• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2017

Kosovë-Situata në Mitrovicë, interpelancë në Kuvend

February 6, 2017 by dgreca

1 Interpeleance

-Në seancën plenare të Kuvendit do të ketë edhe një debat për të ardhëmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës/

PRISHTINË, 6 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Interpelanca e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë, do jetë një nga më shumë se 20 pikat e axhendës së seancës së ardhëshme të Kuvendit të Kosovës, e cila u caktua për të enjten, sot në mbledhjen e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, paralajmëroi se për shkak numrit të madh të pikave të rendit të ditës, mbledhja e të enjtes pritet të vazhdojë të martën dhe të mërkurën e javës së ardhshme.

Në seancën plenare të Kuvendit do të ketë edhe një debat për të ardhëmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në red dite do jetë edhe shqyrtimi i Axhendës për Reforma Evropiane, si dhe disa preojektligje, mes të cilëve ai për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, si dhe Projektligji për plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Në mbledhjen plenare, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi pritet të votojë propozim-rezolutën në lidhje me organizimin e arsimit parashkollor, parafillor dhe parauniversitar në Kosovë dhe propozim-rezolutën në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, pika këto për të cilat debati është shterur në mbledhjen e kaluar të Kuvendit.

Në axhendë është edhe votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, por nuk do mund të kalonte në votimin nsë seancë plenare nëse vazhdon “ngrirja” e pjesëmarrjes në Kuvend e grupit parlamentar prej 11 deputetësh e Listës Serbe, pasi duhen edhe më shumë se gjysma e votave të deputetëve të komuniteteve pakicë – së paku 11 nga gjithësej 20 në parlemantin 120 anëtarësh.

Prej gati katër muajësh,  nga 9 tetori 2016, Lista Serbe ka deklaruar “ngrirjen” e pjesëmarrjes në qeverinë e Kosovës dhe në Kuvend, në kundërshtim të Ligjit për Trepçën, lidhur me të cilin iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese, e cila në 31 tetor  shpalli vendimin se ky ligj është kushtetues.

Filed Under: Komente Tagged With: Interpelance, per murin en Mitrovice

Kosovë-Ambasada e SHBA-ve mirëpret marrëveshjen

February 6, 2017 by dgreca

Kosovë-Ambasada e SHBA-ve mirëpret marrëveshjen për murin në Mitrovicën e Veriut/

PRISHTINË, 6 Shkurt 2017-B.Jashari/ Ambasada e SHBA-ve në Kosovë  në një deklaratë dërguar sot mirëpret marrëveshjen e 4 shkurtit të arritur mes ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shalës, dhe kryetarit të Mitrovicës Veriore, Goran Rakiç, lidhur me planin urban të reviduar për shndërrimin e Rrugës “Mbreti Pjetër” në zonë për këmbësorë.

“Ne përshëndesim Kuvendin Komunal të Mitrovicës Veriore për aprovim të shpejtë të planit të ri. Marrëveshja e arritur do të rezultojë me ndërtimin e një zone të bukur për këmbësorë që përmbushë marrëveshjen e 2015-ës për lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës. Shumë mund të arrihet kur të gjitha palët bashkohen për të punuar për të mirën e përbashkët”, thekson deklarata e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë për marrëveshjen për murin në Mitrovicën e Veriut.

February 6, 2017

U.S. EMBASSY PRISTINA STATEMENT ON AGREEMENT ON THE WALL IN NORTH MITROVICA

 PRISTINA – The U.S. Embassy welcomes February 4 agreement between Environment and Spatial Planning Minister Shala and North Mitrovica/e Mayor Rakic on a revised urban plan for the pedestrianization of King Peter Street. We applaud the municipal assembly of North Mitrovica/e for its prompt adoption of the new plan. The agreement reached will result in the construction of a beautiful pedestrian area that fulfills the 2015 agreement on freedom of movement for all of Kosovo’s people. Much can be accomplished when all sides come together to work for the common good.

Filed Under: Komente Tagged With: ambasada e SHBA-ve, mirëpret marrëveshjen

VATRA, kategorikisht kundër cënimit territorial të Kosovës

February 6, 2017 by dgreca

Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu u prit në Vatër/

16422802_1544199612275641_8121439964124763203_o

Të Shtunën, 4 Shkurt 2017, në selinë e Vatrës u prit Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu. Studiuesit të njohur të historisë ia uroi mireseardhjen Dr. Gjon Bucaj. Në takim morën pjesë edhe dy zv. Kryetarët e Vatrës Agim Rexhaj, Asllan Bushati si dhe Zef Përnocaj, Zef Balaj dhe Editori i Diellit, Dalip Greca.Për më shumë se dy orë u bisedua rreth cështjes Kombëtare, zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë, problematika në trojet etnike dhe qëndrimet e Vatrës. Dr. Gjon Bucaj informoi edhe për komunikimin me Departamentin e Shtetit Amerikan, para dhe pas demonstartës, që u organizua nga Vatra në Uashington. Ndërkohë u diskutua edhe për tezën më të fundit të hedhur nga Kongresisti Dana Rohrabacher për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, qe për fat të keq është edhe tezë e akademikut kosovar Rexhep Qosja. Informuan me detaje Zv. Kryetari Asllan Bushati dhe Zef Balaj, të cilët ishin në një takim te DioGuardit me Kongesmenin Dana Rohrabacher, takim që nuk kishte të bënte me Vatrën, por i organizuar nga Liga Qytetare Shqiptaro-amerikane e Joe DioGuardit. Pas debatit, ku mori pjesë edhe Prof. dr. Muharrem Dezhgiu, kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, përaqiti qëndrimin e Vatrës, e cila është kategorikisht kundër cënimit territorial të Kosovës dhe kundër shkëmbimit të territoreve. U propozua që Vatra të dalë me një deklaratë në ditët që vijnë.

Me shqetësim u diskutua cështja e Mitrovicës, për të cilën qeveria e Kosovës nuk e  ka kryer detyrën, duke mos i paraprirë me masa mbështetëse lehtësimit të jetës të shqiptarëve në këtë zonë të vështirë, ku Beogradi ka stimuluar popullsinë serbe dhe i ka nxitë ata që të blejnë shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve, duke ndryshuar dhe raportet etnike në Mitrovicë në favor të serbëve. Zv/. Kryetari Agim Rexhaj shfaqi shqetësim për gjendjen e krijuar në Veriun e Kosovës.

Prof. Muharrem Dezhgiu dhuroi për Bibliotekën e Vatrës librin e tij të ribotuar”Shqipëria nën Pushtimin Italian(1939-1943).

Filed Under: Featured Tagged With: Jo ndryshim Kufijesh, prof. Muharrem Dezhgiu, Vtra

Si e kam njohur Musine Kokalarin

February 6, 2017 by dgreca

Nga Pertefe Leka/Musine Kokalari  është një personalitet i njohur i historisë  dhe letërsisë  shqipe .Ajo është heroina  shqiptare e kohëve moderne, që luftoi deri në vetëmohim, për një shoqëri demokratike të tipit Evropian dhe për  bashkimin Kombëtar.Gjatë 50-viteve të diktaturës,  propoganda famëkeqe komuniste e ka paraqitur  si armike te popullit .Fotografia e saj shfaqej  herë pas here në Muzeumin e Ministrisë së Brendshme, ku ishim të detyruar ta vizitonim me nxënësit e shkollës. Si mësuese letërsie në disa dekada kam zbatuar programin mësimor, ku pjesën më të madhe e zinte letërsia e Realizmit Socialist, nepërmjet së cilës e kam njohur edhe Musinenë.

Në planin mësimor, ishte përfshirë edhe romani “Para Agimit” i Sh.Musaraj, i cili  njihej  si  shkrimtar i viteve 30-të,  siç ishte  edhe  M.Kokalari.Nga  Prof.N.Hakiu,  kam mësuar se Sh.Musaraj  kishte miqësi me familjen Kokalari  dhe së bashku me  Musinenë  kishin një mik të përbashkët, kolosin e publicistikës shqiptare,Branko Merxhanin.

Kështu,Sh.Musaraj, mbi bazën e kësaj njohje krijoi personazhin (Ermira Velo)  në romanin “Para Agimit”që mbart krejtësisht tiparet e Musine Kokalarit  dhe të Zotit Bardhi që mishëron figurën reale të B.Merxhanit.Duke analizuar ndër vite pjesët e romanit, e kam lakuar këtë emër  në menyrë të përsëritur, në shumë orë mësimi.Pa dashjen e saj, Musineja,  hyri ilegalisht në letërsinë e realizmit socialist  me emrin, Ermira Velo, pasi autori  kishte  bashkëpunuar me te edhe  gjatë periudhes se luftës kundër okupatorit. Megjithëse  i detyruar nga tendenca  për të luftuar  pozitën e saj klasore dhe pikëpamjet  ideologjike, fillimisht autori  e ka paraqitur  figurën e saj  me të gjitha tiparet që mishëronte Musineja por pastaj gradualisht pozitivitetin e saj e ka përfshirë në kornizen e luftës së klasave.Në përshkrimin e portretit të saj  autori  shkruan :” Ermira (M.Kokalari) ishte e thjeshtë, e afruar me çdo njeri dhe nuk bënte kurrë dallim midis njerëzve  me pozitë dhe atyre që nuk kishin as strehë ku të fusnin kokën. Prekej pa masë nga vuajtjet e të tjerëve dhe nuk kursehej t’i ndihmonte me ç’t’i kish dora .v.1,f.20,”Para Agimit”

“ ..Si mbaroi shkollën e mesme ajo njihej si një nga vajzat me prirje përparimtare “v.1,f.18”Para Agimit”

…Dhe qe një gëzim i madh për te, kur pa të botuar në një revistë shkrimin e saj të parë,shkrimi kish dalë me të vërtetë një xhevahir i vogël letrar siç e gjykuan shumë nga të njohurit e saj .”v,1,f.21”Para Agimit”

Musineja dhe familja e saj,  jane paraqitur në një taban të  shëndoshë  kulturor e patriotik, ashtu siç ishin në të vërtetë . Babai i saj  gjykatës dhe vëllezërit  me profesione:  Jurist,profesor,përkthyes,të cilët ishin njëkohësisht  edhe shokët e saj .

Ermira  Velo (M.Kokalari) -shkruan autori-  kish nje respekt te madh  për të vëllanë  dhe ushqehej   vazhdimisht  nga idete e tij”  v1,f.18,”Para Agimit”

Këto konsiderata për familjen dhe personazhin në fjalë, janë dhënë në fillim të romanit,kur rinia shqiptare ishte e bashkuar për një qellim në luftën kundër okupatorit dhe ishin në një barrikadë.

Ajka e inteligjencës shqiptare, ku përfshihej edhe Musinea qenë konsekuent në  pikëpamjet  e tyre : lufta kundër okupatorit  dhe  bashkimi i shqiptarëve  të drejtuar  nga shembulli  i demokracive evropiane. Kur  një pjesë e rinisë  përqafuan idetë sllavokomuniste, autori e pozicionon personazhin e M.Kokalarit  si social-demokrate që ishte e  kundërt me pikëpamjet e Nac.Clirim.

Familja Kokalari, në të cilën  u rrit dhe u edukua Musineja, kishte  gjithë potencialin  ekonomik, kulturor dhe patriotik që ajo të trashëgonte  vlera  pozitive  për formimin e saj  intelektual.

Falë zgjuarësisë krijuese  të saj, vullnetit dhe karakterit  të fortë,  ajo mbaron  me rezultate  të shkëlqyera  shkollën e mesme “Nana Mbretëreshë “dhe më vonë arrinë të bëhet një  nga studentët   më cilesorë  ne Universitetin e Romës  ku u diplomua “Doktoreshë  në Letërsi”ne vitin 1941, me temën  “Literatura Albanese, Naim Frashëri”.

Në Romë iu krijuan të gjitha kushtet për të qëndruar pranë atij Universiteti, por ishte vendosmërisht e bindur  se kontributi i saj  i duhej  Shqipërisë.

Miqësia e familjes me  Mit-hat Frashërin   ndikoi  direkt në pikëpamjet e saj  për të ardhmen e Shqipërisë.

Shumë diskutime bëheshin  në  familjen e saj  lidhur me fatin e Shqipërisë në prag të Luftës së dytë  Botërore. Cila  do të ishte e ardhmja e këtij vendi? Çfarë rruge do të ndiqte Shqipëria? Këto pyetje dhe të tjera e kishin munduar  Musinenë  dhe e munduan deri në fund të jetës .Vajza e re universitare, hyri në kuvend  me elitën  e njerëzve më të mënçur  që kishte  Shqipëria  e asaj kohe  dhe për këte  Shefqet Musaraj nuk e kurseu konsideraten   për të gjithë familjen në terësi:”Mbi të gjitha Ermiren (M.Kokalari) e entuziasmonte  një fakt tjetër  që provonte  se shtëpia e saj  kish për të qëndruar gjithmonë  një fole  patriotizmi, kish filluar të vinte shpesh  njeriu(M.Frashëri) që nuk është komprometuar asnjë majë thoi  gjatë regjimit  të zogut dhe që ka një urrejtje  të tmerrshme  për italianet.” V1,f.67”Para Agimit”.

Nje ndikim tjetër tek Musineja,  kishte   Branko Merxhani,drejtor i Revistës  “Përpjekja Shqiptare”.

Kryeartikulli  i shkruar prej B.Merxhanit “Pse nuk jam  Marksist ,“me anën e të cilit   argumentonte  se komunizmi ishte një eksperiment pa të ardhme,   e kishin bërë Musinenë  të mendonte   akoma më shumë  se bolshevizmi  ishte një rrezik  për Shqipërinë,  prandaj ajo rrugë nuk duhej ndjekur. Këte ide,Musineja, e kishte forcuar akoma më shume kur kishte lexuar  romanin“Nena “te M.Gorkit,  per të cilin kishte thënë:  “se s’janë të përshtatshme për në ato gjëra .

Bashkëpunimi  saj  me Branko Merxhanin, Shefqet Musarajn,Nexhat Hakiun,Vedat Kokonen,N.Bulka,P.Marko,M.Kuteli,S.Spase,.. e të tjerë,  ishin  të njohura sepse përfaqësonin  plejadën e shkrimtarëve të viteve 30-të.

Nga  që nuk e njihja realisht  Musinenë, nuk mund ta bëja lidhjen e personalitetit të saj me emrin e personazhit në roman në qoftë se nuk ma bënte të ditur, prof. Nexhat Hakiu

( 1917-1978, personalitet i shquar, poet lirik – social  i 11 titujve, botues  i “Revista Letrare” 1940, studiues, mësues metodist, …).i cili vitet e fundit  para pensionit i mbylli në shkollën tonë, “Gjimnazi K.Kristoforidhi”.

Atëhere filloi  interesimi  im për personazhin real  nga të dhënat e profesorit sepse  ata ishin bashkëkohës të të njejtës rrymë letrare dhe ideologjike.

Edhe pse në anën e kundërt të ideologjisë komuniste, figura e saj ka marrë vlera të mëdha,  sepse   është vënë  midis  ideologut të saj  Mit-hat Frashërit, nacionalistit  dhe  demokratit më të madh të kombit shqiptar,(emrin e të cilit autori nuk e ka ndryshuar në roman)  dhe  Branko Merxhanit, pionierit të filozofisë progresive  shqiptare, që në roman njihet me emrin, Zoti Bardhi .

Ajo i adhuronte  këto  dy personalitete, jo vetëm për nivelin kulturor  dhe mendjen e ndritur,  por edhe si njerëz të pa komprometuar nga rregjimi. Ajo veproi si ata, duke ndjekur  rrugën  antikomuniste, si luftëtare për një shoqëri të tipit Evropian  dhe  për çështjen e Shqipërisë Etnike,Për  Shqipërinë natyrale  ajo ka  thënien e saj  emblematike ”Pa Kosovë e Çamëri,nuk ka Shqipëri”M.K

Ate që nuk e vazhdoi shkrimtari Sh.Musaraj, të shkruante për jetën e saj  gjatë ferrit komunist, e plotësoi vetë Musineja, kur deponoi në Gjyqin Special për aktivitetin e saj politik dhe revolucionar gjatë luftës.

Evoluimin e personazhit, autori  e konsideronte pozitiv  në se ajo  do të përqafonte idetë komuniste.Por jo, ajo u qëndroi besnike  pikëpamjeve të ideologëve të saj, të cilët  e konsideronin  filozofinë marksiste  pa të ardhme, sepse ishte eksperimentuar në B.S..dhe ishun bërë të njohura botërisht tragjeditë që shkaktoi.Kështu, megjithë tendencën e autorit  për  të dënuar idetë e saj, ajo  rritet deri në madhështi  sepse qendroi  e patundur në  mendimet  e saj,  ndërsa vetë  autori, i cili ndryshoi pikëpamjet  drejtë ideologjisë së re, vjen e minimizohet  si pa kuptuar, sepse bie në kundërshtim  me idetë  për të cilat e kishte filluar luftën me Musinenë për bashkim dhe jo për luftë civile. Në gjyq, Musineja merr përmasat e një heroine  të vërtetë që flijohet për çështjen e Atdheut.

Ndër të tjera ajo pohon përpara trupit gjykues: Mbas mbledhjes së Mukjes,  kam marrë pjesë  në Ballin Kombëtar  si social demokrate  dhe kam qenë përgjegjëse  e Gazetës, “Zeri i  Lirisë “ në të cilën kam botuar artikuj, ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të kartës se Atllantikut  dhe çështjen për të luftuar, jo për qëllime e përfitime të disa klikave, por për demokratizimin e vendit . “S’jam fajtore, s’jam komuniste dhe ky s’mund të quhej faj .Unë jam nxënëse e Sami Frashërit,  me mua ju doni të dënoni  Rilindjen “. Kjo deklaratë e fuqishme,  ia shtoi vuajtjet: Burg,internim,punë të rënda fizike, deri te sëmundja e pashërueshme  e cila ia mori jetën  me 14 gusht 1983. Duke iu referuar epilogut, ajo vete shkruan:  “Njoha  kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha nje gjyq special .Njoha 16 vjet burg  dhe 22 vjet internim  me përplasje andej e këndej. Njoha punën e punëtorit  me norme individuale, njoha punën e punëtorit me normë  kolektive  në bujqësi e ndertim. Njoha vetminë e vetëkërkuar,shoqerinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky termet i pandërprerë për të konsoliduar  diktaturën e proletariatit .Kam 38 vjet që nuk di çdo me thënë  familje “ Me pikëllim të madh  ajo e thekson fjalën,Familje,sepse tragjedinë më të madhe e pësoi  vatra   familjare ku ajo kishte pasur  ngrohtësinë. Dy vëllezërit e saj, Vesim e Mumtaz,  u pushkatuan  në nëntor të  vitit  1944 pa gjyq .I jati  vdiq  sapo mori vesh menxyrën qe i kishte ndodhur  në familje.  Në ato mejtime,  kur gjendja e rëndë shëndetësore e paralajmeroi  se po  bashkohej  me të dashurit e saj, u kujtua  për  të lenë diçka nga  shpirti i saj bujar  që  kurrë  nuk iu shua. Me mendje të qartë deri në fund ajo shkruan:”Ne se vdes  në valixhen e vogël  kam disa sende me vlerë etnografike  për Muzeun e Gjirokasters. Ato pak kursime edhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin  e shtypit  që duhet të krijohet për punëtorin e krahut  i cili është i domosdoshëm që të  demokratizohet  dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë “.Thesari  tjetër  i vyer që la Musineja, që diktatura e egër nuk mundi t’ia shuante, ishte krijimtaria  letrare  e cila e radhiti  ate në plejaden  e shkrimtarëve të viteve 30.

Në botimet e para  “Seç me thoshte Nenua plakë “,”Rreth vatrës “,”Sa u tunt jeta “e deri te botimi i fundit “Sikur të isha një lule “, ajo mbetet një vëzhguese  e hollë e realitetit . Ideali i saj për barazi shoqërore, i kalonte  kufijtë e klasës së cilës i përkiste, duke mos pasur asnjë pretendim material  përpara asaj ideje të madhe  që donte të realizonte.

Temën për lirinë e individit, e mbronte haptazi dhe me kurajo duke e përjetësuar që në skicat e para .Për të mbrojtur këtë ide,  ajo dha shembullin me të lartë, doli e para në Demonstratat Antifashiste  dhe në të tjera aktivitete  që tani janë bërë të njohura.Tema që e tërhoqi më shumë ishte ajo për emancipimin e gruas dhe pjesëmarrjen e saj në jetën  shoqërore. Që kur ishte studente  në Romë u dërgonte mesazhe  vajzave shqiptare  që të luftonin  dhe të merrnin rrugën e shkollimit  për t’u bërë  forca aktive  në progresin  shoqëror .Të  gjitha  këto e bënë të dalluar Musinenë,  si shkrimtare  të talentuar, si revolucionare të vendosur  në mbrojtjen e pikëpamjeve të saj  demokratike dhe si një intelektuale  përparimtare.

Pas viteve 90,  ajo është ndër të parat disidente që u dekorua  me medaljen “Martir  i      Demokracisë “ Edhe të mbijetuarit e familjes  bënë çmos  për rehabilitimin e veprës së saj.

Fondacioni  “Musine Kokalari, “kryen shumë aktivitete  që e plotësojnë  njohjen e saj  të ndaluar prej shumë dekadash. Shkolla  që mban emrin e Musinesë e përjetëson duke e mbajtur  si pishtar  drite e diturie.

Nga  Piedestali  ku e vendosi koha,  Musineja  u flet gjeneratave: ”Besa,Shpresa,Dashuria, ato pra na lartësojnë .Përçarja dhe marrëzia  na poshtërojnë dhe na mjerojnë .

P.s.Musine Kokalari  u lind  me 10 shkurt të vitit  1917 në Adana të Turqisë. Në vitin 1921  Familja e saj  kthehet në Shqipëri .Në nëntor të 1944 arrestohet për herë të parë.  Me 23 janar 1946 arrestohet për së dyti, gjyqi komunist e dënoi 20 vjet  heqje lirie Me1961  e nxjerrin nga burgu dhe e internuan ne Rrëshen.Me 1981 sëmuret nga kanceri  ku nuk u tregua aspak kujdes  nga shteti  komunist,vdes me 1983.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Musine Kokalarin, Pertefe Leka, SI E KAM NJOHUR

BESA- “ARMA” ME TË CILËN SHQIPTARËT MBROJTËN HEBREJTË

February 6, 2017 by dgreca

IMG_2536-Nga fjala e diplomatit dhe historianit, Mal Berisha, mbajtur në Universitetin e Hawardit në Boston/IMG_2537

Nga Fuat Memelli/IMG_2538Në një nga sallat e Universitetit të Hawardit në Boston,dipllomati dhe historiani Mal Berisha, mbajti një ligjëratë për mbrojtjen që i bëri populli shqiptar hebrejve, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.Kjo veprimtari që u zhvillua në kuadrin e Ditës së Holokaustit,u organizua nga Shoqata e Studentëve të Izraelit që banojnë në Izrael dhe studentëve me prejardhje hebraike, që studiojnë në “Kennedy  School University” në Amerikë. Ndihmuan në organizimin e takimit edhe aktori Njazi Isufi, me origjinë nga Kosova , i cili ka mbaruar Universitetin e Emersonit, nga i cili kanë dalë talente në fushën teatrit e kinematografisë si dhe studenti shqiptar në Haward, Kreshnik Berisha.Në takim mernin pjesë studentë me prejardhje hebraike, përfaqësues të shoqatave shqiptare që veprojnë në këtë qytet, studentë shqiptarë studiojnë në Boston, si dhe nga kisha e Shën Gjergjit. Ndodhej edhe perfaqëuesja e studentëve hebrej, Endrju Levine, Agim Rexha, zv. kryetar i “Vatrës”, kryetar i Shoqatës “Mas.Besa” Mark Kosmo, veprimtari nga New Yorku, Marjan Culli, etj. Dipllomati Mal Berisha, me një anglishte të rrjedhëshme, duke e shoqëruar edhe me fotografi e titra ligjëratën e tij, foli për kontributin e shqiptarëve në mbrojtje të hebrejve. Ai solli shëmbuj të familjeve shqiptare që kishin mbrojtur hebrejtë si dhe hebrej të cilët kishte njohur vetë, të shpëtuar falë mbrojtjes nga shqiptarët. Takimi i cili u moderua nga gazetari i shquar Christofer Lydon, i Rdio Open,u ndoq me interes nga pjesëmarrësit. Ata bënë edhe mjaft pyetje , të cilave u dha përgjigje referuesi.

IMG_2540Pas takimit , i morëm një intervistë zotit Mal Berisha.

Pyetje:Cili ishte qëllimi i mbajtjes së kësaj ligjërate?

Përgjigje: Mendova të organizohej kjo veprimtari në kuadrin e Ditës së Holokaustit, e cila është më 27 janar, për të shpalosur para studentëve hebrej e dhe pjesëmarrësve të tjerë, virtutet njerëzore të popullit shqiptar,në mbrojtje të hebrejve nga Holokausti, në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Kjo temë më ka tërhequr vazhdimisht dhe kam lexuar mjaft për këtë çështje. Biseda me këtë temë kam mbajtur qysh nga viti 2013, kur isha ambasador në Londër. Kam qënë në qendrën hebraike në si dhe në sinagogën në Londër,në qendrën hebraike të Vjenës, që është nga më të mëdhatë në Europë. Biseda me këtë temë kam mbajtur në ambasadën tonë në Londër, me trupin dipllomatik në Tiranë, etj. Pra, biseda në Universitetin e Hawardit, është një vazhdim i kësaj punë që kam nisur vite më parë.

1 fuad

Pyetje: Për mbrojtjen e hebrejve nga ana e shqiptarëve, është folur e shkruar mjaft. Cila ishte e veçanta e referatit që mbajtët këtu?

Përgjigje:  Krahas informacionit të përgjithshëm, unë u ndala t’i jap përgjigje një pyetje që bëjnë shpesh hebrejtë: çfarë i shtyu shqiptarët për të mbrojtur hebrejtë, në një kohë kur Europa po i vriste? Përgjigja ishte kjo: besa dhe mikpritja shqiptare që për ne janë të shenjta. Kjo është “arma” që shqiptarët i mbrojtën hebrejtë. Kur një njeri i huaj troket në derën e shqiptarit dhe kërkon ndihmë, ai e hap derën ,e pret dhe e mbron atë.Fakte të tjerë që përmenda në kreferat,ishin disa raste që unë i kam gjetur duke studjuar jetën e Herman Brensteinit, ish ambassador amerikan në Shqipëri, në vitet 1930-1933. Ai vdiq shpejt, por ka lënë një arkiv të pasur. Ndër gjërat që kam parë aty , është arritja e një marrëveshje midis mbretit Zog dhe Ambasadës Amerikane, të përfaqësuar prej tij. Sipas marrëveshjes, konsullatat shqiptare kudo që ishin, do jepnin viza për hebrejtë që donin të vinin në Shqipëri. Ata do të qëndronin sa të kishin nevojë aty ose mund ta përdornin Shqipërinë si tranzit. Ambasada Amerikane do t’i jepte vizë atyre që donin të shkonin në Amerikë.

Pyetje: A kini ndonjë rast interesant me hebrej të shpëtuar njohur?

Përgjigje: Kam një rast të veçantë. Kur isha ambasador na Angli, kam njohur një grua me emrin Scarlet Epstejn. Ajo kishte mundur të shpëtojë falë mbrojtjes nga shqiptarët. Atëherë ishte vetëm 16 vjet. Unë e takova disa herë këtë grua dhe e publikova edhe në Angli rastin e saj. Ka vdekur në vitin 2014,në moshën 93 vjeçare. Kam gjetur edhe ndonjë rast tjetër por më shumë kam studjuar për jetën e tyre. Është i njohur fakti që në një monument për Holokaustin në Jeruzalem, janë skalitur emrat e 73 familjeve shqiptare që mbrojtën hebrejtë.Në raport me popullsinë, në kemi numrin më të madh familjeve që mbrojtën hebrejtë.  Ky është një fakt shumë domethënës. Britania e Madhe ka vetëm 3 emra, ndërsa Amerika 18. Të strehojë një hebre në vitet e Luftës së Dytë Botërore, duhet të merje përsipër një rezik të madh. Ishte njëlloj sikur të kishe në shtëpi një bombë me sahat. Në AND-në shqiptare, miku dhe Zoti, janë të zotët e shtëpisë.

Pyetje: Është folur e shkruar sikur edhe  shkencëtari i shquar me origjinë hebreje, Albert Ajshtajni,është paisur me pasaportë shqiptare, ka marë vizë amerikane në Shqipëri e pastaj ka ardhur në Amerikë. A e kini ndeshur gjëkundi këtë fakt?

Përgjigje: Do kisha shumë dëshirë të ishte i vërtetë ky fakt, por deri tani, nuk e kam ndeshur. Siç përmënda më sipër, unë kam studjuar jetën e ish ambasadorit amerikan në Shqipëri , Herman Bernstein,i cili ka qënë mik i ngushtë i Ajshtajnit. Hermani ka qënë edhe bashkëpunëtor i Ajshtajnit, për ngritjen e Universitetit Hebraik në Izrael. Po të qe i vërtetë ky fakt, pashaportën shqiptare do t’ja jepte Zogu, ndërsa vizën , Hermani. Sikur shkencëtari i shquar, të kishte marë vizë në Shqipëri, Hermani do ta kishte përmendur diku. Edhe në 3000 faqe që unë kam studjuar për hebrejtë dhe Holakaustin, nuk e kam gjetur këtë fakt. Me që ra fjala te ambasadori amerikan Herman Bernstein, dua të përmënd edhe diçka tjetër. Ky ambassador ka lënë shkrime për Shqipërinë, midis tyre edhe një me titull “Tirana, siç e shoh unë nga dritarja e zyrës time”. Është një shkrim shumë interesant për Tiranën e atyre viteve. Edhe diçka tjetër. Ambasadori Herman ka vizituar edhe kishën e Shën Gjon Vladimirit në rrethin e Elbasanit, ku shkonin të krishterë, katolikë e myslimanë. Ai ka lënë një botim prej 13 faqesh ku flet për harmoninë fetare në Shqipëri.Hermani është themeluesi i Ambasadës Amerikane në Tiranë. Kjo është ambasada e parë që ishte pronë amerikane, pasi deri atëherë, godinat e saj në vende të ndryshme të botës, nuk ishin pronë e tyre. Për mua, Ambasada Amerikane në Tiranë, është një monument me vlerë historike.

Pyetje: Ligjërata juaj ishte e ilustruar me mjaft foto. Ju kishit përgatitur edhe një katalog. Çfarë përmbante katalogu?

Përgjigje: Katalogu përmbante foto të disa familjeve shqiptare që kanë strehuar hebrej, hebrej të shpëtuar,foto të ambasadorit amerikan , Herman Bernstein, etj. Kishte edhe sinagogën e Sarandës, ndërtuar në shekullin e pestë. Përmendet fakti që një në fshatin Fterë të Sarandës, ka një vend që quhet “Varri i hebreut”. Një emërtim i tillë, është edhe në brigjet e lumit Osum në Berat. Mendohet se i përket hebreut, Sebbatai Tsevi . Sulltani e ktheu në mysliman dhe e internoi në fillim në Ulqin pastaj e dërguan në Berat ku ka vdekur. Edhe këtë fakt e kam gjetur në botimet e Hermanit, i cili ka bërë hulumtime për hebrejtë në Shqipëri.

Pyetje: A e kini në plan publikimin e ndonjë libri?

Përgjigje: Po, kam një plan. Pas 2-3 muajsh, dua të botoj një libër për jetën dhe veprimtarinë në Shqipëri e më gjerë, të ish ambasadorit amerikan, Herman Brenstein. Ai ka një veprimtari shumë të pasur. Ka shkruar edhe biografinë e Ahmet Zogut, siç ia ka treguar vetë Zogu. Është biografi i parë i mbretit shqiptar. Ka qënë mik i tre presidentëve amerikanë. Është njeri me kontribut edhe në arenën ndërkombëtare në mbrojtje të paqes.Them se do të jetë një libër me interes.

Faleminderit për intervistën.

***

CILI ESHTE MAL BERISHA?

Ka shërbyer si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Irlandës, nga viti 2012 deri në vitin 2015. Më parë ka qenë  konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll, nga viti 1993-1997. Në vitin 1998, pas përfundimit të misionit në Turqi, iu bashkua Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane (LQSHA) e udhëhequr nga ish kongresmeni, Hon. Joseph DioGuardi si dhe Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës “VATRA”, duke kontribuar në përpjekjet e palodhura të shqiptaro-amerikanëve për të zgjidhur çështjen e Kosovës. Në vitin 2000 iu bashkua Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Kosovë, për të ndihmuar në ndërtimin e institucioneve demokratike. Pasi kaloi thuajse një dekadë në Kosovë, u kthye në Shqipëri, ku u emërua  drejtor i Përgjithshëm i Çështjeve Rajonale dhe Iniciativave në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ështe diplomuar në Akademinë e Arteve të Shqipërisë. Jeta e tij ka qenë e lidhur ngushtë me jetën kulturore në Shqipëri. Ai është  studjues, historian dhe ka botuar një numër librash e artikujsh në lidhje me tema të ndryshme të historisë, kulturës dhe diplomacisë.

Mal Berisha ka iniciuar ngritjen e dy monumenteve të heroit kombëtar shqiptar Skënderbej. I pari është përuruar më 28 Nëntor 2012, në njëqind vjetorin e Pavaresise së Shqipërisë dhe është e vendosur në 113 Inverness Terrace, London W2 6JH. Një tjetër bust është vendosur në Sheshin Skënderbej, në Munxhufuni (Montecilfone), në Molise Regione, një fshat i populluar nga arbëreshë.

Mal Berisha është mbajtës i Urdhërit ” Kalores i Francis se Pare”( KFCO)”.

Filed Under: Featured Tagged With: BESA- "ARMA" ME TË CILËN SHQIPTARËT MBROJTËN HEBREJTË, Fuat Memelli, Mal Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT