• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2017

Hahn: “Një miliardë euro për Ballkanin Perëndimor”

July 12, 2017 by dgreca

Qëllimi i investimeve në Ballkan është ndërlidhja më e mirë e përgatitja e këtyre vendeve për anëtarësim në BE, pohon në intervistë ekskluzive për DW-n, komisioneri Johannes Hahn. Ai flet edhe për projekte konkrete.1 HahnNga Adelheid Feilcke/

Deutsche Welle: Zoti Hahn, a ka impulse të reja dhe pritje pozitive për samitin në Trieste? Muajt e fundit në raportet mes Ballkanit Perëndimor dhe BE ka pasur vështirësi të shumta.

Johannes Hahn: Unë mendoj se samiti në Trieste është përgatitur në mënyrë të mrekullueshme nga nikoqirët italianë. Ne jemi përpjekur që në këtë samit të kemi sa më shumë rezultate konkrete. Për shembull, kemi përgatitur për nënshkrim një marrëveshje për transportin. Kjo do të thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndërlidhen me ligjet  e BE – që forcon edhe raportet ekonomike dhe i jep impulse të reja rajonit. Ne do të miratojmë një radhë projektesh në fushën e transportit, respektivisht energjisë, në vlerë prej rreth 200 milionë euro, që në fund mund të rezultojnë me investime në vlerë prej rreth 540 milionë eurosh. Këtu është shumë me rëndësi që të krijohet edhe baza për rritjen ekonomike në rajon dhe për një tregti ndër-rajonale, ku ka shumë potencial. Ne mendojmë se në vitet e ardhshme në këtë rajon do të hapen rreth 80.000 vende të reja pune.

Këto janë lajme të mira, po ku ka më së shumti pengesa?

Po, si gjithmonë në rajon, më së shumti ka probleme me afatet kohore për zbatim. Ka shumë premtime, shumë pëlqime, por zbatimi i marrëveshjeve është më i ngadalshëm. Këtu kërkohet më shumë angazhim. Por kjo është gjendja në rajon dhe me këtë jemi mësuar. Tek e fundit, qëllimi është që 20 milionë banorëve të atjeshëm t’u hapet një perspektivë, të sigurohet stabiliteti, dhe nëse doni – të garantohet paqa në rajon.

Stabilitet, siguri, prosperitet ekonomik – të gjitha këto i përmendët, por jo edhe demokracinë. Shumë shpesh thuhet se me projektet e BE-së po forcohen tepër strukturat autokratike në rajon. Cilat janë argumentet tuaja kundër këtyre pohimeve?

Kur flas për stabilitetin, natyrisht që kjo nënkupton edhe forcimin e demokracisë. Nëse njerëzit nuk mund të shprehin mendimin e tyre të lirë, nëse nuk janë të lirë në veprim, atëherë nuk mund t’i gëzojnë këto vlera, të cilat Evropën e bëjnë kaq unike. Ky është edhe shkaku pse Evropa është kaq atraktive edhe për vendet e Ballkanit, të cilat duan që një ditë të anëtarësohen në BE. Zhvillimi ekonomik është i mundur vetëm nëse funksionon shteti juridik. Kjo sepse askush nuk do të investojë para në rajon, as investitorët e rajonit as ata nga vendet e BE, nëse p.sh. nuk funksionojnë si duhet organet juridike.

Në samitin e sotëm do të prezantohen projekte konkrete. Cilat?

Ne kemi përgatitur konkretisht gjashtë projekte për trafikun, si në fushën e rrugëve ashtu edhe hekurudhave. Projekti hekurudhor i njohur si “Korridor 8”, që ndërlidh Lindjen me Perëndimin, nga Bullgaria deri në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Më pas ajo mund të vazhdojë edhe për Shqipëri. Ne kemi parasysh edhe rrugët ujore mes Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë. Këtu bëhet fjalë në radhë të parë për ndërtimin e porteve. Të gjitha këto janë të rëndësishme. Apo dhe projekte të ndryshme për ndërtimin e rrugëve, si për shembull mes Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë. Këto janë investime vendimtare, por që duhet të realizohen. Në fushën e transportit do të japim në dispozicion rreth 145 milionë euro, që mund të shkaktojnë investime të përgjithshme deri në 450 milionë euro. Një projekt tjetër në fushën e energjisë është “Interconnector”, një linjë e përçimit të gazit mes Serbisë dhe Bullgarisë. Një investim prej rreth 50 milionë eurosh.

Zhvillimi ekonomik, marrëveshjet për transport – të gjitha këto tingëllojnë gati si anakronike nëse shikojmë konfliktet e hapura në raportet mes vendeve të këtij rajoni. Si do t’i zgjidhni këto probleme të mëdha?

Ky është në fakt edhe sharmi i këtij procesi, sepse ne themi: ne duam t’i bashkojmë të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku, pavarësisht nga niveli që kanë arritur në procesin e anëtarësimit të ardhshëm në BE. Ne konkretisht jemi duke zhvilluar negociata me Serbinë dhe Malin e Zi, me të tjerat jemi shumë larg. Por me përpjekjet tona që këto vende, të cilat janë të rrethuara nga anëtaret e BE-së, t’i fusim në infrastrukturën e BE-së në transport dhe në energji, krijohet një bazë për futjen e tyre në struktura të BE-së. Në këtë mënyrë krijohet edhe baza për zgjidhjen e njërit apo tjetrit konflikt, apo të paktën që të zhvillojmë një perspektivë, e cila mund të funksionojë në të ardhmen.

Cilët janë hapat që duhen ndërmarrë pas samitit?

Marrëveshjet duhet të zbatohen. Unë këtë vit kam marrë pjesë në fillimin e dy projekteve për ura, në Bosnje Hercegovinë dhe Kroaci, por edhe në Serbi. Edhe në sektorin e energjisë kemi financuar disa projekte, që duhet të ndërlidhin Malin e Zi me Italinë por edhe Malin e Zi – përmes vendeve të Ballkanit – me Rumaninë. Këtu në Trieste do të ndodh diçka shumë konkrete: bëhet fjalë për ndihmën e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Në kuadër të samitit do të nënshkruhet një marrëveshje për ndarjen e një buxheti prej 48 milionë eurosh, që mund t’u ndahen si kredi rreth 6000 sipërmarrjeve. Pra kemi të bëjmë me projekte shumë konkrete që duhet të ndihmojnë zhvillimin ekonomik. Ne me siguri që do të përgatisim projekte konkrete edhe për samitin e ardhshëm. Sepse deri në fund të kësaj dekade duam të ndajmë rreth një miliardë euro, për të arritur diçka në këtë rajon…

…që këto vende të futen në BE?

…që këto vende të përgatiten për një kalim sa më të lehtë deri në BE.

Johannes Hahn është prej vitit 2014 komisioner i BE për Politikë Fqinjësore dhe Negociata për Zgjerimin.

 

Intervistën zhvilloi Adelheid Feilcke

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ballkanin Perëndimor, Hahn: "Një miliardë euro për

Deklaratat e pamatura politike po dëmtojnë marrëveshjet për koalicione

July 12, 2017 by dgreca

3 kandidatetFormimi i Qeverisë së re të Kosovës mund të hyjë në një fazë krize nëse partitë politike nuk ulen në negociata për formimin e koalicionit dhe formulës së ardhshme qeverisëse. Kështu parashikojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, sipas të cilëve, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, tani u mbetet partive politike që të mendojnë në formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Analistët konsiderojnë se partitë politike duhet t’i lënë anash inatet politike dhe sa më parë të shënojnë përparime në negociata.

Aktualisht, nisma për formimin e Qeverisë së re i takon kandidatit të koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, Ramush Haradinaj.

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, i tha Radios Evropa e Lirë se deklaratat e liderëve të partive politike, që në fillim kanë nisur ta komplikojnë procesin e krijimit të institucioneve.

“Bazuar në vet rezultatet dhe në deklaratat e subjekteve politike, për të kundërshtuar pjesëmarrjen në një Qeveri ku është edhe PDK-ja, duket se e bëjnë të komplikuar procesin në krijimin e Qeverisë, dhe si të them, shtrirjen e një Qeverie me një bazë të gjerë të spektrit politik”, tha Kryeziu.

Sidoqoftë, ai citon edhe kandidatin e koalicion PAN, i cili vazhdon të besojë se do ta formojë Qeverinë e re.

“Tani kandidati nga PAN-i, zoti Haradinaj, në deklarimet e tij publike ka bërë të ditur se veç i ka numrat e mjaftueshëm për krijimin e Qeverisë“, tha ai.

I nominuari për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj ka përmendur si mundësi lidhjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën, por këto tri parti nuk e kanë konfirmuar këtë aleancë paszgjedhore, dhe kanë refuzuar të jenë pjesë e takimit të ftuar nga zoti Haradinaj, të martën më 11 korrik.

Ndërkohë, analisti Ismail Hasani, konsideron se partitë politike fituese të zgjedhjeve të fundit, po i komplikojnë vetë gjërat dhe çështjet që ndërlidhen me ndërtimin e institucioneve. Ai thotë se Ramush Haradinaj me deklaratat e tij se ka numrin e votave, e që siç thotë ai, nuk i ka, ka vështirësuar nisjen e mbarë të takimeve dhe arritjen e marrëveshjeve.

“Është një problem ekstra i cili vështirëson edhe komunikimin sa u takon përpjekjeve të mandatarit për të kontaktuar, qoftë në mënyrë formale qoftë joformale, grupe të ndryshme politike“, tha Hasani.

Ai parashikon vështirësi në krijimin e koalicioneve paszgjedhore, pasi që sipas tij, tash për tash nuk po shihen rrethana që shpejt mund të ketë ndonjë marrëveshje.

“Drita nuk shihet në fund të tunelit, sa i përket përpjekjes së parë të nominuarit [nga koalicioni PAN] për të formuar Qeverinë. Diskrecioni i Presidenti mbetet për t’u parë, në çka dyshoj, dhe ka një barrikadim, do të thosha”, tha Hasani.

Nga ana tjetër, Ismet Kryeziu konsideron se pavarësisht deklaratave refuzuese të partive politike se tash për tash nuk duan të bashkëpunojnë, në fund, ato mund të lëvizin nga qëndrimet fillestare dhe të arrijnë deri te marrëveshja.

“Marr parasysh deklaratat e partive politike, ne kemi përvoja të ndryshme. Kemi raste kur këto deklarata janë shuar dhe vendimet kanë ndryshuar. Kështu që ende nuk kemi një zhvillim të negociatave të subjekteve politike, por kemi vetëm deklarimeve publike, të cilat duke u bazuar në përvojat e kaluara, nuk do të qëndrojnë të tilla deri në fund“, tha Kryeziu.

Analistët thonë se negociatat që do të zhvillohen ditëve dhe javëve në vijim, mund të sjellin formula nga më të ndryshme për formimin e Qeverisë. Kurse, përfaqësuesit ndërkombëtar në Kosovë u kanë bërë thirrje partive politike që të mos vonojnë në krijimin e institucioneve të reja dhe të formojë një Qeveri pro-evropiane dhe të qëndrueshme.(Kortezi:Anton Konushevci-RFL)

Filed Under: Analiza Tagged With: deklaratat e pamatura, Koalicionet e Kosoves

SËMUNDJET MORALE

July 12, 2017 by dgreca

4 Bahri Omari

NGA BAHRI OMARI/ Dielli-20 korrik 1916 *

Mjerisht një sëmundje epidemike po shumohet midis shqiptarëve: sëmundje e politikës. Çdo shqiptar të thuash se sheh njëfarë autoriteti në vethen e tij të bisedojë nga çdo pikëpamje mbi politikën e përgjithëshme ose më shumë të vendit të tij. Dhe shumë nga ne e dënojmë, e bëjmë tradhëtor, e çnderojmë ose e lartësojmë një njeri duke bazuar gjykimin tonë mi ca fjalë të thata likshtëdëgjuar andej-këtej, pa patur as të pakën e së pakës nonjë njohuri për biografin e atij njeriu që dënohet ose çnderohet. Tjatri, sikur ka marrë diplomë nga universiteti i Londrës, të hedh broçkulla; dhe në daç t’i mbushësh mëndjen, atë çast të mori nëpër këmbë dhe të gjeti të paditur. Më e madhja çudi është kur përdorin këto fjalët e ra, pa i kuptuar dhe i pëlcasin sheshit. Një sëmundje karakteristike e vëndeve tona, e cila bren gjëndjen sociale të një kombi. S’mund të gjesh një të tillë mani në kombet e qytetëruara. Më të shumët e këndonjësve tanë kanë jetuar shumë kohë në Amerikë, dhe do t’ua ketë hequr vërejtjen dhe do ta kenë parë se sa nuk u përket amerikanëve politika; doemos atyre që janë jashtë politikës, dhe jo atyre q’e kanë për detyrë. Po trashëgojmë një sëmundje greke, se më shumë në grekër është përhapur kjo sëmundje. Kjo sëmundje ndalon njerinë të përparonjë në punën e tij dhe e bën nevralgjik. Kjo sëmundje të bën të fëlliqësh gojën dhe të prishësh moralin. Mos të imitojmë turqit dhe grekërit. Të bëhemi seriozë.
Padija ndahet më dy: Një është ay që s’di dhe e tregon padijën, tjatri është ay që s’di dhe s’ia ka për pesë. Në këtë sërën e dytë hyjnë dhe ata që kanë marrë një mësim superficiel (d. m. th. si e shkruara mbi akull). Nga kjo radhë janë më shumë ata të mjerë politikanë të cilët janë gati të të shesën nga çdo degë shkënce dhe diturie, apo s’u vjen rëndë të të tregojnë mësimet e larta prej universiteteve! të dyshimta. Oh! sa mjerim i math për ne të gjorët që s’dimë se sa na vlen lëkura! Mori botën më qafë gjithënjë çarlatanizma, e cila humbet idealin dhe mendimin qëndrestar, që është faktori m’i math në përparimin e përgjithëshmë të njerëzisë, se i vjen mbarë sicilit të shesë pa blerë, që të marrë famë. Shumë një mikrob i lik!
Si këto, dhe egoizma zë një vënt të math midis moraleve tona të prishura; pothua u bë zakon, pa dëgjuar ndopak zënë ndërgjegjësor, t’i mohojmë vlerën tjatrit, kurse vetja jonë është për të qarë hallë; tallen të verbërit me atë me një sy. Si e si ta biem fjalën mi një pikë që ai tjatri nuk e di, dhe atëherë shkrijmë tërë diturinë tonë të paqënë; dhe ç’nuk thomi, se kështu e dimë që nuk na e gjejnë dot kleçkën. Lipset të jemi seriozë me zëmër dhe jo me fjalë, të mbajmë cilësitë e prindërve dhe të hedhëm ato të ndyrat, të cilat na kanë ardhur jashtazi nga kombet që kanë shkelur Shqipërinë. Ta ndreqim Qeverinë Shqiptare me themel të pa tundur, se moral i prishur kalbëzon rrënjat e qeverisë dhe nuk e lë të vepëronjë lirisht, e pengon dhe më në funt e rrukullis nga maj’ e shkëmbit. Cilësit e liga qenë që dërrmuan Qeverinë Romane dhe ra në duart e Barbarëve.
Bahri Omari ka sherbyer 6 vjet Editor i Gazetes “DIELLI”, u pushkatua nga Enver Hoxha, si antikomunist.

Filed Under: Histori Tagged With: Bahri Omari, Semundjet morale

KOSOVË-MIRËSEARDHJE DIASPORËS

July 12, 2017 by dgreca

-Me moton “Ti je pjesë e atdheut” hapet panairi tradicional/

1 ok Valon murati

-Punimet dhe prodhimet e tyre i prezantojnë 55 shoqata të grave nga Kosova dhe Shqipëria/

1 Ok Panairi

-Sofra tradicionale, me rapsodë të folklorit/

PRISHTINË, 12 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Organizuar nga Ministria  e Diasporës, sot në Prishtinë, në sheshin “Zahir Pajaziti”, u hap panairi me veshje kombëtare,  punime dore e ushqime tradicionale, me moton “Ti je pjesë e atdheut”. Në këtë panair, punimet dhe prodhimet e tyre i prezantojnë 55 shoqata të grave nga Kosova dhe Shqipëria.

Përmes këtij panairi, që karakterizohet për veshje kombëtare, punime dore e ushqime tradicionale,  bashkatdhetarëve do t’u prezantohet tradita shqiptare.

Hapjen e panairit e bëri ministri i Diasporës në qeverinë e Kosovës, Valon Murati, i cili tha se tashmë ky  aktivitet nga viti në vit po bëhet tradicional.

“Ky panair është pjesë e aktiviteteve tona  të mirëseardhjes për bashkatdhetarët, të cilët vijnë për pushime në atdhe. Me gjithë sfidat, bashkatdhetarët tanë janë të prirë që gjërat tradicionale, qoftë veshjet, ushqimet e shenjat kombëtare t’i kultivojnë,  ta ruajnë identitetin kombëtar e kulturor, por edhe ta promovojnë këtë kulturë e identitet edhe ne vendet ku jetojnë”, theksoi ministri Murati.

Panairi do të qëndrojë i hapur nga dita e sotme deri në 15 korrik.

Në kuadër të këtij panairi, më 14 korrik  do të zhvillohet edhe një aktivitet tjetër – sofra tradicionale, me rapsodë të folklorit./b.j/

Filed Under: Mergata Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Ministri Murati, Mireseardhje Diaspore

Korpusi i paqes në Tiranë dhe të rinj shqiptarë pastrojnë Parkun e Liqenit

July 12, 2017 by dgreca

1 ok Korpusi ne TiraneMë shumë se 170 vullnetarë të huaj e shqiptarë, pjesë e Korpusit të Paqes, që vepron në vendin tonë, u angazhuan sot, që në orët e para të mëngjesit, në një mision vullnetar për pastrimin e Parkut të Liqenit.Pjesë e këtij aksioni u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtoresha e Korpusit të Paqes për Shqipërinë, Zonja Kate Becker, të cilët ndihmuan në pastrimin e parkut nga mbetjet dhe barërat e këqija, që përbëjnë rrezik për zjarre në këtë periudhë të nxehtë.

1 Korpusi

Kryetari i bashkisë falenderoi të gjithë ata qytetarë të përgjegjshëm për kontributin e tyre dhe theksoi se, një qytet, pamvarësisht mundësive që ka për menaxhimin e punëve publike, ka gjithmonë nevojë për akte të tilla vullnetarizmi.Veliaj theksoi se veprimtaria që kryen Korpusi i Paqes në vendin tone, si dhe aksione të tilla shërbejnë për ndërgjegjësimin e sa më shumë qytetarëve të tjerë që të bëhen pjesë e vullnetarizmit.“I ftoj qytetarët e Tiranës të bëjnë më shumë punë vullnetare. Ndonjëherë ndihem pak keq kur ka më shumë të huaj që bëjnë punë vullnetare se, sa ne shqiptarët.

Për herë të parë pashë që vullnetarëve amerikanë, iu ishin bashkuar edhe shumë të rinj të qytetit të Tiranës, për të kuptuar që vullnetarizmi nuk është një çështje e mirëqenies ekonomike, por është një çështje e gjendjes tënde shpirtërore, e gjendjes tënde mendore, si qytetar i mirë.

Ndaj, më vjen mirë që për herë të parë pas kaq vitesh shikojmë një balancë midis vullnetarëve që janë të huaj, amerikanë dhe vullnetarëve tanë shqiptarë”, theksoi Veliaj. Ai gjithashtu bëri të ditur se, së bashku edhe me Korpusin e Paqes, por edhe me shumë grupe të tjera vullnetarësh që veprojnë tashmë në Tiranë, do të ndërmerren shumë fushata që i vijnë në ndihmë të pamundurve, por edhe që ndihmojnë për ta bërë një qytet më të mirë.

“Aksioni i sotëm ishte për të pastruar parkun nga shumë prej barishteve, ferrave dhe materialeve që marrin zjarr shpejt, që janë rrezik në këtë kohë, për të shpëtuar shumë nga pemët nga thatësira.

Por stina do të ndryshojë, kështu që kur të afrojë stina e vjeshtës dhe e dimrit, që është koha perfekte për të mbjellë pemët, do të donim që të bënim organizime të tilla për fushata të mbjelljes.

Duam që këtë vit të mbjellim 50 mijë pemë të reja, jo vetëm në Parkun e Tiranës, por edhe në Parkun e Farkës dhe të Kasharit dhe do të gjejmë një mënyrë se si duke inkurajuar vullnetarizmin edhe me Korpusin e Paqes, por edhe me shumë prej vullnetarëve shqiptarë që fatmirësisht janë shtuar, të kemi mundësi që të kemi një stinë fantastike mbjellje dhe t’i afrohemi projektit tonë të pyllit orbital, që deri në vitin 2030 të kemi mbjellë 2 milionë pemë në total”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Duke e cilësuar të mrekullueshme punën e bërë nga vullnetarët për pastrimin e parkut të Liqenit, Drejtoresha e Korpusit të Paqes, Kate Becker vlerësoi angazhimin dhe seriozitetin e treguar nga të rinjtë shqiptarë dhe amerikanë.

“Dua të falenderoj qytetin për një punë të mrekullueshme. Ne mblodhëm mbeturina rreth e përqark pemëve, morëm mbështetje dhe punuam si ekip, duke organizuar projektin me rreth 70 vullnetarë shqiptare dhe rreth 100 amerikanë. Ishte një ditë e mrekullueshme dhe vlerësoj çdo gjë”, theksoi Becker. {Sh.K}.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Korpusi i paqes, pastrojne Parkun, Shefqet Kercelli, TË RINJTË SHQIPTARË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 54
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT