• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2017

43 days of protesting, DP chairman: Albanians can no longer be treated as fools

April 1, 2017 by dgreca

On the 43rd day of the Opposition’s protest, the Democratic Party Chairman, Lulzim Basha, declared that the coalition of April 1, 2013 was an April Fool’s joke on the Albanian people.

The DP Chairman stated that only a provisional government can guarantee free and fair elections, saying: “More and more people are joining this battle, because the Albanian people, without political conviction, Democrat and Socialist, will not see good days without liberating Albania from crime and drugs. The decision has already been made. The battle is going towards the guaranteed victory.”-said the DP Chairman, who also commented on the ruling coalition, that was formed on April 1, 2013.
“April 1st is ‘Fool’s Day’. On this day, people invent lies and jokes to trick people. The biggest lies for free health care, for opening 300,000 jobs, were prepared on April 1, 2013. The co-authors of this pact have laughed for sure. Not only because of Fool’s Day, but because they used the day to treat Albanians as fools, to lie to them in order to get their votes. There is not, and there will not be, any new condition.

We are asking for the establishment of a provisional government, with full political support to implement the Decriminalization Law, and fight against crime and drugs and ensure free and fair elections.”-declared Mr. Basha.

The DP Chairman spoke also of the oil prices, which according to him have increased because of increased taxes.

Filed Under: Komunitet Tagged With: 43 days of protesting

“Vendimet e vështira”, para apo pas zgjedhjeve?

April 1, 2017 by dgreca

Nga Bekim Bislimi/

Liderët politikë dhe institucionalë të Kosovë kanë marrë mesazhe të qarta nga zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për çështje evropiane dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee, se çështjet e rëndësishme që janë në proces, duhet të përfundojnë, thonë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Çështjet e rëndësishme, për të cilat duhet të merren vendimet, siç thonë ata, janë: ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe sqarimi i çështjes së transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Por, megjithëkëtë, ata besojnë që, duke u bazuar në qëndrimet e partive politike dhe gjendjen e krijuar në skenën politike, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pavarësisht pikëpamjeve që ka shprehur diplomati amerikan Yee, se zgjedhjet e parakohshme “do të kenë si efekt vonimin e vendimeve të vështira”.

Analisti i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se pozicionimi dhe qëndrimet e partive politike rreth këtyre tri çështjeve, nuk japin shumë shpresa se mund të arrihet një konsensus politik për tejkalimin e kundërshtive.

“Partitë politike kanë marrë qëndrime të ashpra dhe të qëndrueshme, në secilën nga këto pika, dhe nuk besoj që do të arrijnë ta tejkalojnë vetveten për të arritur një marrëveshje, e cila do të mund t’i kalonte këto tri çështje dhe të prisnin për orarin, cili parashihet në vitin 2018, të zgjedhjeve, sidomos partitë opozitare”.

“Ato gjithmonë do të jenë të interesuara të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Mirëpo, këtë po e vërejmë tani edhe nga partitë në pushtet. Prandaj, po besoj që kushtet dhe sentimenti politik është gjithmonë duke u pjekur për të shkuar në zgjedhje të parakohshme”, thotë Ibrahimi.

Analisti Ibrahimi, shton se megjithatë, mesazhi i diplomatit amerikan Yee, nuk ishte i prerë lidhur me zgjedhjet eventuale.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti Imer Mushkolaj. Duke folur për Radion Evropa e lirë, ai thekson se e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është që të përfundojnë çështjet e rëndësishme që janë në proces.

“Besoj që mesazhet e zyrtarit amerikan ishin të qarta. Por, pavarësisht kësaj, fushata e partive po vazhdon – sidomos e liderit të Partisë Demokratike të Kosovës – dhe konsideroj që ata do të përpiqen që gjatë muajit të ardhshëm të provojnë ta kalojnë Demarkacionin, si dhe të provojnë – pasi është kthyer Lista serbe në institucione – që të punojnë në themelimin e Asociacionit, respektivisht për miratimin e statutit të Asociacionit. Pastaj, megjithatë, të vendosin që të shkojnë në zgjedhje”, thekson Mushkolaj.

Ai shton se edhe për çështjen e Ushtrisë së Kosovës, mesazhet tashmë janë të qarta që të punohet që kjo të realizohet brenda këtij viti.

Sipas tij, në rast se çështjet e rëndësishme nuk mund të kryhen brenda pak kohësh, zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë.

“Nëse nuk kryhet, natyrisht që nuk e besoj që do të mbahen zgjedhjet e parakohshme, për shkak se janë disa obligime që janë marrë nga partnerët e koalicionit. Ky koalicion është themeluar apo krijuar, pikërisht me idenë që të kalohen disa të ashtuquajtura çështje të mëdha dhe këto, për të cilat po bisedojmë, natyrisht se janë çështje të mëdha, të cilat duhet të votohen në Parlament”,vlerëson Mushkolaj.

Por, analisti Ibrahimi shpreh mendimin se zgjedhjet e parakohshme duken të pashmangshme. Në të kundërtën, sipas tij,çështjet për të cilat është kërkuar zgjidhje nga diplomati amerikan Yee, do të mund të zgjidheshin vetëm në rast se në zgjedhje do të shkohej sipas orarit, në vitin 2018.

“Nëse do të kishim një mandat të plotë deri në vitin 2018, atëherë nuk është edhe e pamundur që të tria këto çështje të kalojnë, sepse, në fund të fundit, partitë politike bëjnë kompromise dhe pazare me njëra-tjetrën. Nëse bëhet kompromis me një çështje, atëherë merret me një çështje tjetër dhe këtu duke e përfshirë edhe Listën Serbe, e cila i ka interesat e veta”.

“Atëherë, nëse me të vërtetë nuk do të kemi zgjedhje këtë vit, por presim deri në vitin 2018, atëherë është një mundësi që me anë të kompromiseve të ndryshme, të arrihet që të paktën disa nga këto çështje të mund të kalohen nga parlamenti”, shton Ibrahimi.

Sido që të jetë, kthimi i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, pritet të sjellë një dinamikë të re në proceset që ndërlidhen me votat e tyre, sidomos lidhur me krijimin e Asociacionit, si dhe ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.(REL)

Filed Under: Analiza Tagged With: “Vendimet e vështira”, apo pas zgjedhjeve?, Bekim Bislimi, para

PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE NEN PESHEN E KRIMIT TE VET

April 1, 2017 by dgreca

Refleksione/2 grupi i te rinjeve Memishaj

–PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE RA E SHKËRMOQUR NGA PESHA E KRIMIT TË VET/

 –  Studiuesi  Enver Lepenica me një libër të arrirë ”Eleminimi i Grupit Komunist  të “Të Rinjve”/

 Nga Qazim Shehu/

Libri i sapodalë i autorit të mirënjohur Enver Memishaj –Lepenica, që mban edhe titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, është një histori e njohur dhe e panjohur e luftës së Dytë Botërore, atëhere kur kjo histori zë fill dhe vazhdon të tirret gjatë në historiografinë komuniste mbi Grupin Komunist të Të Rinjve, dhe  në këtë tjerrje nuk ka munguar asnjëherë një aktologji e përmbysur që renditej si e drejtë nga devijatorët e propagandës së asaj kohe.

Mbasi e mbarova librin, më solli përshtypje një faktologji e gjërë dhe e detajuar, renditur me kujdes nga Memishaj, një pasuri e madhe dokumentacioni,  studimesh dhe hulimtimesh që autori me zellin skrupuloz të një studiuesi të paepur i ka bërë dhe na ka dhënë kështu një libër të trajtuar me kujdes, me zell e me kritere të plota të shkencore, çka dëshmon për një punë këmbëngulëse dhe të gjatë të tij.

Edhe më herët autori ka shkruar dhe ka njohur sukses në zbulimin e perdes së asaj drame të absurdit që gjithë rrjedhën e historisë e çoi në mullirin e një propagande të sëmurë kurajoze në delirin e saj. Kjo është e veçanta e këtij libri në aspektin e metodologjisë dhe synimit të autorit, po vetëm kaq nuk do mjaftonte, sepse synimi i vërtetë nuk është këtu, por të na japë pa deformim dhe ndikim gjithë atë të vërtetë tragjike të luftës për eleminim të kundërshtarëve brenda të majtës shqiptare;  e nxitur kjo nga emisarët jugosllavë që gjetën në Shqipëri kukullat e tyre perfekte dhe dihet se kush ishin këto kukulla.

Po kush ishin këta pjesëtarë të këtij grupi dhe çfarë afronin ata? Sadik Premte, Anastas Lulo, Neki Ymeri, e të tjerë. Dhe çfarë kishin ata në platformën e tyre?Ata ishin komunistë, po komunistë të orientuar për shkak të bindjeve të tyre ideologjike të së majtës dhe që kërkonin të organizonin një partie të majtë disi ndryshe, larg ndikimeve jugosllave, ndikime që i shihnin si fatkeqësi kombëtare dhe me pasoja. Gjithashtu ishin njerëz me autoritet në popull, një fraksion patriotik i majtë dhe pjesëmarrës direkt në këtë luftë. Dhe cili është bilanci? Tragjik dhe i paarsyeshëm, po të kemi parasysh faktin se në këtë bilanc bie në sy, jo vetëm numri i të eleminuarve, po sidomos mënyra çnjerzore e eliminimit të tyre.

Nga ky grup: 32 veta u ekzekutuan në pritë pas krahëve; 8 të tjerë u vranë pas krahëve dhe u shpallën dëshmorë; 24 ranë dëshmorë në fushën e luftës; 1 u detyrua të vriste veten dhe një tjetër u zhduk pa nam e nishan; 32 u dënuan me burgime të rënda, dy të tjerë u bënë hyzmeqarë të Serbisë; 9 prej tyre u arratisën dhe jetuan në dhe të huaj, trembëdhjetë u harruan; për 15 të tjerë nuk dihet. Autori librit Enver Memishaj vjen me këtë vepër (e gjashtëmbëdhjeta në radhë) me një dokumentim të plotë, gati shterues duke sjellë sa informacionin nga burime të ndryshme, aq edhe trajtimin e tyre brenda këtij burimi, dhe kjo është një meritë e autorit; sepse në këtë punim voluminoz shquhet aftësia e tij jo vetëm për të ndjekur aspektin kronologjik të problemit po edhe atë hierarkik, për të kuptuar sesi gjërat në atë kohë zhvlerësoheshin përmes një hierarkie të përmbysur vlerash dhe, pikërisht, për të mos i duruar ato, duke pasë frikë prej tyre, vepronin metodat terroriste dhe fashiste ku, dredhia, cmira, shantazhi dhe intriga thureshin me një stërhollim të tmerrshëm, nga Hysni Kapua dhe Mehmet Shehu, me nofka dhe etiketime të padrejta. Në vazhdën e eliminimeve të projektuara nga Kapua dhe Shu pas Sadik Premtes dhe Anastas Lulos u vunë në shenjestër që në themelimin e PKSH-së, shumë anëtarë të tjerë të Grupit Komunist të Të Rinjve.

Është intersante të kuptohet baza e këtij terrorizmi  si vepronin “shokët”, kështu, ndërsa Neki Ymerin e kërkon fashizmi si luftëtar i lirisë, e asgjesojnë shokët e tij me urdhër të Hysni Kapos. Asgjësohet si tradhtar Anastas Lulo dhe vritet në pabesi Mustafa Gjinishi për t`u shpallur më pas hero. Enver Hoxha i kërkon Neki Ymerit që të vriste kunatin e tij, Sadik Premte. A nuk e vrau më pas Enveri kunatin e tij patriotin Bahri Omari? Grupi Komunist i Të Rinjve ishte një grup me ide të majta, po me qëndrime demokratike ndaj palëve të tjera që pranonin të luftonin fashizmin dhe që luftonin. Kështu ata përkrahnin Marrëveshjen e Mukjes, si një marrëveshje që nuk shihej me sy të mirë nga jugosllavët, prandaj dhe u prish.Gjithësesi, ky grup, përbën një vështrim sesi mund të ishte lufta nëse këto ide mund të vështroheshin me realizëm dhe pa cmirën e një klike të fshehur dhe të hapur që sponsorizohej e mbështetej dhe vepronte e ndihmuar nga misionarët jugosllavë, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha.

Autori Lepenica u bën një prerje vertikale ngjarjeve, ndodhive apo aspekteteve të ndryshëme biografike duke ndërtuar portretin e personazheve reale në historinë e kohës  dhe këtë e ndërton pa iu larguar sfondit të kohës, rrethanave të kohë krijimit të PKSH, ndërhyrjen e huaj në të, dhe prej këtu, kur një foshnje mbytet që në djep dihet se çfarë mund të pritet prej saj. Del qartë mesazhi se komunistët nuk e donin lirinë thjesht për popullin, po për të çimentuar pushtetin e tyre ashtu siç edhe ndodhi, sepse ky pushtet u çimentua me gjak të pafajshmish të kundërshtarëve politikë, po jo vetëm kaq, vrasjet për eleminim në dobi të një klike të caktuar shkuan gjithnjë në një zinxhir të pafund eleminimesh për një kohë të gjatë, gjersa PKSH ra e shkërmoqur nga pesha e krimit të vet. Për partitë që e mbështesin zhvillimin e tyre brenda fanatizmit ideologjik dhe frikës së lëkundjes së pushtetit, frika dhe demonizimi i kundërshtarit, mbetet gjithnjë një simptomë e njohur që ta deguston dhe shkurajon shpresën që diçka më të mirë mund të bëhet e mund të arrihet. Sepse ato mbjellin psikozën e terrorit përmes të pamundurës për të bërë diçka tjetër që e tekalon këtë sjellje. Autori jo vetëm që sjell kohën me përjetimet detajuese, po në mënyrë konceprtuale dhe nëntekstuale ngërthen edhe këto ide sa të pritshme aq edhe të kuptueshme prej nga merr pamjen e plotë tabloja e paraqitjes hap pas hapi. Është për t`u theksuar si një meritë e autorit se plotësimi i dëshmive dhe radhitja e tyre, të hedhë dritë tek e vërteta, ajo e vërtetë e cila shpesh është mbuluar me hirin e harresës apo është trajtuar sipas ithtarëve dhe apogjetëve komunistë. Këtu nuk është se kemi të bëjmë me një qëndrim ideopraktik të autorit në shërbim të ndonjë nisme për të përmbysur diçka tjetër, po vetiu kjo e përmbys diçka tjetër dhe na sjell ne të plotë gjithë atë histori tragjike dhe domethënëse të këtij Grupi.

Autori thekson se qendrën ky grup e pati në Vlorë, me pjesën dërmuese  të të rinjve  komunistë, po ai e shtriu veprimtarinë e tij edhe më gjërë. Kjo veprimtari konturohet në aksione konkrete kundër fashizmit dhe me një vizion të qartë për luftën, e cila nuk mund të dilte, sipas tyre, nga elementi përbashkues, po pikërisht nga kjo PKSH kishte frikë, ashtu siç vërtetë ndodhi, sepse më vonë edhe pushteti duhej ndarë.

Shenjat, shfaqjet e një partie me prirje të theksuar diktatoriale u dhanë që gjatë luftës dhe erdhën duke u forcuar edhe më  sipas etapave historike kur na duhet të hetojmë se eleminimi i grupeve të njëpasnjëshme nuk nënkupron tjetër, veçse eleminimin e alternativave dhe sektarizmin ideologjik të kësaj force që mpiu edhe segmentet më jetësorë të një kohe e cila mbeti në vend. Këto ide autori i librit i shtjellohen nga shumë rrëfime, burime, kujtime, flasin dëshmitarë të gjallë të kohës, në kohë të ndryshme dhe sipas situatave të ndryshme, përshkruhet jeta e Sadik Premtes në Paris, atentati ndaj tij që dështoi, dhe mijëra relacione kohore të cilat vihen në një teatër të fshehtë dhe të vështirë veprimesh.

*      *     *

Duke marrë shkas nga portretizimi i veprimtarisë së këtij Grupi, autori Memishaj kalon në mënyrë    induktive nga një pjesë në të tërën dhe përmes kësaj metode metonimike ai na bën një skanim njohës për ngjarjet më pikante të asaj kohe dhe të kohës që vjen pas dhe kështu ky libër plotëson një boshësi të ndjeshme, në arritjen e së cilës autori ka meritë.

Kështu ai krijon hapa pas hapi, duke ndjekur edhe teknikën e ndërprerjes për të futur një element shtesë, gjithë atë panoramë ngjethëse që duket sikur shkëputet nga kronikat mesjetare e madje në mjaft raste ua kalon atyre. Dokumentimi i shumtë ka sjellë edhe mënyrën kompozuese të derdhjes së lirë  ku lexuesi mund të gjykojë vetë dhe të plotësjë kuadratin imagjinativ po vetë.

Ky libër lexohet si dokument, përshkrim, analizë, qasje dhe ballafaqim, po kurrë duke mos kaluar në vështrime subjektiviste as të copëzuara. Kjo se historiani Enver Memishaj është një autor serioz dhe i përmbahet së vërtetës përmes dokumentit e kjo nuk do të thotë se ai e harron ngjizjen e bërthamës së idesë, as vështrimet analitike dhe konkludimet sintetike në raste të veçanta, sepse dihen rezultatet, dhe bilancet janë dramatike.

Historia e arrestimeve, dënimeve, internimeve, inskenimeve  e sërish arrestimeve, burgimeve, internimeve, është një histori e pafund, siç ndodh në dramat e Shekspirit ku një ngjarje nuk mund të përfundojë, sepse në mbarim të saj fillon një ngjarje tjetër dhe kështu tensioni rritet dhe kjo skenë, Shqipëria, i ngjet një teatri absurd ku, si në romanet e Kafkës nuk e merr vesh as akuzën, as dënimin, po provon akuzën dhe dënimin.

Në këtë qasje reflektive nganjëherë libri ta krijon një tablo të prozës artistike e në mos tablo, një ndjesi të tillë prej nga mund të shkëpusësh, rast pas rasti, imazhe të trishta dhe të forta të fateve njerëzore që ndodhen në zgrip ekzistencial, afër shuarjes.

Mashtrimi komunist aq shumë e provoi “drejtësinë” e këtij mashtrimi, sa  edhe të dënuarit nganjëherë dhe, jo shpesh, pranonin se partia kishte të drejtë. Droga e idealit komunist ishte e tillë sa, vëllai mohonte vëllanë, gruaja burrin apo ati fëmijën, sepse, nëse dilej kundër partis, sikur dilje kundër jetës. Me një realizëm të mirëfilltë pa u interesuar se kjo sot duket si e pabesueshme për gjeneratat e reja, autori jep mikrofabula të tilla, ku megjithëse dënohej nga Enveri, ai komunisti sillej si shembulli i njeriut që nuk ishte dashtë me u sjellë kaq keq. Kjo farsë e një ideologjie shterpe, çuditërisht kishte një injektim trullosës e ngjashme me ideologjitë fashiste që çuan popujt në kasaphanë. Duke e dhënë këtë, autori sikur i nxjerr rrënjët një teatraliteti absurd me shumë akte,  para të cilt ndodhemi.

Në përfundim mund të themi se Enver Lepenica  me librin e fundit po i ngjit gjithnjë shkallët e prozës serioze historike dhe po e zgjeron dhe thellon metodën e vështrimit realist me një qasje të hapur ndaj historis, larg ekuivokeve ndjellakeqe apo dritëhijeve.

Ai tregon se historia jonë nuk ka qenë e lehtë, protagonistët e saj shpesh janë përmbysur në vështrimin e studimeve sipas interesave dhe të mosnjohjes, prandaj ka ardhë koha që kjo histori të rishkruhet me vërtetësi dhe të njihet, po njëherit ajo pranon edhe faktin e kundërt edhe qasjen tjetër, mjafton që gjithçka të vihet në dobi të forcimit dhe besimit tek e vërteta. Dhe kësaj ai ia ka arritur me vështrime që krijohen nga hapja dokumentare e këndeve të ndryshme, me përfshirjen e një materiali të bollshëm dhe kujdesin sistemues.

Pafundësia e emrave që përdor (sipas hierarkisë dhe rëndësisë) na jep në të njenjtën kohë edhe përfshirjen e madhe në këto ngjarje të sa e sa njerëzve, të cilët u bënë protagonistë të kësaj lufte të hapur dhe të heshtur, po edhe e sjellin prozën shkencore të Lepenicës në të vërteta tronditëse dhe afër fakteve shteruese kur na duhet të krijojmë një bindje sa më të plotë për atë kohë dhe me një mesazh të qartë se gjithnjë politika në Shqipëri është një histori e eleminimit dhe jo e përfaqësimit dhe bashkëpunimit.

Historia e grupacionit dhe e vështrimit të tjetrit si armik, është një psikozë mesjetare, ku fatkeqësisht klasa jonë politike rri brenda kësaj guacke të helmuar dhe nuk është shkëputur as sot me gjithë kohrat moderne që kanë ardhur. Kështu, edhe në këtë aspekt,ky libër përcjell mesazhe kuptimplote dhe të qarta, të cilat qarkullojnë dhe përmblidhen nëpër indet e një proze shkencore dhe të shkruar me dorë të lirë nga studiuesi i talentuar dhe punëtor Enver Lepenica.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Enver Memishaj, PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE NEN PESHEN E KRIMIT TE VET, Qazim Shehu

2 Prilli, përkujton…

April 1, 2017 by dgreca

2 Prilli, përkujton 4 “Dallandyshet e Demokracisë Shqiptare/1 Heronjte e 2 prillitNga Zenel Çeliku/

Shumë që e kanë jetuar atë kohë, 2 Prillin 1991, e kujtojnë si ditën më të zezë që mori jeten e 4  pioniereve te demokracise në lulen e jetes së tyre më të bukur, e pse??? Sepse ata kërkuan që Shqipëria të bëhet si gjithë Europa. Ata ishin “Dallandyshet e Demokracisë Shqiptare” që guxuan dhe i dolën ball për ballë diktaturës më të eger në planet.

Dëshmorët e parë të demokracisë në Shqipëri janë Nazmi Kryeziu, Arben Broci, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka, të cilët, me shumë respekt dhe nderime, Presidenti Nishani me 2015,  i ka nderuar ata me titullin e lartë “Nderi I Kombit”. E vërteta as nuk është zbuluar dhe me sa duket as nuk do të zbulohet thotë me shumë keqardhje dhe i përlotur Muhamed Kryeziu-vëllai i dëshmorit Nazmi Kryeziut. Nga një komunikim i drejtpërdrejtë me Muhamed Kryeziun-vëllain e Nazmi Kryeziut,  na thotë se 2 Prilli ishte dhe mbetet një ditë e zezë jo vetëm për familjet tona, por për të gjithë popullin shqiptar, sepse ishte goditja e parë ndaj shpresës dhe aspiratave të shqiptarëve, që Shqiperia ti shpëtojë kthetrave komuniste, ti largohet një herë e përgjithmonë diktaturës enveriste e cila izoloi, burgosi dhe pushkatoi mijëra jetë njerëzish, vetëm e vetëm pse kishin mendime ndryshe nga kasta kriminale komuniste. Atë ditë Nazmiu doli nga shtëpia me mua sepse kishte lënë takim me shumë shkodranë që e prisnin te protestonin për demokraci në Shqipërinë e vuajtur 46 vjecare, thote Muhamedi, por kurrë nuk më shkonte ndërmënd se ajo ishte dita e fundit e jetës për vëllain tim të dashur. Atë ditë 4 trimat, 4 djemt me demokrat të Shkodrës, u përballën pa frikë me policinë enveriane, e cila pasi e pa vehten të sfiduar nga turma e madhe e njerëzve demokrat, qëlluan pa mëshirë dhe me çmenduri komuniste në drejti të turmës dhe pikërisht ndaj 4 djemve shkodran për të cilët ishin paramanduar. Diktatura komuniste vampire, mendoi se me vrasjen e 4 shkodranëve që I qëndronin në krye turmës së demonstruesve, populli I Shkodrest do te frikësohej dhe do të ktheheshin në shtëpiat e tyre duke iu bindur poliisë të udhehequr nga kasta e Ramiz Alisë. Në fakt ndodhi e kundërta, më 3 Prill pasi populli shkodran humbi 4 nga djemt e tij më të mirë të cilët me të drjetë mundet ti quajmë “Dallandyshet e Para e Demokracisë në Shqipëri”, jo vetëm në Shkodër por në gjithë Shqipërinë u kthye në ditë zie kombëtare dhe në rrevoltë popullore të pa parë në 46 vjet të regjimit gjakatar komunist-përfundon I përlotur Muhamed Kryeziu-vëllai I dëshmorit Nazmi Kryeziut.

E vërteta e asaj ngjarje tragjike, na bën të kujtojmë ato vite të zeza plot ankth, me diktaturën më të eger në të gjithë kampin komunist. Vitet shkojnë si uji I përroit, por për 4 familjet e deshmorëve të 2 Prillit 1991, edhe për mbarë shqoqërinë shqiptare, është dhe do të jetë një plagë e cila nuk do të mbyllet kurrë, nëse aktorët dhe fajtorët e asaj tragjedie,e saj masakre nuk do të zbulohen dhe të ndëshkohen ligjërisht. Ata dhanë jetën jo për vehten e tyre, ata menduan dhe me koshjiencën e tyre fisnike e demokrate, u përballën me diktaturën më të egër për të drejta njerëzore, për demokraci dhe për liri për të gjithë shqiptarët. Kjo sakrificë sublime e 4 dëshmoreve-Nazmi Kryeziu, Arben Broci, Bujar Bushanaku dhe Besnik Ceka, duke mos llogaritur as jetën e tyre, është pak që janë vlerësuar me titullin e lartë “Nderi I Kombit”, nëqoftëse autoret dhe urdhëruesit e atij krimi makaber komunist nuk do të zbulohen. Cilido le ta vërë vehten në vënd të familjeve të 4 dëshmorëve, kushdo nga politika le të mendojë një minut se njëri prej tyre është pjesë e familjes së tij, kushdo nga drejtësia le të mendoj se ajo tragjedi ka trokitur në familjet e tyre, le të bëjë aktin më civil dhe patriotik që të zbulojë ata kriminele që moren jetën e 4 djemve në lule të jetës më të bukur të tyre. Askush më shumë se PD e ka kërkuar por edhe duhet të kërkojë me këmbëngulje se kush janë autorët e masakrës së 2 Prillit 1991, vrasjet enigamatike të 4 dëshmorëve të 2 Prillit duhet të zbardhen pa asnjë diskutim, sepse ndyshe familjarët, shokët e miqt e 4 dëshmorëve nuk do të jenë asnjë herë të qetë. Sot më 2 Prill 2017, 26 vite më pas, partia e 4 dëshmorëve të vrarë në mes të Shkodrës, ndodhet në një protestë popullore demokratike paqësore, pikërisht për vlera njerëzore, për demokraci si e gjithë Europa, kundra mafies qeveritare, partia e tyre po lufton për të drejta të barabarta në politikë, në zgjedhje, në votime dhe për të plotësuar ëndrat e 4 dëshmorëve që sot I kemi “Nderi I Kombit”, por edhe frymëzimi I shqiptarëve për një jetë më të mirë dhe larg një trazicion të gjatë e plot mashtrime. Duke dashur të përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjet e  Nazmi Kryeziu, Arben Broci, Bujar Bushanaku dhe Besnik Ceka, dua të shpreh edhe besimin se nuk do të jetë larg dita kur vrasësit e masakres së 2 Prillit 1991, do të jenë në bankën e drejtësisë për të marrë dënimin e merituar, por ajo që është është më e rëndësishme, për të qetësuar disi familjet e “Dallandysheve të Demokracisë Shqiptare”.

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 2 Prilli, Arben Broci, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku, kater deshmoret, Naim Kryeziu, përkujton

ME LIBËR E SNAJPER, KUNDËR KRYEMINISTRIT

April 1, 2017 by dgreca

 

2 Ben Blushi KMShkruan: Adil FETAHU*/

Në shtator të vitit 2020,  kishte shkuar një grup prej 60 ushtarësh shqiptarë në një mision paqëruajtës në qytetin Herat të Afganistanit, nën komandën e ushtrisë amerikane. Njëni prej ushtarëve shqiptar  ishte përzgjedhur për ta mësuar zanatin e snajperistit (në tekstin e mëtejshëm  do ta quajmë Snajperi, a.f.). Devizë mësimore e kursit të snajperëve ishte: “Armiku më i mirë është armiku që ke vrarë”. Kur e kishte kryer me sukses kursin e snajperit, komandanti i vet i kishte uruar, duke i thënë se në Shqipëri ka shumë nevojë për të vrarë dhe me siguri do të gjesh një punë të mirë. Duke marrë parasysh mundësinë e vrasjes me snajper deri në 2000 metra largësi,  në Shqipërinë e vogël zakonisht armiqtë janë shumë më afër, dhe mund të vritën më lehtë. Në grupin e ushtarëve shqiptarë ishte edhe ushtari me emrin Winston Harasani,  stërgjyshi i të cilit  dikur (1614) paska ardhur si mercenar në Shqipëri prej qytetit Harasan të Afganistanit, dhe  paska vu themelet e Tiranës, duke ndërtuar fillimisht midis fushës: një han për të bujtur, një furrë buke, një hamam për t’u larë, dhe një xhami për t’u falur. Atëherë ai vend  quhej Teheran, por shqiptarët më vonë ia  shkurtuan emrin dhe e quajnë Tiranë.  Winstoni  shoqërohej me dy djem me mjekrra, kishte pranuar islamin dhe ishte përfshirë në  një organizatë terroriste antiamerikane  që quhej: “Organizata Transbotërore e Zemërimit Inteligjent – OTZI”, e cila synonte të bënte luftë inteligjente kundër Amerikës, do të thotë ta shkatërrojë Amerikën pa luftë të armatosur, por duke bojkotuar  të gjitha prodhimet materiale, teknologjike, shkencore e kulturore të Amerikës. Bile, OTZI  kishte pretendime ta zëvendësojë OKB-në. Në grupin terrorist ishte edhe një vajzë liberale afgane, Anila,  e cila qeshte kur dëgjonte se në Shqipëri, si vend aleat i Amerikës në pushtimin e Afganistanit,  i kishim kthyer xhamitë në kinema, kurse imamët i kishim bërë rrobaqepës e berberë.  OTZI pretendonte se Amerika nuk është shtet i së drejtës, por është e drejta e një shteti për të ndërhyrë në punët e padrejta të shteteve tjera. Sipas ndarjes botërore të punës që ka bërë Amerika: gjermanët  prodhojnë makina; zvicëranët  prodhojnë ilaçe; holandezët prodhojnë birra; francezët prodhojnë verë; italianët prodhojnë makarona; rumunët prodhojnë grurë; belgët prodhojnë çokollata; argjentinasit prodhojnë mish; brazilianët prodhojnë sheqer;  kolumbianët prodhojnë kokainë; arabët prodhojnë naftë; japonezët prodhojnë kompjuterë; kinezët prodhojnë kinezë;  rusët prodhojnë konflikte; serbët prodhojnë luftë; ndërsa shqiptarët prodhojnë kanabis. Sipas OTZI-t, Amerika praktikisht është një fuqi koloniale, e cila ka nënshtruar popujt e vegjël, prandaj përmes solidaritetit  botëror të bojkotit inteligjent të gjithçkajes amerikane, atë duhet kthyer në shtëpi.  Pas pak kohe, OTZI u ngrit në një gradë më të lartë të nxehtësisë së urrejtjes  dhe mori emrin “Organizata Transbotërore e Zemërimit Islamik”, me akronime të njëjta,  ndërsa Winstoni kërkoi ta qanin me emrin Otzi. Grupi  i snajperëve, ditën e parë të punës praktike, kishte vrarë 9 bujqë afganistanezë, të cilët ishin duke punuar në arat e tyre, duke mbledhur hashash.  Për shkaqe humanitare, Snajperi shqiptar e kishte zgjedhur ta vrasë  atë më të vjetrin nga radhët e bujqëve. Pas disa ditëve, ishin vrarë katër ushtarë amerikanë ndërsa Otzi kishte dezertuar nga ushtria, e cila po e kërkonte gjithandej.

Me të kthyer në Shqipëri (2021),  për shkak të aftësive që kishte fituar, Snajperi ishte caktuar në Gardën e Republikës, në eskortën personale të Kryeministrit. Për sherr të tij, Otzi filloi të komunikonte me Snajperin përmes postës elektronike, së cilës sigurimi i shtetit i kishte rënë në gjurmë. Këshilltari i Kryeministrit, Kim Kurani, e kishte kontaktuar Snajperin dhe e kishte udhëzuar se si të vepronte, në mënyrë që të arrinin ta arrestonin Otzi-n, së fundi  edhe duke e ftuar në çaj, mirëpo plani iu dështoi. Në mesazhin e fundit që Otzi i kishte dërguar Snajperit, i kishte thënë: “Thuaju miqve tu se Otzi nuk e pi çajin e ftohtë”. Me qenë se në Shqipëri ishin afruar zgjedhjet, Kryeministri kishte sajuar një skenar sipas të cilit duhej të fitonte zgjedhjet edhe për mandatin e katërt. Këshilltari Kim Kurani e kishte ftuar Snajperin, të cilit i kishte bërë shantazh se mund të arrestohej nën akuzën si pjesëtar i një organizate terroriste antiamerikane. Dhe  për të shpëtuar nga burgu, i kishte lënë një zgjidhje të vetme, që “ta vriste” Kryeministrin. Snajperi që e çmonte shumë Kryeministrin, u trand nga sa dëgjoi, por shpejt u qetësua kur Këshilltari i kishte shpjeguar, se ky skenar është me kërkesën e vet Kryeministrit, dhe nuk kërkonte ta vriste, por si specialist që ishte duhej vetëm ta plagoste, pa rrezik për jetë. Kjo do ta kthente Kryeministrin  në viktimë-hero  të terrorizmit, dhe do bënte që nga mëshira populli ta votonte edhe për një mandat, gjë që do të ishte në interesin e përgjithshëm publik dhe në interesin privat të Kryeministrit. Pasi Kryeministri të plagoset dhe të fitojë zgjedhjet, ty askush nuk të prekë, pasi autorët nuk do zbulohen kurrë. Ky është një film elektoral, i destinuar për shijen e votuesve, në të cilin aktorët as nuk vriten, as nuk vdesin dhe as nuk kapen,  i kishte thënë Kim Kurani. Snajperit i dhanë  pushim dyjavor, për t’u qetësuar e përgatitur për të zbatuar planin. Pastaj  Kim Kurani e aranzhoi një takim të Snajperit me Kryeministrin ku u morën vesh për hollësitë e zbatimit të skenarit. Në kërkesën e Snajperit që Kryeministri të mos lejojë njeri t’i afrohej, që të mos ketë viktima anësore, ai i kishte thënë: “Kjo është e sigurtë, se tani njerëzit nuk më afrohen edhe kur unë dua”.Të nesërmën Kryeministri do të mbante një fjalim në oborrin e një shkolle në periferi të Tiranës, ndërsa Snajperin e kishin  vendosur në një objekt të përshtatshëm në afërsinë e nevojshme. Sipas marrëveshjes, kur Kryeministri  kishte ngadalësuar ligjërimin, Snajperi e shenjon në kraharor, duke ditur se aty ishte i veshur me antiplumb. Kryeministri rrëzohet, dhe krijohet panikë, ikje,  tollovi në oborr e rreth tij. Snajperi po mendonte se Kryeministri qëllimisht nuk po ngritej edhe për pak kohë, që efekti i atentatit të zgjatej si në film, por shpejtë vërenë se me autoambulancë po e dërgonin në spital. E kishte vrarë përnjëmend. E kishte goditur në qaftë. Natyrisht, njerëzit që e kishin sjellë Snajperin në vendin e caktuar, e arrestuan duke e grushtuar, me akuzën se ka vrarë Kryeministrin. Në hetuesi Snajperi pranoi vrasjen, duke u arsyetuar se e kishte pushuar nga puna dhe i kishte shkaktuar varfërimin e familjes. Në burg kishte kohë të mendohej për gjithë veprimin, dhe në aspektin moral i gjente vetes një justifikim që i jepte qetësi ndërgjegjës, se kishte vrarë njeriun të cilin gjysma e Shqipërisë do donte ta vriste, madje ai vet kishte kërkuar “ta vriste”. Vrasja e Kryeministrit nuk binte në asnjë nga tri kategoritë e vrasësve dhe  të vrasjeve, që ishin: 1) vrasje nga pasioni – hakmarrësit; 2) vrasje për para – profesionistët; dhe 3) vrasje për popullin – heronjët. Unë nuk isha asnjë prej tyre, arsyetohej Snajperi. Po, për konsideratën që kishte ndaj Kryeministrit, kurrë nuk e tregoi të vërtetën e asaj vrasje, sepse po ta tregonte, do ta vriste për herë të dytë, meqë shqiptarët do ta konsideronin KM si një makijavelist i cili sajon gjithçka për të fituar vota e për të mbajtur pushtetin.

Kjo është fabula e romanit më të ri të politikanit, deputetit e shkrimtarit Ben Blushi,  titulluar: “KM,Kryeministri”. Autori e vënë ngjarjen në kohën e ardhshme (vitet 2020/21), por duke krahasuar realitetin aktual midis Afganistanit e Shqipërisë, gjenë  shumë ngjajshmëri: Afganistani prodhon opium, Shqipëria prodhon kanabis, si prodhime kryesore agrare që  me prodhimet e tyre mbajnë fshatarët  në punë  të përkohshme, dhe të rinjët perëndimorë – në eufori të përhershme. Në Shqipëri të gjithë merren me kanabis. Fara vjen nga jashtë, tokën e punojnë fshatarët (të cilët fitojnë pak e rrezikojnë shumë, a.f.), transportin e bëjnë grumbulluesit, shitjen e bëjnë trafikantët, mbikëqyrjen e bënë policia, ndërsa fitimet më të mëdha i merr qeveria, dhe kjo është e vetmja mundësi për të siguruar të ardhura e për të mbajtur popullin në qetësi. Kështu, Shqipëria e ka fituar statusin e saj në Evropë si një arë kanabisi të cilësisë së lartë, thotë autori i romanit. Kur përshkruan vetitë e shqiptarëve, autori thotë se shqiptarët nuk janë të egër, por dukën të vrazhdë; nuk janë armiqësorë, por dukën dinakë;  nuk janë punëtorë, por dukën të fjetur;  nuk janë të çmendur por dukën të marrë; nuk janë perëndimorë por dukën lindorë; dhe në përgjithësi gjithmonë dukën sikur janë – ata që s’janë.

Ben Blushi si politikan dhe deputet, edhe në letërsi është i preokupuar me zgjedhjet në Shqipëri. Në romanin e tij paraprak “Kandidati”, zgjedhjet për kryebashkiak të Basenit (lexo:Elbasanit) i fiton kandidati  Kadim Sadini (lexo: Qazim Sejdini), i cili kishte vdekur dy ditë pasi kishte paraqitur kandidimin për t’u zgjedhur.  Ndërkaq, në romanin “KM Kryeministri”, për të fituar zgjedhjet për një mandat të ri, ndaj Kryeministrit duhet të bëhet atentat nga një organizatë terroriste, që pastaj populli do ta votojë nga mëshira, që siç e thotë autori në romanin “Kandidati”, Shqipëria mbetet një parajsë për  gjithë të vdekurit që zgjidhen, dhe një ferr për  gjithë të gjallët që zgjedhin.

Sado që autori bënë akrobacione letrare, duke trilluar histori në paraqitjen e ngjarjeve në kohë të ndryshme, që herë i përgjigjet kohës kur kryeministër i Shqipërisë ishte Sali Berisha, e herë   kohës së Edi Ramës, askush nuk e beson se personazhi i Kryeministrit është vetëm fantazi e autorit, e jo aludim në personin konkret. Aq më tepër që autori ka një opsesion ndaj të dy kryeministrave të përmendur. Blushi ka zgjedhur mënyrën për të larë hesapet me kundërshtarët politik përmes librave, dhe nuk i ka dalë keq; është “hesapë, me hesapë”, se duke i shpotitur letrarisht ata, po fiton materialisht për vete, nga shitja e librave.  Bile, edhe unë me këtë vështrim, po e ndihmoj shitjen. Veçse e tepron me ironinë, cinizmin dhe karikimin e ngjarjeve e të personaliteteve në të cilat aludon. Sipas trajtimit që  i bënë popullit shqiptar,  si një turmë me vetitë më të këqija (fq.91-93) Blushi me partinë e tij të sapoformuar, nuk do të duhej të kalonte pragun zgjedhor për të hyrë në Parlament. Sado që në kontekst letrar, vet e ka thënë një të vërtetë: “Askush më shumë se unë nuk është tallur kaq keq me vendin e vet” (fq.73 e romanit “Kandidati”). Si romancier (sidomos me romanet “Kandidati” dhe “KM Kryeministri”, që janë të ngjajshëm),  ka krijuar profilin e vet, dhe sadoqë nuk është shumë bindës në krijimtarinë e tij, artistikisht dhe me fantazi nuk qëndron keq.

Pas botimit të romanit “KM Kryeministri”, ka pasur reagime gjithfarësh, pro e kontra, madje edhe batuta, por edhe fyerje. Në një emision televiziv, Edi Rama kishte ironizua Blushin, duke thënë: “Meqë iku nga partia, mund ta thyejë heshtjen, por Blushi ka patur dy kryetarë partie: Fatos Nanon dhe mua. Me Nanon u bë tre herë ministër, dhe s’bëri asnjë punë. Me mua s’bëri asnjë punë, por bëri tre libra. Tani që është akoma me mllefin ndaj PS, do t’i sugjeroja ta bëjë edhe një libër tjetër,  sepse kur ta bëjë partinë e tij,  s’do të bëjë më as punë as romane”. Në replikën e tij përmes profilit të vet në facebook, Blushi ishte  më i paskrupullt, kur kishte shkruar: “Paska folur Edi Rama për romanet e mia! Kur shkrimtarët merren me qentë, qentë merren me librat”!

Nivel i ulët i komunikimit, që s’i bënë nderë, as s’i ka hije askujt!

*Ben Blushi: KM/ KRYEMINISTRI (roman), botoi “MAPO”, 2016, fq.224

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ben Blushi, KM, romani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT