• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2017

Naum Prifti, shkrimtari që bëri emër mbi vullkan…

March 7, 2017 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

1 Legjenda    Në brezin e shkrimtarëve të “Realizmit Socialist” numërojmë shumë shkrimtarë, “publicistë”, “historianë”, poetë, të cilët, me hir apo pa hir, u bënë me veprat e tyre reflektimi i sipërfaqshëm i doktrinës zyrtare të kohës. Dikush lëvdonte Partinë dhe Enverin, një tjetër kapej pas temave të “bumit të mirëqënies” së socializmit e dikush kredhej në “përsiatje ideologjike” mbi vijën e drejtë të luftës së klasave. Të paktë qenë ata që menduan dhe u përpoqën të shpëtonin veprat e tyre nga helmi propagandistik që përgatitej në laboratorët e Komitetit Qendror të P. P. Sh. Duke vendosur kriterin ideologjik mbi ato estetike, individualiteti krijues i shkrimtarëve, nuk ishte një çështje e dorës së parë për letërsinë tonë, krijimi i modeleve të reja nën frymën e parullave të novatorizmit nuk përfshinte zgjerimin tematik në drejtim të lirisë shoqërore dhe botës së brendshme të individit. Totalitarizmi nuk lejoi që letërsia të shihej si çështje mes shkrimtarëve dhe lexuesve dhe dijet mbi të u kufizuan brenda korrnizave të censurës. Çka nuk ishte militante, nuk mund të ishte letërsi! Por edhe gjendja e publicistikës dhe e historisë nuk paraqitej aspak ndryshe.grirja-e-shpirtit

Letërsia e re është një dokument i rëndësishëm i kohës së monizmit në Shqipëri. Studimi i saj është i dobishëm kryesisht në rrafshin e përgjithshëm historiografik, pasiqë në kuptim të ngushtë letrar ajo u zhvillua jashtë funksionit natyror të vet. Kështu është e pamundur që letërsia e realizmit socialist shqiptar të studiohet e kuptohet jashtë rrethanave politike të kohës në të cilën ajo u zhvillua. Megjithatë, shkrimtarët e vërtetë, falë gjenialitetit të tyre krjues, ia dolën herë-herë të thyenin kanonet letrare të doktrinës zyrtare. Duke iu shmangur modelit zyrtar, nën ndikimin e realizmit europian, atij klasik dhe atij bashkëkohës me ngjyrim socialist, shkrimtarët tanë më të mirë, krijuan vlera të vërteta letrare që kaluan kufinjtë e Shqipërisë. Ata ishin shumë pak! Dhe dalja jashtë kufinjve kishte një kosto: shkrimtari duhej të bënte një lloj kompromisi të nënkuptuar pa qenë madje nevoja për kontrata të firmosura, sepse çdo marrëveshje presupozon ekzistencën e dy palëve të dakordësuara, ndërkohë që praktikat diktatoriale nuk e njohin partneritetin me individin e lirë. Shkurt që të vezullonte ylli i shkrimtarit duhej që rrezatimi të kalonte nga tunelet e Luciferit, siç qe dhe rasti i Kadaresë. Qëllimi ishte përdorimi apo më saktë shpërdorimi i imazhit të shkrimtarit për lavdinë e diktaturës. Kjo ishte një fatkeqësi kombëtare! Një fatkeqësi që i ka pasojat të dukshme edhe në ditët e sotme, teksa shohim që disa nga shkrimtarët tanë më të mirë, konsiderohen të kontaminuar nga një pjesë e kritikës së sotme. “Kritikët” e sotëm e kanë të lehtë për të kritikuar ashpër, pa kuptuar se në atë mënyrë fshijnë si me një tastierë kompjuteri atë pak pranverë që rrekej të lulëzonte brenda  dimrit  të gjatë barbar. Nuk ka krim më të madh se sa të kërkosh të programosh mendjen e lirë të një intelektuali. E ky rregull çnjerëzor ishte rregulli numër një i komunizmit. Ai që dilte kundër këtij rregulli …

midis-dy-kohesh

Është e vërtetë që shumë shkrimtarë i shpëtuan me “mjeshtëri” përndjekjes, por nuk janë të pakët ata të cilët, nuk shpëtuan dot, duke u dënuar me akuza nga më të ndryshmet deri madje edhe nga ato më banalet dhe rasti i mikut tim të dashur, poetit të madh Frederik Rreshpja, është ndër më domethënësit.

Naum-Prifti-As-Mico-as-Muco-250x250

Ndër shkrimtarët që nuk i shpëtoi ndënshkimit partiak ishte dhe Naum Prifti, me një veprimtari të shumanshme letrare që nga krijimtaria brilante për fëmijë, argëtuese dhe didaktike e deri tek proza tregimtare eklektike, për të mos harruar gjinitë skenike, punën e tij si redaktor revistash si Hosteni e Ylli, kontributin e çmuar në jetën universitare dhe prezencën e shpeshtë në shtyp me artikuj studimorë ku spikat mendimi i ngjeshur kritik dhe shija e hollë estetike. Pas shfaqjes së dramës “Rrethi i Bardhë”, në kohën e revolucionit kulturor, shkrimtari Prifti, ndjen në kurriz dhëmbët e diktaturës së proletariatit. Drama “Rrethi i Bardhë” shkaktoi pakënaqësinë e vetë diktatorit Hoxha, i cili ndërseu langonjtë për ta ndënshkuar krijuesin e madh. Naumi internohet për disa vite në Myzeqe. Nevoja për potencialin e tij krijues, bëri që diktatura ta konsideronte të “shlyer” gabimin e shkrimtarit. Kështu diktatura duke e lejuar kthimin e Naumit në Tiranë,  kishte rastin të demostronte nëpërmjet “klemencës” ndaj Priftit, se ç’i priste të tjerët nëse shkelnin vijën ideologjike që partia kishte shtrirë në art dhe letërsi. Por, Naumi asnjëherë nuk rrahu gjoksin në postdiktaturë për përvojën e hidhur të përndjekjes së tij, ai kurrë nuk e deklaroi veten si një ish disident, si një shkrimtar i persekutuar nga rregjimi siç bëjnë sot disa shkrimtarë! Për të, rëndësia e një shkrimtari qendron tek vlerat që transmeton krijimtaria e tij, nëse nuk ndodh që ato të tërheqin vëmendjen e lexuesit, është e kotë që të kapesh pas të dhënave biografike.

ndjekesi-i-kuajve

Jeta e tij krijuese flet vetë me anë të një bibliografie të pasur me mbi njëqind vepra si rrallë ndonjë shkrimtari tjetër në letërsinë tonë. Robert Elsi, me një përshkrim të shkurtër, e përfshin ndër shkrimtarët më të lexueshëm shqiptarë, pa hyrë në vlerat e vërteta letrare të Naumit. Vlerat estetike të dallueshme të krijimtarisë së tij mund të përmendim skicimin e mprehtë të karaktereve, thellësinë e mesazheve artistike, gjuhën e pasur dhe të lëmuar, mendimin që arrin herë-herë deri në persiatje filozofike,ngrohtësinë e ndjenjës dhe shkallën e lartë të humanitetit në trajtimin e temave.Unknown

Në tregimin “The Golden Fountain”, pjesë e librit me të njëjtin titull, fabula e tregimi duket sikur ka ngjashmëri  me  historinë e “Bakhchisaray Fountain”, ose siç e quajnë “Fountain Of the Tears”, ku Pushkin do të shkruante poezinë e famshme “Shatrivani i Bahçisarajt. Por, në fakt tregimi i Naumit, ka një ndryshim thelbësor. Ai e dekoron modelin ideal të vajzës shqiptare, me kultet etnotipike, besën dhe virtytin e lartë, nderin. Dhe pse personazhet nuk ishin të martuar, besa e zemrës së premtuar mjaftonte për një dashuri të shenjtë platonike e cila përfundon në flijim. Kulmi i tregimit është, kur babai ndërton çezmen e artë në përkujtim të përjetshëm të vajzës së vet. Mitin që ndërton ai në këtë tregim, do ta kishte zili dhe Verona, që mbart  arketipin e tragjedisë shekspiriane, “Romeo e Xhuljeta”.

Tek “Grirja e Shpirtit”, mjafton të lexosh tregimin “Cungjet e Kryetarit” të kuptosh forcën e penës së Naumit. Këtu toni satirik kalon me natyrshmëri në sarkazëm, që është një nga mjetet e përdorura me mjeshtëri nag shkrimtari ynë. Ajo është thumbuese dhe jo aq fshikulluese siç ndodh rëndom me shkrimtarët e tjerë satirikë.  Satira naumiane nuk godet për të ndëshkuar, ajo ka tjetër natyrë, natyrën e vetë sbhkrimtarit që ndërhyn për të shëruar dukuritë negative në jetën shoqërore. Verisimilituda e Naumit është në shkallën më të lartë. Deus ex machina është një instrument zbërthimi në penën e autorit. Satira e tij, pa frikë  mund të krahasohet me atë të shkrimtarëve e mëdhenj të traditës perëndimor, Mark Twain, Woody Allen, Jonathon Miller, Grigori Gorin, Hajnrih Bel etj…

naum-prifti1

Novela, “Një Spiun për Ministrin”, po tek libri “Grirja e Shpirtit”, zbërthen shkakun dhe pasojën e katastrofës së shkuarës, e cila vjen si pasojë e të njëjtës kategori njerëzish injorantë, shpirtzinj, të cilët, pasi janë degraduar vetë shpirtërisht, luftojnë për të shkatërruar përditë vlerat intelektuale, frymën e progresit dhe shpirtin e shoqërisë!

Sigurisht, jo të gjithë bien dakord kur është fjala për një shkrimtar të madh e shumë prodhimtar siç është Naum Prifti. E kuptoj se ka dhe mendime kundra, këtë e quaj normale në kritikën bashkohore, por personalisht i përkas mendimit se vlerat e letërsisë sonë duhen evidentuar, promuovuar e kultivuar. Dhe vepra e Naumit është mjaft e pasur për t’u lënë jashtë vëmendjes. Letërsia jonë ka fare pak shkrimtarë të arrirë. Naum Prifti është njëri prej tyre. Ai është shfaqur në letërsinë tonë, në momentin më të vështirë, me tërë madhështinë si shkrimtar i letrave universale. Koha nuk kontaminoi shpirtin e tij krijues. Ai bashkoi në krijimtarinë e tij traditën me modernen, lëndën burimore poetike me fantazinë e mjeshtrit duke ndërtuar një stil të pangatërrueshëm. Si mjeshtër i sintaksës poetike, merret me të gjitha zhanret: novelist, tregimtar, eseist, dramaturg, komedian, skenarist, përkthyes. Si studiues ka kontribuar pa kursim në letrat tona me dhjetra artikuj, por edhe si biograf, monograf. , librete estrade, skenare filmash artistikë e vizatimorë, pjesë teatrale e komedi muzikore, librete baleti. Ai zë një vend të padiskutueshëm nderi në faqet e letërsisë argëtuese-didaktike për fëmijë, në sistemin tonë arsimor. Breza të tërë janë shërbyer me tekstet e tij dhe kanë përfituar mjaft nga fryma artistike dhe edukuese e tyre. Dhe shkrimtarët e vërtetë e dinë sa e vështirë është letërsia për fëmijë. Rrallë shkrimtar ka shkruar me aq dashuri e përkushtim në këtë lëmë si Naumi. Shumë prej teksteve të tij ruajnë freskinë e vlerave edhe sot.

Memuaret e Naumit janë tablo të gjalla e të plot dritë. Teksa i lexon përfshihesh tërësisht në rrjedhën e ngjarjeve sa e ndjen veten dëshmitar dhe jo lexues. Vlerat e kujtimeve  janë të vlefshme si në rastin human dhe në rrafshin  historik. Ai ka një thirrje  të admirueshme në shkrimet historike , por me modesti, lë të vërtetën historike  në dorë të gjurmuesve të historisë. Me një kompetencë të pashoqe, sqaron debatin e datës 28 Nëntor – 29 Nëntor, ditën e çlirimit, ku sjell fakte të pakontestueshme se, data 28 Nëntor është dita e çlirimit të Shqipërisë. Me penën e tij, kritikon gabimet e Zogut, dhe më pas dënon (sipas stilit naumian) qeverinë komuniste…

Në debatet dhe polemikat intelektuale, Naum Prifti, ka ruajtur me seriozitet të padiskutueshëm objektivitetin në gjykimet e tij kritike. Në një replikë me patriotin e mirënjohur Ekrem Bardha, ai nuk kurseu dhe kritikat për Ballin Kombëtar. “Kush e filloi luftën civile në Shqipëri?”, është një kontribut mbi ndriçimin e mëtejshëm të kësaj teme historike, për të cilën shqiptarët janë të ndarë më dysh. Të dy sollën faktet e tyre në një kohë relativisht të shkurtër, por, ndoshta, gabuan duke e ngushtuar temën vetëm në kohën e luftës, pa përfshirë në diskutim pasojat e tmerrshme, në periudhën e “paqes”, me luftën e klasave si vijim i saj. Krimet e kësaj lufte janë të barabarta me krimet e nazistëve  në Bukenvald, Aushvic etj. Ato duhen klasifikuar e dënuar si krime kundër njerëzimit. Komunizmi nuk ishte vëllavrasës vetëm  në Shqipëri, por në të gjithë Europën Lindore dhe Kinë. Viktimat e komunizmit llogariten dy herë më shumë se sa viktimat gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë pikë, Naumi bën një tërheqje prej një intelektuai të sprovuar, duke theksuar: “ Se gjykimi duhet lënë në dorë të historianëve profesionistë e të paanshëm.”

Libri “Teatri në Kohën e Krizës” (me parathënie të Rafaela Kondi, vajza e Naumit, intelektuale e kompletuar), zbulon prapaskenat dhe pafytyrësinë e partisë që mbante peng jetën e teatrit. Teatri ishte dhe reflektim i jetës së shqiptarëve në përgjithësi. Skena vuante nga të njëjtat sindroma si e gjithë shoqëria.

Eulogjia e Priftit për jetën e Dritëroit, tregon një tjeter tipar të karakterit burrëror të shkrimtarit. Ai e vlerëson Agollin jo vetëm si shkrimtar, por edhe si njeri, përkundrejt akuzave të shëmtuara e të padrejta. Ai na sjell dhe zemëratën e Mehmet Shehut, lidhur  më romanin “Tuneli” të Dhimiter Xhuvani etj. Pra, Naumi, është një minierë që,  sa herë të gërmosh në të,  nxjerr veç lëndë tëe çmuar. Pas ardhjes në Amerikë, Naumi  ka ushtruar detyrën e Sekretarit të Vatrës, duke luajtur përkrah  Dr.Gjon Buçaj dhe vatranëve të tjerë një rol në formimin e një strategjie për të ringritur Vatrën  në prestigjin e saj historik.

Naum Prifti, me kulturën e tij të pashtershme, është gjithashtu një nga zërat kritikë më objektivë që kanë letrat tona. Ai nuk reduktohet në opinione të përgjithshme, siç ndodh rëndom me kritikët e tjerë. Kategorik ndaj pseudo-letërsisë, ai mbetet i hapur ndaj shkrimtarëve premtues, sigurisht kur sheh se veprat e tyre e kanë brumin letrar. Njëherë, një autor i dhuroi Naumit, dy “vepra”, që ai t’i lexonte e t’i jepte mendimin e tij të kualifikuar. Naumi, me mundim të madh i lexoi librat, duke gërmuar me dashamirësi të gjente ndonjë vlerë. Pasi e kreu leximin, më shkroi një letër, ku shfaqte qartë zhgënjimin. Ndër të tjera ai shkruan më shkruante për shkrimtarin këto fjalë: “Ai akoma nuk ka trokitur tek portat e letërsisë!”. Ia tregova autorit se çfarë kish thënë pak  a shumë Naumi… “Romancieri” u zu ngusht, por me sinqeritet, u shpreh: “Nëse Naumi ka thënë ashtu, kjo do të thotë se diçka  nuk shkon mirë  në shkrimet e mia…”.

Naumi, gjatë veprimtarisë së tij të gjatë letrare si redaktor, ka ndihmuar shumë bashkëpunëtorët e tij me këshilla, sugjerime dhe vërejtje prej profesionisti. Dora e tij redaktuese ka qenë sa mjeshtërore aq dhe besnike ndaj vlerave autentike autoriale. Sot nuk ka më mjeshtra të redaktimit si Naumi.

Naum Prifti është gjithashtu një nga shkrimtarët e paktë tanët që ka gëzuar maksimalisht gjithnjë respektin dhe dashurinë e kolegëve, pikërisht falë vlerave dhe personalitetit të tij si shkrimtar e si njeri. Në mbyllje, po sjell edhe një ilustrim të kësaj që sapo theksova. Një nga shkrimtarët më të njohur shqiptarë, Fatos Kongoli, në një kremtim letrar, më thotë: “Nuk mund të dal të flas para Naumit, kam një respekt të madh për veprën dhe figurën e tij.”. E desha Fatosin dy herë më shumë. Njerëz të tillë që vlerësojnë veprën e mikut kanë mbetur pak. Ata duke vlerësuar figurën e kolegut, lartësojnë vetveten në stadin më të lartë. Por, këtë, mjerisht nuk dinë ta bëjnë të gjithë. Dinë ta bëjnë tek ne vetëm njerëzit e mëdhenj.

Me 7 Mars 2017, shkrimtari Naum Prifti, mbush 85 Vjet. Shteti shqiptar, shoqëria shqiptare në përgjithësi e Vatra në veçanti, duhet ta nderojnë këtë pasuri kombëtare që kontriboi si pak kush midis dy shekujve maksimalisht për letërsinë, kulturën dhe artin shqiptar.

Pa dallim, brezi jonë i detyrohet shumë veprës letrare dhe përkushtimit intelektual të Naum Priftit.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, bëri emër, mbi vullkan…, Naum Prifti, shkrimtari që

SHKRIMTARI QË TREGOI “SI MBIJETUAN SHQIPTARËT”, S’ËSHTË MĒ MIDIS NESH

March 7, 2017 by dgreca

1 Demolli Nga Sinan KAMBERAJ/ U nda nga jeta Arif Demolli, shkrimtari, i cili arriti t’i kthente në humor me shumë sukses situatat dramatike jetësore, përmes magjisë së artit të vet letrar.
Jam me fat që e kam njohur nê auditorët e Fakultetit Filizofik të Prishtinës, në Vitin 1971. Që atëherë e shtuam miqësinë, si kolegë, gazetarë në Gazetën e Studentëve “Bota e Re”; tri vjet më vonë, poashtu bashkë – në Televizionin e Prishtinës, për ta ruajtur miqësinë, edhe në situatat dramatike të jetë së tij, deri sot, kur e dha frymën e fundit.
Për gati pesë dekada, me Arifin i kemi përjetuar dhe pjesëtuar bashkarisht gëzimet jo të pakta familjare, ashtu sikurse edhe hidhërimet mjaft të shpeshta që di t’i sjell jeta, sidomos ato që u “parashkruhen” njerëzve jokonformistë, siç ishte Arif Demolli.
Arifi ka qenë një intelektual i rrallë, në plotëkuptimin e fjalës, – një gazetar e redaktor i guximshëm, një shkrimtar prodhimtar – poet e prozator; romancier, eseist, autor tekstesh muzikore, autor librash shkollorë dhe, mbi të gjitha, ai ishte një mjeshtër i prozēs së shkurtër satirike dhe i poezisë humoristike. Menjëfjalë, Arifi ishte një krijues i gjithanshëm që na la trashëgim dhjetëra vepra që zënë një vend nderi në fondin e artit letrar shqiptar.
Arif Demolli ishte një i dënuar politik, i cili i vuajti dy vjet burg, siç iu tha, si kundërshtar i regjimit 1981/82. Qe akuzuar se ishte tallur me qeverinë dhe se kjo shihej nga provat që i kishin parë të gjalla zyrtarët e shtetit në një ditar privat të tij, që i ishte gjetur gjatë një bastisjeje policore të shtëpisë familjare në Kolovicë të Prishtinēs.
Më pastaj, shtatë vjet të tjera, Arifi mbeti pa punë (!).
Ndoshta nuk është rasti të thuhet, por nuk mund të përmbahem pa e thënë se turpi duhet të bie mbi atë që e spiunoi, mbi urdhërdhënësin, hetuesin, prokurorin e gjyqtarin, serbë a shqiptarë qofshin ata, që e arrestuan dhe e dënuan Arifin, që u përpoqën t’ia prishnin jetën, ashtu si dhe mbi ata që s’e lanë të punonte, mbas vuajtjes së dënimit.
Ata që ia mohuan kētë të drejtë themelore, pra të drejtën e punës (shqiptarë ishin), do të duhej ta dinin se Arifi i kishte katër fëmijë që duhej rritur e ngritur. Fëmijët, megjithatë, do të rriteshin e do të ngriteshin, ndonëse me shumë mundime … Ata u rritën me dinjitet, me përkujdesjen e Gjyshit Rizë, sa ishte Arifi në burg, dhe Nënës Nergize, gjatë gjithë kohës, gjatë vuajtjes së burgut dhe më pas.
Sot, kur tashmë janë bërë të zotët e vetës, Anila, Mimoza, Ylli dhe Dodona, të gjithë me studime të mbaruara, duhet të jenē krenarë për Babën e tyre, Arifin.
Me Arifin krenohen edhe miqtë e shokët e tij të shumtë.
Arifi e ka përballuar dënimin me burg. Arifit ia kanë ndaluar të botonte për shtatë vjet, por s’kanê mundur t’ia ndalojnë të shkruante!
Ai shkruane pa u lodhur. “Po shkruaj për vete”, thoshte shpesh, deri në vitin 1990, pa shpresë se do t’i botonte në të gjallë.
Arifi e dinte si mbijetohet, sepse e dinte “Si mbijetuan shqiptarët”. Ai e dinte si dukej qyteti me sytë e një artisti, sepse i shihte mē mirë se të tjerët “Ballkonet e njē qyteze”. Secili e ka fëmijërinë dhe djalërinë e vet; edhe Arifi e kishte të vetën. Por, “Fëmijëria, djalëria …  ” e Arifit ishte tjetër, është artistike, është kryevepra e tij.
U gëzuam vjet që Ministria e Kulturës e Kosovēs e nderoi me   Çmimin Kombëtar “Azem Shkreli” për Krijimtari Jetësore Letrare, për Vitin 2015.
Ajo e nderoi Arifin, por edhe vetëvetën.
Pêr fat të keq, që sot, artdashësit do ta kenë mangut një krijues të mirëfilltë të letêrsisë. Por, duhet ta pranojmë me keqardhje se fëmijët sot janë humbësit më të mëdhenj. Atyre do t’u mungojë shkrimtari Arif, autori i dhjetēra veprave për fëmijë, vepra me shumë vlerë. Atyre do t’u kēputet vargu i librave të reja të Arifit në raftet e bibliotekave shkollore e familjare.
Arifin do ta kujtijnë të gjithë ata që e kanë njohur! Do ta kujtojnë, sepse, Arif Demolli, ashtu siç shpërthente në gaz, duke qeshur me zemër për një barcoletë të rrëfyer nga tjetri, pikëllohej për njē pipth dardhe të shartuar, që s’e nxirte sythin në kopshtin e tij në Kolovicë.
Pushoftë në paqe shpirti i tij paqësor!
_____

New York, 6 mars 2017
___

Një foto e vitit 1970. Anëtare të Redaksisë së Gazetês “Bota e Re”, bashkë me anëtarë të SHKA të Studentëve “Ramiz Sadiku”. Arif Demolli (i treti në këmbë, nga e djathta)

Filed Under: Opinion Tagged With: Arif Demolli, Sinan Kamberaj, u shua

Kosovë-Shuhet shkrimtari Arif Demolli

March 6, 2017 by dgreca

-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ministrat  Kujtim Shala e Arsim Bajrami ngushëlluan familjen Demolli/

1 demolli3

PRISHTINË, 6 Mars 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Shkrimtari Arif Demolli ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare, i lindur në 2 maj 1949 në Gllogovicë të Prishtinës, u njoftua sot.1 arif demolli

Në vendlindje mori mësimet e para, vazhdoi në Shkollën Normale dhe në Fakultetin Filozofik – gjuhë dhe letërsi shqiptare, në Prishtinë.  Punoi në arsim, në gazetën “Bota e Re” të studentëve të Universitetit të Prishtinës, në Televizionin e Prishtinës, në revistat “Fjala” e “Pionieri” dhe në Ministrinë e Arsimit.Dy nga veprat, librat “Ballkonet e një qyteze” dhe “Pëllumbat e kujtimeve” i janë ribotuar edhe në Tiranë. Është autor dhe bashkautor edhe i disa librave të leximit, shkollorë.

Për romanin “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie” mori Çmimin Pjetër Bogdani të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kurse për librin “Pse gjirafa ka qafë të gjatë” mori Çmimin letrar Vehbi Kikaj.

Para një viti, në 15 shkurt, në ambientet e Ministrisë së Kulturës të qeverisë së Kosovës, kryeministri Isa Mustafa ka ndarë Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, të vlerësuuar nga një juri profesionale, për shkrimtarin e mirënjohur Arif Demolli, në një ceremoni të veçantë me rastin e ndarjes së çmimeve letrare për veprat më të mira, aktivitet ky i organizuar në kuadër të axhendës zyrtare të manifestimeve për shënimin e 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Me atë rast, laureati i shpërblimit më të rëndësishëm kosovar në letërsi, Arif Demolli, u shpreh se, “vetë edhe formulimi për vepër jetësore, pak më tingëllon si trishtueshëm, sikur erdh tek një pikë, sikur ka marrë fund gjithçka. Mirëpo unë besoj, kam dëshirë, dhe uroj të gjithë ata që e kanë fituar këtë çmim dhe do ta marrin, që kjo pikë të bëhet presje, dhe jeta të na vazhdoj dhe të krijojmë diçka të re”.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ngushëlloi sot familjen Demolli. “Me dhimbje dhe pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, shkrimtarit të shquar të Kosovës e mikut tim të dashur, Arif Demollit. Ndarja nga jeta e Arifit, është një humbje e madhe për familjen, për miqtë, për letërsinë shqipe dhe për shtetin e Kosovës”, shprehet kryeministri.

Mustafa vlerëson se, Arifi me veprën e tij letrare dhe veprimtarinë intelektuale dha kontribut shumë të madh për zhvillimin e krijimtarisë artistike e letrare, si dhe të jetës arsimore e edukative në Kosovë.

“Brezat e sotëm dhe të ardhshëm, si dhe institucionet e Republikës së Kosovës do ta përkujtojnë përherë jetën dhe veprën e Arif Demollit . Andaj, më lejoni që në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tuaj të madhe”, thekson në mesazhin e ngushëllimit kryeministri Mustafa.

Telegram ngushëllimi familjes Demolli i ka dërguar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala,  duke u shprehur se, “Arif Demolli, me krijimtarinë e tij, ka dhënë shumë për artin letrar, duke punuar me devocion dhe duke kontribuuar në pasurimin e jetës intelektuale, arsimore e edukative për breza të tërë në Kosovë”.

Ndërsa, Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në telegramin e ngushëllimit thekson se, “Arif Demolli ishte miku ynë, por në veçanti ishte dhe mbetet mik i madh i fëmijëve, sepse me krijimtarinë e tij letrare dhe me tekstet shkollore të hartuara nga ai, u rritën dhe u edukuan shumë breza”.

Filed Under: Kronike Tagged With: Arif Demolli, Behlul Jashari, nderroi jete

Shqipëri, në pikëpyetje procesi për ngritjen e komisionit ad hoc

March 6, 2017 by dgreca

1 ParlamentiNë Shqipëri, parlamenti pritej të diskutonte të hënën mbrëma për ngritjen e Komisionit ad hoc i cili duhet të përzgjedhë kandidaturat për në strukturat që do të bëjnë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Bojkoti i parlamentit nga ana e opozitës e ka vënë në pikëpyetje procesin dhe mbetet e paqartë se çfarë vendimi mund të merret. Parlamenti mund të votojë për zyrtarizimin e komisionit ad hoc, veprimtaria e të cilit do të mbetet gjithsesi e bllokuar përsa kohë që opozita nuk do të jetë e pranishme. Palët kanë një numër të barabartë, prej 3 përfaqësuesish secila, por vendimet në përzgjedhjen e kandidaturave duhet të merren me së paku 4 vota.

Kryeministri Edi Rama dhe aleati i tij kryesor, kreu i Parlamentit Ilir Meta, patën një tjetër takim sot, pak orë para seancës, për të cilin nuk u dhanë megjithatë detaje

Javën e shkuar ekspertët ndërkombëtarë përfunduan vlerësimin e 193 kandidaturave, nga të cilat paraprakisht vetëm 29 plotësonin kushtet formale. Sipas ekspertëve vetëm 21 prej tyre rekomandohen t’i kalojnë gjykimit të përlamentit.

Operacioni ndërkombëtar i monitorimit ka marrë në shqyrtim dhe kandidaturat e përjashtuara për mangësi në dokumentacione, duke përzgjedhur 79 prej tyre të cilët mbeten në vlerësimin e komisionit parlamentar nëse do të merren në shqyrtim ose jo.

Drejtësia, rivlerësimi, rihapet gara për kandidatët

Në Shqipëri, parlamenti i cili u mblodh për të votuar ngritjen e komisionit ad hoc i cili do të bënte përzgjedhjen e kandidatëve për strukturat që do të realizojnë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vendosi sot të rihapë garën, si dhe t’i kthejë Avokatit të Popullit për rishqyrtim listën e kandidatëve që ishin përjashtuar për mungesë dokumentacioni.

Fillimisht në garë u paraqitën 193 kandidatura, nga të cilat paraprakisht vetëm 29 plotësonin kushtet formale. Sipas ekspertëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilët verifikuan dosjet e secilit prej tyre, vetëm 21 emra u rekomanduan t’i kalonin për gjykim parlamentit. Në të njejtën kohë, ekspetrtët ndërkombëtarë morrën në shqyrtim dhe kandidaturat e përjashtuara për mangësi në dokumentacione, duke përzgjedhur 79 prej tyre, si kandidatë potencial.

Duke qenë se vendet vakante për në strukturat që do të kryejnë rivlerësimin janë 27, dhe kandidatët e kualifikuar ishin 21, parlamenti vendosi që t’I rikthejë Avokatit të Popullit listën me 79 kandidatët që kishin mangesi dokumentacioni në mënyrë që t’u kërkojë atyre plotësimin e këtyre dokumentave. Afati për këtë kategori është 7 ditë. Nga ana tjetër parlamenti vendosi që të rihapet dhe një herë gara për t’i dhënë një mundësi të dytë edhe personave të tjerë që dëshirojnë të përfshihen në këtë proces.

Rihapja e garës e shtyn me të paktën 5 javë të tjera që nga data e shpalljes së saj, momentin kur parlamenti do të duhet të rimblidhet për ngritjen e komisionit ad hoc. Në këtë mënyrë shumica ka vendosur të fitojë kohë, duke qenë se komisioni që do të duhet të përzgjedhë kandidaturën, nuk do të mund të ngrihej në mungesë së opozitës e cila ka bojkotuar parlamentin. Palët kanë një numër të barabartë, prej 3 përfaqësuesish secila, por vendimet në përzgjedhjen e kandidaturave duhet të merren me së paku 4 vota.(Zeri i Amerikes)

Filed Under: Politike Tagged With: e komisionit ad hoc, në pikëpyetje procesi për ngritjen, shqiperi

Nishani në Preshevë si presidenti mbarëshqiptar

March 6, 2017 by dgreca

1 NishaniMe ftesë të kryetarit Kamberi, presidenti shqiptar Bujar Nishani me 7 mars do vizitojë Bujanocin dhe Preshevën. Në një prononcim për agjencinë e lajmeve “Presheva jonë” nga kabineti i presidentit shqiptar, respektivisht nga këshilltari i presidentit Nishani prof.dr. Flamur Gashi, ai ka konfirmuar vizitën  e presidentit Nishani, që do t’ia bëjë nesër në Lugines se Presheves.

Në anën tjetër Presheva dhe Bujanoca tashme janë pushtuar me flamuj kuqezi dhe bilborda te presidentit shqiptar Bujar Nishani me mbishkrimet “Mirë se na vjen president!..”

Këtë vizitë të shumëpritur të Kreut të Shtetit shqiptar e kanë mirëpritur edhe liderët e Luginës së Preshevës, të cilët e cilësojnë si një vizitë historike.

Ish-kreu politik i UÇPMB-së dhe aktualisht kryetar i Kuvendit të Bujanovcit dhe KKSH-së z.Jonuz Musliu është shprehur se “Kosova Lindore sot ka festë. Ketë feste e kemi pritur qe me shekuj qe te na vizitoj nje president shqiptar në Luginen e Preshevës dhe ja, më në fund u realizua ëndrra jonë. Ardhja e Nishanit ne Bujanoc dhe Presheve ka nje domthënje të madhe, eshte kjo nje vizite historike, vizite e mileniumimi tonë, meqë ky shekull do te jete i shqiptarëve..”

Musliu ne ketë interviste per agjencie e lajmeve “Presheva Jonë” ka sqaruar se “Nukloci nuk eshte president. por Nishani për shqiptarët e Luginës. Nishanin, ne nuk e presim si president te Shqiperisë, por të shqiptarëve. Si mund ta quajmë Nikolicin presidenti i ynë kur na e kthen pushken, kur kerkon lufte me shqiptaret?!.  Ai, sikur të ishte vertete president i yne, do ta kishte vizituar bile një herë Preshevën. E dini se gjatë hostorise se Lugines se Presheves, kurrë kembë enje presdieni të Serbise nuk ka shkelur ?!..”

“Prandaj, zoti Nishani eshte edhe president i i yni te cilet i deshirojme mirsderdhje si ne shtëpine tij, buke kripe  e zemër.  Insitucione tona lokale, shoqatat e qytetaret te gjitha përgatitjet i kanë bëre nga tepia e kuqe deri tek kërkesat tona për presidentin e shqipareve. “, ka deklaruar për agjencine e lajmeve “Presheva jonë”, Musliu.

Se cfare do te bisedoni dhe kërkonin nga Presiudinti Nishani z.Musliu ne vazhdim ka pohuar se “bisedat do te perqëndrohen kryesisht rreth intensfikimit te bashkepunimit dhe vizitave me te shpeshta mes Tiranes dhe Presheves. Natyrisht do te prezentoje rpblmet , sheqëtsimet tona ne rarfshin kombëtar përballë politikave diskriminuese nga Beogradi. Derisa serbet kerkojne ndihme nga vëllezërit rus armatim, tanke e MIG luftarak, ne do t’i kërojme nga Tiranë nga vëllezrit tanë shqiptare përmes presidentit Nishanit lapsa, fletore dhe libra…”

Musliu ne fund ka theksuar se “nga Nishani si nje president i nje vendi, tashme me ndikim,   anetare e NATO-s si nje faktor kyq i paqes dhe stabilitetit ne rajon, qe në bashkepunim nderkombëtarët te ushtrojne presion ne Serbi për të njohur diplomat e studentëve ku Beogradi dhe Prishtina qe 5-6 vjet luajne pingpong politik ne Bruksel me shqiptaret e Luginës duke avancuar statusin e serbëve në Kosovë..”

Filed Under: Editorial Tagged With: Nishani në Preshevë si, presidenti mbarëshqiptar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT