








Haki Çollaku, Dritan Matraku, Bujar Gjoka ishin zgjuar herët për ta rezervuar vendin dhe për ta zbukuruar mjedisin me flamujt Kuq e Zi dhe atë amerikan, stendin me logon e shoqatës, pankartën e 15 Vjetorit te shoqatës. Ajo pjesë e parkut kishte marrë një pamje të natyrës shqiptare, ishte krijuar një atmosferë shqiptare. Nga qendra e zërit jehonte kënga dhe vallja shqiptare. Filluan të vinin një nga një dhe në grupe familjet shqiptare, përgatisnin tavolinat dhe grillat (sgarat ) përreth duke përhapur erën dhe shijen e ushqimeve shqiptare. Është kjo një veprimtari shlodhëse, në një mjedis të hapur, nën hijen e pemëve bashkatdhetarët po bisedonin me njëri – tjetrin, po shijoni ushqimet e njëri – tjetrit. Kishte edhe bashkatdhetarë që po merrnin pjesë për herë të parë në piknikun tonë dhe aty po takonin njerëz që nuk i kishin parë me vite të tëra, disa edhe që nga vitet e largëta shkollore. Është kjo një veprimtari familjare për të gjtha brezat, secili gjen diçka për vete, edhe të rriturit edhe të vegjlit dhe secili kënaqet në mënyrën e vet. Kur merr pjesë në veprimtaritë e shoqatës apo të bashkësisë sonë, gjithmonë takon ndonjë mik të vjetër, e gjen një mik të ri dhe dëgjon e sheh diçka të re.
Pjesë e piknikut tonë janë edhe garat, lojërat popullore e sportive: tërheqja e litarit, vrapimi me këmbë në thes, vrapimi me vezë në lugë e luga në gojë. Në tërheqjen e litarit i provuan forcat të gjithë; burrat, gratë e vajzat e reja, si dhe fëmijët. Pati mjaft tifozëri dhe inkurajim, nxitje për ekipet përkatëse. Gjithashtu u zhvilua edhe një turnir i vogël shahu. Në këtë garë u angazhuan 16 veta, nga të cilët katër shkuan në finale, ndërsa fitues doli zoti Eqerem Murataj. Vlashi Fili, Bashkim Bërdufi dhe Bujar Gjoka u kujdesën që këto gara të zhvilloheshin sa më mirë, më korrekt e me rregull. Fituesi nderohej me një “trofe” – një shalqi. Dhe nuk ka më mirë se në një ditë vere të hash shalqi nën hije të pemëve. Dikush lozte futboll, dikush volejboll, ndërsa një pjesë shetisnin buzë lumit. Ishte një ditë e bukur e me diell, jo aq e nxehtë dhe lagështia e ajrit e ulët. Ditë tamam për një piknik të këndshëm.
Është traditë në shkollën tonë që çdo të diel të fundit të çdo muaji i festojmë ditëlindjet e të gjithë atyre nxënësve që e kanë ditëlindjen në muajin përkatës. Meqenëse e diela e piknikut ishte edhe e diela e fundit e qershorit, atëherë e shfrytëzuam rastin që këto ditëlindje t’i festonim gjatë piknikut, sepse siç u përmend më lart, shkollën e kishim mbyllur një javë më parë. Ishin disa nxënës që kishin ditëlindjet në qershor (Drini Hamza, Ema Rama, Klea Hasa, Klajdi Qinami) dhe për ta ishin përgatitur keku dhe dhuratat. Të gjithë kënduan këngën e rastit: “Shumë urime për ju”, shqip dhe anglisht.
Kjo veprimtari e ngrohtë familjare dhe mjaft shlodhëse vazhdoi gjer në orët e vona të pasditës. Të gjithë u larguan me përshtypjet më të mira për piknikun dhe përgëzuan Këshillin Drejtues të shoqatës për organizimin e mirë dhe punën me plot përkushtim, jo vetëm për piknikun, por për veprimtarinë e gjithëmbarshme të shoqatës.





