• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2017

25 QERSHOR 2017- VOTIME PER SHQIPERINE, JO PER PARTINE…!

June 21, 2017 by dgreca

1-Repishti-300x212

Nga Sami Repishti/

Ridgefield,CT,USA.- Me kalimin e viteve krijohen realitete të reja. Ashtë nji pa evitueshmëni historike. Me shprehjen shqipe: koha ban punën e vet. Dhe në fakt, ka ba punën e vet në këto 26 vitet e fundit, për fat të keq jo me shumë sukses!

  Gjatë këtyne viteve, klasët politike në pushtet nuk kanë adoptue normat dhe praktikën e pranueme përgjithësisht për nji qeverisje të mirë (good government). Para nji gjendje të këtill, Shqipëria duhet të votojë për “institucionalizimin e qeverisjes”, për nji klasë politike që beson sinqerisht se na, Shqipëria, jemi nji komb i organizuem simbas ligjeve, i bindun ndaj ligjeve, nji kondite sine qua non…!

    Për shekuj, struktura e shoqënisë shqiptare e detyrueme nga rrethanat politike jashtë kontrollit të saj- dhe ma të fuqishme se ajo – ashtë  krijue, zhvillue dhe veprue si nji koleksion klanesh krahinore, partiake, e për fat të keq, edhe fetare. Nji zhvillim i këtill, i shkëputun nga bota dhe eksperienca e vendeve të Europës perëndimore, nuk dha mundësi që zhvillimi i shoqënisë sonë të mbështetet në bindjen se në botën moderne ashtë imperative me qenë nji shtet i mbështetun në ligje, e jo në klane.

  Me qenë “klanish” (fisnor e krahinor?) don të thotë të mos kuptosh se si vepron bota moderne, dhe te qendrosh larg saj. Në raste të këtilla, nji rregjim ose sistem qeveritar përmbyset nga shpërthimet e mbrendshme (implosion) edhe pa ndërhymjen e jashtëme. Sepse nji sistem “fisnor e krahinor” do të ishte i dënuem me u zhdukë nga rrymët e mbrendshme, nga zemrimet, hatërmbetjet, shgënjimet dhe trathëtitë që arrijnë nji pikë kritike, dhe nivele centrofugale shpërthyese në mënyrë violente dhe të pa evitueshme.

  I vetmi shpëtim nga implozione të këtilla janë institucionet civile e demokratike që përballojnë stuhitë: Parlamenti, Qeveria dhe Presidenti, e sidomos sistemi gjyqsor me Gjykatën Kushtetuese në krye. Vetëm këta institucione kanë mundësi me ruejtë integritetin e “Shtetit”. (Këte mësim na japin sot SHBA!) Në këte betejë për mbijetesë, institucionet demokratike aleatin e tyne ma të mirë e kanë në nji shtyp të lirë, të ndershëm e hetues që nuk përpiqet “me formue” por “me informue” opinion publik. Nji opinion i informuem drejtësisht arrinë në konkluzionet e tia lirisht dhe demokratikisht, dhe nuk thyhet lehtë. Beteja për nji fitore të këtill ashtë e ngadalëshme, kambëngulëse, dhe eventualisht luftarake. Zgjedhjet e 25 qershorit jane pjesë e kësaj beteje.

  Zgjedhjet nuk janë pjesore për “partitë politike” të vendit; ata janë të përgjithshme, për të gjithë vendin. Ata janë për të ardhmen e “Nanës Shqipëri”, të ardhmen e të gjithë qytetarëve, pa përjashtim! Ky mentalitet duhet të mbi-zotnojë mendjet e votuesve para arkës së votimit, ditën e zgjedhjeve.

  Nuk jemi në vitin 1945, viti kur zgjedhjet baheshin vetëm për “Frontin Demokratik”, maska e “Partisë Komuniste Shqiptare” akoma në ilegalitet. Pa asnji alternativë, zgjedhësit ishin para nji dileme: me votue për “Frontin” ose në “arkën boshe”, që haptazi quhej “arka e reaksionit”. Fletë-votimi ishte nji kokërr gome. Kjo komedi me rrjedhime tragjike për “kokë-fortët” që guxuen (unë u denova me 15 vjet burgim!) ishte aq e qartë sa që pranë “arkës boshe” qendrojshin dy “të besueshëm të Frontit” me ndigjue zhurmën që bante “goma” (vota) e hjedhun, ma vonë e trajtueme si provë e anmiqsisë kundër pushtetit, dhe justifikim për arrestim politik.

  Sot realiteti ashtë i ndryshëm. Votimi ashtë relativisht i lirë dhe i rregullt; nuk ekziston frika e arrestimit. Por ekzistojnë raste të shumëta të “shitë-blerjes së votës” zakonisht në zonat e vorfna të vendit, dhe mashtrimi politik me premtime të pa mbajtuna. Kjo ashtë fatkeqsi, plagë e randë për shoqëninë tonë që duhet eliminue sa ma shpejt. Për fat të mirë ekziston mbikëqyrja ndërkombëtare.

  Mbas votimeve të vitit 1945, perdja e hekurt ra mbi vendin tonë, dhe zgjedhjet e ardhme deri në vitin 1992, ishin nji tallje me të drejtën e popullit për votime, dhe nji manifestim i padëshirueshëm i nënshtrimit të përgjithshëm para frikës së persekutimit. Nji metodë e këtill arriti shkallën e absurdit me zgjedhjet e vitit 1982, kur nga afër 1.7 miljonë votues, 1,627,959 qytetarë votuen “për Frontin”, dhe vetëm nji (1)votë “kundër”. Këto statistika zyrtare morën ngjyra fyese me talljet e botës së jashtëme që përshkruejshin aparatin shtypës të Qeverisë komuniste të Shqipërisë në ndjekje për zbulimin e “nji” vote kundërshtare.

******

    Ndamja e popullsisë vendëse në klasa thellësisht kundërshtare, pabarazia ekonomike që lëkundë besimin në aftësitë tona me i eliminue nuk janë as aksidentale as të paevitueshme; ata janë të planifikueme dhe të orkestrueme nga princët e krimit të organizuem e baronë miljonerë të drogës, nji grup i pasunuem me para të pista e i vendosun me transformue vendin në nji “cash machine”, maqinë që pret para vetëm për të pasunit. Kjo klasë shkatërrimtare ushqen qeveritarët e korruptuem, frikëson rivalët, mashtron, dhe pranon ndytjen e ambientit, ajr e ujë të pijshëm, e njikohësisht pakëson fondet për arsim, shëndetsi e asistencë sociale – nji  fenomen pothuejse i përgjithshëm i ditëve tona. Në vendet ma të pasuna se Shqipëria ata krijojnë fondacione, qendra studimi, programe universitare, e sidomos financojnë fushatat elektorale… (“me mbrojtë nji ndërgjegje të flliqun nga nji Zot i zemruem”. (shprehje e A.Lincoln)

    Kjo e ban të domosdoshme daljen në skenë, dhe angazhimin serioz të nji grupi qytetarësh të edukuem, të ndershëm, të pavarun, me aftësi për zgjidhje të problemeve që komplikojnë jetesën e qytetarëve në shoqëninë tonë. Vetëm ata do të kenë guximin me përballue degjenerimin e ditëve tona. Dhe ky grup qytetarësh zgjidhet me vota të lira dhe të pastra.

   Kjo kerkesë e natyrëshme megjithate, paraqet vështirësi të mëdha për nji shoqëni shqiptare që vetëm pak kohë ma parë përmbysi nji sistem diktatorial monist që vrau rezistencën e masave të gjunjëzueme, e mohoi edhe përmbushjen e nevojave ma fillestare – bukën e gojës!- që gënjeshtrën e ngriti në piedestal dhe e quejti “morali komunist”. Ai rregjim “ndigjoi” çdo fjalë, “gjurmoi” çdo gjest nen kërcënimin e burgut për dekada te gjata, e theksoi mosbesimin tek njeni tjetri, solidaritet i domosdoshëm me ruejtë dinjitetin personal të qytetarit….U realizue dekonstruksioni i shoqënisë sonë shqiptare!

  Gazetari e analisti i shquem, Thomas L. Friedmann, shkruente këto kohët e fundit: “Më trego nji bashkësi që kupton botën e sotme dhe që punon së bashku e lulëzon nga mbrenda, e unë të tregoj nji bashkësi në rritje e sipër- bregdetare ose kontinentale, qytetare ose fshatare”. Anti-teza e shoqënisë komuniste! Këto janë shoqënitë ku “tjetërsimi”(alienation) luftohet me pjesëmarrje në jetën publike, shoqëni ku edhe i vorfni merr pjesë në “self-government”(vetëqeverisje). Këta janë shoqënitë që kanë ringjallë e forcue elitën e patriotizmit: sherbim për vendin tand në nji botë të hapun për të gjithë!

   Tue justifikue marrëveshjen nukleare me SHBA-n ministri i PJ të Iranit, M.J.Zafir shkruen:”Në se nuk thyejmë ciklin e mosmarrëveshjeve, na vetëm kalojmë përgjegjsinë e këtij momenti historik në kurrizin e  fëmijve dhe nipave tonë. Na kemi për detyrë me mësue prej historisë e jo me u dënue me përbuzëjen e saj”. Nji qendrimi të këtill, Zonja Susan Rice, këshilltare e Presidentit Obama e komentoi:”Na jetojmë në nji botë ku siguria dhe prosperiteti zhvillohen në maksimum kur edhe të tjerët e gëzojnë njilloj si na. Sot, kercënimi –terrorizmi, përhapja e armëve nukleare, smundjet, ndryshimet atmosferike, kartelet e rrezikshme- nuk zgjidhen vetëm me ndërhymje ushtarake, as nuk zgjidhen vetëm nga njeni nga ne. Zgjidhja e yne kerkon aksion kolektiv efektiv, dhe njikohësisht, partnerë me vullnet”.

   Kjo ashtë bota që na ofrohet e që na duhet të përqafojmë! Duhet të ruhemi nga diktatura, sepse efektet shkatërrimtare të diktaturës të çfarë do ngjyre qoftë nuk janë vetëm për viktimën dhe familjen e tij; ata janë për mbar njerëzimin; ata duhen denoncue sepse kanë aftësinë me u persëritë. Diktatura ashtë pësim dhe mësim për të gjithë. Beteja kundër diktaturës ashtë nji detyrë morale permanente për të gjithë, jo vetëm beteja politike e nji dite.

   Nji botë me qenie njerëzore plot dinjitet ashtë nji ideal që duhet të realizohet. Shpesh herë vështirësitë janë ma të mëdha se aftësitë tona. Por historia na mëson se randësia e mos-komprometimit me “murtajën” diktatoriale ashtë vlera ma e naltë, e mbrojtja ma e mirë kundër përhapjes së diktaturës. Dinjiteti për të gjithë ashtë nji ideal i arrijtshëm. Në Shqipëri, rezistenca kundër pushtimit italian e gjerman e ka konfirmue këte cilësi superiore. Na mund të pengojmë edhe ri-ndertimin e burgjeve e kampeve të përqendrimit e të punës së detyrueshme nën kamxhikun e policit brutal për familjet tona të pafajshme –pleq, gra e fëmij, për 45 vjet pa ndërpremje- nji turp i mbar shoqënisë shqiptare. (Dekreti Nr. 648, datë 10 janar 1949 vendosi sistemin e internimit të familjeve për arsye politike). Kujtojeni! Mos e harroni! Vetëm atëherë do të jemi në gjendje me korrë fitoren e kurajos civile dhe shpirtmadhësisë sonë njerëzore! Sepse edhe sot, kushdo që ashtë persekutue ose shpronësue nuk e ndien veten të sigurtë përsëri. Ethet e frikës  mbulojnë akoma vendin tonë.

   Kur amerikanët mendojnë për lirinë, zakonisht imagjinojnë nji dyluftim në mes të “nji qytetari të thjeshtë” dhe “nji qeverie të plotëfuqishme”. Në përfundim, ata janë të prirun me fuqizue qytetarin dhe me kufizue forcën qeveritare. Kjo quhet demokraci! Nji zhvillim i këtill forcon bindjen tonë se duhet të kemi besim tek njeni tjetri. Kështu lindë solidariteti në shoqëni.

  Tue pasë parasyshë të metat e zgjedhjeve, na njohim ligjëshmëninë e tyne; pranojmë përqindjen e votave si përfaqsuese e të gjitha votave. E verteta e panjohun zevendsohet me nji “të vertetë nominale”, tanësia  me pjesën ma të madhe të saj. Dhe kështu, na vendosim pushtetin në duert e nji të vertete “nominale”. Shpesh herë kjo “shumicë” ashtë kundër “vullnetit të përgjithshëm të popullsisë”, nji shkelje e parimit themelor se “autoriteti” që qeverisë duhet të respektojë “vullnetin e përgjithshëm” që simbas filozofit iluminist francez, Diderot. “gjithmonë mbështet anën ma të favorshme të interesit publik”.

   Ky parim themelor u kontestue me rrjedhime katastrofale nga filozofi Karl Marx, dhe u zbatue nga rregjimet komuniste ma vonë. Per Marksin, “ndërgjegjsimi” asht diçka që duhet të formohet- universal dhe autoritar. Fillon me nji “vullnet të përgjithshëm”, i definuem a priori, të cilit individi duhet t’i nënshtrohet, për shpejtimin e procesit historik të shoqënisë njerëzore, i.e. marrja e pushtetit nga klasa punëtore “Të tjerët”, ata që nuk e pranojnë, janë “armiq të popullit”. Ky qendrim sjellë koncentrimin e pushtetit në nji parti të vetme (monizëm) dhe eventualisht në nji njeri të vetëm. Për marksistët, “nji” njeri i vetëm njeh, në mënyrë të pa gabueshme, cili ashtë “vullneti i popullit”, ….diçka e ngjashme me rregjimin e  bleteve.  Ky lloj pushteti total korrupton në mënyrë të paevitueshme “udhëheqsin” në karakterin e tij përfaqsues. Historiani anglez, Lord Acton, përfundon:” Njerëzit e pushtetshëm janë pothuejse  gjithëherë njerëz të këqij”.

******

   Me 25 qershor, afër dy miljonë qytetarë të lirë do të drejtohen  drejt qendrave të votimit me ushtrue të drejtën e tyne themelore: zgjedhjen e lirë të përfaqsuesve të tyne. Ky ashtë akti themelor në demokraci, dhe ma i randësishmi për mbarëvajtjen e shoqënisë shqiptare. Ata që vijnë në fuqi, betohen se do të sherbejnë elektoratin e tyne me nder e besnikëri. Çdo votues ka të drejtë me kerkue nji sherbim të këtill. Vetëm ata që nuk votojnë heqin dorë vullnetarisht nga kjo e drejtë.

  Zgjedhjet e 25 qershorit e gjejnë vendin tonë në nji situate të padëshirueshme që kërkon rektifikim të plotë. Nga shtypi i përditëshëm kuptohet se kemi të paktën tre probleme kryesore:

1.mungesa e  shtetit ligjor që lejon shpërdorimin e autoritetit nga ata që e mbajnë;

  1. dhunim i së drejtës së votes, me shitë-blerje, dhe manipulime jashtë-ligjore;
  2. pabarazi ekonomike, papunësi dhe pakënaqsi e skajshme për gjendjen ekonomike dhe paqën shoqënore.

   Votuesi shqiptar gjindet para nji dileme. Ai duhet të mendohet mirë para se të votojë! Ka pakë heroj në jetë; shumica dermuese jemi qenie njerëzore me aftësi të kufizueme dhe me të meta. Me synue persosëmëninë e plotë ashtë nji utopi. Me pranue të metat e natyrës sonë ashtë “njerëzore”. Politika duhet të adoptohet me situatën dhe jo të alarmojë atë. Forcat e përmirësimit (meliorism) preferojnë nji qasje ma të kalibrueme. Kjo nuk ashtë nji rrugë për ata që nuk kanë durim, por kjo rrugë ka verdiktin e historisë . Utopia ka fjalë ma të bukura për ne, por “melioristët” na dhurojnë nji botë ma të mirë se ajo që e gjetën. Në fakt, në barkun e çdo utopie lindë dhe rritet tirania, shkruen Bernard de Journel. Dhe duhet të jemi të hapun me pranue faktet që sfidojnë bazat e pikënisjes sonë, në se dëshirojmë me evitue fanatizimin tonë politik.

   Nji përgjigje pozitive e dilemës sonë ashtë kombinimi fatlum i ndershmënisë dhe i guximit civil. Le të jemi të hapun me veten dhe me të tjerët në nji përpjekje serioze dhe të qytetnueme me zbulue shkaqet e tragjedisë sonë shqiptare, ma shumë se për denimin e autorëve të saj, me qellim që të hjedhim bazat e nji shoqënie të re që nuk do të lejoj përsëritjen e katastrofës së kaluemes jo të largët dhe konfuzionin politik të tranzicionit post-diktatorial.

   Le të formohemi si “patriotë” dhe të jemi shembull për breznitë e ardhme si duhet të jetë nji “shqiptar” e çfarë don të thotë të jeshë “shqiptar”, për nji “identitet” shqiptar që na ban të gjithëve krenarë. Të rinjtë kanë nevojë për shembuj të këtill. Le të tregohemi guximtarë; sepse në qoftë se sot nuk jemi të përgatitun me sakrifikue për të mirën e përgjithshme, nesër të gjithë do të vdesim në diktaturë…!

Filed Under: Opinion Tagged With: - VOTIME PER SHQIPERINE, 25 QERSHOR 2017, JO PER PARTINE…!, Sami repishti

TË MËSOSH SHQIP NË EMIGRACION

June 21, 2017 by dgreca

40575106371426
Shkolla shqipe në Filadelfia mbylli vitin shkollor/
 
            Në jetën e Komunitetit Shqiptar në Filadelfia, të emigruar mbas vitit 1990, që është jo vetëm emigracioni më i ri, por edhe më i madhi në historinë e këtij emigracioni, me kalimin e viteve, po shtohen datat e shënuara të tij. Të tilla, sot për sot, nuk janë pak, po të kemi parasysh jetëgjatësinë e këtij komuniteti. Ato fillojnë nga data e ardhjes së emigrantit të parë shqiptar, kryesisht me fitimin e llotos amerikane, e të vendosur në qytetin e Pavarësisë së Amerikës, krijimi i Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes”, hapja e të parës shkollë shqipe, ngritja e të parit Flamur Shqiptar në qendër të Filadelfias, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, organizimi i ceremonisë së Pavarësisë së Shqipërisë në kryeqendrën e shtetit të Pensilvanisë, në Harrisburg, etj., etj. Në mesin e këtyre dative është edhe ajo e 7 Marsit 2004.  
            Qysh mbas vitit të parë të ktijimit të  Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, megjithë numërin e vogël të anëtarëve të saj, këshilli drejtues i shoqatës mendonte për të hapur shkollën shqipe, për të ruajtur gjuhën tonë tek fëmijët e ardhur nga atdheu ynë, por edhe atyre të lindur në emigracion, si një nga detyrat e mëdha që kjo shoqatë i kishte vënë vetes.          
            7 Marsi 2004 bëri realitet fillimin e realizimit të qëllimit të shoqatës, u hap me një ceremoni të bukur, shkolla e parë shqipe, që mori emrin “Gjuha Jonë”. Kjo shkollë, këtë vit, bëri 13 vjet, që në bangat e saj ulen dhe mësojnë gjuhën shqipe, por marrin njohuri edhe në historinë dhe gjeografine e Shqipërisë, fëmijët e Komunitetit Shqiptar në Filadelfia. Gjatë këtyre 13 viteve është bërë një punë e madhe, e përmirësuar nga viti në vit, që fëmijët tanë të mësojnë e të ruajnë gjuhën e prindërve të tyre.     
            Këshilli drejtues i shoqatës, që ka hapur e administron, gjatë këtyre viteve këtë shkollë, kujdeset pa ndërprerje, qysh nga dita e parë e fillimit të vitit shkollor dhe deri në ditën e fundit kur mbyllet viti. Por suksesi i kësaj shkolle e ka burimin tek të gjithë, tek fëmijët që me shumë dëshirë përpiqen të mësojnë sa më shumë, tek puna me pasion dhe cilësi e mësueseve, tek mundi i prindërve për të sjellë fëmijët në shkollë për çdo të dielë, si dhe te propaganda që bëjnë anëtarët e shoqatës, ndër familjet e komunitetit tonë, për të sjellë fëmijët në këtë shkollë. 
            Më poshtë po japim disa shifra paksa nga jeta dhe puna që bëhet në këtë shkollë. 
            – 7 Mars 2004, hapet e para shkollë shqipe në Filadelfia.        
            – 13 vjet ka kjo shkollë që zhvillon me sukses jetën e saj mësimore.            
            – 2 nivele filluan mësimin në këtë shkollë kur ajo sapo u hap.                       
            – 5 nivele në pesë vite është sot cikli i plotë i kësaj shkolle shqipe.  
            – 654 fëmijë kanë kaluar nga bangat e kësaj shkolle, një pjesë e të cilëve, sot janë rritur, shkolluar në nivele të larta dhe punojnë në kompani me emër, duke nderuar veten e tyre, familjen dhe komunitetin tonë.  
            – 52 është numëri i fëmijëve të regjistruar në vitin e fundit shkollor, atë 2016-2017.        
            – 50 është numëri mesatar i fëmijëve të regjistruar çdo vit në këtë shkollë. 
            – 16 është numëri i mësueseve që kanë dhënë mësim gjatë 13 vjetëve të jetës së shkollës. Të gjitha mësueset janë vlerësuar me çmimin “Pishtar i gjuhës shqipe”, nga këshilli drejtues i shoqatës.  
            – 6 është numëri i mësueseve që dhanë mësim gjatë vitit shkollor 2016-2017.
 
            Një nga veprimtaritë e shumta që organizon kjo shkollë, gjatë gjithë vitit, pa përmendur të tjerat, është edhe programi artistik që japin fëmijët para prindërve dhe të rriturve të tjerë që marrin pjesë në mbylljen e vitit shkollor, ku tregojnë se çfarë dhe sa kanë mësuar.   
            Kështu ndodhi edhe më 18 Qershor 2017, kur në Qendrën Kulturore të shoqatës këshilli drejtues, organizoi ceremonine e mbylljes së vitit shkollor 2016-2017.           
            Ora 9:00 AM e gjeti hapur Qendrën Kulturore, më shpejt se të dielat e tjera kur zhvillohet mësimi shqip i shkollës. Në fillim, sekretari i shoqatës, z. Vlashi Fili, e më pas, kryetari. Z. Tajar Domi, pritën fëmijët si të dielat e zakonshme.  
            I pari erdhi nxënësi i klasës së katërtë, Edvin Qinami, i shoqëruar nga e ëma e tij. Pastaj Drini Hamza me të atin, Fitimin, Samir Sagiri, si gjithmonë me gjyshin e vet, e pastaj me radhë të tjerët. Dalëngadalë salla u mbush plot. Prindërit u larguan për tu kthyer përsëri, jo si gjithmonë në ora 12:30 PM, kur përfundonte mësimi, por në ora 11:00 AM kur do të fillojë ceremonia e mbylljes së vitit shkollor. 
            Nxënësit të drejtuar nga mësueset, me shikimin nga Flamuri ynë Kombëtar dhe me pëllëmbën e dorës së djathtë në zemër, kënduan Himnin tonë Kombëtar, një veprim që bëhet regullisht, çdo ditë, para fillimit të mësimit në këtë shkollë. Mbas himnit, të gjithë u shpërndanë nëpër klasat e veta.        
            Veprimtaria e kësaj dite ishte programuar në tre pjesë.
            Në pjesën e parë, brenda një ore, në të pesë klasat u bë testimi përfundimtar i nxënësve. Tre klasat e para u testuan në lëndën e diktimit, kurse e katërta dhe e pesta në hartim. Gjatë kësaj kohe mjeshtri Hamdi Gjana, lëvizte nëpër sallë për të përgatitur qendrën e zërit. Mbas testimit, mësueset bënë vlerësimin e sejcilit dhe dokumentat e këtij testimi u dorëzuan në sekretarinë e shoqatës për t’u ruajtur në arkivin e saj, në seksionin e shkollës shqipe.     
            Në pjesën e dytë të veprimtarisë, e mori fjalën Z. Tajar Domi, që mbasi përshëndeti dhe falenderoj pjesëmarrësit, i uroi fëmijët për përfundimin me sukses të vitit shkollor. Pastaj nxënësit dhanë para prindërve dhe pjesëmarrësve të tjerë në sallë, një program artistik.  
            Nxënësja e vitit të pestë, Selma Sinani, që drejtoi këtë program, e hapi me fjalën përshëndetëse ku falenderoi mësueset për përkushtimin gjithëvjetor në  realizimin e programit mësimir vjetor, prindërit për sjelljen e fëmijëve në shkollë si dhe Shoqatën “Bijtë e Shqipes” që ka bërë të mundur hapjen e kësaj shkolle.         
            Së pari u dëgjua zëri i ëmbël i këngëtare Lorena Hasa, që e shoqëruar nga grupi artistik i shkollës, i përgatitur nga z. Hamdi Gjana, në këngën “Gjuha jonë” që është edhe kënga himn e shkollës. Ajo u duartrokit fort nga të pranishmit që ishin të shumtë sa që nuk i nxinte salla.           
            Pastaj, paraqitën veten e tyre të gjithë nxënësit, me radhë sipas klasave. Duke filluar nga klasa e parë dhe deri tek ajo e pesta, të drejtuara nga mësueset respektive, Irini Zenelaj e Shpresa Rama, Adelina Ramizi dhe Elvana Pone, Kozara Doko dhe Raimonda Bardhi, fëmijët, me këngë e recitime, treguan seriozitetin që i ka karakterizuar në mësimin e gjuhës shqipe, gjatë gjithë vitit      
            Në përfundim të programit të sejcilës klasë, këngëtarët, të shoqëruar nga grupi, pasuronin programin me këngë. Kështu Ema Rama, këndoi këngën “Mësuesja jonë”, motrat Hasa, kënduan “Buja”, dueti Alba Sinani dhe Loreta Hasa, këngën “Nënë, moj nënë”, trioja Silvana Çela, Drini Hamza dhe Lorena Has, këngën “Mëmëdheu” dhe Alba Sinani këngën “Dua krahë të fluturoj”. Shumica e këtyre këngëve është kompozuar nga z. Hamdi Gjana që përgatit dhe drejton këtë grup.  
            Mbas çdo interpretimi, duartrokitjet tregonin se të pranishmit në sallë ishin shumë të kënaqur me çka shikonin e dëgjonin, mandje shpesh dëgjoheshin edhe urimet: “Bravo” apo edhe “Ju lumtë”, që u drejtoheshin fëmijëve.       
            Pjesa e tretë ishte ajo e dorëzimit të dëftesave, që dhuroi emocione.
            Sekretari i shoqatës z. Vlashi Fili, sqaroi para fillimit të dorëzimit të dëftesave, që secili nxënës ka në zarf dëftesën me notat vlerësuese, të firmosura nga mësuesja e klasës, drejtorja e shkollës znj. Raimonda Bardhi, kryetari dhe sekretari i shoqatës si dhe me vulën përkatëse. Nxënësit me të gjitha notat “Shumë mirë”, kanë në zarf edhe një fletë vlerësuese, kurse nxënësit më të mirë të çdo klase, që ishin respektivisht, nga klasa e parë deri në të pestën: Sophia Sali, Klavel Pajollari, Elian Tafa, Edvin Qinamid dhe Silvana Çela, kishin si dhuratë nga shoqata edhe një çek $ 20. Nxënësit e vitit të pestë kanë në zarf edhe një dëshmi për përfundimin e ciklit 5vjeçar, në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”        
            Tashmë është bërë traditë në fundvitin shkollor, që para se të marrin dëftesat, nxënësit drejtohen tek Flamuri ynë Kombëtar, ulen në gjunjë, puthin flamurin dhe e vënë atë në ball. Mbas kësaj, marrin zarfin me dëftesën brenda dhe ulen për të lënë radhën nxënësit tjetër.         
            E veçanta e ceremonisë së këtij fundviti shkollor ishte se, nxënësve i a dhanë zarfat, mësueset sipas klasave, kur në vitet e tjera ato ua kanë dhënë anëtarët e këshillit drejtues të shoqatës. E dyta e veçantë ishte se, fëmijët që shoqëroheshin nga gjyshërit, e morën zarfin nga këta shoqërues, pra gjyshi ose gjyshja. Kështu ndodhi me Sophia Sali dhe gjyshen e saj, Samet Sagiri me gjyshin e tij, që e ka shoqëruar gjatë gjithë vitit shkollor, etj. Kjo u dha kënaqësi emocionuse gjyshëve.          
            Në përfundim të shpërndarjes së dëftesave, u dhanë edhe dy çmime të veçanta, me vlerë $ 50. Z. Sadik Elshani i dhuroi nxënësit, që në testimin që sapo përfundoi, kishte bërë hartimin më të mirë. Nga vlerësimet e hartimeve këtë dhuratë e meritoi nxënësja Selma Sinani. Ndërsa z. Petrit Zanaj e kaloi këtë dhuratë nxënëses së klasës së parë, Enisa Sulçaj që kishte vijimin më të mirë gjatë gjithë vitit shkollor.           
            Në përfundim z. Tajar Domi mbylli ceremoninë, uroi, edhe një herë, fëmijët për përfundimin me sukses të vitit shkollor, si dhe ftoi ata së bashku me të rriturit për “Pica party”, që kish përgatitur shoqata për mbylljen e kësaj veprimtarie. 
            Edhe ne i urojmë fëmijëve të shkollës shqipe “Gjuha Jonë”: Pushime të mbara, e mirupafshim përsëri në shtator”  

                                                Vasil Filipi   
            Filadelfia, Qershor 2014

Filed Under: Featured Tagged With: filadelfia, TË MËSOSH SHQIP NË EMIGRACION. Shkolla Shqipe, Vlash Fili

Kosova dekoron ambasadorin nga SHBA

June 21, 2017 by dgreca

-Ambasadorit Zalmay Khalilzad Urdhri i Pavarësisë. Ka qenë ambasador i SHBA-së në OKB kur ishte shpallur pavarësia e Kosovës/

unnamed

-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka dekoruar ambasadorin Zalmay Khalilzad me medaljen “Urdhri i Pavarësisë”, për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës/

PRISHTINË, 21 Qershor 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,  priti sot në takim ambasadorin Zalmay Khalilzad, të cilin do ta dekoroj me medaljen Urdhri i Pavarësisë.

Ambasadori Khalilzad ka qenë ambasador i SHBA-së në OKB kur ishte shpallur pavarësia e Kosovës.Urdhri i Pavarësisë u jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj, që kanë kontribuar për Pavarësinë e Kosovës.Komunikat e plotë dërguar nga Presidenca e Kosovës: Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka dekoruar ambasadorin Zalmay Khalilzad me medaljen “Urdhri i Pavarësisë”, për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës.Presidenti Thaçi ka thënë se ambasadori Khalilzad njihet në Kosovë si ambasador i presidentit Bush në Kombet e Bashkuara, si mbështetës i madh i aspiratës së popullit tonë për liri, barazi dhe drejtësi, në kohën kur Kosova përgatitej për të shpallur pavarësinë e saj. “Ambasadori Khalilzad e kishte bërë Kosovën çështje kryesore të kryesimit të radhës së Këshillit të Sigurimit nga SHBA-ja. Edhe ai, sikurse presidenti Bush, tha se ‘enough is enough’ dhe se çështja e Kosovës nuk mund të zvarritej pafundësisht në Këshillin e Sigurimit. Prandaj, mirënjohja që i ndahet sot është mirënjohje e popullit të Kosovës për angazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.Ndërsa, ambasadori Khalilzad u shpreh i kënaqur që është kthyer në Kosovë pas 10 vjetësh dhe po i sheh të gjitha arritjet që ka bërë populli dhe lidershipi i Kosovës. “Isha në Kosovë 10 vjet më parë si pjesë e Misionit të gjetjes së fakteve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Jam i kënaqur që jam kthyer 10 vjet më vonë dhe po shoh të gjitha arritjet që ka bërë populli dhe lidershipi i Kosovës. Kosova është e pavarur dhe ka krijuar institucione të shkëlqyera. Është njohur si një shtet i pavarur nga shumica dërrmuese e anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare dhe ka një ekonomi që funksionon mirë. Kosova ka përparim të brendshëm në pajtimin ndëretnik, në marrëdhëniet me Serbinë, në dialogun, në qëndrimin e saj ndërkombëtar, më gjerësisht në aspiratat e saj për t’iu bashkuar BE-së dhe institucioneve tjera perëndimore. Pra, në një periudhë të shkurtër kohore është arritur shumë dhe unë jam mirënjohës që jam dëshmitar 10 vjet më vonë për sukseset”, tha ambasadori Khalilzad.Presidenti Thaçi theksoi se mirënjohjen më të mirë për miqtë tanë, për ata që gjithmonë na mbështeten, populli dhe institucionet po e shprehin çdo ditë duke punuar që shtetin tonë ta bëjmë shtëpi të të gjithë qytetarëve dhe një vend ku të gjithë janë të barabartë.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Thaci, Urdhri i Pavarësisë, Zalmay Khalilzad

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 22 tetor

June 21, 2017 by dgreca

LAJMI I FUNDIT: Presidenti i Kosovës vendos që zgjedhjet lokale të mbahen më 22 tetor/

hashim-thaci-nenshkruan-komunen-e-gores

Prishtinë, 21 qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka caktuar datën 22 tetor 2017 për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Në mbështetje të nenit 4 të Ligjit Nr.03/L–072 për Zgjedhjet Lokale, nenit 6 të Ligjit Nr.03/L–094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, pas konsultimit me partitë politike, presidenti Thaçi ka marrë vendim që zgjedhjet për organet vetëqeverisëse lokale të mbahen më 22 tetor 2017.

Presidenti ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale, në përputhje me vendimin e tij dhe legjislacionin në fuqi.

Filed Under: Kronike Tagged With: 22 tetor 2017, Hashim Thaci, Kosove, zgjedhjet lokale

RRËNJET E FERRAJVE GJITHMONË TË NGULITURA THELLË NË HSTORINË SHQIPATRE

June 21, 2017 by dgreca

Nga takimi i Ferrajve në Prishtinë/

Prishtine- 20 Qershor 2017/ Historia e Ferrajve nuk mund të jetë ndryshe nga historia dhe fatet e vendlindjes tonë Plavë Gucisë.Kjo foto e pjesëtarëve të familjes Ferraj  nga takimi i sotëm ne Prishtinë flet shumë me shume se sa  një foto e zakontë.

1 esad

Ne foto prof Dr Naser Ferri, mr. Arben Ferri dhe, Ismet Shabaj-viq nga New York gjegjësisht Plava.Familja legjendare Ferraj dhe Shabaj të Plavë Gucisë janë pjesëtar të një trualli familjar, por rrethanat e kohës  presionet, përndjekjet, torturat, vrasjet dhe likvidimet malaziase dhe agjenturave sllave që nga fillimi i viteve 1912 bënë të veten që pjesëtaret e kësaj familje të shpërndahen në shumë vende të botës. Por thënia  e mirënjohur se “lumi gjithnjë do kthehet ne shtratin e vetë” është shume kuptimplote dhe me vlere te veçanet edhe nga ky takim i sotëm i Ferrajve ne Prishtine.

Ismet Shabaj jeton ne NY dhe është  aktivist i dalluar për çështjen kombëtare shqiptare, edhe pse si thotë Ismeti gjuhën e kemi te vetmen barrierë sepse përndryshe  lisit te Ferrajve nuk mund te ja këput e as prek askush rrënjët familjare e as rrënjët e historisë se lavdishme te baballarëve tanë.Prof Dr Naser Ferri arkeolog, stërnip i Jakup Ferrit, theksoj se sikurse se vepruan Ferrjat e truallit ne Plavë  me pushkë dhe rezistencë, Ferrajt e sotëm  Plavë Gucisë do ja kthejmë me pendë.

Mr Arben Ferri përndryshe nip i Shemso Ferrit deklaroj se vizioni i Ferrajve është ende prezent ne zemrat e çdo shqiptari të Plave Gucisë si në kohen Shemso Ferrit dhe te te gjithë Ferrajve.Takimi i tyre është shumë domethënës edhe nga këndvështrimi i  gjere duke qenë ne dijeni dhe te vetëdijesohem se plaga e asimilimit për mase një shekull e gjysmë ka bërë të veten, por fal takimeve dhe orientimeve te qarta kombëtare te pasardhëseve te Ferrjave shqiptaria do të bëj të veten edhe në Plave konkuldojnë pjesëtarët e familjes se Jakup Ferrit nga takimi i sotëm i pinjollëve te denje të Ferrajve.

Esad Gjonbalaj

( Fotografuar ne Institutin Albanologjik, Prishtine 20.06.2017 nga e majta, mr. Arben Ferri, ne mes Ismet Shabaj dhe ne te djathtë  prof Dr Naser Ferri )

Filed Under: Komente Tagged With: Esad Gjonbalaj, NË HSTORINË SHQIPATRE, RRËNJET E FERRAJVE GJITHMONË TË NGULITURA THELLË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT