• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2017

Lufta Brenda llojit , Simptomë e Inteligjences Negative

July 4, 2017 by dgreca

1 Alfons-Grishaj

Nga Alfons Grishaj/

Çdonjeri ka në vetvete egon dhe superegon…  Sipas Frojdit, superego zë një vend më të madh në trurin e njeriut. Ajo kultivon tek njeriu gamën e sjelljes dhe veprimeve në mënyrë direkte dhe indirekte. Mekanizmi i Mbrojtjes Neurozë vjen si pasojë e egos…Tek disa Politikanë dhe udhëheqës organizatash , kjo është dhe dukuria e sjelljes së egër dhe konfuze. Përkufizimi i shkarjes logjike intelektuale ka në themel Inteligjencën Negative, dukuri kjo,  e diktatorëve si Enver Hoxha, Hitleri, Stalini etj…

Po politikanët tanë, a mund ta kenë Inteligjencën Negative?! Sipas sjelljes dhe shkapërcimeve ka një përputhje dramatike. Për këtë, shembulli i fundit në kampin e demokratëve ka hequr çdo pikë dyshimi… Inteligjenca Negative është e pranishme sa në kampin e Socialistëve, aq dhe në kampin e Demokratëve. Kjo dallohet përmes figurave të veçuara që nuk e kanë për asgjë të shkrumbojnë çdo gjë të arritur, mjafton të kënaqin egoizmin e tyre të sëmurë. Ata i japin gjithnjë të drejtë vetes (e kam theksuar dhe më parë), kolegut apo kundërshtarit, asnjëherë! Sigurisht, këto karaktere nuk janë të nivelit të Stalinit apo Enverit, por kanë të njëjtën  sëmundje. Partia Demokratike Shqiptare, humbi të paktën 15 deputetë prej kësaj psikoze. Arsyeja e dytë është se, PD nuk pati plan A dhe B, para se të shkonin tek kutitë e votimit…! Masa e demokratëve ka kohë që është shkëputur prej lidershipit … dhe, demokratët, o abstenojnë, ose hedhin turra – jazë herë tek LSI e herë tek PS…! Këtu nuk është faji i Lulzim Bashës, por i një klani të deformur nga kolltukët, të cilët pa frikë mund t’i quajmë, Inteligjenca Negative. Kjo “Inteligjencë” gjeti boshllëkun e duhur duke u shfaqur me gjithë vrullin e saj. Personazhe që ishin përgjegjës direkt dhe indirekt për humbjen e mësipërme, fërkuan duart me një pamje histeriko-skizofrenike… Sedra e katedrave dhe mukoza e rremë u shqyen keq. Ligësia autoritare rrëshqiti në dekadencën ordinere me një shpejtësi marramendëse. Grafia e popullit kaloi në revistë çdo kockë dhe ind të fshehtësisë së gjallesave që i brohorisnin më parë. Ishte një zhgënjim i madh dhe këtë zhgënjim, populli e tregoi përmes votës. Pati dhe blerje votash… Por, çdo qytetar apo fshatar i shekullit XXI mund të pyesë fare thjeshtë: “More zonja dhe zotërinj, kur ju nuk merreni vesh me njëri-tjetrin që keni vite së bashku, si mund të merremi vesh bashkë, kur na bie të takohemi një herë në katër vjet?!”

Kurse vëzhguesi i paanshëm, do pyeste: “Kush është më e rëndësisshme, një penë që qëndis për të ardhmen apo një shpatë që e pret atë?!” Jam i sigurtë që, duke mos njohur metamorfozën, pyetjet bien në vesh të shurdhër. Lufta brenda llojit, do të thoja, është lufta më e paprinciptë, e cila nuk ka derte, nuk ka keqardhje, nuk ka horizont, nuk ka shpirt, por ka vetëm një qëllim: shkatërrimin me çdo kusht të kundërshtarit, vëllaut , bashkëpuntorit,  dhe pse ky qëllim sjell vetëshkatërrim! Pra, ky është kulmi i Inteligjencës Negative, që nuk sjell asnjë lloj progresi, vetëm dekompozim! Thirrja për maturi e mikut tim, Kreshnik Çollaku, është një paralajmërim për klithësit e “revulucionit” të brendshëm. Po a nuk ishin këto njerëz (që klithin sot për një luftë brenda llojit) që lëshuan pak e nga pak terrenin që të vinin në pushtet të majtët ?! Para se t’i kërkojnë llogari Lulëzim Bashës, t’i kërkojnë llogari vetes që e qelbën me punërat e tyre të mbrapshta dhe fodullëkun primitiv. Jam dakord me gjykimin e shtruar, të miku tim, Genc Pollo, i cili thotë se  duhet një analizë serioze… Kjo është mençuria intelektuale dhe jo boritë …

Sa për ilustrim, në retrospektivë: Para disa vitesh, kisha për shpirtë një mision të shenjtë për tek  Kisha e Shna Ndout, Laç …, por kisha  dhe një kërkesë nga  disa demokratëve. Vendosa të udhëtoj për në atdhe për  misionin e shenjtë , por dhe për të paqëtuar heronjtë e demokracisë me shpërdoruesit e pushtetit demokratik… Si udhëheqës i “Unionit Anti-Komunist Shqiptar”, ndjenja e përgjegjësinë morale dhe shpirtërore më thërriste që në ato momente udhëkryqi të isha pranë heronjve realë. Luftëtarëve të lirisë, u kishte ardhur në majë të hundës; mohimi,  padrejtësitë, papunësia që klani i “revolucionit” të sotëm kish shkarkuar mbi të gjithë demokratët, në të gjithë vendin. Vendosëm që të mblidheshim në Shkodër, në Kinema Republika. Fatmirësisht ndodhi që dita që kishim lënë takimin të korespondonte me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, porosita që në sfondin e tribunës të vendosej urimi për Pavarësinë e Kosovës, dhe jo baneri i Unionit Anti-komunist. Fjalimi im u hap për Kosovën (dhe jo për hallet e anti-komunistëve) duke uruar për fitoren e madhe… Më pas vazhduam me procedurat e takimit tonë. Përfaqësues nga e gjithë Shqiperia sollën pakënaqësitë për disa drejtues të PD-së, të cilët, po vrisnin demokracinë dhe heroizmin e demokratëve të vërtetë… Salla e Kinema Republikës, numëronte rreth 200 përfaqësues të Unionit, dhe të ftuar. (Takimin tonë e ndiqnin përfaqësitë ishin KE dhe OSCE…) Dhe pse të zemëruar deri në kockë, u mundova t’i qetësoja, duke i këshilluar që të zgjidhej një përfaqësi për të negociuar me vëllezërit dhe motrat demokratë që kishin pushtetin. Pjesëmarrësit në atë takim ishin shumica heronjve të lirisë që nga fillimet e para dhe pjesëmarrës të 14 Shtatorit… Ata nuk e kishin për asgjë të rrëzonin një qeveri, por kë do rrëzonin, vetveten?! Më premtuan se do e zgjidhnin përfaqësinë ose do të heshtnin duke shpresuar në njohjen, dhe respektimin e kontributeve të tyre… Televizionet lokale dhe  ALSAT i Tiranës, i bënë jehonë atij takimi. Fotografja demokrate, Vjollca Tafili, duhet të ketë ekzemplarë  fotosh nga ai takim…

Pra, kishim një gjendje të dukshme të shkëputjes së lidershipit nga baza e demokratëve të vërtetë. Vendin e tyre e kishin zënë klientët që vinin nga rradhët e kundërshtarëve. Fajin për këtë nuk e kish Lulëzim Basha, se ai as që mendohej se mund të bëhej kryetar asokohe, por arrogantët që e shpërdoruan besimin e demokratëve në vite, duke bërë që akumulimi i të keqes të humbte shpirtin dhe fuqinë e palcës së demokracisë shqipëtare, bazën!

 

Populli vuante dhe po vuan për bukën e gojës, duke marrë rrugët e mërgimit, bash prej këtyre politikanëve të babëzitur që njohin vetëm të drejtën e egos absolute të vetvetes dhe asnjëherë detyrën për çfarë janë zgjedhur. Mendoj se, përpara se të luftojmë me njëri-tjetrin duhet t’i thërrasim ndërgjegjes për t’u larguar nga epitetet e “hekurta” që prangosin mirëkuptimin dhe zhvillimin e demokracisë së brendshme në dëm të rregullave të lirisë dhe besimit të elektoratit. Nuk duhet fajësuar komshiu  apo oponenti, por paaftësia personale dhe kolektive për të dalë nga qendrimi i gabuar! Lëreni Bashën të punojë …!!!

 

Kandidimi i Selamit përballë Bashës, është një kërkesë e rregullave demokratike dhe duhet respektuar. Eshtë koha që “sedërlinjtë” të ulin hundën dhe të punojnë së bashku sa nuk është vonë! Shtëpinë e demokratëve nuk e ndërtuan “sedërlinjtë” e as kritikët e “sedërlinjëve” ,  as demokratët parazitë (që bëjnë rolin e heroit), që sulmojnë Jozefinën sot,  por heronjtë e vërtetë… Mjaft me fallsitet e hipokrizi ! Punoni së bashku, askush nuk është i tepërt !

Randolf thotë: Justice is never given; it is exacted and the struggle must be continuous for freedom is never final fact, but continuing evolving process to higher and higher levels of human, social, economic, political and religious relationship.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, e Inteligjences Negative, Lufta brenda llojit, Simptomë

NE DITELINDJEN E AMERIKES

July 4, 2017 by dgreca

1 sadik1 ok kembana filadelfiaNga Sadik ELSHANI*/4 Korriku eshte ditelindja e Shteteve te Bashkuara te Amerikes. Me 4 korrik te vitit 1776, 241 vite me pare, ne Filadelfia u shpall pavaresia e Amerikes me nenshkrimin e Deklarates se Pavaresise nga te gjithe perfaqesuesit e 13 kolonive te atehershme – koloni qe nuk donin me te jene nen sundimin e Kurores Mbretyerore Britanike, por deshironin te ishin te pavarura, te lira per te vendosur vete per fatet e tyre. Ne ate 4 korrik te atij viti te larget nuk u themelua vetem nje shtet i ri, por lindi nje vizion, nje ideal i ri i papare gjer atehere ne bote – u themelua nje shtet bazuar ne parimin e larte te vlerave njerezore: Te gjithe njerezit jane krijuar te barabarte dhe me nje deklarate qe fillon me fjalet emblematike: Ne populli (We the people). Ishte ky nje ngadhnjim mbi dhunen, roberine, tiranine. 4 Korriku i vitit 1776 u be burim frymezimi edhe per vendet dhe popujt tjere anembane botes. U be burim frymezimi per Revolucionin Borgjez Francez, qe e hodhi poshte sundimin mbreteror dhe hodhi themelet e Republikes Franceze bazuar ne moton: Barazi, liri, vellazeri (egalite, liberte, fraternite). Ishin idealet amerikane ato qe u prine edhe shume levizjeve te tjera perparimtare ne bote, levizjeve per liri e pavaresi. Shteti amerikan nuk u krijua si nje shtet i perkryer dhe ende eshte larg i te qenit i perkryer, por eshte nje vend gjithmone ne ndertim, vend qe kurre nuk i hiqen skelat, vend qe gjithmone sfidon kufijte e se pamundures, vend qe i ka krijuar mekanizmat per t’i korrigjuar te metat, padrejtesite qe mund te shfaqen ne shoqerine amerikane.

Eshte kushtetuta amerikane, ky dokument i shenjte modern qe siguron funksionimin e shtetit dhe qeverise amerikane edhe kur ballafaqohen me sfida te ndryshme e te nderlikuara. Eshte dokument i perpiluar nga njerez vizionare, njerez gjeniale, bazuar ne ndarjen e barabarte te pushtetit: Ekzekutiv, gjyqesor, legjislativ. Eshte populli amerikan kembengules dhe i vendosur per te ecur vetem perpara, per te arritur çdo qellim, per te perballuar çdo sfide. Ne fillim te viteve te 60-ta te shekullit te kaluar Presidenti Kennedy hodhi nje qellim sfidues: Deri ne fund te dhjetevjeçarit te 60-te, njeriu te shkoje ne Hene dhe te kthehet i pademtuar ne Toke. Me 21 korrik te vitit 1969, astronauti Neil Armstrong shkeli ne Hene dhe ekipazhi u kthye ne Toke shendosh e mire. Eshte ky shpirti optimistik qe e ve ne levizje kete vend vigan. Nuk eshte vetem madheshtia tokesore e njerezore, forca ekonomike e ushtarake qe e bejne kete vend te fuqishem, por jane edhe vlerat e larta njerezore, te quajtura ideale amerikane. Amerika gjithmone ka luftuar per lirine e te tjereve dhe kurre per t’i kolonizuar vendet tjera, pert’i roberuar popujt tjere. Ketu perfshihen edhe shqiptaret, Shqiperia, Kosova. Prandaj, ne bisedat, diskutimet  me amerikanet shpesh e degjon fjalen: freedom (liri), fighting for freedom (lufon per liri).

Shqiperia (çdo pellembe e tokes ku ujit i thone uje e bukes i thone buke) dhe shqiptaret shprehin nje simpati e dashuri te veçante e te pakufishme per Ameriken – engjellin tone mbrojtes. Miqesia shqiptaro – amerikane i ka rrenjet e thella dhe nje histori te gjate, duke filluar nga perkrahesi i vendosur i ceshtjes shqiptare, Kryetari (Presidenti) Wilson, i cili pas Luftes se Pare Boterore e mbrojti pavaresine e Shqiperise dhe e pengoi copetimin e metutjem te saj. Ishte Presidenti Clinton qe i shpetoi shqiptaret e Kosoves nga pastrimi etnik, nga shfarosja e sigurt qe i kanosej nga regjimi i eger i Millosheviqit. Ndersa Presidenti Bush e perkrahu dhe e mundesoi Shpalljen e Pavaresise se Kosoves me 17 shkurt te vitit 2008. Fal ndrhyrjes dhe perkrahjes se vazhdueshme te  Amerikes dhe NATO-s, Kosova sot eshte e lire dhe shtet i pavarur. Per kete dhe ndihmat tjera, shqiptaret gjithmone do t’u jene mirenjohes Amerikes dhe aleateve te saj. Prandaj, 4 Korriku festohet me dashuri e madheshti edhe ne Kosove e Shqiperi. Edhe ne ditet me te erreta te regjimit komunist qe ore e çast e baltoste Ameriken, shqiptaret shpresat i kishin drejtuar kah Amerika, shpetimin e tyre e shihnin te Amerika. Regjimi komunist u permbys dhe tani Shqiperia dhe Amerika jane aleat, ndajne vlera te perbashketa dhe ideale te njejta per lirine. Gjate gjithe ketyre viteve Shqiperia ka qendruar nje aleate e forte e ShBA-ve dhe sot ushtaret shqiptare dhe ata amerikane sherbejne krah per krah njeri – tjetrit ne Aganistan, si dhe me pare ne Irak.

Tani ka me shume se nje shekull qe edhe shqiptaret jane bere pjese e mozaikut amerikan, endrres, jetes amerikane, realitetit amerikan. Bashkesia shqiptaro – amerikane ka luajtur nje rol te rendesishem ne historine e popullit tone, duke filluar me punen dhe veprimtarine e palodhshme te Nolit, Konices dhe atdhetareve e intelektualeve tjere shqiptare, Federates Panshqiptare “Vatra”. Sot shqiptaro – amerikanet, sikurse paraardhesit e tyre vite me pare, jane duke dhene ndihmesen e tyre ne te gjitha lemite, sferat e jetes amerikane, nga yjet e Holivudit gjer te fituesit e Çmimit Nobel. Shqiptaret kane ardhur ne Amerike te vendosur per te korrur suksese, per te perparuar, per te permbushur endrren amerikane. Bashkesia shqiptaro – amerikane eshte duke punuar me perkushtim qe te sherbeje si nje ure miqesie ne mes te Shqiperise dhe ShBA-ve, per t’i afruar qytetaret e te dy vendeve. Amerika tani eshte bere atdheu yne i dyte, atdheu yne i pervetesuar, i pershtatur (adoptuar). Jane keto lidhje nder vite me presidentet, kongresistet, senatoret dhe zyrtaret tjere amerikane qe e kane terhequr vemendjen e Amerikes per çeshtjet shqiptare, duke filluar nga takimet e Nolit me Presidentin Wilson.

Falenderojme Ameriken qe na ka perqafuar si qytetare te lire e te barabarte. Prandaj: Gezuar 4 Korrikun, eshte Dite e Madhe per Ameriken, shqiptaret dhe gjithe boten perparimtare e liridashese!

Filadelfia, 4 korrik, 2017

*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

 

Filed Under: Featured Tagged With: 4 korrik, ditelindja e Amerieks, Sadik Elshani

NE DITEN E FESTES KOMBETARE TE AMERIKES

July 4, 2017 by dgreca

AMERIKA ËSHTË E MADHE NË TOKË, FUQI E IDEALE, SE UDHËHEQ KAUZËN E LIRISË NË BOTË/
Nga Ramiz LUSHAJ/
 
1.
Në hartën gjeopolitike të Botës, midis kaltërsisë të dy oqeaneve: Atlantik e Paqësor, në gjysmë-pjesën tjetër të hemisferës së Globit tokësor, në atë perëndim rrugëtim të përjetshëm e të përditshëm të Diellit hyjnor, shtrihet kontinenti i ri i Amerikës (së Veriut dhe të Jugut) me një hapësirë gjeografike prej 42 milionë km2 – pothuaj sa Azia apo katër herë më i madh se Europa, përndryshe: gati sa një e treta e sipërfaqës tokësore të Planetit tonë.
Kjo hemisferë perëndimore ka edhe një emër tjetër: “Hemisfera Amerikane”, e cila thuhet se u zbulua vonë, shumë vonë, në vitin 1492 nga detari famëmadh Kristofor Kolombi dhe, eci shpejt, shumë shpejt, veçanërisht nga epoka lavdiplote e Xhorxh Washingtonit deri tek kjo e sotmja e Donald Trump.
Para pesë shekujsh u cilësua “Bota e Re”, pa e ditur se do të vinte një kohë e artë që do t’i rinonte edhe të mplakurat kontinente të “Hemisferës Lindore”: Europë-Azi-Afrikë.
Amerika është larg, shumë larg, në atë rrugëperëndim të Diellit e, për ne Shqiptarët, ky fakt gjeo-historik përbën një fat të madh, tepër të madh.
Mendoni sa fatalitet do të ishte sikur Dielli të perëndonte në Beograd, Moskë… apo Athinë. Eh! Ah! Në të nesërmen e ditës tjetër do të na e kishin ndalë rrezatimin e tij. Oh! Nuk do ta linin të rrezatonte mbi Shqipëri e Shqiptari, në trojet tona etnike në Ballkan. Kjo për faktin e fatin e keq se deri këtu ka arritë gjatë shekujve caku i pacak i armiqësisë shovene të këtyre shteteve ndaj Nesh – ndaj popullit tonë pellazgo-iliro-dardan-arbnor me etnosin nga më të lashtët në Europë e në Botë.
Ndryshe, krejt ndryshe, ka ndodhur me Amerikën, me të Bekuaren Shtete të Bashkuara të Amerikës, që, jo vetëm nuk e kanë menduar ndonjëherë të na e ndalin Diellin e Galaktikës tonë, por historikisht na i kanë lëshuar edhe rrezet e Diellit të Vet si shteti më i fuqishëm e më demokratik i Botës.
Kjo ka ndodhur mrekullisht që nga 4 korriku 1776 kur Amerika nisi të bëhej Amerikë e deri më sot, në këtë Mijëvjeçarin e Tretë, kur Amerika u bë Amerikë, që kur Presidenti Amerikan Willson mbrojti interesat kombëtare shqiptare më 1919 e deri tek Presidenti Amerikan Klinton që i dha lirinë Kosovës më 1999, nga Presidenti Amerikan Linkoln që foli me 1853 për një ardhmëri të veçantë të Shqiptarëve në Ballkan e deri tek Presidenti Amerikan Xhorxh W. Bush, që më 10 qershor 2007 bëri një vizitë historike në Shqipëri dhe deri tek Presidenti i 45-të i ShBA, Donald Trump.
 
2.
Kontineti i ri Amerikan nga Poli i Veriut në atë të Jugut është madhështor, jo vetëm për shtrirjen e tij në gjysmën e Globit, për pozicionin gjeopolitik e strategjik në Botë, për laryshinë e klimave dhe të florës e faunës, për pasuritë e shumta mbi e nëntokësore, për praninë e njerëzve nga çdo vend i Planetit, për llojshmërinë e praninë e harmoninë e feve të ndryshme, për arritjet në shkencë e kulturë, për potencialin ekonomik e fuqinë ushtarake, por edhe për një fakt tjetër mbinatyror; i ka në hartën e tij edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo është një e vërtetë kaq e madhe saqë kur ne themi Amerika kemi nënkuptuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kur themi SHBA kemi nënkuptuar Amerikën.
Tokën dhe njerëzit i ka pasë në jetë e mote kontinenti Amerikan, por emrin e fuqinë, historinë në rritje e madhështinë në ecje, ia kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky kontinent i madh Amerikan, nga Veriu në Jug, nuk ka qënë dhe as nuk është koloni e SHBA, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qënë dhe mbeten kolona vertebrare më e fuqishme e tij.
Hemisfera Amerikane me gjigandin e saj SHBA i krijoi Globit drejtpëshimin fizik, politik, ushtarak, diplomatik, kulturor, ekonomik; i dha Botës lartësi të reja të zhvillimit demokratik e shoqëror; i solli njerëzimit një tjetër frymëmarrje morale e materiale.
Kontinenti i ri Amerikan, veçanërisht e kryesisht SHBA, u shfaq papritur në hapësirat e Globit dhe vitale e sfidante në rrjedhat e kohës, që kësaj Bote të mos i shterronin mundësitë e shanset, të mos i vyshkeshin energjitë e interesat dhe të mos i ndryshkeshin idealet e shpresat.
 
3.
Europianët rendën me revansh të shfrenuar drejt Amerikës së panjohur duke u sjellë atje me përvojën e vjetër të kolonizimit pa e mirëditur se në të nesërmën e afërt të historisë do të ishin pikërisht europianët që do t’i dhuronin Amerikës të famshmen Statujë e Lirisë dhe amerikanët do t’i dhuronin Europës Pallatin e Drejtësisë Paqësore në Hollandë – të njohur tashmë me emrin: Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.
Europianët rendën të etur drejt Amerikës – kësaj “Toke të Re” për të marrë flori të çmuar e çuan skllevër të robëruar pa e mirëditur se më vonë do të vinin në këtë kontinent, në “Planetin Amerikë” të sfidave historike për të ngjitur shkallët e Pallatit të Qelqtë të OKB-së në Nju York për t’iu dhënë rrugëzgjidhje problemeve të tyre të Globit, do të vinin për të trokitur për fonde për vendet e tyre në dyert e Bankës Botërore e të Fondit Monetar Ndërkombëtar, do të vinin për të ngjitur shkallët e Organizatës Botërore të Tregtisë.
Europianët rendën të pandalur drejt Amerikës si kolonizatorë me shans e me shkop pa e mirëditur se më 4 korrik 1776 nga Filadelfia historike me të madhërishmen “Deklarata e Pavarësisë” do të rrezatonte “Revolucioni Amerikan”, që do të frymëzonte kudo popujt në luftëra kundër sundimit të tyre kolonial nga përtej Atlantikut e Paqësorit e deri përtej Mesdheut.
 
4.
Deshti Zoti dhe e mbajti të “fshehur” Amerikën e panjohur mbi Tokë, që ta zbulonte më vonë si befasi, ta ndërtonte si mrekulli dhe ta përballte me të ardhmen si sfidë të madhështisë së magjishme të tokës e të brezave.
Mbi të gjitha SHBA është superfuqi e Globit për idealet e saj demokratike, për angazhimet e suksesshme në Botë, për arritjet në të gjitha fushat më kryesore të shkencës, kultures e ekonomisë, për forcën ushtarake vitale e të padiskutueshme. Prandaj Xhorxh W. Bush në fjalimin e tij të parë inaugural si President i 43-të i SHBA deklaroi:“Para të gjitha kombeve ne do të flasim për vlerat që na dha kombi që na rriti” dhe “Nëse vendi ynë nuk udhëheq kauzën e Lirisë, ai nuk do të udhëhiqet”.
Për madhështinë e SHBA renditen shpjegime nga më të ndryshmet, ka analiza evidente nga më të shumtat dhe hulumtimet mbeten gjithënjë të hapura, por mbi gjithcka kjo madhështi më duket se është më shumë se njerëzore dhe më tepër se hyjnore.
Zoti e krijoi së parit Tokën dhe më pas Njeriun për ta transformuar e lartësuar Galaktikën tonë nga fundi i oqeaneve tek yjet e planetet; së dyti, Jezu Krishtin, Profet Muhametin… për t’i ekuilibruar e emancipuar njerëzit e kohërat dhe, së treti; Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i avancuar e përparuar Tokën, Kohën, Njeriun dhe Ardhmërinë e tyre.
Xhon Smith, themeluesi i kolonisë së Virxhinias (1607), më e para koloni angleze e qëndrueshme e SHBA, për aktin hyjnor të krijimit të Amerikës, ka lënë një thënie monumentale: “Dielli kurrë s’ish marrë vesh aq mirë me Tokën për t’i bërë vend Njeriut për të jetuar”.
E përjavshmja amerikane “Newes Week”, 26 vjet më parë, në një apel drejtuar Popullit Amerikan, profetizonte: “Qënien e Amerikës supërfuqi e ka përcaktuar Historia dhe nuk është pasojë e veprimeve që ka ndërmarrë Ajo”.
 
5.
Amerika është Kudo, pavarësisht se jo kudo është Amerikë, veçse Amerika nuk mund të imitohet realisht, por vetëm të vlerësohet botërisht.
Amerika është Amerikë, ndaj si e tillë duhet parë, ndjerë e kuptuar, për më tepër, është një vend që udhëheq dhe udhëhiqet. Eksporti më i madh nuk është vlera monetare e dollarit, as tregtia e mallrave të ndryshme, por Liria.
Amerika bëri Luftën, Paqen në Kosovë, i dha Pavarësinë e merituar, jo sepse ka interesa të veçanta strategjike, por se e ka dhe e ndjenë përgjegjësinë kolektive si vendi më i madh dhe më i lirë i Botës, sepse udhëheq duke u udhëhequr nga vlerat e larta të Lirisë, Demokracisë, Drejtësisë e Barazisë.
Në rast se Kosova nuk e fitonte Pavarësinë duhet kuptuar edhe kjo: Presidenti Bush e humbte Amerikën dhe, përndryshe: Amerika do humbte shumë, më shumë nga ç’mendohet e pritej, lidhur me rolin e saj udhëheqës në Botën e sotme. Kjo mund të ngjasë edhe nëse Shqipëria Natyrale do të mbetet e copëtuar në gjashtë shtete: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni (FYROM), Mali i Zi, Serbi e Greqi, nëse Tirana e Prishtina, Plavë-Gucia e Presheva, Mitrovica e Çamëria, Shkupi e Podgorica … nuk do të jenë një komb i vetëm shqiptar. Në jetë e mote historisë shqiptare të hershme e të nesërme do i jehojnë thirrja devizë: “Nanë Shqipëri, mos kie frikë /se kie djemtë në Amerikë”.
Bota ia kërkon sot rolin udhëheqës Amerikës, sepse don të udhëhiqet nga një vend si Amerika, ndaj Amerika e ka për detyrë të veçantë e kolektive për të mbrojtur Lirinë, Progresin e Pavarësinë në të gjithë Botën, siç po vepron aktualisht për Pavarësinë e Kosovës, siç po bën për demokracinë e ardhmërinë shqiptare në Ballkan.
Ne, Shqiptaria, me Amerikën, nuk kemi për bazë treguese e vlerësuese një tabelë aritmetike arritjesh të konvertuara në dollarë, ton apo kilometra, por një kod gjenetik e historik vlerash universale morale të miqësisë e mirënjohjes të provuara e lartësuara në shekuj, që nisin më 4 korrik 1776 dhe mbesin e ecin në memorien e gjakun e brezave të kombit tonë.
Amerika nuk është e madhe në rast se ka në imazh e realitet një Botë të vogël gjeopolitikisht në vlera demokratike e jetësore dhe Bota nuk është e vogël në dimensionet e saj universale kur ka një Amerikë kaq të madhe.

Filed Under: Featured Tagged With: iten e Lirise, NE DITEN E FESTES KOMBETARE, Ramiz Lushaj, te Amerikes

Partia Demokratike Duhet të Ripërcaktojë Misionin e saj

July 3, 2017 by dgreca

1 mithat

Nga Mithat Gashi*/ Gazeta “DIELLI”/

Në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, Partia Demokratike fitoi vetëm 29 për qind të votove, pra doli me 43 deputet, shtatë ma pak se në vitin 2013, LSI fitoi 19 deputet, tre ma shum se në zgjedhjet e maparshme, dhe Partia Socialiste fitoi 74 deputet në parlamentin me 140 vende, nantë ma tepër se ne zgjedhjet e vitit 2013.  Vëzhguesit ndërkombëtarë theksuen që votimet ishin përgjithësisht të rregullta, dhe ambasada e SHBAs në Tiranë deklaroi që “incidentet nuk ishin aq të përhapuna sa me ndryshue rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve”.  Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 46.7 për qind, 7 pikë ma pak se në 2013.

Ky rezultat ka shkaktue shum reagime mbrenda Partise Demokratike (PD).  Nji pjesë e anëtarëve të PDs, si Besnik Mustafaj, Eduart Selami, Selami Xhepa, Ilir Rusmajli, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Edith Harxhi, Genc Ruli, Majlindë Bregu, etj. kanë kërkue dorëheqjen e menjihershme të kryetarit të saj, Lulzim Basha.  Kritikët e quejnë marrëveshjen që bani Basha me Edi Ramën mbas protestës së vazhdueshme për tre muej në “çadrën e lirisë”, gabim dhe dështim.  Ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, në rrjetet sociale ka shkrue, “Nese Basha nuk jep doreheqjen e parevokueshme, demokratët duhet të marrin fatin në dorë, me protesta dhe forma të ndryshme demokratike ….” Majlindë Bregu ka theksue, “Kërkoj heqjen dorë nga një qasje qorre dhe shurdhe e drejtimit dhe funksionimit të PD-së. Nga një mënyrë që e ka në përmbajtjen e saj vetëshkatërrimin e ngadaltë, por të pandalshëm të çfardo organizate, pavarësisht emrit që ka…. Ta konceptosh këtë moment si momentin kur PD-ja duhet të ndahet: me Lulzimin “e ngrirë”apo kundër Lulzimit “të shkrirë”, është gabim. Ta kthesh sot, tani, PD-në në një shesh për përshesh, pasi shqiptarët na dhanë 190 mijë vota minus, më zi se në zgjedhjet e ’97-ës, është gabim.”

Siç shihet nga shum politikanë dhe analistë, Lulzim Basha asht ba nji objekt qitës për të metat dhe dobësitë e vetë PDs, e cila ka humbë besimin e bazes elektorale që ka pasë, tue përfshi të përndjekunit politik, dhe të shpronësuemit.

Heqja apo mosdoreheqja e Bashës nuk do t’a ndryshoje gjendjen e PDs. PD-ja duhet të rishqyrtojë dhe përcaktojë misionin e vet për të rifitue besimin e elektoratit që ka pasë për ma se 20 vjet.

Në nji takim me vatranët që pat Lulzim Basha me 20 mars 2016, në shtëpine e Vatrës në New York, vërejta që fushata elektorale e Bashës përqëndrohej në nji listë të gjatë me të këqijat që Partia Socialiste i ka prû vendit.  Nuk dukej qe PD-ja kishte ba vetë-reflektim.   Nga fundi i diskutimeve, mora fjalën përshendetëse dhe mbasi i dorëzova Bashës kopjen e nji peticioni për Kosovën shkrue nga une në vitin 1997 dhe nënshkrue nga ai (Basha) ndërmjet mikut tim, të ndjemit, Dr.Barend Cohen, thashe:“Duhet të theksojmë që të gjitha të mirat dhe të këqijat që ka tejkalue dhe po kalon populli shqiptar janë si rrjedhojë e politikanëve që kanë qeverisë vendin tone gjatë këtij nji-çerek shekulli.”

Dhe në vend te pyetjeve, shtova, “Kam disa shqetëtime për të cilat nuk kërkoj përgjegje nga ju Z. Basha, por shpresoj të reflektoni mbi qendrimin e Partisë Demokratike në lidhje me këto tema:

1) Vartësia e tepërt e qytetarit shqiptar në institucionet shtetnore: Qytetarët kanë krijue përshtypjen se po te veshën me karrigen e shtetit, pasunohen.  Kjo asht si rrjedhojë e propogandave partiake që u bahet votuesëve në mënyra tue (TE) ndryshme, sidmos gjatë procesit elektoral.  E keqja asht se çdo punë shtetnore, lidhet me mbështetjen politike që nji qytetar i jep apo nuk u jep nji partie politike gjatë fushatës zgjedhore. Qytetarët kanë përshtypjen se po të fillojnë nji punë në shtet, do të pasunohen dhe do të rregullojnë gjendjen ekonomike. Mvartësia në këtë mënyrë në institucionet shtetnore nuk e zhvillon ekonominë e vendit; e damton atue (ATE) dhe kjo lidhet me shqetësimin tjeter;

2) Pasunimi i zyrtareve ma të naltë të qeverisë që kalon çdo cak të normalës dhe etikës njerëzore. Ministra dhe zyrtarë të naltë që kanë qenë dhe janë në qeverisje kanë akumulue pasuni dhe po të përdorim metodat ma të fundit statistikore do te deltë që probabiliteti i akumulimit të miliona dollarëve në nji kohë shum të shkurtë të dhjetra zyrtarëve të shtetit shqiptar asht jashtë normalës.

3) Vonimi i ngritjës së nji tribune gjyqsore për të gjykue krimet e komunizmit:  Kanë kalue 25 vjet dhe ju, se bashku me kryesinë e Partisë Demokratike, duhet të keni nji pozicion të kthjelltë mbi këtë çashtje. Dekomunistizimi i vendit nuk mund arrihet pa nji tribunë gjyqësore që të merret me krimet e komunizmit, të paktën për hirë të historisë, dhe për hirë të së vërtetës;

  1. Kthimi i pronës, i tokave, që sistemi komunist i konfiskoi me dhunë: Ligji 7501 u vu në korrik të vitit 1991 në kushte jo normale, ku 170 deputetë socialist (komunistë), 75 deputet të partisë demokratike (nji pjesë ish-komunistë) dhe 5 të partisë Omonia. Mbrenda 8 ditëve u mueren vendime, për të cilat, edhe nga ana teknike nuk kemi informata të kthjellta se sa deputet ishin pro dhe sa ishin kundra, por dihet që të gjith deputetët kanë qenë të ndikuem nga mentaliteti komunist sa i përket konceptit të pronës private.

5) Forma e regjimit: Ne vitin 1997, në kushte të vështira dhe të pa-përshtatshme u ba nji referendum për të vendosë formën e regjimit. Shum burime tregojne që votat ishin me shumicë në favor të morarkisë, por pati manipulime. Pavaresisht bindjeve të mija politike sa i përket formës së regjimit, duhet të përsëritet referendumi. Populli ka të drejtë, që me vota të lira, të vendosë formën e regjimit.

6) Se fundi, asht keqardhje që reforma në drejtësi, për të cilën, debatohet sot, asht presion nga Amerika, dhe jo vullnet politik i shqiptarëve.

PD-ja, në sy të popullit, paraqitet si parti e djathtë. A ka veprue si e tillë?  Nuk e di a do te kishte ndryshue rezultati i votave me 25 qershor në qoftë se PD-ja do të ishte pozicionue kthjelltë në temat  e naltpërmenduna.  Por detyrimisht, PD-ja duhet të ripërcaktojë misionin e saj po të dojë me vazhdue si forcë politike në të ardhmën.  Për ndryshe, edhe atë elektorat që e ka do t’a humbe.

New York, 2 korrik 2017

*Mithat Gashi asht anëtar i Federates Panshqiptare të Amerikës, Vatra, dhe shërben si Charman i Vatra’s Educational Foundation.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Misionin e saj, Mithat Gashi, Partia Demokratike Duhet të, Ripërcaktojë

TAKIM I DEGES SE VATRES NE MICHIGAN

July 3, 2017 by dgreca

1 vatra MichiganTe Dielen  me, 2 Korrik 2017 , u zhvillua nje takim i hapur pune me Kryesinë dhe disa anëtarë të Degës Miçigan.
Fjalën e hapjes së këtij takimi e hapi Kryetari , Mondi Rakaj. Ai vuri theksin në punimet e Kuvendit dhe zgjedhjen në krye te Vatrës , Z.Dritan Mishto.1 CefaNdër të tjera ai përmendi dhe nderimet që u bëri qendra e Vatrës, Degës Miçigan me dhënien e ” Mirënjohjes” dhe ” Arritjeve” , zvkryetarit , Julian Çefa,anëtarit të Këshillit Kombëtar të Vatrës, Kujtim Qafa, biznesmenit dhe Konsullit të Nderit , Ekrem Bardha.1 Ivezaj
Në praninë e pjesmarrësve, iu dorëzua “Mirënjohja” ,Z . Julian Çefa, i cili mendohet që sëbashku me , Kolec Pikolinin të jenë Vatranët më të vjetër në Amerikë . Në këtë takim merrte pjesë dhe Don. Fran Kola, i cili sëbashku me Konsullin Mishto, u patën rreshtuar në përkrahjen e ringritjes së Degës Miçigan . Ata bënë një prononcim (kontratë xhentelmenësh me gojë) që të jenë pjesë përbërëse e Degës Miçigan.

1 Mondi &alfonsDon Frani , theksoi rolin e Vatrës në Pavarësinë e Shqipërisë. Ndër të tjera , ai ngriti lart figurën e Konsullit Mishto, ku shpresonte në një strategji për lobimin e Vatrës për bashkimin e Kombit.1 prifti
Në këtë takim folën : Gjevalin Gega, Gjeto Ivezaj, Vasel Ujka, Dragush Beqiraj,Gjovalin Gjelaj , Nikoll Pepa, Njac Tershana etj… , me anen e telefonit pershendeti Vatrani Sotir Laco. Kryetari i Nderit dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të Vatrës, Alfons Grishaj,bëri një pasqyrë te Kuvendit 2017 i cili u zhvillua në një frymë debatesh demokratike . 1 VaseliAi theksoi mbështetjen e tij pa rezerva të Vatranëve të Miçiganit për përkrahjen e Kryesisë së Re dhe Kryetarit Mishto. Ai ngriti lart figurën e Dr. Gjon Buçaj , si një patriot i rrallë i plejadës së patriotëve klasikë…Ai mbaroi fjalën e tij , ” Vatra do të rritet dhe përparojë në saje të dashurisë për atdheun”! Zvkryetari Julian Çefa solli kujtime që nga viti 1967-68 deri në ditët e sotme. Plot emocion falenderoi Vatrën për nderimin për “Mirënjohjen” e akorduar.
Kryetari i Degës , Mondi Rakaj e deklaroi të mbyllur takimin , duke premtuar në emër të Vatranëve të Miçiganit, për një mbështeje totale të Z. Mishto, dhe Kryesisë së Re.
Në këtë takim morën pjesë dhe Anëtari i Kryesisë Miçigan, z. Luigj Sterbyqi, anëtarët , Gjergj Filipi, Pal Rakaj etj…
Informacioni:
Mondi Rakaj

Filed Under: Featured Tagged With: Dega e Vatres, Michigan, Takimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 54
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT