-Në seancën plenare të Kuvendit do të ketë edhe një debat për të ardhëmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës/
PRISHTINË, 6 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Interpelanca e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë, do jetë një nga më shumë se 20 pikat e axhendës së seancës së ardhëshme të Kuvendit të Kosovës, e cila u caktua për të enjten, sot në mbledhjen e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, paralajmëroi se për shkak numrit të madh të pikave të rendit të ditës, mbledhja e të enjtes pritet të vazhdojë të martën dhe të mërkurën e javës së ardhshme.
Në seancën plenare të Kuvendit do të ketë edhe një debat për të ardhëmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në red dite do jetë edhe shqyrtimi i Axhendës për Reforma Evropiane, si dhe disa preojektligje, mes të cilëve ai për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, si dhe Projektligji për plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Në mbledhjen plenare, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi pritet të votojë propozim-rezolutën në lidhje me organizimin e arsimit parashkollor, parafillor dhe parauniversitar në Kosovë dhe propozim-rezolutën në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, pika këto për të cilat debati është shterur në mbledhjen e kaluar të Kuvendit.
Në axhendë është edhe votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, por nuk do mund të kalonte në votimin nsë seancë plenare nëse vazhdon “ngrirja” e pjesëmarrjes në Kuvend e grupit parlamentar prej 11 deputetësh e Listës Serbe, pasi duhen edhe më shumë se gjysma e votave të deputetëve të komuniteteve pakicë – së paku 11 nga gjithësej 20 në parlemantin 120 anëtarësh.
Prej gati katër muajësh, nga 9 tetori 2016, Lista Serbe ka deklaruar “ngrirjen” e pjesëmarrjes në qeverinë e Kosovës dhe në Kuvend, në kundërshtim të Ligjit për Trepçën, lidhur me të cilin iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese, e cila në 31 tetor shpalli vendimin se ky ligj është kushtetues.