• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2017

KRISTO FLOQI, I HARRUARI BASHKËTHEMELUES I “VATRËS”

July 15, 2017 by dgreca

KRISTO-FLOQI1 Komisioni themelues13 K Floqi,selaudin shkoza,iliaz vrioni,tef curani xh YpiVjetI_1920010-1_1albanian-book-year-1923-kristo-floqi-pirro-neoptolemi-tragjedi-ne-5-akte-636a91d14097a7754a00dae839450ff6

KRISTO FLOQI, I HARRUARI BASHKËTHEMELUES I “VATRËS” DHE EDITOR I “DIELLIT”/

Nga Dalip Greca/

Dr. Kristo Floqi është jo vetëm ndër themeltarët e Vatrës, por dhe inisiatori dhe drejtuesi i mbledhjes së parë për bashkimin e shoqërive shqiptare të Amerikës. Vërtetë se ishin Faik Konica dhe Fan Noli, ata që hodhën farën e bashkimit, por thirrjen për takimin e parë bashkues e kishte bërë ai me 11 dhjetor më  1911, përmes gazetës Dielli,që ai e drejtonte. Si editor i Diellit Floqi i parapriu procesit të krijimit të Federatës, duke treguar dobitë e  bashkimit e duke fshikulluar përçarësit. Edhe thirrja për takimin bashkues u hartua dhe u nënshkrua nga ai. Çuditërisht ai është përmendur pak ose aspak në faqet e Diellit, pasi e pat lënë Amerikën, dhe ishte i ndaluar rreptësisht  të përmendej në literaturën e para ’90-tës. Nuk u shkrua fare për fatin e tij në burgjet e diktaturës, ashtu si dhe për fatin e shumë të tjerëve, mbi të cilët ra pa mëshirë gijotina e antiligjit, edhe pse kishin qenë shpirti i Vatrës dhe kishin luftuar aq shumë për Kombin. Paradoksi qëndron se me rastin e vdekjes së tij në Shqipëri, Dielli, që ai editoi, nuk shkroi asnjë rresht!Të jetë kjo mungesë informimi apo një harresë siç kishte ndodhë me ish editorin e Diellit, Bahri Omari të pushkatuar, me komandantin e vullnetarëve shqiptarë të Amerikës, Aqif Përmeti, pushkatuar, me ish themeluesin tjetër të Vatrës, Kristo Kirkën-vdekë në burgun e Burrelit, me Kolë Tromarën e të tjerë vatranë që dhanë shpirtin për çështjen Kombëtare?!

KUSH ISHTE KRISTO FLOQI?

Pati lindur më 1876 në Korçë (është shkruar se ai ka lindur në fshatin Floq, por kjo nuk i përgjigjet së vërtetës sepse vetë ai në shënimet autobiografike pohon se ka lindur në Korçë.) I ati, Vasili, kishte lindur në Floq.Informacion japin për Floqin edhe studiuesit Robert Elsie dhe Hasan Hasani, ndërsa gazetari Fiqri Shahinllari në librin e tij’Lis në Shkëmb” sjell të dhëna interesante rreth Floqit, pasi ka shfletuar arkivin. Ndërsa Prof. Dr. Stilian Adhami, krahas studimit të kësaj figure sjell të dhëna e dëshmi të rralla.

Kristo Floqi ishte i biri i Vasil Floqit, i cili pati katër djem dhe një vajzë; Dhimitrin, Kriston, Nikollaqin, Thanasin dhe Katerinën. Mbetën gjallë vetëm Kristo me Thanasin. Të dy studiuan për drejtësi.Mësimet e para Kristo Floqi i mori në Korçë, ndëkohë që studimet e mesme dhe të larta i kreu në Greqi. Diplomoi për drejtësi në Athinë, po aty e ushtroi profesionin e avokatit deri në vitin 1900. Më pas shkon në Korçë, ku hap zyrë avokature, më pas kaloi në Vlorë.Zotëronte disa gjuhë të huaja dhe shquhej që në rini për prirje letrare dhe publicistike.Veprimtaria politike, juridike, letrare dhe publicistike e Kristo Floqit përfshinë Shqipërinë dhe SHBA-në. Në kohën e para Luftës shkëlqeu, pas lufte kaloi një kalvar vuajtjesh e harrimi, ndërsa pasvdekja ishte injorim për këtë figurë kombëtare, mbuluar me pluhur harrese e terr.

NGA VLORA NË SHBA

Është shkruar se Kristo Floqi erdhi në SHBA nga Turqia, ku kishte shkuar për të përvetësuar Turqishten, është shkruar edhe një variant tjetër, se ai kishte mbërritur në SHBA për arsye ekonomike dhe nevoja të Lëvizjes Kombëtare siç kishin shkuar Petro Nini Luarasi,Sotir Peci,  Fan Noli, Faik Konica, Mihal Grameno, Kristo Dako e të tjerë. Asnjëra, as tjetra nuk qëndrojnë. Variantin e vërtetë e tregon vetë ai, në “Kujtime Historike- Formimi i Federatës Panshqiptare”Vatra”- botuar në nëntor 1937 në revistën “LEKA”.

Kristo Floqi në vitin 1009 ishte avokat në Vlorë. Është koha kur ai e ka afirmuar veten në radhën e nacionalistëve që kërkojnë një Shqipëri më vete.Ishte ky shkaku i një përleshje mes një grupi nacionalistësh shqiptarë, ku kryesor ishte kristo Floqi dhe një grupi turkoshakësh, që bënin pjesë në Shoqërinë nacionaliste Turke me emrin”Itihat Ve Tereki”, që propagandonte një Turqi të re. Dy grupimet u përleshën paq, dhe  autoritetet e pushtetit lokal “ua suallën shpirtin majë fytit”, siç kujton Kristo Floqi në shënimet historike të botuara më 1937 në Revistën “Leka”. Në këto rrethana grupimi i nacionalistëve shqiptarë menduan se kishte mbrritë rasti t’u tregonin vendin turkoshakëve  dhe si hap të parë ndërmorën sulmin mbi zyrën e Post-Telegrafës së Vlorës. Aso kohe, Ismail Qemali ndodhej në Selanik. Grupi i nacionalistëve hyri në kontakt me Ismail Bej Qemalin dhe me të gjithë ata që ishin për inisiativën Kombëtare, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe u prezantuan situatën ku ndodhej Vlora dhe veprimet e tyre.Duke qenë zotër të postë-telegrafës, nisën shifërkëmbimin, duke përcjellë situatën e acaruar dhe ç’mund të bënin në atë situatë.I ndalën të gjitha telegrafet që zyrtarët lokal përpiqeshin të nisnin drejt eprorëve. Autoritet ushatarake u zemruan së tepërmi dhe rrethuan Postën, duke kërkuar dorëzimin e Postës, por nacionalistët shqiptarë kundërshtuan dhe nuk ua dorëzuan as shifrën.Situata u përkeqësua dhe forcat ushtarake u shtuan. Në këto rrethana rebelusit shqiptarë e lanë Postën dhe një pjesë kapërcyen detin dhe u hodhën matanë Adriatikut, ndërsa një pjesë tjetër u ngjitën maleve. Kristo shkoi në Cakran të Fierit nën kujdesin e Bektash Cakranit. Mirëpo edhe aty ishte vështitrë të qëndronin gjatë pa rënë në sy.Vendosën që ta linin Shqipërinë dhe të  kalonin në Brindizi e që aty morën anijen drejt SHBA-ve.

NGA BOSTONI NË SALT-LAKE, UTAH

Pas disa ditësh Kristo Floqi arrinë në Boston. Nuk bëhej fjalë për të ushtruar zanatin e avokatit sapo vuri këmbë në Amerikë. Vendosën që të hapnin një restorant në Boston duke shfrytëzuar klientelën shqiptare, që përbëhej kryesisht prej punëtorëve të fabrikave të Natick në Mass. Kur dukej se gjithçka po shkonte mirë, restoranti dha shenja falimentimi. Pas katër muajësh u detyruan që ta linin atë punë. Ç’të bënin? Nuk e dimë se ç’punë tjetër mund të ketë bërë Kristo me shokët me të cilët pat marrë rrugën përkëndej Atlantikut, por ai vetë shkruan në kujtimet e veta se”nevoja na shtërngojë të çajmë barakzi Shteteve të  Bashkaura të Amerikës e të zemë vend në qytetin e bukur të Salt-Lake City të shtetit të Utah, pranë Kalifornias.”

Në Salt-Lake, Kristo kishte kunatin e tij, Kristo Poçi, i cili merrej me tregëti dhe punët i shkonin mirë. Aty punoi deri më 20 shtator 1911, pasi i erdhi një Ftesë nga Shoqëria Besa-Besën për të marrë detyrën e editorit të gazetës”Dielli”, post i cili ishte vakant pasi e kishte lëshuar Eftim Natse, para të cilit në atë post kishte qenë Konica.

EDITOR I DIELLIT

Shoqëria Besa-Besën,po kërkonte një editor të ri për gazetën e saj “Dielli”. Me propozimin e Kolë Rodhes dhe të Llambi Çikozit, ky post iu propozua pikërisht Kristo Floqit, i cili në atë kohë i kishte rregulluar problemet financiare dhe fitimet po i shkonin mbarë.Edhe pse pagesa që iu propozua nuk ishte kushedi çfarë, 50 dollarë në muaj, ai e pranoi detyrën për hir të çështjes kombëtare dhe bashkimit të kolonive shqiptare në SHBA.Përmes gazetës Floqi u bënte thirrje shqiptarëve që të bëheshin bashkë sepse kështu do t’i shërbenin më mirë kombit dhe do të ndikonin në krijimin e shtetit shqiptar.

Mbresat e asaj dite, kur Kristo Floqi mori detyrën, na e përshkruan me nota mallëngjenjëse  gazeta Dielli e Vjeshtës 1911 :”Të dielën që shkoi, më 17 të Vjeshtës, u mbajt meshë në Kishën e Shën Gjergjit në Boston prej të Përnd. At Naum Çere dhe At Damianit.Ishin mjaft shqiptarë prej Bostonit dhe fshatrave përreth. At Naumi meshoi fort bukur me me zën’ e tij të plotë e të begatshëm.Si tha Unigjillë, At Damiani mbajti një fjalë të shkurtër, por të bukur, duke përkthyer Ungjillë e duke prurë fjalën mbi çështjen Kombëtare.

Pas priftit, nënkryetari i Shoqërisë Besa-Besën z. Vangjo Mille u ngrit dhe me një fjalë të mirë rekomandoi drejtorin e ri, z. Kristaq Floqin, i cili u prit gëzimërisht me një përpjekje duarësh të paprerë nga ana e dëgjonjësve.

Pasandaj, z. Kristo Floqi u ngrit,duke marrë në duar kurorën e shoqërisë Besa-Besën si dhe dy kurorët e tjera të shoqërisë Arsimi dhe të Shqiptarëve të Cochituate-it, kaq të bukura të tria, mbajti një fjalë të gjatë, më tepër se një orë, ku çmoi vleftën e trimave djelmoshë, të cilët njëri pas tjetrit, ranë dëshmorë për nderin dhe famën e Atdheut. Fjala e drejtorit qe kaq e bukur, e lartër dhe pëllore në ndjenjë e në fantazi, sa e mallëngjevi të tërë popullin dhe ngjethi zemrat gjersa qanë me lot.

Pas z. Kristo Floqi, u ngrit i njohuri atdhetar z. Kristo Kirka, i cili foli me një nxehtësirë të madhe për therorët e Përlindjes, duke përvëluar zemrat e djegura. Një përpjekje duarësh e fortë vërtetonte gëzimin që ndjenin dëgjonjësit. Më së fundi, me fjalë fort të hijshme e të pëlqyera, rekomandoi drejtorin tonë në popull, duke thënë se nga burra si Kristaq Floqi duhet të presë shumë kombi.Shqiptarët e Amerikës duhet t’i ndihin pa kursim në udhën e re në të cilën dëshiron të sjellë Shqiptarët dhe Kombin. Kësisoj mesha u krye duke lënë një përkujtim të pa harruar.”

Detyrën e editorit ai nuk e bënte vetëm duke qëndruar në zyrë, por shkonte atje ku ishin shqiptarët,konak më konak; katund më katund e qytezë më qytezë. Ai mbante konferenca dhe inkurajonte shqiptarët për patriotizëm. Qëllimi i konferencave ishte bashkimi i të gjitha kolonive shqiptare, me qëllim që shqiptarët e Amerikës të kishin një zë të bashkuar për Kombin e tyre.Në atë kohë në Amerikë egzistonin disa shoqëri shqiptare si: Më e madhja ishte Shoqëria Besa-Besën, më pas vinte Arsimi e Korçarëve, Dallëndyshe e New York-ut, Shoqëria Kombëtare e Worcesterit, Shoqëria Malli i Mëmëdheut dhe Përlindja e Jamestownit, Shoqëria Lidhja, Shoqëria Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Shoqëria Hylli Afërdita, Shoqëria Bashkimi, Shoqëria Mirëbërëse, Shoqëria Përparimi dhe Komiteti i z. Faik Konitza”Flamuri i Krujës”.

Në konferencat që zhvillonte nëpër kolonitë shqiptare, Kristo Floqi shtronte idenë e një programi të përbashkët të shoqërive të bashkuara dhe dhënien fund të grindjeve dhe lokalizmave krahinore. Ai argumentonte se vetëm të bashkuar, do të arrinin që të forconin frymën kombëtare në SHBA. Floqi, arriti që për tre muaj t’i binte kryq e tërthor kolonive shqiptare dhe realizonte më shumë se 100 konferenca. Kur e pa se fara e bashkimit ishte hedhur, dhe se disa nga shoqëritë ishin të bindura se ishte koha për bashkim, dërgoi thirrjen për një takim të përbashkët.

TAKIMI HISTORIK I 11 DHJETORIT NË BOSTON, MUNGESA E KONICËS

Në mirëkuptim me shoqëritë u la që takimi i parë të bëhej me 11 dhjetor 1911 në Boston. Atë ditë me qindra shqiptarë mbërritën në Boston dhe është pikërisht kjo ditë që çeli një epokë të re për Lëvizjen Kombëtare shqiptare në SHBA. Në kujtimet e tij, Kristo Floqi shkruan se “ Dita historike 11 Dhjetorit 1911 shënoi një periudhë të re për shqiptarët e Amerikës. Atë ditë arritën në Boston me qindra shqiptarë, si delegatë të shoqërive, por edhe individë. Salla e gjërë e hollit Rathbonne u mbush plot, sa shumë veta u shtërnguan të qëndrojnë  më këmbë dhe qindar të tjerë mbetën jashtë.”

Në mbledhje mori pjesë edhe Peshkop Noli. Ra në sy mungesa e “dekanit” të çështjes Kombëtare, Faik Konicës, i cili ishte padyshim figura më elitare e asaj kohe dhe një prej promotorëve të Lëvizjes Kombëtare. Artikujt e tij në Dielli i kishin bërë për vete shqiptarët  e Amerikës, ndaj përfaqësuesit e shoqërive të ndryshme që kishin ardhë në atë takim historik, po habiteshin që mungonte aty shtylla e bashkimit. Kureshtjen e delegatëve e shoi Kristo Floqi, i cili u tregoi atyre letrën që kishte marrë nga Faik Konica dhe ua lexoi fjalë për fjalë.

Çfarë shkruante Konica në atë letër? E sjellim të plotë:

I dashur z. Floqi

E mora letërn tuaj sot pasdreke dhe ju kthej përhirime për fjalët miqësije dhe nderimi që më thoni. Për fat të zi jam fare i penguar të Djelën, se s’e dinja se kishit mbledhje dhe se do t’më ftojit dhe kështu u lidha gjetkë për pasnesër.

    Ato që më thoni për bashkimin janë të pëlqyera dhe pa dyshim duhet të bëhet në gjetshim një formulë të drejtë që ta mbarojmë pa prishur punët që kemi trajtuar gjer tani me shumë mundime.Kemi komitetin tonë këtu(Flamurin e Krujës) dhe nuk shohim ndonjë arsye që ta prishim.Është e udhës të prishen punëra pa rregull e pa program, por jo punëra të ndërtuara me kujdes.Besoj  këto t’i peshoni dhe të më jepni të drejtë.”

Mbetem Juaji me besë,

FAIK KONITZA d.v 

Letra duket se la një shije mosbesimi tek të pranishmit. Vetë Kristo Floqi shkruan se kjo letër ishte një justifikim për të mos ardhur, pasi njoftimi për mbledhjen bashkuse botohej në çdo numër të Diellit dhe Faikut i dërgohej gazeta. Mirëpo tashmë që ai nuk ishte më editor i Diellit, kur e pyesnin për gazetën, thoshte jo pa shpoti se nuk e lexonte më Diellin nga frika se mos harronte shqipen!

Sipas interpretimit që i bën letrës, Kristo Floqi, dyshon se Konica e dërgoi letërn dhe s’shkoi vetë në takim nga që nuk ishte ai inisatori dhe s’e nuk donte të sakrifikonte Komitetin e tij “Flamuri i Krujës”, që sipas Floqit kishte vetëm 10-12 anëtarë. Floqi e shkruan të zezë mbi të bardhë”Konica nuk donte që ta merrja unë bajrakun e bashkimit. Si ky, ashtu dhe Noli, qitnin gjithënjë pengime.Këto i kishin kuptuar shqiptarët e Amerikës dhe unë veçanërisht ua diktonja herë pas here me anë të Diellit, organit tonë.”

Në fakt Fan Noli, i ktheu përgjigje Kristo Floqit, se ai dhe miku i tij Konica, nuk ishin kundër bashkimit, përkundrazi, kishin punuar gjatë për bashkimin, por ata kërkonin një punë të pëlqyer dhe serioze, jo qesharake.(Dielli 18 janar 1912).

Nga ana e tij, ish editori i Diellit, Refat Xh Gurazezi, në ciklin e artikujve rreth historisë së Vatrës, të përmbledhur në librin “Historia e Federatës “Vatra”, e kundërshton Floqin, për të cilin shkruan:”Editori i fundit (sa Dielli ishte gazetë e shoq Besa-Besën), e gjeti të shtruar tryezën e bisedimit, idenë dhe planin për bashkimin e gjithë shoqërive shqiptare të Amerikës rreth një shoqërie të madhe kombëtare.”

FLOQI, KRYETAR I MBLEDHJES HISTORIKE

Në kujtimet e veta, Kristo Floqi pohon se për të respektuar Imzot Nolin, e propozoi atë për kryetar të mbledhjes, por Noli e refuzoi me argumentin se i takonte Floqit ai post sepse qe ai që inisiatori dhe organizatori. Propozimi i Nolit u hodh në votë dhe Kristo Floqi u zgjodh kryetar, ndërsa Llambi Kreshpani, sekretar.

Pas fjalimeve, Marko Adams propozoi Komisionin historik për themelimin e Vatrës, ku renditi katër emra: Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konica dhe Paskal Aleks. Sipas propozuesit ky komision do të merrte përsipër organizimin e një Federate të madhe Panshqiptare në marrëveshje me të gjitha shoqëritë. Propozimi u gjet i pëlqyer.(Fragment. U botua per here te pare ne ILLYRIA , nentor 2007)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, I HARRUARI BASHKËTHEMELUES, i Vatres, Kristo Floqi

DIASPORA-NË BERATIN E LASHTË-NË KËSHTJELLËN E LASHTË TË MBI LUMIT OSUM

July 15, 2017 by dgreca


1 Berati1
Kryetari Bashkisë Berat Petrit Sinaj priti delegacionin e shkrimtarëve nga Suedia/1 berat grupNga Sokol Demaku/

1 bashke nuriIshte shumë mbresëlënës për të gjithë takimi me kryetarin e bashkisë Berat Petrit Sinaj, takim aq i mrekullueshëm me kembim mendimesh e idesh rreth bashkëpunimit mes poeteve dhe shkrimtareve shqiptar dhe atyre suedez. Ide kjo e paraqitur nga përfaqësus të QKSH Migjeni nga qyteti Borås i Suedisë dhe anëtareve të Lidhjes se shkrimtarëve të Suedise Qendra në perendim me seli në qytetin Göteborg. Nga Suedia kishin  ardhurë dy shkrimtarë shqiptar me punë dhe vendbanim të përhershëm atje Hamit Gurguri dhe Sokol Demaku, pastaj poetja islandeze me vendbanim dhe punë në Suedi njëheresh edhe kryetare e Qendres së Shkrimatëve Perendimi me seli ne Göteborg  Kristin Bjarnadottir dhe shkrimtarja dhe përkthyesja suedeze Anna Mattsson, në përcjellje të tyre ishte edhe poetja shqiptare me vendbanim në Norvegji Emine Hoti dhe të shoqëruar nga shkrimtari publicisti dhe gazetari Nuri Dragoi miku ynë nga Tirana.

1 berat bisedime

Në një takim të përzemertë e vëllëzeror në Bashkin Berat mirë se ardhje u dëshiroj mysafirëve nga veriu i largët nga Mbretëria e bashkaur e Suedisë kryetari i Bashkisë Petrit Sinaj, i cili vlerësoj lart këtë nismë bashkëpunimi mes poetëve dhe shkrimatrëve beratas me ata suedez. Është një gurë i mbar në krijimin e urave të bashkëpunimit, kembimit të përvojave por edhe të librit mes dy vendeve. Besoj tha Petriti se ka shume cka të mësojmë nga ai vend i zhvilluar me një dmeokraci të përparuar në të gjitha aspektet e që do jetë një ndihmesë e madhe për ne në aspektin e ndertimit të jetës dhe përparimit qytetar tek ne.1 berat salle

Për projktin e bashkëpunimit folën Sokol Demaku kryetar i QKSH Migjeni në Borås të Suedisë dhe Kryetarja e Qendres së shkrimtarëve Përendimi në Göeteborg të Suedisë Kristin Bjarnadottir.

2 flet suedezja

Nga krytari i Bashkisë u informuan në pika të shkurtëra për historikun e Beratit si qytet me rreth 65,000 banorë. Trojet e Beratit, sipas arkeologëve kanë qenë të banuara nga njerëz të civilizuar që nga shekulli VII para erës sonë.2 recitime

Qyteti i Beratit është ngritur fillimisht si kështjellë, mbi kodrën shkëmbore me lartësi 187 m mbi nivelin e detit, në krahun e djathtë të lumit Osum, para se ky të dalë në fushën e Myzeqesë, më e madhja e Shqipërisë. Lumi i Osumit rrjedh përmes qytetit dhe jashtë tij, afër Urës Vajgurore, bashkohet me lumin e Devollit, të dy së bashku formojnë Semanin (gjatësia e tij brenda rrethit 32km). Një nga lumenjtë kryesorë të vendit. Ai paraqet interes për bujqësinë, energjitikën, hidrogjeologjinë, ekologjinë dhe urbanistikën.

Berati u përket qyteteve të rrallë ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot. Nën zotërimin e Muzakajve, në shek. XIII-XIV, qyteti filloi të shtrihej jashtë mureve të kështjellës. Në këtë kohë Berati arrin shtrirjen më të madhe territoriale, zhvillohet dhe bëhet një qendër e rëndësishme ekonomike, tregtare, administrative e kulturore. Në 1417 qyteti pushtohet nga turqit dhe zhvillimi i tij u ul ndjeshëm, por nga fillimi i shek. XVI ai e mori veten, për tu bërë përsëri një nga qytetet më të mëdhenj të Shqipërisë. Në shek. XVII ai vazhdonte të ishte qyteti më i madh i Shqipërisë, me 500 shtëpi të shpërndara në 30 lagje dhe me 5 medrese.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Ai është qytet muze me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme për nga gjinitë, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga zonifikimi dhe nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve qyteti ndahet në tri zona : zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë.

Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë. Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella ose kalaja, Ura e Goricës, Ndërtesat e kultit dhe Arti dhe zejet.

Mysafirët nga Suedia e largët në shoqërim tënënekryetarës së Bashkisë Berat Teuta Avdyli Mucogllava u drejtuan në Bibliotekën publike të qyetetit ku atje i priti drejtori i bibliotekës Arben Jaupaj, e ku salla e bibliotekës ishte e stermbushurë nga adhurues së fjalës së shkruara edhe pse temperaturatë ato ditë në shumë qytete shqiptari arrinin të mbu dyzetat.

Prezantimin e akrivitetit e bëri drejtori i bibliotekes Arben Jaupaj, pastaj përshendetje e rastit nga Bashkia adhruesja e fjalës së shkruar dhe nënkryetarja e bashkisë Teuta Avdyli Mucogllava, ndërsa prezentimin e  mysafirëve nga Suedia dhe për rëndësine  këtij bashkepunimi dhe tkaimeve të tilla foli Kryetari i QKSH Migjeni në Borås të Suedisë Sokol Demaku.
Nikoqirët kishin përgatitur befasi për mysafirët nga Mbretëria e Bahskuar e Suedisë kështu që për Astrid Lindgren dhe veprën e saj ne gjuhen shqipe – foli mesuese Margarita Zyka, ndërsa për poeten  tjeter suedeze për fëmijë Selma Lagerlof dhe veprën e saj ne gjuhen shqipe – foli mesuese Anila Azizolli, për prozën e shkurter suedeze në gjuhen shqipe, tregimtaret suedezë- studjuesi Yzedin Hima. Nga ana e nxenesëve të shkollave u lexuan disa fragmente nga proza suedeze,
Mysafirja nga qyteti Göteborg i Suedisë Anna Matsson, shkrimtare, perkhtyese e Astrid Lindgren nga suedisht në gjuhen kmere, floli për shkriomtaren për fëmijë Astrid Lindgren dhe prezentoj Pipicorapëgjata, Hamit Gurguri, shkrimtar, përkthyes prezentoj Wilhelm Morberg dhe Strinberg, i cili është përkthyes i këtyre dy kolosve të letersisë suedeze, pastaj Krstin Bjarndotter, poete, shkrimtare, ne gjuhen suedeze dhe islandeze foli për letersia dhe poezia suedeze sot dhe krejt në fund Sokol Demaku, poet, shkrimtar, gazetar, përkthyes, mësues, i nmjohtoi tëpranishmit me Shqiptarët sot në Borås-Suedi, dhe roli Qendres Kulturore Shqiptare Migjeni një shoqatë ,kulturore shqiptare në Mbretërinë suedeze.

Mysafirët nga Suedia për adhuruesit e fjalës se shkruar qe nuk ishin të pakët, ku salla ishte e mbushurë cep me cep nga nxenës, student, mësues, poet, shkrimtarë e ku mysafirët lexuan poezi ne suedisht dhe shqip por edhe ne gjuhen islandeze ku ka gjuhë matare shkrimtarja suedeze me prejardhje nga Islanda Kristin Bjarnadottir.

Shkrimtarët dhe përkthyesit Hamit Gurguri dhe Sokol Demaku i dhuruan Bibliotekës së qytetit mbi dyzet egzemplar libra të cilat do të jenë në sirtarët e saj për të lexuar nga lexues entuziasty të kësaj biblioteke.

E përbashkëta e vizitës ishte se nga te dy palët u shprehë gatishmeria për një bashkepunim te frytshëm në të ardhmen mes poetëve dhe shkrimtarëve nga të dy vendet.

Pas dite ishte planifikuar të bëhet një viztë në Kalan e Beratit që është ngritur në një kodër 187 metra të lartë, në të majtë të grykës së lumit Osum, një vendbanim protourban, ku në shekullin e VII-V si një pikë strategjike e rëndesishme, ajo ishte shndërrua në qytet kështjellë.

Ndryshe nga kështjellat e tjera kalaja e Beratit ka qenë e pajisur me 24 kulla të cilat emërtohen sot me emrin turk TABJE së bashku me muret ato i përkasin periudhave të ndryshme të ndërtimit që nisin qysh nga shekulli IV Pk dhe përfundojnë gjatë kohës së sundimit të Ali Pashë Tepelenës (1813-1821). Brenda sipërfaqes prej 9.6 ha të kalasë ndodhen disa kisha, një pjesë e të cilave rrënojë, Sarajet turke, rrënojat e dy xhamive, sternat e ujit të quajtura Saranxha, sheshi i Sallabandës, sheshi i quajtur fusha e madhe etj. Ndërkohë që pjesën më të madhe të këtij oborrit të brendshëm e zënë një sërë rrugicash, kopshtesh, bacesh dhe shtëpi banimi të cilat përbëjnë lagjen e quajtur kala. Gjithsej ky monument ka katër porta komunikimi. Njëra prej tyre dhe pikërisht ajo që paraqet më shumë interes për shkak të elementeve përbërës të saj është ato e anës juglindore.

Filed Under: Emigracion Tagged With: -NË KËSHTJELLËN E LASHTË, NË BERATIN E LASHTË, Sokol Demaku

ANALISTET PARALAJMEROJNE MUNDESINE E NJE GRUSHT-SHTETI TJETER NGA RUSIA

July 15, 2017 by dgreca

Nenkryetari ekzekutiv i Kishillit Atlantik me qender ne Uashington qe merret me analiza, Domon Wilson, tha  se Rusia asht duke u perpjekun te shtoje ndikimin e saj, dhe te mos lejoje disa qeveri  qe te anojne ndaj vendeve Perendimore. Ai shtoi se”Per kete qellim Moska po perdor si mjete; korrupsionin, krimin e organizur, dhe mjete qe pengojne zhvillimin e vendeve ne fjale.”/

1-kadeli-160x300Pergatiti per Diellin Gjon Kadeli/Uashington- Analistet paralajmerojne se perpjekjet per nji grusht -shteti qe u ba nga agjentetn ruse ne Mal te Zi vitin qe kaloi e qe deshtoi mund te pereseritet ne ndonje vend tjeter dhe se Uashingtoni duhet te baje ma shume perpjekje per te mbrojtun ato vende te Europes qe mund te kercnohen nga  nji gja e tille.

Analistet folen per kete ceshtje gjate nji mbledhje qe pati Komisioni i Senatit te Shteteve te Bashkueme qe merret me ceshtjet ushtarake, i cili po shqyrton gjendjen ne Ballkan.
Perpjekja per grusht shtetin e nalt-permendun nuk ishte e para e ketij lloi , as nuk do te jete e fundit e perpjekjeve Ruse kunder vendeve qe anojne ndaj Perendimit qe te zgjedhin lirisht vendet me te cilat duen te bashkepunojne.
Nenkryetari ekzekutiv i Kishillit Atlantik me qender ne Uashington qe merret me analiza Domon Wilson tha  se Rusia asht tuej u perpjekun te shtoje ndikimin e saj, dhe te mos lejoje disa qeveri  te mos anojne ndaj vendeve Perendimore. Ai shtoi se”Per kete qellim Moska po perdor si mjet korrupsionin, krimin e organizue, dhe mjete qe pengojne zhvillimin e vendeve ne fjale.” Ai shtoi se per t’iu kundervu ketij veprimi asht e nevojshme qe vendeve ne fjale tiu jepen mundesite te perparojne, sepse kjo shton aftesine e tyne, sidomos atyne te Europes
Lindore, qe te  ndihmohen kunder perpjekjeve Ruse.
Ambasadori i Malit te Zi ne Shtetet e Bashkueme Nebosja Kuludjerovic u tha senatoreve se gjygji qe po vazhdon kunder disa prej atyne qe organizuen grusht-shtetin asht ne vazhdim e siper, dhe se kryprokurori i ka cilsue dishmite si “absolutisht te pa kundershtueme.” Ai shtoi se
dy Ruse, qe besohet te jene agjente te Sherbim it te Fshehte Ushtarak Rus, si edhe disa politikane e police Malazeze moren pjese ne organizimin e grusht-shtetit. Ai shtoi se ndihmes atashehu ushtarak Rus asht deue nga Mali i Zi. Ambasadori Malaze tha se; “Po te kishte
dale me sukses plani per grusht-shtetin, kjo gja do te kishte shkaktue nji krize shume serioze dhe nji rremuje shume te rrezikeshme.
Per para pak kohe Mali i Zi u ba vend antar I NATO’s, gja qe u kundershtue ne men yre shume te fort nga ana e Rusise.

 

Filed Under: Komente Tagged With: armatoset nga Rusia, Gjon kadeli, GRUSHT SHTETI

Historia e Zbardhur-Sigurimi: Veprimtaria agjenturore e Alfred Ashikut dhe Jak Kodhelit

July 15, 2017 by dgreca

Dosjet hetimore dhe gjyqësore të ” armiqve” të pushtetit Jani Temo, Sehit Haruni e Kol Duli ” Element me botëkuptim të vjetër, kane mbaruar studimet në Itali”/1 alfred AshikuNga Agustin MIRAKAJ/Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, ndër drej timet prioritare të punës së pushtetarëve në Shqipëri ishte shtypja e çdo qëndrese dhe eliminimi me çdo kusht i kundërshtarëve të regjimit komunist. Për këtë u angazhuan të gjitha hallkat e pushtetit, por veçanërisht strukturat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, Organeve të Sigurimit të Shtetit, Prokurorisë dhe Gjykatave Ushtarake.

2 ashiku

Pas shtypjes së kryengritjes të Malësisë së Madhe dhe më gjerë, janar 1945; kryengritjes së Postribës, shtator 1946; Gjyqit Special në Tiranë, mars – prill 1945; zbulimit dhe dënimit të drejtuesve dhe pjesëtarëve të organizatave “Bashkimi Shqiptar” dhe “Bashkimi Demokratik”, janar – shkurt 1946; gjyqit ndaj grupit të deputetëve të Organizatës “Nacional Demokratike”, shtator 1947; shuarjes së përpjekjeve për qëndresë të armatosur të Muharrem Bajrakatarit ( Kukës), Mark Gjon Markajt ( Mirditë), Mirakajve të Pukës, krerëve të Tropojës, Dibrës e Dukagjinit; një valë tjetër e goditjeve të organeve të diktaturës vazhdoi edhe gjatë gjithë vitit 1948, duke patur në fokus kundërshtarët e regjimit komunist, sidomos ata që ishin evidentuar si miq dhe bashkëpunëtorë të përfaqësuesve të misioneve anglo – amerikane në Shqipëri, por duket qartë përparësia e goditjes edhe ndaj shtetasve të huaj që për arsye të ndryshme banonin në Shqipëri.

Proceset hetimore – gjyqësore ndaj personave të arrestuar përfundonin me dënime të ashpra, që, përveç likuidimit të kundërshtarëve politikë dhe rezistencës së tyre, synonin edhe të ngjallnin frikë në shtresat e caktuara që ishin të pakënaqura nga regjimi komunist.

Në vijim të këtij dossieri do të publikojmë për lexuesin e “Gazeta shqiptare” profilet biografike dhe akuzat e formuluara nga organet e diktaturës ndaj gjashtëdhjetë e një personave të arrestuar gjatë vitit 1948; dyzetë e nëntë shtetas shqiptarë, nëntë shtetas rusë ( rusë të bardhë), një shtetas gjerman, një austriak, një italian dhe një shtetas francez ( me origjinë shqiptare). Për këtë dossier përgjithësisht janë shfrytëzuar dokumente arkivore të Arkivit Qendror të Shtetit Shqiptar, përkatësisht Fondi 492 ( Prokuroria e Përgjithshme), vitet 1947 – 1948. Jemi përpjekur të ruajmë gjuhën e dokumentit arkivor, sidomos në pjesën e formulimit të akuzave, që duket qartë se një pjesë e tyre janë të fabrikuara nga Organet e Sigurimit të Shtetit, me qëllimin e vetëm për të shtuar masat e dënimit ndaj atyre që konsideroheshin kundërshtarë të regjimit komunist në Shqipëri.

II. Alfred Ashiku, Jani Temos, Jak Kodheli, Sehit Haruni dhe Kol Duli

Më 15 shkurt 1948, Drejtoria e Sigurimit të Shtetit i dërgon për kompetencë dhe veprim Prokurorisë së Përgjithshme një kopje të procesverbalit të të pandehurit Alfred Ashiku dhe një fletë akuzë të veprimtarisë së tij zhvilluar kundër pushtetit popullor.

Alfred Ashiku akuzohej se ka pasur lidhje të ngushtë me anglo – amerikanët, dhe në kohën kur u shtetëzuan farmacitë u prek dhe si i tillë u vu në shërbim të anglo – amerikanëve.

Ka patur lidhje me Thoma Stefanin, Smithin, Robinsonin, Votrouzin, Richadson, Palmer etj.

Kur është pyetur se si është njohur me të sipërpërmendurit, ka pohuar se rastet kanë qenë kur shkonte për t’u dëfrye në Dajt e gjetkë. Ndërsa, sipas të dhënave të strukturave të Sigurimit të Shtetit, ai frekuentonte Misionin Anglez dhe aty është njohur dhe ka formuar lidhjet me ata.

Alfred Ashiku nuk kishte folur në procesin e hetuesisë, duke preferuar më mirë vdekjen sesa të sqaronte pozitën e tij në të kaluarën dhe, si rrjedhim, procesi i tij ishte shumë i thatë.

Kishte bërë pjesë në Partinë Social – Demokratike dhe si i tillë kishte qenë i ngarkuar që të punonte së bashku me Dhori Xibinakun me të gjithë elementët e lëkundur.

Në lidhje me zgjedhjet elektorale të 2 dhjetorit 1945, ka thënë se këto shkuan në favor të Frontit nga çështja e presioneve dhe që mbas tyre qeveria do të merrte masa arrestimi për të gjithë ata që nuk do të votonin.

Ka patur lidhje me Maliq Bushatin dhe në kohën e okupacionit gjerman Alfredi ishte lejuar të mbante me vete revolver, mbasi kishte patur miqësi të madhe me disa autoritete të larta gjermane.

Rrethi i tij shoqëror ka qenë i përbërë nga kundërshtarë të regjimit komunist, si Mark Gurashi, Tika Texha, Lik Toptani, Rakip Strazimiri, Felatun Vila, Sara Blloshmi, Simon Pogu, Prof. Janko Hambicek, Suat Asllani, Haki Karapici, Agostin Bonati Dr. Irfan Pustina etj.

Alfredi ka patur lidhje me farmacistët që përbënin grupin kundërshtar që lidhej me organizatën e Grupit të Deputetëve.

Në grupin e Alfred Ashikut, sipas deklarimeve të njërit prej të implikuarve bënin pjesë edhe këta persona: Enver Sazani, Fadil Kotona, Pasholli, Tomini Noçka, Papadhopulli etj. Lidhjet me organizatën i mbanin nëpërmjet Enver Sazanit dhe Dr. Irfan Pustinës.

Në lidhje me këto akuza, i pandehuri Alfred Ashiku nuk kishte pranuar duke mbajtur një qëndrim të prerë mohues. Kjo kishte bërë që ai të evidentohej si person që e urrente pushtetin komunist, çka presupozonte masë dënimi më të ashpër ndaj tij.

Më 27 janar 1948, Drejtoria e Sigurimit të Shtetit do t’i dërgonte për kompetencë e veprim Prokurorisë së Përgjithshme procesverbalin e të pandehurit Jak Kodheli dhe të Jani Temos, si edhe fletë akuzat për aktivitetin e tyre kundërshtar ndaj pushtetit komunist.

1) Jani Temos ishte nga Tunis i Afrikës, me nënshtetësi franceze dhe me origjinë shqiptare: babën e kishte nga Korça dhe nënën nga Oçishti i Devollit.

2) Në maj 1940 kishte ardhur në Shqipëri për një vizitë miqësore pranë farefisit familjar Korçë e Oçisht, ku për shkak të fillimit të luftës midis Francës dhe Italisë dhe asaj Italo – Greke, kishte ndenjur gati 17 – 18 muaj.

3) Ka ikur nga Shqipëria në fundin e 1941- shit me ndërmjetësin e të kunatit të tij Ernest Jast, atashe i Konsullatës Zvicerane në Tunis, i cili i dërgoi formalitetet e nevojshme.

4) Pasi shkon në Tunis, në maj ose qershor 1944, inkuadrohet vull- netarisht në radhët e ushtrisë Angleze në Armatën e VIII- të dhe vjen në Itali.

5) Bashkë me Armatën ka shkuar deri në Italinë e Veriut dhe, kur Armata filloi të kthehej përsëri për në Italinë e Jugut, ilegalisht ka braktisur ushtrinë Angleze duke u nisur për të ardhur në Shqipëri.

6) Mënyra me të cilën kishte ardhur në Shqipëri konsiderohej nga Organet e Sigurimit tepër e dyshimtë: “Tue qenë ushtar i Armatës së VIII- të në Loreta, ka hipur në një tren që vinte nga Gjermania me të internuar, ku ishin dhe disa shqiptarë, me pretekstin se ishte mërzitur dhe për të bërë një vizitë ( mbas vizitës së sipërme prej 18 muajsh). Gjatë rrugës, megjithëse mbante devizën e ushtarit anglez, mundi të kalojë dhe erdhi deri në Bari pa u kapur”.

7) Kur mbërriti në Bari, bashkë me katër shqiptarë u paraqit në Misionin Shqiptar atje, por nuk kallëzoi identitetin e tij të vërtetë, por u paraqit si i internuar me të tjerët, nga frika se mos e dorëzonin tek anglezët.

8) Mbas më se një muaji që ka qëndruar pranë Misionit Shqiptar në Bari, më 6 ose 8 gusht 1945 erdhi në Shqipëri me aeroplan, duke zbritur në Tiranë.

9) Këtu pajiset me leje- qëndrimi dhe shkon në Korçë pranë farefisit. Rri pak kohë pranë tyre dhe pastaj fillon të punojë kamarier; më parë me disa privatë në Korçë, pastaj në klubet sindikale punëtore në Korçë dhe në Durrës dhe më pas hyn në UNRA, tek anglezët, nga të cilët kishte ikur në Itali, kur ishte ushtar.

10) Në UNRA i kërkon punë drejtoreshës së personelit Mis Neelyt, e cila, pasi e pyeti kush ishte etj., e mori menjëherë në punë dhe në fund, kur u largua me dëshirën e tij për të shkuar në Tunis, i dha dhe fletë lavdërimin për shërbimin që kishte bërë sa kohë që punoi me ta.

11) Në hetuesi, Jani Temos nuk kishte pranuar të kallëzojë pyetjet që i bëheshin nga oficerët e sigurimit dhe kishte mohuar akuzat që formuloheshin prej tyre për qëllimin e largimit të tij nga anglezët ( në Itali), mbi qëllimin për të cilin kishte ardhur në Shqipëri, për lidhjet e tij si informator me UNRA- n etj.

Filed Under: Histori Tagged With: Agustin Mirakaj, dhe Jak Kodhelit, e Alfred Ashikut, Sigurimi: Veprimtaria agjenturore

Lista e zezë dhe rubrika, qytetari dixhital denoncon!

July 15, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1) Për herë të parë denoncimin si akt qytetar, e ndesha këtu ku jetoj sot. Në Amerikë. Një mëngjesi herët. Nxitoja për në punë…, fqinja ime si zakonisht në atë orë nxjerr shëtitje qenin. Ajo është në pension, por punon me kohë të pjesshme, ose privatisht, kryesisht mbrëmjeve. Si fizoterapiste që është, ruan akoma një numër klientësh të kufizuar dhe u bën masazh. Përpara se t’i përgjigjej mirëmëngjesit tim, më kërkoi llogari duke më kujtuar me pyetje se, unë me patjetër që kisha gjetur një njëri që të kujdesej për tim bir. Nuk e lija vetëm në shtëpi? Po ta lija, veproja kundër ligjit. Dhe ajo, jo që nuk përtoi të ma kujtonte, por shtoi se do të merrte në telefon, pasi rreth e qark nesh ka edhe një liqen. Dhe nuk ia mbante zemra të dëgjonte ndonjë gjëm mbytje.

Mbeta si i shushatur. Pasi e kisha ndihmuar disa here. I nxirrja koshat e plehrave. I kisha pastruar makinën. Rregulluar ndonjë bravë dere. Im bir e donte gjithashtu. Lozovitej me qenin e saj. Rrokulliseshin barit. Ndërkohë që ne bisedonim. Ime shoqe e respektonte gjithashtu. Flisnin. U kujtova se një here i kisha folur për koston e lartë të çerdheve a kopshteve. Ajo më ishte përgjigjur se, kjo është Amerika. Nëse nuk të mjafton një punë, bën dy a tri. Ndërsa unë prisja pak mëshirë. Nuk e di pse e dëshiroja një lloj qaravitje timen. Dhe një mëshirë prej tjetrit. Punë mentaliteti, a punë kurbetlliu. Akoma nuk i kam dhënë përgjigje.? Por mbeta si i pa gojë. Dhe nxitova. Im bir flinte. Ashtu e lija gjithmonë. Fjetur. Ose ashtu e linim. Megjithëse kishte pasur raste që edhe ai të ishte pjesë e turneve tona. E shkëmbenim diku në rrugë. Ia dorëzonim shoqi-shoqit. Nga ana tjetër mora time shoqe në telefon. Ajo kthehej nga turni i natës. Ishte duke ardhur. Pra nuk qe hera e pare që vepronim kështu. Ajo vinte e unë ikja. Takimi bëhej në telefon. Kurse djalin e linim në gjumë. Kujdeseshim me turne. Jetonim me turne. Punonim me turne.

2) Mirëpo fqinja, fqinjët, si qytetarë në vendin e tyre, atë punë kishin. Një e më dy telefonin. Qoftë edhe për një ngritje zëri të televizorit. A një grindje familjare. Mbaj mend që erdhi policia vringthi kur ca shtëpi më poshtë një nënë i grishej së bijës. Vendi ra qetësi. Edhe mua më erdhën vringthi pse po tentoja të mbidhja ca lule tek porta. Më kujtuan kontratën, rregullin, nuk mund të bëja asgjë më shume se çfarë ishte aty në bazë të projektuesve. Ndaj dhe paguaja kuotën mujore për çfarë kisha përreth. Po ku dija unë nga këto… shikoja qiellin dhe thosha nga e morën vesh këta.?! Përqark qe zbrazëtirë dhe këmbë njeriu se çapitej. Unë vija nga ajo botë, kur dikush në oborrin e tij bën çfarë i do kokrra e qejfit. Dhe aq i plas për fqinjin. Madje si e si ta shtrydhi tjetrin nervash. Si ta bëj që ta vdesi nga marazi. Vija nga ajo botë ku fqinji ta zbras kamionin e zhavorit tek dera e shtëpisë. Dhe nëse i thua gjë, të tregon çiften me dy gryka. Nga ajo botë, ku gjithçka hidhej në rrugë, në daç ato të bahçes, në daç plehrat e brendshme, ujrat e lavamanit, të halesë etj. Gjithçka i ha rruga. Rruga shtrydhet, shtypet, ngjeshet, dredhohet, kthesohet, kurbëzohet, bllokohet. Rruga e shkretë, edhe pse e gjora ajo… atje në krye, ka një tabelë me emrin e një të shquari. Rruga i ha të gjitha. Kurse ti mender mutin t’i hash atij tjetrit. Fol po ta mbajti. Pra për kësisoj problemesh, se për të tjerat. Se me kë e lë ti fëmijën, ligjin. Probleme sociale që ia shpall koha njeriut të saj… as që duan t’ia dine. Ose po denoncove. Të quajnë spiun.

3) Aktualisht kjo po ndodh në Shqipëri. Aq sa sot një shoqëri e tërë është brenda një kolapsi social dhe e ka të vështirë të bëj dallimin midis aktit qytetar dhe spiunllëkut. Ose e ka pasur prej kohësh të vështirë. Për rrjedhoj shqiptarët presin gjithçka nga shteti. Ndërkohë që shtetarët luftojnë ashpër njëri-tjetrin. Me të njëjtat mjete, me të njëjtat strategji. Gjithçka duhet ta bëj shteti. Kjo është mendësia jonë. Madje jemi gati ta mallkojmë vetveten. Se pse ky shtet nuk na jep dhuntinë që të reagojmë si qytetarë. Ashtu siç bën bota. Të denoncojmë. Por në vend të këtij akti qytetar, mallkojmë vetveten. Sa të pafat që jemi?! Na u ngjit kjo sëmundja e spiunit dhe s’ka karantinë trajtimi ta mposhti. Nuk ndodh kështu në Gjermani përshembull. Në Zvicër. Në Francë…., se në Amerikë jo.

4) Unë nuk e di se sa seriozisht e ka Rama me këtë rubrikën e qytetarit që denoncon. Dhe që i fton të qeverisin kështu. Dhe këtë mund të na i provojnë vet shqiptarët në një të afërme, javësh, a muajsh. Por kaq gjë ua them me bindje se, të denoncosh, është akt qytetar, jo spiunllëk. Unë nuk e di pra se sa seriozisht e ka Rama. Me listat. Këtë që shumë kanë filluar ta quajnë si listë e zezë. Dhe që dikush tjetër e krahason me listat e Shindlerit. Janë shembuj të pa krahasueshëm. Pasi listat e Shindlerit, i përkasin sakrifices, sublimes, shpëtimit të jetëve nga një njeri. Kundrejt pambarimsisë së listave të shfarosjes së hebrejve në Poloninë e viteve të Hitlerit. Kohë lufte. Luftë midis shteteve. Dhe është tjetër lufta brenda gjakut. Dhe nuk e kuptoj përse shumë nga ata që gjejnë emrat aty ndihen të fyer. Flasin për persekucion publik. Luftë breznish, shkollash etj. Dy janë shkollat në Shqipëri… komunizmi revolucionar. Dhe e patriotizmi me metodat komuniste. Dhe një është mendësia administrative tek ne. Gjej një vend pune për të rjepur të tjerët. Jo për të shërbyer. Dhe po një është mendësia intelektuale. Nxë, a studio, a mëso…, për t’u mburrur, për t’u dukur, për të sunduar. Dhe jo për t’i sherbyer popullit tend. E tërë jeta jonë është lufta e klasave që shqiptarët nuk duan të përfundoj asnjëherë.

Unë nuk e di pra, se, sa seriozisht e ka, por di që Rama tallej me denoncimet, përshembull të shqiptarëve. Të cilët nga halli që nuk ua shikon, nuk ua beson kush statutet në fb. I dërgojnë ato tek rubrika qytetari dixhital denoncon, e Sali Berishës. Por di të them se, si Rama, si Sali Berisha…, janë dy ideatorët e denoncimit dixhital. Dhe gjykoj se nuk e kanë për të mirën e shqiptarëve. Dy burra shteti që ecin në gjurmët e njëri-tjetrit, nuk ka si mendojnë për qytetarët. Njëri e quan shantazh, njëri spiunllëk. Të dy të njëjtin avaz. Me të njëjtën strategji. Deri sot shqiptarët njohin vetëm një arritje, nga kjo. Nxjerrjen e syve njëri-tjetrit. Pasi askush nuk është dënuar nga denoncimet e njëshave. Veçse kanë plotësuar para kohe planet, a normën e organeve të akuzës. Me dosje, me letra, që pluhur janë bërë. Askush. Veç votave sa në një krah në tjetrin, sa për Berishën, sa për Ramën. Dhe jo për veten tuaj.

Eshtë koha të denonconi nga muret tuaj, jo nga fb i Ramës a Berishës. Pasi vendi vërtet ka nevojë për qytetarë.

Filed Under: Analiza Tagged With: dixhital denoncon!, Ilir Levonja, Lista e zezë dhe rubrika, qytetari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 54
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT