
-Kuvendi i Kosovës miraton rezolutë për të ardhmen me Forca të Armatosura/

PRISHTINË, 14 Shkurt 2017-B.Jashari/ Kuvendi i Kosovës pas një debati parlamentar sot pasdite në lidhje me Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe të ardhmen e tyre miratoi sonte një rezolutë unaniumisht nga 68 deputetët e pranishëm në seancën plenare.“Qeveria e Kosovës autorizohet që sa më parë të koordinojë dhe të procedojë në Kuvendin e Kosovës për miratim Strategjinë për transformim të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës”, thekson fillimisht rezoluta. “Duke shprehur solemnisht përkushtimin e paalternativë për integrimin në Organizatën e Paktit Veriatlantik NATO, Kuvendi i Kosovës, qeveria e Kosovës dhe mekanizmat institucionalë të bashkërendojnë angazhimin për harmonizimin e përpjekjeve të përbashkëta me NATO-n dhe SHBA-në për zhvillimin e kapaciteteve opreacionale konform mandatit të ri të Forcave të Armatosura të Kosovës”, përfundon rezoluta dypikëshe.Gjatë debatit të zhvilluar, kryeministri Isa Mustafa tha se Kosova ka plotësuar kushtet që të ketë ushtrinë e saj.“Unë vlersësoj se Kosova është shtet që është pranuar nga 113 vende, i ka të gjitha institucionet shtetërore dhe i ka plotësuar poashtu kushtet që të ketë forca të armatosura siç i kanë edhe vendet tjera”, theksoi kryeministri Mustafa.

-Norvegjia është shteti i 34-të që ka njohur Kosovën në 28 Mars të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt, të njohur deri tani nga 113 shtete anëtare të OKB-së/
Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Borge Brende, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve si dhe zhvillimet në Kosovë dhe rajon.Duke e falënderuar për përkrahjen e madhe të Norvegjisë, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit në shumë fusha, me theks të veçantë në ekonomi. “Kosova ofron kushte të shumë të favorshme për investitorët norvegjezë të cilët mund të shfrytëzojnë edhe Ligjin për Investime Strategjike, që tashmë ka hyrë në fuqi, që të jenë sa më prezentë me investimet e tyre shumë të mirëpritura në Kosovë”, tha kryeministri, duke shtuar se Norvegjia ka qenë dhe mbetet partner i rëndësishëm i Kosovës.Më tej, kryeministri Mustafa e ka njoftuar për proceset tjera në Kosovë, për rrugën euroatlantike të Kosovës si dhe për zhvillimet në rajon dhe më gjerë.Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e qeverisë së Kosovës për fuqizimin e subjektivitet ndërkombëtar, për proceset evropiane, si dhe avancimin e marrëdhënieve të mira me të gjitha shtetet fqinje.Ministri i Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Borge Brende, shprehu përkrahjen e mëtejme të Norvegjisë për Kosovën, në shumë fusha.Duke vlerësuar progresin e arritur deri më tani në Kosovë, ministri Brende, shprehu vullnetin e Norvegjisë për fuqizimin e bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve ndërmjet dy shteteve.Gjatë takimit, u bisedua edhe për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë në fushën e drejtësisë, ekonomisë, në fushën e barazisë gjinore si dhe në fusha të tjera.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti poashtu sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Borge Brende, me të cilin bisedoi për raportet që të dy shtetet kanë ndërtuar midis tyre, si dhe për mundësitë e zgjerimit të mëtejmë të tyre, në interes reciprok.Kryetari Veseli e njohu kryediplomatin norvegjez me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në veçanti me jetën parlamentare.Veseli e falënderoi Brende për mbështetjen që Norvegjia i ka dhënë Kosovës në faza të ndryshme, ndërsa theksoi nevojën që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen, si në forcimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik, ashtu edhe procesin euro-integrues dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.Marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore me Norvegjinë, Veseli i konsideroi si vlerë të veçantë për Kosovën, të cilat, sipas tij, kanë ndikim pozitiv në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.Ministri i jashtëm norvegjez, Borge Brende, nga ana e tij, shprehu kënaqësinë e veçantë që gjendet për vizitë në Kosovë dhe për zhvillimet pozitive në vendin tonë.Kreu i diplomacisë norvegjeze konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së shtetit të tij për Kosovën dhe aspiratat e saj euro-atlantike, duke e konsideruar këtë si rrugën e vetme për të gjithë rajonin. Ministri i Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Børge Brende, po viziton sot Kosovën, ku në takimet e zhvilluara gjatë pasditës në axhendë është edhe pritja nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.Pas takimit, ministrat Hoxhaj dhe Brende do të mbajnë konferencë të përbashkët shtypi në ambientet qeverisë së Kosovës.Norvegjia është shteti i 34-të që ka njohur Kosovën në 28 Mars të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt, të njohur deri tani nga 113 shtete anëtare të OKB-së.

