• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2017

THEMI BELLO, POETI QË U VARROS ME DUARTROKITJE

June 12, 2017 by dgreca

1 Themiu

Nga Kozma GJINI/Vendlindja, Bishqethmi, një çast mbajti frymën. Ndërsa bilbilat nga degë lisash gjelbëruar të fshatit, përcjellin vajtueshëm kortezhin e gjatë të njerëzve për në kishë. Një kontrast pamjesh: Njerëzit kokulur në heshtje varri, bilbilat në cicërima mozaik orkestral funebre. Një lajm i beftë ta trondit shpirtin, si me ta shkul zemrën nga vendi. Se të vjen si shkreptima në qiellin pa re. Të dhemb xhani dhe të njomen sytë teksa përjeton ikjen e papritur të njeriut që dje ke qënë duke pirë një kafe, që ke udhëtuar në rrugëtim diku për në Tiranë të botoje një libër, të bëje muhabet më shokë e miq, të bëje një shaka. Por s’ka realitet të dytë për atë që ikën e s’kthehet më. Krahas qindra miqve, ndodhen pranë arkivolit të tij me një kurorë lulesh e kokulur: Fatbardh Rustemi, Elmaz Qerreti, Irakli Papa, Lambrini Nano… Kurse Faslliu Haliti me një sms do të na njoftonte i pari lajmin e kobshëm me ngushëllimin që t’ia përcillnim familjes “Bello”. Shoku më i afërt i tij, mësuesi Trifon Bame tregon: “Kur Themiu emigroi në vitet ‘90 në Itali edhe pse pa lekë në xhep, pyeste se ku ndodheshin varrezat e arbëreshëve. “Janë larg. Ke ndonjë të afërm atje që je kaq i vendosur?” e pyeti një rrugëtar. “Po, tha ai. Jeronim De Radën”. La pas të habiturin dhe ec e ec i gjeti varrezat dhe preku me dorë mbi qivurin e De Radës ku vuri një tufë lulesh me aromë Shqipërie. Pa lekë në xhep miqtë e mi. Ja, ky ishte Themi Bello ”E pra, ky njeri na iku nga duart pak ditë më parë. Me keqardhje e dhimbje të thellë nëpërmjet internetit, e morën vesh lajmin e kobshëm të ndarjes nga jeta, aksidentalisht, të shkrimtarit dhe mikut tonë të mirë, Themi Bello (një postim i vëllait, Vlashit) dhe nisën qindra ngushëllime nga jashte vendit: Raimonda Moisiu, Fatmir Terziu, Petraq Risto, Kristaq Papa, Bexhet Jacellari… e pafund emra te njohur të letrave shqipe. Nuk ishte një vdekje nga zoti, si i thonë, nuk ishte një vdekje nga ndonjë sëmundjeje, se sëmundjet janë shënja që të gatitesh, por qe një fatalitet dhe fataliteti vetëm pranohet. Dorëzohemi pa kushte përpara tij. Ishte një tragjedi. Si e tillë edhe këto radhë janë vetëm si homazh dhe vlerësim për njeriun që ia morën jetën pabesisht në mes të rrugës, në mes të ditës, teksa shijonte bukuritë e Divjakës, nga kishte edhe njerëzit e gruas, Letës.
Është kjo arsyeja që shumëkush fajin për këtë fatkeqësi ia faturonte shtetit.Se shteti e ka në dorë jetën tonë e së paku, nëse nuk na e mbron dot, të të mos na e marrë mizorisht. Po nejse. Mjerë ai që iku. Se nuk është as i pari, e as i fundit. Me shpirt e zemër e themi se jemi të prekur thellë nga largimi i “detyruar” i tij prej kësaj bote. Iku i miri Themi Bello, në një kohë kur kishte shumë e shumë vepra ndër duar.Se ai këto vitet e fundit ka botuar thuajse çdo vit nga një libër. Dukej sikur po nxitonte të arrinte stacionin, si një parandjenjë se nuk do t’i botonte dot sa të ishte gjallë. A thua se e dinte se do t’ia prisnin jetën në mes. Pak ditë më parë pikërisht në Shtëpinë Botuese “Nacional” ai piu një kafe e bëri marrëveshjen me botuesin për një libër të ri që është në prag botimi. Si një fëmijë jetim do të jetë ky libër.

Atë ditë u pershendetem miqesisht me drejtorin e gazetes “Nacional” me shkrimtarin Mujë Bucpapaj.
Vullneti dhe talenti e radhiti Themi Bellon ndër shkrimtarët e pëlqyer të fëmijëve.Edhe pse në emigrim, ai nuk reshti së shkruari e së botuari libra në shqip dhe italisht për të cilat kishte kënaqësinë t’i promovonte në qytetin e tij të lindjes, në Lushnjë. ”Në vëndlindje ndjej kënaqësinë e lexuesve”, thoshte autori.Se, sa i takon pronës…ai nuk reshti se trokituri zyrë më zyrë po nuk e bëri dot të tijën atë që ta fal dhe zoti.Vinte me mendësi evropiane i gjori Themi, po s’e dinte se këtu ka një mijë yçkla e spërdredhje labirintesh korruptive që të hysh në derën e drejtësisë.Themi Bello e ka nisur krijimtarinë letrar që në fillim të vitit 1970, në fshatin e tij të lindjes, Bishqethëm.Si kokëshkretë që ishim, ai nga Bishqethmi e unë nga Shakuj, mateshim me të mëdhenjtë që nga faqet e të rrallës revistë kritike të kohës : “HOSTENI” duke marrë edhe reston me vete.Fabulat, përrallat dhe tablotë muzikore të Themi Bellos mirëpriteshin nga organet botuese dhe skenëvënëse. Në një kohë të shkurtër ai mundi të krijonte stilin e tij duke u bërë një autor i spikatur. Themiu e njihte botën e brendshme të të vegjëlve, kërkesat e tyre dhe për këtë e ndihmoi profesioni i mësuesit, arsim të cilin ia rrëmbeu shtetit të kaluar, pasi nuk iu dha e drejta e studimit për shkak të një “klecke” në biografi.Qënia mësues e ndihmoi të hapte portën e kësaj letërsie nga ku që në vitet e para u vlerësua me çmime lokale dhe kombëtare, duke u bërë me emër e i radhitur krahas shkrimtarëve të njohur të vendit.Edhe pse në emigrim, ai s’rreshti së shkruari për të vegjëlit e për të rriturit.Me gjithë epërsinë cilësore krijuese, Themiu i përkiste atyre njerëzve që nuk i bënin reklamë punës së tyre. Ai dëshironte çuditërisht që çdo gjë ta prekte, ta njihte sa më imtësisht, si një fëmijë që prish lodrën e re të sapoblerë, sepse kurioziteti për të marrë informacion e tjetërsonte. Shokët e redaksive të kohës do t’i kërkonin vjersha, fabula, fejtone, tregime, përralla….”Fjala u lidh me këngën, shkronjat me pentagramin” do të thoshte mësuese Ana në nekrologjinë prekëse. Sepse ai nuk e hoqi nga supet fizarmonikën.Një botues arbëresh i kishte dhuruar një “oliveti” dhe Themiu sikur kishte prekur qiellin me dorë.Më 1993 tërhoqi familjen në Cezena të Italisë.Themiu është krenaria e fshatit të vendlindjes.Ai botoi disa libra si: “Pasqyra magjike” “Kujtime fëmijërie”, “Haremi”, “Hakmarrja”, “Takim me Danten”, “Shfaqja e madhe”, “E çmendura”, “Vdekja e parlamentit”etj. Themiu është vlerësur me çmimin e dytë për filmin vizatimor. Në kompjuter ka lënë ende mjaft shkrime e libra të cilat vetëm i zoti ua dinte kur do t’u vinte dita e botimit….Në moshën 70 vjeçare ia prenë jetën. Një çast mirënjohjeje, një minutë heshtje! Një grusht dhe, duartrokitje, lule dhe lotë…
Ky ishte poeti që u përcoll në varr me duartrokitje. Ti nuk ke vdekur, Themi!Se njeriu vdes, kur harrohet.Ne nuk do të harrojme sa të kemi jetën.Lamtumirë miku ynë i dashur, Themi Bello!

Gazeta Nacional ngushëllon familjen Bello

Të nderuar anëtarë të familjes Bello,

Jam thellësisht i prekur nga lajmi i vdekjes së parakoshme dhe tragjike të mikut tonë të shtrenjtë dhe njërit prej simboleve të prozës bashkëkohore shqipe, shkrimtarit brilant Themi Bello.
Në këtë kohë të pikëlluar, pranoni ngushëllimet e mia, të gazetës “Nacional” dhe “Nacional Media Group”për Ju dhe gjithë familjen e nderuar Bello në Lushnje dhe kudo që ndodhen.
Ne miqtë e tij, por besoj edhe lexuesit e gazetës “Nacional” ku Themi Bello bashkëpunoi prej vitesh, nuk do të harrojnë kurrë letërsinë e tij, mirësinë e Tij, fisnkërinë dhe kontributin e tij në letërsinë bashkëkohore shqipe.
Lutem që perëndia t’i japë atij prehje të përjetshme dhe familjes Bello forcën për të duruar dhembjen e madhe!
Ngushëllimet e mia dhe të Grupit Mediatik “Nacional”

Mujë Bucpapaj
Drejtor
Tiranë me, 7. 6. 2017

Familjes së shkrimtarit Themi Bello

Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dega Lushnjë, me dhimbje të madhe e të thellë, i shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes së poetit dhe shkrimtarit tonë, Themi Bello, për ndarjen e tij të parakohshme dhe aksidentale nga jeta.
Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve
Kryetari
Faslli Haliti

Lushnjë, më 07/06/2017

(Kortezi:GAZETA NACIONAL)

GAZETA DIELLI NGUSHELLON FAMILJEN, MIQETE, TE AFERMIT, KOLEGET! SHPIRTI NE PAQE THEMI BELLO!

EDITORI

DALIP GRECA

Filed Under: Emigracion Tagged With: Kozma Gjini, Lamtumire, Themi Bello

Gjeneral Majore Laura J. Richardson, në Komandën drejtuese të Ushtrisë Amerikane

June 12, 2017 by dgreca

Gjeneral Majore Laura J. Richardson, në Komandën drejtuese të Ushtrisë Amerikane

Senati amerikan miratoi oficeren e parë femër Drejtuese në Komandën e Bashkuar të Ushtrisë të SHBA/

By Drew Brooks- gazetar ushtarak/

Përktheu për “Dielli-in”, Herion Kërcelli/

Oficerja shqiptareSenati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar caktimin e GjeneralMajore Laura J. Richardson, që të jetë pjesë e Gjeneralëve Drejtues të Komandës së Forcave të Ushtrisë të Shteteve te Bashkuara. {Ku bëjne pjesë tre Forcat, Forca Detare, Ajrore dhe Këmbësorisë}.

Mrs. Richardson, që do të gradohet  Gjenerallejtnante të Hënën, do të jetë oficerja e parë femër në Ushtrinë amerikane që do të mbajë zyrtarisht atë pozicion.

Ndërkohë ka mëse një javë, një oficere tjetër, Gjeneralmajore Jody Daniels, shërben si Shefe e Shtabit të Komandës së Forcave.

Sipas zyrtarëve, Richardson do të raportojë ndaj Fort Bragg, për të marë detyrën e re në fillim të Korrikut.

Mometalisht ajo është duke shërbyer në Ëashington, si Shefe e Komunikimit legjislativ në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes.

“Gjeneralmajore Richardson, personifikon standardet më të larta të Ushtrisë në korpusin e oficerëve tanë,” tha Gjeneral Robert “Abe” Abrams, Komandanti i Komandës së Forcave. “Përgjatë karrierës së saj të dalluar, ajo ka udhëhequr me shembullin e saj  personal nga fronti – në luftim dhe në komandë, gjithmonë sfiduese me pozicionet me përgjegjësi të madhe.”

Komanda e Forcave është struktura më e lartë në Ushtrinë e Shteteve te Bashkuara, përgjegjëse për trajnimin dhe përgatitjen aktive, trupave rezervë të Rojes Kombëtare, me synim kryesor plotësimin e kërkesave të komandave luftuese në cdo cep të globit.

Si Gjenerale komanduese në Komandën më të lartë të Ushtrisë Amerikane, Richardson do të jetë e angazhuar plotësisht në sigurimin e ushtarëve të kombit për të qenë të gatshëm në cdo operacion paqe e sigurie në botë.

“Ajo është një kuadër e mirëpritur në stafin Komandues të Komandës së Forcave,” tha Abrams. “Me më shumë se 30 vjet shërbim, gjerësia dhe thellësia e eksperiencës së Gjeneralmajore Richardson, përmes forcës operuese dhe produktive, bashkë me eksperiencën gjithëpërfshirëse në ndërlidhjen legjislative, e bëjnë atë lideren ekzaktësisht të duhur për këtë detyrë. Ajo edhe në të ardhmen do fokusojë punën e Komandës së Forcave në gatishmërinë e Ushtrisë,  për cdo situatë të mundshme kërcënuese ndaj atdheut dhe familjeve tona”.

Richardson ka nisur karierën si ushtarake që më 1986, pasi u dipllomua nga Metropolitan State College. Ajo kaloi shumë kohë të karrierës së saj në aviacionin e Ushtrisë, duke shërbyer në Kore dhe tek Fort Campell, Kentucky.

Sipas zyrtarëve, Richardson fluturoi me helikopter UH-6 Black Haëk në Irak, gjatë fillimit të Opreacionit “Liria e Irakut”, si komandante e Batalionit të 5-të, Regjimentit të Aviacionit të 101-të, Divizionit po 101-të.

Ajo shërbeu me gradën e Gjeneral brigade në Afganistan në vitet 2013-14, dhe më pas drejtuese kryesore e stafit komunikues në Forcën e Sigurisë Ndërkombëtare.

Richardson, gjithashtu ka shërbyer si Gjenerale komanduese në Divizionin e parë mbështetës të Kalorësisë tek Fort Hood, Teksas, dhe si komandante e Fort Myer, Virginia. Në detyrën e re tek Komanda e Forcës, Richardson, zëvëndësoi Gjeneral Lejtant Patrick J. Donahue, i cili doli në pension nga Ushtria më 1 Qershor 2017.

Le ti urojmë GjeneralMajore Richardson, suksese në këtë detyrë të lartë të ushtrisë Amerikane, si ushtarake femër.

 

Filed Under: Histori Tagged With: amerikane, Gjeneral Majore Laura J. Richardson, në Komandën drejtuese, të Ushtrisë

PRITJET E KOSOVËS PAS ZGJEDHEVE

June 12, 2017 by dgreca

-Kosova pas zgjedhjeve, rezultatatet nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë. Ka parashikime të ndryshme se kush me kend do formojë qeverinë e re të Kosovës me koalicione paszgjedhore dhe pikëpyetje se a do mund të formohet qeveria…/

1 Zgjedhje KosoveKryetituj të shtypit kosovar: “Fitorja e Pirros”, “Dy palë fitues për një qeveri”, “Kosova vetëvendosi, LDK-VV bashkë kundër koalicionit PAN”,  “Një koalicion i ri paszgjedhor, i pashmangshëm”, “PAN del e para, por…Zgjedhjet i takojnë VV-së, dyfishohet”/2 Zgjedhje
 
PRISHTINË,  12 Qershor 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të djeshme të parakohshme parlametare në Kosovë, me pjesëmarrje të votuesve 40,01%, dhe as përfundimtaret që priten, nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë e ardhshme. Ka parashikime të ndryshme se kush me kend do formojë qeverinë e re të Kosovës me koalicione paszgjedhore dhe pikëpyetje se a do mund të formohet qeveria…
Sipas 91,00% të vendvotimeve të procesuara nga KQZ, koalicioni i 13 partive shqiptare – Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën dhe 10 të tjerave ka 34,60% të votave, Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme ka 26,75%, ndërsa koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, ku në listë përfshiheshin edhe kandidatët për deputë të subjektit politik më të riut drejt regjistrimit si parti – Alternativa e të Lëvizjes për Drejtësi ka 25,81% të votave.
Nga subjektet e komuniteteve pakicë, më së shumti vota- 5,54% ka Iniciativa Qytetare Lista Serbe (Građanska Inicijativa Srpska Lista).
“Fitorja e Pirros”, është një kryetitull në shtypin e sotëm Kosovar. “Koalicioni PDK-AAK-NISMA ka arritur të fitojë më së shumti vota në zgjedhjet e së dielës, por njëkohësisht ka shënuar humbje të madhe, në raport me votat që kishin fituar veç e veç në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014. Tri partitë politike parlamentare që u bënë bashkë me koalicion parazgjedhor nuk arritën të marrin më shumë vota se PDK-ja që kishte marrë para tri vjetëve. Revolucion elektoral ka shënuar vetëm Lëvizja Vetëvendosje, e cila pa asnjë koalicion ka arritur t’i dyfishojë votat. LDK-ja doli më së keqi nga këto zgjedhje”, thekson gazeta “Zëri” në ballinë.
Ndërsa, kyetituj tjerë në ballinat e gazetave të sotme në Kosovë janë: Te “Koha Ditore” -“Dy palë fitues për një qeveri”, te “Bota Sot” – “Kosova vetëvendosi, LDK-VV bashkë kundër koalicionit PAN”,  te “Kosova Sot” –
“Një koalicion i ri paszgjedhor, i pashmangshëm”, te “Epoka e Re” – “PAN del e para, por…Zgjedhjet i takojnë VV-së, dyfishohet”.
Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve poashtu të parakohshme të para 3 viteve, të 8 qershorit 2014, koalicioni i PDK-së kishte 30,38 % të votave – 37 deputetë ,  ndërsa LDK 25,24 % – 30 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje 13,59 % – 16 deputetë, AAK 9,54% – 11 deputetë,  Nisma për Kosovën 5,15% – 6 deputetë. 
Nga subjektet e komuniteteve pakicë,  Lista Srpska (Srpska Lista) kishte 5,22%  të votave – 9 deputetë,  Partia Demokratike Turke e Kosovës (Kosova Demokratik Türk Partisi) 1,02% – 2 deputetë, Koalicioni Vakat i komunitetit boshnjak (Koalicija Vakat) 0,89% – 2 deputetë.
Partia shqiptare AKR me 4,67 % të votave nuk kaloi pragun 5% për të hyrë në Kuvendin e Kosovës.
 
Para një muaji, në 10 maj 2017,  Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash të  mocionit të mosbesimit për qeverinë e zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve. Dje u votua  pasi sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dita kur duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme duhet të jetë ditë e diel, jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001.
Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpallen e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në këtë pranverë, Kosova këtë vit, në vjeshtë, mban edhe zgjedhje lokale, në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.
Ndërsa, zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para 25 vitesh, në 24 maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të okupimit nga regjimi i dhunës serbe.
***
Komunikatë për media/

Koalicioni LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi

Pas zgjedhjeve të përgjithshme, të mbajtura të dielën, drejtuesit e subjekteve të koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi janë takuar të hënën dhe kanë e vlerësuar ecurinë e procesit zgjedhor.
Drejtuesit e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi vlerësojnë lart dhe falënderojnë qytetarët e Republikës së Kosovës për një proces të rregullt zgjedhor, për kulturën e treguar dhe për mbështetjen që i kanë dhënë koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi.
Partnerët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, pas procesit të djeshëm, presin certifikimin e rezultatit nga ana e KQZ-së, për të ditur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit.
Koalicioni përsërit qëndrimin e palëkundur se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie, në të cilën është edhe PDK-ja.
LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi theksojnë se koalicioni është unik në të gjitha qëndrimet. Koalicioni është pajtuar që kryetari i LDK-së ta përfaqësojë këtë koalicion.

Zyra për Informim e LDK-së/

***

Ambasada e SHBA në Kosovë: Bashkëpunim të ngushtë me këdo që formon qeverinë e re

-Deklarata e amabasadës amerikane për Zgjedhjet e 11 qershorit-

PRISHTINË, 12 Qershor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara përgëzon popullin e Kosovës për zgjedhjet demokratike të mbajtura dje.

“Me interesim të lartë presim raportimet e misionit zyrtar vëzhgues. Përderisa jemi të shqetësuar nga disa raportime për prezencën e listave të vjetra të votuesve, votimeve të dyfishta dhe parregullsive tjera sporadike, përgëzojmë Komisionin Qendror Zgjedhor, Komisionerët nëpër vendvotime, OSBE-në dhe të gjitha ekipet tjera monitoruese dhe vëzhguese për punën e tyre të jashtëzakonshme”, thekson deklarata e dërguar. Gjithashtu, vijon Ambasada e SHBA, zotohemi për mbështetjen tonë të vazhdueshme gjatë tërë kohës sa zgjat procesi i certifikimit të votave dhe të gjitha raportimet mbi parregullsi të jenë hetuar hollësisht dhe zgjidhur në përputhje me ligjet e Kosovës.“Votuesit e Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre dhe tani procesi i formimit të qeverisë së re duhet filluar. Shpresojmë në bashkëpunim të ngushtë me këdo që formon qeverinë e re. Shpresojmë që të gjithë zyrtarët e sapozgjedhur të Kosovës pavarësisht përkatësisë partiake do të përkushtohen për të ndërmarrë hapa për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës. Kosova gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik”, përfundon deklarata.

***

12 June 2017

U.S. Embassy Statement on June 11th Elections

The United States Embassy congratulates the people of Kosovo on their democratic elections yesterday.  We await with interest the report of the official observation mission.  While we are concerned by some reports of outdated voter registries, double-voting and other sporadic irregularities, we commend the Central Election Commission, the Polling Commissioners, the OSCE and all of the monitoring and observation teams for their hard work.  We also pledge our continued support as the process of vote certification continues and as all reports of irregularities are thoroughly investigated and resolved in accordance with Kosovo law.

The voters of Kosovo have spoken, and now the critical process of forming a new government must begin.  We look forward to working closely with whomever forms the new government.  We hope that all of Kosovo’s newly elected officials, regardless of party affiliation, will commit to taking action for the common good of all citizens of Kosovo.  Kosovo has the support of the United States as you continue to move forward on your path to full Euro-Atlantic integration.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kosova paszgjedhore, NE PRITJE TE REZULTATIT

Kosovë-12 Qershori, Dita e Lirisë e Paqes

June 12, 2017 by dgreca

-Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999, kur tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë/12 qershori

 -SPECIALE NGA BEHLUL JASHARI, KORRESPONDENTI NË KOSOVË I GAZETËS DIELLI PIKËRISHT PREJ DY VITESH NGA 12 QERSHORI 2015/
1 Behlulok
 
PRISHTINË, 12 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë para 18 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999, kur tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë, kalonin kufirin nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit. Në atë orë e ditë të lume me kolonën e forcës më të madhe planetare duke dhënë lajmin e madh për të gjithë shqiptarët dhe botën në raportime për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë dhe Radio Televizionin Shqiptar ishte korrespondenti në Kosovë tash i Gazetës Dielli pikërisht prej dy vitesh nga 12 qershori 2015.
2 Behlul
Në 13 qershor 1999, forcat  shpëtimtare të NATO-s hynë në Kosovë edhe nga Shqipëria, duke kaluar kufirin nëpër Morinë-Vërmicë, drejt Prizrenit…
Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…
Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…
Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 qershor e  hyri në fuqi në 11 qershor 1999.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR. Aktualisht, KFOR-in e përbëjnë rreth 5000 trupa nga 31 vende.
Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, i shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 qershorit 2008, përcakton 12 Qershorin – Ditë të Paqes.
Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  para 9 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB-së.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Dita e Lirise, kosova

PARADA SHQIPTARE PO VJEN!- TREGO KUSH JE!

June 12, 2017 by dgreca

2 ParadaInterviste e z. Marko KEPI, President i “Rrënjët Shhqiptare”- Albanian Roots- dhënë  Arjeta Ferlushkaj-Gazeta”Dielli”/

Marko Kepi

Sa vite ka “Rrënjët Shqiptare-Albanian Roots”?

Këtë vit “Rrënjët Shqiptare-Albanian Roots” mbush plot 9 vjeç.

2 Parada

Nga se u nis “Rrënjët Shqiptare” dhe e kujt ishte idea e vënies së këtij emri?

Ishim një grup të rinjsh që donim të krijonim një organizatë që të kishte frymë unifikuese mes shqiptarëve. Donim një organizatë që të ishte jashtë politikës, fesë dhe diferencave krahinore. Një sugjerim të tillë na e pati dhënë edhe miku ynë Joseph DioGuardi. Emri u propozua nga kryesia dhe gjeti një miratim unanim. Kështu lindi “Rrënjët Shqiptare-Albanian Roots”.

Cila është struktura e “Rrënjëve Shqiptare”? Si jeni të organizuar e ku jeni të shtrirë si degë?

Është grupi ekzekutiv, i cili ka selinë qendrore në New York dhe ka këtë strukturë: Marko Kepi (president), Nikë Beqi (zv./president), Bujar Gjata (zv./president), Enkolana Çekaj Mundija (sekretare), Vijona Malota (financiere).

Kemi degët në Michigan (me perfaqësues Endrit Topallin), në Texas (me përfaqësues Besmir Hoxha) dhe dega në Illinois.

Gjithashtu, kemi degët në grupet universitare: “John Jay College Albanian Roots Club”, “St.Francis College Albanian Roots Club” si dhe grupin që u themelua sivjet nga zonja Afërdita Delaj: “Albanian Roots Cheerleaders”.

I gjithë ky staf punon vullnetarisht dhe burimet e fondeve tona janë: anëtarësitë dhe sponsorizimet.

Marko, çfarë do të thotë për ty të drejtosh “Rrënjët Shqiptare”?

Ndjej krenari, pa diskutim. Kur shoh që na bashkohen shqiptarë nga shumë shtete të Amerikës, ndjej kënaqësi dhe njëkohësisht një përgjegjësi të madhe që të punoj edhe më fort për komunitetin shqiptar.

Stafit: Si vijon puna me Marko Kepin në krye?

Jo sepse duhet thënë se është kryetari, por deri tani gjërat kanë shkuar mirë. Kjo tregohet edhe nga jetëgjatësia e organizatës. Brenda grupit ekzekutiv ka dakordësi dhe vizioni me të cilin presidenti e udhëheq organizatën tonë, është një vizion që i përshtatet edhe botëkuptimit tonë, pa u imponuar. Mendojmë se ky është çelësi i suksesit.

Ku shtrihet interesi i “Rrënjëve Shqiptare”?

Fokusi jonë kryesor është grup-mosha 15-30 vjeç, brezi i ri i shqiptarëve që kanë lindur këtu në Amerikë. Me kontributin tonë, duam që të ndihmojmë këtë grup-moshë që të integrohen në kulturën amerikane duke mos u asimiluar. Secili aktivitet i yni përqëndrohet tek ky qëllim.

Një tjetër angazhim i yni është ndihmesa tek po i njëjti grup-moshe, por për shqiptarët në trojet e tyre.   Në këtë projekt kemi një bashkëpunim shumë të mirë me fondacionin “Mbretëresha Geraldinë”, ku përpiqemi që t’i krijojmë kushte më të mira edukimi e shkollimi të rinjve shqiptarë.

Kush ka besuar në ju që në fillim kur keni prezantuar këtë projekt: “Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots”?

Joseph DioGuardi ka qenë personi që na ka besuar menjëherë dhe na ka mbështetur vazhdimisht. Gjithashtu edhe Richard DioGuardi. Mjaft anëtarë të “Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane/Albanian-American Civic League” na kanë promovuar si organizatë dhe kanë dhënë donacione. Kemi marrë mbështetje edhe nga senatori Martin Golden dhe këshilltari i Bashkisë së New York-ut David Greenfield, etj.

A mund të na flisni pak për aktivitetet që ju organizoni? Bëni një plan vjetor për to?

“Parada Shqiptare” është aktiviteti jonë kryesor. Për pjesën më të madhe të aktiviteteve, sigurisht që bëhet një plan vjetor. Përmendim këtu Paradën, aktivitetet për festat zyrtare e data simbolike si p.sh. festat e flamurit e të pavarësisë, pavarësia e Kosovës etj.

“Rrënjët shqiptare” janë të pranishëm në komunitet duke organizuar edhe panaire, pikniqe, festivale, protesta, takime me personalitete, promovime, qofte librash apo talentesh, përmendim rastin e sportistit Reshat Mati etj.

“Rrënjët shqiptare – Albanian Roots” identifikohet me “Paradën Shqiptare”. Na flisni pak për këtë aktivitet kryesor tuajin.

Deri tani kemi organizuar nëntë të tilla. Në secilën parade ne mundohemi që t’i kushtohemi një çështjeje apo një personaliteti që na identifikon, që na duhet ta promovojmë në mënyrë që t’i tregojmë botës mbarë se nga vijmë, kush jemi e çfarë duam ne si komb. Disa nga paradat e organizuara ndër vite janë: Çamëria (2010), Shqiptarët në Mal të Zi (2011), Shqipëri Etnike (2012), Jemi një (2013), Të gjithë kemi rrënjë shqiptare (2014), Ilirida është Shqipëri (2015), Nënë Tereza (2016) si dhe sivjet: Arbëreshët

  • Çfarë iu kërkoni sot shqiptarëve të Amerikës?

Iu bëjmë thirrje që të angazhohen më tepër për komunitetin shqiptar. Të rinjve iu bëjmë thirrje që të anëtarësohen në organizatën tonë. Procedura bëhet online dhe anëtarësimi është thjesht 20$ në vit. Këto fonde shërbejnë për mbulimin e aktiviteteve që organizata zhvillon. Që nga dita e themelimit, numerojmë 5 mijë anëtarësime në organizatën tonë.

  • Cili është mesazhi për të rinjtë shqiptaro-amerikanë që duan të jenë të suksesshëm në SHBA?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës është vendi i vetëm në botë ku mundësitë janë pafund. Është e rëndësishme që të kenë idetë e qarta se çfarë duan. Të rinjve shqiptaro-amerikanë iu themi që të integrohen në shoqërinë amerikane por jo duke u asimiluar. Të ruajnë ekuilibrin mes origjinës dhe kulturës së re ku duan të bëhën pjesë.

  • Na tregoni një link ku mund t’ju ndjekin shqiptarët në çdo njoftim apo aktivitete që ju zhvilloni.

Më së shumti na gjeni ne faqen tonë në facebook: Albanian Roots – Rrënjët shqiptare. Por kemi edhe website-in: www.albanianroots.org si dhe në Instagram: albanianroots.

  • Na jepni një mesazh në prag të paradës: pse shqiptarët duhet të vijnë në New York, të shtunën me 17 qershor, në 43rd Street 6th Ave?

Ka shumë arsye pse çdo shqiptar duhet t’i bashkohet Paradës Shqiptare.

Së pari, të përcjellim shembullin tek ata komunitete ku nuk respektohen e nuk ndihen të lirë shqiptarët. Së dyti, t’i tregojmë botës mbarë se është kombësia ajo që i bashkon shqiptarët dhe se ne, jo vetëm e njohim por edhe e gëzojmë harmoninë ndërfetare e ndërkrahinore ndaj duhet të mblidhemi të gjithë. Së treti, të ekspozojmë para syve të të gjithëve kulturën tonë, traditat tona dhe të dëshmojmë se jemi ndër popujt më të vjetër të Europës. Së katërti, është një detyrim ndaj atdheut tënd por gjithashtu edhe një largim nga rutina e përditshme e jetës amerikane dhe shijon një ditë plot me festime në shoqërinë e bashkëatdhetarëve të tu.

  • A mund të na zbuloni ndonjë detaj posaçërisht për ne?

Kemi mjaft surpriza të bukura që nuk duam t’i zbulojmë megjithatë, një prej tyre po jua tregojmë lexuesve të kësaj interviste: kemi një të ftuar special nga Europa që na e ka konfirmuar praninë.  

Intervistoi: Arjeta Ferlushkaj

8 qershor, 2017

Filed Under: Featured Tagged With: Arjeta Ferlushkaj, PARADA SHQIPTARE PO VJEN!-, TREGO KUSH JE!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT