• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2017

Ju rrëfej Ilirinë dhe krimet e grekëve ndaj çamëve

May 23, 2017 by dgreca

1-faik-konica

NGA FAIK KONICA/ THE NEW YORK TIMES, 1940/Kur shpërtheu lufta italo-greke, Faik Konica në një artikull të gjatë në gazetën më të madhe amerikane, “New York Times”, me titull “Ju rrëfej grekët”, ku kërkonte të njihte amerikanët me historinë e Shqipërisë, veçanërisht të Çamërisë dhe krimet që kishin kryer grekët ndaj çamëve.

Prej disa kohësh, ndërmjet Italisë e Greqisë po zhvillohet për Shqipërinë një përleshje paraprake me fjalë, gjë që mund të jetë pragu i një konflikti të armatosur. Italia ngre çështjen së Greqia mbante një pjesë të madhe territori që i përket Shqipërisë, ndërsa Greqia e mohon me zë të lartë këtë pretendim. Shumë amerikanëve u është dukur e çuditshme që, ndërsa zëri i italianëve dhe grekëve dëgjohej, nuk ndihej zëri i pavarur i Shqipërisë. Porse, a nuk ka thënë, njëherë, një autor anglez se një nga karakteristikat e shqiptarëve është se ata janë të “paartikuluar”? Kërkesave të përsëritura unë u jam përgjigjur se nuk kisha gjë për të thënë, ndërsa atyre miqve amerikanë, të cilëve ndjenjat e tyre dashamirëse u japin të drejtën të më pyesin përse ashtu, u jam përgjigjur se më kishte ardhur gjithçka në majë të hundës dhe se kisha vendosur që këtej e tutje të mbetesha një spektator i thjeshtë i tragjedive dhe i farsave të botës. Por tani është një grup atdhetarësh shqiptarë që më kërkon të bëj një deklaratë. Këta miq shqiptarë dinë për mua disa gjëra që miqtë e mi amerikanë nuk i dinë.
Ata e dinë që unë kam lindur në zonën kufitare shqiptaro-greke, që bën pjesë në krahinën e vënë në diskutim; kështu që trojet ku unë kam luajtur si fëmijë janë fushat e betejave të ardhshme. Ata mendojnë se askush tjetër, më mirë se unë, nuk e njeh historinë e kësaj krahine dhe ata më përmendin vazhdimisht se, si drejtues i rinisë, unë njëherë e një kohë kam qenë mbrojtës i palodhur i tërësisë tokësore të Shqipërisë. Prandaj, ndonëse me lëkundje, vendosa ta thyej heshtjen dhe t’i paraqes popullit amerikan disa fakte të kontrollueshme rreth sfondit historik të konfliktit që po vjen rrotull.
(I)-Siç dihet nga të gjithë, në periudhën e lashtë shqiptarët quheshin ilirë. Rajoni i diskutueshëm në lashtësi njihej si Iliria e Jugut dhe më vonë është quajtur Shqipëria e Jugut, ndërsa grekët kanë vendosur ta quajnë Epir, një emër që do të thotë “kontinent”; në zanafillë përdorej për këtë rajon nga banorët e ishujve të vegjël, përtej bregut të Shqipërisë, po ashtu si peshkatarët e ishujve Bahamas do ta quanin Floridën “kontinenti”, me një emër që nuk ka asnjë lidhje me kombësinë e popujve që banojnë në kontinentin në fjalë. Ky rajon, gjatë afër pesë shekujve të sundimit turk, përbënte vilajetin ose provincën e Janinës, me qytetin e Janinës si kryeqendër.
Jo vetëm që ky rajon ka qenë gjithmonë shqiptar nga gjuha dhe kombësia, por kufijtë e fiseve ilire shkonin shumë larg përtej. Madje, edhe ishujt Jonianë kanë qenë kryesisht ilire. Në një libër të famshëm, që e njohin mirë studiuesit, “Fjalori i antikiteteve klasike” të Lybkerit, tek artikulli për Kërkyrën (Korfuzin) vihet në dukje se ai ishull “në zanafillë banohej nga ilirët”. Kurse ata, që do të marrin mundimin të lexojnë veprën e studiuesit të njohur suedez, Martin P. Nilson, botuar në Lund më 1909 me titullin “Studime mbi historinë e Epirit të Lashtë”, do të shërohen nga prirje për të menduar se Epiri ka qenë ndonjëherë grek. Ky rajon e ka ruajtur natyrën e vet ilire të pandryshuar; deri edhe kaq vonë sa i bie në shekullin e dhjetë të erës sonë, perandori i Bizantit, Leoni i Mençur, në një nga librat e tij përmend faktin që “banorët e Epirit janë shqiptarë”. Pak nga pak, depërtimet greke nisën të ndiheshin në disa pjesë të këtij rajoni. Se si u bënë të mundshme këto depërtime, ne e dimë nga disa autoritete të dorës së parë.
(II)-Në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, Janinën e qeveriste një princ bizantin (ose një despot, siç e kishte titullin zyrtar) i quajtur Thanas. Këtij Thanasi i hipi në kokë ideja e bukur për të vrarë gjithë shqiptarët. Ju mund të dyshoni se mos këto ngjarje janë nxjerrë nga ndonjë legjendë shqiptare e shtrembëruar ose nga ndonjë fletushkë propagandistike italiane. Aspak! Autoriteti që na e njofton këtë mizori është një grek besimtar dhe i ndershëm, Mihail Dukas, pjesëtar i Shtëpisë Perandorake Bizantine, me po atë emër, kronika e të cilit përfshihet në koleksionin e madh të historianëve bizantinë që ndodhet në Bon dhe mund ta studiojë çdo studiues. Me neveri dhe mosmiratim Dukasi njofton të gjitha egërsitë dhe vrasjet që ka bërë Thanasi kundër popullsisë shqiptare të Janinës. Siç thotë Dukasi, një nga lojërat e tyre të parapëlqyera ishte t’u priste hundët ose pjesë të tjera shqiptarëve dhe t’i linte të vdisnin në agoni. Disa krerë feudalë shqiptarë e kërcënuan Thanasin me një ekspeditë ndëshkimore, nëse ai nuk do t’i ndërpriste krimet kundër shqiptarëve. Thanasi u përmbajt një farë kohe dhe e martoi vajzën e vet me princin më të fuqishëm të asaj kohe, me Gjin Shpatën. Pas njëfarë periudhe, Thanasi i nisi përsëri përndjekjet, madje edhe më të egra se më parë. Siç shkruan Mihail Dukasi, ndërsa Gjin Shpata mblodhi një ushtri dhe e rrethoi Janinën, kryeqytetin e vjehrrit të vet, Thanasi çdo ditë, nën flamurin e armëpushimit, i dërgonte Shpatës një shportë me sy të nxjerra nga kokat e shqiptarëve fatkeqë dhe kjo dhuratë e kobshme vazhdoi derisa u hoq rrethimi.
Siç e thotë historiani, ambicia e Thanasit ishte të fitonte nofkën e Albanoktonos që do të thotë Shqiptarovrasës. Dukasi shton se despotit i pëlqenin shumë të huajt dhe të jashtmit, prandaj pati sjellë shumë prej tyre në qytet. Së fundi, thuhet me marifet se Thanasi ia doli mbanë “të zbrazte” Janinën nga banorët e rrënjës. Natyrisht, zor se mund të shpikte një metodë më të efektshme për të ndryshuar përbërjen etnike të një vendi, porse “të drejta” të krijuara në këtë mënyrë, ta themi në formën më të butë, janë të një cilësie të dyshimtë. Krimet e përshkruara nga Mihail Dukasi kanë ndodhur më 1380, dhe në pak vite më parë.
Pas pesëdhjetë vjetësh, më saktë më 1431, një ushtri e fortë osmane erdhi me gjëmime te portat e Janinës, e cila, ndërkaq, ishte ripopulluar me të ardhur, dhe me një sulm qyteti u pushtua. Është për t’u shënuar fakti se, pasi i bënë një mbikëqyrje krahinës, turqit e klasifikuan atë si pjesë të Shqipërisë. Por ka edhe diçka më domethënëse dhe krejt të pakundërshtueshme. Turqit bënë një regjistrim të kujdesshëm të qyteteve e të fshatrave dhe emrat e këtyre vendeve kanë dalë më pas në botimet zyrtare në trajtat e tyre shqip e jo greqisht. Për shembull, le të marrim rastësisht dy emra, dy qendrat e quajtura shqip Delvina dhe Grevena. Ato janë regjistruar përkatësisht Dhelvinon dhe Grebene. Turqit e hershëm kanë qenë të përpiktë, me hollësi të madhe për shënimin e emrave të vendeve, duke parapëlqyer gjithmonë trajtat e mirëfillta popullore. Për shembull, pas rrethimit të parë të Vjenës, turqit nisën ta shkruanin Ëian me një A të gjatë, që është trajta e vërtetë popullore dhe, sa kohë zgjati Perandoria Osmane, ata iu përmbajtën kësaj trajte, duke flakur trajtën artificiale Ëien. Në traktatin e Ajzenburgut, të nënshkruar më 1664 ndërmjet Turqisë dhe Perandorisë Romake të Shenjtë e të hartuar turqisht e latinisht, kur numërohen titujt e perandorit Habsburg, teksti latin e quan atë mbret të Bohemisë, porse në tekstin turqisht turqit kanë ngulur këmbë për ta thënë mbreti i çekëve.
(III)-Pushtimi turk solli një ndryshim të rëndësishëm në jetën e Shqipërisë. Për arsye që janë tepër të gjata për t’i shtjelluar këtu, shumë shqiptarë e lanë krishtërimin dhe u bënë myslimanë, e kjo lëvizje vijoi për dy shekuj, derisa rreth 65 % e popullsisë u bë myslimane; pjesa tjetër mbeti e krishterë. Në Veri, si besimtarë të kishës Perëndimore e në Jug të asaj Lindore, që shpesh quhet gabimisht kisha greke. Meqë në kishën e dytë shërbesat bëhen greqisht dhe kleri është në pjesën më të madhe grek, u krijua mundësia për grekët që të shkombëtarizonin shqiptarët, duke e përsosur kishën si mjet të propagandës.
Një faktor tjetër ka qenë ardhja tinzare e banorëve që flisnin greqisht, shpesh të favorizuar me budallallëk nga pronarët shqiptarë, të cilët kishin nevojë për bujqër, për të zëvendësuar shqiptarët që iknin në luftërat e pafund të Perandorisë Osmane. Ngritja e Greqisë si shtet i pavarur i dha një shtysë të fuqishme propagandës greke. Tashmë grekët nisën haptas të shpallnin se çdo besimtar i kishës Lindore, pavarësisht nga gjuha dhe kombësia, ishte grek.
Një nga marifetet më të padëgjuara të grekëve ka qenë dhënia e rryshfeteve zyrtarëve të lartë në Stamboll për të nxjerrë një ferman që të ndalonte qarkullimin apo mbajtjen e librave shqip. U quajt një veprim i dënueshëm, madje, edhe po të mbaje libra kaq të padëmshëm si gramatika ose aritmetika, po të ishin shkruar shqip. Grekët ranë, madje, edhe më poshtë: nuk e kishin për gjë të kallëzonin atdhetarët shqiptarë të ndershëm si rebelë dhe bënin që ata t’i degdisnin në burgje të largëta.
(IV)-Pas luftërave ballkanike Turqia Evropiane u copëtua dhe Fuqitë e Mëdha nuk mund ta injoronin ekzistencën e kombësisë më të lashtë të gadishullit. Shqipëria u bë shtet, por u rrëgjua në një të katërtën e madhësisë së vet natyrore. Dikush mund ta mendonte se pas kësaj do të ishin të kënaqur dhe do të rrinin urtë, se do të përpiqeshin, po të ishte e mundur, të zhvillonin marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me pjesën që mbetej të Shqipërisë. Mirëpo ndodhi e kundërta. Duke përfituar nga fakti që Turqia, një vit më parë i kishte çarmatosur plotësisht shqiptarët, një ushtri me grekë, e organizuar dhe e maskuar si njerëz civilë, vërshoi mbi gjithë Shqipërinë dhe nisi të djegë e të vrasë gjithçka i dilte përpara. Në Shqipëri, në atë kohë kanë qenë në qendër të këtyre krimeve të organizuara dy dëshmitarë të huaj: autorja e njohur angleze, Meri Edit Durham, dhe një korrespondent gjerman. Të dy ata u tmerruan dhe u morën vesh që t’ia bënin të njohur të gjithë botës çdo gjë që këta e quanin si një nga krimet më të mëdha të organizuara në të gjitha kohërat. Për fat të keq, plasi Lufta Botërore dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Por më 1920, me titullin “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”, Miss Durham botoi një libër, ku një kapitull i plotë i kushtohet njoftimeve për këto masakra. Kushdo që dëshiron ta kuptojë konfliktin e sotëm nuk mund të bëjë pa e parë këtë libër.

Pas Luftës Botërore, Greqia ua ndaloi shqiptarëve të kishin shkollat e tyre në Greqi dhe vijoi punën e saj për të eliminuar elementin shqiptar me çfarëdo mjeti. Një rast i rrallë iu paraqit grekëve nga Traktati i Lozanës, i cili nxiti shkëmbimin e familjeve turke me ato greke. Siç e kam thënë më sipër, një shumicë shqiptarësh, disa shekuj më parë, e lanë krishtërimin dhe u bënë myslimanë, por ata i ruajtën gjuhën dhe traditat kombëtare dhe kurrë nuk e kanë mësuar turqishten. Mashtrimi i grekëve kishte për qëllim që t’i paraqiste si turq shumë myslimanë shqiptarë dhe t’i dërgonte me anije në thellësinë e Azisë së Vogël, duke i bërë objekt shkëmbimi. Kjo është njësoj sikur të syrgjynosësh irlandezët në Poloni, duke u nisur nga fakti se edhe irlandezët, edhe polakët, janë katolikë edhe prandaj qenkan të një kombësie. Komisioni Ndërkombëtar për Shkëmbimin e Popullsisë e zbuloi mashtrimin, në pak raste, dhe e ndaloi, por shumë herë të tjera atij ia hodhën me mjeshtëri.
Po të shqyrtohen dëshmitë e vjetra për gjendjen e kombësisë në viset e ndryshme të rajonit të diskutuar, habitesh me ndryshimet që janë bërë nëpërmjet dredhive dhe mashtrimeve të organizuara. Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, një anëtar i kishës së Anglisë me emrin Stjuart Hjuz, ka bërë një udhëtim nëpër Shqipëri dhe ka lënë shënime për vëzhgimet e veta.
Ka vizituar dhe qytetin tim të lindjes, Konicën, një vend i lashtë i cili mendohet nga disa studiues si Pukevili, se ka qenë në mesjetën e hershme kryeqyteti i Ilirisë Jugore. (Emri i vendit tingëllon në mënyrë të çuditshme si prusian, por kjo vjen ngaqë po ai ndikim sllav mbi toponiminë, ka vepruar në Prusi, ashtu edhe në Shqipëri). Hjuzi ka shënuar se Konica kishte 800 shtëpi, nga të cilat 600 ishin shqiptare dhe 200 greke. Ku janë këta 75 % shqiptarë sot?
Megjithatë, në rajonin e diskutuar ka një krahinë të gjerë, qëndresa e patrembur e së cilës i ka kapërcyer të gjitha format e organizuara të vrasjeve, mashtrimeve dhe grabitjeve. Kjo është Çamëria, të cilën grekët e shtrembërojnë në Camuria. (Nuk u vë faj grekëve, për këtë shtrembërim që vjen nga paaftësia e alfabetit grek për të riprodhuar gjithë tingujt e gjuhës shqipe dhe të shumë gjuhëve të tjera për këtë çështje). I ndjeri senator Kabot Loxh (Cabot Lodge) në shtypin grek dilte gjithmonë me emrin Kampot Lone. Popullsia e Çamërisë tani vonë, më 1913, ka qenë 96 % shqiptare. Ky përpjesëtim tani është ulur me akte dhune dhe unë mund të sjell si shembull shumë punëtorë që derdhin djersën në fabrikat e Amerikës, të cilët i kanë pasur prindërit pronarë të lulëzuar në Çamëri, më pak se një vit më parë.

E megjithatë, në kundërshtim me gjithë këtë përndjekje, ende shqiptarët përbëjnë 80 % të popullsisë së Çamërisë.

(V)- Ndërsa tani Italia është gati të ndërhyjë, duke na shpallur si qëllim se kërkon të vërë në vend dëmet që i janë shkaktuar kombit shqiptar dhe të rivendosë kufijtë natyrorë e historikë të Shqipërisë. Është e arsyeshme të presësh nga çdo shqiptar i vërtetë se do të jetë i pakënaqur nga ky veprim. Por ndonjë mund të kundërshtojë se, megjithë metodat e dënueshme të përdorura nga grekët, ata kanë arritur që ta përmbysin gjendjen e kombësive në shumë vise të rajonit të diskutuar; kështu që të ndreqet një padrejtësi e vjetër me një padrejtësi të re, nuk tingëllon aq mirë. Për këtë unë do të përgjigjesha se nuk mund të ketë një akt ligjor që të përligjë krimet e organizuara e të vazhdueshme.

Por, ka dhe më. Shumë larg nga Shqipëria historike, në Greqinë e brendshme ka pothuaj një milion shqiptarë, gati gjysma e të cilëve ende e flet gjuhën e vet të lashtë. Këta njerëz kanë një mall ideal për Shqipërinë dhe në të kaluarën kanë nxjerrë dëshmorë të çështjes shqiptare. Ata mund të shkëmbeheshin me grekët e rajonit të diskutuar dhe, më së fundi, të gjithë do të ishin të kënaqur. Porse, siç pohojnë grekët, Italia kërkon të arrijë qëllimet e veta duke zgjeruar kufijtë e Shqipërisë. Unë pajtohem me këtë plotësisht, por më duhet të shtoj se ky pohim nuk ka peshë dhe është thjesht një përpjekje për t’i bërë bisht çështjes. Çështja është a ka qenë gjithmonë pjesë përbërëse e Shqipërisë ish-krahina turke e Janinës? Në qoftë se kjo është e vërtetë, a mund të bjerë poshtë, automatikisht, kjo e vërtetë vetëm e vetëm sepse e thonë edhe italianët? Fakti është i qartë: Italia ka këtu një përgjigje të mirë e të fortë, sepse rastis që kërkesat e saj përputhen me një akt të vonuar drejtësie kundër Shqipërisë. Po ndodh që një herë perënditë hakmarrëse janë në anën e legjioneve të Cezarit.

(Faik Konica, “Ju rrëfej grekët”, botuar në “New York Times”, më 1940)

Filed Under: Histori Tagged With: dhe krimet e grekëve, Faik Konica, Ju rrëfej Ilirinë, ndaj çamëve

“Uroj ta kaloni sa më qetë në atë vend të çudirave!”

May 23, 2017 by dgreca

1-pirro-dollani

NGA PIRRO DOLLANI/

Ky ishte mesazhi telegrafik që mora nga një ish-nxënësja ime që jeton përtej Adriatikut për mëse dy dhjetëvjeçare. Vërtet m’u përkëdhel sedra kur ky urim m’u shfaq në ekranin e celularit sot në mëngjes. Si me magji, m’u largua dhimbja e kokës dhe u ndjeva aq mirë sa u hodha nga shtrati, vesha tutat dhe si një adoleshent vrapova drejt bregut të detit, përgjatë rrugës së Vollgës, në qytetit tim të bukur: Durrës.

Meqë nuk kam marrë miratimin e ish-nxënëses sime për t’ia përmendur emrin këtu në “mexhlis”, po e quaj thjesht GRETA, pasi ajo është e bukur shpirtërisht e fizikisht, saqë edhe Garbo-ja e vërtetë do t’ia lakmonte bukurinë. Sapo arrita afër bregut, në atë shëtitore që mbushet plot njerëz si një fushë e begatë me lule, dhe po i gëzohesha valëve të detit, dëgjova britmën e një vajze që më kumboi në vesh si të ishte bori lufte: “Hej, hej, hap sytë se do të biesh!!!” Ndalova në vend, flokët më ishin ngritur përpjetë, fytyra më kishte marrë një pamje të egërsuar. Si guxonte kjo çupëlinë të më drejtohej sikur të isha një hiç? “Hej, hej. . . hap sytë…” Po bëhesha gati të hapja ato fletë fjalori që i përdor rrallë, shumë rrallë, kur shikimi m’u ndal një hap para këmbëve të mia, te një gropë goxha e madhe. Nëse s’do të ishte ajo “Hej, hej. . .” ndoshta tani do të ndodhesha i gjymtuar, i futur në allçi, në sallën e operacionit në atë palo spital të qytetit tim, me ato mjekë që në vend të merreshin me gjymtimet, së pari, do të “ekzaminonin duart”. . . dhe përnjëherësh e vështrova atë vajzë si të ishte engjëlli im! Të falemnderit moj bijë! Kurrë s’më kishin dëgjuar veshët ndonjëherë muzikë më hyjnore se “hej, hej-i” i saj. Ia ngula sytë dhe ai “hej, hej” dhe ajo vajzë më shëmbëlleu me atë MARGHERITA-n e Riccardo Cocciante-s. E falenderova dhe vazhdova të ec në shëtitore, jo më për të soditur detin, apo të përshëndesja ndonjë të njohur, por mbaja kokën poshtë, për të parë se ku shkelja. Dhe, për çudinë time të madhe, kurrë në këto vite që jetoj jashtë vendit tim, nuk kam parë kaq pisllëll, duket se e kam mbajtur kokën përpjetë kur kam ardhur për pushime! Punëtoret e pastrimit, me ato fshesat e tyre të epokës së gurit, ende nuk kishin filluar punën. Ishte 5:40 e mëngjesit! Ecja e vështroja gjithandej: nga fillimi i shëtitores së Vollgës e deri në fund, pas Hotel Aragostës nuk pashë asnjë kosh plehrash!!! (Besoj se Durrësi duhet te jetë unikal në këtë gjë!!! Në Pogradec në çdo disa metra ka kosha plehrash, kosha për riciklim.)  Ecja dhe ja, aty sapo kalova Pistën, përballë meje m’u shfaqen dy gropa të tjera! Qytetarët ecin të qetë, pa u bërë përshtypje fare, të mësuar, (sic janë mësuar me poshtërimin, mjerimin, talljen, premtimet boshe nga të gjithë politikanët!)  dhe pa menduar se aty mund të bjerë një fëmijë apo i moshuar e të mbesë ulok përjetë! (Dikush më tha se njeri nga Ministrat e qeverisë banon në pallatin pranë këtyre gropave. S’di sesi do t’u duken këto gropa nga dritaret, por për njerëzit që ecin në këtë shesh, ato gropa mund të bëhen edhe vdekjeprurëse! Vazhdoja të ecja me kokën poshtë. Sa kalova pistën, ai gji i vogël ku bëjnë banjo plot durrsakë, ishte i mbushur me kodra lesh-teriku. Askund nuk dukej më deti! Lesh-terikë, lesh-terikë gjithandej! Pyetja e parë që do të bënte çdo i huaj do të ishte: A ka pushtet lokal ky qytet që të merret me pastrimin, rregullimin apo edhe pushtetarët lokalë e kanë braktisur qytetit si mijëra e mijëra të rinj që largohen çdo vit? Vazhdova të ec dhe sapo kalova Sfinksin, u gëzova kur pashë që rëra ishte pastruar. Epo ja dhe drita në fund të tunelit!!! Vazhdova të ec, sapo kalova Hotel Aragosën, aty në fund, ishte krijuar nje mal i madh me pisllëqet të mbledhura nga pastrimi i rërës dhe një punëtor, sapo mbaroi së mbushuri karrocën e dorës dhe filloi ta shtyjë. . . drejt detit! Ndalova duke mos qenë i aftë mendërisht të përcaktoja se çdo të bënte më tej. Kur ai sapo futi karrocën pak në ujë e kthehu përmbys dhe të gjithë plehrat u përhapen në ujë! Jo, jo, thashë me vete, ky duhet të jetë ndonjë haluçinacion imi. Ndalova. Ai u kthye te mali i plehrave dhe, si të ishte një punëtor që punonte për vitin 2456, e mbushi shpejt e shpejt karrocën dhe u drejtua drejt detit. E përmbysi karrocën përsëri e përsëri dhe barërat, leshterikët, plehrat, letrat, gurët, etj.  filluan të pluskonin ca mbi ujë e ca nën të. Kujtova se kisha arritur te drita në fund të tunelit, por ajo s’ishte dritë, por treni që po vinte drejt plazhit! Iu afrova këtij punëtori, që me siguri po të ishte koha e HOXHES, do ta kishin bërë Hero të Punës Socialiste, pasi punonte pa pushim. Me shumë mirësjellje i thashë Mirëmëngjes e Puna e mbarë. Ai burrë, le ta quajmë, Saimir, pra, Samiri m’u përgjigj po me aq dashamirësi, saqë më bëri për vete. I thashë, a mund ta bëj një pyetje? Po si jo,- u përgjigj buzagaz. A mund të të pyes se pse i hedh plehrat në ujë? Ai: pse ku t’i hedh? Unë: nuk e di, po a mendon se kështu ndotet deti? Ai: po mor po, po unë jam punëtor dhe bëj çfarë më thonë. Ata të Bashkisë, vazhdoi Saimiri, nuk kujdesen për pastrimin e bregut dhe pronarët e hoteleve s’kanë makina që t’i marrin e t’i hedhin diku tjetër. . . E falenderova për mirësjelljen, u largova, dhe  në mendje m’u kujtua urimi i Gretës: “Uroj ta kaloni sa më qetë në atë vend të çudirave.” Në Shqipërinë tonë, urimi yt, moj e mira Gretë, do të mbesë gjithnjë në kufijtë e një dëshirë të përhershme. Çurçilli ka një thënie të mrekullueshme: “Unë jam optimist, sepse asgjë tjetër s’ka asnjë vlerë e kuptim!” Por të siguroj, se po të jetonte në këtë vendin tonë të bekuar nga Perëndia, por të banuar nga ne shqiptarët, zor se do të ishte optimist! Nëse nuk të duken bindëse këto fjalët e ish-mësuesit tënd, hidhi sytë nga Shqipëria, dhe shiko pushtetarët, politikanët e këtyre 27 vjetëve, që për vete e familjet e tyre kanë ndërtuar Amerikën, ndërsa popullin e thjeshtë, intelektualët, mësuesit, nëpunësit e dikurshëm i kanë lënë në mjerim, me ca pensione që s’mund të jenë në gjendje të jetojnë me dinjitet edhe këto pak vite që i kanë mbetur për të jetuar. Të uroj një ditë të qetë Greta, në atë botë të lirë ku çdo për njerëzit e punës mundësitë janë pa kufi!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: “Uroj ta kaloni sa më qetë, në atë vend, Pirro Dollani, të çudirave!”

THE NEW YORK TIMES: E PREMTJA E SHENJTE NE SHQIPERI

May 22, 2017 by dgreca

Nga Aurenc Bebja*, Francë/1 The New York timesNë « Bulletin périodique de la presse américaine » gjejmë një shkrim të gazetës prestigjioze, The New York Times, botuar me 8 prill 1939, me titull « E premtja e shenjtë në Shqipëri ».Media e famshme ironizon asokohe në mënyrë mjeshtërore sulmin e padrejtë të Italisë fashiste ndaj Shqipërisë. Për më shumë, do të gjeni në vijim shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :« Një tjetër vend i vogël në Evropën Qendrore shlyen krimin e tmerrshëm se është një shtet i vogël. Arsyeja e luftës që ka shpërthyer në Adriatik është krejtësisht e qartë. Shqipëria ka provokuar Italinë. Ajo e ka provokuar atë sepse Italia është e dobët, e vogël dhe pa mbrojtje, viktimë ndaj një egërsire, të cilës bllofi iu zbulua prej dikujt të përmasave të saj.

E frenuar nga Franca, e cila ka refuzuar t’i frikësohet, dhe përballë rritjes së vazhdueshme të Britanisë së Madhe për të pasur përgjegjësi në kontinent, qeveria fashiste e Musolinit ka kërkuar në Shqipëri mundësinë për të provuar se, në fund të fundit, Italia është një vend shumë, shumë i madh, shumë i mrekullueshëm dhe që meriton të rrespektohet.

Italia i ka dhënë provat duke shkatërruar qytete krejtësisht pa mbrojtje, duke i bombarduar nga deti dhe qielli, duke hedhur eksplozivë mbi kokat e njerëzve për fatin e keq se ishin shqiptarë, duke përhapur vdekjen dhe shkatërrimin mbi fshatrat paqësorë – të gjitha këto nën pretekstin e « rivendosjes së rendit », « mbrojtjes së interesave jetike » dhe afirmimit të drejtave territoriale që datojnë 229 vite para lindjes së Krishtit.Kohët e fundit, Gjermania ka pasur triumfet e saj. Dhe tani Italia, gjithashtu, ka diçka për të qenë krenare ! »(Kortezi:Aurenc Bebja-www.darsiani.com)

Filed Under: Histori Tagged With: Arena Bebja, e Premtja e zee, shqiperia, The New York Times

Parlamenti votoi Vettingun , Betohen Ministrat e Rinj

May 22, 2017 by dgreca

Kuvendi miratoi me 123 vota pro ligjin e Vettingut që i hap udhë ngritjes së komisioneve ad-hoc në kuadër të reformës në drejtësi./1 Parlamenti
“E kam pritur shumë këtë moment kur të dilja nga dera e parlamentit dhe tu thoja shqiptarëve që vettingut do të fillojë dhe që tanimë reforma në drejtësi nuk ndalet. Është një moment shumë emocionues sepse është një moment që të bën të thuash me plot gojë që politika është një forcë për mirë kur përdoret për qëllime të mira”, tha Kryeministri Rama në fund të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.
Votimi i vettingut i paraprinë ndryshimet në Kodin Penal, sipas marrëveshjes së arritur mes mazhorancës dhe opozitës për kriminalizimin e shit-blerjes së votës si dhe disa ndryshime në ligjin për partitë politike dhe për mediat audiovizive.
U votuan gjithashtu edhe Klement Zguri në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Denar Biba, që kalon anëtar i Komisionit.

Parlamenti voton ndryshimet në qeveri/

Parlamenti i Shqipërisë, i mbledhur pasditen e kësaj të hëne në kuadër të marrëveshjes Rama-Basha, ka votuar ndryshimet në qeveri.

Në seancën plenare, ku pavarësisht paktit nuk kanë munguar replikat, është votuar fillimisht shkarkimi i Niko Peleshit, Fatmir Xhafajt, Ogerta Manastirliu, Olta Xhackës, Arben Ahmetajt, Lindita Nikollës dhe Petrit Vasilit.

Nga kuorumi prej 125 deputetësh është votuar:

Shkarkimi i Peleshit: 106 vota pro.
Shkarkimi i Xhafaj: 104 vota pro.
Shkarkimi i Manastirliut: 114 pro, 4 kundër, 3 abstenime.
Shkarkimi i Ahmetaj: 107 vota pro, 3 kundër, 5 abstenim.
Shkarkimi i Nikollës: 109 vota pro, 1 kundër, 4 abstenim.
Shkarkimi i Vasilit: 102 vota pro, 10 kundër, 2 abstenim

Ndërkohë, deputetët në sallë kanë votuar edhe emrat e rinj të kabinetit qeveritar, të propozuar nga Partia Demokratike në kuadër të marrëveshjes.

Ledina Mandija: 119 vota pro, 2 kundër.
Dritan Demiraj: 107 vota pro.
Arben Beqiri: 118 vota pro, 3 kundër, 4 abstenim.
Xhuljeta Kërtushaj: 118 vota pro, 3 kundër 2 abstenim.
Helga Vukaj: 116 vota pro, 2 kundër, 3 abstenim.
Mirela Karabino: 111 vota pro, 3 kundër, 3 abstenim.
Gazmend Bardhi: 106 vota pro, 3 kundër, 5 abstenim.

Ndërkohë, palët pritet të votojnë edhe ndryshimet në ligjin për financimin e partive, që detyron mediat private t’u japin falas dy partive të mëdha 90 minuta hapësirë për spotet publicitare dhe 10 minuta partive të vogla.

BETOHEN MINISTRAT E RINJ

Zv.Kryeministrja e re dhe gjashtë ministrat e rinj të kabinetit qeveritar u betuan në kohë rekord para Presidentit të Republikës.
Betimi i tyre u bë pak pasi ata u miratuan në Kuvend në bazë të marrëveshjes Rama-Basha.
Ndryshimet ndodhën në një kohë rekord, ndërkohë që Kuvendi pritet të mblidhet sërish sonte për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Aktualisht ndryshimet janë duke i shqyrtuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ku Top Channel mëson se ka patur disa mosdakordësi për çështje të vogla dhe jothelbësore.Sipas TOP CHANNEL/

Filed Under: Opinion Tagged With: Betohen Minstrat e rinj, Parlamenti votoi Vetting

Daul në Prishtinë për ta përkrahur Hotin dhe koalicionin e LDK-së

May 22, 2017 by dgreca

-Gjatë qëndrimit në Bruksel, Hoti në cilësinë e ministrit të Financave do të raportojë në Komisionin  Evropian për programin e reformave ekonomike. Ky është viti i tretë me radhë që Qeveria e Kosovës e prazanton këtë raport/

1 Daul

Bruksel, 22 Maj 2017-Gazeta DIELLI/ Kandidati për kryeministër i LDK-AKR-Alternativa, njëherësh ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë të hënën në Bruksel se Presidenti i partive Popullore Evropiane, Jopseph Daul, do të vjen në Prishtinë për t’ju bashkuar fushatës së LDK-së dhe partnerëve të koalicion për fitore në zgjedhjet e 11 qershorit.Këto komente Hoti i bëri nga Brukseli pas takimit me Presidentin Daul, i cili drejton PPE, grupin më të madh politik në Parlamentin e BE-së.

“LDK është pjesë e Partive Popullore Evropiane dhe Presidenti Daul shprehu mbështetje të fuqishme për LDK-në dhe koalicionin që kemi formuar. Daul do të jetë në hapje të fushatës në Prishtinë për të mbështetur qëllimin dhe kauzën që ka LDK dhe koalicioni i djathtë.

Ne ndajmë vlera të përbashkëta me Partitë Popullore Evropiane, siç që janë zhvillimi ekonomik i bazuar në sektorin privat, integrimet evropiane, sundimi i rendit dhe ligjit dhe çështjet e tjera që janë në linjë me parimet e partive popullore evropiane”, ka thënë Hoti.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Hoti në cilësinë e ministrit të Financave do të raportojë në Komisionin  Evropian për programin e reformave ekonomike. Ky është viti i tretë me radhë që Qeveria e Kosovës e prazanton këtë raport.

“Programi ekonomik që do të prezantojmë në Bruksel ka gjeneruar rritje ekonomike trefish më të lartë dhe ky program është vlerësuar shumë lartë në dy vitet e kaluara nga Komisioni Evropian dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Përveç raportimit ne do të kërkojmë nga Komisioni Evropian që të përkrahë reformat ekonomike që do të vazhdojë Qeveria e Kosovës, e cila sërish do të drejtohet nga LDK”, ka thënë Hoti./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Daul në Prishtinë, për ta përkrahur Hotin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT