• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2017

Kuvendi njeh Kosovën vetëm në bazë të emrit kushtetues

March 30, 2017 by dgreca

2Ok Kuvendi 30 mars Kosove

Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Kuvendi i Kosovës në seancë plenare, 30 mars 2017/

PRISHTINË, 30 Mars 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme miratoi deklaratën e hartuar nga gjashtë grupet parlamentare, lidhur me çështjen e prezantimit të Kosovës, që ka të bëjë në këtë rast me çështjen e përdorimit të fusnotës, me këtë përmbajtje:

  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës njeh Kosovën vetëm në bazë të emrit të saj kushtetues si Republikë e Kosovës;
  2. Në përputhje me nenin 18 të Kushtetutës, të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen me Ligj që i referohen Kosovës sipas emrit të saj kushtetues.
  3. Kjo deklaratë do t’i bashkëngjitet secilës marrëveshje ndërkombëtare, e cila ratifikohet në Kuvend nga sot e tutje.

Deklarata e Kuvendit të Republikës së Kosovës u miratua me 80 vota të deputetëve të parlamentit 120 anëtarësh.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, emri Kushtetues, Kuvendi, nejh Kosoven

Këshillit Shtetëror të Francës: «Dosja Haradinaj», vepër e Shërbimeve sekrete të Milloshevicit

March 30, 2017 by dgreca

LETER PER KRYETARIN KESHILLIT SHTETEROR TE FRANCES, Zotit Jean-Marc Sauvé/

xxl_haradinaj-65223256_a1434700956

Këshillit Shtetëror të Francës/

Zotit Jean-Marc Sauvé, Zëvendëskryetar i Këshillit Shtetëror të Francës/

Zoti Zëvendëskryetar[1],/

Të gjithë demokratët e sinqertë, cilido qoftë angazhimi i tyre politik, e përshëndetën anulimin që Këshilli Shtetëror i Francës i bëri, në dhjetor të vitit 2016, dekretit për ekstradimin në Rusi të kundërshtarit politik të Kaukazit, Moukhtar Abliazov. Këshilli Shtetëror i Francës erdhi deri te ky vendim pasi konstatoi se kërkesa për ekstradim ishte e motivuar politikisht. Në të vërtetë, ky akt Këshilli Shtetëror i Francës dëshmoi pavarësinë e institucionit që përfaqësoni ju karshi ndikimeve të jashtme si dhe urtësinë e gjykimeve të saja.

Fatkeqësisht historia u përsërit,

Të mërkurën, më 4 janar 2017, zoti Ramush Haradinaj, kuadër i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryeministër, u ndalua në Aeroportin Bazel-Mulhuzë në bazë të udhëzimeve të shtetit serb. Më 12 janar, Gjykata në Colmar vendosi ta lirojë zotin Ramush Haradinaj dhe t’i caktojë masën e kontrollit gjyqësor derisa të sillej një vendim lidhur me dosjen.

Dy seanca gjyqësore, më 9 shkurt dhe më 2 mars, nuk arritën të sjellin vendim për shkak se mungonin provat e famshme mbi të cilat shteti serb pretendon se ka mbështetur kërkesën e vet për ekstradim. Kur është fjala për prova, rikujtojmë se Gjykata e Hagës në dy procese gjyqësore (në vitin 2008 dhe 2012) liroi nga të gjitha akuzat që i bëheshin. Lirimi ramush Haradinajt u bë sepse nuk u gjet asnjë provë e besueshme.

Gjykata në Colmar pritet që në seancën e 6 prillit të sjell një vendim. Ndërkohë, autoritetet franceze na sigurojnë se procedura që është duke u zhvilluar nuk përbën asnjë dimension politik.

Dëshiroj t’ju sjell disa fakte që dëshmojnë se « Dosja Haradinaj » ishte e porositur nga strukturat politike trashëgimtare të regjimit të Millosheviqit, e konstruktuar nga Shërbimi Sekret serb dhe i përhapur nga njerëzit e aparatit të këtij regjimi.

Këto informata, në formë të Memorandumit, i janë dërguar më parë përgjegjësve dhe vendimmarrësve politik francez për t’i ndriçuar rreth vazhdimësisë së kuadrit politik dhe strategjik në mes regjimit të Millosheviqit dhe qeverive që e pasuan.

Duke qenë sajesë e pastër policore, akuza kundër Ramush Haradinaj e ka burimin në arsenalin propagandistik të shërbimeve sekrete serbe. Kjo sajesë u ka shërbyer autoriteteve politike të Beogradit për të lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar kundër tij.

Për këtë arsye, në « Çështjen Haradinaj », brenga për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë franceze duhet të ketë në konsideratë origjinën e kësaj. Identifikimi i origjinës së kësaj dosje do t’i mundësonte Drejtësisë Franceze të shmangë kurthin politik të ngritur nga Serbia.

Në vazhdim të letrës sillen argumentet që dëshmojnë në mënyrë të pakontestueshme se dosja kundër Ramush Haradinajt është sajesë e motivuar politikisht.

Të bashkangjitur keni letrën komplete

Me respekt

Bardhyl Mahmuti

[1] Presidenca e Këshillit Shtetëror të Francës udhëhiqet nga një person që ka funksionin e zëvendëskryetarit. Kjo formë është trashëgim që nga koha kur Këshillit Shtetëror e udhëhiqte presidenti i vendit. 

Filed Under: Opinion Tagged With: «Dosja Haradinaj», Bardhyl Mahmuti, veper e Sherbimeve sekrete trashegimtare et Milloshevicit

Një progres i mbrapshtë që ka nisur

March 30, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Sot isha pushim. U ula në një tavolinë përjashta, me kafen dhe veten time. Përbri ndodhet një floktore. Një sallon bukurie siç na i ka qejfi ta quajmë sot. Ndërkohë që i hidhja një sy lajmeve. Dhe rishikoja ca shënime në tabletin e dorës. Më bëri përshtypje që orë pas ore, nga makinat që parkonin aty, para ndërtesën…, zbrisnin gra në moshë. I drejtoheshin në fillim derës së floktores. Më pas ndonjëra vinte në kafe. Shijonte mëngjesin me kë kish pranë. Flokë gufuar, lyer a rregulluar për bukuri.

Se si mu zgjua një vëzhgim i fjetur nga koha këtu në Amerikë.
Puna e makiazheve. Që nga koha kur punoja në teatër. Dhe shikoja ato zërat e borderosë. Indekset e vështirësive të pagës. Përshembull artistëve u jepej një përqindje me ngritje si vështirësi, pasi pudra konsiderohej e dëmshme etj. Po ashtu edhe kremrat. Madje dhe rrezet e dritës. Mu kujtua ky vëzhgim imi. Për punën e tualetit ndër mosha. Pasi duke punuar me të rinj këtu, me gjimnazistë e student. Vë re se e shumta atyre nuk bëjnë tualet. Tek-tuk qëllon ndonjë. Por edhe këto më së tepërti tek flokët. Jo xhel ose ndonjë ngjyre të forte për të dalluar. Kaq. Po në përgjithësi nuk lyhen. Dhe kur e pyeta një here një vajzë, se përse nuk lyhej? Ose më saktë se, përse shumica e vajzave nuk bëjnë tualet. Ma ktheu shkurt, se, nuk u kishte ardhur koha akoma. Pra, kisha arritur në një lloj përfundimi se këtu. Në Amerikë pra, mosha që shkon më shpesh në floktore janë ato të mëdha. Pastaj vijnë gjashtëdhjetë, pesëdhjetë, a dyzetvjeçare. Moshat pas kësaj, janë pak ose as pak frekuentuese të salloneve të bukurisë.
Kurse ne vendim tim, ndodh e kundërta. Madje moshat e mëdha nuk shkojnë fare në sallonet e bukurisë. E kanë për gjynah. Për të siguruar për këtë, u ngrita dhe zgjata kokën tek dera. Ndihej kudo një aromë avulli e krifosur me erën e stinës së luleve. Por çfarë ishin ulur aty, ishin me sukses të plot nga gjashtëdhjetë e sipër.
Këtë vëzhgim e kam ndarë me miq të mi. Dhe shumë syresh më ka dhënë të drejtë. Madje ka nga ato nëna të reja që më kanë pohuar me plot gojën se, sot është e ditës lyerja, ngjyerja, apo heqja e leshit. Eshtë e modës mveshja e qerpikëve dhe zgjatja e vetullave. Apo pudra dhe kremi etj. Biles ato thonë që fëmija i sotshëm. As nuk të pyet, as nuk të dëgjon, por të jep edhe shtymën. Dhe të vulos përfund e të quan edhe injorant.
Megjithatë është një e vërtetë e hidhur.
Kaq e përhapur sa me plot gojën mund të themi se, në çfarë progresi të mbrapshtë ka hyrë vendi ynë.
Madje aty pari po lexoja edhe për një lloj braktisje kolektive, po nga prindërit e rinj, të vaksinimeve të fëmijëve. Një nga arsyet më të shpifura. Ishte preteksi se vaksinat janë kimikate. Dhe se po sjellin në rritje numrin e fëmijëve autikë në Shqipëri. Një përfundim ky i nxjerrë nga brezi kaq i dashur dhe frekuentues i salloneve të bukurisë. Ata që dominojnë mbi prindërit. Por që në rastin e tyre si frekuentues të salloneve, pudra, zgjatja e vetullës, tatuazhi etj nuk janë kimikate.
Një sqarim primitiv, sa për autizmin. Mos nxitoni. Autikët lindin, nuk bëhen. Dhe vërtetë Amerika po lufton shumë me këtë sindromë. Por mos harroni, që vajzat e reja, nënat e reja, nuk janë asfare frekuentuese të salloneve. Janë gjyshet…
Kjo mospjekje e brezave…, është një fakt akoma më kokëfort. Sado vrullit të lajkave dhe statuve në botën virtuale. Dhuna e fëmijëve ka lindur për shkak të dështimit të sistemit të mëparshëm. Dhe po kështu të demokracisë informale që po ndërtojmë. Eshtë një masë e madhe prindërish që nuk kanë asgjë në dorë, në kuptimin qoftë…, edhe të një lloj hijeje mbi fëmijët e tyre. Dikur ishin fëmijët që kishin frikë. Sot ndodh e kundërta. Janë prindërit që kanë tmerr nga fëmijët.
Përse? Sepse breza të tërë dolën pa punë. Dhe për më keq me asnjë lloj të ardhure pensionimi. Apo siguracionesh private etj. Kështu që, veç lëmoshës, presin edhe të shtyrat.
Madje i presin me durim e budallallepsje.
Kurse këto, gjyshet apo frekuentueset e salloneve të bukurisë.
Kanë ndofta plot mangësi. Por mbi të gjitha kanë pavarsinë ekonomike. Dhe pavarsinë e vetvetes.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, proges i mbrapshte

“DEMOKRACIA NUK PRET”, LIBER NGA FRANK SHKRELI

March 30, 2017 by dgreca

   2-Frank-shkreli-2-300x183-11 Libri Frank Shkreli1 TELEGRAF

Ky është titulli i librit të ri nga Frank Shkreli, një përmbledhje e disa artikujve subjektesh të ndryshme, të botuar në gazeta dhe portale në Shqipëri, në Kosovë, në trojet tjera shqiptare dhe në diasporë.  Ky vëllim përmban vetëm rreth 10% të shkrimeve të 10-viteve të fundit të autorit, me shpresë se në vëllimet e ardhëshme do të mund të përfshihen një numër më i madh shkrimesh të përzgjedhura nga më shumë se 800 artikujve të shkruar e të botuar deri tani.

Për sponsorizimin e botimit të këtij vëllimi falënderoj nga zemra gazetën Telegraf në Tiranë, por mbi të gjithë u jam mirënjohës lexuesve që i kanë ndjekur besnikërisht shkrimet e mia gjatë viteve.  Dëshiroj gjithashtu të falënderoj edhe miqtë e mi që patën mirësinë të shkruajnë parathënjet që vijojnë, të librit “Demokracia nuk pret”, Profesor Sami Repishtin, Dr. Elez Biberajn dhe Simon Mirakaj.  U jam mirënjohës gjithashtu për fjalët e tyre fisnike, të shprehura me rastin e botimit të librit, ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Alfred Mosiut, Dr. Halim Kosovës, si dhe drejtuesve të gazetës Telegraf, botuesit, Z. Agim Çirakut dhe Drejtorit Ëngjëll Musait.

    KANË THËNË PËR LIBRIN: 

48-repishti-300x212

   PARATHËNJE NGA PROFESOR SAMI REPISHTI PËR LIBRIN “DEMOKRACIA NUK PRET”

Paraqitja në publik me këte vëllim të gazetarit, transmetuesit të programeve radio-televizive dhe analistit politik shqiptaro-amerikan, Frank Gjeto Shkreli ashtë nji eveniment me randësi për botën kulturore shqiptare, dhe sidomos për shqiptaro-amerikanët, qoftë për materialin që kemi para nesh, qoftë për autorin që e përgatiti.   Frank Shkreli, i lindun në nji fshat të zonës së Ulqinit (ish Jugosllavi), njihet në mesin tonë si nji i ri me nji të ardhme premtuese që në fillim. Me 1969, emigroi në Itali dhe ma vonë në Shtetet e Bashkueme me familjen e tij. Ai ashtë nji shembull i dhimbshëm i turmave shqiptare që u detyruen me u largue nga trojet e veta stërgjyshore e me marrë rrugët e mërgimit – të ‘kurbetit’ të mallkuem!  –  të breznive të mapareshme.  Familja e tij ka qenë viktimë e ngjarjeve të randa e shpesh herë shkatërrimtare të jetës në vendin e lindjes – lëvizje e çvendosje të imponueme nga jeta e veshtirë e trazimet akoma ma të vështira. Kjo e kalueme ka lanë gjurmët e pashlyeshme në mendjen e tij.

Me origjinë nga “bajraku” i Shkrelit, Malësi e Madhe, Shkodër, krahinë e njohun për qëndresën e banorëve të saj në përpjekje me mbrojtë votrat e tyne, familjet, tokët që e ushqejshin, burrat e Shkrelit u vranë, u sakatuen, u dërmuen nga kamba shtypëse e agresionit sllav sa herë që gjendja ndërkombëtare trazonte jetën paqësore të banorëve fatzez, dhe sa herë që sundimtari i huej – sidomos halldupi i Anadollit që e shtypi për pesë shekuj të gjatë, kalonte nepër ato vise “mik i paftuem” ose “anmik i luftuem”, e mizor për natyrën e tij.  Mbas ikjes tij, Shkreli filloi nji jetë ma të qetë, kur malsori nuk u vra ma me urdhën të “pashës” e të sejmenëve të tij; toka nuk u zaptue nga “spahijtë” e “jeniçerët” dhe kur femia u rrit pa përjetue lufta e ekspedita ndëshkimore. Por, vetëm për nji kohë të shkurtë!

Me 1939, erdhi pushtuesi italian, e i hueji u dynd me ushtri, “mik i paftuem!” Përleshjet gjakesore u rritën çdo ditë me humbje jetë, e pasunie. Kur i hueji u largue me turp, e pritej dita e lirisë e shpëtimit, fati e deshti që Shqipëria të bie nën kambën e Moskovit sllav, pa kondita, pa rezerva.

Nji valë urrejtje mbuloi vendin e në Shkrelin e Frankut u vranë burrat, u internuen gratë e femijtë, u dogjën shtëpitë, e arat e bukës mbeten shkret ose u banë pronë kolektive e shtetnore…! Uria u ba “buka e përditëshme” terrori zëvendsoi qetësinë e vendit e vrau qytetarin kudo që ai e kundërshtoi. Legjone të tana u lëshuen pa mëshirë mbi kurriz të nji popullsie që nuk gjeti shteg tjetër veçse rrugen e mërgimit, largimin nga shtëpia, katundi, bajraku e atdheu i dhunuem. “Refugjatë” pa dëshirë, të padëshiruem, shpesh të përbuzun, turmat e çveshuna e të urituna, morën rrugët e botës që nuk njihshin në kërkim të nji jete te re- që zakonisht as kënaqë as lehtëson! Frank Gjeto Shkreli e familja e tij përfunduen në kampe refugjatësh të Italisë dhe ma vonë arritën në New York Ciy, SHBA, ku Franku, djal i ri, u gjet para nji situate të re, të panjohun, por që premtonte nji të ardhme ma të mirë. Dhe ashtu doli!

Baba Gjeto, nana Mrikë, vllau dhe dy motrat që e shoqnojshin i u vunë punës në vendin e ri, me hov të ri, e shpresa të mëdha qe fatmirësisht nuk i zhgënjyen. Franku nuk u shkurajue! Punë e arsim: dy mjetet ma efektive për sukses, u banë të dy krahët e fortë që e ngritën në sferat ma të nalta të shoqënisë së re amerikane që Franku përqafoi, përkrahu dhe shërbeu me pasion dhe aftësi shembullore.  Frank Gjeto.Shkreli ashtë pa dyshim shëmbulltyra e “refugjatit endacak” qe “…andërronte me qenë i lirë!” simbas premtimit të zonjes “Liberty!” – dhe që arriti me sukses me qenë i lirë, dhe me punue për lirinë e të tjereve, në vendet ku Liria u quejt krim dhe u dënue randë….!

Kontaktet e para, Franku, besimtar me bindje, i mori me klerikët katolikë shqiptarë ne New York City.  Aty gjeti këshillin e fjalën e mirë. Aty gjeti prehjen shpirtënore ne Kishën Katolike Shqiptare dhe në qëndrat e veprimit katolik.  Franku gjeti përsëri familjen e madhe që humbi në Shqiperi, e përqafoi dhe e ndihmoi me aftesitë e tij si editor i revistës “Jeta katolike”.  Studimet e bame në Kroaci në kolegje katolike, studimet e klasikëve, dhe religjion e filozofi, dhanë frytet e para. Frank Gjeto Shkreli fitoi mendjet dhe zemrat e lexuesve!

Viktimë e terrorit komunist pyeste veten: “Si ashtë e mundun që njeriu të damtojë njeriun, vlla e motër, kështu?”  Me ndihmue këte të mjerë, të shtypun, të vorfën, u ba “leitmotivi” i djaloshit Frank. Duhej arsimi. Franku filloi kurset në kolegjet e Hunter-it dhe Lehman-it të New York City-s, dhe u shque me shkrimet e tia në bultinin kolegjor “Meridian” kryesisht me kritikat e tia per rregjimin komunist. I inkurajuem, ai themeloi “The Albanian Youth in Exile” dhe e transformoi atë në nji tribunë të hapun për të rinjtë.

Ne vitin 1974, ai mori kontakt me “Zeri i Amerikes”, ”a life changing opportunity” si e quen ai.  Atëherë, fati i parë pruni të dytin: fejesen me zonjushen 19-vjeçare Victoria Markgjonaj, vajzë e nji familje katolike anti-komuniste që kishte njohë të gjitha peripecitë e mërgimit të dhunëshëm në Shqipëri dhe ish-Jugosllavinë. Franku e quejti “most lucky moment!” dhe ashtu doli!  Tashti me familje dhe i punësuem në administratën amerikane, i paisun edhe me arsim të naltë pranë George Washington University (Washington,DC.) Franku ishte i përgatitun për punën që i kërkohej. Hap mbas hapi ai u ngjit në shkallët ma të nalta te USIA (Information Agency).  Nga folësi në radio ma parë, dhe në TV ma vonë, ai u ba editor, prodhues programi, dhe përgatitës i programit shqip në “Zëri i Amerikës”, si dhe për programet botënore të kësaj agjensie. Tani, ai i dedikoi jetën profesionale administrimit dhe mbikeqyrjes së programeve në fushën e transmetimeve ndërkombëtare, në bashkëpunim me qindëra gazetarë nga Europa e kontinente tjera. Numri i bashkëpunetorëve të tij arriti shifren 250 persona të gjuhëve dhe kulturave të ndryshme. Ai ka qenë drejtor, nën-drejtor, këshilltar në nivele të ndryshme te USIA. Roli i tij ka qenë veçanërisht i randësishëm, dhe i çmuem gjatë periudhes se Luftës së Ftohët dhe vitet e luftës në Ballkan (1991-1999) që perfshinë edhe vitet e agresionit millosheviqian në Kosovë. Tue folë për plotësimin e pikësynimeve strategjike dhe objektivave të detyrës se tij, ai shprehet: ”Jam shumë krenar për shërbimet e mia në Administratën Amerikane!” Ka qenë gjatë kesajë periudhe që Frank Gj. Shkreli zgjanoi me sukses programet e Zërit të Amerikës për Europën Qendrore dhe atë të programit shqip. Njikohësisht, ai trasformoi me sukses programet trasmetuese radiofonike në atë televizive që kemi sot.

Për nji reformim ma të plotë, gjatë luftës ballkanike të viteve 90-ta ai hapi programet për Bosnjen dhe Maqedoninë. Kjo ka qenë periudha kur nji grup i kufizuem udheheqsish serbë treguen kriminalitetin e tyne të papërmbajtun për asgjasimin e bosniakëve dhe shqiptarëve të Kosovës. “Lajmet ma të besueshme janë dhanë nga “Zeri i Amerikës”.   Nuk ka dyshim se kontributi i dhanun nga USIA – e posaçërisht nga “Zeri i Amerikës” ka qenë esencial për rrëzimin e sistemit komunist në Bashkimin Sovietik dhe Europen lindore. Gjatë kësaj periudhe Franku ka qenë i angazhuem thellësisht në çdo vendim-marrje të veprimtarive të “Zërit të Amerikës” për Bashkimin Sovjetik dhe Europën lindore- si drejtues i Drejtorisë për Euro-Azinë pranë USIA.

Mbas nji karriere të admirueshme, e shërbimi shembullor, ne vitin 2003, Franku doli ne pension. Por ai mbeti aktiv, me konsultime dhe me shkrime ne organet të ndryshme. Ma vonë, 2005-2007, ai u emnue drejtor ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, organizata ma efektive e lobimit në Washington, D.C.. Njohës i mirë i kryeqytetit amerikan, ai përdori të gjithë burimet e tia me shërbye kauzën e shqiptarëve – kudo në Ballkan- me aftësi e pasion të veçantë.

Gjatë shërbimit e tij, Frank Gj. Shkreli ka qenë edhe përkthyes, interpretues, pranë Departmentit të Shtetit, Departmentit të Mbrojtjes, Bankes Botënore, Fondit Monetar Ndërkombetar, Departmentit të Drejtesise, të Thesarit e tjera institucione të qeverisë amerikane. Në mirënjohje për veprimtarinë e tij të dallueme, ai fitoi dekoratën “Thomas Jefferson Fellowship Award” të dhanë nga USIA.

Nga pikëpamja emocionale, dekorata ma e prekshme per Frankun ka qenë titulli “Qytetar nderi” i Shkrelit, Malësi e Madhe, Shkodër (Shqipëri)…”dekorata ma e çmueshme”.  Simbas tij, “nuk ka nderim ma të madh se ky dekorim”, u shpreh ai.

E gjithë veprimtaria e Frank Gj. Shkrelit, qoftë ajo letrare, qoftë politike, përshkohet nga disa ide qendrore, si bosht i filozofisë së jetës tij.  Besimi në Zotin dhe besnikeria per Kishën Katolike Apostolike Romane Shqiptare zanë vendin e parë.  Binomi “Fe e Atdhe” i trashiguem nga popullsia katolike shqiptare që në kohët ma të vjetra, e sidomos që në ditet e lavdishme të epokës skenderbegiane, ashtë frymëzimi i tij.  I dyti, dhe i pandashëm, ashtë shërbimi për Atdheun – në rastin e tij: Shqipëria dhe Amerika. E treta, ashtë nji përpjekje koshiente dhe konstante me luftue pa kompromis murtajën komuniste në Shqipëri dhe kudo që ajo paraqitet. Dhe këte e ka ba me bindje absolute!

E kaluemja e Frank Gjeto Shkelit në vendlindje, jeta e peripecitë e familjes tij në Shqipëri dhe në ish Jugoslavinë, tragjedia e popullit shqiptar sidomos gjenocidi i klerit katolik shqiptar, vorfënia, shtypja, paditunia masive, poshtënimi i psuem si “shqiptar” në nji shtet sllav, kanë lanë gjurmët e tyne të thella tek i riu Frank dhe nuk janë sherue asnji herë…!   Ato janë “lehtësue” me veprimtarinë e tij në luftë me padrejtësitë e jetueme, me veshtirsitë e kalueme dhe kjo “frymë”lexohet në çdo rresht që ai ka shkrue, në çdo fjalë që ai ka folë, në jetën private dhe atë publike, me zanin e tij të fuqishëm  e me pendën e tij të fortë.

Frank Gjeto Shkreli ka qenë dhe mbetet përherë nji figurë e plotë e veprimtarit që ka punue dhe akoma punon, si nji misionar!

Ridgefield, CT. USA                                          Sami Repishti, Ph.D.

Pedagog në pension

PARATHËNIE NGA DR. ELEZ BIBERAJ PËR LIBRIN “DEMOKRACIA NUK PRET”

Elez-Biberaj-210x160

Frank Shkreli është një gazetar me përvojë të gjatë, me një karrierë të shkëlqyer 30 vjeçare në Zërin e Amerikës. Ai është shquar si një mbrojtës i flaktë i lirisë së shtypit, një luftëtar i paepur në kërkim të së vërtetës, dhe nxitës i përhershëm i demokracisë në Shqipëri, Kosovë dhe rajonet e tjera të banuara nga shqiptarë. Franku ka arritur të gjejë një këndvështrim të veçantë, duke u paraqitur lexuesve të tij analiza objektive dhe të thella për shumë çështje të rëndësishme, që nuk kanë tërhequr vëmendjen e duhur në shtypin vendor. Duke iu drejtuar shqiptarëve nga një këndveshtrim amerikan, ai pasqyron në mënyrë origjinale debatet dhe shqetësimet e politikanëve, zyrtarëve dhe ekspertëve amerikanë mbi zhvillimet në Ballkan, si dhe të sfidave me të cilat shqiptarët dhe fqinjët e tyre ndeshen në rrugën e vështirë drejt integrimit Euro-Atlantik dhe konsolidimit të rendit demokratik. Një këndvështrim i tillë është edhe më i rëndësishëm sot, pas prirjeve autoritare në ngritje dhe përpjekjeve agresive të Rusisë për të zgjeruar ndikimin politik dhe mediatik në Ballkan, që synon të fusë një pykë midis Shteteve të Bashkuara dhe demokracive të brishta ballkanike.

Shkrimet e Frankut karakterizohen nga një ndjeshmëri e veçantë.  Ai është i shqetësuar për zhvillimet negative në trojet shqiptare – polarizimin politik në Tiranë, Prishtinë dhe Tetovë, korrupsionin e përhapur kudo, dhe mungesen e mundësive të barabarta ekonomike.  Por gjithsesi ai është optimist se shqiptarët do të bëjnë zgjedhjet e duhura që në fund të fundit, do t’i ndihmojnë të realizojnë potencialin demokratik, për ta lidhur kombin e tyre në mënyrë të pazgjidhshme me familjen e shoqërive demokratike.

Me këtë përmbledhje të përzgjedhur me kujdes, të veçantë, dhe bindëse, Franku jep një ndihmësë të rëndësishme në debatin politik dhe mediatik shqiptar. Libri i tij do të jetë një burim i pazëvendësueshëm për gazetarët, studentët, dijetarët dhe politikanët.

Dr. Elez Biberaj

Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë

Zëri i Amerikës

Uashington

SIMON MIRAKAJ: PARATHËNJE E LIBRIT “DEMOKRACIA NUK PRET”

1 simon mirakaj

Frank Shkrelit — edhe pse larg Atdheut të tij të izoluar nga bota e qytetëruar dhe e lirë — zemra dhe mendja i rrahin dhe nuk e ndalin punën për vendin e tij “të zënë rob” nga diktatura komuniste. Zëri i tij tek Zëri i Amerikës të jepte pakëz dritë dhe shpresë në atë pus të errët dhe të pafundmë në Shqipëri.  Nuk ishin të pakët ata që vraponin për të kapur orën e 8 e 30 minuta, se çfarë do na thoshte Frank Shkreli, Elez Biberaj, Idriz Lamaj e tjerë.  Ishte ai za, ushqimi ma i mirë për ne mbas një pune tmerrësisht të lodhshme e të pasigurisë së ekzistencës tonë. Kontributi i Franit, i këtij personaliteti të diasporës shqiptare është shumë i madh, si në shëmbjen e  komunizmit, po ashtu edhe në pavarësinë e Kosovës.  Me shkrimet e tij, që përçohen nga fryma kombëtare, ai sensibilizoi kancelaritë ndërkombëtare për gjenocidin serb në Kosovë. Tani Frani është prezent në shtypin e shkruar dhe pikërisht te gazeta “Telegraf”.  Për vlerat kombëtare të tij, Komuna e Shkrelit me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë e bëri “Qytetarë Nderi” të komunës.  Unë, si lexues, i rregullt, por edhe si mik i familjes ndihem krenar për kontributin e Franit, për çështjet e ndryshme kombëtare. Me këtë rast i uroj shëndet dhe si gjithmonë e falënderoj për kontributin e tij për shtresën e ish-të përndjekurve politikë!

Simon Miraka,

Kryetar i Shoqatës Anti-Komuniste të ish-përndjekurve politikë

 

Filed Under: Analiza Tagged With: "DEMOKRACIA NUK PRET", liber, Nga Frank Shkreli

Thaçi ndryshon qëndrim: Do të dëgjojmë Këshillën e Amerikës

March 30, 2017 by dgreca

Thaçi: Jemi gati të nisim ndryshimet kushtetuese për ushtrinë, do t’i bind serbët/hasha_1490870262-7518072

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Radios Evropa e Lirë se ‘pajtohet me zyrtarët e lartë amerikanë për krijimin e Forcës së Armatosur të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese’.Thaci tha se transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura “duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës vendor dhe i partneritetit të gjithëmbarshëm ndërkombëtarë, në veçanti SHBA-së dhe NATO-s”.Ai tha se do ta nisë dhe udhëheqë një proces të diskutimeve me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës “për të shteruar të gjitha mundësitë e koordinimit me ta për krijimin e Ushtrisë së Kosovës”.

Në intervistë me Radion Evropa e Lirë, presidenti Thaçi tha se asgjë “nuk mund ta bllokojë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, meqë siç tha “është një e drejtë e patjetërsueshme e qytetarëve të Kosovës dhe e institucioneve të një vendi të pavarur dhe sovran”.

Në intervistë presidenti Thaçi flet edhe për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë dhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale serbe edhe në territorin e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti President, zyrtarët amerikanë që kanë vizituar Kosovën kanë shprehur shqetësimin e Washingtonit zyrtar lidhur me procesin e transformimit të FSK-së me ligj. Ata kanë thënë se e përkrahin transformimin por vetëm me ndryshimet kushtetuese në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent. A është kjo temë tani ‘jashtë tavolinës’ kur flasim për transformimin me ligj?

Hashim Thaçi: Ideja për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nuk është ide e sotme, është në kuadër të projektit për rishikimin e sektorit të sigurisë. Ndërsa, ne kemi pajtueshmëri të plotë si Kosovë me SHBA-në dhe NATO-n që nga fillimi i vitit 2014 për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Unë edhe dje jam takuar me zotin Hoyt Yee gjithashtu edhe me ambasadorin e SHBA-së zotin Delawie. Ajo që është me shumë rëndësi është se kemi qëllimin e njëjtë, objektiven e njëjtë që Kosova të ketë Forcat e veta të Armatosura, të jetë një proces gradual, gjithëpërfshirës, me praninë e të gjitha komuniteteve, përfshirë këtu edhe serbët.

Ata janë të përfshirë edhe tani, por jemi që të marrin rol edhe më aktiv që të kemi Forca të Armatosura të Kosovës si Forcë multietnike, e standardeve të NATO-s. Dakordohemi plotësisht që ky proces të ndodh përmes ndryshimeve kushtetuese. Tani edhe koha që ka mbetur është një mundësi e re, në veçanti pas kthimit të Lista Sërpska në institucionet e Kosovës, që të diskutojmë me ta, t’i dëgjojmë sërish shqetësimet në mënyrën më serioze të mundshme, vullnetin e tyre dhe që të gjithë të jenë pjesë e këtij procesi, pra gjithëpërfshirës vendor dhe partneritetit të gjithëmbarshëm ndërkombëtarë në veçanti të SHBA-së dhe NATO-s.

Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se ngadalë duhet të bëhen përpjekje për ndryshime kushtetuese për transforimimin…

Hashim Thaçi: Definitivisht, ne jemi gati të nisim këto ndryshime kushtetuese. Do të vazhdojmë në ditët dhe javët e ardhshme me komunitetin serb të flasim me Lista Sërpska dhe me të gjitha komunitetet e tjera, që të jetë një proces i koordinuar dhe mirë i organizuar. Unë nuk besoj se dikush mund të rezistojë, kësaj të drejte të institucioneve të Kosovës për themelimin e ushtrisë, deri në pafundësi apo të pretendojë të vë veto sepse askush nuk ka veto. Ne duam që të themelojmë ushtri të Kosovës për të qenë pjesë e integruar në NATO dhe jo ushtri të Kosovës për të qenë e izoluar. Prandaj do të punojmë gjithanshëm edhe në rrafshin koordinues vendor me të gjithë por edhe në rrafshin ndërkombëtar që të jetë një angazhim i pranueshëm nga të gjithë dhe i mirëpritur nga të gjithë.

Radio Evropa e Lirë: Por a ka Lista Serbe ndonjë kusht që t’I japin mbështetje FSK-së?

Hashim Thaçi: Realisht deri më tani nuk kanë prezantuar ndonjë platformë se si ata do të mund të inkuadroheshin në këtë proces, apo ndonjë ide. Me përjashtim të refuzimit që e kishin të nxitur, inkurajuar dhe të urdhëruar nga Beogradi. Unë nuk dua të besoj se pas kthimit në institucione ata do të vazhdojnë të jenë refuzues në kuptimin absolut. Do ta kuptojnë se themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk është i drejtuar kundër askujt përkundrazi është në shërbim të qytetarëve pa dallim etnie, do të jetë një forcë multietnike e kritereve dhe vlerave të NATO-s.

Në ditët e ardhshme planifikoj që të takohem edhe personalisht, të bisedoj me ta në mënyrën më të sinqertë dhe të përgjegjshme dhe në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të lëvizin përpara. Unë e theksoj se ne do të jemi shumë serioz në këtë proces. Ka filluar, do të përmbyllet suksesshëm, do ta themelojmë ushtrinë e Kosovës dhe do ta ruajmë partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare. Me rëndësi është shumë që tani agjenda e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës nuk është më vetëm një agjendë lokale por është agjendë e nivelit më të lartë botëror që do të përfshijnë edhe SHBA-në edhe NATO-n. Ky ka qenë edhe synimi edhe qëllimi im. Është një proces i pakthyeshëm.

Radio Evropa e Lirë: E keni një plan si t’i bindni serbët, meqë kanë qenë kategorik se nuk do ta votojnë, siç thonë, kurrë ushtrinë?

Hashim Thaçi: Në politikë nuk ka kurrë, kurrë! Nuk mund të thuhet kurrë se një proces nuk mund të ndodh. Nuk ka forcë që do të mund ta bllokojë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Është një e drejt e patjetërsueshme e qytetarëve të Kosovës dhe e institucioneve të një vendi të pavarur dhe sovran. Tani hapat duhet të koordinohen që të jetë një proces inkluziv, I dëgjimit edhe të opinioneve të ndryshme dhe në të njëjtën kohë unë dua të besoj fuqishëm se serbët e kanë kuptuar që ideja jonë nuk është e drejtuar kundër askujt përkundrazi është në interesin e të gjithëve që vendi ynë të faktorizohet dhe forcohet.

Radio Evropa e Lirë: A duhet qeveria ta tërheqë ligjin?

Hashim Thaçi: Mendoj se koha që ka mbetur është e mjaftueshme që të ndodhin bisedimet e hapura me komunitetin serb, prej bartësve të institucioneve dhe e thash se do të udhëheqë vet me këtë proces të diskutimeve me ta. Do të jetë një proces plotësisht i koordinuar me qeverinë dhe Kuvendin, pasi vetë kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Mustafa kanë qenë ndër të parët që janë informuar me idenë time që nëse serbët shkojnë deri në pafundësi me propozimin për ndryshime kushtetuese atëherë Kosova ka të drejtën e vet edhe ligjore për themelimin e ushtrisë. Kështu që agjenda nuk do të ndalet.

Do të respektohen hapat e domosdoshëm. Do të shterim të gjitha mundësitë e koordinimit me serbët. Të bëjmë gjithçka që është e mundur për integrimin e tyre në proces dhe unë shpresoj dhe besoj se përvoja ime në këto vite që kam bashkëpunuar me ta më thotë se diçka e tillë është e mundshme dhe serbët do të jenë pjesë e procesit.

Radio Evropa e Lirë: Pse ky insistim tash për krijimin e ushtrisë?

Hashim Thaçi: Në fakt ne jemi vonuar. Por, duke u vonuar dhe shpresuar tema e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës sikur filloi të qitet në harresë edhe prej partnerëve tanë ndërkombëtar dhe ky ishte shqetësimi. Prandaj, ideja për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës është përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore. Është e drejtë e jona. Ne nuk themelojmë ushtri për të sulmuar asnjë vend, përkundrazi ne duam vetëm që ta kemi ushtrinë tonë, të standardeve të NATO-s, të integruar në NATO.

Natyrisht të kemi ushtrinë tonë mbrojtëse në shërbim të të gjithë njerëzve, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Kështu që ideja jonë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nuk ndërlidhet fare me zhvillimet në rajon. Kosova nuk mund të paguaj çmimin, gjoja të destabilitetit rajonal, me themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, sepse kjo është injorancë totale e vlerësimit politik prej kujtdo qoftë dhe është plotësisht e pa qëndrueshme sepse Kosova nuk është fajtore për forcimin e Rusisë në Republikën Srpska (në Bosnjë e Hercegovinë).

Kosova nuk është fajtore për fuqizimin e Rusisë në Serbi dhe sjelljen e MIG-ve (aeroplanë ushtarakë) rus atje dhe teknologjisë tjetër ushtarake dhe bazave ruse në Serbi. Gjithashtu, Kosova nuk mund të paguaj çmim për pretendimet e rrezikshme të Rusisë në Mal të Zi apo të bllokadave politike në Maqedoni. Kosova ka rrugën e vet. Ka ndërtuar raporte të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe jemi në proces të rëndësishëm të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Andaj, përkundrazi, unë mendoj se themelimi i Forcave të Armatosurat ë Kosovës e ndihmon edhe dialogun politik, e lehtëson edhe normalizimin e raporteve me Serbinë. Prandaj, mendoj që duhet kuptuar që këtë të drejtë tonën, me përjashtim të Serbisë, të gjitha vendet e rajonit e përkrahin unanimisht.

Radio Evropa e Lirë: Dje kemi parë një revoltë të qytetarëve nëpër rrugët e Kosovës, të cilët dolën të protestojnë, të bllokojnë për disa orë rrugët në shenjë kundërshtimi të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale serbe dhe fushatës zgjedhore. I shpejtë ishte edhe reagimi i Brukselit. Por, a duhet Kosova të lejojë fushatën zgjedhore të një shteti tjetër brenda territorit të saj?

Hashim Thaçi: Qeveria e Kosovës ka nxjerrë vendimin e drejtë, që kryeministri Vuçiq t’i vizitoj serbët e Kosovës. Mendoj se nga lëvizja e lirë dhe vizitat e ndërsjella nuk humb askush, përkundrazi sjellin normalitet dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Ne jemi përcaktuar që të respektojmë veprimet të cilat kanë qenë edhe më herët të qendrave të grumbullimit për votuesit serb, sepse ata kanë të drejtën e dyshtetësisë sikurse edhe të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës.

Prandaj edhe pjesëmarrja në tubime elektorale nuk do të ishte fundi i botës. Unë e kam mbështetur plotësisht vendimin e Qeverisë së Kosovës. Ndërsa kufizimi kohor është i diskutueshëm. Kurse e potencoj fuqishëm se bllokadat e rrugëve nuk janë zgjidhje. Përkundrazi ne kemi dialoguar, kemi punuar që të kemi lëvizje të lirë të njerëzve, të mallrave, të zyrtarëve, kështu që është diçka plotësisht e papranueshme që rrugët të bllokohen.

Radio Evropa e Lirë: A është dakorduar Kosova në Bruksel për këto vizita, siç thuhej në qëndrimet e djeshme të BE-së?

Hashim Thaçi: Këto çështje nuk diskutohen në Bruksel. Por, mendoj se ky është definitivisht vendim autonom i vendeve tona, sepse jemi të pavarura e sovrane. Kryeministri Vuçiq ka paraqitur kërkesën e rregullt institucioneve të Republikës së Kosovës, që në një formë a tjetrën është edhe njohje për shtetin e Kosovës. Kështu që mendoj se gjithçka ka qenë në suaza të praktikave të mëhershme. Nuk ka pasur ndonjë risi.

Radio Evropa e Lirë: Por, Vuçiq nuk erdhi. Tha se nuk i pranon kushtëzimet e Prishtinës?

Hashim Thaçi: Është vendimi i tij, mendoj përsëri që kushtëzimi kohor për mua ka qenë i diskutueshëm, sepse tek e fundit, si tri orë si pesë orë, njësoj.

Radio Evropa e Lirë: Sa keni informata, a do të mbahen zgjedhjet serbe të dielën në Kosovë?

Hashim Thaçi: Tani është në autoritetin e institucioneve përkatëse të sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet e OSBE-së. Kështu që gjithçka do të jetë në suazat e praktikave të mëhershme.

Radio Evropa e Lirë: Tani, meqë serbët janë kthyer në Kuvendin dhe institucionet e Kosovës. A mund të pritet fillimi i punës për krijimin e Asociacionit dhe a jeni në dijeni nëse ata do të përkrahin demarkacionin, apo edhe ushtrinë në një pako, bashkë?

Hashim Thaçi: Kosova është vonuar me themelimin e Asociacionit, në veçanti pas opinionit të Gjykatës Kushtetuese. Duhet të filloj sa më shpejt hartimi i statutit të këtij Asociacioni. Ndërsa sa i përket demarkacionit, mendoj që të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se pa kalimin e këtij kushti, si i vetmi për liberalizimin e vizave, Bashkimi Evropian nuk ndryshon qëndrim dhe qytetarët e Kosovës do të mbeten të izoluar. Prandaj, mendoj që rikthimi i serbëve është një mundësi e mirë që të punohet drejt një votimi në Kuvend. Kjo do të ishte e shëndetshme për shoqërinë kosovare, për konsolidimin e shtetit tonë dhe të drejtën për lëvizje të lirë të qytetarëve. Në të kundërtën, duke mos themeluar Asociacionin, duke mos kaluar demarkacionin, duke mos e fituar të drejtën për liberalizim të vizave, do të mbetemi si vend, si shoqëri, si shtet të bllokuar, padrejtësisht, por edhe me fajin tonë.

Radio Evropa e Lirë: Prisni të hapet debati rreth këtyre çështjeve në Kuvend?

Hashim Thaçi: Mendoj që debati ka përfunduar tash e tri vite kurse ne sillemi në një vend duke diskutuar, debatuar këto tri çështje. Kosova duhet t’i jap drejtim vetvetes. Dëshiron drejtimin e duhur apo dëshiron një vendnumërim edhe në të ardhmen. Nuk guxojmë të lejojmë vendnumërim. Duhet të marrim vendime përkatëse – jemi të gatshëm t’i kalojmë këto sfida apo duhet të ndodhë një fillim i ri.

Radio Evropa e Lirë: Nëse nuk kalojnë këto sfida, a janë zgjedhjet zgjidhje?

Hashim Thaçi: Kjo çështje u takon partive politike. Unë si president i vendit do të respektoj kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, do të thotë për zgjedhjet e rregullta, por nëse ka marrëveshje politik mes spektrit politik, atëherë unë do të respektoj vullnetin e tyre.(REL)

Filed Under: Opinion Tagged With: do bindim serbet, gati, Thaci

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT