh ne Teatrin e atyre viteve dhe kjo me ka dhene mundesi t’i jap me shume shpirt kenges gjate interpretimit ne skene.
DIELLI:Kritiket e artit muzikor ju kane quajtur dikur kengetar avangarde te muzikes moderne ne Kosove,cili eshte realisht sot mendimi i juaj per kete?
Sabri Fejzullahu: Kjo ishte shume vite me pare kur muzike e huaj nuk kishte arritur te depertonte ne mase te madhe gjate atyre viteve ne Kosove dhe  Une,qysh heret kisha filluar t’i degjoj grupe te ndryshme muzikore si: Beatles,Toto Kotunjo,Adriano Celentano,Rolling Stones nga te cilet u frymezova dhe krijoja duke u bazuar ne disa kenge te tyre,te cilat  edhe i kam imituar disa here.
DIELLI:Kenga eshte nje vlere muzikore qe trashegohet sot ne familjen tuaj?
Sabri Fejzullahu:Kenga eshte nje pasion i shpirtit dhe si e tille edhe trashegohet tek gjeneratat e reja.Ne familjen time po thuajse te gjithe merremi me kengen.Vajza ime Buleza qe jeton ne Nju Jork eshte marrur aktivitet me kendimin,qysh ne moshen e femijerise.Poashtu edhe Armendi,i cili jeton ne Londer,merret me artin muzikor.Ndersa Ermali eshte i njohur dhe tash e disa vite me radhe ka bere nje emer te nderuar dhe te admiruar ne fushen e muzikes.
DIELLI:Ne cilat qytete amerikane keni shfaqur minikoncertin tuaj?
Une,isha i ftuar ne nje turne nga mergata shqiptare e Amerikes me rastin e shenimit te 104 vjetorit te shpalljes se Pavaresise se Shqiperise.Fillimisht kam dhene koncertin e pare per bashkeatdhetaret tane ne Feniks,Arizona,pastaj ne Orllando,te Florides, ne Cikago dhe diten e fundit do te shfaqim koncertin festiv per Komunitetin shqiptaro-amerikan te Nju Jorkut,ku do te performojme se bashku me mikun dhe kolegun tim te karrieres muzikore,Sinan Vllasaliun.
DIELLI: Cili eshte mendimi i juaj per publikun tone shqiptaro-amerikane?
Une,per publikun e mergates shqiptare te Amerikes kam vleresime te shkelqyera,per menyren e organizimin te koncerteve dhe ruajtjes se gjuhes,traditave dhe kultures shqiptare ne pergjithesi.Kudo neper koncertet e shfaqura ne SHBA,mergata shqiptare ishte e organizuar dhe me plot ndjenja kombetare,ku keto ndjenja po barten edhe te brezat e rinj,duke u bere nje trashegimi e rendesishme kulturore dhe kombetare per mergaten tone ne SHBA.
DIELLI: Cilat jane planet dhe projektet tuaja per te ardhmen?
Sabri Fejzullahu: Ne ditet ne vijim jam,duke e pergatitur nje kenge te re dhe videoklipin e kenges me rastin e festes se vitit te ri.Tekstin e ka shkruar Ylli Limani,nderasa kompozimin e ka bere kompozitori i mirenjohur,Xhevdet Gashi.
Ne nje te ardhme te afert do te pergatiti edhe nje album me kenge te reja.
Ne fund te gjithe bashkeatdhetareve tane me banim ne SHBA,Ju uroj gezuar festat e fundvitit dhe shume gezime ne vatrat tuaja familjare!Faleminderit…!

Filed Under: Interviste Tagged With: Gazeta Dielli, Lulzim Mulliqi, nje jete me kenge, Sabri Fejzullahi

Miti i Katastrofës

December 1, 2016 by dgreca

kadare11-300x200NGA ISMAIL KADARE*/

Popujt,  ashtu si qeniet njerëzore, kanë dëshirë të kujtojnë fatkeqësitë e kaluara. Me kalimin e viteve,  shpesh qëllon që këto fatkeqësi të skajuara në ndërgjegjen e tyre,  ndryshojnë trajtë,  rrallë herë zbehen ose harrohen,  së shumti zmadhohen ose nxihen më fort. Në ndryshim me qenien njerëzore,  që e ka jetën të shkurtër,  jetëgjatësia e kombeve krijon kushte për tjetërsimin e fatkeqësive,  të cilat disa herë shndërrohen në mite të vërteta. Në këto mite mbështetet shpesh kujtesa historike,  prej tyre ushqehen letërsia dhe artet ose krijohen psikoza fataliste që ngjyrojnë për një kohë të gjatë atë që quhet shpirtësi e një populli. Ndërkaq,  kaq raste që prej këtyre miteve ushqehen propagandat shoviniste e doktrinat hakmarrëse kundër popujve të tjerë.Një nga mitet tipike që gjendet në historinë e shumë popujve është ai i katastrofës së dikurshme. Është një thyerje ose një humbje e dhembshme ose disa gjëma të njëpasnjëshme,  kujtimi i të cilave nuk ka asgjë të keqe,  përkundrazi,  shërben për fisnikërimin e një populli,  kur selitet në një kah të mbarë.  Për fat të keq,  koha ka treguar se mund të shërbejë edhe për të kundërtën: për ta egërsuar një popull kundër të tjerëve.

1-kadare-kombi

Fatkeqësitë e kaluara të popullit shqiptar,  pushtimi osman në shekullin XV,  copëtimi i Shqipërisë në fillim të shekullit XX dhe izolimi e saj nga bota,  për faj të diktaturës komuniste në gjysmën e dytë të këtij shekulli,  nuk krijuan të shqiptarët as doktrina shfarosëse,  as urrejtje kundër të tjerëve dhe kjo është një cilësi e admirueshme e tij. Nderimi dhe mbrojtja e tjetrit,  e atij që është i ardhur,  i huaj,  mik ose bujtës,  një mendësi që vjen qysh nga kohërat antike,  ka qenë një nga gurët  themelore  të qytetërimit shqiptar.

Që ky nderim nuk është një shpikje poetësh  e as një cilësi e elitës shqiptare,  u rivërtetua  gjatë Luftës së Dytë Botërorë. Dhjetëra – mijëra ushtarë italianë të mbetur në Shqipëri nën mëshirën e popullsisë së armatosur  shqiptare,  pas kapitullimit të Italisë,  nuk u prekën aspak prej kësaj popullsie,  përkundrazi u morën në mbrojtje prej saj. Nga ana tjetër,  është një fakt i njohur tashmë se  Shqipëria ishte një nga vendet e rralla në botë,  në mos i vetmi,  ku  asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.

Diktatura komuniste me politikën e saj veçuese u përpoq ta armiqësonte popullin  shqiptar me të gjithë botën,  kryesisht me Evropën Perëndimore,  por nuk ia doli dot.  Pas rënies së komunizmit,  populli shqiptar dëshmoi ndaj të huajve evropianë dhe amerikanë po atë ndjenjë miqësore të dikurshme.

Kjo tolerancë e gjerë e këtij populli,  e shoqëruar me tolerancën fetare,  gjithashtu të vërtetuar gjatë shekujve,  nuk u vu në dukje e nuk u çmua asnjëherë sa duhet. E ishte e nevojshme,  për të mos thënë e detyrueshme,  të çmohej,  sepse kishim të bënim me një shembull të shkëlqyer ballkanik,  në kohën që gadishulli i madh u përfshi tej e mbanë nga furtunat shoviniste,  nga intoleranca e urrejtja etnike e nga krimet e rënda të ushqyera prej saj.

Për t’u kthyer të miti i katastrofës,  ky mit te shqiptarët,  ndërsa nuk shkaktoi acarimin kundër të tjerëve,  mori,  për fat të keq,  një zhvillim të papritur: revoltim kundër vetvetes. (f9-11)

Psikoza mohuese

Rilindësit duhen lexuar e rilexuar gjithmonë,  sidomos në kohëra të vështira. Duke i shfletuar tani,  shikojmë se,  përveç shqetësimit të tyre themelor: çlirimit të Shqipërisë e pavarësisë së saj,  ishte një ankth tjetër,  i vazhdueshëm,  i lidhur ngushtë me të parin: Rizgjimi i atdhedashurisë.

Këmbëngulja e tyre për këtë rizgjim,  kambanat e tyre,  thirrjet e zjarrta,  shpeshherë të dëshpëruara  «Ti Shqipëri më jep nder,  më jep emrin shqiptar ! » dëshmojnë një të vërtetë tepër dëshpëruese: një pjesë e shqiptarëve ishte ftohur prej atdheut të tyre . Turqizimi i qindra-mijëra shqiptarëve,  greqizimi i një pjese tjetër,  ngatërimi i përkatësisë shqiptare me atë fetare,  dëshmonin se ndjenja patriotike te një pjesë e shqiptarëve ka qenë jo aq e fortë siç paraqitej. Një pjesë e tyre me lehtësi ishin gati ta këmbenin atdheun e tyre me një tjetër atdhe.

Injoranca e thellë ku u zhyt për shumë shekuj populli shqiptar,  mungesa e shkollave,  e universiteteve,  e akademive,  e institucioneve kulturore e,  natyrisht, mungesa e strukturave shtetërore,  e zbehu fort shqiptarizmin  ose,  në rastin më të mirë,  e la atë në një nivel parak (primitiv),  që me vështirësi e kapërcente folklorizmin. Në kushte të tilla,  takimi me një kulturë të huaj  ishte tronditëse për shqiptarët.

Ajo krijonte dy rrjedhime: ose i shtynte ata,  që në shembullin e kësaj kulture të ringjallnin kulturën e vendit të vet,  ose e kundërta, i largonte përfundimisht prej atdheut. Kështu,  në agimin e çlirimit të Shqipërisë,  i kemi pasur të dyja prirjet: atdhedashurinë e disave dhe anti shqiptarizmin e,  disa herë,  kundër shqiptarizmin  e të tjerëve. Rilindësit u përpoqën si titanët t’i bindin  shqiptarët se nuk duhej të turpëroheshin nga vendi i tyre,   se ata kishin një atdhe të bukur,  se kishin një gjuhë madhështore,  një nga 5-6 gjuhët themelore të botës,  së ishin një racë e bukur trupërisht dhe tepër e aftë mendërisht,  së kishin një histori të shkëlqyer,  se gjëmat kombëtare nuk ishin arsye për t’u ftohur me atdheun,  por përkundrazi,  për t’u afruar më fort me të.

Aksioni i rilindësve për zgjimin e Shqipërisë ishte më i madhi e më i gjëri aksion kulturor e patriotik në krejt historinë shqiptare. Rrallëherë emërtimi i një lëvizjeje përkonte me qëllimin e saj,  ashtu si në rastin e Rilindjes shqiptare.  Në të vërtetë,  ishte ajo që e rilindi Shqipërinë,  ose për të qenë më të saktë,  ishte ajo që e lindi Shqipërinë moderne.

Që kjo lëvizje e ky vrull të ishin të suksesshëm,  rilindësit e himnizuan dhe e sublimuan historinë e shqiptarëve. Ata qëmtuan në të kryesisht kulmet e ndritura,  duke mos u ndalur në njollat e saj.  Po me këmbëngulje ata vunë në pah vlerat morale e fizike të shqiptarëve,  kryesisht virtytet,  pa dashur të ndalen në cenet e tyre,  që nuk ishin më të pakta se virtytet.  Kjo ishte rrjedhojë logjike e qëllimit të lëvizjes: rifitimin e besimit të humbur.

Një arsye tjetër që e përligjte plotësisht optikën e tyre pozitive ishte propaganda  kundër shqiptare,  që kishte nisur ndërkaq të kultivohej nga fqinjët e Shqipërisë: kryesisht nga rrethet shoviniste serbe e greke.  Ishte një propagandë e egër dhe shtazarake që rrallëherë ishte parë në faqe të dheut.  Përballë kësaj furtune të sëmurë,  rilindësit shqiptarë mbajtën një qëndrim fisnik e të admirueshëm .

Në vend që të binin në nivelin e saj,  duke u përdhosur edhe vetë nga balta  e kundërshtarëve,  ata zgjodhën përgjigjen e tërthortë: lartësimin e vlerave shqiptare.

Ky vizion optimist i rilindësve, i përfaqësuar në radhë të parë prej Naim Frashërit e më vonë prej Gjergj Fishtës,  u bë objekt vërejtjesh e kritikash më pas e vazhdon ende sot,  në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.  Në ngjarjet e fundit tragjike të Shqipërisë ishte pikërisht ky vizion  rilindës që u sulmua në mënyrën më barbare.  Një grusht intelektualësh renegatë e një grusht politikanësh të papërgjegjshëm,  të bashkuar me turmat e vulgut (llumit) shqiptar,  u përpoqën dhe arritën t’ia vinin zjarrin Shqipërisë. Qëllimi i tyre ishte zhbërja e Shqipërisë,  çka ata e treguan me shkatërrimet e vlerave kombëtare,  të atyre që nuk ishin prekur as nga pushtuesi otoman e as nga ai nazist.

Nga këto ngjarje Shqipëria,  e ndoshta jo vetëm Shqipëria,  por Evropa e tërë,  nxori një mësim që asnjëherë nuk ka qenë kaq i qartë: në kushtet e demokracisë,  turmat vulgare të fshehura prapa fjalës « popull » mund të kthehen në varrmihës të demokracisë,  po aq sa tiranët,  në mos më keq.  Kjo është edhe arsyeja që grekët e vjetër, kur diskutonin për demokracinë,  për të mirat e të këqijat e saj,  ishin tepër gjakftohtë,  pa paragjykime,  rrjedhimisht pa entuziazëm. Nën trysninë e populizmit të  majtë,  bota e sotme,  ashtu siç ka harruar mjaft mësime të historisë,  e ka harruar,  me sa duket,  edhe këtë mençuri antike.  Shqipëria,  që e provoi në mish të saj ç’do të thotë kjo karikaturë e demokracisë shpresojmë të mos e harrojë.

Mësimi,  pra,  është i qartë: demokracia e pashoqëruar nga një strukturë ligjesh e një strukturë e fortë shtetërore që të sigurojë funksionimin e saj,  mund të kthehet lehtë në të kundërtën e vet.

Për sa i përket kritikës ndaj vizionit të rilindësve shqiptarë,  ajo,  gjithashtu,  duhet parë në rrethanat kur është bërë e në zhvillimin e dramës shqiptare. Ai këndvështrim inkurajues lindi në kushte të caktuara,  për një qëllim të caktuar. Në kushte të mëvonshme, kur kombi shqiptar,  ose së paku një pjesë ë tij që e kishte shtetin e vet të pavarur,  ndeshej me probleme të tjera,   me probleme të së drejtës,  të demokracisë,  të emancipimit shoqëror etj. ai këndvështrim  optimist nuk ishte i mjaftueshëm .  Ndaj edhe bota shqiptare kërkoi dhe gjeti shtigje të reja të mendimit e të veprimit.

Ndërkaq duhet thënë se,  sipas një tradite të keqe ballkanase e sidomos shqiptare,  tradita e të hedhurit nga një skaj në tjetrin,  shumë shqiptarë u treguan të paaftë të pranonin zhvillimin e mendimit e të kulturës politike.

Duke mos e kuptuar pasurimin e traditës ata nuk njihnin veç shkëputje të dhembshme,  shkëputje të pasuara me rrënim,  paroksizmi i të cilave arriti kulmin në mars të vitit 1997.

Në botën e egër ku jetojmë,  në kushtet kur Shqipëria është ende e brishtë,  kur ajo është realisht e jo mitikisht e kërcënuar,  në  kushtet  sidomos kur kombi shqiptar vazhdon të jetë i prerë më dysh,  vizioni rilindës mbetet vizioni bazë për botën shqiptare. Kritika kundër veseve e ceneve tona,  ashtu siç bën gjithë bota për vetveten,  nuk është veçse një plotësim i këtij vizioni e jo një përmbysje e tij.

Për të parë më  qartësisht si funksionon një bashkëjetesë këndvështrimesh,  që në shikimin e parë,  duket e pamundur,  le të kujtojmë Faik Konicën dhe qëndrimin e tij ndaj Naim Frashërit.  Konica,  personalitet brilant  i botës dhe kulturës shqiptare,  ishte i pari që u përpoq të hidhte një dush të ftohtë mbi zjarrminë rilindëse.  Me të drejtë,  ai u përpoq t’u kujtonte shqiptarëve jo vetëm cenet e tyre,  por edhe mbrapshtitë dhe marrëzitë e tyre të herë pas hershme.

Ndërkaq,  e parë nga largësia e kohës,  këndvështrimi i tij është kundërthënës. Ai është vetë rilindës e po vetë kthehet kundër rilindësve. Punon e digjet për Shqipërinë  e,  aty për aty,   i pëlqen të tallet me të tjerët që bëjnë të njëjtën gjë. E adhuron dhe e lavdëron Naim Frashërin e më pas kthehet e  s’i lë gjë pa thënë.  Përgjërohet për atdheun që e ka larg,  e mbron ku mundet,  i del për zot kundër shpifësve e racistëve,  pastaj kthehet e shan,  e quan Zululand ai vetë,  më keq se racist. Mund të thuhet kështu se është ai,  vetë Konica,  që ngrihet kundër Konicës.

Nuk do të ishte me vend t’i kujtoheshin këto këtij kolosi të kulturës shqiptare ( në fund të fundit kolosëve u çmohen kryesisht lartësitë),  sikur kjo anë e tij kundërthënëse të mos shfrytëzohej me qëllime të mbrapshta ende sot. Vitet e fundit,  kur në prag të hyrjes së Shqipërisë në familjen evropiane,  kundër saj e kundër kombit shqiptar shpërtheu një fushatë e tërbuar raciste,  me emrin e Konicës dhe me veprën e tij u bënë spekulime nga më monstruozet.

Një zhgan intelektualësh antishqiptar,  së bashku me një pjesë të medias botërore,  që iu sulën me një urrejtje shtazarake popullit të vogël shqiptar,  për të përbaltur,  për ta mallkuar,  për ta ndarë përjetë nga familja e popujve evropianë,  u rrekën ta bënin Konicën flamur të tyre. Ky do të ishte gabimi më i lemerishëm për Konicën e madh. Ndaj,  për ta mbrojtur jo vetëm kombin shqiptar,  por atë vetë,  birin e tij të madh,  jemi të detyruar të kujtojmë kundërthëniet ë tij.  Në fund të fundit,  përçmimi dhe balta që do t’i hidhej këtij kombi do të përbalte,  në radhë të parë,  fytyrën e kolosit (f 13-21)

Antishqiptarizmi  si  profesion  fitimprurës

Rasti i Konicës,  më mirë ndoshta së çdo tjetër,  na kujton cilësitë e shqiptarit: edhe kur ngjitet në lartësitë sublime,  herë pas here,  që nga thellësitë e racës,  i vijnë vrullet zemërake. Por më shumë se kjo,  rasti i Konicës shtron një pyetje madhore në këtë fund mijëvjeçari: ç’imazh kanë për vetveten shqiptarët ?

Është një çështje themelore që kapërcen dukshëm anën kulturore e etikë. Ky çmim i vetvetes lidhet me vlerësimin  që ata i bëjnë kombit të tyre në përgjithësi,  ai lidhet me  vlerësimin e atdheut,  së fundi ai lidhet me çështjen themelore se sa janë ata të vendosur të mbrojnë ekzistencën e tyre si komb në rruzullin  e shqetësuar botëror.

Nuk është as shpikje poetesh,  as propaganda nacionaliste,  e aq më pak komuniste,  të thuhet se vendi ynë,  Shqipëria,  ka qenë disa herë në buzë të humnerës. Traktatet për ta ndarë atë midis fqinjëve,  programet e doktrinat për ta shpërbërë kombin shqiptar janë aty,  në arkivat e shumë shteteve,  me data,  me vula,   me emra.  Dhe shumë prej tyre nuk janë aspak të vjetra. Ato kanë në fund vitet 1913,  1918,  1938,  e disa janë fare të reja.

Në këto kushte,  në kushtet kur tërbimi nacionalist antishqiptar merr përmasa të tilla,  saqë në mars të vitit 1997,  në demonstratat e Shkupit njerëzit kanë guxim të ulërijnë « shqiptarët në krematorium !» kuptohet që të jesh antishqiptar është fare e lehtë,  madje është shpesh fitimprurëse.  Kështu,  dhe kurrsesi ndryshe,  mund të kuptohet vala antishqiptare që shpërtheu rrotull Shqipërisë  dhe brenda në Shqipëri kohët e fundit. Kështu shpjegohet përse një grusht intelektualësh renegatë shqiptarë u bënë befas të përkëdhelurit e disa forumeve ndërkombëtare dhe,  ç’është më e keqja,  zëdhënësit për problemet shqiptare.

Shkurt,  antishqiptarizmi u kthye në profesion. Është kjo frymë e sëmurë që ndihmoi për rrëzimin e strukturave të shtetit shqiptar brenda dy-tri javësh,  e cila bëri që gjeneralë dhe oficerë shqiptarë,  në mënyrë të turpshme,  të braktisin postet e tyre,  për të përfituar një azil politik në Itali,  që vulgu shqiptar t’u vërë zjarrin tempujve të kulturës shqiptare.

Në kushte të tilla,  të ulërish ende se në Shqipëri ka patriotizëm të tepruar,  se letërsia shqipe është nacionaliste etj. është me të vërtetë thirrje e hapur për tradhti të hapur tashmë ndaj atdheut.

E gjithë kjo lidhet me një sërë pyetjesh themelore: a janë shqiptarët patriotë më shumë se ç’duhet,  apo përkundrazi,  janë ftohur me vendin e vet ?  A mos po e mbiçmojmë pa të drejtë veten dhe vendin e tyre,  a mos përkundrazi e përçmojnë pa të drejtë veten dhe atdheun,  me fjalë të tjera: a e duan këtë vend që u ka dhënë emrin qysh prej dy mijë vjetësh,  apo ëndërrojnë ta këmbejnë me një tjetër vend,  ëndërr e mbrapsht kjo që ka ngritur krye aty-këtu në kohën tonë ? Në prag të mijëvjeçarit të tretë,  shqiptarët janë të detyruar të nxjerrin ende mësime nga drama e tyre,  që ndodhet ende në zhvillim.

Në kushtet e një klime të ashpër ndërkombëtare,  kur ata,  i vetmi komb i ndarë tragjikisht në Evropë janë të detyruar të durojnë mospërfilljen botërore për gjëmën që u ka rënë në kokë, në kushtet e vetmisë së tyre,  të trysnisë së një propagande dashakeqe që e ka përbaltur imazhin e tyre në botë,  duke e paraqitur herë si popull të dhunshëm,  herë fondamentalist,  herë barbar e herë të lajthitur,  shqiptarët janë të detyruar,  midis të tjerash,  të bëjnë një zgjidhje e sqarim themelor në ndërgjegjen e tyre lidhur me patriotizmin.

Mendimit të mbrapshtë që e ngatërron patriotizmin me nacionalizmin,  që e paraqet antipatriotizmin si balsam kundër nacionalizmit,  ata duhet t’i përgjigjen me një JO të prerë.  Patriotizmi nuk është nacionalizëm dhe antipatriotizmi është po aq i rrezikshëm sa shovinizmi.

Ata që i japin shpesh këshillat kundër patriotizmit,  e kanë siguruar ndërkaq patriotizmin në vendet e tyre,  dhe si gjithë të velurit i lejojnë vetes luksin të nazetohen më të. Ndërkaq,  sovranitetin për vendin e tyre e kanë siguruar gjatë shekujve,  pa kursyer asgjë,  madje as forcën e armëve. Askush nuk shqetësohet në Francë kur presidenti e mbaron çdo fjalim me fjalët  « Rroftë Franca !»,  dhe askush nuk acarohet në ShBA kur në të gjitha meshat bekohen shteti amerikan,  presidenti i vendit dhe ushtria amerikane.

Le të pranojmë me trishtim se në krejt Gadishullin Ballkanik,  në kohën kur shumica e vendeve u përfshinë nga valët e egra nacionaliste,  te shqiptarët ndodhi e kundërta. Kjo ishte një rënie në kurth nga më të turpshmet për një komb. Ishte thënë që,  pasi u përpoqën t’i japin botës shembullin grotesk të popullit të parë pa fe në botë,  majmunët e vendit tonë u joshën nga mbrapshtia tjetër: të japin shembullin e popullit PA ATDHE.

Thyerja morale e popullsisë shqiptarë në këtë fund shekulli ishte një nga humbjet më të rënda të tij. Ajo ishte,  me sa duket,  rrjedhoja më tragjike e diktaturës cfilitëse komuniste në Shqipëri dhe e terrorit shtazarak serb në Kosovë e vise të tjera të Jugosllavisë.

Thyerjet morale janë të njohura në jetën e popujve. Ashtu siç janë të njohura ringritjet. Për t’u ringritur,  kombit shqiptar i duhet të tendoset e të nxjerrë nga thellësitë gjithë rezervat që ka skajuar aty,  ato rezerva,  që popujt,  sipas një teknologjie të lashtë,  i ruajnë për ditë të zeza e i nxjerrin në stinë fatkeqësish.

Raportet me atdheun zënë në këtë rast vendin kryesor. Shqipëria s’ka nevojë për ekzaltimë vulgare,  por aq më pak ka nevojë për përçmim. Mendimi se Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë tepër të himnizuar nga kultura shqiptare,  ndaj tani duhet t’i rrëzojmë në baltë për t’i sjellë në vete,  është doktrinë e antishqiptarizmit.

Kultura dhe mendimi i një populli qëndron gjithmonë në një lashtësi të shquar për ku përpiqet të tërheqë e ta ngrejë gjithë kombin. Dy shekuj më parë,  Gjermania e Gëtes dhe e Shilerit ishte shumë larg Gjermanisë së prapambetur e fshatarake e,  megjithatë,  askush nuk e cilëson mendimin gjerman si elitist ose ekzaltues.

Nisur nga kjo,  mund të thuhet pa droje se mendimi rilindës shqiptar,  ndonëse tepër i lartë në krahasim me gjendjen reale të popullsisë shqiptare,  ishte plotësisht i përligjur. Nga ana tjetër,  duke e pranuar nevojën e plotësimit të këtij mendimi me një vizion kritik e qortues (korrigjues),  duke e pranuar,  pra,  si të drejtë në thelb prirjen kritike të Konicës,  megjithatë në emër të një të vërtete madhore,  duhet thënë se kritika e tij kundërthënëse ishte në përgjithësi  e tepruar dhe e parakohshme.

Vetë ai e dëshmon këtë,  jo vetëm me atë pjesë të veprës së tij që është mbrujtur plot dashuri e përgjërim për Shqipërinë,  por edhe me veprimtarinë si ambasador i vendit të vet në ShBA,  detyrë që ai e kreu shkëlqyeshëm për një kohë të gjatë. Ambasadori me i kulturuar e më brilant i kohës në Uashington,  ai bëri çmos të paraqiste Shqipërinë e qytetërimin shqiptar në dritën më të mirë të tij,  duke e mbrojtur nga keqkuptimet e nga përçmimi,  që ajmé,  ishte ngritur disa herë vetë t’ia shprehte vendit e popullit që e kishte lindur. (f23-28)

Mbi  drejtpeshimin

Kombi shqiptar në këtë fund shekulli vazhdon  të përjetojë orën e ligë të tij. Ai është i goditur rëndë në trupin e vet,  ngaqë është i ndarë e i shpërndarë në tri shtete. Por ai ka marrë goditje psikike po aq të rënda,  në mos më tepër: ai është i thyer moralisht .

Ri ngritia morale e popullit shqiptar është aksioni më i ngutshëm në këtë kohë të rëndë. Ai është çelësi,  pa të cilin nuk mund të ndërmerret asnjë veprim tjetër shpëtues. Në qoftë se populli shqiptar do të vazhdojë ta përçmojë e ta përbaltë vetveten,  në qoftë se ai,  në mënyrë iracionale,  do të synojë drejt shpërnguljes,  qoftë nga trojet e tij në Kosovë,  qoftë nga trojet e shtetit shqiptar,  në qoftë së ai do të vazhdojë të ngrejë dorën kundër strukturave shtetërore të tij,  të çfarëdolloj ngjyre politike të jenë ato,  ai do të ecë drejt greminës.

Kahu i mbarë i një kombi nis nga ai vetë,  ashtu siç nis zezona e tij. Mendimi që kombi shqiptar do të ketë për vetveten,  në një mënyrë ose një tjetër do të rrezatojë e do të kthehet në një realitet. Imazhin e mirë ose të keq për një popull nuk mund ta krijojnë për një kohë të gjatë as zyrtarët e tij,  por as renegatët e tij;  atë s’mund ta krijojnë as nacionalistët e ekzaltuar,  por as vulgu i egër e i verbër. Aq më pak mund ta krijojnë atë diplomatët mëndje lehtë,  gazetarët e pabesë,  denoncuesit,  psikopatët dhe paranojakët e dehur për lavdi.

Njeriu shqiptar,  i lodhur nga kalimet e befta prej vetëmbrojtjes drejt vetë përbaltjes,  dhe e kundërta,  ka nevojë më tepër se kurrë për rifitimin e drejtpeshimit shpirtëror. Drejtpeshimi nuk ri gjendet duke përdorur përndezjen nacionaliste si kundërhelm ndaj vet përçmimin,  e aq më pak duke e përdorur këtë të fundit si balsam kundër kapardisjes. Për të shmangur kalimin  nga një dush i nxehtë në një dush të ftohtë,  njeriu shqiptar ka nevojë sot për orientim të saktë. Disa pyetje të thjeshta,  por themelore e bazë,  çohen sot përpara tij: ç’popull jemi ? Domethënë,  a jemi si të tjerët ?

  • A kemi mëkate për të larë, a kemi borxhe për të  paguar ?
  • A jemi vërtetë fatkeq apo ashtu na duket, apo ashtu na pëlqen të shfaqemi përpara vetes dhe botës ?
  • Të gjitha këto pyetje mund të formulohen në një motërzim edhe më të thjeshtë: ne shqiptarët, pas dymijë vjetësh ekzistencë,  tani në prag të mijëvjeçarit të tretë a i kemi ende aftësitë trupore e shpirtërore për të vazhduar të jetojmë si komb,  apo koha jonë ka kaluar ?

Pa rënë në kurrfarë optimizmi të kotë,  mund të thuhet pa droje se,  pikërisht sot,  shqiptarët,  pavarësisht nga lëngata që u ka rënë e përpiqet t’i vërë poshtë,  kanë shanset më të mëdha për të zënë përfundimisht vendin që prej kohësh e kanë merituar në familjen e popujve. Madje,  kjo lëngatë e kjo krusmë e tmerrshme është ndoshta shenja më e sigurt për një të ardhme plot shpresë. Në jetën e shumë popujve janë të njohura këto gremina,  pas të cilave kanë ardhur ngritjet,  disa herë marra mëndëse. 

Le të kthehemi te pyetjet e thjeshta themelore. Fati,  ndonëse na është bërë zakon ta mallkojmë,  na ka caktuar ne shqiptarëve të jetojmë në një nga zonat më të bukura të Evropës. Evropa vetë,   ndërkaq së bashku me ShBA-në,  është tani për tani lagja më luksoze e botës. Ne harrojmë shpesh këtë,  harrojmë që ky vend,  sharjet ndaj të cilit i kemi në maj të gjuhës,  ky vend  pra,  i vendosur midis Venedikut,  Romës e Athinës ka një përbërje  gjeografike të mrekullueshme,  se ai ka një klimë të admirueshme,  se ka pasuri natyrore të shumta,  se ka ndoshta plazhet më të bukura të kontinentit. Ne harrojmë ç’do të thotë ankthi shekullor i vendeve që nuk kanë dalje në det,  pa përmëndur vendet e izoluara në thellësi të kontinenteve,  pa përmëndur trojet e gjëra të kësaj bote të mbushura me shkurre,  shkretëtirat e trishtim,  e që mbulojnë tri të katërtat e rruzullit tokësor. Në i harrojmë këto dhe,  me qënëse jemi midis një kopshti plot me shtete pasanike,  na pëlqen të qahemi që nuk jemi si ata.

Ne vuajmë nga kompleksi i vogëlsisë dhe harrojmë se shtati i popullit shqiptar,  pavarësisht nga prerja e trojeve të tij,  nuk është aspak i vogël në këtë gadishull,  se ai është përafërsisht i barabartë me shtatin e grekëve,  të serbëve e të bullgarëve. Përsëritja gjer në lodhje e shprehjes « Shqipëri e vockël »,  « popull i vogël »,  s’është veçse shprehje e një dëshire për të fshehur për tkurrjen e më tejshme të këtij populli.

Ndërkaq,  porsa diku del në pah ndonjë mendim,  ndonjë program ose ndonjë pyetje:  përse shqiptarët,  ndryshe nga popujt e tjerë,  duhet të jetojnë të ndarë,  aty për aty harrohet përçmimi për vogëlsinë dhe kumbon shprehja « Shqipëria e madhe » . Kjo shprehje përsëritet më një farë tmerri,  si diçka e rrezikshme,  thua se në këtë botë vetëm 8 osë 9 milionë shqiptarët po të jetojnë bashkë bëhen të rrezikshëm për botën !

E ndërkaq,  askush nuk thotë,  sipas kësaj logjike,  se 90 milion gjermanët e bashkuar janë të rrezikshëm,  e aq më pak askush nuk thotë se 250 milion rusët,  bashkë me bombat e tyre bërthamore janë kërcënim për të tjerët.

Në qoftë se s’duhet të vuajnë as nga kompleks i «vendit të mallkuar »,  as nga ai i vogëlsisë numerike,  shqiptarët aq më pak kanë njohur kompleksin e racës.  Jo vetëm që në botën e sotme të çliruar nga paragjykimet raciste ata paraqiten një popull i shëndetshëm,  si gjithë të tjerët,  por edhe në kushtet e dallimeve e doktrinave raciste,  duke qenë ndër të rrallët popuj të Evropës që nuk u prekën,  përkundrazi u lajkatuan prej këtyre doktrinave,  shqiptarët,  vetvetiu mbetën  jashtë këtij trazimi.

Merita e tyre është se ndërkaq ata nuk u dehen nga lajkat raciste dhe përveç theksimit ndoshta të kapardisjes,  teoria e racave s’pati pasoje në Shqipëri. Në sferën shpirtërore,  në zotërimin apo krijimin e vlerave,  shqiptarët s’kanë pasur kurrë arsye t’i kenë lakmi apo smirë të tjerët,  aq më pak kanë arsye sot për një gjë të tillë.

Shqiptarët janë krijuesit e bartësit e një prej gjuhëve themelore të njerëzimit,  një gjuhë që ka vendin e saj të paluajtshëm midis dhjetë-dymbëdhjetë gjuhëve kryesore të botës. Një nga vendet e para të krishtera të Evropës,  Shqipëria ka qenë rrjedhimisht truall fillestar i qytetërimit perëndimor evropian. Nga himni i madh i krishtërimit « Te Deum »,  i shkruar nga një peshkop shqiptar mbi një mijë e pesëqind vjet më parë,  të mbrojtësit te qytetërimit perëndimor,  Gjergj Kastrioti,  personazhi më sublim e më i njohur në botë,  jo vetëm i shqiptarëve,  por i krejt popujve të Ballkanit,  i cilësuar si « atlet i Krishtit »,  e gjer te murgesha shqiptare Nënë Tereza,  gruaja shqiptare më e famshme e botës së sotme,  kalon si një fill i ndritur dëshmia e këtij qytetërimi,  kaq shumë e kaq me këmbëngulje të mohuar nga dashakeqët e kombit shqiptar.

Dhe kjo është e kuptueshme: duhej fshirë kjo dëshmi për t’iu hapur rruga shpifjeve e shtrembërimeve të përbindshme,  për të ardhur gjer të teza e mbrapshtë se shqiptarët,  jo vetëm s’kanë të bëjnë me qytetërimin evropian,  por janë varrmihës të tij. Gjithashtu në këtë logjikë të mbrapshtë shpjegohen sulmet që iu bëhen vitet e fundit,  prej vetë renegatëve shqiptarë tashmë,  pikërisht gjuhës shqipe,  figurës sublime të Gjergj Kastriotit,  i cili u quajt « hajdut kuajsh dhe agjent i italianëve »,  si dhe krejt traditës kulturore shqiptare të djeshme e të sotme.

Paroksizmi i këtyre sulmeve ishte  pranvera e vitit 1997,  kur turmat e vulgut shqipetar,  të nxitura,  veç të tjerash edhe nga këta intelektualë renegatë,  u vunë  kazmën dëshmive të çmuara të qytetërimit shqiptar,  arkivave,  teatrove antike,  muzeut Gjergj Kastriotit !

Për të vazhduar me vlerat shpirtërore të krijuara nga ky popull,  le të kujtojmë poezinë orale shumëshekullore,  kodet zakonore,  ritet antike,  muzikën,  koreografinë,  kostumet e mahnitshme,  për të ardhur gjer të letërsia shqipe.  Kjo e fundit,  duke u futur në klubin e zgjedhur të letrave të mëdha të botës,  u bë veçanërisht e bezdisshme për ithtarët e tezës së shqiptarët janë të paaftë për kulturë. Ndaj,  ashtu si krejt qytetërimi shqiptar,  ajo do të pësonte sulmet e dëshpëruara e vulgare të anti shqiptarizmit. Në këtë rast do të ndodhin veprime të turpshme,  që asnjë vend,  sadopak dinjitoz,  nuk do t’i lejonte kurë sesi. Endacakë të huaj,  ata që s’i njeh kush e nuk i pyet kush në vend të vet,  mësues fshati nga Kalabria apo nga Gjermania e jugut ftohen në Shqipëri për të hedhur baltë mbi letërsinë shqipe e kulturën shqiptare.

Ky racizëm kulturor antishqipetar,  i pa shembullt  në botën e sotme,  u bë i mundur për shkak të kundër patriotizmit shqiptar. Të dy ishin ndër faktorët themelor që mundësuan rrënimin në mënyrë të turpshme të shtetit shqiptar,  të ushtrisë,  të policisë e të krejt ngrehinës shtetërore.

Racizmi kulturor antishqipetar merr pamje edhe më të shëmtuar e të papranueshme,  kur kujtojmë se vetë shqiptarët s’kanë kurrfarë përçmimi ndaj kulturës së të tjerëve. Mungesa e racizmit dhe e shovinizmit të shqiptarët,  pjellë e natyrshme e mendësisë së tyre të hapur e miqësore ndaj të huajve,  ndaj mikut,  bashkë me tolerancën fetare,  tolerancë e thellë,  e vërtetë,  e pa pudrosur nga kurrfarë  konformizmi,  janë,  ashtu siç u tha më lart,  cilësi të tjera themelore,  që dëshmojnë për një nivel qytetërimi të këtij populli  kaq të sulmuar për të kundërtën.

Për fat të keq,  ashtu si të gjithë popujt,  shqiptarët kanë cenet dhe veset e tyre,  po aq të forta,  ndoshta sa virtytet,  po ajmé,  me spektakolare se ato.

Ndryshe nga hebrejtë e disa popuj të tjerë,  që janë solidarë e të lidhur me njeri-tjetrin,  shqiptarët mezi ç’presin rastin për t’u përçarë. Natyra e tyre tejet individualiste është  xehë e pafundme për të pjellë egoizmin,  ambicien,  smirën dhe etjen për karrierë. Këndej rrjedh vaniteti,  kapardisja e neveritshme e sedra e sëmurë.

Këto cilësi të natyrës njerëzore që ndeshen kudo,  bëhen veçanërisht të rrezikshme  të shqiptarët,  për shkak të traditës së shkurtër të jetës nën një shtet shqiptar.  Prej tyre rrjedh  një keqkuptim tragjik për lirinë dhe për shtetin . Pa u pajtuar dot me atë ligj themelor që lirinë e njeriut të veçuar e vë detyrimisht në raport me lirinë e të tjerëve,  shqiptari shpesh  e ka të vështirë të kuptojë se liria njerëzore,  ndryshe nga liria absolute e kafshëve,  është madhështore pikërisht ngaqë është e vështirë,  domethënë e kufizuar nga ligji.  Këtej vijnë keq kuptimet  për demokracinë,  për vetë shtetin dhe ngrehinat e tij.

Koncepti  i gjymtë për shtetin,  zbehja e tij përpara tërheqjes fisnore apo klanore e çon disa herë në konceptin po aq të gjymtë për kombin,  kur krahinorizmi kthehet në rival të kombit.  Kjo është kushtëzuar,  me sa duket,  nga jetesa shumëshekullore nën Perandorinë Osmane,  pra,  nën një shtet që nuk ishte i tyre,  rrjedhimisht ndaj të cilit s’mund të kishin as nderim e as dhembshuri,  Periudha e Pavarësisë,  ajo e Republikës në fillim e pastaj ajo e Mbretërisë,  ishte relativisht e shkurtër,  kurse gjatë sundimit të egër komunist,  koncepti i shtetit  u zbeh përsëri nën peshën e diçkaje të parrokshme,  të huaj e,  në fund të fundit,  të shpëlarë prej çdo ngjyrimi kombëtar,  që  ishte Partia Komuniste. (f38)

Shqipëria drejt ri ngritjes

Poetika shqiptare,  qoftë ajo e lashta,  popullorja,  qoftë ajo e poetëve të mëvonshëm,  ka krijuar dy klishe bazë për cilësimin e Shqipërisë. Në poezinë gojore,  Shqipëria quhet zakonisht « nuse ». Për poetët shqiptare ajo është më tepër « zonjë ».

Është me interes të hetohet se ç’fshihet prapa këtij emërtimi të ndryshëm. Me sa duket,  për këndvështrimin popullor Shqipëria është ende e re,  pra « nuse » dhe si e tillë ajo e ka jetën kryesisht përpara. Për poetët,  duke qenë « zonjë e rëndë »,  ajo e ka jetuar shkëlqimin e saj. Madje Fan Noli shkon edhe më larg kur e quan « vejushë »,  « e ve,  e gjorë mbretëreshë pa kurorë ».

Kemi të bëjmë me dy trajtime,  njeri drejt së ardhmes,  tjetri drejt së shkuarës. Naimi në vjershën « Shpreh » u përpoq t’i bashkonte të dyja në vargjet:

« Lum kush të rrojë,  ta shohë zonjë ».

Ndërkaq,  duhet thënë se të gjithë poetët që e përfytyruan Shqipërinë si zonjë,  e bënë këtë me qëllim fare të hapur: t’i nxisin shqiptarët t’i kthejnë dinjitetin e nderin e humbur,  pra ta ribëjnë « zonjë »,  siç ka qenë dikur.

Po a ka qenë ndonjëherë Shqipëria «zonjë ? E bërë ndryshe,  pyetja do të tingëllonte kështu: Kush ka të drejtë,  populli apo poetët ?

Me fjalë të tjera,  ka qenë nuse apo zonjë Shqipëria ? Apo,  edhe nuse edhe zonjë ? Me sa duket,  është kjo e fundit që do të mbetet. Edhe nëse nuk ka qenë zonjë në realitet,  ajo ka qenë e tillë në trurin e poetëve të saj. Pra,  në një realitet po aq të fortë,  sa edhe ai që shpaloset trupërisht përpara nesh .

Poetët shqiptarë,  në të vërtetë,  duke e quajtur Shqipërinë zonje,  u nisën nga një shestim,  nga një projekt i së ardhmes. Ata krijuan imazhin e saj,  atë që duhej të vinte dhe,  për ta bërë sa më të besueshëm atë imazh,  për t’u dhënë shpresë bashkëkombësve të vet,  ngulnin këmbë që kjo nuk është një shajni,  një fantazmë,  por përsëritje e një të kaluare.  Me imazhin e « zonjës » ata luftuan një portretizim të tretë të Shqipërisë,  një pamje të përbaltur,  të pjellë nga vulgu shqiptar: atë të « Shqipërisë së mallkuar »,  të « Shqipërisë kuçkë »,  të Shqipërisë së sëmurë. Ishte ky imazh që u shfaq si një ethe e keqe vitet e fundit,  sidomos në marsin e zi të vitit 1997.

Poetët shqiptarë,  sidomos rilindësit,  e njihnin mirë këtë cen të njeriut shqiptar: kalimi nga përndezja e entuziazmi në ligështim shpirtëror.  Ndaj ata,  me të gjitha kambanat,  donin të mbanin lart moralin shqiptar.

Thyerja e këtij morali në vitet 90,  ishte kambana e zezë që paralajmëroi rrezikun e thyerjes në mes të krejt kombit shqiptar. Ri ngritja e Shqipërisë nuk mund të fillojë veçse nga ngritja e moralit,  pra nga shëndoshja shpirtërore e saj. Populli shqiptar duhet të bëjë që të heshtin qyqet,  që tash ca kohë po i para ndjellin veç fatkeqësi dhe vdekje. Ato qyqe duhet të heshtin,  në radhë të parë,  brenda tij e pastaj,  natyrisht,  rreth e rrotull. Shëndoshja shpirtërore do ta qetësojë nervozizmin e tij të skajshëm,  që nuk është veçse një shenjë lodhjeje. Kjo do të bëjë që mendësia e tij të kthjellohet e të jetë e aftë të shestojë strategjinë e tij themelore: Jetën e përbashkët në atdhe.

Ky qëllim madhor është aspirata më e ligjshme për një popull. Asnjë,  asnjë manipulim apo tregti politike,  asnjë trysni shtetesh,  lobesh,  apo organizmash ndërkombëtarë nuk mund ta pengojë kombin shqiptar të kryejë atë që të gjitha kombet e tjera të Evropës,  plotësisht apo gati plotësisht,  e kanë kryer: bashkimin e tyre.

Me këtë akt,  populli shqiptar nuk synon asgjë të pazakontë e nuk kërkon asgjë të veçantë: ai kërkon veç normalitetin e vet. Ky normalitet është dhunuar pa mëshirë e ai duhet të qortohet.

Në familjen e popujve evropian kombi shqiptar është i vetmi sot që është shënjuar për të keq. Ndërsa të gjithë ecin në një mënyrë normale,  ai,  i prerë mizorisht,  është i detyruar të bëjë rrugën si një i gjymtuar. Një njeri i vetëm,  që lëçitet (ndahet) kështu nga të tjerët,  egërsohet,  e jo,  madje,  një popull i tërë. Populli shqiptar as ka kryer krime e as ka faje për të larë përpara botës. Ndonëse ka dymijë vjet që ekziston në këtë botë,  ai as ka sulmuar kënd,  as ka pjellë doktrina për zhdukjen e të tjerëve.

Shprehje të tilla si “Shqipëria e madhe” janë një tallje e një cinizëm i pashembullt në botën e sotme. Shqipëria e tkurur në 28 000 kilometrat e saj,  është e kërcënuar të fajësohet si « e madhe »,  në qoftë se do të arrijë 45000 ose 50000 kilometra,  e shteteve të tjera,  me shtrirje të përbindshme prej miliona kilometrash katrorë,  shtete që kanë bërë krime të frikshme ndaj botës,  që kanë pjellë teori të zeza si murtaja,  që kërcënojnë njerëzimin më  armë bërthamore,  nuk quhen « të mëdha ».

Si organizmi që kërkon jetën e vet natyrale,  kombi shqiptar kërkon normalizimin e vet trupor e shpirtëror. Pengimi i tij është thjesht një krim. Ndihma që mund t’i jepet është detyrë humane dhe historike.

Kombi shqiptar,  pavarësisht nga imazhi i shfytyruar që jep,  ka shumë rezerva dashurie e sinqeriteti në brendësinë e vet. Evropa e sotme,  sado e kompletuar të duket,  ka gjithmonë nevojë për dashurinë e popujve të vegjël,  shpesh të harruar.

Mijëvjeçari i dytë ka qenë për shqiptarët tepër i rëndë. Në këtë mijëvjeçar dy shekuj kanë qenë vazhdimisht tronditës për të: i pesëmbëdhjeti dhe i njëzeti. Në të pesëmbëdhjetin ata humbën lirinë,  e rifituan,  për ta humbur përsëri. E megjithatë,  ata dolën nga ky shekull me një ngarkesë shpirtërore heroike që do t’i ushqente gjatë pesë shekujve pushtimi të Perandorisë Osmane. Në shekullin e njëzetë,  historia e tyre ishte edhe më e trazuar dhe aspak fatlume. Janë të gjitha gjasat që mijëvjeçari i tretë,  pavarësisht nga tronditja e sotme e Shqipërisë,  të fillojë mbarë. I mbarë për ata që,  ndonëse e kanë quajtur vetën « bij të shqipes »,  gjer më sot nuk janë ngjitur dot kurrë në lartësinë e dëshiruar,  veç në ëndrrat e tyre. E megjithatë,  ndonëse krahët disa herë u janë thyer,  ata ende vazhdojnë ta quajnë veten njëlloj si më parë. Kjo këmbëngulje dëshmon,  në fund të fundit,  besnikëri ndaj kodit të moçëm dhe dëshirë për t’iu bindur urdhrit të tij.  (f 41- 46)

*Kombi Shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë- Onufri 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: Ismail Kadare, Miti i katastrofës

91- vjeçarja Gjela Gjikola bën thirrje për humanizëm

December 1, 2016 by dgreca


1-help
Nga Fatbardha Saraçi (Mulleti)-studiuese/

Një bisedë me të moshuarën znj. Gjela Gjikola e cila është në moshën 91- vjeçare. Të përshkruash një të moshuar nuk është e thjeshtë se mosha e mbush fytyrën me rrudha, por ajo që të bën përshtypje është forca jetësore e saj, mendja e saj e kthjellët, sytë e kaftë që të shohin me ngulm, vetullat të harkuara dhe sipër tyre një shami e zezë e lidhur mbi kokë, karakteristikë e femrës mirditore, e trashëguar brez pas brezit, në shekuj e shekuj. Trupin e mban drejt dhe ka udhëtuar në drejtim të qytetit të Shkodrës për vizitë tek një mbesë e saja.

1-dy-kunatat

Ishte dita 28 nëntorit…

Gjatë bisedës ajo më tregon: -Jam e datëlindjes 1925, kam lindur në Perlat, jam e bija e z. Gjetë Macaj. Jam fejuar 13 vjeçe dhe martuar 20 vjeçe. Jam bashkëshortja e Prengë Gjinit. Bashkëshorti im Prenga ishte një burrë i pashëm, i veshur bukur, shtatlartë, i qeshur, i binte çiftelisë dhe kendonte bukur. Ai ishte plot gjallëri, në qafë i varej një zinxhir i artë me sahat dhe në shtëpi kishim gramafon që dëgjonim muzikë.Kishte një dyqan që furnizonte fshatin me ushqime e veshmbathje fshatin Selitë e Gjetaj….1-preng-gjikola

Ne Foto: Prengë Gjini, bashkeshorti i Gjele Gjikolaj, qe edhe sot nuk i dihet se ku e ka varrin/

1-gjele-gjikolaj

NE FOTO: Gjele Gjikolaj/

Ishim të lumtur… Unë jetova vetëm 4 vjet me burrin tim. Në vitin 1948 u largua nga fshati bashkë me vëllezërit e kushërinjtë, se ndiqeshin nga forcat e ndjekjes. Bashkëshorti im Prengë Gjikola, dy kunetërit e mij Biba dhe Ndreka dhe shumë burra të tjerë të fshatit, por edhe të zonës u larguan. Ky është momenti i fundit që jemi parë në zonën e Selitës… Ikën dhe nuk u panë më, nuk dihet ! Ikën për të mos u kthyer kurrë… Asnjëherë nuk mësuam ku përfunduan gjithë ato burra.  As sot e kësaj dite. Kështu që dhe unë nuk mora ma asnjë lajm nga bashkëshorti im. Ky është momenti i fillimit të vuajtjeve së familjes, i imi, i vjehrrit të moshuar dhe kunatës Mrika.

 

 

 

Unë sapo kisha lindur vajzë dhe i vura emrin Dila, ndërsa kunata ime ishte shtatzanë. Erdhi policia dhe na mori ashtu siç ishim dhe për tre javë na mbajtën të mbyllur me çelës, në një dhomë të vogël, në fshatin Bardhaj-Mirditë. Na nisën në këmbë nga fshati për në Përlat  qendër dhe më pas në Burrel. U detyruan të na ndalnin në një banese të rastit në fshatin Perlat, se kunatës i erdhën dhimbjet e forta të lindjes… Aty lindi vajzën, të cilës i vuri emrin Prena. Dhe për çudi, të nesërmen edhe pse sapo kishte lindur, ata e morën me një kalë dhe e dërguan në Perlat… Unë ecja e ecja me foshnjën e vogël në krah, përkrah kisha vjehrrin e moshuar. Në burgun e Burrelit na mbajtën tre muaj dhe më pas na liruan. Më shumë mundime duke ecur në këmbë, në borë dhe në akull, mezi mbërritëm të gjallë në shtëpi, në Kurbnesh. Vetëm një ditë qëndruam në shtëpi, pasi erdhi përseri policia dhe na dërgoi në kampin e internimit në Turan të Tepelenës.

Jeta në kapanone ku ishim të grumbulluar me qindra familje, nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, dëgjoheshin të gjithë dialektet. Në kapanone jeta ishte shumë  e vështirë, në veçanti mungonin kushtet për një jetesë normale, ushqimi bëhej në kazanë dhe ishte vetëm lëng me oriz e bullgur të mykur… E kisha shumë të vështirë rritjen e vajzës. Si unë me fëmijë, ishte kunata ime dhe shumë nuse të reja…

Na përdorën për transportimin e drurëve nga mali i Turanit në qendër të qytetit. Të ngarkuara me drurë ecnim e ecnim…Punova me gratë e familjes Miraka të Bilal Kolës, me znj.Hajrie Mulleti, me gratë e familjes Mëlyshi, dhe familja e Muharrem Bajraktarit e shumë të tjera.

Shoqet e mia të vuajtjes i mbartnin drurët në krah, por iu dëmtohej supi, kishin dhimbje të mëdha… Transportimi i drurëve ishte një torturë më vehte. I ndihmoja qytetarët duke ja lehtësuar ngarkesën, se unë i kisha ngarkuar në kurriz. Kur ktheheshim në kazermë ishim të lagura deri në palcë dhe s’kishim me se të thaheshim. Nuk kishim të drejtën e ngrohjes në kapanon.

Njerëzit vuanin nga uria..Kam parë njerëz të vdisnin nga uria. Fëmijë të coptoheshin nga shpërthimi i minave që ishin në territorin e kampit. Nata në kapanon ishte një tmerr, nuk kishte ndriçim dhe s’kishte të mbaruar errësira dhe të ftohtit. Në internim punova punët më të rënda dhe me një ushqim të pakët, vajza u bë tre vjeçe… Kështu kaluan tre vjet…

Ra epidemia në kapanon, thanë se është sëmundja e tifos. E para u sëmur vajza e kunatës, Prena e vogël, e dërguan deri në Gjrokastër për kurim, por e kthyen pa jetë.

Ndërsa tre javë më vonë m’u sëmur vajza ime Dila… Kishte temperaturë të lartë… më kërkonte ujë…, buzët i kishte të thata, më sollën shoqet e vuajtjes pak ujë dhe i’a laga gojën me pika, pika uji… Nuk kisha mundësi t’a mjekoja. Nata, errësira… duke zbardhur dita, vazja ime i mbylli sytë përjetë.  M’u fik e vogla ime ndër duar. Zemra më pikonte gjak. Më vdiq shpresa ime, që mendoja t’a rrisja dhe t’a gëzoja.

Në kapanon vajtohej…, shumë të reja humbën fëmijët. Vajzat e vogla i varrosëm pranë njëra-tjetrës, në afërsi të kazermave. Si shënjë dalluese ishte një varr monumental i një ushtari italian që ishte vrarë aty.

Katër vjet më mbajtën në kampin e Tepelenës deri në vitin 1952. Me ne ishin të internuar dhe shumë familje nga zona e jonë si familja e Nikolla Mark Tuci- i internuan katër pjestarë të familjes, gruan, djalin, vazjën dhe nusen dmth e reja.

Preng Dedë Gjomarkaj ishte në burg, por familjen ia internuan në Tepelenë, nanën e tyre Mrika e Preng Dedëgjomarkaj dhe djemtë Filip e Gasper. Nusja –Dava e Zef Shytit ( dmth dhe ky u largua bashkë me burrat e familjes dhe nuk dihet asgjë për të) ishte shtatzënë kur e internuan. Lindi fëmijën në kapanon. U grumbulluan gratë mirditore, e rrethuan nusen që po lindte, i hapen fundet e tyre të bardha, i lidhën duart me njëra-tjetrën dhe e veçuan nga pjesa tjetër e kapanonit. Lindi foshnja por lehonës i vdiq fëmija.

E internuar ishte dhe Mrika e Shyt Markut dmth vjehrra e nuses që lindi, bashkë me të ishin dhe tre djemtë e saj, më i vogli ishte 13 vjeç. Ishin nga fshati Bardhaj i Mirditës.

Nga fshati Mërkur- Selitë, e internuar Dila Preng Gjini (të cilës i kanë humb djemtë; Ndue Prenga, Lazëri dhe Vlashi) plaku Preng Gjini dhe reja- Mara e Ndojt ishte pa fëmijë.

E internuar Prenda e Lec Lufit me vajzën e saj Liza që ishte 15 vjeçe (Ndrec Lufi dhe djemtë nuk dihej ku ishin).

Familja e Ndue Lalës nga Mali i Bardhë i Kurbinit i ishte internuar e gjithë familja.

Familja e Ndue Pergegës nga fshati Krezës afër Krujës (që e kishin pushkatuar) i internuan familjarisht (burra, gra e fëmijë).

Mara e Frrok Dedë Lleshit nga fshati Ndërfushaj –Mirditë, e internuar me të tre djemtë, 2 vajza dhe e reja. Njëra nga vajzat i ka vdekur rrugës, kjo ndodhi në vitin 1952.  

Mara e Marka Jakut prej Lezhe e internuar me pesë pjestarët e familjes dhe dy mbesat.

Na lanë të lirë të iknim. Së bashku me vjehrrin dhe kunatën u liruan dhe një grup mirditorësh, që ishin dhe ata në kampin e Tepelenës. Kemi udhëtuar për tetë ditë në këmbë deri në Kurbnesh… Në këtë udhëtim të lodhshëm… vdiq vazja e vogël. Mbeta vetëm me kunatën, kemi jetuar e punuar bashkë. Tani jetojmë me pension.

Pas 55 vitesh !

Ajo tregon- nuk mund të vdisnim pa gjetur eshtrat e dy vogëlusheve që na vdiqën në internim. Për shumë kohë kemi menduar gjatë nëse do të mund të shkonim pikërisht në atë vend, i cili është shumë larg nga Mirdita. Por më në fund ajo ndodhi. Së bashku me të afërmit e mi dhe me ndihmën e Komunës së Kurbneshit, mundëm ne dy kunatat, të mbërrinim në atë vend. E gjithë zona kishte ndryshuar, madje dhe lapidari që e kishim piketuar si shenjë, nuk ekzistonte.

Por ama vendin e kujtuam dhe e njohëm. Iu referuam shenjave të tjera, por mbi të gjitha instiktit të nënës. Pas disa gërmimeve u bë e mundur gjetja e eshtrave të fëmijëve të varrosur para 55 vitesh.

U bë sistemimi i tyre në arkivole të vegjël dhe ne dy kunatat- punuam veshjet e tyre si nuse, me kostume të vogla mirditore, dy arkivolët i mbuluam me flamurin kombëtar. I vendosëm arkivolat në oborrin e shtëpisë ku jetojmë. E gjithë zona është mbledhur për ngushëllim.

Ajo vazhdon rrëfimin e saj- E prita bashkëshortin tim gjithë jetën, me shpresën se ishte gjallë, me mendimin se është diku…!

Në kohën e diktaturës i drejtuam një letër (ne dy kunatat) sekretarit të partisë së PPSH, por në përgjigje na drejtuan tek Kadri Hazbiu- Ministër i Brendshëm. Shkuam  (ne dy kunatat e pandashme) dhe folëm: -Jemi nga Mirdita- Gjelë e Mrikë Gjikola, kemi qenë në internim, nuk dimë se ku i kemi burrat.

Shoku Kadri Hazbiu na tha:- I keni si pëllumba, por nuk janë për Shqipëri ma. Shteti i din, ju mos i prisni. Kunata ime Mrika Gjikola tha: Në rast se janë gjallë, unë shkoj e i përgëzoj, vetëm të jenë gjallë, vetëm të jetojnë…

Por s’na tha më shumë.

E gjitha jeta më kaloi duke pritur bashkëshortin tim, njeriun e zemrës, i kalova të nëntëdhjetat… U dënova me internim pa bërë asnjë faj, më vdiq vajza trevjeçare në kampin famëkeq të Tepelenës, një kamp i rrethuar me tela me gjemba dhe që ruhej me roje të armatosur, më punë të detyruar pa shpërblim, që e quaj kampi çfarosës i Tepelenës…Tash jam e moshuar 91- vjeçare, e vetme, deri tashti s’kam marr asnjë vlerë monetare për punën e bërë në internim. Dhe sa mund të pres unë ?!- mbyll rrëfimin e saj.

Apel për humanizëm !

Zonjë e nderuar- iu përgjigja unë- gëzohem që të takova, të jam mirënjohëse që ndave dhimbjen me mua, por unë vetëm shkruaj dhimbjet e juaja, këto i kam paraqitur në libin Dhimbje në tre vëllime, që brezi i ri të mos harrojnë të kaluarën sepse ajo nuk na harron ne. Një e keqe që harrohet përseritet në forma të tjera.

I bëj thirrje opinionit publik si nënë, si shqiptare, si mund t’i lehtësohet dhimbja një e zonje 91 vjeçare ?!

nëntor 2016

Filed Under: Komente Tagged With: 91 vjecarja, Fatbardha Saraci Mulleti, Gjela Gjikola, humanizem, thirrje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 61
  • 62
  • 63

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT